Arlinda është një vajzë në moshën e një gruaje të re beqare apo, më mirë të themi, një vajzëgrua që është pak të thuash, e bukur.
Luiz Bodini sa e kish parë, iu kujtuan vajzat e bukura të skuadrës së volejbollit në qytetin që tani e kishte lënë pas. Të hijshme, të hajthme, të zambakta e të gjata, të kujtonin përherë shpërthimin e pranverës.
Tani, ishin bërë gra të reja dhe kishin fluturuar në Tiranë, e në emigrim si patat e egra që çajnë qiejt e pafund.
Bodini, përveçse një reporter rajonal që punonte për një gazetë të përditshme të madhe të vendit, ishte edhe një i uritur i muzikës dhe artit figurativ dhe sa herë që shkonte nëpër qytetet e rajonit që mbulonte për të ralizuar tema apo ndjekur evente, i ndiqte me qiri ekspozitat e arteve pamore. Megjithë jetën e vakët artistike, në qytetet e rajonit që mbulonte, ekspozitat, i jepnin një kënaqësi disa ditore, pasi ato qëndronin çelur për shumë ditë. Bënte artikuj dhe pas botimit të tyre, u rikthehej tablove për t’i ‘ripërtypur estetikisht’,siç pohonte në rrethet e ngushta.
Fiks në një ekspozitë kolektive pati takuar për herë të parë edhe Arlindën, një piktore amatore që punonte si inxhiniere konstruktore në një nga studiot e qytetit. Ajo kish paraqitur në këtë event lokal një punim në akuarel titulluar “Vals i pranverës”. I kishte bërë përshtypje ky punim për shkak te thjeshtësisë dhe frymës ekspresioniste ku luhej me ngjyrat e petaleve të pranverës që qerthulloheshin si një mirazh i pafundmë yjësimesh e dritash. Kish bërë dy foto të tablos me përmasa 90 X 70 siç pati bërë me shumë e tjera dhe e kishte uruar autoren përzemërisht në një çast kur po rishikontë tablotë së bashku me Ilirin, drejtorin e galerisë “Venus”.
Pas këtij eventi, me autoren e “Valsit”, kish ruajtur një përshëndetje miqësore në rrugë si me një të njohur të rastit që i pati bërë përshtypje.Porse ndjente diçka si një flutur t’i rrihte krahërorin sa herë ndeshte sytë, kokën e bukur dhe shtatin e saj.
***
Rasti e solli që në mjediset e së njejtës galeri, Arkivi i Shtetit të çelte një ekspozitë retro me piktura dhe foto bardhezi nga periudha e Monarkisë.
Arlinda pas përshëndetjes miqësore e pyeti nëse lëvizte shpesh nëpër rrugët e jugut.
-Si të qëllojë. Rrugët e jugut janë shtëpia ime e vertetë- tha buzqëqeshur Luizi. Dhe shtoi: -Pse, keni ndonjë porosi?..
-Po pate ndonjë rrugë për në rrethin J, më thuaj se ndoshta edhe unë mund të vij vetë, pasi kam dy muaj pa shkuar në fshatin e lindjes. Kam xhaxhain që jeton aty dhe kujtimet nga fëmijëria, kur mbaronim shkollën në Tiranë dhe prindërit më çonin në fshatin e origjinës, tek xhaxhai…Më merr malli shpesh.
-Në cilin fshat?
-Labovë e Kryqit.
– E Kryqit? -pyeti ai krejt i befasuar, pasi dinte edhe një tjetër fshat me emër të mirënjohur. Labov’ e Zhapës.
– Përse habiteni?
-Sepse nuk kam shkelur ende në atë fshat. Sidomos, për të parë Kishën e Shën Mërisë me historinë e famshme dhe legjendën e Kryqit të Artë.
-Nuk është legjendë. Janë të vërteta,-u shpreh me një ndenjë krenarie Arlinda.
