VOAL

VOAL

“Zvicra e gatshme për një kontribut të vazhdueshëm kohezioni me BE-në”

October 13, 2022

Komentet

Ambasadorja zvicerane në Shqipëri flet për protestat: Pjesëmarrja qytetare, thelb i çdo sistemi demokratik

 

 

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, ka komentuar nga Korça protestat që po zhvillohen në vend prej 23 ditësh, duke theksuar se çdo zhvillim i tillë lidhet ngushtë me funksionimin e demokracisë dhe pjesëmarrjen qytetare.

E pyetur për të ardhmen e protestës dhe një mesazh të mundshëm për qeverinë shqiptare, Huber u shpreh se si përfaqësuese e një vendi të huaj është e kujdesshme në komentet politike, por theksoi rëndësinë e institucioneve demokratike.

Kjo është një pyetje shumë politike dhe është e vështirë për t’u përgjigjur si një ambasadë e huaj. Natyrisht, ne përmes programit tonë të zhvillimit forcojmë demokracinë, me mbështetjen ndaj parlamentit kombëtar dhe parlamenteve lokale. Ne kemi një mbështetje afatgjatë për shoqërinë civile,” u shpreh Huber.

Ajo shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve në jetën publike është një element thelbësor i çdo sistemi demokratik, duke e krahasuar këtë parim edhe me përvojën zvicerane.

“Sistemi demokratik bazohet në instrumentet demokratike dhe pjesëmarrjen e njerëzve, ashtu si edhe në Zvicër,” theksoi ambasadorja.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur në Shqipëri po zhvillohen protesta të vazhdueshme, të cilat kanë marrë vëmendje të gjerë publike dhe politike./boldnews.al

Bisedimet SHBA-Iran rinisin, teksa Vance arrin në Zvicër

Alex Raufoglu

Pas një periudhe të shkurtër kur dukej se po shkonin drejt dështimit, bisedimet për zbatimin e marrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë rinisur. Delegacione të larta amerikane dhe iraniane po mblidhen në Zvicër në atë që mund të rezultojë një fazë vendimtare në shndërrimin e një memorandumi të brishtë të mirëkuptimit në një zgjidhje më të gjerë politike.

Përpjekja e ripërtërirë diplomatike erdhi pas ndërhyrjes urgjente të zyrtarëve nga Zvicra dhe Katari, pasi pasiguria rreth pjesëmarrjes së Iranit kishte shkaktuar përkohësisht ndërprerje të takimeve.

Këshilltari federal zviceran, Ignazio Cassis, zhvilloi konsultime me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, në Burgenstok, teksa Radio Evropa e Lirë mësoi se ndërmjetësues pakistanezë dhe ndihmës të lartë nga Uashingtoni dhe Teherani u përfshinë gjithashtu në përpjekjet për ta shpëtuar procesin.

Më 20 qershor, ekspertët teknikë kishin rifilluar takimet përgatitore në resortin zviceran, ndërsa Zvicra konfirmoi publikisht se bisedimet ishin aktive.

“Zvicra vazhdon të ofrojë një mjedis diskret dhe të besueshëm për të lehtësuar bisedimet në Burgenstok mbi zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit”, tha Qeveria zvicerane, duke refuzuar të japë hollësi të tjera.

Më vonë, si Uashingtoni ashtu edhe Teherani konfirmuan se negociatorët e tyre do të udhëtonin drejt Zvicrës.

Bisedimet rinisin nën presion

Deri në mbrëmjen e 20 qershorit, delegacioni i nivelit të lartë i Iranit kishte mbërritur në Cyrih përpara bisedimeve që pritet të nisin më 21 qershor.

Ekipi udhëhiqet nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, dhe përfshin ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi, zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, si dhe zyrtarë të lartë të sektorëve bankar dhe të naftës – duke vënë në pah se lehtësimi i sanksioneve dhe rimëkëmbja ekonomike mbeten në qendër të llogaritjeve të Teheranit.

Nga ana amerikane, nënpresidenti JD Vance, pritet t’i bashkohet të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff, dhe këshilltarit presidencial Jared Kushner, të cilët tashmë ndodhen në terren duke punuar mbi detajet teknike të negociatave.

Duke folur me gazetarët përpara nisjes nga baza ajrore Andrews më 20 qershor, nënpresidenti amerikan Vance, tha se bisedimet do të përqendrohen në dy prioritete: programin bërthamor të Iranit dhe stabilizimin e Libanit.

“Mendoj se shpresojmë të bëjmë përparim në çështjen bërthamore dhe të bëjmë përparim në çështjen e armëpushimit në Liban. Këto janë dy çështjet kryesore te të cilat besoj se do të përqendrohemi”, tha Vance.

Ai shtoi se pret që negociatat të zgjasin “disa ditë”.

Deklaratat e tij vënë në pah se sa ngushtë është ndërlidhur fronti i Libanit – dhe përballja e Izraelit me Hezbollahun – me procesin më të gjerë diplomatik ndërmjet SHBA-së dhe Iranit.

Libani mbetet pika kyç e mosmarrëveshjeve

Victor J. Willi, drejtor ekzekutiv i Institutit e Zvicrës për Lindjen e Mesme, tha se vetë fakti që bisedimet rifilluan pas ndërprerjeve tregon një realitet themelor strategjik: si Uashingtoni, ashtu edhe Teherani duan t’i japin fund luftës, që nisi në fund të shkurtit.

“Unë mendoj se administrata e [presidentit amerikan Donald] Trumpit është serioze në përpjekjen për të dalë nga kjo luftë”, tha Willi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. “Nuk është një luftë popullore. Ajo e dëmton Trumpin. Potencialisht mund ta dëmtojë edhe në zgjedhjet e mesmandatit”.

Ai tha se edhe Teherani duket po aq i motivuar për t’i dhënë fund luftës.

“Mendoj gjithashtu se iranianët duan të dalin nga kjo luftë”.

Megjithatë, Willi paralajmëroi se struktura e çdo marrëveshjeje mbetet e brishtë për shkak të asaj që ai e quajti “çështja libaneze”.

“Çështja kyç është Libani, çështja kyç është Izraeli”, tha ai.

Sipas tij, Teherani tani po teston në mënyrë efektive nëse Uashingtoni është i gatshëm – dhe i aftë – të frenojë operacionet ushtarake izraelite mjaftueshëm sa për të ruajtur kornizën më të gjerë të paqes.

Ky vlerësim përputhet ngushtë me deklaratat e vetë nënpresidentit amerikan, JD Vance. I pyetur nëse rifillimi i luftimeve në Liban mund të pengonte procesin diplomatik, Vance këmbënguli se situata po përmirësohej.

“Në fakt, gjërat po përmirësohen atje dhe po qetësohen disi”, tha Vance duke shtuar se armëpushimi do të kërkojë menaxhim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.

Për Willin, kjo mbivendosje e çështjeve është e rëndësishme, sepse: sugjeron se të dyja palët e kuptojnë që Libani mund të jetë faktori më i menjëhershëm që do të përcaktojë nëse afati 60-ditor për zbatimin e marrëveshjes do të mbijetojë.

Ai po ashtu paralajmëroi se politika e brendshme në Izrael mund ta ndërlikojë procesin.

“Brenda Izraelit ekziston mbështetje e gjerë. Izraelitët duan që regjimi iranian të largohet” nga pushteti, tha Willi.

Sipas tij, kjo krijon ato që ai e përshkroi si realitete politike konkurruese – një në Uashington, një në Teheran dhe një tjetër në Jerusalem – të cilat mund të mos përputhen lehtësisht me njëra-tjetrën.

Inspektime, lehtësim sanksionesh

Bisedimet teknike pritet të përqendrohen po në rikthimin e inspektimeve nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) në objektet bërthamore të Iranit, përfshirë në centralin për pasurim të karburantit në Fordo, në centralin bërthamor të Natanzit dhe në qendrën për teknologji bërthamore të Isfahanit.

Një qasje e tillë do të shënonte rikthimin e parë të inspektorëve që nga lufta 12-ditore e qershorit 2025.

Në këmbim, Uashingtoni është i gatshëm të lirojë disa miliardë dollarë nga asetet iraniane që janë të ngrira në Katar, të cilat do të përdoreshin për blerje për çështje humanitare, përfshirë ushqime dhe ilaçe.

Sipas Willit, kjo shtresë teknike e negociatave mund të përcaktojë në fund nëse memorandumi do të shndërrohet në një marrëveshje të mirëfilltë.

“Nëse duhet të ketë një përfundim të besueshëm të programit bërthamor, duhet të ekzistojë një regjim inspektimi”, tha ai.

Ai paralajmëroi se memorandumi i nënshkruar nga udhëheqësit e SHBA-së dhe Iranit në fillim të javës mbetet vetëm një kornizë e gjerë politike.

“Është një tekst i thjeshtë për tituj mediash”, tha ai. “Kjo është diçka shumë e ndryshme nga një marrëveshje e vërtetë”.

Willi gjithashtu paralajmëroi se vetë lehtësimi i sanksioneve do të jetë një nga pjesët më të vështira të zbatimit.

“Nuk mund të jetë thjesht një dekret presidencial”, tha ai, duke argumentuar se për rikthimin e investimeve perëndimore mund të nevojiten ndryshime më të gjera ligjore dhe në fund, edhe veprim nga Kongresi.

Ai theksoi se pikërisht kjo boshllëk – mes deklaratave politike dhe zbatimit teknik – është hapësira ku shumë marrëveshje të mëparshme SHBA-Iran kanë dështuar.

Ngushtica e Hormuzit shfaqet si test

Rifillimi i përpjekjeve diplomatike vjen po ashtu në një moment tensionesh të reja rreth Ngushticës së Hormuzit, pasi Teherani ka bërë hapa sërish për të kufizuar trafikun detar në këtë rrugë strategjike.

Presidenti Trump tha se Irani nuk duhet të vendosë tarifa për anijet tregtare që kalojnë nëpër ngushticë dhe paralajmëroi se Uashingtoni mund të reagojë nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Për Willin, Hormuzi mund të ofrojë treguesin më të qartë dhe të matshëm nëse Teherani po ndryshon sjelljen e tij.

“Ngushtica e Hormuzit është ndryshimi më i matshëm i sjelljes”, u shpreh ai.

Ai shtoi se nëse sulmet ndaj transportit detar ndalen dhe vendoset një regjim i besueshëm që rregullon kalimin detar, kjo mund të jetë një nga shenjat e para konkrete se diplomacia po funksionon.

Kjo do të kishte po ashtu ndikim të menjëhershëm për tregjet globale të energjisë, duke pasur parasysh se rreth një e katërta e naftës dhe gazit botëror kalon përmes këtij korridori të ngushtë ujor.

Evropa vëzhgon me kujdes

Rifillimi i bisedimeve e vendos sërish Evropën – dhe veçanërisht Zvicrën – në rolin e mikpritëses, më shumë sesa të ndërmjetëses.

Zvicra, sipas Willit, vazhdon të luajë rolin e ofrimit të “zyrave të mira”, duke ofruar vendin, logjistikën dhe sigurinë, ndërsa Katari dhe Pakistani mbajnë peshën më të madhe të ndërmjetësimit diplomatik.

Megjithatë, ai argumentoi se lufta më e gjerë 110-ditore ka dhënë një mësim strategjik për Evropën: ka nevojë që të jetë më e vetëqëndrueshme.

“Evropianët duhet të mbështeten më shumë te vetja”, tha ai duke iu referuar një shtyse më të gjerë për riarmatim dhe rënie të besimit në garancitë afatgjata të sigurisë nga SHBA-ja.

Ai shtoi se ky mësim mund të zgjasë përtej negociatave aktuale.

Për momentin, pyetja me të cilën po përballet diplomacia në Burgenstok është më e ngushtë, por jo më pak vendimtare: a mundet që 60 ditët e ardhshme ta shndërrojnë një memorandum, të arritur në kohë lufte, në një arkitekturë të qëndrueshme paqeje?

Si Uashingtoni ashtu edhe Teherani duket se besojnë se hyjnë në këto bisedime nga pozita e forcës.

Por, teksa delegacionet mblidhen në Zvicër, sfida për të dyja palët mbetet e njëjtë: shndërrimi i avantazhit ushtarak në paqe afatgjatë politike.

