(Dritëro Agolli:-“Ja nga çfarë trashamanësh drejtohej partia, trashamanë që as fjalën pluralizëm nuk e shqiptonin dot, por i thoshin ‘pularizëm’ “.)*
“Ja nga çfarë trashamanësh drejtohej partia, trashamanë që as fjalën pluralizëm nuk e shqiptonin dot, por i thoshin ‘pularizëm’ “. Kështu është shprehur shkrimtari i njohur Dritëro Agolli 34 vite më parë kur qortoi në sy PPSH-n në Kongresin e X të saj, të mbajtur 10-12 Qershor, 1991.
Të ndarë aso kohe në liberalë pro reformave dhe fanatikë me vijën e hekurt komuniste që mbajtën ndër vite pushtetin ekonomik, sot Rilindja Socialiste trashëguese po i kujton shqiptarët se ata do ta jetojnë parti-shtetin në rast të një mandati të katërt të Ramës.
A do ta dëgjonin sot me po atë interes kontributin në dialogun politik të Dritëro Agollit opinioni publik?! Në ditët e mandatit të tretë fjalimet e qeveritarëve dhe të politikanëve i prodhoi Chat GPT-ja, ndaj mendësia progresiste po vazhdon dhe po vepron si e mirëqenë jashtë realitetit social ekonomik të Shqipërisë. Mjafton që t’i kërkosh zbukurimin e një fakti të caktuar dhe propaganda të huton me arritje shumëngjyrëshe, në turizëm, agroturizëm, mjedis, transport etj. në çdo drejtim, ku a thua se nuk janë shqiptarët që ndeshen me mungesën e energjisë, ujit, ndotjes së ajrit, strehimit, papunësisë, skamjes dhe urisë.
A do ta dëgjonte me po atë interes kontributin në dialogun politik të Dritëro Agollit dikush sot? Mesa duket jo! PS-ja vërteton se është “rilindur” duke u kthyer në rrënjët autokratike dhe anëtarësia e saj u kënaq vetëm me ndryshimin e emrit të saj.
Ndërsa për ta ditur, sikurse edhe kjo datë historike kaloi rastet kur Dritëroi përmendet në kohën e sotme janë vetëm ato që lidhen me shtëpinë e tij muze në Tiranë.
Pra a do t’i lërojë vendin(?), ky muze projekteve të arkitekturës dhe objekteve betonizuese ndërtimore që vazhdimisht në emër të një diçkaje shumëkatëshe gëlltisin vlerat dokumentare të jetëve të shkrimtarëve, artistëve dhe publicistëve shqiptarë bashkë në atë pjesë të mirënjohur të kryeqytetit.
Rasti i dytë, është ai i vendosur si në skenë filmi të realizmit socialist që ngjau dy javë pas zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 ku Rama i mblodhi të gjithë socialistët me mandat të prerë ose me mandat të pritshëm. Dhe fiks si të ishin spektatorët e “Krevatit të Perandorit”, ata ndoqën në heshtje epilogun e formës më të keqe të një fushate pa program. Mënyrë se si celulat i fitojnë zgjedhjet dhe kush e rri në pushtet duke i shndërruar ata/ato si partizanin Meke* që dikur Dritëroi kishte shkruar.
Nga dëshira e shpronësimit ekonomik dhe mungesa e formimit të të menduarit kritik si pronë individuale intelektuale, të porsazgjedhurit janë përdorues të Chat GTP-së. Propagandistë dhe patronazhistë njëherësh që më parë kanë duart në arkën e shtetit se sa janë të interesuar të zgjidhin problemet e popullsisë që përfaqësojnë.
Heshtja për guximin e Dritëroit vret edhe më shumë edhe sot 34 ditë pas zgjedhjeve që ende nuk kemi një rezultat zyrtar dhe konfirmim të institucioneve ndërkombëtare. Ndaj për këtë Rama zhvillon tezën e vazhdimësisë së butë të pushtetit drejt mandatit të katërt duke i shpallur mandatet si lista e skuadrave socialiste/celulat qytetase ditë pas dite. Nuk ka asnjë kritikë dhe askush nuk pipëtin. Pra socialistë në turmë dhe pa asnjë mendim ndryshe për Shqipërinë.
Rilindja Socialiste/Partia Socialiste shihet vetëm në urimet e sforcuara të Ramës në ditët e fundit me rastin e 34 vjetorit të PS në 2025. Ai shpall skuadrat fituese socialiste për qytetet dhe duket fare qartë se politika e ekstremit të majtë po e plotëson rrotullimin e plotë 360 gradësh si një vazhdimësi e Partisë së Punës, pra tek partia-shtet që do të kërkojë pushtetin në vazhdimësi.Për të kuptuar më shumë lidhjen me këtë datë, 34 vjetorin e ndryshimit të emrit nga historia e dokumentuar kujtohet se sipas Xhelil Gjonit ndryshimi i emrit të Partisë së Punës kishte dy emrat që do ta zëvendësonin.
Do të ishin:
Partia Socialiste (ai që u mbajt).
Partia e së Ardhmes Socialiste të Shqipërisë.
Pra kanë kaluar tri dekada e gjysmë dhe bindjet ndaj atij drejtimi fanatik janë ushqyer deri në atë masë që Shqipëria të rijetojë luftën e klasave për shkak të përkatësisë politike. Ku rëndom ndodh se me partinë në pushtet bëhesh pjesë e administratës ndërsa në pozitat kundër; je i luftuar, i taksuar dhe i përzënë edhe me pasaportë BE-je në emigracion.
Çfarë Rama kishte projektuar se do t’i duhej për të qëndruar edhe një tjetër mandat po vërtetohet se me këtë rezultat zgjedhjet kanë parregullsi të mëdha, asnjë këshillë nga ndërkombëtarët nuk është marrë parasysh për, fusha e lojës ishte e pabarabartë dhe i shërbejnë vendosjes së një pushteti absolut parti-shtet pa opozitë. Demokracia brenda kësaj force politike edhe pse në një mijëvjeçar të ri nuk mund të shkëputet dot as nga e kaluara moniste dhe as kulti i individit që bashkë me korrupsionin po e përkeqësojnë fatin e shqiptarëve dhe ardhmërinë e vendit. 2025 si një vit zgjedhor po tregon se arroganca e një autokrati mbetet e pamëshirshme në asfiksimin e opozitës politike dhe të pluralizmit që materializohet me ndërtimin e një sistemi zgjedhor tërësisht të kontrolluar. Vota pa rezultat ose zvarritja e numërimit të saktë edhe një muaj pas hedhjes së saj në kuti i paraprijnë fatkeqësive që do të burojnë nga pushteti dhe qeverisja e nesërme e vendit dhe kjo ka vetëm një protagonist që u duk se me propagandën e blerë kuroi imazhin, por në të vërtetë si brenda vendit edhe në diasporë ai shëmtoi në emër të pushtetit procesin zgjedhor përmes korrupsionit dhe frikës dhe që me zgjatjen e pushtetit do të mund t’i shmanget drejtësisë.
Mes këtij imazhi kemi:
-Ramën Kryeministër.
-Ramën Kryebashkiak.
-Ramën numërues të votave.
-Ramën Nikoqir Samitesh.
-Ramën diku pa adresë pushimesh.
-Ramën trajner skuadrash rilindëse për çdo qytet e qark politik në lojë dhe në stol (listë e hapur dhe e mbyllur).
-Ramën në krye të partisë i cili dy javë pas zgjedhjeve të 11 Majit u dha monologun e Mekes të gjithë atyre që duan të bëhen deputetë ose do ta lënë mandatin si “përfaqësuesit e popullit” pas rezultatit të zgjedhjeve.
Pra, pa program dhe me idenë se pasaporta e BE-së është si ylli i shtuar pas 2030, me këtë metodë Rama i është drejtuar të mbajturve pranë vetes duke plotësuar jo vetëm rrotullimin e plotë 360 gradësh politik, por edhe duke i shtuar politikës bazë prirjet e reja të ekstremit të majtë ndërkombëtar me anti vlerat e qendrimeve për kombin, familjen, besimin, pronën, trashëgiminë kulturore të cilat duhen ndalur për rrezikshmërinë që sjellin. Fatkeqësinë e partisë-shtet të dalë nga zgjedhjet nuk e lexuan dot shqiptarët.
