VOAL

VOAL

Vetëvendosje mban “provën” e protestës në Prishtinë

May 28, 2020

Komentet

Ukraina sulme me dronë në thellësi të territorit rus në ditën e fundit të zgjedhjeve

Makinat e djegura në rajonin rus Belgorod, pas bombardimeve ukrainase (16 mars 2024)

VOA/Marrë nga Associated Press

Ukraina ndërmori një sulm masiv me dronë të dielën ndërsa rusët votonin në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale që pritet të zgjasin me gjashtë vite të tjera qëndrimin në pushtet të presidentit Vladimir Putin.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se ka rrëzuar 35 dronë ukrainas gjatë orëve të natës, përfshirë katër në rajonin e Moskës.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se një dron i pestë pranë aeroportit Domodedovo të kryeqytetit, u rrëzua mëngjesin e së dielës. Nuk pati njoftime për viktima apo dëme.

Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, dy dronë të tjerë u rrëzuan mbi rajonin Kaluga në jug të kryeqytetit rus dhe në rajonin Yaroslav, në verilindje të Moskës.

Sulmet në rajonin Yaroslav, që gjendet rreth 800 kilometra larg kufirit me Ukrainën, janë ndër sulmet me rrezen më të gjatë që Ukraina ka bërë deri më tani.

Dronë të tjerë ukrainas u rrëzuan në rajonet Belgorod, Kursk dhe Rostov, që kanë kufij të përbashkët me Ukrainën, si dhe në rajonin jugor Krasnodar, njoftoi ministria ruse e Mbrojtjes.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov tha se bombardimet ukrainase vranë të dielën një vajzë 16-vjeçare dhe plagosën babanë e saj.

Një dron ra mbi një rafineri në rajonin Krasnodar, duke shkaktuar një zjarr që u fik disa orë më vonë, njoftuan autoritetet rajonale. Një punonjës vdiq nga një infarkt në zemër, thanë zyrtarët.

Në depozitat e naftës në Krasnodar, Rusi

Në depozitat e naftës në Krasnodar, Rusi

Rafineritë e naftës dhe depozitat e gazit kanë qenë objektiva kryesore të sulmeve të dronëve ukrainas.

Goditjet pasuan një seri sulmesh ukrainase gjatë ditëve të fundit, të cilat Presidenti rus Putin i cilësoi si një përpjekje e Ukrainës për të frikësuar banorët dhe për të sabotuar zgjedhjet presidenciale të Rusisë.

“Këto sulme të armikut nuk janë lënë dhe nuk do të lihen pa u ndëshkuar”, u zotua ai të premten gjatë një takimi të Këshillit rus të Sigurisë. “Jam i sigurt se populli ynë, populli i Rusisë, do t’i përgjigjet kësaj me një forcë bashkimi edhe më të madhe”.

Ndërkaq, ushtria ukrainase njoftoi se 14 dronë rusë u rrëzuan në rajonin Odesa të dielën. Ky sulm pason sulmet me raketa balistike ndaj këtij qyteti port të premten, ku u shkatërruan shtëpi dhe u vranë të paktën 21 persona. Një raketë e dytë goditi më pas ekipet e emergjencave që mbërritën në vendngjarje.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të dielën se Sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps hoqi dorë nga një udhëtim i planifikuar më herët këtë muaj në Odesa, për shkak të rrezikut nga raketat ruse. Gazeta Sunday Times njoftoi se zoti Shapps, i cili e pati vizituar Kievin në 7 mars, ishte paralajmëruar nga shërbimet britanike të zbulimit se Rusia kishte mësuar itinerarin e udhëtimit të tij.

Forcat ruse përdorën edhe pesë raketa S-300 në rajonet Kharkiv dhe Donetsk, si dhe dy raketa X-59 me vetëdrejtim në rajonin Chernihiv, njoftuan forcat ajrore ukrainase.

Zjarrfikësit ukrainas duke fikur zjarret pas sulmeve ruse në Zolochiv, të rajonit ukrainas Kharkiv

Zjarrfikësit ukrainas duke fikur zjarret pas sulmeve ruse në Zolochiv, të rajonit ukrainas Kharkiv

Ndërsa lufta ka hyrë në vitin e tretë, forcat ruse kanë bërë përparim të ngadaltë dhe të vazhdueshëm përgjatë vijës së frontit, të mbështetur tek avantazhi i kapaciteteve të tyre luftarake, ndërsa Ukraina është kundërpërgjigjur me sulme të shtuara me dronë në thellësi të territorit rus, si dhe sulme përtej kufirit.

Të shtunën, dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën nga bombardimet ukrainase në qytetin rus Belgorod, i cili është sulmuar rregullisht.

Ushtria ruse gjithashtu pretendoi se pati ndalur të shtunën një tjetër përpjekje për një sulm të shpejtë dhe të papritur nga ato që i quajti “grupe sabotazhi dhe zbulimi” të Ukrainës.

Korpusi i Vullnetarëve Rusë, ku marrin pjesë rusë që luftojnë së bashku me ukrainasit, publikoi një video në mediat sociale të shtunën ku pretendohet se janë kapur rob 25 ushtarë rusë. Ky pretendim nuk u vërtetua dot në mënyrë të pavarur.

Lek Mirakaj: Sot me dt 17 Mars 2024 uzurpuesit e Vatres do mbledhin ple(h)niumin e partise

Z.Lek Mirakaj, Vatran Veteran prej 1992 kur u vendos në SHBA direkt nga internimi ku diktatura komuniste bashkë me familjen e kishte degdisur aty prej kur ai ishte vetëm 2 vjeçar, katër breza të internuar! Në internim kishin lindur edhe fëmijët e tij. Familja Mirakaj ka vuajtur vrasje, burgje, hetuesi, internime  950 vjet. Dhe sot Z.Lek Mirakaj ka vënë alarmin për situatën e degraduar në Vatër. Në fakt Z.Lek Mirakaj ka kohë që ka vënë alarmin si shumë e shumë Vatranë të tjerë të nderuar kur shohin kapjen nga një bandë uzurpuese ilegjitime e këtij institucion të trashëguar nga Konica, Noli dhe gjithë ajka e elitës shqiptare në mërgim, pjesa e së cilës që u kthye në Atdhe përfundoi në burgje dhe përpara skuadrave të pushkatimit të regjimit mizor diktatorial.

Ja çfarë shkruan Z.Lek Mirakaj:

“Sot me dt 17 Mars 2024 uzurpuesit e Vatres do mbledhin ple(h)niumin e partise.