Shqiptarët në protestë kundër qeverisë- Televizioni publik zviceran kritika Ramës: Gjithnjë e më autokrat. Në Shqipëri i kërkojnë dorëheqjen, ai ekspozon vepra në “Art Basel”

Media publike zvicerane Schweizer Radio und Fernsehen (SRF) i ka kushtuar një artikull kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke vënë në kontrast protestat që zhvillohen në Shqipëri kundër tij me pjesëmarrjen e tij si artist në panairin prestigjioz të artit Art Basel në Zvicër.

Sipas SRF, ndërsa në Shqipëri protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, në Bazel ai është i pranishëm si artist, me një nga veprat e tij të ekspozuara në kuadër të programit “Art Parcours”, pranë urës historike Mittlere Brücke në qendër të qytetit.

Artikulli ndalet edhe te debatet e shkaktuara nga udhëtimi i Ramës në Zvicër.

Mediat dhe rrjetet sociale në Shqipëri kanë shpërndarë një video ku kryeministri shfaqet në një aktivitet në Bazel, duke nxitur reagime dhe kritika nga kundërshtarët e tij politikë.

Në reagimin e cituar nga SRF, Rama ka sqaruar se udhëtimin e ka financuar vetë dhe se ka marrë pjesë në aktivitet si person privat, i ftuar nga organizatorët e Art Basel.

“Gjatë pothuajse tre dekadave në shërbimin publik, nuk kam udhëtuar kurrë privatisht me para shtetërore”, citohet të ketë deklaruar ai.

Media zvicerane rikujton se përpara se të hynte në politikë, Rama ka studiuar pikturë në Tiranë dhe ka ushtruar aktivitet artistik edhe në Francë, duke e bërë artin një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij publik.

Korrespondenti i SRF për çështjet ndërkombëtare, Janis Fahrländer, vlerëson se Rama vazhdon të kultivojë imazhin e politikanit jokonformist dhe artistit me shpirt të lirë, por thekson se ky imazh po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha pas më shumë se 12 vitesh në pushtet.

Sipas artikullit, kryeministri shqiptar përballet me kritika në rritje nga kundërshtarët e tij, të cilët e akuzojnë për tendenca autoritare dhe për presione ndaj institucioneve të drejtësisë dhe mediave.

Nga ana tjetër, organizatorët e Art Basel kanë sqaruar se pjesëmarrja e Ramës në ekspozitë lidhet ekskluzivisht me aktivitetin e tij artistik dhe nuk përbën mbështetje apo qëndrim politik ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

“Pjesëmarrja e tij nuk duhet të interpretohet si një qëndrim i Art Basel ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri ose gjetkë”, ka deklaruar një zëdhënëse e panairit.

Art Basel ka bërë të ditur gjithashtu se nuk parashikon masa të veçanta sigurie për veprën e ekspozuar, pavarësisht faktit se ajo ndodhet në një hapësirë publike jashtë ambienteve kryesore të panairit. bw

Zvicra konfirmon shtyrjen e bisedimeve SHBA-Iran

Radio Evropa e Lirë

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në resortin malor të Burgenstokut nuk do të zhvillohen siç ishin planifikuar, tha Ministria e Jashtme zvicerane përmes një njoftimi të premten.

“Bisedimet e planifikuara mes SHBA-së, Iranit, Katarit dhe Pakistanit janë shtyrë”, u tha në njoftim.

“Zvicra mbetet e gatshme të lehtësojë këto bisedime. Puna përgatitore në Burgnstok po vazhdon. Aktualisht nuk mund të ofrohen informacione të tjera”, u shtua.

Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Zvicër, ku parashihej që të takohej me negociatorët iranianë për të nisur bisedimet për një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës.

Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance.

Duke përmendur çështje “logjistike”, Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka shtyrë udhëtimin e tij për në Zvicër për bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, që ishin paraparë të mbaheshin më 19 qershor.

Bisedimet e 19 qershorit u parapanë të nisnin dy ditë pasi presidentët e të dyja shteteve nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

“Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, raportoi AFP-ja në orët e vona të 18 qershorit.

“Deri tani, nënpresidenti nuk do të niset sonte. Presim me padurim që të fillojmë bisedimet teknike sa më shpejt të jetë e mundur”.

Më herët, agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim raportoi se “asgjë nuk është konfirmuar” lidhur me udhëtimin e delegacionit të Teheranit në Zvicër.

Mediat iraniane cituan raportime të pakonfirmuara sipas të cilave Teherani ka shtyrë dërgimin e ekipit negociator për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, nënshkruan më 17 qershor një marrëveshje kornizë që synon t’i japë fund luftës gati katërmujore.

Sipas marrëveshjes fillestare, Teherani dhe Uashingtoni kanë 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, e cila përfshin kufizime ndaj programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Republikës Islamike. Marrëveshja përfshin po ashtu kërkesën e Iranit që Izraeli të ndalë sulmet në Liban.

Në një konferencë për media më 18 qershor, nënpresidenti Vance u tha gazetarëve se afati 60-ditor për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis SHBA-së dhe Iranit kishte filluar tashmë.

“Mund të them se periudha 60-ditore zyrtarisht nis sot”, tha Vance.

Fillimisht ishte propozuar që ceremonia e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimt të mbahej më 19 qershor në Gjenevë, ku pritej që nënpresidenti amerikan, JD Vance, të merrte pjesë në emër të SHBA-së, së bashku me diplomatë të lartë nga të dy vendet.

Megjithatë, Trump dhe Pezeshkian nënshkruan papritur memorandumin e mirëkuptimit në mënyrë digjitale më 17 qershor.

Më pas, vëmendja u përqendrua te bisedimet teknike që pritet të zhvillohen në Gjenevë, ku negociatorët do të përpiqen ta shndërrojnë memorandumin e mirëkuptimit në një plan të detajuar zbatimi.

“Takimi këtë fundjavë në Zvicër do të jetë mjaft kritik”, tha një zyrtar i lartë amerikan, duke shtuar se çdo dështim i njërës palë për të përmbushur pritjet duhet të bëhet i dukshëm “brenda ditësh ose javësh, e jo muajsh”.

