VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Video- Pak javë më parë humbi të ëmën, Pirro Dhima shfaqet në krah të prindërve të Kacifas, momenti kur vë lule te varrezat e ushtarakëve grekë

By | October 28, 2021
blank

Komentet

blank

Fjeti për 9 vite me radhë, historia e pazakontë e Elen Sadler, dhe e sëmundjes së saj të panjohur që tronditi botën

Shekulli XIX ishte një epokë magjepsëse, pasi përkonte me fillimin e revolucionit industrial, modernizimit të mjekësisë, dhe me një ndryshim social që do të ndikonte brezat e ardhshëm. Përveç gjithë këtyre ndryshimeve të rëndësishme, në atë kohë pati edhe shumë ngjarje të çuditshme, të cilat bënë bujë në gjithë botën.

E tillë ishte historia e Elen Sadler, e cila shkoi një natë të flinte si gjithë të tjerët, dhe nuk u zgjua për 9 vjet. Bota u trondit, pasi askush nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte. Rasti i Sadler ishte i pari i mirënjohur me Trypanosomiasis ose Sëmundjen e Gjumit.

Elen Sadler lindi më 15 maj 1859 në një familje të madhe me 12 fëmijë, dhe ku ajo ishte e 10-ta. Familja e saj banonte në fshatin e vogël britanik, Tërvil, që ndodhet midis Oksfordit dhe Bakingamshajër në Angli. Nga këtu vjen shprehja “Vajza e fjetur e Tërvil”. Babai i saj Uilliam Sadler ishte një fermer, që vdiq në moshë të re në një aksident.

E ëma, Ana Sandler u martua sërish me Tomas Fruoen, një punëtor fabrike që i trajtonte fëmijët e saj njëlloj si të vetët. Në vitin 1871, kur Elen ishte rreth 11 vjeç, ajo nuk shfaqteasnjë problem shëndetësor që nga lindja e saj. Më 29 mars, ajo shkoi të flinte bashkë me vëllezërit e motrat e saj si çdo natë tjetër.

Ndryshimi i vetëm, ishte se ajo nuk u zgjua të nesërmen në mëngjes. Pavarësisht se i bërtisnin, e shtrëngonin apo e shtynin, ajo nuk zgjohej. Në fillim, të gjithë menduan se kishte vdekur, por ajo kishte ende puls, dhe trupi i saj ishte i ngrohtë.

Mjekët e zonës e analizuan situatën e saj, por askush më parë nuk kishte parë diçka të tillë. Ata nuk ishin në gjendje të thoshin se çfarë e shkaktonte atë gjumë të thellë letargjik. Ekspertët nga i gjithë vendi shkuan për ta vizituar Elen, por asnjëri prej tyre nuk kishte parë apo dëgjuar diçka të ngjashme.

Ndërsa lajmi rreth Elen bëri bujë në mbarë vendin, shumë njerëz nisën të vinin në shtëpinë e saj për të dhuruar para. Madje disa prej tyre këmbëngulën që të përpiqeshin ta zgjonin. Të gjithë vinin me lloje të ndryshme alarmesh, shpikjesh dhe teknikash, por asnjëra prej tyre nuk funksionoi.

Përveç dhurimit të parave për studimin e shkaqeve të kësaj gjendje, kishte njerëz që do të paguanin një shumë të madhe parash për të marrë disa fije floku të Elen. Duke qenë se familja ishte e madhe dhe të ardhurat ishin të nevojshme, ata pranuan disa nga kërkesat, duke grumbulluar shumë para.

Kjo gjë nxiti një hetim, pasi policia nisi të mendonte se familja po përfitonte nga vajza e gjorë. Por familjarët këmbëngulën se njerëzit dhuronin para me vullnetin e tyre të lirë. Të gjithë u lejuan që ta shihnin Elen pa paguar asnjë tarifë. Të gjithë pyesnin veten se si vajza ishte ende gjallë pas disa muajsh, kur nuk kishte ngrënë apo pirë asgjë?

E ëma e ushqente me zor me supë, qumësht dhe ujë të përzier me sheqer nëpërmjet një çajniku të vogël. Pas një viti, nofulla e vajzës u bllokua, dhe pikërisht atëherë e ëma filloi ta ushqente përmes një tubi të vogël. Mjerisht në vitin 1880, nëna e saj Ana vdiq nga një atak i papritur në zemër.

Bazuar në atë që deklaruan vetë mjekët, stresi i vazhdueshëm, i provokoi shumë ankth, dhe në fund infarktin e miokardit. Vetëm 5 muaj pas vdekjes së nënës së saj, Elen u zgjua pas 9 vitesh të gjata. Ajo ra në gjumë në moshën 11-vjeçare dhe u zgjua në moshën 21-vjeçare.

Ajo u zgjua natën e Vitit të Ri 1880. Të nesërmen (1 janar 1881) gazetat e kishin në titujt e parë. Kur u zgjua, Elen ishte e rrethuar nga vëllezërit e motrat e saj, të cilët i dhanë lajmin e hidhur se të dy prindërit kishin vdekur. Ajo tha se ndjeu sikur u zgjua në një ëndërr. Asaj iu desh shumë kohë për të kuptuar gjithçka që ndodhi, dhe për ta përpunuar atë informacion.

Kur u zgjua, ajo ishte ende teknikisht 11 vjeçe nga pikëpamja mendore, pasi nuk kishte mundësi të fitonte ndonjë edukim apo njohuri të përgjithshme përmes përvojës së jetës.

Ajo e mori veten ngadalë, edhe me ndihmën e hallës së saj Grace Blekoll.

Shumica e parave të mbledhura gjatë gjumit të saj ishin shpenzuar, dhe kjo do të thoshte se Elen duhej ta siguronte vetë jetesën pavarësisht gjithçkaje që ndodhi. Ajo nisi të bënte gjerdanë me rruaza. Disa vite më vonë u martua me një fermer nga Ridingu dhe lindi 6 fëmijë.

Mjerisht Elen vdiq në vitin 1901, pa asnjë shpjegim, dhe pa asnjë të dhënë sesi ndihej në vitet para vdekjes së saj. Kur Elen u rizgjua në vitin 1880, Dr.Gelino nisi të analizonte shkaqet që e zhytën Elen në atë gjumë të thellë dhe çfarë e zgjoi atë.

Atë vit, ishte hera e parë që mjekët kuptuan llojin e sëmundjes që shkaktoi këtë gjumë.
Termi që përdorin sot mjekët për ta përshkruar këtë sëmundje është Narkolepsia. Kjo gjendje e rrallë e trurit, detyron një person të bjerë në gjumë papritmas për periudha të gjata kohore. Po ashtu ajo e çon atë në paralizë gjumi, gjë që do të thotë se ai nuk është në gjendje të zgjohet. Narkolepsia shkaktohet nga mungesa e oreksinës, e cila është një hipokretinë kimike e trurit që na ndihmon të zgjohemi nga gjumi, dhe të qëndrojmë zgjuar gjatë ditës.

Edhe pse narkolepsia nuk shkakton probleme shëndetësore afatgjata, ajo shkakton probleme të rënda mendore për ata që humbin një pjesë të madhe të jetës së tyre, duke fjetur për vite të tëra, ashtu si në rastin e Elen Sandler.

Mund të ndodhë gjithashtu që vdekja e hershme e Elen, të jetë shkaktuar nga depresioni për shkak të humbjes së kaq shumë viteve të rinisë së saj. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet saktësisht se çfarë i zgjon pacientët që vuajnë nga narkolepsia, dhe kjo sëmundje nuk ka ende një trajtim. /Bota.al/

blank

Drejtimi i Vatrës është marrë peng nga instrumente të Ramës – Nga EVI KOKALARI

 

Interesante!! Vatra në New York i jep respekte Floreta Luli-Faber menjëherë mbas deklaratës së Vatranet Michiganit e cila u distancua pikërisht nga Floreta dhe vizita e Edi Ramës.
Siç e theksova dhe në postimin e mëparshëm, Vatra e New York-ut ka pasur shumë ndryshime këto dy vitet e fundit, sidomos mbas instalimit të Elmi Berishës.
Elmi Berisha është shok i ngushtë me Mark Gjonajn, dhe ky i fundit deri para dy vjetësh nuk fliste me ata të Vatrës madje dhe festat e 28 Nentorit i bënin veç. Tashmë, shoh që i festojnë së bashku.
Asgjë të keqe deri këtu sepse kemi nevojë për unitet, por po të shikosh gjërat më në detaje kupton se Vatra e cila anonte nga e djathta, nuk ishte në interes e asaj pjese të komunitetit Shqiptaro-Amerikan që financohet nga Rama.
Gjithmonë ka pasur diskutime në komunitet për lidhjet e ngushta të Mark Gjonajt, Richard Lukajt’ dhe Edi Ramës. Madje, Lukaj ka bisnese me Ramën si në Amerikë, ashtu dhe në Europë.
Kryetari Buçaj është hequr në mënyrë shumë të shëmtuar nga kryesia e Vatrës. E njëjta gjë ndodhi dhe me Mishton.
Dhe Gazeta Dielli ka pasur disa ndryshime rrënjësore këto kohë. Dalip Greca, ish krye-redaktori i cili gjithnjë ka mbështetur të djathtët, u zëvëndësua nga dikush që shumë thonë nuk po i jep platformën e duhur Sali Berishës gjatë këtyre muajve të vështirë për opozitën Shqiptare.
Gjithashtu, kur Elmi Berisha u bë Kryetar i Vatrës, e detyroi Dalip Grecën të fshinte të gjitha postimet që Dielli kishte patur deri në atë kohë në Facebook. Kjo ishte pak e çuditshme për shumë nga ne dhe kuptohet pyetjet për disa nisen që atëherë.
Ndërkohë, dega e Vatrës Manhattan, emëron si sekretar të saj Ilirjan Blloshmin, një anti-PDist dhe anti-Berishjan të tërbuar, gjë që të bën shumë përshtypje kur konsideron se kryetari i kësaj dege është dikush që mbahet për konservativ, mbështes i Trumpit dhe i Berishës.
Ndërkohë, komuniteti dhe anëtar të Vatrës, mbledhin fonde për Carolyn Maloneyn, që është Kongresmene Demokrate, dhe mirë bëjnë, por kur dëgjon që i kërkoj asaj takim për Ramën me Joe Biden, dhe nuk i kërkojnë asnjë llogari për Blinken që po përdor DASH si vegël pune për Sorosin që po shkatërron opozitën Shqiptare, fillojnë dhe lindin shumë pyetje.
Gjithsesi, duket qartë që drejtimi i Vatrës është marrë peng nga instrumente të Ramës, që bie në kundërshtim me parimin anti-komunist dhe patriotik që Vatra ka mbajtur që në fillimet saj.
Personalisht, kam kohë që kam shprehur pakënaqësine time për Elmi Berishën, madje e kam quajtur një gabim që Vatrës do ti kushtoj, dhe shoh që të tjerë nga komuniteti po e kuptojnë këtë tashmë.
Ironia më e thellë është kur sheh Bahri Omarin në foton kryesore të faqes së tyre në median sociale, ndërkohë që drejtimi që Vatra ka marrë, është komplet në mbështetje të atij që po instalon monizmin në Shqipëri.

