VOAL

VOAL

Tageszeitung: Investimet evropiane në Ballkan, parandalojnë emigrimin ilegal

August 28, 2015

Komentet

Papa Leo XIV ngre zërin kundër luftës: Të dëgjojmë britmën e të pafajshmëve

Papa Leo XIV ka bërë thirrje për paqe globale, duke kërkuar fundin e dhunës dhe konflikteve që po godasin rajone të ndryshme të botës. Gjatë një lutjeje në Vatikan, Ati i Shenjtë theksoi se askush nuk duhet të detyrohet të largohet nga shtëpia për shkak të luftës, bombardimeve apo pasigurisë.

Kreu i Kishës Katolike Romake deklaroi se etja për pushtet dhe gjuha e urrejtjes duhet t’i lënë vendin drejtësisë dhe së vërtetës, duke nënvizuar se nuk duhet të derdhen më lot të pafajshëm.

“Paqja është e mundur edhe në këtë epokë tensioni dhe konflikti. Ajo bëhet realitet kur zgjedhim të dëgjojmë britmat e atyre që vuajnë – fëmijëve të pafajshëm, prindërve të dëshpëruar, të burgosurve të keqtrajtuar, refugjatëve dhe të gjithë njerëzve që kërkojnë vetëm një gjë: paqe”, tha Papa.

Në mesazhin e tij, Papa Leo XIV vuri theksin edhe te përgjegjësia individuale, duke theksuar se secili mund të japë kontributin e vet për një shoqëri më paqësore. Ai kërkoi shmangien e dhunës verbale dhe fizike, si në jetën e përditshme ashtu edhe në rrjetet sociale.

“Paqja nuk është një teori që testohet në laborator, nuk është një iluzion naiv dhe as një biznes që menaxhohet për interesa personale. Ajo është një angazhim i përditshëm që duhet të udhëheqë veprimet tona”, u shpreh ai në përfundim të lutjes së rruzares në Vatikan.

Nicola Gratteri, kryeprokurori italian i antimafias çmonton skemën e pastrimit të parave me kullat në Tiranë

Ekskluzive për Piranjat –

Ekskluzivisht për emisionin “Piranjat” në SYRI TV, kryeprokurori italian i antimafias, Nicola Gratteri, rrëfen për herë të parë në një intervistë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë detaje nga jeta e tij nën kërcënimin e vazhdueshëm të mafias, sakrificat personale që ka bërë për më shumë se tre dekada dhe sfidat e luftës kundër organizatave më të fuqishme kriminale në botë.

Në këtë bisedë ekskluzive, Gratteri ndalet edhe te fenomeni i krimit të organizuar shqiptar, bashkëpunimi i tij me organizatat mafioze italiane, trafiku ndërkombëtar i kokainës, pastrimi i parave dhe bumi i ndërtimeve në Tiranë. Kryeprokurori italian jep vlerësimet e tij për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe paralajmëron për rreziqet e nënvlerësimit të mafies shqiptare në Europë.

Intervista ekskluzive e Nicola Gratteri: 

Gratteri: Atëherë, a jemi gati? Mund të vazhdojmë.

Gazetari: Atëherë Dr.Gratteri është një kënaqësi e madhe të jem këtu duke ju intervistuar. Ju jeni duke jetuar prej dhjetra vitesh i shoqeruar me eskortë. Si është të jetosh gjithmonë i kërcënuar, i kujdesshëm. Si është përditshmëria juaj?

Gratteri: Episodi i parë ndodhi në vitin 1989 kur një mbrëmje, një natë qëlluan në derën e të fejuarës time. Kanë qëlluar 5 ose 6 herë me pistoletë. Më pas e kanë telefonuar te telefoni i shtëpisë dhe i kanë thënë: “je duke u martuar me një të vdekur”. Me pak fjalë ata donin të më bënin “tokë e djegur”. Sepse kur isha gjykatës instruktor, me kodin e vjetër gjyqësor,kam bërë hetime, për trafikun ndërkombëtar të drogës, të kokainës në veçanti. Si edhe për marrëdhënien midis Ndranghetas dhe politikës. Kjo bëri që Ndrangheta të mbante një qëndrim ndaj meje, të më kundërvihej. Pastaj me kalimin e viteve ka patur një rritje të kërcënimeve, nga leximi i përgjimeve telefonike dhe ambientale ku flitej se donin të më eliminonin. Kështu që kjo jetë ka qenë me ulje-ngritje. Ndërkohë, para 5 vitesh ka qenë le të themi viti më i vështirë sepse disa struktura të Ndranghetas në botë, si në Neë York, u mblodhën për të vendosur që të më vrisnin. Pastaj u mblodhën edhe në Calabri. Por Ndrangheta e zonës së Regio Calabrias atje ku unë jetoja, ka kundërshtuar duke thënë se nuk duan probleme. Ai që ka qenë momenti më i sikletshëm, momenti kur gjithçka u bë e qartë.

Gazetari: Ju keni një familje, keni edhe dy fëmijë. Ata si jetojnë? Si është jeta e tyre?

Gratteri: Me ta nuk kam një raport të vazhdueshëm, konstant. Kalojnë edhe javë që nuk dëgjohemi. Që kur kanë qenë të vegjël, nuk kemi bërë kurrë një shëtitje së bashku apo të shkonim një herë në plazh. Ose unë të shkoja kur ata recitonin në shkollë, apo të shkoja në shkollë që të interesohesha se si po shkojnë fëmijët. Nuk i kam ndjekur. Janë fëmijët e gruas time. Kam kërkuar gjithmonë të ruaj sa më shumë distancën.

Gazetari: Ndërkohë ata a kanë patur ndonjë situatë ku i ka bërë, le të themi që të mendojnë të largohen nga Italia. Ose gjëra të tilla.

Gratteri: Në fakt jetojnë në veri të Italisë. Nuk jetojnë këtu. Pikërisht sepse këto probleme i kanë tronditur, i kanë kushtëzuar. Sepse prej vitesh e kanë patur edhe ata eskortën, njëri prej tyre akoma e ka. Kështu që nuk është një jetë shumë e bukur. Mundohemi sa të jetë e mundur që të rrijmë sa më larg njëri tjetrit.

Gazetari: A ju kujtohet hera e fundit kur je ulur në një restorant. Apo kur ke qenë në stadium. Në kinema.

Gratteri: Jo, nuk kam hyrë kurrë në një stadium, nuk kam qenë kurrë në kinema. Që nga fillimi i viteve 90 nuk e bëj më këtë jetë, nuk shkoj asgjëkundi. Unë rri këtu në zyrë, Ha këtu në zyrë. Në darkë kthehem në shtëpi dhe të nesërmen në mëngjes kthehem prapë këtu. Ja për shembull, këtu në Napoli është një qytet ku ka shumë teatro, shumë ngjarje kulturore. Por unë nuk shkoj asgjëkundi. Nuk kam hyrë kurrë në asnjë teatër këtu në Napoli apo të shoh ndonjë film apo të dal në lungomaren e Napolit për të ngrënë një picë.

Gazetari: Normalisht të mungon jeta e mëparshme.

Gratteri: Kjo jetë është e vështirë. Por përballohet vetëm kur je i bindur që kjo që bën shërben. është një jetë që ia vlen të jetohet. Ka njerës që kanë kërcënuar, iu është vënë gjobë, janë terrorizuar, dhe të shohin me shpresë, ndaj po, ia vlen.

