VOAL

VOAL

48 vjet më parë lindi Ramush Haradinaj, politikan shqiptar, komandant e luftëtar i shquar për lirinë e Kosovës

July 3, 2016

Komentet

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, numri dy i Ministrisë së Jashtme të Kosovës jep lajmin e rëndësishëm

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se opinioni i raportueses Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “pa asnjë parakusht shtesë”.

“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja “janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

Në raportin e Bakoyyanis, tha zëvendësministri Ahmeti, kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, “fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend sipas nenit 5”.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, tha se raporti u votua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Por, sipas tij, gjatë takimit kishte mospajtime.

“Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshtonte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 15 mars, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sugjeroi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çështja e disa shpronësimeve në veriun e banuar me shumicë serbe, mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më herët gjatë 27 marsit se themelimi i Asociacionit – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh më 2013 – nuk është kusht për anëtarësimin e Këshillit të Evropës.

Ajo tha se në raportin e Bakoyannis qartëson në paragrafin e 11 se “kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.REL

Hovenier: Integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës, urgjencë e qartë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, 27 mars 2024.

 

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian dhe euroatlantik dhe se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj.

“Integrimi i saj është thelbësor edhe për arritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, tha Hovenier.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022 dhe është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat.

Duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, Hovenier tha se SHBA-ja e sheh stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si një premtim të rëndësishëm që duhet të përmbushet, posaçërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit.

“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja veproi për ta çuar përpara një vizion për një Evropë të lirë dhe paqësore. Edhe sot ne po punojmë për ta arritur këtë”, tha Hovenier duke folur në ngjarjen e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit.

Më 24 mars 1999 NATO-ja i nisi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Hovenier e ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që “ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten kurrë më”.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje ushtarake, NATO-ja e ka në Kosovë misionin e vet paqeruajtës, KFOR, me praninë e një numri shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.

“Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues që forca e NATO-s e luan në Kosovë”, shtoi ai.

Hovenier ua bëri të qartë autoriteteve kosovare, megjithatë, se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Posaçërisht, përmes mirëbesimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që Kosova i ka arritur përmes dialogut”, tha ai.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në fillim të vitit 2023.

Por, BE-ja, e cila e ndërmjetëson dialogun mes tyre nga viti 2011, ka thënë se marrëveshja nuk është duke u zbatuar, megjithëse është detyruese për palët.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Qeverisë së tanishme kosovare kanë arritur pikën më të ulët në fillim të këtij viti, kur autoritetet kosovare vendosën ta ndalojnë përdorimin e dinarit serb në Kosovë për pagesa me para të gatshme përmes një rregulloreje të Bankës Qendrore, e cila nga 1 shkurti e përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner.

Hovenier tha të mërkurën se pret nga Qeveria e Kosovës “sikurse kemi pritur nga qeveritë e mëparshme kosovare”, të punojë në partneritet “për t’i vazhduar përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të sigurt, shumetnik dhe stabil”.REL

Sot Dita Botërore e Teatrit – ne po kujtojmë rrënimin e Teatrit Kombëtar nga kulturocidët

 

 

Sot Dita Botërore e Teatrit – ne po kujtojmë rrënimin e Teatrit Kombëtar nga kulturocidët –

 

 

Voal.ch videon e huazoi nga muri i Elona Casllit

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, diskutohet sot opinioni i Bakoyannis

Një ditë e rëndësishme kjo e sotmja sa i përket procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vetën një pikë të rendit të ditës, atë të aplikimit të Kosovës në KiE, kryesisht raportin e Dora Bakoyannis.

Mbledhjen e Komisionit e kanë konfirmuar ditë më parë për Telegrafin nga Këshilli i Evropës, gjersa sot në agjendë të këtij Komisioni është kjo pikë e rendit të ditës. Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30 deri në 17:30. “Pasi të miratohet nga Komisioni, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja”, bën të ditur nga Këshilli i Evropës. Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se në rend dite është opinioni statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore (51) 30.

Raportuese është Dora Bakoyannis. Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në një mbledhje të ekzekutivit bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit. Ai pati njoftuar se lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve…. të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, ishte shprehur Kurti. Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës (27.03.24) Dora Bakoyannis, raportuese e Këshillit të Evropës (KiE) për Kosovën në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman socialdemokrat Frank Schwabe është optimist për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Schwabe ka folur për shansin historik të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, gjersa theksoi se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. “Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë deputeti gjerman në një intervistë për Deutsche Welle.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Hovenier: NATO-ja ndërhyri për për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë

VOA/Edlira Bllaca

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se NATO-ja ndërhyri 25 vjet më parë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe.

Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie përkujtimore në këtë fshat në Kosovën perëndimore, ku me 25 mars të vitit 1999, forcat serbe vranë rreth 250 civilë.

“NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tilla të tmerrshme që po zhvilloheshin. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme amerikane e shtetit, Madeleine Albright deklaroi ‘e kemi të pamundur të negociojmë ndërsa (Sllobodan) Millosheviçi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë. Aksionet e NATO-s synojnë të nxisin paqen dhe qëndrueshmërinë në Evropë duke u dhënë fund mizorive dhe krizës humanitare’, tha ai.

Njëzet e pesë vjet më parë NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe. Fushata nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u dëbuan nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

25 vjet më pas ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave. Në mesin e tyre janë edhe trupat e 60 vetave të vrarë në masakrën e Krushës së Madhe.

“Familjet e viktimave kanë nevojë për drejtësi, Kosova ka nevojë për drejtësi sepse ky është parim themelor mbi të cilin duhet të funksionojë secila shoqëri, e pa të cilin paqja asnjëherë nuk është e drejtë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo e vlerësoi si “institucionalizim të kujtesës kolektive” ngritjen e një muzeu që u përurua sot në këtë fshat, me dëshmi e rrëfime nga ngjarjet e 25 marsit të vitit 1999.

“Rëndësia e një muzeu të tillë është e jashtëzakonshme. Duke hedhur dritë mbi ngjarjet e errëta të së kaluarës sonë, sigurohemi që zërat e viktimave të mos heshten kurrë e të mos harrohen asnjëherë në historinë tonë. Ne nuk duhet të harrojmë rrugën nëpër të cilën kemi kaluar, por duhet të mësojmë nga e kaluara në funksion të një të ardhmeje më të ndritshme dhe paqes së qëndrueshme”, tha ajo.

Ambasadori amerikan Hovenier tha se akti i kujtimit që mundëson ky muze është pjesë thelbësore e drejtësisë kalimtare e cila synon që të trajtojë të kaluarën dhe të ndërtojë themelet për një të ardhme të shërimit dhe pajtimit.

“Është veprim i duhur të ketë një dëshmi fizike të ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën këtu dhe të kemi një vend ku mund të bashkohemi për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e atyre që u vranë. Shtetet e Bashkuara krenohen se kanë mbështetur përpjekjet tuaja për këtë muze, duke përfshirë trajnimet për aftësi intervistuese, etikë të historisë, kurim dhe arkivim”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, tha se masakra e Krushës është dëshmi që ndërhyrja e NATO-s ishte më se e nevojshme për të ndaluar një katastrofë të mëtejshme humanitare dhe spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë.

“Kjo ndërhyrje ishte gjëja e duhur për tu bërë dhe ne i qëndrojmë prapa. Shumica e autorëve të këtyre krimeve janë ende të lirë dhe e tëra që mund të them është se pandëshkueshmëria nuk mund të lejohet. Jam krenar të qëndroj sot këtu dhe të them se Gjermania ka ndihmuar në ndërtimin e Kosovës si shtet të lirë, demokratik dhe shumetnik”, tha ai.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të jenë të larta.

Masakrat e serbëve në Suharekë e Skënderaj, Kurti: Serbia po realizonte planin gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar në lidhje me masakrat e serbëve në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël.

Kurti shprehet se në vitin 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi”, për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Kurti gjithashtu ka shkruar për masakrën në Padalishtë të Skenderajt, vrasjet në Landovicë të Prizrenit e në Gjakovë.

Postimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti:

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Në paraditen e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.

Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.

Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.

Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.

Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.

“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kujtesa e Kosovës është e freskët.

Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.

Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.

Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.bw

“Beogradi është krah Moskës”, Kurti intervistë për Politico: Duam t’i bashkohemi NATO-s!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se qeveria e tij ka rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes, vendim që është marrë pjesërisht si përgjigje ndaj agresionit të shtuar serb.

Kosova kohët e fundit bleu dronë Bayraktar nga Turqia dhe do të marrë raketa anti-tank Javelin nga SHBA. NATO dërgoi së fundmi 130 trupa shtesë për të përforcuar misionin e saj në Kosovë.

Në një intervistë për Politico ai u shpreh se Beogradi është rreshtuar krah Rusisë.

“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar, padrejtësisht, dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, tha Kurti.

