VOAL

VOAL

Turp e faqja e zezë! Me shume se 30 orë pa drita, pa uje … Nga Etrita Ibrahimi

October 5, 2020
blank

Komentet

blank

Prokuroria nis hetimet për Adriatik Doçin, gjobëvënësin e Carlo Bollinos

Pas skandalit të gazetarit gjobëvënës Adriatik Doçi, për të cilin janë publikuar të paktën 4 audiopërgjime nga portali PublikTV.Live, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.

Këto audiopërgjime e kanë nxjerrë zbuluar si shantazhues e gjobaxhi, gazetarin e Carlo Bolinos, i cili rrëfen se si në rolin e gazetarit me një portal anonim “Prapaskena”, u vendos gjoba politikanëve, bizneseve, gjyqtarëve e prokurorëve.

Gazetari nuk ka kursyer asgjë në këtë regjistrim tek gazetarja e PublikTV.Live, duke treguar edhe listën e çmimeve të gjobave që ai i ka vendosur pronarëve të bizneseve dhe jo vetëm.

Mësohet sipas burimeve se pas fillimit të hetimeve për audiopërgjmin, disa personazhe të tjerë jopublike dhe të botës së biznesit, kanë ngritur kallëzime ndaj Doçit dhe “Prapaskenës” së tij. Në Gjykata ka pasur disa kallëzime penale e civile ndaj Adriatik Doçit.

Ndërsa bëhet me dije se dhe një tjetër kallëzim po çohet në SPAK, duke kërkuar hetim të thelluar ndaj Adritik Doçit.

Një audio-përgjim i publikuar nga portali “Publik Live”, ka konfirmuar aktivitetin gjobëvënës të Adriatik Doçit, i cili përmes “Prapaskenës”, vendos gjoba të ndryshme financiare ndaj bizneseve dhe zyrtarëve përmes shantazheve dhe shpifjeve.

Pak orë pas publikimit të audiopërgjimit të pare ku Doçi, tregonte se si vendoste gjoba ndaj biznesit dhe politikanëve të lidhur me kryeministrin Edi Rama, u akuza nga media që kishte realizuar përgjimin për kërcënim dhe sharje të gazetarëve të “PublikTV.Live”.

Si rrjedhojë redaksia e portalit PublikTV.Live, publikoi pjesën e dytë të audiopërgjimit ku Adriatik Doçi tregon se si i përulen drejtorë, deputetë, ministra, madje dhe vetë kryeministri nga informacionet që ai disponon.

Pas dy audiopërgjimeve të publikuara, do të vinte dhe i treti ku gazetari Doçi ka raportuar se ai ka marrëveshje me bizneset në formë reklamash dhe që variojnë nga 2 mijë euro në muaj, deri në 10 apo 20 mijë euro.

Gjithashtu, Doçi tregon se ka dhe raste kur i kanë ofruar edhe shtëpi me çmimin e referencës për gjobat, ku sipas tij një shtëpi që kushton 100 mijë euro, ai e merr me 50 mijë.

Ndërsa në audiopërgjimin e katërt thellohet edhe më tej skandali, pasi gazetari gjobëvënës i Karlo Bolinos rrëfen se si shantazhoi gjykatësin e Elbasanit për llogari të një grupi kriminal droge.

Doçi tregon se si gjyqtari në Elbasan mori para nga ky grup, por edhe favoret seksuale nga vajza të mitura. syri.net

blank

Kosova po bëhet shtet pa banda, pa tuxharë, pa grenella e pa argatë t’Serbise Nga Nezir Kraki

Kushtetuta po respektohet

Kosova po pranohet nga Serbia

Vizat po hiqen

Integrimi po pershpejtohet

Njohjet po zhbllokohen

Hajnat po mbesin larg buxhetit

Me fjale tjera…

Kosova po bëhet shtet pa banda, pa tuxharë, pa grenella e pa argatë t’Serbise.

Dmth puna eshte shume mire.
***

Dje me studentë folem per politiken e jashtme dhe diplomacine e BE-se dhe shembull per implikimin konkret te Evropes ne Ballkan e mora rastin e fundit te planit franko-gjerman dhe pranimit te tij nga palet.

Tani mu kujtuan krejt dhunuesit e Kosoves te konvertuar ne shpetimtarë dhe me shkoi buza n’gaz « qysh hala s’ia qellun »😃

blank

Audio-përgjimi i një gazetari gjobëvënës dhe të vërtetat që nuk thuhen aty – Nga Alfred Lela

Për fat të keq, rrugët e gazetarisë shqiptare, sidomos asaj të dekadës së fundit, janë të përmutura kur mund të ishin të përgjakura. Vendet me gazetari të madhe kanë heronjtë dhe emblemat e tyre. Ne jo. Nuk kemi çmime gazetarie me reputacion, por kemi çmime për kokë gazetari. Një anim, një mbështetje, një shitje apo blerje, ka këtë apo atë tarifë. Po kështu, një shantazh, një bakshish, një mbyllje syri dhe një linjë e plotë editoriale.

Këtë ‘listë çmimesh’ e pamë të dëshmohej nëpërmjet gojës së një gazetari të një televizioni shumë pranë Qeverisë Rama. Pandehmat kanë qenë intensive, por ky është rasti i parë që çmimet dhe metodologjia e tyre bëhen publike.

Organizatat e medias nuk reaguan, përveç Këshillit të Medias, një organizatë e re që mbështetet nga KE. Nuk pati asnjë distancim të fortë nga gazetarët, veç e veç apo en block, të njohur apo pak të njohur. Qeveria nuk qiti asnjë pipëtimë.

Qeveria duhet të kishte folur, sepse gazetari në fjalë, edhe nëse nuk ishte në listëpagesën e saj, ishte kokë e këmbë në agjendën e saj. I kamufluar si aktivist, ai ka çuar dy padi në organet e drejtësisë, objekt i njërës sosh është ish-presidenti Meta, një kundërshtar politik i Ramës dhe shefi i një prej dy partive kryesore të opozitës.

Objekt i së dytës është ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Në pamje të parë kjo e bën gazetarin paditës, kalorës të së drejtës: ai lufton të keqen si në opozitë, si në pushtet. Kështu duket, por e vërteta fshihet te detaji i hollë i një lufte për mbijetesë të klaneve brenda barkut të monstrës së inceneratorëve. Kjo e bën padinë, jo betejë të së drejtës, por pritë me porosi.

Të kuptohemi, gazetaria e angazhuar është një gjë, dhe angazhimi në gjobëvënie, duke përdorur ndikimin dhe fuqinë e medias, krejt tjetër.

Nuk e di cila është zgjidhja. Me një qeveri me rekorde kriminale sa i takon raportit me median, nuk mund të kërkosh nisma rregulluese. Vetërregullimi, një ‘instrument i mrekullisë’, që në disa qarqe lokale apo organizmash të huaj, shihet si shpëtim, kërkon shumë kohë, sa frika është se mos gangrena është aq e thellë sa, kur të prodhojë efekt, nëse ia del, gazetaria nuk është më ndërmjetës i publikut me pushtetet, por një prej forcave të së keqes.

