Nuk ka më nevojë as për leksione demokracie dhe as më për thirrje ndaj protestuesve kur hipokrizia e pushtetit maskon dhunën.
Hipokrizia është se Rama ka dalë tre mëngjese gjatë 5 ditëve protestë (jo paqësore), e pas 135 të tjerave paqësore dhe nuk vuri mend.
Mbase do të dojë të dalë përsëri me të tjera teori nëse i kanë mbetur ende 83-1 deputetë.
Ai ju shtir BE-së se nuk do të hiqte dorë pa e vënë Flamurin e Shqipërisë të parin sipas rendit alfabetik ashtu edhe sikurse ju drejtua besimtarëve të vet në mes të rilindësve se pushtetin nuk do ta lëshonte.
Sot ai nuk i ka 800 mijë mbështetës. Shthurja e rilindësve motivoi ideologjikisht dhunën e pushtetit ndaj qytetarëve e krahasimisht sjellje që i përkasin në këtë fund rendit të zhvillimit njerëzor nga ‘epoka e gurit”.
Vërtetë kaq urrejtje ka pushteti ndaj qytetarëve të vet?
Si është e mundur që edhe një rrogëtar-polic ose vullnetar-polic (jo profesionist), pas 14 vitesh mashtrimesh për modernizimin dhe standardet të mos dijë të mbrohet dhe të hedhë e të godasë me gurë qytetarët protestues.
Sa fyerje i ka bërë me këtë shtet ky kryeministër shqiptarëve dhe ende pretendon se është flamurmbajtësi drejt BE-së 2030…
Dhuna, filloi aty ku nuk duroi dot më protesta paqësore.
Janë pesë ditë me të paktën 12 orë përleshje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Sfilitje e uniformës në pak ditë dhe të papërballueshme karshi masës popullore të panumërt në çdo qytet dhe me drejtim kryeqytetin në qoftë se nuk jepet dorëheqja dhe pretendohet mbrojtja e kryeministrit me dhunë ndaj protestuesve.
Dialogun e prishi vetë kryeministri.
Kyreparlamentari Peleshi (dikur ministër i mbrojtjes), që e shtyn seancën plenare ka mbetur në kurthin e fundjavës dhe nuk mund të fitojë dot kohë mes kësaj emergjence. Edhe partia e tij politike është e paralizuar falë pushtetit në një dorë, prej kryeministrit. E Hëna e ardhshme parlamentare, pasi i provoi rezultatet nga BESA socialiste e së Premtes 16 Tetorit bashkë me përkujtimoret e diktatorit hoxha brenda rradhëve të nostalgjikëve ka mbetur pa konsumuar vetëm një zgjidhje e cila është dorëheqja e kryeministrit.
Hapjes rrugë të një qeverisje teknike dhe zgjedhjeve të lira.
Një detyrim kushtetues që edhe mbi palët Presidenti nuk e adreson edhe pse gjendja po del jashtë kontrollit.
Në rrafshin e rendit dhe të policimit, kryeqyteti është i mbytur me gaz dhe i shkulur nga çdo dekorim i rrugëve. Tirana është shndërruar në skenën e një urrejtje popullore dhe zemërim me pushtetin përpara se të jetë shkatërrim i pronës.
Janë lënduar me dhjetra protestues.
Plagosen e dërgohen edhe me të njëjtën ambulancë protestues dhe policë bashkë në të njëjtin spital.
Rreziku për jetën në qendrat spitalore evidenton papërgjegjshmërinë dhe mos proporcionalitetin e forcës, urdhërat e pa kthjelltë kanë fituar mbi arsyen dhe qetësinë e mendjes.
Traumat me rrezik për humbjen e jetës si nga protestuesit ashtu edhe forcat policore përcillen në media dhe në rrjetet sociale si të ishin betime të një lufte personale e cila do të vazhdojë, në një kohë që pushteti dhe kush është përgjegjës deri në krye fshihen deri sa të zbardhë turpshëm një tjetër ditë. Një tjetër ditë sepse ‘Një Ditë e Re’ mund të vijë vetëm atëherë kur kjo mënyrë qeverisje dhe ky sistem kaq i politizuar nuk do të ekzistojë më.
Këtë po kërkon Rinia Shqiptare.
Kemi vënë re se gjatë një dite proteste forcat e policisë furnizohen me “mjete luftarake” dhe pak ujë si në fushë beteja. Këto qindra forca përpiqen që të mbrojnë një pushtet prej 1 hektarësh (10.000 m², sipërfaqja rreth ndërtesës së kryeministrisë).
Jashtë çdo logjike e profesionalizmi qindra forca policore dhe mijëra protestues janë mbledhur aty duke harxhuar energji dhe rrezikuar jetë.
Ushtrohet forcë armësh e muskujsh sepse politika sot nuk jep dot zgjidhje krizës.
Siguria kombëtare në sy të botës është shkërmoqur rëndë pikërisht prej këtyre veprimeve e sjelljeve dhe kanë vërtetuar se parti-shteti mbahet nga një kontroll dhe organizim thelbësisht patronazhist prej kryeministrit.
Sot në Shqipëri nuk ka më profesion dhe administratë shtetërore që të mund t’ i shërbejë me ndërgjegje qytetarit.
Korrupsioni drejton çdo veprimtari, madje dhe nisma më e fundit, ose dalja e tretë e sajuar e kryeministrit kur thotë se do të veprojë në e-Albania aplikacioni “Dëmi im”, ngjan me një emërtesë që të kujton më parë saktë se i kujt vërtetë është dëmi.
PO! është Dëm i Yti kryeministër..
Po ta pyesësh popullin sot në rrugë, ai e ka provuar tashmë dhe pa ngurrim do të përgjigjej se; PO! është Dëm i Yti kryeministër.
Pamë dhunë, poshtërim e përzënie, për të mos thënë më të hidhurën dhe urrejtjen e përkujdesit të shtetit për moshën e tertë (“mos e ngrënç dhe pensionin e fundit”, pra vdis para kohe).
Moralisht kryeministri asgjë nuk ka në dorë veç bindjes dhe veprimeve të dhunshme dhe të pa kuptuara të policisë së tij dhe jo të shtetit.
Kush i jep urdhërat?
Kush i zbaton?
… kjo mjegull pesë ditore e mungesave të përgjegjësive dhe kompetencave shtetërore, duhet të marrë fund.
Mediat kryesisht nuk duhet të bien në grackën e deklaratave të zyrtarëve, pasi kryeministri i Shqipërisë e ka treguar se ashtu siç fshihet ashtu nuk ka përse t’i përmendet emri pasi ai është frymëzuesi i dhunës dhe në çdo dalje të vet mbuluesi i gjurmëve.
Ai (kryeministri), del fshehurazi mëngjeseve dhe i rrethuar me gardistë për të vrarë frikën e netëve më parë dhe për të treguar se fantazma e tij vazhdon dhe endet. Një kryeministër egoist pa asnjë mesazh. Pa asnjë burrëri shtetari që nuk thërret dot për të qartësuar publikun në një konferencë shtypi sepse nuk ka se çfarë të thotë.
Kryeministri është i fshehur gjithë ditën dhe nuk tha asgjë edhe sot, ndaj si UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), ju drejtohet kolegëve gazetarë që ta bojkotojnë kryeministrin deri sa ai të dorëzojë të nënshkruar dorëheqjen.
Çdo zë dhe argument i tij nesër e më pas duhet t’i ngjajë formulës gjatë arrestit në flagrancë se “çdo gjë që thotë mund të përdoret kundër tij”.
Drastike, por dhuna ka zëvendësuar dialogun.
Kjo gjendje nuk është thjeshtë një frikë përpara dorëheqjes, por është mënyra se si do të ekzekutohet distancimi i dhunës dhe cilado formë torture dhe përndjekje nga pushteti të cilin kryeministri vazhdon dhe e udhëheq.
Në shqip ose në anglisht, ndryshe në gjuhën popullore që e ka vërtetuar narkoshtetin, zgjidhja që njerëzit kërkojnë vjen me dy rrugë; ose përmes SPAK-You(!) pas 135 ditësh dhe t’i lënë qytetarëve lënë të kuptojmë se Shqipëria po reformohet dhe drejtësia është e shëndetshme, ose tjetra, e dyta se; zgjidhja e njohur me helikopter e skenarit “Maduro”, atë që flamingot dhe shqiponjat e paralajmëruan në plot 141 ditë mund të realizohet.
Teknikisht në ditën e pestë kur mediat shqiptare mbulonin live herë padashje dhe herë me pasion zhvillimet e protestës pavarësisht kahjeve ndaj objektivitetit të faktit, realiteti në ekran thuajse i ka mbaruar tërësisht shpjegimet.
Çdo kanal televiziv përveç pasionit, risqeve dhe analizave shkoi ditën e pestë të protestës edhe përtej fantazive duke e mbrojtur ose qortuar njërin apo tjetrin krah të politikës shqiptare pa e evidentuar rolin dhe vendin që ka kryeministri si dhe dy figurat e tjera kryesore në zgjidhjen e krizës siç janë presidenti dhe kryetari i Kuvendit .
