VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Thirrja nga Serbia: Me shqiptarët na duhet paqe, jo territore!

By | May 28, 2019
blank

Komentet

blank

Avokati: Shoferi nuk më tha se e kishte zënë gjumi

Zjarrfikësit dhe ambulanca arrijnë në vendin ku u aksidentua autobusi i linjës Frankfurt-Prishtinë. Sllavonski Brod, 25 korrik 2021.

RFE/RL

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, tha udhëtarët që kanë shpëtuar nga aksidenti do të kthen të martën në Kosovë me transport të linjës ajrore. Arritja e tyre në Kosovës, sipas Sveçlës, pritet pas orës 22:00.

Sveçla tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë natës të së martës, pritet që në Kosovë të arrijnë trupat e viktimave. Por ai shtoi se nuk dihet ora e saktë se kur trupat do të arrijnë, për shkak të autopsisë që po kryejnë autoritetet kroate.

Viktimat do të kthehen përmes transportit rrugor, shtoi Sveçla.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se transporti i viktimave të këtij aksidenti do të bëhet përmes Malit të Zi dhe jo Serbisë, pasi kjo e fundit nuk po e njeh dokumentacionin për këtë rast. Një kompani private do të bëjë transportimin e kufomave nga Kroacia në Kosovë.

Shoferi dërgohet në burg

Shoferit të autobusit që u aksidentua më 25 korrik në Kroaci, të martën iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, thanë autoritetet kroate.

Masa e paraburgimit u shqiptua nën arsyetimin se ka rrezik që shoferi, 52-vjeçar, shtetas i Kosovës, mund të arratiset.

Gjykatësi i rastit, Mille Solldo tha për mediat se Kroacia dhe Kosova kanë marrëveshje bashkëpunimi për çështje penale, por kjo marrëveshje nuk parasheh ekstradimin e shtetasve kosovarë dhe kjo është arsyeja pse është caktuar masa e paraburgimit.

“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes midis Kosovës dhe Kroacisë, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por për këtë duhet pajtimi i të dyja shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë këtë, por propozimi për këtë çështje duhet të vijë nga shteti”, tha ai.

Gjykatësi Solldo shtoi se gjatë ditës po ashtu pritet që të merren në pyetje disa dëshmitarë.

Ndërkaq, zëvendësprokurori i Shtetit për qarkun Sllavonski Brod, Franjo Kopuniq tha se shoferi tani do të dërgohet në burg.

“Ai është deklaruar sot vetëm rreth paraburgimit dhe nuk dha asnjë dëshmi”, tha për gazetarët Kopuniq.

I pyetur se pse shoferi në deklaratën paraprake ka thënë se ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar automjetin dhe pastaj u mbrojt në heshtje gjatë marrjes në pyetje, Kopuniq tha se ky konstatim erdhi nga mënyra në të cilën u krye, nga gjurmët e gomave dhe të gjitha rrethanat e tjera.

Kopuniq konfirmoi se do të kërkohet një ekspertizë e detajuar e autobusit.

Shoferi do të mbrohet nga dy avokatë: Igor Cishper dhe Lubo Pavasoviq Viskoviq.

“Në asnjë moment ai nuk më tha se e ka zënë gjumi”, u tha Cishper gazetarëve.

Shoferi gjatë së hënës, para autoriteteve kroate u mbrojt në heshtje.

Nga aksidenti rrugor në Sllavonski Brod, kanë vdekur dhjetë persona me prejardhje nga Kosova, ndërkaq janë lënduar edhe 40 të tjerë.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Autoritetet kroate kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor.

Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar.

Për pasojë, autobusi më pas është rrokullisur.

Të lënduarit lirohen nga spitali

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, njoftoi të martën, më 27 korrik se 26 të lënduar në aksidentin me autobus, janë liruar nga spitali në Kroaci. Ai ka thënë se edhe 15 persona janë duke marrë trajtim mjekësor, ku një prej tyre është në gjendje të rëndë.

Gjatë të hënës, autoritetet shëndetësore kroate njoftuan se kanë kryer shtatë operacione te të lënduarit në këtë aksident trafiku.

Të hënën, në Kosovë ishte ditë zie për të nderuar viktimat e aksidentit në Kroaci.

blank

Njëzet pacientë pritet të lirohen nga spitali në Kroaci

Kosova ul flamujt për të nderuar viktimat në Kroaci

RFE/RL

Njëzet pacientë, të lënduar nga aksidenti me autobus në Kroaci, janë të gatshëm të lëshohen të hënën nga spitali, ka mësuar Radio Evropa e Lirë. Ndërsa, njëri nga pacientët është në gjendje kritike.

Në pansionin, që ka pranuar udhëtarët që nuk kanë qenë të lënduar nga aksidenti, janë 15 persona.

Të dielën, dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Në mesin e viktimave është njëri shofer, ndërsa dy nga pasagjerët e plagosur janë të shtrirë në njësi të kujdesit intensiv në Sllavonski Brod.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se në organizim e sipër është udhëtimi për në Kosovë i të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë.

“Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm, do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, tha po ashtu Gërvalla.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.

“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti.

Gërvalla, së bashku me kryeministrin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës udhëtuan të dielën drejt Kroacisë.

Disa prej tyre u kthyen tashmë në Kosovë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.

Ata janë atje “për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh, tha se disa të lënduar lehtë do të lirohen gjatë ditës së sotme nga spitali.

“Të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje tragjike do t’iu ofrohet ndihmë psikologjike”, tha ai.

Autoritetet thanë se shoferi që po voziste autobusin, u ndalua nga policia.

“Ai [shoferi] tha se e mori gjumi për një moment”, tha zëvendësprokurori lokal, Sllavko Pranjiq.