BE-ja goditi Kosovën me masa kufizuese verën e kaluar në përgjigje të një shpërthimi dhune të lidhur me zgjedhjet në Veri.

Kërkesat e BE-së përfshinin themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, një plan që daton që nga viti 2013, së bashku me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Kurti tha për Politico se qeveria e tij është e përkushtuar që së shpejti të mbajë zgjedhje të reja në veri.

“Mund të mbahen gjatë muajve të ardhshëm”, tha ai, ndërsa shtoi se nënshkrimet nga të paktën 20 përqind e votuesve me të drejtë vote do të nevojiteshin për të nisur procedurën, një proces që është duke u zhvilluar.

Muajin e kaluar, një duzinë vendesh evropiane i kërkuan Josep Borrell të heqë kufizimet politike dhe ekonomike kundër Kosovës, duke vënë në dukje gjithashtu rolin që Serbia kishte luajtur në një sulm në Banjskë. Por BE-ja ende nuk ka marrë një vendim në këtë drejtim.

BE-ja është përmbajtur nga vendosja e masave kundër Serbisë, pavarësisht shqetësimeve të përhapura për zgjedhjet e muajit të kaluar në vend. Brukseli dënoi “përfshirjen vendimtare” të presidentit serb Aleksandër Vuçiç në votimin e 17 dhjetorit.

Kurti tha gjithashtu se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO, edhe pse katër anëtarë të aleancës ende nuk e kanë njohur shtetin.

“Ne duam t’i bashkohemi NATO-s dhe momenti i parë historik do të ishte Partneriteti për Paqe. Qeveria jonë ka rritur shpenzimet e mbrojtjes, pjesërisht si përgjigje ndaj agresionit të shtuar serb”, tha Kurti, duke iu referuar një programi që lejon bashkëpunimin mes NATO-s dhe vendeve joanëtare.bw

Peticion: Firmos KUNDËR Kampeve të Refugjatëve në Shqipëri! – Sign AGAINST Refugee Camps in Albania!

Përse ky Peticion është i rëndësishëm

 

I themi JO degradimit të Shqipërisë si vendgrumbullimi për emigrantë të paligjshëm të refuzuar nga Europa.

Kundërshtojmë shndërrimin e tokës sonë në kampe azilkërkuesish të padëshiruar në Perëndim për shkak të mospërputhshmërisë së vlerave.

Nuk do ta dorëzojme territorin tonë sovran e brigjet tona të çmuara turistike tek palët e treta.

Nuk do ta humbasim identitetin tonë kulturor e kombëtar dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen ngrehina jonë shoqërore dhe siguria publike në emër të diversitetit.

Nuk do të pranojmë që vendit tonë të vogël e të mpakur t’i imponohen zgjidhje cinike nga politikat qeverisëse të vendeve të Europës pa konsultim me popullin shqiptar.

Nuk pajtohemi që vendi ynë mikpritës i dashamirësisë historike të kthehet në një burg të detyruar pa të drejtat themelore të njeriut.

Në emër të kombit, atdheut, ligjit, rendit, interesit publik dhe paqes, ne angazhohemi, shpresojmë dhe vendosim ta ndjekim këtë çështje deri në fund.

Ftojmë shqiptarët anembanë dhe të huaj dashamirës të firmosin, si edhe gjithë fondacionet, organizatat, grupet e shoqatat shqiptare në diasporë të na bashkohen.

Klikoni linkun dhe nënshkruani Peticionin nëse jeni dakord.

https://www.change.org/p/firmos-kund%C3%ABr-kampeve-t%C3%AB-refugjat%C3%ABve-n%C3%AB-shqip%C3%ABri-sign-against-refugee-camps-in-albania?utm_medium=custom_url&utm_source=share_petition&recruited_by_id=a8d36030-2ecf-0130-ad7a-3c764e049b13

Prezantohet nga: Arti Tamburi (Kanada) & Jonia Tamburi (SHBA)

 

We say NO to the degradation of Albania into a dumping ground for illegal migrants rejected by Europe.

We oppose the turning of our land into camps for unwanted asylum seekers in the West due to incompatibility of values.

We will not hand over our sovereign territory and our precious touristic coasts to third parties.

We will not lose our cultural and national identity and we will not allow our social fabric and public safety to be destroyed in the name of diversity.

We will not accept cynical solutions imposed upon our small and reduced country by the governing policies of European countries without consultation with the Albanian people.

We do not agree that our welcoming country of historical hospitality should convert into a forced prison without basic human rights.

