Shkrimi trajton rikthimin nga grupi i punës së projektit të Kodit të ri Penal të një parashikimi ligjor të shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese në vitin 1997. Konkretisht, kjo gjë ka ndodhur me mënyrën se si është formuluar neni 145 i projektit, apo thënë ndryshe instituti i uljes së dënimit nën minimumin e parashikuar nga ligji, dispozitë edhe kjo e prezantuar mbledhjen shkëlqyese me krerë të lartë të sistemit të drejtësisë në korrikun e vitit 2025. Sikurse e kam bërë të udhës prej 24 shkrimesh tashmë, më duhet të bëj fillimisht historinë e zhvillimit të institutit objekt analize, në mënyrë që të qartësohet fizionomia juridike e drejtë e tij.
Nuk rezulton që një institut i posaçëm i uljes së dënimit nën minimumin e parashikuar nga ligji të ketë qenë i rregulluar në një dispozitë të vetme në Kodin Penal të vitit 1927. Megjithatë, në Titullin IV “Pandehëshmëria dhe shkaqet që e ngrenë ose e pakësojnë”, konkretisht nga neni 45 – 60, ky Kod rregullonte një pas një shkaqet për të cilat gjykata mund të ndryshonte llojin e dënimit apo mund të zbriste nën dënimin e parashikuar nga dispozita konkrete e delikteve apo kontravencioneve.
Në nenin 44 të Kodit Penal të vitit 1952, nën titullin “Zbutja e dënimit nën kufijtë e parashikuara”, rregullohej se: “Kur gjykata, për shkak rrethanash të jashtëzakonshme, çmon se për të pandehurin mund të caktojë një dënim nën minimumin e parashikuar nga dispozita përkatëse e ligjës, ose një dënim më të butë, ka të drejtë t’a zbutë dënimin por, në çdo rast, është e detyruar të tregojë arsyet në vendimin e saj”.
Në nenin 32 të Kodit Penal të vitit 1977, nën titullin “Zbutja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji”, rregullohej se: “Gjykata, në raste të jashtëzakonshme, kur çmon se vepra paraqet rrezikshmëri shoqërore të vogël dhe personaliteti i fajtorit është i tillë që edhe me një masë dënimi më të butë nga ajo e parashikuar nga ligji mund t’i arrihet qëllimit për riedukimin e tij, mund të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë nga ai i parashikuar nga dispozita përkatëse e pjesës së posaçme të këtij Kodi.
Kur janë rrethanat e paragrafit të parë të këtij neni, gjykata mund të japë dënimin nën kufijtë e parashikuar nga ligji edhe kur këtë e kërkon kolektivi punonjës i qendrës së punës të fajtorit ose një organizatë shoqërore”.
Në nenin 53 të Kodit Penal, në variantin fillestar të vitit 1995, nën titullin “Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji”, parashikohej se: “Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.”
Me Ligjin nr. 8175/1996, konkretisht me nenin 2 të tij, është ndryshuar neni 53 i Kodit Penal. Kjo dispozitë e ndryshuar, nën titullin “Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji”, parashikon se: “Gjykata, në raste të veçanta, për vepra penale për të cilat parashikohet një masë dënimi deri në 3 vjet burgim dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimum ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse. Kjo dispozitë nuk mund të zbatohet për të dënuarit përsëritës në krime.”
Kryesisht, Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim ndër të tjera edhe kushtetutshmërinë e dispozitës së mësipërme. Me Vendimin nr. 13/1997 Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta shfuqizojë atë si të papajtueshme me Kushtetutën. Ndër të tjera Gjykata Kushtetuese në këtë vendim ka arsyetuar se:
“Përsa u përket ndryshimeve të normave të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal, Gjykata i quan antikushtetuese nenet 1 e 2 të ligjit pasi ato cenojnë të drejtat themelore të personave për shkak të përmbajtjes së tyre… Ndërsa me ndryshimin e nenit 53 të bërë me anë të nenit 2, ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji ose caktimi i një lloj dënimi më të butë, është kufizuar vetëm për veprat penale për të cilat parashikohet një masë dënimi deri në tre vjet burgim. Vendosja e këtij kufizimi nuk pajtohet me vetë kuptimin e insitutit të uljes së dënimit nën kufijtë e caktuar nga ligji ose të caktimit të një lloj dënimi më të butë.
Rrethanat lehtësuese, duhet të merren parasysh, kuptohet në raste të veçanta, kur krahas rrezikshmërisë së pakët të veprës dhe autorit të saj, konkurrojnë bashkarisht disa prej tyre, edhe për uljen e dënimit nën minimumin e parashikuar.
Kufizimi i bërë me nenin 2 për uljen e dënimit nën minimum ose për caktimin e një lloj dënimi më të butë, i heq kuptimin vetë këtij instituti, pasi për veprat penale që parashikojnë deri në 3 vjet burgim, përgjithësisht minimumi i parashikuar është 5 ditë burgim dhe është parashikuar si lloj dënimi edhe gjoba.”
Çuditërisht, sikurse ka ndodhur rëndom dhe sistematikisht pas Vendimit nr. 13/ 1997 të Gjykatës Kushtetuese, asnjë dispozitë e Ligjit nr. 8175/1996 nuk rezulton se ka gjurmë në tekstet e kodeve penale të publikuara zyrtarisht dhe të botuara nga Qendra e Publikimeve Zyrtare apo nga Qendra e Botimeve Zyrtare. Kjo gjë ka ndodhur me çdo variant të kodeve penale të publikuara apo botuese nga institucionet shtetërore apo edhe nga botuesit privatë. Ndërkohë rezulton se Ligji nr. 8175/ 1996, jo vetëm që ka hyrë në fuqi, por as nuk është shfuqizuar tërësisht. Qoftë Vendimi nr. 13/1997 dhe Vendimi 58/1997 të Gjykatës Kushtetuese kanë shfuqizuar ose disa dispozita ose pjesë të disa dispozitave. Ka ndër to pjesë dispozitash apo dispozita që nuk janë shfuqizuar më vonë por që vijimësisht për 29 vjet institucionet në Shqipëri sillen sikur ky ligj nuk ka ekzistuar dhe nuk ka vepruar.
Nga konstatimet dhe hulumtimet e mia më rezulton se në këtë mënyrë neni 53 i Kodit Penal, i ndryshuar tërësisht me Ligjin nr. 8175/1996, është shfuqizuar me Vendimin nr. 13/1997 të Gjykatës Kushtetuese. Shfuqizimi i tij nuk përtërin juridikisht dhe kushtetutshmërisht dispozitën e shfuqizuar. Megjithatë, Republika jonë kështu ka vepruar faktikisht, duke u botuar vijimësisht neni 53 i Kodit Penal sikurse ka pasur formulimin në variantin fillestar të tij të cituar më lart.
Ligjvënësi me nenin 8 të Ligjit nr. 144/ 2013 i shtoi nenit 53 të Kodit Penal, të shfuqizuar me Ligjin nr. 8175/1996, tashmë duke e përtërirë faktikisht fuqinë ligjore të kësaj dispozite të vitit 1995, togfjalëshin “dhe nuk është e pranishme asnjë rrethanë rënduese”. Kështu praktikisht neni 53 i Kodit Penal nga viti 2013 e deri më sot formulohet si vijon:
“Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese dhe nuk është e pranishme asnjë rrethanë rënduese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.”
Në korrikun e vitit 2025 u prezantua projekti i Kodit të ri Penal. Neni 145 i tij, nën titullin “Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji”, parashikon se:
“1. Gjykata, në rastet kur vepra penale e kryer nga i pandehuri dënohet në minimumin e saj jo më shumë se sa pesë vjet burgim, kur çmon që ajo është kryer në rrethana rastësore dhe, autori i saj gjendet i përfshirë për shkaqe të rënda ekonomike, familjare apo personale, tregon pendim të thellë për veprën e kryer, për rrjedhojë paraqet rrezikshmëri të pakët, ka kontribuar përgjatë zhvillimit të hetimeve duke furnizuar me prova organin procedues, kur janë të pranishme më shumë se sa tre nga rrethanat lehtësuese dhe asnjë rrethanë rënduese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.
2. Kjo dispozitë nuk zbatohet ndaj përsëritësve në krim, ata që kanë kryer veprat penale të korrupsionit të çdo forme, ata që kanë kryer veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, veprat penale kundër drejtësisë apo për veprat penale të kryera nga persona në format e veçanta të bashkëpunimit.”
Sikurse konstatohet, rezulton se grupi i punës në vitin 2025 ka propozuar të bëhen ligj penal material disa rregulla të cilat janë konstatuar të papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese 28 vjet më parë. Kjo do të thotë ose Vendimi nr. 13/1997 i Gjykatës Kushtetuese nuk njihet, nuk është lexuar ose, megjithëse mund të njihet apo lexuar, nuk mbahet parasysh dhe nuk zbatohet në hartimin e nenit 145 të projektit të Kodit të ri Penal. Është e kotë të sjell në vëmendje se në relacionin fjalëpak të projektit fjalëshumë nuk ka asnjë shpjegim për ligjësitë logjike dhe juridike se si është formësuar kjo normë. Tashmë, edhe pa e lexuar këtë akt, mund të merret me mend se sa shpjegon komentari 161 faqe i një projektligji prej 952 dispozitash.
Së pari, vlerësoj se nuk duhet të ketë vend në këtë normë për parashikimin e një kufiri të dënimit me burgim për të përcaktuar fushën e veprave penale për të cilat vepron instituti i uljes së dënimit nën minimum. Ky institut duhet të lejohet të veprojë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme për nga karakteristikat rrethanore të kryerjes së veprës penale dhe jo për nga kufiri maksimal i dënimit të parashikuar nga ligji për veprën penale. Duhet të mbahet parasysh se një përkufizim i tillë i fushës së veprimit të institutit nuk ka treguar asnjëherë problematika në praktikën gjyqësore nga viti 1952 e deri më sot, që do të thotë se mbetet krejt e parrokshme se cilat kanë qenë arsyet që grupi i punës ka vënë në diskutim një rregull që ka 74 vjet që jeton dhe zbatohet paqësisht.
Së dyti, vlerësoj se vendosja e një numri minimum të ekzistencës së rrethanave lehtësuese është tërësisht i gabuar, sikurse grupi punës propozon “më shumë se sa tre”, që do të thotë minimumi duhet të ekzistojnë 4 rrethana lehtësuese. Kjo matematikë dhe çdo matematikë që përpiqet të përdorë grupi i punës në modus operandi-n e veprimit të ligjit penal material vetëm sa e bën atë më të padrejtë dhe gjithashtu më të paaftë të arrijë qëllimet e synuara. Personalisht vlerësoj se modeli më i mirë i rregullimit të këtij instituti ka qenë neni 44 i Kodit Penal të vitit 1952, i cili parashikonte vetëm ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme si premisë për zbatimin e këtij instituti dhe duke lënë hapësirën e nevojshme diskrecionare gjyqësore që rast pas rasti të analizohen dhe të kualifikohen si të tilla rrethana të kryerjes së një akti kriminal. Vetë rrethanat e jashtëzakonshme përfshijnë dhe nënkuptojnë edhe rrethanat e lehtësuese të ligjvënësit të vitit 1995, 1996, 2013 dhe të grupit të punës, që në vitin 2025 kërkon detyrimisht katër të tilla.
Së treti, vlerësoj se ndërhyrja e vitit 2013 në nenin 53 të Kodit Penal është tërësisht e gabuar, pasi vendosja e prekluzionit penal material të mos ekzistencës së asnjë rrethane rënduese bën që ky institut i së drejtës penale të jetë iluziv dhe i pamundur të zbatohet. Një rregullim i tillë nuk ka ekzistuar para vitit 2013 në ligjin penal shqiptar dhe ka origjinë të panjohur, pasi në të gjitha hulumtimet krahasuese legjislacionesh nuk kam arritur t’i gjej simotrën. Edhe ky rregull-prekluzion, i vendosur për herë të parë në vitin 2013, ka ardhur në legjislacionin shqiptar penal në kushtet kur nga viti 1952 praktika gjyqësore nuk kishte shfaqur asnjë nevojë për të. Pavarësisht këtij fakti grupi i punës ka vendosur ta trashëgojë edhe në projektin e Kodit të ri Penal.
Së katërti, prekluzioni i paragrafit të dytë të nenit 145 të projektit të Kodit të ri Penal duhet të kuptohet se nuk është shpikje e grupit të punës. Për herë të parë ai është prezantuar në Kodin Penal përmes ligjit famëkeq 8175/1996. Pa mbushur vitin ky prekluzion ligjor i uljes së dënimit nën minimum është shfuqizuar kryesisht nga Gjykata Kushtetuese si i papajtueshëm me Kushtetutën. Sikurse kam treguar në vijimësinë e kësaj rubrike, në Kodin Penal nuk ka vend për asnjë rregull “moratorium” apo automatizëm ligjor, sikurse rëndom e ka përdorur si teknikë legjislative grupi i punës në hartimin e normave. Këmbëngulja e herës së dytë në vitin 2025 nuk mund ta zhbëjë konkluzionin mbi papajtueshmërinë me Kushtetutën të këtij rregulli, edhe pse Vendimi Nr. 13/1997 i Gjykatës Kushtetuese është marrë rreth tre dekada më parë.
AUTORI, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR