Veç “Pasqyra e” dhe veç “Flamingos”…
Le ta shpjegojmë se përse e copëzojmë mesazhin politik të qeverisë Rama
Shija dhe ideja artistike nuk e tradhton kurrë krijuesin për mendimin që bart.
.
Të paktën atë që ai/ajo ka në mendje e arrin që artin ta shpreh në një ekspozitë dhe të tërheqë artdashësin dhe blerësin.
.
Në krijimet dhe trajtimet gjen shijet, mendimin e shprehur, të padukshmen, filozofinë dhe nganjëherë brutalisht edhe politikën të fshehur dhe të shprehur në të.
.
Kur artit me rrogë i prin politika ideja kthehet nga parrullë në një pllakat.
.
Kur investohet mbi të parullat artisti dhe idetë materializohen në murale.
.
Por kur teknologjia avancon, parullat dhe idetë lidhen si një algoritëm dhe i futen brenda xhepit çdo përdoruesi. Me të hapur pajisjen celulare, kupton se atë që e ke ndeshur dhe je përballur me të gjitha format, ajo tashmë nuk është thjeshtë një parrullë apo një ide diku, ajo është shndërruar prej politikës në një platformë ku parullat janë bërë virale. Ajo që i bashkon të treja këto gjendje është propaganda e cila nuk po ja del me Protestën Qytetare prej mëse katër muajsh.
.
Po të kërkonim “Flamingo Mirror” nga dje që u paraqit për mediat në përdorim prej kryeministrit Rama, Ministrit të Mjedisit Sofjan Jupaj dhe prfaqësuese për median Jonida Shehu, një prezantim të cilin e quajnë një platformë, strategjikisht shpërndarja e parë me mundësi shumëfishuese ndodhi.
Tani kërkohet trendi i algoritmit të cilin gjatë këtij shënimi pë të mos e përforcuar do ta paraqesim të ndarë si; veç “Pasqyra e” dhe veç “Flamingos”… Po të shihni posterin, ilustrimin e platformës ai mban thellësisht qëndrimin dhe idenë se përse duhet platforma. Platforma duhet njësoj pë atë qëllim që edhe pasqyrimi në sipërfaqen e ujit na jep; Flamingon e përmbysur.
Përmbysja janë ideja dhe qëllimi i platformës.
Realiteti nuk është i tillë.
Megjithëse kanë kaluar katër muaj nga protesta, qytetarët dhe shtetarët, media dhe policia, ndërkombëtarët dhe turistët që të gjithë e dinë se çfarë po ndodh në Shqipëri, çfarë po ndodh në Tiranë dhe përse krimi ekonomik dhe korrupsioni e kanë përforcuar kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimit të kushteve për një qeveri teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kur ministri i Mjedisit Sofjan Jupaj në një kafene gjatë një pasdite të së “Premtes Besnike” u spikat nga përfaqësues të flamingos të cilët e pyetën direkt se sa dhe çfarë shqetësimesh kishte marrë, ai u shpreh se e kishte kuptuar qëllimin se mund të bëhej reels ndaj e evitoi gracën nga protestuesit paqësor. Por për ta ulur disi presionin e vezëve të flamingove nga rruga Rama edhe përse më shumë jashtë furrikut të kryeministrisë gjatë këtyre katër muajve doli në mesditën e 3 Tetorit ku shpalosi platformën e cila mesa duket me stilin e eurobarometrit interpreton të dhënat nga personi përkatës që i është besuar, Jonida Shehu (me karrierën mediatike në disa televizione shqiptare).
Vetë kryeministri sipas ATSH është shprehur të Dielën e 4 Tetorit në një postim në rrjetet sociale ku tregon se “…nga kalimi i saj LIVE, në 24 orët e para ‘Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror’ ka regjistruar 3,397 kërkime për faqe, mbi 127 mijë kërkime totale në platformë dhe 49 pyetje të reja”…” krahas kërkimeve dhe pyetjeve të reja, platforma Flamingo Mirror ka pasur edhe 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat sipas Ramës janë zmbrapsur pa asnjë dëm”.*
Pra jo i interesuar që në ditën e parë tek prurjet dhe zgjidhjet, por tek sulmet (alibi e gatshme).
Vetëm në një shprehje kemi si më lart kemi kuptimin dhe qëllimin e platformës së krijuar (sajuar). E para dhe që do të vazhdojë të përditësohet kuptohet që do të jetë numri i vizitorëve, pyetjet, përgjigjet ku fare kuptueshëm rezultati do të jetë i ndarë mes qytetarëve të interesuar vërtetë dhe gatishmërisë patronazhiste për të ‘përmbytur’ në rast nevoje trendin e pyetjeve. Me këtë nuk thamë ndonjë gjë të re, por kjo në një kuptim duhej përforcuar sepse është platforma ajo që tërheq interesimin kur atë thërret RS (Rilindja Socialiste).
Ndërsa pjesa e dyte dhe mesa duket kryesorja lidhet me idenë, me reflektimin e flamingove.
Në se Rama si artist e sheh të tillë pasqyrimin, edhe protestuesit praninë e protestuesve në bulevard mund ta shëmbëllenin me qeverinë kokëposhtë, çka do të thoshte Dorëheqje(!), por aq grafikisht kur vendoset pë qeverisjen dhe elitën socialiste do të dukej menjëherë një kërcënim dhe komentet dhe arsyetimet do të fillonin pafund në një tjetër cikël zhurme dhe orientimi mediatik.
Pyetja mbetet se si do të triumfojë protesta?
Deri tani është kuptuar me qëndresë të pandërprerë,… edhe me vezë kur ka qenë rasti, edhe përballë vizitave të ndërkombëtarëve sikurse edhe në çdo shesh ku diaspora gjen mundësi të grumbullohet dhe të shprehet për korrupsionin e qeverisë Rama në mandatin e 4-rt.
Janë plot 14 vite, por që me Ramën dhe fasadat e tij nuk mund të shkohet më tej.
Kujtoni Tiranën e fillimit të viteve të këtij shekulli.
Ndërtimeve dhe arkitekturës së varfër ju vu sipër boja për të mbuluar zgjidhjet e pakëndshme arkitekturore, por trendi mori gjithë qytetin sa që shtypi ndërkombëtar u ftua të shihte artin e kryetarit të Bashkisë. Ishte viti 2003 dhe Rama krijoi atë që me ngjyrat jeshile dhe të verdhë, një ndërtese buzë Lumit Lana ti mbetet sot e kësaj dite emri “Pallati me Shigjeta”. Dy ditë më parë në një tjetër aventurë mjedisore dhe arkitektonike provoi pandalshmërinë e shkatërrimit në emër të modernes. Megjithëse ju kundërvunë, Projekti mbi Parkun Rinia ose gjelbërimin e vetëm pranë qendrës i cili i dha edhe karrierën politike të kryeministrit pas atij të kryebashkiakut, Rama rikthet tek shkatërrimi. Kioskat prodhojnë Kulla. “Tirana Fountain Plazza” i provon Ramës vërtetë thënien se “Paraja e hedh ujin përpjetë”.
Kanë kaluar 23 vite dhe krijimet bashkë me krimin ekonomik e korrupsionin jo vetëm vazhdojnë, por janë kthyer në artin e zhvatjes së pronës publike dhe të zgjatjes së pushtetit, i cili herë butësisht dhe herë me forcë, shpronëson, varfëron dhe boshatis Shqipërinë nga shqiptarët çdo ditë.
I ka ardhur koha njerëzve, shqiptarëve patriotë, brenda dhe jashtë vendit se flamingot nuk janë pasqyra, por energjia e mendësisë së re që kërkojnë të sjellin ndryshimin dhe modestisht edhe emrin që sjell ky ndryshim.
Propaganda dhe intriga e pushtetit nuk mund të mbulojnë dot më të vërtetën dhe realitetin.
Pasqyra e Flamingos, i shprehur enkas edhe në njëjës është një shprehje frike dhe se qeverisja i urren grumbullimet kundër saj. Ajo është togfjalëshi i algoritmit kundër protestës në media dhe rrjetet sociale, që do të futet në bisedën e përditshme si virus për të shmangur qëllimet dhe për të mbuluar çdo abuzim nën termat e njohur VKM, PPP,… Sterilizim, Incenerator, Portet dhe Aeroporte, Paketa e Maleve, Reforma Territoriale, Zgjedhjet, Korrupsionin, Krimin e Organizuar, etj. të cilat zgjidhen pashmangshmërisht me qëndresë dhe vetëm me largimin e këtij sistemi që ka ngritur Rama nën markën, Rilindja Socialiste.
______
*ATSH-