blank

blank

“29 Nëntori” është dita e vajtimit, është ditë zie – Nga RYZHDI BALOKU

PËRGJIGJE PËR POETEN NGA DURRËSI
Meqë nga përmbajtja artikulli i publicistes së mirënjohur Elida Buçpapaj është i përafërt me perceptimin tim që kam për shenimin e festës së “29 Nëntorit”, po e publikoj (në rubrikën për komente të këtij artikulli) polemikën që kisha pak më parë për këtë çështje me një “mike” poete (shoqe virtuale në facebook) nga Durrësi, e cila jeton në Itali.
Me tekstin që po ju prezantoj më poshtë, e komentova vjershën e saj që ajo ia kishte kushtuar “29 Nëntorit”.
Komenti im ishte si vijon:
“Pas rënies së Berlinit që ishte sulmuar prej forcave aleate, SHBA, Angli, Rusi etj., Gjermania kapitullon. Për këtë arsye forcat gjermane detyrohen të tërhiqen në drejtim të shtetit të tyre.
Partizanët-komunistë të Shqipërisë e gjejnë terrenin e gatshëm, të zbrazët, ngase forcat nacionaliste me vetëdije iu ishin shmangur luftës vëllavrasëse, sepse njeriu si qenie ishte për ta më i rëndësishëm sesa pushteti, që eventualisht do ta kishin
Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, të ndihmuar nga ata jugosllavë, fillon epoka e likuidimeve masive të intelektualëve shqiptarë.
Bazuar në këtë, sipas mendimit tim, “29 Nëntori” është dita e vajtimit, është ditë zie për Shqipërinë, madje ditë zie edhe për Kosovën dhe trojet tjera shqiptare që mbetën nën Jugosllavi”.
Pra, tërheqjen e forcave të armatosura gjermane nga territori i Shqipërisë, nuk e ceka për ta madhështuar atë armatë, por për të treguar se ata i mundi koalicioni i ushtrive të shteteve të lart përmendura, pa e mohuar luftën partizane të komunistëve, e po ashtu edhe të nacionalistëve shqiptarë, që herë pas here e kishin zhvilluar asokohe kundër ushtrisë italiane dhe më vonë edhe asaj gjermane.
“Mikja” poete nga “facebook-u”, për të cilën ju njoftova më lartë, m’u përgjigj me fjalët ofenduese ” t’i ruajt Zoti mendtë ” (duke aluduar në perceptimin tim për “29 Nëntorin”), me motiv se gjatë LDB, gestapoja ia paska torturuar dike nga familja.
Kundruall motivit të saj, bëhet pyetja po çfarë lidhje ka “29 Nëntori” me gestapon, kur dihet mirëfilli që “sigurimi” i Shqipërisë komuniste s’ka lënë asgjë pa bërë, krahasuar me gestapon gjermane.
Si duket zonja poete (nga Durrësi që jeton në “Italinë kapitaliste”, dikur pushtuese e Shqipërisë ) s’e paska lexuar librin “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit, se përndryshe s’do ta lavdëronte “29 Nëntorin” e Enver Hoxhës në vjershën e saj.
PS.
Pas polemikës së cekur, poeten e përmendur e hoqa nga lista e shokëve virtual që i kam në “facebook”, për shkak se mendimet e mia me të sajat për çështje të caktuara janë diametralisht të kundërta.

blank

QENI DHE HANA… – Nga Fritz RADOVANI

Në një mbrame vonë një qen po shikonte hanen. Nuk po i besonte syve të vet! I dukej ma afer se kurr! Ndoshta, i ishte krijue idea se hana edhe mundet me ra… 

Ai po e priste nga minuti në minut ramjen e saj, mbasi kishte kuptue lëvizjen e saj në rrotullim, po nuk po kuptonte se a po lëvizë toka ku ishte ulë, dhe po shikonte naltë…

Pema ishte aty ku e gjeti porsa erdhi me vrojtue hanen… As ajo nuk duket se lëvizë…

Porsa perqendrohej me sy nga hana, i prishej pamja e saj nga shkelqimi i yjeve. Edhe ata nuk i merrte vesht a lëvizin apo edhe ata rrotullohen me hanen në drejtim të tokës, gja që edhe e frigonte ramja e tyne si copa zjarri…

Nuk vonoi dhe iu afrue një deputet i PS që kishte në dorë një foto, që qeni porsa e pau filloi me leh… Prap ju me kete ujk në dorë!?… As qenit nuk ju besue se ai, kishte në dorë foton e everit… Vertetë u tmerrue i shkreti qen kur pau foton e atij krimineli që kishte masakrue Popullin Shqiptar per ma shumë se një gjysem shekulli… Filluen me i rrjell lotët qenit shkretë…

U bane sa e sa vite që ai ujk na pat shkye edhe klyshët tonë…

E ju vazhdoni me na e sjellë per me na frigue me foton e tij…! Filloi i shkreti qen me u topitë nga frika…

Nuk ishte i zoti as me leh… Kishte harrue qeni se ishte data 29 nandor… Priste kot kur, po del drita… Ashtu, si po presin edhe … Shqiptarët tash 30 vjet kur po del ajo.., dritë…

         Melbourne, 29 Nandor 2021.

blank

Jo 29 Nëntorit, sepse historinë s’mund ta bëjnë “fitimtarët” kriminelë! – Nga Taulant Dedja

Nuk është hera e parë që shprehem mbi ketë temë, por për reflektimin e sotëm nuk e fsheh që u motivova edhe nga disa statuse që lexova në rrjetet sociale, statuse të cilët vazhdojnë haptazi me stilin e interpretimit të historisë sipas shkollës kriminale enveriste, stilin e Shkollës së Partisë “Vladimir Iliç Lenin” apo Institutit të Studimeve M-L, të drejtuar nga Merimanga e Zezë.

Ky është shëmbulli i padiskutueshëm që ne ende nuk e kemi berë katharsis si shoqëri. Nëse do perifrazoja Atin e Kombit, Ismail Qemalin, u demokratizua Shqipëria, por duhen demokratizuar shqiptarët. Dhe ky është imperativ historik.

Nuk e di a është e vërtetë, por nëse po, është ulëritës fakti që sot ende ka deputetë në Parlamentin e RSH që bëjnë statuse urimi me surratin e kriminelit Enver Hoxha. Imagjinoj dhe pyes veten: ç’mund të ndodhte në Kanada, nëse larg qoftë, një deputet do deklaronte që Holokausti ndaj hebrenjve ka qenë fiction?!

Sa mjerim që ende diskutohet kur iku gjermani i fundit, që kish marrë me kohë urdhër të ikte, apo sa ushtarë gjermanë e italianë u vranë në Shqipëri! Sa mjerim që ende drejtues të shtetit shqiptar vazhdojnë të kremtojnë si datë çlirimi datën e vendosur nga komunistët vetëm për servilizëm ndaj Titos dhe padronëve të tyre jugosllavë!

Greqia ka festë kombëtare 25 Marsin dhe ditë përkujtimore 28 Tetorin. 25 Marsi është festa e pavarësisë, ndërsa 28 Tetori, përkujtohet si dita kur Greqia i tha “Jo” ultimatumit të Musolinit më 1940. Meqë dhe Franca nuk ka datë zyrtare çlirimi në raport me Luftën e Dytë në kalendarin e festave të saj zyrtare, po citoj rastin e Italisë që ka për datë zyrtare çlirimi 25 Prillin. Data 25 Prill u caktua me marrëveshje në vitin 1946, sepse korrespondonte me ditën e çlirimit të qyteteve të mëdha, Milanos, Torinos dhe Gjenovës në vitin 1945. Italia, vendi që u çlirua nga anglo-amerikanët nuk u lodh të gjente kur u largua gjermani i fundit nga territori i saj.

Djalli e marrtë kaq e vështirë ishte për ne shqiptarët që edhe pas 31 vjetësh përmbysjeje të diktaturës ende të mos fshihej një herë e përgjithmonë nga kalendari i festave zyrtare, festa e jugosllavëve?

Turp për palo Akademinë e Shkencave që nuk i dha dot zgjidhje këtij skandali historik, sikurse dhe turp që ende historianë e gjithologë sahanlëpirës të Bllokut dhe pasardhësve të Bllokut, vegjetojnë ende duke bërë “shkencë” me paratë e takspaguesve shqiptarë!

Sipas meje, kur të mos përmendet më, kur të fshihet përfundimisht nga kujtesa kolektive dhe historiografia zyrtare si datë çlirimi 29 Nëntori (që në fakt është dita e pushtimit gjakatar komunist), ne do çlirohemi përfundimisht nga titisto-enverizmi dhe nga e kaluara makabre 1945-1990.

Ka edhe një pyetje që mund të shtrohet gjithashtu sot: çfarë do të kishte ndodhur nëse në Shqipëri nuk do ishte organizuar fare e ashtuquajtura Lëvizje Nacional-Çlirimtare (sipas meje Nacional-Shkatërrimtare)? Pra çfarë do të ndodhte nëse do vazhdonte Shqiperia neutrale (sipas statusit të garantuar që kur u njoh pavarësia) edhe pse nën italianët dhe gjermanët që na bashkuan me Kosovën?

Për mendimin tim, asgjë më e keqe se e keqja ekstreme që përjetuan shqiptarët 45 vjet dhe që ende po vuajnë pasojat nën thundrën e bijve të atyre që ishin në “anën e duhur të historisë” dhe që nuk ngurruan të çonin në litar edhe poetët.

Jalta (ku vendosi dhe krimineli gjakatar Stalin) i la kufijtë e Evropës, pak a shumë siç ishin para Luftes së Dytë. Në Shqipëri do ish kthyer Mbreti Zog, themeluesi i shtetit modern për kohën dhe drejtuesi legjitim i tij, që nuk e firmosi pushtimin, apo aneksimin nga Italia. Sigurisht për pengimin e Zogut dhe ardhjen e Enverit punuan fort jugosllavët!

Ku jemi sot?

Akoma te diskutimi partizanët apo ballistet (këta të dytët nuk u shitën kurrë te jugosllavët e Miladinit dhe Dushanit). Akoma sot jemi te 28-ta apo 29-ta dhe 29-ta është data e jugosllavëve. Për të vënë kujën!

Çfarë fituam nga marrja e pushtetit prej Enver Hoxhës dhe bandës së tij?

Vrasje, persekutime, shpërfytyrim social dhe shpirtëror, varfëri dhe mjerim!

Jam shumë i bindur që çdo qeveri jokomuniste do ta kish bërë njëqind herë më të begatë Shqiperinë!

Ndaj, o gjithologë neomarksistë, ju lutem boll me tezën se historinë e kanë shkruar fitimtarët dhe për rrjedhojë edhe 29 Nëntorin e kanë vendosur fitimtarët (me kë e diskutuan me që ra fjala?), se ata “fitimtarë” që ju përmendni, janë kasta më kriminale në gjithë historinë e shqiptarëve!

©Taulant Dedja

blank

Përgjigje pyetjeve pse më 28 Nëntor?! Nga Laureta Petoshati

Figura e madhërishme dhe e pavdekshme e Skënderbeut, një nga katër gjeneralët më të famshëm të historisë së të gjitha kohërave i bën nder historisë së Shqipërisë, por dhe krejt botës euro-atlantike, e cila është ngritur në bazë të parimeve të demokracisë dhe vlerave njerëzore. Data 28 Nëntor po festohet në shumë sheshe të botës dhe busti i Heroit tonë kombëtar po i zbukuron me dinjitet për të mos harruar të kaluarën e lavdishme të tij. Për të nuk pushojnë të shkruajnë, kompozojnë dhe të flasin figurat më të mëdha botërore. Mjaftojmë të kujtojmë këtu operën “Skënderbeu” të Antonio Vivaldit, apo poemën e Langfellout të përkthyer nga Noli. Intelektualët francezë kanë qenë ndër të parët që jo vetëm e vlerësuan , por e ngritën në piedestal me veprat e tyre luftën çerekshekullore të Skënderbeut për të ndaluar hordhitë e pandërprera turke në Europë. Madje së fundmi emrin e tij e përmendi edhe një deputet francez në Parlamentin Europian. Nuk ishte rastësi. Sepse turqit selxhukë ishin bërë problem pesë a gjashtë shekuj përpara se Skënderbeu të dilte në skenën e historisë jo vetëm se kishin pushtuar Jeruzalemin, vendin e shenjtë, por dhe po zgjeroheshin çdo ditë në kurriz të Perandorisë Bizantine, por dhe tokave të Europës. Edhe Perandori Aleks I i Bizantit kishte ankesa të shumta për këtë pushtim që ata po bënin. Për këtë qëllim, por dhe për të mbrojtur çdo cep të Europës nga pushtimet që vinin nga nomadët dhe myslimanët Papa Urban II mblodhi nga 18 deri më 28 Nëntor 1095 në Francë Këshillin e Klermontit me 13 kryepeshkopë, 82 peshkopë dhe 90 abatë me në krye vetë atë. Në datën 27 nëntor ai mbajti një fjalin mbresëlënës që do të ngrinte peshë gjithë fisnikërinë e kohës duke thënë se duke luftuar për fenë dhe atdheun, nuk do të bënin një sulm, por një luftë për çlirim. Natyrisht që kjo gjë ka pasur jehonë dhe në trojet tona si pjesë e Perandorisë Bizantine. Krishtërimi që u përhap në Iliri që në kohërat apostolike me ardhjen e Apostullit Shën Pal dhe që u ligjërua nga Konstandini i Madh nga Nishi i Dardanisë nuk ishte vetëm një besim fetar në atë periudhë, por dhe një kod moral sesi jetohej në atë kohë në Europë ku rendi social bazohej dhe ende vazhdon të bazohet në parimet morale të ligjit të Moisiut, që ne i njohim si Dhjetë Urdhëresat. Në ditën e fundit të Këshillit të Klermontit, 28 nëntor 1095, Papa Urban II emëron peshkopin Adhemar të Le Puy dhe Kontët e Toulouse të njohur si Konti Raymond IV i Tuluzës për të udhëhequr Kryqëzatën e Parë në Tokën e Shenjtë. Kjo ditë quhet ndryshe dita e betimit, apo dita e kontërve. Në bazë të kësaj dite do të vinin dhe kryqëzatat e tjera të mbështetura dhe nga Perandorët e Bizantit. Me këtë shpresë ishin dhe fisnikët shqiptarë, të cilët pak shekuj më vonë ranë nën pushtimin turk. Gjergj Arianit Komneni, fisniku me dy kështjella, ku në rrembat e tij kishte dhe gjak perandorak nga krushqia me Engjëll Komnenin, kur e pa se luftën që kishte bërë kundër pushtimit turk nuk mund ta përballonte dot i vetëm dhe për shkak të moshës, shkoi dhe i dërgoi lajmëtarë Skënderbeut që luftonte për Sulltanin që të vinte në Shqipëri dhe të merrte në dorë fatet e vendit dhe jo vetëm. Dhe Skënderbeu fjalimin e famshëm e mbajti në Krujë pikërisht në ditën 28 nëntor 1943 si betim fisnikësh për fe dhe atdhe. Dhe ai, luftoi si askush tjetër. Jo më kot Papa Kalisto III do ta quante Skënderbeun Atleti i Krishtit “I shenjtë si Shën Luigji, diplomat si Talleyrand, trim si Aleksandri i madh”, duke iu drejtuar me fjalët : ” Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar!” Skënderbeu do të ishte Komandant i Përgjithshëm i forcave europiane në kryqëzatën e radhës kundër pushtuesve turq që po trondisnin Europën dhe vlerat e kulturën e saj.

Vdekja e tij do të ishte humbje e madhe për shqiptarët dhe Europën.

Hakmarrja e turqve ndaj shqiptarëve ka qenë biblike. Masakrat dhe largimet janë dëshmi e një barbarie të pashoq.

Por shqiptarët luftuan gjatë për lirinë. Do të ishin rilindasit e shquar që do ta ngrinin përsëri në dritë figurën e Skënderbeut. Do të ishte një stërnip i Gjergj Aranitit, që do ta shpëtonte Shqipërinë nga zhdukja. Ai ishte Ismail Bej Vlora, mik i Hoxha Tahsinit që më 1874 do ta nxirrte nga burgu i Delvinës për ta shpënë në Stamboll ku po përgatiste një alfabet shqip me shkronja latine. Ai ishte mik me Pashko Vasën, që siç thotë vetë “ u takova me bashkatdhetarin tim.. që tani ishte qeveritar i Libanit dhe e kalonte dimrin në Bejrut.” Ai ishte pinjoll i një prej familjeve më të famshme jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Perandorinë Osmane, nipi i kryeministrit Ferid Pashë Vlora, për të cilët konsujt e ndryshëm u shkruanin qeverive të tyre çdo lëvizje. Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Calzavara, në tetor të vitit 1878 shkruan relacione për qeveritë e tij duke thënë se Abdyl Bej Frashëri ndodhej në Vlorë dhe “se bisedoi me parësinë për një autonomi shqiptare dhe të gjithë e pranuan propozimin e tij.” Përsëri konsulli austro-hungarez mbas dy vjetësh më 15 maj 1880, në relacionin e tij Nr 24 shkruan se “Syrja Bej Vlora, Xhafer Bej Vlora dhe anëtarë të tjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i japin ndihma financiare të dërguarit të Ali Pashë Gucisë dhe e përcjellin atë me vaporin Llojd për në Shëngjin.”

Po të shohim me vëmendje gjithë relacionet e konsujve të ndryshëm europianë dhe atyre osmanë, te libri “Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh” do ta kuptojmë se kush ishte ky personalitet i madh. Konsulli Petroviç i Austro-Hungarisë në Vlorë, më 14 maj 1900, kur Ismail Qemali kishte braktisur Portën, i dërgon baronit Kaliçe, ndërmjet të tjerave këtë përshkrim: “Ismail beu është personaliteti më i nderuar dhe më popullor ndër shqiptarët që jetojnë sot. Të gjithë toskët që vijnë në Stamboll nga vilajeti i Manastirit dhe i Janinës, qoftë për të ndjekur atje ndonjë çështje pranë qeverisë, qoftë edhe si kurbetçinj, kanë gjetur tek Ismail beu mbrojtën e tyre të ngrohtë. Ky me të vërtetë ka bërë çmos për bashkatdhetarët e vet. Ai me këtë rast asnjëherë nuk është udhëhequr nga interesat materiale dhe me gjithë postet e tij të larta nuk ka pasuri. Thonë se është një burrë me një inteligjencë të rrallë dhe me shumë kurajë. Patriotët në personin e tij shohin shqiptarin më të shquar, shohin në të drejtuesin mendor dhe udhëheqësin e ardhshëm.”

