VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Thirrje e turpëshme e servitorëve të regjimit të vjetër për largimin e Misionit të OSBE nga Shqipëria Nga Romeo Gurakuqi

By | September 15, 2015

Komentet

70-VJET MË PARË NDËRROI JETË NËN TORTURA – BARIU I KATOLIKËVE DHE ENGJËLLI I MYSLIMANËVE – Nga Frank Shkreli

“Simboli i të së kaluemës së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”! Kështu e kishte cilësuar Profesor Arshi Pipa Imzot Vinçenc Prenushin, në një ese të gjatë me titull, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, prelatin e Kishës Katolike Shqiptare, të cilin e kujtojmë këtë muaj me rastin e 70-vjetorit të vdekjes nën tortura, si “armik i popullit” në burgun e Durrësit, në Mars të vitit 1949. Arshi Pipa kujtonte ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, duke rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterrur”, kur dha shpirt, klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohsisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm. Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare. I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi.

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizimit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me ‘ta, në birucat e tmershme të burgjeve komuniste – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën ”mundimet e territ” — përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, për të cilin Arshiu shkruan se përveç se pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.” Pipa përshkruan Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, por që ishte gjithmonë i buzqeshur në të folur, zemërgjërë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke thekësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.” Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do t’a kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

Ndryshe nga persekutorët e tij komunistë, Pipa shkruan se jeta e Imzot Prenushit ishte “një jetë e panjollë”, në shërbim të disa prej idealeve më të shënjta njerëzore, siç janë Atdheu, arti dhe feja. Si i tillë, ai nuk mund të ndiqte diktatorin dhe idelogjinë e tij komuniste antifetare dhe anti-kombëtare. Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar nga diktatori me qëllim për t’i imponuar pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë. Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindëte, shkruan Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi përfundon në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.

I bugosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkvuajtsin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe azma.

Si njëri prej shkrimtarëve dhe përkthyesve të dalluar të kohës së tij, Arshi Pipa, rrëfen se si e pyeti me një rast në burg Imzot Prenushin nëse kishte lënë në shtëpi ndonjë dorëshkrim. Ai i ishte përgjigjur se kishte përkthyer veprën “Dreizehnlinden”, të shkrimtarit Weber pas përfundimit të studimeve në Austri, sepse i kishte thënë Prenushi, kjo vepër përshkruan zakonet e malësorve austriakë, por që sipas tij, kanë shumë gjëra të përbashkëta me malësorët tanë dhe se kjo ishte arsyeja që e kishte përkëthyer në shqip.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë:

“Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterrur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqët, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën që u nda nga kjo jetë Vinçenc Prenushi.

Fatkeqsisht, njerëz me ideale si Imzot Vinçenc Prenushi i mungojnë sot Kombit shqiptar. Por, më mirë vonë se kurrë dhe me kohë, e vërteta po del në dritë dhe personalitetet kombëtare si Vinçenc Prenushi dhe idealet e tyre të Atdhedashurisë dhe të dashurisë për të afërmin, pa dallime — do të zenë vendin që meritojnë në historinë dhe në kulturën e këtij kombi shumë të vuajtur. Nëqoftse tregojmë respekt për simbolet e së kaluarës së Shqipërisë, siç është Vincent Prenushi, me të cilët duhet të mburremi të gjithë pa dallim, atëherë kemi arsye të besojmë se megjithë problemet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore, e ardhmja e Kombit shqiptar do të jetë më e mirë.

EDI RAMA – KU ËSHTË KANTIERI?

VOAL – 16 000 nënshkruesit të peticionit për Rrugën e Arbrit pyesin KM Edi Rama: “Ku është kantieri?”

Në faqen e Facebook-ut për Rrugën e Arbrit sapo është bërë njoftimi që vijon:

EDI RAMA – KU ËSHTË KANTIERI?
Në përgjigje të pyetjeve nëse kanë filluar punimet në fshatin FSHAT, në bashkinë Klos, po publikojmë këtë foto të rregjistruar më 7 Maj. Që nga ajo ditë, nga informacioni që kemi, kantieri që premtoi Edi Rama, se do të ndërtohet në fund të Majit, nuk është gjëkundi. Vazhdoni të nënshkruani peticionin: http://chn.ge/1NZeyGu

Njoftimi është shoqëruar me një foto të anëtarit të Grupit te Lobimit, Dr Gëzim Alpion, i cili gjatë vizitës në Shqipëri në fillim të Majit u interesua të mësoj për ecurinë e punimeve të kësaj vepër të premtuar dhe të lënë pas dore që nga vitit 2005.

Kujtojmë lexuesit se, menjëherë pas vizitës së Dr Alpion në Tiranë, KM Rama u shpreh: “Brenda majit do të çelim kantierin e Rrugës së Arbërit dhe do të fillojë e nuk do të ndalet më puna deri sa të përfundojë përfundimisht.”

Fakti qe kantieri i premtuar nuk ekziston tregon se Rama vepron, ose bën sikur vepron, në lidhje me këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore për Dibrën, verilindjen e Shqipërisë, kombin shqiptar dhe Ballkanin vetëm kur ka reagime nga Grupi i Lobimit që inicioi peticionin online me 18 Mars 2013.

Që nga ajo kohë, gjatë 5 viteve të regjimit Rama, në mungesë të një opozite të efektshme politike, Grupi i Lobimit është e vemja ‘force’, megjithëse jo politike, që e sëkëlldis vazhdimisht Kryeministrin Rama i cili, nga mënyra se si e trajton Rrugën e Arbrit, duket se do ta kishte harruar këtë vepër më keq se çdo paraardhës i tij. Kjo duket edhe nga fakti se në 5 vjet që është në pushtet, ky KM nuk ka arritur të ndërtoj qoftë edhe një metër rrugë, por ka paraqitur si arritje, atë që lanë pa përfunduar qeveritë para tij.

Me të drejtë, 16,000 nënshkrues të peticionit, nga të cilët rreth 14,000 online dhe 2,000 në formulare, pyesin me indinjim Ramën se përse, edhe në rastin e kantierit të larpermendur, nuk po e mban fjalën.

Ndërkohe, 6 deputetët e qarkut të Dibrës, si paraardhësit e tyre, vazhdojnë të heshtin në mënyrë të turpshme për Rrugën e Arbrit, dhe bëhen ‘të gjallë’ vetëm kur mbrojnë interesat e ngushta të partive përkatëse.

REDAKSIA

KRIMET E PANDËSHKUARA TË KOMUNIZMITNga Ismail KADARE

(Ky opinion i Kadaresë i botuar më 2005 – e ribotojmë sepse është tepër aktual)

1

Pesëmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit, një mjegull e helmuar vazhdon të rrijë pezull mbi ish-perandorinë e përmbysur. Ajo nuk gjen qetësi dhe, me sa duket, s’ka për të gjetur, pa kryer një operacion të dhimbshëm, por të domosdoshëm: spastrimin moral të saj. Thënë ndryshe njohjen dhe dënimin e krimit.

Pikërisht për pengimin e kësaj njohjeje e sidomos e këtij dënimi është ngritur sot në këmbë një armatë e tërë. Me trysni, me kërcënim, me para, me dredhi, me lutje, me shantazh, shkurt me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo ushtri e thirrur në shërbim po përpiqet të mbulojë të vërtetën.

Në fillim të viteve ’90 u duk se bashkë me përmbysjen e tiranisë do të shuhej edhe urrejtja që ajo prodhonte ditë e natë, burimi i parë energjitik i saj. Në një klimë besimi e mirësie u duk e natyrshme mëdyshja: të hapeshin bodrumet e errëta të së kaluarës, apo më mirë të mbylleshin?

Mëdyshja ishte e përligjur. Shumë njerëz menduan kështu me sinqeritet. Dhe jo vetëm njerëz, por edhe shumë institucione, madje disa qeveri demokratike, si ajo e Republikës Federale Gjermane, e para që u gjend përpara këtij problemi. Dihet se në atë kohë Boni i propozoi Gjermanisë Lindore shkatërrimin e arkivave të fshehta, që lidheshin me spiunimin.

Më pas, shumë shpejt u pa se iluzioni ishte i bukur, por megjithatë mbetej iluzion. Bota e përmbysur kishte qenë aq e egër dhe e pabesë saqë asnjë qokë e saj nuk i përshtatej lirisë. Ajo botë s’kishte njohur kurrë as falje e as mëshirë, ndaj si e tillë s’i meritonte ato.

Ngërçi u ndie shumë shpejt. Diçka themelore nuk ecte në demokraci. Diçka pengohej gjithkund. Prishej, shpërbëhej, fironte. Atëherë u kuptua se ç’gabim fatal ishe harrimi i asaj që s’duhej harruar. U krijua kështu paradoksi më i madh: e para që më së shumti fitoi nga demokracia ishte diktatura e rrëzuar.

E inkurajuar kështu nga mosdënimi i krimeve, ajo përherë e më tepër nisi të përkëdhelë shpresën e kthimit në pushtet. Kishte pasuri brenda dhe jashtë vendit, kishte ende një pjesë të kulturës e të medias me vete, kishte sidomos dy armata të fshehta: atë të spiunëve, dhe tjetrën, atë për të cilën ende flitet pak, por që është, ndoshta, më e rëndësishmja, armatën e njerëzve që, pa qenë në listat spiunore, kanë qenë të përlyer më shumë se vetë spiunët.

Në klimën e demokracisë të gjitha këto forca, duke u fërkuar nëpër gjysmëterr, duke nuhatur njëra-tjetrën, u afruan e u forcuan. Ato shtinë në dorë një pjesë të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta e sidomos të ekonomisë. Ato arritën të infektonin opozitën e djathtë, një pjesë të së cilës e kishin patur në dorë qysh në krijimin e saj. Një marrëveshje e heshtur u krijua midis të dy krahëve të politikës për të mos prekur ish-agjentët e fshehtë ngaqë secila palë kishte pjesën e vet në këtë thesar të zi.

Mishmashi moral që u krijua nga kjo gjendje ishte humbja e plotë e qokave (referencave) morale. Gjithçka po kthehej kokëposhtë, njerëzit si në një ëndërr të keqe po mësoheshin me të keqen. Gjendje më të favorshme as që mund të ëndërronin xhelatët e djeshëm.

Pjellë e drejtpërdrejtë e këtij mishmashi ishte një korrupsion i paparë ndonjëherë në fytyrë të dheut. Historia jepte shumë pak ose aspak raste të ngjashme. Të shumtë ishin ata që mbeteshin gojëhapur nga kjo, por të paktë qenë të tjerët, ata që duhej të gjenin shkaqet dhe udhën e daljes.

2

Ndonëse me njëfarë vonese, vendet e ish-Lindjes, njëri pas tjetrit shpejtuan të qortojnë gabimin. Gjermania ishte e para që e kuptoi se me këtë gropë të zezë nën këmbë nuk mund të ngrihej asnjë e ardhme. Dosjet e Stasit (policisë së fshehtë) nisën të hapen qysh në vitin 1990. U shkaktuan natyrisht shumë drama, por procesi, në një bilanc të fundit u gjykua pozitiv. Në botën e letrave, midis dramave të tjera ishte ajo e shkrimtares së shquar Krista Ëolf. Debati për fatin e saj qëlloi i frytshëm. E pranoi vetë që kishte qenë për ca kohë bashkëpunëtore, por nuk kishte dëmtuar kurrkënd. Shpjegimet e saj për rrethanat e rekrutimit dhe sidomos deklarata se s’kishte dëmtuar njeri u vërtetuan, gjë që e rehabilitoi moralisht përpara opinionit publik. Rasti i saj i bujshëm ishte një mësim emancipimi për shoqërinë gjermane, ende të pamësuar me çështje të tilla.

Secili vend ish-komunist sillte befasimet e veta në këtë kronikë. Ndërsa në Hungari u bë problem mungesa e dosjeve, në Poloni dolën dosje të tepërta. Sipas një tradite famëkeqe të KGB-së sovjetike u fabrikuan dosje për poshtërimin e personaliteteve, sidomos të atyre që kishin luajtur rol në përmbysjen e komunizmit. Viktima e kësaj hakmarrjeje meskine ishte vetë udhëheqësi i “Solidarnosit”, Lech Valesa, i cili pati durimin që, me anë të një procesi gjyqësor ta hidhte poshtë shpifjen monstruoze. Një gjë e ngjashme kishte ndodhur më parë me shkrimtarin Solzhenicin, për të cilin KGB-ja hapte fjalë sikur e kishte njeriun e vet, gjë që askush nuk e mori seriozisht.

Me vendet baltike, Letoni, Lituani dhe Estoni, padronia e vërtetë, KGB-ja, kishte marrë me vete dosjet. Ky rast do të përsëritej në Kosovë, pas çlirimit të saj më 1999, kur UDB-ja serbe, ishte zotëruesja e vetme e tyre. (Nisur nga kjo tingëllojnë të pasinqerta e si për të shpëlarë gojën propozimet e atyre njerëzve kinse të dijshëm në Prishtinë, që flasin për komisione që u dashkan të jenë të pranishëm, në çastin e hapjes së dosjeve, për të parë mos ka ndonjë paudhësi etj., etj.! Për ç’komisione të shqiptarëve të Kosovës mund të flitet kur gjithë arkivat e zeza ndodhen me qindra kilometra larg, në Beograd apo në pyjet e Shumadisë?!)

