VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

TA SHPËTOJMË PEJËN ATË QË KA MBETUR NG AJO…! – MURI I SHPËTIMIT…! – Nga Reshat Nurboja, anëtar i Kuvendit të Komunës së Pejës

By | May 26, 2019

Komentet

PO PËR HOLOKAUSTIN KOMUNIST SHQIPTAR KUR DO TË FLITET? – Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi në Shqipëri u mbajt “Forumi Ballkanik kundër antisemitizmit”.  Ishte kjo një nismë shumë me vend e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkpunim me Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, forum, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë ballkanikë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Izraelit dhe madje edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, iu drejtua forumit virtual me një fjalim të shkurtër.  Ishin mjaft përfaqsues të vendeve pjesëmarrëse forumin virtual – përfshir edhe ata të Shqipërisë, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.  Folës të ndryshëm, përfshir zyrtarët e lartë shqiptarë, diskutuan se si vendet e Ballkanit mund të bashkpunojnë për zhdukjen e antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante për brezat e ardhëshëm.  Është kjo një thirrje shumë me vend, pasi është venë re se antisemitizmi është një fenomen që, kohët e fundit, po shtohet anë e mbanë botës.  Një fenomen që duhet të luftohet e të zhduket që në zanafillë, në cilën do shoqëri qoftë.

 

Sa interesant thashë me vete, që udhëheqsit shqiptarë, në një forum ndërkombëtar, siç ishte ai që u mbajt virtualisht në Tiranë – flasin para botës për masat dhe bashkpunimin kundër antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante: “Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, u shpreh Kryeministri shqiptar, Edi Rama.  Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi i tha forumit se “Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën, duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit”, deklaroi kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.

 

Çfarë shprehjesh thashë — gjithnjë duke folur me veten — nga zyrtarët më të lartë shqiptarë, të cilët edhe botës demokratike i japin mësim për demokraci, pluralizëm, diversitet e tolerancë dhe më në fund Kryeministri shqiptar thekësoi nevojën për një, “thirrje ndaj ndërgjegjës kolektive”, për të vepruar.  Thashë me vete gjithashtu, si mund të përputhen këto shprehje të dy udhëheqsve të lartë shqiptarë në Forumin Ballkanik mbi antisemitizmin me deklaratat,  pikërisht, të këtyre dy zyrtarëve shqiptarë në Parlamentin  e Shqipërisë, mbi meritat e komunistëve dhe të komunizmit, pothuaj 50-vjeçar në Shqipëri.  Dihet se komunizmi, ashtu si edhe nazizmi — sidomos regjimi komunist i Enver Hoxhëls, nuk ishte aspak tolerant ndaj kundërshtarëve politikë dhe segmenteve të caktuar të popullësisë shqiptare që kundërshtonin regjimin e tij.  Kur dëgjova fjalët e zotërinjve Rama e Ruçi në Forumin kundër antisemitizmit në Tiranë, pyeta veten se cili është Rama i vërtetë dhe cili është Ruçi i vërtetë – ata që deklaruan se disa javë më pare se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë dhe se shqiptarët ishin ndarë që në vitin 1944 (duke justifikuar kështu të gjitha krimet e regjimit komunist në Shqipëri si dhe mos tolerancën politike ndaj njëri tjetrit, e pasqyruar këto 30-vitet e fundit) – apo ndoshta  zotërinjt Rama e Ruçi për fat të mirë të Kombi – paskan pësuar një metamorfozë të mirëseardhur më në fund, që u pasqyrua në fjalimet e tyre në forumin kundër antisemitizmit, ku folën për “tolerancë”, “demokraci” dhe “ndërgjegje kolektive”, ndaj së kaluarës.  Toleranca është një virtytë njerëzor dhe shoqëror, por disa shoqëri vuajnë, fatkeqësisht, nga toleranca ndaj së keqës. Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim i (heshtur) i së keqës, ka thenë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. (Fulton Sheen).  Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, edhe kur shumica është në rrugë të gabuar, ka thenë ai.

 

Prandaj është me rëndësi të dihet e vërteta, nëse udhëheqsit aktualë të Shqipërisë do të vazhdojnë të heshtin për çeshtjet e mëdha morale të Kombit – përfshirë krimet e komunizmit dhe përballjes me të kaluarën komuniste të vendit, pasi shqiptarët – sidomos ata dhjetëra e qindra mijëra që kanë vuajtur, janë vrarë ose zhdukur nga regjimi komunist, vetëm e vetëm, se nuk pajtoheshin me atë regjim. Ata presin për 30-vjet tani – që të këthehen në veprim fjalët tolerancë, ndërgjegje kolektive, demokraci e vërtetë, zgjedhje të lira, pajtim kombëtar, kërkim faljeje për krimet ndaj njerëzve të pafajshëm, gra, pleq e fëmij – që më në fund të këto vlera të mëdha universal të këthehen në një çështje të madhe morale kombëtare për të cilën nuk mund të heshtet më.

 

Nganjëherë njeriu shpreson edhe kundër shpresës. Sbpresova se diskutimet në “Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit”, t’u kenë kujtuar, të pakën për një moment udhëheqësve shqiptarë edhe holokaustin komunist shqiptar ndaj mijëra shqiptarëve kundështarë të regjimit komunist, në përgjithësi, dhe holokaustin fetar shqiptar në veçanti.  Këto mendime po më sillen në kokë, ndërkohë që Kisha Katolike Universale dhe sidomos Kisha Katolike Shqiptare — anë e mbanë trojeve arbërore — po përgatitet që me 5 Nentor, 2020 të shënojë Festën e Martirëve të Lumë shqiptarë – Vinçenc Prenushi me 37 shokët — festën pra të 38 martirëve: qendresën, virtytet e tyre njerëzore, morale, kombëtare, shpirtërore si dhe mesazhin e tyre për aktualitetin e sotëm shqiptar politik dhe moral, për shoqërinë por sidomos për udhëhqesit aktual të Shqipërisë.

 

Shpresojmë e shpresojmë, për zgjimin e një ndërgjeje morale mbarëkombëtare, por deri kur?  Unë nuk e di se ku e gjeni ju forcën morale – si udhëheqës të atij vendi – që haptas të vazhdoni të mbroni një regjim gjakatar siç ishte komunizmi.    Nostalgjikët e komunizmit shqiptar ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura përgjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, me të cilin ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.

 

Heret ose vonë, shoqëria shqiptare do të ketë një “zgjim të ndërgjegjes kolektive”, përsa u përekt krimeve të komunizmit. Por në këtë ndërkonë, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja duke mbrojtur një regjim që nuk mund të mbrohet — ju nuk i bëni nder as vetes, as Kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur peng Shqipërinë e mjerë, larg Evropës ku e ka vendin e saj të denjë dhe larg vlerave perëndimore.  Ndërkohë që me deklatrata e juaja, në favor të komunizmit,viktimat e atij rgjimi po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën në mbrojtje të atij regjimi diktatorial.  Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës Katolike dhe të Kombit – të cilët do të kujtohen javën që vjen — por të gjitha viktimat e tre feve kryesore në Shqipëri, nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve shqiptarë —  tani bota e njeh pak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.

Për 30-vjetë tani, jo vetëm historia e Kombit shqiptar pret përgjigje prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve due pjesëmarrësve në këto krime   të institucioneve të dhunës komuniste. Presin përgjigje gjithashtu edhe martirët, në ditën kushtuar atyre me 5 Nentor, 2020.  Ata duan dhe kërkojnë të dinë pse-në. Duan të dinë pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit me deklaratat e papërgjegjshme të nostalgjikëve të regjimit enverist, madje edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit e të qeverisë shqiptare? E gjithë kjo ndodhë në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarësimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO, ndërkohë që botës i japin mësime për demorkaci e tolerancë dhe bejnë thirrje botës për  gjoja, “ ndërgjegje kolektive” ndaj së kaluarës.

 

Vetë martirët e Kishës Katolike shqiptare në ditën e tyre me 5 Nentor, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime ndaj askujt, pasi në prag të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por martirët e pafajshëm u kërkojnë sot autoriteteve shqiptare, zbulimin e të vërtetës ndaj të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës – kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre në shekullin XXI – në emër të të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:

“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit. Ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi?  Por nuk ka gjâ, mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut!”. (Marrë nga vepra “Çinarët” e françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, nga Radio Vatikani).

Ka ardhur koha për veprim.  Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta propagandistike boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra, se më në fund, pas 30 vjet postkomunizëm jeni gati – personalisht, institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni, të pranoni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerëzore të regjimit të Enver Hoxhës.  Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre” dhe siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan Shtetit, Mike Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit, “Duhet të garantohet siguria e çdo personi, për të mundësuar që të gjithë të jetojnë krah për krah në paqe”, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose pikëpamjesh politike. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve!

Kthejani pra, dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë Kombit shqiptar duke i bërë “thirrje ndërgjegjes sonë kolektive” për përgjegjësitë që mban historia e kaluar komuniste dhe udhëheqsit aktualë të shtetit shqiptar ndaj viktimave të pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës.  Unë jam i bindur se, eventualisht, edhe në Shqipëri, më në fund, “E vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”. (Vaclav Havel.)

Martirët e lumtur të Shqipërisë

 

 

*Skicat më poshtë, të botuara një vit më parë, hedhin pak dritë mbi kampet e vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës.

 

Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht kampi famëkeq në Tepelenë, është njëri prej tyre.

 

Modeli i femres ne lidershipin politik shqiptar! Nga Iris HALILI

Duket sikur dy jane modelet kryesore te femres ne lidershipin politik bashkekohor shqiptar. I pari eshte ai qe imiton teresisht liderin mashkull qe e ka thirrur kete femer si pjese te grupit politik dhe une do ta quaja kete lloj modeli “KOPJA”. Modelin e dyte une do e quaja “HIJA”, pasi eshte vetem nje hije e liderit mashkull qe i ka bere ftesen ne politike.

Grupi i pare “Kopja” eshte me i rralle, por me i zhurmshem dhe i pranishem ne publik. Keto femra sapo mendojne te hyjne ne rradhet e lidershipit politik gjejne si forme te vetme suksesi imitimin deri ne detaj te liderit mashkull qe perfaqesojne. Keto “kopje” i kemi njohur dhe po i shohim çdo dite se si transformohen duke u kthyer ne te vrazhda dhe me nje force qe me shume se natyrale eshte e imponuar nga imitimi i natyres mashkullore. Ky lloj lidershipi i femres ben karriere te shpejte ne politiken shqiptare. Trashe zerin, ngre zerin, forcon pozitat dhe ja me ne fund eshte atje ku do, ne maje te piramides. Ne nje shoqeri maskiliste sikunder ajo shqiptare, roli i protagonistit i takon mashkullit. Femres i takon vetem roli i dyte. Ndaj e qete ne dukje, por plot ankthe ne vetvete, ajo vazhdon rrugen e imitimit te mashkullit dhe qendrimit ne politike deri sa kryetari te vendose per vazhdimesine apo jo te karrieres se saj.