Publikut gjithashtu nuk mund t’ja lësh në dorë standardizimin etik, sepse ka tashmë shumë prova se, në numra të mëdhenj, publiku preferon banalen. Madje këtu gjindet edhe një nga arsyet e degjenerimit të medias. Elitat e saj kanë vedosur të mos e formësojnë publikun, por të formësohen prej tij. Shkurt: jepi publikut çfarë ai don. Në këtë ekuacion nuk ka as Çezar dhe as Zot. Ka vetëm një masë amorfe dhe të stërmadhe në kërkim të kënaqësisë. Një masë që nuk mendon. Që ka formuar një kulturën të vetën dhe i beson vetëm asaj. Është ajo që, kaq thjeshtë, e thotë Alain Finkelkraut: sa herë u flet për mendimin, ata të nxjerrin kulturën e tyre.

Në këtë kuptim, Adriatik Doçi dhe doçër të tjerë që tregojnë kujtime të zeza, të poshtërsive që janë kthyer në rend, është vetëm një bulon në mekanizmin e madh kundravajtës të botës mediatike. E cila imiton politiken. E cila prodhohet nga shoqëria.

Për ta mbyllur, nevojiten thënë dy etyde që lidhen me ngjarjen dhe nuk mund të anashkalohen: I pari është fakti se, më të zëshmit në linçimin e gazetarit-shkelës janë ata që vetë njihen si maskarenjtë e portalosferës. Për ta është rasti ideal i shprehjes popullore ‘ma mbaj këtë kopil sa t’i them kurvë asaj tjetrës’.

I dyti kap në një rrjetë britomartis ambasadoren Yuri Kim, e cila i ka dhënë audiencë Adriatik Doçit. Pa ndonjë shkëlqim në gazetari, me sa duket zonjës ambasadore i ka mjaftuar verbi anti-opozitar i gazetarit.

Në të dy rastet, kemi të bëjmë me kulturë, jo mendim.

blank

BIRN: Lirimi i abuzuesve seksualë në Shqipëri shqetësim serioz, sistemi i drejtësisë poshtëron viktimat

Në 16 mars të këtij viti policia në Durrës arrestoi Neralt B, një 23 vjeçar i dënuar me vendim të formës së prerë në qershor 2022 për përdhunim. Policia njoftoi se i riu do duhej të vuante rreth 2 vjet e 7 muaj burg për një ngjarje të ndodhur në gusht 2020, kur ai përmes kërcënimit dhe shantazhit përdhunoi një vajzë 17-vjeçe.

I riu në fakt ishte arrestuar nga policia në 4 gusht 2020. Ai qëndroi në qeli në paraburgim deri në korrik 2021, kur u lirua me kusht për shkak të “zemërgjërësisë” të Gjykatës së Shkallës së Parë në  Durrës.

Vendimi i gjykatës tregon se në korrik 2021 Neralt B. 23 vjeç, u gjet fajtor për përdhunim. Por pavarësisht se vendosi që 23-vjeçari përmes shantazhit dhe kërcënimit kishte përdhunuar një të mitur, një trup gjykues i përbërë nga ish-gjyqtarja Eda Kaja kryesuese, me anëtarë gjyqtarët Rexhep Bekteshi dhe Vladimir Skënderi, e konsideroi të mjaftueshme si kohë burgimi qëndrimin në paraburgim për një vit. Trupa e dënoi në letër Neralt B me 6 vjet burg, që u ul në 4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe u shndërrua në 3 vjet dënim me provë pasi gjykata vendosi të zbatojë nenin 59 të lirimit me kusht.

Në vendim Gjykata e Shkallës së Parë Durrës referon si lehtësuese në pjesën e arsyetimit faktin që i riu ishte “penduar thellë” dhe një letër nga babai i viktimës që pretendon se marrëdhëniet mes familjeve ishin normalizuar.

Por pasi prokuroria e Durrësit e ankimoi lirimin me kusht në qershor 2022 Gjykata e Apelit në Durrës e gjeti të padrejtë vendimin e lirimit, duke e argumentuar me rrezikshmërinë e veprës penale.

BIRN gjeti se një rast i tillë nuk ishte hera e parë që ndodhte. Në 4 vendime për veprat penale të dhunës seksuale ndaj të miturave 14-18 vjeç të marra nga gjykata në Durrës në vitet 2020-2022, 2 ishin ndryshuar në Apel për të rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë për liri me kusht. Ndërkohë në një nga vendimet, ka qenë  Apeli që ka shkuar në krahun tjetër duke e dhënë ai dënimin e zbutur.

Për ekspertët kundër dhunës ndaj grave kjo është vetëm dukja e një fenomeni që i detyron vajzat e mitura të dhunuara të heshtin, ndërsa e bën gjykatën pjesë të sistemit të dhunës ndaj tyre dhe ndikon në mosdenoncimin e dhunës dhe shtimin e saj.

Rezarta Agolli, juriste pranë Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), thotë për BIRN se viktimat e dhunës duhet të sfidojnë një sistem të tërë të ngritur kundër tyre, i cili u bën presion për të heshtur dhe i shtyn drejt tërheqjes së kallëzimeve dhe ndryshimit të dëshmive.

Një sistem të cilin vendimet e buta të gjykatës e inkurajojnë.  “Edhe në rastet me të mira kur kallëzuesja nuk heq dorë nga kallëzimi dhe kërkon dënimin e autorit të veprës penale, nëpërmjet sistemit te korruptuar ata autorët gjejnë hapësira për t’i shpëtuar dënimit”, tha Agolli.

Viktimat në “çark”

Vendimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj të Shkallës së Parë në Durrës për akuzën e përdhunimit të 4 adoleshenteve në 4 vitet e fundit duke në si përsëritje e njëra tjetrës. Në tre raste gjykata është përballur me ndryshim të dëshmive të viktimave dhe të afërmve të tyre, që tregon se ata ishin para presionit.

Në një rast dëshmia e ndryshuar e të dhunuarës është marrë kur ajo nuk ishte më në Shqipëri. Sipas vendimit të gjykatës viktima, një 16 vjeçare e dhunuar nga një 29-vjeçar e ndryshoi dëshminë duke pretenduar se shenjat e dhunës, për të cilat ajo qëndroi disa ditë e shtruar ishin shkaktuar nga përplasja me një tavolinë.

Vajza iu nënshtruar edhe tre ekspertizave kriminalistike gjatë hetimeve. E fundit prej këtyre, siç del në vendimin e gjykatës, duke iu referuar edhe kohës së kaluar nga ngjarja duket se pranoi dyshimet se shenjat e lëndimeve mund të ishin nga mjete të tjera.

Por gjyqtarja e çështjes Besjana Garxenaj nuk e pranoi këtë ndryshim qëndrimi. Garxenaj iu referua në vendim qëndrimit të mjekes gjinekologe që kishte shtruar vajzën në Spitalin e Durrësit menjëherë pas ngjarjes dhe kartelës së hapur për këtë qëllim, në të cilën bëhet e qartë se ajo ishte viktimë e dhunës seksuale. Garxenaj po ashtu nuk i mori për bazë dëshmitë e zbutura të dhëna në vijim dhe vendosi dënimin me 5 vjet burg të 29-vjeçarit Skerdjan P.

