VOAL

VOAL

Më 24 janar 1948 lindi politikani shqiptar Arbën Xhaferi

January 24, 2020
blank

Komentet

blank

Maqedonia e Veriut pritet t’i ndërrojë mbi 1 milion pasaporta

Pasaportat e reja me emrin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut.

Isuf Kadriu

Rreth një milion pasaporta të vlefshme të qytetarëve maqedonas, që duhet të ndërrohen brenda tetë muajsh, po krijojnë rrëmujë e pritje të gjata në sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu, shpenzimet për ndërrimin e dokumenteve personale duhet të mbulohen nga vetë ata, gjë që është kritikuar edhe nga Avokati i Popullit.

Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, që i dha fund kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të gjitha dokumentet personale – pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë – qytetarët duhet t’i ndërrojnë deri në shkurt të vitit 2024, përfshirë këtu dhe ata të cilët kanë dokumente valide. Këto janë dokumente me emrin e ri kushtetues të shtetit, ku krahas Maqedonia, shtohet pjesa “e Veriut”.

 

Sipas MBP-së, vetëm 40 për qind e pasaportave mbajnë emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo ministri i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë rreth 1 milion e 736 mijë pasaporta të vlefshme, por mbi 60 për qind prej tyre kanë emrin e vjetër të shtetit.

Por, koha e shkurtër që ka mbetur për të zëvendësuar dokumentet personale ka krijuar një listë të gjatë pritjeje.

Qytetarët që caktojnë një termin me telefon, do të duhet të presim më shumë se 40 ditë. E njëjta gjë vlen edhe për caktimin e terminit përmes sistemin online.

Sipas qytetarëve, pritjet para sporteleve të MBP-së për nxjerrjen e këtyre janë të gjata, ka rrëmujë e zënka, meqë, sipas tyre, nuk po respektohet radha e as termini i paracaktuar.

Radio Evropa e Lirë ka folur me disa qytetarë që ishin duke pritur për të aplikuar për këto dokumente.

Dragi Stojkovski nga Shkupi thotë se ka më shumë se një muaj që ka marrë terminin për nxjerrjen e pasaportës së re. Ai thotë se po pret më shumë se dy orë për të dorëzuar kërkesën edhe pse kishte një orar të caktuar se kur duhej ta bënte këtë. E gjithë rrëmuja, sipas tij, bëhet për shkak të mosrespektimit të terminëve apo “futjes me miq brenda sporteleve”.

“Ka shumë rrëmujë, kështu është çdo ditë. Kjo çfarë ndodh këtu është e turpshme, shohim gra me fëmijë se si mundohen për të zënë radhën për të dorëzuar dokumentet. Unë punoj në Gjermani dhe kjo çfarë ndodh këtu nuk ndodhë askund në Evropë. Akoma këtu funksionojnë lidhjet me miq edhe pse s’ka nevojë për këtë pasi çdonjëri e ka një termin të caktuar”, thotë ai.

Një tjetër qytetar, i cili punon në Belgjikë, thotë se ata po maltretohen.

“Kur vijmë këtu ndodh që të kthehemi prapa për shkak të maltretimeve që na bëjnë. Nuk arrijmë të kryejmë punë. Kjo është e padrejtë pasi ne po kontribuojmë më së shumti për këtë shtet, me investime, me para. Maqedonia [e Veriut] punon me paratë tona dhe neve të na maltretojnë, kjo është e padrejtë”, thotë Agim Dauti, banor i Shkupit me punë të përkohshme në Belgjikë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar më herët se pritjet e gjata janë edhe me fajin e qytetarëve, të cilët, sipas tij, aplikimin për pasaporta të reja kanë mundur ta bëjnë edhe vitin e kaluar.

Shpenzimet për pasaportat e reja, obligim i qytetarëve

Qytetarët ankohen jo vetëm për radhët e gjata, por edhe për shpenzimet që po bëjnë për nxjerrjen e dokumenteve me emrin e ri të shtetit. Madje, këtë po e bëjnë edhe ata që para dy vjetëve i kanë nxjerrë pasaportat për shkak të skadimit të afatit të tyre, e tani detyrohen sërish të bëjnë për shkak të detyrimit ligjor.

Dokumentet personale mund të merren për disa ditë vetëm nëse qytetarët aplikojnë për procedurë të shpejtuar, por kostoja e një pasaporte është dyfish më e lartë dhe arrin rreth 100 euro.

Pikërisht, kostoja e lartë ka bërë që qytetarët të aplikojnë me procedurë të rregullt, por edhe për këtë ata kanë vërejtje pasi një familje prej katër anëtarësh duhet të ndajë së paku 10 mijë denarë apo 150 euro për nxjerrjen e pasaportave të reja, apo edhe 180 nëse nxjerrin letërnjoftime dhe patentë shoferi.