Modeli i dyte eshte “Hija”. Ajo eshte me pak e dukshme ne publik. Ky eshte modeli i politikanes femer qe rri ne heshtje dhe trashegon keshtu arketipin e te qenurit gjithmone ne hijen e burrit te shtepise, kupto liderit mashkull, ku respektimi i vullnetit te burrit eshte pjese thelbsore e mbijeteses.Ky lloj modeli nuk ka aftesine qe te behet burrneshe, por gezon aftesine e vetepermbajtjes, mosdukjes, mungeses se protagonizmit aq sa dikush mund te pyese : “Jane apo nuk jane ne Parti, jane apo jo ne Parlament, jane apo jo ne Qeveri?”. “Hija” nuk ka forcen e imitimit, por njelloj sikur “kopja” e ka te forte forcen e ambicjes.

Fatkeqesisht si “kopjet” edhe “hijet” jane dy modelet mbizoteruese qe ofron sot ne politike lidershipi i femres shqiptare. (me disa perjashtime sporadike..) dhe te dyja modelet jane prodhim direkt i “fabrikes’ se politikes maskiliste te tranzicionit.

Per aq kohe sa femra ne politiken shqiptare ende nuk e ka gjetur rrugen e te qenurit vetvetja pa qene nevoja te jete hije apo kopje, te proklamosh se duhen kaq apo aq femra ne drejtim do te thote te shtosh numrin e ketyre tipave qe sapo folem. Ne nje shoqeri ku femra qe te mund te pranohet ne politik duhet te imitoje deri ne verberi burrat me pushtet, te perunjet dhe behet hije deri ne nenshtrim, serisht per hir te ketij pushteti, une mendoj se ajo qe ka humbur me shume eshte serisht modeli i femres shqiptare ne lidership. Fatkeqesia me e madhe eshte se keto modele po edukojne nje shoqeri te tere femrash qe ambicjen per lidership politik po e shohin tek imitimi i ketyre modeleve ku imitimi pa autenticitet dhe nenshtrimi pa kushte jane modusi i vetem drejt karrieres politike.

Ne shekullin e 21, femra ne politiken shqiptare duhet te zhvishet nga modelet e kopjes apo hijes dhe te marre vertet rolin qe i takon sipas modelit autentik, transformues dhe shpirteror qe na ka lene trashegimi liderja femer me e madhe e te gjitha koheve , e njohura boterisht dhe krenarisht bashkekombesja jone, e Shenjta Nene Tereza. Nderkohe nje model i shkeqyer i femres ne politke eshte ai i Musine Kokalarit , e para femer shqiptare shkrimare dhe politikane, elitare, dinjiotze ne mbrojtje te ideve te saj antikomuniste dhe demokratike. Ky qendrim e beri te provoi jeten e ferrit komunist, por ajo nuk u dorezua dhe keshtu fitoi perjetesine dhe respektin qe do gezoje nder breza. Gjithashtu nder modelet e arrira te femrave ne politken shqiptare mund te kujtojme pershembull Dr. Rushen Golemin, perfaqesuese ne parlamentin e pare demokratik(1991-1997). Ndonese jo me pervoje politike dhe pa pasjen e informimit qe ka sot femra shqiptare, ajo u prezantua si nje zonje vertete pa qene nevoja as te cirej, as te imitonte dhe as te bente parade. Me fjalen e saj te mencur dhe qe zinte vend sa here merrte ne dore mikrofonin ajo ka mbetur si nje ikone e femres ne lidershipin politik shqiptar. Arritja qe ajo kishte ne karrieren profesionale si kirurgia e pare shqiptare si dhe empatia e vecante qe e karakterizonte e ndihmuan edhe me shume te ishte e nderuar ne politike. Duket se ne rastin e Dr. Golemit ishte politika qe perfitoi nga emri i saj, sikur perfitoi edhe nga emri i Marieta Zaces apo Arta Dades. Keto deputete mbeten vetvetja deri ne fund. U prezantuan me emrin dhe profilin e tyre dhe dhuruan modele autentike.  Nderkohe mospranimi qe ndjekesit po i bejne sot Jozefina Topallit eshte nje kembane e qarte per te gjitha femrat e politikes shqiptare apo ato qe aspirojne te hyjne ne te. Si nje prezantuese e modelit te “Kopjes”, Jozefina ishte dhe mbeti pa autenticitet, (Vendin e saj sot e ka zene Spiropali) . Si e tille ajo kurre nuk arriti t’i beje ndjekesit ta duan apo vleresojne pertej pushtetit apo pozites qe ajo pati apo ju dhurua. Fati i modeleve ‘kopje” apo “hije” eshte se ato e humbasin vemendjen e ndjekesve sapo dalin nga logoja e partise.

Keto modele duhen te kuptojne ( gjithmone nese mundin te kuptojne ) se eshte shume me mire nje ze i vertete, sesa kopja apo hija e zerit te tjetrit; me mire nje “like” e sinqerte, sesa mijra ‘like” sot dhe miliona sharje neser. Si “Kopje” apo “Hije” do te duhet te mbash peshen e tjetrit, dhe ajo eshte e rende dhe shpesh nuk je direkt pergjegjese. Kur je vetvetja, kur ofron modelin personal edhe ne mos qofsh e persosur te pakten je autentike dhe mbi te gjitha mban vec barren apo hijen tende!!

@ Iris Halili

Tetor 30, 2020

Kush ka një grim ndërgjegje Nga Elida Buçpapaj

Kush nuk ka provuar vuajtje, tortura, persekutime, dhimbje

kur të tjerët vuanin dhe i provonin të gjitha poshtrimet e sistemit monstruoz-

kush ishte fatlum në kohën e djallit, ta quajmë kështu

nuk mund të bëjë avokatin e atyre që shkaktuan dhimbje

dhe viktima.

Nëse ka një grim ndërgjegje duhet të bëjë

avokatin e viktimave.

Dhe e ka të ndaluar nga morali humanist

t’i riakuzojë viktimat kur tregojnë

vuajtjet e jetës së tyre dhe të familjarëve të tyre

nën indiferencën diabolike të spektatorëve!

I mbijetuari i Holokaustit Elie Wiesel për indiferencën

për “syrin qorr”,  “veshin shurdh” “gojën e kyçur”

“xhepin plot” e “gjoksin me dekorata”

thosh se “indiferenca është dora vetë mishërim i qoftëlargut”.

Elie Wiesel ishte kundër heshtjes dhe gjoja asnjanësisë :

“Unë jam betuar”, thosh ai se nuk do të hesht kurrë.

Ne duhet të marrim anën e viktimës.

Neutraliteti ndihmon shkaktarin e vuajtjeve, kurrë viktimën.

Ndërsa heshtja inkurajon torturuesin, asnjëherë të torturuarin ”.

 

 

Presdenti  A.Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën , sepse është problem kolonial i pazgjidhur (1912-2020)! – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI         

Barometri diplomatik

 

 

*** Daniel Server me të drejtë dhe në mënyrë të peshuar  ka nxjerrë  këtë konkluzionin politik objektiv se: “Të gjithë politikanët në Serbi duhet kuptuar se kurrë më  nuk do ta qeverisin Kosovën. Për këtë arsye,  edhe  do të duhej ta njihnin sovranitetin dhe pavarësinë e saj, si kusht për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Politikanët në Serbi janë të vetmit që ende përdorin çështjen e Kosovës për të fituar disa pikë politike dhe për të shpërqëndruar vëmendjen nga situata e keqe ekonomike në Serbi”.( https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1411668/server-vuciq-nuk-do-ta-njohe-kosoven-me-perpara-ka-gjase-qe/

 Mirëpo, me gjithë këtë konstatim vlerësues të Prof.Dr. Daniel Server, se  “Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën”, duhet theksuar se, jo  vetëm presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq, por anjë president tjetër, që do të vijë pas tij, dhe, madje, asnjë serb nuk do ta njohë Republikën e Kosovës, sepse  thjesht nuk guxojnë nga Kisha ortodokse retrograde serbe, si dhe nga forcat ekstremiste-reaksionare-fashiste dhe nacionalshoviniste  serbe, të cilat ushqehen me mitet etnocentriste dhe me historinë e rreme falsifikatore serbomadhe, se gjoja “Kosova është djepi dhe koka e Serbisë”.  Këtë histori të falsifikuar, së pari e ka shkruar Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka meritat kryesore politike për formimin e  autonomisë nën Perandorinë Osmane,  dhe  më pastaj, edhe për pavarësinë e Serbisë në Kongresin e Berlinit (1878).

Ky është problemi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë (1912-2020). Ky problem është tejet serioz dhe i ndërlikuar, sepse deri më sot as Beogradi, as Tirana, as Prishtina, as Brukseli e as Nju-Jorku (OKB) , të paktën as që e kanë evidencuar dhe emërtuar si problem kolonial për zgjidhje, që do të thoshte dekolonizimin e Kosovës nga Serbia kolonialiste. Derisa ky problem kolonial nuk vihet në tryezën e gjelbër diplomatike  të Bashkimit Evropian  dhe të OKB-së, në formë të ndonjë konference multilaterale  evropiane  ndërkombëtare,   dekolonizimi i Kosovës nga Serbia, do të mbetet një “vullkan” i rrezikshëm jo vetëm për stabilitetin dhe për sigurinë e Ballkanit, por edhe të vetë Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që mund të “përflakë” botën, ashtu sikurse dikur  Lufta e Parë Botërore (1914-1918), si shkak dhe pasojë e terrorizmit kolonialist gjeopolitik të Serbisë së Madhe.

Pra, ky problem nuk mund të zgjidhet as me marrëveshjen e Uashingtonit (4.IX. 2020) e as me bisedimet e Dialogut të Brukselit (2011-2020), sepse historiku i tij ka karakter kolonialist (1912-2020), i cili qe 100 vjet, e as sot, asnjëherë nuk është emërtuar, nuk është shtruar e as nuk është debatuar si i tillë as në relacionin   Shqipëri-Serbi, as në relacionin Kosovë-Serbi e as në kuadrin e OKB-së (1945-2020)  e as në kuadrin e Bashkimit Evropian (1957-2020).

 

Pa një konferencë ndërkombëtare, kolonializmi serb nuk mund të zhduket nga Ballkani

 

-Të paktën, qe 20 vjet rresht e kemi thënë se, pa oranizimin e një Konference Ndërkombëtare për dekolonizimin (shkolonizimin) e shqiptarëve dhe të territoreve të tyre etnike nga sundimi i egër kolonial serbo-sllav-bizantin, do të jetë i pamundur dhe iluzor normalizimi i marrëdhënieve ndëmjet shteteve ballkanike ( reciprociteti, stabiliteti, siguria dhe paqja).

Këtë, në një kontekst tjetër analitik , kur është fjala për arritjet e marrëveshjeve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, siç ishte ajo Uashingtonit , më 4 shtator 2020, Daniel Server (njohës i shkëlqyer i çështjeve të Ballkanit) ka pohuar se “Unë mendoj se e gjitha është një rrëmujë e hollë. Nëse vërtet dëshironi normalizim, duhet kuptuar se marrëveshja në Washington është vetëm një mjet fushate e Trump-it. Kjo marrëveshje nuk do të vlejë, përveç nëse zbatimi i saj shoqërohet me mbështetje të madhe. Deri më tani, nuk ka pasur pothuajse asgjë, ose shumë pak, përveç deklaratave nga dhomat e tregtisë. Kjo është vlera e vetme”.(Po aty:https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1411668/server-vuciq-nuk-do-ta-njohe-kosoven-me-perpara-ka-gjase-qe/  ).

Prandaj, po nënvizojmë se, çfarëdo që të jenë marrëveshjet ekonomike apo tregtare, të lidhura mes vendeve ballkanike (qoftë edhe në formë “minishengenësh” apo makroshengenësh” të Edi Ramës, të Zoran Zaevit dhe të Aleksandar Vuçiqit),  problemi kolonial i shqiptarëve nuk mund të zgjidhet pa mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare, ku do të debatoheshin problemet ndërterritoriale  ndërmjet vendeve ballkanike, sepse me     gënjeshtra, me iluzione dhe me mashtrime nuk zgjidhet problemi kolonial i shqiptarëve në Ballkan. Këtë liderët politikë shqiptarë, duhet ta kenë të ditur si në “grurë të kuq” si thotë një fjalë popullore.

Pa “shkundjen” e kolonializmit gjenocidal serbomadh,  Beogradi nuk do të heqë dorë nga Kosova !

Kjo mund të arrihet vetëm nëse shtetet e mëdha të Evropës Perëndimore së bashku me Amerikën dhe me Kombet e Bashkuara angazhohen seriozisht  për dekolonizimin  e Serbisë. Ndryshe , Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe se Ballkani nuk do të flejë i qetë nga  kanosja e një rreziku të tillë të vazhdueshëm nga Serbia.

Vërtet, kohëve të fundit, pas 4 shtatorit 2020, kur u lidh një marrëveshja ekonomike mes  Aleksandar Vuçiqit dhe Avdullah Hotit nën patronazhin e Richard Grenell-it, emisar special i presidentit  amerikan Donald Trump, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, po çohet “pluhur” i madh sidomos në masmediat serbe dhe në ato shqiptare ballkanike, si dhe në ato diasporë, se gjoja Marrëveshja e arritur mes Vuçiqit dhe Hotit, do të sjellë në  “njohjen “ e Republikës së Kosovës. Me gjithë këtë dëshirë të shqiptarëve dhe të miqve të tyre ndërmjetësues amerikanë dhe evropianë perëndimorë, kjo nuk ka për të ndodhur, duke qenë se Serbia edhe pas kryerjes së disa gjenocideve të saj në Kosovë (1912-1999), Kosovën e konsideron  ende si “koloni të saj”, edhe pse Kosova është njohur nga më se 100 shtete-anëtare të OKB-së (2008-2020). Kjo nuk vlen asgjë për Beogradin zyrtar, sepse Kushtetuta e Serbisë (2006) Kosovën e ka sanksinuar si  “krahinë të Serbisë”.

Sa më sipër, është momenti historik, që “timonierët e anijes” së Kosovës, të ballafaqohen me realitetin, duke nxjerrë mësime nga pësimet 20-vjeçare të deritashme, dhe të heqin dorë nga politika mashtruese dhe manipuluese me palën negociuese serbe në Dialogun e Bruselit (2011-2020), se gjoja atje Serbia do ta njohë Kosovën e pavarur. Kjo është një gënjeshtër sui generis, e pohuar me dhjetra herë nga liderët negociues shqiptarë të Kosovës.

Liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë, duhet të mposhtin frikën, dhe të ndryshojnë strategjinë e tyre për dekolonizimin e territoreve shqiptare në Ballkan

Në këtë kuptim të strategjisë antikoloniale, nevojitet të emërtohet, të shtrohet dhe të debatohet edhe problemi i  Kosovës, i Preshevës, i Bujancit dhe i Medvegjës. Ndryshe, çdo qasje tjetër, Serbisë i jep të drejtë  të mos heq dorë nga politika dhe nga diplomacia e saj kolonialiste ndaj këtyre vendeve të Shqipërisë Etnike, me rrezik, që  të shpërthejë ndonjë luftë e re, nëse Serbia nuk ndëshkohet si fuqi kolonialiste  nga ana e  bashkësisë  ndërkombëtare.

Pra, kush ia do të  mirën Kosovës, ka ardhur koha që liderët e Prishtinës dhe të Kosovës, të pohojnë para gjithë botës, se  Kosova nuk është kurrfarë “problemi minoritar serb” në Veriun e saj, por thjesht është problem kolonial 100-vjeçar (1912-1999).

Bëhuni trima  e burrëresha sikurse Prof.Dr. Luljeta Pula, e cila në Prill të vitit 1990  në RTV-në e Beogradit  ia përplasi në fytyrë  të vërtetën Slobodan Milosheviqit, se Serbia kishte helmuar nxënësit dhe studentët në Kosovë !

-Dhe, ja ka mbijetuar, edhe sot është gjallë në Kosovë, por jo as presidente, as kryeministre, as ministre, as ambasadore e as deputete, sepse guximi dhe heroizmi  i saj, tanimë qe 30 vjet “janë vrarë” nga nepotizmi, nga harresa, nga injoranca , nga lufta për pushtet, nga lufta për luks, për pasuri, për krim dhe për korrupsion. –Kështu, meritat e saj, në kohën, kur për një fjalë në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve në Kosovë, të shkonte koka, përfundoje në bërllok nga bandat piromane dhe terroriste barbare çetniko-fashiste serbe të regjimit të Slobodan Milosheviqit.  (Shih në : Debati Televiziv “Porota” Per Helmimet Ne Beograd, Prill 1990, I Transmetuar Ne Tere Jugosllavine )

-Edhe pse nuk ia njohim meritat njëri-tjetrit as para lufte, as  në luftë e as në paqe (gjë që ky fenomen primitv dhe iracional nuk është i pranishëm te popujt e civilizuar në botë), për hir  të gjakut dhe të sakrificave të të gjithë martirëve të brezave të Kosovës, që janë flijuar për Kosovë e për Shqipëri, ashtu sikurse së fundi (1991-1999) dëshmorët e heronjtë e UÇK-së me kryekomandanin e tyre të lavdishëm legjendar Adem Jashari,  ka rdhur koha që liderët politikë të ndërgjegjësohen dhe ta kuptojnë realitetin në të cilin po jetojmë, duke mos ushqyer iluzione dhe, duke e gënjyer popullin, se gjoja “Serbia  së shpejti do ta njohë Kosovën”. Kjo rrenë po ripërsëritet me dhejta e qindra herë nga liderët politikë të papërgjegjshëm (2011-2020).

Pra, ka ardhur koha, që t’i braktisim këto gënjeshtra politiko-propagandistike, t’i lëmë fyejt, defat, tupanat, kavallet, se në këtë mënyrë naïve apolitike, antihistorike dhe antikombëtare shqiptare nuk zgjidhet problemi kolonial i Kosovës, as i Preshevës, as i Bujanocit , as i Medvegjës, as i Iliridës, as i Çamërisë e as i Malësisë së Madhe nën Mal të Zi.

EKZISTENCA E KOSOVËS  DHE ZGJEDHJET AMERIKANE – Nga AGIM ALIÇKAJ*

Dëshiroj ta filloj këtë shkrim me vargjet e këngës së patriotit dhe këngëtarit folklorik legjendar Dervish Shaqa “ Pej qat sene që o kon Hyrrjeti, ksej Kosove kurrë

s’ju da gazepi”.

Dardania e lashtë ilire, Kosova e jonë e dashur dhe e shtrenjtë po vuan dhe rënkon. Pret dhe kërkon nga bijtë e bijat më të mirë të saj ta ndihmojnë dhe shpëtojnë nga shkatërrimi. I mallkon bijtë dhe bijat e saj të këqinj, politikanët e këqinj të Kosovës të cilët vazhdojnë ta lëndojnë, vazhdojnë ta rrjepin, të gatshëm edhe ta shesin për interesa të tyre të sëmura personale. Si është e mundur që populli i lashtë pellazgo-iliro-shqiptar, më i vjetri në Ballkan, me traditë dhe vlera të larta njerëzore, me mirësi dhe virtyte të thella, të katandiset në një gjendje kaq të mjerueshme?!

Serbia një shtrigë e vjeter, simbol i urrejtjes, pamëshirës, grykësisë, shpirtëvogëlsisë dhe vlerave jocivilizuese, e përkrahur nga Rusia, vazhdon pandalë veprimet armiqësore ndaj Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Jo vetëm që nuk pendohet për krimet monstruoze, por gënjen, beson dhe propagandon se ajo është viktima. Si është e mundur që një shtet kaq primitiv dhe barbar të tolerohet dhe të përkëdhelet nga shtetet e civilizuara demokratike?!

Evropa si gjithmonë, e përçarë, e pavendosur dhe e paaftë për ta zgjidhë konfliktin e Kosovës me Serbinë, Gjermania, Britania dhe disa shtete të tjera të drejta mund ta përkrahin, por nuk mund t’i detyrojnë shtetet pro-serbe ta njohin Kosovën.

Amerika, vendi i demokracisë, drejtësisë dhe ruajtjes së rendit botërorë, është  shpresa e vetme e forcimit, ngritjes, shpëtimit dhe ekzistencës së Kosovës. Duhet punuar shumë ta mbajmë dhe ta avancojmë miqësinë e popullit shqiptar me popullin amerikan. Dashuria dhe respekti për Amerikën janë të sinqerta. Interesat afatgjate strategjike i kemi të përbashkëta. Moskuptimet dhe pengesat eventuale me zyrtarë të ndryshëm janë të natyrshme dhe nuk bën të na dëshprojnë, as të na dekurajojnë. Si në çdo shtet tjetër, edhe në Amerikë zyrtarët e përkohshëm mund të kenë interesa të përkohëshme. Dëgjueshmëria dhe nënshtrimi i plotë dhe pakushte ndaj kërkesave të tyre, kur ato janë haptas kundër interesave të Kosovës, siç ishte rasti me Ambasdorin Grenell, janë të panevojshme, poshtëruese dhe plotësisht të gabuara. Këtë po e bëjnë politikanët e korruptuar, dembela dhe karrieristë të sëmurë për pushtet. Paraqiten si “pro-amerikanë” me qëllim të mashtrimit të popullit në interes të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Amerika nuk ka kohë as interes për t’i kryer punët tona. Ne duhet t’i bëjmë vetë shtetet tona dhe përkrahja nuk do të mungojë. Në rast mospajtimi, nuk është mirë që zyrtarët amerikan të konfrontohen në mënyrë publike. Ata duhet ballafaquar me fakte dhe argumente, me respekt dhe në mënyrë diplomatike. Kritikat e hapura, edhe nëse janë të drejta, nuk janë frytëdhënëse. Këto kritika, në mbrojtje të interesave të Kosovës, duhet dhe mund t’i bëjnë votuesit shqiptaro-amerikanë të angazhuar në organizata të ndryshme në Amerikë, përfshirë ato partiake dhe lobiste.

 

Deri me 3 Nëntor Amerika është e preokupuar plotësisht me zgjedhjet e përgjithëshme dhe çdo gjë është në funksion të tyre. Kandidatët për President dhe Kongres, kanë nevojë për vota dhe përkrahje financiare. Ata po mundohen të sigurojnë vota dhe përkrahje kudo që është e mundur dhe  në këtë moment nuk ju intereson asgjë tjetër. Këtë po e dëshmon aktiviteti i Ambasadorit Grenell, i cili po bën ç’mos të sigurojë vota edhe nga serbët edhe nga shqiptarët. Marrëveshja e 4 shtatorit, përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli, ishte 100% në funksion dhe për interesa të kampanjës zgjedhore të Presidentit Trump. Arsyeja pse ai po e favorizon Serbinë është e thjeshtë dhe e qartë. Shovenistët serb i qiten vijat e kuqe duke ja bërë të ditur se nuk lejojnë kurrësesi të kalohen. Interesat shtetërore për ta janë të shenjta. Përfaqësuesit e Kosovës nuk paten vija të kuqe po vetëm të gjelbërta. Ata u treguan të gatshëm edhe ta shesin vendin e tyre për interesa personale.

