VOAL- Nga libri “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi), kemi shkëputur shënime për nobelistin gjerman Thomas Mann (Tomas Man) (Paul Thomas Mann – i lindur më 6 qershor 1875 në Lübeck; vdiq më 12 gusht 1955 në Zyrih, Zvicër- ishte një shkrimtar gjerman dhe një nga romancierët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Ai u vlerësua me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1929):
Kishte lindur në kohën e kancelarit Bismark, e himnizoi luftën e parë botërore, të cilën e quante “thellësisht të drejtë”, por nuk mori pjesë në të. Mjeku ushtarak ia vuri dorën në sup dhe i tha: “Ti duhet të rrish në paqe.”
Nuk e kuptoi menjëherë rrezikun e Hitlerit, madje i dukej se nazizmi ishte një mjet “për të mos e mbajtur rendin ekonomik dhe shoqëror në duart e socialistëve”, pastaj zgjodhi mërgimin në Zvicër, e “kushedi sa e vështirë ka qenë të largohem nga Atdheu im, nga lexuesit, peizazhet dhe kënaqësitë e rinisë”. “Atje ku jam unë, – i shkruante vëllait Heinrich Mann,- aty është kultura gjermane.”
“Një popull i madh, i bekuar gjermanët. Kush e mohon. Ndoshta janë dielli i tokës. Por si komb politik janë të papranueshëm! Një herë e përgjithmonë nuk dua të kem të bëj fare me ata, si të tillë,”- shkruante Thomas Mann.
“Nuk është e lehtë të jesh biri i një gjeniu,” shkruante i biri Klaus.
Thomas nuk kishte fare besim fetar, e kishte braktisur kishën protestante, por kishte një forcë stoike, e dëshmoi në shumë trishtime të jetës.
Si Sokrati e quante ekzistencën një sëmundje që duhej pranuar, ndonëse përplasjet, sulmet, humbjet e njerëzve të dashur e bënin të vuante.