VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Të gjitha detajet rreth rastit Azem Syla – Daja

By | April 29, 2016

Komentet

L’Echo de Paris (1912)- Ismail Qemali – ministrave të Fuqive të Mëdha: “Ndërhyni që t’u jepet fund armiqësive greko-turke, përndryshe Shqipëria…”

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Shkurt 2020

 

“L’Echo de Paris” ka botuar, të dielën e 29 dhjetorit 1912, në faqen n°3, një telegram të Ismail Qemalit drejtuar asokohe ministrave të Fuqive të Mëdha, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Një telegram nga kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare për fuqitë e mëdha

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

 

Romë, 28 dhjetor.

 

Qemal Pasha, kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i ftoi ministrant e fuqive të mëdha, nëpërmjet një telegrami, që të ndërhynin sa më shpejt, për t’u dhënë fund armiqësive midis Greqisë dhe Turqisë, “sepse zgjatja e luftës, thotë Qemal Pasha, do të shkaktonte në Shqipëri, gërmadha dhe plagë të të gjitha llojeve, dhe përfundimisht do ta dërgonte këtë vend të shkretë në rraskapitje dhe uri”. — C.

L’Événement (1900)- Sulltani e emëroi Ismail Qemalin guvernator të Tripolit për këtë qëllim…

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Shkurt 2020

 

“L’Événement” ka botuar, të hënën e 16 prillit 1900, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me arsyen e emërimit të Ismail Qemalit nga Sulltani në postin e guvernatorit të Tripolit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Turqi

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Sulltani, i cili dëshironte të largonte nga Kostandinopoja Ismail bej Qemalin,  këshilltarin e Shtetit, i njohur për ndjenjat e tij anglisht-folëse (anglofone) dhe patriot liberal, e emëroi atë Guvernator të Përgjithshëm të Tripolit të Barbarisë. Ky emërim konsiderohet si një izolim (dëbim).

 

Sulltani thirri në pallat komisionin ministror për të marrë një vendim në lidhje me kërkesat e Shoqërisë Franceze të Hekurudhave Bejrut-Damask.

MOS HARRONI JU SE: JAM SHQIPTAR ! – Nga Fritz RADOVANI

 

AT ANTON HARAPI OFM

(1888 – 1946)

Françeskani  At Anton Harapi OFM, asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888, dhe asht pushkatue në Tiranë, pranë lumit Lana me 20 Shkurt 1946. 

1943: At Anton Harapi u propozue nga Lef Nosi per me shkue në Rregjencë Shqiptare.

AT A.HARAPI E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE “ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!”

A ka ngja kjo në ndonjë vend tjeter në Botë ?!.. A e mbajti fjalen At Antoni ?!

Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” …Dhe prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, E. Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”

Pak thanje të At Anton HARAPIT, në ditët e fundit të jetës së Tij para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, kur po gjykohej nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë me kryetar major Hirakli Bozo, antarë Tonin Jakova (major) dhe Gjon Banushi, sekretar Thoma Rino. Dosja 1068…

“Mos harroni ju se, unë jam Shqiptar!..”

“Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.”

“SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK, EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !”

Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”

            20 Shkort 2020.

Nipi i Mehdi Frashërit: Gjyshi i ndihmonte komunistët, këta si i bënë atentat

Nga Dashnor Kaloçi – Gjatë viteve 1943-’44 që gjyshi im Mehdi bej Frashëri ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ai banonte në një shtëpi së bashku me familjen e Koço Dilos tek Rruga e Dibrës të cilën ua kishin marrë me qira familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij, e cila pas viteve ’90-të për shumë kohë ka qenë rezidenca e ambasadës ruse, Mehdi beu ua kishte lëshuar një përfaqësie gjermane, me qiranë e së cilës ai përballonte jetesën e familjes. Në ditët e para të nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, gjyshi Mehdi bej Frashëri mori bashkëshorten e tij Nejre (Biçaku) dhe bashkë me tre fëmijët: Vehbiun, Medihanë e Ragipin, u nisën në drejtim të Shkodrës dhe u larguan nga Shqipëria për në Itali. Në atë kohë këtu në Shqipëri, Mehdi Beut i ngeli vetëm vajza e tij e madhe, Shehriari, që është nëna ime”. Kështu e kujtonte Tefik Çelo, djali i së bijës së Mehdi bej Frashërit, largimin e gjyshit të tij nga Shqipëria, i cili dëshmonte dhe gjithë historinë e familjes prej nga ai rridhte dhe gjyshit të tij, Mehdi beut, që është konsideruar si një prej personaliteteve të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Kush është Mehdi Bej Frashëri dhe cila është origjina e familjes së tij, një nga me aristokratet e Shqipërisë së asaj kohe? Ku u shkollua ai dhe përse Porta e Lartë në Stamboll e emëroi si Guvernator të Palestinës dhe nënkomisar të saj në Misir të Egjiptit? Kur u kthye ai në Shqipëri dhe si e filloi karrierën e tij politike Mehdi Frashëri, duke u zgjedhur Prefekt, Deputet, Ministër, Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, Kryeministër dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës? Si u largua ai nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944 dhe si jetoi në Romë së bashku me familjen e tij? Cilat ishin marrëdhëniet shoqërore të Mehdi Bej Frashërit dhe familjes së tij me familjen e Mbretit Zog dhe të tjerave familje të njohura shqiptare që ishin në emigracion e korrespodenca që ai mbajti me ta? Cila është veprimtaria studimore e Mehdi bej Frashërit me 600 artikujt publicistikë dhe librat e botuar? Si e përballoi jetesën familja e Mehdi Beut gjatë viteve që qëndroi në emigracion në Romë dhe përse ai dhe tre fëmijët e tij sa ishin gjallë nuk pranuan që të merrnin nënshtetësinë italiane? Si i kaloi ai vitet e pleqërisë deri sa vdiq në moshën 91 vjeçare në vitin 1963 dhe kush ishin personalitetet e diasporës shqiptare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Romë që morën pjesë në varrimin e tij? Lidhur me këto e të tjera fakte e ngjarje nga jeta e Mehdi bej Frashërit dhe e familjes së ti, bëhen të ditura nga nëpërmjet dëshmive që na ka dhënë nipi i tij, Tefik Çelo vite më parë, si dhe dokumenteve të shumta që ai dispononte dhe kishte mundur të ruante gjatë viteve të gjata të internimit.

Mehdiu beu, ndihmonte komunistët

Lidhur me periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë kur Mehdi bej Frashëri ishte një ndër politikanët më të lartë të shtetit shqiptar, nipi i tij Tefik dëshmonte: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Bej Frashëri gjatë viteve të pushtimit fashist kishte pranuar postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, ai nuk kishte asnjë lloj urrejtje për komunistët, përkundrazi në shumë raste ai i ka ndihmuar ata. Mehdi beu ka pasur bindje antifashiste dhe që me ardhjen e Italisë ai u internua prej tyre. Gjatë viteve 1943-’44 familja e gjyshit banonte tek Rruga e Dibrës së bashku me familjen e avokatit të njohur Koço Dilo, në një shtëpi që ua kishin marrë me qera familjes Petrela. Familja e Koço Dilos me të cilën ne kishim një miqësi shumë të ngushtë, ishte e lidhur e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe e kishin kthyer atë shtëpi në bazë të sigurtë të komunistëve ku strehoheshin eksponentë kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, e shokë të Koços, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Nako Spiro etj., pasi dhe Telemaku, Melpomeni e Ksanthipi, ishin komunistë apo të lidhur ngushtë me ta. Siç më ka treguar nëna ime, (gjë të cilën e mbajnë mënd dhe familja Dilo), një natë dimri të vitit 1944, daja i vogël Ragipi, dëgjoi zhurmë në dritaren e banjës dhe shkoi menjëherë aty e ndezi dritën e pa se aty në banjë ishte futur motra e Koços, Ksanthipi. Ragipi e pyeti atë se pse kishte hyrë aty dhe ajo iu përgjigj se shtëpia ishte e rrethuar nga gjermanët, të cilët kishin ardhur për kontroll dhe donin të arrestonin Telemakun e komunistët e tjerë që ishin strehuar aty. Ndërsa Ksanthipi ishte duke i shpjeguar dajës se aty kishte hyrë për të kërkuar ndihmën e Mehdi beut që të dilte dhe të fliste me gjermanët e t’i merrte në mbrojtje ata, gjyshja Nejre, e cila kujtoi se mos komunistët kishin ardhur për t’i bërë atentat Mehdiut, iu drejtua Ksanthipit duke i thënë: ‘Nga kjo dritare që ju keni hyrë për të vrarë këtë plak patriot, ne do t’u shpëtojmë juve jetën’?! Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë; Mehdi beu u zgjua dhe doli të fliste me gjermanët duke iu thënë atyre se jo vetëm në atë shtëpi, por në të gjithë lagjen nuk kishte këmbë komunisti. Pas fjalëve të Mehdi beut, gjermanët u larguan menjëherë duke e besuar atë dhe duke menduar se kishin informacion të gabuar mbi vendndodhjen e bazës së komunistëve. Ndërsa Mehdi beu ishte duke u fjalosur me gjermanët, Telemaku dhe disa komunistë të tjerë që ishin strehuar aty, dolën nga ajo dritare dhe u larguan në thellësi të shtëpive të lagjes, duke i shpëtuar arrestimit të sigurtë”, kujtonte nipi I tij, Tefiku lidhur me atë periudhë kohe kur gjyshi I tij banonte tek Rruga e Dibrës në një shtëpi me qira me familjen Dilo.

Atentati i dështuar ndaj Mehdi beut
A ishte e vërtetë që komunistët donin t’i bënin atentat Mehdi bej Frashërit?! Lidhur me këtë, nipi i tij, Tefiku na dëshmonte: “Gjatë pranverës së vitit 1944, katër komunistë të “Njësitit Gueril” të Tiranës, hartuan një plan për t’i bërë atentat Mehdi beut, por ai plan dështoi pasi njëra nga vajzat e familjes Petrela, që kishte dijeni për atë atentat, e tregoi në shtëpinë e saj dhe i ati menjëherë e njoftoi Mehdi beun, i cili mori masa duke lajmëruar komandantin e truprojave të tij Sali Vatën nga Mati. Që nga ajo ditë Sali Vata i shtoi rojet si në shtëpi ashtu dhe në zyrë dhe kur e çonte Mehdi beun nga shtëpia në zyrë dhe anasjelltas, ai rrinte vetë në makinë me të, kurse dy motoçikleta e shoqëronin para veturës. Siç më ka treguar nëna, gjyshi ato roje nuk i mbajti më shumë se dy-tre ditë dhe i dha urdhër Sali Vatës që t’i hiqte duke i thënë: ‘Kush të dojë le të vijë e të më vrasë’. Më pas për arsye sigurie ai u zhvendos me gjithë familjen nga banesa e Petrelasve dhe erdhi aty ku sot janë zyrat e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, me qëllim që të ishte afër zyrave të Këshillit të Lartë të Regjencës, të cilat ndodheshin disa metra më larg aty ku sot është Biblioteka e vjetër”, kujtonte Tefik Çelo, atë periudhë kohe kur Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, dhe shpëtoi nga atentati që i kishin kurdisur komunistët të cilët ai i ndihmonte vazhdimisht

Si u largua Mehdi beu nga Shqipëria
Tefiku kujtonte: “Ndonëse në vitin 1944 unë nuk kam qenë më shumë se shtatë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë gjyshin tim, Mehdi beun dhe shpesh herë i vetëm nga shtëpia i shkoja në zyrë, pasi Lef Nosi që punonte bashkë me të si anëtar i Regjencës më donte shumë dhe më falte ndonjë gjë. Një ditë tek ato zyra të Regjencës më gjeti dhe Mithat bej Frashëri, i cili pasi i pyeti rojet: ‘Ç’do ky fëmijë këtu, më mori për dore dhe më çoi tek një shkollë që ishte aty afër ku ai shkonte dhe takohej shpesh me mësuesit e saj. Mbaj mënd që Mehdi beu kishte miq të ngushtë Patër Anton Harapin dhe Lef Nosin, të cilët pothuaj çdo natë vinin për darkë kur banonim tek shtëpia e Petrelasve në rrugën e Dibrës dhe diskutonin për orë të tëra me gjyshin, e kishte raste që flinin dhe aty tek ne. Po kështu në atë shtëpi vinin dhe shumë njerëz të tjerë, si nga rrethi familjar i babait tim, ashtu dhe të panjohur që kishin halle dhe probleme me qeverinë. Mehdi beu nuk i kthente asnjëherë mbrapsht, por e ndërpriste punën e tij në studio dhe i priste gjithmonë, në çfarëdolloj ore që vinin natën apo ditën. Aty nga fillimi i nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, periudhë në të cilën ne më shumë rrinim në bodrumin e shtëpisë nga frika e bombardimeve, Mehdi beu vendosi që të largonte jashtë Shqipërisë, Medihanë, dhe dy prindërit e mi, Remziun e Shehriarin, bashkë me mua. Për këtë gjë ai preu dhe biletat e avionit, por kur e mori vesh babai im këtë gjë, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria dhe pas kësaj me biletat tona, përveç Medihasë, u nisën dhe Ragipi e Vehbiu. Pak ditë pas largimit të tyre, diku aty rreth ditëve të para të nëntorit 1944, edhe Mehdi beu bashkë me gjyshen Nejren, u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Shkodrës dhe dolën në Itali. Nga Tirana për në drejtim të Shkodrës e deri në kufirin me Malin e Zi, gjyshi Mehdi beu u largua i shoqëruar nga një kompani me ushtarë, e cila ishte caktuar apostafat për mbrojtjen e tij dhe siç më ka treguar shoferi personal i tij Osman Baraku, që gjyshi e kishte një nga njerëzit më besnik, gjatë atij udhëtimi ata ranë disa herë në pritat e partizanëve. Osmani e përcolli me makinë Mehdi beun deri në kufi dhe pastaj u kthye përsëri në Tiranë së bashku me komandantin e truprojeve Sali Vatën dhe shoferin tjetër që quhej Qazim”, kujtonte Tefik Çelo për ditët e fundit të gjyshit të tij, Mehdi bej Frashërit në Shqipëri në nëntorin e ’44-ës.

