MBAS DHJETË MUEJSH NË TIRANË
Komanda Gjermane – përveç, shpifjesh tjera që m’ ishin ba -, ishte informue edhe për takimin tim me majorin Neell. Kishte marrë vendim të më kapë e të më vrasë. Dy kompani nga Shkodra e dy nga Prizreni do të takoheshin tek ura e Berdhetit në rrugën Pukë-Kukës, për të arrijtë pa gëdhijë drita e me më rrethue në shtëpinë time n’ Iballe.
Ndërhyni fati!
Platzkomandanti i Prizrenit thirri tim vlla, Pashukun (që ndodhej me tregëti në Prizren), për ti ngarkue një mision delikat me rendësi të dorës së parë. “Duhet kapë një armik i rrezikshëm që po përgatitë sabotimin kundër komunikacionit të ushtrisë gjermane për të pré rrugën Shkodër-Prizren; ky anmik quhet Kol Bib Mirakaj, nga Iballe e Pukës. Ti Pashuk, nesër mbasdreke, ke për tu nisë me dy kompani ushtarë nga Prizreni për tek Ura e Berdhetit; aty do të gjeni edhe dy kompani që vijnë nga Shkodra, e duhet t’arrini n’ Iballë pa gëdhij dita për ta kapë “diser Hund” këté qen! Ta kam besue ty udhëheqjen e këtij operaconi me rendësi pse ti i njeh mirë ato vende, dhe se ké dishmue kurdoherë miqësi e lealitet ndaj nesh!” Kështu, i kishte folë koloneli Platzkomandant i Prizrenit Pashukut.
Pashuku, (tashti i Ndjerë), gjend’ keq në këte të papritun.
I thotë: “Zotni Oberst (kolonel), si më quejnë mue?”
– “Ja warrum? (Po, pse?) Pashuk”
– Po mandej?
– Çfarë don të thuesh?
– A e dini si quhëm me emën e mbiemën?
– Pashuk Biba Mirakaj.
– Po, po ai anmiku i rrezikshëm i juej si u quejka?
– Kol Bib Mirakaj quhet.
– A nuk u kanë kujtue gja këta dy emna njëlloj, ai Kol Bib Mirakaj, dhe unë Pashuk Bib Mirakaj?
Koloneli u pré. “Po pse? jeni gja mes jush?(seit ihr verwanten)?”
– “Jemi vllazën prej babet e nanet. Ju keni pasë rasë me i njohtë ndjenjat e mija ndaj kauzës s’ Uej që e quejmë edhe tonën, pse e dijmë se po të fitoni ju, Shqipnija do të jetë indipendente ndër kufinjtë etnikë.
Unë jam tregëtar e jo politikan. Të gjitha veprimet e mija në politikë, si edhe veprimet luftarake, nuk janë gja tjetër veçse zbatimi i dëshirave e porosive të tim vllau, të cilit unë i besoj e i bindëm verbsisht. Tash gjykojeni Ju këte z. Kolonel, nëse Ai mund të jetë anmik i juej, apo asht e kundërta, dhe anmiqtë tuej e të tij kanë dijtë t’ Ju gënjejnë e gabojnë. Po të më lironi të dal prej këndej, dijeni se unë do ti dergoj menjëherë lajmin tim vlla që të largohet për të mos u shkaktue gjakderdhje e kotë. Dijeni mirë se po ta rrethoni befasisht, të gjallë nuk e kapni; e po ta vritni, keni vra një njeri që nuk ka tjetër qellim veç të mirën e Atdheut të vet, e asht mik i Juej, sëpse, e kujton fatin e kombit të vet të lidhun me fitorën tuej. E mos e kujtoni të lehtë një operacion të tillë; jo një bataljon, po edhe një divizjon po të jetë për këte qellim të keq, gjaku ka për të shkue deri në gju. Ai ka shtatqindë shtëpi fis përrreth e krejtë ato male t’ organizueme, jo kundër jush, po kundër komunizmit e mbrojtjën eventuale të Kosovës. Një pushkë po të fillojë në Iballë, përhapet kushtrimi i përgjithshëm.
