Sektori i Antikorrupsionit në Policinë e Tiranës filloi dje marrjen në pyetje të personave, emrat e të cilëve ishin përmendur në letrën që Spartak Braho u dërgoi krerëve të shtetit.
Verifikimi nisi nga bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, e cila hyri në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës rreth orës 16:30, ku u mor në pyetje për rreth një orë.
E shoqëruar nga avokati i saj, Vladimir Meçi, Vojsava Ismailaj doli nga Policia rreth orës 17:25, por nuk pranoi të japë asnjë koment rreth dëshmisë që kishte dhënë para oficerit të Antikorrupsionit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Vojsava Ismailaj është pyetur për takimin, që sipas Spartak Brahos ajo ka zhvilluar me Tom Doshin dhe Dritan Priftin.
Gjithashtu edhe për kërcënimet e pretenduara që ajo ka marrë, në mënyrë që të bindë bashkëshortin të tërhiqej. Sipas Brahos, Vojsava Ismailaj është takuar në një prej lokaleve të Tiranës me Tom Doshin dhe Dritan Priftin. Këta të fundit kanë kërkuar prej saj të bindë bashkëshortin me qëllim implikimin e kreut të Kuvendit Ilir Meta në aferën e CEZ-it.
Por ky fakt i shkruar në letrën e Spartak Brahos është rrëzuar nga bashkëshortja e Kastriot Ismailajt. Burimet thanë se ajo ka mohuar të gjitha pretendimet e ngritura nga Spartak Braho, megjithëse ka pranuar se është kërcënuar nga personat të ndryshëm, por jo nga Doshi, apo Prifti.
DESHMIA
Ka zgjatur pothuajse një orë dëshmia e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt në Policinë e Tiranës, e thirrur për t’u marrë në pyetje rreth pretendimeve të ngritura nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho.Burime nga Policia konfirmuan se Vojsava Ismailaj ka mohuar pretendimet se ndaj saj po bëhen presione nga deputeti Tom Doshi dhe ish-ministri i Energjetikës Dritan Prifti, që bashkëshorti i saj të dëshmojë kundër Ilir Metës në procesin gjyqësor mes DIA-s dhe OSHEE-së.
Vojsava u pyet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga një oficer i Antikorrupsionit. Ajo pranoi se e njeh prej vitesh deputetin Tom Doshi, ndërsa ka dëshmuar se presionet ndaj saj kanë ardhur nga segmente shtetërore.
Gjatë dëshmisë së saj në Policinë e Tiranës, Vojsava Ismailaj shoqërohej nga avokati Vladimir Meçi. Ajo u fut në ambientet e Policisë rreth orës 16:30 dhe doli rreth një orë më pas. Edhe pse pati një interesim të lartë të mediave të mbledhura para Drejtorisë së Policisë, Vojsava bashkë me avokatin e saj nuk pranuan të prononcohen.
Meçi u shpreh se për aq kohë sa klientja e tij nuk pranon të flasë rreth asaj që deklaroi para oficerit të Policisë, edhe ai do të respektojë vendimin e saj.
Komentet