Konfiskimi nga komunistët i pronave të Mehdi bej Frashërit
Çfarë ndodhi me Shehriarin, vajzën e madhe të Mehdi bej Frashërit, e cila pas ikjes së babait dhe familjes së saj për në Itali mbeti e vetme në Tiranë? Çfarë qëndrimi mbajtën ndaj saj komunistët që erdhën në pushtet dhe cili qe fati i Hanëme Shehriarit dhe i familjes gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë, djali i saj, Tefiku dëshmonte: “Në nëntorin e vitit 1944 pas largimit nga Shqipëria të gjyshit Mehdi bej Frashërit, gjyshes Nejre dhe tre fëmijëve të tyre Vehbiut, Medihasë dhe Ragipit, në Shqipëri mbeti vetëm vajza e madhe e tyre Sheriari, që është nëna ime. Në atë kohë që ikën ata, babai im Remzi Çelo, së bashku me nënën vendosën që të largoheshim nga shtëpia e Petrelasve në Rrugën e Dibrës ku kishim banuar me qira së bashku me familjen e gjyshit Mehdi beut, dhe u vendosëm në një vilë të vogël aty ku sot është Qyteti i Studentit. Atë vilë që u bë pronë e përbashkët e dy prindërve të mi, ne e blemë me kursimet e babait, i cili kishte punuar për shumë kohë si Sekretar në Legatën shqiptare të Selanikut, si dhe me disa të holla që i kishte trashëguar nëna ime nga i ati i saj, Mehdi beu. Pas ikjes së gjyshit me gjithë familje, nëna u interesua për fatin e asaj pasurie të pakët që ata kishin lënë në shtëpinë e tyre, por nuk mundi që të merrte dot asgjë, për arsye se komunistët që erdhën në pushtet, vendosën shtetëzimin e shtëpive të të arratisurve politikë dhe si rezultat i saj u shtetëzua dhe vila e Mehdi beut. Interesimi i nënës sime Shehriarit, nuk kishte të bënte me ato pak plaçka që kishin ngelur aty, por sipas porosisë që i kishte lënë gjyshi, ajo donte të merrte vetëm bibliotekën ku ndodheshin qindra tituj librash, të cilët Mehdi beu i kishte ruajtur që nga koha e Turqisë. Por edhe biblioteka u shtetëzua dhe për fat të mirë të gjithë librat e saj përfunduan në Bibliotekën Kombëtare, ku ndodhen dhe sot”, kujton Tefik Çelo atë periudhë të vitit 1944-45 kur nëna e tij Shehriari mbeti e vetme në Shqipëri pas largimit të familjes së saj për në Itali dhe biblioteka e pasur me qindra libra që kishte lënë ish-Kryeministri i Shqipërisë, përfundoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Largimi nga Tirana
Por ç’ ndodhi më pas me familjen e vajzës së Mehdi bej Frashërit? Lidhur me këtë, Tefik Çelo dëshmonte: “Regjimi komunist që erdhi në fuqi në nëntorin e vitit 1944, nuk e ngacmoi fare familjen tonë dhe deri nga viti 1946 ne qëndruam në vilën e vogël te Qyteti i Studentit, pa pasur ndonjë problem të karakterit politik. Vetëm në vitin 1946 na njoftuan se Bashkia e Tiranës kishte marrë një vendim që në shtëpinë tonë do të vinte të banonte një ushtarak i lartë shumë i njohur që kishte qenë një nga heronjtë e luftës dhe familja jonë do të shkonte të banonte në shtëpinë e tij që ishte diku në Lagjen Brrakë. Pas këtij vendimi, ne nuk kishim se çfarë të bënim dhe babai shkoi ta shikonte atë shtëpi, por ato ditë ajo shtëpi u shemb nga që ishte shumë e vjetër dhe ne nuk hymë dot për të banuar aty. Megjithëkëtë urdhri i Bashkisë së Tiranës u zbatua dhe ne na nxorën nga shtëpia ku u fut për të banuar familja e oficerit të lartë. Pas kësaj për familjen tonë nuk u mor ndonjë vendim se ku do të banonim, por na thanë që të shkonim ku të donim, në Përmet apo në ndonjë qytet tjetër, veçse nga Tirana duhet të largoheshim. Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të na nxjerr ne nga shtëpia që e kishim pronë tonën, padyshim që ishte si rrjedhojë e asaj që nëna ime ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, të cilin regjimi komunist e kishte shpallur si “armik të popullit”, ndonëse në të gjitha listat ku jepeshin emrat e atyre që quheshin “kriminelë të arratisur”, dhe që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shqipëri, emri i tij nuk figuronte asnjëherë. Edhe pse emri i gjyshit Mehdi bej Frashërit nuk figuronte në listat e atyre që regjimi komunist i quante “Kriminelë të Luftë” dhe që u ndalohej kthimi në Shqipëri, në vitin 1945 u arrestuan dhe u dënuan me 5 vjet burg, shoferi i tij Qazimi, dhe me 25 vjet Sali Vata, Komandanti i Rojeve. Të ndodhur përpara kësaj situate, aty nga fundi i vitit 1946 familja jonë së bashku me shumë familje të tjera të cilat quheshin të deklasuara, si: Dostët, Vrionët etj, u larguam nga Tirana dhe u vendosëm diku në periferi të Durrësit, ku banuam për katër vjet me rradhë. Pas katër vjetësh qëndrimi në Durrës, duke përfituar nga një ulje apo më mirë të them një zbutje e dallgës së luftës së klasave, aty nga viti 1950 familja jonë dhe shumë familje të tjera me të cilët kishim shkuar nga Tirana në Durrës, u kthyem përsëri në Tiranë. Pas kthimit në Tiranë, duke qenë se nuk kishim asnjë shtëpi se ku të banonim, na mori në shtëpinë e tij aty në Rrugën e Kavajës, Osman Baraku, ish-shoferi dhe njeriu më besnik i Mehdi beut, i cili në nëntorin e 1944 e kishte përcjellë gjyshin me gjithë familje deri në kufirin shtetëror me Malin e Zi. Ato vite të para të pasluftës, nëna vazhdoi të komunikonte me letra me gjyshin, Mehdi bej Frashërin, dhe me dy vëllezërit e saj, Vehbiun e Ragipin e motrën e Medihanë. Letrat që na vinin nga Italia gjithmonë mbanin firmën e dajave apo tezes Medihasë, sepse gjyshi Mehdi beu, asnjëherë nuk shkruante vetë. Në atë kohë regjimi komunist na lejonte që të merrnim dhe ndonjë pako të vogël me rroba apo me ushqime që na i dërgonin ata nga Italia, por më pas kjo gjë u ndalua rreptësishtë dhe jo vetëm pako që nuk na i lejuan më, por na e ndaluan dhe komunikimin me letra”, kujtonte Tefik Çelo periudhën e viteve të para të pasluftës, kur familjes së tij pasi i shtetëzuan vilën, e përzunë nga Tirana për në Durrës së bashku me shumë familje të tjera të atyre që regjimi komunist i quante “klasa të përmbysura” dhe nuk i lejonte që të merrnin letra nga njerëzit e familjes që ishin arratisur nga Shqipëria.

Internimi në fshatrat e Lushnjës deri në 1991-shin
Sa kohë qëndroi në Tiranë familja e së bijës së ish-kryeministrit shqiptar të periudhës së Monarkisë që ishte arratisur që në nëntorin e ’44-ës? Lidhur me këtë, nipi Tefiku kujtonte: “Në atë shtëpi aty tek Rruga e Kavajës ne qëndruam deri në vitin 1953 kur pas një acarimi të situatës politike që erdhi pas vdekjes së Stalinit, na nxorën që andej dhe sipas një vendimi zyrtar të Komisionit të Internim-Dëbimeve na dëbuan nga Tirana duke na internuar në fshatrat e Fierit dhe të Vlorës. Në ato kohë familja jonë u nda në dy pjesë, sepse babanë Remziun e internuan në fshatin Kuç të Kurveleshit së bashku me 80 persona të tjerë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, kurse nënën Shehrirain, së bashku me motrën time Mimikën, i çuan në Shtyllas. Në atë kohë vetëm unë munda të qëndroj në Tiranë, pasi më mbajti në shtëpinë e tij, ish-shoferi i gjyshit, Osman Baraku dhe vazhdoja shkollën në Politeknikumin “7 Nëntori” (sot Harry Fultz) së bashku me fëmijët e tij. Pas disa vjetëve qëndrimi në kampet e internimit në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas të Fierit dhe Savër të Lushnjës, babai Remziu me nënën dhe motrën, në vitin 1957 u bashkuan në fshatin Gradishtë të Lushnjës, ku ishte një nga kampet më të mëdhenj të internimit në të cilin ndodheshin shumë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, si: Dostët, Mirakajt, Gjonmarkajt, Demat, e shumë të tjerë. Nga familja ime vetëm unë munda që të shpëtoj pa shkuar që në fillim në ato kampe internimi, sepse pasi mbarova Politeknikumin në Tiranë, bëra një kurs për teknik të aparaturave mjeksore dhe duke fshehur biografinë, e rregullova që të shkoja në spitalin e qytetit të Korçës, si specialist i mirmbajtjes së aparateve të atij spitali. Gjatë asaj periudhe që punova në spitalin e Korçës, ku për mua kujdesej Dr. Polena sikur të më kishte djalin e tij, unë bëja kujdes që të mos zbulohesha dhe nuk i tregoja asnjeriu që e kisha familjen në internim në Gradishtë të Lushnjës. Kur ikja nga Korça për në Gradishtë për të takuar njerëzit e familjes, gjithmonë shkoja natën dhe pa u zbardhur dita ikja që andej që të mos më shikonte njeri. Pas disa kohësh që punova në atë spital, filluan dyshimet ndaj meje pas një letre që më erdhi nga nëna, e cila mbante vulën e fshatit Gradishtë. Disa ditë pas kësaj teksa kisha shkuar pranë familjes aty në barakat e Gradishtës, natën erdhi për kontroll operativi i Sigurimit dhe më gjeti brenda. Ai pasi i bëri presion nënës që nuk kishte treguar se e kishte djalin e madh, lajmëroi në Degën e Brendshme të Lushnjës për atë që kishte zbuluar. Pas kësaj erdhi letra në Korçë (ku më zbuluan që e kisha familjen në internim) ku u mor vendim dhe më dërguan edhe mua pranë familjes në Gradishtë. Në kampin e Gradishtës ne dhe të gjithë familjet e tjera që ishin të internuara aty, banonim në disa baraka të vjetra gjysmë të rrënuara dhe të mbuluara vende-vende me katrama. Në ato baraka ku ne jetonim bashkërisht me shumë familje të tjera, kishte, ish-ballistë, legalistë, komunistë të dënuar, gjermanë, kosovarë, prostituta jugosllave e të tjerë me të cilët punonim në punët më të rënda të bujqësisë në kanalet e moçalishtet e fushave të pafundme të Myzeqesë. Përveç asaj jetese në kushtet e mizerjes, ajo që na e bënte akoma e më të padurueshme jetën tonë aty, ishte apeli që bëhej tre herë në ditë, ku ne duhet të paraqiteshim para punonjësve të Degës së Brendëshme, ku shpesh vinte dhe vetë Kryetari i Degës, Nuçi Tira, I cili e kishte porosi të veçantë nga Tirana që “të kujdesej” më shumë për ne të internuarit që ishim “armiq të pushtetit popullor”, kujtonte Tefik Çelo, periudhën e internimit të familjes së tij në kampet e internimit të Vlorës, Fierit e Lushnjes, për të vetmin shkak se nëna e tij Sheriari, ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës gjatë pushtimit gjerman, të cilin regjimi komunist në fuqi e kishte shpallur armik të popullit.

Burgosja e Tefikut, nipit të Mehdi beut
Çfarë ngjau më pas me familjen e Tefik Çelos, pinjollit të vetëm të familjes së Mehdi bej Frashërit që kishte mbetur në Shqipëri? Lidhur me këtë: Tefiku kujtonte: “Gjatë viteve të para të internimit unë u dënova me një vit e gjysëm burg, pasi u zura dhe qëllova një Operativ të Sigurimit, i cili na ishte bërë tepër i padurueshëm. Pasi e qëllova atë më arrestuan e më dërguan në Degën e Brendshme të Lushnjes, ku vetë Kryetari, Nuçi Tira, mori një dru të madh dhe filloi të më binte ku të mundte. Nga të bërtiturat e mia dolën në ballkone të gjitha familjet e oficerëve që banonin aty pranë dhe një grua i foli Nuçit duke i thënë: ‘Mjaft e qëllove atë djalë se po turpëron jo vetëm veten tënde, por dhe të gjithë ne familjet e oficerëve’. Pas fjalëve të asaj gruaje, Nuçi nuk më qëlloi më dhe kur më dënuan me një vit e gjysmë burg për rrahjen e Operativit, ai nuk më dërgoi në burg, por më mbajti aty në Degën e Brendshme, ku punoja me prapavijën. Në atë kohë që u dënova unë, familjen ma hoqën nga barakat e Gradishtës dhe ma dërguan thellë në kënetë ku jetesa ishte në kufijtë ekstrem të mizerjes”, kujtonte Tefik Çelo ato vite kur ai u dënua me burg për rrahjen e Operativit të Sigurimit, aty në internim ku familja e tij qëndroi nga viti 1953 deri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist./Memorie.al

MUSTAFA MERLIKA KRUJA: “KUJTIME VOGJLIJE E RINIJE” – SHTËPIJ’ E IME

 

Mera i Likës u kishte lânë dy djelmet të tij nji “kullë” dý kthinash. Të mëdha nja 30-35 metra katrore secila. Tavan s’dihej aso kohe në Krujë se kuj i thonë. Të shtrueme me dërrasa e me burg nën to për bagtín e për kafshët. Burgjet kishin edhe nga nji strehë pulash në nji qoshe. Trenët e hatullavet vyjshin për me vjerrë në ta mish për pastërma, vargj qepësh e hudhrash e vedene për dimën. Pullazi i mbuluem me tjegulla, nëpër të cilat aty-këtu ndonji rreze dielli depërtonte, por shiu jo. Dritore të vogla në nji “qoshk” pa xhama. Në kohën e stërgjyshit t’em njâna prej dy kthinash ishte “shpí punësh” ase shtëpija e gravet ku gatuhej, e tjetra kulla e miqvet ase e burravet. Kullë në Krujë i thonë nji ode të madhe qi ka nji burg ase nji përdhesë nën tê.

Kur u danë Faja e Aliu kishin pra vetëm nga nji kullë për shoq, për vete e për miq e për të gjitha nevojat familjare. Faja, gjithmonë rrugash e në gurbet, s’kishte pasë kohë me e zmadhue pjesën e vet. Por kur vdiq ai e djal’i parë i tij ra edhe në gjak, rreth’i miqvet zû me u zgjânue e ky s’i pa gjasë me banue mâ vetëm në nji kullë. I shtoi ksaj edhe nji tjetër, ngjitun me tê, por me burg e me shkallë mbë vete, tue u çelë të dy kthinavet nji derickë në mest. Edhe kjo krejt si e vjetra e e madhe sa ajo. Këtu në këtë kullën e re leva un. Zakonisht kur të dy vëllazënvet, t’im ungj e t’im atë, u tokonte me u gjindun e me flêjtun të dy në shtëpí, i pari flênte në kullën e re, si i parë shtëpije qi ishte, e i dyti në të vjetrën qi ishte edhe shtëpí punësh. Kur kishim miq të dy burrat flêjshin me ta dhe gra e fëmijë përtej. Por për lehonën ishte pamë më udhë me i shkëmbye, mbasi të dyja kishin votra e gjithça mbë vete.

