PUNETORI I DRITES
Ja,kulla e tij
Lart në kodër,
Hëna e bardhë, nderur mbi gardh
Si një bluzë fëmije;
Ai
Vinte nga hidrocentrali…
Shtynte trinën dhe,
Kthente kryet e këqyrte
Yllësinë e llambave
Mbi kantieret që ushtonin e s’reshtnin
N’asonancë me Drinin e Dritës…
Ulej më pas në vatër dhe,
Prekej lumturisht
Tek vështronte vogëlushët e tij,
Që mësonin,të ndriçuar
Nga drita elektrike lart !
Sa me dëshirë dhe lehtësisht
I mbathi ai për herë të parë
Çizmet e gjata një mëngjes;
Xhupin dhe kominoshet
Sa mbarësisht i veshi
Siç ngjeshi dhe në kokë
Kaskën mbrojtëse…
Si kështu,
Çfarë e nxiti dhe,
Harmonizoi
Kah jeta e re ?
Ah,ishte ëndrra farfuritëse
E Dritës…
Petkat folklorike q’i mbante
Përherë e kudo,
Ndoshta tashmë,
Në skenën e Kalasë së Gjirokastrës
Sërish do t’i vishte …
Punëtori i Dritës, ai
Bashkë më malësorët,
Vargan njeri pas tjetrit,
Sup më sup mbajti shtyllat elektrike,
Shpat më shpat të pjerrët
I ngulën thellë e drejt,
Një pyll të tërë pasi prenë…
Shtyllat sot,
Në sfond t’horizontit të hapur
Rreshtuar në grafikën që ngjitet,
Janë obeliskë të Dritës…
1968
THETH
Trëndafila t’egër
E këngë folklorike
Dhe,vorbulla të kaltra ere
Honesh dhe shkrepash.
Këndojnë malësorët,
Dhe nga radiot
Këngët e tyre përhapen…
Verë është ende,
Por mbi kreshtat e bardha,
Hëna del e zmadhohet
Si ortek vezullues,
Që me rropamë
Rrëpirash do të zbrazet.
Kështu është mes malesh:
Grigjat e berrave
Mbi kullotat e pjerrëta ,
Këputen e shëmben lugjesh
Mu si dëbora kur nis e lodon
E fryn përrenjtë që s’mbahen…
Mes malesh,kështu është:
Vetëtimat si dhi legjendash
Hidhen shkrepash.
Kështu ëështë mes lartësisë së maleve,
Hiperbolave që mbajnë qiejt.
Ndër luginat që, herë terren,
Herë ndriçohen
E sytë t’I lëbyrin
Gjallojnë ende kreshnikët
Me gjogët fluturues …
Mes maleve, kështu është:
Burrat dhe vashat e burbuqta,
Që të përshëndesin n’udhë
Gjithë jetën,thuajse vertikalisht,
Ngjiten e zbresin;
Ngarkuar kur ngjiten,
Kur zbresin,
Ngarkuar.
Vetë Sizifi
Këtej do të jetë sfilitur…
Në këtë dekor,
Ku dielli,hëna dhe yjet e kozmosit,
Ndërrohen,ndizen e shuhen
Si dritat e një skene,
Kurrsesi s’mund të mos jesh
Rapsod e valltar.
Ah,por ritmi i valleve të maleve,
Është vetë pjerrësia e tyre….
1967
NUSET E MALEVE
Mbuluar me duvak të kuq tragjik
Shtangnin mbi kalë nuset si shtatore;
Ditët e fundit , ritualisht
Me gjellë pa yndyrë ushqyer…
Shtjellë flake duvaku
Tiparet nuseve ua shkrumbonte
Si t’ishin tekst që s’duhej lexuar;
E madje, duhej djegur…
Udhëve që spërdridheshin
Si përgjimi,
Teposhtë shkrepash e thepijash
Shtegtonin nuset mes krushqve,
Që pushkët mbanin ngrehur
Dasmë
A mort,
S’i ndaje dot…
1976
PER HERE TE PARE
Për hërë të parë u përkul
Mbi çifteli
Kur gjaksi i tmerrshëm
I vrau babanë.
