(Ministri i Mjedisit poston, mediat ia përforcojnë algoritmin)
Duke ndjekur rrjetet sociale dhe pasi i heq një ‘snap-shot‘ ekranit të ‘smartphone-it‘, Ministri i Mjedisit Sofjan Jupaj bëhet “star-ambientalist” ose trend në rradhët e rilindësve dhe mediave që e dashurojë propagandën e Ramës.
Ndoshta një nga të pasionuarit e kanotazhit në Lumin Vjosa ka qënë i pari ai që e ka zbuluar dhe fiksuar më pas shpendin e rrallë Shkaba Egjiptiane (Neophron percnopterus). Postimi i saj është bërë “viral”. Postimi nga mbrëmja e të Enjtes, është përshëndetur ose është përcjellë si lajm. Por ana tjetër e medaljes veç kuriozitetit, për disa duke filluar nga Ministri i Mjedisit Sofjan Jupaj është ndarë me mesazhe mbresëlënës:-“…prania e saj në Vjosë është një sinjal i bukur se natyra, kur mbrohet, di të rikthehet. Të mbrojmë habitatet, lumenjtë dhe çdo specie që i jep jetë ekosistemeve tona. Vjosa nuk është vetëm një lumë – është strehë për jetën.”
Pjesa enciklopedike (pas gugëllimit), shkon më tej dhe përcillet si lajm nga ATSH-ja, e cila menjëherë në përmbajtje dhe në titull bëhet copy-paste dhe kthehet në erashkë gjatë vapës së fund gushtit si për ta thënë një fjalë të mirë se ministri Jupaj është në krye të detyrës.
Çudia në se ndodh me median pro qeverisë mund të zgjidhet me një pyetje.
A nuk e gjejnë dot mediat një specialist mjedisi apo një shkencëtar të zoologjisë apo ornitolog për të hedhur më shumë dritë mbi shpendin dhe biodiversitetin e Vjosës?
Sugjerim do të ishte sheshi i protestës qytetare. Atje ke specialistë dhe studentë që e duan marrëzisht natyrën dhe gjallesën shqiptare. Janë në shesh prej 90 ditësh, Por fjala e ndaluar dhe acaruese për qeverinë Flamingo është e frikshme kur futesh në territorin e Vjosë-Nartës. Ministri në fjalë tre muaj më parë ishte ai që përgënjeshtroi krimin mjedisor në Zvërnec përpara gazetarëve dhe një delegacioni të BE-së. Protesta e ambientalistëve filloi poshtë dritares së tij për të anuluar Ligjin 21/2024, përsa kohë Jupaj bënte të paditurin dhe lidhte kontrata për zhvillimin e gjahut në Shqipëri.
Të postosh duke e kopjuar Shkabën Egjiptiane dhe ta ndash atë si sukses i përmirësimit të natyrës, këtë edhe vetë propaganda ta refuzon për “bajatllëk”*.
Megjithatë veç mediave dhe patronazhistëve, Ministri i Mjedisit Jupaj sot mund t’ia rrahin shpatullat rilindësit e mbledhur në “Vilën e Kuqe” me në krye Ramën. Vendndodhja e frymëzimeve të arkitektëve që projektojnë Shqipërinë dhe që gjinden në librin “Albanian Files”. Aty ku territoret e Shqipërisë, mal, fushë dhe det, gjallesë, lumenj dhe pyje janë pjesë e ligjeve që duhen të ndryshohen dhe dikush me para të pasurohet.
Shkaba Egjiptiane është kthyer së pari sepse gjatë pranverës dhe verës si zogj shtegtarë të Mesdheut çiftohen dhe folenizojnë, kanë gjetur qetësinë sepse kanë ndalur punimet e Aeroportit.
Kjo është shenja e mirë shpresëdhënëse për biodiversitetin e Vjosës dhe Lagunës së Nartës.
Këtë me sa Duket Ministri i Mjedisit Sofjan Jupaj ende nuk e ka parë.
_________
*bajatllëk- nga turqishtja- tepër i ndenjur
28 Gusht, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)