Kur iku nga perandoria më 1900, ku për tetë vjet u end Evropës, mbajti lidhje edhe me kolonitë shqiptare për dërgimin e librave dhe mbledhjen e të hollave për armë dhe hodhi thirrjen drejtuar shqiptarëve: “O me shkolla e qytetërim, o pa shkolla e në errësirë… Është e pamundur që një popull të përmirësojë gjendjen e tij pa shkolla dhe pa arsim. Njeriu duhet të jetë fare i verbër që të mos ndjejë nevojën e shkollës kombëtare, duhet të jetë tradhtar që të dëshirojë lënien pas dore të arsimit në gjuhën shqipe. Ata që duan të rrojnë në errësirë e padituri, pa gjuhën dhe kombësinë e tyre, dëshirojnë t’i përgatisin Shqipërisë një vdekje të turpshme.”

Më 1908 nga amnistia e përgjithshme që bëri Sulltani, ai u fal dhe erdhi në Vlorë ku i madh dhe i vogël e priti që në mol si hero, madje e mbajtën në krahë që nga vapori Llojd e deri në karrocën e tij. Ismail Bej Vlora do të ishte nismëtar i Memorandumit të Gërçes dhe do të mundësonte armë për patriotët e veriut. Dhe pavarësia do të bëhej e koordinuar edhe me Isa Boletinin. Ajo do ta vinte Europën përpara faktit të kryer. Flamuri kuq e zi u ngrit në sarajet e familjes së Vlorajve, pikërisht të Xhemil Bej Vlorës ku ishin 47 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare. Ja se si e përshkruan Mit’hat Bej Frashëri, delegat në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912: “Ismail Qemali u zgjidh kryetar i kuvendit dhe mbajti një fjalim të shkurtër për gjendjen e luftës, për hallin e veçantë të Shqipërisë të rrezikuar nga mësymjet e fqinjëve dhe mbi nevojën e një vendimi kombëtar për të shpallur mëvehtësinë e Shqipërisë…Trokitje duarsh i prenë në mes fjalën që donte të thoshte kryetari dhe populli që ishte mbledhur në kopshtin e shtëpisë, kishte buçitur jashtë në rrugë, përsëri me duartrokitjet dhe thirrjet e gëzimit. Në atë kohë një Flamur Shqiptar po ngrihej mbi portën e kopshtit dhe rrëfente shqiponjën kombiare mbi qiellin e kuq të saj. Kjo orë historike ishte afër perëndimit të diellit; ishte një kohë e vrenjtur dhe një vesë e hollë po rigonte nga retë, një vesë bekimi si lot gëzimi. Turma e njerëzisë, për të festuar këto orë me flamur në dorë dhe me këngë bëri një qarkim në rrugët e qytetit, duke qëndruar përpara konsullatave të Austrisë dhe të Italisë, si një shenjë miqësie dhe falënderjeje për mirësinë dhe mbështetjen që shpallej nga të dy këto pushtete.”

Zëvendëskryeministër u zgjodh Dom Nikoll Kaçorri, ndërsa Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi. Dy katolikë të shquar për ti treguar mirënjohjen papatit për ndihmën e vyer dhe të pashprehur.

Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor nga fisnikët shqiptarë ishte kurorëzim i asaj date të caktuar, që fikson nisjen dhe mbylljen e nje cikli, për ti thënë Europës se ne jemi bijtë e saj dhe ecim me vlerat e saj. Jo më kot këto figura të shquara në historinë e kombit shqiptar, goditen dhe anatemohen deri në atë pikë ca guxohet tu fshihet fytyra kur vjen këtu pasardhësi i ndonjë pushtuesi.

Sipas dokumenteve të kohës edhe në vitin 1944 dhe 1945, 28 Nëntori është festuar si ditë çlirimi. Ka fotografi të misionit anglo amerikan që përgatitën zbukurimet. Në vitin 1946 kur Enver Hoxha ishte lidhur këmbë e kokë me jugosllavët, të cilët nuk e kishin dashur ekzistencën e shtetit shqiptar, bën masakrën më të madhe në histori si satrap dhe “odium fidei”, vrasjen e klerikëve katolikë dhe përdhosjen e figurave të ndritura si Gjergj Fishta e Dom Nikoll Kaçorri dhe ndërron dhe ditën e çlirimit për tu bërë qejfin perandorive që kishin dashur zhdukjen e popullit shqiptar vetëm për karriken e tij.

Për mua Lufta Antifashiste dhe gjaku i dëshmorëve janë histori e ndritur e popullit shqiptar që u lidh me forcat aleate dhe shpëtoi copëtimin e trojeve shqiptare. Distancimi i Enver Hoxhës nga 28 Nëntori është nder që i bën gjakut të dëshmorëve, të cilët luftuan për vlerat europiane ku përfshiheshin e drejta e fjalës, e pronës dhe e jetës. Ai do të distancohej nga ajo ditë që i përkiste Europës dhe fisnikërisë së saj. Po ashtu ai do të shkëpuste dhe lidhjet me Europën dhe do të përmbyste gjakun e dëshmorëve dhe ndihmën e aleatëve të mëdhenj.

Kur do të vijë nëntori i tretë?

Nëntori i tretë do të vijë për të gjitha trojet kur ne të kemi ndërgjegje europiane sepse në bazë të kësaj ndërgjegjeje ne kemi mbijetuar dje dhe kemi shkruar historinë tonë që na nderon të gjithëve.

blank

Perëndimi përballet me rrezikun e ndarjes së Bosnjës

Dino Jahiç

Analistët perëndimorë thonë se Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në vitin 1995, dhe shumë prej tyre dyshojnë se është ndërhyrja ruse dhe kineze që mund të sjellë dështimin e paktit që ka siguruar një paqe të brishtë për 25 vjet.

Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja e ndanë vendin ballkanik në Republikën Srpska të mbizotëruar nga serbët dhe një rajon të njohur si Federata, e mbizotëruar nga boshnjakët dhe kroatët. Të tria grupet etnike përfaqësohen në një presidencë trepalëshe.

Por Milorad Dodik, përfaqësuesi serb i presidencës, javët e fundit ka nisur procesin e tërheqjes nga institucionet e nivelit shtetëror dhe po kërcënon me shkëputjen e plotë nga ana e Republikës Serbe.

Lëvizje të tilla, përfshirë planin për transferimin e njëanshëm tek Republika Srpska të funksioneve të tilla si mbledhja e taksave dhe forcat ushtarake, janë një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Dejtonit në sytë e disa diplomatëve dhe ish-diplomatëve, zyrtarëve amerikanë dhe analistëve të intervistuar nga Zëri i Amerikës. Shumë druhen se këto veprime jo vetëm që kërcënojnë të zhbëjnë shumë arritje të pasluftës, por krijojnë gjithashtu gjasa për konflikte të reja dhe një ndarje të vendit.

“Bosnje-Hercegovina ka arritur të mbijetojë disi nga njëra krizë në tjetrën dhe të mbetet të paktën një demokraci gjysmë funksionale. Shqetësimi im është se këtë radhë Dodik po i çon gjërat shumë larg”, i tha Zërit të Amerikës Bruce Berton, një diplomat amerikan që drejtoi misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje-Hercegovinë në vitet 2015 – 2019.

Zoti Berton ishte gjithashtu zëvendës shef në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), një entitet ndërkombëtar i krijuar për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Ndërsa Dodik pretendon se po rikthen funksionet që i janë marrë Republikës Serbe pa pëlqimin e saj, shumë prej tyre ishin miratuar nga parlamenti shtetëror me pjesëmarrjen e partive të Republikës Serbe.

“Duket disi si sjellje skizofrenike,” tha Paul McCarthy, drejtor i divizionit të Evropës në Institutin Republikan Ndërkombëtar, i cili vuri në dukje se vetë partia e Social Demokratëve të Pavarur të zotit Dodik (SNSD) i kishte mbështetur disa nga ato vendime.

Ndërsa ka njëfarë rezistence ndaj lëvizjeve të zotit Dodik nga partitë opozitare në Republika Srpska, zoti McCarthy tha se beson se lëvizjet e fundit janë inkurajuar nga Moska.

“Kjo është një mënyrë pa shumë kosto për Rusinë për të shkaktuarmosmarrëveshje dhe për të sabotuar Perëndimin, BE-në dhe pozicionin e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor,” tha ai.

Disa të intervistuar nga Zëri i Amerikës thanë se Kina dhe Serbia gjithashtu mund të përfitojnë nga kriza dhe shqetësohen se edhe Hungaria – një anëtare e BE-së – po e mbështet Dodikun.

Toby Vogel, një studiues në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, një institut kërkimor në Berlin, i sheh ngjarjet në Bosnje-Hercegovinë në kontekstin e përkeqësimit të marrëdhënieve midis NATO-s dhe Rusisë dhe përshkallëzimeve të tjera rajonale midis Serbisë dhe Kosovës dhe Malit të Zi.

“Më duket e vështirë ta besoj se këto janë thjesht një lloj manifestimi spontan pakënaqësish të brendshme”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Daniel Serwer, profesor në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington, paralajmëron ndaj idesë së një “Botes Serbe”, e përhapur së fundmi nga politikanët serbë. Sipas zotit Serwerin, ky është thjesht një emër tjetër për konceptin nacionalist të një “Serbie të Madhe”, sipas së cilës të gjitha territoret ku jetojnë serbët do të bëheshin një vend i vetëm.