***
Pas disa ditësh, u takuan rastësisht në korridorin e gjatë të zyrave të prefekturës. Një befasi e këndshme.
Ajo i kujtoi e para:
-Mos harro porosinë!.
-Sa mirë që më the. Shkoj me shërbim andej, pikërisht të premten…
-Po qe kështu, më regjistroni si pasagjere edhe mua, -ia priti ajo, duke shtuar:
-Mbase hapet edhe koha se na kalbi shiu dhe do të na mbijnë kërpudha në kurriz nga lagështia, thonë në studion tonë…
Qeshën të dy.
***
Shiu i së premtes pasdite binte me litarë të mëdhenj kur makina e vjetër volswagen e Luiz Bodinit nisi të rrëshaqasë në një gjarpërim alpin e më pas, mes për mes në një ultësirë të blertë që të kujtonte fushat e Myzeqesë.
-Të lutem, më fol akoma për Kryqin. -tha Luiz, ndërsa ndërroi marshin e radhës .
-Përse mbahej i fshehur? A nuk ishte për besimtarët që e adhuronin dhe bënin kryq para tij?
-Nuk është kaq e thjeshtë,-ia ktheu Arlinda. Kryqi mbahej i fshehur. sepse ishte i pajisur me Drurin e Shenjtë. Ishte në argjend të larë me ar, dhe, në të dy anët e tij paraqet skena ikonografike, nga pagëzimin i Krishtit me profetë nga Testamenti i vjetër…
-Ashtu?..-ia ktheu i befasuar tjetri, ndërsa makina u zhyt tani në mjegullën bardhë dhe gjigande që kishte pushtuar krejt luginën mes vargmaleve. Rruga, përtej xhamave të makinës, pothuaj nuk dukej fare dhe ai ecte tepër ngadalë pasi nuk dallonte as gurët kilometrikë anash dhe I druhej daljes nga aksi rrugor.
Jashtë shiu i dëndur vazhdonte binte zinxhir dhe fshirëset e xhamave punonin me vështirësi. Ai frenoi diku anës rrugës.
Të marrim pak frymë, makina edhe ne.-tha me zë më tepër për vete. Arlinda mundohej të fshinte avujt e kondensuar nga xhamat e parë dhe nga porta e saj .
-Asgjë nuk duket…-tha ajo, -Ka rrezik kështu?
-Me dritat e gjata jemi dhe ndalova pasi nuk shoh asgjë-tha Luiz. Pastaj shtoi:
-Alrind, ke frikë? Mos kij frikë, të lutem! Mjegulla, do të çahet për pak besoj dhe ne, do të shkojmë te xhaxhai në fshat.-dhe qeshi miqësisht. Heshti një hop dhe për të ndërruar temë, shtoi:
-Qëkurse emri I fshatit u lidh pasgjidhshmërisht me Kryqin?-
-Gojëdhënat thonë nga koha e mugët e lindjes së fshatit.Por fshati nuk mund të kuptohet pa Kishën dhe Kryqin. Në shekuj. Dhe e kundërta…
Ai diçka luajti nga butonët e magnetofonit dhe kabina e makinës së ndalur u mbush me tinguj. “Katër Stinët” e Vivaldit. Tek kalonte të fshinte xhamin sërish me një copë lejla kadife, dora e saj e majtë preku dorën e Luizit.
-Më fal!.- tha Linda dhe një purpur i kuq i mbuloi fytyrën e bukur.
-Të lutem!-ia ktheu buzëqeshur ai dhe vijoi të ta rrisë volumin e muzikës aqsa makina u mbush në tingujt magjikë .
-Ç’mrekulli!-tha Linda .
-E di?- ia ktheu Luiz.-Këto tinguj më mbinë në vesh në çastet kur po shikoja tablon tënde “Vals i pranverës” në ekspozitë…
-Faleminderit! Shumë faleminderit, Luiz! -përsëriti ajo dhe e ngriti vet volumin e muzikës edhe pak më tepër.