Mos e bani këte gabim trashanik!” (Përkthente profesor Luk Çuni, i cili, tashti gjendet në Melbourne t’Australisë).
Heshtje vdekjeje!
Në pak sekonda, koloneli vendos: Merr ndërlidhje telefonike me gjeneralin Fitztum në Tiranë. I kumton bashkfjalimin me Pashukun dhe i kjartëson gabimin, tue e bindë t’ anulohej veprimi. I jep Pashkut dyqindë armë italjane e dhjetë arka municjon me mi sjellë mue, dhe e ngarkon të më njoftojë se gjenerali Fitztum dishëron të dërgojë një oficer të vetin për tu takue me mue për të skjarue çeshtjën, dhe pret përgjegjen nëse e pranoj takimin dhe vendin ku do të shihemi.
Mbas pesë ditësh një oficer me pesë nënoficera të S.D. arritën në shtëpinë time n’ emën të gjeneralit Fitztum. U fola me zemër të hapun edhe atyne, pa u fshehë takimet me majorin Neell. Më kërkuen të takohëm me gjeneralin Fitztum përsonalisht në Tiranë, Shkodër ose Pukë.
U tregova i gatshëm të shkoj në Tiranë, nëse më ftojnë me një telegram, mbasi ti kenë referue gjeneralit mbi bashkfjalimet me mue, e se atë telegram, do ta quejshe si pêng bese nga gjenerali përsonalisht drejtë meje. Në Tiranë – u thash atyne – dishroj të shkoj, pse due të takohëm edhe me Mit-hat Frashërin dhe të tjerë krenë të Shqipnisë, për të mujtë që t’ arrijmë të bashkojmë dhe të kordinojmë të gjitha forcat nacionaliste, kundër rrezikut aktual bolshevik.
Porsa u kthyen ata në Tiranë, u ftova telegrafisht dhe u nisa për udhëtim. Në Shkodër mora kontakt me kryetarët e “Beslidhjes Shkodrës”.
U tregova arsyet e qellimin e udhtimit tim, dhe planin e veprimit që mendojshe. Mu lutën që kur të kthehesha, tu baj ekspozenë e përfundimit të punës sime në takim.
Porsa arrita në Tiranë, një nga adjutantët e Fitztum erdhi të më përshëndesë, e më kumtoi se gjenerali më priste të nesërmën n’ ora dhjetë n’ audjencë. Më vuni në dispozicjon një veturë (automjet) me dy nënoficera, ndër këta një i quejtun Ramo Tutiqi nga Mitrovica, i cili tashti gjendet në Turki.
Bisedimi me gjeneralin përfundoi në këto kushte:
- a) Komanda gjermane asht gati t’ japin armët e municjonin e nevojshëm për të shue rrezikun komunist në Shqipni.
- b) Komanda Gjermane ven kushtet: Nuk dishron të dëgjojë grindje e ndasina në parti, po të gjithë të përmbledhun në një organizëm kombtar antikomunist, me një komandë të vetme. Kërkon garancinë përsonale me besë Shqiptare nga disa krenë, ndër të cilët kujtoj: Kapidani i Mirditës, Sylço beg Bushati, Mit-hat Frashëri e Kol Bib Mirakaj, që n’asnjë rastë e në çfardo rrethanash, nacionalistët Shqiptarë nuk do t’ ua venë pushkën ushtrisë gjermane mbas shpinet.
- c) Nëse nevojët strategjike kërkojnë tërhjekjen e ushtrisë gjermane nga toka Shqiptare, Komanda Gjermane në Shqipni, do ti dhurojë Komandës së forcave nacionaliste Shqiptare, të gjithë materjalin ushtarak që nuk i nevojitet asaj për udhtim.
- d) Nga forcat nacionaliste Shqiptare, nuk kërkohet të luftojnë kundër ushtrive Aleate në rasë zbarkimi, kerkohet vetëm, ruejtja e qetësisë së mbrëndshme.
- e) Për të vue në veprim sa u tha aty, Komanda Gjermane, pret kumtimin nga ana Shqiptare me ndermjetsinë e Kolë Mirakaj.
Në bisedimet ishte pranë edhe majori Lek Marashi, per ndihmë gjuhe, i cili tashti gjendet në Buffalo – N.Y. – U.S.A.
TAKIM ME MIT’HAT FRASHËRIN E MEHDI FRASHËRIN
Porsa dola nga Fitztum, shkova tek z. Koço Muka, aso kohe ishte Ministër i Arsimit, të cilit iu luta të më caktonte po atëditë pikpjekje me Mit’hat Frashërin. U takuem në shtëpinë e Koço Mukës, prezent edhe Koço. I tregova Mit’hat beut arsyet e qellimin e ardhjes sime në Tiranë, bisedimet me njerzit e “Beslidhjes së Shkodrës” dhe me gjeneral Fitztum,
organizimin e gatishmëninë e maleve për t’ iu përgjegjë një apeli kombëtar me rrokë armët, përfundova tue e cilsue atë si njeriun ma të përshtatshëm për të marrë nisjativën e kësajë vepre shpëtimtare menjëherë. I propozova të ftohën në mbledhje të gjithë Krentë e Shqipnisë në Tiranë, e nga kjo mbledhje të caktoheshin forcat e nevojshme që duhej t’ jepte çdo krahinë dhe mandej t’ jepet kushtrimi i përgjithshëm për sulm kundra komunizmit.
Me që Mit’hat beu shfaqi dyshimin se ndoshta, do të ketë nga ata që nuk do ti përgjegjeshin apelit të Tij, e sigurova, dhe ua mora unë përsipër për Kapidan Gjon Markagjonin e Sylço beg Bushatin, Maliq Bushatin, (me këta kishe folë e mezi pritshin) dhe për të gjithë Krenët e Malëve. E sigurova se mbrënda dhjetë ditësh nga dhanja e kushtrimit prej mbledhjes, do t’arrinin në Tiranë 10.000 deri 15.000 luftarë. Përfundova tue i thanë: “Koha nuk pret Mit’hat bej! Ndoshta mbas dy javësh, edhe po të duem, nuk do të mund të bajmë gja. Kujtoj se, asht rasa e detyra e jote të merrësh Flamurin e shpëtimit t’ Atdheut!”
Mu përgjegjë se i pëlqente të gjitha këto ide, e se do t’ jepte gjithë përkrahjën e Tij morale, por nguli kambë që të vete te Mehdi beu, me që Atij si Kryetar Shteti i përkiste e i duhej ofrue nisjativa sëparit herë. Nuk e quejti të rasës të më përcjellë edhe Ai, per tek Kryetari i Regjencës.
Kërkova audiencë te Krytari i Këshillit të Naltë, shkëlqesa Mehdi Frashëri, i cili më priti menjëherë e me shumë fisniki. I parashtrova gjithë çështjën, tue i dhanë sigurimet e nevojshme. E pranoi me gëzim qellimin e veprimit tim, dhe më dha fjalën se porsa ta bisedojë çeshtjen me kolegët e Këshillit, do të bante thirrjen për mbledhjen e prospektueme nga unë. Mori në shënim edhe shumë emna Krenësh, që ia dhashë unë simbas kërkesës së Tij. Ndër ata emna të parët ishin Sulço Beg Bushati e Gjon Markagjoni. Mehdi beu më tha se Sylço beun e Gjon Markagjonin, do t’ ishte mirë me i lanë mënjëanë për këte herë. Unë insistova se pa ata të dy, nuk bahej gja, dhe se nuk kishte asnjë arsye që ata të mos ftoheshin.
