VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

(Dy Video) Dossieri i plotë: Përgjimet e antimafias/ Si Ndragheta joshte drejtuesit e Policisë në Tiranë me sallam kalabrez Nga Alba Kepi

By | January 27, 2021

Komentet

“Vëlla Ibrahim”, Letra që Adem Demaçi ia dërgonte Ibrahim Rugovës më 1992

Shkrimtari Shaip Beqiri ka publikuar një mesazh që Adem Demaçi i kishte dërguar Ibrahim Rugovës në vitin 1992, raporton Gazeta Express.

Demaçi e kishte nisur mesazhin me fjalët ‘Vëlla Ibrahim’ para gati 29 vitesh.
“Vëlla Ibrahim. Shpresoj se besimin që ta dha populli do ta kuptosh drejt dhe se besimit do t’i përgjigjesh me besim. Dëshiroj fort që të mos lejosh që interesat partiake, grupore e individuale ta dëmtojnë interesin e përgjithshëm; dëshiroj që kurrsesi të mos lejosh që burokratët e dallkaukët e ndryshëm të bëhen mur në mes teje e popullit. Vështirësitë janë të mëdha, por edhe fuqia e popullit është e madhe. T’u priftë e mbara e Zoti të bekoftë”, kishte shkruar Demaçi në mesazhin për Ibrahim Rugovën në 1992.

NJË PROKUROR I ISH-REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI DEKOROHET NGA DEPARTAMENTI I SHTETIT – Një dekoratë turpi! – Nga Frank Shkreli

Jo, jo nuk është “fake news”, është lajm i vërtetë! Lajmi më erdhi në postën time elektronike drejtë për drejtë nga Departmaneti i Shtetit pasi jam i abonuar për të marrë rregullisht të gjitha njoftimet e këtij departamenti në lidhje me Evropën.  Lajmi u përhap edhe nga agjenci lajmesh të tjera shqiptare, përfshir edhe Zërin e Amerikës, i cili njofton se Departamenti i Shtetit nderoi të martën individë të vendeve të ndryshme për luftën kundër korrupsionit, mes së cilëve edhe gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani.  Çmimi i ri “Kampionët Ndërkombëtarë të Anti-Korrupsionit”, siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, “vlerëson individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh në kushte të vështira, për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë në vendet e tyre”.

 

Unë nuk dua as nuk dëshiroj që ti bashkohem diskutimeve në median shqiptare, këto ditë, në lidhje me marrëdhëniet e Z. Dvorani me politikanë të ndryshëm shqiptarë të këtyre 30-viteve tranzicion të pafund dhe siç duket të pa mbarim, ku kanë pasur gisht dhe vazhdojnë të ushtrojnë influence në këtë përzgjatje të pafund edhe Z. Dvorani me shokë të tij gjykatës, prokurorë e të tjerë – të cilët në vend që të dekorohen duhet të mbahen përgjegjës për gjëndjen e mjerueshme dhe të pa krahasueshme me asnjë vend ish-komunist të Evropës — në të cilin gjëndet sot sistemi i (mos)drejtësisë shqiptare.  Për këtë gjëndje të krijuar në Shqipëri duhet të jenë të turpëruar të gjithë, përfaqsues të drejtësisë dhe të politikës shqiptare, por edhe ndërkombtarët që vazhdojnë t’i mbeshtesin këta humbës dhe deshtakë për tre dekada tani.  Të kenë turp, pikëspari para shqiptarëve por edhe para botës – sepse sado që të krenoheni me punën tuaj deri tani – shqiptarët që prisnin shumë më shumë prej jush – kanë vendosur tanimë se kjo që kini krijuar nuk është Shqipëria post komuniste që ata dëshironin. 30-vjet më parë rinia shqiptare rrëxoi monumentin e diktatorit Enver Hoxha duke deklaruar se e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa.  Të zhgënjyer nga mos-drejtësia dhe nga politika korruptive e këtyre 30-viteve, shqiptarët më në fund po votojnë me kembët e tyre duke u larguar masivisht nga trojet stërgjyshore për në vendet perëndimore pasi nuk dëshirojnë të jetojnë më në një atmosferë dhe frymë mos-drejtësie dhe politike enveriste, e ushtruar gjithnjë nga shumë përfaqsues të atij regjimi, 30-vjetë pas shembjes së monumentit të diktatorit Hoxha.