Ta quejsh organizate patriotike e jo fitimprurese nuk ashte korrekte.

Nen shembullin e partise socialiste, mbledhjen do e bejne larg selise nga friga se ne seli mund te penetrohen nga elementi armik antiparti.

Mbledhjet e rradhes ndoshta mund te planifikohet ne Alaska ne nje kohe sa me te afert ,

por jo me shpejt se dy vjeçari i nevojshem per perpunimin e direktivave qe do dalin nga ple(h)numi i dites sotme historike.

Suksese ne misionin mire paguem te shkatërrimit te nje vjetersije,

keshtu e kanë emertu uzurpuesit Vatren e Nolit e Konices.

Vatra do mbijetojë.”

Macron: “Operacione në terren në Ukrainë? Peut-être”

Presidenti ngre mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të forcave perëndimore në konfliktin ukrainas: “Shumë vende në Evropë janë plotësisht në linjën tonë”

Deklaratat e presidentit francez u mblodhën nga gazetarët e Le Parisien

VOAL- “Mund të ndodhë që në një moment të caktuar – nuk e shpresoj dhe nuk do të marr iniciativën – do të jetë e nevojshme të kryhen operacione në terren, çfarëdo qofshin ato, për t’u përballur me forcat ruse. Fuqia e Francës është se ne mund ta bëjmë atë”. “Peut-être” i shqiptuar të shtunën nga Emmanuel Macron tingëllon si përsëritje e një koncepti dhe për këtë arsye forcon mundësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë evropiane në konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë. Fjalët e presidentit francez janë mbledhur nga gazetarët e Le Parisien, në fluturimin e kthimit nga Berlini pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

Cituar nga gazeta në numrin e saj në stendat e gazetave të dielën, Macron tha: “Si mund të thuash se Rusia nuk mund ta fitojë luftën dhe të vendosë kufij a priori, ndërkohë që është Rusia ajo që merr përgjegjësinë për përshkallëzimin, që menaxhon paqartësinë, mungesën e kufijve dhe kërcënimi?”. Presidenti francez, sipas gazetarëve të pranishëm, nuk ndihet aspak i vetmuar në Evropë: “Shumë vende të Europës dhe jo ndër më të voglat – tha ai – janë krejtësisht në linjën tonë”.

Macron, duke folur ende për gazetarët, mohoi se ka dallime për këtë çështje midis Francës dhe Gjermanisë: “Nuk ka pasur kurrë ndonjë mosmarrëveshje mes meje dhe kancelarit. Ne kemi mendime shumë të ngjashme për qëllimet dhe situatën. Është mënyra se si i përkthenim ato që është e ndryshme,” tha ai, duke aluduar për “kulturat strategjike” të dy vendeve.

“Gjermania ka një kulturë strategjike të kujdesit të madh, të mosndërhyrjes dhe qëndron larg nga energjia bërthamore,” shpjegoi ai. “Një model shumë i ndryshëm nga ai i Francës, e cila posedon armë bërthamore dhe ka mbajtur dhe forcuar një ushtri profesionale.”

Presidenti francez u përpoq gjithashtu të zvogëlojë forcën e Moskës: “Ne nuk duhet të frikësohemi, nuk jemi përballë një fuqie të madhe. Rusia është një fuqi e mesme me armë bërthamore, por GDP e saj është shumë më e ulët se ajo e evropianëve, më e ulët se ajo e Gjermanisë apo Francës”.rsi-eb

78 spiunë të Sigurimit punojnë në institucione publike? Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve: Diçka është bërë, por ka ende…

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, e ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 të moderatores Nisida Tufa, u pyet për faktin se ajo ka deklaruar në një intervistë më 2022 se 78 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit ende punojnë në institucione publike në vendin tonë.

Moderatorja Nisida Tufa tha se në atë kohë, Sula ka deklaruar se kanë qenë 78 bashkëpunëtorë të Sigurimit, duke shtuar se a dihet sesa bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit ende kanë funksione publike. Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula u shpreh se diçka është bërë për të hequr këta “personalitete” nga funksionet e tyre, por se duhet bërë ende punë për të pastruar jetën publike nga këta individë.

Nisida Tufa: Më 2022, zonja Sula në një intervistë jeni shprehur se 78 personalitete vazhdojnë ende punën e tyre edhe sot, pasi nuk filtrohen dot.

Gentiana Sula: Kuptohet që sa më i vogël numri, më të kënaqur jemi ne. Por mbetemi të pakënaqur, për sa kohë që propozimi ynë për reformën zgjedhore akoma nuk merret në konsideratë. Me mjetet që ka Kodi Zgjedhor, të mundësohet vetë-deklarimi. Sot jo çdo individ është i filtruar. Diçka është bërë me Komisionin Bezhani, por jo çdo institucion sjell listat e veta. Edhe partitë parlamentare nuk po i sjellin listat. Të informohet çdo institucion për kandidatët e vet në raport me implikimet me Sigurimin e Shtetit. Njerëzit shpesh nuk jetojnë më, por ka shumë rëndësi të dihen ca gjëra, për të bërë me dije se çfarë modelesh promovojmë në shoqëri.

(Balkanweb)

Intervista- Ulutas: KFOR-i vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim, i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide

VOA/Edlira Bllaca

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë. Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas së pari faleminderit për kohën tuaj dhe mundësinë për të realizuar këtë intervistë. Do të doja fillimisht të ju pyes për vlerësimin tuaj mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe cilat janë sfidat kryesore për misionin e KFOR-it këtë vit?

Ozkan Ulutas: Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit. KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, shumë udhëheqës dhe ekspertë nga rajoni janë duke folur mbi rrezikun nga përshkallëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si i komentoni ju këto shqetwsime?

Ozkan Ulutas: Si komandant i KFOR-it, unë i marr shumë seriozisht shqetësimet e tyre. Ne jemi duke vëzhguar nga afër çdo zhvillim të sigurisë në rajon. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne kemi një marrëdhënie të gjatë tashmë me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë zonë. Ne angazhohemi me ta në baza të rregullta. Ne e dimë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dëshirojnë dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Siç tha edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria në rajon varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, paralajmëroi në dhjetor të vitit të kaluar se aleanca po shqyrton shtimin e një pranie të përhershme të trupave në Kosovë. Ju si e shihni këtë, a rekomandoni një rritje të përhershme të numrit të trupave dhe cili do të ishte qëllimi i tyre?