Serbo-amerikanët dhe shteti serb janë shumë të organizuar dhe të orientuar në përkrahje të kandidatit Trump. Ata shpresojnë dhe besojnë se Trump do t’i ndihmojë në arritjen e qëllimeve të tyre për shkatërrimin e Republikës së Kosovës. Besoj dhe shpresoj se do të dëshperohen keq, edhe nëse fiton ai, sepse në mandatin e dytë eventual, Trump nuk do të ketë nevojë më as për serbo-amerikanët, as për shqiptaro-amerikanët. Ai do të sheh interesin e Amerikës, “America first”. Qëllimi dhe interesi serb është i ulët, i padrejtë dhe kundër interesave strategjike amerikane. Kërkesat e tyre jan anti-njerëzore dhe të parealizueshme. Natyrisht, kjo varet edhe nga aftësia për veprim e lidershipit  të Kosovës, si dhe veprimeve lobiste në Washington.

Situata me mërgatën shqiptare dhe shtetet tona është krejt ndryshe. Ne jemi të paorganizuar dhe nuk kemi strategji veprimi të përbashkët kombëtar. Politikanët shqiptar nuk i respektojnë shtetet e tyre. Forca e jonë qëndron në çështjen tonë të drejtë. Puna e jonë në Amerikë duhet të bëhet në dy drejtime, me të dy kandidatët për president dhe me të dyja partitë. Nuk është mirë ta shajmë njëri- tjetrin për përkrahje të njërit apo tjetrit kandidat. Më mirë  është të koncentrohemi në që vota jonë të ketë rëndësi.Shembull për këtë është veprimi profesional i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane të udhëhequr nga Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Liga e mposhti me turp Serbinë në Amerikë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nëse fiton Trump, ata të cilët e kan përkrahur dhe votuar, nuk bën të përulen për dukje dhe lavdata, por kanë obligim dhe përgjegjësi të kërkojnë nga Administrata e tij përkrahje për pavarësinë e Kosovës dhe çështjen shqiptare. Të tjerët, duhet të veprojnë dhe ushtrojnë presion në të nëpërmjet Kongresit Amerikan. E njejta gjë vlen edhe nëse fiton Biden. Meqë ai me dekada ka qenë përkrahës shumë i zëshëm dhe konsekuent i i Kosovës dhe e njeh shumë më mirë situatën në Ballkan, puna me administratën e tij logjikisht duhet të jetë më e lehtë. Sidoqoftë rezultati i favorshëm dhe fitorja përfundimtare varet nga ne.

Marrëveshja e Rambujesë ishte shumë e keqe për Kosovën. Pala kosovare nuk kishte rrugë tjetër pos ta nënshkruante sepse populli ishte i robëruar dhe në vuajtje të tmerrshme. Na ndihmoj fati që krimineli Milloshevic, i tërbuar nga urrejtja për shqiptarët, nuk pranoi ta nënshkruante, përndryshe Kosova do të mbetej përgjithmonë pjesë autonome  serbe. Marrëveshja e Presidentit Ahtisaari ishte po ashtu e keqe por pranimi i saj ishte e vetmja mënyrë për të arritur deri te njohja e pavarësisë nga Amerika, shtetet demokratike evropiane dhe botërore. Me te u bënë kompromise  shumë të dhimbëshme dhe më të mëdha të mundëshme. Nuk ka vend as mundësi as nevojë për kompromise shtesë ndaj Serbisë. Marrëveshja e Ambasadorit Grenell për kinse “normalizim ekonomik” është e favorëshme për Serbinë dhe nuk ka asgjë të mirë për Kosovën. Nuk mund të realizohet bashkëpunim ekonomik midis kriminelit i cili vazhdon të jetë kriminel dhe viktimës. Pritet të shuhet, sapo të përfundojnë zgjedhjet amerikane pa marrë parasyshë kush i fiton ato.  Kosova nuk bënë të pranojë  asnjë marrëveshje e cila e cënon pavarësinë, integritetin teritorial dhe sovranitetin e shtetit. Askush nuk ka të drejtë të nënshkruaj marrëveshje pa pëlqimin e popullit shumicë të Kosovës dhe nuk ka forcë në botë që mund ta detyron ate për ta pranuar kthimin e Serbisë në Kosovë. Më mirë është të mos ketë marrëveshje fare.

Populli i Kosovës është i lodhur nga gënjeshtrat, mashtrimet dhe dështimet, si dhe shumë i zemëruar nga veprimet e fundit jodemokratike të klasës së korruptuar politike. Vetëm zgjedhjet e lira mund ta qetësojnë, të krijojnë legjitimitet të vërtetë në qeverisje dhe ta shpëtojnë Republikën e Kosovës nga shkatërrimi. Besimi dhe shpresa është se populli shqiptar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri do të votojë për ndryshime. Me dy shtete të forta demokratike, popull shtetformues në Maqedoninë Veriore dhe të drejta të plota nacionale dhe njerëzore në Serbi, Mal të Zi dhe Greci, e ardhmja e popullit shqiptar të bashkuar në kuadër të Evropës së bashkuar është e sigurt.

 

 

 

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshillit të Vatrës.

Qeveria e Kosovës të protestojë zyrtarisht në Bruksel, jo në facebook – Nga SHABAN MURATI

Revanshi serb për shkatërrimin e shtetësisë së shtetit të pavarur të Kosovës vazhdon i shfrenuar. Më 28 tetor në tekstin e betimit të qeverisë së re serbe, të kryesuar nga Ana Bernabiç, deklarohet se qeveria betohet se do të ruajë me përkushtim Kosovën si pjesë e Serbisë. Të njejtin betim anti Kosovë bëri edhe presidenti serb Vuçiç, kur u zgjodh president më 2017. Qeveria e re serbe e bëri këtë betim kolonialist për aneksimin e Kosovës pas rifillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel me ndërmjetësimin e BE dhe një ditë para raundit të ri të bisedimeve në Bruksel në 29 tetor.

Qeveria e Kosovës, në vend që në shenjë proteste të anullonte këtë raund bisedimesh me Serbinë, dhe në vend që në kanale diplomatike të ngrinte në këmbë kryeqytetet perëndimore për këtë rrugë të rrezikshme, ku Serbia po e fut dialogun, mjaftohet me një reagim në facebook të një zyrtari të saj. Diplomacia kërkon protesta zyrtare në Bruksel, ku duhet të shkundet BE për qendrimet recidiviste koloniale të Serbisë dhe për qendrimet e papranueshme proserbe, që po manifeston hapur i dërguari i posaçëm i BE, Lajçak.

Diplomacia e BE nuk lexon facebook-un e babës së vet dhe jo të lexojë atë të zyrtarëve të dorës së dytë në Prishtinë. Qeveria dhe diplomacia e Kosovës duhet të përplasin këmbët në Bruksel, në Uashington, në Berlin, në Paris dhe kudo, që të dëgjohet zëri dhe protesta e saj për çdo akt dhe hap të Serbisë kundër shtetit të pavarur të Kosovës.

Nëse politikanët e Prishtinës në vend që të mbrojnë Kosovën e rrezikuar, po angazhohen më shumë për ndarjen e kolltuqeve të ardhshme, nuk bëjnë gjë tjetër veçse inkurajojnë Vuçiçin dhe Bernabiçin të legalizojne ambicjet e tyre kolonialiste ndaj Kosovës.

NJË  JETË  NË  DIKTATURË: TEPELENA DHE TMERRET E SAJ TË PËRBINDËSHME – Nga EUGJEN MERLIKA

 

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

NDRE  MJEDA

 

TEPELENA DHE TMERRET E SAJ TË PËRBINDËSHME

 

Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njerit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrënqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.

Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e  demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aqë shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme ( besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numuruar.

Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brëndëshme, familjet  e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri.

Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, sëbashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye sëbashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhëtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…

Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, goricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjërësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditëshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.

Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrënqeth  kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.

Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes.

Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marredhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë?  Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvaitianeve të përdhunuara nga idhtarët e Sadam Hysejnit.

Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte  përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.

Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rrjeshti me shoqet për në mal…

Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim,  por urdhëri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysëmshekulli.

“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm”  t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithshka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aqë mirë kollosi Dostojevski, duke parahikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.

 

Grabian, qershor 1990

Vijon

FALËNDERIM ZONJËS MERKEL, KANCELARES SË REPUBLIKËS GJERMANE – Nga Thanas L. Gjika

Para disa ditësh Zonja Merkel deklaroi botërisht se Europa i ka një borxh shtetit shqiptar të cilin e krijoi te cunguar. Ky është i vetmi shtet në Europë që rrethohet nga të gjitha anët me banorë që flasin të njëjtën gjuhë. Duhet krijuar shteti kombëtar shqiptar, ku të bashkohen territoret shqipfolëse…

Kjo deklaratë e Zonjës Merkel tërthorazi i thotë Z. Putin se diplomacia rusomadhe ka qenë shkaktarja qe nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar më 1912-1913 kur presionet e Rusisë Cariste detyruan Fuqitë e Mëdha të Europës të krijonin një shtet të cunguar shqiptar duke i dhënë Serbisë territore që nuk banoheshin prej serbesh, por prej shqiptarësh e maqedonobullgarësh. Pra, Z. Putin duhet të kuptojë se dhe Rusia i ka borxh Shqipërisë mosrealizimin e shtetit kombëtar shqiptar që 110 vjet më parë. Dhe si udhëheqës i Rusisë, shkaktares së kësaj vonese, ai duhet ta këshillojë deri në detyrim qeverinë e Serbisë që të mos bëjë më përpjekje për ta shtyrë shlyerjen e këtij borxhi ndaj popullit dhe shtetit shqiptar, fqinjit të tij.

Ndërkohë, deklarata e Zonjës Merkel kuptohet se u tërheq vëmendjen pushtetarëve të Shqipërisë e të Kosovës dhe drejtuesve të partive politike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi që të krijojnë një strategji të përbashkët për të ecur drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, ku të përfshihen gjithë territoret ku flitet gjuha shqipe.

Mjaft humbët kohë zotërinj politikanë e partiakë me luftë interesash personale duke e maskuar me luftën partiake, se në Shqipëri nuk ka parti vërtet atdhetare që t’ju luftojnë juve. Punoni për realizimin e këtij plani strategjik, sepse e nesërmja e afërt nuk do t’ju falë e do t’ju dënojë si tradhëtarë.

Edhe për krijuesit shqiptarë kjo deklaratë nënkuptohet se është një thirrje për t’u larguar nga nostalgjia komuniste dhe nga shërbimi i maskuar ndaj partisë politike në pushtet. Qartësohuni se komunizmi dhe enverizmi ishin armiq të nacionalizmit dhe u përpoqën ta përjetësonin coptimin e popullit shqiptar në disa shtete.

LIRIA E FESË, PËRPARËSI E RËNDËSISHME E POLITIKËS SË JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA – Nga Frank Shkreli

 

27 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare për vitin 2020. Ka mbetur vetëm një javë deri në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që vlen të theksohet se avancimi i lirive në përgjithësi dhe në veçanti i lirisë fetare, në nivel ndërkombëtar, duhet të jetë një prioritet mbi partiak.  Administrata e ardhëshme, cilado qoftë ajo, duhet të vazhdojë t’i japë përparësi lirisë fetare anë e mbanë botës. Status quo-ja për shumë komunitete fetare të pambrojtura, në të gjithë botën, është një krizë që nuk duhet të tolerohet, thekson në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare, Instituti (Amerikan) për Lirinë e Fesë.