Në këto dý kulla të vetme e kemi shkue jetën burra, gra e fëmijë e miq edhe 22 vjet si leva un, posë nji perjode të shkurtën qi kemi banue në Durrës.Im ungj ishte bâmë vet i shtatëti deri para se të shkonte në Stamboll, ku i ra mos me qênë në shtëpí për nândë vjet rresht: vetë me të shoqen e pesë fëmijë; im atë deri atëherë vet’i katërti. Shto mandej dhe nji nip jetím, djalin e Tanës qi kam përmêndun në tjetër vênd, e nji rrogtar. Me gjithë këtê dy burrat fort rrallë vijshin në shtëpí, edhe kur vijshin herë vinte njâni e herë tjetri e rrijshin nji kohë të shkurtën. Gra e fëmijë bâjshin si bâjshin q’ashtu si fishekët në qeset, por u rregullojshin. Miq edhe, pa burra në shtëpí, vijshin mâ rrallë: katundarë të largët për të diell mbrâma qi vijshin për me gdhimë ditën e tregut në qytet, ndonji farefis e gjiní, ndonji gjakës.

 

***

 

Në 1908 im ungj ishte lirue prej burgut, kishte kthye në shtëpí mbas nandë vjeç si i lemë për së dyti me mâ të madhin gzim të vetin, të familjes, të gjithë dashamirvet e, mund të them, të vêndit mbarë. Mbas nja motmoti lypi me u damë me t’im atë. Kishte të drejtë. Kishte qênë me pesë fëmijë e ishte tue u shtue tash prap. Edhe im atë ishte shtue. Shtëpija e vogël për gjithë këtë gjind e dikur po do t’u dajshin. Sido qi t’ishte kishte ardhun koha edhe me ndërtue. Ishte e drejtë qi secili vëlla, secili bark të mendonte për vete. Im atë, ndërsa i vëllai ishte në burg dhe pa shpresë se do të dilte ndonji herë, kishte pasë fillue edhe me u bâmë gati për nji ndërtesë të re, por për të dý familjet bashkë, ashtu si ishin e si i përkitte, dhe kishte pasë blemë nji ndër trojet ma të bukurat të qytetit. Kur i a përmênd tash im ungj të damen i vjen keq, por e kupton edhe se s’kishte as arsye as të drejtë me kundrështue. Për mâ tepër, shumë mâ i ri se ai, s’ishte mësue kurrë me i a bâmë fjalën dyshë. E nderonte ashtu si mâ i urti djalë t’anë nji herë moti. E mbaj mênd un, pra ishte babë me fëmijë, kur e ka shtrëngue nevoja me i a pimë duhanin për faqe. Ishte në shtrat i plaguem e axha i rinte pranë gjithnji. Nji mik i tha këtij qi t’i epte vetë nji cingare për t’i hjekun mërzín. E tashti qi im ungj s’ishte tue kërkue prej tij veçse nji gjâ të drejtë e t’arsyeshme, i përgjigjet:

– Mirë , or Xhi, mbasi ti kështu po e sheh t’arsyeshme, kur të duesh thirr nja dy miq e të na dajnë.

Zakonisht të damet ndërmjet vëllaznish ndër ne bâhen me pleq, Por t’im ungj s’i paska pëlqye me grishun kênd, paska dashun t’a dajë vetë pasunín qi kishin. Por mjerisht edhe t’a dajë edhe mbas ândës së tij. Paska vûmë në hesáp gjithë shpenzimet e bâme per mue nder shkolla prej t’im et, ashtu siç âsht zakon me bâmë në kso rasash ndërmjet vëllaznish për pajën e vajzave të martueme para së dames. Ndërsa ai vetë kishte qênë në burg familja e tij kishte jetue jo veç prej pasunís së përbashkut, por edhe me mundin e këtij vëllai qi donte t’i llogaritte ç’kishte shpenzue për të birin, ndoshta për nji të thyeme zêmre qi mund t’i kishin shkaktue djelmt e vet të gjetun vetëm me shkollat e Krujës. Por këtu im atë ishte krejt i pafajshëm, mbasi atyne vetë s’u kishte pëlqye me dalë jashtë për studime. Edhe trollin për ndërtimin e nji shtëpije të re qi kishte blemë im atë Axha e kishte vûmë në pjesën e vet, si edhe copat tjera mâ të mirat. Im atë ankohet e ngul kâmbë për pleq, simbas zakonit. Thirren dy pleq, të cilët shohin e pohojnë padrejtsín e t’im ungj edhe proponojnë nji plan të ri. Por Axha s’e pranon, ngul kâmbë në të damen e vet. Pleqt thonë lâmtumirë e shkojnë. Im atë kthehet e i thotë të vëllait qi të thirren pleq tjerë ase të dajë njâni e të zgjedhë tjetri, siç âsht zakon edhe kjo mënyrë. Im ungj s’han kurmji arsye. Don qi të bâhet e vetja. Im atë i lut dekën vetes, por nji padrejtsí aqë të madhe e flagrante s’i epet me e pranue. Puna ngec e ashprohet. Çuditen miqt, çuditet Kruja e ndokuj i kujtohet fjala qi nji katundar filosof i kishte thânë t’im ungj para nji vjete tue i pimë kafen e gzimit për shpëtimin e tij nga burgu: ” E due kafen t’idhët, or Xhi, kam dashun qi ti mos t’a bijshe mâ kryet në kët’anë, se drue mos t’a fëlliqsh at’emën qi ke fitue, atë pushkë qi ka nderue gjithë Shqipnín.”

Nji shoq më shkruen atëherë nji letër e m’a çon në Stamboll, ku ishem tue studjue. M’a përshkruen gjêndjen fije për fije. Ishem tashmâ burrë atëherë. E kuptoj gjithë randsín e punës, e shoh se do të mbarojë me dâm ase me turp. Ç’të bâj? E dij qi baba më ndëgjon, ka me më ndëgjue. Pranoj dâmin njimijë herë mâ mirë se turpën, marr e i shkruej t’im et: ” Bâ gjithsi t’a shohë me udhë Axha vetë, edhe në qoftë se të qet pa kurrgjâ, pa tokë e pa shtëpí, me cerga në Kulmrá.” ( asht kjo nji fushë në krastë). ” Un mbas nji vjete dal prej shkolle me punë e jam i zoti me mbajtun familjen.”

Njimênd e mbarova shkollën mbas nji vjete. Nji mëngjesi korrikut zbres në Durrës, i telegrafoj babës, zâ nji kalë qiraxhijsh dhe nisem për Krujë me të zotin e këtij, ky kâmbë e un kaluer. Dojshem me fluturue, por s’kishim asnji mënyrë me mbërrîmë në Krujë pa u shtue gjashtë ditve të vaporit edhe nji me kalë. Dyzet kilometra rrugë kualsh me barrë, të përsjellë prej të zotve kambë, ishte tepër e gjatë për t’u marrë flak. Stacjoni i zakonshëm ku bunjshin qiraxhijt e Krujës ishte Pikëza, pak pa mbërrîmë nga Durrsi në Vorën e soçme. Atje ishte nji kasolle si punë hani për dimën, por verës konak ishte fusha, mbuluem prej kupës së zezë të qiellit dhe ndriçuem prej hânës e yjvet. Atje shkarkoheshin barrët, kualt lëshoheshin me hekura nder dý kambët e para për me kullotun në barë të njomë qiraxhij e udhtarë, si un, shtroheshin mbi mutafat e kualvet, nxirshin nga duqet copën e bukës, djathin e qepën qi kishin blemë në Durrës, pa mungue kurrë as faqorja e rakís, pijshin, hajshin e pështetshin kryet mbë diça veshun e mbathun siç ishin, flêjshin deri afër agimit. Pa u zhdukun ende të tanë yjet, porsa të kishin fillue tekëz me ndritun majet e maleve, u çojshin qiraxhijt me kërkue kafshët e urta, të shpërlodhuna e të nginjuna me barin e fushës, i ngarkojshin e karvani merrte rishtas rrugën.

Kur mbërrîmë në Krujë vapa kishte fillue bukur si mirë. Në Deredé shuejmë, njerëz e kafshë, eten me at’ujë të kulluet të pesë krojvet qi janë mâ i madhi bekim i Zotit për atë qytet gurësh e ullîjsh e qiraxhiu i im dahet karvanit për të më përsjellë mue në shtëpí me kalin e tij. Mbas nji çerek sahati kâmbët e kalit lajmojnë të mijt e fqinjët, qi ishin tue më pritun me veshë hapët e gati pa frymë prej gulçimit të zêmrës. Të gjithë shêmben përjashta. Përqafime e lot gzimi. Por asnji rob i gjallë nga familja e t’im ungj! Nuk munda me durue. Qava me dënesmë, krejt si kalamâ, pa i a thânë kurrkuj shkakun, qi ishte idhnim e jo gzim.

Baba e Axha ishin damë ashtu si kishte deshirue ky vetë, i kishte lânë babës shtëpín e vjetër e për vete kishte mbajtun trollin e blemë prej këtij tue zânë nji shtëpí me qira në lagjen e Dallakvet. Dy vëllaznit i kishin thânë shoshoqit lamtumirë për jetë, për të mirë e për të ligë, s’flitshin, s’u piqshin, s’hyjshin e s’dilshin mâ njâni ke tjetri. Kështu edhe të dý familjet mbarë.

Nesret qi mbërrîna, mbas dreke, i thashë s’im âmë qi s’ishte nevoja me gatue gjâ për darkë, se do të shkojshim të tânë bashkë ke Axha. Ajo më muer ngrykë e më puthi, i u mbushën sŷt me lot. Më pyeti: “A je marrë vesht me t’ët atë?” I u përgjegja: “Babës kam me i kallzue ma vonë, jam i sigurtë qi s’ka për të m’a prishun mue, i a njoh mirë zêmrën.”Aty kah akshami i afrohem t’im et e i them: “ Sonde , babë, po shkojmë ke Axha të gjithë. Sakrifica qi kemi bâmë s’u bâ për me ndêjtun idhnueshëm ndërmjet nesh, por mos me prishun vëllaznín, apo jo?” Baba ndêjt nji copë herë pa zâ, me krye ulët, me sŷ përdhe si në mendim. Kishte frikë mos t’a tradhtonte ndonji pikë lot edhe atê. I dukej ndoshta atij se burri shqiptar s’duhet t’a shfaqë emocjonin e tij me lot, as për gzim as për idhnim. N’ato çase heshtije iu përshkuen sigurisht nëpër mênd të tâna të mirat e të ligat e kalueme bashkë me vëllanë e madh qi kishte nderue si babë e qi ai e kishte rritun e bâmë burrë; qi e kishte martue e pruejtun së këqijash; qi ky vetë ishte përpjekun me mish e me shpirt me i a shpërblye, sidomos gjatë nândë vjetve të burgimit të tij atje larg në Stamboll tue i a shikue grue e kalamâj mâ mirë se të vett e tue u plasun buza të dyve për shoqi-shoqin. Sigurisht nji copë tokë mâ shumë a mâ pak, mâ e mirë a mâ e keqe s’vlente as nji ças t’ambëlsís s’asaj jete të gjatë vëllaznore. Çoi kryet e më tha:

–    Të paça baba, ke të drejtë ti, po shkojmë.

Për buzë akshami im atë para, im’âmë mbas tij, mandej un e rresht mbas meje Qazimi, Zâja me Asllanin për dore jemi ke dera e shtëpís së t’im ungj. Dikush na pa prej dritorje e gjithsa qenë mbrênda vrapuen me na dalë para. Qe nji shqenë fort e mallëngjyeshme e ajo natë ka qênë për mue nji ndër gzimet mâ t’âmbla të jetës. Kujtoj kështu edhe për gjithë tjerët.

 

***

 

Shtëpín e kishim në nji kurriz kodre saragjate e shumë të ngushtë, poshtë ndërmjet krastës e qêndrës së qytetit ku ishte pazari, por mâ afër krastës se pazarit. Ata t’eprit, banorët e periferís së poshtër si na, i quejshin “poshtali” e u tallshin me ta tue u thânë qi kishin nji fije zorrë mêtë. Kush e di se si ka pasë mbetun kjo “fija e zorrës mangut”! Kur na shihshin në pazar na përshëndetshin si katundarë tue na pyetun në gaz: ” A paske dalë Krú sod?”

Mbas shtëpije kishim nji patalog të vogël me nji man në medist e mâ përtej rrugën e lagjes për kufí. Përpara ishte oborri, në të mângjëtën e këtij tue hŷmë në shtëpí koteci i misrit, gjymsa e oborrit kah e djathta verës thurej e bahej vathë për dhít. Shtëpija vetë n’anën e mângjët ngjitej me atê të barkut t’Aliut nëpër nji urë harasani e me derë ndërmjet. Mbas shtëpije, në rrânxë të murit, ndizej përnatë nji kandil me voj të mirë si ndër teqet. Dikur im atë paska pasë shkadhitun e hudhun poshtë nji krah të thamë të manit e atë natë ime gjyshe na paka nji ândërr. Shihka të birin, Metën, pa kâmbë e tue ecun gjunjas. I a niska me qamë e me i u lutun e lëvyrë Perëndís për tê e atças i u shfaqka nji foshnje veshun si dervish, qi i thotë: “Un jam Dervish Sulejmani e jam un qi i kam premë kâmbët t’at bir, se më ka hudhun mbë shpinë degën e manit.” Nânë Gonxhja i u lutka dervishit me i a falë djalin e me i a vûmë kâmbët prap në vênt. Edhe ky i a falka, por me nji kusht, qi t’i ndizet përnatë nji kandil, edhe i dëftyeka vëndin se ku. Kjo historia e atij kandili. Por ka edhe dervishi të veten. Gjyshja rrëfente se motit n’ato troje paska pasë banue nji i parë i ynë, Molla Isuf Gjebeshi. Këtij i paska pasë falë Zoti nji djalë, të cilit i ati i a paska ngjitun emnin Sulejman. Por ky paska lemë me nji të mêtë tepër të rândsishme në trup, zorra e trashë s’i mbaronte si gjithkuj qi të mundej me dalë jashtë, por mbyllë. U thirrka atbotë nji xherrah për t’i bâmë operacjonin e nevojshëm, por kot. Djali vdiska në krye të nja tri a katër ditve. ” Pa dyshim”, thonte Nânë Gonxhja, “s’mundet me qênë tjetër veçse ky”, për Dervish Sulejmanin e vogël qi kishte pamë n’ândërr.