Gazetari: A keni ju një shifër të personave, të mafiozave që keni dërguar pas hekurave?

Gratteri: Disa mijëra. Që kur bëj këtë punë nga 87. Unë vij nga ato zona dhe ndranghetistët janë me breza, dhe ka një përqëndrim të ndranghetistëve, ndaj më ka ndodhur të arrestoj edhe shokët e mij të shkollës apo të lojrave.

Gazetari: Deri në momentin kur ndodhi masakra e Duisburgut, askush jashtë Italisë nuk dinte asnjë gjë për “Ndraghetan”. Ishte momenti kur shpërtheu e gjitha. Gjithsesi ishte një gabim që i kushtoi shumë “Ndranghetas”.

Gratteri: Deri në atë moment në europë pak e dinin ekzistencën e ndranghetas. Ishte një gabim. Faidat janë luftëra brenda të njëjtës organizatë, brenda të njëjtës strukturë. Masakra ndodhi me 15 Gusht në ditë feste dhe kishte një domethënie, sepse u hakmorrën për vrasjën e gruas së një mafiozi e vrarë gabimisht më 24 dhjetor, natën e Krishtlindjeve. Por gabuan sepse hetuesit gjermanë erdhën dhe njohën këtë organizatë.

Gazetari: Gjëja që më çudit pak që në dekadat e fundit pas masakrës të Capaci, Ndrangheta është në rritje ndëkohë që Cosa Nostra ngjan me një celulë të fjetur. Të paktën në këndvështrimin tonë.

Gratteri: Sot të gjitha mafiet, edhe “Cosa Nostra”, është ndryshe. Është gjithmonë ajo struktura e vogël, familja që shkon në rrugët e Palermos duke kërkuar paratë e mbrojtjes, për të kërkuar ryshfet te tregtari dyqanit etj. Por është një “Cosa Nostra” që është në botën e sipërmarrjes. Në menaxhimin e hoteleve, restoranteve, picerive, të fabrikave të vogla. Industrive të vogla. Dhe është gjithmonë “Cosa Nostra”, ashtu si dhe mafiat e tjera që kërkojnë lidhje me botën e profesioneve. Mjekë, inxhinierë, avokatë, arkitektë, kontabilistë. Në botën e profesioneve dhe në botën e politikës. Të mos harrojmë që gjithmonë kudo në botë aty ku votohet, mafiozët janë ata që votojnë dhe ata që votohen. Mafiat nuk kanë ideologji, nuk janë as djathtas as majtas. Mafiet votojnë, ata vënë bast mbi kalin fitues, Mafiat votojnë për kandidatin që mendojnë se mund t’u japë garanci të mëdha dhe më pas përpiqen të kapitalizojnë votën që kanë dhënë.

Gazetari: Do të doja të kuptoja pak, mafia shqiptare në Romë, Lazio. Do të doja të kuptoja pak, mafia shqiptare në Romë, Lazio. A kanë bashkëpunime me dy familjet mafioze aty, të cilat janë “Casamonica” dhe “Spada” apo punojnë le të themi veçmas?

Gratteri: Në Itali ka filluar të bjerë në sy ky aspekti i mafiave të huaja që vendosen. Përshembull në fillim të shekullit të njëzetë, Kur në Neë Jork u themelua “Dora e Zezë”. Çfarë ishte “Dora e Zezë”? Një mafie Italiane përbërë nga kalabrezët, sicilianë dhe nga Campagna. Që kanë shkuar në Neë York me anije me emigrantet. Dhe kanë filluar të jetojnë në mënyrë parazitare duke u vënë gjoba emigrantëve. Mafia shqiptare është vendosur, është stabilizuar në një territor, për shembull, në Lacion e poshtme. Është e qartë se për momentin kur kjo strukturë kriminale vendoset në një komunë, vendoset në një territor, është e qartë se më pas ka marrëdhënie të luftës apo të paqes, apo të bashkëjetesës, me strukturat kriminale të cilët tashmë janë në atë territor. Pra, ose krijohet një hapësirë ose luftojnë deri sa fiton njëri ose tjetri. Pra është e dukshme që mafia shqiptare e vendosur në Lacio duhet të krijojë raporte në çfarëdo mënyre ose me dhunë ose me dialog me strukturat kriminale që janë tashmë atje në Lacio. Mafia shqiptare nis nga një vend mjaftueshëm i korruptuar, ku mendoj se ka riciklim shumë të fortë, bëhet shumë riciklim, sepse është një vend ku nuk ka shumë mundësira, të shohësh gjithë këto pallate, këto kulla që rriten si kërpudhat. Pra është tashmë një tregues që jemi duke folur për një anomali të tregut. Nuk jemi në Monte Carlo, nuk jemi në Londër, nuk jemi në Montreal, nuk jemi në Neë York. Jemi në Shqipëri. Një vend në jug që niset nga një ekonomi kryesisht bujqësi dhe blegtori. Në një farë mënyre shihet se në Tiranë këto kulla, nga një rregull i thjeshtë tregu, nuk kanë asnjë kuptim. Dhe mafia shqiptare për ne në Itali nuk është mafia e atyre katër njerëzve të uritur që vijnë për të kryer grabitje nëpër vila në veri, në vilat e të pasurve në Piemonte, në Veneto. Kjo nuk është mafia shqiptare. Ata janë keqbërës të dëshpëruar që përpiqen të pasurohen duke vjedhur. Për ne mafia shqiptare eshte mafia në rritje ndërkohë. Mafia që do rritet më shumë, do të jetë mafia shqiptare në Europë. Është një mafia që tani e shohim mjaft të konsoliduar në Evropën Veriore, Veçanërisht në Hollandë dhe në Belgjikë. “Mafia shqiptare” prej disa vitesh kemi filluar ta shohim në ortakëri, në marrëdhënie me “Ndranghetan”, Sidomos në Amerikën e Jugut. Po vërtetohet se “Ndrangheta” mbeten financuesit, organizatorët. Pastaj, për sa i përket logjistikës, domethënë të bërit që kokaina të mbërrijë në veri të Europës, po bëhet ekskluzivitet i mafies shqiptare. Kjo, për sa kohë ka të bëjë me trafikun e kokainës. E shohim shumë të fortë në logjistikë, për të bërë të mundur mbërritjen e kokainës në portet e Evropës Veriore. Është një mafia që i ngjan Ndranghetas. I ngjan për nga brutaliteti, ngjan në strukturë, për nga lidhja e gjakut. Kështu që unë them se është një mafia mbi të cilën duhet investuar, mbi të cilën duhet t’i kushtoni shumë vëmendje, mos të nënvlerësohet absolutisht. Sepse kur strukturat janë të qëndrueshme, janë të vështira, kanë zbatimin me fanatizëm të rregullave, janë të strukturuara. Janë mafie të frikshme. Pra, ne po shkojmë përtej prodhimit të marihuanës në Shqipëri dhe sjelljes së saj përmes asaj që mbetet të Sacra Corona Unita, Nëpërmjet Kanalit të Otrantos, nëpërmjet Brindisit. Por e ardhmja do të jetë transporti i kokainës në Evropë Në Evropën Veriore në veçanti. Si dhe mos e nënvlerësoni këtë rrënjosjen e mafies shqiptare në pjesën e poshtme të Lacios.