 

Historikisht, megjithëse me disa ndryshime në politikën e tyre, përfshir sukseset dhe dështimet në mbrojtje të lirisë së fesë gjatë viteve e dekadave – administratat amerikane të njëpasnjëshme kanë  mbrojtur due kanë avancuar lirinë e fesë, si pjesë të pandarë të politikës së jashtme amerikane.

 

Edhe Administrata aktuale, nepërmjet një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Michael Pompeo u angazhua dje se liria e fesë, “Do të mbetet gjithmonë -një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA”.

 

“Njëzet e dy vjet më parë si sot, Shtetet e Bashkuara miratuan Aktin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare të vitit 1998”, tha Kryediplomati amerikan në deklaratën e tij me këtë rast,  “Duke ripohuar angazhimin tonë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën themelore të lirisë fetare për të gjithë njerëzit, kudo që ndodhen. Si pikënisje nga vizioni i themeluesve të Amerikës, qeveria jonë e kuptoi që një individ, pavarësisht nga feja apo bindjet e tij, duhet të jetë i lirë të organizojë jetën e tij, në përputhje me ndërgjegjen e tij.  Liria fetare dhe temat e tjera të dinjitetit njerëzor janë – dhe do të mbesin gjithmonë – një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA-ve.”

 

Në deklaratën e tij, Z. Pompeo përmend shkeljet aktuale sot të lirisë fetare në botë, duke venë në dukje, tre vende, dhunueset më të egera të lirisë fetare në botë, sipas tij –“Republika Popullore e Kinës, Irani dhe Korea e Veriut”, duke veçuar Kinën si dhunuesen më të egër të lirisë fetare, e cila thotë, Z. Pompeo,  “Ka kërkuar të zhdukë të gjitha format e fetare si dhe besimet që nuk përputhen me doktrinën e Partisë Komuniste Kineze”.

 

Lëvizjea globale për lirinë fetare është tani një realitet përfundon Z. Pompeo, “Një realitet plot diversitete rajonale, kulturore dhe politike – duke dëshmuar kështu për një të vërtetë universale, pa mëdyshje, se çdo person, kudo, ka të drejtë të besojë ose të mos besojë, të ndryshojë bindjet e besimit të tij, të deklarojë fenë e tij dhe ta përhapë atë ndër të tjerë.  Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë Fetare, Shtetet e Bashkuara janë krenare që promovojnë dhe mbrojnë lirinë fetare kudo, shkruan në deklaratën e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Lirisë Fetare 2020, Kryediplomati amerikan, Michael Pompeo.

 

Ndërsa në një deklaratë për median, Administratori në Detyrë i USAID-it, Z.  John Barsa  tha se “Qeveria e SHBA ka caktuar 27 Tetorin si Dita Ndërkombëtare e Lirisë Fetare në përkujtim të nënshkrimit historik të Aktit Ndërkombëtar të Lirisë Fetare (IRFA) në vitin 1998. Mbrojtja dhe promovimi i kësaj lirie themelore, në të gjithë botën, ka qenë parimi kryesor i diplomacisë amerikane dhe ndihmesës së jashtme, që prej atij viti.”  Drejtori në Detyrë i USAID-t tha se megjithëse është shënuar përparim, mbetet shumë për tu bërë në këtë fushë, pasi në dhjetë vjetët e fundit janë shënuar shkelje të rënda të lirisë fetare në një numër vendesh të botës dhe pothuaj kundër të gjitha feve, pa dallim.  Si përfundim, shtoi ai, “Presidenti Trump dhe Zevëndës presidenti Pence e kanë bërë përparimin dhe mbrojtjen e lirisë fetare në të gjithë botën, një përparësi të politikës së jashtme Amerikane.  Kjo është me të vërtetë liria e parë e Amerikës dhe USAID është krenar që luan një rol jetësor në ruajtjen e saj në të gjithë botën”, ka përfunduar Administratori në detyrë i USAID-it, Z. John Barsa.

 

Mbrojtja e lirisë  fetare në botë është mbrojtur gjithmonë nga Shtetet e Bashkuara, por është thekësuar më shumë sidomos që nga viti 1998 kur Presidenti demokrat Bill Klinton nënshkroi ligjin “International Religious Freedom Act” (IRFA) në vitin 1998.  Mbrojtjen e lirisë fetare në politikën e jashtme e vazhdoi edhe Presidenti republikan Xhorxh W Bush, duke u përqendruar në qeveritë që dhunonin këtë të drejtë dhe duke marrë masa për të përmirësuar gjendjen e lirisë fetare në ato vende.  Edhe Presidenti demokrat Barak Obama nënshkroi disa dispozita diplomatike për të bërë më të fortë ligjin e vitit 1998, të nënshkruar nga Presidenti Klinton.

 

Ndërkaq, Administrata Trump qershorin që kaloi nënshkroi në urdhër ekzekutiv për avancimin e Lirisë Fetare në nivel Ndërkombëtar, në të cilën është thenë se, “Liria fetare për të gjithë popujt anë e mbanë botës, është një përparësi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara do të respektojnë dhe do të promovojnë lirinë fetare, me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion.”

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë 2020, Instituti Amerikan për Lirinë e Fesë, mbështet promovimin e lirisë fetare nga administratat republikane dhe demokrate — tashti dhe në të ardhmen — duke thënë se, “Liria fetare në nivel ndërkombëtar duhet të jetë një përparësi për të dy partitë kryesore politike amerikane, jo vetëm për mbrojtjen e një numri të caktuar njerëzish që pësojnë persekutimin fetar sot, por edhe për stabilitetin e atyre shoqërive ku po ndodhin persekutimet, pasi promovimi i lirisë  fetare është gjithashtu edhe në favor të sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

MANIPULIMI NEVERITËS I STUDENTËVE – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

    Manipulimi i studentëve daton qysh në vitet `90-a, pra, me nismën e pluralizmit politik. Edhe pse e majta ekstreme e Kosovës, ishte minore në Kosovë, ajo nxitoi t`i fusë nën ombrellën e saj rininë studentore, për t`i përdorë, si marioneta, për interesat e saj të errëta. LPK-ja, përkatësisht, disa nga krerët e saj, të filtëruar, dyshueshëm, në udhëheqjen e saj, ndërhynë në udhëheqjen studentore. Devijuan rregulloren zgjedhore dhe sollën në krye të organizatës studentore “kuqaloshë”, duke zvetnuar, dukshëm, rolin pozitiv të kësaj organizate simpatike, që nga fund-vitet `60-a, deri ke `90-at.
     Në librin shkollor të historisë, për këtë pjesë të Ballkanit, autorët serbë bënë shtrembërime, falsifikime dhe fyerje raciste për shqiptarët. Pjesë e bashkëpunimit ndërballkanik, qe emëruar edhe Akademik Frashër Demaj. Megjithatë, ai nuk ishte anëtar i Komisionit hartues i librit në fjalë, ku shpërfaqet falsifikimi grotesk, për luftën e fundit në Kosovë. Autori serb, duke u shërbyer me gjysmë të vërteta, siç është analfabetizmi i femrave shqiptare, dikur, dhe deri ekstrem të pavërteta, siç është “Reçaku ishte aksident” dhe jo masakër!!
     Të gjitha këto trillime, të qëllimshme dhe shumë provokative, të autorit nacionalist dhe skajshëm racist, u kurdisën, madje, vrazhdësisht, sikur janë shkruar nga Akademik Frashër Demaj! Dyshimi filloi, kur mediat e ekstremit të majtë, këto trillime i vuri në vetën e parë, në pendën e Demaj!
     Pastaj, vazhduan shkrimet paushalle, pa lexuar fare librin, pa dëgjuar prononcimin demantues të Akademik Demaj. Fyerje e denigrime linçuese, kryesisht, nga partitë e ekstremit të majtë, të tubuar në PAN-in kriminal.
     Thirrjet për përjashtim nga Akademia, për distancim të LDK-së, meqë Frashëri është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe deputet i kësaj partie dhe deri protesta manipulative e një grupi studentësh, të porositur nga partitë e PAN-it, të cilat, pavarësisht koalicioneve hiç parimore, duan rrënimin e LDK-së, qoftë edhe me goditjen e kuadrove të saj, siç është rasti i Akademik Demaj.
     Përpjekja e denigrimit familjar e personal të Akademik Frashër Demaj, gjithësesi, është e dështuar. Sepse ai rrjedhë nga një familje kaçakësh, e dëshmuar për qendresë e kundërshti, që nga pushtimi turk; mbretërisë serbo-sllave; Jugosllavisë komuniste e deri ke Serbia  fashizoide.
      Profesor Demaj, në bashkëpunim me Akademinë dhe Institutin Arkeologjik, është angazhuar që kishat shqiptare, të përvehtësuara, nëpërmjet dokumentacionit të falsifikuar, nga serbët, natyrisht, me ndihmën e pushtetit, të jenë, sërishmi pronë e komunitetit shqiptar. I tillë ishte rasti i Manastirit të Studenicës, komuna e Istogut, kur verën e shkuar u shkaktua një incident, në mes të pelegrinazhit të serbëve nga Beogradi dhe vendorëve. Me nismën e Akademik Demaj dhe Shoqatës të Historianëve të komunës të Istogut, me kryetar Isuf Mavraj, është organizuar Seminari shkencor dhe u  dëshmua me fakte se Manastiri në fjalë është trashëgimi iliro-romake.
     Ngjashëm me Akademik Frashër Demaj, po kërkohet linçimi i profesor Qëndrim Gashit, ambasador në Francë. Edhe ai akuzohet sikur është autor i një shkrimi dhe i dy karikaturave të shënjetorit islam, Muhamedit. Ndërkohë që ambasadori Gashi kishte bërë vetëm detyrën informative, si ambasador, për shqiptarët, duke postuar në Twiter artikullin e botuar, më parë, në prestigjiozen franceze “Le Figaro”, së bashku me dy pikturat të revistës saterike “Charlie Hebdo”.
     Prerja e kokës dhe nxjerrja e syve të një profesori freng të historisë të Shkollës së Mesme, pse ai foli për lirinë e fjalës, duke përmendur ngjarjen makabre, vrasjen e 11 anëtarëve të Redaksisë Charlie Hebdo”.
     Kosova është shtet sekular. Populli i saj e di edhe historikun e religjionit të tij. Matrapazë e sharlatanë, të infektuar me ideologjizmat shpellare, kurrë nuk do të arrijnë të imponohen me rrymëzat fetare të shkretanëve të shkretëtirave arabike. Aq më pak mund të flasin në emër të popullit. Partizat për “Drejtësi” dhe “Fjala”, e kanë marrë përgjigjen nga populli dhe janë pa shpresë mbijetese.
     Makabriteti i ideologjisë së mykur talebane, të shitur, falsifikueshëm, si islamiste, e cila përgjaku Francën dhe botën përparimtare, shumë herë, është dëshmuar si regresive, anakronike e paradoksale, në kohë dhe hapësirë. Si e tillë, kërkon shpërfilljen, deri në përbuzje të shqiptarëve të kudondodhur. Përndryshe, me revanshin e saj, do ta linte në hije fashizmin dhe komunizmin.