“Kjo do të thoshte shkatërrim i disa shteteve në Ballkan, do të thoshte luftë, do të thoshte vdekje, do të thoshte refugjatë. Dhe shtetet perëndimore duhet të jenë kundër një gjëje të tillë”, tha ai.

Bashkëpunimi mes Kinës dhe Rusisë

Në korrik, Këshilli i Sigurimit i OKB-së hodhi poshtë një rezolutë të paraqitur nga Rusia dhe Kina për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën. Të dy vendet pretenduan se emërimi i politikanit gjerman Christian Schmidt si Përfaqësues i Lartë nuk ishte i vlefshëm pasi nuk u konfirmua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Zoti Schmidt u emërua në maj nga Këshilli i Zbatimit të Paqes (PIC), një organ ndërkombëtar që i ofron Përfaqësuesit të Lartë udhëzime politike. Vetëm Rusia e kundërshtoi vendimin. Këshilli i Sigurimit e diskutoi këtë çështje, por nuk votoi për të konfirmuar zotin Schmidt pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera pohuan se kjo nuk ishte e nevojshme.

Tani Moska, ashtu si zoti Dodik, refuzon të njohë zotin Schmidt si Përfaqësues të Lartë të OKB-së për Bosnjën.

Analistët kishin frikë se Rusia dhe Kina, në shenjë hakmarrjeje, mund t’i vinin veton nismës për zgjatjen e misionit ushtarak ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, i njohur si EUFOR, që ka ndihmuar në ruajtjen e paqes atje. Këshilli i Sigurimit, në fakt, miratoi mandatin e Forcës Ushtarake Evropiane (EUFOR) më 3 nëntor, por vetëm pasi vendet e tjera iu nënshtruan kërkesës së Rusisë dhe Kinës që zoti Schmidt të mos paraqiste një raport të pritshëm për Bosnje-Hercegovinën gjatë asaj seance.

Në raport, zoti Schmidt kishte shkruar se Bosnje-Hercegovina “përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës” dhe se autoritetet e Republikës Serbe, të udhëhequra nga Milorad Dodik, “rrezikojnë jo vetëm paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, por, nëse nuk ka reagim nga komuniteti ndërkombëtar, kjo do të mund të çonte në zhbërjen e vetë Marrëveshjes (së Dejtonit)”.

Shumë analistë perëndimorë u zemëruan me atë që ata e cilësuan si një shenjë dobësie nga Perëndimi.

“Është absolutisht e tmerrshme që (zoti Schmidt) nuk u lejua të fliste. Kjo e dëmton Zyrën e Përfaqësuesist të Lartë”, tha Tanya Domi, profesore në Fakultetin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit të Kolumbias, e cila në të kaluarën ka punuar për misionin e OSBE-së në Bosnje-Hercegovinë.

Bruce Berton, ish-zëvendës Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjën, tha se Kina dhe Rusia kanë synime të ndryshme në përpjekjen për të dobësuar Marrëveshjen e Dejtonit. Për Kinën, tha ai, Bosnje-Hercegovina është pjesë e planit të saj më të madh për të zgjeruar ndikimin e saj në botë, kryesisht përmes përpjekjeve ekonomike si nisma e saj “Një Brez Një Rrugë”.

Si do të veprojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian?

Shumica e të intervistuarve nga Zëri i Amerikës bien dakort se një angazhim më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për uljen e tensioneve, në veçanti pasi zgjerimi i BE-së, dikur motivimi kryesor për ruajtjen e paqes dhe zbatimin e reformave, tashmë është një proces pothuajse i ndalur.

Disa të dërguar amerikanë kanë vizituar rishtazi Bosnjë-Hercegovinën, ndër ta edhe Gabriel Escobar, përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, si dhe Derek Chollet, këshilltar i lartë për politikat e këtij departamenti. Ata konfirmuan mbështetjen amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe kritikuan veprimet e njëanshme të zotit Dodik.

Megjithatë, disa analistë mendojnë se Shtetet e Bashkuara janë fokusuar tek reformat elektorale dhe ekonomike, ndërkohë që Bosnjë-Hercegovinës i kanoset një tjetër rrezik shumë më i madh.

Zonja Domi, profesore në Universitetin e Kolumbias, mendon se Perëndimi nuk po i merr seriozisht veprimet e zotit Dodik. “Më shqetëson thellësisht që të gjithë duket se mendojnë se ‘do ta përmbysim këtë retorikë dhe situatën’. Dhe është e qartë se zoti Dodik po e shton këmbënguljen e tij”, thotë ajo.

Zoti Vogel thotë se sjellja destruktive është lejuar prej kohësh.

“As Shtetet e Bashkuara dhe as BE-ja nuk kanë reaguar ndaj sulmeve gjithnjë në rritje ndaj unitetit të Bosnjë-Hercegovinës gjatë viteve të fundit”, thotë ai.

Zoti Escobar ka thënë në mënyrë të përsëritur se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të “përdorin në mënyrë agresive” sanksionet ndaj politikanëve në Bosnjë, por deri më tani nuk janë ndërmarrë veprime konkrete. Në vitin 2017, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj zotit Dodik, për bllokim të Marrëveshjes së Dejtonit, por BE-ja nuk iu bashkua ndonjëherë kësaj mase. Disa vende, si Gjermania, po shqyrtojnë tashmë vendosje të sanksioneve nga ana e tyre.

* Për këtë artikull kontribuan Amra Alirejsovic dhe Ajdin Muratovic nga Shërbimi Boshnjak i Zërit të Amerikës.

blank

SI SOT 101 VJET ME PARE, ILIA DILO SHEPERI-NDERI I KOMBIT- MBAN KETE FJALIM HISTORIK NË DITEN E SHENJTE E FLAMURIT, DITE QE DO TE KUJTOHET PERHERE ME DASHURI E GEZIM NGA POPULLI SHQIPTAR  

Nga Eduard M. Dilo

 

Te gjithe Shqiptareve  sot u qesh e u shndrit fytyra  kete dite Engjell te mbare kombit tone!

 

Esht Dita e Shenjte 28- Nentori, qe nuk na kujton vetem Shpalljen e Pavaresise nga roberia 500-t vjecare e Turqise, me 1912, por na kujton gjithashtu ngritjen e flamurit dhe nga Gjergji yne i madh , Skenderbeu legjendar ne Krujen e bekuar , ne 28 Nentorin e vitit 1443 .

 

E s’kemi si te mos krenohemi ne per kete dite aq te bukur , aq te kendeshme ,aq diellore e kuptim-plote, dite simbol kjo qe na kujton gjithe martiret e kombit, qe i falen gjene me te shtrenjte atdheut, jeten e tyre!

 

Esht ai gjak qe ka vaditur nder shekuj token tone arbnore, per ta mbajtur te qeruar, te paster , te bukur ashtu sic na i fali Zoti. Eshte gjaku i atyre martireve te shumte kombetare qe nder shekuj do te ngelet pishtar drite per brezat qe vine.

 

E kemi te shenjte flamurin, e kemi te bukur e te vecante me shkaben dykrenore , qe esht e lindur per te jetuar vetem e lire.

 

Nder vite kjo dite do te kujtohet me dashuri e madheshti, si dita simbolike e bashkimit , e dashurise , e krenarise qe kurre s’na ka munguar!

 

Trimat shqipetare , autoktone sa vete njerezimi ne trojet e tyre, te bashkuar , te gjithe nje ze, nje trup , nje mendje firmosen nen udheheqjen e diplomatit te shquar, burrit te urte e te mire ISMAIL QEMALI, aktin final te shpalljes se mevehtesise , te shkeputjes nga Turqia 

. Kemi ne dore nje fjalim te Atdhetarit ILIA DILO SHEPERI, -NDERI I KOMBIT-, mbajtur me 1920, plot 100-t vjet me pare, para popullit te Gjinokastres , qe ka vlera historike per permbajten e tij.

Cilesuar ky fjalim si nje “PERLE E GOJTARISE SHQIPTARE” .

Per kenaqesine e lexuesve , po e riprodhojme kete fjalim te zjarrte duke ju uruar te gjitheve  :GEZUAR  DITEN E SHENJTE TE FLAMURIT!

 

DITA E FLAMURIT

 

Shqiperia divine, Dheu klasik i trimerise, kremton sot nje nga me te shenjtat dite te historise se saj kombetare;Diten e Rilindjes e te pagezimit ne jeten e re te Lirise! Diten e venies mbi krye te kurores se Indipendences!Pas peseqind vjet jete t’ashpert te roberise dhe ne nje kohe tragjike , kur arushet e Ballkanit u versulen t’a shuajne pa meshire gjallerine e kombit shqiptar , ne orizontin e Shqiperise ndriti Ylli i Mengjezit , mbi Kathedralin e Vlores shkrepetiti Diell’i Lirise! U ngreh Flamuri madheshtor i Skenderbeut dhe Perendia e Lirise se Kombeve dekretoi shpetimin e Shqiperise!Ajo e drejte e shenjte q’u a ka falur natyra kombeve te botes ju njojt edhe kombit t’one qe ruan karakterin dhe traditat e Ilireve, ju dha edhe poullit t’one heroik qe ka vaditur me gjak gjithe Sinisine Ballkanike dhe, se fundi, per t’u shpetuar dyndjeve te valeve te barbareve, gjate shekujve, ka qene shternguar te lere Alltarin e Atdheut te vet dhe te kaperceje male e dete dhe te perhapet neper gremina te huaja.

