VOAL

VOAL

Vitet ’20, kur “Spitali (i Kryqit të Kuq) Amerikan” i Tiranës ishte 100% me staf amerikan!

February 4, 2018

Komentet

Tjetër DOKUMENT shokues- Arben Kraja pushoi padinë ndaj xhelatit të komunizmit sapo mori detyrën në SPAK

“Pasi na zhveshën lakuriq në mes të acarit e dëborës gjoja për kontroll, tek ne erdhi një oficer i veshur me uniformë të policisë me qillota, çizme lëkure e me rrip kraheqafë. Ishte Komandanti i kampit, Edmond Caja nga Kuçi i Vlorës, por me banim në Tiranë. Pas shpinës së tij, rrinte gati për terror, shefi i policisë së kampit Ludovik Cali, një malësor prej Balldrenit të Lezhës. Filloi rrahja e pamëshirëshme ndaj nesh. Më shumë rrahën Fredin, sepse komandanti Edmond Caja i thoshte se na fëlliqe Kuçin e Vlorës”.

Kjo është një nga dëshmitë e Visar Zhitit për një prej xhelatëve më të frikshëm të komunizmit, Edmond Caja.

Pas shtypjes së revoltës së Qafë Barit, Caja kishte nisur një reprezalje ndaj të burgosurve.

“Në mes të kampit, i lidhur, qëndronte Anastas Dhami nga Pogradeci. Edmond Caja së bashku me Ludovik Calin, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën. Ludovik Cali dhe krimineli Edmond Caja filluan të qëllojnë me çizmet e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysmë të vdekur, të shtrirë në sheshin e kampit,” kujton një prej të burgosurve.

Shqiptarët mund t’i kenë parë e dëgjuar këto dëshmi. Para disa muajsh, emisioni ‘Piranjat’ në SYRI TV solli një të tillë.

Por ajo që ndoshta nuk e dinë shqiptarët është se Edmond Caja ishte paditur në SPAK nga Agron Tufa, në atë kohë drejtues i Institutit për Studimini e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Por sot Tufa tregon se ish-hetuesi i komunizmit, SPAK-isti Arben Kraja, pushoi padinë ndaj Cajës si një prej veprimeve të para kur mori drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

“Veprimin e parë si kreu i SPAK-ut Arben Kraja e bëri ngutazi që në dhjetor 2019 më pushimin e kallëzimit penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një ish drejtor burgjesh të komunizmit, kriminel e vrasës, madje shkresa e tij nuk ka as vulë!” denoncon Tufa.

Ai sjell edhe të tjera fakte e prova që tregojnë se Arben Kraja torturonte të rinjtë në Shkodër dhe ngrinte padi ndaj tyre, edhe pse komunizmi thuajse kishte dhënë shpirt.

Image

sn

DOKUMENTI tronditës- Arben Kraja torturoi të riun shkodran Andrea Daija kur ishte hetues i komunizmit

Studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Agron Tufa, ka bërë një tjetër denoncim me fakte për prokurorin e SPAK, Arben Kraja.

Tufa, që ka drejtues Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, thotë se Arben Kraja ka torturuar një të ri shkodran kur ishte hetues i komunizmit.

Tufa ka denoncuar që në vitin 2019 se kreu i SPAK në atë kohë, Arben Kraha, është hetues i komunizmit.

Ai madje pati denoncuar me fakte konkrete se si Kraja i shërbente regjimit komunist.

Këtë herë, ai sjell pjesë nga dosja e 22-vjeçarit Andrea Daija, i cili u torturua nga Kraja dhe u detyrua të firmosë se kishte pasur në plan të arratisej.

“Në këto dokumente shihet se Partia i ka ngarkuar Arben Krajës hetues (i pari krye i SPAK), gjuetinë e shtrigave mbi rininë shkodrane. Dhe kur se! Pasi mijëra shqiptarë kishin thyer barrierat e ambasadave dhe ishin larguar drejt Europës ‘kapitaliste’. Pra, në fund të korrikut 1990! Dhe me çfarë egërsie!

Viktima tjetër e hetuesit komunist mizor Arben Kraja, është 22-vjeçari shkodran Andrea Daija, të cilin e ka torturuar dhe detyruar të firmosë se ka pasur në planin imagjinativ tentativën për arratisje. Ky Beni hynte me forcë në kokat e të rinjve për t’u kontrolluar dhe ëndërrimet dhe imagjinatat…,” shkruan Tufa.

 

“Kur erdhi nga Parisi, kolegët e tallnin: ‘Tutkun’, ‘T’i shtrydhën trutë putanat’! Më ftoi 3 herë në shtëpi, por…”- Kujtimet e panjohura të Lasgushit për Enverin! Letra që dërgoi Nexhmja pas vdekjes së tij

A është takuar poeti Lasgush Poradeci, me Enver Hoxhën? Sa të vërtetë ka në kujtimet që gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, propagandoi pas vdekjes së tij, mbi marrëdhëniet e dhembshurisë e dashurisë të Enverit, për shkrimtarë e artistë. Ismail Kadare, në një intervistë disa vite më parë, shprehej: “Dikush si Lasgush Poradeci, do të dridhej në varr, po të lexonte, se ç’shkruhet për të. Poeti më i madh i gjallë i krejt epokës, jetoi 40 vjet si i vdekur, kaq shumë ishte i mënjanuar, i ndaluar, i shtypur me këmbë. Kurse zonja Hoxha, përpiqet të na mbushë mendjen, se sa shumë e donte Enveri e, sa shpesh interesohej për të”!

 

Në librin me kujtime; “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”, botim i vitit 2000, bashkëkohësi dhe miku i poetit, Tomi Mato, bëhet dëshmitar i mos takimit mes Lasgushit dhe Enverit, në vitin 1983. Në këtë rrëfim, jepet dhe varianti sipas poetit, i takimeve të hershme, kur Enver Hoxha, nuk ishte bërë ende diktator dhe kur në Liceun e Tiranës, e kishte dalluar mes të rinjve, për kompleksin e tij të inferioritetit.

BALLË PËR BALLË

Një ditë e gëzueshme vere në Volorekë (Drilon). Banorët dhe familjet e tyre, drekojnë nën hijen e pemëve. Mes tyre Lasgushi me të bijën, hequr pak mënjanë. Me vete një shishe vere, holluar me ujë burimi. Nuk e dinte kush, se nga çasti në çast, aty do t’ia behte Udhëheqësi me të shoqen, nga pas eskorta. Ishte vera e vitit 1983. Kjo ditë i kujtohet mirë Tomi Matos, dhe e rrëfen në librin “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”.

Ndërsa turma zuri të këndojë “Enver Hoxha e mprehu shpatën”! dhe të bërtasë “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”. Njerëzit dyndeshin, kush e kush t’i shtrëngonte atë dorë, ndërsa truprojat shtynin, t’i hapnin udhë “kalorësit”.

Të dy me bastun në dorë, të vjetër boll. Me të dëgjuar lajmin dhe brohoritë e turmës, Lasgushi u veçua nga turma, por nuk është larguar. Nuk është menduar gjatë, të rrijë apo të ikë, pasi askujt nuk kishte për t’i hedhur fije dyshimi, kishte apo nuk kishte dëshirë ai, të takonte Enverin. Në euforinë e turmës ndokush, mund të mendonte se ky reagim ishte normal, për natyrën e tij flagrante, të ftohtë e kapriçoze. Por askush, as kishte parë, as kishte dëgjuar.

Vera e vitit 1983, ishte i vetmi shans publik, ku ata të dy janë ndodhur spontanisht, në të njëjtin vend, njëri mes turmës, tjetri jashtë saj. Poeti i ka hedhur sytë dhe e ka lënë në hall të vet, megjithëse vështirë ta dallojë, në atë dalldi. “Enveri dhe Lasgushi, pushuan për 20 vjet bashkë në Pogradec dhe një kafe, nuk e pinë bashkë”, shkruan Tomi Mato, në rrëfimin e tij, “A është takuar Lasgushi me diktatorin”.

Pikërisht pas kësaj dite, ai e kishte pyetur poetin, nëse ishin takuar ndonjëherë pas çlirimit. Në vend të komenteve, Lasgush Poradeci i kishte rrëfyer, fabulën e thjeshtë të njohjes me këtë “qerrata”, 43 vjet më parë, në Liceun e Tiranës.

Viti 1937, NJË AUTOGRAF ENVERIT

“U njohëm në gjimnazin e Tiranës, në vitin 1937. Unë isha 12 vjet më i madh, isha më i shkolluari, kurse Verua, erdhi nga Parisi, ashtu “tabula rasa”. Kolegët e tallnin: “Tutkun”, i thoshin. “Të kanë vajtur këmbët, e jo koka në Paris. T’i shtrydhën trutë putanat…”! Mua më vinte keq. E shoqëroja, më kupton, më vinte keq, ndaj e shoqëroja, se të tjerët i ishin larguar. Një ditë, se ku i kishte gjetur dy librat e mi; “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”.

Më tha disa vjersha përmendësh prej tyre dhe m’u lut, t’i shkruaja diçka me dorën time në libër dhe ai ta kishte si kujtim, nga njeriu që iu gjind, kur të tjerët iu larguan. Ia shkrojta. Ai më përqafoi dhe më ftoi për darkë në shtëpi. Tri herë më ftoi, por nuk i vajta”!

Ky ishte rrëfimi që Lasgushi, i kishte bërë autorit Tomi Mato, më 1983 dhe dy vjet më pas, Enver Hoxha vdes. Por është bashkëshortja, (Nexhmija), besnike pas vdekjes, ajo që rishikon e kujdeset për kultin e të shoqit, aty ku vetëm nëpërmjet hipnozës ai mund të rrezikohej seriozisht. Dhe ishin mendjet intelektuale, ato që ishin kërcënuar e kishin pasur presionin më të lartë prej tij, ato nga çasti në çast, mund të shpërthenin.

Kur Pallati i Kulturës së Pogradecit, do të merrte emrin “Lasgush Poradeci”, pas vdekjes më 1987, në muzeun e qytetit, vjen një letër nga Nexhmije Hoxha, me titull: “Nga kujtimet e shokut Enver, për Lasgush Poradecin”.

Aty shkruhej: “U interesova për Lasgushin, pranë shokëve të Partisë dhe më thanë se është mirë me shëndet…! E kam njohur para lufte, kur isha profesor në gjimnazin e Tiranës…! Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të jetonte i vetmuar. Dikur dilte dhe bashkohej me ne”!

Por për habinë e atyre që e njihnin situatën, letra mbante datën 28 gusht 1981 dhe po bëhej e njohur, kur njeri kishte vdekur vërtet, ndërsa vepra e poetit, bashkë me të dhe ai vet, sapo kishte nisur të jetonte.

TAKIME TË NDALUARA

Lasgush Poradeci, ishte njohës i mirë i gjuhës gjermane, përveç faktit që kishte përkthyer prej saj vepra, nga Gëte, Shiler, Hajne. Si e kurdisur deri në këtë pike, censura ndaj tij, edhe takimet me artistë gjermanë që vizitonin Pogradecin, i ishin ndaluar në momentin e fundit. Në rrëfimin e Tomi Matos; “Përse nuk e takoi Peter Oberi, Lasgush Poradecin”?, një mik i poetit në vitet e studimit në Gracë, Austri, thuhet se; si nuk “munden” të takohen.

Lasgushi kishte këmbëngulur dhe e kishte pritur mikun në “kullën” e tij. Por Sekretari i Parë dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, kishin nxjerrë arsye shëndetësore të Lasgushit, që si kokrra e mollës priste mikun e tij, nga çasti në çast.

Peter Ober “u bind se Lasgushi nuk mund të priste, por as nuk bën dot vizita”, ndërsa me keqardhje kishte thënë: “I uroj shëndet mikut tim të zemrës. Jemi pleq. Desha ta takoj e të bashkëpunoja me të, pasi kam respekt për penën e tij. Është i madh. Keq më vjen që nuk u takuam në këtë botë. Mbase do ta takoj në botën tjetër”!

Në vitin 1978, në Pogradec kishte ardhur një trupë artistësh gjermanë. Gjatë shfaqjes së tyre, u kishte bërë përshtypje në radhë të parë, plaku me kone të bardhë, që thërriste “Bravo, bravo”! Nga kurioziteti, kishin mësuar se ai ishte poeti më i madh, i gjallë shqiptar. Të nesërmen kur kishin rënë dakord të piqeshin të dyja palët, takimi i tyre ishte anulluar.

Nga dufi Lasgushi ishte shprehur: “Këta qeveritarët më shikojnë si budalla, si armik dhe jo si një poradecar akademik. Çudi! Pse e kanë krijuar këtë opinion?! Më hipën nga njëherë që të vete në zyrë dhe t’u lëshohem ashtu vençe. Po unë s’e turpëroj, por e nderoj Poradecin”!

LIDHJA SHKRIMTARËVE NDËRRON MENDJE, NË 80 VJETOR!

Ishte stina që e gjente në shtëpinë e Tiranës. Atë ditë mbushte 80 vjeç. Miq shkrimtarë, e kishin vizituar gjatë gjithë ditës, ndërsa të nesërmen, do të zhvillohej ceremonia në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ajo ditë, përshkruhet nga Tomi Mato, i pranishëm me një grup pogradecarësh, në shtëpinë e poetit.

“Troket dera. Nafija e hapi dhe hyn Luigj Mazi (administrator i Lidhjes). Pasi u përshëndet me Lasgushin dhe me ne, ai filloi të flasë me një ndrojtje dhe trishtim, që nuk të sillte optimizëm: ‘Më ka dërguar Lidhja, t’ju njoftoj zoti Llazar, se nesër për arsye sekrete, anullohet ceremonia e festimit të 80-vjetorit të datëlindjes suaj! Kaq tha dhe iku”!

Por Lasgushi, që nuk e ndërronte me asgjë këtë moment miqsh, që e kishte pagëzuar “Barku i Shën Mërisë”, as me festën e Lidhjes, kishte bërë “Gëzuar”, me raki e këngë.

Kur poeti mbylli sytë, më 13 nëntor 1987 dhe trupi i tij kishte udhëtuar nga Tirana në Pogradec, “nga lart”, ishte dhënë urdhër, se nuk duhej të kishte ceremoni “të tepërta” nga pogradecarët, nga ata që Lasgushi i kishte quajtur në gëzim e sipër “Barku i Shën Mërisë”. Të gjitha adetet, ishin bërë në Tiranë. Memorie.al

“S’do qeverisin spiunët”- Si e mbrojti Ismail Qemali libanezen në kohën kur shërbeu në Perandorinë Osmane!

EVARIST BEQIRI/ “Një njeri duhet të bëjë atë që duhet – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe ky është thelbi i dinjitetit njerëzor.” – John F. Kennedy

Lidershipi kërkon atë që Aristoteli e quante “përsosmëria e karakterit” (êthikai aretai) apo virtytet morale. Nëse do të vlerësojmë lidershipin e dikujt, kolona kryesore përbërëse e lidershipit individual është fuqia e karakterit të tij.

Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Në këtë kombinim karakteri merr më tepër rëndësi. Karakteri është thelbi i lidershipit. Zgjuarsia dhe strategjia ka rëndësinë e saj, por pa karakterin e fortë ato nuk të shërbejnë shumë.

Ismail Qemali besonte se udhëheqësi duhet të jetë i drejtë dhe i duruar, në këtë mënyrë mund të qeverisë lehtësisht edhe në rajone të vështira si ato lindoret. Marrëdhënia e shëndetshme e besimit që ai arrinte të krijonte me popullsinë e vendit ku qeveriste, do t’i vinte në ndihmë edhe në momente të vështira të karrierës. Lideri duhet t’i luftojë gjithmonë padrejtësitë. Martin Luther King Jr. thoshte se: “Padrejtësia ndokund është një kërcënim për drejtësinë gjithkund.”

Sjellja dhe qëndrimi që ne mbajmë janë shpirti i lidershipit. Ato dalin në pah, sidomos në situata krizash, kur marrja e vendimeve të caktuara vështirësohet. Lideri karakterizohet nga mbajtja e një qëndrimi, që e dallon atë prej kujtdo tjetër, përfshirë këtu edhe ndjekësit e tij. Sepse qëndrimi është ajo gjëja e vogël që bën dallimin e madh në të tilla raste.

