TË PËRPIQESH TË FUTËSH NJË UNIVERS TË TËRË BRENDA NJË KOKRRE ARRE
Absurditeti i madh i një akademie, në mijëvjeçarin e tretë
Flijimi i Etëhem Haxhiademit nuk është vetëm i djeshëm. Ai vijon edhe sot nga vetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ndërsa studimet akademike shqiptare mbeten të përqendruara kryesisht te dokumenti, biografia, gjuha, historia dhe arkivi, Bota e Ideve mbetet e patrajtuar. Pikërisht ajo Botë që ka qenë një nga forcat e mëdha të zhvillimit të Mendimit perëndimor dhe të ndryshimit të fatit të miliona njerëzve.
Paradoksi i madh është se Haxhiademi punoi pikërisht në këtë terren dhe çuditërisht ja mohojnë. Njeriu përballë fatit, Lirisë, fajit, Përgjegjësisë, së Mirës dhe së Keqes, është një përmasë e tij që nuk pranohet t’i njihet në asnjë mënyrë. Nuk ekziston as dëshira akademike më e vogël për ta njohur.
Në vend që horizonti akademik të zgjerohet për ta përfshirë, bota e Haxhiademit mbahet peng.
Është e mundur të zvogëlohet Haxhiademi vetëm në biografi, dokument dhe histori letrare? Kjo është sikur të përpiqesh të futësh një univers të tërë brenda një kokërr arre.
Është Bota e Ideve ajo që hap rrugën drejt vetë së ardhmes së shoqërisë shqiptare. Mbajtja peng e Mendimit të Haxhiademit brenda kufijve të vjetër, sot në Mijëvjeçarin e Tretë, është një absurditet i vërtetë akademik, kufij që mendimi perëndimor i ka flakur tutje prej shekujsh.
POR ATËHERË LIND NJË PYETJE AKOMA MË E MADHE
Po sikur nesër Skënderbeu të studiohet jo vetëm për betejat, aleancat, dokumentet dhe kronikat, por si një univers idesh mbi Lirinë, Dinjitetin, Përgjegjësinë, pushtetin, zgjedhjen dhe Njeriun? Çfarë do të ndodhë? Do të vazhdojë edhe Skënderbeu gjigant të futet brenda së njëjtës kokërr arre?
Sepse problemi nuk është më Haxhiademi. Problemi është vetë horizonti i kufizuar i Mendimit akademik shqiptar.