Ndërsa violinat te pjesa “Pranvera” po luanin në kreshendo refrenin, të dy thanë pothuaj me një gojë: ”Ç’mrekeulli!”
Ndërkaq mjegulla nisi të hapej disi dhe rruga po rishfaqeh, makina nisi udhëtimin sërish si në në një skenë legjende përmes mjegullës.
-Mjegulla u ça nga era,-tha ajo e gëzuar.
-E di një gjë?
-Çfarë?
-Mjegullën nuk e çau era. Erë nuk po fryn. Ja.-tha ai dhe hapi xhamin nga porta e tij.
-E hapën-violinat. Vivaldi…!
-E bukur!… Nuk më shkoi mendja-u shpreh lumturisht ajo.
***
Duke iu afruar fshatit me emrin e madh të Kryqit të artë, ai ‘u kthye’ sërish te Kisha.
-Po në komunizëm, në kohën e Hoxhës si thirrej zyrtarisht fshati? Me, apo pa, Kryq?…
– Kryqi mbahej i fshehur. Madje, thonë se banorët i detyruan të njihnin për variant emërtimi, një’pagëzim’ zyrtar të vendbanimit të tyre .Zyrtarisht me emërtim “pa Kryq” por Labova e Libohovës por populli kudo e quante “Labova e Kryqit”, …Madje tregojnë habitshëm se në një takim të Enver Hoxhës me disa fshatarët tanë, ai i pyet se nga ishin. , dhe ata iu përgjigjen se ishin nga Labova e Libohovës, për ta dalluar atë nga ajo e Zhapës. “Jo – u pati thënë ai.Ju, jeni nga Labova e Kryqit…
Sa herë që fshati përfshiej në valët e reja të pushtimeve apo invazione të ndryshme nëpër histori, banorët mendonin për dy gjera.Të shpëtoni jetën e familjes në çdo prag dhe Kryqin padyshim. Tregojnë se Ai fshihej në vendin më të sigurt. E dinte, siç thuhet , vetëm Zoti atë vend enigmë.
Por asaj që iu ruajtën nga ivazionet , nuk I shpëtuan dot në kohë paqeje. Dhe kjo nuk u pati shkuar kurrë ndërmend banorëve dhe paraardhësve të tyre. Duket se paqja pikërisht I pati zënë në grancën e gjumit. Sepse, pikërisht në fundin e viteve ‘80, ende pa rënë diktatura, Kryqi me Drurin e Shenjtë ku u kryqëzua Krishti, u vodh.
Hataja kishte ndodhur me një mister dhe qetësi vrastare.
-Si ka mundësi ? -u hodha ai.- Nuk thonë tani që Kryqi është sërish në vendin e tij, aty, në atë këndin misterioz brenda Kishës?
-Po. Por nuk është krejt ashtu si thonë. Më saktë, krejt ashtu siç besohet. Doli një shqiptaro – amerikane, u tha e cila ndoshta me origjinë nga fshati i Kryqit të famshëm dhe bëri një dublikatë të tij. Pra të Kryqit . Ndofta kjo, lë mjaft për të dëshiruar për atenticitetin ikonografik me Kryqin e vërtetë. Por gjithsesi është një gjetje. Një qetësim plage….si të thuash.
-Domethënë, tani kemi një kryq kallp, siç mund të flitet për flori kallp? Një kallpoKryq. -Apo më mirë të themi, një kinseKryq?…
-Afërsisht, por që bart me vete legjendat e Kryqit të Vërtetë. Mitet. Historitë dhe sakrificat e njerëzve për ta ruajtur atë ndër shekuj. Historitë që Kryqi shëronte njerëz kur e preknin të sëmurët ose, kur ndanë shtratit të lëngatave të gjata me të sëmurë, rastet me eilepsi te fëmijët, apo në turbulenca mentale tek të rriturit, vendosja, apo shfaqja e beftë e Kryqit të Artë, aty pranë, në atë mjedis, hyjnor; shëronte, kuronte. Bënte punë.