Kjo nuk i dha fund historisë, pasi me një vendim për të cilin Gjykata e Apelit Durrës ka bërë publik vetëm dispozitivin, vendimi i Garxenajt u ndryshua dhe përdhunuesi u lehtësua duke u dënuar përfundimisht vetëm me kusht.

Aktivistja Rezarta Agolli thotë se kjo mënyrë e të trajtuarit të viktimave të dhunës dhe mungesa e ndëshkimit për dhunuesit bie mbi viktimat e veprave penale. “Pasojat për viktimat nga vepra penale janë shumë të rënda. Nuk ekzistojnë projekte afatgjata për rehabilitimin e tyre dhe ato me të drejtë lodhen, herë-herë ato bëhen viktima të krimeve të tjera të pasionit deri ne trafikim”, tha ajo.

Agolli thotë se ishte bërë praktikë që mbas 2 muaj mase sigurimi “arrest në burg”, gjykatat e rretheve gjyqësore me kërkese të të pandehurit bëjnë zëvendësimet e masave të sigurimit  për të arrestuarit për këto vepra me arsyet shpesh “të pabaza e qesharake”.

Ndërkohë sipas avokates durrsake Shqiponja Meta, këto vepra penale kanë marzh dënimi të lartë dhe lirimi i autorëve sjell së pari pasiguri dhe rrit kriminalitetin. “Këta persona kanë rrezikshmëri të lartë për recidivizëm (prirje për përsëritje të krimit), sidomos kur kanë diferencë të madhe në moshë mes autorit dhe viktimës”, tha Meta.

Tërheqja e viktimave si mbrojtje për dhunuesit

Gjetja e mjeteve për lehtësimin e dënimit të autorëve, kur kallëzimi nuk tërhiqet dhe çështja përfundon në gjyq, është një nga përpjekjet e palës mbrojtëse në gjykim.

Sipas përfaqësueses së organizatës AWEN, favorizimi i autorëve në gjykim është i shpeshtë përmes aktivizimit të mjeteve të tjera, si deklarata para noterëve nga viktima, ose deklarata për normalizim marrëdhëniesh nga familjarët e saj, siç ndodhi në rastin e gjykimit të Neralt B që u pasua me zbutje të dënimit në Shkallën e Parë.

E pyetur nga BIRN për fenomenin dhe aplikimin e nenit 59, Prokurorja e Rrethit Gjyqësor Durrës Anita Jella thotë se vlerësimi bëhet rast pas rasti, po kur prokurori çmon se vendimi i gjykatës nuk ka qenë i drejtë e ankimon atë.

“Synimi është që përmes dënimeve të rënda të parandalohet fenomeni që po rritet ndjeshëm në shoqërinë tonë”, tha Jella .

Një prej apelimeve është një vendim ndaj një shpërndarësi picash në Durrës, që kishte pasur raport me një 12-vjeçare.

Edhe në këtë rast arsyetimi i gjykatës ka qenë se i riu, që u gjet fajtor për nenin 100 të Kodit Penal, ishte i vetmi krah pune për familjen e tij dhe se ai nuk e dinte moshën reale të vajzës, por mendonte se ishte më e madhe. Gjithashtu, gjykata në këtë rast pati arsyetuar se vendimmarrja është ndikuar edhe nga pandemia.

Kështu shpërndarësi i picave i dënuar fillimisht me 7 vjet burgim dhe në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, për uljen me 1/3 e dënimit, me 4 vjet e 8 muaj burgim, u la i lirë nga gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, në zbatim të nenit 59.

Pas ankimit të prokurorit gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi dënimin e dhënë dhe të shfuqizojë pezullimit të dënimit me burgim. Por ky proces merr shpesh deri në dy vjet, duke e bërë mjaft të vështirë për viktimat e dhunës dhe duke e zbehur çështjen.

Sipas aktivistes Agolli ky proces shpesh i gjatë hetimit dhe kalvari i gjatë në gjykatë deri në dënimin e autorit, i lodh viktimat. “Kalimi i një kohe të gjatë nga data e ndodhjes së ngjarjes deri në përfundim të procesit gjyqësor e zbeh çështjen dhe përfundimi është zbatimi i dënimeve alternative deri te pezullimi i dënimit me burgim dhe vënia në provë”, thotë ajo.

Ndëshkimet e buta ndaj dhunuesve shpesh janë fajësuar për krime të përsëritura apo për ngjarje më të rëndë në të cilat gratë dhe vajzat humbi jetë në duar të dhunuesve.

Agolli thotë se rrjeti AWEN që përbëhet nga 9 organizata të shpërndara në rrethe të ndryshme të vendit dhe që punojnë në mbrojtje të drejtave të vajzave dhe grave po lobojnë për më shumë vëmendje dhe dhënien fund të paligjshmërisë në dëm të miturve dhe vajzave e grave.

Aktivistja thotë se për të ndihmuar viktimat duhet bashkëpunim dhe bashkërendim institucional “që të drejtat e tyre të mos mbeten në letër”./BIRN

blank

Si i zemëroi ukrainasit Oscari për Navalnyn

Aleksander Palikot

Ata kanë një armik të përbashkët: presidentin rus, Vladimir Putin, i cili ka nisur pushtimin e Ukrainës, duke vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka burgosur kundërshtarë, ka kufizuar liritë dhe ka shtypur pakënaqësitë.

Por, më shumë se një vit prej se Rusia ka nisur agresionin te fqinji i saj, shumë ukrainas nuk i besojnë opozitës ruse, e sidomos armikut më të shquar të Putinit, Aleksei Navalny.

Dhe këtë asgjë nuk e ilustron më qartë se ndarja e Çmimit Oscar për “Navalnyn” – një dokumentar që flet për jetën e politikanit dhe aktivistit kundër korrupsionit, tashmë të burgosur.

Navalny i ka mbijetuar një sulmi me agjent nervor në vitin 2020, për të cilin ai ka fajësuar Putinin.

Akademia e Arteve e Shteteve të Bashkuara e ka shpërblyer dokumentarin për të me Oscar më 12 mars.

Për shumë në SHBA dhe në Perëndim, çmimi ka qenë kritikë e hapur për pushtimin rus të Ukrainës.

Gjatë pranimit të çmimit, regjisori i dokumentarit me origjinë kanadeze, Daniel Roher, ka thënë se Navalny po dënohet “për atë që ai e quan luftë të padrejtë të agresionit të Putinit në Ukrainë”.

Regjisori Daniel Roher duke folur derisa pranoi Oscarin për Filmin më të Mirë Dokumentar me metrazh të gjatë në Los Anxhelos, më 12 mars.

Regjisori Daniel Roher duke folur derisa pranoi Oscarin për Filmin më të Mirë Dokumentar me metrazh të gjatë në Los Anxhelos, më 12 mars.

Por, për shumë ukrainas – nga këshilltari kryesor i presidentit Volodymyr Zelensky deri te gazetarët, aktivistët dhe njerëzit në mediat sociale dhe në rrugë – veprimi i Hollywoodit ka qenë naiv dhe ka shprehur mungesë respekti për luftën e tyre kundër agresionit rus.