“Kam parë të plagosur, kam parë të vdekur, kam parë gjithçka”, tha Ramo Gashi, njëri nga pasagjerët, për televizionin kroat HRT.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se është “i trishtuar” dhe “i pikëlluar” nga ngjarja, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe popullit të Kosovës.

Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjithashtu shprehu ngushëllime dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë publikoi numrin e telefonit: +383 (0) 38 200 76 000, si kontakt për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve në Kroaci.

Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.

blank

Drejtori i spitalit kroat jep detaje për shëndetin e të plagosurve: 15 pasagjerë në gjendje të rëndë

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në spitalin e Slavonski Brod, në Kroaci, Josip Samarxhiç, ka folur për gjendjen e të plagosurve, pas aksidentit tragjik të një dite më parë.

Sipas tij, 42 pasagjerë kishin kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa 15 prej tyre me lëndime të rënda.

“Ne i mbajtëm ata në trajtim. 15 prej tyre kanë lëndime të rënda trupore, dhe dy të plagosur janë vendosur në njësinë e kujdesit intensiv dhe po kryhen të gjitha procedurat e kujdesit intensiv. Katër u operuan. Ne vazhdimisht po monitorojmë situatën”, tha ai në Dnevnik N1.

Ata ofruan ndihmë psikologjike për fëmijët, shton Samarxhiç.

“Ne kemi 15 të mitur, njëri prej të cilëve ka dëmtime serioze. Kemi pasur ndihmë të madhe nga Ministria e Brendshme dhe Ambasada e Kosovës. Ne kemi emrat e njerëzve që janë në spitalin Brod-Posavina”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti bashkë me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviç, kanë mbajtur konferencë për media në lidhje me aksidentin e rëndë që ka ndodhur sot në Kroaci.

Kurti ka thënë se kjo është një ditë e rëndë për mbarë popullin shqiptarë.

I pari i Qeverisë ka falënderuar shtetin kroat për trajtimin e të lënduarve nga ky aksident.

“I vizitova pacientët në dhomat e spitalit. Falënderoj profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe angazhimin e pakursyer”, ka deklaruar Kurti, përcjell Telegrafi.

Kurti ka kujtuar rolin që ka mërgata kosovare në zhvillimin e ekonomik të Kosovës.

“Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen për pushime në vendlindje. Shteti dhe mirëqenia jonë, ajo çfarë e kemi, varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tepër e rëndë për ne”, tha ndër të tjera Albin Kurti.

blank

Aksidenti tragjik, flet eksperti kroat: Ja sa orë mund të ecë një shoferë në timon dhe sa pushim duhet të bëjë

Duke marrë parasysh rrugën midis Frankfurtit dhe Prishtinës, dhe vetëm dy shoferë, ky është një problem shumë i madh.

Kështu thotë eksperti kroat i komunikacionit, Goran Husinec, pas aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi në autostradën e Slavonski Brodit, duke shtuar se për një rrugë kaq të gjatë, dy shoferë janë pak.

“Secili shofer i autobusit mund të ngasë për 9 orë brenda 24 orëve, pas së cilës ka një pushim të detyrueshëm. Dhe kur bëhet fjalë për autobus, ai duhet të pushojë për 2 ditë pas 21 orësh punë, por kjo nuk respektohet”, thotë Husinec.

“Kjo rrugë zgjat rreth 25 orë, duke marrë parasysh qëndrimet në kufij. Dhe me turmat kur është sezoni, një udhëtim i tillë mund të zgjasë deri në 30 orë, kështu tani merreni me mend”, shton ai.

Ai tregon se si duhet të pushojnë shoferët gjatë këtyre rrugëve të gjata.

“Zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të sigurosh banesa, ku shoferët do të ndërroheshin dhe ata që vozisnin duhet të pushonin”, tregon ai.

Sa i përket aksidenteve në rrugë, Husinec thotë se problemi më i madh është se gjobat shkruhen por janë të vogla.

“Policia jep gjoba, por kur ishte hera e fundit që keni dëgjuar se dikush kishte paguar të njëjtën shumë”, pyet ai.

Kujtojmë se 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku sot në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus nga Kosova doli nga rruga duke shkaktuar aksident.

Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi.

Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë. Në autobus ishin 69 pasagjerë.

blank

Kroacia nga e hëna shtrëngon masat epidemiologjike

Zagreb

Në seancën e Qeverisë së Kroacisë tema kryesore ishte sërish epidemia e koronavirusit në kulmin e sezonit turistik në Adriatik dhe masa të reja më të rrepta epidemiologjike që parashikojnë kontroll më rigoroz mbi tubimet dhe aktivitetet më të mëdha si dhe hyrjen e qytetarëve nga vendet të cilat shënojnë rritje të numrit të rasteve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në tre javët e kaluara, Kroacia ka shënuar ndërmjet 500 deri në 600 raste me COVID-19 në javë ndërsa javën e kaluar ka pasur një rritje të konsiderueshme prej 871 raste”, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

Ai vuri në dukje se 1.6 milionë qytetarë u vaksinuan me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 dje dhe se përqindja e personave të vaksinuar po i afrohet numrit të përgjithshëm prej 48 për qind të të rriturve në Kroaci.

“Nga 100 të shtruar në spital, 94 persona nuk ishin vaksinuar. Kushdo që zgjedh të mos vaksinohet e vë veten në rrezik që mund të përfundojë në mënyrë fatale. Prandaj, të vaksinohemi tani dhe të mos e presim vjeshtën të mbrohemi nga shpërthimi i valës së katërt të mundshme”, tha Plenkoviç.

Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh tha se sot në ditën e 514-të të shfaqjes së koronavirusit në Kroaci janë regjistruar 179 raste të reja të infeksionit dhe se përqindja e të prekurve nga virusi në numrin e përgjithshëm të të testuarve në 24 orët e fundit ishte 4.56 për qind.

“Fatkeqësisht, numri i të infektuarve po rritet. Rritja e rasteve pozitive në shtatë ditët e fundit është 46.1 për qind. Jemi dëshmitarë të një përhapje jashtëzakonisht me lehtësi të variantit të ri të virusit”, tha Berosh duke shtuar se: “Teoritë e konspiracionit në lidhje me rreziqet e vaksinave, të tilla si instalimi i çipave dhe krijimi i fushave magnetike, i përkasin zhanrit të fantashkencës dhe nuk duhet të jenë pjesë e imazhit të mediave publike”.

Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviç njoftoi një shtrëngim të mëtejshëm të masave për hyrjen e shtetasve nga vendet e treta me shkallë të lartë të incidencës të tilla si Britania e Madhe dhe Rusia ndërsa masat e reja epidemiologjike do të zbatohen nga e hëna, 26 korrik për të kontrolluar më mirë COVID-19 në kulmin e sezonit turistik.

“Një nga shtrëngimet do të jetë mosdhënia e pëlqimit për tubime dhe aktivitete që janë në aspektin epidemiologjik të vështira për t’u kontrolluar”, theksoi mistri Bozhinoviç.

blank

Vuçiq: Nëse dikush njeh Kosovën, ne nisim fushatën e çnjohjeve

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha të enjten se “nëse dikush merr vendim për njohjen e Kosovës shtet të pavarur”, Serbia “do të nisë menjëherë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”.

“Kam shumë respekt për presidentin turk [Recep Tayyip] Erdogan dhe duam marrëdhëniet më të mira me Turqinë, por ne kemi vendin tonë dhe interesat tona dhe do të sillemi në përputhje me to”, tha Vuçiq.

Ai i bëri këto komente pas deklaratave të Erdoganit këtë javë, se ai do të punojë me presidentin amerikan, Joe Biden, për të rritur numrin e shteteve që njohin Kosovën.

Erdogan tha se do ta ngrejë këtë çështje gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë vjeshtë.

Vuçiq tha një ditë më herët se do të bisedojë me Erdoganin rreth Kosovës.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, janë 117 vende që e njohin atë.

Serbia, qysh në vitin 2017, thuhet se ka bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe, për pasojë, disa vende thuhet se i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën.

Në shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Uashington, në bazë të së cilës Serbia është dashur të pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, ndërsa Kosova është dashur të respektojë një moratorium njëvjeçar, për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Afati i këtij moratoriumi skadon në fillim të shtatorit.

blank

Biserko: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është çështje politike

Presidentja e Komitetit Serb të Helsinkit, Sonja Biserko ka deklaruar se çështja e shqiptarëve të ç’adresuar në Luginën e Preshevës është më tepër një çështje politike. Në një intervistë për Euronews Albania, Biserko ka nënvizuar se çështja, është peng e statusit të Kosovës, që për Beogradin është ende i pazgjidhur.

“Të gjitha minoritetet jetojnë në një lloj veçimi dhe komuniteti shqiptar është ndoshta më i prekuri sepse Kosova është ende një çështje e hapur për Beogradin dhe e lidhur direkt me zgjidhjen e statusit të saj”, tha Biserko.

Sipas aktivistes së njohur të të drejtave të njeriut, çështja duhet të përfshihet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe të trajtohet me seriozitet.

“Mendoj se kjo çështje duhet të përfshihet në dialogun Prishtinë-Beograd, sepse është një nga problemet e pazgjidhura dhe njerëzit jetojnë në një vakum. Dhe duke qenë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh, apo ndryshim kufijsh, situata e tyre duhet të zgjidhet në një mënyrë që garanton integrimin e tyre në shoqërinë serbe, në institucionet serbe dhe në kulturën serbe”, deklaroi presidentja e Komitetit Serb të Helsinkit.

Biserko ka shtuar më tej se, faktori ndërkombëtar duhet të rrisë presionin ndaj Beogradit në mënyrë që të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara për integrimin e minoriteteve.

“Ata duhet ta marrin këtë problem seriozisht dhe ta nxisin Serbinë të implementojë marrëveshjet e arritura mes dy palëve pas vitit 2000. Në 2001-shin, vit pas të cilit ka pasur tre marrëveshje për integrimin e komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore dhe publike, kjo gjë që nuk ka ndodhur. Në fillim u duk se kjo linjë do të ndiqej, por fatkeqësisht gjithçka ndaloi dhe fare pak njerëz janë integruar në këto institucione. Ndaj duhet të bëhet më shumë”, përfundoi Biserko.

blank

Trafiku i 1.2 ton kokainë nga Karaibet në Greqi, dënohet me burg të përjetshëm organizatori shqiptar

GREQI

Aleksandër Pemaj është dënuar me burgim të përjetshëm për trafikun e 1.2 ton kokainë nga ishulli St. Vincent në Karaibe drejt Greqisë.

Operacioni e ka zanafillën në vitin 2020 teksa Pemaj u arrestua në cilësinë e organizatorit. Bashkë me të edhe 4 të tjerë janë dënuar nga Gjykata greke me burg të përjetshëm. 8 të pandehurit e tjerë u dënuan me 12 deri në 18 vjet burg.

Kokaina u kap në Greqi, në  Agios Vikentios në Astakos, Etoloakarnania në 2020 teksa Sandër Pemaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë greke.

Ai ka qenë disa herë në burg, madje emri i tij njihet gjerësisht për përplasjen me armë me policinë greke në lagjen Virona të Athinës, ku protagonistë ishin dhe Marian Kolaj që u vra më pas në kufirin greko-shqiptar dhe Nikolla Todi që u ekzekutua në vend.