Por le të kthehemi te tabloja e zymtë e botës komuniste. Në Poloni, pas ligjit të 1997-ës, pati zbulime, debate e skandale të pafundme. Në Çekosllovaki botimi i listës “Ëildstein”, sipas emrit të gazetarit që e bëri publike, e vuri vendin në ethe. Një listë tjetër, “Lista e vërtetë” e një hungarezi iu rikthye kriminelëve të vërtetë, zyrtarëve të lartë komunistë, që dukej sikur kishin mbetur jashtë stuhisë. Një tjetër publicist, rumuni Rude Portokalla, me gjithë emrin e këndshëm e vitaminoz, tronditi Rumaninë me një letër të hidhur drejtuar presidentit, ku i kërkonte që vendi të shpëlante baltën, duke zbuluar të vërtetën.

E fundit në proces ishte Bullgaria, ku gjithçka zvarritej e vazhdon të zvarritet ende sot. Megjithatë, në kësi rastesh të vonesës ka gjithmonë një ngushëllim për gjithkënd. Dhe ky është vendi ynë i dashur, i pari në prapësi, i fundit në punë të mbara.

Por, përpara se të vijmë te rasti ynë, duhet thënë se ethet e procesit ende vazhdojnë sot në gjithë trevat e ish-perandorisë së gjerë. Rasti i fundit, kur pa u tharë ende lotët për vdekjen e Papës së madh, Vojtilës, në vendlindjen e tij, “Komisioni i kujtesës” shpalli se ndihmësi dhe konfidenti i tij polonez, ishte spiun i ish-regjimit komunist, tregon se sa i ditës është ky problem.

Janë sqaruar ndërkaq disa gjëra themelore. I pari mësim që u nxor nga kjo përvojë tragjike, ka të bëjë me gëzimin e parakohshëm të ish-sunduesve komunistë, të cilët kujtuan se mund të bënim sehir këtë krusmë skëterre, pa u hyrë gjembi në këmbë. Dalëngadalë kjo botë u bë e ndërgjegjshme se janë ata, e në radhë të parë ata që e sollën, e mbollën dhe e shpërndanë gjithkund këtë murtajë. Ndaj janë të parët ata, gjithmonë të parët ata, që do të përgjigjen e do të dënohen për të.

3

Tronditja që vinte prej arkivave e dosjeve të fshehta ka qenë e natyrshme edhe në Shqipëri. Ishte një nga pyetjet e para për të gjithë. Për disa pyetja kishte brenda ankth, dihet përse, për të tjerët, ata që donin hakmarrje kishte padurim. Për një palë të tretë, që s’ishin të përzier në këtë punë, zotëronte kureshtja. Ishte kjo palë që duhej të ishte në të vërtetë gjykuesja e paanshme e çështjes.

Nuk mund të thuhet se populli shqiptar, përgjithësisht pasionant, me traditë hakmarrjeje dhe i shquar për mëri të zgjatura, u tregua i papjekur në këtë provë që i vuri përpara jeta. Zotëroi përmbajtja më shumë se nguti, arsyeja mbi pasionin, së fundi, dhe kjo ishte tepër e rëndësishme, ashtu si në vendet e tjera u shtrua pyetja: i shërben apo nuk i shërben kombit hapja e këtij telashi? Mos vallë ishte më mirë të merreshim me të ardhmen se të shkuarën?

E gjitha kjo ishte logjike, e mençur dhe njerëzore. Mirëpo katërmbëdhjet vjet më pas, në vitin 2005, Parlamenti Shqiptar mori vendimin e turpshëm kundër hapjes së dosjeve për deputetët. Asnjë parlament i vendeve të tjera nuk i ka bërë këtë, ndaj turpi mund të quhet historik. E, si të mos mjaftonte kjo, deklarata cinike e nënkryetares së Kuvendit se, përjashtimi nga kandidimi ideputetëve spiunë ishte një shkelje e të drejtave të njeriut (!), i vinte kapakun gjithçkaje.

Ky epilog i mbrapshtë tregoi se polemikat, mëdyshjet, dyshimet e sinqerta nëse duhej a s’duhej transparenca, nuk kishin shërbyer për asgjë.

Në këtë kah, do të ishte e detyrueshme rishikimi i kësaj kronike të gjatë dhe jo fort të pastër, për të parë ku është gabuar. Në këtë rishikim po duket se dufet primitive të politikës shqiptare nuk i lanë vend shqyrtimit serioz të asgjëje, përkundrazi kanë çoroditur gjithçka, e në radhë të parë moralitetin e politikës.

I kujtonim duke qeshur muajt e parë të demokracisë kur gra zyrtarësh të lartë nxirrnin nga çanta fletë dosjesh sekrete, për t’u kakarisur me shoqet në kafene. Na dukeshin groteske, gati-gati subjekte për teatrin komik, pa na shkuar mendja se përpara se të ishin të tilla, ato ishin tragjike.

Pas këtij abuzimi të parë, erdhën të tjerat. Loja me emrat, pseudonimet e ish-spiunëve, dalja e tyre në gazeta, së fundi, shantazhet, që me siguri njëri krah i politikës i bënte tjetrit. Politika shqiptare njohu befas një shije të re, të panjohur, të rrezikshme: përdorimin e dosjeve të ish-spiunëve, për dobi të vet. Shantazhi ka qenë mekanizmi kryesor me të cilin ka funksionuar çdo mafie e çdo zhgan banditësh. Kjo vegël e diktaturës tregonte se klasa politike shqiptare sado të shpallej liberale, zemrën e kishte në diktaturë.

Kështu shpjegohet që çështja e hapjes ose jo të arkivave të fshehta, nga një trazim i sinqertë, u kthye në një biznes të turpshëm politik. Me anë të kurthit të dosjeve, secila palë mbante në zap jo vetëm njerëzit e vet, por edhe një pjesë të palës tjetër. Kështu shpjegohen çuditë e pashpjegueshme, enigmat, thënë shkurt, qyfyret e politikës shqiptare. Kështu shpjegohet paradoksi i madh që ka zyrtarë të së djathtës, që janë po aq të zellshëm për të mbuluar krimet e komunizmit, njëlloj si të ishin të majtë. Kështu shpjegohet që diskutimi për arkivat dhe dosjet hyri në një zonë të mjegullt, në një muzg të qëllimshëm: gjersa u arrit te epilogu i turpshëm i Kuvendit Shqiptar.

4

A krijon probleme hapja e bodrumeve të errëta (arkiva, dosje etj.) në Shqipëri? Natyrisht që krijon.

Ky është një problem i rëndë, serioz, me shumë peshë e përgjegjësi. Ndaj askujt nuk i lejohet që pozitën e tij “superiore” (thënë ndryshe “pa dosje”) ta përdorë në mënyrë abuzive, për të terrorizuar si prokuror “inferiorët” (thënë ndryshe “me dosje”).

Në të gjitha problemet, sado dramatike qofshin, qasja njerëzore është ajo që më shumë se çdo tjetër, shmang gabimet e rënda. Mund të ketë qasje njerëzore për çështjen e errët të ish-spiunëve? Natyrisht që ka. S’duhet harruar kurrë se kjo ushtri e trishtuar e ka dramën e saj të brendshme. Sado që e ka humbur të drejtën e fjalës, sado që çdo përpjekje për t’u shpjeguar mund të kthehet kundër saj, kjo s’do të thotë se bota duhet të jetë e shurdhër dhe e pandjeshme ndaj ferrit të brendshëm të saj. Është rekrutuar kjo ushtri me mënyrat më çnjerëzore që mund të përfytyrohen. Është kapur shumica e saj në gracka nga më makabret.

Qasja njerëzore është ajo kur, sa më shumë të ndjeshëm ne të jemi ndaj kësaj katastrofe të ndërgjegjes, aq më të pandjeshëm na lejohet të jemi ndaj atyre që e kryen këtë punë me zell, e aq më të ashpër ndaj atyre që e kryen të njëjtën punë pa i detyruar kush. Sa për ata që e krijuan këtë mjerim dantesk, ata që përbënin kupolën e nomenklaturës së kuqe, ata s’ka pse të presin mirëkuptim.

Një orientim i tillë njerëzor mund ta çojë çështjen e zvarritur të dosjeve në Shqipëri drejt një zgjidhjeje të arsyeshme.

Për shkak të veçantive të vendit tonë (një traditë shekullore hakmarrjeje, pezmatimet e mërive të gjata, përftimi i veçantë i fisit, familjes e nderit, raportet atë-bir si raporte detyrimi e shkarkimi), këto e të tjera si këto, na çojnë natyrshëm drejt kërkimit të një zgjidhjeje që mund të ishte e veçantë.

Nisur nga kjo, e nisur gjithashtu nga orientimi njerëzor që u përmend më lart, mendoj se do të ishte, ndoshta, e arsyeshme që, për shumicën e popullsisë shqiptare, për njerëzit e thjeshtë e të rëndomtë, për ata që s’kanë patur e s’mund të kenë asnjë rol në jetën politike, morale e administrative të shtetit e të shoqërisë, dosjet mund të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Së paku për aq kohë sa do të mund të vendosë në një formë referendare populli shqiptar.

E kundërta duhet të ndodhë me ish-nomenklaturën dhe me gjithë ata që, për ironi të fatit, u quajtën “elitë” e vendit dhe që luajtën një rol të ndjeshëm në jetën e tij. Sa më i lartë ka qenë posti, aq më i madh bëhet faji, për të arritur gjer te maja e kupolës. Në Shqipëri duhet të shkulet njëherë e përgjithmonë ideja e gabuar se, ishin si ishin udhëheqësit, punët e pista i bënin vetëm spiunët profesionistë. E vërteta është fare ndryshe. Mbi të ashtuquajturit udhëheqës, jo vetëm rëndon krimi madhor, ai i krijimit të kësaj murtaje, por edhe në një rrafsh të rrokshëm, kjo e ashtuquajtur “elitë” i ka bërë gjithmonë punët e pista të spiunimit. Qysh më 1941, në lindjen e partisë, krerët e saj, u mësuan të denonconin njëri-tjetrin te Stalini, te Titoja, te jugosllavët, te rusët. Ndaj më pas spiunimi u bë diçka familjare për ta, gjersa u kthye në një sistem zotërues.

Për fat të keq, në polemikën e hapur këto dy vitet e fundit është përzier, rastësisht ose jo, çështja e dosjeve me atë të arkivave të fshehta. Ndërsa për të parën kanë qenë disi të kuptueshme lëkundjet, hapja e arkivave është jashtë çdo diskutimi. Mëdyshja për këto nuk mund të cilësohet veç barbare. Për fat të keq, ka ndodhur pikërisht ajo: barbaria.

5

Botimi i paketës së parë të dokumenteve për përgjimin e shkrimtarëve dhe të artistëve, përpiluar nga drejtori i përgjithshëm i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, dr. Shaban Sinanit, krijoi bashkë me nervozizmin një solidaritet të sëmurë kundër librit dhe autorit. Do të ishte e kuptueshme nëse do të kërkohej zgjerimi i hulumtimit me autorë të tjerë. Për fat të keq, nuk u kërkua kjo, ose më saktë u kërkua kjo sa për të larë gojën. Kurse thelbi i kërkesës ishte tjetër gjë: mbyllja e këtij procesi.

Në të vërtetë duhej të ndodhte e kundërta. Me gjithë vonesën e saj në këtë problem kaq dramatik, Shqipëria pati shansin të hapë procesin, me një dosje të nivelit tepër të lartë. Nuk është fjala për dosje të rëndomta spiunësh e as për denoncime të vogla të lagjes, por për makinën kryesore të përgjimit e të terrorit kundër letërsisë dhe arteve. Është fjala për zyra të Komitetit Qendror, për anëtarë të tij, për anëtarë të Byrosë Politike, për kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, për gruan e diktatorit, për vetë diktatorin, në zyrën e të cilit përfundonin denoncimet kryesore.

Me sa duket, pikërisht kjo kapje për brirësh e problemit, ky vizion nga lart, që nuk i lë mundësi nomenklaturës të fshihet pas spiunëve të thjeshtë, ka qenë një nga arsyet e reagimit të keq. Në këtë libër nomenklatura e lartë, qoftë politike, qoftë kulturore del lakuriq. Zyrtarët e lartë nuk mund të përdorin më legjendën aq shumë të përhapur se ushtruan terror ngaqë ishin të keqinformuar. Nga ana e tyre, drejtuesit e institucioneve kryesore të terrorit intelektual, nuk mund të justifikohen se ishin të detyruar nga lart të bënin ato që kanë bërë. Të dy palët janë të përlyera gjer në grykë, të pleksura në një aleancë monstruoze, rrallëherë të ndeshur në histori.

Këtë vizion të qartë të tablosë nuk mund ta japë veçse bota e dokumentacionit. Ndaj reagimi i ashpër kundër librit është njëherësh reagim kundër dokumentacionit në përgjithësi. Gati-gati u ndien haptas thirrjet histerike: nuk duam dokumente!

Natyrisht që një botë e ngritur mbi mashtrim dhe mjegull mbuluese më fort se çdo gjëje i trembet dokumentacionit. Oraliteti ballkanik, aq shumë joshës në rrafshin e artit epik të poezisë, është armiku i parë i së vërtetës në rrafshin e jetës shoqërore moderne. Libri i drejtorit të arkivave vuri ballë për ballë oralitetin dhe dokumentet. Në këtë ndeshje oralitetit (thënë ndryshe mjegullës mashtruese) nuk i mbetet veç humbja. Ky është edhe shkaku i panikut.

6

Njëqind e tridhjetë vjet më parë, në romanin e tij “Djajtë”, Dostojevski profetizoi makinën e ardhshme të terrorit komunist. Në këtë roman tregohet se si katër revolucionarë rusë mbytin të pestin, shokun e tyre, për t’u lidhur kështu me anë të të fshehtës së krimit. Sipas Dostojevskit, kështu do të punonin këtej e tutje “qelizat e revolucionit”, ato që do të mbytnin botën me gjak. Ne ballkanasit e kuptojmë mirë se ç’është kjo lidhje nëpërmjet njollave të gjakut. Gjatë luftës civile në Shqipëri ajo u përdor gjerësisht e po ashtu pas fitores së komunistëve.

Lidhjen, solidaritetin nëpërmjet denoncimit nuk e ndan veçse një hap nga marrëdhënia që u përmend më lart. Kori i bashkuar kundër hapjes së arkivave të fshehta, ato që janë kusht i domosdoshëm për çdo demokraci e çdo qytetërim, tregon qartë se sa larg qytetërimit ndodhet ende sot një pjesë e shoqërisë shqiptare.

Çdo shoqëri e pajisur me njëfarë ngrehe morale, kur gjendet përpara një prove ku vihen ballë për ballë moraliteti me të kundërtën e vet, në mënyrë të vetvetishme rreshtohet në anën e moralitetit. Për një pjesë të popullsisë shqiptare, për fat të keq, ndodh e kundërta. Kjo pjesë, me shpërfillje bën sehir të keqen. Nga dokumentet ajo merr vesh se dikush ka kallëzuar, ka marrë më qafë, ka dashur të hedhë në humnerë dikënd, e megjithatë vazhdon të vështrojë me sytë e saj të pajetë (sytë e saj prej peshku, siç përfytyrohet shpërfillja në filmat e Felinit), pa dashur të vihet në mbrojtje të askujt.

Por kjo është gjysma e së keqes. E keqja më e madhe është kur kori i solidaritetit, ai që, jo vetëm është shpërfillës ndaj viktimës, haptas bëhet kundër saj, duke marrë në mbrojtje shtypësit. Merret me mend se nga ç’njerëz përbëhet ky kor. Së pari, janë bashkëpunëtorët në krim, ata që, sipas profecisë së Dostojevskit i lidh e fshehta e denoncimit. Me ta bashkohen një tufë zyrtarësh të mesëm e të lartë, ata që dje ishin buka dhe kripa e diktaturës, e që ende sot i gjen aty-këtu në jetën e sotme politike, deputetë të majtë e të djathtë, kryetarë partish, anëtarë të qeverisë, diplomatë, shefa, mbishefa e nënshefa pa fund.

Në gjithë këtë tablo, pjesa më shqetësuese është shpërfillja e publikut. Ky zvetënim postdiktatorial është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e bjerrjes morale të epokës që vdiq.

Kronika e zvetënimit të jetës letrare artistike në Shqipëri ka nisur qysh më 1945, në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Në atë kohë, Lidhja ishte fare ndryshe nga ç’u katandis më pas. Më 1945, në kryesinë e Lidhjes ishin zgjedhur Dhimitër Pasko, Sejfulla Maleshova, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Ymer Dishnica e të tjerë zotërinj të kulturës shqiptare.

Në këtë kulturë ishin ende zotërinj të tjerë si Vinçens Prenushi, Vedat Kokona, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Frano Alkaj, Henrik Lacaj, Fejzi Dika e të tjerë. Një frymë intelektuale, një atmosferë gjysmë e lirë vinte nga epoka e përmbysur.

Regjimi komunist e ndjeu menjëherë se ky ekip shkrimtarësh, këta mohikanë të fundit, ishin të huaj për të. Ata ishin dëshmitarë bezdisës për krimet e tij. Në vend të vështrimit të tyre depërtues ai do të parapëlqente vështrimin e ngrirë të peshkut felinian. Dhe kështu nisi luftën kundër “borgjezëve”, duke hedhur në sulm shkrimtarët e dalë nga lufta, më saktë, nga njëra barrikadë e luftës, ajo komuniste.

Pëshpërima që u hap në Tiranë, më 1946, se anëtari i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, Lasgush Poradeci, ka thirrur në duel ministrin e Kulturës së qeverisë komuniste, ngaqë ky e kishte fyer publikisht, ishte edhe bëma, ose më saktë, skandali a mondaniteti i fundit me shije evropiane në Shqipëri.

7

Një shoqëri me ndërgjegje të gjymtuar, siç është sot një pjesë e shoqërisë shqiptare, gjëja e parë që bën kur dikush i vë përpara pasqyrën për të parë vetveten, është refuzimi i pamjes. Një reagim i dytë, edhe më i keq, është përpjekja për ta thyer pasqyrën.

E mësuar këto 15 vjet të tranzicionit me mjegullën e mashtrimit dhe me dokrrat e kafeneve, këto balsame aq shumë të parapëlqyera për të, kjo shoqëri e ndien veten kaq keq dhe të pambrojtur përpara saktësisë së pamëshirshme të dokumenteve. Ajo bën çmos për të penguar daljen e tyre dhe ajo do të bëjë çnuk e çmos për të kufizuar veprimin e tyre shelbues. Ajo do të donte shumë që në vend të tyre, në vend të së vërtetës së arkivave, të vazhdonte në Shqipëri surrogati i së vërtetës.

Ky surrogat është një mjet i vjetër, i përdorur shumë herë në periudha pastiranike. Thelbi i tij, mbulimi i krimeve, shfaqet e kryhet me forma nga më të larmishmet. Mbulimi i drejtpërdrejtë, zhdukja, djegia e dokumenteve, është pa dyshim mënyra më e ngutshme, e kryer shpesh në rrethana paniku. Një tjetër formë është transferimi i krimit. Kjo është një mënyrë dredharake që përzien qëllimisht krimin e mirëfilltë me sofizmat për të, ose kriminelët e mirëfilltë me kinse burimet teorike të tij. Kështu, në rastin e holokaustit, vënia e emrit të Hitlerit, midis emrash filozofësh e shkrimtarësh të njohur, që, për fat të keq, janë përzier në mëkatin kundër hebrenjve, ngjan gati-gati si një përpjekje lehtësimi për kryekriminelin nazist. Të natyrës së përafërt janë raportet e krahasimit të intelektualëve shqiptarë me Enver Hoxhën. Zërat e avokatëve të këtij të fundit, se tirani s’paska bërë ndonjë krim më tepër se një pjesë e intelektualëve është gjithashtu përpjekje e mjerë për të shfajësuar diktatorin.

Një ndër alibitë me tingëllim kinse filozofik, siç janë shpesh ato që ndërtohen me ndihmën e konceptit “kohë”, është shfajësimi “ashtu ishte koha”. Është e tepërt të zgjatemi këtu, për të kuptuar se në historinë e njerëzimit ka patur disa akte që nuk kanë patur kurrë kohën e tyre. Bota ka ndërruar epoka, rende e sisteme të menduari, por disa vepra, ndër të cilat kallëzimi i pabesë, nuk janë pranuar nga asnjë kohë. Denoncimin që 2000 vite më parë e degdisi në internim poetin e Romës, Ovidin, shteti romak e mbajti në shekuj të fshehtë, sepse ai kallëzim ka qenë atëherë, njëlloj si sot, i turpshëm.

Që surrogati, thënë ndryshe mashtrimi, të ngadhënjejë, atij i duhet pushtimi i hapësirës mediatike. Vërshimi në shtyp nën pasaportën e kujtimeve, i një vale nostalgjie për kohën e përmbysur dhe për personazhet e saj, ka shqetësuar me të drejtë pjesën më të shëndoshë të opinionit shqiptar. S’do të kishte ndonjë të keqe, përkundrazi, nëse këto dëshmi të njerëzve të ish-nomenklaturës, qofshin ata të kupolës komuniste, qofshin rojet, hetuesit, madje torturuesit, do të tregonin të vërtetën. Mirëpo, me përjashtime të rralla, rrëfimet e tyre s’kanë lidhje me të. Tabloja rozë që del prej tyre është fyerje e rëndë për vuajtjet e këtij populli.

Në kushte të tilla, maksima e njohur “historinë e shkruajnë fitimtarët”, mund të ketë një fat të çuditshëm në Shqipëri. Ajo mund të përmbyset duke u bërë “historinë e shkruajnë të mundurit”, ose edhe më keq, të mundurit të ndihen vërtet fitimtarë, çka do të ishte turpi më i madh për këtë vend.

Trimërimi i së keqes staliniste, arroganca, fryma revanshiste e saj, dëshmon pikërisht shpresën e saj për t’u kthyer. Kori i solidaritetit alla dostojevskian, i inkurajuar nga vështrimi shpërfillës i peshkut të Felinit, shfaqet në të gjitha rrafshet. Është kjo frymë e keqe që nxit qëndrimin mohues ndaj popullit shqiptar. Ai konsiderohet mëkatar për përmbysjen e komunizmit, ndaj në mënyrë të tërthortë ndaj tij mund të bjerë hakmarrja. Vetëm kështu mund të shpjegohet mungesa e skrupujve në drejtimin e punëve të tij, ngritja e imoralitetit në rangun e një doktrine, korrupsioni i paparë, talljet e pareshtura me varfërinë e vendit, së fundi sëmundjet kronike të politikës shqiptare: mosnjohja e zgjedhjeve, e bojkotimi i parlamentit, dy nga turpet e neveritshme të jetës sonë.

Sipas kësaj mbrapshtie, sa herë që vendi ia refuzon votën dhe besimin një krahu politik, ai quhet prej këtij krahu, vend mëkatar.

Lufta për shëndoshjen morale të Shqipërisë së sotme nuk është çështje përkryerjeje apo luksi kulturor. Ajo është kthyer në kusht të ekzistencës sonë të mëtejshme.

E treguar me gisht nga komuniteti ndërkombëtar për korrupsionin e saj, Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të keq të ndotjes morale që ka njohur ndonjëherë. Nga kjo gropë ajo ose duhet të dalë me ngut, ose do të fundoset përgjithmonë.

Mbrojtja e mjedisit, luftëtarët mjedisorë shqiptarë, duhet të përkrahen sot si një ushtri e shenjtë. Por një tjetër ushtri, edhe më e shenjtë, pritet të shfaqet përkrah tyre, ajo e rimëkëmbjes shpirtërore.

Nuk është koha as për vaj e as për berihaj. Në jetën e popujve janë të njohura gjendjet e krizave morale, ato që mund të quhen “orë e vetëvrasjes”. Për një paradoks të madh, ato, më së shumti ndodhin në liri, atëherë kur rreziqet e tjera shmangen.

Procesi i rigjetjes së drejtpeshimit shpirtëror, është i lidhur natyrshëm me kurajën për shqyrtimin e ndërgjegjes, sidomos kur ajo është e dëmtuar. Një gjë e tillë është vështirë të përfytyrohet pa hapjen e zgafellave ku është strukur e keqja.

Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste.

Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale.

Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë.

Jo çdo brezi mund t’i bjerë një shans i tillë.

Ismail KADARE

Editorial: Ligji për të Huajt – Shqipëria i ‘kundërpërgjigjet’ Kosovës

VOAL – Republika e Kosovës në Ligjin për të Huajt i ka përfshirë edhe shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit nuk e kishte bërë këtë për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë jashtë Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë mediat në Prishtinë i bëjnë jehonë ndryshimit tëpritshëm të Ligjit nr. 108/2013 për të huajt në Republikën e Shqipërisë, ku me termin “të huaj” janë emërtuar edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi apo të Luginës së Preshevës.

Mediat në Prishtinë gjithashtu veçojnë faktin se me projektligjin e ri të propozuar nga Qeveria e Shqipërisë, të huajt pa vizë apo pa leje qëndrimi do të dënohen deri në 2150 euro gjobë nëse gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë pa dokumentin e kërkuar të udhëtimit, vizën apo lejen e qëndrimit apo nuk përmbushin detyrimin për t’u regjistruar apo për të aplikuar për leje qëndrimi.

I njëjti dënim me gjobë vlen edhe për ata persona që punësohen me pagesë ose praktikon një zanat, pa të drejtë për punësim fitimprurës, apo nuk përmbush, nëse i kërkohet, detyrimin për të raportuar ose kërkesën për t’u paraqitur para autoriteteve për të dhënë informacion.

Republika e Kosovës, duke u bazuar në Ligjin e saj për të Huajt, ka dëbuar shtetas të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke ua ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës për periudha disamujore ose disavjeçare.

Mediat në Prishtinë ndërkohë vlerësojnë që, krahas masave shtrënguese, ndryshimi i Ligjit parashikon lehtësira për studentët nga trojet shqiptare që studiojnë në Republikën e Shqipërisë.