Lufta nisi pasi SHBA-ja dhe Izraeli filluan fushatën ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt. Më pas, palët arritën një armëpushim të brishtë në prill. Presidenti amerikan ka thënë se Irani nuk do të ketë një armë bërthamore, teksa së voni ka paralajmëruar se nëse Republika Islamike nuk “sillet mirë” ai mund të rinisë sulmet.

Skulptura ‘Société’ e Edi Ramës në Basel ruhet nga punonjësit e rendit e sigurisë

 

Një artikull i gazetarit Hannes Nuesseler në gazetën zvicerane BZ Basel ndalet te prania e Edi Ramës në panairin prestigjioz të artit Art Basel, ku kryeministri shqiptar ekspozon veprën e tij “Société” dhe disa vizatime personale.

Shkrimi thekson kontrastin mes profilit të Ramës si artist dhe rolit të tij si kryeministër, duke e përshkruar si një figurë që po polarizon gjithnjë e më shumë opinionin publik në Shqipëri.

Autori përmend gjithashtu protestat kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në një zonë të mbrojtur natyrore në Shqipëri, si dhe akuzat e opozitarëve ndaj qeverisë për korrupsion.

Artikulli nënvizon se Rama i ka cilësuar protestuesit si “agjentë të huaj”, ndërsa kujton se rreth një milion shqiptarë kanë emigruar gjatë dy dekadave të fundit, shkruan Politiko.

Sipas organizatorëve të Art Basel, vepra e Ramës është përzgjedhur ekskluzivisht për vlerat e saj artistike dhe jo për qëndrime politike.

Megjithatë, media zvicerane veçon faktin se skulptura “Société” ruhet gjatë natës nga shërbime sigurie, duke ngritur pikëpyetje dhe debate rreth pranisë së kryeministrit shqiptar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë percjell Politiko.

Nga Hannes Nuesseler, BZ BASEL

Një kërpudhë e gjelbër rritet në anën e Kleinbasel-it, pranë veprës ‘Helvetia auf Reisen’ të Bettina Eichin. Nga ana e ngjyrave, skulpturat janë të harmonizuara mirë, por mes tyre ka botë të tëra. Autori i veprës, që aktualisht shfaqet në kuadër të Art-Parcours, quhet Edi Rama: dikur artist me profesion kryesor, sot në mandatin e katërt si kryeministër i Shqipërisë. Në restorantin ‘Du Pont’ në Bazel ekspozohen gjithashtu vizatime të politikanit, të cilat ai i bën gjatë takimeve dhe shpesh ua dhuron mysafirëve shtetërorë.

Rama njihet si një “paradë paradoksi”, mbështetës i BE-së dhe admirues i Trump. Për këtë të fundit ai po kritikohet aktualisht: një projekt luksoz turistik në një zonë natyrore të mbrojtur, që Jared Kushner dhe Ivanka Trump duan ta realizojnë me investitorë arabë dhe oligarkë shqiptarë, po shkakton protesta masive.

Skulptura ‘Société’ ruhet nga sigurimi.

Sipas raportimit të SRF, Rama akuzohet se po ia kalon mirë në Bazel me shpenzimet e taksapaguesve. Ai e mohon këtë dhe i diskrediton protestuesit si “agjentë të huaj”. Gjuha e tij i ngjan asaj të Luftës së Ftohtë, kur në shtetin njëpartiak komunist të Shqipërisë ngriheshin bunkerë nga toka – si kërpudha.

Qeveria e Edi Ramës është nën dyshime për korrupsion; rreth një milion njerëz kanë lënë Shqipërinë në 20 vitet e fundit. Fakti që disa prej tyre tani në Bazel përballen me skulpturën e kryeministrit të tyre, pranë ‘Helvetia’-s që shikon me mall drejt BE-së, krijon një ironi të hidhur.

Sipas një zëdhënëseje të ‘Art Basel’, vepra është përzgjedhur vetëm për “cilësinë artistike”, jo për të mbështetur qëndrimet politike të Ramës.

Megjithatë, organizatorët duket se nuk i besojnë shumë gjykimit të publikut: gjatë natës, ‘Société’ ruhet nga një shërbim sigurie.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes SHBA-Iran do të mbahet në një resort malor në Zvicër

Radio Evropa e Lirë

Zvicra njoftoi se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që synon dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme, do të mbahet në resortin malor të Burgenstokut.

Ministria e Jashtme zvicerane tha se ka qenë në kontakt të ngushtë me SHBA-në, Iranin, Pakistanin dhe Katarin lidhur me mundësinë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.

“Aktualisht, nënshkrimi i dokumentit është planifikuar për të premten, më 19 qershor, në Burgenstok, që ndodhet në kantonin e Nidvaldenit. Ky lokacion është propozuar nga ndërmjetësuesit pakistanezë dhe ata nga Katari, si dhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani”, u tha në njoftim.

Burgenstoku është një kompleks i njohur rezidencial dhe për konferenca në Zvicrën qendrore, i cili më parë ka qenë mikpritës i takimeve ndërkombëtare dhe negociatave diplomatike.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara e nënshkruan në mënyrë elektronike më 15 qershor memorandumin e mirëkuptimit për t’i dhënë fund luftës, i hartuar në formën e një dokumenti të përgjithshëm.

Nënshkrimi zyrtar i dokumentit është planifikuar të bëhet më 19 qershor, në praninë e zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve.

Ndaras, më 16 qershor, udhëheqësi amerikan Donald Trump, tha se do ta dërgojë marrëveshjen e paqes me Iranin në Kongresin amerikan për shqyrtim.

Duke folur për gazetarët gjatë një takimi me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në margjinat e samitit të G7 në Francë, Trump tha: “Nuk e kam menduar më parë, por do ta bëj… do t’ia dërgoj Kongresit. Më pëlqen ideja. Kush nuk do ta miratonte?”.

Disa ligjvënës republikanë më herët kishin bërë thirrje që kongresitët të shqyrtonin tekstin e marrëveshjes.

