Pavarësisht nga propaganda dhe spektaklet mediatikë, në vend të ”zero problemeve” sidomos me fqinjët të premtuara gati 10 vjet më parë, hallet dhe telashet gjeopolitike të diplomacisë shqiptare po ”lulëzojnë” duke rrezikuar të kthehen në ” bomba me sahat”. Veç ndikimit të krizave dhe sfidave globale, ato janë shkaktuar kryesisht nga gabimet dhe kusuret e politikës sonë dhe mosrealizimit të objektivave integruese. Mirëpo, këto dukuri shqetësuese dhe problematika përvëluese mund të sistemohen dhe vihen në rrugën e zgjidhjes vetëm me punime, axhustime dhe riparime kapitale të ”inxhinierisë diplomatike”; të cilat kërkojnë të paktën këto 10 ”sheshe dhe kantjere diplomatike të ndërtimit”.
Procesi i negociatave të antarësimit me BE-në përbën padyshim kantjerin më afat-gjatë politik dhe diplomatik. Sidomos tani që procedurat e zgjerimit janë forcuar, me më shumë aktorë dhe faktorë vëzhgues dhe vendimmarrës, me ”kulaç por më shumë kërbaç.” Fatkeqësisht, fillimi është larg shampanjës dhe entusiazmit të tre muajve më parë. Raport Progresi i Komisionit Europian këtë herë ishte më kritiku, ndaj dhe mund të quhet ” Regres Raport”. Kur numëron 20 shqetësimet e tij ulëritëse, ndonëse të veshura me ” kadifen”diplomatike tipike europiane thua ” Hiç, hiç, po Abili vdiq”! ” Tersi i Pojanit” ka filluar me 3 projekt- ligjet e njohura mbi aministinë fiskale, pasaportat e arta dhe median; veç kundërshtimeve të shumta brenda vendit, mazhorancës i ” ka ngecur sharra në gozhdë” te BE-ja, SHBA-ja, FMN-ja, etj. Për pasojë, në vend që të bëhen ”blloqe ndërtimi”, ato draft-ligje po kthehen në ”blloqe bllokimi”. Aq sa po shtrohet pyetja nëse do vërtet qeveria të antarësohemi shpejt në BE, apo do mjaftohet me Komunitetin Politik Europian?
Kantjeri tjetër i madh i lidhur ngushtë me procesin e lartpërmendur është rikthimi te ” Procesi i Berlinit” pas një pauze 18 mujore. Takimet e Ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm të 6 vendeve të rajonit më 20/21 Tetor në Berlin, të cilat do të kulmojnë më 3 Nëntor me Samitin e këtij Procesi historik po në Berlin praktikisht e çmontojnë ” Ballkanin e Hapur”. 4 marrëveshjet jetike që do të nënshkruhen dhe shumë komponentë të tjerë në vijim përgënjeshtrojnë pretendimet pa bazë mbi dështimin/ngrirjen e Procesit të Berlinit. Heshtjae tanishme zyrtare ndaj këtyre zhvillimeve është e kuptueshme dhe e trishtueshme. Ndonëse pati 3 vite kohë, propagandistët e tij të zellshëm dështuan ta bënin frymëzues, bindës dhe gjithëpërfshirës ”Ballkanin e ( K)Hapur”. Gjithsesi, tani është koha që bashkë me të, t’i jepet një herë e mirë fund amatorizmit, aventurizmit dhe karshillëkut politiko-diplomatik ndaj Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së. As të mos shpresojnë më kot se ” Ballkani i Hapur” do të dublojë ose plotësojë Procesin e Berlinit, zyrtarët e lartë të të cilit e kanë mohuar kategorikisht këtë mundësi.
Kantjeri tjetër i krijuar artificialisht është ai i marrëdhënieve me Kosovën dhe lidershipin e saj. Në radhë të parë zbatimi i rreth 130 marrëveshjeve të nënshkruara në takimet foklorike qeveritare. Së dyti, krijimi i një mjedisi, klime dhe atmosfere vërtet bashkuese dhe vëllazërore e jo me spektakle dhe ” hapa dollapa”. Kjo kërkon qëndrime shumë më konstruktive nga pala jonë, duke e spostuar përparësinë e politikës nga Beogradi te Prishtina. Me të drejtë liderët e Kosovës pohojnë se rruga për në Beograd, gjeografikisht dhe politikisht kalon nga Prishtina, ndërsa Rama po tenton të kundërtën, që Prishtina të shkojë dhe në Bruksel nëpërmjet Beogradit. Këtu kërkohet kryerja e disa ”punimeve” njëherësh: përmendja dhe lobimi ynë i faktit se në Kosovë serbët me mbështetjen ruse bënë genocid e jo thjesht spastrim etnik; po ashtu, mirëkuptim për refuzimin e Prishtinës për ”Ballkanin e Hapur”; fajin për këtë e ka politika jonë, e cila përpara se ta shpallej nisma në Novi Sad duhej të kishe marrë pëlqimin e Prishtinës. Është e papranueshme që Kryeministri ynë ka marrëdhënie shumë më miqësore me Beogradin dhe Vuçiç se me Kosovën
Korrigjimi dhe riparimi cilësor i qëndrimeve tona me Prishtinën kërkon dhe rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë, sidomos mbas agresionit ndaj Ukrainës, kundërshtimeve serbe lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në kundërshtim me BE-në dhe SHBA-të dhe tani së fundi për shqetësimet e krijuara lidhur me azilin nëpërmjet ” rrugës Ballkanike”. Natyrisht është pozitive të forcojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Serbinë si vend fqinj, me objektiv të përbashkët antarësimin në BE. Mirëpo, kujdes, sepse marrëdhëniet me Beogradin nuk ka pse të errësojnë dhe të spostojnë Kosovën për asnjë arsye në plan të dytë, e ca më keq akoma t’i barazojë të dyja si viktima konflikti. Gjithashtu, në vend që të bëjmë lobing dhe avokati të qëndrimeve serbe kundër BE-së dhe NATO-s, Beogradit duhet t’i kërkojmë fort të distancohet nga e kaluara kriminale ndaj Kosovës, të njohë genocidin, të mos pengojë antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, te heqë dorë nga fushatat e çnjohjeve dhe të tregojë vullnet politik për dialogun me Prishtinën.
Më 12 Tetor, me fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në Strasburg, Rama hapi dhe një ” kantjer tjetër të vështirë ndërtimi” me kërkesën për zëvendësimin e Rezolutës së vitit 2011 lidhur me hetimin e akuzave të Raportit të ish senatorit zviceran, Dick Marty për trafikimin e organeve njerëzore nga ish liderë të UÇK-së. Tanimë, KiE-ja pritet të fillojë procedurat e ndërlikuara që duan kohë për shqyrtimin e Draft – Rezolutës së Kuvendit, ku përfshihen debatet në komisione, grupe parlamentare dhe në seancën plenare. Në pamje të parë problemi duket i thjeshtë dhe i realizueshëm, por nuk është ashtu. Kjo dhe sepse formalisht, Rezoluta e vitit 2011 është korrekte; si dokument politik, ajo Rezolutë kërkon hetimin dhe verifikimin gjyqësor të pretendimeve të Raportit Dick Marty. Dihet se akuza e trafikimit ka rënë dhe nuk po hetohet, ndërsa të tjerat po. Atëhere, mund të lind pyetja përse na duhet një rezolutë e re dhe të mos e lemë të qetë Gjykatën Speciale në Hagë të përfundojë misionin e saj? Për pasojë, ”punimet në këtë kantjer mund të ngecin në baltë”, çka do të ishte dështim i madh i diplomacisë sonë. Por dhe nëse do të miratohet Rezoluta e re, juridikisht ajo nuk do të ketë asnjë ndikim në veprimtarinë e Gjykatës Speciale të Hagës. Vetëm se ky fjalim mund të interpretohet si presion politik ndaj Hagës.