Ismail Qemali shërbeu në Perandorinë Osmane në disa poste të larta. Për dyzet vjet me radhë, ai vuri në shërbim të Perandorisë zgjuarsinë e tij të madhe dhe karakterin e tij të drejtë. Përgjatë shërbimit publik, ai shfaqi integritet të rrallë. Më tepër se ç’preferonte titujt apo postet, ai ka parapëlqyer të thotë haptas mendimin e tij, duke vuajtur edhe pasojat…

Më 14 dhjetor 1891, Ismail Qemali u emërua në postin e guvernatorit të vilajetit të Bejrutit në Liban. Përgjatë kësaj periudhe ai do të shërbente edhe si Guvernator i Përgjithshëm ad interim i vilajetit të Sirisë në Damask. Ndërkohë, më 12 korrik 1892, atij i erdhi një telegram nga sulltani, ku i kërkohej të kthehej menjëherë në Stamboll, sepse do të ngarkohej me një mision të rëndësishëm. Pas qëndrimit 8 mujor si guvernator i Bejrutit, ai u largua në fund të gushtit 1892. Populli i Bejrutit ndjeu keqardhje për largimin e Ismail Qemalit, por, nga ana tjetër, ata u gëzuan, sepse kujtuan se ai po thirrej për të marrë postin e Vezirit të Madh. Ata i dhuruan si kujtim një album, të veshur me ar dhe me gur smeraldi në mes. Albumi ishte i mbushur me fotografi nga vendi dhe monumentet e tij.

Kësaj periudhe i përket edhe rrëfimi i personalitetit të shquar libanez, diplomatit, shkrimtar dhe gazetarit Emin Arslan. Ai i përkiste një familje të shquar druzësh, të cilit mbajnë titullin e Emirit. Një dinastie politike e rëndësishme edhe sot në Liban. Njëkohësisht Emin Arslan shërbeu si konsull i Perandorisë Osmane në disa shtete. Ai ka rrëfyer me detaje në një shkrim me titullin “Pikëllimet e dashurisë së humbur” të 12 korrikut 1913, në gazetën argjentinase “Caras y Caretas”, historinë e një dashurisë tragjike, të përkthyer në shqip nga Aurenc Bebja. Pjesë e kësaj historie dramatike është edhe Ismail Qemali, i cili asokohe shërbente si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit.

Emin Arslan shkruan duke marr shkas nga fakti që gazetat po flisnin shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e veçanërisht për Ismail Qemal Beun, promotorin e pavarësisë së tyre dhe kreun e qeverisë së përkohshme: “E kam njohur shumë mirë këtë burrë shteti të shquar, ai më nderon me miqësinë e tij dhe e vlerësoj shumë. Kur u kthye në vendin e tij për të shpallur pavarësinë e tij, më dërgoi një letër në Buenos Aires duke rekomanduar katër emigrantë të varfër shqiptarë. Sa herë, pra, që gazetat na japin lajme nga Shqipëria, nuk mund të mos kujtoj një histori të pikëllimeve të dashurisë së humbur që kam parë dhe që më dha mundësinë të mësoj për karakterin fisnik të atij burri shteti.”

Historia flet për një vajzë shumë të bukur me emrin Leila, me të cilën familja e Emin Arslan kishin një miqësi të veçantë. Leila do të vuante disa fatkeqësi përgjatë jetës së saj. Arslan admiron bukurinë klasike dhe inteligjencën e rrallë të saj. Ai e krahason bukurinë e Leilës me kryeveprën e “Venus de Milo”, e cila gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris.

Pas shumë peripecive dhe një jete të mbushur me dhimbje, Leila mbetet e ve në një moment shumë të vështirë të jetës. Kunati i saj, i preferuari i sulltanit dhe spiuni i tij, vjen dhe do që t’i heqë trashëgiminë Leilës. Askush nuk guxonte të mbronte çështjen e saj. Vetë gjykata kishte frikë mos shkaktonte zemërimin e kunatit dhe njëkohësisht të preferuarit të sulltanit. Sulltan Abdyl Hamidi nuk bënte shaka. Një fjalë dhe të dërgojnë në fund të Bosforit ose në fund të Saharasë, në Tripoli.

Emin Arslan shkon në qytet për t’i shprehur ngushëllimet zonjës Leila dhe për të informuar të emën e tij lidhur me gjendjen e saj.

Me cinizëm kunati i saj i kishte thënë Leilës: “Zonjë, ti je shumë e bukur për të pasur nevojë për pajë për burrin tënd të ri.” Të gjithë ishin të frikësuar nga kunati i fuqishëm dhe i frikshëm. Leila kërkonte të paktën, lëmoshën e paqes. Ajo kishte kaluar dhjetë vite të jetës së saj duke i shërbyer si infermiere bashkëshortit të sëmurë në shtrat.

Njëzetë e katër vjeçari i atëhershëm Emin Arslan, u prek thellësisht dhe tentoi që ta ndihmonte Leilën fatkeqe… Ai po ndihej shumë keq, duke e parë veten të pafuqishëm për ta ndihmuar shoqen e fëmijërisë, të cilën e donte si motër.

Sapo del nga shtëpia e Leilës, krejt papritur Emin Arslan ndeshet me karrocën e Guvernatorit të Përgjithshëm (Valiut) Ismail Qemal Beu, i cili njihej si një guvernator energjik dhe thuhej se ishte njeriu i besuar i Mid’hat Pashës, babait të Kushtetutës, dhe thuhej se edhe sulltani kishte frikë prej tij.

“Oh! Çfarë ideje, – mendon me vete ai. Nëse do të shkoja ta takoja dhe t’i shpjegoja situatën e Leilës? Ndoshta mund të jetë e dobishme. Në çdo rast, çfarë dëmi do të kishte? Çfarë mund të pësoja nga kunati?”

Ismail Qemali valiu (Guvernatori i Përgjithshëm i Bejrutit) ishte duke u kthyer në shtëpi. Në shtëpi kishte shumë njerëz që e prisnin. I trembur dhe pak i turpshëm Arslan ju kërkon ndihmësve të Ismail Qemalit që t’i mundësojnë një takim me guvernatorin.

Më pas, ndihmësi i guvernatorit e çon në një sallon dhe e fton të takojë Shkëlqesinë e Tij. Ismail Qemali ishte ulur në fund të një salloni të madh, i mbushur plot me shtresën e lartë të qytetit. Sapo hyri brenda, Ismail Qemali u ngrit dhe e ftoi të ulet. Pasi i bëri paraprakisht disa pyetje Ismail Qemali i kërkoi Arslanit që ta sqaronte lidhur me arsyet e takimit. Arslani i kërkon që të bisedonin privatisht, gjë të cilën Ismaili e pranon. Ai e futi në kabinetin e tij të punës, u ul dhe i bëri shenjë të ulej dhe i thotë:

“- Le të shohim. Shpresoj që të mos jetë asgjë serioze.”

Me pak fjalë, Arslan i tregon në mënyrë të përmbledhur historinë e Leilës dhe se si, pasi kishte qenë viktimë e të shoqit për dhjetë vjet, ajo ishte e ve dhe tashmë viktimë e kunatit të saj, një favorit i fuqishëm dhe me ndikim te sulltani.

Ismail Qemali e dëgjoi me vëmendje, pa e ndërprerë as edhe një herë. Emin Arslan merr guximin dhe i thotë:

“- Ajo grua e gjorë ka vetëm një shpresë, Shkëlqesi. Nëse Shkëlqesia Juaj e braktis, gjithçka do të marrë fund për të dhe për ne; sepse do të tregohet se të preferuarit dhe spiunët janë ata që na qeverisin.

– Ke të drejtë, – i thotë Ismail Qemali.

– A je i sigurt për atë që më thua?

– Shkëlqesi, unë vij nga shtëpia e të vesë së varfër dhe nga buzët e saj mësova gjithçka që kam pasur nderin t’i them Shkëlqesisë Tuaj.”

Me dorën e rëndë, Ismail Qemali tundi një zile mbi tavolinën e tij dhe u shfaq një shërbëtor.

“- Thirr kapitenin”, – i tha Ismaili. Një moment më vonë, kapiteni shfaqet, përshëndet ushtarakisht dhe pret.

“- Lërini të shkojnë menjëherë për të kërkuar X., dhe ta sjellin pa vonesë, urdhëroi guvernatori.”

Pastaj, duke u kthyer nga Arslan, i tha:

“- Shpresoj se do të guxosh të më thuash para tij atë që të ka thënë kunata? – Sigurisht, Shkëlqesia Juaj, Zotëri.”

Ai shikoi mbi zyrën e tij dhe mori një kopje të “Revue des deux Mondes” nga Parisi.

“- Ja, – i tha Ismaili, – “argëtohu duke e lexuar atë, derisa të vijë kundërshtari yt.”

Ismail Qemali u largua dhe e la vetëm në zyrën e tij. Papritmas vjen i preferuari i sulltanit (kunati). Ai dukej i shqetësuar. Ismail Qemali e priti menjëherë dhe, duke qenë se dera ishte lënë hapur, Emin Arslan e dëgjoi të gjithë bisedën. Ismail Qemali përsëriti historinë e tij pothuajse fjalë për fjalë dhe e mbylli fjalimin e tij me këto fjalë:

“- Epo, unë ju kam thirrur për t’ju thënë këtë: nëse keni gjetur zyrtarë frikacakë ose të vetëkënaqur, nëse mendoni se do të gjeni gjyqtarë mjaft të poshtër që do t’ju lejojnë të plaçkitni një të ve të varfër si kjo, megjithatë ka dikë që e keni harruar dhe se ai nuk ka frikë prej jush, i cili është në gjendje të mbrojë të dobëtit dhe të braktisurit; dhe se ai dikushi jam unë. Ju më njihni mjaft mirë dhe e dini që unë bëj atë që them dhe se nuk ka fuqi në tokë që mund të më trembë. E kuptoni? Dhe tani shkoni dhe mbi të gjitha kujtoni se sa të jem gjallë do të jem gati t’ju ndjek deri sa të vihet drejtësia.”

I preferuari sulltanit (kunati), si të gjithë frikacakët që i dorëzohen forcës, tha duke belbëzuar se dallimi mes tij dhe kunatës ishte ekzagjeruar dhe për t’i vërtetuar Shkëlqesisë guverantorit se ishte keqinformuar, u largua menjëherë për të korrigjuar këtë dallim.

Në fakt, ai doli i zbehtë dhe duke u dridhur; dhe menjëherë dërgoi një mik për t’i bërë të ditur Leilës se nuk kishte asnjë kundërshtim dhe gjithçka u zgjidh pa asnjë vështirësi. Por, menjëherë pas kësaj, një thashetheme qarkulloi në qytet se Ismail Qemali ishte tërhequr në Kostandinopojë dhe të gjithë u tronditën. Sepse, për herë të parë që nga koha e Mid’hatit, në vend ishte parë një zyrtar liberal.

Por, i preferuari i sulltanit (kunati) ishte betuar për hakmarrje dhe mori hak; sepse, sapo mbërriti në Kostandinopojë, ai i dërgoi sulltanit aq shumë raporte sekrete për rrezikun e pranisë së Ismail Qemalit në Bejrut, ku ai propagandonte idetë e Turqisë së Re, saqë sulltani përfundoi duke e lëvizur Guvernatorin e Përgjithshëm.

Disa kohë më pas, rreth viteve 1907-1908, Ismail Qemali dhe Emin Arslan do të gjendeshin në Paris. Arslan e fton që të vizitojnë Muzeun e Luvrit dhe e çon në sallën ku ndodhet statuja e “Venus de Milo”. Më pas Arslan e pyet:

“- E mbani mend, Shkëlqesi, vizitën e parë që ju bëra në Bejrut, pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishit guvernator i provincës?

– A më kujtohet? Mendoj se po, – ia kthen Ismaili. Historia e asaj gruaje të ve, apo jo?

– Po, është ajo, – thotë Arslan. Është shprehja e saj magjepsëse e bukurisë, krenarisë, fisnikërisë dhe madhështisë.

-A e dini, – thotë Ismail beu, – se kjo histori më kushtoi postin? Nuk jam penduar kurrë, sepse ishte detyra ime të bëja drejtësi; Por tani pendohem akoma edhe më pak.”

Karakteristikë për liderët e mëdhenj është fakti që ata e trajtojnë cilindo sipas personalitetit dhe cilësive të karakterit. Ismail Qemali ishte njerëzor dhe i virtytshëm kurdoherë dhe me këdo. Ai ngjallte një ndjenjë respekti dhe besimi të thellë te bashkëpunëtorët e tij. Në kujtimet e tyre askush prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ismail Qemalit nuk citohet të ketë folur negativisht për të pas vdekjes së tij.

Aftësitë e shkëlqyera të dëgjimit të Ismail Qemalit, i dëshmon edhe Emin Arslan në këtë histori. Ato e ndihmuan Ismail Qemalin që t’i kushtonte vëmendje të jashtëzakonshme ndjesive të kujtdo me të cilin komunikonte. Kjo përkujdesje ndaj tjetrit i jepte atij mundësinë të krijonte një raport në një nivel shumë të thellë emocional. Ai i fliste kujtdo me gjuhën e duhur, qofshin këta mbretër, kryetar shtetesh, politikan dinak apo fshatarë të thjeshtë. “Ismail Qemali”, – kujton Sali Hallkokondi, – “ishte në gjendje të fliste me njerëzit sipas moshës dhe formimit të gjithsecilit, edhe sipas cilësive të tyre morale: me të riun, me të moshuarin, me pleqtë, trimin e ngrinte lart, të druajturit i jepte kurajë.”

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte, dhe thoshte gjithmonë atë që bënte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund ta trembte.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, thotë Stefan Cvajg, është aftësia për të lënë mënjanë interesat vetjakë për hir të së mirës së përgjithshme. Ky ishte një tipar karakteristik i lidershipit të Ismail Qemalit, i cili shfaqet gjithmonë me konsekuencë. Dhënia e dorëheqjes me vetëmohim nga posti i kryeministrit, me qëllim për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë në vend, është vetëm një tjetër shembull i karakterit e fisnikërisë së shpirtit të tij bujar.

“Plaku i pavdekshëm,” – kujton Ali Asllani – “kish një zgjuarsi dhe një dijeni të thellë, ta merrte fjalën nga goja…Sytë e tij kishin shtatë drita…” Ai kishte aftësinë për të udhëhequr nëpërmjet forcës së shembullit, sepse “fjalët të mësojnë, ndërsa shembujt të tërheqin”. Por, fatkeqësisht këto tipare sublime të lidershipit të tij, rrallëherë janë kuptuar dhe zbatuar përgjatë historisë sonë kombëtare… (Titulli i autorit: Forca e karakterit dhe lidershipi)

Vizitë tek Motrat Qiriazi Nga Orhan Sakiqi

Mund te kete qene fundi i viteve 1940 kur nena me thote se do shkojme per vizite ne shtepine e mesuesve te saj kur ajo vazhdonte shkollen e Dakos.Ato ishin motrat Qiriazi. Banonin afer nesh ne nje shtepi perdhese prane shkolles -Luigj Gurakuqi.Mbaj mend biseden e nenes me motrat ku kujtuan vitet e shkolles . U permenden emerat Gjergj dhe Aleksander qe me vone kuptova se ishin dhemte e Sevasti Qiriazi , Dako, te burgosur si pro amerikane mbasi kishin mbaruar kolegjin -Robert ne Stamboll e me vone fakultetet ne Itali.Ndenja me moshataren time Vitoren vajzen e Aleksandrit me te cilen e ruajta shoqerine deri vone. Edhe sot kam nje fletore veshur ne kekure. Eshte nje ditar kujtimesh qe shoqet i linin njera tjetres para ndarjes mbas perfundimit te shkolles. Kur e shfletoj edhe sot ate ditar mundohem te kuptoj boten e mbrendeshme te atyre vajzave 18-20 vjecare,afro 100 vjet me pare,deshirat e tyre per ti sherbyer vendit, per te qene ne anen e me te dobetit. Po shenoj disa prej shenimeve-O kohe e bekuar , me te vertete je flori, i jep njeriut lumturi. Amelia Koljaka, Instituti Kyrias qershor 1932. -Sa me pak te mendohet njeriu per veten e tij, aq me i lumtur eshte.Duke vepruar keshtu do ta keshe me te lehte deryren fisnike te mesuesit. Prof. Vasil Kr. Thomo.-

Ky ditar nuk eshte i Ana Frankut, shkruar ne rrethimin nazist. Eshte ditari i vajzave te rritura ne liri. Me atdhedashurine e mare ne shtepite e tyre dhe nga motrat Qiriazi, keto vajza si mesuese dhane ndihmese ne arsimin shqiptar. Disa prej tyre mare nga albumi-Muzafer Gjindi,Ervehe Idrizi,Muhazez Serezi , Adelina Nosi e tj. Znj. Nosi(Kosturi )e vura ne fund per te treguar lidhjet e saj me nenen time sa ishin ne jete derivone. Disa nga keto mesuese u pushuan nga arsimi ne diktature. Per shkollen e Dakos do jap disa te dhena mare nga libri “Rrefim nẽ tre kohe”shkruar nga muzikantja dhe shkrimtarja Ina Kosturi – Instituti Kirjaz ose shkolla e Dakos eshte hapur ne vitin 1922 ne Tirane. Nẽ vitin 1925 motrat zonja Sevasti Dako , Qiriazi dhe znj. Parashqevi blene ne periferi Tiranes ne Kamez 21ha toke midis gjelbrimit, perroit qe gurgullonte poshte, zogjve qe me kengen e tyre te benin sikur me te kecye zemra ne fyt si thote Koliqi. Ndertuan shkollen me konvikt qe perfundoi ne vitin 1927. Ne shkolle mesohej , pervec te tjerave gjuhet e huaja anglidht frengjisht dhe italisht. Nuk do te thellohem ne veprimtarine patriotike te motrave Qiriazi, se tanime cdokush mund ta gjeje ne internet, por pershtypje me ka bere qe Parashqevia eshte quajtur Zhan Darka shqiptare.Asnje komb i madh ose i vogel nuk ka sot ne Paris nje delegate zonje, por Shqiperia ka zonjushen Pararshqvine e cila me diturine e saj dita-dite po fiton simpatine e te huajve ne fitim te Shqiperise. (Gazeta Korespondent).Parshqevia delegate ne Konferencen e Paqes ne Paris 1919.

Nẽ diktaturẽ nuk u permend, madje edhe motrave Qiriazi vone ne vitin 1962 u kujtuan per ti permendur dhe kjo me shume nga kembengulja e Skender Luarasit. Por kjo nuk mbulon kurre vdekjen ne burg te kirurgut Gjegj Dako djalit te Sevastise, vetem 36 vjec, mosdhenien e trupit te tij, prishjen e varrit te Kristo Dakos.Vepritari makabre qe vetem komunistet dinin ti benin. Nē te tilla rrethana mbylli sytē Sevasti Qiriazi , Dako ne vitin 1949. Mund te ketē qenẽ viti kur me nenen ishim nẽ shtepinẽ e tyre.

Kaloj nga shepia ku banonin motrat. Ajo tani si shume te tjera nuk ẽshte me. Po ashtu mungon kalldremj i paster i rrugices dhe deget e trendafilit qe kacavirej ne mur. Kujtoj ato gra mrekullieshme qe te foluren e tyre e kam akoma ne vesh. Kujtoj shoqen time Vitoren qe sot jeton ne Florida. I mbaj lidhjet me te. Nje gje me jep shprese ne kete vorbull shoqerore. Shkolla e Dakos e hapur 96 vjet me pare eshte edhe sot Institut me te njejtin emer. Presim 100 vjetorin e ketij djepi patriotik shqiptar.

Gusht 2018
Marre me shkurtime nga libri im “Kronike e jeteve tẽ humbura”.
Nderkohe Vitore Dako ka nderuar jete ne Florida tre vite me pare.
Foto e shkolles Dakos ne vitet e para.

La Gazetta di Puglia (1927) Biseda ekskluzive me Armando Brasinin, arkitektin e Tiranës së Re të zgjedhur nga Ahmet Zogu

Pamja e përgjithshme e sheshit të Ministrive në projektin madhështor të Armando Brasinit — Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Shtator 2024

 

“La Gazetta di Puglia” ka botuar, të dielën e 22 majit 1927, në faqen n°3, bisedën ekskluzive me Armando Brasinin, arkitektin e Tiranës së Re të zgjedhur asokohe nga Ahmet Zogu, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Qeveria e Ahmet Zogut për rilindjen e Shqipërisë

 

Tirana e re e madhe në konceptimin e mrekullueshëm të Armando Brasinit

 

Biseda me artistin e madh

Pallati presidencial në Tiranë. Pamje perspektive — Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3

Romë, 21 maj.

 

Armando Brasinit – arkitektit princëror, që zotëron më së shumti sensin e romanizmit dhe dhe se Duçe denjoi një përkufizim lapidar, për t’ia treguar Fatit të Italisë perandorake si interpretuesin e përsosur, ndër bashkëkohësit kryesorë të fuqisë rilindëse trashgimtare në artin arkitekturor – Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Zogu, i besoi detyrën për t’i dhënë një gjurmë të shkëlqyer qytetërimi italian kryeqytetit të ri të shtetit të tij.

 

Tirana e ardhshme, ashtu siç duket në vizionin e konceptuar nga Brasini, do të jetë e denjë për shprehjen më të madhe artistike të Italisë së re, të Italisë së Musolinit.

 

Artisti i shquar na priti, me dashamirësi të hapur dhe gazmore, në studion e tij në “Via dei Prefetti”, ku shkëlqejnë dritat e artit me vlera të pallogaritshme. Dhe duke na treguar planin dhe vizatimet madhështore të veprës madhështore romake që do të nisë pas pak ditësh në kryeqytetin shqiptar, ai na tha :

 

— Kam ndjesinë se i kam dhënë projektit tim një prekje italiane, duke marrë frymëzim nga stili thjesht fashist, domethënë kthjelltësia dhe madhështia të kombinuara, pa pretendime arkitekturore.

 

— Do të dëshironit të na shpjegoni, profesor, në detaje projektin tuaj, për të cilin tashmë kemi një vizion të shkëlqyer ?

 

— Shikoni. Ndërtesat kryesore përbëhen nga dy portikë pallatesh, të cilat formojnë hyrjen kryesore të Sheshit të Qeverisë në Tiranë. Këto dy ndërtesa janë më në harmoni me Tiranën e vjetër; dhe, megjithëse janë thjesht italiane, ato harmonizohen me xhamitë e afërta. Kështu integrohet pak orientalizëm.

 

Pjesa e brendshme e sheshit përbëhet nga ndërtesa, ndër të cilat më luksozet janë ato të destinuara për Senatin dhe Parlamentin, ndërtesa të lidhura me një hark triumfal që të çonjnë në rrugën e madhe që të çon në Pallatin Presidencial.

 

— Ndërtesa dominuese, edhe për anën piktoreske, siç duket në vizatim.

 

— Pallati Presidencial, në fakt, vazhdon Brasini – qëndron mbi një kodër dhe përbëhet nga një portik madhështor me kolona dorike 15 metra të larta. Në portikun e përmendur, një lozhë e vogël e përbërë nga harqe të vogla plotëson çatinë dhe kurorën. Pranë portikut dy ndërtesa masive e lidhin atë; këto ndërtesa janë zbukuruar me dy fitore që simbolizojnë horizontet e reja shqiptare të parë nga Ahmet Zogu. Mes dy godinave dhe sheshit ndodhet rruga që lidh Pallatin Presidencial me vetë sheshin; dhe ajo rrugë do të jetë afërsisht një kilometër e gjysmë e gjatë dhe do të jetë e rrethuar nga kopshte dhe kazerma me palestra për arsimin ushtarak. Prandaj do të jetë një kompleks me të vërtetë madhështor ! Sheshi – siç e thashë tashmë – do të ketë formën e një guacke dhe do të rrethohet me harqe të thjeshta, në stilin e një ujësjellësi romak, me hapje më të mëdha në hyrje të rrugëve.

 

— Cilat janë ndërtesat e tjera të shquara nga pikëpamja arkitekturore dhe dekorative ? – e pyetëm ne.

 

— Ndërtesat ministrore — u përgjigj bashkëbiseduesi ynë i shquar. — Ato kanë të njëjtën arkitekturë : një derë monumentale, e cila nga një distancë do të japë vizionin e shumë tempujve të bashkuar, duke i dhënë vetë ndërtesave dinjitet të madh dhe duke paraqitur një formë ventilatori, që do të ketë një gjerësi prej 300 metrash dhe një thellësi afërsisht 170 metra.

 

— Ne nuk mund të mos shprehim admirimin tonë për konceptimin dhe stilin tuaj arkitekturor mbi të cilin bazohet puna e madhe që ju është besuar.

 

Shtojmë se konceptimi dhe stili, duke kujtuar traditat romake, nuk preken nga asnjë plagjiaturë, janë me origjinalitet të padiskutueshëm dhe – siç deklaroi vetë arkitekti Brasini – janë për shkak të frymëzimit që artisti i madh romak tërheq vazhdimisht, me admirim të përkushtuar, nga interpretimi i artit të tij në këtë romanizëm fashist të ripërtërirë.

 

— Me besimin më të zjarrtë, të pandryshueshëm, gjithmonë me urdhrat e Duçes së dashur ! – përfundoi plot entuziazëm arkitekti Brasini.

 

Alessandro Conte

Viata Ardealului (1935) “Ahmet Zogu, mbret dhe hero! Rrëfimi i Basile Doganit, kryekonsullit të Shqipërisë në Rumani

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Shtator 2024

Revista rumune “Viața Ardealului” ka botuar, në gusht të 1935, në faqet n°30-33, rrëfimin ekskluziv të Basile Doganit, kryekonsullit të Shqipërisë në Rumani, mbi mbretin Zog dhe zhvillimin e vendit tonë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ahmet Zogu, mbreti dhe heroi shqiptar

Krahasimi mes Shqipërisë së sotme dhe të shkuarës

Disa sqarime të dhëna nga z. Basil Dogani

Kryekonsulli i Shqipërisë në Rumani

Me rastin e ngjarjeve të fundit në Shqipëri, na u dha rasti të bisedonim me z. Basile Dogani, kryekonsullin e Shqipërisë në Bukuresht, i gatshëm të na tregojë shumë gjëra interesante për këtë vend.

Z. Dogani flet për Shqipërinë si një poezi të dashur të gdhendur thellë në zemrën e një poeti.

Detajet historike nga lashtësia, situata politike, krahasimi i Shqipërisë së sotme me të kaluarën pasqyrohen nga z. Dogani, aq i qartë sa të jep përshtypjen se është profesor specialist në këtë çështje. Duke i parë gjërat kaq qartë dëshmon se z. Dogani është një njeri me kulturë të lartë dhe që do të bënte nder në trupin diplomatik të çdo shteti perëndimor.

Dhe, tani le të flasim me fjalët e z. Basile Dogani, “Kreshtat e thepisura dhe të thyera të Shqipërisë malore, ndriçohen nga agimi i një qytetërimi të ri. Një rilindje që fshin të gjitha kujtimet e dhimbshme dhe të shëmtuara të së shkuarës kaq të trazuar, vë gjithnjë e më shumë kontroll mbi shpirtin e këtij populli të rilindur në jetën kombëtare, pas luftës botërore.

E gjithë kjo ngritje e shkëlqyer e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur është vepër e një njeriu : Mbretit Ahmet Zogu I.

Një personazh plot virtyte të lashta, një ushtar sypatrembur, një baba i urtë i popullit, një trim, një energji e palodhur, një organizator frytdhënës, kështu paraqitet mbreti Ahmet Zogu përballë historisë, bashkëkohësve dhe nënshtetasve të tij. Për të vlerësuar mirënjohjen e pamasë që populli shqiptar i detyrohet mbretit të tij, mjafton të hedhim një vështrim se çfarë ka qenë Shqipëria në të kaluarën dhe gjendjen e saj aktuale.

Shqiptarët janë populli i fundit që e rifituan pavarësinë pas luftës botërore. Që nga koha e ilirëve të lashtë, vendi i tyre ka jetuar nën pushtim të përhershëm, i përçarë nga luftimet vëllavrasëse, luftimet për epërsi të përkohshme dhe luftimet fetare midis shqiptarëve të konvertuar në fenë myslimane dhe atyre që mbetën pasues të fesë së krishterë.

Disiplina dhe normat që drejtojnë jetën e njerëzve të pavarur dhe të qytetëruar u futën në Shqipëri nga Ahmet Zogu.

Do të ishte e vështirë të analizohej se cilat rrethana çuan në ngjitjen romantike të Ahmet Zogut në fronin e vendit të tij. Prestigji personal ? Loja e ndikimeve politike ndërkombëtare ? A do të kërkohej një shpjegim ? Ahmet Zogu dominon plotësisht jetën e vendit të tij. I lënë mënjanë në mes të një populli ku autoriteti i babait të familjes nuk pëson asnjë tronditje, vetëm mbreti administron vendin e tij, të cilin e ka udhëhequr në shtigjet e prosperitetit.

Për shqiptarët, shtetari dhe lideri suprem duhet të jetë mbi të gjitha ushtar. Një hero që përçmon rrezikun dhe nuk merr parasysh koston e jetës së tij. Ky popull i kryengritësve nuk do të mbështeste një princ limfatik nëse portreti i mbretit të tyre do të shfaqej kudo pranë fytyrës së heroit kombëtar Skënderbeut, i cili, në mesjetë, në kohën e Vlad Drakulës, korri fitore kaq të shkëlqyera kundër turqve.

Vështrimi shqiponjë i këtij mbreti reflekton vullnetin për të fituar në çdo rrethanë.

Duke filluar nga viti 168 p.e.s., kur mbretit Gent iu desh t’u dorëzohej legjioneve romake, shqiptarët duruan të gjitha rrënimet e popujve që pushtuan gadishullin Ballkanik. Të tërhequr në mal, ata e mbajtën të paprekur flakën e pavarësisë së tyre. Kështu, në mesin e shekullit modern, ata ende ruajnë në jetën e tyre zakonet patriarkale, të ashpra dhe ndonjëherë tmerrësisht mizore, të cilat përbëjnë ligje të forta në shoqërinë e tyre.

Qeliza bazë e kësaj shoqërie origjinale është familja. Disa familje me prejardhje të njëjtë formojnë organizimin ndërmjetës midis familjes dhe fisit, i cili quhet “Mëhallë”. Kreu i “Mëhallës” që rekrutohet me votim quhet Gijopar. “Mëhallarët” e bashkuar formojnë fisin, kreu i të cilit quhet “Bajraktar”, që do të thotë rojtari i flamurit.

Lëvizja e rizgjimit kombëtar të shqiptarëve gjatë shekujve u mbështet veçanërisht nga kolonitë e shqiptarëve të emigruar në Amerikë, Francë, Angli, Rumaniaetj. Manifestimi i parë i pavarësisë së Shqipërisë ndodhi në vitin 1912 kur patrioti Ismail Qemali thirri një kongres kombëtar në Vlorë, ku u shpall pavarësia. Momenti ndërkombëtar ishte i favorshëm sepse Italia dhe Austria, të cilat i trembeshin ekspansionit sllav në gadishullin ballkanik, e panë me sy të mirë ringjalljen e shtetit shqiptar.

Fatkeqësisht, pikërisht në këtë kohë në Shqipëri filluan grindje të tmerrshme civile dhe vëllavrasëse, që të mos fitohej pavarësia. Konferenca e Londrës e vitit 1914 përcaktoi karakterin e Shqipërisë si një principatë kushtetuese dhe trashëgimore, nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

Princ Vidi, i cili ishte sundimtari i parë shqiptar, qëndroi në fron vetëm për disa muaj. Ai nuk mund të zotëronte shpirtin e këtij populli. Anarkia ishte edhe më e madhe se më parë. Në fillim të luftës botërore, Shqipëria po humbte sërish pavarësinë e saj mezi të fituar.

Gjatë Luftës Botërore, Shqipëria u sundua dhe u pushtua ushtarakisht nga austro-hungarezët, grekët, francezët dhe italianët. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu, pothuajse 20 vjeçar, organizoi një kongres të madh mbarëshqiptar në Elbasan, duke u shfaqur që nga ajo kohë si një udhëheqës i ardhshëm i popullit të tij.

Gjatë konferencës së paqes, Ahmet Zogu mori pjesë në organizimin e kongresit të Lushnjes, i cili zgjodhi një përfaqësi kombëtare. Me këtë rast Ahmet Zogu, në moshën 26-vjeçare, u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë që u formua dhe disa vite më vonë u bë edhe kryeministër dhe president i Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe, ai udhëhoqi trupat kombëtare të Shqipërisë drejt fitoreve të shumta, në betejat civile që ishin rend dite. Në vitin 1924, pas një komploti që përmbysi qeverinë, iu desh të strehohej në Jugosllavi, prej nga u kthye pas një viti, duke rimarrë sërish kryeqytetin e vendit të tij me ndihmën e ushtrisë.

Më 1 shtator 1928, republika shqiptare u shndërrua në një monarki të trashëgueshme nën skeptrin e Ahmet Zogut. Që atëherë, Shqipëria është kthyer në një vend rendi, i cili ka përvetësuar plotësisht nga perëndimi format e jetës së qytetëruar”.

Z. Basile Dogani thotë për trazirat e fundit :

“Sipas informacioneve të mia, të ashtuquajturat “turbullime në Shqipëri” zbresin në përpjekjet e një grushti politikanësh që nuk pajtohen me idenë e rendit. Gjithçka u qetësua që në ditën e parë dhe në Shqipëri ka një heshtje të plotë.”

Akademisti me pesë gjuhë të huaja që shiste gështenja, kush ishte Edip Daci! Historia e ushtarakut që refuzoi të bënte betimin fashist në Romë, u arrestua pas ngjarjes në ambasadën e SHBA

HALIL RAMA *MJESHTER I MADH/ Ndër 400 studentët shqiptarë që kishin studiuar në Akademinë Militare në Modena të Italisë dhe që refuzuan të bëjnë betimin fashist në Romë 85 vjet më parë, ishte edhe Edip Daci, akademisti që nuk iu nënshtrua as fashizmit, as komunizmit. Kalvarin e tmerrshëm dhe qëndresën ndaj pushtuesit, si dhe në burgjet e diktaturës të këtij pinjolli të një familjeje me tradita të forta patriotike të Dibrës së Madhe, e ka rrëfyer mjeshtërisht në një dokumentar televiziv, si dhe në librin e saj “Jetë mes dallgësh”, e bija e tij Ida Daci Abdiu.

