Vjedhjet tona të përgjithshme, të quajtura ndryshe vjedhje politike, po të zhvilloheshin më 18 qershor, do të ishin vjedhje të dhunshme, të pandershme, të padrejta, të pabarabarta. Epitetet afirmuese do të fillonin këtu e nuk dihet ku do të mbaronin deri në fund të botës.
Ka gjasa që vjedhjet e përgjithshme, vjedhjet politike të zhvillohen më 25 qershor. Është absolutisht e sigurt se ato do të jenë një antitezë e plotë e vjedhjeve të përgjithshme, po të ishin zhvilluar ato më 18 qershor.
Nëse zhvillohen më 25 qershor, vjedhjet tona të përgjithshme do të jenë vjedhje të lira, të ndershme, të drejta, të barabarta.
Nga vjedhjet politike burojnë të gjitha vjedhjet, nga ato më të rëndomtat, deri te ato më të famshmet, nga vjedhjet e përditshme tek vjedhjet e shekullit. Sepse janë vjedhje sipas parimit të lartë: nga populli, me popullin, për popullin.
Do të jenë vjedhje të lira, sepse askush nuk do të pengojë tjetrin me vështrime, me fjalë, me veprime apo çdo mjet tjetër që ai të vjedhë sipas mundësive të tij.
Nëse dikush është më i zoti se të tjerët për të vjedhë, le të jetë më i zoti dhe le të vjedhë më shumë se të tjerët. Iu gëzoftë vjedhjes!
Deri në paktin e 18 majit, vjedhjet e votave ishin të dhunshme, konfliktuoze, barbare, sepse nuk kishte harmoni, rregull dhe rend, nuk kishte një rregullore të brendshme, një akt normativ për vjedhjet, nuk kishte një bazë ligjore dhe një sfond kushtetues.
Do të jenë vjedhje të ndershme, sepse askush nuk do të vjedhë tinëz, të gjithë do të bëjnë sikur nuk po vjedhin, të gjithë do të bëjnë sikur nuk po shohin, të gjithë do të kthejnë kokat mënjanë, do t’i ulin sytë përdhe apo do t’i hedhin sytë në tavan të vendvotimit, por askush nuk do t’ia marrë tjetrit për keq se ai po vjedh ndonjë grusht, ndonjë strajcë, ndonjë thes me vota.
Iu bëfshin vjedhjet shëndet, bereqet e kësmet të gjithëve! Kush vjedhtë pastë dorën e mbarë! Kush vjedhtë më shumë se të tjerët, pastë dorën më të mbarë se të tjerët!
Deri në paktin e 18 majit, vjedhjet ishin të pandershme, ishin të shthurura, ishin të liga, sepse të gjithë e bënin vjedhjen tinës, fshehur, të gjithë gjenin mënyra e metoda më të sofistikuara, më cipëplasura se tjetri.
Do të jenë vjedhje të drejta, sepse do t’i përmbahen paktit të 18 majit: vidh e mos u ndiej, vidh e mos fol, vidh e shih punën tënde, vidh e mos shih punën e tjetrit. Vidh e mos ia prish magjinë vjedhjes.
Vjedhshi këtu e iu dalshin në parajsë vjedhjet! Hë, pra, mos përtoni, përvishjuni vjedhjeve!
Deri në paktin e 18 majit vjedhjet ishin të padrejta. Pushteti vidhte më shumë se opozita. Tashmë pushteti dhe opozita do të vjedhin drejtësisht, të dyja palët. Zhvillim historik epokal, apo jo?
Do të jenë vjedhje të barabarta, në kuptimin jokomunist të fjalës, sepse do të jenë vjedhje në kushtet e shanseve të barabarta: Ja ku i kini votat, vidhni, shitni, blijini, shkëmbejini, sa të mundeni.
Kush daltë i fituar në kushtet e shanseve të barabartë, i pastë hije vjedhja, i pastë hije pushteti brez pas brezi!
Deri në paktin e 18 majit nuk ekzistonin shanset e barabarta për vjedhjet e përgjithshme as për vjedhjet lokale, sepse ishin vjedhje pa marrëveshje, ishin vjedhje me mosmarrëveshje. Pa start dhe pa finish. Nga 18 maji gara fishkëllima e fillimit të saj ka rënë njëherësh për të gjithë.
Një resumé shkodranisht:
Vjelljet tona të përgjithshme, ndryshe vjelljet tona politike, t’ishin majtë me 18 qershor, ishin kenë vjellje të llunshme, të pandershme, të padrejta, të pabarabarta.
Bâ me u majtë me 25 qershor, vjelljet tona të përgjithshme tesh po janë vjellje të lira, të ndershme, të drejta, të barabarta.
Tue lexue kete material kaq u habita sa ne fund fillova me mendue:
“Po hajnia, asht ves apo vityt ?!” – Ju falemnderes.
Kam qesh me të madhe Zotni Skenderi!
Kuptohet se me 17 maj 2017 në 5 orshin e mesnatës Lulzim basha me Edvin ramën ndanë jo vetëm parcelat e lulëkuqeve, jo vetëm tenderat dhe ministritë e drejtoritë me shumë pare, por garantuen me ket marrveshje të tipit mafjoz-antidemokratike se rezultatet nuk do të kontestohen Ma, pasi edhe votat tashmë jan nda midis të dyve para 25 qershorit 2017 edhe pse populli voton sipas mnyrës tyne!
Rrnoft banda rama-basha! Poshtë demokracia! Rrnoft Mafia rama-basha! Përpara o Popull se akoma s’keni pa gja akoma!
Per pak besuam se vertet nuk do ishin vjedhje por nuk eshte e thene me nje ‘popull’ viktime e sindromes se Stokholmit nuk ka asnje shans qe shoqeria shqiptare te dali ne drite ashtu si shoqerite perendimore.
Tani lufta atje nalt qe mua me duket ne fakt mjaft poshte dhe neveritshem zhvillohet se : a ka me per te vjedhe apo ta rrezojme ndonjerin qe llokmat tona te jene me te medha.
E keqja eshte qe ne proceset e “vjedhjeve” si ne Kosove apo Shqiperi duket se jane perfshire edhe mjeshtrat Nderkombetare qe me gjasa marrin llokma te majme. Ata e kane ndare mendjen : Shqiperia sherben si vend ideal per varrosjen e plehrave ne nentoken e saj dhe pastrim parash ne siperfaqen e saj.
Duhet ta pranojme qe ne mund te jemi kombi me I vjete ne ato troje por pervoja mbi 2000 vjecare tregon se nuk kemi aspak aftesi shtetformuese. Te huajt eshte lehte ti fajesosh ata ate pune kane por ku jemi ne? Jemi ne qe lejojme lloj lloj hajvani qe nuk gjen pune te hajrit ne vendin e tij e na behet Zot ne pasurite tona.