VOAL

VOAL

Turqi, pritje solemne me rastin e pavarësisë së Kosovës

February 18, 2017

Komentet

Kallas në Beograd: Serbia duhet ta dëshmojë se e ka përnjëmend anëtarësimin në BE

Radio Evropa e Lirë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, Kallas tha se me zyrtarë të lartë serbë bisedoi për anëtarësimin në BE, dialogun e Brukselit dhe çështje të tjera.

“Është e qartë se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Serbisë, megjithatë, dua të theksoj se ne duhet të shohim veprime që e dëshmojnë këtë dhe i mbështesin këto fjalë. Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Kallas.

Ajo theksoi se përparimi duhet të ndodhë “këtu në Beograd” dhe shtoi se hapat e radhës që Serbia duhet t’i ndërmarrë janë shumë të qartë, dhe ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore.

“Reformat do të sjellin përfitime të vërteta për qytetarët dhe popullin e Serbisë, siç kanë kërkuar qindra mijëra studentë kanë kërkuar në javët e fundit. Autonomia e universiteteve duhet të respektohet. E ardhmja e Serbisë në BE varet nga vlerat që ajo zgjedh t’i ndjekë”, tha ajo.

Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinji e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.

“Ka ardhur koha të tejkalohet e kaluara dhe të përqendroheni në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj t’i ftoj në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.

“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X.

Kallas tha se është “thellësisht e përkushtuar” për t’i inkurajuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë “me të vërtetë momentumin aktual që kemi në procesin e zgjerimit”.

“Po, ky proces ka qenë në zhvillim prej mjaft kohësh, por gjithmonë ekziston një moment politik, dhe ky moment politik është tani – Evropa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë”, theksoi ajo.

Kryediplomatja e BE-së do ta qëndrojë në Kosovë më 22 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.

Gjatë vizitës në Beograd, Kallas është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.

Presidenti i Serbisë ka pohuar, në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.

Ai ka thënë se Kallasit i ka theksuar se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”.

Vuçiq ka thënë se ia ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, për edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.

Ajo u takua edhe me kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare.

Për vizitën e Vuçiqit në Moskë

E pyetur nga gazetarët nëse kishte biseduar me presidentin Vuçiq për vizitën e tij në Moskë më 9 maj, Kallas tha se kishte shprehur qëndrimin e saj, i cili është “shumë i qartë”.

“Nuk e kuptoj pse është e rëndësishme të qëndrosh krah për krah me dikë që po udhëheq një luftë të tmerrshme në Ukrainë”, shtoi ajo.

Ajo përsëriti se Bashkimi Evropian pret nga vendet kandidate që të harmonizohen me politikën e tij të jashtme.

“A dëshironi të jeni me ne? Nëse po, atëherë do të punojmë së bashku dhe kjo është ajo që presim nga vendet kandidate”, theksoi ajo.

Pas vizitës në Beograd, Kallas udhëtoi drejt Prishtinës

“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, ka bërë të ditur BE-ja.

Para takimit me ta, shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë një konferencë për media, në Prishtinë, në pasditen e së enjtes.

Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson.

BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon membylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.

Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.

Revoltë në burgun e Korfuzit! Të burgosurit shqiptarë dhe gjeorgjianë protestojnë pas kontrolleve, i vënë flakën dyshekëve

Një revoltë e papritur ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në burgun e Korfuzit, ku disa të burgosur shqiptarë dhe gjeorgjianë kanë refuzuar të kthehen në qelitë e tyre. Si shenjë proteste, ata i vunë flakën dyshekëve dhe disa objekteve të tjera brenda sektorëve E dhe Z, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje emergjente.

Zjarri u vu nën kontroll pas një kohe të shkurtër nga shërbimet zjarrfikëse, ndërsa drejtori i policisë së ishullit dhe dy negociatorë ndodhen aktualisht në vendngjarje për të hetuar rrethanat dhe për të biseduar me të burgosurit.

Sipas mediave greke, incidenti lidhet me pakënaqësinë e të dënuarve për një kontroll të fundit në qeli, gjatë të cilit u sekuestruan disa telefona celularë. Të burgosurit ndodhen në sektorët A dhe Z, aty ku nisi edhe përplasja. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të identifikuar organizatorët e rebelimit dhe për të vlerësuar masat e mëtejshme disiplinore. bw

Parlamenti i Hungarisë miraton tërheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale

Radio Evropa e Lirë

Parlamenti hungarez ka miratuar të martën propozimin për tërheqjen e vendit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), me 134 vota pro, 37 kundër dhe 7 abstenime.

Iniciativa u paraqit nga zëvendëskryeministri Zsolt Semjen.

Sipas arsyetimit të qeverisë, GJNP është shndërruar në një aktor politik.

Portali 24.hu raportoi në korrik të vitit të kaluar se pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm të GJNP-së për lëshimin e një fletarrestimi ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të veprimeve ushtarake në Gazë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte ngarkuar tre ministra të kabinetit të tij që të shqyrtonin pasojat e një tërheqjeje të mundshme nga Gjykata – si vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që do ta bënte një hap të tillë.

Sipas Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë, qeveria e Orbanit e interpretoi si sinjal pozitiv deklaratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, më 5 shkurt, kur ky i fundit paralajmëroi sanksione ndaj GJNP-së pas fletarrestimit për Netanyahun.

Pas lëshimit të urdhrit ndaj Netanyahut, Orban akuzoi GJNP-në se “po ndërhyn për qëllime politike në një konflikt në zhvillim”, dhe tha se ky vendim e minon të drejtën ndërkombëtare.

Ai deklaroi se do ta kundërshtonte urdhrin dhe do ta ftonte Netanyahun për vizitë në Hungari, duke i garantuar se nuk do të arrestohej.

Sipas Qeverisë hungareze, kjo ishte e mundur sepse Parlamenti hungarez nuk e kishte ratifikuar kurrë statutin e GJNP-së, prandaj ajo nuk kishte fuqi juridike në Hungari dhe nuk mund të zbatohej asnjë arrestim në bazë të saj.

Më 25 shkurt, ministri Gergely Gulyas tha se Qeveria po shqyrtonte seriozisht tërheqjen nga GJNP-ja, e cila kishte pasur edhe një gjykatës hungarez në përbërje deri në fund të mandatit të tij, vitin e kaluar.

Ai tha se Gjykata, që dikur ishte një nismë e respektueshme, tani ishte “shndërruar në një aktor politik”.

Më 1 prill, ministri i Drejtësisë, Bence Tuzson, kishte paraqitur në një takim të ambasadorëve, të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, skicën e procesit të tërheqjes.

Dy ditë më pas, Gulyas njoftoi publikisht në rrjetet sociale se vendimi për t’u tërhequr ishte marrë.

Ky vendim u konfirmua më 7 maj, me votimin përfundimtar të Parlamentit.

Zgjedhjet presidenciale në Rumani- Kandidati pro-perëndimor, Nicusor Dan mund rivalin e tij të së djathtës ekstreme

Kandidati pro-perëndimor Nicusor Dan ka mundur në mënyrë të papritur populistin e djathtë ekstreme George Simion në zgjedhjet presidenciale në Rumani.

Simion, 38 vjeç, dhe rivali i tij – një centrist i cili është kryetar bashkie i Bukureshtit – u përballën në raundin e dytë të garës.

Sipas numërimit zyrtar Dan kryesonte me gati nëntë pikë përqindjeje, me më shumë se 98% të votave të numëruara.

Pasi sondazhet e daljes në zgjedhje sugjeruan se ai nuk do të fitonte, Simion, i cili mbështet Trump, hodhi poshtë rezultatin dhe tha se vlerësimet e jepnin atë 400,000 vota përpara, shkruan SkyNews.

Duke folur pas përfundimit të votimit, Simion tha se zgjedhja e tij ishte “e qartë”, ndërsa postoi në Facebook: “Unë fitova!!! Unë jam Presidenti i ri i Rumanisë dhe po ua kthej pushtetin rumunëve!”

Zgjedhjet e fundit në Rumani u anuluan pasi gjykata e saj më e lartë vendosi që kandidati kryesor, nacionalisti Calin Georgescu, duhet të skualifikohet për shkak të pretendimeve për ndërhyrje zgjedhore nga Rusia. sn

Firma e sanksionuar serbe eksportoi pjesë avionësh në Rusi, përfshirë edhe nga SHBA-ja

Nga pala ruse, përfituesi më i madh i dërgesave të bëra përmes kompanisë Sprocure ishte kompania “S7 Engineering”, e cila ka pranuar mallra në vlerë prej 2 milionë dollarësh.

 

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Kompania serbe Sprocure, e cila u përfshi më 14 maj në paketën e 17-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Rusisë, ka transportuar në Rusi 170 dërgesa brenda një viti e gjysmë.

Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë (REL) mbi të dhënat doganore tregon se vlera e këtyre dërgesave nga mesi i vitit 2022 deri në fund të vitit 2023 ka kaluar shumën prej 9.7 milionë dollarësh.

Sipas bazës së të dhënave Import Genius, në Rusi kanë përfunduar pjesë për avionë që ndodhen nën regjim të veçantë sanksionesh që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022.

Paketa e re e sanksioneve ndaj Rusisë, e cila pritet të miratohet më 20 maj, përfshin edhe kompani nga vendet e treta që ndihmojnë indirekt përparimin ushtarak dhe teknologjik të Rusisë, duke shmangur sanksionet.

Sprocure u themelua në gushtin e vitit 2022, gjashtë muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, me veprimtari të deklaruar si “ndërmjetësim në shitjen e produkteve të ndryshme”.

Fillimisht, pronare dhe drejtoreshë ishte shtetasja e Serbisë, Zinete Mehmeti, por në fillim të vitit 2024, kur Departamenti amerikan i Shtetit filloi sanksionimin e kompanive nga Serbia, pronësia ndryshoi.

Pronari dhe drejtori i ri u bë shtetasi turk, Erdal Iihan.

Në faqen zyrtare, Sprocure paraqitet si shpërndarës ndërkombëtar i pjesëve për industrinë e aviacionit, me synimin të ofrojë edhe menaxhim riparimesh dhe logjistikë.

Sipas raportit të fundit financiar, kompania ka realizuar të ardhura prej 1.4 milion dollarësh në vitin 2024, ndërsa në vitin 2023 këto ishin 2.5 milionë dollarë.

REL-i ka analizuar të gjitha eksportet që Sprocure ka bërë drejt Rusisë në 18 muajt e parë të veprimtarisë.

Sietëlli dhe Majami, pikënisje të disa dërgesave për në Rusi

Të dhënat doganore tregojnë se nga shtatori i 2022-tës deri në fund të 2023-tës, mallra me vlerë rreth 2 milionë dollarë u eksportuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Rusi, kryesisht përmes Turqisë. Pikat e nisjes ishin shpesh qytetet amerikane Sietëll dhe Majami.

Në Sietëll ndodhet edhe selia e gjigantit të aviacionit Boeing. Të dhënat doganore tregojnë se pjesë me vlerë prej 110 mijë dollarësh kishin shënimin e kësaj kompanie.

Në një përgjigje për REL-in, më 15 maj 2024, Boeing tha se respekton të gjitha rregulloret dhe nuk eksporton mallra në Rusi.

“Në mars 2022 ndërpremë të gjitha operacionet kryesore në Rusi, përfshirë shpërndarjen e pjesëve, mirëmbajtjen dhe mbështetjen teknike për klientët”, thuhet në përgjigje.

Një tjetër prodhues i madh i pajisjeve të avionëve, produktet e të cilit u eksportuan në Rusi përmes Sprocure, është kompania amerikane Honeywell, me seli në Arizona. Kjo kompani furnizon rreth 90 për qind të avionëve dhe 80 për qind të satelitëve në botë.

Vlera e produkteve të kësaj kompanie që përfunduan në Rusi është mbi 400 mijë dollarë.

Honeywell konfirmoi për REL-in se që nga viti 2022 ka ndalur aktivitetin në Rusi dhe Bjellorusi, duke respektuar plotësisht sanksionet dhe ligjet për eksportin.

“Që nga ajo kohë nuk kemi shpërndarë asnjë pajisje, pjesë apo produkt në Rusi, dhe po punojmë aktivisht për të parandaluar çdo mundësi të devijimit të produkteve tona drejt Rusisë përmes palëve të treta”, u tha në përgjigje.

REL-i ka kërkuar gjithashtu informacione nga Shërbimi Doganor dhe Kufitar i SHBA-së, por kërkesa për të dhëna më të detajuara u refuzua.

Për mallra me vlerë mbi 7 milionë dollarë nuk ka të dhëna për markat, ndërsa për mallra me vlerë 5 milionë dollarë nuk dihet origjina. Për 2 milionë dollarë është caktuar origjina amerikane, ndërsa për 1.5 milionë dollarë origjina e deklaruar është Serbia.

Sprocure nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e REL-it pasi u përfshi në listën e zezë të BE-së.

Kush janë përfituesit kryesorë të dërgesave përmes Sprocure në Rusi?

