VOAL

VOAL

1 vit pas 25 prillit- Kapexhiu ‘godet’ shkatërruesit e PD-së

April 25, 2022
blank

Komentet

blank

Muzeu Metropolitan i Artit në Nju York fton artistin nga Kosova Petrit Halilaj

VOA/Garentina Kraja

Artisti Petrit Halilaj do të çelë në prill të vitit të ardhshëm një instalacion të artit modern në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork. Gazetarja e Zërit të Amerikës Garentina Kraja, bisedoi me artistin Halilaj, mbi përjetimet e tij pas ftesës së institucionit prestigjioz botëror të artit, si artisti i parë shqiptar që do të ketë një vepër arti në të.

Vepra e Petrit Halilajt do të çelet në Muzeun Metropolitan të Artit në prill të vitit të ardhshëm. Sipas muzeut, artisti Halilaj, i cili jeton mes vendlindjes së tij Kosovës dhe Berlinit, është ftuar të transformojë tarracën e muzeut në një instalacion arti bashkëkohor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artisti Halilaj tha se ftesa nga Muzeu Metropolitan i Artit, që përmban njërin prej koleksioneve më të mëdha të artit në botë e që sipas tij ka shumë pak artefakte të ekspozuara nga Kosova dhe Ballkani, është një nder i veçantë, të cilin ai do ta shfrytëzojë për të reflektuar mbi lidhjet e Kosovës me rajonin në rrafshin kulturor dhe politik, si dhe ndërlidhjet e vendlindjes së tij me Shtetet e Bashkuara.

“Është emocion shumë i madh, sepse vetëm ta vizitosh Muzeun Metropolitan është emocion i madh, koleksionin që rrugëton në kohë deri në 5,000 vjet para nesh dhe ku tregohen fragmente nga e gjithë bota, qoftë përmes artefakteve, qoftë përmes arkitekturës. Në tarracën e Muzeut një herë në vit bëhen porosi me një artist të artit bashkëkohor. Në këtë rast, kur e pranova ftesën, nuk munda ta besoja. Jam tepër, tepër i lumtur.”

I lindur në fshatin Runik në Kosovë, artisti 37-vjeçar sjell në punimet e tij fragmente të përjetimeve personale të luftës në Kosovë, lidhjet me jetën e tij në fshat, që në tokën e tij ka ruajtur gjurmët e një civilizimi neolit, shpeshherë të vendosura përballë, ose në bashkëbisedim me përjetimet universale të përvojës njerëzore – një udhëtim në kufijtë realë dhe imagjinarë të identitetit të krijuar dhe të imponuar, lidhjet e njeriut me tokën dhe me të kaluarën, lirinë – ose mungesën e saj – për të qenë dhe për të lëvizur.

Vepra në muzeun e Nju Jorkut, thotë artisti Halilaj, meqë realizohet në tarracën e këtij institucioni, do të jetë në harmoni me realitetin urban të qytetit metropol, me qiellin dhe vet ndërtesën e muzeut.

“Është projekt në të cilin po punoj prej një viti e gjysmë intensivisht. Për dallim prej projekteve tjera, ndoshta është momenti kur pata nevojë dhe dëshirë të filloj një kërkim mes Nju Jorkut dhe Kosovës. Në dy vitet e fundit kam qenë në shtetet rreth nesh – Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, shtetet e ish-Jugosllavisë dhe isha shumë i interesuar të kuptoj relacionin mes nesh dhe rajonit dhe të filloj një bashkëbisedim. Ne e dimë që historikisht dhe në aspektin kulturor ka zbrazëtira të prezencës së zërit tonë, edhe si kulturë, edhe si realitet dhe jam i interesuar me pa se si mund të punojmë, qysh mund të rinjihemi në rajon, duke filluar me një shkëmbim të njohurive që kanë të bëjnë me kulturën.”

Veprat e Petrit Halilajt, që vijnë në forma të ndryshme, tashmë janë ekspozuar në galeritë më të njohura në Evropë. Në vitin 2013, Halilaj përfaqësoi Kosovën për herë të parë në debutimin e shtetit të ri në Bienalen prestigjioze të Venedikut. Në Tate St. Ives, në Britani të Madhe, ekspozita e tij personale në vitin 2021 bazohej në vizatimet e zogjve të larmishëm dhe pamjet e luftës dhe shkatërrimit që kishte sjellë ajo në Kosovë, që ai i kishte realizuar ndërsa qëndronte në kampin e refugjatëve në Kukës, në pranverën e vitit 1999. Në këtë fotografi, kur ai ishte 13 vjeç, shihet ndërsa priste për bukë në radhët e gjata së bashku me refugjatë të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Në ‘Muzeun e Izraelit’, në Jerusalem, ai ka rikrijuar varësen e nënës së tij me xhevahire, që ajo e kishte fshehur në një gropë në oborrin e shtëpisë për ta shpëtuar nga lufta. Varësja ishte i vetmi kujtim që mbijetoi nga shtëpia. Në veprën e rikrijuar, xhevahiret nuk ishin me shkëlqim; Halilaj i kishte mbushur ato me copëzat e shtëpisë së djegur në luftë.

Në Meksikë, në muzeun Tamayo, ku javën e kaluar Halilaj ka hapur ekspozitën e parë personale në Amerikën Latine, me titull “Runik”, ai rikrijon strukturën e shtëpisë së sotme të familjes së tij në Kosovë. Meksika, si shumica e shteteve të Amerikës Latine, nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe nuk i lejon shtetasit kosovarë të udhëtojnë në këtë vend.

“Këto barriera, kur folëm për lirinë personale, ato kolektive, janë pjesë dhe trajtohen në ekspozitë. Kjo ekspozitë sjell për herë të parë bashkë më shumë se 12 projekte në të cilat kam punuar në vitet e fundit. Në arkitekturën dhe në vet ndërtesën e muzeut Tamayo kam vendosur të sjellë një ndërtesë tjetër, që në këtë rast vjen nga Kosova, që është struktura e shtëpisë që kemi ndërtuar me familjen pas luftës, shtëpisë që kemi ndërtuar në Prishtinë, por që është strukturë dhe plan i njëjtë i shtëpisë në Runik. Meqë anëtarët e familjes nuk mund të vinë në Meksikë, sepse Meksika nuk e njeh Kosovën, kam vendosur që krijesa dhe skulpturat të të gjitha projekteve të tjera të vijnë në muze. Shumica e tyre e shohin njëra-tjetrën për herë të parë. Për mua ka qenë eksperiencë goxha interesante.”

Në mesin e tyre, sipas Halilajt, është një skulpturë në formën e fluturës, ngjyrat e së cilës janë realizuar nga shtëpia e fëmijërisë në Runik, e djegur gjatë luftës. Pluhuri i zi i instalacionit të fluturës është bërë nga pluhuri i drurit të djegur nga kulmi i shtëpisë, ndërkohë që pluhuri i bardhë është realizuar nga gurët e mureve.

Por, krahas këtyre gjurmëve të së kaluarës së dhimbshme, Halilaj ka krijuar një realiteti paralel që sfidon realitetin shpeshherë të ashpër të zhvillimeve politike dhe përçarjeve që karakterizojnë sot përvojën njerëzore. Në bashkëpunim me kompaninë kryesore ajrore të Meksikës, Aeromexico, ai ka shndërruar një Boeing të saj në një pulë, që me mbishkrimin “Nga Runiku me dashuri” po shëtit i lirë, pa barriera politike e kufij gjeografik, mbi qiejt e kontinentit amerikan.

Halilaj i vendos përballë njëra tjetrës përvojat e etapave të ndryshme të kërkimit të tij personal në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të rimëkëmbjes së lindur nga një traumë personale dhe kolektive e thellë, shpeshherë duke i detyruar të tjerët dhe veten që në përpjekje për të shijuar artin e tij ta ngrejnë kokën lart, për të parë yjet, për të parë qiellin.

“Puna ime prej fillimit është ndërlidhur me eksperiencat personale dhe kur i shoh këto fotografi të vitit 1999, fotografi që na ndërlidhin të gjithëve, sepse është një memorie kolektive e luftës që kemi kaluar, vështirësive që kemi kaluar. Mendoj që vet lufta është pjesë e një ëndrre për një jetë më të mirë dhe prandaj emocionohem sa herë që e shoh, sa herë që i rikujtoj këto momente. Por janë edhe momente që na kanë krijuar dhe jemi ata që jemi duke iu falënderuar këtij udhëtimi të përbashkët. Si artist janë pjesë e rrëfimeve që kam dëshirë t’i tregoj. Ekspozita në MET është një tjetër rrugëtim, që po shpresoj dhe jam tepër i lumtur që ky projekt do të vijë në Amerikë sepse e di që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë është shumë i madh, mirëpo edhe vet Shtetet e Bashkuara janë aktor shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë historik.”

Vepra e Petrit Halilajt do të çelet për publikun në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork më 29 prill të vitit 2024 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 27 tetor.

blank

Ndahet nga jeta fotografi Elliott Erwitt, ndër më të mëdhenjtë e Shekullit XX

Fotografi amerikan përjetësoi gjatë një prej ekspozitave të tij në Paris në vitin 2010

Mjeshtri u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare në shtëpinë e tij në Nju Jork.

VOAL- Elliott Erwitt, i konsideruar si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të fotografisë së shekullit të 20-të, ka vdekur në Nju Jork. Kështu shkruan New York Times. Ai ishte 95 vjeç dhe vdiq në gjumë në shtëpinë e tij.

I lindur Elio Romano Erwitz, parizian nga lindja, anëtar i agjencisë Magnum Photos që nga viti 1953, ai ishte i famshëm për fotot e tij bardh e zi të situatave ironike dhe absurde brenda mjediseve të përditshme. Portrete të famshme të Marilyn Monroe, Che Guevara dhe Richard Nixon.

Punimet e tij janë pjesë e koleksioneve të muzeve të rëndësishme si Instituti i Artit i Çikagos, Nga në Uashington DC dhe Muzeu i Artit në Cleveland.rsi-eb

blank

Ikona e operës lirike Inva Mula përshëndet botimin e Vëll.I të Romancave të Avni Mulës nën kujdesin e Adelina Mulës

Sapo e ka parë dritën e botimit nga Shtëpia Botuese Toena Vëll.I-rë i Romancave të Avni Mulës, përgatitur nën kujdesin e Adelina Mulës, pianistes dhe bijës dhe motrës së Artistëve të shquar Nina, Avni dhe Inva Mula.
Menjëherë ka reaguar në rrjetin social ikona e operës lirike Inva Mula si më poshtë:
“Mirenjohje per motren time Adelina e cila pas nje pune kembengulese dhe te palodhur dy vjeçare nxori ne drite volumin e pare te romancave te kompozitorit Avni Mula .
Ato jane shkruar nder vite per kengetare te shquar, per studente per Ninen si dhe per mua.
Disa te harruara neper sirtare disa te kenduara nga te gjithe por tashme ato do t’i gjejme ne çdo bibllioteke dhe do t’i trashegojne brezat.
Se shpejti dhe dy volume te tjera presin botimin e tyre .
Faleminderit bab i dashur per krijimtarine tende brilante,
per rinine e perjetshme qe mbart muzika jote,
per dashurine dhe lehtesine qe i jep kengetareve per te gjetur shkelqimin e zerit te tyre .
Faleminderit per pasurine qe na le e cila kurre nuk u numerua ne te holla por ne miliona nota te shkruara ne pentagram .
Faleminderit Dela per dedikimin tend dhe netet pa gjume: kush ka vajza boten ka do thoshte babi jone i dashur !”
blank
blank

Nju Jork: Një pikturë e Pikasos shitet pothuaj 140 milionë dollarë

Piktura “Gruaja me orë” doli në ankand në Nju Jork – ajo u shit për shumën e dytë më të lartë të arritur ndonjëherë për një vepër të artistit

VOAL- Pothuajse 140 milionë dollarë për një kryevepër nga Pablo Picasso. Kjo është piktura “Gruaja me orë”, e cila u shit në ankand nga Sotheby’s në Nju Jork për 139.3 milionë, shuma e dytë më e madhe e arritur ndonjëherë për artistin (në vitin 2015 “Gratë e Algjerit” u shit për 179.4 milionë dollarë).

Vepra e vitit 1932 përshkruan një nga shoqërueset dhe muzat e artistit spanjoll, piktoren franceze Marie-Therese Walter. Para ankandit, sipas Sotheby’s, piktura ishte vlerësuar në mbi 120 milionë dollarë.rsi-eb

blank

Londër, aktivistët e klimës godasin me çekan një pikturë të Velazquez

 

Xhami mbrojtës i një vepre të ekspozuar në Galerinë Kombëtare është dëmtuar nga dy militantë të Just Stop Oil

VOAL- Dy militantë të lëvizjes Just Stop Oil, kundër karburanteve fosile, goditën të hënën xhamin mbrojtës të një pikture të Velazquez, të mbajtur në Galerinë Kombëtare në Londër. Piktura, Rokeby Venus, një kryevepër e shekullit të shtatëmbëdhjetë, ishte dëmtuar tashmë nga një sufraget mbi një shekull më parë.

Just Stop Oil – i lindur si një fushatë kundër ringjalljes së licencave të nxjerrjes së naftës dhe gazit – është një degë e lëvizjes radikale mjedisore ndërkombëtare Extinction Rebellion, disa nga militantët e së cilës kishin lyer me bojë të larë në xhamin mbrojtës të disa veprave të artit në MB. dhe vende të tjera.

Një video u publikua në X. Galeria Kombëtare konfirmoi veprimin, duke deklaruar se e kishte tërhequr pikturën për ekzaminim nga ekspertët.

Dy aktivistët e moshës 20 dhe 22 vjeç u arrestuan, raporton BBC. Ndërkohë, policia tha se të paktën 40 protestues të Just Stop Oil u ndaluan pasi marshuan ngadalë në rrugën për në Whitehall, duke e bllokuar atë.rsi-eb

blank

“XHONI ATHANAS, ARTISTI KAQ I MIRËNJOHUR, PA ASNJË TITULL TË LARTË” Meditime Nga Skifter Këlliçi, Boston, SHBA

Në mbrëmjen e 17 janarit të vitit 2008, më ndodhi një e papritur e këndshme.

Në restorantin shqiptar “Alba” në North Kuinci , (North Quincy), qytet pranë Bostonit, ku jetoj prej 20 vjetësh, po kremtoja 70-vjetorin e lindjes së bashku më gruan time,  Natashën, edhe ajo si unë ish-gazetare në RTVSH, dhe djalin Maldi, që pas disa  muajsh do të përfundonte studimet në Kolegjin “Berkli”, në Boston, një nga shkollat e larta më të njohura muzikore të botës.

Ndër më të afërmit e mi ishte Xhoni Athanasi, që u shua këto ditë në moshn 94- vjeçar, së bashku me të shoqen, Sekinen, ish-kërcimtare e njohur në Teatrine Operas  dhe Baletit.

Së bashku me të kisha ftuar edhe Anxhelo Xhaçkën, edhe ai i njohur në vitet  ‘80-’90 si gazetar dhe poet. Pasi u përshëndetëm Anxheloja më zgjati një libër  mbulesën e të cilit lexuesit mund ta kundrojnë në mes të këtij shkrimi, me titull  ”Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti”, të shkruar prej tij.

E vërteta është se, ashtu si çdo shikues shfaqjesh artistike dhe dëgjues i Radio  Tiranës, Xhonin e kisha njohur që më 1950 kur isha jo më shumë se 12 vjeç dhe ku ai kishte ardhur nga Korça pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore. Pastaj, me kalimin e  viteve, kisha pasur rastin të takohesha dhe të njihesha me të si gazetar. Por miqësia  jonë bë shumë gjatë takimeve në mbrëmjet shqiptare në restorantin “Pjer For” të  atdhetarit të njohur shqiptaro-amerikan, Antoni Athanas, në Boston. Që atëherë, në  biseda të këndshme, ku Xhoni, veç ngjarjeve nga jeta e tij e vrullshme artistike,
rrëfente edhe barceleta që të shkulin së qeshuri.

Pasioni i gazetarit dhe shkrimtarit më kishte ngacmuar që të skicoja një libër  jetëshkrimor që do t’ia kushtoja Xhonit dhe gruas së tij, Sekines. Por ja që Anxheloja  tashmë ma kishte djegur këtë dëshirë.

Kaluam kështu herë duke iu kthyer Xhonit dhe herë Anxhelos dhe, natyrisht edhe  miqve të ftuar, një mbrëmje shumë të bukur, ku Xhoni nuk mungoi që të më  rikujtonte episode të tjera nga jeta e tij, që nis që nga Broktoni, qytet pranë Bostonit,  në Masaçjusets, ku lindi më 1925, ku babai i tij kishte shkuar si mërgimtar, rikthimin  në Korçë, vitet e fëmijërisë, duke bredhur lëndinave të fshatit e duke kënduar  këngët “Te plepi i Bilishtit”, ”Tatëpjetë bregut vinje”, ”O moj korçare..” e plot këngë të tjera. Pastaj, kur babai vinte gramafonin, nga disqet e të cilit si me magji për këtë
vogëlush shpërthenin tingujt e këngëve amerikane, por edhe të pjesëve operistike “La donna e’ mobile” e Verdit, nga Turandot e Puçinit që më pas zuri t’i këndonte dhe  Xhoni, sa e motra i përsëriste “Ti, vëlla, do të bëhesh këngëtar…”.

Të nesërmen, më t’u kthyer nga puna, lashë mënjanë çdo gjë dhe zura të lexoja  librin ”Xhoni Athanas, njeriu, artisti”. Në përvojën time 50-vjeçare në fushën e  letrave kam lexuar jo pak libra të natyrës muzikore që më kanë ndimhuar për të  përgatitur emisionin radiofonik “Novela muzikore”, një pjesë të të cilave i kam  ripunuar dhe i kam botuar më 1970 vëllimin me tregime “Zërat e jetës” dhe dy vjet  më pas “Mbi mjegullat e kohëve”. Por e them çiltërisht se libri jetëshkrimor “Xhoni  Athanas”, shkruar nga Anxhelo Xhaçka, qëndron denjësisht midis librave të tillë.

Në verë të viti 2005 Anxhelo Xhacka më kishte bërë një të papritur tjetër, kur  më kishte dërguar një vëllimth poetik me titull “Sinqerisht”, shkruar prej tij.

Po me këtë shpirt poetik është shkruar ky libër, në të cilin mpleksen faqe proze  poetike, romani, me nota dramatike dhe në të njejtën kohë dhe humoristike, sepse  edhe me copëza të tilla është e mbushur jeta e Xhonit, kur mendon se për më shumë  se gjysmë shekulli ai ka qënë pranë këngëtarëve të tillë si Avni Mula dhe Ibrahim  Tukiçi, një trio vokale që bënte për vete tërë ata që ndiqnin këngët e tyre kudo që i këndonin.

Dhe me gërshetime të tilla është ndërtuar i tërë libri i Anxhelo Xhaçkës, ku  natyrisht fokusi i tij pëqëndrohet në rrugën artistike që ndoqi Xhoni për t’u bërë  këngëtar dhe bashkë me të edhe me Avniu dhe Ibrahimin e të tjerë, që u bënë të  njohur edhe në Bashkimin Sovjetik e pastaj në vende të tjera të botës.

“Pa nisur ende afshi i nxehtë i verës së vitit 1955,- shkruan autori,- dy studentët e  konservatorit “Çajkovski”, Xhoni Athanas dhe Avni Mula,u lajmëruan të paraqiten në  ambasadën shqiptare të Moskës: ”Jeni të ftuar të merrni pjesë në Ansambilin e  Ushtrisë Popullore, i cili nën drejtimin e Gaqo Avrazit do të zhvillojë një turne të  gjatë në Kinë, Mongoli, Vietnam, Kore …”.

Kështu, siç përshkruhet në libër, zë fill rrugëtimi i Xhonit në sa e sa grupe  artistike, që do ta shpien atë nga Azia në vende të tjera të Evropës, në vendet  balltike, Rumani, deri në republikat më të largëta të ish-Bashkimit Sovjetik, Kirgizi,  Uzbekistan, Taxhikistan dhe Turkmeni, përsëri Kinë, për më shumë se 30 vjet, me  një repërtor të pasur, që nga këngët popullore, nga të cilat popullore kudo u bë  “Lule borë” e Simon Gjonit, deri te ariet nga opera të famshme klasike dhe të autorëve tanë.

Megjithatë, viti 1955 do të shënonte për Xhonin një vit të paharruar: njohjen me  kërcimtaren Sekine Sharofi, e cila, si bashkëshorte e ardhshme e tij, u bë dhe një  personazh i rëndësishën edhe në jetën artistike.

Gatë takimeve me Xhonin dhe Sekinen, më ka rastisur të bisedoj edhe për ngjarje që lënë gjurrmë, në një nga të cilat ndalet edhe Anxhelo Xhacka.

“ -…Në se dëshiron ,mund të vish edhe me ne në Amerikë.
-Oh, falemnerit ,kjo është e tepërt,- ia ktheu Xhoni.
-Jo, djalosh. Asgje nuk është e tepërt ne këtë botë. Me zërin tënd ti mund të kesh  një karrierë të shkëlqyer..Mos e humb këtë shans. Ne këtu jemi këto ditë
”,(faqe 56).
#’kishte ndodhur? Ishte viti 1956 dhe Xhoni pati rast të bisedonte me një nga  pjesëtarët e një grupi të famshëm artistik amerikam që shfaqi në Moskë operan e  kompozitorit të njohur, Xhorxh Gershuin “Porgi dhe Besi”. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, që me disa shokë kishte dëgjuar Xhonin gjatë një koncerti, i bëri propozimin  e mësipërm. Por Xhoni nuk pranoi.”

Ai mezi po priste të kthehej në Shqipëri. Tenorin  dramatik e kishte këputur malli për vendin e vogël buzë Adriatikut .(Po aty).