Sasia e kokainës që kapte vlerën e 50 milion eurove ishte gati për tu hedhur në tregun e paligjshëm të Europës dhe Afrikën Perëndimore, por u kap në një banesë në Greqi pasi kishte ardhur me një varkë me vela nga Karaibet. ‘Truri’ i organizatës që bëri transportin thirrej ‘Doktori’ dhe ishet shqiptar.

Në operacion morën pjesë dhe dy policë të infiltruar që dëshmua dhe në gjyq ndaj të akuzuarve teksa në transportin e drogës ishin përfshirë disa shqiptarë. bw

blank

‘Bota serbe’ e Vulinit si kërcënim për rajonin

Bekim Bislimi

Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksander Vulin, në lidhje me projektin e bashkimit të serbëve kudo që janë, të cilët do të ruheshin nga Ushtria serbe në vendet e rajonit, është perceptuar si ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe si paralajmërim i kthimit të politikës destruktive të Serbisë.

Bosnje dhe Hercegovina i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të distancohet nga agjenda politike e Vulinit. Ndërkaq nga Kosova vijnë vlerësimet që porositë kërcënuese të Vulinit pasqyrojnë politikën e Beogradit zyrtar. Nga Mali i Zi, Vulinin e mbështet Fronti Demokratik, parti kjo në pushtet.

Vulin: Më Vuçiqin drejt “Botës serbe”

Ideja e “Botës serbe”, të cilën tash e disa kohë është duke proklamuar ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin dhe të cilën ide ai e ka ripërsëritur më 18 korrik, e kthen Serbinë në vitet 90-të të shekullit të kaluar dhe është formë e kërcënimit për vendet e rajonit në përgjithësi, kanë vlerësuar zyrtarë të vendeve të rajonit dhe njohës të zhvillimeve politike.

Deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, se detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që “të krijojnë botën serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”, ka nxitur reagime të shumta në rajon.

Deklaratat e tilla Vulin i ka bërë në shënimin e 13-vjetorit të subjektit politik që ai drejton, Lëvizjes Socialiste, në të cilën ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe.

“Në mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, Serbia duhet të udhëhiqet mirë, duhet të ketë një ushtri që është në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka që të vazhdohet politika e Aleksandar Vuçiqit. Vetëm ajo është fitore, vetëm ajo është një garanci për mbijetesën e popullit tonë dhe asgjë tjetër”, ka thënë Vulin.

Cilat vende të Ballkanit kanë investuar më së shumti në ushtri më 2020?

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte mysafir nderi në shënimin e 13-vjetorit të Lëvizjes Socialiste, ka thënë që këtë parti nuk e sheh “vetëm si partnere të koalicionit, por si bashkëluftëtare për Serbinë e fortë, moderne dhe të lirë”.

Kosova: Deklarata e Vulinit, vazhdim i diskursit nacionalist

Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, kanë theksuar se deklarata e ministrit serb Aleksandar Vulin, nuk paraqet befasi.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ministri serb Vulin “është i njohur për qëndrimet e tij ultra nacionaliste”.

“Kjo deklaratë nuk përbën asgjë të re. Deklaratat serbomëdha janë vetëm vazhdim i diskursit të viteve të 90-ta, të kohës të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, të cilat prodhuan luftëra dhe pasojat e të cilave ende po i bartim. Kjo retorikë duhet gjykuar edhe nga autoritetet e BE-së, pjesë e së cilës synon të bëhet Serbia. Një deklarim i tillë, gjithashtu është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e administratës së presidentit Biden për mosndryshimin e kufijve të shteteve në rajon”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se shteti që përfaqëson Vulini ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë, ndaj rikthimi i diskursit kërcënues me “bashkimin e serbëve”, është tregues se Serbia nuk po arrin as sot e kësaj dite të shkëputet nga politika gjenocidale e regjimit të Milosheviqit.

“Vulin në vend se ta projektojë Serbinë në BE, po e dëshiron ‘Serbinë e madhe’. Në real-politikë, e para e përjashton të dytën fuqishëm”, ka thënë këshilltari i presidentes së Kosovës.

Deklaratat e Vulinit janë bërë një ditë para se në Bruksel të takohej kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, proces ky i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti: Keqardhje që Vuçiqi nuk distancohet nga deklaratat e Vulinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur të hënën, më 19 korrik, me presidentin e Serbisë, Vuçiq, ka deklaruar se gjatë takimit është prekur edhe çështja e deklaratës së Vulinit për “Botën serbe”.

Kryeministri Kurti, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me këtë çështje, ai ka theksuar se nga presidenti serb nuk është distancuar nga deklaratat e Vulinit.

“Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk distancohet as nga Vulini, as nga (Ivica) Daçiqi, as nga (Slobodan) Milosheviqi e nga kushdo qoftë që ka qenë në pushtet gjatë viteve të 90-ta. Kjo është vërtetë për keqardhje. Fakti që kemi dhjetë vjet dialog në Bruksel, pa një marrëveshje përfundimtare, është për shkak se ekziston kjo rezistenca problematike për t’u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kurti.

Bosnja e Hercegovina: Vuçiq të distancohet nga deklarata e Vulinit

Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, tha se ajo priste që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të distancohej menjëherë nga deklaratat e ministrit Vulin, për bashkimin e “Botës serbe”.