Trump po ashtu premtoi se do ta bëjë publik tekstin e marrëveshjes me Iranin “brenda një ose dy ditësh” dhe sugjeroi se madje mund ta lexojë të gjithë dokumentin publikisht, sapo të vendoset një kornizë zyrtare për publikimin e tij.

Sipas Reuters, ai tha se po priste një procedurë zyrtare para publikimit, por shtoi se nuk kishte kundërshtim që ai të bëhej publik.

“Do të doja të kishte më parë një kornizë zyrtare për këtë, por nuk kam problem me publikimin, është një dokument i shkëlqyer”, tha Trump.

Ai shtoi se dispozita kryesore e marrëveshjes është e thjeshtë: “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.

Sa i përket fazës së ardhshme të negociatave me Iranin, për të cilën është vendosur një afat 60-ditor, Trump shprehu optimizëm se përparimi do të jetë i shpejtë.

“Mendoj se do të shkojë shumë shpejt”, tha ai duke shtuar se Irani dëshiron ta finalizojë procesin dhe të kthehet në aktivitet normal ekonomik dhe diplomatik.

“Irani dëshiron ta përfundojë këtë. Ata duhet t’u kthehen aktiviteteve të tyre normale dhe marrëdhëniet tani janë normalizuar, kështu që mendoj se ky proces do të ecë shumë shpejt”.

Trump paralajmëroi se afati kohor mund të ndryshojë, por përsëriti pritjet e tij për një përfundim të shpejtë: “Mund të shkojë më shpejt, mund të zgjasë më shumë, por mund të përfundojë shumë shpejt”.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar më herët se dokumenti – që palët nënshkruan në mënyrë elektronike – është rreth një faqe e gjysmë i gjatë.

Lufta nisi pasi SHBA-ja dhe Izraeli kryen sulme ajrore ndaj Iranit në fund të shkurtit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj aseteve amerikane në rajon dhe që nga nisja e konfliktit praktikisht ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit.

Marrëveshja parasheh edhe rihapjen e ngushticës përmes së cilës kalon një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit.

Vizita në Basel e mbushur me abuzime dhe mashtrime të pajustifkueshme nga Rama

 

Deri këtu çdo gjë është normale, por nëse e sheh me vëmendje atë foto, duket dhe një personazh tjetër në të. Ambasadori i Shqipërisë në Zvivër Ermal Dredha, i cili ishte si një mazhordom personal i kryeministrit Rama, i cili i mbante çantat dhe valixhet nga pas, teksa Rama dhe bashkëshortja ecnin para të pashqetësuar. 

ZVICËR- Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, një foto ka qarkulluar në mediat shqiptare dhe në rrjetet sociale me shpejtësi. As më pak as më shumë, në foto ishte kryeministri Edi Rama bashkë me bashëshorten Linda Rama në një aeroport të Zvicrës.

Deri këtu çdo gjë është normale, por nëse e sheh me vëmendje atë foto, duket dhe një personazh tjetër në të. Ambasadori i Shqipërisë në Zvivër Ermal Dredha, i cili ishte si një mazhordom personal i kryeministrit Rama, i cili i mbante çantat dhe valixhet nga pas, teksa Rama dhe bashkëshortja ecnin para të pashqetësuar.

Vetëm disa orë më vonë, ka qenë ish-oficeri i Antidrogës, Dritan Zagani, i cili ka publikuar një video të kryeministrit Rama në një ambient, mes personave të tjerë duke konsumuar pije, ndërkohë që e ka akuzuar se po shpërdoron paratë e qytetarëve shqiptarë.

“Sheshet e Tiranes plot, ky ha e pi ketej me leket tuaja….vazhdoni ju protestoni paqesisht se jeni pupull i kulturuar, ashtu si do ky,” shkruan Zagani.

Vetë kryeministri Rama ka reaguar për videon e publikuar të tij në Zvicër, duke sqaruar se ishte i ftuar privatisht nga ArtBasel që është panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë. Por duke shkruar këtë, Rama prishi dhe gojën duke thënë se s’ka bir nënë dhe bir kurve që të gjejë në xhepin e tij një qindarkë që nuk është fituar në mënyrë të ndershme.

“Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”, theksoi Rama ndër të tjera.

Por Zagani nuk u mjaftua me aq, pasi vetëm pas reagimit të Ramës, publikoi dhe detaje të tjera nga vizita e Ramës në Basel. Teksa Rama në postimin e tij, shkroi se po pinte ujë, Zagani e ka përgënjeshtruar duke theksuar se po kthente gotat me verë të kuqe.

“Ai edhe kur justifikohet gënjen si derr 2 metra, sepse edhe statusin ku thote isha ai po e shkruan akoma nga Hotel Mowenpik(nje hotel i ri dhe me luksoze i shtrenjte ne Basel). Dhe nuk po pinte uje por i kthente gotat me nje leng te kuq(vere e kuqe mendoj se spi leng qershie ky mashtrues) me nje te ngritur i nxirrte fundin si i babëzitur,” shkroi Zagani.

Ndërsa ka shtuar se Rama në Basel, është duke qëndruar në hotelin Movenpick, që sipas kërkimeve që Dosja.al, bëri në internet në lidhje me hotelin, rezulton që është ndër më luksozët dhe të shtrenjtët ne atë qytet, ku për një natë një dhomë shkon deri në 800 euro.

Vizita në Basel e mbushur me abuzime dhe mashtrime të pajustifkueshme

Hoteli

Ka qenë dhe gazetarja politike Ambrozia Meta, e cila i ka kujtuar Ramës udhëtimet e tij të kripura bashkë me familjen disa herë jashtë vendit, pasi vetë kryeministri ngulmoi se nuk ka qenë asnjëherë jashtë shtetit për pushime gjatë kohës që është kryeministër i vendit. Meta teksa ka ironizuar postimin e Ramës mëngjesin e sotëm, ia rikthyer në kujtesë vizitën e Ramës disa vite më parë në Majemi, duke parë një ndeshje të NBA-së, ku çmimet e biletave shkonin në disa mijëra dollarë.

“Sepse psh edhe kur shkoi me familjen para disa viteve, për të parë ndeshje basketbolli në Majemi, me bileta të kripura, dhuratë e padeklaruar, nuk quhen pushime. Ata ishin aty për të tërhequr investorë të huaj,” shkruan Meta, teksa ka kërkuar që Rama të bëjë transparencë me udhëtimet e veta që i ka klasifikuar si sekret shtetëror me vendim qeverie.