 

Monumenti i Hoxhës në sheshin Skenderbej mund të jetë rrëzuar 30-vjetë më parë, por, fatkeqësisht, monumente paturpësie të asaj periudhe terroriste dhe kriminale ke sot në zyrat më të larta vendimmarrëse të politikës dhe të drejtësisë në Tiranë, si në asnjë vend tjetër ish-komunist.  Kjo është në situatë e pa-tolerueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe duhet të ishte e pa-tolerueshme edhe për ndërkombëtarët në Tiranë.  Por, të pakën — në minimum– nuk do duhej që përfaqsuesë të politikës dhe të dretësisë ish-staliniste/enveriste të rekomandoheshin nga ndërkombëltarët për dekorata nga ente ndërkombëtare prestigjoze siç është Departamenti Amerikan të Shtetit. Para se të çoni dolli për këtë dekoratë, mendoni pak se çfarë simboli i dërgohet popullit shqiptar me një rekomandim të tillë për një ish-prokuror të ish-regjimit.  Çfarë simboli u dërgohet të përndjekurve, ish-të burgorurve të torturuarve nga komunizmi, familjeve të atyre që vdiqen nën tortura  në burgjet komuniste, varret e të cilëve as sot nuk gjënden nga familjet e tyre që të kenë mundësit që pakën të vendosin një tufë me lule tek varri të dashurve të tyre? Çfarë simboli çon ky vendim për mbrojtjen historike të të drejtave të njeriut nga ana e Shteteve të Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një botë në të cilën mbrohen të drejtat e njeriut, mbështeten mbrojtësit e tyre dhe ata që kryejnë abuzime të të drejtave të njeriut mbahen përgjegjës. Promovimi i respektit për të drejtat e njeriut nuk është diçka që ne mund ta bëjmë vetëm, por është arritur më së miri duke punuar me aleatët dhe partnerët tanë në të gjithë globin. Presidenti Biden është i përkushtuar në një politikë të jashtme që bashkon vlerat tona demokratike me udhëheqjen tonë diplomatike, dhe një që ka në qendër mbrojtjen e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar dje Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken, duke thënë se të drejtat e njeriut dhe demokracia janë në qëndër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

 

Unë nuk e njoh dhe nuk kam asgjë kundër Z. Dvorani, president, kryeministër u bëftë! Në të vërtetë i uroj punë të mbarë, por shërbimi i tij si prokuror në Shkodër gjatë viteve të regjimit komunist 1988-1991, nuk besoj se është një punë me të cilën ai dhe shokët e tij të asaj periudhe mund të thonë se ishin krenarë.  A po jo!?  Pyesni shkodranët se çfarë ndodhte në qytetin e tyre verior gjatë asaj kohe dhe si trajtoheshin ata nga “drejtësia” e regjimit komunist të Ramiz Alisë — drejtësi që ushtrohej dhe që zbatohej nga Z. Dvorani me shokët e tij të shkolluar në frymën e drejtësisë marksiste-leniniste-staliniste.  Pyesni për krimet çnjerëzore të atij regjimi dhe për njerëzit që i zbatuan ligjet e asaj kohe – madje edhe në ditët e fundit të regjimit komunist 1990-1991 — krime për të cilat ende askush nuk ka marrë përgjegjësi as nuk i kujton askush.  “Krimi” për rrëzimin e monumentit të Stalinit e të tjera simbole komuniste në Shkodër, jo më shumë se dy muaj para pluralizmit në Shqipëri. Çdo gjë kishte marrë fund, por mbrojtësit e zellshëm të drejtësisë komuniste donin të jepnin mesazhin se jemi ende këtu.  Abuzuesit e të drejtave më themelore të njeriut në regjimin komunist, sot na qenkan mbrojtësit më të zellëshëm dhe luftëtarë të korrupsionit, meritues të dekoratave nga Departamentit Amerikan të Shtetit!!!???   Po kush do e çojë deri fund drejtësinë për ato krime të kohës së komunizmit? Kush më mirë se ata që i urdhëruan dhe zbatuan ato krime e që edhe sot ushtrojnë detyrën e gjykatësit, prokurorit, avokatit e tjera.  Për mua ka shumë rëndësi zbulimi dhe përgjegjësia për këto krime të komunizmit. Kjo duhej të ishte prioritet edhe për ndërkombëtarët nëqoftse vërtetë dëshirojnë ta shërojnë dhe ta çlirojnë atë shoqëri njëherë e mirë nga e kaluara e saj komuniste.  Para dy tre ditësh ishte 30-vjetori i rrëximit të përmendores së Enver Hoxhës, a patë ndonjë ndërkombëtarë të bënte ndonjë deklaratë me këtë rast, po entet zyrtare të Shqipërisë “demokratike”, “antikomuniste”, anëtare e NATO-s, e shënuan, zyrtarisht, këtë datë????

 

A po t’i harrojmë ato krime, “se ashtu ishte koha” atëherë, thonë për veten e tyre sot të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në krimet monstruoze të kryera nga ish-regjimi ndaj të pafajshëmve shqiptarë, kundërshtarë të regjimit, të cilëve u kishte ardhur shpirti në fyt nga diktatura komuniste që mbrohej dhe mbahej në këmbë nga shumë  mbështetës të atij regjimi, shumë prej të cilëve edhe sot mbajnë pozita kyçe në qeveri dhe në drejtësi, e të cilët madje kanë siguruar edhe legjitimetin due mbështetjen e pa kursyer të ndërkombëtarëve.