Ozkan Ulutas: Misioni jonë aktualisht përbëhet prej rreth katër mijë e 600 trupash, nga 28 vende, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Megjithatë, ne vazhdimisht rishqyrtojmë praninë tonë dhe jemi gjithmonë të gatshëm ta ndryshojmë atë sipas nevojës ose sido që të jetë e përshtatshme. Pas tensioneve vitin e kaluar, NATO vendosi rreth një mijë trupa shtesë në Kosovë. Vendosja e këtyre trupave shtesë ishte një hap i kujdesshëm i ndërmarrë për të siguruar që ne mund të vazhdojmë të zbatojmë mandatin tonë për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, vitin e kaluar pati shumë tensione, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj mbi atë që ndodhi në Banjskë shtatorin e kaluar dhe cili ishte synimi i këtij sulmi sipas këndvështrimit të KFOR-it?

Ozkan Ulutas: Para së gjithash, sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës ishin të paprovokuara dhe të papranueshme. Autorët e një dhune të tillë duhet të mbahen përgjegjës. Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Të gjitha këto qëndrime u shprehën shumë qartë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë udhëtimit të tij në rajon nëntorin e kaluar. Nën hijen e dhunës, NATO vendosi rreth një mijë paqeruajtës shtesë dhe armatim më të rëndë në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen.

Zëri i Amerikës: Komandant Ulutas, në tetor të vitit të kaluar pati një grumbullim trupash serbe pranë kufirit me Kosovën, që nxiti reagime të shumta. Ju keni komunikim të vazhdueshëm me ushtrinë serbe, cila ishte përgjigja e tyre dhe cilat janë gjasat për një përshkallëzim të ri?

Ozkan Ulutas: Unë e kam bërë përparësi timen nxitjen e komunikimit dhe bashkërendimit të bazuar në besim. Si komandant i KFOR-it, kam takime të rregullta me shumë njerëz, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe komunitetin diplomatik. Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm, por ajo që mund të them është se ne jemi plotësisht të përqendruar në misionin tonë, nën një mandat të qartë të Kombeve të Bashkuara. Përpjekjet tona janë thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për qëndrueshmërinë rajonale. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë të përfshirë, për të ulur gjasat e një përshkallëzimi tjetër të tensioneve. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, kur vizitoi rajonin nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të konfliktit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun Beograd-Prishtinë duke ofruar kornizën e nevojshme të sigurisë që diplomacia të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Beogradi dhe Prishtina duhet të ndërmarrin hapa konkret për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, cili është mendimi juaj mbi përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit?

Ozkan Ulutas: Serbia është një partnere afatgjatë e NATO-s, nëpërmjet dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik, duke respektuar plotësisht politikën e deklaruar nga Serbia për neutralitet ushtarak. Bashkëpunimi shtrihet në veçanti në fusha të ndryshme, duke përfshirë atë ushtarake dhe shkencore. Për më tepër NATO-ja dhe Serbia kanë zhvilluar ushtrime të përbashkëta ushtarake në të kaluarën. Ne presim të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin tonë. Nga këndvështrimi im, si komandant i KFOR-it, do të doja të veçoja kanalin e rregullt të komunikimit që kam me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Mojsiloviç. Ky është çelësi për të siguruar transparencë të ndërsjellë, ndërgjegjësimin për situatën si dhe për të identifikuar paralajmërimet e hershme që na lejojnë të shmangim tensionet e mundshme. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon. KFOR-i ka një prani të shkathët, fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi syhapur dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit tonë. Ne jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të përballuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe ne vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit, (EULEX).

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, agjencitë amerikanë të zbulimit kanë paralajmëruar në raportin e fundit se ky vit mund të sjellë përplasje të reja ndëretnike në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për tensionet ndëretnike dhe a ka ndërmarrë KFOR-i masa shtesë për të rritur shkallën e sigurisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë?

Ozkan Ulutas: Siç thash ne mund të përshtatemi me çdo zhvillim të situatës në terren, por qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë çdo rrezik për ripërtëritje të dhunës, si dhe të konsolidojmë një kuadër sigurie të favorshëm për dialogun dhe bashkëjetesën paqësore midis të gjitha komuniteteve. Në këtë drejtim, aktivitetet e përditshme të kryera nga njësitë tona patrulluese, ekipet tona të Monitorimit Ndërlidhës dhe personeli ynë i bashkëpunimit civilo-ushtarak janë thelbësore. Pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës, tensionet janë shtuar në rajon dhe për pasojë NATO-ja ka vendosur forca rezervë me kapacitete shtesë. Tani jemi duke zhvilluar më shumë aktivitete, veçanërisht në veri të Kosovës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Zëri i Amerikës: Si e shihni ju përgatitjen ushtarake në Serbi dhe blerjet e bëra së fundmi nga Kosova? A jeni të brengosur se kjo mund t’i vendosë trupat e KFOR-it në mes?

Ozkan Ulutas: Ne mbikëqyrim nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe qëndrueshmërinë rajonale. Unë dhe të gjitha trupat që shërbejnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, jemi të përqendruar të kryejnë mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë.

Dronët ukrainas sulmojnë dy rafineri ruse

Ofensivat vazhdojnë – Sipas Putinit, Kievi po përpiqet të shqetësojë zgjedhjet presidenciale në vazhdim

VOAL- Disa dronë ukrainas sulmuan dy rafineri ruse të naftës në rajonin e Samara. Guvernatori Dmitry Azarov e njoftoi këtë në Telegram, duke treguar se një zjarr shpërtheu në uzinën Sysran. Azarov tregoi se sulmi ndaj sulmit në Novokuybyshevsk u prish. Për më tepër, punonjësit e të dy rafinerive u evakuuan dhe nuk u raportua për viktima.

Në javët e fundit, Ukraina ka shtuar ofensivën e saj ndaj infrastrukturës ruse të naftës, veçanërisht ato në pjesën perëndimore të vendit. Pas sulmit raketor të Rusisë në Odessa dje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se do të pasonte një “përgjigje e drejtë”.

Belgorod është një pikë e nxehtë për sulme, ndërsa po votohet në Rusi

Ushtria ruse tregoi këtë të shtunë se kishte zmbrapsur inkursionet e reja të armatosura nga Ukraina në rajonin kufitar të Belgorodit, ku megjithatë tre persona u raportuan se kishin vdekur. Qyteti rus ka qenë prej ditësh skenë e sulmeve tokësore nga grupe që pretendojnë se janë pro-ukrainas dhe kundërshtojnë presidentin rus Vladimir Putin. Ky i fundit akuzon Ukrainën se po përpiqet të shqetësojë zgjedhjet presidenciale që po zhvillohen.

Në Rusi është dita e dytë e votimit dhe nuk mungojnë protestat në qendrat e votimit. Mediat ruse bëjnë me dije se 13 persona janë arrestuar për dëmtime apo zjarre. Sipas autoriteteve lokale, pjesëmarrja në votime është e lartë, madje edhe në rajonet ukrainase të kontrolluara nga Moska.rsi-eb

Evropa do t’i përdorë asetet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën

Mbështetësit evropianë të Ukrainës do t’i përdorin mjetet e fituara nga asetet e ngrira ruse, për ta financuar blerjen e armatimit për Kievin.

Kështu tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, të premten pas një takimi në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

Scholz, Macron dhe Tusk e ritheksuan mbështetjen e tyre për Ukrainën gjatë atij takimi.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit, Scholz tha se përfitimet nga asetet e ngrira të Rusisë në Evropë, do të përdoren për blerjen e armëve.

Mbështetja evropiane për Ukrainën është bërë tepër e rëndësishme, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, po e ka të vështirë ta bindë Kongresin amerikan ta miratojë një paketë prej 60 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin.

Zyrtarët e Perëndimit po shkojnë drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, për ta mbështetur Ukrainën.

Pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE – para së gjithash obligacionet dhe llojet e tjera të garancive në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë – po mbahen në depozituesin e quajtur Euroclear në Bruksel.

Liderët e BE-së mund ta japin dritën jeshile për një vendim të tillë në fund të këtij muaji. Disa në bllok kanë ende dyshime, megjithatë, dhe Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se marrja e aseteve të ngrira ruse duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me fuqitë e G7-ës.REL

Ukraina po kërkon ushtarë, duke përfshirë edhe refugjatët jashtë vendit

Ushtria e Kievit ka nevojë për 500 000 burra dhe një faqe interneti fillon rekrutimin – “Është një temë, por Zvicra nuk do të riatdhesojë askënd”, thotë deputeti Martin Bäumle

VOAL- Ukraina ka nevojë për rekrutë të rinj për të luftuar kundër Rusisë dhe ka nisur një fushatë rekrutimi dhe trajnimi për të bindur civilët të regjistrohen. “Ka mungesë të njerëzve normalë të motivuar për të luftuar. Kështu ne krijuam një faqe interneti dhe nisëm një fushatë rekrutimi civil”, thotë Ivan Buryak, rreshter ukrainas i Brigadës 93.

Ushtria e Kievit aktualisht ka nevojë për 500,000 ushtarë. Kjo është arsyeja pse po diskutohet për një ligj të ri për mobilizimin, i cili duhet të lehtësojë rekrutimin brenda, por edhe jashtë vendit, siç ka shpjeguar ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov për Bild TV. “Ne duam një situatë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, vendi ynë është në rrezik. Ne do të dërgojmë një ftesë për ata që jetojnë jashtë vendit. Ata mund të vijnë dhe t’i shërbejnë Ukrainës. Ata ende do të duhet të na përgjigjen. Le të kujtojmë se është lufta e Rusisë kundër nesh”.

Në Gjermani vlerësohet se ka 190,000 refugjatë ukrainas në moshë rekrutimi. Në Zvicër do të ishin disa mijëra. Dhe pastaj ka nga ata që ishin në Konfederatë edhe para luftës. Për këshilltarin kombëtar të të Gjelbërve Liberal Martin Bäumle, bashkë-president i grupit të miqësisë Zvicër-Ukrainë, “është një çështje në komunitet, e kupton nëse flet me ukrainasit. Ata janë të shqetësuar dhe pyesin se çfarë do të ndodhte nëse ky ligj do të hynte në fuqi. Unë i përgjigjem se vendimi i takon natyrshëm Ukrainës, por e sigurt është se Zvicra nuk do të riatdhesojë askënd dhe nuk do të lejojë rekrutimin e detyruar.

Ligji i ri – i cili parashikon një goditje ndaj përjashtimeve nga shërbimi dhe sanksioneve për ata që nuk e ndjekin thirrjen – ka qenë në diskutim në parlamentin ukrainas për më shumë se dy muaj, duke përfshirë shtyrjet dhe ndryshimet. Një diskutim që ndiqet me kujdes edhe nga ne.rsi-eb

Shqipërinë po e mbysin importet- Ushqimet e importuara zënë 80% të tezgave, emigrimi rrit presionin mbi prodhimin dhe çmimet në bujqësi

Në dhjetor 2023, importet e ushqimeve, kryesisht perimeve, frutave dhe zarzavateve shënuan rritje vjetore me 27% në sasi. Ushqimet e importuara zënë 80% të tezgave dhe shpesh vijnë me çmime më të ulëta se prodhimi vendas. Bulmetrat, mishi, patatja dhe fasulja nga Turqia dhe Egjipti, Serbia e Greqia shiten më lirë se prodhimet e Korçës. Ekspertët e bujqësisë pohojnë se, importet janë të pranishme në kulturat për të cilat mungon prodhimi vendas, teksa në vijim kjo mund të dekurajojë mbjelljet dhe të ekspozojë vendin ndaj çmimeve të importit.

Më shumë se 80% e perimeve, frutave dhe zarzavateve në tregjet vendase të pakicës janë nga importi. Patatet dhe fasulet po vijnë nga Egjipti dhe Turqia, perimet dhe frutat nga Greqia, bulmetrat dhe drithërat nga Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut etj.

Kanalet e importit të ushqimeve janë rizgjuar dhe po intensifikohen, duke dekurajuar edhe më tepër fermerët dhe blegtorët të ushtrojnë profesionin e tyre. Zbrazja e fshatrave nga popullsia po tkurr sipërfaqet e mbjella në fusha në disa kultura dhe, nga ana tjetër, turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore. Për të plotësuar nevojat ushqimore, vendi po i drejtohet importit, i cili po rritet me shpejtësi kohët e fundit.

Për të gjithë vitin 2023, importet e ushqimeve në sasi u rritën me 10% në krahasim me vitin 2022, zgjerimi më i lartë në dy dekadat e fundit. Në dhjetor, sasitë e importeve të ushqimeve janë intensifikuar edhe më shumë duke u rritur me rreth 27% në raport me dhjetorin 2022 dhe në janar 2024 ishin 20% më të larta se në janar 2023.

Bilanci tregtar në prodhimet e fushës u përkeqësua më shumë në janar. Eksportet e zarzavateve ranë me mbi 20% dhe importet tyre u rritën me 80% në krahasim me janarin 2023. Ekspertët e bujqësisë mendojnë se kjo po ndodh për dy arsye. Së pari ka mungesë të prodhimit vendas në disa kultura dhe së dyti, kostot vendase po i bëjnë produktet jokonkurruese me importin. P.sh., këtë vit, një kilogram fasule e Korçës shkoi në tregjet e pakicës në rreth 500 lekë për kilogram, teksa fasulja e importuar nga Egjipti kushton vetëm 300 lekë për kilogram.

Në një konkurrencë të ngjashme po përballet patatja, qepa dhe karota dhe prodhime të tjera që në këtë periudhë po vijnë më lirë nga importi se nga fushat e Korçës dhe Divjakës.

Të dhëna të detajuara nga tregtia e jashtme tregojnë se importet janë rritur për produktet e bulmetit, drithërave, mishit dhe zarzavatet, të cilat po vijnë nga Egjipti, Turqia, Franca dhe rajoni.

Që pas luftës, Ukraina po bëhet një eksportues i madh i drithërave në vendin tonë, duke ulur varësinë e furnizimeve nga Rusia.

Burimi: INSTAT

Ekspertët e bujqësisë pohojnë se, importet janë të pranishme në kulturat për të cilat mungon prodhimi vendas dhe tregu i kërkon.

Ruzhdi Koni, një nga eksportuesit më të mëdhenj dhe furnitor me fara e fidanë i prodhuesve, thotë se importet ushqimore janë rritur, sidomos bulmetrave, për shkak të rënies së numrit të bagëtive. Vitin e kaluar pati pak prodhim në mollë dhe patate në Korçë, për shkak të çmimit të lartë të farës.

Agronomi Nevion Telha pohoi se Korça vijon të jetë një prodhues i madh i patates dhe qepës, por këtë vit është rritur presioni i tregtarëve nga Tirana, të cilët thonë se furnizohen më lirë nga importi.

Sipas të dhënave zyrtare nga doganat, çmimi referencë për pataten që vjen nga Kosova është 19 cent, rreth 20 lekë, ndërsa patatja e Korçës del nga prodhuesit me shumicë në 40 deri në 50 lekë.

Nga ana tjetër, konsumatorët që në kohë inflacioni priren të furnizohen me artikuj që kushtojnë lirë dhe në këtë mënyrë po zgjerojnë importin. Tregtarët pohojnë se në një masë, importet po nxiten nga zhvillimet e vrullshme në turizëm.

Vitin e kaluar pati kërkesë të lartë për ushqime nga rritja e vizitorëve në kohën e verës. Prodhimet vendase u konsumuan në një kohë të shkurtër, duke lënë magazinat bosh në dimër.

Zarzavatet dhe prodhimet e importit “pushtojnë” tregun në dimër

Importoi i zarzavateve shënoi rekord në muajin janar 2024, duke pësuar rritje vjetore me 80.7%. Vendi importi mbi 7 tonë zarzavate nga shtetet e huaja në janar nga 4,2 mijë tonë në janar 2023.

Rritje të importeve pësuan edhe prodhimet e tjera ku ka mungesë prodhimi në vend. importet e produkteve të bulmetit u rriten me 22.5% në janar, frutat pësuan rritje me 35%, mishi 16 % etj.

Vitin e kaluar, Shqipëria importoi 1,1 milionë tonë ushqime, ose 102 mijë tonë më shumë se në vitin 2022, me rritje vjetore 10%. Të dhënat më të detajuara tregojnë se, rritja më e madhe e importeve gjatë vitit 2023 në sasi ishte për drithërat.

Në të gjithë vitin janë importuar 287 mijë tonë drithë, me rritje vjetore 19%. importi i drithërave ka qenë në ulje gjatë dekadës së fundit, për shkak të tkurrjes së popullsisë dhe plakjes së saj.

P.sh., në vitin 2023, importet e drithërave ishin 21% më të ulëta se në vitin 2020. Por vitin e kaluar importi i këtij produkti u ringjall, pas një rënie të mprehtë në vitin 2021, ku pati shumë prodhim vendas nga frika se lufta në Ukrainë mund të sillte mungesa në tregjet ndërkombëtare.

Mbjellja e grurit u rrit në vitin 2021, e nxitur edhe nga qeveria, por kur nisën korrjet, çmimet në tregjet ndërkombëtare ranë aq shumë, sa një pjesë e madhe e prodhimit vendas mbeti stok në magazina, ose shkoi në vetëkonsum, duke sjellë rënie të importit.

Pas drithërave, rritjen më të madhe të importeve e kishin nënproduktet e miellit, të cilat përfaqësohen nga ushqimet industriale të tilla si makaronat, me rreth 20%. Ushqimet industriale, që gjejnë përdorim të gjerë, sidomos në restorante, janë rritur vitin e kaluar nga konsumi i turistëve.

Rritje dyshifrore patën importet e prodhimeve të bulmetit, me rreth 11%, mishit 13% dhe zarzavateve, me rreth 13%. Të dhënat tregojnë se rritja e importeve u bë më agresive në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar 2024.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në dhjetor, importet e zarzavateve u rritën me 80% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, dhe gjithashtu, importi i frutave për të njëjtën periudhë u rrit me 55%. importi i drithit e vajit shënoi rritje vjetore me rreth 47% në dhjetor të 2023, importi i kafshëve të gjalla u rrit me 21.7% dhe produktet e bulmetit gjithashtu me 21% më shumë se dhjetori 2022.

Në dhjetor dhe janar, vendi pati fluks të lartë turistësh, por prodhimi vendas ishte konsumuar më parë dhe një pjesë e konsiderueshme e ushqimeve po vjen nga importi.

Tregtarët pohojnë se historikisht në dimër ka importe të ushqimeve, për shkak se prodhimi vendas pakësohet, por këtë sezon vihet re një prani më e lartë e importeve.

Burimi: INSTAT

Ushqimet tani po i marrim nga Serbia

Në vendin e parë për importin e ushqimeve në sasi është Serbia, e cila eksportoi në Shqipëri 242 mijë tonë ushqime për vitin 2023, me një rritje vjetore prej 30%. Vendi ynë importoi nga Serbia rreth 22% të totalit të ushqimeve vitin e kaluar.

Rritja më e madhe ishte në importin e drithërave, me rreth 30% dhe në fruta dhe arra, importet e të cilave shënuan rritje vjetore me 6000% më 2023. Vendi ynë importoi nga Serbia 1853 tonë fruta dhe arra, nga vetëm 30 tonë më 2021.

Rritje të madhe nga Serbia shënuan edhe importet e zarzavateve të përpunuara, të cilat arritën në 2200 tonë, me rritje vjetore 58%. importi i kafshëve të gjalla gjithashtu shënoi rritje me 110%.

Burimi: INSTAT

Importet e ushqimeve shënuan rritje të fortë edhe nga vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut, 27.7%, dhe Kosova, me 28%, të ndikuara kryesisht nga drithërat, frutat dhe zarzavatet e freskëta dhe ato të përpunuara.

Vitin e kaluar, nga Maqedonia e Veriut u vu re një rritje shumë e madhe e importit të mishit, me rreth 146%, frutave, 113%, teksa shihet rritje e importit të çajit, erëzave dhe kakaos nga të gjitha vendet e rajonit.

Pavarësisht rritjes së importeve të ushqimeve nga rajoni, Shqipëria vitin e kaluar ishte me suficit tregtar në tregtinë e mallrave në vlerë, me shtetet fqinjë të rajonit, përveç Serbisë.

Sipas të dhënat të INSTAT, Shqipëria eksportoi në rajon 76,4 miliardë lekë mallra më 2023 dhe importoi 52 miliardë lekë. Eksportet drejt rajonit ishin 1.4 herë më të larta se importet. Shqipëria ishte suficitare ndaj Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ndërsa ishte deficitare në tregtinë me Serbinë.

Vlera më e lartë e eksporteve shqiptare me rajonin u realizua me Kosovën. Në vitin 2023 u eksportuan 41 miliardë lekë mallra dhe u importuan 11 miliardë lekë.

Eksportet shqiptare në Kosovë ishin tre herë më të larta se importet. Kosova është partneri kryesor i Shqipërisë në rajon, me të cilën kryhet mbi 40% e tregtisë rajonale.

Partneri i dytë tregtar i Shqipërisë në rajon është Serbia, me të cilën më 2023 u krye 26% e volumit tregtar rajonal. Për shkak të uljes së çmimeve më 2023, tregtia në vlerë pësoi tkurrje me Serbinë, por deficiti tregtar vijoi të jetë i lartë.

Nga Serbia u importuan vitin e kaluar 24 miliardë lekë mallra dhe u eksportuan rreth 10 miliardë lekë. importet nga Serbia janë 2,4 herë më të larta se eksportet tona atje. Importet nga ky vend dominohen kryesisht nga gruri dhe prodhimet blegtorale, ndërsa eksportet tona në Serbi përfaqësohen kryesisht nga prodhimet e bujqësore, zarzavatet.

Nga viti 2010 deri më 2023, importet nga Serbia u rritën me 104% ndërsa eksportet shqiptare në Serbi, për të njëjtën periudhë, u zgjeruan me 500%. Për të njëjtën periudhë, deficiti tregtar është zgjeruar jo në favor të Shqipërisë, me rreth 40%.

2023 shënoi të dytin vit radhazi në suficit edhe me Maqedoninë e Veriut. Të dhënat tregojnë se eksportet drejt vendit fqinjë ishin 16 miliardë lekë, ndërsa importet, 14.1 miliardë lekë.

Në historinë shumëvjeçare të tregtisë, Shqipëria, për herë të parë më 2022 kaloi në suficit tregtar me Maqedoninë e Veriut, që ka vijuar edhe më 2023. Maqedonia e Veriut është partneri i tretë tregtar pas Kosovës dhe Serbisë.

Eksportet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dominohen nga materialet e ndërtimit, nafta dhe zarzavatet.

Importet përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, ushqimet e përpunuara, produktet kimike dhe plastike, si dhe mineralet. Shqipëria rezultoi suficitare edhe me Malin e Zi, ku eksportet shqiptare arritën në 9,6 miliardë lekë dhe ishin 4 herë më të larta se importet nga ky vend.

Tregtia me rajonin zuri vetëm 10% të volumit të tregtisë me jashtë në vitin 2023.

Burimi: INSTAT

Emigrimi rrit presionin mbi prodhimin dhe çmimet në bujqësi

Emigrimi i popullsisë rurale drejt zonave urbane apo jashtë vendit po ndikon në uljen e prodhimit nga ngastrat e për rrjedhojë, qytetet e vogla që më parë furnizoheshin nga fshatrat rreth tyre, tani kanë burim të vetëm Tiranën dhe Lushnjën.

Sipas informacioneve që u siguruan nga “Monitor”, tregjet e fshatarëve në bashkitë e Burrelit, Rrëshenit, Kukësit, Tropojës, Fushë-Arrësit-Pukës nuk ekzistojnë më, pasi nuk ka më prodhim. Janë shuar tregjet e kafshëve dhe prodhimeve nga fshati.

Të rinjtë nga zonat e Veriut janë larguar në masë. Banorët e mbetur janë të rrallë dhe shumë të plakur për të punuar tokën. Veriu nuk mund ta zhvillojë bujqësinë intensive, për shkak të tokës së pakët në dispozicion, por shumë nga parcelat e vogla furnizonin tregun e qyteteve dhe siguronin vetëkonsum në fshat.

Tani, edhe banorët e zonave rurale janë shndërruar në konsumatorë tregu, si për produktet bujqësore edhe ato blegtorale, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e prodhimit dhe në rritje të kërkesës e për rrjedhojë, edhe të çmimeve.

Sipas një studimi të organizatës së emigracionit iOM gjatë vitit 2017-2021, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin bujqësor është ulur në katër vitet e fundit. Në të kundërt, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin jobujqësor ka arritur në më shumë se 70%.

Përqindja e femrave të punësuara në sektorin bujqësor është ulur gjatë katër viteve të fundit krahasuar me meshkujt. Nga ana tjetër, përqindja e femrave të punësuara në sektorin jobujqësor u rrit, nga 57% në vitin 2017, në 60% në vitin 2021.

Përvoja ka treguar se njerëzit nga zonat rurale priren të migrojnë së brendshmi, në vend që të përfshihen në migracionin e jashtëm ndërkombëtar.

Për këtë arsye, ka të ngjarë që mekanizimi i veprimtarive bujqësore të mos kapë ritmin e personave që largohen drejt zonave urbane.

Ekspertët e IOM rekomandojnë që politikëbërësit shqiptarë të gjejnë instrumente që lejojnë hyrjen e emigrantëve për motive punësimi, të gatshëm të bëjnë punë në bujqësi.

Për këtë, Shqipëria konkurron thuajse me të gjitha vendet në Europë, që kërkojnë forcë pune në bujqësi.

Nëse nuk ka alternativa të qëndrueshme të politikave migratore, kjo mund të çojë në rritjen e çmimeve të mallrave të shportës dhe artikujve të tjerë bujqësorë, për një vend që ende varet shumë nga prodhimi vendas.

Prej disa vitesh, studimet sektoriale vazhdojnë të raportojnë mungesa në fuqinë punëtore në bujqësi, si dhe në ndërtim edhe në prodhim, i cili ka intensitet punësimi.

Importet po rrisin ekspozimin nga krizat e jashtme

Gjatë vitit të kaluar, teksa importet e ushqimeve në sasi u rritën me 10%, eksportet qëndruan në vendnumëro, nga rritjet dyshifrore gjatë dekadës. Sektori i bujqësisë, i cili po vuan mungesën e punonjësve dhe subvencioneve, po tkurret.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në bujqësi ra në tremujorin e tretë të vitit 2023 për të gjashtin tremujor radhazi, duke e bërë rënien të qëndrueshme në sektor.

Një pjesë e prodhimit vendas po zëvendësohet me import. Situata e krijuar ka nxitur çmime më të larta në grupet që nuk prodhohen në vend.

Çmimi i qepëve dhe patateve këtë vit ka shënuar rritje vjetore me mbi 21%, për shkak se prodhimi vendas është zëvendësuar me import. Kurse çmimi i bulmetit u rrit me rreth 40% dy vitet e fundit prej mungesës së qumështit. Reduktimi i prodhimit e ekspozon vendin ndaj krizave të jashtme dhe monopoleve të grupeve të importit. Shpesh, çmimet e importit nuk janë shumë elastike, pasi zhvillimet në vend kanë treguar se, ndryshimi me ulje i çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet.

Çmimet e mallrave të importit, sidomos produkteve ushqimore, kanë rënë ndjeshëm gjatë vitit 2023 në raport me një vit më parë, por kjo nuk është reflektuar në tregun e brendshëm, përkundrazi çmimet janë rritur më tej. Të dhënat e tregtisë së jashtme të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në vitin 2023, çmimet për njësi të importeve të ushqimeve kanë shënuar rënie vjetore mesatarisht me 11%.

(Kalkulimet u bënë duke llogaritur vlerën e një kilogrami mall të importuar në 2023 dhe në të njëjtën periudhë 2022, me të dhënat e INSTAT të tregtisë me jashtë). Një kilogram ushqim i importuar ka kushtuar mesatarisht 129.7 lekë në vitin 2023 nga 146 lekë në vitin 2022.

Për disa produkte ushqimore të shportës, rënia e çmimeve të importit ishte shumë e lartë, teksa tregu i brendshëm reagoi me rritje të çmimit.

Për shembull, një kilogram vaj nga importi ka kushtuar 33% më lirë më 2023, por të dhënat nga inflacioni tregojnë se çmimi i vajit u rrit mesatarisht me 6% në të njëjtën periudhë.

Vlera e drithërave të importuara ra me 24% më 2023, por çmimet në tregun e brendshëm u rritën me 5% në këtë grup që ka burim kryesor importin. Çmimet e importit, bulmetit dhe vezëve shënuan rënie vjetore me 12.2% në periudhën referuese, por çmimet në tregun e brendshëm u rritën 14.5% për këtë grup.

Çmimet e zarzavateve të importuara ranë me 10%, ndërsa në tregun e brendshëm, çmimet në këtë grup u rritën me 18%. Vitin e kaluar, në kulmin e sezonit të prodhimit, importi i domateve nga rajoni u rrit me shpejtësi në muajt qershor dhe korrik. Të dhënat e INSTAT treguan se në muajin qershor 2023, u importuan mbi 2600 tonë zarzavate, me rritje 150% në krahasim me qershorin 2022.

Në muajin korrik, rritja vijoi edhe me 31.5%. Tregtarët e pakicës në kryeqytet pohuan se, mungesat në treg për domate, speca e kastravecë u plotësuan me importe nga Kosova, Italia dhe Greqia. Kërkesat e larta nga sezoni turistik rikthyen importet e zarzavateve në një periudhë që nuk kishte ndodhur më parë./Monitor

Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, caktohet takimi urgjent

Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Biljana Pantić-Pilja, ka thënë se Komiteti Politik i Këshillit të Evropës e ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm më 27 mars. Aty në rend dite është votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit. Kalimi i tokës në pronësi të Manastirit ka qenë një prej kushteve që i është kërkuar Kosovë nga QUINT, por atë e ka kërkuar edhe raportuesja Dora Bakoyannis e ngarkuar nga Këshilli i Evropës për rastin aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

“Sot u caktua një takim urgjent”- ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje.

Ajo ka shtuar se Bakoyannis ka pasur tri kërkesa për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa dje u bë me dije se Kosova do ta përmbushë njërën – kthimin e tokës Manastirit të Deçanit.

“Dhe ndoshta, tani paragjykoj, supozoj, se ajo dëshiron t’i raportojë Komitetit se ka një ndryshim në sjelljen e tyre (Kosovës), dhe se një nga kushtet është përmbushur. A do të shkelë ajo tani fjalën e saj dhe do t’u thotë anëtarëve të Komitetit se mjafton edhe kjo dhe se nuk duhen plotësuar kushtet e tjera, nuk dua të paragjykoj. Por m,e caktimin e jashtëzakonshëm të mbledhjes, edhe pse e kemi një mbledhje në Strasburg më 15 prill, ku mund të na njoftojnë për këtë, sinqerisht, nuk më jep besim”, thekson Pantiç- Pylja.

Nëse opinioni i raportueses Bakoyannis kalon në Komitet. Atëherë dosja e Kosovës pritet të hedhet për votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropës. Në APKE Kosovës i duhen 2/3 e votave që çështja e anëtarësimit të trajtohet nga Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të cilët e thonë fjalën përfundimtare se a do të hyjë Kosova në këtë organizatë si anëtare me të drejta të plota.sn

Më 15 mars 1991 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri – SHBA

Si sot, më 15 mars 1991, u rivendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA.

