28 mars 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) ngre një shqetësim serioz publik mbi mënyrën se si po organizohet Samitin e IV i Diasporës, i planifikuar të mbahet në datat 14–15 prill në Tiranë.
Sipas informacionit të disponueshëm, Komisioni Parlamentar për Diasporën nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar mbi këtë aktivitet, përfshirë mënyrën e organizimit, kostot financiare, përzgjedhjen e pjesëmarrësve, listën e folësve dhe kriteret mbi të cilat bëhet përfaqësimi i diasporës.
Kjo mungesë transparence ngre shqetësime serioze mbi mënyrën e administrimit dhe mbi përfshirjen reale të institucioneve përfaqësuese në vendimmarrje.
Në thelb, përjashtimi ose mënjanimi i një Komisioni Parlamentar nga një proces që lidhet direkt me diasporën nuk është një çështje teknike, por një çështje institucionale me pasoja të drejtpërdrejta në transparencë dhe llogaridhënie.
Komisionet parlamentare janë mekanizma bazë të kontrollit demokratik. Kur ato nuk përfshihen në procese të kësaj rëndësie, krijohet një boshllëk institucional që dobëson mbikqyrjen dhe rrit rrezikun e vendimmarrjes së centralizuar. Dobësohet kontrolli demokratik dhe transparenca mbi procesin e organizimit, rritet rreziku i politizimit të përfaqësimit të diasporës, duke e kthyer atë nga një proces gjithëpërfshirës në një proces selektiv monist e humbet besimi i diasporës ndaj institucioneve shqiptare dhe përfaqësimit të tyre real.
UGSHPD thekson se transparenca, përfshirja institucionale dhe respektimi i rolit të Kuvendit nuk janë elementë formalë, por kushte themelore për një proces të drejtë dhe të besueshëm.
Nëse një Komision Parlamentar i ngritur pikërisht për të trajtuar çështjet e diasporës nuk informohet dhe nuk përfshihet në proceset kyçe vendimmarrëse, atëherë lind një pyetje thelbësore: çfarë garancie kanë qytetarët dhe diaspora që vendimet që merren në emër të tyre janë transparente dhe në interes publik?
(Gjatë një komunikimi me Kryetaren e Komisionit përkatës deputeten Ina Zhupa, është evidentuar shqetësimi për mungesën e informacionit dhe koordinimit institucional mbi procesin.)
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)