Xhoni solli në Shqipëri edhe jehonën e një suksesi të madh, të arritur në konkursin e kantos, organizuar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë,më 1957, ku  morën pjesë 130 këngëtarë të rinj, solistë të skenave operistike nga shumë vende të botës. Atje ai zuri vendin e dytë, i vlerësuar me entuziaëm nga Tito Skipa, tenori i madh italian, me origjinë arbëreshe, që, duke e përqafuar, i dhuroi medaljen e  argjendtë.

Xhoni u shqua në këtë këtë konkurs, veç të tjerash, edhe me interpretimin e  aries së Otellos, nga opera me të njejtin titull e Xhuzepe Verdit, (faqe 58 e librit). Por që nga viti 1957, kur ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik dhe deri më 1969, ashtu  siç përshkruhet në librin e Anxhelo Xhaçkës, Xhoni e kishte pasuruar repertorin e tij  edhe me pjesë nga opera të njohura klasike dhe shqiptare. Po përmend disa prej tyre:  Doda, nga opera “Mrika”, e kompozitorit Preng Jakova, Sazani, nga opera “Pranvera”, e  kompozitorit Tish Daija, për të kaluar në role nga opera klasike ”Principali, (“Nusja e  shitur e Smetanës), Turidu , (opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit), Kanio, (opera  “Paliacot e Leon Kavalos). Pastaj kthehet në një rol të rëndësishëm ne operan “Lulja  e kujtimit” e kompozitorit Kristo Kono, të Lenskit, në operën “Evgjeni Onjegin” të  Çajkovskit, si dhe role të tjera të rëndësishme në operat “Karmen”, të Bizesë,  “Rigoleto” ,”Trovatore” të Verdit…

Dhe midis këtyre vepravë të njohura, operistike, pa pritur si larmi flladitëse vjen  opereta “Princesha e Çardashit” e kompozitorit hungarez Kalman. Në këtë operetë  Xhoni dhe shoku i tij, Avni Mula, plotësojnë njeri-tjetrin, por këtë radhë, jo në jetë  me hedhje-pritjet e tyre që na bënin të shkriheshim gazit, por në skenë, ku siç më  kujtohet edhe mua, patën sukses të plotë edhe me mizanskenat e krijuara prej tyre dhe  regjisori i njohur, Mihal Luarasi, si dhe me dialogët, të ndërthrur mjeshtërisht me  partet muzikore.

Xhoni u shqua pastaj edhe në rolin e Azizit në operetën “Brigada e grave”, të  kompozitorit Llazar Morcka, të Viktorit në operetën tjetër të Agim Prodanit…dhe në  role nga opera të tjera, si “Borana”, të Avni Mulës, ”Zgjimi” të Tonin Arapit.  “…Ishte koha, – shkruan autori i librit,- kur në mbarë vendin kishin filluar përgatitjet  për kremtimin e 500- vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti.  Dhe Xhoni i kushtoi shumë rëndësi rolit të Skëndërbeut, nga më të realizuarit në  historinë e TOB-it. Ai përmbushte disa cilësi të rralla me zërin dramatik që kërkonte
kjo opër e vështirë e Preng Jakovës, si dhe interpretimin teatror që ia kërkonte  regjizori Pirro Mani dhe paraqitjen e jashtme fizike ”.

…Në 1984 unë me një grup shokësh bëmë një vizitë në Krujë dhe u ndalëm  edhe më në Muzeun Historik. U takuam atje me kruetanë të moshave të  ndryshme.”

Kemi lexuar Skëndërbeun, por përshtypja që na ka lënë Xhoni Athanas  në rolin e Skënderbeut në këtë oper, ishte për ne e jashtëzakonëshme. Por jo vetëm  për ne, por edhe për fshatarë që kishin ardhur ta parë atë natë që u dha në muret  këtij muzeu”.

Këto ishin vlerësimet e këtyre njerëve të thjeshtë për Xhonin dhe  operën “Skënderbeu”.

Intelektualë rusë që kanë mërguar këtu në Boston më janë shprehur me superlativa për zërin  e Xhonit me fjalët.:”

Ai do të kishte qenë edhe  në  vendin tonë një nga tenorët më të  njohur dramatikë”.

Eshtë e vështirë që në faqet një shkrimi të përbledhësh tërë jetën artistike të  Xhonit, që pastaj u bë pegagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe vite më pas, u  detyrua të linte atdheun dhe të vendosej Boston, atje ku shumë dekada më parë  qënë vendosur edhe prindërit e tij.

Por të kthehemi te libri i Anxhelo Xhaçkës, kushtur Xhoni Athanasit, për mua një nga  librat me të vërtetë dinjitozë dhe më të mirë të zhanrit jetëshkrimor, trajtuar jo  vetëm me vërtetësi historike, profesionale, por edhe me stil tërheqës.Vlerat e këtij  libri shtohen dhe më shumë, kur lexuesi njihet edhe njëhërë me vlerësime  personalitevesh të artit muzikor shqiptar dhe të huaj, të cilët vënë dukje meritat e  Xhonit si tenor dramatik që ka dhënë aq shumë për njohjen muzikës sonë edhe  përtej kufijve të Shqipërisë.

blank

STEMA DHE FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT NË VEPRËN E HISTORIANIT KARLO PADILIONE – VITI 1879 Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Historiani Karlo Padilione (Padiglione), është autori i veprës “Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti”, shtypur në Stabilimentin e Tipografisë Francesco Giannini, 1879 Napoli. Studimi fillon me letrën dërguar të Shkëlqyerit Zotit Don Antonio Kastrioti Skenderbeg, Markezi i Auletta dhe patric Venecian, si dhe pasardhësve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në mbretërinë e Napolit, që kishin në pronësi feudet e Monte Sant Angelo, Shen Xhiovanni Rotondo, San Piero në Galatina, Soleto, Galiano, Oria, Salinjano, Ranjulo, Padula, Aradeo; si dhe Kastriotëve zotërinjëve të kahershëm të Shen Demetrio, Makia, Shen Kosmo, Orria në Kalabri dhe Shen Anxhelo Le Fratte në Potenca – Bazilikata.

Në pjesën e parë të veprës, Karlo Padilione thekson se Kastriotët, që jetonin në Mbretërinë e Napolit ishin me origjinë nga dy linja, e para ishin pasardhës të Gjergjit dhe Andronika Kastriotit me fëmijët e djalit Gjonit II Kastrioti, që zotëronin feudet e më sipërme, me degët në Galatina, Leçe, Napoli, Kalabri dhe linja e dytë me prejardhje nga Bernard Granai Kastrioti, të cilët nga viti 1494 kishin në pronësi feudet e Kopertino, Galatola, Veglie e Liverano dhe nga viti 1505 feudin e Ferrandina. [Tasselli: Antichità di Leuca. Lecce, Micheli 1603, pp 236] [Napoli sacra. Napoli Beltrano, MDCXXIV, in4°, p. 459] [De Lellis. Discorsi delle famiglie Nobili del Regno di Napoli. Parte I, Napoli, Savoia 1654, p. 153] [La Biblioteca del Museo Nazionale nella Cetosa di San Martino in Napoli, ed i suoi manoscritti esposti e catologati. Napoli, Giannini, 1876, pag. 273]

Vlen të theksohet se fëmijët dhe nipat e Bernrad Granai Kastrioti kishin të njejtët emëra si fëmijët dhe nipat e Gjonit II Kastrioti – Skenderbeut, çka ka krijuar konfuzion ndër historianët e huaj dhe shqiptarë në trajtimin e tyre në historinë e mesjetës. Këto emëra janë përsëritur dhe në gjeneratat pasardhëse të këtyre dy familjeve, madje i ndeshim dhe aktualisht në shekullin XXI, por më një veçori, se ata me origjinë nga Gjergj Kastrioti,  kanë mbiemër të dyfishtë Kastrioti Skenderbeg, për t’u dalluar nga pasardhësit e familjes Granai Kastrioti. [Angelo Fumagalli, Delle Istituzioni Diplomatiche, Milano, Civolli, 1802, Tom I, in 4°, parte 2°, pp 4 – 6].