Editoriali: Protestoni dhe festoni

Qytetarët e Kosovës, shqiptarët në tërësi, duan të shohin sot një opozitë që është e gatshme të vijë në pushtet, që është e denjë të vijë në pushtet

VOAL – Protestoni dhe festoni. Festoni dhe protestoni. Kjo do të ishte porosia që do të donim t’iu jepnim sot shqiptarëve në Kosovë. Është 17 Shkurti, tetëvjetori i zyrtarizimit të pavarësisë së Kosovës, një festë e madhe, një kremte e madhe, e cila me të drejtë barasvlerësohet me 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë sonë Kombëtare. Nga një vit në tjetrin, kremtimi i 17 Shkurtit do të ketë ngjyrimet e tij origjinale. Sivjet ai kremtohet me protestë dhe me festë. Shumë shqiptarë kanë zgjedhur që ta festojnë duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar në sheshet qendrore të kryeqyteti kundër qeverisë Mustafa, dështimeve të saj, veprimeve dhe sjelljeve të saj të papërgjegjshme në dëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Qeveritarët e Kosovës do të mbajnë sot manifestime zyrtare për 17 Shkurtin. E rëndësishme është që të festojnë të gjithë, edhe ata që janë me opozitën, edhe të tjerët. Askush të mos ia prishë festën tjetrit. Të mos përsëritet ajo që ndodhi më 28 Nëntorin e vitit të shkuar. Më e rëndësishmja është sot që qytetarët e Kosovës, shqiptarët në tërësi, të shohin një opozitë që është e gatshme të vijë në pushtet, që është e denjë të vijë në pushtet, sapo t’i jepet shansi për të shkuar në votimet e reja për parlamentin e ri dhe institucionet e reja të Kosovës.

Gjithë shqiptarët, në Shqipërinë londineze, trojet shqiptare dhe diasporën mbarë janë duke e festuar këtë Ditë të Bekuar dhe ju lënë porosi: Protestoni dhe festoni, sepse 17 shkurti 2008, ju krijoi këtë shans sot, por mos guxoni t’ja prishni festën Kosovës dhe shqiptarëve!

Editorial: Kosovë – 28 Nëntori vazhdon

VOAL – Vazhdon sot në Gjakovë 28 Nëntori që filloi në Prishtinë me festën e Opozitës së Bashkuar, ku morën pjesë fizikisht 35 mijë përkushtimtarë të çështjes sonë kombëtare dhe shpirtërisht miliona shqiptarë anembanë trojeve tona dhe kudo që ndodhen në botë. 28 Nëntori nuk u mbyt dot nga pabesia që ia bënë Prishtina zyrtare dhe Beogradi, nuk u mbyt dot nga vërshimi policor në selinë e partisë kryesore opozitare të Kosovës, nga arresimet politike të deputetëve dhe veprimtarëve opozitarë. Sot, më 5 dhjetor, 28 Nëntori, nën moton Manifestimi për Republikën, shpaloset në Gjakovë, në data të tjera ai do të shpaloset në sheshe të tjera të qyteteve të Republikës së Kosovës, do të shpaloset në sheshe të tjera të qyteteve shqiptare, kudo në trojet tona, do të shpaloset gjithandej në metropolet ku ka shqiptarë. Pavarësia e Republikës së Kosovës, Sovraniteti i Republikës së Kosovës, Integriteti tokësor i Republikës së Kosovës, demokracia, shteti ligjor, përparimi dhe zhvillimi i Republikës së Kosovës është faktor vendimtar për mbarëvajtjen tonë në tërësi. Në mbrojtje të tyre jemi të gjithë, pavarësisht gjeopolitikave të imponuara. Manifestimi për Republikën, nga njëri shesh në tjetrin, do të vazhdojë të jetë një dëshmi shembullore e korrektësisë dhe madhështisë së çështjes për të cilën mbahet ky manifestim, do të jetë në lartësinë e idealit që e përfaqëson ky manifestim, do të jetë një kontrast i plotë me regjimin e koalicionit të papërgjegjshëm PDK-LDK, do të jetë një kontrast i plotë me sjelljet, veprimet dhe qëndrimet e këtij regjimi. 28 Nëntori, në çdo datë të manifestimeve të Opozitës së Bashkuar të Kosovës, do të vazhdojë të jetë festë e lirisë, e paqes, e përparimit, festë e vendosmërisë së përkushtimit tonë kombëtar ndaj Kosovës.

VOAL ju uron: Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, Ditën e Shenjtë të Kombit Shqiptar!

VOAL më  28 NËNTOR 2015  ju uro:

– 28 Nëntori, Dita e Flamurit,  është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën, sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavaresia e Shqiperisë nga Ismail Qemaili në Vlorë.

Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. Bile mund të themi se Dita Jonë e Madhe – 28 Nëntori, është diçka më shumë se një kremte kombëtare, «DITA E SHENJTË ARBËRORE». 28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenare dhe me yllin gjashtëcepësh në mes dy krenash, në Kalanë e Krujës, ku valoi plot 25 vjet. Gjergji, deri në vdekje luftoi me atë flamur në dorë dhe kurrë nuk diti për humbje. Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet, sa Kryeheroi Ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë.

Pas vdekjes së Tij (më 1468), pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe ia ndaluan valimin flamurit tonë. U dashtën edhe 444 vite pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë ekzode e zbrazje masive të trojeve tona nga qeniet arbërore, derisa rifilloi sërisht valimi i Flamurit të Arbërit. T’i kemi parasysh arbëreshët, që ikën përterj detit, ose në veri (në Dalmaci), me qëndresën e tyre stoike dhe me ruajtjen fanatike të gjuhës, traditave dhe kulturës së të parëve. Qindra mijëra shqiptarë, duke mos mundur ta durojnë terrorin e pushtuesve, kishin ikur në shumë vende të botës – deri në Amerikë, Afrikë, Azi e deri në Australi.

Edhepse të mërguar, qeniet arbërore nuk ndejtën kurrë duarkryq, por gjithherë, në mënyra të ndryshme ishin të vënë në shërbim të kombit dhe të atdheut të braktisur nga dhuna e pushtuesve. Sidomos vlen të përmendet gjysma e parë e shekullit XIX, kur figurat e ndritura të kombit themeluan një lëvizje mbarëkombëtare, për të mbajtur gjallë shpirtin arbëror dhe për ta ndihmuar lirimin e atdheut nga pushtuesit. Kjo lëvizje, në historinë tonë, u regjistrua me germa ari dhe u quajt: Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ndër rilindasit e parë duhet veçuar: Vëllezërit Frashëri, Jeronim De Radën, Jani Vreton dhe shumë të tjerë.

Në kohën kur gërshetimi joparimor i interesave ishte shtrirë në mbarë hapësirat ballkanike e më së rëndi rëndonte supet e popullit tonë, liderët e kombit filluan artikulimin e zëshëm të aspiratave të ligjshme kombëtare, për liri dhe pavarësi. Nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, Perandoria Osmane u detyrua t’ua njohë autonominë disa vendeve fqinje, si: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, gjë që nuk ndodhi edhe me Shqipërinë, që në vorbullën e interesave dhe të marrëveshjeve ruso-turke, mbeti ende nën kthetrat otomane.

Të ndaluar të marrin pjesë në Kongresin e Berlinit dhe të indinjuar thellë nga pazarllëqet që u bënë për copëtimin e tokave tona, krerët shqiptarë, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Pashko Vasa e të tjerë, më 10 Qershor 1978, në Prizren mbajtën Kuvendin Mbarëkombëtar dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke shpallur kështu autonominë e Shqipërisë. U bë edhe një kabinet qeveritar dhe u organizua një administratë mbarëkombëtare, mirëpo Turqia – e tërbuar nga ky akt i shqiptarëve, me “bekimin” dhe heshtjen edhe të fuqive të mëdha të kohës, me një fushatë shumë të egër ushtarake dhe me terror, pas tre vjetësh – më 1881 e shuajti Lidhjen e Prizrenit dhe autonominë shqiptare.

Shqiptarët nuk janë dorëzuar kurrë. Ata gjithmonë e luftonin pushtuesin dhe e forconin Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare – me pushkë e me penë. Në vitin 1899, nën drejtimin e Haxhi Zekës, u mbajt në Pejë edhe nhjë kuvend i madh mbarëkombëtar, që historia e njeh si Lidhja e Dytë e Prizrenit. Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane që shtrihej në tri kontinente (Azi, Europë dhe Afrikë) dhe e ndarë në 33 vilajete, katër nga të cilat ishin shqiptare, nga sulmet që nga të gjitha anët i bënin popujt liridashës, ishte dobësuar dukshëm. Njëri nga Vilajetet shqiptare ishte Vilajeti i Kosovës, me kryeqytet Shkupin, që përfshinte territoret e Dardanisë së dikurshme.

Luftërat çlirimtare, që plasën në të gjitha viset e pushtuara, i dhanë një goditje të rëndë “të sëmurit nga Bosfori”. Si pjellë e konçesioneve, që kishte fituar Serbia në Kongresin e Berlinit, në vorbullën e interesave, me marrëveshjen e fshehtë ruso-turke, kombit tonë i ishte imponuar edhe fronti verior, sepse shumë troje tona u pushtuan nga Serbia, që me sulme barbare deri në gjenocid i kishte detyruar të shpërngulen shumë shqiptarë nga trojet e tyre, që si rezultat pati spastrimin e mbi 700 vendbanimeve të Krahinës së Toplicës nga fara arbërore.

Në vitin 1908, e dobësuar shumë nga sulmet që i vinin nga të katër anët, Perandoria Osmane u detyrua të bëjë reforma dhe të lëshojë pe në shumëçka, në vendet e pushtuara. Xhonturqit, edhe nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, me këto reforma u kishin njohur disa të drejta popujve të pushtuar, përfshirë edhe shkollimin në gjuhën e tyre amtare dhe shprehjen e identitetit kulturor. Në nëntor të vitit 1908, nën drejtimin e At Gjergj Fishtës, në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, ku u njësua alfabeti i gjuhës shqipe. Në të gjitha viset shqiptare filloi organizimi i shkollave kombëtare.

Në vitin 1909, kur u organizua kryengritja e madhe e popullit arab kundër Turqisë, kur shpërthej edhe lufta e madhe italo-turke në Tripoli dhe kur plasën luftërat ballkanike, krerët e kombit filluan ta mobilizojnë edhe popullin tonë. Në pranverën e vitit 1910, Idriz Nikollë Seferi, bashkë me Dom Mikel Tarabulluzin, në zyrën famullitare në Stubëll të Karadakut, kishin hartuar planin e Luftës së Kaçanikut. Trimat e ardhur nga viset e Karadakut dhe të Moravës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe ata të ardhur nga Carraleva dhe nga viset tjera të Kosovës, nën udhëheqjen e Isë Boletinit, ishin bashkuar në Stagovë, prej nga futen në Grykën e Kaçanikut dhe i dërmojnë taborret e Turgut Pashës.

Lufta e Kaçanikut ishte fillimi i kryengritjes mbarëkombëtare për çlirim nga zgjedha pushtuese otomane, që në vitin 1911 – nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, ishte zgjeruar në Malësinë e Shkodrës dhe në krahinat fqinje, deri në Shqipërinë e Mesme, për t’u zgjeruar edhe në jug, kështuqë në vitin 1912 ishte përfshirë mbarë Shqipëria – nga Janina deri në Mitrovicë e nga Durrësi deri në Preshevë.

Tashmë vërehej qartë se Perandoria Osmane po kapitullonte, prandaj fuqitë e mëdha të kohës kishin filluar tregtimin mbi tokat që do të dilnin nga kthetrat otomane. Pamëshirësitë absurde kundrejt shqiptarëve, mbi tavolinat diplomatike, nuk kishin fund. Derisa Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi u ishte njohur pavarësia, më 17 tetor 1912 fuqitë e mëdha kishin vendosur që Shqipërisë t’i njihej një autonomi, ende nën varësi nga Turqia. Duke mos përballuar më turpet dhe absurdet diplomatike të fuqive të mëdha, krerët e kombit tonë, që me pushkë e me penë e kishin udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare, kishin vendosur mbajtjen e një kuvendi mbarëkombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Duke iu përgjighjur thirrjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë ishin mbledhur krerët e të gjitha krahinave shqiptare: Luigj Gurakuqi, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Dom Nikollë Kaçorri, Jani Minga. Avdi Toptani, Pandeli Cale, Llesh Nosi, Mid’hat Frashëri, Mehmet Tërralla, Hasan Hysen Budakova, Sherif Efendi Dibra, Hajdin Draga, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Taiu e shumë të tjerë. Për shkak të pengesave gjatë rrugës, Isë Boletini me mbi 10 mijë kalorës nga Kosova, kishte mbërritur vetëm të nesërmen.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të Shtetit Shqiptar. Kryetar i Kuvendit e natyrisht edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali, i cili, kur po e ngriste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera ka thënë: “Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”. Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Megjithë ndërhyrjet e parreshtura diplomatike të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë Shqiptare, në të gjitha institucionet e qarqeve ndërkombëtare, gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, të involvuar në gërshetim interesash, kanë lejuar copëtimin e tokave shqiptare. Kështu, në konferencën e ambasadorëve në Londër, më 1913, pa përfillur luftën çlirimtare as vullnetin e popullit tonë, u morën vendime tragjike kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më shumë se gjysma e toka tona iu dhuruan fqinjëve: Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë (sllavomaqedonasit në atë kohë nuk kishin identitet kombëtar, pra ishin bullgarë). Kështu, ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe, kanë përligjur gjakderdhjen në Ballkan, duke lënë të hapura varrë që do të kullonin gjak gjatë gjithë shekullit XX. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1920, që për shkak të vendimeve të tilla, edhe pas Luftës së Parë Botërore, tokat tona mbetën të pushtuara nga vendet e përmendura. Me të drejtë, i Madhi At Gjergj Fishta e shan Europën e asaj kohe, duke e quajtur edhe kurvë: “Oj Zanë këndojmë, o të vajtojmë deshta me thanë…”.