Terrori fetar është më barbar – Nga Aurel Dasareti*

 

Feja, marrëdhënia e njerëzve me diçka jashtë realitetit, të cilën ata e konsiderojnë të shenjtë. Askush nuk bën një vepër të keqe në një mënyrë aq dashaligëse, të përkryer, patëmetë, me entuziazëm dhe me një buzëqeshje fillzezë, si kur bëhet nga bindja fetare. Kur feja vret dhe shtyp, ajo nuk duhet të lihet pa përgjigje. Duhet të kundërshtohet, bashkarish, që ligësia të largohet përgjithmonë.

***

A mundet dikush të fyejë Zotin?

Liria e shprehjes është një e drejtë njerëzore dhe parakusht për demokracinë. Është gjithashtu parakushti për lirinë fetare.

Zoti përcaktohet si i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm. A është atëherë e mundur ta “fyesh” Atë? A nuk është blasfemia një kontradiktë në terma? Blasfemia më e madhe është ndoshta kthimi i një Zoti të gjithëfuqishëm dhe të gjithëdijshëm në një zot “të ofenduar”, i cili ka nevojë për ndihmë njerëzore që t`i hakmerret dikujt. Kjo është e ngjashme me atë sikur një elefant i madh të ketë nevojë për ndihmën e një krimbi të cofët për të kaluar një lumë të cekët.

Në botën islamike, blasfemia mund të ketë dënimin me vdekje. Por a nuk duhet që një Zot i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm të jetë në gjendje të dozojë më mirë vetë dënimin, nëse ndihet i ofenduar, pa ndihmën e priftërinjve-hoxhallarëve  dhe klauzolat e ligjit penal? A nuk kundërshton kjo besimin fetar se në “jetën tjetër” do të japim llogari për pisllëqet tona, secili veçmas? Atëherë të gjallët dhe të vdekurit duhet të marrin gjykimin e tyre. A nuk mund të kishin durim priftërinjtë dhe hoxhallarët deri atëherë? Atëherë ata që kanë kryer blasfemi do të marrin atë që meritojnë: Tortura në ferr – përgjithmonë për ta, dhe më shumë se 72 virgjëresha të lira për besimtarët. Është një kohë mjaft e gjatë në ferr, për të thënë butësisht. Disa shkrimtarë mediokër shqiptarë kanë mbështetur pikëpamje të çuditshme mbi lirinë e shprehjes: “Mos ofendoni askënd, respektoni të gjithë njëlloj pa marrë parasysh kush është ai dhe si sillet, mos provokoni”. Përkundër faktit se provokimi nuk ka asnjë lidhje me lirinë e fjalës. Kjo është tradhti intelektuale ndaj atyre që me kalimin e epokave kanë sakrifikuar jetën e tyre për lirinë e fjalës (shprehjes). Gjurmët e gjakut dëshmojnë se sundimtarët fetarë dhe laikë janë ndjerë të provokuar.

Një “liri e shprehjes” (brenda kornizave civilizuese) që nuk fyen, lëndon ose provokon nuk është liri e shprehjes. Propozimet e “intelektualëve” (njërës që nuk kanë asnjë dituri në psikologjinë e sjelljes) për pengimin e lirisë së shprehjes, thënë më mirë, cezura e vetë-imponuar, u konvenon ekstremistëve fetarë dhe diktaturave (qofshin ato edhe komuniste), pikërisht ky është lloji i censurës që ata duan. Ekstremistët islamik e terroristët, dëshirojnë censurim që ia imponojnë vetvetes “idiotët e dobishëm” të cilët “logjikojnë” me ndjenja të pakuptimta e jo me arsye, prandaj edhe përpiqen ta arrijnë qëllimin me frikësim. Frika është një ndjenjë negative e fortë dhe e pakëndshme që një person përjeton kur sheh ose pret rrezik, qoftë i vërtetë apo joreal.

Për frikën që rëndojnë më shumë njeriun modern: Një nga më të mëdhatë është frika nga terrorizmi islamik, i cili shtyp tmerrësisht njeriun e sotëm. Menjëherë pas terrorizmit islamik qëndron frika nga armët atomike, dhe ky është ndoshta kërcënimi më i madh për civilizimin.

 

***

 

Liria e shprehjes është shtylla demokratike e shoqërisë perëndimore. Vlen për të gjithë.

 

Ekstremistët luftohen më mirë në mes të ditës. Jo të mbyllim sytë dhe zëmë veshët për të mos parë dhe dëgjuar ligësitë e tyre. Liria e shprehjes është një arsye pse shumë myslimanë ikën këtu në Perëndim nga shtypja në atdheun e tyre. Shikoni shoqërinë tonë (amerikane, australiane por edhe kanadeze, BE-së) dhe krahasoni. Liria e shprehjes jep liri të plotë fetare në Perëndim. Myslimanët e ardhur nga Azia dhe Afrika kanë të drejtat e njëjta si të krishterët vendas. Ata marrin mbështetje financiare nga shteti në të njëjtën bazë me krishterimin, pa asnjë diskriminim.

Sa vende myslimane mund të tregojnë një respekt të tillë? Kurani mund të blihet ose porositet në çdo librari Perëndimore. Është në dispozicion në bibliotekat tona. Në sa vende myslimane mund të thuhet e njëjta gjë për Biblën? Në Arabinë Saudite, Biblat konfiskohen në kufi. E përjetoni këtë këtu? Kushdo që beson se ka gjetur të Vërtetën e vetme është shumë i rrezikshëm. Prandaj, priftërinjtë dhe hoxhallarët janë të rrezikshëm kur janë fundamentalistë. Fundamentalistët nuk dyshojnë, ata nuk janë relativistë, dhe për këtë arsye “dialogët” kanë një vlerë mjaft të kufizuar.

Besimi dhe dyshimi nuk përputhen, plotësojnë njëri-tjetrin. Po qe se nuk dyshon as nuk mund të besosh siç duhet.

Emigrantëve të fesë myslimane, dua t’u them: A doni një liri të tillë të fjalës në Perëndim si në vendin dhe kontinentin nga ku ikët apo doni pushtet fetar? A e duan gratë myslimane në Perëndim pamjen e grave (mbulesat e detyruara) që mbizotëron në vendet e tyre? Nëse po, pse keni ardhur këtu atëherë?! Pse nuk shkoni në shtëpi?

***

Shpërdorimi i besimit: Në publikun tonë ekziston një rreth jo aq i vogël intelektualësh, profesorë, shkrimtarë, gazetarë, eseistë, sociologë të fesë që janë shumë të zellshëm në mbrojtjen e parimit të ndarjes së kishës nga shteti. Ata janë si në një roje të vdekur dhe nuk dështojnë të deklarohen në shenjën më të vogël të ndërhyrjes (negative) të komuniteteve fetare dhe fesë në jetën politike.

Për besimtarët normal, që nuk keqinterpretojnë apo shpërdorin fenë, Zoti është një. Baza e vlerave dhe etikës sonë është të ndërtojmë të ardhmen së bashku. Duhet të theksojmë qartazi se ekstremizmi dhe terrorizmi janë rreziqe që duhen luftuar ashpër, dhe se thelbi i tyre është në një individ apo një grup, si dhe trajtim i përciptë (anashkalim) në besim, dhe shumë shpesh në një mjedis të padrejtësisë dhe mosrespektimit të dinjitetit njerëzor. Pasuesit e Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit duhet të jenë në të njëjtën krah.

***

Sulmi terrorist islamik në 11 Shtator 2001 ishte sulmi më i gjerë terrorist në tokën Amerikane, në të cilin u vranë pothuajse 3,000 njerëz  (civil). Ky sulm terrorist ka një ndikim të madh në mënyrën se si Perëndimi, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, shikojnë dhe sillen ndaj këtij lloj terrorizmi.

Shërbimi i inteligjencës Perëndimore beson se “Al-Qaida ka kushte të mira rritjeje globalisht dhe tani ka një anëtarësim më të madh se kurrë më parë”. Kjo është situata pas gati dy dekadash luftë kundër rrjetit terrorist. Si përfunduam këtu? Si lindi al-Qaida në të vërtetë? Dhe çfarë është al-Qaida sot? Al-Qaida është një rrjet ndërkombëtar terrorist, themeluar nga Osama bin Laden në Peshawar në 1988.

 

***

Hoxhallarët ekstremistë shqipfolës, ata që me vite, të papenguar nga qeveritë e korruptuara mafioze-kriminale antikombëtare, pa ferra në këmbë apo prapanicë, i kanë hy këtij biznesi të lezetshëm për ta por vdekjeprurës për kombin dhe vendin, sepse rekrutuan ISIS dhe propagandojnë fenë sipas ligjit të shkretëtirës e jo sipas kodit tonë gjenetik, duhet menjëherë ta ndryshojnë kursin, me vullnetin apo pa vullnetin e tyre. Mos u mërzitni për çështjen e turqve, arabëve, pakistanezëve, somalezëve. Janë ato vende të mëdha me popullsi të panumërt, ne jemi vetëm një komb dhe vend i vogël autokton i kontinentit evropian, por mjerisht i copëtuar dhe përpara greminës. Mos harroni, ishin bombardimet e NATO-s së krishterë ndaj Serbisë gjithashtu të “krishterë” (zgjatën nga 24 marsi deri më 1 qershor 1999) që i dhanë fund masakrave dhe vuajtjes së shqiptarëve mysliman të Kosovës. Mos provokoni…

***

Gjyshi im beson se nuk ka asgjë të keqe në fe,  është shpërdorimi i feve që është negativi. Dhe, se fesë, duhet t`i japim vetë një interpretim të veçantë për ne si komb dhe kohën tonë, kulturën, gjuhën, traditat tona. Porse atëherë mund të bëhet e rëndësishme për ne.

Cili është shpërdorimi me një fe? Kjo është një çështje e përcaktimit, dhe përgjigja varet nga këndvështrimi i të anketuarit. Në vende, popuj, fe dhe kontinente të ndryshme – përgjigje të ndryshme.

Nëse më pyetni mua për këtë, unë vetëm mund të them se fetë bazohen në dogma, pretendime të pandryshueshme që dikush ka shpikur dhe të cilave masat (popullsia) duhet t’u nënshtrohen. Dogmat shpesh janë të bashkuara në një grup dogmash, një sistem gjithëpërfshirës, një “fe”. Këtu nuk duhet menduar, këtu duhet respektuar. Bërja e pyetjeve themelore ka një aluzion (fshehtësi) të blasfemisë në të.

Po të kishin mendime të tilla fetare vetëm për gjëra thjesht teorike (për shembull, sa engjëj mund të ulen në majë të një gjilpëre qepëse) nuk do të ishte aq e rrezikshme. Por fetë shpesh diktojnë në detaje se si njerëzit duhet të jetojnë, si të bashkëveprojnë me qeniet e tyre njerëzore, si të lidhen me komunitetin në të cilin jeni pjesë. Në këtë kontekst, bindja nuk është një virtyt, përkundrazi: bindja pa fuqinë korrigjuese të mendimit kritik është shumë e rrezikshme dhe mund të çojë në fanatizëm të verbër, në terror.

Në Shqipëri (ndryshe nga Kosova, FYROM-i dhe Kosova Lindore) feja është zhvendosur në periferi (shpresoj unë). Për fat të mirë! Aty ku nuk ka fe, nuk ka as pretendime për “abuzim” të fesë.

