Autoritetet zvicerane kanë njoftuar se do të hapin dosjet e klasifikuara prej dekadash lidhur me kriminelin famëkeq nazist të Luftës së Dytë Botërore, Josef Mengele, i njohur ndryshe si “Engjëlli i Vdekjes”. Megjithatë, nuk është bërë ende e ditur data e saktë e publikimit të tyre.
Vendimi vjen pas vitesh kërkesash nga historianë dhe studiues, të cilët kanë kërkuar akses në dokumente që mund të hedhin dritë mbi lëvizjet e mundshme të Mengele-s në Evropë pas arratisjes së tij nga Gjermania naziste.
Mengele, i cili shërbeu si mjek në njësitë SS dhe u dërgua në kampin famëkeq të Auschwitz-it në Poloninë e pushtuar, akuzohet për përzgjedhjen e viktimave që dërgoheshin në dhomat e gazit, ku humbën jetën rreth 1.1 milionë njerëz, mes tyre rreth një milion hebrenj.
Ai është gjithashtu përgjegjës për eksperimente mizore mbi të burgosurit, kryesisht fëmijë dhe binjakë.
Pas luftës, ai u arratis duke ndryshuar identitetin dhe duke përdorur dokumente të rreme, të cilat i mundësuan largimin drejt Amerikës së Jugut. Megjithatë, dyshimet për një qëndrim të mundshëm të tij në Zvicër kanë ekzistuar prej vitesh.
Sipas të dhënave historike, në vitin 1956 Mengele ka kaluar pushime në Alpet zvicerane me djalin e tij, Rolf. Ky informacion është i njohur që nga vitet ’80. Ndërsa më vonë janë ngritur dyshime se ai mund të jetë rikthyer në Evropë edhe pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar të arrestit në vitin 1959.
Historianët pretendojnë se në vitin 1961 shërbimet inteligjente austriake kishin informuar autoritetet zvicerane se Mengele mund të udhëtonte me identitet të rremë dhe mund të ndodhej në territorin e tyre. Po ashtu, janë zbuluar të dhëna se bashkëshortja e tij kishte marrë me qira një apartament në Zyrih dhe kishte kërkuar leje qëndrimi të përhershme.
Zyra e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenova lëshoi këto pasaporta me emra të rremë për kriminelët nazistë të luftës (nga e majta në të djathtë) Josef Mengele, Klaus Barbie dhe Adolf Eichmann
Dosjet e policisë së Zyrihut, të cilat janë parë nga historiania zvicerane Regula Bochsler, tregojnë se apartamenti ishte vënë nën vëzhgim dhe se një person i paidentifikuar është parë në shoqërinë e saj duke drejtuar një Volkswagen, duke shtuar më tej dyshimet për praninë e mundshme të Mengele-s në Zvicër.
Apartamenti ndodhej në një periferi të thjeshtë, edhe pse familja kishte mundësi financiare për një banesë më luksoze. Por ishte afër aeroportit ndërkombëtar.
Por a ishte ai vetë?
Arrestimi i një krimineli lufte të kërkuar si Mengele në vitin 1961 do të kishte përfshirë policinë federale zvicerane. Në vitin 2019, Bochsler kërkoi qasje edhe në arkivat federale, por kërkesa iu refuzua. Dosjet u mbyllën deri në vitin 2071, për arsye sigurie kombëtare dhe për mbrojtjen e familjes së zgjeruar.
Ajo nuk ishte e vetmja që mori refuzim. Në vitin 2025, historiani Gérard Wettstein bëri një tjetër kërkesë, por gjithashtu u refuzua.
“Duket absurde,” tha ai për BBC. “Sa më gjatë të mbeten të mbyllura deri në 2071, aq më shumë ushqejnë teori konspirative.”
Wettstein e sfidoi vendimin në gjykatë, një proces i kushtueshëm që u financua përmes crowdfunding. “Mblodhëm 18,000 franga zvicerane brenda pak ditësh.”
Pas kësaj, Shërbimi Federal i Inteligjencës i Zvicrës ndryshoi qëndrim. Në një deklaratë të këtij muaji, u tha: “Paditësit do t’i jepet akses në dosje, në varësi të kushteve dhe kërkesave që ende nuk janë përcaktuar.”
Mengele (në të djathtë) shihet këtu në vitin 1944, me komandantin e Auschwitzit, Richard Baer (në të majtë) dhe ish-komandantin Rudolf Höss
Megjithatë, jo të gjithë besojnë se dosjet do të zbulojnë shumë për vetë Mengele-n. Presidenti i Shoqërisë Zvicerane për Historinë, Sacha Zala, është absolutisht i sigurt se nuk ka asgjë të rëndësishme për Mengele-n, por mendon se mund të ketë referenca për shërbime të huaja inteligjente ose informatorë.
Në fund të viteve ’50, shërbimi izraelit Mossad po gjurmonte aktivisht kriminelët nazistë të arratisur dhe dyshohet se mund të ketë pasur kontakte me autoritetet zvicerane. Kjo mund të justifikojë mbajtjen e disa pjesëve të dosjeve të mbyllura.
Por a është një përmendje e thjeshtë e Mossad-it për ndjekjen e nazistëve para 70 vitesh vërtet kaq e ndjeshme? “Ky është problem i procesit të deklasifikimit pa njohuri historike,” thotë Zala. “Kështu administrata ka ushqyer teoritë e konspiracionit.”
Historianë të tjerë, si Jakob Tanner, thonë se fshehtësia e këtyre dosjeve tregon më shumë për Zvicrën sesa për Mengele-n. “Është një konflikt mes sigurisë kombëtare dhe transparencës historike, dhe shpesh fiton e para,” thotë ai.
Tanner, i cili ka shërbyer në Komisionin Bergier që në vitet ’90 ka hetuar marrëdhëniet e Zvicrës neutrale me Gjermaninë naziste, thekson se vendi ka ende ndjeshmëri të madhe për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai shton se është problem për një shtet demokratik që këto dosje mbeten të mbyllura.
Megjithatë, ai e konsideron të mundshme që Mengele të ketë qenë në Zvicër në vitin 1961.
Mengele shihet këtu me një grua të paidentifikuar në vitet 1970 në Brazil, ku ai jetoi për dekada të tëra të jetës së tij
Ndërkohë, nazisti tjetër i kërkuar Adolf Eichmann ishte kapur nga Mossad në Argjentinë në vitin 1960, dhe kjo krijoi frikë te nazistët e tjerë të arratisur në Amerikën e Jugut. Sipas Tanner, disa prej tyre mendonin se Evropa mund të ishte më e sigurt.
Një studiues i Komisionit Bergier pati akses të kufizuar në disa dosje në vitin 1999 dhe arriti në përfundimin se nuk mund të provohej apo përjashtohej prania e Mengele-s në Zvicër. Dosjet më pas u mbyllën sërish. Ndërkohë, ende nuk ka një datë për publikimin e tyre të plotë.
Mengele, i cili kurrë nuk u gjykua për krimet e tij, vdiq në Brazil në vitin 1979 nën një emër të rremë. Mbetjet e tij u identifikuan përfundimisht në vitin 1992 përmes testit të ADN-së.
Por misteri mbetet, a ishte ai ndonjëherë në Zvicër? Dhe nëse po, a u injorua qëllimisht prania e tij për të shmangur skandale diplomatike?
“Ndoshta nuk do ta dimë kurrë të vërtetën,” thotë Wettstein. “Por të paktën mund të kemi një pamje më të qartë.”/BBC-Panorama