 

Ne kete vend legjendar, qe esht shkretuar dendur nga katalkizmat e luftrave te parreshtura dhe mbi germadhat e 70 qyteteve te bukura bere paje e zjarrit legjoneve romane, vajtojne zogjte sot e kesaj dite!Te tera keto ngjarje , te gjitha keto tragjedita kane vleften e kujtimit te nalte, te heroizmes shqiptare. Deshmojne theroresite e pashembellta te fisit arbnor. Pasqyrojne jeten morale te stergjysherve dhe udheheqin shpirtin e energjise e te therorise se brezit t’one te ri.Ja! Kjo esht dita simbolike ne te cilen kombi shqiptar hyn ne rradhet e popujve te lire dhe ze vendin qe i perket historise se tij.Traditat e mbetura nga Pellasget e Mitollogjise, trimeri e trasheguar nga stergjysherit t’ane , permenden sot ne kronollogjine e qyteterimit.Himni i Indipedences t’one kendohet neper oborret e kombeve te rinj te lire.Te Deum-i i paradisit te Fese s’one meshohet sot neper Kishrat e botes ideale!Na pershendetin , na pergezojne , na urojne kombet e lire!Na kane zili e na falen poujt qe perpiqen te harrijne nje dite te bardhe!Ideali qe kane enderruar stergjysherit , ay ideal i shenjte qe kane profetizuar heronjte , protagonistet e luftrave te lirise s’one , u realizua sot! Qellimi i nalte per te cilin kane luftuar ata burrerisht neper malet e ashpert dhe kane derdhur gjakun e vlefshem te tyre : u harrit, u krye!Intrigat e huaja dhe komedite e mbrendeshme qe u lojten nje kohe mbi kurrizin e Atdheut nuk e lane popullin shqiptar te jetonte i lumtur ne keto tete vjetet e para te jetes se re. Krijuan nje situate te rende dhe rrezikuan njement teresine dhe Indipendencen e Atdheut.Gjate ketyre koheve te veshtira dualle ne shesh apostoj te rreme duke predikuar ungjillin magjik te nje bese fatale. Nje maqavelizme qe synonte t’i mesonte popullit shqiptar disiplinen e skllaverise dhe te ckeputte nga trup’ i shtrenjte i Atdheut vendin me te shenjte:VLOREN bujare qe e ka falur natyra per te qene vend i pelegrinazhit te Shqipetarevet.Forca ideale , energjia virgjine dhe patriotizmi i nalte i popullit shqiptar i kapercyen , gjithe rreziqet qe kercenonin Atdheun.Dita e 28 Nendorit 1920 esht e para qe kremton sot plot enthusiazme Shqiperia redente , sbukuruar nga Stili gjer ne Shkoder me trendafile dafine Mblidhuni bijt e Shqiperise perpara ketij Alltari te madh t’Atdheut !Faluni ! Perunjuni perpara ketij Senotafi te shenjte! Adhuroni shpirtrat e Deshmorevet! Dhe lavduroni kete dite madheshtore!Gezohuni o Shqiptare t’arratisur ne cdo ane te botes. Kendoni ju zogjt’e bukur qe fluturoni ne qiellin e Shqiperise ! Lulezoni ju fusha! Gjemoni ju male! Bucitni ju , lumenje dhe dete te Shqiperise! Bekonani ju o Deshmoret e shenjt t’Atdheut ! Kurajo , durim dhe shprese , Ti o Shqiperia irredente!

blank

Paradoksi monumental: ‘’Tre gishtat’’ e gdhendur mbi flamurin kombëtar shqiptar – Nga PETRO S. LUARASI

Rastësisht në internet më ndeshi syri artikullin e një studjueseje të shquar të artit shqiptar https://gazetashqiptare.al/…/arti-duhet-mbrojtur-per…/ që i parapriu një biçim dokumentari (‘’Partizani pak i njohur i Tiranës dhe simboli i 3 gishtave’’) ku ligjëroi pa oponent. Pavarësisht se temën e kam trajtuar i pari prej kohësh, me disa artikuj në gazeta, skenaristi pasi më ftoi për intervistë dhe ma voli mendimin e këshillat, pati mirësinë të mos më fuste në atë batak të keqinformimit publik.

Studjuesja në fjalë njihet e krenohet si e afërme e një Heroi të Popullit, i cili ia dhuroi jetën e tij të re tokës spanjolle në luftën e përbotshme kundër nazifashizmit e kolaboracionistëve. Po si do të mendonte e vepronte ajo nëse në ndonjë pllakë, në bazament të monumentit të përbashkët të vullnetarëve antifashistë shqiptarë në Spanjë, në vend të simboleve të tyre historike, yllit me tri cepa ose grushtit, të gdhendej a zhgarravitej ndonjë simbol fashist apo mercenarësh marokenë? Demokratët spanjollë, nga ana e tyre, jo emblemat fashiste, por edhe vetë eshtrat e diktatorit, kur u poqën kushtet, i shporrën nga varri monumental në një varr privat familjar. Shembuj të tillë gjenden me mijra në botën e qytetëruar, ku janë marrë masat përkatëse për të spastruar historinë, artin, kulturën, politikën si dhe ndërgjegjen njerëzore nga padrejtësitë, krimet, falsifikimet.

Që në krye të shkrimit kuptohet mirëfilli që studjuesja rreket të mbrojë jo vetëm simbolin joshqiptar ‘’tre gishta’’, vendosur në bazamentin jugor të monumentit ‘’Partizani’’, më 29 Nëntor 1949, por dhe skulptorin, të cilit i ka shkruar edhe një monografi.

Ndjej keqardhje që ajo, në të tilla pozita interesi, bie në kontradikta logjike dhe tjetërson të vërtetën duke u zhytur në ‘’disgracie’’ për çështje madhore kombëtare.

Studiuesja shkruan: ‘’Një komb i një populli që të prezantojë ekzistencën e tij, prezanton simbolet figurative, të cilat marrin pamjen e simboleve kombëtare dhe trashëgohen në mënyrë legjitime nga një brez te një tjetër…Vepra e artit nuk duhet të preket, nuk duhet të dëmtohet zanafilla e veprës së artit. Ajo duhet të mbrohet për qindra arsye, që lidhen me dëshminë e kohës dhe me dinjitetin e artistit.’’

Pyesim: Po kur preket ekzistenca e kombit, nderi i dëshmorëve, falsifikohet e vërteta historike dhe përlyhet vetë dinjiteti i veprës tërësore të artistit nën diktat që shkakton tjetërsim vlerash e dijesh, a duhet të merren masat dhe si? Unë kam mendimin se duhet të çohet në muze, por jo t’i vendosen kurora!

Studiuesja vazhdon: ‘’Brezat duhet ta njohin, për të kuptuar më mirë arkeologjinë e të menduarit të sotëm dhe psikologjinë e marrëdhënieve ndërvedi, për t’u dhënë shans ndryshimeve të domosdoshme të kohëpaskohëshme. Simbolet figurativë në veprat e artit janë dëshmi e përvojës njerëzore të një grupi të caktuar shoqëror, i shfaqur në një kohë të caktuar. Ata janë mjete që na njohim me kohën, me aktin e ngjarjes, me propagandën dhe ideologjinë politike të ekzistencës së grupit në një shoqëri kombëtare por edhe më gjerë.’’

Pyesim: Si duhet të mendojmë sot, të përqafojmë simbolin ‘’tre gishta’’ të cilin e njohin mirë bashkëkombasit shqiptarë kosovarë, por aspak ne në Shqipëri. Opinionet dhe fantazia nuk janë argumente që përligjin shtrembërime të historisë edhe në një vepër arti.

Studiuesja shton:‘’Në mënyrë logjike njeri prej kompozimeve ka kohë që po diskutohet në mjedise intelektuale dhe jo të tilla, në arsye të dorës së majtë të flamurtarit, e cila ka figurën e një dore me tre gishta të hapur dhe dy të mbyllur… Pse kjo dorë e flamurtarit është shprehur nga artisti në këtë formë figurative? Cili është funksioni dhe kuptimi abstrakt i saj? Me pak fakte dhe shkurtimisht po iu njoh pa hyrë në historinë e fakteve të njohura. Të mos harrojmë se koha kur u porosit monumenti ishte një kohë e miqësisë dhe e dashurisë së Partisë Komuniste Shqiptare me Partinë Komuniste të Jugosllave, që edhe e ndërtoi partinë shqiptare. Ishin vitet 1941-1948, kur diktatorët Enver Hoxha dhe Josif Tito ishin të lumtur me politikat e tyre të mbrapshta komuniste. Ishte koha kur popujt shqiptar dhe jugosllav përshëndesnin dhe i adhuronin miqësinë e dy partive dhe dy udhëheqësve. Madje, brohorisnin në të dyja gjuhët. Asaj kohe, ish-partizanët shqiptarë edukoheshin dhe stërviteshin si oficerë të ardhshëm në Zagreb dhe Beograd, si dhe Enver Hoxha ndjehej mjaft i mirëpritur në Jugosllavinë e Titos, duke kaluar ditë të tëra të gëzueshme.

Pyesim: A ka studjuesja të na tregojë ndonjë foto a dokument të kohës ku kryekomandanti partizan të ketë nderuar me tre gishta mbi flamurin kombëtar që të përligjet vepra artistike, sidomos kur u publikua më 1949.Sepse tjetër gjë janë politikat, ndjenjat dhe tjetër gjë simboli historik gjithëpërfshirës gjatë luftës.

Në lidhje me opinionin e studjueses se “…tre gishtat e hapur në këtë formë ishin përshëndetja kombëtare jugosllave, e dokumentuar për herë të parë në kryengritjen e parë dhe të dytë serbe, të ndodhura në fillim të shek. XIX …që simbolizonte trinitetin e shenjtë “Ati, Biri, Fryma e shenjtë”, e sqarojmë se e ka informacionin apo shikimin të gabuar, pasi simboli ortodoks i ka tre gishtat të bashkuara dhe jo të hapura shiko foton e kryengritjes. Në rast se skulptori i ri e ka future simbolin me këtë kuptim i bën dëm të madh bashkimit kombëtar dhe idealit ‘’në luftë pa dallim feje…’’. Por ky symbol nuk ka qenë vetëm i çetnikve, por edhe i repartit famëkeq nazist SS.