Arlinda fliste tani sikur lexonte diçka , përtej, diku në mjegull dhe rrëfente si nga një memorie fluide nëpër re, si përmes kësaj mjegulle mitike që i rrethonte .
EArlinda kishte dëshire te tregonte edhe më për Kryqin.Për Atë, të Vërtetin, po edhe për atë tjetrin, zëvendësuesin
-Sipas ekspertëve, Shën Mëria e figuruar në gjysëmprofil, paraqet derdhje palash në të dy anët e mantelit të saj. Fushat e aureolave janë gjithaq, aty.Prezente. Madje, edhe vetë Perëndia At, është po aty. Por paraqitet, s’dihet përse, pa aureolë, -thonë ekspertët.
-Pra, nëse ne hyjmë tani të dy dhe e kërkojmë Kryqin, do të ndeshim në kinseKryqin ?!….
-Luiz, të lutem , mos më lëndo!….
-Kaq mote, kaq motmote, nuk dihet asgjë për gjurmët dhe vendndodhja e Kryqit të Labovës?
Ajo mohoi me kokë duke tundur baluket e bukura me krelat që mend derdheshin mbi ball e përqark gushës.
Pastaj, ajo shtoi:
-Por Ai, përkujtohet me respekt të veçantë në Kishën e Shën Mërisë në Labovë. Ditën e festës së saj ,më 8 Shtator, atje mblidhen tërë banorët, nga janë e nga s’janë, brenda dhe jashtë vendit, si në një adhurim të veçante për përkujtim të Kryqit të Shenjtë që e lidh përjetësisht vendbanimin e tyre, Labovë me ‘mbiemrin’ identitar.’e Kryqit.’
Dhe kështu Luiz, miku im, historia e Kryqit sikundër ajo e këtij vendi , fshihet por nuk humbet.,thuhet nga specialistët. Ashtu sikurse diku ,e kanë përshkruar ekspertët, me Krishtin e mishëruar nën simbolin e luanit me këmbët e prapme të mbështjella. Ecën dhe fshin gjurmët e tij…
***
Volswageni i vjetër nuk të turpëron.-tha ai më tepër për vete se për bashkëbiseduesen e zhytur në misteret e Kryqit. Ecën më mirë sidomos në ditë me shi….
-Më trego sërish për historinë e Kryqit..
-Nuk keni muzikë ne makinë?
-Sigurisht që po.-tha Luiz.
-Vendos një nga nga pjesët që ty të pëlqen më tepër.
Ai vendosi një usb dhe pas pak në kabinë u përhapën tingujt e një pianoje që çuditërisht dukej sikur shoqëronin pikat e shiut që binin parreshtur mbi kabinen e makinës dhe, sa vinte e bëheshin më të shpeshta .
-Sa bukur… Cila, ç’është kjo pjesë kaq e njohur ?
– “Vals i pranverës”. Nga Shopen….
Pastaj ne kabinë u përhapën tingujt e valsit të Dmitry Shostakoviç. “Vals nga Jazz Suite Nr. 2”
-C’mrekulli!-bëri Arlinda/
Shiu i prillit pushoi disi por retë e dendura mbi vargmalin e majtë nisën të grumbullohen me shpejtësi dhe pas pak ia behu një shi i rrëmbyeshëm.
Makina devijoi djathtas në luginë, duke e lënë aksin nacional.
-Po afrohemi pak nga pak. Ke muzikë tjetër kaq të bukur?
-Këtu, me ligj lejohen vetëm pjesë shumë të bukura. -tha ai dhe vendosi “Rrugë Pranvere” nga Stamatis Spanudakis.
-C’është kjo mrekulli tjetër që kurrë s’e kam dëgjuar?
Ai citoi titullin e valsit që të sillte në përfytyrim shpëthimin simfonik të një pranvere dhe buzëqeshi.
***
Sapo makina kapërceu urën mbi një prroskë me ujërat e fryra të shirave të prillit dhe për pak rrugë do të shfaqej diku fshati e, më pas edhe Kisha, nga makina, nisën të përhapeshin tingujt e një valsi të padëgjuar kurrë më parë nga Arlinda. Që ai e pati ‘zbuluar’ veç tre muaj më parë.
-Kjo është mrekulli. tjetër-tha ajo me sy ëndërrimar.-Kurrë s’e kam dëgjuar këtë të fundit. Por më duket vërtet një mrekulli!…O zot….!
– E dallon linjën melodike “fluturuese”-e pyeti ai.-Është një kompozim I veçantë, një vals me autor aktorin Anthony Hopkins. Edhe unë jam befasuar kur e kam ndeshur .Thuhet se aktori I madh i skenës së filmit, ka bërë vetëm këtë kompozim që titullohet “And The Waltz Goes On” (“Dhe Valsi Vazhdon”).
***
Nga shirat e saj pasdite prilli, koha aty qante, aty qeshte.
Dielli kish rënë pas maleve të lartë, por ende dita, nuk po dorëzohej duke renduar drejt buzëmbrëmjes.
Gjithmonë nën tingujt e valsit, ata panë sesi fshati u shfaq befas pas kthesës së fundit. Për pak do të afroheshin tek Kisha e Shën Mërisë.
Luiz Bodini frenoi ngadalë . I preku dorën Arlindës duke e parë drejt e në sy me dorën e majtë në timon. Ajo I preku gjithashtu dorën dhe ja shtrëngoi si për mirënjohje.
-Atëhere, të fala dhe faleminderit për shoqërinë…dhe krejt historinë për Kryqin e artë.-tha Luiz.- Do të doja që rruga të zgjaste edhe më…Unë po hyj në Kishë ta shoh dhe të bëj disa foto. Dhe të ndez edhe një qiri… për njohjen tonë kaq pranë …deri të shija muzikore…
-Prit ,-tha ajo.-Po vij edhe unë në Kishë….se është kisha e fshati tim. Kot tregova gjithë ato histori rrugës!…
Ai e pa qetësisht me një buzëqeshje të beftë në fytyrë. Hodhi në sup një çantë të vogël zanati, apartin fotografik dhë mbylli portën e makinës.
Bubullimat e mëdha u ndien sërish sikur të mos kishin mjaftuar krejt rrugës dhe kokrrat e mëdha të shiut u ndjenë të shpejtoheshin deri sa nisi më dendur. Shpejtuan këmbët deri sa e panë veten nën strehën e hajatit të jashtëm të Kishës.
-Një ,dy ,tre, …tetë..
-Po flisni me vete, Luiz?
Ai buzëqeshi.
-Jo. Po numëroja harkadat e jashtme. Janë tetë kolonada me harkada….Pastaj, njeriu kur gjendet para bukurive të befta edhe flet me vete. Nga kënaqësia. E kundërta do të ishte e pazakontë..Pastaj, këtu është më shumë se një bukuri…Nga emocioni. Është normale..
Shiu kish pushuar. Jashtë kish nisur të shfaqeshin ngjyrat e pragmuzgut dhe nga tejmalet e luginës nisë të shfaqen magjia e ca reve të kuqeremta të perëndimit .
Ai po kundronte si i etur interierin e kishës e cila i kishte shpëtuar pa e parë deri më sot. Bënte foto me aparatin varur në qafë, duke u ulur herë pas here në gjunjë për të fokusuar kënde, dejaje dhe plane të afërta, imazhe dhe ikonat. Ikonostasi i drunjtë e befasoi .Është pak, të thush një mrekulli,-tha më tepër me pëshpërimë.E pabesueshme gdhendja si gdhendja e shpirtiti, e mendjes dhe duarve të gdhendësit që dikur e kishte gdhendur. Ikonostasi me gdhëndjen mahnitëse e delikate të drurit shekullor ‘fliste’ për virtuozitetin e artistit që kishte gdhendur e qëndisur çdo milimetër, të larë me ar.