Pas një shkëputjeje 52-vjeçare prej perëndimit, Shqipëria nënshkroi në Uashington, Memorandumin e Mirëkuptimit, që parashihte çeljen e ambasadës shqiptare përtej Atlantikut. Për këtë arsye, në organikën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shtoheshin 5 punonjës, një ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi).

Shpenzimet e nevojshme prej 270 mijë dollarësh për hapjen dhe funksionimin e ambasadës dhe për pajisjen e saj me autovetura dhe me orendi të ndryshme, duheshin përballuar brenda planit të miratuar për vitin 1991 (lexo dokumentin), shkruan Drejtoria e Arkivave. Ndërsa, ambasada e SHBA-së në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill të Ngarkuar me Punë “ad interim”. Hill u pasua nga ambasadori Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë shqiptare më 21 dhjetor 1991.

ImageImage

UGSHPD: CENSUSI, ADRESARI I RI I MINISTRISË SË BRENDSHME DHE CILI DO TË JETË NUMRI UNIK I BANESAVE FANTAZMË NË KULLAT

Nga ky këndvështrim i lajmit kur më 13 Mars, 2024 një VKM e re paraqet ndryshime që do të përfaqësohen për vendndodhjen me një numër unik një banesë (koordinatë e një subjekti, individi, familje, biznesi, institucioni, etj), mendimi i parë të shpie në rëndësinë e përditësimit të të dhënave bazë për shtetasit dhe veprimtarinë e tyre.

A është ky një kontroll i shtuar mbi liritë dhe të drejtat personale të individit si masë e marrë nga një shtet autokrat-monist dhe apo justifikohen shpenzime shtesë nga buxheti në prag zgjedhjesh për të numëruar kokë më kokë popullsinë e larguar, kjo është vështirë që të zbulohet pasi qeveria ka sot gjithçka në dorë dhe llogaridhënia nuk ekziston.

Le t’i marrim me rradhë problemet duke shtruar çështjet që mban edhe ky kënd vështrim.

Ku është Censusi sot?

Përgjigja është ndoshta muaji Qershor 2024.

Përse një adresar i ri për Ministrinë e Brendshme kur ky institucion edhe sot çalon për thirrjet e emergjencës nga shtetasit dhe qytetarët?

Shpjegimi përveç dobisë që sjell një sistem i përditësuar nuk përbën problem, por mënyra se si qeverisja mendon duke shtuar kostot e projekteve dhe të bërjes së reformave është shumë problematike. Pa u vënë në analizë dhe kërkim faktesh këtë e pohoi vetë Ministri i Brendshëm Taulant Balla pas daljes nga mbledhja e qeverisë kur u shpreh sipas ATSH se:

“-Një prej vendimeve të Këshillit të Ministrave të sotëm lidhen me ndryshimin e ligjit të sistemin e adresave në Shqipëri. Bëhet fjalë për krijimin më në fund të një regjistri unik të adresave në Shqipëri. Pas miratimit të këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore që do të shoqërojnë këtë paketë, do të kemi një regjistër unik, tek i cili do të referohen të gjitha institucionet. Nëse deri tani kemi pasur regjistra adresash në institucione të ndryshme, një te kadastra, një te Bashkia, një tjetër te OSHEE…etj një tek një institucion tjetër, tashmë do të kemi një regjistër adresash tek Ministria e Brendshme,

Pra në Shqipëri kemi disa dhe na duhet edhe një tjetër regjistër veç tre-katër apo më shumë ekzistuesve megjithëse Cencusi ende nuk ka dalë me shifrat e duhura shkencore të tij ku mund të bëhet çdo përpunim i dobishëm i të dhënave për shtetasit dhe ku linjëzimi politik, besimi fetar e të tjera janë krejtësisht private. Por kjo nuk mund të ndodhë sepse një shtet autokratik shpreh dhe shfaq regjimin policor dhe rregullat sa herë ka ngjarje të jashtëzakonshme apo sidomos kur zgjedhjet afrojnë. E thënë shkurt, numërim, përllogaritje, kontrroll dhe manipulim.

E meqenëse popullsia siguron lëvizjen e lirë, zhvendoset, emigron dhe vendi shpopullohet, por pensionistët mbeten aty qeveria kërkon një rinumërim dhe vendndodhje të popullsisë së vet që është gati 5-6 herë më pak se sa numri i 10 milion turistëve të vitit 2023 që me sa ëndje i numëroi, i intervistoi dhe gati i quajti ambasadorë e promovues të zhvillimit të Shqipërisë.

Por jo veç të tjerave të pa përfunduara, Shqipërisë i duhet një regjistër edhe më i detajuar dhe këto ndodhin me plan dhe gjithmonë para mbajtjes së një procesi zgjedhor, ku duhet shtuar se edhe institucioni i KQZ i ka të dhënat e veta.

E përsa kjo ndodh dhe dëgjohet e shumëfishuar në çdo media përveç qëndrimeve të vetë qeverisë në çdo takim elektoral dhe asamble, për të ardhurat për frymë dhe varfërinë, strehimin, arsimin, shëndetësinë etj. zor se flitet. Por ama flitet për investime strategjike, infrastrukturë, ligje që rrëmbejnë pasuri natyrore nga zonat e mbrojtura dhe forcim leku, sepse aty po lulëzon tregu informal ku mes tyre janë qindra mijë numra unik fantazmë që i duhen VKM që sapo propozoi Ministri i Brendshëm, Balla. Kjo ministri mbulon rendin, qetësinë dhe i shton sigurinë shtetasve për jetën e tyre. Vërtetë i duhet një data-bazë që të jetë e sigurt për privatësinë e individëve dhe sigurisht t’i përgjigjet thirrjeve të emergjencës dhe t’i shërbejë me ndershmëri qytetarëve. Sa për numrin unik të regjistrit të adresave këtë punë në çdo shtet modern dhe me standarde e bën shërbimi i postar i cili ka nevojë të modernizohet bashkë me strukturën urbane të shtetit Shqiptar. Në qoftë se një VKM e re del nga qeveria, parashtrojani atë më parë publikut, shihni interesat e privatësisë së tyre dhe i respektoni ato, pasi për koston dhe fondet që marrin projektet tuaja njëri mbi tjetrin merren vesh vetëm pak kohë më vonë kur ish ministra dhe administratorë gjinden në masa izolimi, hetohen dhe burgosen për të larë duart nga humbjet financiare që krijohen.

14 Mars, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend