Kësaj pyetje veç se publikimit në ATSH nuk i është përgjigjur as ai vetë më shumë në podcast-in e së dielës, ku si për ironi të fatit i ftuari përballë Ramës ishte iluzionisti Dashnor Bushi që në pesë nga pesë magjitë dhe lojërat me letra, gjetjet ishin leximi i qartë i mendjes dhe veprimit të kryeministrit ku “falli” mund të parashikojë, por nuk mund të ndalë kërkimin e së vërtetës.
Kështu që ftesën në “Bordin e Paqes për Rripin e Gazës”, pa dashur të bëjmë as parashikimin dhe as goditjen nga inati ndaj një kundërshtari politik ashtu sikurse shihen qëndrimet në rrjetet sociale dhe kryesisht në mediat pranë qeverisë për t’ju vërsulur realitetit dhe jo thjeshtë opozitës mbi reagimin ndaj kësaj ftese mund ta lexojmë edhe se kujt i drejtohet, por edhe përgjegjësisë që i ngarkohet.
Në paragrafët e tretë dhe të dytë nga fundi shprehimisht kjo ftesë i drejtohet nga Presidenti Trump, SHTZ Rama si pushtet ekzekutiv ku shkruhet:- “Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të!”
Më parë se analistët, podcast-i i fallit (tone qetësuese krahasuar me të mëparshmit është goditur dhe vënë nën presion drejtësia për çështjen Balluku), e sigurisht mediat pranë qeverisë askush më mirë se një zëdhënës nga Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë do t’i kishte dhënë peshë dhe përmbajtje lajmit.
Kjo nuk e shqetëson publikun aspak pasi është mësuar me mënyrën se si Rama kurdoherë i afrohet tortës dhe se si e ndan atë.
Ajo që të bën përshtypje është koha kur kjo ftesë u drejtua dhe u mor në dorëzim.
Datuar me datë 16 Janar, mes heshtjes së ftohtë të pjesëmarrësve në GPS/Grupi Parlamentar Socialist 2026-Sfidat Parlamentare për Shqipërinë 2030 dhe nxehjes së Ramës për ta djegur diplomacinë kryesisht përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë e më tej RTSH për ta eliminuar si një institucion me rëndësi publike për informimin dhe zbavitjen, interesante është se përse kjo ftesë e rëndësishme nuk u nda me pjesëmarrësit dhe sigurisht me publikun pavarësisht 6 orëve diferencë me kontinentin e Amerikës së Veriut.
A thua nuk ishte i sigurt se mund t’i vinte nga Presidenti i ShBA-ve Trump?
Padyshim se lidhjet e Ramës me këshilltarin e tij Tony Blair (që shpie përvojën diplomatike në këtë bord) mund të konsiderohet si përshpejtues në pjesëmarrje, apo dhëndri i Presidentit Trump Jared Kushner, me Affinity Partners ofrohet si zhvilluesi kryesor i Ishullit të Sazanit (një me financim i konsiderueshëm nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite), por të mos e shprehësh këtë mes Grupit Parlamentar Socialist që t’ua ngresh moralin për sfidat parlamentare drejt Evropës 2030, ky lidership i brendshëm tregon më së miri për kapjen dhe kontrollin e gjithçkaje.
A ka vend për hapësirë dhe e pjesëmarrje në këtë bord kur në ftesë shkruhet se: -“dhe më pas: –“Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës, dhe Statutin e Bordit, i cili tani është i disponueshëm për nënshkrimin tuaj dhe ratifikimin”.
Pra është një çështje thjesht teknike përveç vlerësimit, e cila ka kushtet dhe shtrirjen kohore të saj.
Në qoftë se duam vlerësime dhe merita para se të hidhemi tek thumbat dhe humoret e Ramës me Trump I dhe Trump II, le të shohim ose marrim shembullin se si administrata e Trump po i përgjigjet korrupsionit dhe shpërdorimeve të fondeve federale nga taksapaguesit amerikanë deri në skema përfitimi.
Le të shohim edhe atë se përse në çështjet e vizave me SHBA-në Shqipëria futet në listën e 75 vendeve që u pezullohet viza e vizitorit B1/B2*.
Por mbi të gjitha shkëmbimin e vlerave të demokracisë mes dy vendeve ku Shqipëria historikisht është mbështetur nga SHBA, a nuk është kjo administratë e Presidentit Trump që ka këshilluar vendet e zhvilluara në Evropën Perëndimore që t’i kushtojnë vëmendje fjalës së lirë, vlerave dhe parimeve dhe të vërtetës?
Por a nuk është vetë Donald Trump gjatë 2023-2024, shembulli i një kandidati për president që ishte i hapur ndaj drejtësisë dhe përballoi disa dhjetra çështje gjyqësore dhe fushatën presidenciale?
Drejtimi i qeverisjes në 12 vitet e fundit prej Ramës janë fatkeqësisht e kundërta, madje dhe i provuar si një lider i së majtës që i bën rezistencë përmes Shoqërisë së Hapur (Soros), parimeve të traditës konservatore ndaj largimit të popullsisë, familjes dhe gjinisë në shoqërinë shqiptare.
Diplomacia ka pika takimi dhe interesa sigurisht, por shqetësimet e sotme të Shqipërisë ndaj korrupsionit kanë nevojë për një qeverisje që do të vendosi interesat e Shqipërisë në plan të parë dhe kjo kohë ka ardhur dhe nuk ka sepse shqiptarët të intimidohen nga propaganda e Rilindjes Socialiste. Protestat dhe lobimet ndërkombëtare për të treguar nivelin e korrupsionit, plagët e tij dhe ritmet e zbatimit të drejtësisë janë pjesa kryesore që do ta gjallërojnë demokracinë dhe drejtimin politik të vendit.
Me qetësi dhe duke monitoruar punën e kësaj administrate, Rama ka marrë “jelekun e shpëtimit nga mbytja”, një rrugëdalje (që në termat politike-diplomatike lexohen si “life-jacked ” dhe “exit strategy”).
Dalja në breg është çështje e zbatimit institucional, janë çështje të zbatimit të pavarësisë së pushteteve, pluralizmit në kuvend dhe e kushtetutës.
Ftesa në “Bordin e Paqes për Rripin e Gazës” i erdhi Ramës jo vetëm në kohën kur vendi i tij u përmbyt nga reshjet, por edhe kur atij i duhet të dalë nga vala e protestave që përshkallëzohen prej opozitës dhe popullsisë së pakënaqur nga keqqeverisja dhe korrupsioni.
_______________
*Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim për pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, ku mes tyre përfshihet edhe Shqipëria dhe Kosova. Kërkesa për përgjegjësinë e respektimit të vizës në rastet e disa aktivitete që LEJOHEN me vizë vizitori B1/B2 për: -Turizëm-Pushime-Blerje-Vizitë me miq ose të afërm-Takime me bashkëpunëtorë biznesi-Pjesëmarrje në një konventë ose konferencë, dhe aktivitete që NUK LEJOHEN me një vizë vizitori B1/B2 si: -Turizëm lindjeje (udhëtim me qëllim kryesor lindjen në Shtetet e Bashkuara për të marrë shtetësinë amerikane për fëmijën)- Punë që rezulton në pagesë nga një punëdhënës ose biznes amerikan-Studimi për një diplomë ose kreditë akademike- Performanca të paguara.

16 Janar, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)