VOAL

VOAL

Xi Jinping në paradën ushtarake: Më shumë se kurrë na duhet një ushtri e fortë

July 30, 2017

Komentet

Hapat e Trumpit për t’ia ndalur Kinës naftën iraniane

Supercisterna iraniane Adrian Darya 1, e njohur më parë si Grace 1, e cila besohet të jetë pjesë e flotës në hije që operohet nga Irani.

 

Kian Sharifi, Reid Standish

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një rrjeti njerëzish dhe kompanish që akuzohen se kanë lehtësuar shitjen e miliona fuçive të naftës iraniane në Kinë, teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po tenton të sjellë në zero eksportet e naftës së papërpunuar të Iranit.

Rundi i ri i sanksioneve është një paralajmërim për Pekinin dhe Teheranin, të dizajnuara për ta vënë në dijeni Kinën, por pa shpërqendruar diskutimet në prapaskenë, për mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin, që do të kufizonte programin e tij bërthamor.

Analistët thanë se këto sanksione – që kanë shënjestruar individë dhe anije që kanë lidhje me të ashtuquajturën flotë në hije të anijeve që transportojnë naftën iraniane nën embargo – mund të jenë efektive, por nuk do t’i ulin deri në zero eksportet e naftës të Iranit. Masa më të ashpra janë të nevojshme që të arrihet një gjë e tillë – për shembull, shënjestrimi i institucioneve kineze, sikurse bankat që procedojnë transaksionet e naftës – por, një gjë e tillë mund të rrezikojë që të përshkallëzohen tensionet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

“Kjo është pak, por jo sepse Trumpi domosdo dëshiron ta trajtojë këtë çështje me kujdes”, tha Tom Keatinge, drejtor i Qendrës për Krime Financiare dhe i Studimeve të Sigurisë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve në Londër. “Kjo është mënyrë për të dërguar një mesazh dhe për t’ua bërë të ditur të gjithë të përfshirëve në transportimin e naftës iraniane”.

Pse Trumpi po e godet Iranin?

Ekonomia e Iranit varet shumë nga të ardhurat e naftës, të cilat, siç tha Departamenti amerikan i Shtetit më 6 shkurt, përdoren për të financuar “grupe terroriste dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve”, duke iu referuar rrjetit rajonal të Iranit të përbërë nga grupe të armatosura që e kundërshtojnë Izraelin dhe SHBA-në.

Sanksionet e reja kanë pasur për cak dhjetëra kompani dhe individë në Kinë, Indi dhe Emirate të Bashkuara Arabe, përfshirë qytetarë iranianë dhe indianë, udhëheqës kompanish, por edhe disa cisterna.

“Këto sanksione, dhe sanksionet e reja që sigurisht do të pasojnë, do të kenë ndikim”, tha Nader Itayim, ekspert për energjinë në Lindjen e Mesme në Argus Media, me seli në Mbretërinë e Bashkuar. “Pyetja është se sa i madh mund të jetë ky ndikim. Kjo do të varet se sa serioze do të jetë administrata e Trumpit në shënjestrimin e tregtisë së naftës iraniane”.

Në bazë të marrëveshjes bërthamore, të arritur më 2015, u hoqën sanksionet amerikane duke i mundësuar Iranit që të shesë naftë. Trumpi u tërhoq nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione që ulën eksportet në rreth 400.000 fuçi në ditë.

Më vonë, Irani rriti eksportet përmes shmangies së sanksioneve, duke rritur kërkesën kineze dhe duke shfrytëzuar zbatimin më të butë të sanksioneve gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden.

Sanksionet e reja janë pjesë e rikthimit të administratës Trump në fushatën e “presionit maksimal”, që e kishte karakterizuar politikën e Trumpit ndaj Iranit gjatë mandatit të tij të parë si president. Trumpi thotë se Irani është “shumë afër” që të zhvillojë një bombë bërthamore, por për një kohë të gjatë Teherani pretendon se programi i tij bërthamor është paqësor.

“Një nga qëllimet e tij tani është që ta bankrotojë Iranin”, tha Keatinge. “Që kur Trumpi ishte për herë të fundit president, komuniteti i sanksioneve – publik dhe privat – ka mësuar shumë se si të shënjestrohen të ardhurat e naftës të një shteti dhe të goditet infrastruktura tjetër me masa dhe ky mësim është nxjerrë kryesisht nga përvoja me flotën në hije të Rusisë”.

Si pjesë e përpjekjes së saj për të shmangur sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës dhe financimit të luftës së saj kundër Ukrainës, Rusia ka punësuar një flotë në hije të qindra anijeve të vjetra, që gjerësisht janë të regjistruara jashtë juridiksioneve të Perëndimit, për të eksportuar shumicën e naftës së saj në tregje.

Si operon “flota në hije”?

“Flota në hije” e cisternave të Iranit ka qenë thelbësore në aftësitë e Teheranit për të shmangur sanksionet dhe për të transportuar fshehurazi naftë në Kinë dhe në vende të tjera.

Kjo strategji përfshin dërgesat nga anija në anije, përmes ndërmjetësve, transaksioneve të fshehura financiare dhe ribrendimin e naftës duke ia fshehur origjinën iraniane e duke e bërë që të duket se vjen nga një shtet tjetër.