Dielli iu derdh i kuq mbi sy,
Sikur gjaksi të kish plagosur
Dhe diellin vetë
Me pushkën e tij…
Atëherë ishte ende fëmijë,
Megjithatë, rreptësisht
Dhe prerë i thanë:
Gjersa të hakmerresh,
Turp të kesh
T’i shohësh malet…
Arat djerrë ndër pjerrina
Nxorën gjemba;
Më pas
U thanë e thellë u therën
Nga thatësira
Si t’ishin mozaikë urie e mjerimi.
Ah, gjakmarrja, inercia e luftërave;
Askush më
S’lëronte e s’mbillte
Përballë njeri – tjetrit…
Por ai u rrit
Dhe, ndërpreu gjakmarrjen !
Para malësorëve
Liqeni po shfaqej
Përplot pasqyrime qiellore,
Dhe diga e hidrocentralit
Si mal mes malesh.
Kantieri gjigant
Dit’ e natë
Ushtonte nga shpërthimet
Dhe kamionët – dinozaurë,
Që rrafshonin relievin
Dhe, zhvendosnin peizazhet…
S’ndodhnin trandje tektonike,
Trandje sociale po ndodhnin.
Të gjithë shkonin në shkollë,
Në punë, siç shkonin
Dhe, në stërvitje ushtarake;
Libri, pushka
Dhe projektet e s’ardhmes
Ishin deviza piktorike e kohës.
Shqiptarët mijëra e mijëra ,
Më në fund,
Shkonin n’uzinë dhe në fabrikë
Siç shkonte dhe ai
Në kantierin e dritës…
1968
TANKU TAXI
Ende del tym nga muret e bashkisë
Dhe drita mbi qytet si rreckë hapet.
Gazetar i mbetur vetëm në holl të një hoteli,
Kafen pi, mendoj si do të kthehem te fëmijët…
Askund nuk ka më pushtetarë,
Policë më nuk ka , por rrogat i marrin…
Përballë meje , n’oborr të një shtëpie
Një tank të tmerrshëm shoh , që ka rrafshuar barin.
Rrafshuar barin dhe shtrirë një pemë
Por s’pyet kush, duhen veç para .
Mbi kullë të tij taxi kanë shkruar,
Mes kllapash poshtë jepet me qira.
Rrapëllin tanku taxi, gjëmon e shfryn,
Ja vijnë klientët , krushq me nusen tok
E bardhë nusja, e bukur , flagrante;
Pemën më kujton , lulet nëpër tokë.
Si një përbindësh që kthetrat ngul e shkul
Tanku, vendin dridh e trand përreth
Në kullë, si në ferr nusen zbresin ;
Q’andej sërish nuse, kurrsesi nuk del!
Rrapëllin tanku taxi , rrugët merr,
S’dihet ku shkon , s’dihet ku do t’ndalë.
Gazetar fillikat në holl të hotelit
Kafen pi , mendoj si do të kthehem te fëmijët…
1998
KENGA E GJERGJ ELEZ ALISE
Kështu të ndodhi në fund
Te jetës tënde materiale,
Zotni Bernardin,
Meshtar e mësues dhe,
Studiues folklori …
Në burgun e Diktaturës,
Telat e ndryshkur me gjemba
Në trup t’i spërdridhnin,
Tek të dhunonin e të poshtëronin.
Ti, ndërmendje mundimin
E Krishtit në kryq dhe,
Dëlireshe prej dhimbjeve,
Ashtu si edhe kur vetëgjakoseshe
Me grethoren e ritit
Castigo corpus meum…
Homazh për ty,zotni Bernardin,
Që të masakroi bajlozi i Diktaturës !
Homazh për ty,
Që solle i pari të shkruar
Këngën e Gjergj Elez Alisë
Në duelin e tij legjendar
Me bajlozin sundues !
