VOAL

VOAL

Tageszeitung: Investimet evropiane në Ballkan, parandalojnë emigrimin ilegal

August 28, 2015

Komentet

SHBA pas vizitës së Whitaker në Kosovë: Po avancojmë interesat e përbashkëta të sigurisë

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova po vazhdojnë të avancojnë “interesat e përbashkëta të sigurisë” dhe të “forcojnë stabilitetin rajonal”.

Kështu tha Ambasada amerikane në Prishtinë në një postim në rrjetet sociale lidhur me përmbylljen e vizitës në Kosovë të ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker.

“Vizita e tij vuri në pah kontributet në rritje të Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për të adresuar sfidat globale dhe rëndësinë e bashkëpunimit tonë përmes KFOR-it dhe përmes Programit për Partneritet të Gardës Kombëtare me Ajovën. Së bashku, SHBA-ja dhe Kosova vazhdojnë të avancojnë interesat e përbashkëta të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit rajonal”, tha Ambasada amerikane.

Një ditë më parë, Whitaker zhvilloi takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Ndërkaq në qendër të takimeve, sipas njoftimeve të lëshuara nga zyra e Kurtit, Haxhiut dhe KFOR-it, ishte siguria në Kosovë dhe rajon.

Kosova i është bashkuar Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën dhe pritet të dërgojë trupa në territorin palestinez. Kjo forcë është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Po ashtu, vendi e konsideron si qenësore aleancën me SHBA-në, shtet që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Kosova, që është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, gjithashtu po pajisjet me armë amerikane, teksa është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Përveç mbështetjes që SHBA ka dhënë për shndërrimin e FSK-së në ushtri, Uashingtoni kontribuon në trajnimin dhe edukimin e ushtarëve të Kosovës. FSK-ja merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

Kurti paralajmëron zgjedhje të “njëpasnjëshme” nëse s’arrihet marrëveshje domosdo për president

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar të mërkurën se Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme” parlamentare, nëse partitë parlamentare nuk arrijë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të vendit, kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje.

Kurti, i cili është njëherësh edhe kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, tha për gazetarë se zgjedhjet e reja gjithashtu do t’i kushtonin vendit me humbje në vlerë dhjetëra milionë euro.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh”, tha Kurti pas një ngjarjeje për përurimin e Klinikës së Kardiologjisë në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Deklaratat e Kurtit vijnë dy ditë pasi dështuan bisedimet mes tij dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse, dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që mban 15 ulëse.

Gjatë bisedimeve të hënën në Prishtinë, Kurti i kishte ofruar LDK-së së Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera të paspecifikuara.

Në një ofertë tjetër, Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Që të dyja këto oferta u hodhën poshtë nga Abdixhiku.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, pas dështimit të marrëveshjes me Abdixhikun, kreu i PDK-së Bedri Hamza e hodhi poshtë si “joserioze” ofertën e Kurtit që partia e tij ta ketë kryeparlamentarin në një ujdi me LVV-në.

Abdixhiku tha se nuk do të takohej më me Kurtin, ndërsa Hamza e quajti të “përfunduar” kontributin e partisë së tij për çështjen e presidentit.

Nuk është e qartë se si Kurti mund t’i bindë ata të rikthehen në tryezën e bisedimeve para se të soset afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në komentet e tij të mërkurën, Kurti nuk shpjegoi nëse do t’i kontaktojë sërish ata.

Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u ka bërë thirrje partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.

UGSHPD: MOTIVE PAS SAMITIT TË DIASPORËS (Tri pyetje fundore përtej duarkryqjes dhe propagandës)


Është një ndjenjë keqardhje kur sheh se dinamika e zhvillimeve politike, ekonomike, demografike, teknologjike etj. në botë e lë Shqipërinë sërish me thirrjet propagandistike dhe folklorike nga ana e qeverisë dhe e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), Ferit Hoxha kur në një titull të ATSH shkruhet se:- ” ‘Shqipëria 2030’, Hoxha ftesë profesionistëve shqiptarë t’i bashkohen skuadrës diplomatike në Bruksel”*, për të shpjeguar progresin e anëtarësimit në BE.
 
A nuk kishim një javë më parë tri ditë  një Samit Diaspore?
 
I organizuar në mënyrë kapilare deri me “fletushka si trakt” të bëra ftesat preferenciale, partia në pushtet përsëriti të njëjtin format për të katërtën herë. Dhe nga çdo rast në tjetrin samitet vijnë më të fryrë në zhurma dhe gjithnjë e më shterpë në idetë pasi janë shndërruar në mënyra masive të indoktrinimit nga partia-shtet.
 Në qoftë se e fragmentojmë atë çfarë ka shkruar MEPJ Ferit Hoxha në faqen e ATSH-s për t’u bërë lajm:-Nga e thëna në të bërë: nëse besoni se përmes formimit tuaj akademik, eksperiencës profesionale, aftësive dhe shprehive, apo çdo cilësie tjetër thelbësore për profesionin e diplomatit, keni çfarë nevojitet për të qenë pjesë e skuadrës tonë në Bruksel për Shqipërinë 2030, ju ftoj të klikoni më poshtë dhe të ndiqni udhëzimet për të aplikuar”, në fund do të kuptohet se nuk ishte lajm por një motiv i propagandës pas Samitit të IV të Diasporës.
Artikulli i ATSH-s madje nuk na e jep linkun për atë që ministri ka dashur të thotë.
 