Këto metoda i kanë lejuar Iranit që të vazhdojë dërgesat e naftës dhe të krijojë të ardhura pavarësisht sanksioneve.

Sipas sloganit “Të bashkuar kundër Iranit bërthamor”, një grup jofitimprurës që bën fushatë kundër kërcënimeve që thotë se paraqet Teherani, 587 milionë fuçi nafte u eksportuan nga Irani më 2024 dhe 91 për qind e këtyre eksporteve shkuan në Kinë.

Kina për një kohë të gjatë është blerësja më e madhe e naftës iraniane, por që nga viti 2022 zyrtarisht ka ndaluar së bleri naftë për të shmangur sanksionet amerikane, sipas të dhënave nga kompania hulumtuese, Kpler.

Pavarësisht se zyrtarisht ka thënë se nuk blen më naftë, miliarda dollarë të naftës së sanksionuar iraniane mund të gjenden duke shkuar për në Kinë, për shkak të rrjetit të flotës në hije që përdoret nga Irani.

Cila është lëvizja e radhës e Trumpit?

Zyrtarët amerikanë synojnë të ndalojnë Iranin që të eksportojë naftë, duke i bërë presion Kinës dhe shteteve të tjera që të mos marrin pjesë në këtë gjë dhe duke vendosur sanksione ndaj anijeve që besohet se ndihmojnë në transportin e naftës.

Rundi i fundit i sanksioneve ka shënjestruar anije dhe kompani të transportit detar që besohet se kanë transportuar naftën iraniane dhe Keatinge, ekspert për eksportet, tha se reflekton planin e zhvilluar viteve të fundit, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë shënjestruar anijet që transportojnë naftën ruse.

Ai tha se këto masa mund të zgjerohen përtej shënjestrimit vetëm të anijeve që bartin naftë dhe të sanksionojnë edhe aspekte të tjera të infrastrukturës të flotës në hije, sikurse kompanitë që i sigurojnë anijet, agjencitë që rekrutojnë ekuipazhin, portet që i pranojnë anijet dhe duke kryer një fushatë më të gjerë diplomatike për t’iu bërë presion shteteve që i regjistrojnë këto anije.

Itayim nga Argus Media beson se lëvizje të tilla me gjasë do të frikësonin “blerësit kinezë”, por do të kishin ndikim të kufizuar në uljen e dërgesave të naftës iraniane. Ulja e mëtejme e eksporteve të naftës iraniane, tha ai, do të kërkonte më shumë presion ndaj porteve kineze dhe ndaj blerësve dhe ndërmjetësve, përfshirë edhe bankave në Kinë.

Kjo mund të ketë efekte zinxhir në marrëdhëniet e Uashingtonit me Pekinin dhe të rrisë tensionet, të cilat u tensionuan rishtazi me një rund të ri tarifash reciproke më 4 shkurt.

Keatinge tha se kufizimi i naftës iraniane mund të jetë pjesë e një bisedë më të gjerë mes Trumpit dhe presidentit kinez, Xi Jinping, dhe se sanksionet e fundit ofrojnë një mënyrë për të shtuar presionin mbi Teheranin pa nxitur tensione të tjera me Pekinin.

“Kina është problemi i madh që duhet zgjidhur nëse do të godisni naftën iraniane”, tha ai, “por a do Trump një luftë sanksionesh me Xi-në?”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Raportohet se qindra ushtarë rusë po trajtohen në spitalet e Koresë së Veriut

Pamje e shkrepur prej një videoje të publikuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në llogarinë e tij në Telegram, në muajin janar.

 

Radio Evropa e Lirë

Qindra ushtarë rusë janë duke u trajtuar në spitale të Koresë së Veriut, ka thënë një diplomat rus, duke shpërfaqur një tjetër nivel të bashkëpunimit që ka Moska me Phenianin për luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për gazetën shtetërore ruse, Rossisskaya, ambasadori rus në Korenë e Veriut, Aleksandr Matsegora, ka ofruar pak hollësi se sa rusë janë të hospitalizuar në Korenë e Veriut, dhe as nuk ka ofruar të dhëna për të vdekurit.

“Shembull i qartë i qasjes vëllazërore [në mes të Moskës dhe Phenianit] është edhe rehabilitimi i qindra ushtarëve të plagosur [në luftën në Ukrainë] në spitalet koreane”, është cituar të ketë thënë ai.

Moska ka kërkuar ndihmën e Koresë së Veriut për luftën në Ukrainë, pothuajse gjashtë muaj pas nisjes së saj, në shkurt të vitit 2022.

Inteligjenca perëndimore ka thënë se Rusia është duke blerë miliona predha prej Koresë së Veriut – dhe këto raportime mbështeten nga imazhet satelitore që tregojnë nisjen e rindërtimit të kantiereve hekurudhore, urave hekurudhore dhe objekteve tjera mobile në kufirin e tyre të përbashkët në brigjet e Paqësorit.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, ushtarët e Koresë së Veriut janë parë në fushëbetejë në kufirin rus, kryesisht në rajonin Kursk, të cilin e ka pushtuar Ukraina në gusht të vitit të kaluar.