***

“Jam i bindur që të krishterët dhe myslimanët mund të punojnë së bashku në bazë të kontributeve shoqërore të bëra nga të dy fetë”,- tha Papa (në vitin 2009) pasi ai u kishte kërkuar konfesioneve fetare të punojnë së bashku, për të mbajtur të ndarë politikën dhe fenë.

Duhet pa mëdyshje të dënohet çdo formë e shtypjes së femrave, që shtypësit e “arsyetojnë” në botëkuptimin e tyre të fesë.

Ekstremizmi është kuptimi ekstrem i realitet apo veprimi ekstrem, ku dhuna (terrori) konsiderohet si një mjet i pranueshëm për të detyruar përmes ndryshimeve dramatike shoqërore, dhe të arrijnë qëllimet politike, fetare ose ideologjike.

«Besoj se feja bazohet kryesisht në frikë”- Bertrand Russell.

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Vehbi Skënderi – Nasho Jorgaqi dhe Kapllan Resuli – Nga Elida Buçpapaj

Ishte paradite kur ra zilja e telefonit. Nga ana tjetër ishte Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i Vaçe Zelës. Mund të ketë qenë viti 2002 ose 2003. Kishim pak kohë që punonim nga shtëpia dhe nuk shkonim në redaksi. Edhe prej volumit të ngarkesës, edhe për t’i patur fëmijët përpara syve, megjithëse të dy djemtë rriteshin nën kujdesin shembullor të prindërve të mij.

Puna tek gazeta BotaSot na mbante gjithë kohën nën trysninë e ngjarjeve dhe lajmeve. Shkruanim çdo ditë kolumna, Skënderi si kryeredaktor kishte plus edhe editorialin e gazetës, kalonte të gjitha shkrimet që vinin nga autorë, ndërsa mbulonim rubrikat e tjera, përkthenim lajme, i redaktonim, ua përshtasnim titujt, që të ishin sa më shprehës. Në Kosovë luftohej, në Maqedoni luftohej, në Luginën e Preshevës luftohej. Ne ishim si gazetarë të luftës, i mbulonim konfliktet duke marrë në mbrojte shqiptarët. Por situata bëhej dramatike nga segmenti ekstremist i luftës në Kosovë që i kundërvihej me të gjitha mjetet Ibrahim Rugovës duke shfrytëzuar lidhjet me Tiranën zyrtare.

Tri vitet e para udhëtonim çdo ditë nga qyteza jonë deri në redaksinë e Bota Sot në Zürich, ku startuam në prag të agresionit të makinerisë kriminale serbe kundër familjes së Adem Jasharit. Për të fituar kohë shfrytëzonim edhe rrugën vajtje-ardhje. Gazetat dhe revistat e ditës i blinim në stacionin e trenit në Bazel dhe i shfletonim gjatë udhës me trenin që mban emrin Johanna Spyri, autorja e Heidit. Në redaksi mbërrinim rreth orës 10:00. Ishim të angazhuar deri sa përfundonte gazeta e nisej për shtyp për botimin e Europës dhe Kosovës. Në redaksi hanim edhe drekën, edhe kafetë i pinim aty që i sillnim me termus nga shtëpia. Në shtëpi ktheheshim nga mbrëmja. Mbi katër orë në ditë na shkonin udhëtimet e përditëshme në trena e trama.

Pastaj vendosëm të punonim nga shtëpia. Skënderi komunikonte gjatë gjithë ditës me botuesin Xhevdetin, ndërsa Llukman Halili, kolegu ynë i ndjerë, ishte ndërmjetësi mes nesh dhe redaksisë së Prishtinës.

Kur ra zilja e telefonit u përgjigj Skënderi. Pjetër Rodiqi i tha se kishte në shtëpi Profesor Nasho Jorgaqin, i cili dëshironte të pinte tek ne një kafe. Skënderi iu përgjigj menjëherë bujrum, mirë se të na urdhëroni. Pastaj i tregoi tim eti, Vehbi Skënderit i cili u gëzua. Tim eti i mungonte rutina e Tiranës, me miqtë, bibliotekën, kafetë. Tirana i mungonte me gjithçka, me të mirat e të këqijat e veta, mungesë që ai e plotësonte duke iu përkushtuar krijimtarisë poetike dhe publicisitike që e botonte tek Bota Sot e rritjes së dy nipave të tij.

Shtëpia e Pjetër Rodiqit dhe Vaçes në Bazel ishte një derë e hapur që gjithmonë kishte miq. Kështu e kishin edukuar edhe Irmën, vajzën e tyre të vetme. Kemi kaluar mbrëmje të bukura në shtëpinë e tyre, kur Vaçja nuk ishte sëmurur ende, por edhe pasi u sëmur. Vaçja na donte të dyve, në mënyrë të përveçme. Kishim një miqësi të krijuar prej Shqipërie, të pastër, të sinqertë, të rrallë.

Me makinë nga shtëpia e tyre deri tek apartamenti ynë ishte jo më shumë se dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta.

Nuk kaloi pak dhe ra zilia e derës. Skënderi zbriti poshtë dhe i solli në shtëpi të dy miqtë. Im atë, Vehbi Skënderi i mirëpriti në atë mënyrën e tij gjithë entuziazëm. Skënderi në mënyrën e tij malësore, edhe unë po ashtu me shumë dashamirësi. Ime më  kishte patur orar tek dentisti për protezat dhe nuk u ndodh aty.

Takimi ishte shumë i ngrohtë. Asnjëri prej ne të treve nuk kishte kujtime të trishta me Profesor Nashon. Të paktën Skënderi dhe unë. Ne të dyve na kishte dhënë Letërsinë Shqipe të Periudhës së Pavarësisë. Kuptohej lehtë që e adhuronte Lasgush Poradecin. Përveç veprës së Nolit, kishte botuar edhe një libër për Qemal Stafën, heroin e adoleshencës sime. Më vonë, pas rrëzimit të diktaturës, kur intervistova Drita Kosturin, të burgosurën politike dhe të fejuarën e Qemal Stafës, mësova me detaje se vrasja e Qemalit ishte vepër e diktatorit.

Profesor Nasho kishte botuar edhe “Mërgatën e Qyqeve” rreth mërgatës shqiptare në kohën e regjimit komunist. Me “Mërgatën…”kishte shfaqur profilin e një 007 të shërbimit të fshehtë të diktaturës, fakt që e dinin pak a shumë të gjithë. Ndërsa ishim duke i pritur të vinin, bashkë me tim atë dhe Skënderin bëmë pak humor, duke krijuar analogji të mërgatësë së atëherëshme me mërgatën e re që u krijua pas vitit 1997, pjesë e së cilës tashmë ishim edhe ne.

Pasi miqtë u rehatuan, filluan bisedën që po zhvillohej mes të treve, sepse Pjetri pothuaj nuk po përfshihej fare. Edhe unë po ashtu. U shërbeja dhe dëgjoja.

Papritmas Profesor Nasho iu kthye tim eti: “Vehbi, e ç’të lidh ty me Kapllan Resulin, një njeri të Serbisë?!”

Im atë ngriu. Sikur edhe ne. Ishte një pyetje që erdhi papritur, jashtë imagjinatës, jashtë kontekstit të bisedës, të mallit, të çmalljes. Ishte një pyetje pa asnjë lidhje. Që sillte jehonën e viteve të zeza që i detyroi rishtas shqiptarët t’i iknin Atdheut.

“Po, unë ç’ne me Kapllan Resulin???”, pyeti në mënyrë shumë të sjellëshme dhe të përmbajtur. Ishte e qartë që im atë, u gjend në befasi. Plus ishte mikpritësi. Nisur nga eksperiencat e tij personale, si Vehbi Skënderi i akuzuar si “armik i partisë të punës”, i akuzuar si “pjesmarrës” në “një grup korrupsioni”, ai u besonte pak historive me spiunë.

Vehbi Skēnderi Kapllan Resulin e kishte vlerësuar për dy arsye: si autorin e “Tradhëtisë” dhe për prejardhjen nga Kosova. Por nuk kishte patur kurrë miqësi me të. Jetonin në dy qytete të ndryshme. Im atë në Tiranë, Kapllan Resuli në Lushnje.  Pastaj miqtë e shkrimtarëve diheshin. Dritero Agolli kishte miq Dhori Qiriazin, Sotir Papulin, Niko Nikollën. Ismail Kadare Todi Lubonjën, Maks Velon, Bashkim Shehun. Miqtë e tim eti ishin Zisa Cikuli, Sterjo Spasse, Zejnulla Ballanca, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Petro Marko, Skënder Luarasi. Im atë kishte mbajtur lidhjet me Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, me Mustafa Gërblleshin. Tek ne vinte Fiqiri Llagami, Filip Ndocaj. Fatin e Vehbi Skënderit e kishte vulosur vetë diktatori Enver Hoxha, duke e damkosur tim atë si një njeri që shoqërohej me armiqtë e partisë. Prej 1966 Vehbi Skënderin e dërguan për “edukim” si punëtor krahu në Vaun e Dejës. Dhe dënimet e ndiqnin këmba këmbës, njëri më i zi se tjetri. Një i dënuar nga partia e punës me dekada i kishte dyert e mbyllura. Por Vehbi Skënderi e dinte mirë se të gjithë ata që vinin nga Kosova, regjimi i Tiranës i etiketonte si spiunë të UDB-së.

Shpallja e pluralizmit politik, Skënderin e gjeti tek gazeta Drita dhe si shumë gazetarë të asaj kohe filluan të interesoheshin për fatin e të burgosurve politikë në Shqipëri. Për lirimin e Kapllan Resulit u interesua në mënyrë të veçantë Amnesty International dhe Komiteti shqiptar i Helsinkit. Mediat shqiptare në Prishtinë dhe në Shkup i bënë shumë jehonë lirimit të tij nga burgu. I bëri jehonë në numrat e saj të parë edhe Rilindja Demokratike, madje me titullin e bujshëm “A është tradhëtar autori i romanit “Tradhëtia?!”, ndërsa Skënderi i botoi disa proza të shkurtëra tek gazeta Drita. Ne që sapo ishim martuar nuk kishim shtëpi dhe banonim në shtëpinë e prindërve të mi. Pikërisht në këtë kohë na vizituan disa herë Kapllani me të shoqen, djalin dhe vajzën. Në këto raste Kapllan Resuli u takua me Vehbi Skënderin. Kapllani bēri 20 vite burg, ndërsa familja e tij, dy fëmijët vuajtën 20 vjet në internim, prej kur ishin të mitur.

Im atë duket i kaloi të gjitha këto nëpër mend edhe një herë. Pa u përgjigjur. Prandaj u krijua një pauzë heshtje. E çfarë mund t’i thoshte Vehbi Skënderi Nasho Jorgaqit! Nëse do të kishin qenë në rrugët e Tiranës, do të reagonte ndryshe, por kodi i mikpritjes nuk e lejonte.

Heshtjen e prishi Skënderi. “Profesor Nasho, po çfarë lidhje ka Vehbiu me Kapllan Resulin! Që kur Kapllani u largua për në Zvicër dhe gjatë gjithë këtyre viteve që ne jetojmë këtu, Vehbiu nuk është takuar dhe nuk ka komunikuar asnjëherë me Kapllanin.”

Gjatë kohës që Skënderi ishte diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, Mehmet Myftiu dhe Astrit Leka e kishin marrë tim atë disa herë në telefon që të organizonin një takim me Kapllanin, por im atë nuk kishte pranuar. Kishte kokën e vet. Nuk pranonte kurrë të kurdisej nga të tjerët. Shpesh hapnim të dy bashkë diskutime të gjata me qëndrime të ndryshme. Nuk lodhej të më ndryshonte mendjen, por as pranonte të binte nën ndikim.