Tjetra është se po të përpiqemi të framentojmë thënien dhe mendimin e shkruar ku shënohen:
1-formimi akademik
2-eksperienca profesionale
3- aftësive dhe shprehive
4- cilësi thelbësore në profesionin e diplomatit
5-keni çfarë ju nevojitet për të qënë pjesë
6- skuadrës tonë në Bruksel
7- Shqipërinë 2030
8- klikoni më poshtë dhe ndiqni udhëzimet
9- për të aplikuar
 dhe të gjitha të paraprira me pështjellën e shprehjes popullore “Nga e thëna në të bërë…”, vazhdimin e së cilës na duhet ta plotësojmë më vonë për të kuptuar se çfarë e ndan një sistem demokratik, të lirë gjithpërfshirës dhe i mundësive për më të mirët nga propaganda e një diktature dhe sistemi që po shëmbet nga korrupsioni, na bëjnë të dyshojmë se ky mendim sëpari është prodhuar ose nga Inteligjenca Artificiale, ose i shkruar me pashpirtësi të “Chat GPT”, ose nga zyrtarë burokratë, nga politikanë, apo nga gazetarë etj.  që në frontin e propagandës sëbashku i shërbejnë sistemit dhe janë vegla nepotike të sistemit.
Në argumentat e drejtpërdrejtë po shënojmë disa çështje ose pyetje rreth fragmentimit.
1-Përse kërkohet formimi akademik… në një kohë kur Shkolla dhe Arsimi në shtetin shqiptar janë në renditjet më të ulëta historike të tranzicionit?
A mund t’i kërkosh një profesionisti në mërgim ndihmë kur formimi i tyre arsimor dhe profesional është krijuar tërësisht nga kontributi vetjak, i familjes apo i bashkësisë ku jetojnë dhe universiteteve që i kanë shkolluar? Vitet e formimit për cilin do kanë një faturë shlyerje nga pas e cila nuk mund të përballohet as nga një punësim me standardet që ofron tani për tani Shqipëria dhe as nga ftesa propagandistike e një sistemi që qeveris pa transparencë, pa pluralizëm politik dhe ku çdo pëllëmbë toke shihet si një mundësi tregëtimi favoresh dhe influencash oligarkike, mes klientëve ndërshtetërorë si kompani dhe biznese dhe ca më rëndë si qiradhënje mes shtetesh. 
Cili specialist/e do të afrohej në këto kushte? 
Patriotizmi nuk është i mjaftueshëm, por ideologjia dhe korrupsioni mund të jetë tunduesit.
 
2-3-4- eksperienca profesionale, aftësive dhe shprehive apo çdo cilësi thelbësore në profesionin e diplomatit,… meqë qendrojnë bashkë janë parë në formalitetet e DIPLO-ve vjetore që ka organizuar qeveria ku jepen urdhëra politikë nga kryeministri i cili ka pasur në dorë çdo vizitë dhe marrëveshje dy dhe shumëpalëshe. Që nga ministret/at e punëve të jashtëme e deri tek diplomatët e akredituar, pritshmëritë veç vijës politike kanë qenë të varfëra dhe penguese për të lidhur realisht 1/3 e popullsisë që është larguar në emigracion me qendrim të përhershëm ose të përkohëshëm. Vota e diasporës ishte shembulli më i mirë i një pune se si nuk duhej bërë pis dhe shëmtuar “α” alfa-n e një sistemi të lirë, me institucione të pavarura, ku drejtësia vepron dhe demokracia zhvillohet.
Në qoftë se nuk është bindës ky fakt le të na shpjegojnë mga ministret/at më të hershëm e deri tek më i riu se përse kjo qeveri po shkon drejt një izolimi dhe përse kryeministri të gjitha vizitat ndërshtetërore i vendos në rrafsh personal përpara atij shtetëror, presidencial dhe parlamentar edhe pse në to përfshihen interesa strategjike kombëtare. Në këtë rast aftësitë dhe shprehitë  në swe kërkohen nuk duan shumë dhunti. Me një nuhatje çdo kandidat/e për karrierë diplomatike të vërtetë do të fliste seriozisht për të kundërtën.
5- keni çfarë ju nevojitet…,  është një fragment që e shtron shumë subjektivisht kërkesën pasi një konkurs dhe kriteret e duhura të bëra të njohura publikisht dhe me transparencë më parë mund të shërbenin shumë herë më mirë për përgjegjësitë që ndjen një kandidat/e për vendlindjen e vet apo vendlindjen e prindërve të tij/saj që ta përfaqësojë në ato detyra Shqipërinë. Dhe për më tepër në një link që në shkrimin e ATSH-s nuk duket, por diku mund të jetë ky lloj kontakti duket më shumë si rekrutim ose preferencë e paracaktuar mbi kandidatët se sa një kërkesë e shëndetshme dhe transparente.
6-skuadrës tonë në Bruksel…, mund t’i drejtohej pyetja;-A nuk janë të mjaftueshëm 1500 ekspertë?  Publiku është informuar se pas hapjes së grup kapitujve në Nëntor të 2025 janë të angazhuar një armatë ekspertësh përfshirë edhe inteligjencën artificiale (Diellan), për të përafruar legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së ose në mbajtjen e linjës së qeverisë për t’i mbyllur negociatat edhe më herët se 2030.
7- Shqipëria 2030…, mbetet gjithmonë një kartë elektorale që hidhet  sa herë që për Rilindja Socialiste  afrojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore si mënyra e vetme për të manipuluar jetëgjatësinë e pushtetit.
8-9- klikoni më poshtë dhe ndiqni udhëzimet për të aplikuar…, këto dy të fundit duken si të vetmet mundësi e padukshme ose bashkojnë të pashkruarën e postimit në rrjetin social X, të MEPJ Ferit Hoxha me fjalën e urtë popullore  “Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”.
Aspak në vlerën e një kundërshtimi se çfarë aktualisht dhe me emergjencë i duhet Shqipërisë së shpopulluar, thënia popullore shqiptare ka në modestinë e vet ndarjen e premtimieve nga realizimi.
Ja dhe erdhi edhe 2027, apo edhe 2030 dhe Shqipëria i përmbushi të gjashtë grupkapitujt (33 kapituj) sikurse i mbeten dhe dy kapituj të tjerë për finalizimin e pyetja që shtrohet është se: -A do të përballohen zgjedhjet e ndershme dhe vota e lirë qytetarëve kur Rilindja Socialiste i kërkon të 61 Bashkitë?
Tri pyetje që presin përgjigje nga publiku dhe jo nga parti shteti janë:
A përafrohet legjislacioni i Shqipërisë me standardet e Be-së si të tillë?
E kujt do të jetë  Shqipëria pa votën e lirë?
I kujt do të jetë ky vend ku zgjedhjet janë një farsë e parti-shtetit të korruptuar që gjoja pretendon se do të pranohet si i tillë në BE?
________
*ATSH-“Shqipëria 2030′, Hoxha ftesë profesionistëve shqiptarë t’i bashkohen skuadrës diplomatike në Bruksel”