Por dhe ish-komandanti i Forcave Detare Artur Meçollari ka ngritur një shqetësim në lidhje me vizitën e Ramës në Zvicër. Shqetësimi legjitim i Meçollarit është fakti që nëse vizita e Ramës në Zvicër ka qenë private, pse duhet që të dilte ta priste Ambasadori i Shqipërisë në atë vend, dhe për më tepër, të bëhej si shërbëtor, duke i mbajtur çantat dhe valixhet.

“O KM. Si e ke katandisur titullin Ambasador i RSH,” thekson Meçollari.

Ajo që mbetet të kuptohet nga kjo ngjarje është se ka shumë paqartësi në lidhje me natyrën e vizitës së Ramës në Zvicër. Por dhe fakti se udhëtimet e Ramës me charter, apo shpenzimet e tij në lidhje me udhëtimet jashtë vendit, si zyrtare apo private janë në errësirë totale, tregon se diçka ka për të fshehur./Dosja.al

Shqipëria në protestë/ Rama udhëton në Zvicër, Ermal Dredha i mban valixhen

Shqipëria në protestë/ Rama udhëton në Zvicër, Ermal Dredha i mban valixhen

Në foton e kapur nga shqiptarët në aeroportin në Basel, dallohet kryeministri Edi Rama dhe ambasadori Ermal Dredha, ku ky i fundit i mban valixhet kryeministrit duke e ndjekur nga pas.

‘Rama drejt Zvicrës, ambasadori Malo me valixhe nga mbrapa’, shkruan në Facebook faqja satirike ‘Disidentët’.

Postimi i plotë i ‘Disidentët’:

Hahahahahahahahahahah Malooo të hëngërt se më bëre për të qeshur!

Po qysh more mban valixhet si çirak?

O dreeeeee ai dreqi ka dhe hap të madh, me vrap Malua nga pas.

Rama drejt Zvicrës, ambasadori Malo me valixhe nga mbrapa.

Edi Rama ne aeroportin e Bazelit

Edi Rama është filmuar të dielen në aeroportin e Bazelit. Në pamjet e siguruara nga mediat e Tiranës, Rama shihet duke ecur në ambientet e aeroportit, i shoqëruar nga një efektiv policie.

Prania e tij në Bazel përkon me Art Basel, ku kreu i qeverisë shqiptare është pjesë e programit zyrtar.

Udhëtimi i Ramës zhvillohet ndërsa në Shqipëri protestat kundër qeverisë së tij kanë hyrë në javën e tretë. Dyqind mijë qytetarë kanë dalë në rrugë në kundërshtim të projektit të investimit në Zvërnec, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe rishikimin e vendimmarrjeve që lidhen me këtë projekt.

Sipas programit zyrtar të Art Basel, Rama është përfshirë në seksionin publik “Parcours” me veprën e tij artistike të titulluar “Societe A”. Bëhet fjalë për një skulpturë monumentale të realizuar mbi bazën e vizatimeve dhe skicave që ai ka krijuar gjatë ushtrimit të detyrës si Kryeministër, shpesh mbi dokumente zyrtare qeveritare.

Nga piktor, kësaj here për herë të parë, 62 vjeçar Edi Rama shfaqet si skuptor.

Trumpi në Gjenevë përpara G7

Këshilltari Federal i Zvicrës Guy Parmelin e priti atë, ashtu si edhe burrështetasit e tjerë që marrin pjesë në samitin e Évian

VOAL- Donald Trumpi mbërriti në Gjenevë këtë pasdite, të hënën, përpara pjesëmarrjes së tij në samitin e G7 të planifikuar për Évian, Francë. Pasi Air Force One u ul në aeroportin e Cointrin, shefi i Shtëpisë së Bardhë u prit zyrtarisht nga Guy Parmelin. Presidenti amerikan më pas hipi në Marine One, një helikopter që shkonte për në qytetin francez. Delegacioni i tij përfshin gjithashtu Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Ministrin e Tregtisë Howard Lutnick dhe Ministrin e Thesarit Scott Bessent. Para Trumpit, presidenti zviceran priti kryeministrin britanik Keir Starmer dhe homologun e tij kanadez Mark Carney. Në Gjenevë mbërritën gjithashtu kryeministrja japoneze Sanae Takaishi, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Mikpritësi i samitit, presidenti francez Emmanuel Macron, mbërriti dje në Évian pa kaluar tranzit nëpër Gjenevë. Më parë, Parmelin priti udhëheqës të tjerë që nuk janë anëtarë të klubit të fuqive të mëdha, por që po marrin pjesë gjithashtu në samit: presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva dhe presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, të cilët kanë mbërritur tashmë në Évian. ATS

Marrëveshja aq e shumëpritur SHBA-Iran do të nënshkruhet në Gjenevë të premten

VOAL- Nënshkrimi i marrëveshjes midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund menjëherë luftës në Lindjen e Mesme në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, do të zhvillohet në Gjenevë të premten, më 19. Ndërmjetësit pakistanezë, të cilët kanë qenë shumë aktivë në finalizimin e marrëveshjes, e konfirmuan këtë të hënën. “Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është përfunduar,” konfirmoi Presidenti i SHBA-së Donald Trump disa minuta më vonë në rrjetin e tij social Truth Social. “Unë autorizoj plotësisht rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa të drejta kalimi dhe, në të njëjtën kohë, heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane. Anije të botës, ndizni motorët tuaj. Lëreni naftën të rrjedhë!” u gëzua ai, duke shtuar se kjo hapje do të ndodhë “sapo të nënshkruhet marrëveshja të premten, për të lejuar pastrimin e minave”. Njoftimi shkaktoi një rënie të menjëhershme të çmimeve të naftës, të cilat ishin rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës më 28 shkurt dhe bllokada e Ngushticës strategjike të Hormuzit, përmes së cilës normalisht kalon një e pesta e tregtisë globale të hidrokarbureve.

