Lajmi i takimit me dyer të mbyllura të së Martës është ai më tipiku, ku askush nuk ka forcë të japë një mesazh transparent për publikun, veç atij njoftimi zyrtar, trakt-komunikate që një forcë politike autoritare hedh në përdorim.
Edhe kështu siç u prodhua si gjini e re lajmi, ku kryetari i partisë është ai që vendos fjalën, qeth personazhet, i vë ritmin në refrenin e rep-it, “Tungjatjeta” remix, Rama arrin t’u imponojë shijen e vet. Dhe pa dyshim mes rilindësve në mediat sociale do të kalojë si gjetje bashkë me mesazhin e rekrutimit.
Shumë kush që mendon për punën e përditshme, çmimet e tregut, shërbimet nga taksat pa shkuar tek çmimi i naftës më i larti në rajon, mbase ja hedh vetëm një sy lajmit.
Ka të tjerë që do ta rishohin dhe do ta bëjnë ‘share’ postimin në rrjetin mes militantëve.
Ka po ashtu me shumicë të tjerë aktivistë politikë që me siguri paguhen dhe janë të detyruar jo vetëm ta dëgjojnë me zor lajmin-muzikor, por që atyre ju duhet t’i ngulitet mirë në mendje ky mesazh i “sfida e sfidave” janë pikërisht ata 83 anëtarët e GPS në presionin e “dyerve të mbyllura”.
Kohë më për teori dhe mendim filozofik nuk ka!
Nuk ka Akademi Politike të PS, pasi janë tashmë 83 kartonë të komanduar që prej Shtatorit 2025 të cilët rrallë i sheh dhe kryetari i tyre në Kuvend.
Ndaj nga GPS-Grupi Parlamentar Socialist, mesazhi politik do të shkojë ashtu siç thotë dhe kënga “Tungjatjeta”, ashtu si ajo çeli Fushatën Zgjedhore të 2025-ës, por tani bëhet gati për vendoret e 2027-ës.
Remix-i i Ramës “sfida e sfidave” është energjizimi që pas një viti vjen ndryshe.
Vjen ndryshe jo kur zyrtarisht u çel në Sheshin Skënderbej* me kandidatët dhe kandidatet brenda dhe jashtë listave, por të Martën e 7 Prillit, 2026 në ‘dhomën e jehonës’*.
Aty ku kumbon zëri i njëshit, ku filtrohet vetëm zëri i autokratit dhe ku të gjithë pjesëmarrësit, janë ajo shumica politike e 83 të heshturve përpara Ramës që duken të kuruar në veshje, të ushqyer dhe të mirëmbajtur po aq sa edhe të lexueshëm në portretet e rrëshqitur, të pajetë e pa humor po aq sa edhe të ndëshkuar imponimi i marrjes së energjive të reja (detyrave).
A e shohin veten këta të “zgjedhur të popullit” se me këtë heshtje nuk mbrojnë dot ata/ato brenda dhe jashtë Shqipërisë që i votuan dhe që i përfaqësojnë?
Po media apo televizionet nuk u lejuan për transmetimin e zhvillimit të takimit në GPS, të së Martës, 7 Prill, 2026 me çfarë kriteresh profesionalizmi pranuan sfidën e njoftimeve partiake?
Duke e dëgjuar lajmin-muzikor që shpërndan propaganda kupton përzierjen e mesazhit me refrenin e këngës “Tungjatjeta”.
Lajmi muzikor është një remix i tillë dhe i përpunuar si mesazh nga Rama pa patur nevojë praninë e gazetarisë.
Tungjatjeta
T’gjithë së bashku do ja dalim, për një qëllim
Sa shumë sfida ke kalu ti, o vëndi im
Ne jemi, ne jemi, gjithmonë ne k’tu do jemi
Sa t’ketë hënë e sa t’ketë diell
Sa t’ketë tokë e sa t’ketë qiell
Më ka bërë përshtypje angazhimi dhe dëshira për të dëgjuar në çdo Asamble faktikisht
T’gjithë së bashku do ja dalim
për “Punët e Shqipërisë”. Ndryshe nga më parë, kur flet për ekonominë, ndjen nga atmosfera në sallë se ka një pranim të faktit që ekonomia ka hyrë në një rrugë që i jep të gjithëve shpresë dhe që ka vetëm përmirësim. Kur flet për pagat, është shumë e qartë që njerëzit mund të bëjnë menjëherë verifikimin tek vetja dhe tek të tjerët përreth.
Tungjatjeta
(Shqipëria 2030 në BE)
T’gjithë së bashku do ja dalim
Kjo është sfida e sfidave jo për ne, por është sfida e sfidave për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë, duke vulosur përkatësinë europiane të Shqipërisë dhe duke siguruar anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Tungjatjeta
(Zhgjedhjet në PS)
T’gjithë së bashku do ja dalim
Ne kemi hyrë në këtë proces në radhë të parë për të energjizuar komplet PS-në në funksion të zgjedhjeve vendore. Se përballë ne kemi vetëm veten, sfidën që kemi për të realizuar misionin tonë
Shiko, si jemi bo, ku jemi sot
Shqipni, moj nona jonë, ma e mira n’botë…
Kush ka frymë dhe e mban nga 83 anëtarët GPS ritmin e këngës “Tungjatjeta” nuk ka nevojë të ndjekë qorrazi fushatën partiake të PS në çdo degë. Ka një vit kohë dhe sikurse “Tungjatjeta” e Noizy-t, ajo ndërtesë është dëshmitare e një tjetër kënge të kënduar bindshëm, “Enver Hoxha Tungjatjeta!”, refreni i të cilës fliste për shpata të mprehura nga udhëheqësi që u rrinte mbi kokë të gjithë armiqve vetëm e vetëm që ta nxirrte në dritë vendin.
Kjo përshtatje e tekstit dhe e përmbajtjes së një kënge bëhet e qëllimshme pasi brezi i ri e ka të fshirë historinë dhe rolin e diktatorëve në prapambetjen e vendit. Një pjesë e prindërve dhe e gjyshërve të këtij brezi që njohin rep-in, Tungjatjetën e diktatorit Hoxha e përjetojnë ende si traumë në një kohë kur propaganda gjen mënyra dhe forma të reja për të indoktrinuar me modernen dhe “nostalgjinë” e disave aq sa për t’i afruar tek kutia e votimit për zgjedhjet vendore që së shpejti po vijnë. Në të vërtetë edhe tek elita e rilindësve socialistë mbajtja e pushtetit ushqehet me të njëjtën formë. Ushqehet jo vetëm përmes korrupsionit, por edhe me ideologjinë e rijetësimit dhe rienrgjizimit të asaj të shkuare që faktikisht janë nostalgjia i prek në atë masë sa mund t’ju merret vullnetarisht vota.