 

Hannah Arendt është shprehur se, “Ekziston një ndërvarësi e çuditshme midis pamendësisë dhe së keqes”.  Mua më vjen shumë keq për këtë pamendësi dhe ndërvartësi të ndërkombëtarëve me përfaqsues të keqës (the evil) e komunizmit, që fatkeqësisht, ende diktohet qartë në nivelet më të larta vendimarrëse të Shqipërisë.  “Kur e keqja lejohet të konkurrojë me të mirën, e keqja ka një tërheqje emocionale populiste që fiton nëse njerëzit e mirë nuk qëndrojnë si pararojë kundër abuzimit”, ka paralajmëruar Hannah Arendt, një prej mendimtarëve më të rëndësishëm politikë të shekullit të kaluar.

 

Uroj që banaliteti i së keqës të mos arrij nivele edhe më të larta në trojet tona!

Teuta Hadri: Vrasësit e Enver Hadrit, më në fund, dënohen me burgim të përjetshëm

Vrasësit e Enver Hadrit, më në fund, denohen me burgim të përjetëshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë familja Hadri.
Ndonëse Prokurorja e Mbretit kërkoi për fajtorët nga 30 vjet burg për çdonjërin, juria e përbërë nga përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të popullit në sistemin e drejtësisë vendosën që kriminelët serbë të dënohen me burg të përjetshëm.
Kjo është një fitore e madhe e drejtësisë mbi krimin politik, thuhet në njoftimin e familjes Hadri.
Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:30, Hadri ishte në veturë kur u ndez drita e kuqe në semafor. Një makinë kalon pranë, nga ku vijnë të shtënat me armë drejtë tij. Hadri ishte 49 vjeç dhe vdiq në vend nga plumbi në kokë.
Hetimet e autoriteteve belge që kanë zgjatur me vite, kanë ardhur në përfundimin se krimi ishte bërë nga shërbimet sekrete jugosllave, në bashkëpunimin me nëntokën e Beogradit.
Në momentin kur u vra, Hadrit në xhep iu gjet lista prej 32 shqiptarëve që ishin vrarë rishtas nga Policia serbe në manifestimet paqësore në përpjekje për të mbrojtur autonominë e Kosovës!
Njoftimi i plotë i familjes Hadri (i pa redaktuar) lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës:
Vrasesit e Enver Hadrit denohen me burg te perjetshem
Dje me, 22 nentor 2016, Kryetarja e Trupit Gjykues ia kishte shtruar Jurise se perbere prej 12 qytetaresh te perzgjedhur me short, 3 pyetje dhe 3 nenpyetje :
1. Pyetja e pare kryesore : … I akuzuari Veselin Vukotiq a eshte fajtor per vrasjen e Enver Hadrit, i lindur me 2 prill 1941 ?
2. A e ka kryer i akuzuari këtë vrasje me paramendim ?
3. I akuzuari Bozhidar Spasiq a eshte fajtor per vrasjen Enver Hadrit, i lindur me 2 prill 1941 ?
4. A e ka kryer i akuzuari këtë vrasje me paramendim ?
5. I akuzuari Andrija Drashkoviq a eshte fajtor per vrasjen me paramendim te Enver Hadrit, i lindur me 2 prill 1941 ?
6. A e ka kryer i akuzuari këtë vrasje me paramendim ?
Pas nje shqyrtimi prej me shume se dhjete oresh Juria ne te gjitha pyetje e Kryetares kishte nje pergjigje te vetme : PO !
Ne kete menyre Gjykata e Madhe Penale e Brukselit, i shpalli fajtor per vrasjen e Enver Hadrit, Bozhidar Spasiq-in, ish-shef i UDB-se per operacione speciale dhe vrasesit Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq.
Nderkaq sot, me 23 nentor 2016, ani se Prokurorja e Mbretit kerkoi per fajtoret nga 30 vjet burg per çdonjerin, megjithate Juria, e perbere nga perfaqesuesit e drejtperdrejte te popullit ne sistemin e drejtesise, vendosen ndryshe : ata vendosen qe kriminelet serbe te denohen me burg te perjetshem.
Kjo eshte nje fitore e madhe e drejtesise mbi krimin politik.
Me kete vendim Gjykata Penale e Brukselit, kryeqytetit te Evropes, krahas organizatorit dhe vrasesve te Enver Hadrit, praktikisht e denoj edhe shtetin serb. Sepse organet serbe qe nje çerek shekulli, nuk lane gur pa levizur, qe vrasja e Enver Hadrit te mos zbardhet dhe dorasit te mos ndeshkohen.
Shpresojme se edhe vrasjet e ngjashme politike te kryera kunder shqiptareve apo kujtdo qofte tjeter do te zbardhen deri ne imtesi dhe organizatoret dhe vrasesit te marrin denimin e merituar.
Per familjen Hadri
Teuta Hadri
Bruxelles, 23 nentor 2016, 18h45

Lë mprapa Konjufcën në Prishtinë, Vjosa Osmani pritet të ketë marrë mbi 250 mijë vota më 14 shkurt

Në 228 qendra të votimit në Prishtinë, numri dy  në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka marrë mbi 44 mijë vota. Osmani ka lënë pas vetës edhe Glauk Konjufcën e VV’së, me një diferencë prej më shumë se 13 mijë vota. Raportimet jozyrtare thonë se deri tash ajo ka 250 mijë vota, e nëse kjo qëndron, e bën Osmanin politikanen më të votuar.

Gazeta Express ka numëruar votat e 228 qendrave të votimit në Prishtinë, që kanë marrë numri dy dhe tre i Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca.

Më shumë se dyzetekatër mijë qytetarë kanë votuar Vjosa Osmanin në vetëm në kryeqytet. Sipas raportimeve jozyrtare nëpër media, ajo ka marrë mbi 250 mijë vota në tërësi. Nëse kjo qëndron, atëherë Osmani bëhet politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë, me sistemin zgjedhor me lista të hapura. Këto vota nuk përfshijnë akoma votat me kusht dhe votat me postë.

Osmani e cila me iniciativën e saj kishte hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ku mbante numrin 2, ka lënë prapa vetes numrin 3 të kësaj liste, Glauk Konjufcën.

Konjufca ka arritur të sigurojë mbi 30 mijë e 500 vota në Prishtinë, duke bërë që diferenca ndërmjet tij dhe Osmanit të jetë mbi 13 mijë e 500 vota.

Në llogaritë që ka bërë Gazeta Express në këto vendvotime, shihet se Osmani e ka kaluar në secilin vendvotim Konjufcën, përveç një rasti kur ky i fundit kishte 10 vota më shumë se Osmani në një qendër të votimit në kryeqytet.

Ndërkohë, në një qendër të votimit në Prishtinë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 270 vota, asnjë nuk i është shënuar asnjë prej kandidatëve për deputetë. Nuk dihet nëse të dhënat nuk janë bartur të formularë, apo ka ndonjë gabim.

Ndryshe, Osmani e ardhur nga jashtë në LVV, ndodhi që të jetë më e votuara në partinë e Albin Kurtit dhe teknikisht e para në listë, pasi Kurtit iu pamundësua kandidimi për deputet, për shkak të problemeve me ligjin në tri vitet e fundit.

Kurti në zgjedhjet e vitit 2019 ka marrë 183 mijë e 952 vota, që është rezultati i tij më i miri ndonjëherë.

Ish-kandidatja për kryeministre e LDK’së në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, hyri në listën e VV’së pas disa muajve që u përjashtua nga pozitat e partisë amë dhe pas disa javësh që e krijoi iniciativën e saj.

Raportet e Osmanit me LDK’në u përkeqësuan, pasi partia e saj vendosi ta rrëzojë Qeverinë e Albin Kurtit, pjesë e të cilës ishte edhe vetë LDK’ja.

Osmani vitin e fundit vazhdimisht ka pasur qëndrime të afërta, ndonjëherë edhe të njëjta  me Kurtin dhe LVV’në.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me listën e Vjosa Osmanit, kanë fituar zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 47 për qind të votave të rregullta. Ky rezultat nuk përfshin votat me kushte dhe me postë./GazetaExpress/

Kjo është hera e parë në historinë 108 vjeçare të VATRES që ndodh nje çështje e tillë gjyqesore brenda VATRES

 

Federata Pan-Shqiptare e Amerikes VATRA

PO Box 622504, Bronx New York 10462

WELCOME- MIRESEVINI

“Sipas Gjykatës Federale te Distriktit të New York çështje numër Court Case SDNY 21-875 –( Pan-Albanian Federation of America v. Pan Albanian Federation of DC ) të ashtuquajturit Federata Pan Shqiptare e Amerikes VATRA ka hedhur në gjyq Federeatën Pan Shqiptare VATRA Dega Washington DC që është ne sherbim te VATRES prej 10 vitesh.

Ne këtë çështje gjyqësore janë përfshirë emrat e Kryetarit të Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA Z. Ahmet Xhafo i dalë nga kuvendi i VATRES me 31 Tetor 2020 i cili i ka sherbyer VATRES dhe vazhdon i sherben për më shumë se 5 dekada, ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA Dr. Gjon Buçaj që i ka shërbyer dhe i shërben VATRES për shumë se 50 vjet, Kryetari i Degës së VATRES Washington DC që i shërben VATRES per gati 2 dekada, si dhe Dr. Nexhat Kaliçi, kryetar i degës së Newburgh, dhe drejtuesi i Fondacionit te VATRA Inc qe i shërben VATRES per 30 vjet. E gjithë puna qe e Degës së VATRES Washington DC dhe e gjithe VATRANEVE të përmendur në këtë cështje gjyqësore është vullnetare dhe pa pagesë.

Kjo është hera e parë në historinë 108 vjeçare të VATRES që ndodh nje çështje e tillë gjyqesore brenda VATRES.

Këshilli Drejtues i VATRES vendosi unanimisht më 20 shkurt 2021 që t’i kundërshtojë akuzat e pabaza duke ndjekur rrugët ligjore që sa më shpejt të dalë në pah e vërteta nëpërmjet ligji.

 

Tri dekada nga rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha, persekutimet dokumentohen në muze

Shqipëria shënon këtë vit 30-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënoi edhe simbolikisht rrëzimin e diktaturës, ndërkohë që në vend janë shtuar në vitet e fundit muzetë dhe institucionet që studiojnë dhe pasqyrojnë të kaluarën komuniste, shkruan Anadolu Agency (AA).

Më 20 shkurt 1991 rrëzohet shtatorja e ish-diktatorit Enver Hoxha

Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi në dhjetor të vitit 1990 dhe vazhdoi për disa muaj derisa u shndërrua në një lëvizje më të madhe me protesta popullore, duke sjellë edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Ish-diktatori Enver Hoxha e udhëhoqi Shqipërinë komuniste nga viti 1944 deri në vitin 1985 dhe pas vdekjes së tij sistemi komunist do të drejtohej nga Ramiz Alia, por vetëm për 6 vite, pasi demonstratat popullore dhe ndryshimet që pësuan regjimet komuniste në Evropë përfshinë edhe Shqipërinë.

Protestat që filluan në dhjetor të vitit 1990 fillimisht nga studentët do të kulmonin me rrëzimin e shtatores së ish-diktatorit Hoxha, më 20 shkurt 1991, moment ky që shënon edhe simbolikisht rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Shtatorja e ish-diktatorit Hoxha ishte përuruar në vitin 1988 në sheshin “Skënderbej” dhe rrëzimi i saj i hapi rrugën proceseve demokratike në vend.

Më 31 mars 1991 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste pasi ishin krijuar edhe disa parti politike pas rreth 50 vitesh diktaturë, ndërkohë që vendi kishte hyrë në fazën e tranzicionit.

Persekutimi komunist dokumentohet në muzeun Bunk’art 2

Teksa kanë kaluar 30 vite nga përmbysja e regjimit komunist, trashëgimia komuniste dhe krimet e komunizmit janë të dokumentuara në muze dhe institucione të tjera në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Një objekt i cili dokumenton sidomos persekutimin komunist është edhe ish-bunkeri antibërthamor i Ministrisë së Brendshme i ndërtuar mes viteve 1981 dhe 1986, që sot si objekt muzeal quhet Bunk’art 2, i vendosur në qendër të Tiranës.

Ky bunker tunel që u emërtua gjatë komunizmit si “Objekti Shtylla” u ndërtua me qëllim për të strehuar zyrtarë të lartë të vendit dhe stafin e Ministrisë së Brendshme në rast të ndonjë sulmi bërthamor, duke u ndarë në dhoma, por edhe apartament për drejtuesit e ministrisë.

Në vitin 2016 ish-bunkeri nëntokësor sekret u shndërrua në muze, ku brenda tij ekspozohen fotografi, dokumente, aparate përgjimi, pajisje dhe objekte të tjera të ndryshme që tregojnë aktivitetin e institucioneve policore dhe sidomos persekutimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Dokumentet dhe pajisjet dëshmojnë për dënimet me vdekje, ndjekjen, përgjimin, burgjet dhe kampet e përqendrimit, por edhe aktivitetin e strukturave të policisë dhe Ministrisë së Brendshme gjatë komunizmit.

Ndërkohë, duke qenë se është shndërruar në një objekt muzeal, pasqyron edhe historikun e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri gjatë historisë së shtetit shqiptar.

Interesi i turistëve të huaj është i lartë për muzeun në fjalë, ku edhe gjatë pandemisë COVID-19 nuk kanë munguar vizitorët, të cilët njihen nga afër me një nga muzetë e rinj të Tiranës, që dëshmon të shkruarën komuniste të Shqipërisë.

Në Shqipëri ka edhe objekte të tjera muzeale që tregojnë të kaluarën komuniste në vend, si pavijoni i persekutimit komunist në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në Tiranë që i kushtohet sistemit të përgjimeve që përdori regjimi komunist, si dhe Bunk’Art 1, që i dedikohet historisë së ushtrisë dhe jetës së përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të komunizmit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), gjatë regjimit komunist në Shqipëri rezulton se 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë janë burgosur si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 janë vrarë, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

Shuhet poeti i njohur Lefter Çipa, mjeshtër i madh i poezisë popullore

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti i njohu, Lefter Çipa. Mësohet se poeti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh. Çipa do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si mjeshtri i madh i poezisë popullore.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

Lefter Çipa është babai i gazetarit të njohur, njëherësh kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksandër Çipa.

Kosovë, mbahet manifestimi qendror për shënimin e 13-vjetorit të pavarësisë

Prishtinë

Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur manifestimi qendror për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në 13-vjetorin e pavarësisë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe më pas parakaloi para Gardës Ceremoniale të FSK-së.