Negociata të hollësishme brenda gjashtëdhjetë ditësh

Dokumenti i rënë dakord midis Uashingtonit dhe Teheranit nuk u bë menjëherë publik. Memorandumi i mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara parashikon “përfundimin e menjëhershëm dhe përfundimtar të luftës dhe operacioneve ushtarake në fronte të ndryshme, përfshirë Libanin”, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi në televizionin shtetëror. “Negociatat do të fillojnë brenda gjashtëdhjetë ditësh me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, specifikoi ai, duke renditur katër tema për negociatat e ardhshme: heqjen e sanksioneve kundër Iranit, çështjen bërthamore, rindërtimin dhe “zhvillimin ekonomik” të vendit, si dhe “krijimin e një mekanizmi monitorimi” për angazhimet e ndërmarra. Agjencia e lajmeve Mehr e Iranit raportoi gjithashtu një tekst të pakonfirmuar që deklaronte se marrëveshja parashikon “lirimin e 24 miliardë dollarëve në asete të ngrira iraniane gjatë periudhës gjashtëdhjetë ditore të negociatave”, gjysma e të cilave do të lirohen para fillimit të bisedimeve. Siç u përmend, ceremonia e nënshkrimit do të mbahet më 19 qershor në Gjenevë. Vendndodhja u njoftua nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, një ndërmjetës kyç në luftën e Lindjes së Mesme. Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance njoftoi qëllimin e tij për të marrë pjesë dhe se prania e Donald Trump ishte “e mundur”. “Një moment historik vendimtar” sipas OKB-së, një triumf sipas Teheranit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e përshëndeti marrëveshjen, duke e quajtur atë një “hap vendimtar drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit”. Nga ana e tij, Irani deklaroi se kishte “imponuar vullnetin e tij hyjnor dhe të hekurt mbi armiqtë e tij të poshtëruar amerikanë dhe sionistë. Armiku nuk ka zgjidhje tjetër veçse të pranojë humbjen dhe të dorëzohet”.

Shtabi i Përgjithshëm iranian bëri këtë deklaratë të kënaqshme në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror. Pak para se të njoftohej marrëveshja, autoriteti më i lartë i sigurisë i Iranit, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare, kishte paralajmëruar në mediat sociale për një përgjigje “të afërt” ndaj një bastisjeje izraelite që la tre të vdekur të dielën në periferitë jugore të Bejrutit, një fortesë e Hezbollahut pro-iranian. Donald Trump kishte deklaruar më parë në Truth Social se sulmi izraelit “nuk duhej të kishte ndodhur, veçanërisht në këtë ditë të veçantë”, të dielën, në ditëlindjen e tij të 80-të. “Isha i tërbuar”, i tha ai më vonë medias Axios, duke pretenduar se e kishte qortuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu: “Ai nuk ka asnjë fije logjike. Unë ia bëra të ditur”. Izraeli, duke pasur frikë nga një kompromis që nuk arrin të përmbushë kërkesat e tij në lidhje me armikun e tij të betuar, Iranin, tha se iu përgjigj sulmeve me dronë të Hezbollahut në territorin e tij.

Samiti i G7 në Evian: Duke parë përpara

Nën presion në vendin e tij për të dalë nga një konflikt jopopullor që ka tronditur rëndë edhe ekonominë globale, Donald Trump do të takohet me udhëheqësit e fuqive të tjera të mëdha këtë javë në samitin e G7 në Evian të Francës. “Objektivi do të jetë vlerësimi i pasojave të kësaj marrëveshjeje, mbështetja për Libanin, rihapja afatgjatë e Ngushticës së Hormuzit dhe, sigurisht, përfundimi i një marrëveshjeje për raketat bërthamore dhe balistike në Iran”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron pasi u njoftua marrëveshja. Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia thanë se ishin “të gatshme të hiqnin sanksionet përkatëse në përgjigje të masave të qarta dhe të verifikueshme nga Irani në lidhje me programin e tij bërthamor”.

E filluar më 28 shkurt nga sulmet amerikane dhe izraelite, lufta ka ndezur Lindjen e Mesme dhe ka shkaktuar mijëra vdekje, kryesisht në Iran dhe Liban. Agjencitë

Mbështetje për Shqiptarët Kundër Shkatërrimit të Trashëgimisë Kombëtare Nga Ueli Leuenberger

Ueli Leuenberger është një politikan zviceran me ndikim nga Partia e Gjelbër (GPS), i cili ka shërbyer si anëtar i Këshillit Kombëtar të Zvicrës nga viti 2003 deri në vitin 2015. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e presidentit të Partisë së Gjelbër të Zvicrës nga viti 2008 deri në 2012. Njihet si mbështetës i Ballkanit dhe veçanërisht mbështetës i zjarrtë i shqiptarëve në Zvicër. Ai themeloi Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës më 1996, një projekt i rëndësishëm që ndihmoi në integrimin e refugjatëve kosovarë në shoqërinë zvicerane. I angazhuar gjithmonë për të drejtat sociale dhe çështjet e migracionit, i njohur për oratorinë, ai mori pjesë në protestën e organizuar dje në Gjenevë në vijim të protestave në Tiranë dhe diasporë që tashmi njihen me emrin Revolucioni Flamingo, me një pjesmarrje të madhe të GjeneratësZ. Më poshtë po sjellim fjalën e tij mbajtur dje që ai e ka publikuar në faqen e tij rrjetin social:

Mbështetje për Shqiptarët Kundër Shkatërrimit të Trashëgimisë Kombëtare

Fjalim në Place des Nations përpara OKB-së në Gjenevë më 11 qershor 2026

Të dashur miq,

Pas nesh qëndrojnë ndërtesat ku debatohen çështjet kryesore të kohës sonë.

Përpara nesh janë qytetarë me prejardhje të ndryshme, të bashkuar nga një bindje e përbashkët: disa thesare nuk mund të reduktohen në vlerën e tyre të tregut.

Nëse flas sot, e flas si ambientalist, si i Gjelbër, por edhe si një mik i hershëm i popujve të Ballkanit dhe të Shqipërisë.

Një rajon që e kam njohur, vlerësuar dhe respektuar për bukurinë e peizazheve të tij, pasurinë e kulturave të tij dhe forcën e popullit të tij.

Ajo që po ndodh në Shqipëri sot shtrihet shumë përtej kufijve të atij vendi.

Mobilizimi kundër projekteve masive të pasurive të patundshme të planifikuara për Ishullin e Sazanit dhe pjesë të vijës bregdetare shqiptare ngre një pyetje themelore:

kush zotëron trashëgiminë natyrore të një vendi?

A i përket ajo disa investitorëve të fuqishëm të aftë për të transformuar hapësira unike në mallra luksoze për një pakicë të privilegjuar?

Apo i përket popullit, atyre që jetojnë atje sot dhe brezave të ardhshëm?

Për mua, përgjigjja është e qartë. Bregdetet, pyjet, lagunat, malet dhe peizazhet që e bëjnë Shqipërinë kaq të bukur nuk janë thjesht asete ekonomike.

Ato janë një kujtesë kolektive, një trashëgimi e përbashkët dhe një përgjegjësi e përbashkët.

Sigurisht, Shqipëria ka nevojë për investime.

Sigurisht, ajo ka nevojë për zhvillim ekonomik, vende pune dhe mundësi për të rinjtë e saj.

Por zhvillimi nuk mund të nënkuptojë privatizimin e të mirave të përbashkëta ose shkatërrimin gradual të asaj që përbën identitetin dhe pasurinë e thellë të një vendi.

Në të gjithë botën, ne kemi parë tashmë pasojat e kësaj logjike: zhvillimin bregdetar, shkatërrimin e ekosistemit, përjashtimin e popullatave lokale, pasurimin e një pakice dhe varfërimin e trashëgimisë kolektive.

Dhe kur projekte të një madhësie të tillë drejtohen nga aktorë që ushtrojnë pushtet të madh financiar dhe politik, është plotësisht legjitime që qytetarët të bëjnë pyetje.

Pyetje rreth transparencës.

Pyetje rreth procedurave demokratike.

Pyetje rreth vlerësimeve të ndikimit në mjedis.

Pyetje rreth lidhjeve midis interesave private dhe vendimeve publike.

Qeveria shqiptare mban një përgjegjësi të madhe sot.

U takon atyre të demonstrojnë se vendimet e marra janë në interes të përgjithshëm dhe jo nën presionin e fuqive ekonomike apo interesave të veçanta.

Besimi demokratik nuk mund të dekretohet.

Ai ndërtohet nëpërmjet transparencës, dëgjimit dhe respektit për qytetarët.

Pikërisht këtë kërkojnë sot gratë dhe burrat që mobilizohen në Shqipëri.

Ato nuk po mbrojnë vetëm një ishull apo një pjesë të vijës bregdetare.

Ato po mbrojnë një vizion të caktuar për të ardhmen.

Ato po mbrojnë të drejtën e njerëzve për të marrë pjesë në vendime që ndikojnë në territorin e tyre.

Ato po mbrojnë të drejtën e brezave të ardhshëm për të trashëguar një mjedis natyror të ruajtur.

Ato po mbrojnë parimin se jo gjithçka është në shitje.

Dhe cili vend më i mirë se Gjeneva për të përcjellë këtë mesazh?

Këtu, në këmbët e Kombeve të Bashkuara, ne përsërisim se mbrojtja e mjedisit, pjesëmarrja demokratike dhe respekti për komunitetet lokale nuk janë pengesa për zhvillimin.

Ato janë parakushtet e tij.

Shqipëria meriton një të ardhme të begatë.

Por ajo gjithashtu meriton të ruajë peizazhet e saj, vijat e saj bregdetare, biodiversitetin e saj dhe shpirtin e saj.

Kur një ekosistem i jashtëzakonshëm shkatërrohet, ndonjëherë duhen vetëm disa muaj.

Rindërtimi i tij ndonjëherë zgjat shekuj.

Dhe shpesh, është i pamundur.

Kjo është arsyeja pse sot shprehim solidaritetin tonë me qytetarët shqiptarë që thjesht kërkojnë të dëgjohen.

Lufta e tyre është lokale.

Por mesazhi i tyre është universal.

Sepse në fund të fundit, pyetja është e njëjtë kudo: çfarë lloj bote duam t’u lëmë atyre që vijnë pas nesh?

Shpresoj që dialogu, transparenca dhe e mira e përbashkët të mbizotërojnë.

Dhe mbi të gjitha, shpresoj që zëri i shoqërisë civile shqiptare të dëgjohet, të respektohet dhe të merret në konsideratë.

Faleminderit të gjithëve.

Ndahet nga jeta Jean Ziegler

Sociologu dhe ish-Këshilltari Kombëtar ndërroi jetë të mërkurën në Gjenevë – Ai ishte 92 vjeç. 

VOAL- Sociologu dhe ish-Këshilltari Kombëtar Jean Ziegler vdiq të mërkurën në Gjenevë në moshën 92 vjeç nga sëmundja e Parkinsonit, siç raportohet nga RTS. Një figurë intelektuale kryesore në të majtën zvicerane dhe një kritik i palodhur i globalizimit liberal, ai formësoi jetën politike dhe akademike për më shumë se gjysmë shekulli. Në moshën 90 vjeç, ai ende nuk kishte botuar asnjë libër. Titulli ngre një pyetje në kohë: “Où est l’espoir?” (Ku është shpresa?). Ishte një thirrje për rezistencë përballë krizave globale dhe fatkeqësive bashkëkohore, të tilla si luftërat, uria dhe pabarazia.  I intervistuar nga Gabriele Fontana, sociologu dhe ish-Këshilltari Kombëtar Jean Ziegler kujtonte lidhjen e tij me Ernesto Che Guevara-n. Në vitin 1964, kur ishte 30 vjeç, jeta e Ziegler ndryshoi në Gjenevë: ai takoi Che Guevara-n. Ai donte ta ndiqte atë në Kubë për t’u bashkuar me luftën kundër hegjemonisë amerikane. Por Che e këshilloi të luftonte “përbindëshin” në Zvicrën e tij të lindjes. Ai arriti famë botërore në vitin 1976 kur denoncoi rolin e shumëkombësheve zvicerane në esenë e tij “Një Zvicër Mbi Dyshimin”. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai botoi mbi njëzet traktate. RSI


Send this to a friend