Shqetësimi tjetër këtu është humbja e kohës dhe energjive per lobimet e rastit, që nuk do të jetë i lehtë, shmangia e vëmendjes nga sfidat madhore aktuale të njohura për Kosovën, duke përfshirë dhe vetë antarësimin në KiE; ky i fundit pas fjalimit të Ramës në Strasburg, në vend që të lehtësohej, mund të vështirësohet.
Kantjeri diplomatik më problematik me fqinjët është ai me Greqinë. Jashtë deklaratave zyrtare, në vitet e fundit gjërat po lëvizin me ”shpejtësi breshke”. ”Thembra e Akilit” është (mos)Marrëveshja e Detit që dy vjet pasi palët ranë dakord për ta çuar dosjen në Hagë, ka mbetur në Tiranë dhe në Athinë; madje, duket se ka hapa prapa, siç u la të nënkuptohet nga takimi Rama – Mitsotakis më 6 Tetor në Pragë. Nëse ka një model të mungesës totale të informimit publik për një çështje me ndjeshmëri të jashtëzakonshme politike dhe publike dhe që ka mbi 10 vjet që trazon ujrat e politikës në të dy vendet, duke përfshirë dhe fondet për konsulencën e huaj juridike, kjo është Dosja e Detit Jon. Ende nuk dihet asgjë se ku bashkohen dhe ku ndahen palët, se çfarë do të kërkojnë nga Haga dhe cilat janë shanset e një suksesi për palën tonë.
Përflitet se pala jonë kërkon kushte për Hagën; mirëpo, problemi është se Greqia ” na i ka futur të dyja këmbët në një këpucë” me vendosjen e Jonit në Kornizën Negociatore me BE-në, duke na detyruar të pranojmë pa kusht çdo vendim të Hagës; ndaj, të mos habitemi kur ai vendim të rezultojë shumë më i disfavorshëm se Marrëveshja e vitit 2010; dmth, ”në vend të na verë vetullat, do të na nxjerrë sytë”! Veç Jonit, ka dhe telashe të tjera që qëndrojnë pezull, si të drejtat e pakicave greke, varrezat, pronat e minoritarëve, ligji i luftës dhe Çështja Çame. Gjithë ky katalog i sikletshëm është pasojë e dështimit të diplomacisë, e cila disa vite më parë i ” futi të gjitha vezët në një shportë”, pastaj vijoi me metodën e aksionit dhe tani nuk di nga t’ia mbajë. Inshallah këto çështje nuk shtyhen në kalendat greke.
Kantjeri tjetër i madh ndërtimi është Turqia, me të cilën kemi patur vazhdimisht marrëdhënie të mira. Vitet e fundit ato janë karakterizuar nga forcimi i miqësisë personale Rama – Erdogan. Asgjë të keqe nuk ka në këtë mes, vetëm se ajo duhet të bindë se është në shërbim të interesit publik. Mirëpo këtu ka dy probleme: kjo miqësi është midis dy liderëve asimetrikë sa i takon vendeve që drejtojnë dhe më kryesorja ajo mbetet okulte, tipike e epokës së diplomacisë së fshehtë. Me përjashtim të vizitave zyrtare, takimet e tyre nuk shoqërohen me asnjë njoftim, qoftë dhe telegrafik, mbi temat e diskutuara; kësisoj, ato ngrejnë shumë pikpyetje dhe dyshime. Shqetësimi tjetër i madh është kërkesa ultimative e Erdogan për mbylljen e disa institucioneve me emër arsimor, kulturor, biznesi, etj. Tani, po të ishte se ato kishin difekte teknike, atëhere i bie të mbyllen e të prishen pothuajse të gjitha institucionet në vendin tonë. Shqetësimi tjetër është se Rama nuk lë asnjë rast, deri në nju Jork dhe Bruksel pa hyjnizuar Erdoganin, por dhe pa demonizuar BE-në. Së fundi, meqenëse Qershorin e ardhshëm në Turqi janë zgjedhjet presidenciale, ndryshimi i rregjimit do të krijonte një rebus politik me atë vend.