Në fjalën e saj drejtuar trupave të FSK-së dhe qytetarëve të Kosovës me rastin e përvjetorit të pavarësisë së vendit, Osmani tha se rruga të cilën e ndoqi Kosova deri tek pavarësia nuk ka qenë e lehtë por as e shkurtër.

“Duke shikuar mbrapa, 13 vjet pas e shohim rëndësinë e lirisë sonë dhe të mbështetjes nga vendet mike të cilat dhanë kontribut të çmueshëm në lirinë tonë dhe në pavarësinë e vendit tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës NATO-s, SHBA-së, BE-së dhe gjithë botës demokratike ngase pavarësia e vendit as që do të mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”, theksoi Osmani, e cila theksoi se beson që në një të ardhme të afërt edhe trupat e FSK-së do jenë në krah të atyre të NATO-s.

Ajo shtoi se synimi i Kosovës është integrimi në bashkësinë e popujve evropian, ndërsa për ta arritur këtë “çdo ditë duhet ta dëshmojmë se jemi shoqëri ku ka vend për të gjithë dhe të gjithë qytetarët tanë janë të barabartë”.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti tha se përvjetorët e pavarësisë së vendit janë momente të veçanta për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi.

“Mbetet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrim evropian të Kosovës. I tillë ishte vizioni dhe amaneti i heronjve tanë të cilët na ndriçuan rrugën në luftën çlirimtare, por ambicia e tyre nuk mbaron këtu. Kjo ambicie rritet dhe zhvillohet çdo ditë ashtu siç po konsolidohet dhe avancohet demokracia si vlera më e lartë dhe çmuar e gjithë historisë njerëzore”, theksoi Hoti.

Ai shtoi se edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt të dëshmorëve bëhet udhërrëfyes “që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”.

Shënimi i Ditës së Pavarësisë nisi para godinës së Qeverisë së Kosovës ku u ngrit flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së ndërsa më pas liderë politikë si dhe krerë të institucioneve të vendit bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 ndërsa deri më tani ajo është njohur nga 117 vende të ndryshme të botës.

Kosova kremton 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Janë bërë 13 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

13 vjet pas pavarësisë, shteti kosovar vazhdon të përballet me sfida brendapërbrenda territorit dhe në marrëdhëniet e tij me vende të jashtme.

Jashtë territorit të saj, Kosova vazhdon të përballet ende me Serbinë, udhëheqësit shtetërore të të cilës kanë vazhduar me diskursin e tyre të mosnjohjes së pavarësisë si dhe duke e konsideruar Kosovën si “tokën e tyre”.

Institucionet kosovare megjithëse ka kohë që nuk kanë bërë ndonjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, që nga shtatori i vitit 2020 nëpërmjet një marrëveshje e cila u nënshkrua në Washington midis Kosovës dhe Serbisë, kryeministri kosovar Avdullah Hoti pranoi që Kosova të pauzojë në përpjekje për t’u anëtarësuar në çfarëdo mekanizmi ndërkombëtarë (përjashtim bëjnë njohjet e reja).

Brenda territorit të saj, Kosova vazhdon të cilësohet nga institucione e organizata të huaja të Bashkimit Evropian (BE) ende si vend me korrupsion, varfëri, krim të organizuar dhe sistem të brishtë të arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë kur, sikurse e gjithë bota, ajo po përballet me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Rruga e Kosovës drejtë pavarësisë

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë e tyre.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan në intervale të ndryshme kohore që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.

Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaari-n si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisaari-t dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar në vend, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë.

Pas kësaj, Serbia dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe në korrik të vitit 2010 mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 117 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë ulëse (anëtarësim) në OKB.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, koncentrimi në Washington gjatë vitit 2020

Në vitin 2011, filloi procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, megjithëse ato nuk kanë zgjidhur konkretisht asgjë dhe shpeshherë edhe janë ndërprerë, përfshirë vitet e fundit.

Viti 2018 filloi me tensione kur lideri serb i nismës qytetare në Kosovë, “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, më 16 janar u vra në një atentat në veri të Mitrovicës, para zyrës së tij. Takimi i cili planifikohej në po atë datë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ishte anuluar me tërheqjen e palës serbe.

Ndërsa po në 2018, në nëntor, Kosova i vendosi tarifë prej 100 për qind produkteve të importuara me origjinë serbe si dhe atyre që vijnë nga Bosnjë e Hercegovina. Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi Kosova nuk mundi të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL, si rezultat i fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.

BE, por edhe SHBA, e kundërshtuan nga fillimi një vendim të tillë nga Kosova dhe i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë tarifën 100 për qind, por një gjë e tillë nuk ndodhi për muaj me radhë, gjë që po ashtu la “të ngrirë” procesin e dialogut.

Me ardhjen në pushtet të kryeministrit të atëhershëm, Albin Kurti, në prill të vitit 2020, u bë zëvendësimi i tarifës 100 për qind me reciprocitet “ekonomik e politik” përballë Serbisë. Por, edhe reciprociteti u hoq nga kryeministri, që erdhi në pushtet në qershor të të njëjtit vit, Avdullah Hoti, i cili tha se me këtë veprim “po hiqen pengesat e dialogut Kosovë-Serbi”.