In the name of nation, country, law, order, public interest, and peace, we commit, hope, and resolve to pursue this matter to the end.

We invite Albanians and sympathetic allies everywhere to sign, along with any and all foundations, organizations, groups, and associations in the diaspora to join us.

Presented by: Arti Tamburi (Canada) & Jonia Tamburi (USA)

Më 26 mars 1990 në Kavajë shpërtheu protesta e parë antikomuniste në Shqipëri

Sot përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri e 26 marsit 1990 në Kavajë

Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe një sërë ndryshimesh radikale politike, që ndodhën në vitet 1989-1990 në Bllokun Lindor kanë patur ndikim edhe në jetën politike shqiptare.

Protesta e parë kundër regjimit komunist në Shqipëri u zhvillua më 26 mars 1990 në qytetin e Kavajës, njofton Muzeu Historik Kombëtar.

Kjo protestë erdhi si pasojë e ngjarjeve të një dite më parë, më 25 mars 1990, në stadiumin “Besa” gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku shumë të rinj shpërthyen në thirrje kundër regjimit komunist. Gjatë kësaj proteste u arrestuan shumë të rinj.

Më 26 mars 1990 një numër i madh njerëzish iu drejtua rajonit të policisë me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë Diktatura”, “Liri, Demokraci”.

Kjo protestë i hapi rrugën zhvillimeve të reja në vend.

Image

38% e punonjësve të tregtisë dhe 30% në aktivitetet e pasurive të paluajtshme nuk morën pagë më 2022

Në sektorin e biznesit, ende një numër i madh punonjësish raportohen si të punësuar pa pagë, duke rrezikuar që në të ardhmen të mbeten pa pension dhe të jenë një ngarkesë për pjesën tjetër të shoqërisë që paguajnë sigurime.

Të dhënat finale mbi ndërmarrjet në vitin 2022 tregojnë se në sektorin e biznesit, mbi 90 mijë persona raportoheshin të punësuar pa pagesë. Ata përbënin mbi 16.5% të totalit të të punësuarve prej 519 mijë personash, raportoi INSTAT.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se përqindjen më të lartë të punonjësve pa pagesë e ka sektori i tregtisë dhe riparimit të automjeteve.

Tregtia me pakicë është punëdhënësi më i madh në sektorin e biznesit me 73 mijë të punësuar gjithsej në vitin 2022, por rreth 27 mijë e tyre ose 38% e totalit të punësuarve në këtë sektor janë pa pagë. Këta përfaqësojnë të vetëpunësuarit në bizneset familjare, të cilët zyrtarisht raportohen si të punësuar pa pagesë.

Pas tregtisë me pakicë dhe riparimit të automjeteve, aktivitetet e pasurive të paluajtshme raportuan se kanë 30% të të punësuarve pa pagë.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit, por nuk ka rol thelbësor në tregun e punës. Në vitin 2022, në këto aktivitete numëronin 3442 të punësuar gjithsej, ku 30% e tyre nuk ishin më pagë.

Më tej restorantet, sektori i transportit, shërbime profesionale agjencitë e udhëtimeve kanë të punësuar pa pagesë me mbi 25 për qind të totalit te të punësuarve në këto aktivitete (shiko grafikun e mëposhtëm).

Ekspertët e tregut të punës dhe raportet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës e klasifikojnë punën pa pagesë në biznesin e familjes si informalitet dhe krijimin e kushteve për një plagë sociale në të ardhmen.

Të dhëna më të reja të INSTAT referojnë se punësimi pa pagesë në biznesin e familjes është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë.

Sipas vlerësimeve të anketës së forcës së punës për vitin 2022, rezulton se për grupmoshën 15 vjeç e lart, 47,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 31,5% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,5% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes./Monitor/

Image

Perëndimi s’lejon diskutimin në OKB për fushatën e NATO-s kundër Jugosllavisë

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore, abstenuan në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë 25 vjet më parë.

Rusia kishte kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsit në Këshillin prej 15 anëtarësh.

Franca, SHBA-ja argumentuan se agjenda e një takimi miratohet nga të gjithë anëtarët, prandaj Rusia pas votimit kërkoi zyrtarisht që kjo pikë të futej në rend dite më vonë gjatë 25 marsit dhe Japonia, që kryeson Këshillin, u pajtua me këtë gjë.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, tha se çështja e ndërhyrjes së NATO-s nuk është çështje historike, por Kosova, sipas tij, mbetet në agjendën e Këshillit, pasi tha se situata në këtë shtet është përkeqësuar së fundi.