Tymnaja e propagandës dhe vazhdimësia e Partisë së Punës që e qeveris e fshehur shtetin funksionoi.
Në këtë përmbajtje “Pallati i Brigadave”* për shkak të heshtjes ku vetëm Rama recitoi dhe si me monologun e Mekes i bëri të gjithë “të mandatuarit” të ndiheshin ofiqarë të Perandorisë së Rilindjes Socialiste.
Kjo tragjikomedi, farse e zgjedhjeve na çoi tek memoria politike e sistemit të kalbur qe ka marrë me vete ky sistem politik të cilit shkrimtari të ndjerë Dritëro Agolli ju përgjigj në 1991.
Dritëroi atëherë në praninë e mijëra delegatëve komunistë, të konvertuar në rilindës sot të Kongresit X të PPSH-s*, në Qershorin e largët 1991 ju kujtoi injorantëve rinovimin. “Pularisteve” Dritëroi u tha se quhet PLURALIZËM.
Mbi dogmën e trashëguar duke u armiqësuar me trashanikët shkrimtari cilësoi disa shprehje që 83 kuvendareve të rinj u shkojnë për shtat edhe sot sepse janë pa zë dhe të heshtur: –“Kjo është tribuna ime, tribuna e partisë ku unë aderoj dhe nuk ka njeri të më pengojë të flas…” .
Ndryshe nga ajo kohë, Rama ka larguar mendimin ndryshe, mohuar demokracinë dhe ndaluar fjalën e lirë brenda subjektit politik dhe përpara vetes ka mbledhur hartuesit e fjalimeve me inteligjencën artificiale dhe të gjithë ata që do ti nënshtrohen edukimit politik ose formatit të bindjes me forcën e kartonit dhe direktivën e patronazhistit që hesht “pa i rrahur” me qindra socialistë.
Ky formacion në Kuvend i dalë nga zgjedhje të dhunuara, i bën ata të gjithë pjesë e korrupsionit të pushtetit duke i “zbutur me mandat” kuvendari sepse zë ndryshe jashtë urdhrit ata/ato nuk përfaqësojnë.
Në qoftë se Dritëroi ua tha copë komunistëve 34 vite më parë se katër ishin gabimet: 1- vija e diktaturës së hekurt, 2- vija e shtrembër politike në ekonomi, 3- vija politike e pamëshirshme në të drejtat e liritë e njeriut dhe në lirinë e ndërgjegjes (spiunim dhe luftë klasash), 4- politikë e izoluese që e udhëhoqën mbrapsht Shqipërinë në 50 vite.
Këto cilësime kulmojnë sot edhe me kthim shpine ndaj Kosovës dhe Diasporës.
Të gjitha bashkë nuk kanë ndryshuar dhe shprehin më së miri të gjithë sistemin parti-shtet që Rama ka nisur të instalojë në Shqipëri.
Morali mbeten zgjedhjet.
Ndërsa rezultati i tyre është vazhdimësia e diktaturës.
Populli e ka kuptuar tashmë dhe to të reagojë.
Ky mësim politik që nuk e përfillet dhe heshtet deri tani nga anëtarësia e Rilindjes Socialiste dhe nga kontribues të vetëm në rradhët që janë shpallur socialistë të ndershëm, tregon se ky formacion politik e ka më të lehtë që t’i shkëputet proceseve të demokratizimit të shoqërisë shqiptare dhe të përfitojë nga shteti që ushqehet me krimin ekonomik dhe e korrupsionin. Zgjedhjet e vitit 2025 hynë dhe do të mbahen mend në historinë e Shqipërisë si një çoroditje dhe pabarazi gare politike ku zgjedhjet perfeksionojnë sistemin e grabitjes së votës nga shteti, mbikëqyrja patronazhiste dhe bandat intimidimi i zgjedhësve dhe blerja e votës janë mjete të mjaftueshme jo vetëm për t’i grabitur zgjedhjet dhe liritë, por për të rivendosur diktaturën.
__________
*Kongresi i 10-të i PPSH Qershor 1991
*Meke-personazhi në “Krevati i Perandorit”- Kinostudio Shqipëria e Re 1973
15 Qershor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)