Pas heqjes së tarifës, takimet në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin BE tha se po shkon drejtë fazës finale, filluan në muajin korrik të vitit 2020 në Bruksel, midis kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me temë ekonominë dhe të pagjeturit.

Derisa pas takimit Hoti-Vuçiç, dialogu vazhdoi me takime ndërmjet delegacioneve dypalëshe në nivel ekspertësh në Bruksel, me po të njëjtat tema.

Ndërkaq, më 4 shtator, pas takimit në Bruksel, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç u takuan në Washington të SHBA-së, në Shtëpinë e Bardhë, ku në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nënshkruan marrëveshje për “normalizim ekonomik midis të dyja vendeve”, e cila nga pala kosovare u konsiderua si marrëveshje historike.

Marrëveshja, ndër të tjera, përfshin gjithashtu që Kosova të pauzojë për një vit përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare (përjashtim bëjnë njohjet e reja). ndërkaq obligon Serbinë të ndalojë çfarëdo fushate kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja të shtetësisë.

Njohja nga Izraeli, si “thyerje e bllokadës së njohjeve për Kosovën”

Shteti i Izraelit zyrtarisht është bërë vendi i 117-të që njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo njohje erdhi vetëm disa ditë para përvjetorit të pavarësisë, saktësisht më 1 shkurt, ku gjithashtu Kosova dhe Izraeli nënshkruan për formalizimin e marrëdhënie të plota diplomatike nëpërmjet Ministrave të Jashtëm, në një takim virtual.

Kryeministri tani në detyrë, Avdullah Hoti, pas përfundimit të këtij takimi, tha se marrëveshjet me Izraelin, derivojnë nga Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku Hoti kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në prezencë të ish-presidentit Trump, me ç’rast Netanyahu kishte shprehur gatishmërinë e Izraelit për ta njohur Kosovën.

Letra e presidentit Biden përmend njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës me kryeministrin tani në detyrë, Hoti, shumë shpesh gjatë vitit 2020 ka përmendur se dialogu Kosovë-Serbi është drejtë finalizimit dhe qëllimi është përmbyllja e këtij procesi me njohje reciproke të pavarësisë.

Por, njohjen e pavarësisë së Kosovës e ka mohuar si mundësi presidenti serb, Vuçiç.

Në këtë çështje, në një letër të dërguar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, me rastin e 15 shkurtit – Ditës së Shtetësisë së Serbisë drejtuar presidentit Vuçiç, presidenti Biden e ka inkurajuar homologun serb drejt marrjes së “reformave të nevojshme shtetërore” duke përfshirë edhe njohjen reciproke me Kosovën.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim, përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke”, shkroi Biden.

Duke komentuar letrën e presidentit Biden, Vuçiç tha se çështja e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi nuk përmendet në asnjë dokument.

“Kam pranuar urimin, e falënderoj (presidentin Biden). Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë”, tha Vuçiç.

Letrën e presidentit Biden për presidentin Vuçiç ku përmendet njohja e ndërsjellë midis dy vendeve, Kosova e ka mirëpritur nëpërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ajo ka thënë se “vetëm me përfshirjen e SHBA-së, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë”.

Zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare dhe ndryshimi i ekuilibrave

Pasi qeveria e Hotit në Kosovë u rrëzua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, më 14 shkurt të vitit 2021 në vend u organizuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (VV) nën udhëheqjen e Kurtit, arriti t’i dyfishojë votat e zgjedhjeve të vitit 2019 kur arritën 25,49 për qind.

VV në zgjedhjet e 14 shkurtit arriti të fitojë 47,85 për qind. Pas saj, në vend të dytë është radhitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,41 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka marrë 13,08 për qind të votave. PDK fitoi në 17,41 për qind, ndërsa AAK-ja arriti 7,43 për qind.

Fituesi i dalluar i zgjedhjeve, kandidati për kryeministër Kurti, në deklaratën e tij të parë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me dialogun me Serbinë, u shpreh se “nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë”.

Ndërkaq, që nga muaji shtator i vitit 2020, nuk ka pasur më takime të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Edhe pasi dialogu ka rifilluar në korrik të vitit 2020, palët kanë pasur qëndrime të kundërta për shumë pika, sidomos rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Kosova ka refuzuar të flasë, ndërkaq Serbia ka insistuar që ai të formohet pasi ka argumentuar se ky është obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit.

BE vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, duke rikujtuar se Kosova “ka marrë obligim për këtë edhe përmes miratimit të saj në Kuvendin e Kosovës”.

Në Kosovë, shtet me 1 milion e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë serbët, boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Liderë botërorë urojnë Kosovën për përvjetorin e 13 të pavarësisë

Prishtinë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë telegrame urimi nga liderë botërorë me rastin e 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Presidenca e Kosovës, pas presidentit amerikan, Joe Biden, Osmani është uruar edhe nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, presidenti gjerman, Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti italian, Sergio Mattarella.