Në hyrje të veprës, Karlo Padilione prezanton dedikimin e kësaj vepre Markezit Don Antonio Kastrioti Skenderbeg:

I shkëlqyeri Markez,

Nga arkivi i familjes tuaj dhe nga shkrimtarët e vendit tonë, mblodha çfarë duhej, për të vertetuar se ju jeni pasardhësit legjitimë të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, burrit kreshnik mbi gjithë të tjerët në kohën e tij dhe mbështetësit të fesë tonë. Ju ofroj Ju i shkëlqyeri dhe i nderuar mik, dëshminë e stimës dhe të dashamirësisë time ndaj jush.

Napoli 2 gusht 1879

Don Antonio IV Kastrioti Skenderbeu, lindi më 18 gusht 1810 në Napoli dhe ishte djali i parë i Don Françesko I Kastrioti Skenderbeu. Më 12 gusht 1839, Don Antonio IV u martua me Emanuela De Genaro, nga e cila mori dhe titullin Markez i Auletta. Don Antonio IV kishte dy vëllezër Gjergji V dhe Gabrielli dhe dy motra Xhiovana dhe Mariana. Nga martesa e Antonio IV me Emanuela lindën katër fëmijë: djali Gjoni V dhe tre vajza Elena, Maria Roza dhe Maria. [Idem. Carlo Padiglione, Tavoletta II, p. 61]

Origjina e Don Antonio IV nga linja e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, dëshmohet nga testamenti i gjyshit Don Ferdinando IV, i cili ishte i biri i Gjergjit III dhe i Fulvia Luzzi. Gjergji III ishte zot i Shen Demetrio, Shen Kozmo dhe Makia. Don Ferdinando IV në  testamentin që i la të birit Don Françesku I thekson:

“Di più voglio, ordino e comando che detto mio figlio primogenito D. Francesco debba tenere presso di sè, e conservare i due privilegi in carta pergamena, ed ogni de’quali sta pendente un suggello di oro massiccio, in un firmato dal Doge Cristofaro Moro, e l’altro dalla manificenza del Re Ferrante, come anche tutti gli altri privilegi, e le due monete antichissime, una di argento e l’altra di rame coll’impronta di Giorgio Castriota Scanderbech, come altresi li due dipinti in tela, in uno più piccolo si ravvisa il ritratto di detto Giorgio alla greca, e nell’altro più grande un tratto di sua storia. Ed anche tutte le scritture autentiche di Casa”.

“Mbi të gjitha dua të urdhëroj dhe të komandoj djalin tim të parë Don Françesko, të mbaj në pronësi dhe të ruaj dy privilegjet në letër pergamenë, sejcila prej tyre me vulë të artë, njëra pergamenë është e firmosur nga Dozha Kristofor Moro dhe tjetra nga i madhërishmi mbreti Ferrante, i cili krahas privilegjeve të tjera na ka dhuruar dhe dy monedha antike, njera e argjendët, tjetra në bakër, të dyja me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, si dhe dy portrete të pikturuara në tela, njeri i vogël me portretin e Gjergjit alla-greke dhe tjetri i madh, ku është pikturuar një pjesë e historisë së tij. Gjithashtu i dorëzoi të gjitha shkrimet autentike të shtëpisë tonë”. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, pp. 46 – 47].

Si kuptohet dhe Diploma e Dozhës Kristofor Moro e 25 shtatorit 1463, me vulë të artë, që e shpalli Gjonin II Kastrioti anëtar i Këshillit të Lartë të Bujarëve të Venedikut është ruajtur nga Don Françesko I, babai i Antonio IV Kastrioti, ashtu si trashëgoi dhe ruajti dy medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit, dhe dy pikturat, atë me përmasa të vogla me portretin e Gjergj Kastriotit me profil majtas. Këto informacione të Padilione, bazuar në testamentin e Don Ferdinando IV Kastrioti Skenderbeu i la të birit Don Françesko I, na dhuruan një fakt të rëndësishëm, ekzistencën e portretit të Gjergj Kastriotit i realizaur ne vitin 1463 nga Xhentile Bellini, portret, që tashmë është bërë i njohur pasi u zbulua dhe u bë publik nga dy studiuesit e apasionuar Fotaq Andrea dhe Dritan Muka. [F. Andrea & D. Muka: Më në fund, Skënderbeu i G. Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik. Zemrashqiptare.net. më 23. 05. 2021]

blank

Potreti i Gjergj Kastriotit i vitit 1463, me autor Gentile Bellini

Përsa i përket pikturës së madhe, ajo ende nuk është gjetur, por ndofta është tablloja që prezanton martesën e Gjergj Kastriotit me Andronikën, përderisa cilësohet “kuadër i madh me pjesë të historisë të Gjergjit”. Në fakt një kuadri i madh, që prezanton martesën e Gjergj Kastriotit me Andronikën, është në pronësi të familjes arbereshe Skiroi, por ata ende nuk e kanë ekspozuar në publik. [Lutfi Alia, Andronika dhe Gjoni II Kastrioti. Botimet Streha 2023, f. 26]

Në faqet 46 – 47, Padilione thekson: “Sa ishte i nderuar dhe i vlerësuar Kastrioti Skenderbe, e konfirmon vula e artë e mbretit, që jipej si privilegj vetëm nga sovranët Aragonezë dhe kjo rrethanë sipas shkrimtarëve dhe diplomatëve të kohës, ishte shenjë vlerësimi të lartë për Gjergj Kastriotin. Dhe diploma e Dozhës të Venedikut me vulën e artë, dëshmon nderim për Kastriotët, pasi vetëm Dozha kish të drejtë ta përdorte këtë vulë (Crisobolo). [Fumagalli Angelo: Delle istituzioni Diplomatiche, Milano, Civolli, 1802, pp. 4 – 6]

Sipas testamentit të Don Ferdinando IV Kastrioti, rezulton se familja e tij kishte ruajtur dhe dy medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit, njëra prodhuar në bakër (viti 1451), e dhuruar nga mbreti Alfonsi V dhe tjetri i dhuruar nga mbreti Ferrante në vitin 1463, i prodhuar me përzjerje argjendi, kallaj dhe bakri, me portretin në qendër dhe me emrin Gjergj Kastrioti në kornizën rrethuese, ndërsa në faqen e pasme është shkrimi: FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITUS ET T-HRACUM DO-MI(NA)TOR INDO-MABILIS – Mbrojtësi i panënshtru-eshëm i fesë, triumfuesi i pamposhtur i thrakëve. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, pp. 46 – 47]. [Lutfi Alia, Dixit 2, Tetë medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu në shekullin XV, botimet streha 2022, f. 113 – 130]

Në hyrjen e studimit, historiani Karlo Padilione bën një parashtresë rreth qëllimit të botimit të kësaj vepre, duke theksuar: “I shkruajta këto faqe dedikuar familjes së shkëlqyer Kastrioti Skenderbe, duke filluar me të famshmin Gjergjin, të mirënjohurin në botë me veprimet luftarake fitimtare. Fillova me të dhëna gjeanologjike, të cilat shprehin fisnikërinë e kësaj familje antike, por prezantova dhe faktet historike që e pasurojnë. Dihet se ky zotëri i fuqishëm i Albania, ishte i biri i një mbreti, por fillova me Gjergjin, sepse veprat e tij të shquara dhe emri i tij janë transmetuar deri në ditët tona si luftëtar i famshëm, më tepër se pasardhës mbreti dhe pse ai vetë ishte mbret”. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, 1879, pp 2 -28]

Padilione e konsideron Gjergj Kastriotin mbret i Albanisë, por dihet se ai nuk ishte i kurorëzuar mbret, por Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë, i shpallur nga Kuvendi i Lezhës më 1444, ashtu si i ati i tij, Princi Gjon Kastrioti ishte Dominus – Zot i Matit, i Dibrës dhe i Krujës, por jo mbret. Natyrisht duke i cilësuar mbretër të Albanisë, historiani Padilione, kësisoj Kaastriotëve ua rriti vlerat dhe prestigjin para lexuesve të kësaj vepre. Karlo Padilione thekson: “Duke u nisur nga zanafilla e dinastisë Kastrioti, arrijta deri te Markezi Don Antonio Kastrioti Skenderbeu, i cili përfaqëson pikën kulmore ndër pasardhësit e Gjergj Kastriotit, andaj feudali i Auletta, Don Antonio Kastrioti Skenderbeu gëzon të drejtën të vlerësohet e të nderohet si nga albanezët dhe nga banorët e mbretërisë, si një ndër pasardhësit e denjë të Kastriotëve”. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, 1879, pp. 3 – 5]

Don Antonio IV Kastrioti Skenderbeu, është ndër pasardhësit e dinastisë Kastrioti, që bëri emër në fillimet e shekullit XIX dhe për të konfirmuar prejardhjen e tij nga dega napolitane e Gjergj Kasstriotit, Padilione prezanton fakte historike, dokumenta dhe të dhëna objektive të pakundërshtueshme dhe në mënyrë të veçantë e diferencon nga pjestarët e familjes Granai Kastrioti, të cilët ishin pasardhës të Bernard Granai Kastrioti dhe të Maria Zardari, të cilët krahas mbiemërit Graanai mbanin dhe mbiemërin Kastrioti.

blank

Stema heraldike të Markezit Don Antonio Kastrioti Skenderbeg:

Punuar në mozaik në dysheme e banesës; 2. Stema e gdhendur në mermer në portën e banesës në lagjen Stella – Napoli. 3. Stema e familjes Kastrioti në Napoli në shekullin XVI, 4. Në fasadën e pallatit të Baldassarre Sollazzo Kastrioti, stema e modifikuar me shqiponjën majtas dhe luanin në këmbë djaathtas.

Ndër argumentat e origjinës nga linja e Gjergj Kastriotit, Padilioni përshkruan stemën heraldike në mozaik në dyshemenë e banesës në Napoli të Markezit të Auletta Don Antonio IV Kastrioti Skenderbeg. Stema është mburoja me sfond të verdhë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora e me krah të shpalosur, me yllin me gjashtëcepa në trekëndëshin ngjyrë blu mbi kokat e shqiponjës. Pasi e përshkruan, Padilione thotë se kjo stemë është e njejtë me atë të Gjergj Kastriotit dhe pasardhësve të tij në mbretërinë e Napolit. Në portën e bënesës në lagjen Stella – Napoli të Markezit Don Antonio, në kolonën anësore është gdhendur në mermer e njejta stemë e Kastriotëve, mburoja me shqiponjën dykrenore me kurora, me yllin me tetë cepa në trendësh mbi kokat e shqiponjës, stemë kjo pa ngjyra. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, p. 50].

Në fakt ky konkluzion nuk është i saktë, sepse stema e markezit Antonio IV Kastrioti Skenderbeg në mozaik është mburoja me sfond të verdhë (të artë), me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora, me yllin me gjashtë cepa në trekëndësh blu, ndërsa sipas Marin Barlecit, stema e Gjergj Kastriotit është mburoja me sfond të kuq, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurorat, me krahët shpalosur lart, me yllin gjashtëcepash në trekëndëshin blu mbi kokat e shqiponjës. Gjithashtu, Barleci tregon se dhe flamuri i Gjergj Kastriotit dhe i ushtrisë arbërore ishte me fushë të kuqe me shqiponjë dykrenëshe ngjyrë të zezë, si e përshkruan në veprën e tij madhore: “Rubea vexilla nigris bicitibus distincta aquilis – Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenëshe në qendër”. [Marin Barleti, Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotum Principis. Bernardino Vitali, Roma 1510, f. 15].

Në shumë komuna të mbretërisë së Napolit ku banonin pasardhës të Gjergj Kastriotit, si në Pulja, në Napoli, në Kalabri, në Bazilikata etj, në fasadat e banesave, mbi portat e kështjellave, në mjediset e brendëshme, në kisha dhe në monumentet funerale të Kastriotëve, janë ende stemat heraldike të Kastriotëve të gdhendura në mermer dhe qartësisht të lidhura më Gjergj Kastriotin, sepse mbizotëron shqiponja dykrenëshe me kurora dhe me yllin me gjashtë cepa në trekëndëshin mbi kokat e shqiponjave.

blank

Fragment i tekstit në veprën e Marin Barleci, ku përshkruan stemën dhe flamurin e Kastriotëve (Rubea vexilla nigris bicitibus distincta aquilis)

Problemi i heraldikës të Kastriotëve është ndërlikuar nga fisnikë të tjerë arbëror, të cilët i kanë përvehtësuar padrejtesisht si vepruan pasardhësit e Bernard Granai Kastriotit, çka shpesh ka krijuar konfuzione dhe interpre-time të gabuara në dedikimin njerës apo tjetrës familje, si ka ndodhur me bazorilievin në murin anësor të navatës në kishën Shen Maria Mëshirmadhe në komunën Mesagne – Brindizi, ku janë bashkuar stema e Muzakëve (me shqiponjën dykrenëshe me kurora), me stemën e Gjon Granai Kastrioti (me luanin në këmbë me shpatën drejtuar zaambakut). Për më tepër, ky konfuzion u shtua pasi Gjon Granai Kastrioti përvëhtësoi stemën heraldike të Gjoni II Kastrioti (djali i Gjergjit dhe Andronikës), stemë që e përdorën brezat pasardhës të linjës Granai, madje Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, stemën e saj heraldike e kishte mburoja me sfond të artë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe, por me një ndryshim të vogël, shëiponja është me krah të hapur anash.

Në vitet 1468 – 1485, Gjoni II Kastrioti, e ruajti stemën tradicionale të Atit me mburojën me sfond të kuq, me shqiponjën e zezë dy krenëshe në qendër, por pas gushtit 1485, kur mori në pronësi feudet e reja dhe titullin Duka i San Pietro në Galattina dhe Konti i Soleto e Gagliano etj, e modifikoi stemën heraldike të Kastriotëve, duke e prezantuar me mburojën me sfond të verdhë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurorat, krahët hapur lart, me yll me gjashtë cepa sipër në trekendësh blu, madje dhe flamuri i reparteve stratiote të Gjonit II Kastrioti dhe të pasardhësve të tij, ishte me fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjën e zezë dykrenëshe në qendër, si e ka theksuar dhe Princi Dr. Aleksandër Kastrioti Skënderbeu, pasardhës i linjës Leçeze të Gjonit II Kastrioti. [Alessandro Castriota Scanderbeg. I Castriota Scanderbeg d’Albania, Edizione Grifo, Lecce 2021, p. 224 – 225]

Pra si kuptohet pasardhësit e Gjergj Kastriotit të degës napolitane, në shekujt XVII – XIX përdorën stemën me sfond të artë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora në qendër.

Në lidhje me stemat heraldike të Kastriotëve të linjës të Gjergj Kastriotit, historiani Karlo Padilione i trajton në kapitullin e dytë të kësaj vepre: “Dell’arme del Castriota Scanderbeg – Stemat e Kastriotit Skenderbeg”, që do t’i pasqyroj në numërin e ardhshëm.

blank

Prehen figurat më të shquara të arteve pamore shqiptare, varret monumentale të Kolë Idromenos dhe familjes Marubi do të restaurohen

Varret monumentale të Idromenos dhe Marubit do t’i nënshtrohen restaurimit. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin e ndërhyrjes konservuese dhe restauruese në varrin monumental të piktorit dhe fotografit Kolë Idromeno dhe të varrit monumental të familjes Marubi, në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.

Pastrimi, konsolidimi, rimodelimi dhe plotësimi i elementeve dekorative që mungojnë, janë disa nga ndërhyrjet që do të kryhen. Synimi është të ruhen këto monumente simbolike, ku prehen disa nga figurat më të shquara të arteve pamore shqiptare.

Nikollë Idromeno, i njohur gjerësisht si Kolë apo Kól Idromeno (Shkodër, 15 gusht 1860 – 12 dhjetor 1939) ka qenë artist shumëplanësh, piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant dhe arkitekt.

Mbahet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare.[1] Prej burimeve, Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri që më 1913. Si arkitekt, ai projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës. Idromeno kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali Pashë Tepelenës për t’u vendosur në Korfuz.

Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.

Më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit, si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj tek Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu “Illyricum” dhe shtëpia e vet në Gjuhadol.

Dy vite më pas, Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozën e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858. U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones. I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867 në njërën prej shkollave qytetëse, ku mësim mund t’i kenë dhënë dy italianët Andrea Skanjeti dhe Marco Rebeschini.

[4] Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubbi; kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme, “Krye fëmije”, “Malësorja” dhe “Gomari n’udhë”. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuareleve të parë “E vorfna”, “Baresha”, “Fshatarja”, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë “Pusija”, më pas “Net kazanash dhe Dymdhetë luftarë të Pargës në lundër”.

Marubbi ndikoi tek Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875, ndërsa Mati Kodheli studionte për fotografi në Trieste. Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian. Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan Daulles së Palokë Kurtit, ku Idromeno ishte trombist, dhe hynë çirakë te “Dritëshkronja e Marubit”.

Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania Pathé në Francë, emërtuar “Dritëshkronja Idromeno”. Më 1884, Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë.

Pas dy vjetëve do t’i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesí vajzën e saj të mitur, Orsolinën. Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnavaleve të organizuar nga klubi “Gjuha shqipe”.

Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Joseph Stauber për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike. Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol, një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera quhej kinemaja, një teatër elektrik.gsh

blank

SHTËPIA E PEMËVE TË JETËS… – Vepër nga Adrian Paci në Milano – Nga VISAR ZHITI

 

Sapo na thanë që në Milano, në pjesën moderne të metropolit italian, në “City Life” është një vepër e artistit shkodran, Adrian Paci, që jeton dhe punon në këtë qytet, ku jep leksione universitare, – e dinim që është i njohur në mbarë botën e artit – dhe nxituam të shkonim ta shihnim. Ç’ishte, skulpturë, kompleks monumental, instalacion modern?
– Vërtet kam kërshëri, më duket e mrekullueshme… – po u thosha miqve tanë, Lulit dhe Albanin, që po na çonin për atje mua me Edën time dhe do të shihnim se vepra e Adrian Pacit ishte të gjitha ato që kisha menduar dhe më shumë…
Makina rendëte rrugëve të Milanos dhe çdo shesh më dukej si “Piazzale Lagosta”, ku banonte Maestro Ibrahim Kodra, legjendari, siç po e quante në takimet tona poeti dhe kritiku i artit italian Sebastiano G.
Milano ka ndryshuar dhe është modernizuar edhe në arkitekturë duke ruajtur vetveten, po thoshim, ndërsa unë shtova se, kur donim të shihnim një vepër të Kodrës tonë dikur, duhej të futeshim brenda, në shtëpinë e tij, në studio, në ndonjë galeri, ekspozitë, ndërsa sot, që duam të shohim një vepër të Adrian Pacit tonë, duhet të rendim jashtë, në sheshet e mëdha… aty ishte, permanente… po ndjeja emocion…
Po na prisnin dhe Adriani me Melisën e tij. Iu afruam Veprës së mermertë. Arketipi i një shtëpie pa çati, me pemët brenda më të larta se muret, ato ishin banorë të saj. Fasada për një çast – si asosacion ideje, – më kujtoi Katedralen e Shkodrës, edhe kullat e malësorëve, por Duomon në Firence më shumë, po ajo ngjyrë mermeri. Rozetat ornamentale ngjajnë dhe me punët me grep, çentrot e nënave tona.
Dolëm nga pas shtëpisë. Befasi krijuese, Paci nga ajo që duket e zakonshme, muri dhe pemët, psh, krijon si me realizëm magjik të pazakonshmen, por që është gjithsesi dhe e natyrshme, gjenialiteti i tij artistik arrin thellësitë e asaj që duket e zakonshme, por dhe paradoksale…
Shtëpia e Adrianiane është e banuar nga pemët, të tilla që i gjen dhe në Shkodrën e tij, por janë pemë biblike:
fiku – gjethet e të cilit ishin veshja e parë e njeriut, Adamit dhe Evës, por që simbolizojnë pjellshmërinë dhe dijen, hurma – simbol i 7 virtyteve, shega- kthimin e përjetshëm dhe dashurinë e mëshirshme, qiparisat- janë tipike të trojeve, ku gjen prehjen jeta tokësore. E gjitha është një ftese për të aktivizuar marrëdhëniet mes njeriut, natyres dhe artefaktit në një kontekst urban, është shkruar në targetin mbi bar ndan Veprës. Është metafora e jetës, – shtoj unë, – që tenton qielloren dhe Qiellin.
Nuk të iket nga kjo shtëpi e artit…
blank

blank

blank

blank

blank

blank

Muzeu spanjoll lejon pas dekadash, fotografimin e kryeveprës ‘Guernika’ të Pikasos

Për dekada, vizitorëve iu ndalua të fotografonin kryeveprën, edhe pa blic.

Muzeu “Reina Sofia” në Madrid ka hequr në heshtje, ndalimin për t’i bërë fotografi, pikturës ikonike të Pikasos, “Guernika”.

Vepra e artit u transferua nga Muzeu i Artit Modern në Nju Jork në Spanjë në vitin 1981 dhe që atëherë ka tërhequr miliona vizitorë.

Megjithatë, për dekada, shikuesit e kishin të ndaluar të fotografonin kryeveprën, edhe pa blic.

Ja pse galeria ka zgjedhur ta heqë ndalimin dhe pse ka shkaktuar polemika në të kaluarën.

Pse nuk mund t’i bënit foto, Guernikës së Pikasos?