Vuna në dijeni Mit’hat Frashërin, tue e lutë ta nxiste çeshtjën me që unë nuk mund të rrijshe shumë kohë në Tiranë. Prita më kot edhe pesë ditë të tjera, e ma së fundit, kur pruna bindjen se kishëm tretë frymë n’erë, ktheva në Shkodër. Ishte java e tretë e Gushtit 1944.
NË KËSHILLIN E “BESLIDHJES SË SHKODRES”
U ktheva nga Tirana e pa shkue aspak në shtëpi, u ndalova në Prefekturë të Shkodrës. Iu luta prefektit z. Mynir Tërshana, të ftojë mbledhjen e Këshillit të Beslidhjes mundësisht në atë mbramje, që të mund ti vé në dijeni të përfundimit të misjonit tim, siç u kishe premtue.
Më njoftoi se po n’ atë çast do të mblidheshin në shtëpinë e Hafiz Ali Krajës, për të bisedue disa çeshtje, prandej – më tha – mund të shkojmë menjëherë. Përfitova nga ky rast e shkuem së bashkut: Prefekti, Kolonel Luigj Mikeli (komandant i zonës), major Llesh Marashi (komandant i Qarkut) dhe unë.
Gjetëm mbrëndë aty, z. Sali Myftija, Shefqet Muka (kujtoj), Lec Kurti, Ymer Lutfija e nuk dij cilin tjetër për Legalitetin e Ballin. Ishin edhe Sylço beg Bushati, Gjon Markagjoni, Maliq Bushati, Mark Gjonmarkaj e Hafiz Alija për grupin Indipendent.
Njëlloj bisedimi kishte fillue tue i hjellë spilca (kritika) njenitjetrit përfaqësuesit e Legalitetit e të Ballit, e mjaft e nxehtë biseda dhe aspak ndertuese. Pata përshtypjën se muhabeti nuk po kishte fund. U kërkova leje t’ iu baj referatin tim. Fillova me të tanë kujdesin e pasjonin e rastit të vé në veprim oratorinë time të vorfën, për t’ ua mbushë mendjen se çfarë rreziku po i kërcënohej Kombit, dhe kokave e familjeve tona. Kerkova t’ Ua mbushi mendjen se grindjet e mosbashkmi ynë janë forca ma e madhe e anmikut, e kjo ka me sjellë ata në triumf per rrënimin Atdheut. Ua shpjegova përfundimet e arrituna me gjeneral Fitztum, bisedimet me Mehdi e Mit’hat Frashërin, dhe përshtypjën e fundit timën që nga Tirana nuk më dukej se do të vinte nisjativa, prandej, duhej ta merrte “Beslidhja e Shkodrës” perfundimisht. U Bana apel ti shtrijnë dorën vllaznisht shoqi-shoqit, e të qesim kushtrimin Malëve pa hile e pa dallim partishë.
Sylço begu dhe kapidani i Mirditës u përgjegjën menjëherë:
“Na të Grupit Indipendent jemi gati, nëse duen edhe të tjerët!” Po kështu, edhe Lec Kurti: “Edhe né për Ballin e Shkodrës jemi gati edhe nëse Qendrori nuk e pëlqen këte vendim!”.
Gati mu nda fryma prej gzimit kur ndigjova këto fjalë. Pres të ndigjoj Sali Myftinë, i cili mu drejtue me këto fjalë: “Zotni Kolë Biba! U falëmnderës për hollsinat që na dhatë mbi përfundimin e përpjekjeve tueja. Janë shumë me rendsi e të dobishme e edhe unë jam dakord, por na të Legalitetit mbramë kemi marrë një vendim e prandej, kam kerkue këte mbledhje që të vé shokët e të dy grupeve tjera në dijeni:
“Legaliteti (përfaqsija e Shkodrës) kanë marrë vendim me dalë qyshë sonte ilegal e do të ngrehim qendrën në Postribë; këte gja po ua them me besë që mos të merret vesh derisa të lamë qytetin. Si të dalim atje, do tu çojmë fjalë besnikëve të Legalitetit me u mbledhë njëherë në vete, e mandej, i bashkojmë fuqitë me ato të dy grupeve të tjera, veçse, duem hisën (pjesen) e armëve e të materjalit ushtarak që na takon e me na i dorzue ku tu themi né!” Si të më binte pika më ranë këto fjalë! I thashë: Sali efendi, u thashë perpara, se një ndër kushtet e para për të nxjerrë ndihmat, asht me i lanë partitë më njëanë tashpërtash. Sikur, edhe të gjendët mundsia me e shkapërcye këte formë, si mund ti kërkohën armë e mjete tjera prej një ushtrije për njerzë që i duen, siç dukët, kundër asajë që po na ndihmon? A nuk kompromentohet gjithë çeshtja në këte mënyrë? Etj., etj…
Ky vendim asht i premë – tha Myftiu – dhe, nuk mund të ndryshohet. Kemi urdhën kështu!
Menjëherë Lec Kurti, me tanë idhnim tha: “Atëherë, edhe né i mbledhim forcat për hesapin tonë n’ emën të Ballit Kombtar!”
Duhet të pohoj edhe njëherë përhirë të së vërtetës, sesi Lec Kurti, si Ymer Lutfija, më dhanë përshtypjën se me të vërtetë e patën përqafue idenë e Bashkimit në formën që u pata parashtrue me sinqeritet të plotë.
Përfaqsuesit e Grupit Indipendent, mbas pak përpjekjesh të kota për të pajtue dy palët tjera, heshtën.
Bana edhe një përpjekje të pafryt:
“Zotnijë, po kërkoni të vini vetullat e po nxirrni sytë. Jam tash dhjetë muej në mes Krenëve e të Popullit të Malësive. Njoh mirë gjendjen e tyne shpirtnore e psikologjike. Ata kanë ndërgjegjen e rrezikut, të nevojës e detyrës me i ba ballë; por partitë u kanë dalë për hundësh e as nuk duen t’ ua ndigjojnë emnin, e po u siguroj se me emën partishë nuk kanë për t’ iu ndjekë. Kush asht djegë prej tamlit(qumshtit) i frynë kosit. Partitë i kanë shty në vllavrasje e rrënim disaherë deri sot. Propaganda rrënimçare që kanë zhvillue partitë edhe këto kohët e fundit tue akuzue e denigrue njenitjetrin, kanë sjellë bindjen e përgjithshme, se një lëvizje e ndame ndër parti, porsa të kryej punë me komunistët, mund të kthehet në vllavrasje në mes të nacionalistëve, njëna parti kundra tjetrës. Ketë nuk e duen Burrat e Malëve. Malësinë e shtynë të rrokin armët edhe njëherë, vetëm kushtrimi n’emën t’Atdheut në rrezik,vetëm kushtrimi Kombtar, dhe jo partitë. Nuk luftohet kur luftari të mos ketë besim si tek vllau, ndaj atij që e ka mbas shpinet o përkrah, kur ti duhet me iu ruejtë shoqit që ka bashkluftar ma shumë se anmikut përballë.
Mendojeni mirë përgjegjësinë e randë që po merrni para historisë, para kombit dhe para Zotit, para fëmijëve e grave, që do të shkrryhën si paçavurre, para kërdisë që kanë me ba komunistët po morën pushtetin. Mos iu shmangni rasës së fundit që po na paraqitet e që, ndoshta, mund të shpëtojë Atdheun. Leni këto parti të mallkueme derisa të jetë sigurue Atdheu, e mandej, po u pëlqeu, nxirrni sytë njanitjetrit.”
Lotët më lagën faqet, fyti mu tha… e fjala mu pré!
Sali Myftia, përsëriti: “Legaliteti ka marrë vendim, e nuk kemi pse zgjatemi ma!” Mbledhja u shpërnda e kështu, dështoi gjithshkafja!..
PËRPJEKJE DËSHPRIMI
U luta disa miqëve të bajshin apel përsonal Malësive!
Dëshprimi i kishte plagosë në zemër e nuk e mori kush përsipër.
“Asht shkrue, ta hajë dreqi ketë punë e asht e kotë!..” – U shpreh Gjon Markagjoni.
Bashkë me prefektin e dy komandantët e siperpërmendun, shkova në prefekturë. Vëndosa edhe njëherë, të “hjedhë një gur në det”…
U drejtohëm autoriteteve me këto fjalë:
“Nëse ju, m’ jepni besën e burrave të mos më sabotoni, por të më lehtësoni mesa të keni mundësi, kam vëndosë të lëshoj kushtrimin unë përsonalisht. Do të baj qyshë sot një letër të haptë të gjithë Krenëve të Maleve për një mbledhje të përgjithshme në Shkodër. Mbledhjen po e caktoj për datën 13 shtator, në kinema Rozafat. Nuk mund të shtyhet ma përtej, se nuk pret koha! Në letër do t’ ju tregoj qellimin kjartësisht tue vue në dukje edhe rrezikun mortar të çastit, që kështu, të vijnë të gjithë të përgatitun shpirtnisht. Nëse Krenët e Maleve i përgjegjën këtij apeli tue ardhë në mbledhje, domethanë, se kanë pranue qellimin dhe vendimet, dhe mbetet vetëm me dhanë kushtrimin. Jam i sigurtë se, po të vijnë ata në këte mbledhje, kam me dijtë me i bindë të mblidhet i madh e i vogël, sëpse, fatbardhsisht, malësorit nuk i ka hy endè djalli.
Nuk e baj këte tentativë se e quej vetën dishka ma tepër se bir’ i përvujtë i këtij Populli, si kushdo tjetër, por nuk mund të rrij me duer kryq tue pritë çka po sjell fati. Fati vjen si ti prijshë. Due ta kemi ndërgjegjën e qetë, se kam ba shka ka kenë e mundun! U jap besën e burrave me i vue të gjitha forcat që do të mblidhën në dispozicion Tuej zotni komandantë, ose në kjoftëse, autoritetet qendrore do tu qesin pengime, detyra ndaj Atdheut, u lejon e u urdhnon edhe të rebeloheni, jo, me ba grusht shtetit, po, me shue rrezikun komunist pa ua trazue “sefanë e poltronave” zotnive të Tiranës. Po të merrni vendim kësisoj e me fillue menjëherë veprimin, unë po u betohëm, se do t’ Ju ndjekë si ushtar i thjeshtë, pa kërkue asnjë komandë të naltë as t’ ultë, as që due të më ndigjohet emni që prej ditës së inkuadrimit të fuqive. Kështu, i gjymtuem si jam, do të marr pjesë me pushkë në dorë, si “ushtar i panjohun”!..
Më thoni po, ose jo, burrnisht, pse po nuk e ndiet vetën, do ta baj mbledhjen në Iballe.
Më dhanë besën me e përkrah veprën time e më inkurajuen. Bana atëditë letërthirrjën në tetëqindë kopje të shtypuna dhe e nisa, dikund, me anë të prefektit e diku me korrjera të mij. Në Pukë ua shpërndava vetë në udhtim e sipër, tue caktue njëheri edhe mbledhjën e Parsisë së Shtatë Bajrakëve të Pukës n’ Iballë, për datën 6 shtator, për të zgjedhë ata që do t’ ishin përfaqsuesit për mbledhjen e Shkodrës.
Qellimi e propozimet e mija u pranuen nga mbledhja e Iballës, jo vetëm pa kundërshtim, po me entusjazëm dhe u caktuen nga dy vetë për bajrak për mbledhjen e Shkodrës.
Me 8 shtator, prefekti i Shkodrës, me anë të komunës s’ Iballës më bante telegrafisht kumtimin që vijon: “Për të kryesue mbledhjen e Krenëve të Malëve do të vijë nji përsonalitet i naltë nga Tirana. Mbledhja do të shtyhet ndonjë ditë përtej datës së caktueme. Pritni telegram për caktimin e datës. Prefekti Tershana.”
Dyshova, po prap nuk më tha zemra ta ketë lëshue vertetë “Ora” Shqipninë. U dërgova lajmin krenëve të Pukës, që të mos nisën për në Shkodër, pa marrë lajmin tjetër tue u tregue arsyen e shtymjes. Vendosa të nisëm për Shkodër, tue kalue nëpër Dukagjin, për të lajmue edhe krenët e asaj krahinë. Me njëmijë vështirësi e bana atë udhëtim mbi shpinë të mushkut, e jo rradhë, tue më mbajtë njerzit për krahësh, pse akoma nuk mund të qëndrojshe me ecë me kambën e plagueme në prill të 1941.
Arrijta në Shkodër. Prefekti më tha, se do të vijë një nga drejtuesit e Këshillit të Naltë për të kryesue mbledhjën, gja që më gëzoj pamasë.
Me datën 13 shtator arritën rreth dyqindë Burra, krenë të Malësisë së Madhe e të Rranxave, të Dukagjinit, të cilët nuk kishin marrë lajmin nga unë për shtymjën e mbledhjes. I mblodha në ndertesën e prefekturës në prani të prefektit e të dy komandantëve që janë përmendë maparë. U mbajta një fjalim të shkurtë sa ma mirë e prekshëm që mujta, tue i vue në dijeni të gjendjes, të rrezikut e të masave që duhej marrë, tue i lutë që të mos mungojnë në mbledhjën që mbrënda pak ditësh – si mbas fjalëve të prefektit – që do të kryesohej nga një antar i Këshillit të Naltë, dhe u lypa ndjesë që nuk kishe mundë ti lajmroj për shtymjën e ditës së mbledhjes, e u kishëm dhanë atë mundim. Pranuen e dhanë fjalën të vijnë prap, por të premë e të prekun thellësisht. Njani ndër ta (nga Malësija e Madhe) mu drejtue n’emën të gjithëve, me këto fjalë: “Zotni Ministër – tha – na kanë ba të dijtun autoritetet e vendit njoftimin e prefektit për shtymjën e mbledhjes, por kemi dyshue se mos asht ndonjë sabotim, prandej na vendosëm të vijmë disa prej nesh, të sigurtë se ty sot do të gjejshim në Shkodër. Kemi dashtë me ti pa sytë edhe njiherë (shprehje malësore) dhe me i përgjëgjë zanit t’ Atdheut që na ké lëshua. Kemi vendosë me u fikë edhe njiherë për Shqipni. Por pasha Besën e Zotit (véni vesh shka po të thotë nji ky Malësuer i marrë), të kanë lanë në baltë, jo Populli, jo Malësinat, po autoritetet. Peshku asht qelbë në krye more zotni! Po vijmë prap në na thirrtë zotnia e jote, po, por mbasi po ardhka nji njeri i madh prej Tiranet, a nuk kishte mujtë me ardh sot e mos me e shty mbledhjen? A nuk kish mujtë bare me caktue ditën që ta dimë qysh sot? Pasha Zotin e druej se janë vetëm pallavra për me sabotue e me prishë punë!..” .
Fatkeqsisht, ashtu doli! Prita edhe pesë ditë në Shkodër, tue nxitë prefektin të kërkonte nga Tirana caktimin e ditës së mbledhjes e ardhjen e “përsonalitetit të madh”!
Ma në fund dyshimi u ba i kjartë: “Ishte vue shkopi ndër rrota!” Në Shkodër nuk mund të bahej mbledhja!..
Komentet