Udhëtove drejt asaj Kënge,
Bernardin
Dhe u ngjite
Dy mijë metra lart,pranë qiellit
Dhe,pranë Zotit,
Atje,në Nikaj të Tropojës.
Dhe gjete Gjergjin
Trimin mbi trimat dhe,
Motrën e tij mbi krye
Si dielli dhe hëna…
Çaste ngazëllimi përjetove
Bernardin,sigurisht
Me të nisur udhën ndër pjerrina
Nga vareshin e vareshin ujërat
Tek binin e bumbonin ;
Ujëvarat pra siç quhen kaherë…
Më pas ke ndaluar e je freskuar
Me ujin e centë që hidhet
Gurë më gurë e gurgullon
Ndër gurrat e kristalta ,
Siç quhen kaherë,
Bernardin.
Kështu, në Nikaj
Mes shkrepash tempullorë,
Mrekullisht e vërtetë
Tingëllonte kënga e Gjergj Elez Alisë.
Nënëtë plagë kishte
Ai trim në trup
Varra varra, Bernardin,
Siç i quan Kënga plagët;
Nëntë varra,
Ç’fjalë që të zymton me dramë,
Me tragjedi ,madje,
E mendjen ta nis
Kah varri i mirëfilltë …
Ç’ngazëllim t’u përndez
Martir Bernardini,
Tek dëgjoje shqipen
N’ato maja ,
Shqipen e lashtësisë,
Shqipen e ditës dhe,
Të së nesërmes…
Faleminderit,atdhetari Bernardin
Për Këngën që e solle
Edhe për ne, që banojmë
Poshtë…
1992
RRUGA E KOMBIT
Këtë rrugë,kurrsesi
S’e përshkoj dot duke qenë
Në timon të makinës;
Duhet të jem udhëtar
Që të këqyr
Malet.
Malet e Shqipërisë ,që tashmë
Më shumë se asnnjëherë më parë
Gjithkush po i sheh,
N’udhëtimin konfort
Përgjatë kësaj rruge moderne
Gjer në Kosovë,
Në veriun e epërm të kombit .
Malet malet
E historisë shqiptare.
Malet më shfaqen përballë
A thua se,rruga sakaq
Mbyllet e ndërpritet.
Por,ah ç’emocion !
Tek lëshohemi përpara,
Malet hapen e hapen
Si shfletosje me ritmin tonë .
Anëve i ke në çast
Si t’ishin dekore
Që rrotativi i skenës së një drame
Lehtësisht i zhvendos.
Por malet janë solidë
Me lartësi monumentale adhuruese;
Të tjerat janë iluzion
Përftuar nga lëvizjet dhe distancat…
Malet malet
Herë të rubintë nga perëndimi
Të praruar herë – herë,
Të zmeralttë,
Diamantinë herë të tjera,
Nëse kishit merak se harroj
Gjësendi …
Malet malet
Viktor Emanueli lll,
Mbret i Italisë,
Mbret i Shqipërisë,
Perandor i Etiopisë,e me plot
Tituj të tjerë të pambarueshëm,
Fort i indinjuar Duçes i shfryu,
Pasi vizitoi Shqipërinë,ku e pritën
Me brohoritje e lule,
E në finale
Me plumba të nxehtë:
Ç’deshe Musolini q’u mundove
Për një thes me gurë…?
Eh,mbret,
Nëse lufta s’do të kish hyrë në mes,
Si të gjithë monarkët edhe ti,
Do të vdisje nga mërzia.
Por ja që ti s’e lexove dot
Zhak Preverin …
Sunduesit, mbret,
I bëjnë një për një llogaritë,
Kur pushtojnë një vend.
Lideri fashist,mirëfilli
E dinte ç’përmbante
Ai thesi proverbial:
Smeraldë rubinë e zafirë
Prandaj…
U dashurua me Shqipërinë.
Ende kam nevojë
T’i shoh malet.
Si për herë të parë.
Si për herë të parë,
Ciklin e Kreshnikëve
Do t’ulem ta lexoj…
2012
Komentet