Nëse pasaportat për të rritur, bazuar në çmimet e reja, më të larta, kushtojnë 2.300 denarë (afër 40 euro), ndërsa për fëmijët 1.700 denarë (afër 30 euro), shteti do të inkasojë mesatarisht 2.000 denarë (rreth 35 euro) për një pasaportë, apo mbi 32 milionë euro, nëse të gjithë qytetarët vendosin t’i zëvendësojnë pasaportat me emrin e ri të shtetit.

Nga Qeveria maqedonase nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it se pse ekzekutivi nuk i mbulon shpenzimet në rastet kur dokumentet personale kanë ende afat vlefshmërie.

Avokati i Popullit, Naser Zyberi, konsideron se Qeveria është dashur të shqyrtojë të gjitha obligimet për ndryshimin e dokumenteve personale, të cilat, siç thotë ai, janë rezultat i ndryshimit të Kushtetutës, e më pas të nxjerrë konkluzione për pasojat financiare për qytetarët.

Duke qenë se karta e identitetit është detyrim ligjor për çdo qytetar, për Zyberin, një zgjidhje e drejtë do të ishte të paktën që shteti ta subvenciononte atë.

“Qeveria e përjashton veten nga këto implikime financiare, duket se ajo nuk është marrë me këto çështje. Qeveria e nënshkroi marrëveshjen në emër të qytetarëve, e më pas Kuvendi e ratifikoi me ligj dhe më pas ndryshoi Kushtetutën, e cila rezultoi me detyrimin për harmonizimin e dokumenteve personale të qytetarëve me vendimet e mëparshme. Prandaj, mendoj se Qeveria duhet të kishte debatuar dhe nxjerrë konkluzionet e duhura se a është e drejtë që kostot e shkaktuara nga këto vendime t’i bartin qytetarët”, thotë Zyberi.

Ai thotë se barra mbi qytetarët do të ishte më e lehtë nëse shteti nuk do të vonohej në zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë, sa u përket dokumenteve personale.

Sipas Ziberit, përveç që nuk do të kishte radhë të gjata para sporteleve, edhe kostoja për nxjerrjen e tyre do të ishte më e lirë.

Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Megjithatë, edhe pse kushtet e Marrëveshjes filluan me ndryshimin e Kushtetutës, në shkurt të vitit 2019, institucionet nuk filluan me kohë të lëshojnë dokumente personale me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.

blank

Kontesti ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj maqedonase përfundoi zyrtarisht

Liturgji e përbashkët e Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Maqedonase në Shkup, maj 2022.

RFE/RL

Kontesti ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) që nga e shtuna e 20 majit është zyrtarisht një gjë e së kaluarës.

Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit iu bashkua Sinodit të Kishës Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopatës së Ohrit, që është faza përfundimtare në tejkalimin e mosmarrëveshjeve në mes të KOS-it dhe KOM-it.

Kuvendi i Kishës Ortodokse Serbe njoftoi të shtunën, në fund të seancës së tij, se ka marrë vendim për integrimin e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit në Sinodin e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit.

Mosmarrëveshja mes dy kishave ndodhi kur Kisha Ortodokse Maqedonase u nda në mënyrë jokanonike nga Kisha Ortodokse Serbe, duke u deklaruar plotësisht e pavarur, gjë të cilin Kisha Ortodokse Serbe dhe kishat e tjera ortodokse nuk e njohën, transmeton Beta.

Pas një refuzimi afatgjatë të Kishës Ortodokse Maqedonase për t’u kthyer në statusin e mëparshëm, Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit u formua si autonome brenda Kishës Ortodokse Serbe.

Nga kuvendi i vitit të kaluar, Kisha Ortodokse Serbe i dha Tomos (akt kishtar i nxjerrë nga patriarku dhe sinodi) me të cilin e njohu autoqefalin për Kishën Ortodokse Maqedonase, por mbeti për t’u shpallur është statusi i Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit.

Për këtë arsye, siç thuhet në njoftim, “Kuvendi mori një vendim për dhënien e lirimit kanonik të hierarkisë së kësaj kishe autonome nga Kisha Ortodokse Serbe dhe integrimin e saj në Sinodin e Kishës Ortodokse Maqedonase, në përputhje me kanonet e shenjta dhe kushtetutat e të dy kishave tona vendore, si dhe marrëveshjen e arritur më parë nga Sinodet e të tre strukturave kishtare”.

Në qarqet kishtare, në prag të këtij kuvendi, integrimi i Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit në Kishën Ortodokse Maqedonase, u përmend si zgjidhja më e mundshme me ndarjen e dioqezave në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që peshkopët e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit të kenë dioqezat e tyre.

Në njoftim thuhet se në Kuvend kanë qenë të pranishëm kryepeshkopët e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit. Në prag të kuvendit, siç u mësua, mësojmë, në Patrikanë janë takuar delegacioni i Kishës Ortodokse Maqedonase me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

blank

RMV- Gjuha shqipe përçan partnerët e koalicionit

Isuf Kadriu

Grupi i punës për ndryshime kushtetuese nuk ka mandat të diskutojë për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila në aktin më të lartë juridik në vend njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet.

Kështu ka deklaruar kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska, duke komentuar paralajmërimet e partisë Aleanca për Shqiptarët dhe të zyrtarëve të saj që janë në qeveri se “ndryshimet duhet të përfshijnë edhe përkufizimin e ri të gjuhës shqipe në Kushtetutë”.

Nikollovska ka deklaruar për mediat maqedonase se mandati i grupit të punës është i kufizuar dhe se nuk do të ketë lëvizje nga ajo që është ngarkuar nga Qeveria Maqedonisë së Veriut.

“Absolutisht se ne do të punojmë në bazë të agjendës së përcaktuar nga Qeveria lidhur me ndryshimet kushtetuese. Pra, e gjithë puna jonë do të jenë në përputhje me Kushtetutën. Partitë mund të flasin si të duan dhe të paraqiten në këtë apo atë mënyrë. Mandati i grupit punues është i përcaktuar qartë në vendimin për themelimin e atij organi, aty janë theksuar arsyet dhe mandati ynë ka të bëjë vetëm me pjesën e ndryshimeve kushtetuese në pjesën e preambulës”, ka deklaruar ajo.

Caca-Nikollovska ka thënë se të premten, më 19 maj, grupi i punës do të votojë rregulloren që ka të bëjnë me pikat, për të cilat do të punojë dhe do të sjellë vendime që më pas do të miratohen në Kuvendin maqedonas.

Grupi punues është formuar me kërkesë të Qeverisë për hartimin e ndryshimeve në Kushtetutë bazuar në konkluzionet e Kuvendit për “propozimin francez” e që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulës e Kushtetutës, si popull shtetformues.

Por, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se prioritet i grupit të punës do të jetë preambula, por temë debati do të ketë edhe për gjuhën shqipe për përkufizimin e së cilës pret të ketë zgjidhje.

“Në grupin e punës prioritet mbetet preambula, mirëpo aty do të hapen të gjitha temat, përfshirë edhe këtë që u përmend, definimi i gjuhës shqipe. Por, ne do të procesojmë vetëm ato tema, për të cilat do të arrihet numri i nevojshëm i votave dhe unë shpresoj se edhe kjo çështje, e cila na prek neve si shqiptarë, do të marrë vëmendjen e duhur dhe zgjidhjen e duhur ligjore. Besoj se kjo dhe çështje tjera që unë i kam kërkuar, do të mund futen në pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe ato të votohen”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Nga ana tjetër, një mundësi të tillë e ka përjashtuar kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai ka thënë se prioritet do të ketë vetëm pjesa e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen.

“Unë mendoj se ne kemi një prioritet. Në Kuvend kemi miratuar një kornizë negociuese që është pranuar edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Ne do të shohim se si do të rrjedhin bisedimet, por vlerësojmë se hapja e kapitujve dhe vazhdimi i rrugës së integrimit në BE deri në vitin 2030 është prioriteti ynë kryesor”, ka deklaruar Kovaçevski.

Por nga Aleanca për Shqiptarët thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ndryshimin e statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.

Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, më 16 maj tha se partitë maqedonase duhet t’i përmbahen një premtimi që kanë dhënë në vitin 2019 për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Kërkesa jonë është që formulimi 20 për qind të zëvendësohet me fjalën “gjuhë shqipe”. Kjo përkrahet nga të gjitha partitë politike shqiptare që janë të përfaqësuara me deputetë në Parlament. Partitë maqedonase së paku deklarativisht kanë thënë se kjo nuk iu prishë punë”.

“Kur ndodhën ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit) në vitin 2019 kishim premtime nga të gjitha partitë maqedonase se në hapjen e ardhshme të Kushtetutës gjuha shqipe do të jetë [gjuhë]zyrtare, apo se nuk do të jetë si gjuhë në numër prej ‘20 për qind’ por si fjalë, ‘gjuhë shqipe’. Besoj se ne do të shkojmë deri në fund me këtë kërkesë”, tha Taravari.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen as për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

blank

‘Foli shqip’- Opozita maqedonoveriore kërkon dorëheqjen e ministrit Bujar Osmani

Partia opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Bujar Osmani, për faktin se gjatë takimit me homologun spanjoll ka folur vetëm në gjuhën shqipe, duke e konsideruar atë lëvizje të padeklaruar.

‘Mosrespektimi që SDS dhe BDI i bëjnë Maqedonisë është bërë praktikë për të cilën asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi. Prandaj kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, që organet kompetente të nisin menjëherë procedurë dhe së fundi në Maqedoni të fillohet një procedurë e duhur për vepra kundër dëmtimit të reputacionit të shtetit, siç është rasti.

Në të njëjtën kohë, që Osmani të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Jashtme, kjo është më e pakta që mund të bëjë pas një lëvizjeje të tillë të padeklaruar, e cila është poshtëruese për të gjithë qytetarët e Maqedonisë’, thuhej ndër të tjera në deklaratën e zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.

Më tej, Miteva është shprehur se ministri Bujar Osmani gjatë gjithë takimit ka përdorur gjuhën shqipe, edhe pse sipas saj, gjuha zyrtare është maqedonishtja. Opozita e kosnideron këtë një veprim të turpshëm dhe kërkon veç dorëheqjes, dhe përgjegjësi penale.

‘Është e turpshme, joshtetërore dhe poshtëruese ajo e Bujar Osmanit, i cili në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme nuk e përdor gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare të Republikës së Maqedonisë në një takim ndërshtetëror.

Gjegjësisht, nga takimi zyrtar i Osmanit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës përmes konferencës për media, shihet qartë se Osmani përdor vetëm gjuhën shqipe, edhe pse është e qartë se cila është gjuha zyrtare e Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar e përcaktuar me Kushtetuta.’

Bujar Osmani është politikan me origjinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai është me profesion doktor dhe më parë ka qenë dhe ministër i Shëndetësisë, ndërsa aktualisht është ministër i Jashtëm. Konsiderohet si një ndër shefat e diplomacisë më të mirë në rajon. syri.net

blank

Antivirusi rus nga lista e zezë e SHBA-së, në kompjuterët e institucioneve në rajon

RFE/RL

Institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi, po i shfrytëzojnë shërbimet e një kompanie ruse që është në “listën e zezë” në shumë vende dhe kjo ka ngritur shqetësimet mbi sigurinë e kompjuterëve në institucionet e këtyre shteteve.

Bëhet fjalë për sistemin antivirus të prodhuesit rus, Kaspersky, i cili edhe pse nuk është i ndaluar në Maqedoninë e Veriut, është i ndaluar në SHBA, që është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), me të cilin Shkupi hapi negociatat për anëtarësim, rekomandoi ndalimin e shërbimeve të kësaj kompanie ruse.

Kaspersky nuk përdoret as në institucionet e Kosovës, dhe këtë për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deri në publikimin e këtij teksti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat institucione përdorin sistemin antivirus Kaspersky.

Megjithatë, sipas të dhënave nga Byroja e Prokurimeve Publike të Maqedonisë së Veriut, kompleksi i klinikave shëndetësore shtetërore ishte i fundit që nënshkroi kontratë për blerjen e shërbimeve Kaspersky.

Ky program përdoret edhe nga spitalet tjera, gjykatat dhe komunat e tjera, ndërsa nga viti 2021 u porosit edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Sistemi antivirus Kaspersky përdoret edhe nga Ministria e Arsimit, sipas kontratës për prokurim publik të lidhur në vitin 2021. Kjo ministri ishte shënjestër e sulmeve kibernetike vitin e kaluar.

Ministria e Financave, sipas Byrosë së Prokurimit Publik, ka lidhur kontratë për shfrytëzimin e antivirusit Kaspersky në gusht të vitit të kaluar, sipas së cilës, softueri antivirus duhet të instalohet në të gjithë serverët e klientëve. Në kontratë thuhet se që në këtë moment softueri antivirus (Kaspersky Endpoint Security for Business) është i instaluar në infrastrukturën e Ministrisë dhe mbajtësi i prokurimit duhet të çinstalojë softuerin aktual dhe të instalojë një të ri.

Regjistri qendror në raportin e punës për vitin 2020 thekson se në pjesën e modernizimit të infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimit, ndër të tjera, është zbatuar rinovimi i mbrojtjes së centralizuar antivirus Kaspersky.

Megjithatë, jo të gjitha kontratat janë publikuar në Byronë e Prokurimit Publik dhe në shumicën e atyre që janë publikuar nuk ka specifikime se çfarë sistemi antivirus kanë blerë institucionet, sepse për blerjet nën 5.000 euro nuk janë të detyruara të japin të dhëna të detajuara.

Në Maqedoninë e Veriut, shumica e institucioneve shtetërore angazhojnë kompani të jashtme për t’u kujdesur për faqet e tyre të internetit.

Nuk ka asnjë organ apo institucion në shtet që të jetë përgjegjës për kontrollin e programeve antivirus që përdoren në institucionet shtetërore, ndaj i takon çdo institucioni të vendosë vetë përmes prokurimit publik.

Armata dhe Ministria e Mbrojtjes, duke qenë se bëhet fjalë për vend anëtar të NATO-s, përdorin softuer në përputhje me politikën e aleancës; në përdorim kanë softuerin antivirus amerikan McAfee.

Kaspersky përdoret në mbi 50 institucione në Bosnjë e Hercegovinë

Programi antivirus i prodhuesit rus Kaspersky përdoret në më shumë se 50 institucione të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë Presidencën, Këshillin e Ministrave, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).

Kjo u konfirmua për Radio Evropa e Lirë nga sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

Deri në fund të vitit 2022, 1.300 licenca antivirus Kaspersky janë blerë nga prodhuesi rus. Më pas janë blerë edhe 200 të tjera, kur Sekretariati ka lidhur kontratë me firmën nga Banja Lluka “Prointer”, me vlerë gati 18 mijë euro.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaloi përdorimin e programeve të tyre antivirus në të gjitha agjencitë shtetërore në vitin 2017 për shkak të akuzave për bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse (FSB), të cilat kompania i mohoi.

Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, Bosnja dhe Hercegovina ishin në shënjestër të sulmit kibernetik, kur faqja e internetit e Parlamentit shtetëror u çaktivizua për dy javë. Më pas një bllokim të shkurtër pësuan edhe faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Shërbimi për Çështjet e Përbashkëta dhe disa kompani të tjera.

Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës thotë se për shkak të këtyre sulmeve, kanë blerë licenca shtesë për pajisjet e mbetura dhe i kanë përditësuar sistemet operative dhe antiviruset.

Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse përdorimi i softuerit është në kundërshtim me sanksionet kundër Rusisë, të cilat janë mbështetur edhe nga Bosnjë e Hercegovina, nga Sekretariati thanë se “nuk janë zyrtarisht në dijeni” për një vendim të tillë.

Në të njëjtën kohë, të pyetur nëse Kaspersky mund të përfaqësojë një kërcënim për sigurinë, nga Sekretariati thanë se i gjithë trafiku përmes lidhjeve publike është duke u monitoruar dhe se deri më tani “nuk ka pasur asnjë tregues për aktivitete të tilla”.

Kaspersky përdoret nga disa institucione në Serbi

Sipas të dhënave nga Prokurimet Publike të Serbisë, 14 institucione të këtij shteti kanë blerë shërbimet Kaspersky gjatë dy vjetëve të fundit. Këto institucione financohen nga buxheti shtetëror

Vlera totale e kontratave të lidhura për prokurimin e sistemeve Kaspersky nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të 30 marsit 2023, arrijnë në më shumë se 870.000 euro.

Në mesin e institucioneve që i kanë marrë sistemet ruse janë, Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimi publik mediatik RTS, kompanitë publike “Srbijagas” dhe Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Teknologjitë e Informacionit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me sistemet e mbrojtjes kundër viruseve të përdorura nga institucionet shtetërore.

Kaspersky nuk ka një zyrë përfaqësuese të regjistruar në Serbi. Produktet e tyre shiten dhe instalohen në Serbi nga kompani të tjera. Ekziston një faqe e regjistruar Kaspersky.rs, e cila përmban informacione rreth produkteve në gjuhën serbe.

Në vitin 2018, ministri i atëhershëm pa portofol i ngarkuar për Inovacionin, Nenad Popoviq, pas një takimi me përfaqësuesit e kompanisë Kaspersky në Moskë, njoftoi hapjen e një përfaqësie të kësaj kompanie në Serbi.

Sipas mediave hulumtuese, Popoviq ka lidhje biznesi në Rusi.

Në Mal të Zi, Ministria e Administratës Publike është përgjegjëse për mbrojtjen e kompjuterëve nga viruset. Ky institucion i tha Radios Evropa e Lirë se për arsye sigurie nuk mund të specifikojnë se çfarë po përdorin, porse nuk është produkt rus.

Cilat shtet nuk e rekomandojnë Kaspersky-n?

Në mars të vitit 2022, menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Komisioni Federal i Komunikimeve të SHBA-së (FCC) përfshiu Kaspersky-n në listën e kompanive që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare.

Zyra Gjermane për Sigurinë e Informacionit njoftoi po në mars se nuk e rekomandon përdorimin e këtij softueri, duke përmendur rreziqet e mundshme për sigurinë e pajisjeve pas një pushtimi.

Në atë kohë, kompania mohoi lidhjet me Kremlinin dhe theksoi se vendimi ishte marrë “për arsye politike”.

Autoritetet italiane njoftuan, gjithashtu, në mars 2022 se do të reduktonin përdorimin e Kaspersky-t në sektorin publik dhe katër vjet më parë Holanda kishte njoftuar të njëjtën gjë.

Në vitin 2018, Parlamenti Evropian kërkoi që institucionet e Bashkimit Evropian të ndalonin përdorimin e produkteve të kompanisë ruse në pajisjet e tyre.

Në vitin 2018, rrjeti social Twitter njoftoi se kishte ndaluar reklamat për Kaspersky, duke përmendur, ndër të tjera, pretendimet e autoriteteve amerikane për lidhjet e kompanisë me agjencitë e inteligjencës ruse.

Në vitin 2017, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Britanisë këshilloi përdoruesit e qeverisë të shmangin programet ruse antivirus.

Kaspersky është themeluar në Moskë në 1997. Në ueb-sajtin e kompanisë shkruan se selia e saj është në Britaninë e Madhe, dhe se shërbimet e saj i përdorin më shumë se 400 milionë përdorues dhe 240 mijë kompani në mbarë botën.

Në nëntor 2020, ata zhvendosën serverët me të dhënat e përdoruesve të tyre nga Rusia në Zvicër.

Nga Kaspersky thonë se si kompani private nuk kanë lidhje politike me asnjë qeveri, por bashkëpunojnë me autoritetet e vendeve të ndryshme dhe agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit kibernetik.

Drejtori dhe bashkëthemeluesi i kompanisë është Yevgeny Kaspersky, ekspert rus i sigurisë kibernetike.

Gjatë viteve të tetëdhjeta, ai u diplomua në Fakultetin Teknik të Shkollës së Lartë të KGB-së, e cila trajnoi oficerë të ardhshëm të inteligjencës dhe më vonë punoi në shërbimin e inteligjencës ushtarake sovjetike.

Përgatiti: Isuf Kadriu
Bashkëpunuan në tekst: Goran Katiq, Pelagija Stojanqova, Arton Konushevci, Sllavica Brajoviq, Milla Gjurgjeviq, Natalija Jovanoviq
blank

Presidenti austriak në Shkup: Mos humbni kohë, ndryshoni Kushtetutën

Presidenti austriak, Aleksandar Van der Belen, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski. 29 mars 2023.

Isuf Kadriu

Presidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase veriore që sa më parë të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme sipas tij në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovaki, ai tha se Shkupi duhet të vazhdojë të jetë shembull në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjitha pakicat tjera. Që procesi integrimit evropian të ecë përpara duhet të bëhet edhe një hapë tjetër, të miratohen ndryshimet kushtetuese, ashtu siç jeni marrë vesh”.

“Unë i kuptoj frustrimet sa i përket zgjatjes së procesit të integrimit evropian, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi që të shfrytëzohet momenti aktual dhe mos të humbet edhe më shumë kohë. Ju keni mbështetjen tonë të plotë”, tha presidenti austriak gjatë konferencës për media, më 29 mars, në Shkup.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Van der Belen i bëri thirrje opozitës maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, që t’i mbështes ndryshimet, për të cilat nevojiten dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.

Pendarovski tha se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, pasi sipas tij nuk do të ketë kornizë negociuese më të mirë se kjo që është arritur me BE-në.

“Korniza për të cilët është biseduar disa muaj parasheh përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë dhe ajo duhet të miratohet. Këto ditë besoj se do të formohet grupi i ekspertëve, i cili do të nis punën për hartimin e amendamenteve kushtetuese – të cilat më pas duhet të miratohen në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, nëse këto ndryshime nuk kalojnë atëherë Sofja sërish mund të bllokojë procesin e bisedimeve.

“Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë që ndryshoi emrin e shtetit që të fillojë bisedimet me BE-në për anëtarësim, por akoma pret në oborrin e unionit edhe pse formalisht ka nisur bisedimet. Me qëllim të ruajtjes së kredibilitetit në rajon dhe më gjerë, Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që ndonjë anëtare e saj të paraqes ndonjë kërkesë apo të problematizojë ndonjë çështje me kritere që nuk kanë asnjë lidhje me anëtarësimin në BE. Të bllokoni një shtet për shkak të çështjeve me identitetin apo çështje historike është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, tha presidenti maqedonas.

Ndërsa presidenti austriak shprehu i mirënjohje për Maqedonisë së Veriut, e cila i mbështeti sanksionet e bllokut kundër Rusisë dhe ofroi ndihmë për Ukrainën.

“Maqedonia e Veriut është shembull shumë i mirë edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe procesin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Para dhjetë ditëve këtu ishte nikoqir i bisedimeve mes dy vendeve. Ajo po jep rol të rëndësishëm edhe me kryesimin e OSBE-së”, tha ai.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

blank

Maqedonia e Veriut i dhuron Ukrainës 12 helikopterë luftarakë

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut ka vendosur që t’i dhurojë Ukrainës 12 helikopterët e saj luftarakë, të llojit Mi-24.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavajnka Petrovska, tha për mediat në Shkup se dhurimi i tyre bëhet me kërkesë të Qeverisë ukrainase, por edhe vlerësimeve të Armatës maqedonase se “lirimi nga këto pajisje ushtarake nuk do të dëmtojë kapacitetet mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut”.

“Të gjitha pajisjet që janë dhuruar deri më tani, kanë të bëjmë me kërkesën e autoriteteve ukrainase, të cilat janë të afta t’i përdorin, por edhe t’i mirëmbajnë. Sipas planeve tona të modernizimit, këto pajisje tashmë janë në fund të përdorimit të tyre dhe nuk do të jetë pjesë përbërëse e armatimit tonë. Nëse nuk do t’i dhuronim, jemi të sigurt që në një periudhë të shkurtër kohe do të na duhej t’i asgjësonim”, tha Petrovska.

Ajo tha se Ministria e Mbrojtjes do të blejë të paktën tetë helikopterë të rinj për më shumë qëllime, të cilët do të kenë në radhë të parë rol transportues, dhe jo luftarak.

“Kur kemi bërë planet për transformimin e ushtrisë sonë, bazuar në aftësitë tona ushtarake dhe planet e NATO-s, komponenti luftarak i njësisë së helikopterëve nuk do të ishte më operacional dhe do të orientohemi në helikopterë transportues që do të kishin në radhë të parë si obligim plotësimin e nevojave të ushtrisë, por sigurisht që do të mund të kryejnë edhe detyra të tjera që janë me interes më të gjerë për qytetarët”, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska.

Maqedonia e Veriut i ka dhuruar Ukrainës edhe tanket të gjeneratës së tretë, që duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsideroheshin jokonkurruese dhe jokompatibile.

Ndihma e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën arrin në 30 milionë dollarë.

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje Qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.

Helikopterët e parë Mi-24 e parë Maqedonia e Veriut i bleu nga Ukraina në vitin 2001 në kohën e konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas përfundimit të konfliktit, numri i helikopterëve u rrit në 12 dhe paralelisht u bë modernizimi i tyre, proces ky që u ndërpre dy vjetët e fundit për shkak të vlerësimeve të Shtabit të Përgjithshëm se ushtria në zhvillimin e saj të ardhshëm nuk ka nevojë për këtë lloj helikopterëve luftarakë, por avionë të prodhimi i Evropës Perëndimore ose Shteteve të Bashkuara.

Helikopterët Mi-24 janë përdorur në luftën në Afganistan, në atë ndërmjet Irakut dhe Iranit, në konfliktet në Amerikën e Jugut, gjatë luftërave ruso-çeçene, por edhe në Ballkan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

blank

Maqedonia e Veriut i dërgon Kievit 4 avionë luftarakë Su-25

Maqedonia e Veriut i ka ofruar Ukrainës avionë luftarakë Su-25, të cilët ia kishte blerë Kievit në vitin 2001. Më konkretisht, mediat e rajonit raportojnë se bëhet fjalë për katër avionë Sukhoi Su-25 të cilët ishin në përdorimin e Forcave Ajrore të Maqedonisë së Veriut.

Siç raportohet, Ukraina i ka marrë tashmë mjetet fluturuese, por lajmi është konfirmuar më 14 mars nga Slavjanka Petrovska, ministrja e Mbrojtjes.

Shkupi ka heshtur për një kohë të gjatë për dërgimin e avionëve edhe pse informacionet qarkullojnë që nga gushti i vitit të shkuar. Autoritetet maqedonase as nuk i mohuan zërat aso kohe, por as nuk i konfirmuan raportimet e mediave.

Megjithatë, thuhet se avionët avionët luftarakë të Maqedonisë së Veriut janë të papërshtatshëm për fluturim dhe besohet se forcat e armatosura të Ukrainës mund të jenë duke i përdorur për pjesë zëvendësuese për avionët e tyre Su-25.

Përveç avionëve Sukhoi, Petrovska konfirmoi se Shkupi ka dërguar në Kiev ndihmë ushtarake si sisteme artilerie, tanke, raketa-hedhëse antitanke dhe raketa kundërajrore, si dhe pajisje dhe municione për avionët e Forcave Ajrore të Ukrainës. syri.net

blank

REL: Pesë gjërat kryesore nga takimi i Ohrit

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Por, edhe kësaj radhe nuk kanë munguar interpretimet e ndryshme të palëve rreth asaj se çfarë marrëveshje është arritur.

Më poshtë i kemi renditur pesë gjërat kryesore nga rezultati i takimit në Ohër.

1. Marrëveshja nuk është nënshkruar dhe duket se është hequr dorë nga diçka e tillë, edhe pse zyrtarë të BE-së kanë insistuar deri në momentin e fundit në nënshkrim, si të Marrëveshjes, ashtu edhe të aneksit. Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë, edhe më i gjerë.

2.Nuk do të jetë e lehtë që deklarata e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, ta ketë peshën e marrëveshjes së arritur. Ajo, pa nënshkrim të palëve, nuk është formalisht Marrëveshje ligjërisht obliguese, por është vetëm një deklaratë politike. Prandaj edhe implementimi do të varet nga vullneti politik i palëve, nga presioni politik i bashkësisë ndërkombëtare, më shumë sesa si obligim ligjor. Kjo paraqet sfidë të madhe, sepse palët nuk i kanë zbatuar as obligimet për të cilat e kanë vënë nënshkrimin më parë.

3.Për Kosovën, me rëndësi të veçantë është pjesa e aneksit, e cila sqaron se renditja e pikave në Marrëveshje nuk reflekton prioritetet sipas rëndësisë, dhe se të gjitha pikat duhet të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Pra, nuk do të mund të bllokohet zbatimi i një pike, me arsyetimin se ndonjë tjetër nuk është zbatuar. Kjo vlen edhe për obligimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

4.Për Serbinë, rëndësi të veçantë ka kërkesa që Kosova të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë. Kjo besohet se ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet me emër, as në aneks, as në Marrëveshje. Megjithatë, në aneks thuhet se kjo duhet të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog, që besohet i referohet detyrimit për të krijuar Asociacionin.

5.Edhe pse nuk përmendet fjala “sanksione“, ato janë përfshirë në porosinë se mosimplementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Edhe Kosova, edhe Serbia, janë përfituese të mëdha të ndihmave nga fondet e Bashkimit Evropian, dhe kjo do të rritet edhe më shumë përmes një konference të donatorëve që do të duhej të zhvillohej brenda 150 ditëve. Diçka e tillë është e rëndësishme, sepse BE-ja do të ketë mundësi më të mëdha, sesa në të kaluarën, për të sanksionuar palët, në rast se ato nuk i zbatojnë obligimet e tyre.

blank

Kurti konfirmon marrëveshjen: Pala serbe po i ikën nënshkrimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti është deklaruar pas përfundimit të takimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit, në fjalën e tij për mediat, Kurti tha se pala serbe po i ikë kësaj marrëveshjeje.

Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshejn bazë, me aneksin e zbatimit, kemi arritur një marrëveshje publike në aneksin që do të drejtojë realizimin…pala tjetër po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes…Sa për aneksin e zbatimit, ai do të publikohët në uebfaqen e Bashkimit Evropian, përkatësisht EAS-it dhe aty do ta lexoni dhe kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka” tha kryeministri.

Kurti theksoi gjithashtu se Serbia po i ikë nënshkrimit pjesës që do ta bëntë marrëveshjen ndërkombëtarisht të obligueshme.

Ne kemi qenë të gatshëm me 27 shkurt, ishim të gtashëm edhe sonte me 18 mars… Kjo është njohje de-facto mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

blank

Vuçiçi: Njëfarë marrëveshje është arritur, por nuk kam nënshkruar asgjë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për mediat se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”.

“Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.

“Ka një lloj marrëveshjeje. Jam i kënaqur, ka disa pika për të cilat do duhet të diskutojmë. Prioritet mbetet formimi i Asociacionit, pala shqiptare insistoi për nënshkrimin e marrëveshjes. Unë nuk kam nënshkruar asgjë. Do të diskutoj në Serbi për atë që kam rëndë dakord. Nesër do të raportoj për atë se çfarë ka ndodhur. Do të kemi edhe deklaratat edhe të Borrell e Kurtit. Duhet të qëndrojmë në rrugën evropiane. Kurti ka kërkuar dokument, por unë kam kërkuar që asgjë nuk mund të bëhet në kundërshtim me kushtetutën e Serbisë. Ka shumë gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar, sepse është puna jonë që të trajtojmë mospajtime. Nuk besoj që ka qenë ndonjë ditë D, megjithatë ka qenë një ditë goxha e gjatë”, tha presidenti serb.

“Ende flitet për personat e pagjetur, për disa konferenca të donatërve, por kjo do të varet se si plani i implementimit do të përpunohet tutje”, shtoi presidenti serb.

Takimet në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiç, nisën në orën 10:30.

Fillimisht, Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku u diskutua për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve. syri.net

blank

Nis takimi trepalësh në Ohër

Ka filluar takimi në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në kuadër të dialogut mes dy vendeve, takim ku jan ëtë pranishëm edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun Miroslav Lajçak.

Fillimisht përfaqësuesit e BE-së takuan ndaras Kurtin e Vuçiçin, ndërsa takimi trepalësh ishte parashikuar të niste në orën 13:30, por ka nisur me rreth dy orë vonesë.

Në agjendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media, por ende nuk ka informacionb se kur do të mbahet konferenca.bw


Send this to a friend