Në qoftë se Vuçiq nuk e bën këtë, Turkoviq beson që kjo vetëm do të konfirmojë se politika zyrtare e tij dhe e Serbisë është përmbysja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe që synon të bashkojë me Serbisë pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Deklarata e Vulinit, në të cilën ai vendosmërisht tha se bashkimi i serbëve do të thotë një ‘shtet i unifikuar’, do të thotë shkeljen flagrante të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, destabilizim të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe një kërcënim ogurzi për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që mbroheshin nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më parë. Një retorikë e tillë i bën absolutisht të pakuptimta të gjitha deklaratat dhe politikat e presidentit serb, Vuçiq me të cilat ai pretendon se Serbia dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnjën dhe Hercegovinën”, ka thënë Turkoviq.

Vulin: Deklaratat janë vetëm të miat

Vulin, më 19 korrik, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme të Bonjë e Hercegovinë, Bisera Turkoviq.

Ai theksoi se idetë dhe deklaratat e tij ishin vetëm të tijat.

“Aleksandar Vuçiq dhe unë jo gjithmonë kemi të njëjtin mendim për çdo çështje dhe nëse keni ndonjë pyetje lidhur me pikëpamjet e mia, ma dërgoni mua, do të merrni një përgjigje të zëshme që mund ta kuptoni. Për të hyrë në diskutim me Vuçiqin, ju megjithatë do të duhet të gjeni fjalët e tij dhe të provoni që t’i kontestoni. Por, paraprakisht, na tregoni se kush tentoi ta vriste Aleksandar Vuçiqin në Srebrenicë dhe pse nuk janë ende emra autorëve dhe urdhërdhënësve”, ka thënë Vulin, sipas një deklarate nga ministria që ai drejton.

Deklarata e tij i referohet ngjarjes nga viti 2015, kur Vuçiq, si kryeministër i Serbisë, mori pjesë në përkujtimin për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në Potoçari, ku disa pjesëmarrës, të pakënaqur me praninë e tij, filluan të hidhnin shishe plastike dhe sende të tjera ndaj tij.

Në vazhdim të deklaratës, Vulin përkujton se në deklaratën e tij më 18 korrik, ai ka thënë se “serbët do të bashkohen paqësisht, pa asnjë plumb kur të plotësohen kushtet për një gjë të tillë”.

“Nëse kanë mundur gjermanët, pse nuk munden edhe serbët, apo ju jeni edhe kundër një Gjermanie të bashkuar?”, ka pyetur Vulin, Bisera Turkoviqin.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Turkoviqit që të distancohej nga deklarata e anëtarit të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, se Kosova është e pavarur dhe se ai do ta njihte Kosovën.

Përndryshe, siç deklaroi ai, “unë do të konsideroj që ju mbështesni copëtimin e Serbisë dhe se doni të shkëputni një pjesë të vendit tim”.

Në Mal të Zi, “për” dhe “kundër”

Mbështetja e parë për Vulinin lidhur me idenë e realizimit të projektit “Bota serbe”, ka ardhur nga përfaqësuesi pro-serb i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq.

Në televizionin N1, Mandiq ka deklaruar se ideja e “Botës serbe”, për të cilën ka folur ministri serb Vulin, u ka pëlqyer serbëve përtej kufirit të Serbisë. Ai ka theksuar se tashmë po punohet për realizimin e një ideje të tillë.

“Serbë nga Mali i Zi, serbë nga Republika Serbe, serbë nga Maqedonia (e Veriut), ata kufij që ekzistojnë mes nesh nuk duhet të ekzistojnë në kokën e tyre. Pastaj ne do të bashkëpunojmë më mirë, do të jemi më afër njëri-tjetrit, në fund të fundit ne jemi një popull”, tha Mandiq.

Lëvizja Qytetare URA vlerëson se të gjitha “projektet” që propozojnë shënjimin e kufijve të rinj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë projektin “Bota serbe”, janë të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit dhe ndikojnë në nacionalizmin në rritje.

Nënkryetarja e partisë, Jovana Maroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se është problematike që “projekti” u mbështet publikisht nga udhëheqësi i Frontit Demokratik, Andrija Mandiaq, por që pozicioni i tij nuk mund të interpretohet si pozicion i qeverisë.

“Qeveria u formua në bazë të parimeve të përcaktuara në marrëveshje nga shtatori i vitit të kaluar, dhe vetëm një qeveri që funksionon në përputhje me ato parime mund të ketë mbështetjen e lëvizjes qytetare URA, dhe jo projektet e bazuara në nacionalizëm”, theksoi Maroviq.

Gjukanoviq: Gabim i njëjti, sikurse i Milosheviqit

Dy ditë më parë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjokanoviq, kishte folur për rreziqet e idesë së një bote serbe.

Në konferencën “Ballkani Perëndimor: Një pjesë kryesore e enigmës së sigurisë evropiane”, që u mbajt në Bratislavë, më 16 korrik, Gjukanoviq tha se Serbia nuk e ka pranuar kurrë pavarësinë e Malit të Zi dhe se ai e sheh Malin e Zi si pjesë të “Botës serbe”.

“Kur shihni qëndrimin e Serbisë në rajon, ai rol është potencialisht shkatërrues, sepse Serbia është kthyer në politikat e fillimit të viteve të 90-ta. Serbia është këtu për të ruajtur interesin e serbëve kudo që ata jetojnë në rajon. Ky është i njëjti gabim që kishte bërë Slobodan Milosheviq në vitet e 90-ta. E dimë se çfarë ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë”, vuri në dukje Gjukanoviq.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Vuçiq po përpiqej të paraqiste mbrojtjen e interesave të popullit serb në Malin e Zi, si një qëllim të ligjshëm.

“Ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi nuk mund të jetë një qëllim legjitim. Më vjen keq që Serbia po përsërit gabimet dhe kam frikë se është një potencial real për krijimin e paqëndrueshmërisë në rajon. Serbia po e bën atë duke u bazuar në mbështetjen e Moskës”, theksoi Gjukanoviq.