Me shkaqet dhe arsyet që e nxitin, Azili i paligjshëm që tanimë po rritet me ritme të pandalshme është shumë më tepër se një kantjer ndërtimi, është një ” cunam” i vërtetë politik dhe njerëzor që nuk shkaktohet siç mendohet gabimisht vetëm nga pagat e ulta dhe fukarrallëku por dhe nga shumë faktorë të tjerë shqetësues. Më e keqja është se qeveria ka kapitulluar pa kushte, duke u mjaftuar me justifikimin se po ikin dhe nga vende të tjera, e duke fajësuar vendet pritëse dhe BE-së; në vend që të analizojë situatën dhe të marrë masa të gjithanshme. Se vërtet po ikin dhe nga vende të tjera, por jo në përmasat tona. Pastaj, ti çke me të tjerët, shih vehten dhe menaxho situatat për frenimin dhe lehtësimin e situatës me politika dhe reforma të vërteta e jo për shoë dhe propagandë. Sidomos tani kur kambanat e BE-së po ushtojnë fort, duke rrezikuar kthimin e vizave dhe bllokimin e negociatave.
Shesh delikat ” ndërtimi” mbetet kampi i 3000 muxhahedinëve në Manzë. Në kushtet e tanishme të sulmeve kibernetike dhe ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin, është momenti që të paktën arje të mos bëhet më politikë dhe veprimtari të tjera që kompromentojnë pozitën e shtetit dhe sigurisë sonë. Shënojmë se shumë vende perendimore, si psh Belgjika, ndonëse tregohen bujare me strehimin e personaliteteve dhe politikanëve të huaj opozitarë, nuk i lejojnë të zhvillojnë veprimtari politike, propagandastike dhe ushtarake. Ndaj, demarshet e tanishme të qeverisë që ky kamp të ketë vetëm status humanitar janë të drejta. Vërtet që duhet t’u ndodhemi të huajve në nevojë pranë, por me kujdes dhe takt, jo në dëm të sigurisë dhe interesave tona të sigurisë.
Së fundi, por jo më pak i rëndësishëm është imazhi dhe perceptimi publik i përkeqësuar, brenda, por sidomos jashtë vendit. Mirëpo sot ato qëndrojnë mbi faktet dhe vetë të vërtetën. Publiku në vendet europiane nuk do t’ia dijë për shifra dhe statistika, atij i mjafton nami dhe realiteti që shohin në vendet e tyre, për shkak të dukurive të lartpërmendura negative.
Mirëpo, ky imazh dhe reputacion nuk riparohet e përmirësohet me spektakle, fjalime, intervista, propagandë, batuta dhe shakatë me zarar të Kryeministrit e të qeveritarëve. Mbi të gjitha ky imazh kushtëzohet nga përmirësimi i gjendjes brenda vendit; reformat, ecuria e negociatave; të shoqëruara me veprimtari intensive kulturore, artistike, publike, sportive, jo vetëm në Tiranë, por me përparësi në metropolet europiane, ku puna çalon së tepërmi. Dhe me më shumë rëndësi janë Raportet e BE-së dhe të organizatave ndërkombëtare për ecurinë e punëve te ne.
Ca më keq akoma, imazhi nuk rregullohet duke fajësuar dhe kërcënuar median, shoqërinë civile, opozitën dhe grupet e interesit, megjithë “gjynahet” e tyre. Sepse është qeveria e cila ka në dorë “ gurin dhe arrën”! Mirëpo, kjo e fundit, në vend të shohë dhe të zbatojë përgjegjësitë e veta për një qeverisje të mirë ( good governance), është jashtë çdo realiteti dhe ka kaluar në Çqeverisje; për pasojë, mund të dalin jashtë funksionit dhe 10 kantjeret problematike në të gjitha “ sheshet e ndërtimit” diplomatik. Sepse siç thoshte ish Kryeministri emblematik britanik William E. Gladstone, ” parimi i parë i politikës së jashtme është mirëqeverisja e brendshme”.
Komentet