Një energji mistike, dhe pozitive e pushtoi krejt qënien e tij tek bënte foto i etur, mos i shpëtonte ndonjë detaj nga dhjetra shkrehje të aparatit. Tani po shihte i shtangur ikonën e Shënmërisë. Të njejtën gjë po bëntë edhe Linda. Megjithëse e kishte parë dhjetra herë qysh fëmijë, tani, i duket se po e shihte për të parën herë.
Sistemi I ndriçimit me llampa nuk funksiononte dhe ndjeu se mugëtira po e pengonte të bënte poza të qarta me “Kodakun” e tij me teleobjektiv.
***
-Dua të ndez një qiri, por nuk më shkoi mendja të blej një rrugës…-tha Luiz.-Madje dy….
-Po ju jeni i besimit mysliman, mesa më thatë rrugës. Madje, i sektit bektashi në origjinë…
-Po, -shqiptoi ai ëmbël, si me pëshpërimë në gjysmëerrësirën e krijuar.-Por Zoti është për të gjithë, Një….ndërsa ishte afruar pranë saj, pothuaj ngjitur.
-Sigurisht shqiptoi ajo. Njëlloj me pëshpërimë sikur kishin frikë se do të zgjoinin dikë dhe shtoi:
-Këtu, në krahun tim të djathtë është bangoja..Marrim dy qirinj dhe i ndezim. Hedhim edhe disa monedha. në kutinë e bangos…
Pasj këtij çasti, ata panë sesi drita natyrore që hynte në kishë nga dritarja e vogël në mur, shfaqi dy siluetat e stërmëdha të tyre që lëvizën në terr në drejtim të bangos me kutinë e qirinjve dhe atë të monedhave që përdornin besimtarët dhe vizitorët.
Të dy zgjatën duart dhe kërkonin ashtu duarshtrirë drejt territ të pacaktuar të preknin në errësirë sendet e ritualit. Bënin ngadalë lëvizjet e njeriut që ecën krejt në errësirë…Duart e tyre u pleksën disa here duke shkaktuar në trupat e secilit një vrundull e ndjesi të ëmbël, të beftë, sa mistike edhe intime ndërsa ndjenë thellë nëpër shpirt e nëpër trupa si lëvrinte vrulli i një gjaku të nxehtë. Pas një grimhere në errësirrë u dëgjua i pari zëri i Lindës shqiptur me një delikatesë dhe ëmbëlsi çka e diktonte ndoshta edhe mjedisi mistik mes ikonave dhe vezullimit të mjegullt prej bronzi të ikonstasit të madh përballë.
-E gjeta, ja këtu-u dëgjua zëri i saj i ëmbël.
Luizit iu duk se ishte një zë i largët prej shenjtoreje që vinte ndoshta prej mugujsh mesjete përzier me erën e lagështirës dhe myshkut në faqet e mureve anash si në një shpelle heremitësh. Apo ishte ritmi I gjakut që ai ndjente nëpër damarë dhe zemrën që i gufonte si kurrë më parë…
-E gjeta Luiz….Ja ku është.-dhe e shkundi në ajër një shkrepse për të dëgjuar zhurmen e fijeve .
-Shumë mirë – belbëzoi ai me zë të mekur.-
-Perëndi! Më duket sikur jam në një ëndërr të bukur me shenjtorë…
-Fole gjë?-tha ajo pak e trembur.-Apo më bënë veshët?
-Foli ndonjë ëngjëll dhe zëri jot, Arlind….
Ndërkaq, ajo ndezi një fije dhe në errësirën e shenjtë u përhap një dritë divine që pushtoi mjedisin përreth dhe ata të dy . Ajo ndezi qiririn e parë dhe mori për dore atë, si të ishte një I verbër dhe i la në dorë qiririn e ndezur. Pastaj nga qiriri i tij ndezi të sajin dhe u afruan drejt vendit të qirinjve të fikur, një disk i madh I mbushur me rërë.