21 Prill, 2026

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a

Pas një dekade luhatjesh dhe një stabilizimi, Shqipëria po dëshmon një rritje shqetësuese të rasteve të reja me HIV.

Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), viti 2025 ka shënuar 125 raste të reja deri në muajin tetor, duke sinjalizuar një rikthim në nivelet më të larta të regjistruara që nga viti 2016. Që nga viti 1993, numri total i personave të prekur në vend ka arritur në një total prej 1,973.

Studimi i institutit të Shëndetit Publik tregon se infektimi me HIV mbetet kryesisht një fenomen i përqendruar në qendrat e mëdha urbane, aty ku lëvizshmëria e popullsisë dhe densiteti janë më të larta. Pothuajse gjysma e të gjithë rasteve në vend banojnë në kryeqytet.

Ky përqendrim lidhet me mundësitë më të mëdha për testim, por edhe me stilin e jetesës urbane. Pas Tiranës vjen Durrësi me 7.8% të rasteve, Elbasani me 7.1%. Shkodra (4.5%) dhe Vlora (3.4%) ndjekin listën, ndërsa qytete si Lushnja, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Saranda luhaten midis 2% dhe 3%.

Ekspertët vërejnë se ndonëse numrat janë më të ulët në rrethe, kjo mund të maskojë mungesën e qasjes në testim dhe frikën nga paragjykimi në komunitetet e vogla.

Profili i te prekurve

Studimi konfirmon se HIV po prek kryesisht moshën më aktive dhe produktive të shoqërisë. Raporti gjinor mbetet i lartë, me 3.5 meshkuj për çdo 1 femër të diagnostikuar. Incidenca kulmon në grup-moshën 25–29 vjeç, me 24 raste për 100,000 banorë. Kjo tregon një ekspozim të lartë të të rinjve ndaj sjelljeve me rrezik.

Ndryshe nga meshkujt, te femrat rreziku shfaqet më i lartë në moshë më të pjekur, konkretisht në grup-moshën 40–49 vjeç. Ndonëse pas moshës 40-vjeçare shihet një rënie progresive, rastet mbeten të pranishme në çdo grup-moshë, duke treguar se askush nuk është plotësisht i imunizuar nga rreziku i transmetimit.

Mënyrat e Transmetimit

Studimi gjeti se rruga kryesore e përhapjes në Shqipëri nuk është përdorimi i drogave me injektim, por marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Transmetimi Heteroseksual mbetet rruga dominuese, duke arritur në 87% të rasteve vetëm për vitin 2025. Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj mbeten një grup me rrezik të lartë. Megjithatë, specialistët e ISHP-së ngrenë alarmin se kjo shifër mund të jetë e nënraportuar për shkak të stigmës së fortë, që i shtyn këta individë të fshehin mënyrën e infektimit ose të shmangin testimin.

Edhe pse në nivele të ulëta, në vitin 2025 u regjistrua 1 rast i kalimit të virusit nga nëna te fëmija, gjë që thekson nevojën për testim të detyrueshëm gjatë shtatzënisë.

Problemi i madh, diagnostikimi i vonë

Një nga sfidat më kritike të sistemit shëndetësor shqiptar është diagnoza e vonë, vëren iSHP. Në vitin 2025, 34% e rasteve të reja u zbuluan kur pacienti ishte tashmë në stadin AIDS. Kjo ndodh sepse individët paraqiten në spital vetëm kur shfaqin simptoma të rënda, duke humbur mundësinë për të nisur Trajtimin Antiretroviral (TAR) në kohë, i cili do t’u siguronte një jetë normale dhe do të parandalonte përhapjen e mëtejshme.

Ku dhe si bëhet testimi

Deri në fund të tetorit 2025, janë kryer rreth 60,000 testime në shkallë vendi. Megjithatë, shumica e tyre (59.3%) vijnë si referime mjekësore dhe jo si dëshirë vullnetare e individit.

Shteti ofron testim falas dhe konfidencial në institutin e Shëndetit Publik dhe Klinikën Ambulatore në QSUT, në njësitë Vendore të Shëndetit Publik në 12 prefektura dhe spitalet rajonale dhe laboratorët privatë të certifikuar.

Ekspertët e ISHP-së bëjnë thirrje se njohja e statusit nuk është vetëm mbrojtje për veten, por edhe një akt përgjegjësie ndaj shoqërisë, pasi testimi i hershëm shpëton jetë./ Monitor

Ambasadori amerikan në NATO viziton Kosovën

Ambasadori Matthew Whitaker gjatë takimit me shefin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.

 

Radio Evropa e Lirë

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka nisur vizitën dyditore në Kosovë të martën, ku do të takohet me zyrtarë shtetërorë, përfshirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Vizita e tij paraqet një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së”, shkroi Ambasada amerikane në rrjetet sociale.

Përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, ambasadori Matthew Whitaker, në nisje të vizitës u takua me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozgan Ulutash.

Sipas njoftimit, Ulutash e njoftoi ambasadorin amerikan me situatën e sigurisë në rajon, duke vënë në pah rolin e KFOR-it për “ruajtjen e një mjedisi të sigurt” për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Në këtë drejtim, gjeneralmajori Ulutash shprehu mirënjohjen për kontributin e kamotshëm dhe të çmuar të SHBA-së në misionin e KFOR-it”, tha misioni përmes një njoftimi.

Kosova synon të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, por në këtë aleancë janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, teksa Uashingtoni përkrah aspiratën e Kosovës për anëtarësim në aleancë.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.

SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Para vizitës në Kosovë, ambasadori Whitaker qëndroi në Maqedoni të Veriut dhe Kroaci.

Kurti: Oferta jonë është shumë gjeneroze, por opozita s’është e interesuar që të zhbllokojë procesin

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se oferta që ai u ka bërë dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në këmbim të zgjedhjes së presidentit të ri është “shumë gjeneroze”. Por, sipas tij, këto parti nuk janë të interesuara që ta zhbllokojnë procesin.

Një ditë më herët, LVV-ja dhe LDK-ja, pas një takimi të zhvilluar, nuk arritën një marrëveshje për çështjen e presidentit, teksa deputetët kanë kohë deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Kurti i ofroi LDK-së postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe tri ministri të tjera. Ndërkaq, më vonë gjatë 20 prillit, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se Kurti, përmes një komunikimi në WhatsApp i kishte ofruar postin e kryetarit të Kuvendit, por që PDK-ja t’ia japë LVV-së postin e nënkryetarit të organit ligjvënës. Partia e Hamzës tha se ka përmbyllur kontributin e saj për çështjen e presidentit.

Kurti tha për mediat të martën se partitë duhet të sillen në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.

“Oferta jonë është shumë gjeneroze, por nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuajse është viti 2025, kur, e mbani mend me ato seancën kur nuk votohej Albulena Haxhiu. Ka kaluar viti 2025, është viti 2026”, tha ai.

Duke folur për ofertën që ia bëri PDK-së, që Hamza e cilësoi si joserioze, Kurti tha se në atë rast, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do t’ia lironte vendin Bedri Hamzës, duke e cilësuar si “koncesion të madh për ne”, pasi theksoi se katër veta në LVV kanë “më shumë vota sesa Bedri Hamza”.

“Përveç meje, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu edhe Hekuran Murati kanë më shumë vota sesa Bedri Hamza”.

Ndërkaq, duke iu referuar LDK-së, Kurti tha se dhjetë persona në LVV kanë më shumë vota sesa kreu i kësaj partie opozitare, Lumir Abdixhiku.

“Unë nuk po them që opozita është e parëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im, dhe përveçse të jetë zëvendëskryeministër, njëkohësisht të jetë edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra t’i kenë katër ministri edhe të jetë zëvendëskryeministër. Dhe, jo vetëm kaq, ose ta ketë versionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë, ta bëjmë rokadën ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar Kuvendi”, tha Kurti.

Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi me Kurtin më 20 prill, tha për mediat se më nuk do të takohet me të.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, tha ai.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Edhe përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.

(Video) Lutfi Dervishi: “Dikur i gjithë populli ushtar, sot i gjithë populli gazetar”

Në kuadër të ciklit “Bisedë në Studio”, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGShPD) zhvilloi takimin e radhës me gazetarin dhe analistin Lutfi Dervishi, në një bashkëbisedim mbi gjendjen e medias shqiptare dhe sfidat e saj në kohën e informacionit të shpejtë dhe të polarizuar.