28 Nëntori i tretë Shqiptar ndodhi në vitin 1944, kur Shqipëria u çlirua përfundimisht nga pushtuesit fashistë, mirëpo diplomacia ndërkombëtare, sërish na e la një Shqipëri të cunguar, duke njohur dhe përligjur edhe brenda shtetit shqiptar një diktaturë të egër komuniste, që shkatërroi edhe ato pak të arritura në rrafshin kombëtar – politik, ekonomik, kulturor… Ai regjim pushtuesve (grekërve, serbëve e sllavomaqedonasve), heshtas u lejonte dhunën e pandalshme mbi shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara, deri në spastrime etnike e gjenocid.

28 Nëntori i vitit 1955, mu në kohën e gjenocidit rankoviqian mbi shqiptarët e Kosovës, në Prekaz të Drenicës lindi kryekomandantin Adem Jasharin, i cili do të niste Luftën Çlirimtare vendimtare, për t’u çliruar nga zgjedha serbiane. 28 Nëntori i vitit 1997 e shpalli botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 28 Nëntori i vitit 2001, e solli me krenari, në qendrën e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin – Skënderbe, i cili edhe sot u jep zemër shqiptarëve dhe u garanton se një ditë të afërme do të jenë pronarë të ligjshëm të të gjitha tokave të tyre.

Në këtë festë të madhe, që sivjet po e kremtojmë edhe në shenjë të 600 Vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbe, të 450 vjetorit të Mesharit të Dom Gjon buzukut dhe të 95 Vjetorit të lindjes së Shenjtëreshës së Dashurisë, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze, uroj që së shpejti ta kremtojmë bashkë 28 Nëntorin e shpalljes dhe njohjes së shtetit shqiptar mbi të gjitha trojet arbërore.

Zoti e bekoftë Ditën Tonë të Shenjtë – 28 Nëntorin! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjitha tokat shqiptare jashtë kufijve të saj administrativë! Zoti i bekoftë të gjitha qeniet arbërore! Gëzuar! Si çdo popull, edhe ne kemi kremten tonë kombëtare. Bile mund të themi se Dita Jonë e Madhe – 28 Nëntori, është diçka më shumë se një kremte kombëtare, siç e kam thënë, jorastësisht, edhe në titull «DITA E SHENJTË ARBËRORE». Dikush që nuk e njeh mirë historinë tonë kombëtare, mund të pyes: pse?! Përgjigja është e shkurtër dhe shumë e qartë: sepse të mirat e rralla, kombit tonë të shumëvuajtur, por gjithmonë krenar, i kanë ardhur mu në këtë ditë.

28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenore dhe me yllin gjashtëcepësh në mes dy krenash, në Kalanë e Krujës, ku valoi plot 25 vjet. Gjergji, deri në vdekje luftoi me atë flamur në dorë dhe kurrë nuk diti për humbje. Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet, sa Kryeheroi Ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë.

Pas vdekjes së Tij (më 1468), pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe ia ndaluan valimin flamurit tonë. U dashtën edhe 444 vite pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë ekzode e zbrazje masive të trojeve tona nga qeniet arbërore, derisa rifilloi sërisht valimi i Flamurit të Arbërit. T’i kemi parasysh arbëreshët, që ikën përterj detit, ose në veri (në Dalmaci), me qëndresën e tyre stoike dhe me ruajtjen fanatike të gjuhës, traditave dhe kulturës së të parëve. Qindra mijëra shqiptarë, duke mos mundur ta durojnë terrorin e pushtuesve, kishin ikur në shumë vende të botës – deri në Amerikë, Afrikë, Azi e deri në Australi.

Edhepse të mërguar, qeniet arbërore nuk ndejtën kurrë duarkryq, por gjithherë, në mënyra të ndryshme ishin të vënë në shërbim të kombit dhe të atdheut të braktisur nga dhuna e pushtuesve. Sidomos vlen të përmendet gjysma e parë e shekullit XIX, kur figurat e ndritura të kombit themeluan një lëvizje mbarëkombëtare, për të mbajtur gjallë shpirtin arbëror dhe për ta ndihmuar lirimin e atdheut nga pushtuesit. Kjo lëvizje, në historinë tonë, u regjistrua me germa ari dhe u quajt: Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ndër rilindasit e parë duhet veçuar: Vëllezërit Frashëri, Jeronim De Radën, Jani Vreton dhe shumë të tjerë.

Në kohën kur gërshetimi joparimor i interesave ishte shtrirë në mbarë hapësirat ballkanike e më së rëndi rëndonte supet e popullit tonë, liderët e kombit filluan artikulimin e zëshëm të aspiratave të ligjshme kombëtare, për liri dhe pavarësi. Nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, Perandoria Osmane u detyrua t’ua njohë autonominë disa vendeve fqinje, si: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, gjë që nuk ndodhi edhe me Shqipërinë, që në vorbullën e interesave dhe të marrëveshjeve ruso-turke, mbeti ende nën kthetrat otomane.

Të ndaluar të marrin pjesë në Kongresin e Berlinit dhe të indinjuar thellë nga pazarllëqet që u bënë për copëtimin e tokave tona, krerët shqiptarë, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Pashko Vasa e të tjerë, më 10 Qershor 1978, në Prizren mbajtën Kuvendin Mbarëkombëtar dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, duke shpallur kështu autonominë e Shqipërisë. U bë edhe një kabinet qeveritar dhe u organizua një administratë mbarëkombëtare, mirëpo Turqia – e tërbuar nga ky akt i shqiptarëve, me “bekimin” dhe heshtjen edhe të fuqive të mëdha të kohës, me një fushatë shumë të egër ushtarake dhe me terror, pas tre vjetësh – më 1881 e shuajti Lidhjen e Prizrenit dhe autonominë shqiptare.

Shqiptarët nuk janë dorëzuar kurrë. Ata gjithmonë e luftonin pushtuesin dhe e forconin Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare – me pushkë e me penë. Në vitin 1899, nën drejtimin e Haxhi Zekës, u mbajt në Pejë edhe nhjë kuvend i madh mbarëkombëtar, që historia e njeh si Lidhja e Dytë e Prizrenit. Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane që shtrihej në tri kontinente (Azi, Europë dhe Afrikë) dhe e ndarë në 33 vilajete, katër nga të cilat ishin shqiptare, nga sulmet që nga të gjitha anët i bënin popujt liridashës, ishte dobësuar dukshëm. Njëri nga Vilajetet shqiptare ishte Vilajeti i Kosovës, me kryeqytet Shkupin, që përfshinte territoret e Dardanisë së dikurshme.

Luftërat çlirimtare, që plasën në të gjitha viset e pushtuara, i dhanë një goditje të rëndë “të sëmurit nga Bosfori”. Si pjellë e konçesioneve, që kishte fituar Serbia në Kongresin e Berlinit, në vorbullën e interesave, me marrëveshjen e fshehtë ruso-turke, kombit tonë i ishte imponuar edhe fronti verior, sepse shumë troje tona u pushtuan nga Serbia, që me sulme barbare deri në gjenocid i kishte detyruar të shpërngulen shumë shqiptarë nga trojet e tyre, që si rezultat pati spastrimin e mbi 700 vendbanimeve të Krahinës së Toplicës nga fara arbërore.

Në vitin 1908, e dobësuar shumë nga sulmet që i vinin nga të katër anët, Perandoria Osmane u detyrua të bëjë reforma dhe të lëshojë pe në shumëçka, në vendet e pushtuara. Xhonturqit, edhe nën trysninë e fuqive të mëdha të kohës, me këto reforma u kishin njohur disa të drejta popujve të pushtuar, përfshirë edhe shkollimin në gjuhën e tyre amtare dhe shprehjen e identitetit kulturor. Në nëntor të vitit 1908, nën drejtimin e At Gjergj Fishtës, në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, ku u njësua alfabeti i gjuhës shqipe. Në të gjitha viset shqiptare filloi organizimi i shkollave kombëtare.

Në vitin 1909, kur u organizua kryengritja e madhe e popullit arab kundër Turqisë, kur shpërthej edhe lufta e madhe italo-turke në Tripoli dhe kur plasën luftërat ballkanike, krerët e kombit filluan ta mobilizojnë edhe popullin tonë. Në pranverën e vitit 1910, Idriz Nikollë Seferi, bashkë me Dom Mikel Tarabulluzin, në zyrën famullitare në Stubëll të Karadakut, kishin hartuar planin e Luftës së Kaçanikut. Trimat e ardhur nga viset e Karadakut dhe të Moravës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe ata të ardhur nga Carraleva dhe nga viset tjera të Kosovës, nën udhëheqjen e Isë Boletinit, ishin bashkuar në Stagovë, prej nga futen në Grykën e Kaçanikut dhe i dërmojnë taborret e Turgut Pashës.

Lufta e Kaçanikut ishte fillimi i kryengritjes mbarëkombëtare për çlirim nga zgjedha pushtuese otomane, që në vitin 1911 – nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, ishte zgjeruar në Malësinë e Shkodrës dhe në krahinat fqinje, deri në Shqipërinë e Mesme, për t’u zgjeruar edhe në jug, kështuqë në vitin 1912 ishte përfshirë mbarë Shqipëria – nga Janina deri në Mitrovicë e nga Durrësi deri në Preshevë.

Tashmë vërehej qartë se Perandoria Osmane po kapitullonte, prandaj fuqitë e mëdha të kohës kishin filluar tregtimin mbi tokat që do të dilnin nga kthetrat otomane. Pamëshirësitë absurde kundrejt shqiptarëve, mbi tavolinat diplomatike, nuk kishin fund. Derisa Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi u ishte njohur pavarësia, më 17 tetor 1912 fuqitë e mëdha kishin vendosur që Shqipërisë t’i njihej një autonomi, ende nën varësi nga Turqia. Duke mos përballuar më turpet dhe absurdet diplomatike të fuqive të mëdha, krerët e kombit tonë, që me pushkë e me penë e kishin udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare, kishin vendosur mbajtjen e një kuvendi mbarëkombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Duke iu përgjighjur thirrjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë ishin mbledhur krerët e të gjitha krahinave shqiptare: Luigj Gurakuqi, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Dom Nikollë Kaçorri, Jani Minga. Avdi Toptani, Pandeli Cale, Llesh Nosi, Mid’hat Frashëri, Mehmet Tërralla, Hasan Hysen Budakova, Sherif Efendi Dibra, Hajdin Draga, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Taiu e shumë të tjerë. Për shkak të pengesave gjatë rrugës, Isë Boletini me mbi 10 mijë kalorës nga Kosova, kishte mbërritur vetëm të nesërmen.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të Shtetit Shqiptar. Kryetar i Kuvendit e natyrisht edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali, i cili, kur po e ngriste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera ka thënë: “Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”. Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Megjithë ndërhyrjet e parreshtura diplomatike të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë Shqiptare, në të gjitha institucionet e qarqeve ndërkombëtare, gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, të involvuar në gërshetim interesash, kanë lejuar copëtimin e tokave shqiptare. Kështu, në konferencën e ambasadorëve në Londër, më 1913, pa përfillur luftën çlirimtare as vullnetin e popullit tonë, u morën vendime tragjike kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Më shumë se gjysma e toka tona iu dhuruan fqinjëve: Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë (sllavomaqedonasit në atë kohë nuk kishin identitet kombëtar, pra ishin bullgarë). Kështu, ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe, kanë përligjur gjakderdhjen në Ballkan, duke lënë të hapura varrë që do të kullonin gjak gjatë gjithë shekullit XX. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1920, që për shkak të vendimeve të tilla, edhe pas Luftës së Parë Botërore, tokat tona mbetën të pushtuara nga vendet e përmendura. Me të drejtë, i Madhi At Gjergj Fishta e shan Europën e asaj kohe, duke e quajtur edhe kurvë: “Oj Zanë këndojmë, o të vajtojmë deshta me thanë…”.

28 Nëntori i tretë Shqiptar ndodhi në vitin 1944, kur Shqipëria u çlirua përfundimisht nga pushtuesit fashistë, mirëpo diplomacia ndërkombëtare, sërish na e la një Shqipëri të cunguar, duke njohur dhe përligjur edhe brenda shtetit shqiptar një diktaturë të egër komuniste, që shkatërroi edhe ato pak të arritura në rrafshin kombëtar – politik, ekonomik, kulturor… Ai regjim pushtuesve (grekërve, serbëve e sllavomaqedonasve), heshtas u lejonte dhunën e pandalshme mbi shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara, deri në spastrime etnike e gjenocid.

28 Nëntori i vitit 1955, mu në kohën e gjenocidit rankoviqian mbi shqiptarët e Kosovës, në Prekaz të Drenicës lindi kryekomandantin Adem Jasharin, i cili do të niste Luftën Çlirimtare vendimtare, për t’u çliruar nga zgjedha serbiane. 28 Nëntori i vitit 1997 e shpalli botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 28 Nëntori i vitit 2001, e solli me krenari, në qendrën e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë, kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin – Skënderbe, i cili edhe sot u jep zemër shqiptarëve dhe u garanton se një ditë të afërme do të jenë pronarë të ligjshëm të të gjitha tokave të tyre.