 

Dokumentari si dhe monografia që u promovuan të martën, më 17 shtator 2024, në amfiteatrin e Dibrës së Madhe, prezantojnë në detaje jetën dhe veprimtarinë patriotike të Edip Dacit. Ai nuk e kishte njohur babain e tij, Muratin, që si shumë burra të tjerë të kullës së Dacit, e kishte kaluar jetën duke luftuar ndaj shovinistëve serbë. Murati ishte vrarë herët duke lënë jetimë 3 djemtë e tij të vegjël, mes tyre edhe Edipin, të cilët do të rriteshin me ndjenja të larta atdhedashurie e do të ecnin në hapat e babait të tyre martir. E ëma e tij, Fiqirie Daci (Hajdaraga), mbesë e Iljaz pashë Dibrës, edhe pse kishte mbetur vetëm pa të shoqin që në moshën 28-vjeçare, ua kishte kushtuar jetën tre djemve të saj, të cilët do të shkolloheshin e do të hynin me dinjitet në analet e historisë së Shqipërisë, ndër intelektualët më të spikatur shqiptarë të mesit të viteve 1900.

REFUZIMI PËR TË BËRË BETIMIN FASHIST

“Ishte pragu i Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria befas do të pushtohej nga Italia fashiste në prillin e vitit 1939. Pikërisht në atë kohë, në Modena, Edip Daci dhe gjithë akademistët e tjerë shqiptarë si ai ishin revoltuar nga akti i pushtimit të vendit të tyre. Të gjithë studentët shqiptarë, pothuajse pa përjashtim, por veçanërisht ata tek akademia që studionte im atë, e pritën me indinjatë dhe me tmerr pushtimin fashist. Nuk dinin se si të shprehnin revoltën në kohën kur autoritetet italiane i morën të 400 studentë dhe nxënës shqiptarë, i çuan në një ambient shumë komod për të bërë betimin fashist në mes të Romës. U bënë prova mbi 2 javë. I çuan nëpër koncerte, nëpër hotele, nëpër veprimtari që t’u mbushnin mendjen dhe kështu betimi i tyre do të përforconte atë akt të turpshëm të autoriteteve shqiptare, që shkuan dhe zbritën në Bari dhe iu drejtuan Romës me kurorën e Skënderbeut, për t’ia dhuruar Viktor Emanuelit dhe do të përligjte pushtimin fashist. Dhe Shqipëria të bëhej si një pjesë e Italisë.

400 studentët, aty në atë kuadrat edhe im atë, duke qarë, tepër të indinjuar, në 2 javë që iu bënë prova, nuk pipëtinë dhe në momentin kur të gjitha autoritetet italiane ishin rreshtuar në podium dhe admirali do të përmendte betimin italian, e këta do të thoshin: ‘betohem’, në 400 studentët nuk pipëtiu askush. Asnjëri nuk miratoi dhe nuk u betua nën flamurin italian. Admirali që drejtonte betimin iu kthye autoriteteve dhe tha: ‘Këta janë shqiptarë dhe nuk e kanë kuptuar mirë, po e përsëris edhe njëherë’. Dhe ndërsa ai kishte nxjerrë shpatën e po përsëriste më me forcë betimin nën flamurin italian, përsëri, asnjëri nga 400 studentët, nuk pipëtiu. Autoritetet italiane u munduan të sfumonin këtë akt heroik të studentëve dhe nxënësve shqiptarë dhe menjëherë futën diçka tjetër për të mos rënë në sy ky skandal që u ndodhi. Një grup të mirë nga studentët, si Skënder Çaçi e shumë e shumë të tjerë i burgosën, ndërsa këta të tjerët, një pjesë i përjashtuan nga akademia dhe një pjesë i lanë për të mos bërë bujë dhe të mos e popullarizonin këtë akt heroik të studentëve shqiptarë. Një ndër këta studentë, ishte edhe im atë”, – rrëfen ndër të tjera Ida Daci Abdiu, në dokumentarin televiziv “Jetë mes dallgësh”.

Nga ky dokumentar, si dhe nga libri i saj me të njëjtin titull, mësojmë se pas diplomimit në Akademinë Ushtarake në Modena, Edip Dacit i ofrohen disa punësi, ndër të cilat mund ta vijonte karrierën e tij ushtarake. E caktojnë fillimisht të inkuadrohej si ushtarak në Abisini, por Edip Daci refuzoi, duke thënë se ai ishte shkolluar për t’i shërbyer vendit të tij.

DEZERTIMI NGA LUFTA ITALO-GREKE

“Ne i kemi dhënë fjalën dhe jemi betuar që pas mbarimit të shkollës, do t’i shërbejmë atdheut tonë, që sot kur atdheu ynë është i pushtuar nga fashistët, më shumë se kurrë ka nevojë për dijet tona”, – mendoi Edip Daci dhe u kthye në atdhe. Në këtë kohë, krahas pushtimit, ekzistonin disa batalione të ushtrisë shqiptare. Edip Dacin e caktuan në një nga këto batalione. Përsëri pushtuesit italianë donin t’i përdornin mish për top oficerët e shkolluar jashtë dhe të parët që i vunë në frontin e parë, në luftën italo-greke, ishin batalionet shqiptare të kryesuara nga Spiro Moisiu e nga shumë figura të njohura ushtarake, të cilët duke e parë që ata donin patjetër t’i shfrytëzonin këto figura të rëndësishme, jo vetëm që nuk morën pjesë, por sabotuan duke hequr gjilpërat e topave dhe të mitralozëve.

Ata dezertuan frontin grek dhe një pjesë iku në drejtim të Korçës e me radhë, ndërsa im atë me batalionin e tij u kthye nga Vlora dhe në Shqipërinë e Mesme, duke ecur në këmbë, të drobitur. Në Shqipërinë e Mesme i arrestojnë dhe i internojnë në kampin e Marikajt, ku e pa veten në listat e antifashistëve më të tërbuar që kishin përpiluar italianët. Pasi lirohet nga kampi i internimit, Edip Daci dhe shumë ushtarakë të tjerë të diplomuar jashtë si ai, dërgohen për pak kohë si pjesë e ushtrisë shqiptare në viset e Kosovës. Të gjithë ata besonin me zemër se Shqipëria etnike, ajo ëndërr e kahershme, do të bëhej realitet. Por fatet e vendit të tyre ishin shkruar më herët prej Fuqive të Mëdha e kjo rrugë nuk do të mund të ndryshonte.

Kjo u pa qartë në fund të luftës, kur pushtetin e morën komunistët dhe Kosova mbeti në Jugosllavi. Gjatë viteve të luftës, siç tregon Ida, babai i saj Edipi dhe xhaxhai Vehapi, edhe ai i diplomuar jashtë vendit, kishin mbajtur të njëjtën qëndrim kundërshtues ndaj pushtuesve. Në atë atmosferë të viteve të luftës të dy vëllezërit ishin fejuar dhe kishin ndërtuar familjet e tyre, duke ëndërruar se lufta do të përfundonte e ata do t’i shërbenin atdheut.

ZHGËNJIMI NGA PABESIA E REGJIMIT KOMUNIST TË PASLUFTËS

“Pabesia e kohës bëri që i gjithë ky kontribut, e gjithë kjo luftë, i gjithë ky sinqeritet i madh t’u shkojë kot. I vëllai, i përqendruar me një batalion me ushtrinë shqiptare në Pogradec, bie ndesh me një skuadër partizane dhe i bën thirrje komandantit: ‘Jemi shqiptarë, mos gjuani, jemi batalion shqiptar, jemi ushtarë shqiptarë që luftojmë kundër fashizmit”! Por ishte e kotë dhe në momentin e fundit u tha ushtarëve që të iknin, të gjenin një front dhe u vetëflijua vetëm e vetëm për të dhënë një imazh që nuk duhet të luftohet vëllai me vëlla.

Kjo qe disfata e parë që pësoi familja Daci. E ëma, pasi mori vesh këtë vdekje tragjike të djalit, e urdhëroi Edipin: ‘Nuk do ta veshësh më rrobën ushtarake, nuk ka ç’të duhet, sepse kjo punë po merr fund, shihe çfarë gjendje është’. Asokohe ai kishte kontribuar jashtë mase. Në Tiranë kishte një veprimtari me njësitet guerile sepse daja im, Petrit Strazimiri, nga bankat e shkollës shok me Qemal Stafën, lënë bankat e shkollës dhe kalojnë në ilegalitet në Tiranë, duke u ndihmuar edhe nga babai im, shumë. Dhe ai mbeti dëshmor për çlirimin e Kërçovës, ndërsa babi e hoqi rrobën ushtarake duke ia çuar në vend amanetin nënës së vet. U martua me nënën time nga një familje shumë e fisme, Strazimiri, vajza e një avokati që kishte mbaruar shkollën në Vjenë dhe kishte shërbyer në poste drejtuese të kohës”, – tregon Ida.

Nga rrëfimi i saj mësojmë se pasi kishte hequr rrobën ushtarake, duke parë situatën që po krijohej, pas martesës Edipi me familjen e tij banonin në një shtëpi të Hafëz Musait. Ai, duke parë inteligjencën dhe përgatitjen e këtij njeriu, ndërgjegjen tepër të lartë, e mori dhe i propozoi që ai të jepte teologji dhe frëngjisht në Medresenë e Tiranës. Fundi i luftës e gjen familjen e re të Edip Dacit në gjendje të vështirë. Të dy burrë e grua, Edipi dhe Remzia, kishin humbur nga një vëlla. Zia kishte pllakosur shtëpinë e tyre, por ditët e fundit të luftës lajmëronin edhe shumë sfida të tjera që i prisnin. Filluan reprezaljet e vitit 1944, kur çetat partizane këdo që shikonin dhe që i kishte shërbyer qeverisë paraardhëse, me dhjetëra e mijëra intelektualë i pushkatuan. Në ato kushte, Hafëz Musai, kryemyftiu i republikës, duke parë gjendjen që u krijua në Tiranë, i thotë: ‘Edip, ti duhet të largohesh nga Tirana sa të stabilizohet një çikë gjendja. Nuk po marrim vesh se çfarë po bëhet’. Dhe vetë ai e ndihmoi që të ikte nga Tirana, duke marrë një shtëpi me qira në lagjen e Haverikëve në Durrës, ku filloi punë si financier në hotelin “Vollga”.

ARRESTIMI PAS NGJARJES NË AMBASADËN SOVJETIKE

Ishin vitet e trazuara 1948, 1949, 1950. I larguar nga Tirana dhe i zhytur në punën e tij, duke qëndruar larg prozhektorëve, Edipi kërkonte të ngrinte në këmbë familjen e tij të vogël. Ai ishte patriot dhe si i tillë e shihte familjen e tij të vogël si një potencial të madh për të mbrojtur atdheun e për të punuar për atdheun. Edhe pse regjimi po tregohej i ashpër me të, ai çdo ditë thurte ëndrra për familjen e tij, e cila do të shtohej në numër e fëmijët e tij do të edukoheshin e do të punonin për vendin e tyre, duke çuar në vend amanetin e të parëve. Por, a do të shkonte jeta sipas ëndrrave të tij? Ishte viti 1951. Shkurt. Në Tiranë do të shënohej një ngjarje që do të trondiste opinionin publik.

Një ngjarje e inskenuar te legata sovjetike do të çonte në pushkatim 21 intelektualë. Kjo ngjarje do të lajmëronte një fat të hidhur, edhe për Edipin dhe familjen e tij. Ida tregon se si një mesnatë, një grup policësh e shqyen derën dhe u hodhën brenda shtëpisë. Ata u ndodhën befas përballë tyre, duke e arrestuar Edip Dacin me akuzën absurde “armiku i partisë dhe i popullit”. “Ajo natë nuk do të harrohej kurrë në familjen e Edip Dacit. Ai arrestim do të bëhej shkak për një kalvar të gjatë dhimbjesh e torturash që do e ndiqnin në jetë. E marrin zvarrë tri burra dhe të tjerët vazhdonin të kontrollonin, të shqyenin, të merrnin ç’ka ndodhej në shtëpi. Në fund i erdhi radha bibliotekës të krijuar me aq mund dhe djersë. Të gjithë librat që kishte studiuar në akademi, me të cilët kishte krijuar një bibliotekë, i morën me thasë dhe me krahë. Në një komo që ndodhej në shtëpi, ishte fotografia e një ushtaraku, ish-student i akademisë militare në Modena të Italisë. Bashkëshortes së tij i afrohet një person nga ata policët dhe i thotë: Hë moj armike, moj borgjeze, edhe fotografinë e Ahmet Zogut e mbani ju në shtëpi?!

Ajo duke u dridhur i thotë:

– Jo zotëri.

– Kujt i thua zotëri moj borgjeze.

Unë jam punëtor i partisë!

– Është fotografia kur im shoq është diplomuar. Ka qenë student im shoq, çfarë Ahmet Zogu?!

Duke e thyer dhe duke e shkelur me këmbë kornizën, polici e mori me vete fotografinë, për të treguar se çfarë fotografie mbajnë këta në shtëpi. Mendoni çfarë gjendje u krijua. Të nesërmen u mor vesh që 23 intelektualë shqiptarë dhe 200 e ca burra, mos më tepër, ndër ta edhe im atë, përfunduan nëpër birucat e degëve të punëve të brendshme, pas Tiranës edhe rrethe të tjera si Durrësi, Elbasani, Korça etj..

NJËMBËDHJETË MUAJ HETUESI SPECIALE

“11 muaj hetuesi speciale, 11 muaj, nuk mundem të përmend se të gjithë kemi lexuar, tortura të jashtëzakonshme. Vetëm një refren i ditës ishte për tim atë, edhe i natës, edhe i mesnatës: unë jam Edip Daci, historia e familjes sonë. Ne për këtë atdhe kemi flijuar breza të tërë… dhe i përmendte të gjithë: Ramiz Dacin, që si oficer madhor merr pjesë në të gjithë lëvizjen demokratike krah Isuf Xhelilit, krah Iljaz pashë Qokut, Vehbi Dibrës etj., dhe pati fatin të jetë pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë, jo si delegat, por si i ftuar. Ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, një ndër organizatorët dhe përçuesit e të gjitha ideve përparimtare të asaj treve dhe mbarëshqiptare… dhe paraardhësit tjerë të familjes Daci, që historikisht kishin treguar vlerat e saj patriotike, liridashëse dhe demokratike, duke u nisur nga stërgjyshërit tanë, duke i përmendur qysh nga Said Daci, i vjetër, shok, mik dhe bashkëluftëtar me Abdyl Frashërin; Xhem Daci, Shaqir Daci, si luftëtar i paepur jo vetëm për liri dhe demokraci kundër bullgarëve, turqve dhe më në fund serbëve, por ai ishte një pishtar që jo vetëm mori pjesë në të gjitha kuvendet që u organizuan nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit, por ai ishte një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për hapjen e shkollës së parë shqipe, në gjuhën shqipe, në Dibrën e Madhe…

Unë për këtë atdhe u ktheva nga akademitë, lashë diplomë ndërkombëtare dhe doja t’i shërbeja atdheut tim me dijet e mia. Më keni ngatërruar! Edhe ime më shpresonte se ishte bërë një gabim, se ata ishin njerëz jo vetëm të pafajshëm, ata ishin njerëz që ëndërronin për atdheun, për Shqipërinë e shkatërruar dhe të mjeruar, t’i shërbenin atdheut. Nëna ime ishte motër dëshmori. Por, edhe babai im. I vëllai i tij kishte luftuar kundër fashizmit, edhe ai vetë. Nuk e kuptonte se çfarë po bëhej. Do të kalonte 11 muaj të vështirë në hetuesi. Pushkatimi pa gjyq, i 22 intelektualëve tek ura e Beshirit, kishte çuar shkallën e terrorit në pikën më kulmore. Pas një ngjarje të tillë makabre kur sovranit i ishte dhënë grushti i rëndë prej diktatorit, nevojitej një periudhë qetësie dhe zbutje e represionit. Kjo periudhë përkoi me kohën kur Edip Daci mbahej në hetuesi dhe vetëm falë rrethanave historike ai i shpëton pushkatimit”, – rrëfen Ida Daci Abdiu në këtë dokumentar televiziv të realizuar me mjeshtri të rrallë artistike nga gazetarja e mirënjohur Admirina Peçi, dokumentar ky që u ndoq me vëmendje dhe interes të veçantë nga qindra pjesëmarrës, përfaqësues të botës akademike e të letrave.