-Për të gjithtë të dashurit e mi që rrojnë e nuk rrojnë -mërmëriti ajo me sy të mbyllur .
– Për të gjitha dashuritë dhe gëzimin e shpirtit.-mërmëriti ai.
Ikonat e Virgjëreshës Mari, e Krishtit dhe shenjtorëve, dukej sikur flisnin nën dritën që përndriste e vezullonte mistershëm si një dritë amëshimi. E gjithë atmosfera brenda kishës të mrekullon, mendoi ai me një drithërimë tek mbante me të dyja duart e tij, ato të Arlindës.
Këtu ndjen mëe të vërtet edhe enigmen e misterit të zhdukjes së Kryqit të Shënjtë e të artë,- mërmëriti.
-Më fole gjë?-pyeti Linda duke I vënë dorën mbi sup…
-Po flisja me vete, – tha ai duke afruar buzët te koka e saj në gjysmëdritëz e gjysmëterr.
Sapo dolën nga porta e madhe, jashtë kishte rënë mbrëmja me mbretërinë e saj të paanë mbi kopshtia , pemë shtëpi,male e kodrinat e Lunxhit. Ngado.
Duke dalë nga kisha, ecnin ngadalë si të hiqnin këmbët zvarrë mos bënin zhurmë e zgjonin njeri, pothuaj ngjitur me njeri-tjetri.
Poshtë harkadave .
-Ja, ajo shtëpia me oborr me pemë dhe një dritë mbi ballkon është ë xhaxhit tim. -tha Linda.
-Të falënderoj shumë, shumë për shoqërimin. Dhe ….ndjesinë që më fale… Ti tani, duhet të largohesh se të presin atje dhe nuk ka përse të shqetësohen pavarësisht telefonates që bëre rrugës.
– Ishte një ditë shumë e veçantë edhe për mua-tha Linda.-në oborrin e Kishës . Ai i mori dorën e djathtë, ia afroi të buzët dhe e puthi fort.
Linda iu përgjigj duke e përqafuar dhe me puthjen saj. Dukeshin si si dy pemë të pleksura në gjethet e tyre.Tani buzët e tyre ishin bërë një, në këto çaste që do të donin të zgjasnin pa mbarim.
Ai ndjeu në fillim një rrokamë nëpër deje. Më pas, vrundujt gjarpërinjsh që i lëviznin nëpër gjak dhe në krejt trupin ndërsa buzët dhe gjuhët e tyre, jepnin e merrnin te njera-tjetra në një çast pa mbarim, teksa ai ndjeu aromen dehëse femërore të gjinjve të saj përmes një prushi të nxehtë. Nuk dihet sesa ndenjën ashtu, mbështetur tek njeri-tjetri. Ndërkaq, shiu ishte ndërprerë si me një gërsherë të shenjtë.
Pranvera kishte ditë që fryne e lëvrinte me limfën e saj të gjëlbër nëpër sythat që çelnin përditë, nëpër gjethe , gonxhe e lule, në krejt simfoninë e saj madhështore dhe erën e ngrohtë.
Pasi u ndanë, Luiz ndjeu se kjo erë pranvere i kishte hyrë nëpër deje tok me një motiv muzikor obsesiv.
***
Pas pak, nga kabina u makinës që po largohej ngadalë nga fshati, u përhapën tingujt e valsit “And The Waltz Goes On “ .Kjo muzikë si një fashë drite nëpër errësirë,tha me mërmërimë.
Në buzë e në shpirt, ndjente simfoninë e petaleve të pranverës që frynte ngado dhe çelte vetëm sythe e gjethe.
Tek mori kthesën e fundit e ngriti deri në fund volumin e muzikës. Ishte hera e parë në jetë që mbrëmja i dukej si me një dritë agu pa mbarim. Si një natë nordike.///
Komentet