Në nëntor, presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri koreanoverior, Kim Jong Un, kanë nënshkruar traktat për bashkëpunim strategjik, duke thelluar lidhjet e tyre ekonomike dhe politike.

Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë thënë se mes 10.000 deri në 12.000 ushtarë koreanoveriorë janë të angazhuar në rajonin Kursk, ndërsa trupat ukrainase kanë kapur të burgosur, por që shifra e saktë nuk dihet.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas kanë raportuar muajin e kaluar se trupat koreanoveriore janë zhdukur prej fushëbetejës në Kursk, për shkak të numrit të madh të viktimave. Aktualisht është e paqartë nëse është tërhequr i gjithë kontingjenti, apo do të rikthehet me furnizime të reja.

Përgjatë intervistës, Matsegora ka thënë se Rusia është duke ofruar thëngjill, ushqime dhe pajisje shëndetësore për Korenë e Veriut, dhe që disa fëmijë të ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, janë dërguar në Korenë e Veriut për pushime.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se prej nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia është përballur me mbi 700.000 viktima.

Armëpushimi në rrezik- Hamasi refuzon të lirojë pengjet e tjera, Izraeli vendos ushtrinë në gatishmëri të lartë

Lirimi i pengjeve izraelite nga lëvizja islamike palestineze Hamas, i planifikuar për të shtunën, më 15 shkurt, “do të shtyhet deri në një njoftim të dytë”. Vendimi u bë publik nga Abu Obeida, zëdhënës i Brigadave Qassam, krahu ushtarak i lëvizjes islamike palestineze Hamas.

Sipas Abu Obeida, Izraeli e ka shkelur marrëveshjen disa herë me sulme dhe të shtëna në të gjitha zonat e Rripit të Gazës, vonesa në kthimin e njerëzve të zhvendosur në veri, vonesa në dërgimin e ndihmave dhe më shumë. “Hamasi mbetet i përkushtuar ndaj kushteve të marrëveshjes së arritur dhe të iniciuar më 19 janar”, përfundoi ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i Izraelit.

“Vendimi i lëvizjes islamike palestineze Hamas për të shtyrë lirimin e pengjeve izraelitë deri në një njoftim të mëtejshëm përbën një “shkelje të plotë të armëpushimit”, u shpreh ministri i Mbrojtjes Israel Katz.

Ai tha se ai kishte “udhëzuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) të përgatiteshin në nivelin më të lartë të gatishmërisë për çdo skenar të mundshëm në Gaza dhe të mbrojnë komunitetet (kufitare). “Ne nuk do të kthehemi në realitetin e 7 tetorit”, shtoi ai.bw

Presidenti Trump thotë se ka folur me Putinin për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump tha se ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin në telefon për të diskutuar një fund të luftës në Ukrainë, raportoi New York Post të shtunën vonë.

Në një intervistë në bordin e Air Force One të premten, Trump tha se ‘më mirë të mos tregonte’, kur u pyet se sa herë kanë folur të dy udhëheqësit.

‘Ai (Putini) dëshiron të shohë që njerëzit të ndalojnë së vdekuri’, tha Trump për New York Post.

As Kremlini dhe as Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters.

Në fund të janarit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini është gati të mbajë një telefonatë me Trump dhe Moska po pret një fjalë nga Uashingtoni se edhe ajo është gati.

Të premten, Trump tha se ndoshta do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky javën e ardhshme për të diskutuar fundin e luftës.

Lufta, e cila filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, do të shënojë përvjetorin e saj të tretë më 24 shkurt. Mijëra njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve ukrainas, janë vrarë gjatë konfliktit.

Trump i tha New York Post se ai ‘ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin’, dhe se ai ka një plan konkret për t’i dhënë fund luftës. Por ai nuk ka bërë të ditur detaje të tjera.

‘Shpresoj të jetë i shpejtë. Çdo ditë njerëzit po vdesin. Kjo luftë është kaq e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar’, tha Trump. sn

Izrael, plane për largimin e palestinezëve nga Gaza

VOA

Ministri izraelit i Mbrojtjes urdhëroi ushtrinë e Izraelit të hartojë një plan për largimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës, pas propozimit të Presidentit amerikan Donald Trump për mënyrën se si do të administrohej territori i shkatërruar.

“Kam udhëzuar ushtrinë që të përgatisë një plan për të mundësuar largimin vullnetar të banorëve të Gazës”, tha të enjten ministri i Mbrojtjes Israel Katz, duke shtuar se ata mund të shkojnë “në çdo vend që dëshiron t’i pranojë ata”.

Ministri Katz tha se plani “do të përfshijë opsione për daljet dhe kalimet tokësore, si dhe një marrëveshje të veçantë për largime nga deti dhe ajri”.

Zoti Katz mirëpriti “planin e guximshëm” të Presidentit Trump për zhvendosjen e banorëve nga Gaza, e shkatërruar nga sulmet tokësore dhe ajrore izraelite që kishin në shënjestër militantët e Hamasit.

Presidenti Trump të enjten tha se Izraeli duhet t’ia dorëzojë Rripin e Gazës Shteteve të Bashkuara pas përfundimit të luftës me Hamasin dhe se për këtë nuk do të kishte nevojë për ushtarë amerikanë.

Presidenti Trump, i cili ka bërë thirrje për vendosjen e Gazës nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, publikoi planin e tij në rrjetin Truth Social. Sipas planit të tij, tha ai, më shumë se 2 milionë palestinezë “do të vendoseshin në komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja dhe moderne, në rajon”.

Zoti Trump nuk tha nëse kjo përfshinte edhe rajonin e Gazës apo nëse vendet e rajoni kanë rënë dakord t’i pranojnë ato.

“Ata në fakt do të kishin një shans për të qenë të lumtur, të sigurt dhe të lirë”, tha ai.

Ndërkohë, Hamasi të enjten u bëri thirrje të gjitha fraksioneve palestineze të bashkohen kundër propozimit të Presidentit Trump për marrjen e Gazës.

Zoti Trump në fillim të kësaj jave tha se mund të paramendonte dërgimin e trupave amerikane në Gaza për të lehtësuar kontrollin amerikan, por tha në një postim tjetër më vonë se me dorëzimin e territorit nga Izraeli, “Nuk do të nevojiteshin ushtarë nga Shtetet e Bashkuara! Stabiliteti për rajonin do të mbretëronte!!!”

Plani i papritur i zotit Trump për marrjen e Gazës, i shpallur në fillim të kësaj jave në një konferencë të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, është kritikuar gjerësisht nga aleatët dhe kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, shumë prej të cilëve përsëriten përkushtimin për krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit.

Zgjidhja me dy shtete ka qenë një qëndrim i gjatë i Shteteve të Bashkuara, por ajo kundërshtohet nga kryeministri izraelit Netanyahu.

Gaza është shkatërruar nga lufta mbi një vjeçare mes Izraelit dhe Hamasit.

Por në komentet e tij të reja, Presidenti Trump tha: “Shtetet e Bashkuara, duke punuar me ekipe të mëdha zhvillimi nga e gjithë bota, do të fillonin ngadalë dhe me kujdes ndërtimin e asaj që do të bëhej një nga projektet zhvillimore më të mëdha dhe më spektakolare të këtij lloji në Tokë”.

Të martën, Presdenti Trump tha se një Gazë e zhvilluar do të bëhej “Riviera e Lindjes së Mesme”.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio i ofroi mbështetje planit të Presidentit Trump të enjten, duke thënë se Rripi i Gazës “nuk është i banueshëm” për shkak të armëve të pashpërthyera dhe rreziqeve të tjera. Ai shtoi se njerëzit do të duhet të jetojnë diku tjetër ndërsa rajoni të rindërtohet.

Sekretari Guterres: Mos e përkeqësoni problemin

Propozimi i Presidentit Trump ka hasur në kritika të gjera, duke përfshirë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

“Në kërkimin e zgjidhjeve, ne nuk duhet ta përkeqësojmë problemin” duke i larguar palestinezët nga Rripi i Gazës, tha zoti Guterres. “Është me rëndësi jetike t’i qëndrojmë besnik themelit të së drejtës ndërkombëtare. Është thelbësore të shmanget çdo formë spastrimi etnik”.

Transferimi me forcë i popullsisë është rreptësisht i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe mund të përbëjë spastrim etnik.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të mërkurën se propozimet e Presidentit Trump “shkaktojnë shqetësim të thellë tek disa njerëz, madje edhe tmerr” dhe do të ishin “të papranueshme sipas ligjit ndërkombëtar”.

Liga Arabe prej 22 anëtarësh tha se plani i Presidentit Trump “përfaqëson një recetë për destabilitet” dhe nuk do të avanconte perspektivat e shtetësisë palestineze.

“Ata duhet të lejohen në shtëpitë e tyre” tha të mërkurën kryeministri britanik Keir Starmer.

“Ata duhet të lejohen të rindërtojnë vendin e tyre dhe ne duhet të jemi me ta në këtë proces, në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete.”

Pas sugjerimit të Presidentit Trump për kontrollin mbi Gazën, Australia, Kina, Gjermania, Irlanda, Rusia, Arabia Saudite dhe Spanja thanë se ata vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje me dy shtete.

Grupi militant Hamas që Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar si organizatë terroriste tha se propozimi i Presidentit Trump për Gazën ishte një “recetë për krijimin e kaosit dhe tensionit në rajon. Në vend që të mbajë Izraelin përgjegjës për krimin e gjenocidit dhe zhvendosjes, ai shpërblehet, jo ndëshkohet”.

Luftimet në Gazë janë ndalur, përveç sulmeve të herëpashershme, ndërsa vazhdon armëpushimi gjashtë-javor midis Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi besohet se ende mban rreth 60 robër të gjallë.

Gjatë fazës së parë të armëpushimit, militantët liruan 18 pengje, ndërsa Izraeli ka liruar qindra të burgosur palestinezë.

Më shumë njerëz do të lirohen në javët e ardhshme dhe negociatorët po punojnë për detajet e një faze të dytë të planifikuar të armëpushimit që do t’i jepte fund konfliktit, do të lironte pengjet e mbetura dhe do të shihte tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.

Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve ‘Associated Press’, ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’.

Gjykata Ndërkombëtare Penale kritikon sanksionet amerikane dhe zotohet të vazhdojë punën

VOA Marrë nga Associated Press

HAGË, Holandë – Gjykata Ndërkombëtare Penale u bëri thirrje të premten vendeve anëtare të kundërshtojnë sanksionet e vendosura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, duke e cilësuar masën si një përpjekje për të “dëmtuar punën e saj të pavarur dhe të paanshme gjyqësore”.

Gjykata ka marrë mbështetje në Evropë nga aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara.

“Sanksionimi i GJNP-së kërcënon pavarësinë e gjykatës dhe dëmton sistemin ndërkombëtar të drejtësisë penale në tërësi”, tha Presidenti i Këshillit Evropian António Costa, i cili kryeson takimet e nivelit të lartë të 27 udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Kjo ishte kritika më e ashpër e drejtpërdrejtë nga një zyrtar i lartë i BE-së ndaj një vendimi të Presidentit Trump, që nga rikthimi i tij në detyrë muajin e kaluar.

Shtëpia e Bardhë lëshoi urdhrin ekzekutiv për GJNP-në të enjten, në përgjigje të atyre që i quajti “veprime të paligjshme dhe të pabaza kundër Amerikës dhe aleatit tonë të ngushtë, Izraelit”.

Urdhri i Presidentit Trump ishte një përgjigje ndaj urdhrit të arrestit që Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi vitin e kaluar për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me krimet e dyshuara të luftës në Gazë. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë vende anëtare të gjykatës dhe nuk e njohin autoritetin e saj.

Dhjetëra mijëra palestinezë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë kundërpërgjigjes së ushtrisë izraelite ndaj sulmit të Hamasit në Izraelin jugor në tetor 2023, nga i cili u vranë rreth 1200 persona. Shifra e viktimave palestineze jepet nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila nuk bën dallim ndërmjet luftëtarëve dhe civilëve.

“Askush nuk qëndron mbi ligjin ndërkombëtar”

Gjykata Ndërkombëtare Penale me seli në Hagë tha se “dënon” masën e administratës së Presidentit Trump.

“Gjykata qëndron me forcë me punonjësit e saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në mbarë botën”, tha gjykata në një deklaratë.

“U bëjmë thirrje 125 vendeve anëtare, shoqërisë civile dhe të gjitha vendeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në deklaratë.

Gjermania tha se do të presë se cili do të jetë ndikimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, duke sinjalizuar kështu qëndrimin e saj.

“Përkrahja e ligjit ndërkombëtar dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale është në interesin tonë maksimal të sigurisë”, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Gjykata “është një nga arritjet më të mëdha të së drejtës ndërkombëtare penale dhe mbështetet nga mbi 120 shtete”, shtoi ajo.

“Nëse GJNP-ja nuk do të mundej ta vazhdonte më punën e saj, ky do të ishte një nga gëzimet më të mëdha për Putinin”, tha zonja Baerbock. “Në tre vitet e fundit, Putinit iu desh të shohë se krimet e tij kundër njerëzimit, si rrëmbimi i fëmijëve ukrainas, nuk mbeten pa pasoja”.

Ajo vuri në dukje se Presidenti rus Vladimir Putin nuk mundi të udhëtonte për në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të grupit BRICS të ekonomive në zhvillim dhe tha se “askush nuk qëndron mbi ligjin ndërkombëtar”.

“Puna e gjykatës është thelbësore”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se GJNP-ja “duhet të jetë në gjendje të vazhdojë lirisht luftën kundër pandëshkueshmërisë globale. Evropa do të qëndrojë gjithmonë për drejtësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”.

Holanda, vendi ku ka selinë gjykata, e ka kritikuar gjithashtu urdhrin e Presidentit Trump. “Holanda shpreh keqardhje për urdhrin ekzekutiv që vendos sanksione ndaj GJNP-së. Puna e gjykatës është thelbësore në luftën kundër mosndëshkimit”, tha në një deklaratë ministri i Punëve të Jashtme, Caspar Veldkamp.

Zyrtarë të qeverisë holandeze thonë se Holanda është përpjekur ta ndihmojë gjykatën për t’u mbrojtur nga pasojat.

Në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump thuhet se Shtetet e Bashkuara do të impononin “pasoja të prekshme dhe domethënëse” ndaj atyre që janë përgjegjës për “shkeljet” e GJNP-së. Veprimet mund të përfshijnë bllokimin e pronave dhe pasurive, si dhe moslejimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të GJNP-së, punonjësve dhe të afërmve të tyre.

Departamenti amerikan i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit do të përcaktojnë se cilët persona dhe organizata do të sanksionohen.

GJNP-ja tërhoqi zemëratën e Shteteve të Bashkuara në nëntor, kur një trupë gjyqësore lëshoi urdhra arresti për Kryeministrin Netanyahu, ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe drejtuesin ushtarak të Hamasit, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën në Gazë.

Urdhër-arrestet thonin se kishte arsye për të besuar se Kryeministri Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, përdorën “urinë si një metodë lufte” duke kufizuar ndihmën humanitare dhe kishin vënë qëllimisht në objektiv civilët në fushatën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë – akuza që zyrtarët izraelitë i mohojnë.

