VOAL

Please Wait ...
0%

Tenori i njohur Agim Hushi braktis përfundimisht Shqipërinë: Më bëtë të më vijë turp që jam bashkëkombasi juaj

By | August 4, 2017
2 Comments
  • VOAL 6 months ago Reply

    […] “Tenori i njohur Agim Hushi braktis përfundimisht Shqipërinë: Më bëtë të më vijë turp që ja…”. […]

  • […] “Tenori i njohur Agim Hushi braktis përfundimisht Shqipërinë: Më bëtë të më vijë turp që ja…”. […]

Komentet

Sherri në ‘Sanremo’. E akuzon si përdorues droge, Ermal Meta lë pa fjalë këngëtarin italian

Ende pa nisur, festivali më i rëndësishëm i këngës në Itali, Sanremo, ka prodhuar sherrin e parë.

Arsyeja është mospranimi i këngës së Marco Castoldi-t i njohur si Morgan. Ky i fundit i zemëruar ka shpërthyer në një intervistë kundër këngëtarit me origjinë shqiptare Ermal Metës, i cili së bashku me Fabrizio Moro do të jenë në juri në ‘Ariston’.

Morgan ka dhënë një definicion aspak të hijshëm për shqiptaro-italianin të cilin e ka quajtur “Ermal Merdal” dhe “Meta si Metadon”(lloj droge për të luftuar varësinë ndaj heroinës).

Fillimisht Morgan, në një intervistë për Red Ronnie u shpreh: “Aftësitë duhet të shpërblehen, kur ju shikoni një juri që të shpërblen me m*t atëherë nuk është mirë. Kjo është ajo që i thashë Baglionit: ai ka refuzuar këngën time, por nuk ka marrë as Tenco-n e as Rodrigo-n, ai zgjodhi Fachinetti-n, Alessandra-n, Annalisa, kush është ai? Ndoshta kënga ime nuk është më e mira, por a është e Endrigo-s dhe Gino Pioli-t? Kush është aty? Fachinetti! Fabrizio Moro! Kjo është pra, Sanremo i Biglionit fiton Fabrizio Moro-n,i cili më pas qëndron me Ermal Merdal, dmth Meta si Metadoni!

Menjëherë pas kësaj interviste ka reaguar Ermal Meta në ‘twitter’: “Për Morgan! Shpresoj të jesh krenar për njeriun që je. Unë për vete jam edhe kur ti më quan ‘merdal’ ose ‘metadon’. Por ama unë nuk kuptoj pse nuk jam ekspert ne asnjërën prej këtyre gjerave!”

Fjale ngacmuese këto të Ermalit, që i referohen problemeve me drogën, të rrëfyera vetë nga Morgan në të kaluarën.

Dhe polemikat nuk përfundojnë këtu. Morgan bëri një tjetër replikë në ‘twitter’: “Nuk kuptoj se si ai nuk e kupton atë që nuk shkon duke qene se je një qenie njerëzore dhe do të shkoi në ‘Sanremo’ me Fabrizio Moro.”

Kjo nënkupton se Morgan nuk e ka vetëm me Ermalin pasi i referohet të gjithë jurisë. Së fundmi këngëtari shqiptaro-italian e mbyll kështu: “Sa e trishtë Marco. Udhëtimi i parë që bëra menjëherë sapo mora lejen e drejtimit ishte të vija në koncertin tënd. Mjaft me këto budallallëqe, mos e harxhoni kot potencialin tuaj të madh. Publikoni një tjetër këngë dhe na lini pa fjalë. Të paktën unë pres përsëri nga ju.”

VIDEO: VLLAZËNVE “GËRVALLA” Teksti: Zeqir Lushaj Këndon: Sadik Krasniqi

 

N’qiell t’Kosovës, mbush me kushtrim,
Shkojne tri shqipe fluturim,
Roje i bajnë natën dhe ditën,
N’shpirt të popullit nuk mund t’vriten,
Jan ba Nja, me diell e hanë,
Tuj dhanë dritë Kosovës-Nanë!

Si furtunë, me gjoks përpara,
Shqipe e parë, Isuf Gërvalla,
Si vetima qe t’nxjerr sytë,
Vllau Bardhoshi, shqipe e dytë,
Si rrufe, që kall dhe shkrepa,
Shqipe e tretë asht Kadri Zeka.

Tash sa breza në luftë Kosova,
Ma shume gjak se shi ndër votra,
Kurr gazepi nuk ju nda,
Gjaku-uji, (jo!) nuk ju ba’,
Kur ndokush tha se: – Harroj!,
Brezi i Ri, veten tregoi.

Faqezeza, UDB-e,
Na i vret djalt, na i len mbi dhe’,
Tri javë, t’vdekun, n’Gjermani,
Nuk lejojnë me i pru në shpi,
Tre flamuj ju rrijnë te koka,
N’vend të Nanës po i qan Bota!

Isuf Gërvallë!!
Isuf Gërvallë, kurr s’tu dridh dora,
Qemal Stafë, po t’thirrë Kosova,
Mic Sokola, kah trimënia,
Krahtë e Tu, Bardhi e Kadria,
Krejt shqiptarët, rreth shtatë milionë,
Gjaku i djemve n’kambë i çon.

Vllaznit Frashni, ju çojnë fjalë,
-Mos mërziti o Gërvallë!
100 vjet mbas luftash tona,
Me nderim na priti Lokja,
Krah për krah, midis Tiranës,
Eshtnat tonë, tu djepi i Nanës!

Ka me ardhë e bardha ditë,
Mbarë Kosova – Republikë,
Plot nderim me lule e kangë,
Ju ban vend në tokën nanë,
Jem shqiptarë, na tërheq praku,
Për Lirinë, qoftë hallall gjaku!
——–
Tiranë, pranverë 1983 –

(Nga libri “Fjala mbi tel…”, faqe  9-10)

Cili je ti që komandon projektet tona në festivale? – Nga INA KOSTURI

Dhe si ka mundësi të jesh në dijeni të formacioneve kur projektet sapo janë dorëzuar dhe nuk ka rëndësi as mosha , as flokët, as 30 %  i kuotës së kuvendit për barazisë gjinore?

Si lexuese dhe e interesuar për shtypin kulturor  pjesë e të cilit kam qënë intensivisht nga viti 2003 me opinione, kritika e intervista, e më tepër kur diskutohet për muzikën u ndala në intervistën që Nestor Kraja , pedagog , koleg në Fakultetin e Muzikës dhe së fundmi botues i Portalit Opus.alb ka dhënë në gazetën “Sot” , 17 janar 2018.

Intervista diskuton për projektet që mbështeten nga Ministria e Kulturës në fushën e muzikës, për transparencën që kërkohet, për çështjet e artit e muzikës. Teksa lexoja intervsitën në mëndje më erdhi transparenca, selektimi dhe ” dashamirësia “ që portali Opus.alb që kolegu drejton shfaq ndaj kolegëve , muzikantëve e studentëve.  E krahasoj me Ministrinë e Kulturës dhe të paktën këtë të fundit e gjej të saktë përsa i përket dorëzimit të dokumentave, kërkesave, datave dhe një sërë rregullsish të tjera, pavarësisht numrit të shumtë të aplikuesve, që do doja shumë ti kish patur dhe portali, ndonëse portali është privat dhe nuk ndan fonde. Portali shpërndan copëza reklame që shndërrohen në lavdi për artistët, e më pas pse jo dhe në fonde nga të tjerë në bazë të reklamës. Ky është mekanizmi që funksionon tek projektet artistike, për të lavdishmit ka dhe fonde. Mos duhet transparencën i nderuar koleg ta kërkojmë së pari nga vetja, duke u qëndruar larg modeleve gjysmëshekullore të lajmit alla “ Radiostacion “ , mos duhet respektuar së pari puna e kolegëve dhe e të gjithëve njësoj duke filluar me parimin bazë të gazetarisë, dhënien e lajmit ? E lajmi ynë janë afishet e koncerteve që selektohen shëmtuar në Opus alb , që përfshijnë selektim deri tek sukseset  e studentëve. E publikimi i tyre nuk kushtojnë asgjë, e bëjnë gazetaret e kulturës çdo ditë në respekt të punës së çdo artisti. Para së ti kërkojmë Ministrisë të jetë transparente me projektet, a nuk është komuniteti i muzikantëve, komuniteti i vështirë , halli më i madh i të cilit ka qënë dhe mbetet krijimi i raporteve miqësore, raporte të fqinjësisë së mirë midis kolegëve në nderim të punës së gjithsecilit ?  I intervistuari ankohet se muzikantët nuk flasin, nuk shprehen , po nuk thotë se mendimi ndryshe nuk botohet në Opus.alb as si replikë. Kjo është një derë fare e vogël në krahasim me dhjetra portale, gazeta që komunikojnë në mbarë botën në shqip dhe në gjuhë të huaja, po ky është një portal vendi, është më pranë , gjendet midids nesh. Do më dukej normale sikur intervista të niste me një apel për përkrahjen e kompozitorëve shqiptarë dhe krijmtarisë së tyre, gjë të cilën e kam bërë disa herë në shkrime të ndryshme pa pasur asnjë interes , pa qënë kompozitore. Më çudit  fakti se intervista këtë herë nis me një term tjetër, me një hall që nuk ka lidhje as me Ministrinë , as me festivalet. Më çudit fakti se shqetësimi më madh na qenkan ansamblet muzikore që marrin pjesë në festivale, madje kërkohet nga ministria dhe një strategji për ansamblet ! Nuk besoj të jetë kryer ndonjë sondazh, ndonjë studim për të studiuar ansamblet, se akoma nuk kemi studime për muzikën shqiptare ! Nuk besioj që studimi të përfshijë moshën, kuotat e barazisë gjinore, cilët janë më rezistentë në kushtet atmosferike të ftohtësisë dimërore dhe ngrohjes në stinën e nxehtë të verës, faktin se një videoklip do kishte më shumë impakt me të rinj trendy , a do ishte mjekra e përshtatshme për ta bërë atraktiv ansamblin , apo sa kohë duhet të rinjtë të qëndrojnë bashkë në ansamble për të ndihmuar artin !  Përtej qesharakes, tendenciozes,  cili je ti që komandon projektet tona në festivale dhe aktivitete kur Ministria na jep shanse të zgjedhim aktivitetin , solistët, ansamblin , projektin ashtu  si gjithsecili e mendon e sidomos në festivale , ku të gjithë e dimë se mbajtja dhe funksionimi i shoqatave është i lodhshëm , i mundimshëm në muzikën klasike. E ç’kuptim ka termi ansambël me përvojë , ansambël i ri, si ka mundësi të jesh në dijeni të formacioneve kur projektet sapo janë dorëzuar dhe nuk ka rëndësi as mosha , as flokët, as 30 %  i kuotës së kuvendit për barazisë gjinore ?

Diskutohet për shkollën e Artit , për kuotat e studentëve. Sigurisht që në një sisitem kapitalist nuk mund të bëhen krahasime, arti ofron pak mundësi , jashtë Shqipërisë ka hapësirë për shkollim  dhe rrudhja e kuotave është normale. A mund të ketë një politikë që të favorizojë një klimë të mirë tek ne ? Sërish e gjithë kjo fillon nga vetja , para se të bejmë të tjerë fajtorë, a duhet menduar se ndryshe nga gjithë portalet muzikorë të muzikës klasike që lexon dhe kontaktoj vazhdimisht , ky që drejton është unik dhe i vetmi që e quan ambientin shqiptar , kolegët, “balturinë” , jo një herë po disa herë. I vetmi që sharjen e ka kthyer në metodë, lavdërimin në qokë.  Nuk është kjo mënyrë e të shkruarit një ndikim direkt në rënie të interesit tek studentët , nuk janë shkrimet që denigrojnë figura kolëgësh , kompozitorë e muzikantë faktorë që çojnë në një klimë të shëmtuar e humbje të interesit për shkolën, nuk janë shkrimet për koncertet e studentëve disa herë tendencioze në analiza të qëllimshme , kur të tilla nuk u bëhet profesionistëve kur çirren e stonojnë po e gjitha mbahet në heshtje ? Nuk është sulmi që u behet produkteve shqiptare shpesh krahasuar me jashtë tendencionz në dëm të përparimit ? Nuk është mospërmendja e selektimi  që i bëhet pjësëmarrjes së studentëve në aktivitete të rëndësishme jashtë, vetëm se janë studentë të x apo y pedagogu , armiq të portalit?

E teksa diskutohet për muzikën klasike krahasuar me atë të lehtë vetë portal është ai që e përkrah dhe i jep vendin më të madh kësaj muzike në postimet, nga flokët e këngëtarëve në Kaliforni tek ditëlindjet e miqve anembanë botës ?! Mos duhet transparenca të fillojë me atë shtyp për selektimin që i bën lajmeve dhe publicitetin që i jep gjërave pa vlerë ?

Teksa lexoj për operën dhe studimin e vendosjes së tyre në skenën shqiptare, memorja më thotë se ka mjaft mangësi në data dhe tituj, se dhe dikush që ka punuar në opera mund ta pasurojë atë listë të veprave të huaja dhe shqiptare të vëna në skenë nga 1960. Mjafton të hapësh RTSH dhe të shikosh një nga operat e vëna në skenë në vitet e fundit. Janë krijuar dhe shfaqur opera shqiptare në skenë dhe pas viteve 2000. Nëse i selekton para se tu përmendësh emrin, se mendon se nuk duheshin vënë në skenë, ky është një problem tjetër i madh që ka të bëjë sërish me shkeljen e rregullave bazë të gazetarisë  !

Para se të kërkosh nga Ministria e Kulturës transparencë do doja ta nisje nga vetja , së pari çlirimin nga interest e të tjerëve dhe qënia vetëvetja , përtej vënies për interesat e njërit apo tjetrit, duke marrë pozicione qesharake . Po të përshëndes me një parrullë të kohës  së dikurshme nga buron gjithë ky mentalitet “ Poshtë lufta kundër ansambleve muzikore, rroftë mendimi i lirë”.

E rëndësishme është mbajtja larg e këtyre mendimeve nga ata që merren me projektet në Ministrinë e Kulturës , përkrahja e artistëve , solistë, individë, orkestra e gjithë formacionet në të mirë të përparimit të artit dhe pasurimit të skenës shqiptare, ruajtjes së trashëgimisë kulturore në muzikë.

Ndërron jetë papritur këngëtarja irlandeze Dolores O’Riordan

VOAL – Dolores O’Riordan, këngëtarja irlandeze e grupit “The Cranberries”, ndërron jetë në moshën 46 vjeçare. Lajmin e jep agjenti i saj.

Këngëtarja ndërroi jetë “papritur” në Londër, tregon agjenti, pa përmendur shkaqet.

Ajo gjendej në kryeqytetin britanik për një sesion regjistrimi me krejt grupin irlandez Cranberries. Familja ka marrë lajmin dhe është “dërmuar” nga dhimbja: ka bërë të ditur se ka nevojë për “privatësi në këtë moment kaq të vëshirë”.

Në verën e vitit 2017 grupi pati anuluar turin evropian pikërisht për shkak të shëndetit të këngëtares. Në faqen e grupit irlandez në internet thuhej se mjekët kishin urdhëruar që Dolores O’Riordan “të mos e vazhdojë turin siç është programuar, në mënyrë që të plotësojë terapitë që është duke i vazhduar per një problem në shpinë”.

Dua Lipa hyn në historinë e Çmimit “Brit Awards”

Ylli i muzikës pop është nominuar për pesë çmime – interpretuese solo femër, spoti i vitit, debutuesja e vitit, solo këngëtare dhe albumi i vitit

LONDËR – Këngëtarja britanike me origjinë shqiptare Dua Lipa (22) hyri në historinë e çmimeve të muzikës britanike “Brit Awards” duke fituar më së shumti nominime në konkurrencën e femrave ndonjëherë.

Ylli i muzikës pop është nominuar për pesë çmime – interpretuese solo femër, spoti i vitit, debutuesja e vitit, solo këngëtare dhe albumi i vitit.

Dua Lipa kështu u bë artistja e parë në historinë e këtij konkursi, e cila brenda një viti fitoi pesë nominime.

Pas shpalljes të nominimeve, këngëtarja, kënga e së cilës “New Rules” në YouTube ka më shumë se 900 milionë shikime, shkurtimisht komentoi suksesin e saj në Twitter duke shkruar: “Si është e mundur kjo?”.

BBC kujton se artistja 22-vjeçare u rrit në Britani të Madhe, por se në moshën 13 vjeçare me prindërit e saj u kthye në Kosovë. Dy vite më vonë ajo përsëri udhëtoi në Londër për të filluar karrierën e saj muzikore duke performuar në bare dhe pube, kështu që në vitin 2015 nënshkroi me shtëpinë “Warner Music Group” dhe lëshoi solon e saj të parë.

Këngëtari Ed Sheeran, i cili së fundmi ka publikuar albumin e tretë, gjithashtu është një favorit për çmimin prestigjioz të Britanisë së Madhe.

Albumi i tij “Divide”, i shitur në Britani të Madhe, u nominua për albumin më të mirë të vitit në Britani. Sheeran është i nominuar edhe në kategoritë e artistit më mirë britanik solo, për videon më të mirë të vitit për këngën “Shape of You”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 21 shkurt në Londër. Çmimi ndahet nga Industria fonografike e Britanisë, kurse në mesin e fituesve të mëparshëm janë grupi The Beatles, Robbie Williams, Michael Jackson, Sting, Coldplay, Adele. aa

Ish-mexosoprano: Çelikun e ngritën nga shtrati i lëngimit për t’ja dhënë shpejt e shpejt titullin

Moza Demiri, ish-mexosoprano e Operas ka reaguar ashper per dekorimin e artistit te ndjere Rexhep Çeliku, te cilit pak dite para se te ndahej nga jeta, iu dha titulli “Nderi i Kombit”.

“Rexhep Çelikun e ngriten nga shtrati i lengimit per tja dhene shpejt e shpejt titullin, ashtu…”me e heq qafe debatin mbas” dhe pas dy ditesh zemra i pushoi e cila mund te kishte ndodhur edhe ne ato momente, mjaftone ata te mos kishin telashe…ja ta dhame edhe titullin sa je gjalle dhe 48 ore…”, shkruan ish-mexosopranoja.

 

REAGIMI I PLOTE:

“Flisni o artist, Mos e poshtroni kolegun tuaj…do j’u vije rradha edhe ju…Nga keta mund te presesh gjithcka.

Banditizmi, djallzia, pabesia…. arrine deri ne shtratin e…..!

Moza Demiri
Moza Demiri

Banditet edhe vleresimin e nje artisti te madh e bejne banditçe…Rexhep Çelikun e ngriten nga shtrati i lengimit per tja dhene shpejt e shpejt titullin, ashtu…”me e heq qafe debatin mbas” dhe pas dy ditesh zemra i pushoi e cila mund te kishte ndodhur edhe ne ato momente, mjaftone ata te mos kishin telashe…ja ta dhame edhe titullin sa je gjalle dhe 48 ore…Nuk dua te shkruaj gjate per horrat e djallzuar qe kane ne dore njerezit me vlera te verteta, ajo eshte bere tashme e zakonshme…harxhojne gjithcka duke u kujdesur per antivleren dhe nuk kane lene kriminel pa bere nderi i kombit, madje i nderojne ata duke ju bere salltanete festimesh neper salla lluksi akoma atyre qe nuk j’u ka munguar kurre privilegji, si ne komunizem edhe sot, jane me fare e fis ne krye te artit qe vendosin akoma fatin e te tjereve…. ….nder kohe vlerave te kombit j’u jepet titulli i meshires dy dite para se te vdesin.

Turpi i tyre eshte kthyer tashme ne suksese dhe mund te pritet gjithcka e kobshme.

Lamtumirë Rexhep Çeliku! Shqipëria dhe Kosova përcollën me flamur valltarin

Fatmira Nikolli

Ai ecte me hap të sigurt, të rëndë. Me peshën e valles së Kukësit, me hovin e asaj të Rugovës, me mallin e valles çame, me portretin e Osman Takës. Ai burrë i gjatë, me shpatulla të mëdha, që mbante mbi vete peshën e shqiponjës kur hapte krahët, si ajo.

Rexhep Çeliku dje u përcoll me tingujt që e kishin çuar peshë teksa mijëra duartrokitje e shoqëronin në kalimin e fundit në sheshin “Skënderbej”.

Mes dhimbjes e lotëve, iu dha lamtumira e fundit Rexhep Çelikut. Familjarë, të afërm, miq dhe bashkëpunëtorë qëndruan dy orë në homazhet për nder të “Valltarit Fluturues”, i ndarë nga jeta një ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë. “Mjeshtri i Madh” e “Nderi i Kombit” nga holli i Muzeut Historik Kombëtar shënoi takimin e fundit me ta.

Pas homazheve, kortezhi me trupin e pajetë u drejtua për në varrezat të Sharrës, ku do të prehet përgjithmonë. Korifeu i skenës shqiptare, “Shqiponja e valles”, “Nderi i Kombit”, Rexhep Çeliku humbi betejën pas më shumë se pesë vitesh me sëmundjen e rëndë.

Miqtë thanë se ai e mundi sëmundjen për kaq vite, në vajtje-ardhjet drejt Turqisë, herë me autobus e herë me avion, për kimioterapinë e për operacionet. Ai e mundi pesë vite, duke luftuar me të çdo ditë, nga pak e nga shumë. Derisa në agimin e së premtes, pasi kisha marrë titullin “Nderi i Kombit” dhe i kish takuar së fundmi miq e kolegë, zuri shtratin dhe dha frymën e fundit.

Edhe pse i sëmurë e nën efektin e rrezatimeve, si për ta mposhtur atë, si për ta sfiduar nuk iu nda valles dhe as skenës derisa zuri shtratin.

Më 8 janar, katër ditë më parë se të jepte shpirt u dekorua nga me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Dje, thanë se ai ta çonte shpirtin peshë, se arti i tij përmes tij manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme e se askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë. Me muzikën e valleve të tij, si tupanat që lajmërojnë një kob, Çeliku la muzeun i mbajtur nga krahët e valltarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Arkmorti i tij mbulohej me flamur. Sheshi zezonte nga ata që kishin ardhur ta nderonin. Mes tyre, shumë qytetarë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, miq, artistë politikanë dhe artdashës.

Miqtë

Valltarja edhe partnerja e tij e skenës Lili Cingu, një prej të parëve që pat mësuar lajmin e zi, e pikëlluar tha dje se Rexhep Çeliku ishte një shqipe që depërtonte me vallen e tij lehtësisht te spektatori vendës dhe i huaj.

Për drejtoreshën e Teatrit të Operas dhe Ansamblit Popullor, Zana Çela kjo është një humbje e madhe për kombin dhe artin. Humbje e cilësoi edhe Gerti Druga, drejtori artistik i Ansamblit. Duke u shprehur me fat që ka bashkëpunuar me Çelikun disa herë, e së fundmi për festimet e 60-vjetorit të Ansamblit.

Kolegët e ngushtë me të cilët ndau skenën dhe miqësinë vlerësonin dëshirën dhe entuziazmin që ai kishte për jetën. “Vallja të mos ndalet e shqipja të fluturojë lart ishte dëshira e Rexhep Çelikut”, tha ata. Valltarët pasardhës, me të cilët punoi një jetë të tërë thanë se janë të bindur se zëvendësimi i tij është i vështirë, por ndihen të frymëzuar që të vazhdojnë me dashuri në rrugën e tij edhe për të.

Mjeshtri i baletit Albert Janku shpreson që vallja shqipe të vazhdojë rrugëtimin vezëllites si dikur. Shpresëplotë që të rinj të talentuar do ketë gjithnjë, Janku kujtoi natyrën modeste e të thjeshtë të tij.

Mjeshtri i madh i valles shqiptare, Rexhep Çeliku humbi betejën me një sëmundje të rëndë që i mori jetën në moshën 63-vjeçare.

Rexhep Çeliku ishte solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në vendin tonë. Gjatë një karriere të gjatë prej 4 dekadash, ai realizoi një numër të madh shfaqjesh brenda dhe jashtë vendit, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut me interpretimet e tij në skenë.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqje në skena të ndryshme në tri kontinente, në 30 festivale ndërkombëtare dhe ka interpretuar në më shumë se 3000 shfaqje artistike. Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien tronditëse “Njeriu që vallëzon me shqipet, shënonte Lefter Çipa. Biri i një gjirokastriti, mjeshtër në nxjerren dhe gdhendjen e gurit, e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si ‘Valltari fluturues’”.

Intervista – Lili Cingu: Ja amaneti i fundit që la para ikjes Rexhep Çeliku

Fatmira Nikolli

Fluturues në skenë dhe i rëndë në tokë, “shqiponja” e valles shqipe, nisi fluturimin e fundëm.

Dje në orët e para të mëngjesit, është ndarë nga jeta në shtëpinë e tij, pranë bashkëshortes Loli, “Nderi i Kombit”, Rexhep Çeliku. Valltari e koreografi i njohur i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë, luftën me të cilën pas mjekimeve në spitale brenda dhe jashtë vendit, e humbi duke gdhirë e premtja.

Mjeshtri u shua në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 64-vjeçare, rreth orës 03:30 të mëngjesit të së premtes. Homazhet në nderim të tij do të mbahen në Muzeun Historik Kombëtar, ditën e shtunë nga ora 11:00-13:00.

Vetëm pak ditë më parë, ai u shfaq për herë të fundit në publik, i vlerësuar nga presidenti me titullin “Nderi i Kombit”. Titulli iu dha “në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”. Dhe iku në kulmin e lavdisë.

“Rexhep Çeliku, biri i një gjirokastriti, mjeshtër në nxjerrjen dhe gdhendjen e gurit, e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si ‘Valltari fluturues’, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj”, shkruante Lefter Çipa.

Sipas tij, Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqje në skena të ndryshme në tri kontinente, në 30 festivale ndërkombëtare dhe ka interpretuar në më shumë se 3000 shfaqje artistike. Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien tronditëse “Njeriu që vallëzon me shqipet”, shënonte Lefter Çipa. Partnerja e tij disa vjeçare në skenë, Lili Cingu, në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE” rrëfen kujtimet e vlerësimet për të.

– Kur ka qenë dita e fundit që e keni takuar ju Rexhep Çelikun?

Nuk ka pasur asnjë moment, asnjë sekondë që të mos e takoj Xhepin. Nuk mund të flas për takim të fundit. Xhepit nuk i thërrisja me emër, e kisha vëlla e më tepër se vëlla. Në çdo aktivit ne ishim bashkë, si ditën kur morëm titullin “Nderi i kombit” nga presidenti Ilir Meta.

Dy ditët e fundit ishte rëndë. Nuk doja kurrë ta shihja Xhepin rëndë, desha ta mbaja mend si një shqiponjë, si një legjendë që skenat i prekte dhe i tha botës që ky është arti shqiptar, e kjo është vallja shqiptare. Për ne, Rexhep Çeliku jeton, Rexhep Çeliku është në zemrat tona. Është në zemrat e çdo shqiptari kudo që ndodhet. Nuk kanë të reshtur telefonat, ngushëllimet e njerëzve që e kanë njohur nga e gjithë bota. I them tani Rexhepit na le, por nuk ia them dot. Rexhepi po fluturon në qiell, si ajo shqiponja që prek qiellin dhe skenën.

 

– Hera e fundit bashkë në skenë, keni qenë në përvjetorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore?

Në përvjetorin e 60-të të Ansamblit, ne ishim bashkë. Isha e ftuar si artiste me rastin e përvjetorit dhe nderimit të institucionit me titullin “Nderi i Kombit” dhe valltarit të madh Besim Zekthi. Marrja e titujve për ne si çift ishte një moment i bukur, u ndjemë krenar.

– Kur e morët titullin ju, ditën që doli në media?

Titujt jepen kur janë për tu dhënë. Ne do e merrnim këtë muaj, sepse është përvjetori e muaji i Skënderbeut. Dhe nuk ka gjë më të bukur se sa ta merrnim këtë titull në janar. Atë krenarinë qe kemi dhënë në skenat tona, do e mbajmë me nder.

– U gëzua Çeliku?

Po, patjetër që u gëzua. E priti shumë mirë, edhe pse gjendja shëndetësore ishte, siç ishte. Titulli dhe humbja e Xhepit më bën tani që të kërcej derisa të kem frymë, edhe për vetë edhe për atë, sepse sa herë të dal në skenë, do mendoj se e kam Rexhepin në krahun tim të djathtë.

– Do kërceni për partnerin tuaj historik?

Do kërcej për të, e kur të dal në skenë do hap krahun për të. Është parteri im historik sepse kam kërcyer me të që prej 1971-it, e më parë me Besim Zekthin. Kur unë të dal së shpejti e ftuar, kur të hap krahun, kur të tund shaminë, do kujtoj Rexhepin dhe do kërcej për të, do kërcej me të.

– Çfarë mbresash ju ka lënë në më shumë se 40 vite së bashku?

Të flasësh për të, duhet net e ditë pa fund. As nuk mjaftojnë. Rexhepi nuk ka qenë vetëm valltar. Ka qenë një familjar i shkëlqyer që ka krijuar një familje të shëndoshë dhe të mirë. I përkushtuar pas dy vajzave që i shkolloi dhe i rriti mirë. Ka një grua të mrekullueshme, e cila për mua është “Loli, motra ime”. Ai ka qenë i gjithanshëm. Nëse e shihje duke kërcyer, ai ishte edhe koreograf, e shihje edhe duke vepruar, edhe duke drejtuar, edhe si regjisor, edhe si skenograf.

– Keni kërcyer edhe jashtë, përveç se në Shqipëri. A kishit plane së afërmi?

Kanë qenë të shumta aktivitetet me të. Kemi qenë në Itali, për përvjetorin e Pavarësisë, në festën e Flamurit, me 25 nëntor. Na ftuan të dyve dhe prania jonë atje, bëri jehonë të madhe. Rexhepi kërceu edhe në 60-vjetor dhe në shkurt unë e Rexhep do të ishim në Kosovë për 10-vjetorin e Pavarësisë. Edhe pse gjendja u rëndua, ai e kish vendosur që ne të iknim. Mund të thuhet se na la, por jo, s’na ka lënë. Do jetë një shqiponjë që na shikon nga qielli. Është një krenari për vendin tonë, sepse edhe gurët ku kalonte ai po e vajtojnë ikjen e tij. Jeton në vallet tona, në skenat tona, në shpirtin tonë.

– A e pati ai ndihmën e duhur për trajtimet mjekësore? A gjeti mbështetjen nga institucionet?

Nuk dua të prek shumë gjëra, por nuk i ka munguar Rexhepit, ndihma për operacionin jashtë. As mjekimet këtu nuk i kanë munguar. Ndihma ka qenë, por ne artistët jemi pak njerëz që prekemi. Sëmundja bëri punën e vet dhe ai ishte shumë modest, shumë i thjeshtë. Shpesh, i thosha të udhëtonte mirë. Ishte krenar dhe thoshte, s’ka problem. Iki me autobus, nuk ka nevojë për avion. Ai ishte krenar, ai ishte luftarak dhe luftoi, luftoi shumë deri në fund. Mblodhi forcat dhe erdhi të merrte edhe titullin “Nderi i Kombit”. Dy ditë më vonë u bë më keq derisa na la. Sëmundja avancoi shumë sidomos muajin e fundit.

– A ka lënë ndonjë porosi a ndonjë amanet, apo nuk e mendonte që po vinte fundi?
Amanetet ai ia ka lënë familjes së vet, gruas, vajzave dhe dhëndurëve që i ka të shkëlqyeshëm. Mendoj se amaneti i tij është i thjeshtë. Amaneti i vetëm i Xhepit është vallja. Vëllai im e thotë: kurrë vallja të mos ndalet. Kjo është porosi e mendimi i Rexhep Çelikut: të mos ndalet vallja, pavarësisht se kjo dihet për të gjithë ne që jemi artistë. Unë siç e thashë vallen do ta vazhdoj derisa këmbët të më lënë dhe të fluturoj edhe unë drejt qiellit si Rexhep Çeliku.

– Në 50 vite në skenë, cila ka qenë vallja juaj më e dashur?
Vështirë të ndash vallen nga vallja. Por më e bukura në Ansambël është momenti kur hapet perdja dhe del një çift që hap krahët dhe performojnë shqiponjën. Të kërcesh një valle epike, si: “Luftëtarët e lirisë”, një Shote e Azem Galicë, por edhe një valle Tirane është e bukur. Unë meqë kam një origjinë nga Kosova, më pëlqente edhe vallja e Rugovës.

VLERËSIMET

  • Ka merituar dhjetë çmime të para “Si interpretuesi më i mirë”.
  • Në vitin 1978 dekorohet me Medalje ari në Itali si valltari më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar.
  • Në vitin 1996 dekorohet në Itali me Medalje argjendi.
  • Në vitin 2000 merr çmimin e dytë në Festivalin Folklorik Botëror
  • Në vitin 2000 dekorohet në Maqedoni (FYROM) me Medalje dhe Çmim të parë si koreograf.
  • Në vitin 1983 dekorohet me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të dytë.
  • Në vitin 1987 dekorohet me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të Parë.
  • Më datën 18. 11. 2005, i jepet titulli “Nderi i Qarkut të Tiranës”.
  • Më datën 8.12.2005 Presidenti i Republikës, Z.Alfred Moisiu, e nderon me titullin “Mjeshtër i Madh”.
  • Në vitin 2011 nderohet me titullin e madh “Ambasador i Paqes”.
  • Më 7 mars 2012 dekorohet në Maqedoni (FYROM) me titullin “Simbol i Paqes dhe i Lirisë”.
  • Më 8 janar 2018 dekorohet me urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Një top futbolli ia mori shikimin, Bocelli: Jam interist, por mbi të gjitha kundër Juves

Këngëtari i famshëm italian, Andrea Bocelli, ka zbuluar skuadrën e tij të preferuar, por mbi të gjitha siç e thekson edhe ai vetë, është kundër Juventusit.

Me një rekord shitjesh mbi 80 milion disqesh në mbarë botën, Bocelli është padiskutim artisti më i suksesshëm i të gjithë kohërave. Me futbollin e lidhin jo pak gjëra pasi 59-vjeçari ka humbur shikim gjatë një ndeshje ku ishte si spaktator për shkak se një top e ka goditur në sy duke i shkaktuar hemorragji në tru.

Bocelli është shprehur: “Unë kam qenë gjithmonë tifoz i Interit, por mbi të gjitha kundër Juventusit.”-tregoi ai për gazetarët.

“Pasioni im për zikaltërit vjen që nga koha kur isha në kolegj, që korrespondon me ‘Grande Inter’ (1960), ekipin që fitoi gjithçka në Itali dhe në botë.

Vetëm më i vogli i fëmijëve të mi, i cili është 5 vjeç, ende nuk e ka pasionin për Interin, por unë po punoi për këtë dhe besoi se do të kem sukses.

‘Kur Interi fitoi Champions League?’ Isha duke e parë me shokët në televizor, por njëkohësisht lojën po e dëgjoja edhe në radio dhe zëri i gazetarit erdhi disa sekonda para se të shfaqeshin pamjet në TV.

Në të tilla kushte dëgjova për golin para tyre, por më pas lotët e shokëve më bënë dhe mua të qaj.

Tripleta ishte një moment i gëzueshëm pasi asnjë skuadër tjetër nuk e ka arritur në Itali.”

Weinstein marrëveshje me gruan për divorcin: 300 mijë dollarë në vit

Harvey Weinstein dhe Georgina Chapman kanë arritur një marrëveshje për divorcin.
Sipas asaj që shkruan New York Post, mbreti i Hollywood-it, pas akuzave të shumta për ngacmime seksuale do t’i paguajë bashkëshortes, stiliste në profesion, vetëm 300 mijë dollarë në vit.

Shuma do të kalojë në 400 mijë pas dhjetë vitesh.

Chapmanit ndër të tjera, ka pwrfituar një shtëpi që kushton 15 milion dollarë në West Village në New York dhe një tjetër prej 12 milion në Hamptons.

Cifti, ai 65 vjeç dhe ajo 41, kishin vendosur të ndaheshin në tetor.
Pasuria e Weinstein i kalon të 240 milion dollarë, një pjesë e të cilës në muajt e fundit i është marrë nga avokatët dhe investiguesit privat, pas denoncimit të qindra femrave për ngacmim seksual.

Romina Power ulërin në Twitter: “Ku është Ylenia?”

Ku është Ylenia? Ku janë qindra vajza që zhduken në New Orleans? Përse nuk është bërë asgjë për të ndalur këtë?

Është ulërima e dhimbjes së Romina Power në Twitter në 24 vjetorin e zhdukjes së vajzës Ylenia Carrisi. Një nënë që nuk është dorëzuar , pavarësisht deklaratave për vdekjen e pretenduar nga gjykata e Brindisit në 2014, ajo akoma kërkon të dijë për fatin e vajzës së saj të dashur.

Teksa Al Bano prej kohësh ka arkivuar humbjen e dhimbshme të vajzës, Romina nuk e ka pranuar kurrë deklaratën për vdekjen e saj dhe çdo vit ajo vazhdon të bëjë urime për ditëlindjen e saj me shpresën se mund të jetë gjallë. Telefonata e fundit e Ylenia për familjen ishte në ditët e para të janarit 1994, një telefonatë e bërë nga një telefon i LeDale Hotel në New Orleans dhe më pas heshtje.
Që nga ajo ditë nuk u mor më asnjë lajm për vajzën e Ornela dhe Albano Carrisi.

Angelina Jolie dhe Clinton janë kushërira, ja disa të famshëm që kanë lidhje gjaku

Shumë persona të famshëm kanë lidhje gjaku mes tyre, lidhje këto që as vetë këta nuk i kanë ditur derisa janë bërë të njohur për botën.

Aktorja e famshme e Holliwood-it dhe shumë e pëlqyera në gjithë botën Angelina Jolie është kushërirë në brezin e 9-të me gruan më të fuqishme në botë, ish-zonjën e parë të Amerikës, Hillary Clinton.
Më poshtë ju sjellim disa nga të famshmit që i keni njohur por s’e keni ditur se janë të afërm mes tyre:

Justin Bieber and Ryan Gosling

Justin Bieber gjithashtu ka një pemë të madhe familjare ku mund të gjeni njerëz të famshëm. Një nga të afërmit e Justin është Ryan Gosling. Justin dhe Ryan janë kushërinjtë në brezin e 11-të.

Matt Damon and Ben Affleck
Miqtë  Matt Damon dhe Ben Affleck janë gjithashtu të afërm. Lidhja e këtyre djemve është e largët. Matt dhe Ben janë kushërinj të 10-të me njëri-tjetrin.

Nicolas Cage and Sofia Coppola

Emri i vërtetë i Nikolas Cage është Nicolas Kim Koppola, ai ka 10 të afërm në botën e kinematografisë. Më e afërta e tij është Sofia Coppola, drejtoreshë e “Lost in Translation and Marie Antoinette”, ajo dhe Nicolas janë kushërinj.

Angelina Jolie and Hillary Clinton
Kush do të kishte menduar se Angelina Jolie kishte një të afërm midis politikanëve amerikanë? Jean Cusson është paraardhësi që lidh Angelina Jolie dhe Hillary Clinton. Këto gra janë kushërinj në brezin e 9-të.

Pharrell Williams and Timbaland
Dy prodhuesit e talentuar të muzikës Pharrell Williams dhe Timbaland janë të afërm gjaku. Këta muzikantë të famshëm janë kushërinj.