Nga pala ruse, përfituesi më i madh i dërgesave të bëra përmes kompanisë Sprocure ishte kompania S7 Engineering, e cila ka pranuar mallra në vlerë prej 2 milionë dollarësh.

S7 Engineering është degë e kompanisë ajrore Siberia Airlines.

Kjo kompani ka nënshkruar kontrata edhe me institucionin shtetëror rus, Eskadroni i Aviacionit Special të Rusisë, që vepron në kuadër të Zyrës për Çështjet e Presidentit të Federatës Ruse.

Afër 5 milionë dollarë mallra janë dërguar në kompaninë Jetica LLC, e cila sipas të dhënave në bazën e kompanive ruse Spark është e regjistruar si një kompani që operon në fushën e transportit ajror.

Selia e saj ndodhet në Moskë dhe si pronare figuron Izmailova Darya Mikhailovna.

REL-i kishte raportuar për Sprocure edhe në vitin 2023

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar më parë për aktivitetet e Sprocure në nëntor 2023, në një hulumtim për fitimet milionëshe të kompanive serbe përmes shmangies së sanksioneve ndaj Rusisë.

Aty zbulohej se pajisje dhe pjesë të avionëve të prodhimit perëndimor eksportoheshin në Rusi përmes Sprocure nga Beogradi.

Dërgesat përfshinin vajra për motorë avionësh, goma, pajisje sinjalizuese zanore dhe vizuale, bateri dhe akumulatorë.

Asokohe, pronarja Zinete Mehmeti nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it.

Sprocure është kompania e katërt nga Serbia që futet në listën e zezë të BE-së për sanksione ndaj Rusisë, pas Conex, Kominvex dhe Soha Info.

Projekti i Kushnerit në Beograd, i pasigurt pas pranimit të fajësisë për falsifikim nga zyrtari serb

Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në Beograd.

 

Radio Evropa e Lirë

Kompania Affinity Partners, në pronësi të Jared Kushnerit, ka njoftuar se tashmë është i pasigurt fati i projektit për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin ku sot ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në qendër të Beogradit, pas arrestimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi.

Goran Vasiq, drejtor i përkohshëm i këtij institucioni, u arrestua më 13 maj, nën dyshimet se kishte falsifikuar dokumentacionin mbi bazën e të cilit Qeveria e Serbisë ia hoqi statusin e mbrojtjes kulturore objektit të Shtabit të Përgjithshëm.

Kjo kishte hapur rrugën që, në vend të këtij objekti modernist, të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XX, kompania e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, të ndërtonte një hotel luksoz dhe objekte shumëkatëshe – projekt i kundërshtuar nga ekspertë dhe opinioni publik në Serbi.

Nga Affinity Partners i thanë gazetës amerikane, The New York Times, se nuk kanë pasur asnjë rol në procesin e rishqyrtimit të statusit kulturor të lokacionit.

“Sot, nga mediat, mësuam se një ish-zyrtar i Qeverisë serbe, pa asnjë lidhje me kompaninë tonë, dyshohet se ka falsifikuar dokumente në lidhje me statusin e mbrojtjes kulturore për projektin ‘Belgrade Square’”, thuhet në deklaratën e kompanisë, duke shtuar se “do ta hetojmë situatën dhe do të marrim hapat e mëtejshëm”.

Sipas kompanisë, punimet në këtë lokacion ende nuk kanë nisur, dhe fati i projektit është tashmë i pasigurt.

Prokurori serb për krime të organizuara njoftoi më 14 maj se ka marrë në pyetje të dyshuarin Goran Vasiq, i cili – sipas Institutit – ka pranuar veprën penale që i ngarkohet.

Qeveria e Serbisë më 15 maj 2024 nënshkroi një marrëveshje për “revitalizimin” e kompleksit me kompaninë e Kushnerit, Affinity Global Development, përmes së cilës ia ka dhënë tokën me qira për 99 vjet.

Kushner ka planifikuar të ndërtojë një kompleks afaristo-banesor, ku do të përfshihet edhe një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s, por detajet e kontratës me Qeverinë serbe nuk janë bërë publike.

Projekti është kundërshtuar nga ekspertë, opozita dhe një pjesë e qytetarëve, të cilët e konsiderojnë sulm ndaj trashëgimisë kulturore, dhe kritikojnë mungesën e transparencës.

Ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së atëhershme jugosllave, dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, u ndërtuan mes viteve 1955-1965, sipas projektit të arkitektit Nikolla Dobroviq, si një ansambël dykatësh që atëherë quhej Sekretariati Shtetëror për Mbrojtjen Popullore.

Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm u bombardua dy herë gjatë fushatës ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër Jugosllavisë, më 1999.

Costa: Dënimi i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për rrugën evropiane të Serbisë

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Radio Evropa e Lirë

Dënimi i qartë i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, më 13 maj gjatë vizitës në Beograd.

“Topi tani është në pjesën tuaj të fushës dhe ju lutem mos humbim kohë, sepse e ardhmja nuk do të presë”, tha Costa në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Costa shtoi se ai ka biseduar me Vuçiqin për reformat që Serbia duhet të ndërmarrë për të hapur kapitullin e ardhshëm në rrugën e integrimeve evropiane.

Gjatë më shumë se tre viteve të fundit, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në bisedimet me Bashkimin Evropian, të cilat i ka nisur që nga viti 2014.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiqi ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

“Por, në të tashmen, Serbia është plotësisht e angazhuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi një harmonizim të plotë në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, tha Costa.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është i vetëdijshëm që shumë zyrtarë të BE-së nuk e mbështesin vizitën e tij të fundit në Moskë, por se shpreson që ata do të kenë mirëkuptim dhe se Beogradi do të mund të hapë një kapitull të ri në procesin integrues.

“E kuptoj plotësisht shqetësimet e tyre për shkak se nuk kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, por Serbia ka qëndruar shumë parimore që nga fillimi i konfliktit. Ashtu siç mbështesim integritetin tonë territorial, ashtu mbështesim edhe integritetin territorial të vendeve të tjera, përfshirë Ukrainën”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm që atmosfera për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësim në BE “nuk është aq e mirë” për shkak të vizitës së tij në Moskë, por se Serbia do të përpiqet të bëjë gjithçka që është marrë vesh më parë.

Ai theksoi se BE është “partneri më i rëndësishëm” për Serbinë, me të cilin ka shkëmbimin më të madh tregtar.

Costa ndodhet në Beograd si pjesë e një vizite disaditore në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Pas Beogradit, ai do të shkojë në Sarajevë, Podgoricë e Prishtinë, ndërsa më 15 maj do të vizitojë Shkupin dhe Tiranën, ku më 16 maj do të mbahet Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane.

Costa tha para vizitës se nuk ka një datë të caktuar për pranimin e anëtarëve të rinj në Bashkimin Evropian, por vlerësoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë përpara vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Jashtëm serb: Nuk do të ketë sanksione nga BE-ja pas vizitës së Vuçiçit në Moskë!

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç pretendon se vizita e fundit në Moskë e presidentit Aleksander Vuçiç, “nuk do të sjellë ndërprerje të procesit të integrimit në Bashkimin Europian (BE) e as sanksione nga Brukseli zyrtar”.

Radiotelevizionit shtetëror të Serbisë  deklaroi se gjatë javës, Beogradin do ta vizitojnë presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Madje, shtoi se pret forcim të marrëdhënieve me Brukselin, që sipas, “nuk do të jenë në dëm të politikës së jashtme të balancuar të Serbisë”.

“Nuk do të ketë ndërprerje të integrimeve europiane dhe as sanksione. Kjo do të bëhet e qartë së shpejti e ajo që mund të presim është vazhdimi i zhvillimit.” tha ai

Në Moskë, Vuçiç shkoi të enjten dhe dje mori pjesë në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore. Ndërkaq, u takua me presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, por përballet me kritika nga Brukseli për shkak të mungesës së harmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian, që siç dihet i ka vendosur sanksione të rrepta Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Gjatë vizitës së javës së kaluar në Beograd, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi se për shkak të vizitës së Vuçiçit në Moskë do ta ketë “shumë më të vështirë të ndihmojë Serbinë të qëndrojë fuqishëm e orientuar drejt rrugës europiane”.

9 maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera të ndryshme. Të shkosh në Moskë e të festosh me Putinin ose ushtrinë e tij që po vret njerëz në Ukrainë është në kundërshtim të plotë me vlerat europiane, u shpreh Kos ditë më parë.

Pas takimit me Putinin, gjatë të cilit foli në lidhje me rritjen e shkëmbimit tregtar mes Serbisë e Rusisë, Vuçiç deklaroi se është i gatshëm t’u përgjigjet kritikave që mund të vijnë nga Bashkimi Europian. bw

Vuçiçit i ndalohet fluturimi drejt Moskës, media serbe: Lituania dhe Letonia mbyllin hapësirën ajrore

Lituania dhe Letonia ia kanë ndaluar fluturimin mbi hapësirën e tyre ajrore të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas medias serbe “Novosati”.

Vuçiç planifikonte të udhëtonte për në Moskë, edhe pse Rusia që nga viti 2022 po synon pushtimin e Ukrainës dhe për këtë arsye është nën sanksione perëndimore.

Sipas medias serbe autoritetet lituaneze këtë vendim e kanë cilësuar “me ndjeshmëri politike për shkak të qëllimit të fluturimit”.

Yuri Ushakov, ndihmësi i udhëheqësit rus, tha sot se presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime dypalëshe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç më 9 maj. sn

Erdogan-Trump bisedë telefonike për Ukrainën, presidenti i SHBA në Truth Social: Shkëmbyem ftesa reciproke për vizita

“Sapo pata një bisedë telefonike shumë të mirë dhe produktive me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për shumë tema, përfshirë luftën me Rusinë dhe Ukrainën, gjithçka që lidhet me Sirinë, Gazën dhe më shumë.”

Kështu shkruan presidenti i SHBA, Donald Trump  në Truth Social duke theksuar se Erdogan e ftoi atë “të shkojë në Turqi në të ardhmen dhe, po kështu, ai do të vijë në Uashington”. bw

Ultranacionalisti Simion përballë të moderuarit Dan në balotazhin presidencial në Rumani

George Simion duke folur para mbështetësve përmes videolidhjes, pas mbylljes së qendrave të votimit.

 

Radio Evropa e Lirë

 

Ultranacionalisti George Simion siguroi një fitore solide në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, por ai nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme për të shmangur një përballje balotazhi me prefektin e Bukureshtit, Nicusor Dan.

Pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve në mëngjesin e 5 majit, Simion, udhëheqës 38-vjeçar i partisë AUR, doli i pari me 40.96 për qind, apo 3.860,000 vota, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rumanisë.

Dan, 55-vjeçar, i konsideruar politikan i moderuar, kaloi Crin Antonescun, pjesëtar i koalicionit qeverisës të vendit, për të zënë vendin e dytë, i ndihmuar nga votat nga diaspora.

Dan mori 20.99 për qind të votave, kurse Antonescu 20.07 për qind.

Rreth 973.000 njerëz votuan në diasporë, treguan të dhënat.

Simion doli i pari edhe me votat nga diaspora. Ai mori 61 për qind të tyre, i ndjekur nga Dan me 26 për qind dhe Antonescu me 6.8 për qind.

“Jemi në rundin e dytë. Faleminderit”, shkroi Dan në faqen e tij në Facebook.

Nicusor Dan duke bërë shenjën e fitores me dy gishta pas mbylljes së vendvotimeve.

Nicusor Dan duke bërë shenjën e fitores me dy gishta pas mbylljes së vendvotimeve.

Anketat pas votimit kishin sugjeruar rezultate të ngjashme të përgjithshme, ndonëse ato i jepnin Simionit një epërsi më të vogël.

“Mendoj se është rezultat i pakthyeshëm, siç qëndrojnë gjërat”, tha Antonescu, pasi u kalua nga Dan. “Unë prezantova një program; vendimi i popullit rumun ishte ndryshe”.

“Votat janë të qarta – qytetarët folën. Më vjen keq. Po i jap fund kësaj përpjekjeje, mendoj, me kokën lart”, u shpreh ai.

Antonescu nuk u deklarua se kë e pëlqen për rundin e dytë të zgjedhjeve. “Nuk kam rekomandime”, tha ai, teksa nxiti votuesit “të mendojnë vetë se idetë e cilit kandidat janë në përputhje me ato të cilat unë i kam prezantuar”.

Simion u tha mbështetësve të tij, përmes videolidhjes, gjatë natës, se “së bashku shkruam historinë!”.

“Po i afrohemi një rezultati të jashtëzakonshëm, përtej atij që po e paraqesin televizionet [kryesore]… të cilat dinë vetëm të nxisin përçarje me arrogancë, të helmojnë, të shtrembërojnë gjithçka e të përhapin gënjeshtra”, u shpreh ai.

Zgjedhjet u përcollën me interesim edhe jashtë Rumanisë, pjesërisht për faktin që Simion bëri deklarata kontroverse me pretendimet për pjesë të territoreve ukrainase dhe moldaviane, si dhe me vënien në pikëpyetje të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Ai, po ashtu, kritikoi pushtimin e vazhdueshëm rus të Ukrainës.

Nëntorin e kaluar, Calin Georgescu, nacionalist prorus, i konsideruar si kandidat pa përvojë, arriti një fitore të befasishme në rundin e parë të votimit.

Megjithatë, autoritetet anuluan rezultatet, mes akuzave për fushatë ruse të ndikimit për të shtyrë përpara kandidaturën e tij. Georgescut iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e reja, dhe u vunë një varg rregullash të reja për përsëritjen e votimit, më 4 maj.

Anulimi i zgjedhjeve tërhoqi kritika jashtë Rumanisë, përfshirë nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J.D. Vance, i cili akuzoi zyrtarët se vepruan mbi “trysni të madhe dhe të dyshimtë nga fqinjët kontinentalë”.

Simion ka përqafuar publikisht një pjesë të retorikës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të lëvizjes së tij.

Balotazhi presidencial mes Simionit dhe Danit do të mbahet më 18 maj.

Para zgjedhjeve, shumica e vëzhguesve janë shprehur se Simion do ta ketë të vështirë ta fitojë rundin e dytë, veçanërisht nëse Dan apo Antonescu dalin në vendin e dytë.

Kërkohet që Mali i Zi të dëmshpërblejë familjarët e të gjithë viktimave civile të luftërave

Nga shënimi i 25-vjetorit të krimit të luftës në Kallugjerski Laz, prill 2024.

 

Jasna Vukiqeviq

Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për ndarjen e ndihmës financiare për familjet e viktimave civile të luftërave të viteve ’90 është historik dhe me rëndësi të madhe për përballjen me të kaluarën, por nuk i ka përfshirë familjet e të gjitha viktimave.

Ky është vlerësimi i përbashkët i organizatës Aksioni për të Drejtat e Njeriut (HRA), Komitetit të Juristëve të Malit të Zi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqatës “Shtërpcë – Kundër Harresës”.

Shoqëria civile thotë se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kalugjerski Laz, ku Ushtria e Jugosllavisë qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që ndihma të ndahet për gjithsej 16 familje të viktimave të rasteve të deportimit të refugjatëve nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1992, të rrëmbimit në Shtërpcë (në Bosnje) në vitin 1993, si dhe të bombardimeve të NATO-s në Murinë dhe Tuz në vitin 1999.

Familjeve do t’u ndahen nga 100 mijë euro, duke korrigjuar kështu një padrejtësi disadekadëshe dhe duke konfirmuar përkushtimin e Malit të Zi për njohjen e të drejtave të të gjitha viktimave të luftës, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Dëmshpërblim për të gjitha viktimat civile të luftës

Megjithatë, sektori civil thotë se nuk është e qartë pse Qeveria ka lënë jashtë familjet e viktimave të tjera civile të luftës.

Duhet të dëmshpërblehen edhe viktimat e zhdukjeve me dhunë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, si dhe rastet e vrasjeve dhe dëbimeve në Bukovicë, thotë Tea Gorjanc Prelleviq nga HRA.

Tea Gorjanc Prelleviq

Tea Gorjanc Prelleviq

“Ato janë gjithashtu familje të viktimave civile të luftës, statusi i të cilave është njohur me ndryshimet e fundit ligjore, dhe që kanë pasur ose ende kanë shtetësinë e Malit të Zi”, thotë Gorjanc Prelleviq për Radion Evropa e Lirë.

Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës në shkurt të këtij viti ka mundësuar që familjet e viktimave civile të luftës të kërkojnë dëmshpërblim.

Sipas ligjit, viktimë civile e luftës konsiderohet një person civil i vrarë apo i zhdukur gjatë konflikteve të armatosura në territorin e ish-Jugosllavisë pas 17 gushtit 1990, që kishte shtetësinë e ish-RSFJ-së.

Dëmshpërblimet janë të parashikuara për anëtarët e familjeve të viktimave që kanë shtetësi malazeze.

Sipas të dhënave të HRA-së, Mali i Zi duhet të dëmshpërblejë së paku edhe nëntë familje të tjera.

Gorjanc Preleviq shton se shteti ka një detyrim moral edhe ndaj viktimave të krimeve të luftës në Kallugjerski Laz, ku Ushtria e RFJ-së qëlloi mbi një kolonë refugjatësh nga Kosova dhe vrau 21 persona.

Për shkak të mangësive në hetime dhe procedurat penale, gjatë të cilave nuk u përcaktua përgjegjësia për këtë krim, gjykatat i hodhën poshtë të gjitha kërkesat për dëmshpërblim si të parashkruara.

Edhe sipas evidencës së Komitetit të Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka ende disa familje që duhet të dëmshpërblehen, thotë kryetari i këtij komiteti, Velija Muriq.

Ai përmend rastin e familjes Ibrahimaj nga Peja, e cila vitet e fundit jeton në Rozhajë.

Velija Muriq

Velija Muriq

Në Kallugjerski Laz humbën jetën katër anëtarë të kësaj familjeje, të cilët në atë kohë kishin shtetësi të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi, thotë Muriq për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e djaloshit Senad Daciq, i cili humbi jetën nga shpërthimi i bombave kasetore në fshatin Besnik afër Rozhajës, të hedhura nga avionët e ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi në prill të vitit 1999.

“Kjo familje nuk ndryshon në asgjë nga viktimat në Murinë. I vetmi dallim është se viktimat në Murinë u vranë nga avionët e NATO-s, ndërsa këtu kemi të bëjmë me ushtrinë e Serbisë dhe Malit të Zi”, thotë Muriq.

Në Murinë humbën jetën gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë, ndërsa katër të tjerë u plagosën. Familjet e tyre janë përfshirë në vendimin për dëmshpërblim.

“Vendim edhe pozitiv, edhe zhgënjyes i Qeverisë”

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga familjet që nuk janë përfshirë në vendimin e Qeverisë.

Ellsana Nurkoviq, e bija e një të zhdukuri në Kosovë, thotë se këtë vendim e sheh njëkohësisht si pozitiv dhe zhgënjyes.

“Ligji që njeh disa persona si viktima të luftës nga ana e shtetit është një hap shumë i madh dhe pozitiv. Por nga ana tjetër, fakti që jo të gjithë janë përfshirë dhe që dikush duhet të provojë se është apo jo viktimë – është poshtërues dhe degradues”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo është njëra nga gjashtë vajzat e Halit Nurkoviq nga Rozhaja, i cili në korrik 1999, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, nisi një udhëtim drejt Kosovës me kolegun e tij Dervish Muriq për të transportuar një pasagjere.

Ata u panë për herë të fundit afër Pejës, pas së cilës humbi çdo gjurmë e tyre. Dy dekada e gjysmë më vonë, familja ende nuk di asgjë për fatin e Halitit.

Përpjekjet për të gjetur të vërtetën përmes institucioneve të Malit të Zi, Kosovës dhe ndërkombëtarëve, kanë qenë kryesisht pa përgjigje.

“Tani duhet të luftosh për të dëshmuar që i përket asaj kategorie [të personave që marrin dëmshpërblim] dhe kjo e bën gjithë procesin shumë të vështirë”, thotë Elsana.

Sllavica Silanoska, bashkëshortja e një të rrëmbyeri në Kosovë, beson se me këtë vendim Qeveria ka përfshirë fillimisht viktimat që kanë humbur jetën në territorin e Malit të Zi.

“Besoj se do të ketë dëmshpërblim për të gjitha viktimat, se do të vijë radha edhe për ne, sepse nëse fillojnë të ndajnë viktimat, atëherë gjithçka e humb kuptimin”, thotë Silanoska për Radion Evropa e Lirë.

Bashkëshorti i saj, Slavolub Ristiq, një serb nga Kosova, u rrëmbye në Gjilan në korrik të vitit 1999. Pasi kishin ikur përkohësisht në Mal të Zi, ai ishte kthyer në Kosovë për të aplikuar për një vend pune.

Për gjashtë vjet nuk dihej asgjë për fatin e tij, deri kur më 2005 u konfirmua se kishte vdekur, dhe një vit më pas u varros në Vranjë, thotë ajo.

Ajo dhe i biri, i lindur në Kotor në vitin 1997, jetojnë në Mal të Zi dhe kanë shtetësi malazeze.

Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga ministria përgjegjëse që të përfshijë në vendim edhe familjet e tjera të viktimave civile të luftës.

“Shpresojmë që respektimi i të drejtave të tyre në Mal të Zi të bëhet shembull për vendet e tjera të rajonit, për vendime të ngjashme që do të përfshijnë të gjitha familjet e viktimave të krimeve të luftës”, thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të HRA-së, Komitetit të Juristëve dhe Shoqatës “Shtërpcë”.

 

 


Send this to a friend