Fqinjë, veç kushrîjvet t’anë, kishim vetëm edhe dý familje të vorfna, Vathajt. Njâna prej sosh qe shue e nbetun në nji gocë, Gjyzen, qi e muer për grue nip’i ynë Merë Kacane-ja qi kishim rritun e martue na vetë. Tjetra kishte vetëm nji djalë, Demën e Shabanit.

Sod atje s’ka mbetun ma kurrkush, posë gërmadhash, trojesh, ullishtash e arash. Kodra e jonë ishte e veshun krejt me ullîj, aty-këtu me ndonji man, me ndonji shegë, me ndonji fik e ndonji jargavane. Poshtë në të dý luginat shtroheshin ara: disa t’onat, do të kushrîjvet e tjerat të huejat. Arat tjera në qytet na i kishim përjashta asaj lugine, qi vinte nën shtëpín t’onë, nja pesë minuta mâ larg në nji vênd qi e quejshin Allamane. Nji copë tokë të luginës e mbillshin bastan e rreth e rrotull kishte nji kunorë pemësh. Prandej asaj i thojshin bastanore. Mû nën shtëpí kam pasë mbjellë un vetë nji rrânjë kumbullore, faret shumë të mirë, qi e pata bajtun mbë krah qyshë prej Larushku ke “ Babë Islam” Corka, i ungji i s’im’âmë, qi e kishte rritun e martuem, mbasi i ati, Abazi, e kishte pasë lânë të vogël. Por kumbullores s’eme, me gjithë qi u rrit mirë, pemët i a prishte gjithmonë krymbi e i a hidhte për tokë pa pjekun.

Në fund të baçës, porsa bijshim në rrafsh të luginës, ishte pusi i të katër familjevet nga të cilat përbâhej lagja e jonë. Pus i cekët, gjthsej nja dy pash.Natyrisht…pa mbulesë. Shtegu, i ndërtuem me nji farë kalldrami, qi të çonte ke pusi shkonte thikë teposhtë. Atje vejshin grát t’ona të gjitha, edhe Caja e ime sa ka qëndrue n’atë shtëpí, me mbushun ujë për familjen me nga dy gjyma ase dý shtama mbë shpinë. Kur u ngjitshin asaj brinje përpjetë në shtëpí, të ngarkueme n’atë mënyrë, mezi mbusheshin me frymë. Na kishim edhe gomarin. Por asaj përpjetje me atë kalldrâm gomari s’ishte i zoti t’i ngjitej i ngarkuem ase grát t’ona drojshin se mos t’i rrëshqitte kund kâmba me bâmë bërsí shtamat e me ftënue gjymat. Deri ku mbërrîn vetmohimi i grues shqiptare për familjen!

Në këtë shtëpí më ka lemë kryet mue, në këtë shtëpí jam rritun e bâmë 15 vjeç, deri qi u nisa për gjymnaz të Janinës, në këtë shtëpí ka jetue familja e ime, deri qi në dimën të vjetit 1922 i vû zjarmin qeverija për fajet e mija politike e e bâni hî mbrênda pak orve me gjithë ç’kishte mbetun mbrênda mbas nji afati nji gjymsë oret.

Prezantohet “Harta e vuajtjeve të komunizmit”: Nga Jugu në Veri, 80 kampe dhe burgje

Në këtë 20 shkurt, që përkon edhe me 29-vjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë u prezantua “Harta e vuajtjeve të komunizmit” në Fakultetin e Historisë edhe të Filologjisë.

Në një video rreth 20 minuta, Pandeli Çeço në bashkëpunim me Kujto.al sjell rreth 80 kampe internimi dhe pune të detyruar nga Jugu në Veri të vendit tonë.

Kampe, në të cilat mijëra shqiptarë kanë vuajtur gjatë viteve 1944-1990.

Studiuesi Erald Kapri rrëfen se kjo hartë, që prezantohet për herë të parë, ka si qëllim ruajtjen e asaj pak çka mbetur nga ajo periudhë, sa nuk është vonë.

“Është hera e parë që në mënyrë digjitale mbi Shqipërinë janë projektuar rreth 80 vend-vuajtje dhe burgje gjatë diktaturës komuniste. Mbi 90 për qind e tyre nuk janë më, për fat të keq, por përmes kësaj harte ne kemi mundësi, që t’i tregojmë njerëzve se çfarë ka ndodh gjatë diktaturës. Që nga viti 1944-1991, tregojmë se ku kanë qenë vendet e përqendrimit, kampet me tela me gjemba, vend-vuajtjet edhe burgjet e ndryshme, që shpërndaheshin në të gjithë territorin”, thotë Kapri, i cili mendon se kushdo që sheh këtë hartë, krijon përshtypjen se Shqipëria asokohe kudo ishte një burg, sepse një vend me rreth 3 milionë banorë kishte mbi 80 vende për “armiqtë”  nga Veriu në Jug.

“Vetëm se kush ishte nga Veriu dërgohej në Jug edhe anasjelltas. Statistikat për të internuarit në diktaturë nuk janë ende të sakta për shkak të mungesës së dokumenteve. Por vende, si Spaçi dhe Burreli kanë qenë vendet më të mëdha, që dërgoheshin këta njerëz. Gjithashtu në Shqipëri ka shumë vepra që janë ndërtuar me punën e papaguar të të burgosurve. Pallatet ‘Agimi’, Stadiumi “Qemal Stafa” etj., Qafë Bari, Spaçi, që sot janë në gjendje të mjeruar apo Kampi i Tepelenës kanë nevojë që të ruhen edhe të mirëmbahen, jo vetëm si muze, por edhe si një vend  ku njerëzit flasin edhe diskutojnë. Sa më shumë të ruhen prej tyre, aq më mirë është, sepse e kaluara duhet treguar. Nëse nuk tregohen nuk ruhet”, thotë Kapri.

Drejtori i KAS Albania, Tobias Rüttershoff, shprehet se plagët që ka shkaktuar komunizmi në vendin tonë janë shumë të mëdha, derisa nuk ka ende një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit.

“Një nga pikat më të rëndësishme për ne është ballafaqimi me të kaluarën, edhe pajtimi kombëtar, pajtimi i shqiptarëve. Sot është 20 shkurt që është 29-vjetori i rënies së shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë, fatkeqësisht nuk kemi akoma një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit. Është tepër e rëndësishme të kemi informacion për këto vende, ku janë kryer këto krime”, shprehet Rüttershoff.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, të organizuara nga KAS Albania dhe IDMC.

Xhoxhaj: “Si i shtypëm me diagaç dhe i copëtuam me granata dy djemtë në qendër të Shkodrës” (I)

Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në qytetin e Shkodrës më 23 janar të vitit 1983, kur dy të rinj, Fatmir Gusha dhe Sali Breshni, pasi kishin rrëmbyer tre armë automatike “Kallashnikov”, dhe disa karikatorë, në një nga repartet që ndodhej në fshatin Shtoj, u nisën drejt qytetit të pashqetësuar nga njeri deri tek Dega e Brendshme, ku pasi u diktuan dhe u konfliktuan me një oficer, filluan të qëllonin në ajër në shenjë presioni.

Largimi i tyre, për të shkuar tek Dega e Brendshme, u pikas nga forcat e policisë dhe u detyruan të qëndronin tek një rrugicë pas Instituti Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, ku hynë dhe u ngujuan tek shtëpia e familjes Hysej, ku u rrethuan nga forca të shumta të Policisë së Shkodrës dhe Divizionit Ushtarak, si dhe Forcave Speciale (Reparti 326) të ardhura nga Tirana.

E gjitha ngjarja, sipas dëshmisë së rrallë të ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës, Përparim Xhoxhaj, publikohet për herë të parë nga Memorie.al, pasi që nga mbrëmja e 23 janarit 1983 e deri më sot, gjithçka ka mbetur në heshtje duke e mbuluar me mister atë ngjarje që tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës, por edhe udhëheqjen e lartë në Tiranë, pasi Ramiz Alia dërgoi urgjent në Shkodër ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi dhe gjithë natën që u mbajtën të rrethuar dhe deri në mëngjes, kur dhe u eliminuan fizikisht, duke i shembur shtëpinë me një tank dhe duke i qëlluar me granata, Ramizi ishte në kontakte me ta, duke dhënë urdhra, mendime dhe sugjerime.
Kush ishte Fatmir Gusha që në qytetin e Shkodrës njihej edhe me nofkën, “Caf Susta”, dhe Sali Breshni, çfarë problemesh kishin ata dhe familjet e tyre me regjimin komunist në fuqi dhe cili ishte qëllimi i tyre pas marrjes së armëve në repart dhe përse ata nuk pranuan të dorëzoheshin edhe pasi forcat e policisë dhe personalisht, Drejtori i Përgjithshëm Kasem Kaçi, dërgoi djalin 13 vjeçar të Fatmirit, që e mësonin oficerët e Degës, i bënte thirrje të atit, që të dozohej…?!

Dëshmia e Përparim Xhoxhaj, dhe familjes Gusha, Mit’hati, (vëllai i Fatmirit), Bardhit djalit të Fatmirit, që u morr peng nga policia për “negociata”, me të atin, si dhe disa shokëve të “Caf Sustës”, me rrëfimet e tyre për herë të parë hedhin dritë mbi këtë ngjarje, për 37 vite eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende edhe pse familjarët s’kanë reshtur së kërkuari?!

Ishte mbrëmja e 23 janarit e vitit 1983, kur qetësinë në qytetin e Shkodrës, e prishën disa krisma armësh dhe sirenat e automjeteve të policisë të cilat drejtoheshin për nga qendra e qytetit, në zonën afër Institutit Pedagogjik “Luigj Gurakuqi”. Këto, shkaktuan një panik dhe frikë në të gjithë qytetin, ku thuhej se: “një bandë e armatosur kishte ardhur nga Jugosllavia, duke vajtur deri në qendër të qytetit pa u kuptuar nga njeri, aty ishin rrethuar nga forcat e policisë, ushtrisë dhe Forcat Speciale nga Tirana, që po luftonin kundra tyre dhe ata nuk dorëzoheshin”?!

Të gjitha këto, si dhe versione nga më të ndryshmet lidhur me atë që po ndodhte atë mbrëmje të 23 janarit të vitit 1983 në qytetin e Shkodrës, do të vazhdonin të “bluheshin” paralel me atë që po ndodhte realisht aty pas Institutit Pedagogjik te shtëpia e Hysejve, e vërteta do të merrej vesh vetëm në mëngjesin e datës 24 janar, pak pasi armët kishin pushuar dhe sirenat e policisë nuk po dëgjoheshin më.

Atë mëngjes në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se dy personat që ishin ngujuar në shtëpinë e Hysejve kishin luftuar gjithë natën kundra forcave të policisë dhe atyre të ushtrisë që i mbanin të rrethuar, kishin qenë Fatmir Gusha, (i njohur ndryshe me nofkën Caf Susta) dhe Sali Breshni, një shok i tij. Pasi nuk pranuan të dorëzoheshin, u eliminuan fizikisht duke u qëlluar me granata dhe një tank i vogël i Divizionit të Shkodrës, ua prishi shtëpinë duke i zënë brenda ata.

Lidhur me këtë ngjarje të ndodhur 37 vite më parë në qytetin e Shkodrës, e cila u mbajt e fshehtë nga regjimi komunist dhe nuk është bërë kurrë publike Memoria.al publikon pjesën e parë të intervistës me ish-kryetrarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, z. Përparim Xhoxhaj, të cilën ai na e ka dhënë para pak vitesh.

Zoti Xhoxhaj, si e kujtoni ngjarjen e 23 janarit të vitit 1983 dhe a i kishit njohur më parë dy të rinjtë shkodranë, Fatmir Gusha (i njohur ndryshe se Caf Susta) dhe Sali Breshnin?
Të ndjerin Fatmir Gusha apo siç është njohur ndryshe si Caf Susta, e kam njohur për herë të parë tre – katër ditë para asaj ngjarje ku ai mbeti i vrarë. Kurse atë tjetrin, shokun e tij, Sali Breshnin, nuk e njihja fare.
Konkretisht në ç’rrethana e njihnit, Fatmirin…?
Unë si kryetar Dege, bëja pritje populli çdo të hënë, kur kishte persona që kishin ndonjë hall apo problem të ngutshëm, i takoja dhe i prisja në zyrë në çdo kohë. Një nga këto pritje jashtë ditës së zakonshme, ishte dhe ajo që i bëra Fatmirit dhe bashkëshortes së tij në zyrën time. Ata kërkuan takim dhe unë i prita. Në fakt, Cafi siç e thërrisnin për shkurt, ishte divorcuar nga bashkëshortja, gjë e cila ishte bërë false, me qëllim që ajo me fëmijët të mos vuante masën e dënimit me internim, që i ishte dhënë Cafit me vendim gjykate për problemet që ai kishte, dënim të cilin ai e vuante në fshatin Hajmel të Shkodrës.

Konkretisht për çfarë ishte dënuar Cafi me internim?
Nuk e mbaj mënd mirë, pasi ai ishte dënuar disa herë për krime të hapura, siç i quanim ne në terma profesionale, kurse në zhargonin popullor, quheshin si “krime ordinere”. Në mos gaboj, Fatmiri kishte kundërshtuar organet e policisë apo ishte konfrontuar fizikisht me ta duke mbrojtur një person tjetër, shok të tij ndoshta, të cilin donin ta arrestonin forcat e policisë pas një prishje rendi në një nga lokalet më të njohura të qytetit të Shkodrës. Nuk e kujtoj mirë me detaje, por në thelb kjo ishte një nga ngjarjet që ishte bërë shkas për dënimin dhe internimin Fatmirit.

Si vijoi takimi juaj me Cafin dhe gruan e tij?
Cafi rrinte pak më prapa gruas së tij dhe e shikoja që dridhej i tëri, ishte jashtë mase i ngarkuar nga ana psikologjike dhe mllefi tij dallohej qartë, por nuk fliste fare. Unë mendova se ai; ishte i dehur, me një fjalë dukej i papërqendruar dhe pak si depresiv. Gruaja e tij, e cila ka qenë një grua shumë e mirë, më tha: “Shoku kryetar, nëse ka mundësi, burrit tim i ka mbetur edhe një vit për të vuajtur internimin, prandaj po mundët t’ia falni pjesën e mbetur dhe ai të kthehet në shtëpi, pasi kemi halle dhe tre fëmijë për të rritur”.

Si iu përgjigjët ju kërkesës së saj?
Unë i thashë se: sipas ligjeve në fuqi, nuk ishte në kompetencën time falja e dënimit, dhe menjëherë në prani të tyre u lidha direkt në telefon, me personin që mbulonte zbatimin e ligjshmërisë (Adil quhej, mbiemri nuk më kujtohet), i cili më tha se ajo mund të bëhej vetëm me vendim gjykate. Pas kësaj unë mora në telefon kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Mërgim Dragushën dhe i thashë po të njëjtat fjalë. Mergimi më tha se do ta shikonte atë problem. Pas kësaj, gruaja e Cafit me tha që t’ia shtyja ca ditë lejen që i ishte dhënë (Cafit) për t’u larguar nga vendi i internimit, për arsye se ai kishte qenë në spital ku dhuronte gjak (merrte 3 mijë lekë të vjetra) dhe të rrinte pak ditë me fëmijët.

Po atë kërkesë të tyre, a ua plotësuat?
Unë u lidha përsëri në tel me personin që mbulonte ligjishmërinë (Adilin) dhe i thashë t’ia shtynte lejen. Ai më tha se kishte folur në telefon me mjekun S. A., dhe ai i kishte thënë që: Cafit i kishte dhënë letër shtrimi për në spitalin e Tiranës, dhe ai të lejohej të shkonte në Tiranë për t’u shtruar. Unë i thashë që t’i shtyhej leja nga vendi i internimit duke dalë unë garant me firmën time dhe pasi të kthehej nga spitali, Cafi të paraqitej tek ne në Degë. Pas kësaj, Cafi me gruan mbetën shumë të kënaqur dhe më falënderuan shumë të dy. Kështu u ndava me ta, në mos gaboj ka qenë ditë e enjte dhe pas tre ditësh, ndoshta e shtunë duke u gdhirë e diele, ndodhi ngjarja ku ai me shokun e tij, Sali Breshni mbetën të vrarë.

Si e kujton atë ngjarje?
Atë pasdite, nga ora 18 e 30 në mos gaboj, unë isha duke shkuar në zyrën time në Degën e Brendshme bashkë me Qemal Lamën, shefin e Hetuesisë së Republikës, i cili kishte ardhur nga Tirana të ndiqte një problem pune të linjës së tij. Sapo u futa në zyrë ra telefoni dhe e kapa unë menjëherë. Një zë burri shumë i tronditur (të cilin s’e mësova kurrë se kush ishte) më tha: “Ç’farë bëni ju të Degës, këtu po vriten njerëz”?! Ku, e pyeta unë?! “Këtu, pas Institutit”,-më shpjegoi ai. Menjëherë unë dola në dritare dhe dëgjova të shtëna armësh automatike me breshëri të zgjatura.

Çfarë bëtë pas asaj që dëgjuat?
E lashë Qemalin në zyrë dhe zbrita poshtë, duke u nisur menjëherë tek vendi i ngjarjes, ku para meje kishin mbërritur 6 a 7 policë, të cilët kishin vajtur aty me vetëiniciativë, pasi kishin dëgjuar të shtënat. Personat që qëllonin, ishin futur forcërisht në një shtëpi pas godinës së Fakultetit (Universitetit të sotëm) ku banonte familja Hysaj (i zoti i shtëpisë quhej Agim Hysaj) dhe nga dritaret e asaj shtëpie, qëllonin papushim.

Çfarë po ndodhte konkretisht aty dhe si komentohej ajo ngjarje në popullin e Shkodrës?
Përveç krismave dhe breshërive të armëve që dëgjoheshin dhe shikoheshin qartë, fillimisht asgjë nuk dihej më shumë dhe nisur nga kjo, ngjarja që po ndodhte komentohej dhe interpretohej nga mënyrat më të ndryshme. Por ajo që dominonte nga të gjitha versionet apo më saktë hamendjet që qarkullonin në të gjithë qytetin, ishte ajo që: “Disa persona të armatosur të ardhur nga Jugosllavia, janë futur në një shtëpi dhe po luftojnë me forcat e policisë, të ushtrisë dhe ato vullnetare rezerviste, që i kanë rrethuar nga të katër anët”. Veç këtyre fjalëve dhe hamendjeve që qarkullonin, ngjarja bëhej më tragjike dhe paniku rritej, kur u mësua lajmi se kishin mbetur të vrarë dhe dy persona.

Kush ishin ata dhe në ç’rrethana kishin mbetur të vrarë?!
Njëri ishte një i moshuar, Sul Dashi quhej, për të cilin u tha se u vra nga të shtënat qorre para derës së shtëpisë së tij dhe një djalë i vogël, 13 vjeç, i cili vdiq pak kohë më pas në spital nga plaga e plumbit.

Kur e mësuat ju se ata që ishin të rrethuar aty dhe qëllonin, ishin Fatmir Gusha dhe Sali Breshni?
Aty e mësuam në vendngjarje, pasi Cafi me Saliun, përpara se të hynin aty, kishin hyrë në një shtëpi tjetër më përpara, më saktë të shtëpia e Kolec Thanit, (vëllait të aktores së njohur, Tinka Kurtit), ku kishte pasur një darkë familjare dhe kishte edhe persona të tjerë të ftuar. Pasi kishin qëndruar pak tek shtëpia e Kolec Thanit, ata ishin larguar andej dhe kishin dalë në rrugë, nga frika e përballjes me policinë, ishin detyruar të futeshin tek shtëpia e Hysajve.

Dihej nga ana juaj se sa persona ishin?
Fillimisht ne e dinim se janë tre persona në atë shtëpi, pasi nga reparti ushtarak ku ata kishin marrë armët, na u raportua se mungonin tre armë “kallashnikov” dhe 37 karikatorë me fishekë.

Ku i kishin marrë armët Cafi me Saliun në cilin repart ushtarak dhe si u mësua nga policia?
Armët ata i kishin marrë në një repart të Zbulimit, që ndodhej në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku kohë më parë kishte kryer disa muaj shërbimin ushtarak, Sali Breshni, i cili nuk e kishte mbaruar ende shërbimin ushtarak, pasi ishte dënuar për ikje pa leje. Ai duke e njohur mirë atë repart, kishte mundur të futej aty bashkë me Cafin, pikërisht atë pasdite kur oficeri roje kishte ikur në shtëpi, nënoficeri ishte larguar dhe pas tyre pothuaj të gjithë ushtarët ishin larguar. Dhe duke përfituar nga kjo situatë Cafi me Saliun kishin marrë tre armë kallashnikov dhe 37 karikatorë me fishekë, të cilat i kishin futur në këllëf jastëku të ushtarëve.

Po pasi arritën të merrnin armët dhe karikatorët me fishekë, nga kanë lëvizur ata?
Pas kësaj, krejt të qetë ata kanë ardhur në drejtim të qytetit të Shkodrës deri tek Dega Ushtarake, ku dhe janë kuptuar se kanë qenë të armatosur dhe filluan të qëllojnë me breshëri në ajër. (Këto gjëra ne i mësuam më vonë, në analizat që bëmë në Degë).

Si u kuptuan ata, pra kush i konstatoi se ishin të armatosur?
I pari që i ka parë ata të dy të armatosur, ka qenë gruaja e një oficeri, të cilët banonin tek pallati përpara Degës Ushtarake.

Konkretisht si…?
Ata të dy, (burrë e grua), ishin nisur të shkonin në një vizitë familjare dhe gruaja ndërsa po priste para pallatit të shoqin të zbriste, ngjiti shkallët e trembur duke i thënë se aty poshtë ishin dy persona të armatosur. Oficeri i tha të shoqes se duhet të ishin të Degës Ushtarake, por ajo i tha se nuk dukeshin të tillë, pasi ishin të çoroditur.

Si kishte vepruar oficeri pas asaj?
Ndërkaq oficeri doli në dritaren e shtëpisë dhe u foli atyre: “Ore,… ça jeni ju, dhe ç’kërkoni aty?!” Ata e ofenduan apo e kërcënuan oficerin, duke i thënë të futej brenda, ndryshe do ta vrisnin dhe aty për aty kanë qëlluar me armë në ajër me breshëri. Pra, këtu janë kuptuar ata fillimisht, apo më saktë këtu kanë nisur ata të qëllonin në ajër, këtë ata e kanë bërë gjatë gjithë rrugës deri tek shtëpia e Hysajve, prapa Institutit, rrugë e cila është diku tek 600-700 metra.

Kthehemi tek ngjarja që po ndodhte, pra tek shtëpia ku ata ishin të rrethuar, a u vu në dijeni Tirana për çfarë po ndodhte aty dhe si vijoi ngjarja?
Patjetër, punë minutash u bë lajmërimi në Tiranën dhe unë si kryetar i Degës që drejtoja operacionin për kapjen e tyre, kam komunikuar disa herë në telefon si me Ramiz Aline, ashtu dhe me Ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain, i cili u nis menjëherë nga Tirana dhe erdhi e u vendos të Shtëpia e Pritjes në Velipojë.

Çfarë ju thoshin ata dhe përse Hekuran Isai qëndroi në Velipojë dhe nuk erdhi aty në vend-ngjarje?
Ramizi që në atë kohë ishte Kryetar i Kuvendit Popullor, pyeste rreth ngjarjes dhe po ashtu edhe Hekurani, por udhëzime nuk mund të jepnin, se gjithçka varej nga situatat që ndodhin aty. Pse qëndroi Hekurani në Velipojë, këtë nuk mund ta them me saktësi, pasi ashtu e ka menduar ai, por aty në vendngjarje erdhi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, i cili qëndroi bashkë me mua gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjes duke drejtuar operacionin. Pra si të thuash, nga detyra që kishte Kasemi, ishte ai që më komandonte edhe mua.

A ishte normale në një ngjarje të tillë, kur ishte alarmuar udhëheqja e lartë, si p.sh. Ramiz Alia siç thatë dhe ju që komunikonit me të, Ministri i Punëve të Brendshme të qëndronte në Velipojë…?! Apo kishte frikë të vinte aty nga që thuhej se kishin ardhur nga Jugosllavia…?!
Të jemi të sinqertë, normale nuk mund ta quajmë atë gjë, por unë po ju tregoj dinamikën e ngjarjes se si ka ndodhur, se po të hymë në analiza, si dhe pse u veprua ashtu, apo kështu, ndodhi, nuk mbarojmë kurrë bisedën…?!

Kthehemi tek ngjarja. Thatë se Drejtori i Policisë së Shtetit, Kasem Kaçi, ishte ai që drejtonte Operacionin dhe jo ju?! Apo ana ligjore, pra a ishte e përcaktuar kjo se kush duhet të drejtonte operacionin në një ngjarje të tillë?
Nuk mund t’u them me saktësi këta se çfarë parashikonte ligji dhe rregulloret tona, por unë isha vartës i tij, pra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe normalisht duhet të zbatoja urdhërat dhe porositë e tij, aq më shumë kur thashë se ai lidhej e merrte urdhëra nga ministri Hekuran Isai dhe Ramiz Alia në Tiranë.

Po forca të tjera përveç atyre të policisë që kishit ju në Degën e Brendshme, dhe kuadro të tjerë të lartë, a ju erdhën në ndihmë apo përforcim?
Po, erdhën disa persona nga Tirana që shoqëronin Kasem Kaçin, dhe përveç tyre, aty erdhën edhe forcat special efektivë të Repartit 326, apo siç njiheshin ndryshe si sampistët, pasi ai repart ishte krijuar për të tilla ngjarje, edhe pse ato ishin të rralla, për të mos thënë fare. Para se të vinin ato forca speciale nga Tirana, pas alarmit që u dha për të gjithë rrethin e Shkodrës, aty erdhën dhe disa forca ushtarake dhe vullnetare (rezerviste) të Divizionit të Shkodrës, të cilat ishin nën komandën e Komandantit (Llukan Garo) dhe Komisarit (Dedë Gjergji), të atij Divizioni, të cilët rrinin në zyrën time në Degën e Brendshme.

Sa ishte numri i atyre forcave dhe kush i komandonte?
Nuk e di as sot sa ishte numri i atyre forcave pasi ajo gjë përbënte sekret ushtarak dhe as guxonte njeri të pyeste pasi arrestohesh menjëherë, kushdo të ishe. Ndërsa të gjitha ato forca, në çdo veprim që bëhej aty, ishin nën komandën time, pasi unë drejtoja operacionin direkt në vendngjarje dhe nga Dega e Brendshme, duke bërë ecejake (Degë – vendngjarje) me dhjetëra herë. Ndërsa unë siç ju thashë, komandohesha dhe veproja nën urdhrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kasem Kaçit, i cili realisht drejtonte operacionin.
vijon nesër

Gazeta franceze (1958)- Filmi “Skënderbeu” do të shfaqet në kinema në këto data dhe orë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Shkurt 2020

 

“Le Segréen” ka botuar, të shtunën e 22 nëntorit 1958, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me shfaqjen në kinema të filmit për heroin tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kinema “familjare”

 

Këtë javë : “Skënderbeu” i pathyeshëm

 

Film i madh historik me ngjyra, i cili gjurmon jetën e heroit shqiptar që i bëri ballë me sukses pushtimit turk.

 

Seancat : Të shtunën e 22 nëntorit, në orën 20:30 ; të dielën e 23 nëntorit, në orën 16:00 dhe 20:30.

Dëshmia e rrallë e kolonelit që shërbeu si Shef i Zbulimit: Enveri ka gisht në vrasjen e Vojos dhe spiunoi Koci Xoxen te italianët

Dashnor Kaloçi

Publikohen kujtimet e panjohura të kolonel Hamit Keçit, ish-shok kursi me Mehmet Shehun në shkollën ushtarake në Itali dhe më pas në akademinë ushtarake të Moskës. Memorie.al shkruan se ai në periudhën e Luftës, ishte një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerile të Tiranës së bashku me Beqir Ballukun, dhe për atë kontribut, iu besua detyra e Komandantit të Brigadës së XXII-të Sulmuese, pas Luftës ajo e Shefit të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ku dhe përfundoi në burg pas një konflikti me Enver Hoxhën. Dëshmitë e Keçit për implikimin e Enverit në vrasjet e bujshme të komunistëve në Tiranë, nga tre Heronjtë e Kodrës së Kuqe me në krye Vojo Kushin, te pesë komunistët nga Fieri me në krye Ferit Xhajkun, si dhe Koci Xoxen, të cilit Enveri i sugjeroi të ndërtonte një barakë, ku dhe e arrestuan italianët…?!

Një nga ata persona që pas viteve ’90-të kanë hedhur hije dyshimi dhe kanë bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Enver Hoxhës, duke e bërë atë përgjegjës kryesor në vrasjen e disa prej komunistëve kryesorë gjatë periudhës së Luftës në vitet 1939-1944, ka qenë edhe koloneli në pension Hamit Keçi, një nga komunistët e parë në Tiranë dhe më pas komandant i Brigadës së 22-të dhe i Korpusit të Parë të Tiranës. Pas mbarimit të Luftës, ai përfundoi Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe shërbeu në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke mbajtur funksionin e drejtorit të Zbulimit. Në vitin 1949, ai u arrestua teksa tentonte të hynte me forcë në vilën e Enver Hoxhës, ku donte të sqaronte disa konflikte që i kishin lindur me kuadrot kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm. Pas kësaj ai u dënua me 15 vite burg, pasi Enver Hoxha kujtoi se ai kishte shkuar për ta vrarë. Pas dënimit të Hamitit, të njëjtin fat pësuan edhe dy vëllezërit e tij, Isufi (nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) dhe Maliqi, si dhe burri i motrës së tyre, ministri i Transporteve, kolonel Njazi Islami, i cili u vra nga Sigurimi i Shtetit, duke e shpallur si vetëvrasje. Pas viteve ’90-të, Hamit Keçi filloi të shkruajë kujtimet e tij për periudhën e Luftës, ku ndër të tjera e akuzonte Enver Hoxhën si përgjegjësin kryesor për disa nga vrasjet e bujshme që u bënë në atë kohë në Tiranë. Disa prej atyre ngjarjeve koloneli në pension Hamit Keçi na i ka dëshmuar publikisht pak kohë para se të ndërronte jetë, ndërsa në shkrimin e mëposhtëm, ekskluzivisht për Memorie.al po botojmë disa ngjarje të tjera nga kujtimet e tij të lëna në dorëshkrim.

“Zbulimi i depos së armëve”
Një ndër akuzat e para të Hamit Keçit ndaj Enver Hoxhës është ajo që thotë se Enveri ka treguar tek italianët vendndodhjen e depos sekrete të armëve, e cila ishte në bodrumin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit, njërit prej anëtarëve të Grupit Komunist të të Rinjve të Tiranës. Sipas Keçit, Enveri e bëri atë për të implikuar dhe fshehur kontributin e punën e atij grupi në dobi të Luftës, krerët e të cilit, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, ai i shihte si rivalë kryesorë për kreun e PKSH-së. Lidhur me ngjarjen e zbulimit të depos nga ana e italianëve, midis të tjerash, në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar: “Aty nga viti 1940 Anastas Lulo dhe Sadik Premtja ndërtuan një dhomë në oborrin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit. Poshtë dhomës ata ndërtuan një bodrum të fshehtë, me qëllim që të fusnin aty armët që do të grumbullonin për çetat partizane që do të formoheshin në rrethin e Tiranës. Armët u sollën në Tiranë pjesë-pjesë gjatë periudhës kur zhvillohej lufta italo-greke dhe transporti i tyre bëhej nga shokët e Vlorës me në krye Fejzo Gjomemën.

Kështu, aty në atë bodrum të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, u strehuan gjithsej: 6 mitraloza të lehtë tip “Breda”, 24 pushkë, 17 revolverë dhe dy arka me bomba dore. Për këtë depo armësh nuk është folur asnjëherë nga Enver Hoxha në kujtimet e tij, sepse Enveri asnjëherë nuk e ka pranuar që Anastasi dhe Sadik Premtja të kenë qenë për luftë kundër okupatorit. Në kohën kur ato armë ndodheshin të fshehura aty, në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, erdhi dhe u strehua Miladin Popoviçi, të cilin e liroi nga kampi i Peqinit, Mustafa Gjinishi. Në kujtimet e veta në librin e tij “Kur lindi Partia”, në mes të tjerash Enveri shkruan: ‘Miladinin e vendosëm në një bazë të sigurtë’. Por ai nuk thotë se në atë bazë, e cila ishte shtëpia e Shyqëri Këllezit, ndodhej edhe depoja e armëve. Po kështu, Enveri nuk e tregon edhe faktin se në atë bazë Miladinin e solli Anastas Lulo, i cili bashkëpunoi me Gjinishin për sjelljen e tij në Tiranë. Shumë të paktë ishin ata që kishin dijeni atëherë për atë bazë, dhe unë e dija nga goja e Anastasit, i cili më kishte porositur disa herë që t’i kontrolloja ato armë a ishin vendosur dhe ambalazhuar mirë, me qëllim që të mos ndryshkeshin nga lagështia. Ky veprim u ndërpre nga vendosja në atë dhomë e Miladinit. I pyetur para tre vjetësh për fatin e asaj depoje armësh, Shyqëri Këllezi ka dëshmuar se aty kishte shkuar tre herë policia për kontroll dhe vetëm herën e tretë ata kishin mundur që të gjenin hyrjen sekrete të depos. Nuk ka asnjë dyshim se këtë depo ia dorëzoi armikut vetëm Enver Hoxha”.

Keçi: “Enveri tregoi Ferit Xhajkon”
Një nga akuzat e dyshimet e tjera që Hamit Keçi ka hedhur në kujtimet e tij për Enver Hoxhën, është edhe ajo ku thuhet se Enveri ka treguar tek italianët për Ferit Xhajkon e shokët e tij, të cilët u arrestuan në vitin 1942 në dalje të qytetit të Fierit. Lidhur me këtë ngjarje, në mes të tjerash Keçi ka shkruar: “Pasi kishte spiunuar Koçi Xoxen tek italianët, Enveri bëri të njëjtën gjë, duke futur në burg Sinan Gjonin (Rrumbullakun), i cili në atë kohë ishte sekretar organizativ i Qarkorit Komunist të Vlorës. Në 12 prill të vitit 1942, Sinani erdhi në Tiranë si ilegal për të marrë pjesë në mbledhjen e aktivit të PKSH-së, së bashku me Hysni Kapon, i cili ishte sekretar politik i Qarkorit të Vlorës. Në mbarim të mbledhjes, Miladin Popoviçi e lavdëroi Sinanin për punën e mirë dhe plot aktivitet që kishte bërë Qarkori i Vlorës, i cili në atë kohë kishte organizuar aksionin e hapjes së depove të grurit duke ia shpërndarë popullit, si dhe hedhjen në erë të depove të municionit të italianëve në Rradhimë. Pas mbledhjes, Enveri e ndau Sinanin nga Hysniu, dhe për atë gjë në kujtimet e tij ai shprehet: ‘Hysniun e mbajtëm për disa punë në Tiranë, kurse Sinanin e nisëm për në Vlorë të shoqëruar me tre ilegalë’. Por e vërteta qëndron ndryshe, nuk ishin tre, por pesë ilegalë: Hamdi Mëzezi, Ferit Xhajko, Nikolla Tupe, Spiro Dhima e Niko Arapi. Në kujtimet e tij, Enver Hoxha e vazhdon gënjeshtrën, duke thënë: ‘Hamdiun, Feritin, Nikollën e Sinanin i arrestuan në Fier, Sinanin e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit, pasi i torturojnë i varën’. Me atë dëshmi Enveri kërkon të njollosë Sinan Gjonin, për të cilin thotë se e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit i varën.

Në fakt, e vërteta është kështu: pesë ilegalët dhe Sinani, me një makinë pesëvendëshe, u nisën për në Vlorë. Në të dalë të Fierit, te postblloku, policia ndalon veturën dhe një polic i detyron të zbresin nga makina. Gjatë kontrollit, në xhepin e pasmë të pantallonave ai i gjeti një komunikatë Ferit Xhajkos. Pas kësaj policia kontrolloi gjithë veturën, ku gjeti edhe pesë revolverë të fshehur në motorin e saj. Pas gjetjes së armëve, ata i arrestojnë menjeherë dhe i nisin për në Fier, ku pasi i torturojnë, i marrin që andej dhe i sjellin në Tiranë. Edhe në Tiranë ata u torturuan nga kuestura, por nuk treguan asgjë. Nisur nga kjo gjë, ata i nxjerrin në gjyq dhe i dënojnë të pestë me vdekje, kurse shoferin me 15 vjet burg. Pasi i dënuan, ata i sollën në burgun e vjetër ku ndodhesha dhe unë në atë kohë. Një ditë aty erdhën nga Gjykata Ushtarake duke i pyetur përsëri një nga një, se ku po shkonin atë ditë që ishin arrestuar e ç’qëllime kishin. Ata u premtuan se po të tregonin, do t’u falej jeta, por ata nuk e hapën gojën. Mbas tre ditësh, Feritin, Nikollën e Hamdiun i varën, kurse Sinanit, Spiros e Nikos ua falën jetën. Të tre ata që u falën, më pas u bashkuan me ne dhe Sinani, që unë e njihja prej kohësh kur vinte në shtëpinë time përpara formimit të Partisë, më tregoi të vërtetën se si kishte ndodhur arrestimi i tyre. Pak ditë më vonë, Sinanin e morën dhe e internuan në ishullin San-Stefano në Itali, nga ku ai u kthye në vitin 1944. Në fillimin e vitit 1945, Sinanin e arrestuan dhe e burgosën, e pa e nxjerrë fare në gjyq, e marrin një natë dhe e pushkatojnë. As sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e tij. Kjo ngjarje m’u kujtua kur kam lexuar librin e Enverit “Kur lindi Partia”, dhe që nga ajo kohë, duke e ditur të gjithë ngjarjen, unë kam krijuar bindjen e plotë se ata u tradhtuan nga Enver Hoxha.

“Enveri i tha Koçit të ndërtonte një barakë dhe aty e arrestuan”
Në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar edhe për mënyrën se si Enver Hoxha erdhi në krye të Partisë Komuniste, duke zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror, funksion i cili, sipas Keçit, në mbledhjen e 8 nëntorit 1941 i ishte ngarkuar Koçi Xoxes. Lidhur me manovrat që përdori Enveri për të ardhur në krye të Partisë, midis të tjerash Keçi ka shkruar: “Në fundin e muajit tetor 1941, në shtëpinë e Bije Vokshit u bë një mbledhje nën drejtimin e Dushanit, me qëllim që të sheshoheshin divergjencat ne mes të grupeve komuniste. Kjo mbledhje përfundoi pa sukses. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastas Lulo dhe Sadik Premtja shkuan aty, duke kujtuar se ajo do të ishte vazhdim i asaj mbledhjeje dhe do të diskutonin përsëri për të sqaruar divergjencat e më pas të binin dakord për formimin e Partisë Komuniste. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastasi dhe Sadiku u ndodhën përpara një kurthi të përgatitur që më parë. Të mbetur vetëm, Anastasi dhe Sadiku pranuan që më parë të formohej Partia, dhe pastaj të diskutohej për të sheshuar divergjencat që kishin grupet në mes tyre. Kështu, Partia u formua edhe me votat e tyre, ndërsa diskutimet vazhduan edhe për disa ditë të tjera. Akuza kryesore që i bëhej Grupit të të Rinjve, ishte se nuk pranuan direktivat e Kominternit, ndërsa Grupi i Korçës i kishte përqafuar dhe i kishte vënë në jetë. Këto ishin pallavra të kota. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Koçit i është thënë se ishte zgjedhur Sekretar i Komitetit Qendror provizor dhe për arsye të konspiracionit të thellë, votimet aty ishin bërë pa emra, por vetëm me të dhënat e biografive. Kjo gjë nuk iu tha anëtarëve të Komitetit Qendror. Gjatë mbledhjes së aktivit të Partisë që u zhvillua nga data 12 deri më 14 prill 1942, në të cilën nuk merrte pjesë Koçi Xoxe pasi ishte në burg, pranë Miladinit qëndronte Enver Hoxha. Të gjithë pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje që vinin nga rrethet, duke parë Enverin pranë Miladinit, e konsideruan atë si Sekretar të Komitetit Qendror të Partisë. Po si kishte ndodhur arrestimi i Koçit? Në atë kohë Enveri e këshilloi Koçin që të ndërtonte një barakë ku të ushtronte zanatin e tij si teneqexhi, në mënyrë që të zhdukte çdo dyshim nga policia dhe spiunët. Kur Koçi po e përfundonte barakën me ndihmën e Andon Deçkës, befasisht aty vijnë dy policë dhe e arrestojnë së bashku me Andonin. Pasi i arrestuan, ata të dy i dërguan direkt në burgun e vjetër të Tiranës. Në këtë mënyrë Enveri e hapi rrugën për të zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror provizor”.

Dëshmia e Keçit: Enveri i implikuar në vrasjen e Vojo Kushit
Një ndër akuzat e shumta të Hamit Keçit për Enver Hoxhën është edhe ajo për vrasjen e Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit e Sadik Stavalecit, të cilët njihen ndryshe edhe si tre heronjtë e Kodrës së Kuqe. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij Keçi ka shkruar: “Në tetorin e vitit 1942, pasi Sadik Stavaleci ishte kthyer nga sanatoriumi i Barit në Itali, Enveri e caktoi që të shkonte në Kosovë. Në mëngjesin e 7 tetorit ai u gjet i rrethuar në shtëpinë e Haxhi Farkës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, në atë shtëpi ka shkuar edhe Enver Hoxha, gjë të cilën mua ma ka treguar vëllai im, Maliqi (Keçi), që kishte shkuar aty atë natë për të parë Xhoxhi Martinin, me të cilin kishte shumë shoqëri. Xhoxhi qëndronte në atë shtëpi pasi ishte plagosur në këmbë, gjatë një përpjekjeje me armë që kishin bërë me policinë Isuf Keçi, Mërkur Çela dhe Xhoxhi, në shtëpinë e Isuf Radës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, një orë para se të mbyllej qarkullimi, në shtëpinë e Haxhi Farkës vjen Enver Hoxha dhe përzë prej aty Maliqin e një person tjetër të quajtur Muharrem Llanaj, i cili kishte ardhur aty nga çeta e Matit, ku ishte caktuar si i deleguar i KQ të PKSH-së. Enveri i përzuri ata të dy, duke u thënë se nuk duhej të strehoheshin shumë komunistë në një bazë, se mund të diktoheshin nga italianët, ashtu siç kishte ndodhur pesë muaj më parë me Qemal Stafën. Pasi i përzuri ata të dy nga ajo bazë, aty mbetën vetëm Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini, të cilët ishin anëtarë të Grupit të të Rinjve të Tiranës.

Pak minuta pas largimit të Enverit, Muharrem Llanaj u kthye përsëri aty në atë bazë, pasi ai nuk kishte se ku të shkonte. Siç dihet, ajo bazë u rrethua nga italianët dhe të katër shokët që ndodheshin aty, luftuan kundër tyre me armë në dorë. Siç dihet, Vojo, Xhoxhi dhe Sadiku luftuan deri në pikën e fundit të gjakut në një luftë të pabarabartë, duke u bërë simbol heroizmi për brezat që do vijnë. Kurse Muharremi u kap i gjallë dhe u burgos nga italianët në burgun e Tiranës, ku ai u prezantua jo me emrin e tij, por me një emër të rremë. (Më pas Muharremi doli nga burgu dhe pas çlirimit ai ka qëndruar në internim në fshatrat e Lushnjës deri në 1991, duke mos u përmendur asnjëherë si pjesëmarrës i betejës së Kodrës së Kuqe). Nuk ka asnjë dyshim se në rrethimin e shtëpisë së Haxhi Farkës ka qenë dora tradhtare e Enver Hoxhës, i cili synonte eleminimin e Sadik Stavalecit, pasi e shihte atë si një pretendent të mundshëm për vendin e Sekretarit të PKSH-së. Në këtë post Enveri u zgjodh në Konferencën e Parë të PKSH-së që u mbajt në Labinot nga data 17 deri më 22 mars 1943, ku u zgjodh dhe Komiteti Qendror definitiv, me Enverin Sekretar të Përgjithshëm. Është marrë vesh se në mbarim të punimeve të asaj mbledhjeje, nën kryesinë e Enver Hoxhës është mbajtur një mbledhje tjetër sekrete, ku janë dënuar me vdekje të gjithë anëtarët kryesorë të Grupit të të Rinjve. Zbatimi i atij vendimi filloi shumë shpejt mbas kësaj mbledhjeje. I pari u ekzekutua Anastas Lula dhe pas tij me radhë Neki Ymer Hoxha, Xhemil Çakërri, Sadik Premtja (u plagos dhe u arratis nga Shqipëria), Pali Terova, Sinan Gjoni, Fejzo Gjomema etj.”/Memorie.al

LULE PER VRASJET E LULEVE SHQIPTARE – Nga Fritz RADOVANI

 

PLOT 15 VJET… 21 PRILL 2005…

 

Ambasadori Sovjetik Vladimir Nikollajeviç Tokin në Tiranë. i dhuroi vrasësit komunist “hero” Ramiz Alia, “një lule dhe një dekoratë kujtim”… Tashti Ramizi e ka mbi vorr!..

Dhe, vrasësi i Luleve Shqiptare, i ardhun me kohë nga Bosnja.., e merr kujtimin e vet.

I takon atij me siguri, dhurata e mikes së vjeter… KGB-së… “Janë lidhjet e vjetra”…

Kishte ma shumë se 50 vjetë që groposë Shqiptarë në Token tonë të rijtun me gjak…

As ata që i dhuruen Lulet, as ky që i mori me andje ato, nuk e harrojnë rrugen e Atyne Luleve Shqiptare prej 1945, kur i mori nga Dardania Ynë e mërrijti me 3000 prej Tyne në Tivarin e vjeter të mbetun rob… Ku, i groposën edhe Ato Lule fatzeza… Ka edhe sot prej Shqiptarëve që sytë e Tyne i riguen lot dishprimi.., ato ditë të zeza të “çlirimit” vrastar…

E Adriatiku u skuq…

Prandej, edhe Lulet janë të kuqe si duertë që e shterngojnë Ate…E frymen i moren Asaj!

E jo larg asaj rruge të thepisun nga Kuksi Ynë, u pat skuq Drini e bora ato ditë… 

Edhe buken e thatë Shqiptari i ngratë e njomi me Gjak!

E piramidat në Token tonë… “Heronjtë” e serbit.., i ngulën në Tivarin plak…

E bora vazhdonte me ra e kuqe.., jo pak po, 50 e sa vjetë… Era e merrte si bajrak…

E nder piramidat e hasmit t’ vjeter, ai u xue njak…

Tirani barbar me Lulet e freskëta nuk ngopej…

E rreth’e rrotull Shqipnia buronte veç Gjak…

E prej një kodres u ndigjue virrma: Kush asht ai me atë Lule që vret e pret pa da… E Token time, n’ Gjak e ka la?! – Po, në doren e atyne gjakbasave tiranë, Shqipnia asht ala?

Asht zani i të Madhit Gjergj Kastrioti që Token dyshë prej dishprimit ka ça…

E Ajo me të bardha që vazhdon me kja… Asht Nanë Tereza.., që nuk din me pra…

“Larg ‘atyne’ mizorë që rrijnë tue na perça Vllaun me Vlla!”.., se: “Një Nanë na ka ba!” 

“Liria nuk fitohet tue fsha!”…

            Melbourne, Shkurt 2020.                               

500 nazistët që luftuan në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës

Dashnor Kaloçi – Memorie.al” publikon historinë e panjohur të njësisë ushtarake naziste hitleriane me emrin “Divizioni 999”, të njohur ndryshe si “Njerëzit me shenjën blu”, apo “Llumi i Gjermanisë”, pasi ajo njësi përbëhej nga një konglomerat njerëzish të shtresave shoqërore nga më të ndryshmet, si: vjedhës ordinerë, komunistë, antifashistë, pacifist, anarkistë, sindikalistë, social-demokratë etj., të cilët pasi ishin mbajtur për vite me radhë në një kamp përqendrimi në Heiberg të Gjermanisë (afër Alpeve të Shvabesë), me fillimin e Luftës, më 3 shtator 1939, pak ditë para sulmit ndaj Polonisë, me sugjerimin e Shefit të Shërbimeve Sekrete të Policisë gjermane, Heydrich, Hitleri i mobilizoi ata në armatat naziste, duke i dërguar në frontet e luftës në disa shtete të Europës, si në Francë, Itali, Poloni, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari, Greqi, Shqipëri, e deri në Afrikën e Veriut.

Dezertimi i tyre nga frontet e luftës në të gjitha shtetet ku shkuan, duke u bashkuar me partizanët vendës dhe duke luftuar kundra ish-bashkatdhetarëve të tyre nazistë hitlerianë, siç bënë edhe në Shqipëri që në fillimin e vjeshtës së vitit 1944, duke ardhur nga Greqia ku ata kishin luftuar përkrah forcave partizane të ELAS-it që në korrikun e vitit 1943. Ndër oficerët kryesorë që kaluan me partizanët shqiptarë ishte komandanti i baterisë artiliere, Sepp Moritz nga Graci i Austrisë; Herman Heurich, komandant i baterisë së 8-të,Walter Brehdow e Paul Ludvik, (komandant e zv.komandant të Baterisë së 9-të) Otto Koch dhe Cuke Will. Shembullin e tyre e ndoqën më pas edhe Ernest Oschmann, Willi Perletberg, Hans Ressmann, Mikael Schifer etj.
Si hynë ata në lidhje me krerët kryesorë të formacioneve partizane që vepronin në jug të Shqipërisë, si: nënkolonelët Hulusi Spahiu e Irfan Peshtani, kapiten Abdurrahman Guri, nëntoger Aleks Duro etj., duke u bërë efektiva të atyre njësive partizane që vepronin në zonën e Konispolit, Sarandës, Delvinës, etj., ku luftuan kundër ish-bashkatdhetarëve të tyre, nazistëve hitlerianë, duke dhënë një kontribut të madh në çlirimin e Delvinës, Sarandës, Elbasanit, Tiranës, Shkodrës, etj., e deri në krahinat e veriut të Shqipërisë, ku ata ishin në përbërje të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu.

Në verën e vitit 1944, ata dezertuan nga radhët e forcave të ushtrisë gjermane të Adolf Hitlerit dhe kaluan në anën e partizanëve shqiptarë, duke u bërë efektiva të brigadave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, të cilat ishin përqendruara në zonën e Delvinës, Sarandës e Gjirokastrës etj.. Pjesa më e madhe e atij kontingjenti të inkuadruar në “Divizionin 999”, ose siç njiheshin ndryshe në Gjermani me nofkën “Njerëzit me shenjën blu” mori pjesë aktive në disa beteja, duke luftuar me armë në dorë kundër bashkatdhetarëve të tyre nazistë.

Madje duke dhënë një kontribut shumë të çmuar në radhët e brigadave partizane, siç ishin betejat për çlirimin e Delvinës, Sarandës, Elbasanit, Tiranës apo dhe Shqipërisë së Veriut. Po cila ishte e kaluara e atyre efektivave të ushtrisë naziste hitleriane të cilët në gjysmën e dytë të vitit 1944 pranuan të luftonin përkrah partizanëve shqiptarë kundër ish-shokëve të tyre dhe nga erdhën ata në Shqipëri? Cili ishte kontributi që ata dhanë për partizanët dhe përse historiografia e regjimit komunist nuk e njohu kurrë rolin e tyre ashtu siç bëri me ushtarët italianë që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës?
Lidhur me këto ngjarje, bën fjalë libri i autorit gjerman, Artur Musil, i cili është botuar në Gjermani në vitin 1988 dhe që na e ka dhuruar me bujari, prof. Rexhep Hida, një nga njohësit më të spikatur të gjuhës gjermane në Shqipëri dhe gjithashtu drejtuesi i Shtëpisë Botuese, “Fan Noli”. Musil, është një nga ata dhjetëra gjermanë të “Divizionit 999”, që në vitet 1943-’44 luftuan në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës dhe disa vjet para se ai të shkruante librin e tij, historia e “Divizionit 999”, apo siç njiheshin ndryshe “Njerëzit me shenjën blu”, kishte grishur fantazinë e regjisorit të njohur, Harold Pihllip, që të realizonte një film artistik (me metrazh të gjatë), i cili në atë kohë bëri bujë të madhe në Gjermaninë Perëndimore, për shkak të historisë që ai trajtonte, atë të disidencës naziste.

Si u krijua “Divizioni 999”?
Që me ardhjen e tij në fuqi në vitin 1932, Hitleri krijoi një kamp përqendrimi në Heiberg të Gjermanisë, i cili ishte një vend i largët në Alpet e Shvabesë si shkretëtirë e vërtetë, ku nuk kishte as dhe një fshat rreth e rrotull. Në atë kamp bënin pjesë kontingjentë shtresash shoqërore nga më të ndryshmet, si: vjedhës ordinerë, pacifistë, anarkistë, antifashistë, humanistë, sindikalistë, social-demokratë, komunistë etj., të cilët aty i nënshtroheshin një dhune fizike e psikike të pashembullt.

Në kazermat e atij kampi në fillim u futën rreth 9000 vetë dhe krijimi i tij u konsiderua si një vendim ideal për realizimin e synimeve naziste, pasi kundërshtarët e mundshëm të regjimit në fuqi, pas kësaj “do të pësonin një asgjësim fizik të ngadalshëm”! Nga fundi i vitit 1941, numri i të izoluarve në atë kamp si kundërshtarë të regjimit nazist, arriti në rreth 300 mijë veta, gjë e cila e shtyu Hitlerin që një pjesë të tyre t’i dërgonte nëpër burgje. Më 3 shtator 1939, dy ditë para se Gjermania naziste të sulmonte Poloninë, Hitleri dhe Himleri thirrën shefin e Shërbimeve Sekrete të Policisë së Shtetit, Heydrich, të cilit i thanë të gjente një zgjidhje për atë kontingjent të madh njerëzish të atij kampi. Heydrich, me miratimin e Vermahtit i ndau në dy grupe, ku më të rrezikshmit i mbylli nëpër kampe përqendrimi, dhe pjesën tjetër i mobilizoi në një Divizion të koduar me numrin 999, apo siç u njoh ndryshe: “Njerëzit me shenjën blu”.
Duke i mbajtur nën një mbikëqyrje të rreptë, më pas atë njësi Hitleri e dërgoi në front, si në Afrikën e Veriut, Francë, Itali, Poloni, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari, Greqi dhe Shqipëri. Edhe pse në radhët e “Divizionit 999” vepronte policia e fshehtë e Hitlerit, të cilët kishin si detyrë të asgjësonin fizikisht çdo person që nuk u bindej urdhrave të eprorëve, pjesa me e madhe e atij kontingjenti dezertuan nga radhët e ushtrisë naziste dhe u bashkuan me partizanët vendas kudo që ata shkuan. Për herë të parë efektivat e “Divizionit 999” u vunë nën urdhrat e gjeneralit të famshëm Romel, që vepronte në Afrikë dhe pas thyerjes së tij, ato njësi erdhën në Itali, Francë, Belgjikë e Ballkan, duke vepruar fillimisht në Greqi. Pas hyrjes së trupave naziste në Ballkan, (Greqi e Shqipëri) “Divizioni 999” kontaktet e para i mori me Ushtrinë Çlirimtare Popullore greke të ELAS-it. Kjo ndodhi më 14 korrik 1943, rreth pesë javë pasi ato kishin hyrë në Greqi. Në luftën për çlirimin e territoreve greke, përkrah ELAS-it dhanë jetën 170 efektiva të “Divizionit 999”. Vlen për t’u përmendur heroizmi që ata treguan në luftimet e ashpra që u zhvilluan në Amalas. Pas kësaj më korrik 1944, në Peloponez u krijua “Lidhja e antifashistëve gjermanë”, të cilët u inkuadruan në Divizionin e III të Ushtrisë Greke të ELAS-it.

Gjermanët që çliruan Delvinën nga nazistët
Për herë të parë forcat e “Divizionit 999” hynë në Shqipëri në grupe të vogla në verën e vjeshtën e 1944-ës, pas pushtimit të Greqisë nga trupat britanike. Pas futjes në territorin shqiptar, antifashistët gjermanë u vendosën në zonën e Delvinës e Gjirokastrës, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat partizane që operonin në atë zonë. Pjesa më e madhe e tyre, (rreth 500 vetë) luftuan me armë në dorë kundra bashkatdhetarëve të tyre nazistë, duke marrë pjesë jo vetëm në çlirimin e Delvinës e Sarandës, por edhe në Shqipërinë e Veriut, ku u vendosën më pas brigadat partizane ku ata u inkuadruan.
Në radhët e partizanëve shqiptarë nuk luftuan vetëm ata gjermanë që kishin bashkëpunuar më parë me ELAS-in në Greqi, por edhe efektivat e ushtrisë naziste që ndodheshin në Delvinë e Sarandë, pasi të gjithë ata ishin nga “Divizioni 999”. Në këtë zonë ata gjetën rastin dhe kaluan menjëherë në anën e partizanëve shqiptarë. Vlen për t’u theksuar mikpritja që u ofroi atyre popullsia vendëse, e cila i trajtoi shumë mirë ato efektiva, edhe pse e dinte se ishin forca kundërshtare që luftonin kundër bijve të tyre partizanë. Vetë gjermanët u habitën nga mikpritja e popullsisë vendëse në jugun e Shqipërisë, pasi propaganda zyrtare e Berlinit, i kishte paraqitur ata, sikur i prisnin me pushkë dhe pushkatonin menjëherë çdo gjerman që gjenin. Pas kësaj, frika u thye dhe dezertimi i efektivave të “Divizionit 999” u bë në masë.

Dhe, me gjithë përpjekjet e kujdesin e Komandës së Përgjithshme Gjermane në Berlin, dezertoi edhe Bateria e 8-të e njësisë së tretë të Regjimentit të Artilerisë të “Divizionit 999”. Kështu mjaft efektiva të këtij Divizioni që drejtonin automjete me ushqime dhe municione, devijuan nga destinacioni i tyre dhe i dërguan ato tek forcat partizane që vepronin nga Janina në Delvinë. Ndër oficerët kryesorë që kaluan me partizanët, ishte komandanti i baterisë artiliere, Sepp Moritz nga Graci i Austrisë, Herman Heurich, komandant i baterisë së 8-të, Walter Brehdow e Paul Ludvik, (komandant e zv.komandant të Baterisë së 9-të) Otto Koch dhe Cuke Will. Shembullin e tyre e ndoqën më pas edhe Ernest Oschmann, Willi Perletberg, Hans Ressmann, Mikael Schifer etj., të cilët braktisën njësitë naziste ku ishin inkuadruar dhe u bashkuan me partizanët shqiptarë, duke luftuar përkrah tyre në çlirimin e Sarandës e Delvinës.

Gjermani Musil: Si e shpëtuam Delvinën
Lidhur me këto ngjarje të ndodhura në 1944-ën në Jugun e Shqipërisë, gjermani Artur Musil, efektiv i “Divizionit 999”, në librin e tij mes të tjerash ka shkruar: “Sipas planit të komandaturës sonë (naziste gjermane), deri në mbrëmjen e 10 tetorit, Delvina duhej të sulmohej dhe të rrënohej plotësisht. Unë si komandant i njësisë së tretë, së bashku me një mikun tim, majorin Haring, u dhamë urdhër ushtarëve tanë që të kalonin menjëherë përpara fillimit të sulmit te partizanët shqiptarë. Kurse unë me majorin gjetëm një palë rrobe fshatari shqiptar, të cilat ata na i dhanë me bujari. Pas kësaj hipëm mbi gomarë dhe duke kaluar mbi një qafë mali, dolëm për te zona që kontrollohej nga partizanët. Mikut tim majorit, i qëlloi që të ecte më shumë në këmbë dhe njësitë gjermane që e pikasën veprimin tonë, filluan të na qëllonin me mortaja duke plagosur një nga kafshët që kishim hipur ne. Kjo gjë bëri që të ngadalësohej lëvizja jonë dhe mezi arritëm në buzëmbrëmje për aty ku ishim nisur. Ndërsa ecnim, qielli ndërkohë filloi të mbushej me re të zeza dhe të gjëmonte. Miku im më mbante përkrahu dhe më qetësonte: Më mirë në shi se në plumbat e gjermanëve. Duke ecur, mendonim që të ktheheshim në ndonjë shtëpi fshatari. Ndërkohë kur hodha sytë nga Delvina, pashë se njësia ime ishte larguar plotësisht. Aty m’u kujtua se si nga nxitimi kisha harruar në kazermë një çantë me disa sende të mija personale. Të nesërmen mundëm të hynim në kontakt me shtabin partizan që vepronte në atë zonë ku dolëm ne. Ne ju dhamë atyre detajet e planit që mendohej të sulmohej Delvina (plani i shtabit nazist) dhe atëherë brenda një kohe shumë të shkurtër, njësitë shqiptare bashkë me ne, bëmë një riorganizim dhe sulmuam të parët. Kjo bëri që njësitë gjermane të shpartalloheshin krejtësisht dhe sulmi mbi Delvinë të shmangej. Më pas vijuan ditë të tëra miqësie dhe lufte me partizanët shqiptarë në zona të tjera kundër të njëjtit armik e për të njëjtin qëllim”.

Alfred Kluwe: Korçari më shpëtoi jetën nga oficeri SS
Një tjetër gjerman efektiv i “Divizionit 999” që ka qenë në Shqipëri dhe që dezertoi më pas e u bashkua me partizanët në luftë kundër bashkatdhetarëve të tij nazistë, ka qenë edhe komandanti i Batalionit të Alfred Kluwe. Lidhur me ngjarjet e asaj kohe, në kujtimet e tij të botuara në librin e Artur Musil, mes të tjerash ai ka shkruar: “Kur njësia jonë po ecte në drejtim të Korçës, ne gjetëm rastin dhe dezertuam. Ndërkohë që isha me mikun tim nga Berlini, Paul Balewski, përshëndetëm një fshatar i cili na u përgjigj me përzemërsi. Me anë të përkthyesit tonë i shpjeguam fshatarit qëllimin tonë që ai të mos trembej. Atij i kërkuam të na tregonte se ku ishin çetat partizane. Ai pasi na besoi plotësisht, na tha gjithashtu se aty pranë ishte një depo me ushqime dhe municione për të cilat kishte aq shumë nevojë populli dhe çlirimtarët shqiptarë. Dhashë urdhër që të gjithë ushtarët tanë të qëndronin dhe bashkë me fshatarët të shkonin te vendi ku ndodhej depo. Kur arritëm përpara saj, vura re se ajo ruhej nga dy ushtarë SS. Pasi u përshëndeta me ta, i thashë njërit prej tyre se njësia ime kishte nevojë për ushqime. Ai më besoi dhe unë bashkë me fshatarin hymë brenda për të parë e marrë diçka. Por befas njëri nga oficerët SS (i dyti tashmë i vetëm) dyshoi dhe nxori revolverin të më qëllonte. Në atë moment fshatari që ishte me mua, menjëherë nxori një thikë që e kishte pasur me vete, dhe e eliminoi fizikisht oficerin, duke më shpëtuar për mrekulli jetën mua. Kur dolëm nga depo, oficerin e dytë SS, e arrestuam menjëherë pa ndonjë problem, e pastaj u kthyem te njësia jonë. Pas kësaj shkuam përsëri tek depoja bashkë me njësinë dhe morëm sasi të konsiderueshme ushqimesh, veshmbathjesh e municioni, duke ndihmuar kështu popullsinë e asaj zone dhe partizanët. Që prej asaj dite, ne, së bashku me njësitë partizane të asaj zone, kemi marrë pjesë në mjaft luftime si në zonën e Shpatit të Elbasanit, ashtu dhe në atë Elbasan-Tiranë”

Po kështu pjesëtarë të tjerë të “Divizionit 999”, kanë shërbyer pranë partizanëve shqiptarë si specialistë në fusha të ndryshme, si radio-ndërlidhje, shoferë, apo dhe gazetarë. Kështu, është për t’u përmendur rasti i Oskar Fuselbach (anëtar i PSD Gjermane) i cili ka ndihmuar në Prefekturën e Vlorës, pranë gazetës së asaj prefekture. Ai në atë kohë banonte pranë një familje shqiptare dhe u ka dhënë një ndihmë të madhe kolegëve shqiptarë, të cilët ishin të rinj dhe pa përvojë në fushën e gazetarisë. Numri i ushtarëve gjermanë efektiva të “Divizionit 999” që dezertoi nga armata e Fyherit dhe u bashkua me çlirimtarët shqiptarë, ka qenë mbi 500 veta. Kontributi i tyre në këtë luftë ka qenë tepër i ndjeshëm dhe ata kanë luftuar deri në çlirimin e Shqipërisë në qytetin e fundit të saj, Shkodrës, duke ardhur deri aty me luftime nga rruga Durrës-Tiranë-Shkodër.

Dokumentet partizane: Gjermanët luftuan krah nesh
Ndonëse gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist të Enver Hoxhës në librin e Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (1939-1944) nuk është shkruar kurrë mbi kontributin e këtyre ushtarëve gjermanë, duke e injoruar tërësisht atë fakt, shumë nga ata ish-ushtarë dhe oficerë gjermanë kanë ruajtur e disponojnë mjaft dokumente që e vërtetojnë më së mirë pjesëmarrjen e tyre në luftë përkrah partizanëve shqiptarë. Ata kanë ruajtur deri në ditët e sotme mjaft nga dëshmitë, deklaratat dhe vërtetimet që ish-komandantët dhe komisarët e njësive të ndryshme të ushtrisë partizane, ua patën lëshuar atyre në atë kohë.
Kështu në disa prej atyre dëshmive thuhet:

“Ushtria Nacional-Çlirimtare
Komanda e Përgjithshme e Artilerisë
Vdekje e Fashizmit, Liri e Popullit Tiranë më 13.2.1945
Deklaratë
Vërtetohet se i quajturi Max Zaspel ka qenë në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe prej datës 25.1.1945 efektiv i kësaj komande si artilier.
Komandanti i Artilerisë
Nënkolonel Hulusi Spahiu (firma)
Po kështu në një tjetër dokument të lëshuar nga Hulusi Spahiu, (pas lufte gjeneral-major dhe Drejtor i Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes) shkruhet:
Letër-udhëtimi
Autorizohen partizanët e poshtëshënuar me nënshtetësi gjermane, me udhëtuar deri në Elbasan, të cilët vazhdojnë udhëtimin për në frontin e Lindjes, duke mos pasur asnjë pengim prej kësaj komande.
1. Partizan Max Zaspel
2. Paul Ludwig
3. Albin Tomaschek
4. Hans Bauer
5. Max Wolf
6. Walter Bredow
7. Robert Kraus
8. Joseff Gennoch
9. Alex Kauffman

Krahas këtyre dokumenteve të firmosura nga ish-komandanti partizan i Artilerisë, nënkolonel Spahiu, (në vitet ’50-të u burgos nga Enver Hoxha), në librin e autorit gjerman, Artur Musil, janë dhënë me faksimile edhe mjaft dokumente të tjera të firmosura nga komandantë e komisarë të tjerë partizanë mjaft të njohur si në atë kohë e më pas, si: Irfan Peshtani, Abdurrahman Guri, Aleks Spiro etj. Por edhe pse këto dokumente hedhin dritë dhe flasin qartë mbi pjesëmarrjen e 500 gjermanëve në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane të Enver Hoxhës, kjo gjë nuk u shkrua kurrë në librat e historisë apo kujtimet e veteranëve të Luftës si para viteve ’90-të, ashtu dhe në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist…

Në vitin 1960-të, regjisori Harold Phillipe realizoi një film për “Divizionin 999”, që bëri bujë në Gjermaninë Perëndimore

Gjatë dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, shumë nga ish-efektivët e “Divizionit 999” apo siç njiheshin ndryshe në periudhën e Gjermanisë naziste, si “Njerëzit me shenjën blu”, nuk u kthyen më në atdheun e tyre, por preferuan që të qëndronin në mërgim, ku krijuan dhe bërthamën e parë të Partisë Komuniste Gjermane, e cila disa vjet më pas do të vinte në fuqi në Gjermaninë Lindore. Shumë të tjerë prej “Divizionit 999”, menjëherë pas Luftës zunë vende dhe funksione të rëndësishme në qeverinë komuniste gjermano-lindore dhe hierarkinë e udhëheqjes partiake që drejtonte atë. Madje një pjesë e ish-ushtarakëve nazistë të “Divizionit 999” që kishin luftuar dikur në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës, në vitet ’50-’60-të u rikthyen këtu si turistë, studentë, apo dhe me delegacionet e ndryshme qeveritare. Historia e divizionit nazist e përbërë nga “Njerëzit me shenjën blu”, apo siç njiheshin ndryshe me përçmim nga nazistët hitlerianë, si “Llumi i Gjermanisë”, në vitin 1960 grishi fantazinë e regjisorit të njohur gjerman, Harald Phillipe, i cili realizoi filmin artistik me metrazh të gjatë, të titulluar “Straftbattalion 999”. Ky film ku dy rolet kryesore interpretoheshin nga aktorët Werner Peters dhe Sonja Ziemman, bëri bujë të madhe asokohe në Gjermaninë Perëndimore, për shkak se trajtonte një temë dhe histori të panjohur deri në atë kohë, atë të disidencës naziste.

Paris–presse (1970)- Kërkesa e shqiptarit që mori peng avionin Boeing – 707 të Panam Bejrut – Nju Jork dhe të cilin e detyroi të ulej në Kajro: “Thuajini Nixonit të largohet nga Vietnami e Kamboxhia dhe të mos i shesë Izraelit avionët Phantom.”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Shkurt 2020

 

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 24 qershorit 1970, në faqen n°11, një shkrim në lidhje me veprimin dhe kërkesën e veçantë të një shqiptari që jetonte në Amerikë dhe që urrente presidentin amerikan Richard Nixon, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Ekuipazhi i rrëmbyer nga një pirat i ajrit shqiptar që donte të hakmerrej ndaj Richard Nixon-it

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ekuipazhi i relaksuar në Orly (Paris) : Zotërinjtë. Stafford, bashkë-pilot, John Burn, kapiten, dhe Mac Cabe, inxhinier radio (nga e majta në të djathtë). – (Fotografi e “France-Soir”.)

 

Romë, e martë (A F.P., A.P., U.P.I.). – “Asnjë nga pasagjerët nuk e vuri re që avioni ishte rrëmbyer, gjithçka kaloi pa incidente.”, tha në ndalesën e Romës Zonjusha Veronika Ballman, nga Mynihu, një nga stjuardesat e Boeingut – 707 të Panam Bejrut – Nju Jork, i cili, dje, u mor peng në drejtim të Kajros nga një pirat i ajrit.

 

Bëhet fjalë për Hadji Hassan Xyaert (Haxhi Hasan Xhaferrin), 38 vjeç, shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara, ku ushtron profesionin e tregtarit të materialeve të ndërtimit, i cili shpjegoi gjestin e tij për urrejtjen që kishte ndaj Amerikës.

 

Ndërsa avioni me 134 pasagjerë dhe prej dhjetë anëtarësh të ekuipazhit fluturonte mbi Nikozi (Qipro), Xyaert (Xhaferri), i cili mbante një revolver të fshehur pas një çante udhëtimi, e detyroi Zonjushën Ballman të hapte kabinën e pilotazhit. Aty, ai urdhëroi kapitenin John Burn të fluturonte për në Kajro dhe shtoi: “Thuajini Nixonit që të largohet nga Vietnami dhe Kamboxhia dhe të mos i shesë Izraelit avionët Phantom.”

 

Pas uljes në Kajro, ndërsa policia egjiptiane i afrohej avionit, pirati qëlloi një herë në njërën prej dritareve të kabinës, dhe më pas u dorëzua pa rezistencë.

 

Hadji Hassan Xyaert (Haxhi Hasan Xhaferri) nuk ka kërkuar azil politik në Kajro. Midis pasagjerëve të Boeing-ut ishin njëmbëdhjetë punonjës të Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një ministër këshilltar, Z. Thatcher. Ky i fundit nuk hasi asnjë vështirësi për kërkuar fluturimin e avionit, i cili vazhdoi rrugën për në Romë, Paris dhe Nju Jork.