Në rrezik buxheti për personelin dhe hetimet

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

“Sanksionet janë për shkelësit e të drejtave të njeriut, jo për ata që punojnë për t’i vënë para përgjegjësisë shkelësit e të drejtave”, tha në një deklaratë Liz Evenson, drejtore e drejtësisë ndërkombëtare në organizatën Human Rights Watch.

“Urdhri ekzekutiv i Trump-it huazon një faqe nga skenari i Rusisë, që ka kërkuar të pengojë punën e gjykatës nëpërmjet urdhër-arresteve për gjyqtarët dhe prokurorët e saj”, shtoi ajo.

Zyrtarët e gjykatës ishin përgatitur për sanksione prej muajsh. Në janar, gjykata i dha personelit tre muaj paga paradhënie, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press dy persona të brendshëm të gjykatës, që folën në kushte anonimiteti.

Nëse Shtetet e Bashkuara i vendosin sanksione vetë gjykatës, kjo mund të dëmtojë operacionet, duke e lënë institucionin në pamundësi që të paguajë stafin, të financojë hetimet ose të ketë qasje në informacionin e ruajtur në serverat në Shtetet e Bashkuara.

Në një përpjekje për të shmangur sanksionet, të paktën dy zyrtarë të lartë të personelit të gjykatës kanë dhënë dorëheqjen që kur u zgjodh Presidenti Trump.

“Veprimet e GJNP-së nuk kanë bazë ligjore”

Në një botë perëndimore gjithnjë e më të polarizuar, Hungaria qëndroi krah për krah me Presidentin Trump.

“GJNP-ja është shndërruar kohët e fundit në një mjet politik të njëanshëm dhe ka diskredituar të gjithë sistemin gjyqësor ndërkombëtar”, tha ministri i Jashtëm, Péter Szijjártó. “Vendimet e saj kanë kontribuar vetëm në përkeqësimin e pasigurisë në pjesë tashmë të vështira të botës”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, tha se “veprimet e GJNP-së janë imorale dhe nuk kanë bazë ligjore”.

Është hera e dytë që Presidenti Trump i kundërvihet gjykatës. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm në detyrë, ai vendosi sanksione ndaj ish-prokurores Fatou Bensouda dhe një prej zëvendësve të saj për hetimin e saj për akuzat për krime në Afganistan. Ish-Presidenti amerikan Joe Biden i hoqi sanksionet kur mori detyrën në vitin 2021.

Presidenti Trump vë sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale

VOA Marrë nga Reuters

Presidenti Donald Trump autorizoi të enjten sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj punonjësve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale që hetojnë shtetasit amerikanë apo të vendeve aleate si Izraeli, duke përsëritur veprimet që ndërmori gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi përkon me vizitën në Uashington të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) së bashku me ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe një udhëheqës të grupit militant palestinez Hamas, në lidhje me luftën në Rripin e Gazës. Ende nuk dihen emrat e individëve të sanksionuar.

Në vitin 2020, gjatë administratës së parë të Presidentit Trump, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj prokurores së atëhershme Fatou Bensouda dhe një prej ndihmësve të saj kryesorë lidhur me hetimet ndaj trupave amerikane nën dyshimet për krime lufte në Afganistan.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, ICC, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie në Shtetet e Bashkuara të individëve të përcaktuar në listën e sanksioneve dhe ndalimin e tyre dhe familjeve të tyre që të futen në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata e përhershme me 125 anëtarë mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit kundër territorit të vendeve anëtare ose nga shtetasit e tyre. Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Izraeli nuk janë anëtare të kësaj gjykate.

Presidenti Trump e nënshkroi urdhrin ekzekutiv pasi senatorët demokratë bllokuan javën e kaluar një përpjekje republikane për të miratuar një legjislacion që përcaktonte sanksione ndaj gjykatës.

Gjykata ka marrë masa për të mbrojtur punonjësit e saj nga sanksionet e mundshme amerikane, duke ua paguar rrogat tre muaj paradhënie, ndërsa pritet të përballet me kufizime financiare që mund të dëmtojnë funksionimin gjykatës për krimet e luftës, thanë muajin e kaluar burimet për agjencinë e lajmeve Reuters.

Vitin e kaluar në dhjetor, presidentja e gjykatës, gjyqtarja Tomoko Akane, paralajmëroi se sanksionet do të “dëmtonin me shpejtësi operacionet për të gjitha situatat dhe çështjet, si dhe do të rrezikonin vetë ekzistencën e saj”.

Rusia gjithashtu ka vënë në shënjestër gjykatën. Në vitin 2023, GJNP-ja lëshoi një urdhër arresti për presidentin Vladimir Putin, duke e akuzuar për krim lufte lidhur me dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Rusia i ka ndaluar hyrjen kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan dhe e ka vendosur atë dhe dy gjyqtarë të tjerë në listën e personave të kërkuar.

Izraeli udhëzon ushtrinë të përgatisë plane për largimin e palestinezëve nga Gaza

Palestinezët e zhvendosur nga lufta duke u kthyer në shtëpitë e tyre në veri të Gazës më 27 janar 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Ministri izraelit i Mbrojtjes ka thënë se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës, në linjë me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta.

Israel Katz tha më 6 shkurt se plani “do të përfshijë opsione për t’u larguar përmes pikakalimeve tokësore si dhe një marrëveshje të posaçme për largim nga deti dhe ajri”.