Kapllani në Zvicër kishte krijuar një familje të re. Me Etlevën, gruan e dytë kishin lindur edhe një djalë.

Skënderi dhe unë ishim takuar për herë të fundit me Kapllanin në tetorin e vitit 1992. Me një ekip të vogël të RTSH u nisëm me një mikrobus të TVSH nga Tirana. Për mua ishte dalja e parë në Europë. Nga Durrësi kaluam me traget gjithë Adriatikun e bregdetin dalmat deri në Trieste, pastaj qëndruam në Milano, ku natën e kaluam në mikrobus e paradite morëm vizat për Zvicër në konsullatën zvicerane, sepse nuk kishte nisur ende shërbimi në Ambasadën zvicerane në Tiranë që hapej për herë të parë. Nga pasditja vonë morëm drejtimin nga veriu i Italisë nēpēr tunelin e Mont Blank dhe hymë në Francë. Ndalesēn e parë e bëmë në Belfort, në një takim të organizuar shumë bukur nga diaspora shqiptare. Aty gjetëm Xhevahir Spahiun, Bardhyl London dhe Besnik Mustafajn që posa kishte marrë emërimin si Ambasador i RSh në Paris. Të nesërmen në mëngjes ne të dy udhëtuam me tren në Paris pasi Skënderi kishte takime në Ministrinë e Jashtme franceze, me Kanalin France International dhe firmën franceze Thomson. Besnik Mustafaj na vuri në dispozicion makinën e ambasadës. Në të njëjtin hotel me ne në Paris bujti edhe Natasha Lako aso kohe deputete e PD me Aida Shehun, që vinin nga Strasburgu. Biseda dhe shpengimi bëri të na dukej sikur ishim në një Tiranë dy hapa larg Eifelit.

Pas dy ditësh qëndrimi në Paris, u kthyem në Belfort dhe bashkë me grupin vijuam rrugëtimin drejt e në Gjenevë, ku grupin nga RTSH e prisnin takime me disa klube shqiptarësh nga Kosova. Pikerisht në tetorin e 1992 në Gjenevë Skënderi nënshkroi me Ministrin e Informacionit në mërgim Xhafer Shatrin marrëveshjen mes RTSH dhe Qeverisë të Kosovës për hapjen e kanalit satelitor, i cili do të startonte me programet për diasporën pas një viti, më 15 Nëntorin e 1993. Kanali satelitor ishte një preokupim i madh i Ibrahim Rugovës, i cili asaj kohe vinte shpesh në Tiranë dhe patjetër do të takohej me Skënderin ose do të na ftonte për darka tek Vila 31 ku qëndronin delegacionet shtetërore që vinin nga Kosova.

Sapo hymë në Gjenevë nga Franca ndalesën e parë e bëmë tek Kapllani që na priti me të shoqen. Ekipi ishte i lodhur dhe u shpërndamë në familjet e shqiptarëve nga Kosova. Ne na priti e ndejtëm si në shtëpinë tonë familja e Ymer Cacajt dhe Hasimes bashkë me shtatë fëmijët e tyre të mrekullueshem. Kapllani me Etlevën na ftuan për një drekë si grup. Kapllani kujtonte vuajtjet e burgut. 20 vjet burg jo shaka. Idriz Zeqiraj, një tjetër shqiptar i Kosovës bashkëvuajtës edhe ai në burgjet e diktaturës komuniste në Shqipëri, që jeton në Gjermani, tregonte se Kapllanin e kishin torturuar shumë keq në burg, duke ia përplasur kokën në mur. Fakt është se pas daljes nga burgu, autori i Tradhëtisë nuk mundi t’i kthehej kurrë më letërsisë.

Gjatë qëndrimit në Zvicër me Kapllanin dhe grupin e RTSH bëmë edhe nja dy takime me diasporën dhe pastaj u përshëndetëm. Grupi i RTSH mori rrugën e kthimit përmes Italisë, ndërsa Skënderi dhe unë u pritëm në kryesinë e LDK në Zürich, nga Shaip Latifi, Bardhyl Meta dhe Demë Jashari. Nuk kishim si të mos vizitonim redaksinë e Rilindjes në Zofingen ku u takuam me Mehmet Emrullahun, që pastaj do ta hapte Rilindjen dhe shtypshkronjën tek Rruga Myslim Shyri ne Tiranë bashkë me Ramadan Mysliun e ndjerë e kolegë të tjerë.

Prej atij tetori të vitit 1992 ne nuk u takuam më me Kapllanin.

Në tetorin e 1992 ndërsa merrnim prej Zürich-u Swissair direkt për në Tiranë, ne nuk do të imagjinonim që më 15 marsin e 1996 Skënderi do të fillonte punë si diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, as që mund të ndodhte 1997, që për pak i çoi shqiptarët e shtetit amë midis tyre gati në një luftë civile dhe as veten tonë të angazhuar për dhjetë vjet tek një gazetë me emrin BotaSot e cila do të niste botimin në Zürich në qershorin e 1995.

Duhet të ketë qenë 1998, mëngjes kur ne sapo arritëm në redaksi në Zürich dhe pamë në tryezën tonë të punës një zarf të shqyer bosh ku dërguesi ishte Kapllan Resuli dhe marrësi Skënder Buçpapaj. Nuk na ra në dorë ajo çfarë kishte dërguar Kapllani dhe nuk u bëmë kureshtarë aspak. Gazetat e Shqipërisë kishin filluar të botonin lajme sikur Kapllani deklaronte lart e poshtë se nuk ishte shqiptar, se ishte malazez. Prej tetorit 1992 kur i dhamë dorën e përshëndetjes, nuk u morëm kurrë me temën e Kapllan Resulit. E shmangëm çdo kontakt me Kapllan Resulin për të evituar çdo lloj spekulimi që mund të bëhej në adresën tonë. Nga këta të llojit të Profesor Nasho Jorgaqit. Që kanë 75 vjet që e mbajnë Shqipërinë tokë të djegur.

Sot pas gati 20 vitesh prej vizitës së Profesor Nashos tek ne, jam duke i parë ende sytë e trishtë të tim eti, ndërsa Skënderi e sqaronte Profesor Nashon duke i thënë se Ambasadori i Shqipërisë në Bernë – i asaj kohe – Vladimir Thanati i kishte bërë në mënyrë mediatike vizitë në shtëpi Kapllan Resulit në Gjenevë. “Pra, qeveria juaj e majtë e ka rehabilituar Kapllan Resulin”, i tha Skënderi në fund Profesor Nashos i cili dukej se kishte ardhur nga Tirana në Zvicër t’i kërkonte llogari Vehbi Skënderit për të pa bëra vaki. Diktatura komuniste e burgosi 20 vjet Kapllan Resulin si spiun të UDB-së dhe Profesor Nasho Jorgaqi i binte fyellit në të njëjtën vrimë, por në adresën e gabuar.

Vehbi Skënderi ishte i dënuar nga diktatura komuniste si “Nacionalist” pikërisht sepse kishte shprehur hapur qëndrimin e tij në lidhje me Kosovën. Kosova ishte një dashuri e përherëshme e tim eti, që ma kishte përcjellë pa fjalë edhe mua që fëmijë. Tek poezia “I vjetër je ti Drin aq sa kjo botë” në një varg poeti shkruan se “Drini plak rrjedh nga dherat e begata të Kosovës”.

Vizita e Profesor Nashos tek ne zgjati rreth një orë e sa. Pastaj ai bashkë me Pjetër Rodiqin u ngritën. Dolën të katër bashkë. Skënderi i përcolli deri tek dera ndërsa im atë deri tek makina jashtë. Nuk e di se çfarë biseduan me tim atë. Mund të na e thotë Profesor Nasho që është gjallë se im atë prej 13 qershorit 2011 prehet në varrezat e një qyteze këtu në Zvicër.

Nga vizita e tij na solli shijen e hidhur e të helmët prej Tiranës. E pritëm si mik larg të gjitha konteksteve politike, pa e hapur as si temë bisede se Vehbi Skënderin diktatura e kish varrosur të gjallë me format më përçudnuese bashkë me familjen, çka Profesor Nasho Jorgaqi e dinte shumë mirë. Me tim atë nuk e vazhduam bisedën rreth vizitës, sepse ai ishte një shpirt delikat që thyhej lehtë si kristali, do të ishte sikur të gërvishtje në plagët e hapura.

Unë kam të drejtë ta pyes Profesor Nasho Jorgaqin kush e solli tek ne? Që t’i bënte “gjyq” Vehbi Skënderit! Me akuza fallco.

Tani kur në moshën 89 vjeçare Profesor Nasho Jorgaqin e kanë shpallur zyrtarisht si ish Spiun i Sigurimit, unë kam të drejtë të dyshoj se ajo vizitë ishte e organizuar nga Sigurimi i Shtetit i cili prej 1997 u riciklua.

Nëse gjatë kētyre 30 vjet tranzicion në Shqipëri dështoi instalimi i demokracisë dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës, një nga shkaqet kryesore të këtij kolapsi moral të vlerave është mos hapja e dosjeve të ish spiunëve të cilët vijojnë të jenë pjesë integrale e të gjitha qelizave të kētij shteti të kalbur.

Vehbi Skënderi nuk ka qenë spiun i Sigurimit dhe ka vuajtur kalvarin e diktaturës dhe të postdiktaturës.

Profesor Nasho Jorgaqi erdhi në shtëpinë tonë si mik dhe e akuzoi Vehbi Skënderin brutalisht, pa fakte, pa prova, njëlloj si në gjyqet që im atë i kishte provuar në diktaturë.

Përpara disa ditësh me të njëjtin stil sulmuan shkrimtarin e njohur Sadik Bejko që ka mbajtur një qendrim konstant denoncues ndaj krimeve të diktatorës. Profesor Bejkon e akuzuan për një poezi gjoja sikur ai ia kishte kushtuar Enverit. Akuzuesit ia ndryshuan vetë titullin poezisë, ndërkohë ish Spiunët e Sigurimit që kanë dalë dëshmitarë në gjyqet e diktaturës dhe kanë marrë njerëz në qafë vazhdojnë dhe i gradojnë.

Denoncimi i Prof.Nasho Jorgaqit si ish spiun i policisë të fshehtë të diktaturës komuniste është bërë tri dekada pas gjoja rrëzimit të diktaturës. Kur ai është 89 vjeçar.

Për t’i zbuluar kontigjentin e ish Spiunëve mos duhet të presim deri sa ata të mbushin moshën over 80! Kjo është një metodologji mizore në shërbim të amnezisë kolektive për të fshehur të shkuarën kriminale që bie ndesh me sistemin demokratik.

Sepse shteti i së drejtës vepron me ligjet e veta të mbështetura në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ku në mbrojtje merren viktimat, dënohen krimet e diktaturës ndērsa ish spiunëve të regjimit u zbulohen emrat dhe bëmat. Pastaj opinioni vepron sipas moralit dhe ndërgjegjes kombëtare. Demokracia dhe shteti i së drejtës ndërtohen me meritokraci dhe integritet, ndërsa shteti i kapur mbijeton nga kalbësirat e kënetës ku indiferenca dhe ndërgjegjet e ndragura janë uji i saj i ndenjur.


Send this to a friend