Deri kohët e fundit, një ndalim i fotografimit ka qenë në fuqi prej vitesh për të mbrojtur veprat e njohura artistike të Picasos që nga Lufta e Dytë Botërore, nga bliciet e kamerës, trekëmbëshat ose shkopinjtë për selfie si dhe për të mos lejuar pengimin e qarkullimit të vizitorëve.

Në qershor 2022, një vizitor dëmtoi aksidentalisht një vepër ndërsa bënte një selfie.

Në të njëjtin muaj, Mick Jagger pati një shikim vetëm për vetëm të “Guernikës” dhe shkaktoi polemika duke postuar një fotografi të tij me kryeveprën.

Pati një reagim në mediat sociale për këtë ndryshim të dukshëm të rregullave, por muzeu nuk pranoi të komentonte.

Tani mund të bëni fotografi të pikturës së Pikasos, Guernika

Manuel Segade, drejtori i sapoemëruar i “Museo Reina Sofia” mori vendimin për të hequr ndalimin e fotografimit në Guernica të Picasso nga 1 shtatori i këtij viti.

Segade shpjegoi se ndryshimi në politikat synon të përmirësojë përvojën e vizitorëve të muzeut dhe t’i lejojë njerëzit të kapin kujtimet e vizitës së tyre.

“Qëllimi ynë ishte thjesht që kjo të mund të bëhej normalisht, jo për ta shpallur atë në shtyp apo ndonjë gjë tjetër”, tha Segade.

“Ne ndërmjetësohemi vazhdimisht nga kamerat, kur shkojmë në një koncert, kur shkojmë në ndonjë ngjarje kulturore. Ne besojmë se nuk ka kuptim që ‘Guernica’ të mos ketë të njëjtin karakter ikonik që meriton.”/SYRI.NET

blank

Vepra e piktorit zviceran Sam-Samedin ASLLANI shtrihet midis vizioneve, universeve dhe delireve ëndërrimtare

blank

SAM-Samedin ASLLANI është një piktor zviceran i lindur në vitin 1969 në Mitrovicë (Kosovë).

Diku pas vitit 1993 ai zbarkoi në brigjet e Liqenit të Gjenevës në Lozanë.

Që në moshë shumë të re, i pajisur me një prirje të vërtetë artistike, Asllani ishte i mahnitur nga bota e vizatimit.

Në shkollë, fletorja e tij e shkrimit ishte e mbushur me skica që për temë kishin mjedisin që e rrethonte.

Ai u dallua shumë herët për talentin e tij si vizatues: skicat dhe satirat e tij u botuan rregullisht në gazetat kryesore ditore të vendit.

Sapo u fut në botën e Arteve të Bukura, Asllani braktisi karikaturën për t’iu përkushtuar tërësisht pikturës.

I frymëzuar nga surrealizmi, vepra e tij shtrihet midis vizioneve, universeve dhe delireve ëndërrimtare.

Pëlhurat e tij do të rikthejnë në jetë një botë të harruar, atë të përrallave, miteve dhe legjendave popullore.

Depërtues përmes reflektimeve të thella artistike dhe morisë së ndjenjave të ekzaltuara bën që çdo pikturë e tij të jetë si një pikë kulmore, një ndalje momentale e rrjedhjes së kohës.

Çdo pikturë është një psherëtimë e thellë gëzimi, zemërimi ose trishtimi.

Saktësia dhe rregullsia e vijës së tij të zezë zbulon në mënyrë delikate dritë-hijen e pikturave të tij. Pena e tij përvijon njëkohësisht dhe bukur fuqinë e një peizazhi ashtu edhe butësinë e formave të një gruaje.

Kur Asllani prek pafundësisht imtësitë, ai sjellë në rezonancë gjurmët e së kaluarës.

Tablot e mëdha akrilike me ngjyra të shndritshme, të pasuruara me një mori arabeskash me ngjyrë të zezë, e karakterizojnë këtë evolucion. Peizazhet ndonjëherë të trazuara apo personazhet dhe objektet e përshkruara në mënyrë realiste ose alegorike përmes shumëllojshmërisë së subjekteve të paraqitura ngjallin emocione të mëdha te shikuesit .

Gjithnjë i udhëhequr nga ndjenjat e tij, periudhat e ndryshme të jetës së tij janë paraqitur në pëlhurë. Rrethanat e jetës në rininë e tij ndikuan në paraqitjen e hijeve të errëta dhe të ftohta në veprën e tij, por që me kalimin e kohës vijnë duke u bërë më të kthjellëta, për të na dhënë edhe piktura më të lehta dhe të ndritshme, por gjithnjë me filigran, një stil krejtësisht të njohur.

Vepra e tij është ekspozuar në galeri të shumta në Zvicër, e poashtu në Itali, Francë, Luksemburg, Gjermani dhe USA.

Kritikët e artit e përshkruajnë Sam – Samedin ASLLANIN si një piktor „me stil unikal“.

blank

blank

blank

Më 2 shtator 1956 lindi Fatbardh Smaja, aktor, regjisor, instrumentist

Teatri “Migjeni” kujton sot ditën e lindjes së regjisorit, aktorit, instrumentistit, Fatbardh Smaja.
I përjetshëm qoftë kujtimi i jetës dhe vepres së tij!
Fatbardh Smaja lindi me 2 Shtator 1956 në qytetin e Shkodrës. Shkollën 8 vjeçare dhe të mesme e kreu në Shkodër, në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” për klarinetë. Shkollën e lartë e kreu në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega dramaturgji.
Në vitin 1980 fillon punën si aktor në teatrin “Migjeni” deri në fundin e jetës së tij.
Bardhi ka interpretuar mbi 50 role si aktor në dramaturgjinë shqiptare e të huaj, ai ka punuar me regjisorët e njohur si: Serafin Fanko, Esat Oktrova, Elez Kadrija, Violeta Sekuj etj.
Në vitin 1999-2002 ishte drejtor i Radio Shkodrës. Nga viti 2002 e deri në ditën e fundit të jetës së tij ishte regjisori i teatrit “Migjeni”, në vitin 2015 edhe si drejtor i teatrit.
Fatbardh Smaja ka vënë në skenë një numër të madh shfaqjes, ndër to mund të përmendim: “Të gjithë të qeshur”, “Talent i rrallë”, Opereten ” Si partizan”, “Neni 55”, “Për një L”, “Vizita e fundit”, “Ishulli i Shitenit”, “Luaj për mua në violinë”, “Rreth e rreth Shkodrës jam sjellë”, ” Hyr fjalë nga dole”, ” Le ultime lune”, ” Surpriza”, “Vëllai nga babai”, “Miqtë e Tanos”, “O vajzën o komunen”, “Kur këndon gjeli”, “Big Brother 1”, “Dy jetë”, ” 7 Shaljanët”, ” Big Brother 2″, “Rëndësia e të qenurit i sinqertë” ” Kandili i Argjandit” si dhe shumë regji të tjera jashtë teatrit si: koncerte, Festivale, variete televizive etj.
Bardhi ka interpretuar edhe në Kinematografin Shqiptare, ku mund të përmendim filmat “Fundi i një gjakmarrje”, “Fejesa e Blertës”, “Ngjyrat e moshës”, “Sa afër paske kene” etj.
Bardhi është vlersuar si regjisori më i mirë në festivale të ndryshme teatrore.
Fatbardhi ishte një intrumentist virtuoz, ai ka qënë pjesë e shumë formacioneve intrumentale si dhe krijues e formulues muzike të shumë shfaqjeve teatrore. Ai gjithashtu ka realizuar dhe skenografinë e disa shfaqjeve të tij si regjisor.


Send this to a friend