Ai tha se mirëpret planin “e guximshëm të Trumpit, që mund të lejojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të largohet në pjesë të ndryshme të botës”.

Katz nuk tha se nëse palestinezët do të mund të ktheheshin një ditë në Gazë, që është bërë gjerësisht e pabanuar pas fushatës ushtarake 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më herët gjatë javës, Trump propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër derisa SHBA-ja të rindërtonte territorin.

Zyrtarët amerikanë më pas thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më.

Detajet e planit të Trumpit, që u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Propozimi i presidentit amerikan ka shkaktuar shqetësim se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Armëpushimi me disa faza, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar, ndaloi përkohësisht më shumë se një vit luftime në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë u vranë më shumë se 47.000 palestinezë.

Lufta detyroi popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të zhvendoseshin nga shtëpitë e tyre, shpesh më shumë se një herë, dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në enklavë.

Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Kombet e Bashkuara i publikuar në janar, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.

Britania kundërshton çdo përpjekje për zhvendosje të palestinezëve nga Rripi i Gazës

Britania do të kundërshtojë çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës në vendet fqinje arabe kundër vullnetit të tyre, tha ministri i qeverisë Starmer.

 

“Nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve, apo çfarëdolloj reduktim në territorin e Rripit të Gazës”, tha Sekretarja e Zhvillimit Ndërkombëtar Anneliese Dodds në Dhomën e Komunave.

Presidenti amerikan Donald Trump propozoi në fillim të kësaj jave zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës, teksa shtoi se SHBA-të kanë në planë të marrin kontrollin e Gazës për ta zhvilluar atë.

Ai tha se parashikon ndërtimin e një resorti ku komunitetet të ndryshme të mund të jetojnë në mënyrë harmonike.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se propozimi i Trump ishte “i jashtëzakonshëm” dhe bëri thirrje që ai të shqyrtohej. bw

Thirrja e SHBA-së për zgjedhje në Ukrainë: Hap drejt paqes apo dhuratë për Putinin?

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork, në shtator 2024.

 

Todd Prince

Premtimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt luftës së Rusisë kundër Ukrainës mori një kthesë të papritur kur i dërguari i tij tha se administrata do të donte që Kievi të mbante zgjedhje, potencialisht këtë vit dhe veçanërisht nëse arrihet një armëpushim.

Deklaratat e Keith Kellogg e nxorën në pah një çështje të ndjeshme dhe të pazgjidhur në politikën ukrainase, ndërsa përpjekjet e SHBA-së për të nisur bisedimet e paqes po shtohen dhe Kremlini po kërkon të diskreditojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke pretenduar se ai është jolegjitim.

Në një intervistë për Reuters më 1 shkurt, Kellogg tha se zgjedhjet në Ukrainë “duhet të mbahen” dhe mund të zhvillohen pas një marrëveshjeje armëpushimi, diçka që ai ka thënë se mund të arrihet brenda disa muajsh.

“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje edhe gjatë kohës së luftës. Mendoj se është e rëndësishme që ato të mbahen”, tha Kellogg për Reuters. “Mendoj se është e dobishme për demokracinë. Kjo është bukuria e një demokracie të fortë: ke më shumë se një person që mund të kandidojnë”.

Por, Zelensky ka deklaruar se zgjedhjet do të mbahen vetëm pasi të përfundojë faza aktive e luftës dhe të shfuqizohet gjendja e luftës. Në një intervistë me gazetarin britanik, Piers Morgan, ai theksoi se mbajtja e zgjedhjeve tani do të ishte e pamundur për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe sfidave logjistike, përfshirë mënyrën se si do të votonin ushtarët, qytetarët e zhvendosur dhe njerëzit në territoret e pushtuara.

Mikhail Alexeev, një politolog në Universitetin Shtetëror të San Diegos që fokusohet te Rusia dhe Ukraina, tha se administrata e Trumpit ka gjasa ta ketë ngritur çështjen e zgjedhjeve me shpresën se mund ta lehtësojë procesin e negociatave. Por, ai tha se kjo mund të jetë në favor të Rusisë, duke e quajtur atë një “manovër të rrezikshme dhe një lojë politike nga Kremlini”.

Putini ka thënë në mënyrë të përsëritur se Moska është e hapur për bisedime, por shumë ekspertë dyshojnë se ai do të vepronte me sinqeritet. Ata thonë se Putini do t’i përdorte negociatat për të krijuar imazhin e një aktori bashkëpunues, ndërsa do të fitonte kohë për të përmirësuar më tej pozicionin e Rusisë në terren në Ukrainë, ku ka bërë përparime – megjithëse me një kosto të madhe në jetë njerëzore – që shumë muaj.

“Nëse Putini arrin të vonojë administratën e SHBA-së edhe për disa muaj, atëherë ai mund të ushtrojë më shumë presion në fushën e betejës”, tha Alexeev.

*Video nga arkivi: Autoblindat që SHBA-ja i ka dhuruar Ukrainës kanë luajtur rol kyç në ngadalësimin e përparimit të forcave ruse në territoret ukrainase

Putini ka thënë vazhdimisht se Zelensky nuk do ta ketë autoritetin për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, duke pretenduar se ai është jolegjitim sepse mandati i tij pesëvjeçar ishte planifikuar të përfundonte në maj të vitit 2024, pas zgjedhjeve presidenciale të marsit.