Maliqi: Serbia në pikën zero të viteve të 90-ta

Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson që deklaratat e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, duhet parë në rajon si një formë kërcënimi dhe se ato e shpërfaqin më qartë dhe më drejtpërdrejtë atë që është politika e Serbisë në rajon.

Sipas tij, Vulin prej kohësh i artikulon në mënyrë më të drejtpërdrejtë ato që janë vërtetë qëndrimet e presidentit serb, Vuçiq. Siç thotë Maliqi, kjo vërtetohet edhe me faktin që vet Vulin e thotë që ideja e “Botës serbe”, e cila është një eufemizëm për “Serbinë e madhe”, mund të realizohet vetëm duke e ndjekur politikën e Vuçiqit. Ndërkaq, ky i fundit, sipas Maliqit, e ka komentuar deklaratën e Vulinit duke thënë se atë e ka “më shumë se partner të koalicionit”.

“Unë këtë e shoh si kërcënim, si konfirmim i faktit që Serbia jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është kthyer në pikën zero të viteve të 90-ta, me strategji dhe taktikë më ndryshe, duke e vënë theksin te ekonomia së pari. Por, duke e potencuar dhe duke e lënë gjithmonë të hapur opsionin militarist, që do të thotë të projektit të ‘Serbisë së madhe’ të rikonceptuar, por edhe duke e lënë gjithmonë të hapur rikthimin te luftërat”, tha Maliqi.

Ai shtoi se politika që po ndjekë Serbia, bazuar edhe në deklaratat e Vulinit, janë të rrezikshme dhe kërcënim real. Kjo sipas tij, vërehet nga fryma, të cilën regjimi në Serbi po e krijon në opinionin publik.

“Një shtet dhe një regjim i cili synon paqen, nuk i fryn luftës në opinionin publik dhe nuk militarizohet në masën në të cilën është militarizuar Serbia në vitet e fundit. Kështu që, padyshim që kërcënimi është real. Serbia, në mënyrë deklarative synon paqen, por paqen me kushtet e saj, të cilat kushte janë të papranueshme për fqinjët. Kështu që unë mendoj që Vuçiq, realisht, e lë hapur mundësinë për një luftë në këtë dekadë që jemi futur”, vlerësoi Maliqi.

Biserko: Të caktohen vijat e kuqe për Serbinë

Sonja Biserko, themeluese e organizatës joqeveritare Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deklaratat e Vulinit nuk e befasojnë sepse, sipas saj, ai ka pasur edhe më herët deklarata të tilla. Ajo rikujton tekstin autorial të Vulinit, të vitit të kaluar, në të përjavshmen serbe “Peçat”, në të cilin për herë të parë ka thënë se detyrë e gjeneratës së tij të politikanëve, është që t’i bashkojnë të gjithë serbët.

“Tash, në përvjetorin e Lëvizjes së Socialistëve, i cili në njëfarë mënyre është fillim i fushatës për zgjedhjet presidenciale, ai i tha të gjitha ato porosi kërcënuese dhe të rrezikshme për të gjithë rajonin, gjë të cilën, për më shumë, e përkeqëson që presidenti Vuçiq ishte i ulur aty dhe nuk u distancua nga ato që u thanë”, theksoi Biserko.

Duke iu referuar pranisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kremtimin, në të cilin Vulin e quajti atë president i ardhshëm i të gjithë serbëve, Biserko shprehet se Vulin thotë atë që mendon Vuçiqi.

“Kjo është diçka me të cilën ata tundohen për çdo ditë, që të shohin se sa larg mund të shkojnë dhe sa do t’i tolerojë bashkësia ndërkombëtare. Natyrisht, kur të krijohet ai realitet, atëherë është shumë vështirë që ai të kthehet në gjendjen e mëparshme”, tha Biserko.

Themeluesja e Komitetit të Helsinkit shtoi se ky është fillimi i fushatës për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm, por prekje e pulsit të bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën ajo thotë se shpreson që do t’i vendosë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për deklarata dhe aspirata të tilla.

“Duhet të caktohen vijat e kuqe për politikanë të tillë në rajon, marrë parasysh që kufijtë ndërkombëtarë në Ballkan tashmë janë të pranuar dhe që ata nuk ndryshojnë më. Por, gjithsesi që nxitjet e këtilla dhe në njëfarë mënyre edhe kontestimi i kufijve tashmë të pranuar në rajon, nënkupton destabilizim serioz të rajonit, sidomos sepse bëhet fjalë për vende të vogla dhe të pakonsoliduara në fqinjësi, mbi të cilat, Serbia, si një vend më i madh në rajon, shumë lehtë mund të ndikojë në kuptimin e destabilizimit”, u shpreh Biserko.

Vujoviq: Serbia po e imiton Rusinë

Zlatko Vujoviq, analist i çështjeve politike nga Mali i Zi, në një bisedë me Radion Evropa e lirë, vlerëson që kur bëhet fjalë për orientimin ideologjik, Serbia po shkon gjithnjë e më shumë drejt Rusisë.

“Serbia, nën presidentin Vuçiq, po përpiqet të imitojë sjelljen e Rusisë, si një fuqi rajonale që përfaqëson një fqinj të rrezikshëm për të gjithë ata që ndajnë kufijtë me të”, tha Vujoviq.

Por, siç shprehet ai, Serbia nuk ka burime si Rusia për të krijuar konflikte të ngrira, siç krijoi Rusia në Gjeorgji, Moldavi, Ukrainë, por të përpiqet të destabilizojë rajonin përmes luftës mediatike, duke përdorur komunitetet kombëtare të saj që jetojnë në vendet e tjera.

Kjo krijon konflikt midis Serbisë dhe Perëndimit, thotë Vujoviq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai pret reagimin e Bashkimit Evropian ndaj afirmimit të “Botës serbe”.

“Kjo është diçka që çon gjithnjë e më thellë në konflikt me politikën e SHBA-së, me presidentin (Joe) Biden, por gjithashtu edhe me atë që do të duhej të ishte politikë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, Bashkimi Evropian, në shtatë apo tetë vjetët e fundit, nuk ka politikë të qartë për Ballkanin Perëndimor. Për këtë shkak, presidentit Vuçiq i është hapur mjaft hapësirë”, tha Vujoviq.

Ai vlerëson se vetë Vuçiqi e përdor këtë situatë për të zbatuar politikën e tij rajonale.

“Ndonëse Vuçiq i bën disa lëvizje të mira taktike, ai po bën po bën gabime të mëdha strategjike. Duke krijuar një hendek me Shtetet e Bashkuara dhe duke thelluar ndikimin e Rusisë në Serbi, duke u bërë një instrument i politikës ruse në Ballkanin Perëndimor. Vuçiqi në terme afatgjata, afatmesme dhe kam frikë edhe në afatshkurta, po e shemb pozicioni mbi të cilin e ka ndërtuar sundimin në Serbi”, tha Vujoviq.

Prej kur përmendet termi “Bota serbe”?

Termi “Bota serbe” u përdor për herë të parë nga Aleksandar Vulin, më 26 shtator 2020, derisa ishte shef i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

“Vuçiq duhet të krijojë ‘Botën serbe’. Beogradi duhet të mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërkaq që presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, pati thënë Vulin.

Ai më vonë pati folur më hollësisht për atë që ai e konsideroi termin “Bota serbe”, duke aluduar në nevojën e bashkimit të popullit serb në një shtet të vetëm.

Serbia i thekson lidhjet e ngushta, duke financuar mjediset me popullsinë serbe në të gjitha vendet në rajon. Gjatë vitit 2017, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Republikës Serbe, entitet ky brenda Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, patën paralajmëruar gjithashtu Deklaratën për mbijetesën e popullit serb në rajon, por ajo nuk është miratuar deri më sot.

Kontribuuan: Nemanja Stevanoviq dhe Aneta Duroviq
blank

Rajoni përgatitet për festën e Kurban Bajramit

Shkup / Tiranë / Prishtinë

Besimtarët myslimanë në vendet e rajonit vijojnë me përgatitjet e fundit për festimin e festës së Kurban Bajramit.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar informacione rreth përgatitjeve të festës së Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.

Maqedoni e Veriut

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, besimtarët myslimanë të cilët kanë mundësi të therin kurban me rastin e Kurban Bajramit, vizituan tregun e bagëtive në periferi të qytetit.

Shitësit e kurbaneve, duke mos dashur të prononcohen para kamerës, thanë se këtë vit autoritetet nuk kanë lejuar shitblerjen në lokacionet tradicionale brenda qytetit, ndërsa u ankuan për kushtet e pafavorshme në tregun e bagëtive. Sipas tyre, kjo ka ndikuar paksa në uljen e interesimit.

Sivjet, çmimi i kafshëve të vogla është 120 deri në 300 euro, ndërsa kafshët e mëdha shiten nga 700 deri në 1.200 euro.

Ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale-Shkup” kanë bërë të ditur se edhe sivjet, në vendbanimet ku festohet Kurban Bajrami, janë vendosur kontejnerë të posaçëm ku besimtarët muslimanë do të mund të hedhin mbetjet e kurbanëve.

Shqipëri

Besimtarët myslimanë në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës së Kurban Bajramit, duke u kujdesuar për kurbanin, por edhe për blerjen e produkteve të ndryshme.

Në prag të festës, tregu i bagëtive i Qarkut të Tiranës frekuentohet më shumë, ndërsa besimtarët blejnë kafshët për kurbane për familjen e tyre, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë.

Prej disa ditësh vazhdojnë përgatitjet për blerjen e kurbanit, ndërkohë çmimi i përcaktuar i kurbanit për këtë vit është 130 euro për bagëtitë e imëta, njëjtë sa viti i kaluar.

Nga ana tjetër, tregu “Pazari i Ri” në Tiranë në prag të Kurban Bajramit është më i frekuentuar nga qytetarët, të cilët blejnë produktet nga më të ndryshmet, nga ato tradicionale, por edhe të tjera.

Ndërkohë, programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri do mbahet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Kosovë

Qytetarët në të gjitha vendet e Kosovës po bëjnë përgatitjet e fundit para festës së Kurban Bajramit.

Ardhja e një pjese të madhe të mërgimtarëve në vend, moti me shi dhe nevoja për t’i blerë gjërat e nevojshme për këtë festë ka shkaktuar fluks dukshëm më të madh nëpër rrugët e Kosovës në prag të festës, sidomos në kryeqytet, Prishtinë.

Në tregun e bagëtive në lagjen “Vranjevc” të Prishtinës, interesimi i qytetarëve për të blerë kurban, sipas tregtarëve, gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ka qenë më i madh.

Kjo si pasojë se gjatë vitit të kaluar, kishte masave të vendosura të cilat përfshinin edhe kufizime për prerjet e kafshëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Çmimet për një dele në këtë treg varijojnë nga 120 euro deri në 250 euro, ndërsa më së shpeshti blihen delet me çmimet më të ulëta dhe ato mesatare.

blank

Përballë protestave në Turqi, Presidenti Erdogan bën një gjest të rrallë tërheqjeje

Studentët e Universitetit Bogazici duke protestuar kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan

Dorian Jones

STAMBOLL – Pas muajsh protestash nga profesorët dhe studentët, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë një hap pas duke hequr rektorin e debatueshëm që kishte imponuar në krye të universitetit kryesor të Stambollit. Universiteti Bogazici konsiderohet si qendra e mendimit liberal dhe lirisë akademike.

Profesorët e universitetit duartrokitën ndërsa në sfond luhej muzikë për të festuar shkarkimin e rektorit Melih Bulu, nëpërmjet një dekreti të nënshkruar në mesnatë nga Presidenti Erdogan.

Për muaj të tërë, mësuesit kishin zhvilluar protesta të përditshme kundër emërimit të zoti Bulu, sërish me një dekret të Presidentit Erdogan. Rektorët janë zgjedhur tradicionalisht nga akademikët e universitetit. Can Candan, profesor në universitetin Bogazici, mirëpriti heqjen e zotit Bulu.

“Është rezultat i një rezistence prej gjashtë muajsh e gjysëm. Dhe është jashtëzakonisht domethënëse pasi ka qenë një model për të gjithë vendin. Pra nëse rezistojmë paqësisht dhe në një mënyrë shumë të vendosur, do t’ia dalim mbanë”, tha profesori Candan.

Policia pati shpërndarë me forcë shumë nga demonstratat e studentëve dhe akademikëve kundër vendimit të Presidentit Erdogan për të imponuar emërimin e zotit Bulu.

Një numër i madh studentësh janë arrestuar, disa gjatë bastisjeve të kryera në orët e agimit nga policë të anti-terrorit të armatosur rëndë. Masat e ashpra u dënuan me shpejtësi brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Mësimdhënia në universitetin Bogazici zhvillohet në gjuhën angleze dhe universiteti mban lidhje historike me Shtetet e Bashkuara. Bogazici radhitet ndër universitetet më të mira të Turqisë, me një reputacion për mendimin liberal dhe të pavarur, që e ka shndërruar në një objekt sulmi nga Presidenti Erdogan, thotë akademikja e këtij universiteti, Seda Altug.

“Ka qenë objekt sulmi prej disa kohësh për shkak të mjedisit të tij liberal, mjedisit liberal të mësimdhënies, për shkak të aktiviteteve liberale të studentëve. Prej kësaj atmosfere shumë liberale është bërë e mundur që shumë tema të debatueshme dhe shumë tabu në Turqi të diskutohen këtu pa asnjë lloj dhune”, tha zonja Altug.

Qeveria e Turqisë është përballur me kritika në rritje për largimin e qindra akademikëve nga postet e tyre, si pjesë e asaj që thotë se është një goditje kundër terrorizmit.

Presidenti Erdogan deri më tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vendimin e tij për të hequr zotin Bulu, i cili pasoi një takim të autoritetit të arsimit të lartë të Turqisë, ku u diskutua për trazirat e Universitetit Bogazici.

Disa anëtarë të shquar të partisë AKP në pushtet të Presidentit Erdogan kishin filluar të paralajmëronin për rritjen e shqetësimit në radhët e mbështetësve për qëndrimin e qeverisë ndaj disidentëve. Sondazhet e opinionit publik treguan simpati të fortë për protestuesit e universitetit, madje edhe mes disa mbështetësve të Presidentit Erdogan.

Profesor Candan, ndërsa përshëndet lëvizjen e Erdoganit, mbetet i kujdesshëm.

“Lufta vazhdon. Vetëm pse ai është tërhequr nuk do të thotë që ne të gjithë do të jemi në gjendje të zgjedhim rektorin tonë. Lufta vazhdon. Por është padyshim një sukses i madh në rrugën drejt disa ndryshimeve të mëdha, jo vetëm për Bogazicin por edhe për institucionet e tjera të arsimit të lartë”, tha zoti Candan.

Studentët dhe akademikët po bëjnë thirrje për rikthimin e zgjedhjeve nga akademikët për të gjitha postet e rektorëve të universiteteve. Mbetet e paqartë nëse Presidenti Erdogan do të kërkojë të imponojë një rektor të ri për Universitetin Bogazici.

blank

Serbia bashkohet me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia

Nëse Serbia një ditë bashkohet me Bashkimin Evropian (BE), ajo do të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshja euroaziatike e tregtisë së lirë

Beograd

Serbia është bashkuar me bllokun tregtar të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) të udhëhequr nga Rusia, duke e vendosur vendin në një treg prej 180 milionë njerëzisht për rreth 99 për qind të mallrave të saj të brendshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky është një moment historik për Serbinë. Si rezultat i marrëdhënieve tona të shkëlqyera politike, janë hapur perspektiva të reja për zhvillimin e lidhjeve tona ekonomike të cilat mbajnë rëndësi thelbësore për vendin, ekonominë dhe qytetarët tonë”, tha Nenad Popoviç, ministri serb i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Serbia në Moskë nënshkroi një marrëveshje me vendet anëtare të EAEU-së, përkatësisht me Rusinë, Kazakistanin, Bjellorusinë, Armeninë dhe Kirgistanin.

Ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë, e nënshkruar dje, zëvendëson marrëveshjet bilaterale aktuale të Serbisë me vendet anëtare të EAEU-së, kryesisht ato me Rusinë.

Tregtia bilatarele serbe me udhëheqësen e EAEU-së, Rusinë, arriti në 3,4 miliardë dollarë në vitin 2019 dhe përbën afërsisht 90 për qind të tregtisë serbe me vendet anëtare të EAEU-së. Produktet bujqësore përbëjnë më shumë se gjysmën e eksporteve serbe në Rusi.

Megjithatë, nëse Serbia një ditë bashkohet me Bashkimin Evropian (BE), ajo do të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshja euroaziatike e tregtisë së lirë.

Blloku euroaziatik u themelua në vitin 2015.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012.


Send this to a friend