Gazetari: Ndrangheta është një mafie kaq e fuqishme, çfarë nevojë ka për të bërë bashkëpunime me shqiptarët.

Gratteri: Familjet e Ndrangheta-s të cilat kanë vite që menaxhojnë trafikun e kokainës. Janë bërë kaq të fortë, aq të pasur sa që ua nënkontraktojnë transportin e kokainës organizatave të tjera. Mund t’ia lejojnë vetes këtë luks, që të lejojnë që menaxhimi i ardhjes së kokainës në Roterdam, në Amsterdam, në Antëerp. Dhe këtë e bëjnë kundrejt pagesës, kundrejt përfitimeve.

Gazetari: Në Shqipëri siç dhe ju e përmendët pak më parë Sidomos në Tiranë, është një bum ndërtimi. Nga hetimet tuaja, del ndonjë lidhje mes mafies shqiptare ndoshta dhe ndranghetas me politikën shqiptare? Edhe për kontrata publike sepse ekzistojnë shumë kontrata publike që janë në dorë të krimit. Këtë e di me siguri.

Gratteri: Atëhere shikoni, këtu në Napoli jo. Kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni sipas meje Prokurorisë së Romës dhe Reggio Calabrias. Sepse ne këtu në Napoli kemi një Camorra kaq të fortë që kontrollon… Në këtë moment, në planin hetimor dhe gjyqësor, nuk i kemi të verifikuara, këto lloj marrëdhëniesh.

Gazetari: Këtu në Itali pati një referendum. Ju jeni vendosur përballë, pikërisht kundra qeverisë. Keni pasur edhe disa debate nga “qeveria Meloni”. Më kujton pak edhe… sepse prokurorët antimafia edhe në kohët e shkuara kanë qenë gjithmonë në syrin e shtetit shpeshherë. Ju e keni fituar këtë betejë. A mendoni se e kanë me gjyqësorin? Qeveria dhe veçanërisht Zonja Meloni?

Gratteri: Pra, po, ne fituam referendumin sepse ne ditëm se si t’ia shpjegonim njerëzve. Folëm me një gjuhë të thjeshtë. I kemi shpjeguar që nuk mund të modifikohen ato shtatë nenet e kushtetutës sikur të ishin një dekret ligjor. Unë mendoj se kryeministrja Meloni është një person inteligjent, e djallëzuar, por ajo është e rrethuar nga njerëz që nuk dinë të këshillojnë në këtë sektor. Domethënë, kush ka rolin e kryeministrit ai nuk mund të jetë ekspert i gjithçkaje. Nëse dikush bën mjekun nuk është ekspert i të drejtave, kështu që kush bën politikë duhet të rrethohet nga ekspertë për çdo sektor, për secilën ministri. Dhe ajo? Unë mendoj se nuk ka këshilltarë të mirë në sektorin që mbulon drejtesinë. Kështu që ia ka besuar njerëzve që e kanë këshilluar keq. Sepse reformat që janë bërë bërë deri tani apo çfarë po bëjnë, nuk kanë asgjë që ka të bëjë me ideologjinë e partisë së Melonit. Meloni është vajza dhe mbesa e një partie të djathtë, Lëvizja Sociale, pastaj partia e Finit, tani partia e Melonit, Fratelli di Italia. Kjo ideologji e të djathtës nuk ka lidhje me ndryshimet aktuale që janë duke bërë mbi drejtësinë, sepse nëse sot po bëhen ndryshime të cilat në fund e bëjnë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e provës, ngrenë stekën në nivelin e garancive të të dyshuarit dhe të akuzuarit, duke lënë në hije nevojat e palëve e interesuara, duke lënë në hije nevojat e atyre që vuajnë. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare ideologjinë e djathtë. Por menaxhimi i Reformës në drejtësi është, le të themi në thonjëza, në duart e Forza Italia. Që në origjinën e saj është Partia e Berlusconit. Tani kush e menaxhon sektorin e drejtësisë brenda kësaj shumice qeverisëse është Forza Italia, jo Fratelli di Italia. Gjysma e Fratelli di Italia vuan këto reforma, nuk i pranon, nuk i miraton ato. Por për të ruajtur koalicionin, për të ruajtur shumicën janë bërë. Ndaj unë mendoj se Meloni nuk është kundër magjistratëve. Mendoj se Meloni ua ka deleguar reformat në drejtësi njerëzve të largët nga idetë e saja për drejtësinë dhe sigurinë, por tani është në këtë situatë, pra nuk mund të dalë sepse do të binte qeveria dhe prandaj duhet të presim deri në vitin 2027 kur të bëhen votimet, për të kuptuar nëse do të konfirmohet kjo qeveri. Patjetër do të ketë ndryshime në reforma, korrigjime në lidhje me gabimet e bëra. Ose, nëse do të fitonte qendra e majtë, e ashtuquajtura fushë e gjerë që në atë rast të jenë reforma për të rregulluar gjërat që nuk kanë përshpejtuar proceset. Pra njerëzit kanë nevojë që një proces gjyqësor mos të zgjasë shtatë vjet por të zgjasë një vit, një vit e gjysmë. Pra këto ishin reformat që duheshin bërë. jo ato për të bërë sa më të vështirë gjetjen e provave ose për të vënë në vështirësi gjyqtarët apo prokurorët.

Gazetari: Në fakt është një tjetër betejë akoma me gjykatat që më duket se të paktën ajo mendon që e ka fituar. Janë kampet e refugjatëve në Shqipëri që në 3 ose 4 raste Gjykata e Romës e refuzoi. Meloni thotë se tani ka zgjidhur gjithçka. Ju a jeni në dijeni të situatës?

Gratteri: Unë di pak për këtë, por di që kanë kushtuar shumë këto kampe në Shqipëri. Ishte më shumë një efekt tronditës ose parandalues për klandestinët, për emigrantët e paligjshëm, Që pastaj në praktikë nuk i dihet se sa njerëz, sa klandestinë kanë qenë ose janë atje në Shqipëri. Me sa duket, me këtë kosto ndoshta nuk ia vlente barra qeranë.

Gazetari: Jo, sepse janë shumë pak vërtetë. Këtë gjë e dimë. Një vend kaq i vogël si Shqipëria, gjykatësit tanë, prokurorët tanë. Çfarë duhet të bëjnë për të luftuar këtë rritje të mafies që po vë tani rrënjë edhe në vendin tonë.

Gratteri: Bëni ligje proporcionale me realitetin kriminal. Filloni të kopjoni sistemin antimafia italian. Pastaj gjyqësori duhet të përpiqet të punojë si ekip sepse nëse unë jam kështu jam xheloz për këtë copë të vogël nuk shkojmë askund. Mafia është e strukturuar, mafia është globale, ndaj edhe ne duhet të ngrejmë një strukturë. Kështu që në Shqipëri duhet t’ia nisin nga sistemi gjyqësor Italian antimafia. pastaj të jeni edhe më të rreptë, sepse problemi i korrupsionit që është në Itali është madje shumë në Shqipëri.

Gazetari: A mundet vërtetë një ditë ta fitojmë luftën kundër mafias? Apo do ekzistojë gjithmonë?

Gratteri: Jo, mund të reduktohet ndjeshëm fuqia e mafias nëse ka një sistem gjyqësor në respekt të Kushtetutës, nëse ka një sistem gjyqësor të fortë, nëse ka një sistem gjyqësor proporcional me realitetin kriminal. Kështu që duhet të krijojnë, të bëjnë shumë prej atyre ndryshimeve deri sa të mos guxojnë të kryejnë krime. Ndryshe vazhdojmë të flasim kot.

Shqipëria: Porto Romano dhe Korridori VIII, projekte kyç për mobilitetin e NATO-s

Një aeroplan luftarak i llojit Eurofighter Typhoon në bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë. 4 mars 2024

 

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria po bën investime të rëndësishme në infrastrukturën strategjike në forcimin e lëvizshmërisë së NATO-s, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale.

Kështu tha ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, gjatë takimit që zhvilloi të premten në Monsa të Brukselit me komandantin suprem të Forcave Aleate në Evropë, Gjeneral Alexus G. Grynkewich.

“U diskutua për Bazën Detare të Porto Romanos dhe mobilitetin përgjatë Korridorit VIII. Ministri Nufi u shpreh se këto janë disa prej projekteve madhore, për të cilat Shqipëria po bën investime të rëndësishme në infrastrukturën strategjike në forcimin e lëvizshmërisë së NATO-s”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri Nufi shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur kontributin në të gjitha operacionet e NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit, në takim u vu në pah se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj ndikimeve keqdashëse, si dhe ndaj sulmeve hibride dhe kibernetike, çka kërkon vëmendje dhe koordinim të vazhdueshëm mes aleatëve.

NATO është e pranishme në rajon përmes misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë dhe bashkëpunon ngushtë me Eufor Althea në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pak kohë më parë, Ambasada amerikane në Tiranë gjatë vizitës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, theksoi se u diskutuan “aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon”.

Qeveria shqiptare ka thënë se objektivi madhor i saj në fushën e mbrojtjes është që vendi të kthehet në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes.

Në përmbushje të këtij qëllimi, Shqipëria do ta rihapë Shkollën e saj të Aviacionit në Vlorë, gati dy dekada pasi ishte mbyllur.

Gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Italinë për prodhimin e anijeve luftarake në bazën detare të Pashalimanit në Vlorë si dhe do të fillojë prodhimin e dronëve luftarakë.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë – shtet anëtar i NATO-s – ka theksuar gjithashtu se po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore.

FSK pjesë e Konferencës së Ushtrive Evropiane që po mbahet në Gjermani

Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane, e cila po mbahet në Gjermani.

Në këtë konferencë ushtrua e Kosovës po përfaqësohet nga zëvendëskomandanti i FSK-së, Gjeneral Major Enver Cikaqi, po merr pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane.

Sipas njoftimit të FSK-së, kjo konferencë është ndër ngjarjet kryesore të Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (U.S. Army Europe and Africa) e nivelit të lartë të gjeneralëve, që drejtohet nga SHBA-të, dhe shfrytëzohet si platformë për bashkërendim të bashkëpunimit për siguri dhe mbrojtje.

“Oficerë të lartë ushtarakë, komandantë të forcave tokësore dhe përfaqësues të tjerë të vendeve aleate dhe partnere evropiane me SHBA-të, shfrytëzuan konferencën për të diskutuar sfidat e sigurisë në Evropë, rajon dhe më gjerë. Konferenca është iniciativë që promovon bashkëpunimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve në mes të ushtrive në Evropë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

“Moska nuk ndalet vetëm në Ukrainë”- NATO reagon pas sulmit rus në Rumani: Gati të mbrojmë çdo centimetër të territorit aleat

Një dron rus ka goditur një bllok apartamentesh në qytetin Galați në Rumani, duke shkaktuar zjarr në katin e 10-të të ndërtesës dhe duke plagosur dy persona.

Ngjarja ndodhi pranë kufirit lindor të Rumanisë me Ukraine dhe Moldavinë, një zonë që shpesh është prekur nga sulme ajrore gjatë luftës në Ukrainë.

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e cilësoi incidentin si “më seriozin që e ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës”, duke thirrur menjëherë Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare.

Ndërkohë NATO e dënoi incidentin si një akt të “pakujdesshëm”, ndërsa theksoi nevojën për forcim të mbrojtjes ajrore në rajon.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka dënuar “sjelljen e pamatur të Rusisë” si një rrezik për të gjithë anëtarëte aleancës.
Rutte thotë se e ka siguruar Presidentin rumun Nicuşor Dan se NATO “është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat”.

Ai shton në një postim në X se “Rusia vazhdon të sulmojë civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën dhe mbrëmë tregoi edhe një herë se implikimet e luftës së tyre të paligjshme të agresionit nuk ndalen në kufi”.

Rutte thotë se NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. bw

Çfarë modeli të mbrojtjes gjithëpërfshirëse ka Finlanda, të cilin po e merr si shembull Kurti?

Ushtarë finlandezë gjatë një stërvitjeje më 4 maj 2022.

Mimoza Sadiku

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se është “më e mençur” për vendin që të ketë mbrojtje gjithëpërfshirëse apo totale, sesa shërbim të detyrueshëm ushtarak, që kishte premtuar kaherë.

Në këtë drejtim, gjatë një konference për media më 28 maj, ai përmendi modelin e Finlandës dhe vendeve baltike.

“Një model që i ngjan atij të Finlandës dhe vendeve baltike, ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbull të madh njerëzish, që mandej duhet ta strukturosh e ta pajisësh, por në vend të kësaj përcakton funksione e detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore e deri te lufta e armatosur”, tha Kurti.

Kjo nuk është hera e parë që përmendet mundësia e mbrojtjes gjithëpërfshirëse nga Qeveria e Kurtit.

Madje, në shtator të vitit 2024, ekzekutivi kosovar kishte miratuar Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse që synon mbrojtjen e shtetit nga kërcënimet, sulmet dhe fatkeqësitë natyrore.

“Qëndrueshmëria kombëtare” synohet që të ndërtohet me këtë program, në mënyrë që shoqëria kosovare të përgatitet “të rezistojë, të reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore, apo sulmeve të armatosura”.

“Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, deklaroi atëherë Kurti.

Afërsisht dy vjet më vonë, Kurti tha se ky model i mbrojtjes totale shoqërohet edhe me aspekte të tjera, përkatësisht me një model për shkollat e mesme që quhet “Edukimi për siguri”, që sipas tij u mundëson të rinjve të mësojnë se si të reagojnë në raste të fatkeqësive natyrore apo konflikteve.

“Do ta kemi edhe rezervën vullnetare. Pra, rezerva vullnetare e cila mundëson që qytetarët e Kosovës që do të bëhen rezervistë të FSK-së t’i kenë pajisjet nga çizmet deri tek arma e tyre në një adresë të caktuar në FSK. Unë besoj se kjo çfarë po bëjmë është shumë më mirë sesa shërbimi i detyrueshëm ushtarak”, tha Kurti më 28 maj.

Kur për herë të parë u përmend si ide mbrojtja gjithpërfshirëse, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo nënkuptonte edukimin e qytetarëve për mbrojtje, pa përjashtuar as stërvitjet praktike.