Por, Kushtetuta e Ukrainës e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në kohën kur shteti është në gjendje lufte, që u shpall nga Zelensky kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe – ashtu si pushtimi – vazhdon edhe sot pas disa zgjatjeve të njëpasnjëshme.

Megjithatë, ukrainasit kanë debatuar për rëndësinë e mbajtjes së një zgjedhjeje presidenciale që nga viti 2023, kur ky debat u ndikua nga presioni perëndimor dhe propaganda ruse.

Senatori amerikan republikan, Lindsey Graham, një aleat i Trumpit, udhëtoi për në Kiev në maj të atij viti dhe i bëri thirrje Zelenskyt të vazhdonte me zgjedhjet sipas planit.

Ndërsa, kundërshtimi i republikanëve ndaj ndihmave së mëtejshme për Ukrainën u rrit në Kongres përpara një bllokimi disa mujor që dëmtoi pozicionin e Kievit në fushën e betejës, pasi që forcat ukrainase mbështeten kryesisht te armët amerikane.

Në atë kohë, shumë ukrainas, përfshirë liderët e opozitës dhe grupet e shoqërisë civile, dolën kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës, duke paralajmëruar se kjo do të përçante shoqërinë në një moment kritik të historisë së Ukrainës. Ata gjithashtu thanë se kjo do të rrezikonte jetën e njerëzve, duke pasur parasysh bombardimet e vazhdueshme të Rusisë ndaj zonave civile.

Ka shumë çështje të tjera me të cilat do të përballet Ukraina nëse përpiqet të mbajë zgjedhje gjatë luftës, apo edhe menjëherë pas një armëpushimi. Më shumë se 6 milionë njerëz janë larguar jashtë vendit, gati 4 milionë janë zhvendosur brenda vendit dhe rreth 1 milion janë në shërbim ushtarak, gjë që e vështirëson votimin. Së bashku, ata përfaqësojnë rreth një të katërtën e popullsisë.

“Zgjedhjet dhe një luftë në shkallë të gjerë janë të papërshtatshme. Kjo ide është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe do të çojë në humbjen e legjitimitetit të procesit dhe institucioneve të zgjedhura dhe, me shumë gjasa, në një destabilizim të rëndësishëm të shtetit në tërësi. Nëse një garë e lirë politike është e pamundur në kushte lufte, atëherë zgjedhjet nuk mund të jenë të lira”, thuhej në një deklaratë të nënshkruar nga 100 grupe të shoqërisë civile në shtator të vitit 2023.

“Të thuash se Zelensky nuk është një autoritet legjitim është plotësisht e pakuptimtë dhe absurde”, tha Alexeev.

Në një intervistë në televizionin kombëtar më 2 janar, Zelensky tha se zgjedhjet ishin të mundshme më 2025, por vetëm pas një armëpushimi.

Dhe pas komenteve të Kelloggut, një ndihmës i Zelenskyt i tha Reuters se “nëse plani i tij është thjesht një armëpushim dhe zgjedhje, ai është një plan i dështuar – Putini nuk do të frikësohet vetëm nga këto dy gjëra”.

Zelensky dhe Qeveria e tij thonë se garancitë e fuqishme të sigurisë për Ukrainën do të jenë një kusht thelbësor për çdo armëpushim apo marrëveshje paqeje.

Gjatë një vizite në Paris javën e kaluar, ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i cili humbi përballë Zelenskyt në zgjedhjet e 2019 dhe është një kundërshtar i mundshëm në një garë të ardhshme, hodhi poshtë idenë e mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës, duke thënë se i vetmi “fitues” i një vote të tillë do të ishte Putini.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Zhvendosja e palestinezëve në shtete të tjera- Ministri i Jashtëm turk: Çështje e papranueshme

Kryediplomati turk kritikoi të mërkurën propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin Rripin e Gazës dhe të zhvendosin palestinezët në vende të tjera.

Kjo është një çështje e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, për agjencinë zyrtare të lajmeve Anadolu.

Ai tha se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza ishte diçka që “as ne dhe as rajoni nuk mund ta pranojmë”.

Është e gabuar edhe ta sjellësh atë për diskutim”, shtoi ai.sn

“Nuk do të lejojmë të shkelen të drejtat e popullit tonë”, presidenti palestinez Abbas kundërshton kategorikisht deklaratat e Trumpit për kontrollin e Gazës

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas hodhi poshtë “kategorikisht” deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të Rripit të Gazës nga SHBA, si dhe deklaratat e tij të përsëritura për transferimin e detyruar të palestinezëve jashtë atdheut të tyre.

“Presidenti Mahmoud Abbas dhe udhëheqja palestineze kundërshtojnë kategorikisht deklaratat për blerjen e Rripit të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve nga atdheu i tyre”, thuhet në një deklaratë zyrtare nga presidenti palestinez.

“Përgjigja ndaj deklaratave amerikane për zhvendosjen” e palestinezëve nga Gaza, vëren Abbas, është se “ne nuk do të lejojmë të shkelen të drejtat e popullit tonë”. bw


Send this to a friend