Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën natën fatale të gushtit ’59 në spitalin e burgut të Tiranës, nuk u zbardh asnjëherë. Zyrtarisht u tha se ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nga ana e tyre ofruan dy opsione të tjera: Vdekje pas operacionit të apendicitit dhe plasje e papritur e tëmthit. Ende sot pas kaq vitesh kanë mbetur të dyshimta rrethanat në të cilat pushoi zemra e Tuk Jakovës, të dënuarit politikë për tradhti të lartë ndaj atdheut.
Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Bujana Jakova, vajza e vogël e liderit të martirizuar, për herë të parë pranon ta bëjë publike rrethanat si ka ndodhur vdekja e të atit në spitalin e burgut.
“Në atë kohë unë kam qenë gati tetë vjeçe. Deri te ky çast fatal mamaja nuk na kishte thënë asnjëherë se babai ishte në burg. Mungesën e tij në shtëpi ajo e justifikonte duke thënë se ndodhej me punë jashtë rrethit. Kishte ndodhur dhe herë të tjera që ai largohej për ditë të tëra, duke shkuar nga njëri qytet në tjetrin, por edhe jashtë shtetit për arsye të detyrës. Pak a shumë, ne ishim mësuar me një ritual të tillë. Së paku unë, më e vogla e fëmijëve, nuk kisha arsye të mos e besoja alibinë e mamasë. Dhe gjatë tërë kohës prisja me padurim të trokiste te dera, i lodhur meve të shumta…”, thotë Bujana, vajza e Tuk Jakovës.
“Tronditja e jashtëzakonshme e atyre çasteve, por sidomos mungesa e ish-shokëve, miqve dhe kolegëve të babait në këtë ngjarje të rëndë, na bindi se nuk bëhej fjalë për një vdekje të zakonshme, për një vdekje në detyrë. Hap pas hapi pastaj lajmi mbuloi dhenë. Ishte patjetër një lajm i kobshëm, por akoma më të rëndë e bënin zërat që qarkullonin për mënyrën si babai kishte ndërruar jetë. Kishte që thoshin se e kishin vrarë, kishte të tjerë që thoshin se e kishin lënë qëllimisht të vdiste. Dikush përmendte apendicitin e plasur, një tjetër mungesën e mjekimit pas operacionit etj”.
E shoqja: Tuk Jakova nuk vdiq, po e vranë në spitalin e burgut.
TIRANE
Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën natën fatale të gushtit ‘59 në spitalin e burgut të Tiranës, nuk u zbardh asnjëherë. Zyrtarisht u tha se ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nga ana e tyre ofruan dy opsione të tjera: Vdekje pas operacionit të apandesitit dhe nga një plasje e papritur e tëmthit. Kanë kaluar 50 vjet nga ajo natë tragjike gushti dhe ende kanë mbetur të dyshimta rrethanat, në të cilat pushoi zemra e Tuk Jakovës, të dënuarit politik për tradhti të lartë ndaj atdheut.Enigmën e hershme vazhdojnë ta përjetojnë me brengë e dhimbje familjarët, shokët, miqtë, të njohurit dhe bashkëvuajtësit. Shumëkush prej tyre vazhdon prej vitesh të hulumtojë me mënyrën e vet për të depërtuar sado pak përtej hijeve të misterit vrastar. Sidoqoftë, Mita Jakova e shoqja e liderit të martirizuar, që është tejlodhur në stresin e dilemave të gjithëfarllojta, ka bindjen se ajo që ndodhi natën e 26 gushtit 59, nuk ishte një vdekje natyrale, por një vrasje e pastër. Në rrëfimin e saj për emisionin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços në TV Klan për herë të parë zbulon një pjesë të së vërtetave që kanë lidhje me rrethanat, në të cilat ndërroi jetë Tuk Jakova në spitalin e burgut…
Zonja Mita! Flitet se Tuku një nga përplasjet e para e ka bërë lidhur me mënyrën si ishte organizuar muzeu i luftës Nacionalçlirimtare?