Janë disa faktorë që e kanë nxitur këtë reagim. Disa prej tyre lidhen ngushtë me figurën e Navalnyt, i cili ka tërhequr vëmendjen e botës me disa deklarata që janë parë si raciste dhe ksenofobike.

Në Ukrainë, ndërkaq, ka ngjallur zemërim për komentet për Krimenë – Gadishullin ukrainas të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Në mesin e disa ukrainasve, komentet që ka bërë Navlany në të kaluarën, kanë nxitur dyshime se ai “është prerë nga e njëjta pëlhurë” sikurse Putini, i cili ka thënë se Ukraina nuk është komb i vërtetë dhe se mund të ekzistojë vetëm si pjesë e një “bote ruse”, të dominuar nga Moska.

Era e propagandës ruse

“Navalny është një sanduiç i paketuar në një kuti dreke, që transportohet nëpër botë si dëshmi se në Rusi ka ende opozitë”, ka shkruar në Twitter Andriy Sadoviy, kryebashkiak i qytetit Lviv në Ukrainë.

Statuja e Oscarit, ka thënë ai, “mban tani erën e propagandës ruse”.

Sadoviy u është referuar komenteve që Navalny ka bërë në një intervistë radiofonike në vitin 2014, duke thënë se Moska e ka pushtuar Krimenë përmes “shkeljeve të rënda të të gjitha rregulloreve ndërkombëtare”, por ka parashikuar se gadishulli do të mbetet për një kohë të gjatë pjesë ‘de facto’ e Rusisë dhe nuk do t’i kthehet Ukrainës “në të ardhmen e parashikueshme”.

Yulia Navalny, gruaja e disidentit të burgosur Alexei Navalny, duke folur pranë vajzës së saj, Daria9majtas) dhe regjisorit Roher, në ceremoninë e shpërblimeve Oscars më 12 mars.

Yulia Navalny, gruaja e disidentit të burgosur Alexei Navalny, duke folur pranë vajzës së saj, Daria9majtas) dhe regjisorit Roher, në ceremoninë e shpërblimeve Oscars më 12 mars.

Ai me sarkazëm ka pyetur intervistuesin nëse Krimeja është një “një sanduiç me sallam për t’u shpërndarë herë këndej, e herë andej”.

Mbështetësit e tij thonë se Navalny ka ndryshuar qëndrimin e tij publik ndaj Krimesë dhe i ka bërë thirrje Moskës që t’i respektojë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Muajin e kaluar, ai ka lëshuar një deklaratë prej 15 pikash, duke dënuar “luftën e padrejtë të agresionit”, të cilën “Putin e ka nisur nën pretekste qesharake”. Ai i ka bërë thirrje Rusisë që “ta ndalojë agresionin, t’i japë fund luftës dhe t’i tërheqë të gjitha trupat e saj nga Ukraina”.

Megjithatë, shumë ukrainas mbeten skeptikë dhe kujtojnë pjesëmarrjen e tij në marshimet ultra-nacionaliste në Rusi në vitet 2000, si dhe mbështetjen e tij për agresionin e Rusisë kundër Gjeorgjisë në vitin 2008.

Për këtë të fundit, Navalny ka kërkuar falje. Ai nuk ka kërkuar falje për deklaratat e kaluara, të cilat, sipas kritikëve, kanë qenë raciste dhe kanë kontribuar në dyshimet në Ukrainë dhe gjetkë në ish-Bashkimin Sovjetik, se ai është një shovinist rus, politikat e të cilit – nëse do të vinte ndonjëherë në pushtet – do të ndryshonin pak nga ato të Putinit.

“Navalny e ka fituar Oscarin e tij, sepse ka luajtur në mënyrë të përsosur një figurë të opozitës ruse”, ka thënë komediani ukrainas, Anton Tymoshenko.

Për disa, kjo përshtypje thellohet edhe më shumë nga shenjat e lidhjeve midis opozitës dhe manjatëve rusë. Këta të fundit shihen gjerësisht si pjesë e sistemit të Putinit, edhe nëse nuk e kanë mbështetur me zë Kremlinin ose pushtimin e Ukrainës.

Edhe para pushtimit të Ukrainës, në këtë vend ka pasur dyshime për potencialin e Rusisë për të ndryshuar qëndrimet e saj ndaj ish-republikave të tjera sovjetike, pavarësisht se kush është në pushtet në Kremlin.

“Trauma post-imperiale ndikon në të gjitha ndjenjat tona për rusët dhe politikanët rusë”, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë Taras Berezovets, një analist politik ukrainas, i cili tani është oficer ushtarak.

Jo vetëm lufta e Putinit

Oscari për dokumentarin e Navalnyt ka ndezur edhe ata ukrainas, që thonë se shumë në Perëndim përpiqen t’ia hedhin të gjithë fajin Putinit për agresionin në Ukrainë, por, sipas tyre, përgjegjësia është e përhapur përtej presidentit.

Myroslava Barchuk, gazetare e mirënjohur ukrainase dhe nënkryetare e Qendrës PEN Ukrainë, ka shkruar në blogun e saj se vendimi për ndarjen e Oscarit për “Navalnyn” dëshmon se “për industrinë globale të filmit, kjo është lufta e Putinit, jo lufta e Rusisë” – një qasje që, sipas saj, liron nga përgjegjësia dhe faji shumicën e rusëve.

Një punëtor duke mbuluar me ngjyrë mbishkrimet për Navalnyn në Shën Petersburg, në prill të vitit 2021. Pranë portretit të Navalnyt shkruan "Heroi i kohëve të reja".

Një punëtor duke mbuluar me ngjyrë mbishkrimet për Navalnyn në Shën Petersburg, në prill të vitit 2021. Pranë portretit të Navalnyt shkruan “Heroi i kohëve të reja”.

Derisa rezultati i luftës nuk dihet, ruajtja e mbështetjes së SHBA-së dhe Perëndimit është prioritet për Ukrainën. Por, kjo nuk është hera e parë që Akademia e Arteve në SHBA ka zemëruar ukrainasit.

Raportohet se ajo ka refuzuar dy herë një kërkesë të Zelenskyt për të folur gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar.

“Nëse Oscari është jashtë politikës, si duhet ta kuptojmë manifestin dokumentar për Navalnyn, të tejmbushur me politikë të brendshme ruse?”, ka pyetur këshilltari i Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak.

“Nëse Oscari është jashtë kontekstit të luftës në Ukrainë dhe gjenocidit masiv të ukrainasve, pse flisni vazhdimisht për humanizëm dhe drejtësi?”, ka shtuar ai.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka thënë revistës gjermane “Bild” se shpërblimi me Oscar i filmit kundër luftës “All Quiet On The Western Front” dhe moslejimi i Zelenskyt të mbajë fjalim në ceremoni, kanë qenë gjëra “qesharake” dhe “hipokrite”.

*Video nga arkivi: Si i xhiroi momentet “e jashtëzakonshme” regjisori i dokumentarit për Navalnyn?

Oleksandr Rodnyanskiy, producent ukrainas i filmit dhe anëtar i Akademisë, i ka thënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se zemërimi tek ukrainasit është kryesisht rezultat i keqkuptimit.