AKADEMISTI I MODENAS EDIP DACI NË MINIERËN E BULQIZËS

Nënës sime nuk i hiqeshin nga sytë rrobat e gjakosura nga torturat dhe nuk po i besohej që ai u kthye gjallë në shtëpi. Mendoni, 11 muaj hetuesi speciale, i tmerruar, i trishtuar, nuk di se si mund t’jua përshkruaj, kthehet në shtëpi duke parë dy fëmijët e vegjël dhe nusen e re. Por kjo qetësi relative u prish shumë shpejt. Me urdhër të prerë, ai duhej të largohej nga Durrësi dhe vendi më i përshtatshëm për të tillë njerëz do të ishte Bulqiza. Babait tim i “dhuruan” kështu Bulqizën. Nuk e njihte atë terren, vetëm kur kishte kaluar nga Tirana në Dibër të Madhe me karvanët e kuajve. E megjithatë, në emër të jetës së dy fëmijëve do të bënte çdo sakrifice. Në një makinë i hodhën plaçkat, dy fëmijët dhe gruan e re dhe u nisën drejt Bulqizës. Ishte dhjetori i vitit 1952. Nëna ime ishte shtatzënë me mua, fëmija i tretë. Dhe unë aty linda”, – shkruan ndër të tjera Ida Daci (Abdiu) në librin e saj.

Është vërtetë tronditës ky rrëfim për jetën e Edip Dacit, ushtarak karriere, diplomuar në Akademinë Militare në Modena Itali, i cili edhe pse me një varg kontributesh dhe vepra patriotike, nuk i kishte shpëtuar hakmarrjes komuniste. E kishte përfshirë edhe Edip Dacin, vala e tmerrshme spastruese e vitit 1951, në radhët e intelektualëve shqiptarë. E çojnë në një familje bulqizake, tepër fisnikë edhe i thonë: “për një kohë do banoni këtu”, – duke ua hedhur plaçkat nga karroceria e makinës. Futen brenda të tmerruar, por dashamirësia dhe bujaria e asaj familjeje, e Abedin Duriçit, sikur ua shkriu pak akujt e shpirtit. Aty gjeti ngrohtësinë dhe besimin sepse paskan ngelur njerëz të mirë prapë, nuk qenkan të gjithë si hetuesit në Durrës, si policët, paska mbetur pak bujari dibrane asaj treve të Bulqizës. I çuan në atë barakë. Nuk u ofrohej punë as Edipit dhe as Remzies. Ata, me gjithë fëmijët e mitur, duhet t’i bënin ballë jetës së vështirë në atë qytet të vogël të ftohtë, nën survejim të pandërprerë.

Ai, akademist me pesë gjuhë të huaja, dilte çdo ditë dhe shiste gështenja që i piqte në një fuçi të prerë përgjysmë dhe gurabijet që ia përgatiste në shtëpi e shoqja. Me ato para do të mbijetonin për ca kohë. Pyetjet munduese për fatin e tij, kishin nisur të shuheshin. E rëndësishme ishte që kishte familjen dhe ishte gjallë. Shokët e tij ishin pushkatuar apo burgosur prej kohësh. Edhe pse rridhte e tillë përmes vështirësive, jeta ishte e vyer dhe ai ja dinte vlerën asaj çfarë kishte. Kështu rridhnin ditët në Bulqizë, derisa një ditë dikush ju afrua dhe i kujtoi se sigurimi i shtetit e mbante nën vëzhgim të rrepte prej kohësh… Dhe kalvari i strëmundimshëm i kësaj familjeje do të përfundonte njëherësh me përmbysjen e diktaturës, pas vitit 1990, kur tashmë fëmijët e Edipit qenë promotorë të asaj lëvizje të fuqishme dhe ecën dinjitetshëm, duke ngjitur me meritë shkallët e karrierës së tyre, çka do t’i bënte të ndjeheshin krenarë prindërit e shumëvuajtur.

JETA DHE VEPRA E EDIP DACIT SI TESTAMENT ATDHEDASHURIE

Për autoren e monografisë “Jetë mes dallgësh”, Ida Daci Abdiu, ndonëse personazhet që i japin jetë librit janë të fisit të saj emërndritur, në të përshkruhet me dhimbje dhe krenarisht drama-tragjedia, që përfshiu dy Dibrat gjatë shekullit 20. Përshkruhet qëndresa e dibranëve ndaj pushtuesve dhe regjimeve të urryera çnjerëzore. Në promovimin e librit, në praninë e qindra përfaqësuesve të elitës dibrane, jo vetëm nga Dibra e Madhe, por edhe nga Tirana e diaspora ajo ndjehej e qetë, sepse kishte përmbushur amanetin e babait të tij, duke e sjellë atë për lexuesin si testament atdhedashurie.

“Sot jam e qetë, sepse të gjithë ju në këtë sallë, të tjerë që mungojnë, të gjitha përkatësitë e ndjeshmëritë e ndryshme, konvergojnë në një pikë të vetme: distancimi e dënimi i shovinizmit e totalitarizmit, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut; në përpjekjet që e gjithë Dibra, ajo e Poshtme dhe ajo e Epërme, si pjesë të qenësishme të kombit shqiptar, të tejkalojnë urrejtjet e ndasitë dhe të ndihmojnë në udhëtimin tonë të përbashkët rajonal drejt strukturave euroatlantike”, – tha ndër të tjera Ida Daci-Abdiu.

Librin “Jetë mes dallgësh”, si dhe dokumentarin përkatës televiziv ajo i konsideron homazh për prindërit, Edip Daci dhe Remzie Strazimiri Daci, që i rritën me aq shumë mundime, por që s’mundën të rikthehen në Dibrën e tyre të dashur. Në këtë veprimtari promovuese mbresëlënëse, të moderuar mjeshtërisht nga “Mjeshtri i Madh” Defrim Methasani, vlerat dhe mesazhet që përcjell ky libër u evidentuan nga redaktori i tij, Lavdrim Shehu si dhe nga akademiku Adem Bunguri, ndërkohë që përshëndetën edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu (kunat i autores), prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, kryetari i Komunës Dibër e Madhe, dr. Hekuran Duka, ish-kryebashkiakët e Peshkopisë dhe Bulqizës, Ilir Krosi e Roland Keta etj..

“Në të gjitha faqet e librit, (si edhe në dokumentarin televiziv) autorja, duke u shprehur në vetën e parë, shfaqet tokësore, humane dhe pagabueshmërisht e vërtetë… Duke na dhënë një pasqyrë të jetës njerëzore për gjatë gjithë shekullit 20-të, ashtu si shkëmbinjtë që mbeten të egër e të fortë, të palëvizshëm e të pandryshueshëm, në çdo detaj para syve të lotit, ashtu do të qëndrojë e vërteta e Idës, kryelartë e krenare përpara epimit të kohës, që ka ndryshuar e do të ndryshojë vazhdimisht”, – tha ndër të tjera redaktori i librit Lavdrim Shehu.

Pjesëmarrësit pritën gjithashtu me ovacione “Mirënjohjen” që kryetari i Shoqatës Atdhetare Bulqiza, Bashkim Lami, i akordoi Edip Murat Dacit (pas vdekjes) në emër të kësaj shoqate, me motivacionin: “Mirënjohje për këtë bir të familjes patriotike Daci, nga Dibra e Madhe, që në disa breza luftuan e sakrifikuan për atdheun në luftë e në politikë, të përballur me kalvarin e dhimbshëm të disa bijve. Intelektual i shquar, akademist ushtarak shembullor në Modena e kundërshtar i fashizmit. Mirënjohje e vlerësim për jetën me sakrifica të mëdha të tij dhe familjes, që nuk iu nënshtrua as fashizmit e as komunizmit, duke u përballur me diktaturat me trimëri e burrëri. Qytetar e prind shembullor që rriti dhe edukoj me sakrifica fëmijët në Bulqizë, duke mbajtur lart dashurinë për punën, jetën e atdheun”.

/Gazeta Panorama

“Çamët të largohen prej andej”: Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte pamjen e kohës së Monarkisë, por kreu i Komitetit të Partisë, dha urdhër që…

Nga Gëzim Kabashi

Plazhi i Durrësit po mbush një shekull jetë, që atëherë kur u ndërtuan vilat e para të tregtarëve në bregdet. Ndërkaq, 500 metra më tej, në anën tjetër të rrugës automobilistike drejt Kavajës, në fund të Luftës së Dytë Botërore, u vendosën çamët e dëbuar nga trojet e tyre në Greqinë e Veriut. Sot e kësaj dite ata mbeten dëshmitarët e drejtpërdrejtë të zhvillimit të plazhit më të madh të vendit, dhe në të njëjtën kohë, edhe përfaqësues të mbijetesës së komunitetit të çamëve, që edhe sot vazhdon të banojë vetëm pak kilometra larg qytetit të lashtë.

“Unë kam qenë 12 vjeç, kur familja ime u vendos në këtë territor, një ranishte dunash, ku mbizotëronte bimësia e gjineshtrave – tregon Prof. Hajredin Isufi, i cili sapo ka festuar 91-vjetorin e lindjes.

“Ishte viti 1944, dhe një pjesë e familjes time, pas gjenocidit grek u shpërngul nga Çamëria drejt Sarandës, me barkat e himarjotëve, ndërsa babai me disa bagëti, mbërriti nga malet mes një mijë vështirësish”, kujtoi ai.

Në tregimin e Prof. Hajredinit, bëjnë pjesë kujtimet e hidhura kur nëna nuk kishte bukë t’i ushqente, apo kur prindit ngjiteshin në pyllin mbi Shkëmbin e Kavajës, për të prerë dru, me të cilat fitoheshin pak lekë më shumë.

Sipas tij, ende pa një status si banorë të Shqipërisë, çamët u kujdesën që të instaloheshin në zonat bregdetare, në Vlorë, në Fier apo në Durrës, ku mendonin se jetesa e tyre e re, do të ishte më e lehtë.

Plazhi i Durrësit ishte krejt i shkretë dhe rreth 100 familje çame, fillimisht zunë vend në vilat e braktisura të bregdetit, të ndërtuara në kohën e Monarkisë.

“Shteti nuk na pengoi, pasi ne ende konsideroheshim refugjatë për shkak të marrëdhënieve plot të papritura, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shifra e deklaruar e të dëbuarve nga Çamëria, arrinte në 23-25 mijë vetë, por ajo asnjëherë nuk u zyrtarizua – tha studiuesi 91-vjeçar.

“Ne u quajtëm shqiptarë, vetëm në vitin 1953, kur shteti na pajisi me pasaporta” – sjell në mendje Hajredin Isufi. Në kushtet e persekutimit të vazhduar dhe të heshtur të shtetit, Çamët e plazhit u lidhën fort me njëri tjetrin.

“Nëna dhe babai im janë takuar rastësisht në spital, për shkak të një aksidenti. Brenda 24 orësh gjyshërit e mi, vendosën t’i martojnë të rinjtë, më shumë për arsye mbijetese, se sa për lumturi familjare” – tregon Hysen Hyseni, 75-vjeç.

“Disa vjet më vonë, babai im u dënua me 8 vjet burg, për tentativë arratisjeje, dhe jeta jonë u vështirësua edhe më tej” – kujtoi ai.

Edhe tani Ceni, siç e thërrasin të gjithë fqinjët, banon atje ku u lind, në stabilimentin “Hekurudha”, në qendër të plazhit me gjatësi 3.4 km.

Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte të njëjtën pamje me atë të kohës së Monarkisë, kur drejtuesi i Partisë në rrethin e Durrësit dha urdhër që çamët të largoheshin prej andej, sepse prishnin pamjen e zonës.

Ishte mesi i viteve ’60-të dhe çamët edhe sot e konsiderojnë si “dëbimin persekutues të radhës”, largimin pa asnjë mbështetje, ku secila familje duhet t’ia dilte vetë, duke filluar nga banesa, deri te puna.

“Të gjithë banorët që ndodheshin pranë rrugës Durrës-Kavajë, u bartën drejt lagjes së Spitallës, një territor me pyll të dëndur dhe ku mbizotëronin mushkonjat e kënetës” – dëshmon Hajredin Isufi.

Në të njejtën kohë, në fillim të viteve 1970, pushteti u kujtua për sistemimin e plazhit. Vilat e shtetëzuara që u ndërtuan gjatë paraluftës, u vunë në dispozicion të familjeve të partiakëve dhe pushtetarëve të lartë, si dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të partive komuniste.

U ndërtuan radhët e para me kabina kompensate, apo blloqesh betoni, të cilave më vonë iu shtuan edhe çadrat prej mushamaje, ku familjet e zakonshme pushonin në 12 ditët e lejes së zakonshme.

Barakat ku banonin çamët e plazhit, nuk i përgjigjeshin kërkesave për një plazh të përparuar, dhe kjo përbënte një arsye të mjaftueshme, për t’i përcjellë në zonën e pabanuar në veri të qytetit.

Të tjerat, që ndodheshin larg plazhit dhe pas shinave hekurudhore, i shpëtuan nga dëbimi familjet e pakta çame, që vazhduan të jetojnë po aty. Ata përpiqen të përfitojnë nga kërkesat e shumta të familjeve nga qytete të ndryshme të vendit, të cilat nuk gjejnë vend për të pushuar në kabinat e shtetit.

Çamët fillojnë të japin me qira dhoma në stinën e verës, pasi arrijnë të marrin leje, në Këshillin Popullor të lagjes, dhe në instanca të tjera. Ndërkaq banorët e dëbuar çamë të Spitallës, përpiqen të rikthehen në vendin nga ku i përzunë.

Pasi kishin bërë të gjitha punët e mundimshme në ndërtim apo ngarkim-shkarkim, ata e quajtën një zgjidhje shumë të mira, trajtimin e shtëpive si apartamente turistike. Dhomat me qira ishin një e ardhur e mirë, dhe pa shumë lodhje.

Familjarët nga i gjithë vendi që kërkonin zgjidhje për pushimet e verës, filluan t’i drejtoheshin zonës me “dhoma të çamëve”.

Prof. Hajredini , i cili ishte diplomuar në degën e Histori-Gjeografi, fton në atë kohë për pushime në shtëpinë e tij, njerëzit më të shquar të instituteve të Historisë, Gjuhësisë, të Arkivës së Shtetit, e kështu me radhë.

Në këmbim të mirënjohjes, për dy javët e pushimit në plazh, ai vetë fiton të drejtën e njohjes me dokumenta arkivore të plota për Durrësin dhe Çamërinë. Profesori i nderuar është autor i një duzinë librash për vendlindjen e tij, fshatin Rrëzanj të Çamërisë dhe për figura të shquara të lëvizjes kombëtare.

“Tani çamët i gjen në të gjithë botën – tha Prof. Hajredini. “Ata që kanë mbetur këtu në plazh, kujdesen për banesat që japin me qira në stinën e verës, por jo vetëm të tyret, edhe ato të vëllezërve e motrave, që kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në pjesën tjetër të botës” – përfundoi ai. Memorie.al

Ngjarja e panjohur që tronditi Beratin në vitet ’80-të: Vajza e një kryetari kooperative, që ishte edhe deputet i Kuvendit Popullor u dashurua me një arixhi

Nga Shkëlqim ABAZI

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Nga fillimi i viteve tetëdhjetë, në nahijen tonë, ndodhi një ngjarje që tronditi mentalitetin e kohës. Vajza e një kryetari kooperative, u dashurua me një djalë. Dashuria i verboi të rinjtë, që u hodhën në krahët e njëri-tjetrit, pa pyetur ç’racë i përkisnin, përfundimisht hyri nuse në cergat e arixhinjve. Për prindërit qe më shumë se vdekje, për fisin e kryetarit, që qëlloi të ishte edhe deputet në Kuvendin Popullor, një damkë turpi. Lajmi i pazakontë mori dhenë.

Shokë e miq të kryetar-deputetit, s’guxonin ta shihnin në sy dhe s’gjenin dot fjalë ngushëllimi. Do duhej një lolo t’i nxirrte burrat e krahinës nga sikleti. Në festën e krahinës kryetar-deputeti dhe i deleguari i Byrosë së Komitetit Qendror, drejtonin dollinë. Në kulmin e davetit, kur rakia derdhej lumë dhe shëndetet për Enverin, Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin, Zhoao Amazonën dhe gjithë miqtë e njohur e të panjohur nga tërë bota, kalonin nga një grup te tjetri, lolua ngriti gotën:

“Me fund, për kryetar-deputetin tënë”! – të tjerët shtangën, por ai shtoi: – “Piheni o shokë, pije o kryetar”! – iu kthye fytyrë ngrysurit që ngriu me gotën në dorë. – “Qeshu një çikë a derëzi, s’u bë kiameti që mërzitesh kaq”! – dhe formuloi një buzëqeshje idiote: – “Vërtet çupa gaboi, po ka edhe më keq, xhani im”!

Të gjithë u stepën dhe prisnin reagimin e deputetit-kryetar, gjersa iu gjend një servil që, kur e pa sa me zor mbushej me frymë, kundërshtoi: “Me keq se kaq? Të marrë, me nder jush, një arixhi.. më falni për shprehjen”!?