Në këtë festë të madhe, që sivjet po e kremtojmë edhe në shenjë të 600 Vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbe, të 450 vjetorit të Mesharit të Dom Gjon buzukut dhe të 95 Vjetorit të lindjes së Shenjtëreshës së Dashurisë, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze, uroj që së shpejti ta kremtojmë bashkë 28 Nëntorin e shpalljes dhe njohjes së shtetit shqiptar mbi të gjitha trojet arbërore.

Zoti e bekoftë Ditën Tonë të Shenjtë – 28 Nëntorin! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjitha tokat shqiptare jashtë kufijve të saj administrativë! Zoti i bekoftë të gjitha qeniet arbërore! Gëzuar!

Shqipëria në Udhëkryq të Demokracisë Dr. Elez Biberaj* Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë Zëri i Amerikës

Fjala në Konferencën “ Shqipëria 25 Vjet pas Komunizmit”

Instituti i Studimeve Ndërkombëtare

Tiranë

25 nëntor 2015

 

Faleminderit shumë për ftesën për të marrë pjesë në këtë simpozium të rëndësishëm. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në Tiranë në përvjetorin e kësaj ngjarje të jashtëzakonshme. Është kënaqësi e veçantë të ndodhem këtu në shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve.

Njëzetepesë vjet pas përmbysjes së regjimit komunist totalitar të Enver Hoxhës, shqiptarët kanë të drejtë të ndihen krenarë për arritjet politike dhe ekonomike që ka shënuar vendi i tyre. Shqipëria tashmë është një vend i transformuar. Janë zhvilluar tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike. Shqiptarët përgjithsisht i kanë pranuar normat demokratike dhe demokracia shihet si sistemi ideal politik. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe ndarja e pushteteve janë të mishëruara në kushtetutë. Zbatimi i reformave ka sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme, përmirësime në infrastrukture, dhe ulje të varfërisë. Shqipëria po ashtu ka parë lindjen e një media dinamike dhe të shumëllojshme. Dhe ndërsa niveli i angazhimit qytetar nuk është shumë i lartë, roli i shoqërisë civile po bëhen gjithënjë më i rëndësishëm dhe në disa raste ajo ka arritur të ndikojnë në procesin vendim-marrës të qeverisë.

Qëndrimet e Shqipërisë në politikën e jashtme kanë qënë në përputhje me interesat kryesorë rajonale e botërore të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Përmes partneritetit me Shtetet e Bashkuara, anëtarësimit në NATO dhe tani, edhe si vend kandidat i BE-së, Shqipëria është pozicionuar vendosmërisht më Perëndimin. Kursi që kanë përqafuar shqiptarët është ai i thellimit të lidhjeve historike me Evropën e me vlerat demokratike, dhe kundërshtimin i ekstremizmit fetar. Shqipëria ka mbështetur fuqishëm bashkëpunimin dhe pajtimin në Ballkan dhe roli i e saj në rajon është rritur ndjeshëm.

Megjithë këto arritje mbresëlënëse, Shqipëria demokratike e gjen veten në udhëkryq. Ajo vlerësohet shumë më ulët se shumica e ish vendeve të bllokut sovjetik dhe republikave jugosllave për treguesit e demokracisë, dhe ende nuk ka krijuar një sistem mirë-funksionues demokratik. Shqipëria vuan më shumë se vendet e tjera që kanë kryer tranzicionin nga komunizmi në një sistem shumë-partiak, nga cilësia e ulët e demokracisë. Siç thekson edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian, Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër për të forcuar shtetin ligjor, për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për funksonimin e duhur të institucioneve të shtetit, për të pastruar parlamentin nga elementët kriminalë dhe të korruptuar, dhe për të realizuar reforma të thella në drejtësi.

Ka shumë faktorë që shpjegojnë përparimin e dobët demokratik të Shqipërisë: mungesa e një kulture demokratike, trashëgimia komuniste, dhe dobësia ekonomike. Por, pa dashur të minimizoj rëndësinë e tyre, nuk ka asnjë dyshim se shumë prej vështirësive me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtëpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj qeverisëse. Gabime, dështime, politika jo të drejta, dhe raste të humbura kanë qënë tipare të përbashkëta të qeverive demokrate edhe të atyre socialiste.

Shqipëria ndeshet me një numër sfidash të ndërlikuara. Ato do të vënë në provë aftësitë udhëheqëse të politikanëve të tanishëm dhe do të përcaktojnë në se Shqipëria do të arrijë të konsolidojë plotësisht demokracinë e saj.

Çështja më jetike mbetet ekonomia. Shqipëria renditet mes vendeve më të varfëra në rajon, me papunësi të lartë dhe mundësi të kufizuara ekonomike. Segmente të tëra të shoqërisë besojnë se nuk kanë asgjë në dorë për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre, ose për të ndikuar tek vendimet politike që kanë të bëjnë me interesat e tyre jetike. Shqipëria është një nga vendet që prodhon numrin më të lartë të imigrantëve. Rreth 20 për qind e popullsisë është largur nga vendi që nga fillimi i viteve ’90. Dhe siç kemi parë me valën e fundit të emigrantëve, Shqipëria po humbet shumë nga qytetarët e saj të edukur dhe në moshë të re – që janë pjesa më vitale e popullsisë. Humbja e shpresës dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike, janë tregues që Shqipëria mund të jetë në prag të humbjes së garës mes mundësive ekonomike dhe pakënaqësisë.

Korrupsioni, paligjshmëria e përhershme, dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë në Shqipëri. Korrupsioni ka hedhur rrënjë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Mbajtja e një posti publik ose në administratë është kthyer në rrugën më të mirë për t’u pasuruar. Pasuria dhe pushteti janë përqëndruar në duart e një grupi të vogël. Drejtësia shihet si një nga institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mishërohen më së miri tek kriminalizimi i parlamentit dhe tek paturpësia se si zyrtarët përpiqen për të ndikuar tek vendimet e gjykatave. Rrallë ndodh që zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar të ndëshkohen për abuzim pushteti, korrupsion apo shkelje të tjera. Prandaj nuk është për t’u habitur që publiku nuk ka shumë besim tek fushata e qeverisë kundër korrupsionit dhe tek kryerja e reformave të thella në drejtësi.

Media në Shqipëri ka bërë pak përparim drejt të qënit një pushtet i katërt funksionues. Shumica e mediave janë të lidhura me qeverinë ose me parti apo politikanë të caktuar. Ndonëse qeveri të ndryshme e kanë shpallur veten si kampionë të shtypit të lirë, shpesh ato kanë ushtruar trysni me forma të ndryshme ndaj mediave, si mosdhënie reklamash, apo duke u bërë trysni pronarëve ose bizneseve të tyre. Biznesmenë të njohur, të lidhur ngushtë me partitë politike në qeveri ose opozitë, kanë blerë gazeta dhe stacione të rëndësishme televizive. Shumë gazetarë, të pambrojtur nga trysnia politike dhe ekonomike, praktikojnë gjerësisht auto-censurën dhe kanë një mungesë profesionalizmi dhe etike. Vendosja e një shtypi vërtetë të lirë, do të kërkojë që gazetarët t’i mbrojnë më me forcë të drejtat e tyre. E lidhur ngushtë me këtë, është nevoja që gazetarët t’u qëndrojnë besnik standarteve profesionale të gazetarisë. Në shumicën e rasteve, nuk ka asnjë lloj muri-ndarës midis zyrtarëve qeveritarë dhe pronarëve të mediave nga njera anë, dhe gazetarëve nga ana tjetër, një ndarje e nevojshme për të siguruar integritetin redaksional dhe pavarësinë e shtypit.

Ndoshta pengesa kryesore që Shqipëria nuk ka arritur potencialin e saj të plotë demokratik, ka qënë polarizimi politik. Politika në Shqipëri vazhdon të jetë tejet konfrontuese dhe përçarëse. Dy forcat kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk kanë pranuar të angazhohen në arritjen e kompromiseve, që janë një normë e zakonshme në një shoqëri demokratike. Qëllim kryesor i tyre ka qënë sigurimi dhe mbajtja e pushtetit. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, ato janë angazhuar në praktika të dyshimta demokratike – nuk kanë respektuar shtetin ligjor, kanë shpërndarë pasuritë publike sipas parapëlqimit partiak, kanë ndryshuar rregullat e lojës nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe kanë ushtruar trysni ndaj institucioneve të pavarura dhe grupeve të shoqërisë civile. Kur janë në opozitë, ose gjatë fushatave elektorale, politikanët shqiptarë e portretizojnë veten si udhëheqës frymëzues, reformatorë, konsensual, dhe mbështetës të reformave politike dhe ekonomike që synojnë shndërrimin e Shqipërisë në një shtet funksionues demokratik. Por kur vijnë në pushtet, shumë shpejt largohen nga rruga demokratike, shmangin kontrollet dhe balancat institucionale, që më parë i mbështesnin, konsolidojnë pushtetin me qëndrime anti-demokratike, dhe përpiqen të kapin shtetin për përfitime ekonomike. Çdo qeveri e re ka kryer spastrime të mëdha në administratën shtetërore. Shqipëria ende nuk ka arritur të zëvendësojë klientelizmin dhe interesat partiake, me meritokracinë për punësimet në administratën publike.

Është e vështirë për të kuptuar vazhdimin dhe intensifikimin e polarizmit të ashpër politik sot kur dallimet ideologjike mes partive kryesore politike janë ngushtuar ndjeshëm. Ndërsa pranohet gjerësisht se pushteti politik mund të fitohet në mënyrë të ligjshme vetëm nga kutitë e votimit, zgjedhjet në Shqipëri shoqërohen me dramë të madhe. Ato shihen si një betejë për jetë a vdekje, vetëm me fitues e të mundur, dhe jo si një garë mes platformave politike.

Në parlament, debatet janë kthyer në një teatër politik. Fyerjet vulgare, shpifjet dhe gënjeshtrat janë bërë pjesë normale e debatit politik. Kjo retorikë armiqësore dhe provokuese ka krijuar një atmosferë toksike në parlament, që nuk e ndihmon debatin demokratik. Polarizimi politik e ka bërë shumë të vështirë gjetjen e individëve që shqiptarët mund t’i shohin si shembuj pozitiv. Njëzetepesë vjet më parë, ne tek Zëri i Amerikës, mund të intervistonim në periudha krizash të thella personalitete të shquara, si Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare, deklaratet e të cilëve kishin ndikim. Sot, është vështirë të gjesh një personalitet që të pranohet si figurë bashkuese dhe një forcë e moderuar.

Zgjedhjet e vitit 2013 krijuan shpresë dhe pritshmëri për ndryshime e reforma. Socialistët korren nje fitore të thellë, duke siguruar kështu një mandat të jashtëzakonshëm për të bërë ndryshime. Me përjashtim të qeverisë së parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në mars të 1992, asnjë qeveri tjetër nuk ka patur një mandat të tillë, dhe bashkë me të, edhe mundësinë për të kryer reforma të thella politike dhe ekonomike.

Kryeministri Edi Rama kishte bërë shumë premtime gjatë fushatës së tij të bujshme elektorale për të forcuar shtetin ligjor, luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të reformuar drejtësinë dhe modernizuar ekonominë. Ndërsa qeveria ka bërë përparime në shumë fronte, kryeministri Rama nuk arriti të shfrytëzonte mundësitë e këtij momenti vendimtar për të ndjekur një kurs të rinj. Me që gëzonte një shumicë të mjaftueshme në parlament, Kryeministri Rama nuk e pa të nevojshme të ndërmirte masa serioze për një marrëdhënie më normale me opozitën. Ndonse para zgjedhjeve ai mbeshteste pavarësinë e insitucioneve dhe kërkonte respektimin e ndarjes së pushteteve, pasi erdhi ne pushtet ai nuk ngurroi që të perpiqej për t’iu shmangur sistemit të kontrollit dhe balancave të institucioneve. Deri tani nuk ka shenja se marrëdhëniet e qeverisë me opozitën mund të përmirësohen së shpejti. Është e pabesueshme që për vite të tëra nuk ka patur ndonjë takim kokë-më-kokë mes udhëheqësve të të dy forcave kryesore politike.

Partia Demokratike është ende në procesin e rimëkëmbjes pas humbjes së thellë elektorale. Ajo ndeshet me sfida të shumta dhe do t’i duhet kohë të rehabilitohet në sytë e elektoratit shqiptar. Sali Berisha, i cili e kishte dominuar partinë për më shumë se dy dekada dhe shikohej nga baza e partisë si udhëheqes i domosdoshëm, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit në vitin 2013 pa përgatitur më parë brezin që do ta pasonte. Dorëheqja e tij ka krijuar një boshllëk të madh. Lulzim Basha po ecën me kujdes drejt konsolidimit të pushtetit, duke u përpjekur t’i mbajë të bashkuara grupet e ndryshme në parti. Por ai ende nuk ka arritur të krijojë profilin e tij politik. Ai ka zgjedhur rrugën më të lehtë, siç kanë bërë zakonisht udhëheqësit e opozitës gjatë njëzetepesë vjetëve të fundit, duke luajtur rolin e kritizerit të ashpër, duke nxirrë gjithshka që bën qeveria dhe duke ndjekur disa prej taktikave të dëmshme që socialistët kishin zbatuar para zgjedhjeve të 2013. Zoti Basha duhet të luajë rolin e një udhëheqësi vizionar, që shikon nga e ardhmja dhe bashkëpunon me qeverinë për çështjet dhe reformat e rëndësishme.

Ndërsa Shqipëria po shqyrton mundësinë e reformave në drejtësi dhe kushtetutë, bashkëpunimi midis qeverisë dhe opozitës është jetik. Të dyja – qeveria dhe opozita – duhet të ndajnë si barrën ashtu edhe përfitimet nga reformat.

Që Shqipëria të bëjë një shkëputje të qartë nga e kaluara dhe të konsolidojë plotësisht sistemin demokratik, udhëheqësit e saj duhet të bëjnë një vlerësim real dhe të nxjerrin mesime të vlefshme nga mënyra se si është qeverisur vendi deri më tani. Por cilat janë disa nga këto mësime që mund t’ju ndihmojnë vendim-marrësve në të ardhmen? Unë do të përmend katër mësime të përgjithshme.

 

  • Përqëndrimi tek interesat partiake dhe objektivat politike afat-shkurtëra, në vend të interesave themelore kombëtare, sjell pasoja të rënda dhe afat-gjatë për politiken e brendshme dhe të jashtme. Reformat graduale janë të lehta politikisht për t’u kryer, por ato sjellin ndryshime të vogla. Përvoja e deritanishme deshmon se ritmi i ngadaltë i ndryshimeve e ka zgjatur agoninë e shqiptarëve dhe integrimin e vendit të tyre në BE. Sfidat madhore të vendit mund të përballohen në mënyrë më të efektshme permes përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë dhe opozitës. Zbatimi i reformave rrënjësore që kanë të bëjnë me çështjet themelore kombëtare, dhe që do të kenë një jetë më të gjatë se sa mandati i një administrate, kërkojnë konsensus të gjerë.
  • Dy, përpjekjet e udhëheqësve politikë për të kufizuar hapësirat e kundërshtarit, për të ushtruar kontroll autoritar mbi partinë e grupin e tyre parlamentar, institucionet e pavarura, median, dhe shoqërinë civile, kanë prirjen të sjellin rezultat të kundërt dhe në një këndvështrim afat-gjatë, minojnë përparimin demokratik dhe dëmtojnë mundësitë e vendit për zhvillim. Tashmë duhet të jetë e qartë se Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një shtet funksionues demokratik pa institucione të fuqishme të pavarura.
  • Tre, përvoja e shumë vendeve në tranzicion dëshmon se qeveritë që nuk dëgjojnë zërin e popullit dhe nuk respektojnë aspirtat e qytetarëve të tyre për mundësi më të mëdha politike, sociale dhe ekonomike, rrezikojnë veten e tyre. Shembujt e fundit në Ukrainë dhe Rumani janë domethënës. Ishte pakënaqësia dhe zemërimi popullor ndaj elitave të korruptuara që nxiti protesta masive që çuan në rrëzimin e presidentit Victor Yanukovych dhe dorëheqjen e kryeministrit Victor Ponta. Ndërsa gjendja në Shqipëri nuk është e njejtë me atë në Ukrainë dhe Rumani, nuk ka asnjë dyshim se hendeku midis atyre në pushtet dhe atyre pa pushtet është shumë i thellë. Pesimizmi është në ngritje dhe shumë shqiptarë kanë humbur shpresën. Rritja e vështirësive ekonomike, paaftësia e qeverisë për t’u treguar e vendosur në luftën kunder korrupsionit dhe shtimi i pakënaqësisë sociale mund të çojnë në përplasje serioze.
  • Dhe katër, marrëdhëniet jofunksionale mes aktorëve kryesorë politikë kanë pasur pasoja shumë të rënda për vendin. Paaftësia e demokratëve dhe socialistëve për të bërë kompromis dhe punuar së bashku, ka rezultuar në një qeverisje të dobët dhe ka ngadalësuar integrimin në Bashkimin Evropian. Në se nuk vihet nën kontroll, ky konflikt i papërgjegjshëm dhe jo-parimor, dhe retorika e ashpër armiqësore që e shoqëron, mund të dëmtojë seriozisht qëndrueshmërinë e Shqipërisë.

 

Mbetet për t’u parë në se udhëheqësit shqiptarë kanë vullnetin politik për të zgjidhur disa prej mangësive dhe gabimeve më të mëdha, që kanë penguar Shqipërinë të arrijë potencialin e saj demokratik. Deri tani, reformat e thella, qeverisja e mirë, dhe lufta ndaj korrupsionit nuk kanë qënë përparësi e qeverive të ndryshme që kanë drejtuar vendin. Gjendja aktuale, gjithsesi, është e rëndë dhe çmimi i dështimit mund të jetë i madh për elitat politike dhe vendin në tërësi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë treguar angazhim të thellë për përparimin demokratik të Shqipërisë. Ato kanë mbeshtetur udhëheqësit shqiptarë me shpresë se ata do të udhëhiqnin vendin e tyre drejt një demokracie të vërtetë, e jo që të ndiqnin praktika jo-demokratike e të pasuroheshin në mënyrë të paligjshme, duke vjedhur kështu të ardhmen e popullit të tyre. Ndërsa shtytja për ndryshime reale duhet të vijë nga brenda, bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Shqipërinë ta përfundojë procesin e konsolidimit të demokracisë. Bashkësia ndërkombëtare mund ta bëjë këtë duke përdorur levat e ndryshme që ka në dizspozicion për të ushtruar trysni mbi vendim-marrësit shqiptarë. Ata që luftojnë me të vërtetë për një Shqipëri të begatë, demokratike e të drejtë duhen mbështetur, ndërsa politikanët, zyrtarët dhe biznesmenët e dyshuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar duhet të përballen me ndëshkime të rënda.

Vendim-marrësit në Tiranë shpesh e shohin mbështetjen që jep bashkësia ndërkombëtare si një ripohim të politikave të tyre. Por ata duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mbeshtesin individë të caktuar politikë. Ato mbeshtesin aspiratat e popullit shqiptar për një proces politik gjithë-përfshirës, për vendosjen e shtetit ligjor, dhe për krijimin e një qeverie të efektshme dhe të përgjegjëshme. Nuk ka në të vërtetë asnjë arësye bindëse sot, se përse Shqipërisë i duhet dhënë ndihmë pa kushte. Ndërsa Shqipëria është e rëndësishme, ajo nuk është pjesë e interesave jetikë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Shqipëria është thjesht pjesë e strategjisë së tyre periferike. Bashkësia ndërkombëtare, e angazhuar sot me çështje të shumta dhe shumë më urgjente se Shqipëria, nuk pritet të jetë më aq e gatshëme për të ndihmuar, në se udhëheqësit në Tiranë perceptohen si të korruptuar, të përçarë, dhe me një angazhim të dyshimtë ndaj demokracisë. Kështu, udhëheqësit shqiptarë duhet të jenë të ndërgjegjshëm nga rreziku i një “lodhjeje me Shqipërinë.”

Sot, njëzetepesë vjet pas përmbysjes së komunizmit, elita politike shqiptare e ka vetë në dorë të nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e së kaluarës dhe të krijojë një sistem ekonomik dhe politik gjithëpërfshirës, me mundësi për të gjithë, që ndërton një të ardhme që forcon demokracinë, shton transparencën dhe përgjegjësinë, dhe përkrah politika zhvillimi të qëndrueshme. Zbatimi i reformave rrënjesore kërkon udhëheqje të efektshme. Që Shqipëria të arrijë potencialin e saj dhe të gëzojë të mirat e plota të një demokracie të konsoliduar, udhëheqësit e saj duhet të venë interesat e larta të vendit para interesave personale dhe të zbatojnë një spektër të gjerë reformash politike dhe ekonomike. Në se dështojnë në këtë pikë, udhëheqësit shqiptarë do t’i mohonin popullit të tyre një të ardhme më të mire

* Pikëpamjet e shprehura këtu janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e Zërit të Amerikës.

25-11-2015 19-53-29

Voal mbështet fuqimisht Deklaratën e Federatës Panshqiptare Vatra në SHBA për situatën në Kosovë

Voal – Zëri i Shqiptarëve mbështet fuqishëm Deklaratën e Federatës Panshqiptare Vatra në SHBA, që vjen nga vendi të cilit Kosova i dedikon çlirimin dhe lirinë, rreth situatës dramatike në Kosovë, duke e konsideruar me vlerë historike, e cila me urtësi dhe largpamësi, mban një qëndrim mbi palët politike, në të mirë të popullit të Kosovës, meqë, në fund të fundit, partitë politike në Kosovë përfaqësojnë votën e elektoratit. Sikur thekson Federata Panshqiptare Vatra, edhe Voal është kundër kthimit të Kuvendit të Kosovës në një arenë të dalur jashtëkontrollit, në opozitë të plotë me traditën shqiptare, ku drejtësia vendoset përmes urtësisë, dhe peshorja anon nga e mira e përbashkët. Po ashtu Voal është kundër maxhorancës së krijuar si rezultat interesash klienteliste dhe jo frut i demokracisë free and fair. Voal shpreh qëndrimin konform deklaratës së Vatrës se „koalicioni qeveritar nuk i shpëton përgjegjësisë për situatën e krijueme që asht shkak i një dëshprimi shpërthyes. Korrupsioni i përhapun deri në rrethet ma të nalta qeveritare e parlamentare, zyrtarët e zgjedhun a të emnuem pasunohen “mbrenda natës”si me u pikë parja prej qiellit, ndërsa populli vorfnohet gjithnjë e ma tepër, papunësia rritet, rinija mbetet rrugëvet pa shpresë për të ardhmen dhe mija familjesh lëshojnë trojet e marrin arratinë“. Edhe Voal si Vatra „nuk mund të pajtohemi me metodat e dhunës me prirje anarkike të opozitës, që janë të papranueshme në nji shoqni të civilizueme, të dënueshme si antidemokratike dhe, në anë tjetër, komprometojnë randë kauzën të cilës don t’i dalë zot, sado kauzë e drejtë të jetë ajo.“ Voal pajtohet plotësisht me Deklaratën e Vatrës në lidhje me dy marrëveshjet që ka bërë qeverija e Kosovës me Serbinë për “Zajednica”-n dhe me Malin e Zi për përcaktimin e vijës kufitare. Fillimisht opozita të tërhiqet e me durim të presë vendimin që vjen prej Gjykatës Kushtetuese, ndërsa nga ana e saj Gjykata Kushtetuese të mos e zvarrisë vendimin. Për të gjetur një konsensus mbarë popullor, ne jemi plotësisht dakord me qëndrimin e Vatrës në deklaratën e 18 Nëntorit 2015 i shprehur në dy pika: „Së pari, duhet të merret vendim dhe të organizohet sa ma shpejt një referendum për marrëveshjet, për të cilat populli duhet të informohet në mënyrë shumë të qartë dhe t’i kuptojë mirë, kështu që ai, sovrani, në kushte të qeta sigurije, të vendosi në se i pranon ose i shtyn ato për negociata të reja. Së dyti, të shqyrtohet me seriozitet mundësia e shkuemjes në zgjedhje të parakohshme.” Vetëm kështu, do të veprohet në të mirë të interesit të popullit e të shtetit të Kosovës, do t’i jepet fund skenave të anarkisë dhe kaosit, si dhe do të ndalet papërgjegjshmëria e palëve. Të mos harrojmë se partitë në Kosovë duhet të jenë zëdhënëse të popullit të Kosovës dhe jo si deri tash që populli i Kosovës është kthyer në shërbëtor i partive politike.

Politika e Re, Drejtësia e re Penale dhe Policia e Shtetit Nga Romeo Gurakuqi

Pas një viti skandalesh të njëpasnjëshme, akuzash për atentate vrastare, mosveprimesh dhe veprimesh të paarsyetueme të organit të akuzës, akuzave për përfshirjeve në korrupsion galopant me paranë publike nga ana e qeveritarëve e ish qeveritarëve, likuidimesh boshatisëse të buxhetit të shtetit, përfshirjeje të segmenteve të policisë politike socialiste në trafiqe dhe akuzave të drejtëpërdrejta të bëra së fundmi nga një punonjës i terrenit ndaj Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, publiku i tejngopur dhe i demoralizuar ka rritur në pikën e mosdurimit dhe kërkon ndryshim thelbësor reformativ.

Ky proces reformativ kaplon tre sfera themelore: a. “Politikën që duhet të pastrohet”; b “Drejtesinë Penale që duhet të ndahet një herë e mirë nga “drekimi” me kriminelët dhe “llogaridhënia e fshehtë sistematike” ndaj politikës së korruptueme; c. Policia e Shtetit, që duhet të shkëputet nga kontrolli i politikës, shërbimi ndaj kriminelëve dhe të vendoset në shërbim të Publikut.

A.Që të kemi politikë të re të dekriminalizuar dhe një integritet të qeverisë, mendoj se duhen demokratizuar partitë dhe qarkulluar elitat e ngurtësuara të tyre, duhet ndryshuar sistemi elektoral drejt një sistemi mazhoritar, me prag të lartë (5%), me një raund ( pavarësisht se binomi FRD dhe LSI në qeveri do të tentojë ta bllokojë) dhe të gjendet mënyra që të kontrollohet numërimi i ndershëm i votave; duhet të vendoset transparenca e vendimarrjes politike, ekonomike dhe tenderuese të qeverisë; duhet të ndalet bërja e emërimeve që dhunojnë caktimet bazuar në meritë, të rritet ekspertiza e ndertimit të akteve ligjore dhe veprimit administrative.

 

  1. Drejtësia penale e startuar nga Hetimi Penal, e mishëruar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe varësitë e saj, ndonëse një institucion i projektuar si i pavarur, mbetet dega më hipokrite, më ineficente dhe më e varur nga Dora Rrënuese që godet, shantazhon dhe rrëmon Shtetin e së Drejtës në Shqipëri. Dështimi ynë për t’u marrë me rregullimin dhe reformimin e organit të hetimit do të jetë një indikator se ne jemi një shoqëri e themeluar mbi mungesën e ndershmërisë dhe kompromiseve të paparimta. Kjo sepse organi i prokurorisë është një përbërës jetësor i sistemit të drejtësisë, derisa i gjithë organizmi hetimor operon në emër të Shtetit dhe Publikut. Pyetjet qendrore për këtë organ mbetën edhe më tutje, ato që kanë qenë përherë dhe që janë agravuar: Ata që janë përgjegjës të këtij institucioni janë duke marrë vendime të mira? Sa koherente, koinsistente, të barazvlefshme dhe operative janë vendimarrjet e tyre dhe sa e kanë të qartë ato barazinë e qytetarëve shtetarë para ligjit dhe mbrojtjen e lirive të shtetasve të thjeshtë të këtij vendi? Sa të depolitizuar dhe sa janë të çliruar ata nga duart e padukshme të politikës, biznesit jo legjitim dhe parasë? Cili është testi bazë profesional i rekrutimit të prokurorëve dhe a ka një kuadër ligjor që shmang konfliktin e interesit, strukturon respektimin e kodit etik, parashikon ndarjen e interesave institucionale dhe antinepotike?

 

  1. Policia e Shtetit është rikthyer plotësisht dhe pa droje nën kontrollin politik të Ministrisë së Brendshme, dhe një Ministri që ndonëse ka vendosur rendin në rrugët e Shqipërisë, ka larguar nga puna punonjësit më të kualifikuar të Policisë së Shtetit dhe ka lejuar në një sipërfaqe të pangjashme të vendit në krahinat nën varësinë e administrimit socialist, të mbillen masivisht lëndë narkotike. Në këtë organ duhet të rikthehen, pas një shoshitje të kujdesshme, të gjithë policët jo të inkriminuar që kanë përfunduar Akademitë Policore; në polici mendoj se do të duhet të ndërtohet, në vend të policisë gjyqësore, një Byro Nacionale e Hetimit, tëresisht profesionale, me një degë të posaçme të policisë të heton policinë; mbi të gjitha, rimodelimi i policimit komunitar duhet të përforcohet dhe ridimensionohet.

 

Është koha të kuptojmë se mekanizmi teorik i sistemeve të qeverisjeve, automatikisht të orienton në përfundimin se, një prokurori ineficente, një gjyqësor i korruptuar, një polici e kapur, është para së gjithash pasojë dhe produkt i një politike dhe sistemi qeverisjeje të korruptuar, të sëmurë, në kuptimin më të gjërë të fjalës, dhe të gjitha janë pasojë e drejtëpërdrejtë e shkatërrimit të bazave demokratike të qeverisjes.

Pra, ajo çfarë do të duhet të korigjohet më e para është Baza e Demokracisë dhe e Shtetit, nisur nga Kushtetuta. Për ta bërë këtë mendoj që koalicioni i forcave Pro Shtetit dhe Pro Shqipërisë, në të gjithë spektrin e politikës, të bashkohet kundër Koalicionit të Djallit, që gjendet gjithandej i shtrirë në sektorët e jetës publike të republikës së dërrmuar. Republika e Katërt e Shqipërisë është praktikisht e rënë dhe këtë duhet ta shohin para së gjithash, Kryeministri i vendit, zoti Rama dhe Shefi i Opozitës, zoti Basha, që edhe në qoftë se nuk i kanë këllçet, kurajon, burrërinë dhe dijeninë e mjaftueshme për të ndertuar reformimin e plotë të sistemit, duhet ta rishpikun vetvehtën dhe stafet e tyre, për t’u marrë vesht sinqerisht, për ta Rindertuar Republikën e Pestë bashkarisht. Rënia e dogmës së Rilindjes së Shtetit, duke qenë në koalicion me Djallin, nga njëra anë, dhe fiksimi pas shabllonit të goditjes së qeverisë pa sjellë asnjë kontribut teorik ndaj republikës, sistemit të saj qeverisës, reformave, nga ana tjetër, duhet të jetë hapi i parë i vullnetit të mirë nga ana e tyre, në shërbim të njërëzve të Shqipërisë që marrin çdo ditë të frikësuar, rrugën e arratisë nga ky vend i komanduar nga gangsterët. Nuk propozohet këtu një koalicion qeverisës afatgjatë, as një marrëveshje dashurie politike e shoqnore, e cila është e vdekur midis dy partive të mëdha politike, por një Pakt Ndërtimi Strukturori i Republikës së Pestë, për hir të dashurisë së tyre të pretenduar për Shqipërinë dhe Publikun. E gjitha kjo për të shmangur kaosin dhe një marrëveshje të vonuar dhe të imponuar nga jashtë, nesër pas kostove vështirësisht të riparueshme.

Në qoftë se nuk jemi të vonuar dhe të pa shpresë, mendoj se mund të jemi ende në kohë që të parandojmë kaosin e radhes së republikës post komuniste, përmes një game të gjërë reformash thelbësore, gjithpërfshirëse. Duke devijuar paratë e tenderit të Jaguarëve, ose duke ia marrë paratë hajdutëve të Thesarit, mendoj se Qeveria dhe Opozita të bien në një mendje për financimin e ndërtimin e tre komisioneve të përbërë nga Konstitucionalistët, Ekspertë të Drejtësisë Penale, Profesionistët e të Drejtës Elektorale dhe Administrative, të Universiteteve më të mira të vendeve partnere. Pavarësisht se qeveria e Kryeministrit Rama ka ndërmarrë akte të kufizuar ekzekutive për të imponuar ligjin, ajo qeveri ka qenë e kufizuar në përspektiven e gjykimit reformativ, nuk është orientuar drejt reformave të qendrueshme me jetë të gjatë dhe ka qenë e vetëpenguar për shkak të “bashkëjetësës me të keqen”, e dallueshme brenda saj që në fillesë. Padrejtësia e Sistemit tonë të Drejtësisë, përpjekja utopike e një rrethi politik të korruptuar për të reformuar atë sistem, fusha e gjërë dhe e qetë ku operon krimi i organizuar, kanë përjetësuar një rreth vicioz që po rrënon Shtetin dhe po shkatërron Komunitetin e Qytetarëve të Normalë të këtij vendi. Vetë projekti i shpallur njëanshmërisht i reformës në drejtësi, duket tashmë i vdekur.

Republika është para Kaosit, që në qoftë se ndodh, do të shoqërohet me ndërhyrje stabilizuese, zgjedhje të monitorueme, amnisti për krimenelët dhe shkaktarët e kaosit dhe rindertim gjërash nga e para, por atëherë në një Shqipëri të boshatisur nga qytetarët e saj më të mirë

Që kjo të mos ndodhë, Kryeministri dhe Shefi i Opozitës duhet të merren vesht, para se vendi të kalojë në zgjedhje të reja të parakohshme, për krijimin e tre komisioneve reformuese: 1. Komisioni i Reformës së Plotë Kushtetuese që do të rindërtojë Republikën, në balancë dhe më me shumë kontrolle ndaj ekzekutivit, hetimit dhe gjyqësorit; Reforma e Drejtësisë do të duhet të alokohet pikërisht këtu. 2. Ndërsa Komisioni i Drejtësisë Penale që do të duhet të merret me reformën e Prokurorisë, ndërtimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve, Brenda ose jashtë Policisë së Pavarur të Shtetit, dhe reformën e burgjeve; (mendoj se ndërsa Byroja Nacionale e Hetimeve kryen Hetimin Gjyqësor, ndersa Prokuroria merret me mbrojtjen e Shtetit dhe formulimin e akuzës) 3. Komisioni për Rishikimin e Ligjit mbi Partitë Politike, Ndarjes së re Administrative dhe Kodin elektoral.

Nuk bëhët fjalë më për komisione bipartizane, por për komisione ekspertësh të huaj, me asistencë të brendshme, njohëse dhe ndihmëse.

Nuk bëhet fjalë për reforma sektoriale, por për një sipërmarrjë të madhe reformuese, që do të synojë përforcmin e gjithë Shtetit dhe reformat ndërmjetëse mendoj se do të jenë në shërbim të Skemës së Republikës së Pestë, që duhet të jetë e qendrueshme, demokratike, puro shekullare dhe e europianizueme.

Kjo sipërmarrje nuk mund të jetë objekt i gjykimit të këtij Parlamenti aq shumë problematik, por do të duhej t’i adresohej drejtpërdrejtë sovranit për vlerësim, përmes referendumit, të njëkohëshem me zgjedhjet e përgjithshme.

 

Romeo Gurakuqi

Drejtori i Shkollës Doktorale

 

Universiteti Europian i Tiranës

 

Tiranë, me 6.11.2015

Edhe Gramoz Ruçi nuk heq dorë nga demagogjia !

VOAL – Opinioni shqiptar ka parë dje një show, nga aktorët e njohur te Parlamentit të Shqipërisë, në lidhje me kërkesën që Sali Berisha i bëri Gramoz Ruçit, për votimin e nismës për hetim ndërkombëtar të aferës CEZ-DIA.

Edhe vetë Sali Berisha u pa se e kishte me tallje dhe jo seriozisht, sepse kur u bë votimi, ai nuk mori pjesë, pra e bojkotoi procesin.

Kur Sali Berisha i kërkoi Ruçit që PS ta votojë nismën, kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi deklamoi se nëse Berisha pranon që të ketë një hetim ndërkombëtar për Gërdecin, 21 janarin dhe Rrugën e Kombit, ai, dmth Ruçi, do t’i bindë deputetët e grupit të tij që të votojnë me konsensus edhe nisëm për hetim ndërkombëtar të aferës CEZ-DIA që është bërë me kërkesën e PD.

Po kujt ia thotë këtë përrallë Gramoz Ruçi.

Kush e ka ndalur PS që të paraqesë nisma në Kuvendin e Shqipërisë për hetim ndërkombëtar të Gërdecit, 21 janarit etj.etj.

Askush. Vetë PS ka ndaluar PS sepse dihet se PS bashkë me LSI tani kanë shumicën dhe nëse duan mund të kërkojnë hetim ndërkombëtar për çdo lloj afere.

Por nuk e bëjnë sepse nuk duan. I keni parë si mbrohen, me akuza të ndërsjellta.

Pra Gramoz Ruçi këto përralla t’ia tregojë vetes dhe deputetëve të tij por jo opinionit publik shqiptar.

A është demagogji e pastër votimi „pro“ i Ilir Metës për hetimin ndërkombëtar të aferës CEZ-DIA ?!

Voal – Ilir Meta e ka propaganduar veten se do të votojë „pro“ nisëm e PD për hetim ndërkombëtar të CEZ-DIA. Dhe ashtu ka vepruar. Bashkë me gruan e tij deputeten e LSI, Monika Kryemadhin dhe në total 9 deputetë të LSI kanë votuar pro kalimit me procedurë të shpejtuar të kësaj nisme.

Kundër ka votuar krahu i djathtë i Ilir Metës, deputeti Spartak Braho dhe kreu i grupit parlamentar të sigurisë.

Ndërkohë që kanë abstenuar 9 deputetë të tjerë të LSI.

Nëse këta deputetë do të votonin si shefi i tyre, dmth si Ilir Meta, votimi për procedurë të shpejtuar të nismës për hetim ndërkombëtar të CEZ-Dia do të kalonte.

Ky abstenim i 9 deputetëve të LSI, ndërsa kreu i LSI voton “pro” është vetëm pjesë një show mediatik, sepse dihet se çfarë roli vendimmarrës kanë krerët e partive për deputetët e grupeve të tyre, të cilët jo vetëm që futen në lista me vizën e shefave të partive, por edhe dallohen nga disiplina e hekurt për respektimin e urdhërave të njëshit. Dhe disiplina në parti është normale.

Për shembull Edi Rama tha se nuk do ta votojë dhe PS nuk votoi.

Lulzim Basha tha se PD do ta votojë nismën dhe votuan 36 deputetë, përveç Sali Berishës, Genc Pollos, Myqerem Tafajt dhe Igli Carës. Në PD ngjau kjo mosbindje sepse mediat gjithmonë pyesin se kush është në fakt kryetari de facto i PD, duke ia aluduar këtë rol Sali Berishës.

Pra nga kjo matematikë nuk do të duhej të përjashtohej as LSI.

Opinioni shqiptar e dinë mirë sepse nuk ka ndodhur kurrë në Parlamentin e Shqipërisë që deputetët e një aksh partie të mos i binden disiplinës të partisë dhe shefit të tyre.

 

PS. Deputeti i PD Genc Pollo ka qenë në Berlin në delegacionin me liderin e PD Lulzim Basha. Zoti Pollo ka lajmëruar përmes Facebook dhe Twitter dje pasdite, 2 tetor 2015.