Ai tha se ndërhyrja ushtarake e aleancës ishte “shkelje e madhe e ligjit ndërkombëtar” dhe Kartës së OKB-së.

“Më 24 mars, koalicioni i aleancës të udhëhequr nga SHBA-ja bombarduan Jugosllavinë nën pretekstin e ndaljes së pastrimit etnik në Kosovë. Në fakt, policia dhe ushtria po luftonin kundër bandave të armatosura në Kosovë”, tha ai, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç pretendoi ai, nga “propaganda perëndimore” pjesëtarët e saj “u shndërruan në luftëtarë të së mirës”.

SHBA-ja tha se ka mbështetur fushatën 78-ditore kundër caqeve policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë, dhe përfaqësuesi i saj në OKB, tha se ishte një veprim “i nevojshëm dhe legjitim për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”.

“Abstenuam për shkak të qasjes së Rusisë. Ne mund të mbështesim një takim në një format të duhur që adreson ngjarjet e vitit 1999. Nuk mund të mbështesim një takim që haptas instrumentalizon ngjarjet tragjike të shekullit të kaluar për të çuar përpara një fushatë propaganduese”, tha përfaqësuesi i SHBA-së, duke shtuar se qëllimi i Rusisë është që të nxisë tensione dhe të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesi i Francës tha se sjellja e tillë e Rusisë nuk i kontribuon përpjekjeve që Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe këtë, sipas Parisit, e di edhe Moska.

“Rusia, në mënyrë cinike po përdor çështjen e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s më 1999 dhe po tenton që të justifikojë luftën e saj kundër Ukrainës, siç ka bërë në të kaluarëm, për të justifikuar politikën e saj të jashtme agresive në Gjeorgji dhe Krime”, tha ai.

Ndërkaq, Kina, që njësoj sikurse Rusia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, po ashtu përkrahu Rusinë dhe tha se ndërhyrja e NATO-s ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Kinës tha se gjatë fushatës ajrore të aleancës ushtarake perëndimore ishte sulmuar edhe Ambasada kineze në Beograd, kur ishin vrarë edhe tre gazetarë kinezë.

“Kjo ishte shkelje flagrante e sovranitetit të Kinës”, tha ai.

Në fund të takimit, përfaqësuesja e Japonisë – shteti që ka kryesimin e Këshillit të Sigurimit – tha se është dakord që të mbahet një seancë e hapur me kërkesë të Rusisë, por për caktimin e orës do të merren vesh me palët.

Në Nju Jork, ku ka selinë OKB-ja, gjendet edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla. Në SHBA po ashtu janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Qeverisë serbe.

Më 24 mars u bënë 25 vjet nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999, në Kosovë filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka numër shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.REL

Kurti: Në veri është ulur ilegaliteti, janë ngritur 9 stacione policore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmbledhur arritjet gjatë qeverisjes së tij sa i përket sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit.

“Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Në indeksin e Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit jemi përmirësuar për 21 vende në tri vjet dhe qëndrojmë në renditjen më të lartë ndonjëherë. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më tutje, kryeministri tha se janë konfiskuar tonelata të lëndëve narkotike, janë mbyllur rrugë ilegale e janë shkatërruar laboratorë të substancave narkotike.

Po ashtu Kurti shton se janë ndërtuar nëntë stacione policore në veri, janë konfiskuar e sekuestruar miliona euro mallra, thotë se ka rekord të inspektimeve, janë kursyer miliona nga buxheti, njofton Klankosova.tv.

“Mbi 2.4 ton substanca narkotike janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. Afër 37 milionë euro mall dhe asete të sekuestruara dhe konfiskuara nga operacionet e Doganës së Kosovës. Numri i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është rritur për rreth 63% në krahasim me vitin 2019 – shifër kjo rekord e inspektimeve. Paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet gjithashtu. Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tri procese të fituara në arbitrazhin ndërkombëtar”.

“Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, e po shtohet ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, ku humbëm rreshterin shembullor Afrim Bunjaku por fituam një Hero të Kosovës dhe dolëm fitues e faqebardhë”.

“Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021. Pas 24 vjetëve në komunat veriore janë hapur e funksionalizuar zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme. Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Po shtrohen rrugë që lidhin fshatrat mes vete në veri e me komuna në jug, po ndërtohen e rinovohen shtëpi të banorëve, e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G”.

“Qeverisje e sundimit të ligjit, e të gjithëve, pa dallim”.


Send this to a friend