“Na’ ore si s’paska”! – vazhdoi të tijën lolua. – “Po të kish marrë ndonjë kulak, s’i do t’i vinte filli?! O do prisheshe me fëminë, o me Partinë”!- tua hodhi gurin, të tjerët vijuan debatet: “E udhës të prishesh me fëmijën, apo me Partinë, jo kështu e jo ashtu”. S’dihej ku do dilnin, nëse s’do kishte ndërhyrë i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë:

“O shokë, budalla, budalla, po fjalën e tha me vend! Shumë e drejte, s’kish ku vinte më ligsht”! – mbështeti lolon. – “Do prishte biografinë dhe hajt ndreqe më”!

“Më mirë arixhiun se kulakun”, për ideal sa bukur e kurdisi! Shpikja e Lolos, u fut në fondin e artë.

Më pas, citatin “lapidar”, ia atribuuan të Madhit fare.

Pas ca kohësh kryetar-deputeti, ia gjeti anën, e hoqi çupën dhe e martoi brenda natës, diku nga fshatrat e Sulovës, por historia i kapërceu caqet dhe përditësimi në praktikë, u shtri tej e ndanë Shqipërisë.

“Më mirë arixhiun, se kulakun!

Më mirë kurbatin, se kulakun!

Më mirë gabelin, se kulakun!

Më mirë romin, se kulakun!

Më mirë varrin, se kul… “!

Emërtimin arixhi, e lakuan me gjithë sinonimet, kulakut i mbeti cilësori “kulak”, edhe pse nëntëdhjetë e nëntë përqind, s’ia dinin kuptimin apo prejardhjen kësaj fjale.

“Kujt i plasi për kuptimin, apo prejardhjen”?

“Kot kemi Partinë e Lavdishme të Punës së Shqipërisë”!

“Ç’ta vrasim mendjen”?!

“Të na rrojë sa malet i Madhi, që shtrydh trutë edhe për ne”!

“Lavdi! Lavdi! Tri herë Lavdi”!

“Ç’do populli bën Partia! Ç’thotë Partia, bën populli! Urra-a-a-a”!

“Po e quajti Partia kancer, gërbulë, verem, murtajë, plasje, qime, skëterrë, xhehenem, hale, llagëm, gjiriz, qenef, varr, përtejvarr, padyshim kështu duhet të jetë”! Cilindo nga këto emërtime të përdorje në kuptimin pezhorativ, përsëri s’arrije të kapje të vërtetën e “kulakut”.

Shoqëria u nda me thikë, por bijtë e familjeve të ndershme, iu dolën krah të afërmve dhe u përballën me luftën klasore, lidhën martesa mes njëri-tjetrit ose, e ngrysën beqarë të përjetshëm.

Është e lehtë të aplikosh shpëlarjen e trurit mbi popullin e terrorizuar, gjer në kërcënimin e ekzistencës, gjer në zhdukjen e gjenit, gjer në manipulimin e së vërtetës, gjer në fshirje të epokave, gjer në demencë. Qysh në krye-herë, propaganda bollsheviko-çekiste, eliminoi elitën intelektuale dhe nisi ofensivën ideologjike, përdhosën etërit e kombit, me metodën diabolike të kontaminimit të amnezisë kolektive, manipuluan historinë, baltosën shkrimtarë e poetë me famë kombëtare, sekuestruan dhe zhdukën vlerat e papërsëritshme muzeale, kulturore, fetare dhe laike, telendisën gjer në përçmim bartësit e kanunit, të nderit dhe besës proverbiale shqiptare.

Lufta klasore prodhoi viktima të kota mes grupimeve shoqërore dhe armiqësi të panevojshme. Po rritej një test tru shpëlarësh, produkt i efekteve djallëzore të luftës klasore që infektoi qelizat e organizmit publik, indoktrinoi edhe fëmijët në djep, gjersa arriti momenti, ku askush s’guxonte të mendonte me trurin e vet.

Kush i dilte ndesh rrjedhës, shpallej armik me rrezikshmëri të theksuar shtetërore e publike dhe si të tillë, e veçonin nga grupi dhe i kryqëzonin si konspiratorë borgjez, demek për t’i mbrojtur prej ekspansionit dhe infeksionist të bacileve ideologjikë, kapitalistp-revizionistë.

Kultura u shpall non grata, nëmën artin, letërsinë, arsimin, shkencën, i vunë kufirin te thana, çdo rryme perëndimore; ndërkohë mirëpritën stuhitë e stepave ruse dhe më pas të lindjes së largët që, bashkë me ideologjinë, sollën shprishjen morale, dekadencën shpirtërore, zhvlerësuan doket dhe zakonet e trashëguara. Kush dyshoi te metoda e re, u përball me vrerin klasor, me denigrimin moral, me dhunën verbale, psikologjike, fizike, me ashpërsinë ligjore, me burgun, më zhdukjen apo më fatlumët, me degdisje në spitalet psikiatrike, ku i izoluan si të marrë. Edhe në mos qenë të tillë, i çmendën mjekët tru-shpëlarë, që s’lanë eksperiment pa provuar me rezistencën e psikikës humane, duke përdorur lloj-lloj metodash kurimi, psiko-patologjike komuniste.

Askush s’gëzonte imunitet veç Njëshit; dufi i luftës klasore, përvëlonte gjithkënd që përfundonte në laboratorët eksperimentalë të pushtetit. E shndërruan popullin në kavje. Mjekët zëvendësuan shkencën me sugjestionin, praktikuan terapinë sociale, duke iu rekomanduar pacientëve me psikoza studimin privat apo kolektiv të literaturës marksiste-leniniste dhe të veprave të udhëheqësit paranojak; madje, për të kapur efikasitetin maksimal të kësaj terapie perverse, zëvendësuan vaksinimin profilaktik, me format e edukimit komunist, me gjimnastikën e ndjenjave dhe të trurit; organizuan nga agu në darkë marshime kolektive, paçka se barkthatë, studime kolektive, demek “vullnetare” me dajak, të veprave të diktatorit.

Mblodhën nxënësit nëpër shkolla, studentët në auditorë, ushtarakët në reparte, punëtorët në ndërmarrje dhe kooperativistët në hangarë, gjer edhe te fëmijët nëpër çerdhe dhe pensionistët në këndet e emulacionit socialist dhe i detyruan të ndiqnin buçimat e të Madhit në radio, televizion apo gazeta. Teksa mungonte çdo medikament, propaganduan terapinë sugjestionuese, me një fjalë, praktikuan shpëlarje truri!

Tërë “elita intelektuale” e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Socialiste, u vu në shërbim të propagandës, derdhi talentin në tru-shpëlarjen kolektive, mbushën mijëra orë emisione radiofonike apo televizive me lajme dhe intervista mjeranësh, që shtireshin të lumtur; prodhoi mijëra metër linear filma me heronj pozitivë, që duhet të tregoheshin të gëzuar, kur jepnin jetën për Partinë dhe shokun Enver, të shpalleshin fitimtarë edhe duke vdekur; shkruan dhjetëra-mijëra ton libra, ku duhej t’i paraqitnin të “fandaksurit” borgjezë, doemos imoralë, injorantë, katilë, xhahilë, xhelatë, gjakpirës, etj., dhe “sekretarin e mirë” kryelartë; në galeritë e arteve shpalosën disa mijëra metër katror tablo me laps, me tush, me tempera, me akuarel, me bojëra vaji, etj.

Me revolucionarë gjigantë dhe gjigantë liliputë; mbushën parqet e qyteteve dhe cepat e fshatrave me lapidarë, me buste, me basorelieve, ku partizani vdiste me grushtin lart dhe ballisti dridhej nga frika; së fundi pasi të botonin në revistat “Hosteni”, “Nëntori”, “Shkenca dhe Jeta”, etj., disertacione me studime shteruese për triumfin e realizmit socialist dhe dështimin e surealizmit dhe izmave borgjeze, i pajisnin me tituj dhe grada shkencore, por pasi të kishin studiuar e përvetësuar me themel, shtatëdhjetë veprat e Enverit dhe të marksistë-leninistëve të tjerë.

Praktika teraupetiko-profilaktiko-trushplarëse, niste me ngjizjen e fetusit në abdomen, vijonte në barkun e nënës që përcillte gjakun e Partisë, nëpërmjet kordonit ombilikal në hipofizin e fetusit dhe kur foshnja dilte në dritën e Zotit e, binte mes batakut shoqëror, indi vazhdonte t’i furnizonte trutë dhe zemrën me veprat e Enverit.

Ushqimi biologjiko-social, nuk përfundonte me rritjen dhe plakjen, madje as kur mbyllte sytë, sepse duhej të vdisje i lumtur dhe krenar, që kishe kontribuar në tru-shpëlarjen kolektive. Big-brotheri socialist, gjeti fushë perfekte në shoqërinë shqiptare, u përnda shpejt sa do ta zilepste edhe Oruelli i mençur me fermën e derrave të tij. Breza tru-shpëlarësh pillnin të tjerë tru-shpëlarë, këta të tjerë dhe të tjerë, deri në triumfin e tru-shpëlarjes kolektive; kjo i shpjegohen lotët e derdhur çurkë mbi kërmën e diktatorit dhe mohimi i gjithçkaje e gjithkujt, që shpallej kundër rrjedhës.

Dy klientët, na u bashkuan!

“Si je Rremo”? – iu drejtova të moshuarit.

“Po ti, o djalë”?

“Mirë, të falem nderit”!

“Ti paske qenë me Liken tim”? – pyeti i çuditur.

“S’e dija që ishte yti”!

“Ishte im vëlla”!

“Tani e mësova”!

E kapërcyem momentin një far soj.

“Dhëndëri im, Faiku”! – më prezantoi tjetrin.

“E mora me mend”!

“Është i madhi, se kam edhe tre të tjerë”!

“Gëzohem që po njihem”! – i zgjata dorën.

“Muharrem, si s’u bëtë të gjallë, gjithë këto vite”! – ndërhyri Sela.

“Frika bir, frika”!

“Ç’frikë ore, vëllai është vëlla, po ju jeni lepuj”! – iu shkreh egërsisht.

“Kishim fëmijë, Selo”!

“Po këta s’kishin”? – ia priti tjetri duke më treguar me gisht.

“Ata i mori peropia, kurse unë kam qenë partizan dhe…”!

“Ç’fitove nga partizanllëku, ore qyq? Zholin fitove”! – dhe i tundi gishtin e madh.

“He-e-eh”! – hoqi thellë plaku.

“I humbe me mall, me gjë, me toka, me bagëti, me vëlla, me nipër, me mbesa…”!

“Po, për fat të keq”!

“Të ngeli hosteni, prapa bishtit të kuajve dhe qeve”!

“Ç’t’i bësh Selo, kjo na ra në hise”!

“E shkuara s’kthehet, të shohim para”! – ndërhyra, sepse si nisi Sela, s’dihej ku do dilte.

“Ashtu është, do ndrequr ç’të ndreqet”!

Shfreu gjersa pruri porosinë kamerieri, mori filxhanin dhe uroi:

“Të rrojnë ç’të ka falur Zoti”!

“Ju falem nderit! Sot po takohemi për një çështje me rëndësi”.

“Ku ka më të rëndësishme se familja”? – ma ktheu Muharremi.

“S’ka! – pohoi Sela. – Po jemi mbledhur për tuajën, se s’i ke të gjithë”!

“Shyqyr zotit, e kam numrin sagllam”!

“Tët vëlla ku e ke”?

“Pranë të madhit Zot”!

“Vërtet shpirtin e ka pranë Zotit dhe Abas Aliut, ama eshtrat i kanë humbur, pa nam e nishan”!

“Ishte koha, vëlla! Ai ra në burg dhe u ndamë së gjalli, pastaj humbi si sëpata pa bisht, në internim”!

“Humbi apo s’e kërkuat”?!

“Të them të drejtën, e mora vesh vonë”.

“Po fëmijët e tij”? – ndërhyra unë!

“U shpërndanë si zogjtë e korbit pas vdekjes së t’ëmës, një këtu, tjetri atje”.

“Sepse s’i përkrahu njeri”!? – e akuzoi bashkëfshatari.

“Aman, mos m’i gërvisht plagët”! – një lot i shkau qerpikëve dhe u rrokullis në brazdat e thella.

“Muharrem, ku gjenden fëmijët e tij”? – e pyeta për të ndërruar temë.

“Një çun i ka vdekur, nja dy kanë humbur në kurbet. I ka mbetur një çupë në Elbasan”.

“Si mund të lidhemi me të”?

“Do përpiqem t’i gjej”!

“S’ka problem, do bisedoj unë me Mit’hatin”! – ndërhyri Faiku që deri ato çaste, vetëm kish dëgjuar.

“Cili është Mit’hati”? – pyeti Sela.

“Burri i mbesës”! – sqaroi plaku.

“Një oficer policie, do të na orientojë për të gjetur eshtrat, do doja të ishin prezent, njerëzit e afërm”.

“Ku ka më afër nga unë? Jam i vëllai”! – kërceu Muharremi. –

“Nisemi qysh sot”!

“Ku”?

“Në Malinat”!

“Do flas me oficerin për të lenë ditën, po e mira e do të jenë, edhe fëmijët e tij” – e mbylla. Pagova dhe u ndamë.

Të nesërmen i tregova I.-së, për takimin me vëllanë e Aliut.

“Jam gati të nisemi edhe natën”! – shprehu entuziazëm oficeri.

“S’e vë në dyshim gatishmërinë tënde”! – ia ktheva.

“S’është çështje vullneti, po sa vë kokën në jastëk, më ushtojnë veshët dhe me sulmojnë ëndrrat”.

“Qetësohu”! – e këshillova.

“Një fjale goje, po vihu në pozitat e mia”!

“Do nisemi sapo të vijnë familjarët e tij”.

Pas dy ditësh më thirrën nga fundi i shkallëve.

“Urdhëroni”! – ishin një çift të moshuarish.

“Kemi një punë me ty”! – foli burri.

“Po ju dëgjoj”! – i mendova hallexhinj që më trokitnin në zyrë.

“Nuk flitet nga fundi i rrugës”.

“Ti je Shkëlqim Abazi”? – pyeti burri.

“Po”!

“Po të presim poshtë”! – dhe morën tatëpjetë.

Tej xhadesë, më këqyrën të përqendruar, një grup gjashtë-shtatë veta. Njoha Muharremin dhe të moshuarit, që para do minutash më zunë pragun e shtëpisë.

“Janë nga Elbasani”! – m’i prezantoi Muharremi.

“Jam dhëndëri i Ali Hoxhallarit! – m’u paraqit i moshuari – Kjo, gruaja dhe këta djemtë e mi”!

U futëm te gjashtëkatëshi dhe porositëm kafe.

“Ju jeni vajza e Aliut”? – iu drejtova gruas.

“Unë, ditë-zeza”!

M u duk moshatare me nënën time, mbase veshja e Sulovës e tregonte më të plakur.

“Ku banoni”? – iu ktheva të shoqit.

“Në Sulovë, po fëmijët lëvizën në emigracion dhe s’dëshirojnë të kthehen në fshat”.

“Normale, duan jetë më të mirë”! – mbështeta idenë e djemve për t’u ngulur gjetkë.

“Këta keni”?

“Kemi gjashtë, të mëdhenjtë janë në Greqi, dy vajza të martuara, këta janë të pleqërisë”!

“I kemi binjakë”! – shtoi gruaja.

“T’u rrojnë, i paçi me jetë”!

“Faleminderit”!

“Po ti ç’fëmijë ke”?

“I dhashë përgjigje”.

“Ky është miku i Aliut”! – u fut në thelb Sela.

“Qofsh me nder! Ku je njohur me babanë”?

“Në burg”!

“Qyqit baba, i iku jeta burgjeve dhe internimeve”! – ofshau gruaja.

“Keni pasur baba të ndershëm, për të cilin duhet të ndiheni krenar”! – shtova unë.

“I shkoi jeta xhehenem mavrisë, s’pa një ditë selamet”! – psherëtiu burri.

“Një oficer di vendin, mendoj të veprojmë, sa pa zënë shirat”.

“Të nisemi qysh sot”! – u hodh njëri nga binjakët.

“S’mundemi pa oficerin”.

“Po si do bëjmë”? – pyeti Muharremi.

“Nesër”! – vendosa unë.

“Mirë, ku do takohemi”? – pyeti Sela.

“Nëse dëshironi, flini te unë”! – i ftova. Memorie.al

“Unë nuk jam komunist, por s’mund të shpif për të shpëtuar kokën”, fjalët e fundit të Llazar Fundos

URAN BUTKA

“Për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri-tjetrit!” Giorgio Braccialarghe, antifashist i burgosur me Llazar Fundon në Ventotene

Llazar Fundo ishte një përfaqësues tragjik i atyre intelektualëve të majtë shqiptarë, që e përqafuan komunizmin si një ideal shpëtimtar për njerëzimin, por që u zhgënjyen plotësisht nga praktika kriminale e komunizmit në Rusi e vende të tjera dhe u bë një nga kundërshtarët e atij sistemi çnjerëzor e antidemokratik, madje edhe një nga viktimat e tij.

Kishte kryer shkollën e mesme në Liceun francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris, njeri me kulturë të gjerë perëndimore dhe mik i personaliteteve të shquara të kohës: E. Heminguej, A. Barbys, R. Rolan, L. Pirandelo, S. Pertini, A. Einstein, Gj. Dimitrov, F.S. Noli, L. Gurakuqi. A. Rustemi etj.

Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve ’30-40 në Shqipëri e më gjerë. Pas vrasjes së Avni Rustemit u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe ndihmësoi në Kryengritjen e Qershorit 1924. Më pas mërgoi në Evropë dhe bëri pjesë në krahun revolucionar të emigracionit politik shqiptar atje. Shkroi artikuj te gazeta “Çlirimi Nacional” dhe në shtypin europian. Shkoi në BS për të studiuar dhe njohur nga afër përvojën sovjetike të propaganduar me aq bujë, madje u bë pjesë e Kominternit, por atje gjeti tiraninë staliniste, krimin shtetëror, dhe mashtrimin më të madh, të cilat i denoncoi me kurajë. Nga Moska i shkruante Nolit: “Komunizmi që ne e idealizonim si Krishti, ia kaloka edhe Satanait për nga ligësitë”.

Kominterni e dënoi me vdekje “renegatin Fundo” dhe ai mezi mundi të shpëtonte kokën duke kaluar nëpër katakombet e nëndheshme të Moskës e të strehohej sa në një vend të Evropës në tjetrin.

“Ai u shpëtoi spastrimeve,- shkruante E. Hoxha. -Pas kësaj ai rronte herë në Francë, herë në Zvicër e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar kundër komunizmit, kundër BS, kundër Stalinit” [1]

Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, u kthye në atdhe dhe e kundërshtoi hapur këtë okupacion. “Në prag të pushtimit fashist, – shkruante E.Hoxha me mburrje, me cinizëm dhe zili,- në kulmin e demonstratës popullore, Zai Fundo u ngjit në shkallët e bashkisë dhe mbajti një fjalim antifashist gjithë figura e gjeste ekzakte. Ne e njihnim figurën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë ato e bënë efektin” [2]

Për kundërshtimin e hapur që Fundo i bëri pushtimit, në vitin 1941 u burgos dhe u internua në Ventotene të Italisë bashkë me shumë antifashistë të tjerë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Selman Riza, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa, Gani e Said Kryeziu, Hasan Reçi, Sadik Bekteshi etj.. Sandro Pertini e çmonte Llazar Fundon, kur thoshte: “Zai Fundo është një personalitet me vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën” [3]

Të burgosurit në Ventotene, duke përfshirë edhe intelektualët antifashistë shqiptarë, ndihmësuan jo vetëm në qëndresën antifashiste, por edhe në hartimin e një projekti politik për Evropën e Bashkuar pas luftës, që u quajt “Manifesti i Ventotenes” dhe u bë baza e ndërtimit të mëvonshëm të Europës së Bashkuar. Por, as “Historia e Shqipërisë”, as ajo e Luftës NÇ, nuk i përmend këto kontribute të shquara të antifashistëve të parë shqiptarë

“Mes të internuarve ndodhet edhe një shqiptar, Llazar Fundo, që ka studiuar në Paris, në Sorbonë dhe ka bredhur Europën mbarë e prapë, ka qenë në Moskë. Pasi u shkëput nga Partia Komuniste, iu afrua asaj Socialiste. Bujar, i hapur, me shumë kulturë, me shpirt djaloshar: bëhet menjëherë mik i Pertinit. Takohen edhe një herë, për herë të fundit, në Romë, në gushtin e vitit 1943. Pertini i lutet që të rrijë, por Fundo do të kthehet në Shqipëri, që të luftojë bashkë me njerëzit e vet.” [4]

Altiero Spineli, europianisti i shquar, i burgosur në Ventotene, shkruante: “Përbërja politike e kolonisë së Ventotenes ishte në fillim e ngjashme me atë të Ponzas. Lajmi i parë qe ardhja e nja 50 shqiptarëve. Kishte edhe nja dhjetë intelektualë që kishin studiuar në universitetet më të mira të Evropës, flisnin tre-katër gjuhë përveç të tyreve dhe që ishin burgosur për tentativë të organizimit të rezistencës kombëtare. E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, që kujtimi i tij të mos zhduket tërësisht. Ishte njeriu më me autoritet mes gjithë shqiptarëve, pasi kishte një përvojë të gjatë dhe të ndërlikuar politike… Kësaj i shtohej edhe zgjuarsia dhe njohja e jo pak gjuhëve; veprimtaria e tij politike shkonte përtej Shqipërisë.”[5]

Është e kuptueshme pse Llazar Fundo, pasi u lirua prej Aleatëve nga internimi, erdhi bashkë me Gani e Said Kryeziun në Kosovë dhe u angazhua me lëvizjen “Kryeziu”. “Mendja e tij e ndritur, – shkruan britaniku P. Kemp, – ndershmëria dhe guximi i tij kishin bërë të fitonte besimin dhe admirimin e tyre (Kryezinjve – UB) duke u caktuar si kryekëshilltar politik në fushën e betejës. Njohja nga ana e tij e shtatë gjuhëve të huaja, e bënin atë jashtëzakonisht të dobishëm në këtë shërbim.”[6]

Të gjitha dokumentet që ruhen në Arkivin e Shtetit Shqiptar, dëshmitë e bashkëkohësve, konstatimet e misionarëve britanikë (Emeri, Kemp, Simkoks, Hill, Hibbert etj), pohimet e letrat, radiogramet e vetë udhëheqësve komunistë (E.Hoxha, F.Hoxha, etj), bile edhe disa udhëheqësve të PKJ (Tito, Stoiniç, Dizdareviç etj); pra, gjithçka provon se Kryezinjtë, e bashkë me ta edhe Fundo, luftuan kundër pushtuesve gjermanë në Tropojë, Gjakovë etj..

Lëvizja “Kryeziu” është një nga lëvizjet e rëndësishme çlirimtare në Malësinë së Gjakovës dhe më gjerë. Në krye të saj ishin vëllezërit Hasan, Gani dhe Said Kryeziu, si edhe Llazar Fundo. Kryezinjtë, si luftëtarë nacionalistë, nuk pranuan të hynin në Frontin NÇ të Shqipërisë, sepse shikonin tek Fronti NÇ Partinë Komuniste Shqiptare, që realisht drejtohej nga emisarët e PK Jugosllave M. Popoviç, D. Mugosha, V. Tempo, V. Stoiniç etj. Por nuk u inkuadruan as tek partitë e tjera. Kryezinjtë mendonin që nuk duhet ta bënin lëvizjen e tyre pjesë të partive apo të organizatave politike dhe, duke qëndruar si forcë e paangazhuar ndërmjet dy grupimeve kryesore të rezistencës shqiptare, por edhe duke luftuar në bashkëpunim me ta e faktorët e tjerë, do t’i shërbenin më mirë luftës për çlirim dhe çështjes kombëtare.

Edhe propozimit për të hyrë në Lëvizjen NÇJ të Kosovës, Kryezinjtë iu përgjigjën negativisht, sepse Lëvizja Nacionalçlirimtare e “Kosmetit” ishte pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe varej nga KQ i PKJ, që mbante qëndrime paternaliste dhe kishte synime shoviniste e gllabëruese ndaj Kosovës, madje edhe ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër populli shqiptar i Kosovës, për shkak të robërisë 30-vjeçare serbe, politikave koloniale, gjenocidiste dhe shkombtarizuese serbomëdha, nuk mund të mbështeste asnjë lëvizje që vinte nga Serbia apo aleatët e saj, aq më pak komunizmin që bartte lufta e tyre nacionalçlirimtare.

Kështu, Lëvizja “Kryeziu” ruajti një fizionomi të vetën dhe një filozofi të vetën: një Kosovë e lirë mbi bazën e luftës antifashiste, pa flirte e bashkëpunim as me serbokomunistët dhe as me okupatorët nazifashistë. Mirëpo kjo lëvizje çlirimtare, ngjalli kundërshtimin e komunistëve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, që u përpoqën bashkërisht ta asgjësonin.

Pothuaj në çdo letër, radiogram, qarkore etj., që Titoja i dërgonte PKSH dhe E. Hoxhës, porosiste asgjësimin e Llazar Fundos, duke përcjellë jo vetëm vendimin e Kominternit, por edhe shqetësimin e tij për Lëvizjen “Kryeziu” e Zai Fundon, që përbënin një kërcënim për interesat jugosllave në Kosovë e në Shqipëri.

Edhe udhëheqësit komunistë të Kosovës e dëshironin këtë dhe bashkëpunimin me E. Hoxhën për likuidimin e Zai Fundos e të Kryezinjve. “Suksesi i vëllezërve Kryeziushihej me xhelozi nga partizanët kosovarë të udhëhequr Fadil Hoxha dhe Mehmet Hoxha”. – shkruante Hibbert. [7]

Në radiogramin dërguar Liri Gegës, datë 8.8.1994, E .Hoxha udhëzonte: “Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade. I thashë Fadilit ta vrasë pa marrë parasysh asnjë rrethanë”.[8]

Udhëheqësi i PKSh dhe i Luftës Nacionalçlirimtare shqiptare i kërkonte Fadil Hoxhës që “ta vrasë Zai Fundon pa marrë parasysh asnjë rrethanë!” Vetëm një terrorist e kriminel mund të vepronte kështu. “Ka dijeni Dushani e Rade!”- thoshte E. Hoxha. A nuk flet qartë edhe kjo për bashkëpunimin midis udhëheqjes së PKJ dhe udhëheqësve të PKSH për vrasjen e shqiptarëve, dhe në mënyrë të veçantë të LL. Fundos?

Kur luftëtarët e Gani Kryeziut, ku bënte pjesë edhe Ll. Fundo dhe britaniku Simkoks, luftonin kundër gjermanëve për çlirimin e Gjakovës, shtator 1944, u sulmuan pabesisht nga të dy anët e kufirit: nga Ushtria NÇ e Shqipërisë, Brigada V S e komanduar nga Shefqet Peçi dhe Manush Myftiu, si edhe nga aradhet e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të komanduara nga Fadil Hoxha.

Asgjësimi i Lëvizjes “Kryeziu” ishte rezultante e marrëveshjes dhe e këtij bashkëpunimi, e pohon edhe vetë E. Hoxha: “Interesi i dy partive tona dhe i luftës sonë të përbashkët kërkon që këta armiq (Kryezinjtë –shën.im. UB) të dënohen ashpër Njerëz të tillë meritojnë plumbin ballit. Ushtria jonë nacionalçlirimtare i kapi këta banditë dhe i dënoi me vdekje” (E. Hoxha vepra I)

E. Hoxha i dërgoi më 21.09.1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH ne Veri, përgjigjen e mëposhtme: “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t’i vijnë në ndihmë kosovarët.” [9]

E. Hoxha i konsideronte kosovarët kundërshtarë. Ai merrte me gjakftohtësi autorësinë e këtij krimi: “U dhamë urdhër forcave tona t’i gjurmonin, t’i ndiqnin, t’i kapnin dhe t’i shpartallonin Kryezinjtë së pa filluar mirë puna. Urdhri ishte zbatuar, tradhtarët ishin kapur. Zai Fundoja, Said Kryeziu dhe majori anglez Simkoks në mal të Dobrejt, ndërsa Gani Begu në fushë të Bytyçit, ku kishte ngritur çadrat e kuartierit të luftës, të sjella nga Anglia.” [10]

Udhëheqësi i Luftës Nacionalçlirimtare, E. Hoxha i ktheu menjëherë këtë radiogram Korpormatës I:

“Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve. Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këtej. Zain e vrisni andej” [11]

Komandanti i Brigadës V të Ushtrisë NÇ, Shefqet Peçi, e tërhoqi Fundon zvarrë, të lidhur pas samarit të një mushke, nga Mali Dobrej në Kolesian të Lumës dhe pasi e torturoi për vdekje, sipas porosisë së E. Hoxhës, e detyroi të jepte shpjegime për pyetjet që i dërgonte Pons Pilati me radiogram. Pyetjes: Pse erdhe në Kosovë? Fundo iu përgjigj: “Pranova të vij në Kosovë dorë për dorë. Dëshiroja vetëm që të kurorëzoja këtë karrierë me luftën kundër gjermanëve. Erdha se këtu gjeta një shesh ku mund të luftoj kundra gjermanit. Ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk jam njeri me dy faqe dhe nuk jam prej atyre që marrin direktiva ngado që të vijnë. Kush të më dërgonte mua në Kosovë?”

Në përgjigje të pyetjeve të tjera para pushkatimit, Fundo u përgjigj: “Unë s’jam komunist. E vërteta është se s’kam qenë kurrë komunist tamam. Afati kaloi. S’di më ç’të them. Po të kisha pasur gjëra për të thënë, do t’i kisha thënë. Po s’mund të shpif për të shpëtuar kryet. Nuk mund ta shkel ndërgjegjen time. Prandaj po e vulos vdekjen time. Lutem, në është e mundur, fotografitë që kam në çantë, t’i çohen nënës sime, në qoftë se rron”-LL. Fundo (Firma). [12]

Shefqet Peçi e pushkatoi menjëherë pa gjyq më 23 shtator 1944, sipas porosisë së Enver Hoxhës: “Zain ta torturoni për vdekje dhe ta vrisni andej, sikur ai të mos ishte një njeri, një shqiptar, një personalitet i kombit dhe një luftëtar i shquar antifashist, por si një qen: Zain ta vrisni andej”. Që të mos i dihej as varri.

“Vrasja brutale e Fundos, shkruante britaniku Hibbert, ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit komunist” [13]

Ndërsa F. Noli, kur e mori vesh pushkatimin e LL. Fundos, shkroi: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundoja!”

Ernesto Rossi, në një letër dërguar nga Roma drejtuar Stavro Skëndit, një nacionalist shqiptar i internuar në Ventotene, mik i Spinellit dhe Rossit, e kujton Llazar Fundon kështu: ‘Mora vesh me dhimbje të madhe vdekjen e Fundos. Ishte njeri bujar, inteligjent, që mund të kish dhënë një kontribut të shquar në rindërtimin e vendit të vet, po qe se bota nuk do shkonte drejt greminës, siç po bën tani.” [14]

Giorgio Braccialarghe, antifashist i burgosur në Ventotene, shkruante për Llazar Fundon: “Mes shqiptarëve shquhej Fundo, një intelektual që kish qenë anëtar drejtues i partisë komuniste dhe që më pas kishte kaluar në opozitë. Jetonte tërësisht i izoluar, i zhytur në studimin e greqishtes, sikur të kërkonte prej Homerit miqësinë që nuk gjente mes bashkëkohësve të vet. Me rënien e fashizmit, u kthye në atdhe për të luftuar kundër gjermanëve. Ish-shokët e tij i përgatitën një fund të tmerrshëm, duke treguar edhe njëherë se për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri- tjetrit!” [15]

[1] E. Hoxha, “Kur lindi Partia”
[2] Po aty
[3] Nga kujtimet e A. Krepashanit, ish -i internuar politik në Ventotene, dorëshkrim.
[4] Sandro Pertini, “Sei condanne due evasioni”, Milano 1978).
[5]Altiero Spinelli “Come ho tentato di diventare saggio”, Bologna, 1984 etj. Nxjerrja dhe përkthimi i materialeve italisht nga E. Petriti.
[6]Kemp “Pa flamur apo emblemë”.
[7] Hibbert, Fitorja e hidhur, f. 311
[8] AQSH, F.41, D.158,v. 1944
[9] AQSH, Fondi 41, D. 158, v. 1944
[10] E. Hoxha, Rreziku Anglo-amerikan”
[11] E. Hoxha, Radiogram për Korp.I 21.09.1994
[12] AQSH, Fondi 14/AP d. 101 v. 1944
[13] Hibbert, Fitorja e hidhur
[14] Ernesto Rossi: Epistolario 1943 – 1967
[15] Giorgio Braccialarghe: “Nelle spire di urlavento, il
confino di Ventotene”, Firenze, 1970.
[16] E. Hoxha, Radiogram për Korp.I 21.09.1994

/Gazeta Panorama/

Refleksionet e ish-të burgosurit politik: Djem si yje, kurdisnin martesa me vajza komunistësh, për të qëndruar në krahinën ku kryenin shërbimin ushtarak

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Për herë të parë dëgjoja të flitej hapur mbi këtë temë, paçka se gjithë jetën kisha qenë nën mbikëqyrje, por kur i dëgjova hamendësimet nga goja e një protagonist, ishte e veçantë. U përpoqa të gjeja të afërm të Aliut, gjersa kontaktova një fshatarin e tij, që më rekomandoj një të mbesën, martuar në Uznovë.

E takova dhe i rrëfeva kush isha, po s’më mirëpriti, madje më dha të kuptoj se veç mbiemrit të vajzërisë dhe qenies nga një mëhallë, s’e lidhte gjë me Afi Hoxhallarin.

Bashkëfshatari, ngulmoi në të tijën:

“S’di ç’të ka thënë, e ka çupë vëllai. Ajo është bash shkaktarja e sherrit me vajzën e Zejnullahit, që u bë shkas për arrestimin dhe dënimin e xhaxhait”.

“Mbase gabon, ajo pranoi që janë nga një mëhallë, por s’kanë lidhje gjaku”.

“Ç’llafos, e njeh ti apo unë!? Jemi rritur në një fshat”!

“Kështu tha”!

“Pa-pa-pa ç’lepuj, iu kanë hyrë ethet e frikës, sa mohojnë edhe të afërmin”?!

“Ajo s’pranoi të kishte lidhje”.

“Do vemi bashkë”?

“Dakord”.

Shkuam të nesërmen.

Punëtorët ishin mbledhur xhumbë te hangarët dhe diskutonin për politikë, dikush ulërinte se e ardhmja do të jetë më e mirë, tjetri ia priste se do vdisnin urie, ngaqë fermat po ua ndanin bejlerëve dhe agallarëve, të rikthyer në pushtet.

Bashkëshoqëruesi hyri, dhe pas dy minutash doli në shoqërinë e një zonje mbledhur me shami. Njoha gruan e ditës së parë, që sa më pa u skuq spec, mbase e terrorizoi prania e një të panjohuri.

“Pse e mohove xha Alinë, moj shushkë”? – iu shkreh bashkëfshatari.

“Kam kalamaj, Selo”! – u gjegj dhe iu çakërritën sytë.

“Ky është mik i xhaxhait, moj teleshmëne”!

“Unë s’mbaj mënd xhaxhanë, jo miqtë e tij”!

“S’e kupton që komunizmi i ktheu patkonjtë nga dielli, moj teveqele”?!

“Aman Selo, na more më qafë”! – iu lut gati në lot.

“Më fal! S’ke pse tutesh, kohët kanë ndryshuar”, – ndërhyra.

“S’na mbron kush ne, o vëlla! Ata të marrin ymrin”!

“Natyrisht kanë mbjellë frikë, po të jesh krenare për xhaxhanë tënd, që iu kundërvu sistemit pa iu dridhur qerpiku dhe sot meriton të nderohet”.

“Ku do ta gjejmë që ta nderojmë, i ka humbur emri dhe hija”! – u shkreh në vaj.

Teksa rrekej të mbyste dënesat, supet iu drodhën dhe herë-herë kthente kokën drejt hangarëve.

“Pse druhesh”? – e pyeta.

“Kam kunatin këtu”!

“Thirre, ç’të keqe ka”?

“Do marrë vesh brigadieri”!

“Punë e madhe, po pastaj”? – u hodh bashkëfshatari.

“Na hoqe kafshatën e kalamajve, Selo”!

“Akoma ke frikë ti? A e di kush është ky”? – shënjoi me gisht nga unë.

“Jo”!

“Shefi i kuadrit të Degës së Brendshme, moj tutkune”!

U step, ndofta s’u besoi veshëve.

“Lermë rehat, Selo vëllai, mos u tall me mua”!

“Pse, për t’u tallur kemi ardhur ne?! Është pe vërteti, o shushkë”!

Hija e policëve të komunizmit dhe uniforma blu, ishte më shumë se impresion, për mbesën e një të dënuari politik. Një polic i asaj kohe, të kallte datën, shefi i kuadrit të bënte gjëmën, vetëm emrin t’iu dëgjoje, jo të kishe të bëje me ta.

Nga poshtë shamisë, ngriti një palë sy të shqyer e të përlotur që shprehnin frikë, panik, terror, pyetje, shpresë… dhe m’i nguli me mosbesim.

“Motër, është e vërtetë! – ndërhyra. – Tash ca muaj gjërat kanë ndryshuar, polici dhe shefi i kuadrit, s’janë më qenie të pakapshme nga njeriu i thjeshtë. Perënduan shefat që bënin biografitë, në demokraci bëjmë vetëm politikën e personelit”.

Ngriu me kryet lart, mbi fytyrë iu ndeh një zbehtësi meiti, iu morën këmbët dhe u plas mbi një cung fiku.

“E vërtetë është kjo”? – pyeti sy çakërritur.

“Sigurisht”!

Punëtorët që panë kolegen duke qarë, u afruan, por s’e kuptuan ç’kish ngjarë. Nja dy të rinj që më njihnin qysh nga fushata zgjedhore, m’u drejtuan:

“Shefo, ç’e mirë të solli këtyre anëve”?

“Kisha një takim me këtë zonjën”!

“Me këtë?! Kjo është shoqe, i nderuar”!

“Pse e gjykoni keq”?

“Është me komunistët”!

“S’besoj të jetë e tillë, mbesa e mikut tim të burgut! Përsërite se s’ma zuri veshi”? – dhe zgjati qafën.

“Është plotësisht e vërtetë”!

“O Zot, ç’kemi hequr ta bindnim, të votonte për ne”!

“Për Partinë Demokratike kam votuar”! – u hodh gruaja, nga trungu ku ish ulur.

“Jo moj, jo”!

“Për kokën e fëmijëve”! – u betua.

“Na e prure majë hundës, moj të ngrënça hallvanë”!

“Ç’të bëja, kisha frikë”!

“Nga kush, moj”?

“Nga brigadier”! – dhe ktheu kryet e tromaksur.

“Nga ai spiuni, moj”?! – e pasoi me një sharje ordinere.

“Qetësohu, do takohemi më vonë”, – e mbylla, u zgjata dorën dhe u largova. Pa hedhur pesë hapa, dëgjuam:

“Selo, o Selo”! një meso burrë iu afrua dhe diç folën.

Kur erdhi, më kumtoi se pasdite do takoheshim me vëllanë e Aliut dhe burrin e mbesës.

Në orën e caktuar, zura një tavolinë karshi një të moshuari, që e njihja nga koha e internimit dhe një më i ri.

Kur erdhi Sela, iu drejtua klientëve kundruall:

“Pse rrini atje”?

“Kemi një takim”! – u hodh më i riu.

“Me kë, o”?

“Me një mik”! – ia pati i vjetri.

“E njihni”?

“Jo”!

“Ky është miku”!

“Si!? Ky me ty”!?

“Po”!

“Tamam ky”!?

“Ky po ju them”!

“Si, si, ky”!?

Gajasjes së Selës, dy të tjerët, iu përgjigjën me habi, kurse unë s’po iu besoja syve.

Me Muharremin kisha punuar dy vjet dhe s’e kisha ditur, se mund të kishte ndonjë lidhje me Aliun. Mbante mbiemrin Hoxha dhe hiqej veteran lufte, të gjithë i druheshin, sepse e mendonin hafije, unë më shumë se të tjerët. Prej vitesh shërbente në stallat e kuajve dhe qeve; atje hante, atje flinte, atje rrinte, në fshat shkonte një, apo dy here, në muaj.

Përflitej për vese, sidomos në çështje nderi dhe kishte relata të ngushta me brigadierin e operativin, gjë që më detyroi t’i rrija larg. S’e imagjinoja pse sillej kësisoj, ndoshta bënte jetë dyfishe, si shumë anonimë në atë regjim, por qenia partizan, m’u duk e mjaftë, për të ruajtur distancën.

Jetë dyfishe

O Zot, ç’tjetërsim pësoi personaliteti në socializëm! U deformua karakteri, u përçudnua mentaliteti dhe individi bënte jetë të dyzuar; qeshte kur duhej të qante, qante kur duhej të qeshte, të tjera bluante në tru, të tjera shprehte.

Lindi homo-amorfi, hibridi ‘Shiva’ gjysmë burrë e gjysmë grua, roboti me mekanizëm të komanduar, në vend të trurit, me zemër krudele që qarkullonte limfë, në vend të gjakut. U projektua; l’uomo nuovo, impianti me zemberek, në vend të trurit, robi-kameleon, me njëqind lëkurë, vampiri homofag, me dhëmbë çatallë, kuçedra e gatshme të shqyente të afërmin, në emër të Partisë, madje t’i pinte gjakun, evlatit!

Për t’ju fshehur ndërgjegjes, sajuan pamjen-karnaval dhe ngjitën maska për t’iu mbuluar hallkut. Lejfenizimi ngjizi dhe instaloi sistemin e regjimin maskë!

Maska dhe maska, dhe maska kudo…!

Një për rrugë, një për punë, një për mbledhje, një për kafene, një për shkollë, një për stadium, një për kinema, një për teatër, një në takime me të njohur, një me të panjohur dhe kur mbyllej dita e kthehej në shtëpi, i flakte mënjanë, për të vënë më të shëmtuarën, maskën familjare.

Maska shtëpiake ishte më e pështirë, sepse lipsej cicëruar me masë edhe brenda kuvlisë. Mos o zot të shpëtonte ndonjë xhevahir që e dëgjonin fëmijët dhe të nxirrnin zbuluar në mexhlis.

Në shtrat ku shpresoje të ishe i njëmendtë, duhej të zotëroje orgazmat dhe të dominoje ëndrrat, se vaj medet, po të shfaqej ndonjë fantazmë borgjeze, që ndëshkohej njësoj si zhgjëndrrat.

Askund dhe askush s’guxonte të shfaqte fytyrën reale. Mbase në arkivol! Por, pasi të shprehje kënaqësinë se po vdisje i lumtur, që lije Partinë të fortë! Pra, edhe pasvdekja, dënohej njësoj…! U gjeneruan maskat. Maska dhe maska, dhe maska kudo…! Lipsej të mohoje të tjerët dhe veten.

Propaganda, premtoi lugën e florinjtë dhe të ardhmen e ndritur. Teksa lufta klasore lëshoi frerët dhe vazhdonte të prodhonte armiq në fshat, në qytet, në qendra pune, në shkolla, në reparte ushtarakë, gjer në celulën familjare, një urrejtje e shfrenuar, që do ta zilepsnin edhe kanibalët, u kall në gjirin e masave; eliminuan etërit e Kombit, elitën intelektuale, patriotët e pavarësisë, të edukimit, të evropianizimit; bllokuan gjer në ndrydhje dhe i zëvendësuan me paçavuret bolshevike të socrealizmit (gënjeshtrës), literaturën e traditës dhe trashëgiminë popullore; didaktikën ‘Makarenko’ e shndërruan në palavi sociale, që ndikoi në intoksikimin kolektiv.

Banditët antropofagë, iu këndonin vrasësve:

“Tradhtarët porsi miu, i dënon Bedri Spahiu…”! “Armiqtë në varr, tradhtarët në litar! T’u pimë gjakun! T’u bëjmë hakun! T’i varim! T’i vrasim! T’i presim! T’i dhjesim”!

“Urra-a-a-a”! ovacionet i dhanë emrin epokës. Nisi tollovia kolektive:

Shembull themeli edukativ, u bënë anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës Shqipërisë, lapërdharët që zgërdhiheshin në posterat e ngulur në fasadat e atdheut, që ndanë gratë dhe braktisën fëmijët, për t’iu gëzuar të rejave të bukura, të arsimuara, sidomos të partishme.

Majmunët i imituan dhe anatemuan të afërmit e farefisin, nënën, babanë, motrën, vëllanë, pse s’u bënë me komunistët në kohë të luftës, po zunë barrikadën matanë.

U shprish gjenetika, lindi një grup gjaku “komunist”, që nën shembullin e shëmbëlltyrave pa din e iman, qenë gati të këpusnin çdo gjen e çdo fije, që i lidhte me familjen; emër, mbiemër, racë, fis, të afërm e të largët, madje të ndërronin edhe gjakun.

“Do bëj dializë”! – ulërinin delirantët në delirium ideologjik.

“Nga se vuani”? – i pyeste mjeku.

“Nga epilepsia klasore”!

“Ju zuri, do ta hiqni”! – këshillonin pragmatistët

“Duam gjak të ri”! – ngulnin këmbë delirantët në delirium.

“Ç’gjak o rezilë”? – merakoseshin prindërit.

“Gjakun e Partisë”! – dhe delirantët flaknin portretin e prindërve e, puthnin “Njëshin”.

Telendarët u vetë-shpallën vullnetarë permanent. S’lanë aksion rinie pa marrë pjesë, për të “pastruar” biografinë. Vunë në qafë nga një shami me surratet e dy të pafytyrëve, një djali-femër, me kazmë e, një femre-mashkull, me pushkë dhe punonin sa për tre, me synim të mbushnin gjoksin me SSS, S, S, S, S, të mëdha e të vogla. Sa mbyllej muaji, e shtynin edhe një, edhe dy, edhe tri të tjerë.

“Do rri gjersa ta përfundojmë këtë vepër”! – shpallte telendari.

“Sikur të bënim dhe një hekurudhë tjetër”! – hidhej i ngjashmi.

“Për ku, ore”?

“Për në Sazan, pastaj dhe një tjetër nga Sazani në Durrës”!

“Sikur është det në ato anë”!

“Ku lë det pa tharë dhe mal pa çarë, Partia jonë syshqiponjë”!

“Të rrojë Partia”!

“Parti, gjithë bota”!

“Urra-a-a-a! Parti-Enver, jemi gati kurdo…”!

“Pse mos të bëjmë edhe një për në hënë”! – hidhej më telendari.

“Për në hënë”?!

“Pse jo”!

“Të lumtë goja! Si s’na shkoi mëndja më parë”!

“Ku do t’i mbështesim shinat”? – shprehte habinë ndonjë skeptik.

“E di Partia dhe shoku Enver”! – ja priste gjak-shprishuri.

“Të rrojë sa malet shoku Enver”!

“Urra-a-a-a! Parti-Enver, jemi gati kurdo…”!

“Pse ore, para nesh do shkelkan imperialistët amerikanë”?! – mbronte idenë i pari.

“Varu torbën mashtruesve, me siguri s’kanë për të shkelur”!

“Po për ideal, vetëm marksizëm-leninizmi ngadhënjimtar, mund të zaptojë rruzullin dhe galaktikat”!

“Lavdi Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit”!

“Edhe Enverit”!

“Enverit mbi të tjerë, se po Lufton fyt a fyt, me armiqtë e komunizmit”!

“Është fanari ndriçues i proletariatit botëror”!

“Oh, ç’fat na ra në pjesë”!

“Lum ne që lindi Enveri këtu”!

“Mirë se erdhe Enver djali, se neve na mori malli”,- iso djema.

“Marrtë nga ditët e mia”!

“Edhe nga të miat”!

“Si do na kish vajtur filli, po të mos kish lindur fare, ose të kish lindur në Amerikë”?!

“Shë-ë-ët, trys bythën, vetëm kjo tokë lind luanë”!

“Sikur kam dëgjuar edhe për një andej nga Kina…”?

“Dy luanë që ka bota, një Azia, një Evropa…”!

“Ehu-u-u, i madh është kinezi, po joni është gjigant”.

“Urra-a-a-a! Parti-Enver, jemi-gati kurdoherë”.

“Baba, të urrej”! – mallkonte plëngprishësi.

“Unë të dua, o bir”! – ia kthente i ati.

“Pse më linde kulak”? – akuzonte laneti.

“Na bënë të tjerët, unë linda zengjin”!

“Nënë, pse më zure me babanë”? – i kthehej s’ëmës.

“Me kë të zija, o bir”?

“Me Partinë, moj”

“Ku kishte Parti atë kohë”?

“S’e njeh sekretarin e byrosë, ti”!

“Hodon, ore”!

“Po, moj”!

“Ai ishte dy vjeç, kur të linda ty”!

“Më zije me t’anë, sepse ai dinte të pillte komunistë”!

“Ai ishte xhandar, o bir”!

“Ashtu të është dukur ty, ka qenë i maskuar me mision Partie”!

“Se dija, kur të bëj për së dyti, do ta kem parasysh”!

Lapangjozët merrnin nga sytë këmbët, për të humbur gjurmët, fshatit, qytetit, lagjes, mëhallës, rrugicës, shtëpisë, fisit, vëllazërisë. Djem si nuri, kurdisnin martesa me vajza komunistësh, për te qëndruar në krahinën ku kryenin shërbimin ushtarak. “Le të jetë ç’të jete fare e përdalë, qorre, sakate, e urtë, malukate, vetëm t’i shpëtojmë luftës, e ndërsenin, e nganin pa njohur trutharët!

Që qenë gati të bënin çdo marrëzi, për mbijetesën të fëmijëve që mëtonin të sillnin në jetë, lidhën martesë me një femër për t’i shpëtuar baltës dhe bukës së misrit, me gjyvendenë të pacipë të qytetit apo çyryk, sifilitike dhe veneriane, me kusht që të ishte e afërt me pushtetin dhe t’i siguronin dhëndrit jetesë komode. Memorie.al


Send this to a friend