Studiuesja shton: ”Jashtë këtij konteksti dhe asaj kohe, ky simbol nuk duhet të argumentohet dhe as të keqinterpretohet, as të tentohet të hidhet urrejtje kundra monumentit, i cili ka përmbushur në një mënyrë dinjitoze kërkesën e kohës…Tentoj të mbroj historinë e zhvillimit të mendimit intelektual dhe artistik të kohës kur u ndërtua monumenti, i cili është vendosur sot në marrëdhënie me mendimin intelektual dhe artistik të sotëm, për të glorifikuar përmes artit të skulpturës monumentale, luftën partizane dhe sakrificat e atyre djemve të rinj idealistë, që dhanë jetën për kombin e tyre, qofshin këta edhe partizanë jugosllavë, të cilët u vranë dhe ata për të njëjtin qëllim. Ishim në luftë botërore.”

Për vete aspak nuk po ngrihem kundër monumentit, apo partizanëve antifashistë jugosllavë, aleatë dhe forcë e madhe heroike gjatë luftës, por pikërisht kundër një simboli nazist e shovinist që na u kall pas lufte mbi flamurin kombëtar.

Por mbi të gjitha paradoksi ‘’tre gishtat’’ mbi flamurin kombëtar shqiptar, i inaguruar më 1949, i çjerr maskën demagogjisë së regjimit diktatorial i cili ndërsa kurorëzoi demaskimin e revizionizmit titist dhe shpartalloi e dënoi ‘’agjentët’’ e tij, iu griti në piedestal simbolin e flamurtarit çlirimtar! (Një fakt interesant: Mehmet Shehu, i njohur si ushtaraku më i shquar, drejtuesi kryesor i operacionit për çlirimin e Tiranës të cilin e ka përshkruar me hollësi në librin e tij të botuar më 1945, nuk gjendej në inagurimin e Monumentit! Ai ia dedikonte librin 127 dëshmorëve dhe jo ”tre gishtave”!) ‘’Tre gishtat’’ që nuk duheshin gdhendur mbi flamurin kombëtar shqiptar janë një simbol akuze për dje, sot e në të ardhmen.

Në lidhje me ‘’hipotezat’’ e studiueses mbi skulptorin, besimin e tij ortodoks se ‘’dhe partizanët e krishterë shqiptarë, ashtu si dhe ata myslimanë të asaj kohe shkonin drejt betejave, duke iu lutur Zotit për t’i ndihmuar dhe kjo dorë i përket më së pari “Trinitetit të shenjtë”, i cili nuk është pronë vetëm e të krishterëve jugosllavë? – studjuesja pa dashur ka gatuar fletët e një lakrotri që së pari duhet ta shijojë vetë…

Studiuesja dëshmon se autori i dy basorelievëve paskish qenë vetë skulptori i monumentit, i cili pa e përfunduar ende Akademinë e Arteve, u përcaktua fitues në një konkurs të shpallur nga qeveria shqiptare e asaj kohe’’. Ky fakt më kujton një tjetër ngjarje edhe më ‘’enigmatike’’ mbi monumentin e Heroit Kombëtar që lidhet edhe me trinitetin e shoqërisë, ‘’kolltuk, para, lavdimani-së’’. Po përmend shkarazi se si u mënjanua një plagjiaturë në konkurset për ngritjen e monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot-Skënderbeu, në Tiranë.

Informatori raporton mbi Skënder Luarasin (Shtator, 1950)

‘’Skënderi këtë radhë foli në lidhje me konkurset sa vijon:

Ç’pret nga konkurset që të dalin të mirë, kur vetë nga lart i vendosin që përpara se kujt do t’ia japin çmimin. Kjo dihet tash nga të gjithë. Pse e pakët është ajo që bëri komisioni për konkursin e monumentit të Skënderbeut. Vetë S. duke e ditur se A. e kish vjedhur projektskicën e tij për Skënderbeun, nga një skulptor jugosllav (skulptori kroat Antun Augustinčić ,1900-1979, shën. P.L.) që sot është skulptor zyrtar i Titos, deshi t’ja jepte këtij… Ay s’kish bërë gjë tjetër veçse monumentit të Pilsudskis (Józef Piłsudski,1867 –1935, shën. P.L.) të qeverisë së vjetër polake, të bërë nga skulptori jugosllav, i kish vënë taskën e Skënderbeut. Ç’do të thoshin sovjetikët kur të shikonin se Skënderbeu ynë ishte një kopje e keqe e armikut të madh të Bashkimit Sovjetik! Por edhe vetë skulptori i Titos do të na hidhte në gjyq për hajdutllëk. Ja gjëra të tilla bëhen këtu dhe pastaj prit prodhime artistike. Me këtë rrugë s’mund të kemi prodhime, por shterpësi. Vlerat reale s’duhet të pengohen në rrugën e tyre…’’

Informatori raporton mbi Skënder Luarasin (Tiranë, më 2.4.1954)

‘’Skënder Luarasi flet rreth skulpturës, bie fjala në konkursin për monumentin e Skënderbeut ku bënte pjesë edhe ai si juri. Skënderi në lidhje me qëndrimin e shokut S. si juri thotë:

‘’ N/Kryeministrit donti t’ia jipte çmimin A. , jo për meritë, po vetëm për shkaqe të tjera. Po të mos kisha kundërshtuar unë, ne sot do të kishim në Tiranë jo monumentin e Skënderbeut, po kopjen e monumentit të diktatorit fashist të Polonisë, Pilsudskit, me mjekër dervishi. Vetëm kur nxorra origjinalin nga kishte kopjuar A., atëhere deshën s’deshën u detyruan t’ia jepnin Janaq Paços…’’

(Monumenti i Skënderbeut në Tirane është vepër e Odhise Paskalit i ndihmuar në konceptimin e tij nga Janaq Paço e Andrea Mano. Ai u inagurua në Tiranë, më 1968, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes të Heroit Kombëtar).

Po të mos ishte denoncuar, ‘’batakçillëku i trinitisë’’ do të kurorëzohej dhe nuk do të kishte Zot në Shqipëri ta zbriste nga kali! Por sa rrezikoi qytetari i ndershëm e atdhetar për këtë denoncim!

Petro S. Luarasi, 29 Nentor 2021

Petro Luarasi
(Meditim e brengë. Para monumentit ‘’Partizani çlirimtar’’, 1949 )
Kush…?!
Luftoi populli në Tiranë,
Heronj dhjetra partizanë,
Gjak’ i shenjtë për Liri:
Lavdi Nënës Shqipëri!
Monument madhështor,
‘’Partizanit çlirimtar’’.
Kallet në basoreliev jugor,
Një simbol, aspak shqiptar!
Politika, dhe në skulpturë,
Sajoi ‘’prijësin partizan’’,
Me tre gishtat mbi flamurë
‘’Për liri dhe për vatan’’!
Kush na e dhuroi Lirinë:
Mil-Dushani me Serbinë?!
Kush e gdhendi ‘’Historinë’’:
-Prijësi ynë me Partinë?!
Dhurata nuk janë Liria e Nderi,
As shit-blerje relikash në dolli,
Kush ia ndyn ato një populli
Herët apo vonë jep llogari!
blank
blank
blank

‘Enveristët në politikë’, një nga arsyet pse ju bashkova Foltores së Berishës’ – Nga Aurel Bylykbashi

 

Ne këto dite te ngjeshura me debatin brenda Partisë Demokratike, në bisedë me një mikun tim, intelektual jo konformist, i shpjegova arsyet, përse ju bashkova ‘Foltores’ në Elbasan.

Një nga ato ishte dhe ajo që po them me poshtë… që në fakt e mora spunton ta tregoj nga veprimi i djeshëm i deputetit socialist Çela…

Ne bindjen time te thelle, Sali Berisha nuk përfaqëson vetëm politikanin Sali Berisha, ai përfaqëson dhe identifikon një Epoke, Përmbysjen e Komunizmit dhe Zhvillimet Demokratike ne Shqipëri!

Unë kam dhe shume miq me bindje te majta, komshinj, hyjmë e dalim me njeri tjetrin… Kur vjen puna tek biseda për komunizmin e E. Hoxhës, menjëherë te hidhen ne sulm duke te përmendur Sali Berishën dhe problemet e Demokracisë ne Shqipëri…

Dhe kjo ndodh se ju prek Idhullin!!

Sado duken te reformuar, miqësore, bashkëkohore, moderne, evropiane, amerikane.., kthetrat i nxjerrin menjëherë…

Mendoj qe kur janë vetëm, ne habitatin e tyre, ne rrethin e ngushte familjar, apo shoqëror, te majtët shqiptare janë te gjithë nostalgjike te E. Hoxhës!!!

Ndaj sot me 29 Nëntor, dua ti ve përballe dy epokat…

Epoka e Enverit tuaj, e mbylli Shqipërinë, e rrethoi me tela me gjemba…, Epoka e Sali Berishës e hapi, te gjithë ne lëvizim lirshëm ne Europe!!

Enveri juaj i dëboi Misionet Anglo- Amerikane, Saliu ynë e futi Shqipërinë ne NATO!!

Epoka Juaj, e hoqi përdhunshëm fenë, Epoka Jone i riktheu besimin fetar shqiptareve!!

Enveri juaj e shiti Kosovën, Saliu ynë, qe ditën e pare përcaktoi si Yll Polar, Interesat Kombëtare!!

Epoka e Enverit tuaj, na la tek tufëzat dhe arëzat, pa ushqyer dhe ne uri, Epoka e Saliut tone ju ktheu mirëqenien dhe zhvillimin shqiptareve!!

Prandaj dhe Epoka e Sali Berishës, i qëndron Epokës suaj te Enver Hoxhës, si demon mbi koke!!!

Dhe i thotë nga mëngjesi ne darke: Te kam mundur!!! Kudo!!!

Prandaj dhe ne te djathtët, e kemi te shtrenjte Sali Berishën!!

Sepse Ai përfaqëson Epokën kundër Jush!!

Ju mbajeni Kërmën tuaj dhe ne heshtje.., dhe nxirreni sa here t’ju vije 29 Nëntori…

Ne e kemi antipodin tuaj… edhe sepse Ahmet Zogu dhe Mithat Frasheri janë larg…

Kjo është arsyeja pse ju tmerron Sali Berisha!!

Sepse di t’ju munde ne kohe paqeje!!

Kjo ishte dhe një nga arsyet pse shkova ne ‘Foltore’…

Dhe mua, si shume te tjerëve, pavarësisht se jetojmë ne kohen kur idhujt kane rene, nuk dua te ma prekin Atë, qe përfaqëson Epokën e Demokracisë!!

Sali Berishën!!

blank

Më sulmojnë se vura në dukje imoralitetin e asaj që “do shkatërrojë PD-në” – Nga EVI KOKALARI

Për Sorosistët që vazhdojnë më sulmojnë se vura ne dukje imoralitetin e asaj që “do shkatërrojë PD-në”; unë nuk bëj pakte me njerëz imoral, qofshin ata meshkuj apo femra. Imoraliteti në parlament duhet t’ju shqetësoj të gjithëve.
Fakti që juve ju prek më shumë artikulimi i fakteve se sa veprat imorale të anëtarëve të parlamentit, flet qartë për paktin që ju keni bërë me djallin. Ky nuk është modernizëm. Eshtë thjeshtë IMORALITET.
E me që ra fjala; të ndahesh nga bashkëshorti/ja nuk është imoralitet. Të kesh tre partnerë të tjerë ndërkohë që je i/e martuar, që ç’ke me të është imoralitet.
Ajo historia e punonjësit të Ambasadës Amerikane që flikërka me anëtarët e kryesisë së PD-së, ndërkohë që ata ‘po shkatërrojnë PD-në”, është për të vënë duart në kokë.
Ja pra, këto pislliqe mbroni ju!!

blank

Një komb, një festë dhe një urim për të gjithë shqiptarët! Gëzuar 28 Nëntori!  Nga Gani Qarri

Flamuri Kuq e Zi, në të gjitha kohët ishte dhe do të mbetet përjetësisht, frymëzim shpirtëror dhe patriotik i të gjithë shqiptarëve atdhetar, kudo ndodhen e jetojnë ata, në trojet e tyre etnike dhe diasporë.

Simbol i shenjtë i bashkimit kombëtar, i cili gjithmonë ishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht.

Frymëzim dhe identifikim për të gjithë shqiptarët i cili edhe në momentet më të vështira, qëndroi kurdoherë në ballë të çdo nisme patriotike, që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë, Pavarësinë e së cilës e vulosi po ky Flamuri i shenjtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut!

Por me gjithë përpjekjet e pareshtura shekullore dhe gjakun e derdhur për çlirimin e trojeve tona edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Kosovës, duhet ditur dhe pasur parasysh secili prej nesh, se nuk u arrit të përmbushën të gjitha aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe bëri luftë e përpjekje çlirimtare ndër shekuj,deri në vitet që po jetojmë.

Kështu që edhe ëndrra e tij e shenjtë, për unifikim të tokave tona etnike dhe bashkim kombëtar, deri më sot ende nuk u bë realitet, ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve të robëruar dhe për të shpëtuar përfundimisht, shpërfytyrimin e vazhdueshëm kombëtar të pjesëve të pa çliruara të trojeve tona.

Siç dihet tanimë nga të gjithë ne, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare të të gjitha trojeve tona etnike dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat kishin zaptuar pothuajse të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët e Shqipërisë, nuk ndodhi ajo që do duhej dhe do të ishte e drejtë për shqiptarët.

Madje të përballura me luftërat e brendshme dhe mos unitetin tipik të faktorit shqiptar, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, përkundër të gjithave sa ndodhnin me tokat tona, gati sa heshtën fare.

Për aq më keq, vazhdimi i një gjendje të tillë kaotike dhe kulmimit të zënkave ndërshqiptare edhe brenda Shqipërisë së cunguar, bëri që pas një viti, po ato fuqi, të mos i shpërblenin shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona etnike, të cilat ishin pushtuar që më parë, duke pranuar më pak se gjysmën e tyre, për një shtet (të gjymtuar) shqiptar, sipas vizatimit famoz, nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha vendimmarrëse më 1913, në Konferencën e Londrës.

Ndaj ne edhe sot, të gjithë jemi dëshmitar se edhe shpallja e Pavarësisë nga shqiptarët, pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë luftërave tona për liri, deri te pavarësimi i Kosovës, për ne si popull do të mbetej vetëm histori.

Kështu që i shqetësuar pa masë me rrezikun që i kanosej edhe vet ekzistencës së Shqipërisë londineze, vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë, në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës, në emër të shqiptarëve prijësi dhe organizatori i kryengritjes së përgjithshme kombëtare, për çlirimin e Shqipërisë etnike, Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston, për mbrojtjen e Shtetit të ri Shqiptar, i cili rrezikohej më shumë se kurrë, me shuarje të plotë nga Serbia, Greqia dhe Italia e cila tanimë edhe kishte pushtuar Vlorën.

I entuziazmuar nga kontributi i pareshtur kombëtar i Hasan Prishtinës në mbrojtjen e Shqipërisë, atdhetari i mirënjohur Sotir Kolea në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila atëbotë dilte në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante: “Populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të mëdhenj të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.

Ndaj presidentit amerikan Winston Woodrow, pas përsëritjes së thirrjeve nga patriotët shqiptar, drejtuar ati si president dhe Qeverisë Amerikane, në konferencën e Versajës më 1919, parandaloi copëtimin e tërësishëm dhe fshirjen nga faqja e dheut, të shtetit shqiptar, kohë kur tentohej shuarja edhe e asaj pak Shqipërie që vetëm juridikisht, ende ekzistonte në kufijtë e vizatuar sipas versionit të Konferencës së Londrës.

Fan Noli i madh, i frymëzuar nga përpjekjet e paepura të mërgimtarëve atdhetar në SHBA, për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite këndohen me shumë ëndje nga shqiptarët:

            “Mbahu Nëno mos ke frikë

            Se ke djemtë në Amerikë!”.

SHBA më 1999, ndihmoi edhe Dardaninë dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga asgjësimi që i kishte përgatitur regjimi okupator e gjenocidial serb dhe në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i atij viti, gjunjëzoi Serbinë shoviniste dhe detyroj tërheqjen përgjithmonë të saj si okupatore klasike nga Kosova.

Të gjitha këto fakte dhe shumë argumente tjera, nga kronologjia e trishtë e kohëve të kaluara, na bindin se festa jonë kombëtare, 28 Nëntori, përveç si festë gjithëshqiptare, është edhe një ditë krenarie dhe rast i përzgjedhur historik, për nderim e mirënjohjeje të veçanta ndaj mikes tonë më të madhe që kemi në botë- SHBA-ve, duke filluar me falënderimet më të mira për Presidentin Winston Woodrow, i cili shpëtoi Shqipërinë nga shuarja e planifikuar, më 1919 në Konferencën e Versajës, për të vijuar me Presidentët Bill Klinton që çliroi Kosovën nga okupimi serb, si dhe Gjorgj Bush-in e “ri”, i cili nga vizita në Shqipëri, garantoi kurorëzimin e pavarësisë së Kosovës.

Pra ashtu siç u shpëtua Shqipëria, edhe Kosova vet, mëvetësinë do ta arrinte vetëm falë SHBA-ve, pak kohë pas deklarimit të Presidentit George W. Bush, me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007,në Shqipëri, i cili para shqiptarëve dhe mbarë opinionit ndërkombëtar tha publikisht, se mjaft është mjaft dhe Kosova do të jetë shtet i pavarur!

Prandaj 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një ditë e shënuar falënderimi me respekt dhe pietet të pafund, për miken më të madhe të popullit shqiptar SHBA-të, si dhe një datë kujtimi për të gjithë të rënët dhe ata që nga viti 1878 e këtej, u përpoqën e luftuan pareshtur për lirinë e atdheut, bashkimin kombëtar dhe jetën me dinjitet të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në atdhe dhe botën mbarë.

Edhe me rastin e këtij 28 Nëntori, ashtu si në çdo përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, për të gjithë shqiptarët në atdhe, në diasporë dhe kudo gjenden e jetojnë ata.

Gëzuar kombi im, Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet liria e bashkimi i të gjitha trojeve tona etnike dhe përfundimisht të jetësohet Shqipëria Natyrale, ku përjetësisht do të festonin shqiptarët e bashkuar!

Ndërsa për të gjitha ato që as ne, si pjesëtarët e këtij brezi, të konsideruar me fat, nuk kemi mundur ti arrijmë, mbetet borxh i brezave të tashëm dhe atyre që do vinë, se rruga e nisur atëherë, duhet quar deri në fund, duke mos ndaluar përpjekjet deri në realizimin e plotë të idealit të rilindësve tanë, për bashkimin e të gjithë trojeve tona etnike në një shtet të përbashkët kombëtar, ashtu siç ëndërronin dikur ata dhe dëshirojnë sot e gjithmonë bashkëkombësit tanë kudo, shumë prej të cilëve dhanë jetën dhe sakrifikuan çdo gjë nga vetja- që një ditë-edhe shqiptarët të jetojnë të lirë e të pavarur si dhe të unisuar në një shtet të përbashkët kombëtar.

GËZUAR 28 Nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që gjenden dhe jetojnë ata në trojet e veta etnike dhe diasporën tonë!  

 

Gani Qarri 


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend