Kur askush nuk të dëgjon, misioni i censurës dhe i auto censurës tregon se e ka bërë të vetën.
Por kur askush prej atyre që duan të dëgjohen kur ju duhet vota nuk i mbështesin “kauzat elektorale” në politikë sepse edhe mediat i kanë nëpër xhepa, atëherë shoqëria shqiptare më mirë le ta mirëpresë shkatërrimin brenda vetes dhe të përgatitet për të.
Megjithëse nga dita e 26 Majit e ngjeshur me lajme dhe kronika nuk u mor vesh se si ajo kaloi sa nga BE-ja, tek Gjykatat dhe SPAK-u në Italinë fqinje,… sa nga protesta e studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në Tiranë për përdorimin e gjuhës shqipe, sa nga Ministrja Diella në Çeki e deri tek propaganda e IKMT-s për mbrojtjen e mjedisit e të tjera ngjarje të rrëmujshme dhe nuk u gjet një copëz vend dhe hapësirë mediatike për të pasqyruar protestën për të mbrojtur Lagunën e Nartës dhe Vjosën, përfundimi i parë që del është se shteti dhe politika tregojnë se nuk janë fare të interesuar.
Duke dashur të mbështesë lëvizjen qytetare mjedisore “Ndaloni Masakrën në Vjosë Nartë”, UGSHPD ( Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), vlerëson si të domosdoshme përcjelljen për njohje ndaj publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar të njoftimit dhe kërkesave që parashtroi protesta “Zëri qytetar u ngrit para Ministrisë së Mjedisit kundër shkatërrimit në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë.”
Tiranë, 26 Maj 2026 –Qytetarë dhe mbështetës të mbrojtjes së natyrës u mblodhën më 26 Maj, 2026, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë për të protestuar kundër shkatërrimit që po vazhdon në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë.
Protesta u organizua nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), pas denoncimeve dhe raportimeve të vazhdueshme nga terreni, si dhe mungesës së plotë të transparencës dhe reagimit institucional nga autoritetet përgjegjëse.
Me pankarta dhe thirrje publike si “Hiqni duart nga Vjosë–Narta”, protestuesit kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për të ndalur menjëherë punimet dhe ndërhyrjet që po transformojnë në mënyrë të pakthyeshme një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri.
Gjatë protestës u denoncua heshtja institucionale përballë situatës në terren, mungesa e transparencës mbi projektin dhe dështimi për të mbrojtur një zonë me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Qytetarët theksuan se Vjosë-Narta nuk mund të trajtohet si një kantier ndërtimi dhe se mbrojtja e saj është një detyrim publik dhe institucional.
Pavarësisht denoncimeve publike dhe konferencave të fundit për shtyp të organizuara, ku janë evidentuar ndërhyrje të paligjshme dhe tjetërsimi i habitatit natyror, institucionet shtetërore kanë zgjedhur të heshtin dhe ta minimizojnë situatën, duke e konsideruar atë thjesht si “rrethim të një prone private për qëllime studimesh gjeologjike”.
Verifikimet më të fundit në terren dëshmojnë të kundërtën. Betonizimi i vijës bregdetare, hapja e rrugëve permanente nga makineritë e rënda dhe kufizimi i paligjshëm i aksesit publik konfirmojnë ngritjen e një kantieri që po shkakton dëme të pakthyeshme në një ekosistem me rëndësi kritike për biodiversitetin dhe shpendët shtegtarë.
Përmes kësaj proteste, u kërkua në mënyrë të prerë:
Ndalimi i menjëhershëm të punimeve dhe tërheqjen e makinerive të rënda nga zemra e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro–Nartë;
Publikimi i çdo dokumenti zyrtar, përfshirë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe lejet përkatëse, të cilat deri më sot nuk janë bërë transparente për publikun dhe grupet e interesit;
Ndërhyrja e menjëhershme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për të ushtruar përgjegjësitë e tyre ligjore ndaj shkatërrimit në këtë zonë të mbrojtur.
Ky krim mjedisor po transformon njëherë e përgjithmonë Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Kjo protestë vjen pas një serie reagimesh publike, deklaratash dhe konferencash për shtyp të organizuara nga palët e interesit gjatë javëve të fundit, ku janë publikuar vazhdimisht prova dhe dokumentime nga terreni mbi ndërhyrjet në zonë.
Për të ndjekur zhvillimet dhe reagimet publike mbi situatën në Vjosë–Nartë lexoni:
“SAVE VJOSA–NARTA” -PPNEA
“SHPËTONI VJOSË-NARTËN”- PPNEA
Deklaratë për shtyp mbi situatën në Vjosë-NartëTHIRRJE PUBLIKE MINISTRIT TË MJEDISIT: NDALONI PUNIMET NË PISHË PORO-NARTË DHE TREGONI TË VËRTETËN PËR ATË QË PO NDODH NË TERREN
DHUNUESIT E ZONËS SË MBROJTUR PISHË PORO-NARTË VAZHDOJNË SHKATËRRIMIN E LAGUNËS SË NARTËS DHE POSHTËRIMIN NDAJ INSTITUCIONEVE SHTETËRORE
PPNEA dhe BirdLife Europe and Central Asia njoftojnë skandalin për ndërhyrjet shkatërruese në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe shkeljet e kushteve për integrimin në Bashkimin Europian
VIJON MASAKRA NË ZONËN E MBROJTUR PISHË PORO-NARTË
SKANDALI MË I MADH ME SHKATËRRIMIN E NATYRËS NË SHQIPËRI PO NDODH TANI
Vjosë–Narta përfaqëson një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri dhe pjesë të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, me rëndësi të jashtëzakonshme për biodiversitetin, shpendët shtegtarë dhe trashëgiminë natyrore të vendit.
Nëse e kuptojmë si duhet këtë qendrim të qytetarëve, shoqërisë civile dhe organizatave mjedisore si një detyre jo vetëm në mbrojtje të natyrës, por edhe patriotike për të këqijat që ka sjellë dhe ka mbjellë korrupsioni i elitave politike me pushtet, duhet të nënvizojmë se as vizitat e kryeministrit në BE dhe as qëndrimet e zyrtarëve të shtetit dje nuk kanë marrë asnjë masë për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore në territorin shqiptar.
Tirana e samiteve të kthimit që i ka për zemër kryeministri është sot me një nivel të ndotur ajri 8 herë mbi normat e lejuara.
Drejtori i përgjithshëm i IKMT-së, Afrim Qendro sipas ATSH në orët e zhvillimit të protestës është shprehur se: “Në kushtet kur mjedisi po kthehet në një çështje kryesore prioritare, edhe në funksion të mbylljes së kapitujve në negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, kërkohet një qasje më dinamike dhe më efikase në terren”
Ndërsa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj e bën Shqipërinë “zyrtarisht anëtare e Këshillit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Gjuetisë dhe Faunës së Egër (CIC) krah 29 vendeve të tjera”, në një kohë kur protestuesit ishin poshtë dritares së zyrës së tij.
______
*Këtë na e kujton më së miri titulli i këngës popullore se si shkojnë punët e shtetit.
Do marr çiften more, do dal për gjah,
Jaman shok-o, jaman aman.
E çiftenë more me gjithë zagar,
Jaman shok-o, jaman aman.
E çu ngjita more sipër në mal
Jaman shok-o, jaman aman.
E pashë dy more të bukura,
Jaman shok-o, jaman aman.
E cila të more të pëlqen, më qafsh,
Jaman shok-o, jaman aman.
E ajo mes, more, këputura,
Jaman shoko, jaman aman
E ajo, more, më e bukura
Jaman shok-o, jaman aman.
E çiftja bam e zagari ham
Jaman shok-o, jaman aman.
27 Maj, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)