Mbretëresha Elizabeth II në telegramin e saj ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Presidenti gjerman në telegram ka potencuar progresin e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Ndërkaq, oresidenti francez duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë. Macron në mesazhin e tij theksoi se mbështet plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) me synim arritjen e “një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme” të Kosovës me Serbinë.

Duke përgëzuar popullin e Kosovës në përvjetorin e pavarësisë, edhe presidenti italian ka potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin.

Osmani ka pranuar telegrame urimi edhe nga mbreti i Suedisë, Carl Gustaf R, mbreti i Belgjikës, Philipe Roi des Belges, presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin dhe presidenti kroat, Zoran Milanoviq.

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Parmelin, ka përmendur marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe ka shprehur kënaqësinë që ky bashkëpunim vazhdon të thellohet pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia.

Edhe presidenti kroat ka përmendur sfidat e shkaktuara nga pandemia, duke shfaqur gatishmërinë e shtetit të tij për ta mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit evropian.

Joe Biden letër Vjosa Osmanit: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë

VOA

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në rrugën e saj evropiane Kosova duhet të punojë për një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, e cila ka në qendër njohjen e ndërsjellë.

Këto komente janë pjesë një letrë me të cilën presidenti Biden përgëzoi ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të pavarësisë.

Në letrën e shpërndarë nga zyra e zonjës Osmani thuhet se “lidhjet ndërmjet popujve tanë mbeten të fuqishme, të mbështetura në përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe qëndrueshmërinë tuaj si një vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik“.

Mezi presim të punojmë me qeverinë e ardhshme për ta çuar përpara Kosovën në rrugën e saj evropiane“, thuhet në letër.

Ka punë për të bërë, përfshirë edhe sigurimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë e cila forcon sundimin e ligjit, përballjen më pandeminë globale të COVID-19 dhe nxitë rritjen ekonomike, që mundëson një të ardhme përparimtare për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje, presidenti Biden shkroi se për të “Kosova vazhdon të ketë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti për periudhën kur djali ynë i ndjerë, Beau Biden, punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës“.

Ditë më parë presidenti Biden, i bëri thirrje presidentit të Serbisë që të punojë drejt reformave evropiane dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Kosova e Serbia sivjet mbushin dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet që rifilluan vitin që lamë pas, pritet të vazhdojnë pas formimit të institucioneve të Kosovës e cila të dielën më 14 shkurt mbajti zgjedhjet e reja parlamentare.

Më katër shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë një dakordim për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre.

Kosova kremton të mërkurën 13 vjetorin e pavarësisë së saj e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Amerikanët festojnë Ditën e Presidentëve

VOA

Amerikanët përkujtojnë sot Ditën e Presidentëve, një festë federale që nderon të gjithë presidentët amerikanë.

Dita festohet të hënën e tretë të shkurtit, muajin e lindjes së dy presidentëve më të shquar të vendit, George Washington, presidenti i parë i kombit dhe Abraham Lincoln, i cili udhëhoqi vendin përmes Luftës Civile.

Një pjesë e amerikanëve e kanë ditën e sotme pushim, sikurse punonjësit federalë, por shumë prej tyre jo.

Gjatë kësaj feste shumë kompani ofrojnë ulje të artikujve që tregtojnë.

Këtë vit një shtëpi ankandi me bazë në Boston, “RR Auction”, pritet të nxjerrë në ankand relike që u takojnë disa presidentëve.

Gati 300 objekte presidenciale do të ofrohen në një ankand që do të zhvillohet në internet, mes tyre një triko e kuqërremtë e universitetit të Harvardit të cilën e vishte Presidenti John F. Kennedy, një tufë flokësh e Presidentit Uashington dhe një fotografi e nënshkruar nga Presidenti Lincoln.

Ankandi përfshin gjithashtu dokumente nga shumë presidentë, përfshirë John Quincy Adams, James Madison dhe Ulysses S. Grant.

Dita e Presidentëve e ka fillimin e saj tek festimet me rastin e ditëlindjes së Presidentit Uashington më 22 shkurt të çdo viti.

Kongresi e shndërroi atë në një festë federale në 1968 dhe gjithashtu e zhvendosi atë në të hënën e tretë të shkurtit.

Në atë kohë, disa argumentuan se festa duhet të përfshinte ditëlindjen e Presidentit Linkoln, më 12 shkurt si dhe të riemërtohej nga Ditëlindja e Uashingtonit në Ditën e Presidentëve.

Aso kohe ligjvënësit e refuzuan këtë ide dhe festa quhet ende zyrtarisht Ditëlindja e Uashingtonit. Sidoqoftë, dita tashmë njihet zakonisht si Dita e Presidentëve dhe shihet nga pjesa dërrmuese e amerikanëve si një festë që përkujton të gjithë presidentët e vendit.


Send this to a friend