.
Duke u nisur nga reflektimi i tij “Dikur i gjithë populli ushtar, sot i gjithë populli gazetar” Dervishi dhe anëtarët e Unionit, diskutuan transformimin e rolit të informacionit në shoqëri, si dhe kufijtë gjithnjë e më të paqartë të gazetarisë profesionale.

.
Debati u përqendrua në disa shtylla kryesore të realitetit mediatik shqiptar:

.
Gazetaria hetimore, e cila u vlerësua ende në një fazë të brishtë zhvillimi, shpesh e varur nga rrjedhje informacioni politike apo institucionale dhe më e fokusuar te rastet e vogla sesa te aferat e mëdha. U ngrit pyetja nëse kjo gjendje ka evoluar apo vazhdon të mbetet peng i të njëjtave kufizime strukturore.

.
Solidariteti brenda komunitetit mediatik, u cilësua i dobët, veçanërisht në rastet kur gazetarët përballen me presion, kërcënime apo dhunë. U theksua se mbrojtja e lirisë së medias nuk mund të mbetet individuale, por kërkon reagim të koordinuar institucional dhe profesional. Në këtë kontekst u përmend edhe mungesa e reagimeve të forta pas sulmeve ndaj gazetarëve Aulon Kalaja dhe Felix Bilani më 17 prill.

.
Mediat e diasporës u trajtuan si një potencial i rëndësishëm i pashfrytëzuar, me nevojën për të kaluar nga roli tradicional kulturor dhe nostalgjik drejt një funksioni më analitik, kritik dhe monitorues ndaj zhvillimeve në Shqipëri. E mbi të gjitha rreziku i influencës së pushtetit në manipulimin e rolit të diasporës e mediave të disaporës.

.
Marrëdhënia mes medias dhe pushtetit, si dhe ndikimi i interesave politike dhe ekonomike, u diskutua si një nga sfidat më të mëdha të tranzicionit 35-vjeçar. U ngrit shqetësimi për rrezikun që media të humbasë pavarësinë editoriale dhe besueshmërinë publike, kur transparenca financiare dhe autonomia profesionale mbeten të brishta.

.
Në fokus ishte edhe statusi i gazetarit sot: kush konsiderohet gazetar në Shqipëri, sa i rregulluar është profesioni dhe sa afër janë standardet me praktikat europiane që e lidhin gazetarinë me dokumentimin real të profesionit, jo vetëm me identitetin deklarativ.

.
U diskutua gjithashtu edhe mbi mekanizmat ligjorë dhe institucionalë që duhet të garantojnë pavarësinë e medias, duke ngritur pyetjen thelbësore: kush e kontrollon realisht informacionin pushteti politik, oligarkia ekonomike apo një ndërthurje e të dyjave.

.
Një tjetër reflektim i Dervishit, “Facebook-u plot, sheshi bosh”, u soll si metaforë e një shoqërie ku reagimi virtual shpesh zëvendëson angazhimin qytetar real.

.
Biseda përmbylli diskutimin me mesazhin se media shqiptare ka domosdoshmëri për më shumë profesionalizëm, pavarësi dhe gazetari të mirë.

Kurti bën thirrje për kompromis teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po mbaron

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje të hënën për kompromis mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi një afat kushtetues mbi njëmujor për këtë çështje do të skadojë në fillim të javës së ardhshme.

Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij në mëngjes herët në Prishtinë, Kurti tha se shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare “besoj se nuk është opsion”.

“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti.

Deklaratat e tij vijnë mes raportimeve se ai do të takohet të hënën më vonë me Lumir Abdixhikun, kryetarin e subjektit opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ky do të ishte takimi i dytë me mes tyre, pasi ai i fillimuajit përfundoi pa ndonjë marrëveshje për presidentin.

Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri.

Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk e ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.

Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.

Edhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se partitë opozitare nuk kanë propozuar emra për president në takimet e deritanishme me kryeministrin.

“Në asnjë rast deri tani, nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka pasur propozime apo nismë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të propozuar emra”, tha ministrja e Kurtit në një konferencë për media të hënën.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues deri më 28 prill, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.

UGSHPD: GJITHË JETËN KUNDËRVAJTJE (Taulant vëre rripin dhe paguaj gjobën)

Nga kolltuku i pasagjerit kryetari i GPS, Balla lexoi mbi telefon një reagim rreth vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për masat disiplinore ndaj gjashtë deputetëve të PD gjatë dhjetorit të kaluar. Leksioni ligjor në lëvizje që ishte formuluar si një reagim që u përshkua në ankthin e një trafiku rruge plot gropa të segmentit Tiranë-Kamëz, ku Taulanti shpjegoi se ç’ është autodichia*.  Thelbi i së cilës për të mbeti shprehimisht:- “Në këto raste vepron parimi i autodichia-s, pra që janë organet e vetë parlamentit që gjykojnë veten dhe askush tjetër.  Përjashtimet duhet të parashikohen shprehimisht në Kushtetutë apo në një ligj të posaçëm. Ndryshe nuk i hyn dot brenda gardhit.”

I tëri ky shpjegim në pak më shumë se 2 minuta jep pikërisht konceptin me të cilin individët që drejtojnë parti shtetin e qeverisin vendin janë mazhoranca numerike me forcën e kartonit që fshin kuptimin e pluralizmit parlamentar. Ai rëndohet më tej kur fakti kërkon të mbulohet edhe me shembuj nga institucione legjislative perëndimore të cilat nuk preken nga gjyqësori.

Pyetja që shtrohet është se:-Kjo pavarësi vjen nga përvoja dhe integriteti i institucioneve, jetëgjatësisë së marrëdhënieve të institucioneve në një sistem demokratik apo nga presioni i korrupsionit dhe i krimit që i influencon dhe i detyron ligjbërësit të rrethohen me paprekshmëri nga veprimet dhe akuzat?

Duke dashur të dalë i artikuluar dhe njohës në fushën e legjislativit, Balla pohon pa e ditur dhe sigurisht nga megallomania* në politikë,  që me këtë ‘mani të madhështisë’ kanë cënuar votën e lirë në katër mandatet e fundit të Rilindjes Socialiste. 
Vështroni Kuvendin se si funksionon.
Me gardistë në gatishmëri…
Asnjë propozim dhe asnjë Komision Parlamentar i forcave të opozitës në dobi të transparencës, të vendimmarrjes dhe të shpenzimeve ekonomike nuk aprovohet ose të formohet.


Duke e përfunduar reagimin me pyetjen që ja mbyll gojën kundërshtarit dhe publikut kur Taulanti shprehet se:-“Tani kush do reagojë, KLGJ, ILD apo shoqatat?!”, këtu kuptohet qartë se qëndrimet e politikës në pushtet kanë ndërtuar jo vetëm gardhin, por atë që edhe ligjet që ata po i bëjnë  janë fortifikime për të mbrojtur veten dhe korrupsionin.
Diçka tjetër për t’u shënuar është se kur kjo mazhorancë ka treguar pozicion kundërshtues ose nxitës ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si në rastet e dorëzimit të imunitetit për deputetët në radhët e saj apo edhe të kundërshtarëve, sikurse edhe ka pezulluar dhe ka ngrirë në tej zgjatje kohe vendime në të tjera raste, sot ca më shumë kreu i GPS ka guximin të dalë hapur për të treguar se askush nuk mund të reagojë dhe të mund t’i pengojë (“Tani kush do reagojë, KLGJ, ILD apo shoqatat?!” ). Ky është një provokim që duhet të marrë përgjigje.


Mos e shihni thjeshtë Taulantin se ka bërë një lapsus teknik kur thotë:-… Autodichia  . Shihni më parë mendësinë e tij se deri ku shkon. Me kryeministrin që ndodhet në Samitin e Barcelonës ku janë mbledhur progresistët e majtë nga njëra anë dhe me Ministrin e Jashtëm në Forumin Diplomatik të Antalia-s nga ana tjetër, Taulant Ballën shiheni më thellë se ai ka lirinë  brenda segmentit Tiranë-Kamëz e kthim që të shpalosë jo vetëm gafat ligjore e politike, por edhe ato civile me shkeljen e rregullave administrative, në emër të aktivizmit politik dhe pëlqyeshmërisë ndër militantë në zonat ku ai zhvillon takime.
Njëra prej tyre që askush nuk ja sheh një deputeti  si Taulanti është dokumenti sipas vetë video-postimit. Ky dokument është flagranca e mos vendosjes së rripit të sigurisë*.
Dikush mund të justifikohet se ishte vetëm për pak kohë.
Ndoshta vetëm 2,18 minuta dhe aksidentet ndodhin.
Por për një ligjvënës dhe ushtrues i detyrave ekzekutive në të tjera raste ne Taulant Ballën nuk kemi përse ta nënvleftësojmë.
Balla është propozues dhe ndjekës i zbatimit të projekteve të “smart-city” dhe justifikimi se nuk e paska hiç mendjen tek respektimi i rregullave elementare të qarkullimit rrugor duket se nuk shkon.

A nuk janë zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, një mundësi parandaluese e aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës?
Pa rripin e sigurisë rreziku për të humbur jetën është dy herë më e lartë, thuhet në manualet informuese të DPSHTRR-s.
Projektet milionëshe që supozonin efektshmëri parandaluese ngaqë akset rrugore veç pajisjes me sinjalistikë monitorohen me dronë, makina inteligjente, radarë automatikë, kamera e aparate fotografike që për çdo rast shkeljeje/kundërvajtje ta dorëzojnë biletën me postë, kanë pasur ideator dhe mbështetës si deputeti Balla.

Pra kështu   pretendohet se  respektohen rregullat dhe jemi ‘të gjithë janë të barabartë përpara ligjit’.

 

Dikush mund të tregohet zemër gjerë dhe të mjaftohet me vëzhgimin duke e lënë me kaq… 
Ndonjë tjetër mund të thotë se Taulanti nuk e ka problem as gjobën deri në 150 mijë lekë dhe mbase as kamat-vonesën po deshe edhe pasi të kalojnë 30 ditë nga mos denoncimi i rastit. 
Të gjitha veprimet e vullnetshme qytetare janë në tryezë madje edhe vetë ndërgjegjja e deputetit Balla që të mos i fshihet video-postimit mund të kërkojë ndjesë dhe të shlyejë detyrimin administrativ duke provuar ai se e kalon gardhin për mirë duke i kontaktuar organet kompetente në dobi të zbatimit të ligjit.
Ky është standardi.
Në qoftë se Balla nuk e zbaton jo se i dhimbsen deri në 150 mijë lekët, as se “i bie hunda”, por vazhdon me hipokrizinë atij mund t’i tregohet si fakt video-postimi (i datës 18 Prill, 2026 në ATSH). 
Ky është një denoncim publik që çdo prokuror do ta ekzekutonte me lehtësinë e madhe të ekzistencës së fakteve. Ndryshe dikush mbi Ballën mund të vepronte njësoj sikurse para disa muajsh një ministre pushoi një zv/ministër për duhan pirje në një mjedis publik të ndaluar. 
Zgjidhja e këtij rasti do të lehtësonte shumë publikun mbi ndjeshmërinë e respektimit të ligjit dhe të një standardi për të gjithë.
Për rastin në fjalë deputeti Taulant Balla në ulësen e pasagjerit qartësisht nuk e ka të vendosur rripin e sigurisë. Ai vë në rrezik jetën e tij përderisa automjeti lëviz, sikurse edhe komprometon disiplinën e vozitësit që e ka për detyrim ta këshillojë pasagjerin që ta vendosë rripin dhe të sigurohet. që ta vendosë.  
Me sa duket punonjësit e shtetit gjithmonë e mbyllin një sy dhe i japin kredi pushtetit që kanë ‘pasagjerë autoritar’ si Taulanti, por jo qytetar kur ndjehet se është mbi rregulloret dhe ligjet.
Ndërgjegjësimin përpara ligjit koha do ta provojë. Me ndjesë, me gjobë, me kamat vonesë apo me fletëthirrje respektimi i ligjit është i barabartë për të gjithë qytetarët.
Taulanti ka 30 ditë kohë ta provojë këtë.

______
*Autodichiavetë gjykim, një shprehje e autonomisë vetëqeverisëse, që siguron se subjektet e jashtme, përfshirë gjyqësorin, të mos ndërhyjnë në punët e brendshme.
*rripi i sigurisëPika 
8. e Nenit 170 të Kodit Rrugor të RSH– Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit për fëmijë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5000 (pesë mijë) deri në 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij fëmije. Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
 

18 Prill, 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Ka reaguar fotoreporteri Felix Bilani që u lëndua me spray nga policia: Është i ndaluar me konventa përdorimi i spray-it të ariut!

Në momente tendosje të situatës, forcat e rendit mund të përdorin sprej me piper (sprej OC) për kontrollin e turmës, përdorimi i sprejit të arinjve kundër protestuesve nuk është i autorizuar, pasi përdoret për kafshë të egra. Përdorimi i spray-it të arinjve shkakton lëndime të konsiderueshme deri në vdekje. Përdoruesit e spray-it të arinjve të cilin e përdorin kundër protestuesve si në rastin e mbrëmshëm në protestën e 17 prillit kanë kryer vepër penale.  I sulmuar me spray arinjsh në protestën e mbrëmshme të 17 Prillit dhe në gjendje shumë të rëndë ka qenë edhe fotoreporteri i njohur Felix Bilani, i cili u detyrua që të shkojë në spital të marrë ndihmën e specializuar. Ai ka reaguar në rrjetin social si më poshtë:

“Perdorimin e ketij spry e kam ndjere me 8 janar kur nga ballkoni i katit te dyte ne seline e blindur te Lulzim Bashes e hodhi ” truproja” i tij

Ne 35 vjet nuk mbaj mend te jete perdorur ky lloj spry , ne 35 vjet neper protesta ku kemi pasur peripeci jo vetem une por edhe kolege te mi.
Mjafton te navigosh dhe te pyesesh eksperte te huaj duke u derguar pamjet filmike te nje reje portokalli qe krijohej dhe rezultati del menjehere. Duke qene se sasia dhe lloji i ketij spry ndalohet me te gjitha konventat atehere une shtroj pyetjet …
A tentuan te vrasin protestues ?
Çdo deputet, gazetar, qytetar qe u prek nga ky gaz a ka pasur djegie te vendeve ku spry ka rene ? Nese po, verteton saktesisht spry e perdorur nga policia është pra spry ariu!
Çdo gazetar qe ka pamjet duhet t’i nxjerri per te shpetuar jete njerzish!
Dhe e fundit …..opozita te marre nen mbrojtje çdo pamje çdo fotografi çdo filmim qe eshte bere pasi eshte e vetmja forme per te vertetuar ate çfar eshte perdorur.
Veshjet kokoret, kamerat, telefonet mjafton te vihen edhe sot ne dispocion te analizave pasi spry i arinjve eshte gerryes dhe teper vajor dhe eshte veshtire te pastrohet .
Per te demtuarit vetem uje fiziologjik , kush ka akoma djegie ne trup duhet me qumesht me pas me uje te ftohte, kurrsesi me te uje te ngrohte . Kush ka akoma djegie te syve duhet te drejtohet menjehere tek mjeku pasi efekti i ketij spry mund te kete pasoja fatale.”

UGSHPD: Apel NATO-s, BE-së dhe organizmave të gazetarëve IFJ, RSF, EFJ etj të ndikojnë që në Shqipëri të ndalet dhuna e egër policore kundër opozitës e gazetarëve

 

18 Prill 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) dënon dhunën e egër policore në protestën e mbrëmshme të 17 prillit kundër qytetarëve dhe veçanërisht ndaj gazetarëve Felix Bilani dhe Aulon Kalaja, që u detyruan të shkonin në spital për të marrë ndihmë profesionale. Kundër Aulonit u përdor shkopi policor duke u goditur pas kokës, ndërsa kundër fotoreporterit Felix Bilani spraj ariu mbi fytyrë, duke dëmtuar shikimin dhe frymëmarrjen, dhunë që atyre ua bëri të pamundur të mbulonin protestën.

Policia e Shtetit shkeli Kushtetutën e vendit, sepse, si institucion i pavarur, duhet të garantojë mbarëvajtjen e protestave e t’i mbrojë gazetarët dhe jo t’i sulmojë hapur përpara kamerave të ndezura. Dy gazetarët e njohur, Felix Bilani dhe Aulon Kalaja, sulmohen qëllimshëm nga Policia e Shtetit, që i dhunon fizikisht, duke tejkaluar kompetencat. Nga ruajtëse e rendit publik, ajo u shndërrua në polici e dhunës dhe e  kryeministrit Edi Rama, që i ka uzurpuar të gjitha pushtetet. Ishte kjo Polici e Shtetit që e ndihmonte Edi Ramën të manipulonte zgjedhjet, është kjo Polici e Shtetit që iu kundërvihet opozitës dhe gazetarëve me dhunë fizike, gaz lotësellës dhe shkopinj gome.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) shpreh indinjatën e thellë ndaj dhunës ushtruar nga Policia e Shtetit e cila në mënyrë sproporcionale dhe të qëllimshme iu sul protestuesve dhe gazetarëve, duke u bërë palë me Kryeministrin. Protestat e opozitës kërkojnë largimin e qeverisë më të korruptuar të Europës që drejtohet nga Edi Rama dhe zëvendësimin me një qeveri teknike që do të krijonte kushte për zgjedhje të lira e të ndershme.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) iu bën thirrje organizatave ndërkombëtare të gazetarëve si IFJ, RSF, EFJ etj që të ndikojnë për ndaljen e dhunës nga Policia e Shtetit në Shqipëri kundër opozitës dhe gazetarëve të Shqipërisë, që duket si një republikë Banane dhe jo vend anëtar i NATO-s.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) iu bën thirrje NATOs dhe BE-së që të marrin masat dhe të ndalin regjime hibride si ky i Edi Ramës, në kundërshtim të hapur me standardet e vlerave që ka Perëndimi.

Është në interesin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë Europën, që në Ballkan të kemi shtete me demokraci të konsoliduar të shtetit të së drejtës dhe jo autokratë e diktatorë që për pushtetin e tyre nuk i llogarisin qytetarët dhe i shohin si plaçkë tregu. Jo më kot Shqipëria nën regjimin e Edi Ramës është shpopulluar nga më tepër se një milionë qytetarë, sepse kjo qeverisje nuk u garanton qytetarëve një jetë të denjë me meritokraci dhe shtet të së drejtës.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) iu bën thirrje liderëve të SHBA dhe BE-së që të mos mbyllin sytë ndaj një regjimi si ai i Edi Ramës, i cili u gjunjëzohet në mënyrën më banale të mundëshme liderëve të BE, ndërsa i shkel me këmbë qytetarë e Shqipërisë.

Keni shembullin e Iranit, se si u lejua që të instalohej në Iran një regjim barbar ajatollahësh, ndërsa sot populli iranian dhe sidomos rinia iraniane është viktima më e dhimbshme e një diktature, që nuk po e shkulni dot.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

BalkanWeb: Rreth 3 orë protestë, opozita kërkon dorëheqjen e Ramës. Mbi 20 të shoqëruar, deputetë demokratë e protestues të lënduar! Çfarë ndodhi gjatë revoltës së PD, mesazhet e Berishës

“Kryengritja jonë do të vazhdojë”, kështu e përfundoi fjalën e tij kreu i PD Sali Berisha, në përfundim të protestës kombëtare të PD.

Protesta u shoqërua me tensione, përplasje dhunë të përdorur nga efektivë të policisë ndaj protestuesve. Menjëherë pas mbylljes së fjalimeve në podium, protestuesit hodhën fishekzjarrë e molotovë në drejtim të Kryeministrisë, kjo solli edhe ndërhyrjen e menjëhershme të policisë, duke sjellë edhe përplasjen me qytetarët.

Deputetë demokratë, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, gazetari Aulon Kalaja, u lënduan nga spraj molotovë dhe u transportuan në spital. Gjithashtu edhe një efektiv policie u lëndua. Ndërsa mbi 20 persona u shoqëruan në polici.

“Të gjitha, të gjitha format e protestave do përdoren. Këto janë protestat, janë, kjo është kryengritje paqësore që ka si mision përmbysjen e narko-regjimit të Edi Ramës. Ky mision është misioni i Partisë Demokratike, por edhe i forcave të tjera politike opozitare, i shoqërisë civile, i grupeve të tjera të interesit, të cilat, për të cilat do bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen përfundimtare këtij regjimi. Por një gjë është e sigurtë, që ne nuk ka, kjo kryengritje nuk ka të ndalur. E shtata apo e teta me radhë, e panjohur më parë në Shqipëri, kjo është bërë, ka një mbështetje sa shqiptare, aq dhe botërore”, tha Berisha në fund të protestës.

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Send this to a friend