Pikërisht me këtë rast Tuku krijoi përplasjen tjetër me krerët e lartë të politikës. Sa kishte marrë formë riorganizimi i muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kur shkoi Tuku dhe e vizitoi për herë të parë i bëri shumë përshtypje, që aty nuk dilnin figurat kryesore, nuk dilnin të gjithë udhëheqësit që kishin drejtuar lëvizjen, por dilnin disa figura që nuk kishin ndonjë meritë të veçantë. Kështu p.sh., një kënd të dukshwm e zinte Spiro Koleka, i cili erdhi në parti nga grupi i zjarrit në vitin ‘43 dhe gjatë gjithë kohës ka qenë pranë Shtabit të Përgjithshëm. Megjithë meritat që ka Spirua, tha Tuku, përsëri nuk e ka vendin në atë stendë. Po kështu Tukut i tërhoqi vëmendjen fakti që në muze nuk kishte asgjë për çetat nacionaliste, siç ishte p.sh., ajo e Riza Kodhelit, aq shumë e njohur në zonën e Korçës. Nejse të vemi tani te plenumi. Një natë para tij po flisnim me Tukun në shtëpi. Ne ishim më shumë se bashkëshortë. Ishim bashkëluftëtarë, ishim shok e miq. Dhe flisnim si të tillë. Ai më tha se të nesërmen do zhvillohej plenumi, që do diskutonte për historinë e partisë. “Po ti, i thashë do diskutosh, se nuk të kam parë të përgatitesh?”. Më tha se do të fliste për shtrembërimet, që i ishin bërë të vërtetave që kishin të bënin me krijimin e partisë. “Unë jam pjesëtar i atyre ngjarjeve dhe nuk kam nevojë të përgatitem.”, shpjegoi ai. “Janë çështje delikate, i thashë, e duhet bërë kujdes” “E vërteta është e vërtetë dhe nuk ka pse të hezitohet për ta dëshmuar si të tillë”, u përgjigj me një bindje të padiskutueshme. Ishte njeri kurajoz Tuku dhe fliste hapur, pa pasur parasysh efektet që mund të shkaktonte fjala e tij tek të tjerët. Formalizmi, servilizmi dhe demagogjia ishin veset që ai i urrente me shpirt…
Dihet se goditja e parë Tuk Jakovës i është dhënë në plenumin e vitit ‘55. Kush e vuri në shënjestër dhe cilat ishin motivet e vërteta të kësaj përplasje?
U bë plenumi i famkeq. Në fillim u lexua raporti nga Enveri dhe si zakonisht priteshin diskutimet. Çuditërisht nuk u ngrit njeri. E kush mund të çohej të vinte në diskutim ato që thoshte njeriu më i fuqishëm i kohës. Hija e të parit i tundonte e i bënte të mblidheshin në vetvete. U ngrit i pari Tuku. Enveri që mesa merrej vesh e dinte bindjen e tij, u kollit si për t’u dhënë sinjalin tw tjerwve. Sa mbaroi Tuku u bë pushim. Pas pushimit u ngrit Nexhmije Hoxha dhe iu kundërvu hapur problemeve që ngriti Tuku. Analiza e saj i quante qëndrimet e Tukut devijime parimore. Pikërisht problemet që ngriti Nexhmija u bënë më vonë pjesë e rezolucionit të plenumit. Që nga prilli i vitit ‘55, pra që pas këtij plenumi e deri në qershor që u bë vendimi, Tuku u fut në një rreth të izoluar dhe survejohej pa pushim. Vinte në punë me roje të dera. Nuk lejohej të dilte nga Tirana pa marrë leje zyrtare. Shokët iu larguan që të gjithë. Nuk e takonte askush. Kërkuan të bënte autokritikë dhe të pohonte se ku frymëzohej në qëndrimet antiparti. Filluan t’i vënë në dukje devijimet që nga grupi i Shkodrës, lidhjet me klerin, zbutjen e luftës së klasave etj. Tuku idealist siç ishte u përpoq të bënte autokritikë, por kjo nuk i vlejti dhe e përjashtuan nga Komiteti Qendror. Menjëherë pas kësaj na dërguan me familje në Berat. Tukun aty e çuan për të punuar në një zdrukthëtari në një punishte të vjetër. Pastaj filloi ajo periudha e persekutimit. Një persekutim çnjerëzor do të thosha. Nuk kishte gjë më të tmerrshme nga situata që na u imponua. Njerëzit na shikonin me habi dhe me urrejtje dhe na largoheshin menjëherë sa përballeshim me ta. Iknin si të shpëtonin nga një sëmundje e keqe.
Pra, ju kaluat nga një shtëpi në Bllok në një strehë mjerane në periferi të Beratit?
Na çuan në Berat në një barakë të ngritur në mes të një moçalishteje të mbushur me bretkosa dhe gjarpërinj. Lagështira ishte shumë e madhe. Të katër fëmijët kaluan konsekuenca të rënda shëndetësore nga jetesa aty. Ndenjëm gati 15 vjet atje. Tw izoluar twrwsisht. Kjo e vriste shpirtërisht Tukun. Mbaj mënd tronditjen e tij në çastet kur i morën pistoletën. Kur e dorëzoi sipas urdhrit, iu tha policëve t’i regjistronin numrin me shpresën se një ditë do të sqaroheshin gjërat dhe do të mund ta merrte përsëri. E kishte kujtim që nga ditët ilegale të luftës. I hoqën gradat. I hoqën titullin “Hero i Popullit”. Kishim në atë kohë vetëm njeri-tjetrin. Mbështeteshim vetëm te njëri-tjetri. Tuku i sinqertë siç ishte, me atë pastërtinë shpirtërore që e karakterizonte, u ul një ditë dhe i shkroi një letër KQ të PK të BS. Atë letër e çova unë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Kërkova ambasadorin dhe më doli sekretari i tij. Ia dhashë dhe u ktheva duke shpresuar për një reflektim të mundshëm në qëndrimin ndaj nesh. Pas dy muajsh aty ku ishim na u kthye letra pa asnjë përgjigje. Na i sollën në banesë ashtu siç ishte.
Të vijmë te një ngjarje tjetër. Tuku pasi përjashtohet nga partia në vitin ‘57, e izolojnë në kalanë e Kaninës…
Para se të vijmë te ky moment desha të shpjegoj rrethanat para izolimit në Kalanë e Kaninës. Në nëntor të vitit ‘56 kur ishte pushkatuar Dali Nderu dhe Liri Gega, ne na sollën vendimin e internimit që do të thoshte se do të jetonim në ato kushte, por tani me një ndryshim të madh. Çdo ditë duhej të paraqiteshim në degën e Punëve të Brendshme për të raportuar. Vazhduam në këtë gjendje deri në 24 maj të vitit ‘57. Pikërisht në këtë ditë, e cila koincidonte me 13 vjetorin e fejesës Tukun e izoluan në kalanë e Kaninës e më vonë në Ishullin e Zvërnecit. Më 4 janar ‘58 e arrestuan…
Mbani mënd përse e akuzuan?
Një mori akuzash bajate dhe pa asnjë fakt konkret. I thanw pwr tradhti tw lartw dhe e degdisën në qeli. Shkoja shpesh për ta takuar. Takimet me të i kisha shumë të shtrenjta. Më kujtohet takimi i parë kur shkova me katër fëmijët, të cilëve deri atëherë nuk u kisha thënë se ai ishte në burg, por me shërbim. Na i nxorën nga një deriçkë pas burgut, gjithnjë mes hekurave dhe policëve. Fëmijët sa kishin mbaruar shkollën dhe kishin marrë me vete dëftesat për t’ia treguar Tukut. Të gjithë kishin nota të shkëlqyera. Mënyra si ishte rezervuar pritja ishte e tmerrshme. Nuk na lejohej asnjë kontakt fizik. Mua më porositën më herët se në qoftë se do t’i jepja dorën do ta ndërprisnin takimin. Tuku sa u afrua zgjati dorën i përmalluar. Nuk dija çfarë të bëja. Çova krahët lart dhe i kryqëzova në shpatullat e fëmijëve. E bëra për t’i lënë të kuptonte Tukut se nëse nuk mund të takohemi bashkë, unë po i përqafoj fëmijët edhe për ty. Ky ka qenë takimi i parë. Edhe më rrëqethës ka qenë ai i fundit. Ishte data 22 qershor 1959. Shkova si gjithnjë me fëmijët në takim. E kishte marrë shumë malli. Këtë herë vajza e vogël shkonte për t’i thënë të atit se kishte mësuar për të shkruar. E takuam mes dy palë hekurave. Roje ai andej. Roje ne këtej. Kërkoi të përqafonte fëmijët. Nuk e lejuan në asnjë mënyrë. Të paktën atë të voglën, iu lut policëve. Jo as atë! Reaguan ata me ashpërsi. Ndërkaq, Tuku i përlotur e i revoltuar iu drejtua oficerit të Ministrisë së Brendshme që na shoqëronte. “Kjo që po ndodh këtu, nuk ka ngjarë as në burgjet e fashizmit”. Në çast fëmijët ia dhanë të qarit me dënesë. U krijua një situatë tejet e rëndë dhe nuk dija si të bëja. Zërat urdhërues e brutalë të policëve i dhanë fund takimit. Ishte i fundit ky. Vetëm pak më vonë, në gushtin e vitit 1959 nga burgu e çuan në spital ku ndërroi jetë në rrethana misterioze…
Si u lajmëruan për vdekjen e tij?
Më 19 gusht ‘59 shkova për ta takuar në burg. Mirëpo sa u paraqita aty më thanë se është shtruar në spital. Kur pyeta për çfarë më qetësuan, duke më sqaruar se ishte diçka e parëndësishme. Një apandesit i lehtë, më shpjeguan. Ka shkuar për ta operuar dhe pas një jave do kthehet prapë. Më 26 gusht ‘59 më lajmëruan se Tuku është shumë sëmurë. Madje, më njoftuan se do më çonin me makinë prandaj duhej të merrja me vete dhe fëmijët. Ashtu bëmë. Hipëm në makinë dhe u nisëm me shpresën për ta gjetur me frymë. Fillimisht shkuam në ministri siç ishte rregulli. Aty na priti Filat Muçua, i cili pa bërë zë më tha mua për ta ndjekur nga prapa në zyrat e thella të katit të parë të ministrisë. Hyra aty në një dhomë të madhe. Nuk më mbanin këmbët dhe gjeta një tavolinë për t’u mbështetur. Nuk mu durua dhe e pyeta: Çfarë do më thuash? Çfarë ka ndodhur me Tukun? Tuku vdiq mbrëmë, tha ai, në orën 12:00. “Ne ia bëmë të gjitha, vazhdoi, por aq e kishte shkruar siç thotë populli”. Sakaq më njoftoi për një “privilegj” që më kishin rezervuar me këtë rast. “Si rregull, sqaroi Muçoja, atë që vdes në burg, nuk lejohet ta shikojnë familjarët. Po rasti i Tukut është i veçantë dhe ty do të lëmë ta shikosh”. Si kaluan disa çaste dola dhe mora rrugën e morgut. Kur mbërrita aty pashë që nga dera përballë po futej nëna e Tukut bashkë me vëllain e tij Kol Jakovën. Kapërcyem portën dhe u gjwndwm brenda. Kur ç’të shikonim. Pamja e ishte tronditëse. Aty për aty mblodha veten dhe fillova të komunikoj me të. “Tuk i dashur, i thashë, fli i qetë se unë do të bëhem e fortë siç doje ti. Mos kij merak për fëmijët. Ata do t’i nxjerr në jetë e do t’i shkolloj sikur të kisha dhe ty në krahë. Në fund pastaj kur do t’i jepja lamtumirën e përshëndeta sicc pwrshwndesnim dikur partizanët që vriteshin në front. Çova grushtin lart dhe shqiptova formulën magjike: Vdekje fashizmit, shpirti im!” Dhe ika, ika duke mos e ditur ku të shkoja. Nëna e Tukut më hodhi krahun dhe dolëm bashkë në oborr. Aty ajo nuk u përmbajt dhe filloi me dënesë “Tuk o bir që s’tu ndodha pranë”. Nuk kaluan vetëm pak çaste dhe policët na lajmëruan për t’u larguar. Ndërkaq, kishte mbërritur edhe makina që do na çonte në Berat. Vjehrra iu lut oficerit, që na shoqëronte për të na lënë atë natë në Tiranë te shtëpia e saj. Jo, i tha ai prerazi. U nisa e shkova të takoja fëmijët. Ata më prisnin sy e vesh çfarë lajmi do t’u çoja për Tukun dhe më pyetën menjëherë: Si është babi? Tani nuk keni më babi, u thashë, por hajde se do të shkojmë në shtëpi. Mbrëmja na zuri te plepat e Durrësit. Ishte ditë dasme dhe aty afër dëgjohej një orkestër që shoqëronte ritmet e këngës së dasmorëve. Eh, thashë me vete, si qëlloka kështu në jetë. Dikush qan e mbytet nga trishtimi, të tjerët këndojnë e shpërthejnë nga hareja…
Çfarë dini për rrethanat në të cilat Tuku ndërroi jetë në spitalin e Burgut?
Autoritet zyrtare u mjaftuan me ato pak shpjegime. E ku mund të pyesje tjetër. Sidoqoftë pas vitit ‘90 erdhën opsionet e para për vdekjen misterioze të Tukut. I pari që na ka sqaruar rrethanat e asaj nate fatale, ka qenë një banor nga Velipoja, i cili ka qenë shok i dhomës në spital me të. Ja si na i rrëfeu ai: Na i sollën në dhomën tonë pa shpjeguar se kush ishte. Që nga çasti që e sollën, shtuan rojet. Pas dy tre ditësh u përmirësua dhe filloi të komunikojë. Morëm vesh se e kishte operuar kirurgu Aleko Bozgo. Ditën e katërt shëndeti i tij u përkeqësua. I hipi një temperaturë shumë e lartë dhe dridhej i tëri. Natën e fundit erdhi një doktor tjetër që e vizitoi. Kur e pyetëm për gjendjen e tij nuk na foli fare. Pak momente më vonë erdhi doktor Ylvi Vehbiu. Si duket e kishin thirrur dhe atë për Tukun. Kur doli nga vizita e pyeta se çfarë ka. Nuk ka shpëtim, mu përgjigj dhe më sqaroi se në kartelë ishte shkruar që i kishte plasur tëmthi, por nuk është e vërtetë, nuk i ka plasur”. Ne kemi folur më vonë vetë me doktor Ylviun. Atë natë e kishin lajmëruar për ta vizituar disa orë para se të ndërronte jetë. Ja si na i kallëzoi doktor Ylviu: Kur shkova, Tuku ishte në kllapi. Me temperaturë shumë të lartë. Ishte në agoni të plotë. Unë nuk kisha se çfarë të bëja, vetëm sa t’ia lehtësoja agoninë. Mbaj mënd që një moment u kthjellua dhe tha “E kanë gabim që veprojnë kështu dhe ecin në kundërshtim me zhvillimet botërore…”. Pak a shumë edhe sot e kësaj dite janë ende të paqarta rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Tuku. Më shumë se një vdekje duket si një vrasje në spitalin e burgut.
Ndërkaq keni pasur dhe një fatkeqësi tjetër në jetë…
Po një fatkeqësi me një nga fëmijët që është dhe më e rëndë. Fëmijët me thënë të drejtën i kam pasur shumë të mirë. Përparimi i tyre në shkollë dhe sjellja shembullore më dhanë kënaqësinë që nuk më shkoi mundi kot me ta. Vjosa, ishte nxënëse e shkëlqyer. Mbaroi gjimnazin me rezultate shumë të mira. Duhej të aplikonte për shkollë të lartë. Po kush mund të guxonte ta çonte në universitet vajzën e armikut të popullit Tuk Jakova. Pikërisht në këtë situatë ajo i bëri një letër Mehmet Shehut. Ajo mbante për emër pseudonimin e tij të kohës së luftës. Për çudi dhe kur nuk e prisnim i erdhi përgjigjja se ishte miratuar e drejta e studimit për kimi-biologji. E nisi me shumë gëzim shkollën e lartë. Në vitin e tretë pësoi një tronditje shumë të madhe. E gjitha erdhi nga braktisja që i bëri djali që dashurohej me të. Ishte një braktisje për motive biografike. Me sa duket dikush kishte ndërhyrë dhe i kishte kujtuar atij pasojat që do të kishte nëse do bëhej dhëndri i Tuk Jakovës. Nejse në tronditje e sipër shkoi bashkë me shoqet në hekurudhë në aksionin e rinisë. Më 1 qershor qëlloi dita e zgjedhjeve. Si ngaherë na jepnin më parë fletën e zgjedhjes me të cilën do shkonim për të votuar. Ajo e mori si gjithë të tjerët dhe e futi në komodinën e saj. Çuditërisht kur erdhi dita e zgjedhjeve nuk e gjeti ku e kishte lënë. Dikush me sa duket ia kishte rrëmbyer djallëzisht. E thirrën në shtab. Bija e armikut!, i thanë me tërsëllimë. Çfarë nuk i bënë. E terrorizuan, ashtu siç ishte e sollën në shtëpi në Berat. Ishte shpërfytyruar aq sa mezi njihej për fytyre. Një muaj ndenji brenda pa dalë fare. Madje i donte dhe dritaret të errëta dhe i mbulonte me batanije. Nuk hante. Nuk pinte. Nuk fliste. Në këtë sfilitje shkoi deri në fund. Eh, Vjosa e nënës….
(Në numrin e djeshëm të intervistës së zonjës Mita Jakova gabimisht është shkruar emri i Rrahman Perllakut si pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH-së, në vend të Ramadan Çitakut.)
Letra e fundit nga burgu
E dashtun Mita.
Besoj se tash e tutje letrat kanë me na ardh më shpejt, mbasi na lejuan t’i nisim me postën e zakonshme. Gjithashtu mora edhe një mijë lekët që më kishe dërguar. Siç duket pllaka që dëgjove në radio “Gëzim në famlje” dhe që të dyve na pëlqen aq shumë të kishte ngjallur iluzione të bukura sidomos në pragun e 28 dhe 29 nëntorit. Më vjen shumë keq që iluzionet mbeten iluzione por do të më vinte më shumë keq në rast se do dëshpërohesh. Ne këtej po kërkojmë t’iu lejojnë të na vini me na pa, dhe të rrini këtu bashke me ne të paktën 24 orë. Mbasi vendi që na kanë përcaktu tash për tash për takime është i papërshtatshëm për stinën e dimrit dhe kemi frikë mos na ftohen fëmijët. Mitë, unë jam mirë me shëndet dhe mos bën merak për mu, por shiko veten dhe kalamajt.
Të fala e përqafime.
T’puth, Tuku
Komentet