Megjithatë, Vrajolli deklaroi se pa shërbim të detyrueshëm ushtarak nuk do të mund të funksiononte as koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

“Këto të dyja, mendoj se janë të pandashme nga njëra-tjetra. Nëse ato nuk bashkohen me njëra-tjetrën, atëherë mendoj se të dyja janë thuajse të pazbatueshme”, u shpreh ai.

Por, çfarë është doktrina e mbrojtjes totale që ka Finlanda, në të cilën u thirr Kurti?

Finlanda, shtet në Evropën Veriore që ndan një kufi të gjatë me Rusinë, për vite të tëra ka në fuqi strategji kombëtare të mbrojtjes.

Doktrina e mbrojtjes totale e Finlandës njihet me emrin Koncepti i Sigurisë Gjithëpërfshirëse, e cila në thelb është strategji për mobilizimin e gjithë shtetit në rast lufte. Ndërkaq, ky vend që është anëtar i NATO-s, ka edhe Strategjinë e Sigurisë për Shoqërinë, që është një evolim i doktrinës fillestare, përkatësisht është një koncept që ka një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë në krizat ushtarake dhe jo-ushtarake, siç mund të jenë fatkeqësitë natyrore apo edhe sulmet kibernetike.

“Parimi i mbrojtjes totale të Finlandës nënkupton që mbrojtja jonë varet nga mbështetja e fuqishme nga shoqëria”, tha ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, pas miratimit të një raporti qeveritar të mbrojtjes në dhjetor të vitit 2024.

Modeli i Helsinkit për mbrojtjes ka disa shtylla kyç, sikurse është shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe rezervistët, trajnimi i qytetarëve për reagim gjatë emergjencave dhe krizave, bashkëpunimi mes shtetit dhe shtyllave të tjera shoqërore, sikurse bizneset, luftimi i definformimit, luftimi i sulmeve kibernetike dhe operacioneve hibride.

Finlanda e vlerëson si themel të qëndrueshmërisë së shoqërisë së saj sigurinë gjithëpërfshirëse. Ky koncept është vital për funksionimin e shoqërisë dhe bëhet në bashkëpunim mes autoriteteve, komunitetit të bizneseve, organizatave dhe qytetarëve “në të gjitha rrethanat dhe në të gjitha nivelet”.

Veprimet strategjike, sipas doktrinës, janë një sërë detyrash që bazohen në ligje, dhe të formalizuara përmes marrëveshjeve dhe të shoqëruara me aktivitete vullnetare.

“Kryerja e detyrave në të gjitha situatat e sigurisë kërkon përgatitje dhe përgjigje – me fjalë të tjera, masa për t’u përgjigjur ndaj kërcënimeve”, thotë Komiteti për Siguri i Ministrisë së Mbrojtjes të Finlandës.

Ky komitet thotë se përgatitjet e shoqërisë për raste të ndryshme zvogëlojnë mundësinë që rreziqet të jetësohen.

Individët janë “aktorë kyç në shoqëri. Ata kanë të drejtë kushtetuese për siguri, por po ashtu përgjegjësi që të veprojnë në bazë të aftësive të tyre në atë mënyrë që të rrisin sigurinë në komunitete dhe shoqëri. Respekti i ndërsjellë mes njerëzve është element vital për mbajtjen e shoqërisë”, thotë Komiteti.

Koncepti 72-orësh

Siguria e Finlandës mbështetet në shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë burrat nga mosha 18-vjeçare, të cilët, në rast të një agresioni ushtarak, do të përfshiheshin në luftë.

Përgatitja e shoqërisë për raste të ndryshme, përfshin trajnime të ndryshme, teksa shteti ka infrastrukturë për mbrojtje civile, përfshirë vendstrehime për sulme me bomba apo sulme bërthamore. Ky shtet ka kapacitet që të strehojë mbi 80 për qind të popullatës në vendstrehime, nëse është e nevojshme.

E gjithë shoqëria përgatitet në mënyrë aktive që të mbështesë ushtrinë, nëse nevojitet, teksa mbajtja e moralit lartë të qytetarëve shihet si element kyç i qëndrueshmërisë së shoqërisë.

Një tjetër aspekt është edhe që në rast të krizave Finlanda të mos paralizohet, në kuptimin që të ketë rezerva të mjaftueshme të produkteve kyç ushqimore, shëndetësore, rezerva të karburanteve etj.

Shembull, në Finlandë, sipas Komitetit për Siguri, është edhe koncepti 72-orësh. Sipas këtij koncepti, qytetarët rekomandohet që të kenë furnizime të mjaftueshme ushqimore, pajisje mjekësore në rast se ka ndërprerje të gjata të energjisë elektrike që do të shkaktonin pengesa në ofrimin e shërbimeve.

“Familjet duhet të përgatiten që t’ia dalin vetë për të paktën tre ditë nëse ndodh kjo. Ata duhet të kenë furnizime ushqimore për tre ditë dhe ilaçe”, thuhet në një njoftim të Komitetit.

Pra, në thelb, kjo doktrinë e mbrojtjes gjithëpërfshirëse e Finlandës parasheh që qytetarët të jenë të trajnuar se si të reagojnë në raste të ndryshme të fatkeqësive natyrore, rreziqeve të tjera apo të luftës dhe të mbështesin shtetin në rast nevoje.

Doktrina e mbrojtjes totale në Finlandë u dizajnua gjatë Luftës së Ftohtë për t’u siguruar që vendi mund t’i bënte ballë një agresioni nga një armik më superior, përmes kombinimit të parandalimit ushtarak, përgatitjes civile, qëndrueshmërisë ekonomike dhe qëndrueshmërisë psikologjike të qytetarëve.

Në dritë të pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda u anëtarësua në NATO më 4 prill të vitit 2023.

 

Ivana Stradner: Vizita e kongresistëve, hap për riafirmimin e angazhimit të SHBA-së për paqe në rajon

Kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, duke shkuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. 27 maj 2026.

 

Mimoza Sadiku

Vizita e dy kongresistëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor është hap i rëndësishëm për riafirmimin e Shteteve të Bashkuara për paqe dhe stabilitet në rajon “në një kohë kur Serbia dhe Rusia vazhdojnë përpjekjet për destabilizim”.

Kështu e vlerëson Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington vizitën e kongresistit republikan Keith Self dhe atij demokrat Suhas Subramanyam, në Bosnje e Hercegovinë, Serbi, përkatësisht në Luginë të Preshevës, dhe Kosovë javën që shkoi.

“Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten veçmas të cenueshme nga ndikimi dashakeq dhe presioni politik nga Beogradi dhe Moska”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.

Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me tensione të shtuara politike dhe ndikime të jashtme, u tha në një raport të publikuar më herët gjatë vitit nga shërbimet amerikane të inteligjencës, të cilat veçuan rolin e Rusisë në destabilizimin e rajonit.

Në raportin e shërbimeve të inteligjencës amerikane u tha se Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me tensione të shtuara politike dhe ndikime të jashtme, duke veçuar rolin e Rusisë në destabilizimin e rajonit.

Sipas raportit, Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen entitetit serb, Republika Sërpska nga Bosnje e Hercegovina”.

Gjatë vizitës në Bosnje dhe Kosovës, sipas autoriteteve vendëse, kongresistët amerikanë biseduan me udhëheqësit për çështje të sigurisë, situatën në rajon dhe raportet dypalëshe. Në Kosovë, sipas krerëve shtetërorë u bisedua edhe për anëtarësimin e vendit në NATO.

Sipas Stradnerit, kongresisti Self, që është kryetar i nënkomisionit për Evropë në Komisionin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, e kupton që Ballkani nuk mund të trajtohet “si çështje dytësore”, përderisa “Rusia dhe Serbia shfrytëzojnë çdo vijë ndarëse rajonale për të dobësuar Perëndimin”.

“Çdo reduktim të pranisë amerikane do të krijonte një vakum të rrezikshëm që Moska dhe Beogradi shpejt do ta shfrytëzonin”, thotë Stradner.

Ajo shton se stabiliteti në rajon është i lidhur direkt me sigurinë e gjerë evropiane.

“Vizita dërgon një sinjal të rëndësishëm se angazhimi i SHBA-së dhe parandalimi mbeten thelbësor për të mos lejuar një cikël të ri të destabilizimit rajonal”.

Sipas një dokumenti të publikuar së voni nga Departamenti amerikan i Shtetit, Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike të SHBA-së.

Sipas këtij dokumenti, stabiliteti në rajon, që është krijuar falë ndihmës së përpjekjeve amerikane, ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon.

“Epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka kaluar”, u tha në raport, teksa politika amerikane në Ballkanin Perëndimor “nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”.

Raporti i publikuar nga DASH-i tha po ashtu se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.

Duke folur për Kosovën, Stradner thotë se ka “shqetësime në rritje lidhur me të ardhmen e KFOR-it në Kosovë”, përfshirë edhe “frikën e një tërheqjeje të mundshme të SHBA-së”.

“Do të ishte një gabim tragjik nga i cili drejtpërdrejtë do të përfitonin Rusia dhe Serbia, përderisa do të minohej siguria rajonale dhe stabiliteti”, vlerëson Stradner.

Së voni ka pasur raportime dhe diskutime për mundësinë që Uashingtoni të rishqyrtojë praninë e trupave të tij në misionet e NATO-s, përfshirë në KFOR.

Megjithatë, Pentagoni i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të vendosjes së forcave amerikane.

Në prill, kongresisti Self, së bashku me kolegët e tij Ritchie Torres dhe Mike Lawler, iniciuan dy rezoluta për Kosovën.

E para synon të shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Ndërkaq, rezoluta tjetër i bën thirrje SHBA-së që të vazhdojë pjesëmarrjen në KFOR.

Gjatë takimeve në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, falënderuan kongresistët për mbështetjen e aspiratës së Kosovës për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore dhe për vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane.

Kosova synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, por ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim, teksa mosnjohja nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vlerësohet pengesë drejt anëtarësimit në aleancë.

Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, duke folur për situatën në rajon, e fajëson Serbinë për krijim të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, Qeveria në Serbi, po përballet me pakënaqësi në rritje brenda vendit dhe kundërshti ndaj “sundimit në rritje autokratik të [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq. Modeli i tij qeverisës antidemokratik ka kontribuar shumë në jostabilitetin në mbarë Ballkanin Perëndimor dhe Self e sheh qartë këtë lojë të Vuçiqit”.

Sa i përket Bosnjës, Stradner thotë se situata është shqetësuese pasi korniza e Dejtonit, sipas saj, po përballet me presion në rritje dhe përpjekje destabilizuese nga Millorad Dodik.

“Është e rëndësishme që Self të dërgojë mesazh të qartë që SHBA-ja nuk do të tolerojë kërcënime apo përpjekje që do të minonin sovranitetin e Bosnjës”, thotë ajo.

Në vitet e fundit, në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje janë miratuar një sërë ligjesh jokushtetuese, teksa ish-udhëheqësi i entitetit serb, Millorad Dodik, njihet prej vitesh për retorikën e tij secesioniste.

Ndonëse kongresistët amerikanë nuk vizituan Malin e Zi, Stradner thotë se ky shtet po vazhdon të jetë nën presion në një moment të rëndësishëm të rrugës së tij drejt anëtarësimit në BE.

“Presidenti Vuçiq vazhdon të ushtrojë ndikim që synon ngadalësimin e trajektores euroatlantike të Malit të Zi dhe të mbajë të ndarë politikisht rajonin dhe të paqëndrueshëm”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.

Mali i Zi është shteti që ka bërë përparimin më të madh drejt anëtarësimit në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Podgorica pritet që të jetë anëtari më i ri i bllokut evropian në vitet në vijim.

Autoritetet e Kosovës marrin nën kontroll infrastrukturën hekurudhore në veri

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet e Kosovës të enjten në mëngjes morën nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia ka ofruar asistencë gjatë marrjes së objekteve të stacioneve hekurudhore, ku janë hequr tabelat “Hekurudhat e Serbisë”, dhe janë vendosur të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës”, së bashku me flamurin e Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha gazetarëve se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës dhe se “Hekurudhat e Serbisë” janë një nga institucionet e fundit “paralele dhe ilegale” që kanë funksionuar.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, deklaroi se “nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore” në veriun e Kosovës.

Ai tha se infrastruktura hekurudhore në veri deri më tani ka qenë “e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe”.

Basha deklaroi, gjithashtu, se hekurudha në veri është një pjesë strategjike e Korridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit.

“Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës”, tha ai.

Kosova gjatë dy viteve të fundit ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet e Serbisë, që pas luftës kanë funksionuar në zonat me shumicë serbe. Ndërsa autoritetet kosovare thonë se po vendosin rend dhe ligj, pjesëtarët e komunitetit serb këto veprime i shohin si “diskriminim” ose formë “represioni”.

Edhe bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar mbylljen e institucioneve serbe nga autoritetet kosovare, duke theksuar se komuniteteve joshumicë fillimisht duhet t’u sigurohen shërbimet që i kanë marrë përmes sistemit serb.

Ministri Sveçla deklaroi se Kosova nuk do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.

“Kjo [hekurudha] është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç e ka theksuar ministri i Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projekteve për rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, tha ai.

Serbia refuzon t’i mbyllë institucionet e saj në Kosovë, por shumicën prej tyre i ka zhvendosur në qytetet e saj kufitare.

Po ashtu, Kosova ngulmon në integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore që në zonat ku jeton komuniteti serb funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, gjë që po has në kundërshtimin e popullatës lokale, përfaqësuesve politikë dhe shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se çështja e integrimit të këtyre dy sektorëve duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Produktivitet i ulët, por shqiptarët të tretët në Europë për orët e gjata të punës

Ndonëse në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria renditet ndër vendet që ka produktiviteti më të ulët në Europë, sidomos për sipërmarrjet e mëdha, punonjësit shqiptarë rezultojnë që kanë orë shumë më të gjatë të punës në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe në nivele të ngjashme me Ballkanin e Turqinë.

Sipas të dhënave të INSTAT, që janë të disponueshme deri në vitin 2024, një punonjës shqiptar punonte 41.3 orë në javë, nga 41.6 orë vitin e mëparshëm. (Për të punësuarit me pagë, orët totale të punës janë më të larta, duke arritur në 43.6).

Të dhënat e tjera të Eurostat, që i përkasin vitit 2025 tregojnë se në Europë kryeson Turqia, me 42.8 orë në javë. Mali i Zi është i dyti me 42.3 orë, por të dhënat më të fundit i përkasin vitit 2020.

Bosnjë Herecegovina vijon me 40.9 orë, e ndjekur në rajon nga Serbia me 40.6. Orët më të ulëta në rajon i kanë punonjësit e Maqedonisë së Veriut (39.5). Nuk ka të dhëna për Kosovën.

I gjithë rajoni punon me orë më të gjata se shtetet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, në vitin 2025, orët aktuale javore të punës për punonjësit me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme në Bashkimin Europian (BE), të moshës 20-64 vjeç, në punën e tyre kryesore, ishin mesatarisht 35.9 orë.

Orët mesatare aktuale të punës në javë ndryshojnë midis vendeve të BE-së. Javët më të gjata mesatare u regjistruan në Greqi (39.6 orë), e ndjekur nga Polonia dhe Bullgaria (38.7 orë secila), Lituania (38.4 orë) dhe Sllovenia (38.3 orë).

Në të kundërt, javët më të shkurtra ishin në Holandë (31.9 orë), Gjermani dhe Danimarkë (33.9 orë secila) dhe Austri (34.0 orë).

Shqipëria ka produktivitet të ulët, sidomos për ndërmarrjet e mëdha

Sipas të dhënave të tjera, një studim i OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) gjeti se produktiviteti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV) në Shqipëri është sa 29% e mesatares së BE sipas të dhënave që i takojnë vitit 2023.

Sipas krahasimeve të OECD-së një punonjës në një NVM shqiptare prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit, ndërsa në ndërmarrjet e mëdha kjo shifër rritet në 19,645 euro.

Në BE një punonjës nga NVM-të kap vlerën e 52,000 eurove për person dhe 87 mijë euro për bizneset e mëdha. Si rrjedhojë, produktiviteti i sipërmarrjeve të mëdha në Shqipëri është më i ulët se atyre të vogla e të mesme, me një prodhim sa 22.6% e mesatares së ndërmarrjeve të mëdha në BE.

Ndërmarrjet e mëdha në Shqipëri renditen jo vetëm sa një e pesta e mesatares së BE-së, por kanë dhe produktivitetin më të ulët në rajon. Kryesimin e mban Serbia, me 31.4 mijë euro/person, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut, me 21.6 mijë euro./Monitor

S’mund të hanë mish, peshk apo të mbajnë shtëpinë ngrohtë, INSTAT:Mbi 245 mijë shqiptarë në varfëri të skajshme

Mbi 10% e popullsisë që jeton në Shqipëri është në vështirësi shumë të mëdha për të përballuar jetesën e përditshme sipas të dhënave nga databaza e INSTAT të rishikuara me censin e ri të popullsisë 2023.

Sipas të dhënave zyrtare të Anketës së Të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, përqindja e familjeve që deklarojnë se e sigurojnë jetesën me shumë vështirësi ka rënë nga 18.0% që ishte në vitin 2021, në 10.2% në vitin 2024.

Ky përmirësim statistikor nuk erdhi nga niveli i jetesës, po nga kalibrimi i të dhënave bazuar mbi strukturën e re demografike të Censit. Duke iu referuar të dhënave të reja aktualisht në Shqipëri janë rreth 245,015 individë që vuajnë nga varfëria e skajshme.

Treguesi u përllogarit përmes vetë-deklarimit dhe perceptimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve mbi të ardhurat e tyre.

Një familje në këtë fashë “jetoj më shumë vështirësi” nënkupton se ajo përballet çdo ditë me privime materiale tejet të mprehta.

Këta individë përjetojnë një pamundësi totale për të përballuar qoftë edhe një shpenzim minimal të papritur, siç mund të jetë një emergjencë shëndetësore apo një defekt i thjeshtë shtëpiak, duke qenë se nuk zotërojnë asnjë lloj kursimi.

Ky grup karakterizohet gjithashtu nga vonesa të vazhdueshme dhe të përsëritura në pagimin e faturave të detyrueshme utilitare si energjia elektrike, uji apo qiraja e banesës, duke bashkëjetuar vazhdimisht me ankthin dhe rrezikun e ndërprerjes së këtyre shërbimeve jetike për shkak të pamundësisë për të shlyer detyrimet në kohë.

Përtej faturave, varfëria e skajshme prek në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e ushqyerjes dhe shëndetit, ku familjet e këtij grupi shpesh detyrohen të kursejnë në nevojat më elementare biologjike.

Kjo do të thotë se ata e kanë të pamundur të sigurojnë një vakt të plotë me mish, peshk ose ekuivalentë të paktën një herë në 2 ditë, duke u mjaftuar me një dietë të varfër ushqimore. Gjatë muajve të dimrit, ky presion financiar transferohet te pamundësia për të mbajtur shtëpinë ngrohtë mjaftueshëm, çka ndikon direkt në shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve që jetojnë në këto mjedise.

Kjo pjesë e popullsisë e ka mjaft të vështirë të përballojë zëvendësimin ose blerjen e pajisjeve elektro-shtëpiake më bazike si një lavatriçe apo një frigorifer funksional.

Sipas të dhënave 245,015 shqiptarët shumë të varfër kërkojnë ndërhyrje të targetuara, pasi kjo shtresë e ka të pamundur të përfitojnë nga rritja e përgjithshme ekonomike e vendit pa pasur politika specifike mbështetëse. /Monitor

UGSHPD: QEVERIA “DO MARRË ÇIFTENË  E DO DALË PËR GJAH”* (Një eros drejt BE-së)

 

Kur askush nuk të dëgjon, misioni i censurës dhe i auto censurës tregon se  e ka bërë të vetën.
Por kur askush prej atyre që duan të dëgjohen kur ju duhet vota nuk i mbështesin “kauzat elektorale” në politikë sepse edhe mediat i kanë nëpër xhepa, atëherë shoqëria shqiptare më mirë le ta mirëpresë shkatërrimin brenda vetes dhe të përgatitet për të.
Megjithëse nga dita e 26 Majit e ngjeshur me lajme dhe kronika nuk u mor vesh se si ajo kaloi sa nga BE-ja, tek Gjykatat dhe SPAK-u në Italinë fqinje,… sa nga protesta e studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në Tiranë për përdorimin e gjuhës shqipe, sa nga Ministrja Diella në Çeki e deri tek propaganda e IKMT-s për mbrojtjen e mjedisit e të tjera ngjarje të rrëmujshme dhe nuk u gjet një copëz vend dhe hapësirë mediatike për të pasqyruar  protestën për të mbrojtur Lagunën e Nartës dhe Vjosën, përfundimi i parë që del është se shteti dhe politika tregojnë se nuk janë fare të interesuar.
Duke dashur të mbështesë lëvizjen qytetare mjedisore “Ndaloni Masakrën në Vjosë Nartë”, UGSHPD ( Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), vlerëson si të domosdoshme përcjelljen për njohje ndaj publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar të njoftimit dhe kërkesave që parashtroi protesta “Zëri qytetar u ngrit para Ministrisë së Mjedisit kundër shkatërrimit në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë.”

Tiranë, 26 Maj 2026 –Qytetarë dhe mbështetës të mbrojtjes së natyrës u mblodhën më 26 Maj, 2026, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë për të protestuar kundër shkatërrimit që po vazhdon në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë.

Protesta u organizua nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), pas denoncimeve dhe raportimeve të vazhdueshme nga terreni, si dhe mungesës së plotë të transparencës dhe reagimit institucional nga autoritetet përgjegjëse.

Me pankarta dhe thirrje publike si “Hiqni duart nga Vjosë–Narta”, protestuesit kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për të ndalur menjëherë punimet dhe ndërhyrjet që po transformojnë në mënyrë të pakthyeshme një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri.

Gjatë protestës u denoncua heshtja institucionale përballë situatës në terren, mungesa e transparencës mbi projektin dhe dështimi për të mbrojtur një zonë me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Qytetarët theksuan se Vjosë-Narta nuk mund të trajtohet si një kantier ndërtimi dhe se mbrojtja e saj është një detyrim publik dhe institucional.

Pavarësisht denoncimeve publike dhe konferencave të fundit për shtyp të organizuara, ku janë evidentuar ndërhyrje të paligjshme dhe tjetërsimi i habitatit natyror, institucionet shtetërore kanë zgjedhur të heshtin dhe ta minimizojnë situatën, duke e konsideruar atë thjesht si “rrethim të një prone private për qëllime studimesh gjeologjike”.

Verifikimet më të fundit në terren dëshmojnë të kundërtën. Betonizimi i vijës bregdetare, hapja e rrugëve permanente nga makineritë e rënda dhe kufizimi i paligjshëm i aksesit publik konfirmojnë ngritjen e një kantieri që po shkakton dëme të pakthyeshme në një ekosistem me rëndësi kritike për biodiversitetin dhe shpendët shtegtarë.

Përmes kësaj proteste, u kërkua në mënyrë të prerë:

Ndalimi i menjëhershëm të punimeve dhe tërheqjen e makinerive të rënda nga zemra e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro–Nartë;
Publikimi i çdo dokumenti zyrtar, përfshirë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe lejet përkatëse, të cilat deri më sot nuk janë bërë transparente për publikun dhe grupet e interesit;
Ndërhyrja e menjëhershme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për të ushtruar përgjegjësitë e tyre ligjore ndaj shkatërrimit në këtë zonë të mbrojtur.

Ky krim mjedisor po transformon njëherë e përgjithmonë Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë.

Kjo protestë vjen pas një serie reagimesh publike, deklaratash dhe konferencash për shtyp të organizuara nga palët e interesit gjatë javëve të fundit, ku janë publikuar vazhdimisht prova dhe dokumentime nga terreni mbi ndërhyrjet në zonë.

Për të ndjekur zhvillimet dhe reagimet publike mbi situatën në Vjosë–Nartë lexoni:

“SAVE VJOSA–NARTA” -PPNEA

“SHPËTONI VJOSË-NARTËN”- PPNEA

Deklaratë për shtyp mbi situatën në Vjosë-Nartë
THIRRJE PUBLIKE MINISTRIT TË MJEDISIT: NDALONI PUNIMET NË PISHË PORO-NARTË DHE TREGONI TË VËRTETËN PËR ATË QË PO NDODH NË TERREN

DHUNUESIT E ZONËS SË MBROJTUR PISHË PORO-NARTË VAZHDOJNË SHKATËRRIMIN E LAGUNËS SË NARTËS DHE POSHTËRIMIN NDAJ INSTITUCIONEVE SHTETËRORE

PPNEA dhe BirdLife Europe and Central Asia njoftojnë skandalin për ndërhyrjet shkatërruese në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe shkeljet e kushteve për integrimin në Bashkimin Europian

VIJON MASAKRA NË ZONËN E MBROJTUR PISHË PORO-NARTË

SKANDALI MË I MADH ME SHKATËRRIMIN E NATYRËS NË SHQIPËRI PO NDODH TANI

Vjosë–Narta përfaqëson një nga ekosistemet ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri dhe pjesë të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, me rëndësi të jashtëzakonshme për biodiversitetin, shpendët shtegtarë dhe trashëgiminë natyrore të vendit.

 

Nëse e kuptojmë si duhet këtë qendrim të qytetarëve, shoqërisë civile dhe organizatave mjedisore si një detyre jo vetëm në mbrojtje të natyrës, por edhe patriotike për të këqijat që ka sjellë dhe ka mbjellë korrupsioni i elitave politike me pushtet, duhet të nënvizojmë se as vizitat e kryeministrit në BE dhe as qëndrimet e zyrtarëve të shtetit dje nuk kanë marrë asnjë masë për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore në territorin shqiptar.
Tirana e samiteve të kthimit që i ka për zemër kryeministri është sot me një nivel të ndotur ajri 8 herë mbi normat e lejuara.
Drejtori i përgjithshëm i IKMT-së, Afrim Qendro  sipas ATSH në orët e zhvillimit të protestës është shprehur se: “Në kushtet kur mjedisi po kthehet në një çështje kryesore prioritare, edhe në funksion të mbylljes së kapitujve në negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, kërkohet një qasje më dinamike dhe më efikase në terren”
Ndërsa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj e bën Shqipërinë  “zyrtarisht anëtare e Këshillit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Gjuetisë dhe Faunës së Egër (CIC) krah 29 vendeve të tjera”, në një kohë kur protestuesit ishin poshtë dritares së zyrës së tij.
 
______
*Këtë na e kujton më së miri titulli i këngës popullore se si shkojnë punët e shtetit. 
Do marr çiften more, do dal për gjah,
Jaman shok-o, jaman aman.
E çiftenë more me gjithë zagar,
Jaman shok-o, jaman aman.
E çu ngjita more sipër në mal
Jaman shok-o, jaman aman.
E pashë dy more të bukura,
Jaman shok-o, jaman aman.
E cila të more të pëlqen, më qafsh,
Jaman shok-o, jaman aman.
E ajo mes, more, këputura,
Jaman shoko, jaman aman
E ajo, more, më e bukura
Jaman shok-o, jaman aman.
E çiftja bam e zagari ham
Jaman shok-o, jaman aman.
 
 

27 Maj, 2026

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Kurti kongresistëve amerikanë: Kosova synon thellimin e partneritetit me SHBA-në dhe NATO-n

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, i përbërë nga kongresisti republikan Keith Self dhe kongresisti demokrat Suhas Subramanyam.

Gjatë takimit, Kurti foli për çështjet e mbrojtjes, paqes dhe sigurisë në rajon, duke i falënderuar kongresistët për mbështetjen ndaj aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO, bëhet e ditur nga komunikata për media.

Kurti veçoi Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilat mbështesin integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe kërkojnë vazhdimin e kontributit të forcave amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.

Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e përputhshmërisë në politikën e jashtme mes Kosovës dhe aleatëve perëndimorë.

Në takim u diskutua edhe për investimet e Kosovës në mbrojtje, zhvillimin teknologjik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në, si dhe për reformat në sektorin e arsimit.

Duke folur për vizitën që kongresistët zhvilluan paraprakisht në Luginën e Preshevës, Kurti deklaroi se pakicat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të gëzojnë të drejta të krahasueshme.

Keith Self është kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa Suhas Subramanyam është anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme. /zyra e shtypit


Send this to a friend