Një lidhje live në YouTube prej mbi pesë orësh lidhje direkte në CNBC (Albania Protests LIVE: Anti-Government Protest by Students in Tirana /Riot Police vs Students / N18G), kishte mungesën e komentatorëve dhe gazetarëve të terrenit në ditët më të guximshme të punës së tyre. Në mbulimin e protestës segmenti pas orës 19:00 deri 20:00 që kufizohet prej kambanave kishtare në orën e plotë dallohej për komandat dhe veprimin e forcave policore.
Komandat në një zgjatje prej 80 sekondash dëgjohen pastër. Një vesh profesional dhe ekspertë të fushës policore, ushtarake, të drejtësisë dhe të ligjit apo qoftë edhe një juri qytetare me shumë lehtësi mund të japin vlerësimin se çfarë do të thonë disa komanda goditëse si “poshtë barkut” ose “edhe lart në kokë goditini”,… “të njëjtët”.*
Këto komanda si edhe situata të tjera apo fotografimi dhe ndjekja pas protestës duhen dokumentuar.
Fjalët se janë përdorur plumba gome dhe se është trokitur derë më derë për të kontrolluar studentë të strehuar, janë një evidencë shkatërruese për veprimet e policisë dhe ushtrimit të dhunës në pronat private dhe banesat qytetare (tejkalim i masave).
Pala e akuzuar dhe akuzuesit duhet të përgatisin mbrojtjen ligjore, të dalin hapur dhe me transparencë të plotë duke respektuar ligjin me fakte përpara organeve të drejtësisë.
Dita e pestë, e Shtuna e 17 Tetorit ka paraqitur një situatë mjaft e rëndë dhe pa tërheqje nga ana e protestuesve, gurë, molotov dhe makina të djegura i kanë shërbyer ngritjes së barrikadave dhe krijimit të pengesave të policisë. Shpesh herë gjatë pauzave të shkurtëra është vënë re rifurnizimi i forcave të policisë me mjete dhe municion gaz lotsjellës dhe ujë në kundërshtim me një deklaratë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skënder Hitaj që sipas ATSH-s ka thënë se:-“… ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit përdor mjetet e përcaktuara nga legjislacioni dhe procedurat standarde të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbrojtjen e punonjësve të Policisë. Përdorimi i këtyre mjeteve bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe në raport me shkallën e rrezikut”.
Kuptueshëm në situatën e ngarkuar thirrjet për uljen e tensioneve dhe proporcionalitetit mund të konsiderohen të arritshme në qoftë se frymëzuesi dhe ideatori i tyre largohet (kryeministri 14 vjeçar).
I fshehur nga paaftësia dhe frika, ai ka dalë vetëm tre herë mes pesë ditëve të përshkallëzimit në dhunë të protestës. I paqartë dhe me ashpërsim të gjuhës që karakterizon diktatorin që udhëzon dhe frymëzon dhunën në një dorë të pushtetit ai ka arritur të bindë shqiptarët dhe ndërkombëtarët se territori i fundit që ai zotëron dhe mbron është ndërtesa e kryeministrisë. Është e pamatë sasia e ujit, gazit, përdorimit të plumbave të gomës kundër protestuesve në kryeqytet që shpesh karakterizohet nga numra jo të saktë mes të lënduarve në spitale, policë, qytetarë, protestues dhe të mitur.
Në tre mëngjese ai ka zgjedhur një njësi të Universitetit të Evropës si dhe dy biznese të vogla (kioska), për të argumentuar trashë se sa larg jemi nga Evropa, por ka harruar se ka shkelur me të dy këmbët Sigurinë Kombëtare dhe unitetin e Shqipërisë.
Në mbyllje fakti kryesor që tregon është ai se arroganca e një individi në krye të qeverisë arriti në mbi katër muaj ta kthejë popullsinë vendase dhe diasporën tërësisht kundër vetes dhe presionin ndërkombëtar përtej këshillave për e uljen e tensionit dhe zbatimit ‘proporcional të ushtrimit të forcës’. Brenda një jave mburrja me mbylljen e një grup kapitulli, tregon se sa e brishtë është demokracia dhe shteti së drejtës kur nuk luftohen sistematikisht krimi dhe korrupsioni.
Siç e përmendëm në krye të shënimit, Evropa për një kryeministër të tillë duhet këshilluar me dy fjalë të urta popullore që janë me plotë kuptim në situata të tilla:-“Ju lutemi t’i mbyllni sa më parë me kryeministrin këta dy kapitujt; “pëndësin në kokë” dhe atë “Sh***ës në Prehër”.
_____
*fjalë të urta-“pëndësin në kokë”, Fjalori i Gjuhës Shqipe e ka kuptimin e njeriut që s’ka më cipë, e s’ka më turp.
-“Shurrës në prehër”, sërish një shprehje popullore që tregon se merr në mbrojtje një të papjekur do të detyrohesh të ndotesh nga sjellja dhe veprimet e tij.