Dhjetor, 2024
1.
“Figurinat”
Kishin dëgjuar se Zonja e sh’pisë (Nënë, Grua), që ishte larguar para disa vitesh në kërkim të një kuptimi tjetër të jetës, ndodhej Zürich.
Dhe të dy (“Fshehtësia e kartave”, J. Gaarder), kishin marrë udhën e largët nga Arendali norvegjez teposhtë Europës.
Rruga ishte e gjatë dhe bujtinat aq të rralla. Ndaj, i ati, filozof, gjatë ndalesave të mezipritura, i fliste të birit për tema të mëdha universale. Për galaksitë e pafund, jetën e tyre dhe Zotin që përqesh mohimtarët…
Pastaj, fundja, Hans-Thomas, njerëzit s’janë pos një masë lego-figurinash, i thotë ai të birit, në një moment të lodhur reflektimi, diku rrëzë Alpeve zvicerane…
2.
Fille të vjetra
Po përse, vallë, bota dhe njerëzit mbi të, qenkëshin figurina në lojën e madhe?
Sigurisht, nuk do të shestonte teori alternative kozmike. Kishte mëndjen, mbase, tek qarkullimi i tiranive nga koha në kohë, e kështu përgjithmonë… Apo një përqasje të ngjashme të Ecos për fashizmin e përjetshëm!?
Që nga lashtësia pellazge shtegtonte n’për mote fjala Tyranos që përskajonte sundimin absolut. Dhe vetë fjala që vegëzon me njeriun, jep shfaqjen kronike të tiranive, ashtu si ernat, stinët e stuhitë, në historinë njerëzore.
Një i tillë pushtet i pakufizuar nga asgjë e askush, definohej nga Platoni një skllavëri e epërme. Dhe, më vonë, ishte pikërisht kjo mendje e lirë, që i shërbente një tirani tjetër si shkas për t’a nxjerrë sfidantin e madh të tiranisë në treg skllevërish.
Në përceptimet e tij dijetare, ai cilësonte karakteret e tyre si “të paarsye”. Në fakt, sundi i duket legal, por legaliteti i tyre është i paarsyeshëm. E pra, jolegjitim sepse, thjeshtë, legjitimiteti buron vetëm nga një legalitet i arsyeshëm.
Dhe, duke qenë e gjithshtrirë, skllavëria mpínë si vdekje acari dhe robton shpirtërat njerëzorë që t’mos ndiejnë qoftë as vegimin e lirisë…
3.
Llojsi tiranësh
Diktaturat bien, por vijnë sërish, e bien prapë për të ardhur e rënë pambarim…
Trajtë a ngjyrë e saj mund të ndryshojë, por formula funksionale, dogma, instrumentet, ideja mashtruese dhe aparati unikal i dhunës e mortit, janë po ato të përmotshmet.
Mirëpo tipologjia e tyre, ndërkaq, është e ndërllojshme. Këtë (një libër mbi tiranët, historinë e tyre) thotë dhe Waller R. Newell nga Universiteti i Cambridge-it.
Tri llojet e tiranisë që ai tabelon, kërkojnë, prandaj, dhe rezistencë të veçantë për tipet e tyre.
Ndaj të tre, Neroni, Bonaparta dhe Stalini, tok me dishepujt e mëpasmë, u bënë frikshëm vulëvënësit e shekujve të tyre: urrejtje, rrënim dhe vdekje! Por sërish përfaqësonin profile të mëvetsishme tiranie.
Neroni, fjala vjen, i përkiste një tipari më të flashkët sundtarësh që mjaftohen e gëzojnë vetëm pasuri e shkëlqim. Aty, në kohortën e tyre, aderojnë në mënyrën e vet dhe Mobaraku e, sigurisht, Mbreti Faruk (i dinastisë arbnore) të dy nga Egjipti.
Pastaj Bonaparta i llojsisë së dytë, mësynte më larg. Synonte rendvënje në miljeun kaotik të botës. Ndaj, pushteti absolut nuk bënte qëllimin e tij, por i shërbente drejt kauzës së lartë. Ka ngjarë shpesh që ata, pas rrëmujës e përplasjeve civile, të kenë siguruar një qëndrueshmëri të admiruar.
Fronsimi i Putinit që do themelonte pak stabilitet, gazmoi rusët dhe u prit me festë popullore.
Porse ai, pa mundur të ndjekë udhën kineze të kalimsisë së kadiftë në ekonominë e tregut, do të kërkojë taktikë tjetër realizimi: ekspedita ushtarake, luftëra e pushtime jashtë tokave të Rusisë.
Ndërkaq, soji i tretë do të shfaqej si prurje e Revolucionit Francez që do të farkonte tipin e tiranëve miljenarë, e pra, mesianistë të pafundkohshëm. Në filozofinë e kësaj galerie do t’gjenin veten titajt e mnershëm Robespierre, Stalin, Lenin, Hitler, pastaj Mao, pse jo Hoxha, Pol-Pot, Homeini dhe së voni, Al-Bagdadi, prijësi i ideologjisë së zjarrtë IS-siste…
Ndryshe nga të sipërmit, vizioni i tyre programatik ishte, si me thënë, utopia. Një realitet i përsosur imagjinar, që ata rrihnin të sendërtohej me shtypjen dhe forcën verbtane.
E pra, brenda idesë së tyre, kishte një kundërshti në vete, të çuditshme dhe e dënuar nga dialektika e jetës të kalbej në kryeftomën e parë të kohës…
Por ftyra e tiranisë ende sot errëson dritën e iluminimit njerëzor. Të lirisë që, e lindur bashkë me njeriun si përmasë jetike e tij, ndrydhet, venitet e vritet gjithandej.
Kimët (lloji i tretë) e dehur në saturnalet e partishtetit,
mbigjallojnë tutje dhe në dritaren e shpresës nuk duket kurrëfarë shenje, lajmi apo kumti i një agu
të ri.
Por një ditë, afër a larg, paqësisht a përgjakshëm, do të rrokullisen. Ndoshta, si kudo tjetër rruzullimit, për t’u rikthyer në forma e lloje të tjerë.
Përmendar i kësaj përjetësie na erdhi kësokohe dhe në trajtën makabre të thertorës njerëzore, Saidnaja, në Damask: një kazamat i torturës, vrasjes dhe plojës mizore ndaj kundërshtarëve politikë e fetarë.
Apo, siç ka ndodhur tashmë, tiranitë mesianiste transmigrojnë shpesh e paprerë, në tipin e përshtatur motesh nga hiri i zjarrit të shuar. E pra, në pamjen e autokracive që, madje, s’kanë asnjë ideal apo dhe një shkëndijë të marrëzisë utopike. Por vetëm dhunë e hajni, luks e zagari mbi popullin e mposhtur.
Ballkani, një hark i tij më shumë se të tjerë, është dëshmia fatkeqe e kësaj loje ironike të historisë.
Por, ja, kjo është lufta mes të Mirës e të Keqes deri në mbarimin e Kohës…Dhe lufta është në vete një triumf i fisnikërisë mbi baltën e mizorisë…
4.
Saidnaja që flet
Tani matanë fenomenit të tiranisë, Revolucioni i plotngjyrosur në Siri ndikoi shpejtësisht riskicimin e thellë të gjeopolitikës botërore.
Figurat e filozofit nga Arendali, njëmend do të jenë rindarë.
Rusia, Kina e Irani janë sprapsur dhe ngrirë në disfatë. Flota ruse braktis ngadalë bazën mesdhetare Tartus në ujrat e Sirisë…E koha, me gjasë, nuk shenjon ringritjen e tyre në shkallën që, si më parë, të diktonin forcë e vullnet arbitrar në zonat e Levantit e përreth tij.
Çdo humbje e, njëkohësisht (pos Pekinit), përballje me popujt e tyre, bën një plasë që, në kalim kohe, do të ligështojë këmbët tyre.
Fitimtarë të pashpallur të rizgjimit në Sham, janë ndaj, Amerika, Izraeli e Turkia. Interesat e tyre , padyshim, nuk janë unikë, por pikëtakohen në një fill të përbashkët: blloku i tiranive dhe, përtej ende, i aventurës gjakbâmëse për fitore mbi lirinë, do të nisë të prishet si një bimë e pakohshme në dhé e klimë të huaj…
5.
Një trokitje asadiste
A do të ngjizë, që këtej, kjo lëvizje e gjeopolitikës, ftillime të reja në Ballkan?
Një rrezatim i saj është i natyrshëm. Përballë sprovash të mëdha në hemisfera të tjera bote, aleatët e lirisë, mbase, e mendojnë me ngut çastin e pjellor që Gadishulli të paqësohet drejt e përhershëm.
Serbi tiran, Vuçiq, sikur të parandjente një trokitje në portë, shpejtoi të shpallte: unë nuk jam Asad!
Rrallë ndonjëherë ngjashmëria është një afri binjakërore. Por a nuk etnocidonte popuj të tjerë ky Asadi ballkanës si pjesë e establishmentit serb vitesh 90-të? Dhe a nuk i vret për të dytën herë, 30 vjet më pas, në sallonet e Kombeve të bashkuara viktimat e tij? Dhe, prapë, a nuk shtyp, mohon e vret, tani në mënyrë pasive, serbët e vet të pafaj? Dhe, poashtu, a nuk mban Europën nën ethet e mbeturinave të një Rajhu të dështuar serb? Tjetër është vetëm vendjetesa e tyre, por, sërish, a nuk ngjan Ballkani një hije e gjatë muzgu oriental?
Por aleatët e arktrarit të lirisë, Brukseli postborreljan poaq, besohet të kenë optikë e kalendar tjetër…
Vërtet perandoritë (nga Edith Durham) kanë behur e vajtur mbi shpinën e shqiptarit, pa gjurmë, si uji mbi puplat e rosakut, por i gjatë sa amshimi ngjante zgjedhë e tyre. Ashtu si tani gjithnjë në Iliridë, Luginë, Ulqin me vise e në Çamëri, pikërisht në Orën e re libertare të Europës…
Ndaj dhe shqiptarët e të gjitha landeve të tyre, duhet dërguar botës atllantike: njëzëshmëri, qendrestari, maturi e kthjelltësi, më shumë se kurrë.
Latimet e fundme të mozaikut perëndimor të Gadishullit ilirik, mund të jenë përfundimtare.
Është koha e tyre!
R.