Rodnyanskiy ka thënë se, në 95 vjet të ekzistencës së ceremonisë së çmimeve Oscar, “asnjë politikan që nuk ka qenë i lidhur me filmin që ka fituar një Oscar ose së paku ka qenë i nominuar”, nuk ka mbajtur fjalim, dhe Akademia “nuk ka dashur të krijojë precedent”.

Për shumicën e anëtarëve të Akademisë, vota për “Navalnyn” ka pasqyruar dënimin e “regjimit totalitar brenda [Rusisë]” dhe të “krimeve [të saj] të luftës në Ukrainë”, ka thënë Rodnyanskiy, duke shtuar se: “Hollywoodi është një nga promovuesit më të mëdhenj të idesë së mbështetjes për Ukrainën”.

Përgatiti: Valona Tela
blank

Genc Burimi: Vizita e Ramës në Londër- për të dhënë llogari mbi dyndjen e emigrantëve shqiptarë

Analisti Genc Burimi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, teksa ka komentuar vizitën e kryeministrit në Britani si edhe deklaratat e tij në lidhje me sulmet mbi median në vend.

Burimi deklaroi se vizita e Ramës në Londër ishte një vizitë e dështuar në gjithë pikëpamjet pasi kjo është hera e parë që një kryeministër viziton Britaninë jo për marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve, por për të dhënë llogari mbi dyndjen e emigrantëve shqiptarë.

Sa u përket komenteve të kryeministrit ku ai u shpreh se nuk i ka vendosur asnjë gjobë mediave në vend, Burimi u shpreh se Rama ka bërë lojë fjalësh, ndërsa shtoi se duke sulmuar një biznes si “Prestige Resort” të lidhur me median News24 është të dobësosh këtë të fundit ekonomikisht si pjesë e grupit ekonomik.

“Vizita e Ramës në Londër ishte një vizitë e dështuar në gjithë pikëpamjet. Edi Rama iu nënshtrua intervistave në lidhje me dyndjen e shqiptarëve drejt Anglisë. Për këtë arsye nuk mbaj mend në histori që një kryeministër viziton Londrën jo për marrëdhënie dypalëshe normale, por për të dhënë llogari për dyndjen e shqiptarëve në një kohë paqeje.
Në intervista ai u jep leksione britanikëve, nuk është ai që bën politikën e Britanisë. I bëhet pyetja se pse vijnë njerëzit në masë dhe ai thotë se të gjithë kanë nevojë të largohen. Të vendosësh jetën në rrezik për të kaluar La Manshin do të thotë se rreziku në Shqipëri është më i madh.

 

Të njëjtën gjë bën edhe me News24. Kur i bëhet pyetja për gjobën që ka vendosur, ai bën lojë fjalësh. Imagjinoni sikur në Francë, 3 kanalet që japin lajm si News24 pa ndërprerë u takojnë disa biznesmenëve të mëdhenj. Imagjinoni sikur në Francë qeveria t’i vihet ndërmarrjeve të tjera të këtyre pronarëve dhe të thotë se nuk i ka rënë medias. Duke dobësuar grupin në tërësi do të thotë se ke dobësuar median. Ai thotë se si mund të godasë median dhe fjalën e lirë kur vetë është goditur për fjalën e lirë.
Si mund t’i bie unë mediave thotë kur kam ngrënë levën në kokë për fjalën e lirë, e bën dhe më keq akoma. Ai e bën në mënyrë më të ndyrë dhe u bie qindra punonjësve që mund t’i nxjerrë pa punë dhe të dynden në Angli më pas.

blank

 

Media bën pjesë në një grup ekonomik. Rama kërkon të na bëjë për budallenj. Doli raporti i DASH, do dalin dhe shumë raporte të tjera për këto ngjarje. Rama ia arriti të hiqte vëmendjen nga McGonigal me gjyqin e PD-së në 3 mars. Por nuk do i shpëtojë asaj. Të huajt janë në dijeni dhe nuk është normale ajo që bën Rama. Gjërat që po i nxjerr grupi Hysenbelliu
Balluku thotë që kemi vënë gjoba se kemi parë që gazetarët paguhen pa u siguruar totalisht. Kjo qeveri ka kohë të shohë nëse paga që merr një gazetar te ju është nën mesataren e gazetarëve në vend. Këta pse nuk vëzhguan ku shkonin paratë e inceneratorëve, dhe vënë re se sa paguhen gazetarët këta. Akoma paguajnë koncesionin e analizave mjekësore, ndërsa në kohën e Covidit nuk kishte analiza.

Jemi në një shtet të së drejtës, nuk mund të merren vendime pa një vendim gjyqësor. Nuk ecet me ekzekutivin si të shenjtë, ai gabon kudo. Këtu ministri i financave është arrestuar sepse bënte luftë për evazion fiskal, ndërsa kishte fshehur miliona. Nëse Balluku dhe Rama kanë dyshime për evazion fiskal këtë e provon drejtësia dhe jo të shkojë e të hedhë në erë hotelin. Ligji njeh vetëm rrogën minimale, por jo se sa të paguhen punonjësit, nuk është roli i qeverisë ky sepse bëhet si Big Brother.

Balluku thotë që u sulmua Prestige dhe nuk ishte sulm ndaj medias. Këtë bëjnë ata. Ka shumë kontradikta në këtë histori të cilat i zgjidh gjykata dhe jo në Shqipëri. E njëjta gjykatë që i ktheu vjehrrit të Lulzim Bashës. Ose Rama të na fusë në BE dhe të zbatojë metodat e tyre. Mos të na japë as ai e as Balluku leksione sepse janë vetëm pjesë e ekzekutivit.
Në Shqipëri duhet të ketë ligj vetëm për një mandat se më pas u merr koka erë, të ketë një ligj që të paguajnë nga xhepi për shkeljet që bëjnë. Këta që janë sot në fuqi do i godasë drejtësia një ditë, edhe Rama do dalë një ditë në pension. Prandaj e zgjat qëndrimin në pushtet ai, e di që nëse largohet do ndëshkohet.

Në BBC u tregua fodull Rama dje, ndërsa sot e drodhi deklaratën për ministren sepse ka marrë një presion të fortë nga Britania e Madhe. Britania ka presion më të madh pasi shpalli non-grata Berishën, por edhe ky mund të shpallet non-grata nëse vazhdon kështu. Nëse kumbari i tij Erdogan humb zgjedhjet do ketë humbur një mbështetje të fortë”, tha ai.

blank

REL: Institucionet e Serbisë që funksionojnë lirshëm në Kosovë

Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999.

Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit.

Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.

Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.

Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”.

Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende.

Në një raportim para Kuvendit të Kosovës, më 23 mars, Kurti ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim” dhe ka shtuar se nuk mund t’iu shmanget marrëveshjeve të mëhershme me Serbinë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes për normalizim, që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për REL-in, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se strukturat paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, do të futen në kuadrin ligjor të Kosovës kur ta formojë Asociacionin.

“…kështu që ato nuk do të jenë të udhëhequra nga Serbia, por nga Kosova, përmes Asociacionit”, ka thënë Escobar.

Por ku gjenden këto struktura dhe si funksionojnë?

Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.

Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.

Duke qenë se komuna paralele e Prishtinës është më e madhja në Kosovë, REL-i ka vizituar objektin e saj në Graçanicë, por aty nuk është lejuar qasja e as fotografimi.

Kohë më parë, REL-i ka vizituar edhe komunën paralele serbe në Zveçan. Ajo është në të njëjtin objekt me Komunën e Zveçanit, të krijuar nga institucionet e Kosovës.

Në disa raste, kryetarët dhe stafi serb janë të njëjtë – punojnë edhe për sistemin e Kosovës, edhe për atë të Serbisë.

Qeveria e Serbisë emëron rregullisht persona në poste udhëheqëse në komunat e saj paralele në Kosovë.

Këto janë disa nga vendimet e nënshkruara nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, për komunën paralele të Prishtinës dhe atë të Suharekës:

  • foto galeri

Më 23 korrik, 2021, Qeveria e Serbisë emëroi drejtues dhe anëtarë në këto 16 komuna paralele në Kosovë: Kaçanik, Skenderaj, Fushë Kosovë, Shtime, Deçan, Podujevë, Prishtinë, Dragash, Vushtrri, Istog, Pejë, Gjakovë, Rahovec, Zveçan, Suharekë, Leposaviç.

Mbi 70 shkolla të Serbisë në Kosovë
Që nga përfundimi i luftës së viteve ‘98-‘99 e deri sot, Serbia ka ruajtur sistemin e saj arsimor në Kosovë. Më shumë se 70 shkolla të të gjitha niveleve, të menaxhuara e financuara nga Serbia, funksionojnë në territorin e Kosovës.

Ato kanë plan-programet e tyre. Për shembull, një nxënës serb i klasës së dytë mëson nga i njëjti libër sikurse një nxënës i klasës së dytë në Serbi.

Disa përpjekje të institucioneve të Kosovës për t’i integruar këto shkolla në sistemin e arsimit të Kosovës, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Serbia udhëheq edhe universitete në Kosovë. Universiteti paralel i Prishtinës ndodhet në Mitrovicë të Veriut.

Ai nuk i jep llogari shtetit të Kosovës dhe nuk ka fare lidhje me sistemin arsimor në Kosovë. Financohet dhe menaxhohet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë.

Numri i saktë i punëtorëve të arsimit që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, nuk është publik.

Sistemi paralel i shëndetësisë

Ambulanca, spitale dhe qendra të tjera shëndetësore financohen dhe menaxhohen nga shteti i Serbisë në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Qendra të mjekësisë familjare ka në shumicën e fshatrave ku jeton komuniteti serb.

Spitalet më të mëdha të financuara dhe menaxhuara nga Serbia, janë tri: në Mitrovicë të Veriut, në Graçanicë dhe në fshatin Pasjan të Gjilanit.

Numri i saktë i punëtorëve shëndetësorë që punojnë në institucione të tilla, nuk është publik.

Zyrat për punësim, pensione dhe sigurime shëndetësore
Serbia mban aktive edhe një numër të madh zyrash për punësim në Kosovë.

Një e tillë është në Graçanicë, ku më 21 mars kishte qytetarë të shumtë që merrnin shërbime.

Zyra të tilla paralele operojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës, por më aktivet janë ato në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në tabelën në hyrje të objektit shkruan: Qendra Nacionale për Punësim, Zyra krahinore për punësim, Kosovë dhe Metohi, Dega Prishtinë.

Në Graçaninë dhe komuna të tjera me shumicë serbe funksionojnë, po ashtu, zyra për pensione të Republikës së Serbisë.

Serbia ka në Kosovë edhe zyra për sigurime shëndetësore, pasi çdo serb i Kosovës, sipas ligjeve në Serbi, ka të drejtën e sigurimit shëndetësor.

Posta e Serbisë, funksionale në Kosovë

Aktiviteti i Postës së Serbisë nuk është shumë i dukshëm në Kosovë, por para objektit të saj në Graçanicë shihen dhjetëra vetura të parkuara të këtij institucioni paralel.

Posta e Serbisë funksionon, po ashtu, pa pajtimin e institucioneve të Kosovës.

Sistem paralel i kulturës

Qendra të ndryshme kulturore, librari e biblioteka janë të shumta në lokalitetet ku shumica e banorëve janë serbë.

Në Graçanicë ushtron funksionin Teatri Popullor i Prishtinës – institucion paralel i financuar dhe menaxhuar nga institucionet e Serbisë.

Në të njëjtin objekt është edhe Qendra Kulturore e Graçanicës, e cila ngjashëm menaxhohet dhe financohet nga Serbia.

Biblioteka Kombëtare e Serbisë gjendet, po ashtu, në Graçanicë.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut janë funksionale: Biblioteka e qytetit “Vuk Karaxhiç”, Muzeu i Qytetit, Qendra kulturore “Dragica Zharkoviç” – të gjitha institucione paralele.

Atje funksionon edhe organizata humanitare Kryqi i Kuq i Serbisë.

Sporti paralel
Shumë klube sportive nga lokalitetet me shumicë serbe në Kosovë garojnë në garat shtetërore të Serbisë.

Vetëm në Mitrovicë të Veriut janë disa klube që nuk janë pjesë e ligave e as sistemit të Kosovës, si: Klubi i futbollit “Trepça”, Klubi i futbollit “Rudari”, Klubi i basketbollit “Trepça”, Klubi i atletikës “Trepça” dhe Klubi i hendbollit “Trepça”.

Klube të tilla ka edhe në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok, por edhe në komuna të tjera të banuara me serbë në pjesën jugore të Kosovës.

Serbia mban aktive edhe ndërmarrje publike
Në territorin e Kosovës janë aktive edhe ndërmarrje dhe kompani të ndryshme publike të Serbisë. Disa prej tyre që funksionojnë në baza të rregullta, janë: Drejtoria për Hapësirë Banesore dhe Afariste me bazë në Mitrovicë të Veriut, Drejtoria për Tokë Ndërtimore dhe Rrugë me bazë në Mitrovicë të Veriut dhe kompania publike e ujësjellësit “Ibri”, po ashtu me bazë në Mitrovicë të Veriut.

Në ueb-faqet e këtyre ndërmarrjeve shihen aktivitetet e tyre që përfshijnë ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen, riparimin e dëmeve e të tjera.

Të integruarit që u çintegruan sërish

Me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për të integruar disa struktura paralele serbe brenda sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Mbi 700 persona që kanë punuar në organizatën “Mbrojtja Civile”, e cila ka operuar në komunat në veri, janë integruar në institucionet e Kosovës në vitin 2016.

Për këtë organizatë ka pasur perceptime të ndryshme – nga institucionet e Kosovës, ajo është cilësuar si strukturë ilegale paraushtarake, ndërsa për serbët ka qenë strukturë për ofrimin e ndihmës për civilët në raste emergjente.

Shumica e pjesëtarëve të kësaj strukture janë integruar në Policinë e Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

blank

Shitja e ‘Top Channel’, Berisha: Akt mafioz i Edi Ramës, krim ndaj publikut

‘Akt mafioz të Edi Ramës’, e cilëson kryetari i Patisë Demokratike Sali Berisha, shitjen e Top Channel në prag të fushatës elektorale. Sipas tij ky është një akt që shkel të gjitha ligjet e vendit, dhe krim i shëmtuar ndaj publikut Shqiptar. Berisha solli në vëmendje edhe rastin e ngjashëm me televizionin ABC News, teksa komentoi edhe skandalin e audiopërgjimit të gazeterit Adriatik Doçi.

SYRI TV

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, e cilëson si aferë korruptive shitjen e televizionit  kombëtar Top Channel në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit. Në konferencen e përjavshme të gazetarëve, teksa iu referua dokumenteve të publikuata nga CNA.AL, të kontratës të shitjes së Top  Channel në Belizë, vend i njohur si një nga parajsat fiskale, Berisha tha se pronarja e këtij televizoni po bën krim të shëmtuar ndaj publikut.

Berisha hodhi akuza edhe për përfshirjen e mediave në aferën me inceneratorët.

Duke u ndalur tek kapja e mediave në vend, lideri demoktrat solli në vëmendje edhe rastin e televizionit Abc News.

Po ashtu kryedemokrati komentoi, edhe skandalin e audiopërgjimit të gazetarit Adraitik Doçi.

Dhe sipas Berishës, skemat e Adriatik Doçit është një skemë universale dhe se vendi po përjeton ditët më të zeza në historinë e mediave.

blank

Gjobëvënësi i Bolinos- Shoqatat e medieve: Të nisë hetimi

Pas audio-përgjimit me protagonist gazetarin Adriatik Doçi, ka reaguar Këshilli i Medias. Në deklaratën e saj, theksohet se gazetari Doçi artikulon shkelje të rënda, të cilat janë shantazh i hapur. Duke i kërkuar organeve të drejtësisë të hetojnë këtë rast, Këshilli i Medias thekson se problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu dhe problem se si ky pushtet përdor gazetarë dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik

SYRI TV

Këshilli i Medias ka reaguar pas audio-përgjimit ku protagonist është gazetari Adriatik Doçi. Në reagim thuhet se gazetari artikulon verbalisht disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës.

“Siç biseda audio lë të kuptohet, gazetari i përgjuar artikulon verbalisht disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës së gazetarit. Reklama në shkëmbim të heshtjes apo mos-sulmit, tarifa mujore të marra nga biznese në shkëmbim të mos-raportimit të problemeve të produkteve tregtare, të cilat dëmtojnë jetën e konsumatorëve, janë vetëm një pjesë në arsenalin që personi në audio-përgjim pranon se disponon dhe përdor, në mënyrë jo-etike, por edhe të paligjshme. I një shkeljeje sipërore jo vetëm etike, por dhe e turpshme, është edhe rasti kur personazhi i përgjuar flet për marrëveshje me narkotrafikantët”.

Këshilli i Medias tregon se ajo që gazetari pranon në këtë audio-përgjim është shantazh. Më tej në reagim, thuhet se problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu dhe problem se si ky pushtet përdor gazetarët të caktuar dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik.

“Këshilli i Medias e sheh me alarm audio-përgjimin dhe informacionet që dalin prej aty, dhe e dënon këtë akt, siç dënon çdo rast kur gazetarët nuk ndjekin dhe nuk respektojnë misionin e tyre, të të qenit rojtarë të shkeljeve të pushtetit dhe njerëzve të fuqishëm. Problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu problem i pushtetit dhe faktit se si ky pushtet përdor gazetarët të caktuar dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik”.

Këshilli i Medias do t’i kërkojë Bordit të Etikës që të mblidhet në një mbledhje urgjente dhe të formulojë një qëndrim që nuk merret vetëm me rastin, por edhe kontekstin.

Gjithashtu i kërkohet organeve të ligjit që ta hetojnë këtë rast dhe se ky rast nuk duhet të merret si një shfajësim për ligjin “anti-shpifje” të qeverisë.

blank

Përgjimi tjetër- Gazetari gjobëvënës i Bolinos rrëfen si shantazhoi gjyqtarin për llogari të një grupi kriminal

Skandali vijon. Audiopërgjimi i katërt për gazetarin Adriatik Doçi është publikuar.

Në audiopërgjimin e radhës, gazetari Adriatik Doçi rrëfen se si shantazhoi gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit për llogari të një grupi kriminal droge. Për llogari të një grupi kriminal, me të cilët Doçi kishte marrëveshje, sulmoi gjyqtarin.

Doçi tregon se një gjyqtar në Elbasan mori para nga grupet kriminale të drogës dhe kërkonte favore seksuale nga vajza të mitura.

Duke shfrytëzuar këto informacione, Doçi e publikoi skandalin për llogari të grupeve kriminale dhe e çoi gjyqtarin tek miku i tij, që ishte pjesë e grupit kriminal të drogës, për të bërë marrëveshje.

 “Kisha një dosje njëherë, ishte një kryetar gjykate në Elbasan dhe prokuroria ndiqte një grup që shiste kokainë. Ata ishin shumë të fuqishëm, i kishin lekët me valixhe, ata e kishin korruptuar këtë gjyqtarin.

Ishte në ndjekje me dosje në prokurori, se policia dhe prokuroria kanë grupe vëzhgimi në terren, kur ndiqesh për një krim, policia të vëzhgon, të fotografon dhe e përgjonin këtë gjyqtarin.

Ky tani merrte lekë, po nuk i bënin më përshtypje lekët dhe donte gjëra të tjera, edhe ata i çonin femra këtij gjyqtarit, mirëpo ky ishte i fiksuar me gjimnazistet, e kisha parë në dosje, nën moshën 18 vjeç, që është shkelje ligji, vepër tjetër penale, edhe ok, shkonin ato i i gjenin se kishin lekë shumë dhe ia çonin në filan vend. Pastaj ishin disa detaje të tjera shumë të rënda që nuk hyja se s’ia vlen.

Ky pastaj kishte pagujtë, e kishte mbyll dosjen. Vazhdonte detyrën, ia kishin mbyllur ata.

Unë kisha informacionin me dosje me të gjitha, edhe shkruaj gjyqtari filan me emër mbiemër, u kap ne këtë, shkoi me gjimnaziste, u bë nami në Elbasan se e di si përhapet lajmi.

Më vjen ai, i ishte ngrit diabeti, ma kish gjet numrin me vjen tek zyra e prita unë tek zyra dhe po rrinte kështu, çoje mor kokën, kryetar gjykate ëëë, e kupton rrinte kështu çoje mor kokën se s’ka ndonjë gjë, tha më vjen keq për një gjë tha se jam dhe gjysh.

Ishte duke dalë në pension. Ua çfarë ndyrësire dhe si ta zgjidhim këtë punë i thashë me mua s’ke ça zgjidh, shko tako filanin. Kishim një shok të përbashkët, shko tako filanin, se me mua s’ka ça zgjidh, se unë nuk i hyja debateve të tjera.

Se ky të përgjon, duhet të jemi të kudjesshëm. Pastaj takoj atë shokun tim. Super i korruptuar, super pervers, vinte aty me rrinte kështu mua, me kokë ulur” rrëfen gazetari.

Kujtojmë se një ditë më parë dolën tre audiopërgjime, të cilat zbërthyen aferat e Doçit, lista e çmimeve të gjobave, dhe paratë që merrte përmes reklamave apo shantazheve ndaj personazheve të bizneseve./ CNA/

blank

Afera McGonigal/ Gjoba pronarëve të televizioneve për vizat amerikane

Që kur gjykata në SHBA vendosi se të dhënat që dalin në seancat e procesit kundër Charles McGonigal duhet të mbeten sekrete, vizitat ekzotike të ish-agjentit të FBI-së në Shqipëri po harrohen ngadalë. Por dje, mes shpërthimit të nervave që ia dha konfiskimi i pronave në Golem, biznesmeni Irfan Hysenbelliu, njëkohësisht pronar i News24 riktheu historinë e Charles McGonigal.

Hysenbelliu rrëfeu se ia kishin sjellë amerikanin për një takim, në të cilin ai i kishte bërë një ofertë: Të paguante para për të marrë vizë në ambasadën amerikane.

“Edhe ai i FBI-së (McGonigal), e kanë prurë edhe tek unë, është takuar me mua. Kam pirë një kafe për punën e vizës edhe më tha mund të të ndihmoj me avokat. I kam thënë “Jo”. Nuk marr vizë amerikane me pagesë, i thashë. Po e meritova, do ta marr”, ka pranuar ndër të tjera Hysenbelliu.

Dëshmia e Hysenbelliut nuk vjen si surprizë, por është konfirmimi i parë direkt për variantin se biznesmenët shqiptarë u vunë në shënjestër nga McGonigal. Ose do të paguanin para, ose nuk merrnin vizë në ambasadën amerikane.

Një tjetër pronar mediash e ka pranuar tërthorazi gjobën nga McGonigal. Sipas Sali Berishës, ky është Ylli Ndroqi, pronar i Ora dhe Ora News. Kur bëri pohimin, Berisha pranoi se kishte marrë konfirmimin e Ndroqit për ta deklaruar publikisht këtë informacion.

“Ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro. Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv, Ora News, Ylli Ndroqi. Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve. Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane”, tha Berisha.

Gjahu i McGonigal mes biznesmenëve shqiptarë u raportua edhe nga një media lokale në SHBA, Washington Examiner. Raportimi nuk u mor seriozisht në Tiranë, jo vetëm për shkak të anonimatit të burimeve të medias amerikane, por edhe për shkak të shumave të mëdha që sipas gazetarëve amerikanë ishin “vjelur” nga ish-zyrtari i lartë i FBI-së.

“McGonigal u tha biznesmenëve shqiptarë, të cilët jo të gjithë ishin nën kontrollin e qeverisë Rama, se do të përballen me sanksione nga SHBA, të cilat do të shkatërronin bizneset e tyre, do t’u sekuestronin llogaritë bankare dhe do t’i jepnin fund udhëtimeve të tyre jashtë vendit. Megjithatë, McGonigal mund ta rregullojë këtë problem për një tarifë modeste prej disa milionë dollarësh. Mesazhi ishte i qartë: Më paguani ose do të shkatërroj jetën tuaj. Shqiptarët e shqetësuar e morën seriozisht këtë kërcënim, duke pasur parasysh qëndrimin e McGonigal në FBI, dhe shumë prej tyre e paguan. Disa kanë paguar “vetëm” 3 milionë euro. Të tjerët paguanin shumë më tepër. Burimet më thonë se McGonigal tronditi një biznesmen, për 12 milionë euro, me vlerë afro 15 milionë dollarë në 2017. Me sa duket, McGonigal u përpoq të merrte ryshfet edhe nga një biznesmen i rëndësishëm shqiptar, në një mënyrë të ngjashme. Burimet ballkanike thonë se përfitimi i McGonigal nga kjo tronditje ishte rreth 30 milionë euro, por me sa duket kjo shumë ishte e ndarë me partnerin e tij shqiptar. Ku shkuan paratë?” raportonte Washington Examiner.

Deklarata me zë dhe figurë e Irfan Hysenbelliut, dëshmia e tërthortë i Ylli Ndroqit dhe shkrimet e mediave amerikane plotësojnë panoramën e një aktiviteti gjobëvënës të McGonigal në Shqipëri. Gjithçka në këmbim të një vize. Ambasada amerikane në Tiranë nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me këtë çështje.

Pak kohë më parë, Lapsi.al dërgoi me email disa pyetje të thjeshta, për të kuptuar nëse McGonigal ishte i shoqëruar nga diplomatët amerikanë, kur takoi kryeministrin apo, nëse selia e Rrugës së Elbasanit ishte në dijeni të axhendës së tij në Tiranë. Por McGonigal mbetet një tabu në mesazhet e ambasadës për mediat./LAPSI

blank

24 Mars, data e Mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s – Nga GJENERAL PIRO AHMETAJ

Data 24 Mars simbolizon përvjetorin e një ngjarjeje të skalitur dhe shenjtëruar me meritë në memorien e historisë sonë kombëtare. Në mbrëmjen e 23 Marsit 1999, misionari i Paqes, ambasadori amerikan , Richard Holbrooke, u kthye nga Beogradi në Bruksel, “fatmirësisht i dështuar” në përpjekjen e fundit diplomatike për të evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Ditën tjetër, 24 Mars 1999, ose 24 vjet më parë, fuqia ajrore e SHBA dhe NATO-s për herë të parë u angazhuan në një luftë historike “jashtë artikullit 5”, dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (OKB-së) duke e legjitimuar njëkohësisht NATO-n si “Aleancën e lirisë dhe të besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën.

E parë kështu, 24 Marsi 1999 jo vetëm simbolizon përvjetorin e një ngjarjeje të shënuar në memorien tonë kombëtare, por gjithashtu edhe meriton të skalitet si data e mirënjohjes Kombëtare ndaj fuqisë ushtarake, Aleancës Transatlantike (USA/ NATO) si dhe vlerave perëndimore. Për më tepër, që kjo datë-ngjarje jo vetëm shënoi nisjen e luftës për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçi, por megjithë përpëlitjet e Ariut-Polar/Rus, kjo datë ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të Rajonit, në favor të kombit shqiptar.

Prandaj, kjo ngjarje mbetet pa asnjë mëdyshje edhe një datë e përuljes kombëtare ndaj të rënëve si dhe e nderimit më të thellë ndaj sakrificave të papërshkruara për liri dhe pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës. Në shtesë, duke e lexuar këtë ngjarje në ditët e sotme, 24 Marsi mbetet një ngjarje me mesazhe shprese për fundin e turpshëm të pushtuesve gjakatarë në Ukrainë, por edhe që: “Rusia – Putiniste do të gjunjëzohet e diskretituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s, por edhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike të demokracisë të Aleancës Euroatlantike”!

Në përmbledhje, 24 Marsi jo vetëm që mbetet një ngjarje e lavdishme për Kosovën, por edhe një datë për të na kujtuar neve si komb, që Aleanca Transatlantike (/NATO) meriton mirënjohjen në përjetësi nga mbarë shqiptarët.

* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Anëtar i Bordit të “Istrael House” si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ShShPFA, Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO

gsh

blank

 


Send this to a friend