VOAL

VOAL

Sulm në ambasadën amerikane në Podgoricë

February 22, 2018

Komentet

Qendra serbo-ruse merr mbi dy milionë euro nga buxheti i Serbisë

Sipas një marrëveshjeje ndërqeveritare të vitit 2012, për Qendrën humanitare serbo-ruse në Nish përgjegjëse janë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Mbrojtjen Civile dhe Situata Emergjente.

 

Nevena Bogdanoviq

Qendrës humanitare serbo-ruse i janë ndarë pothuajse 2.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, nuk ka shpjegime se si janë shpenzuar ose shpenzohen ato para.

Autoritetet në Beograd dhe Moskë prej vitesh nuk u përgjigjen pyetjeve për punën dhe financimin e kësaj qendre të përbashkët, që gjendet në Nish, në jug të Serbisë, dhe është themeluar për ndihma në situata emergjente.

REL-i, përmes një kërkese për qasje në informata me interes publik, ka siguruar të dhënat e para për ndarjet vjetore të Serbisë për këtë qendër.

Që nga viti 2014, qendra ka një llogari të posaçme që përdoret për transferimin e mjeteve nga buxheti.

Përgjigjja e Drejtorisë së Thesarit pranë Ministrisë së Financave të Serbisë tregon se në këtë llogari janë derdhur më shumë se 268 milionë dinarë, apo 2.29 milionë euro.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Qendra, Ambasada e Rusisë, Qeveria e Serbisë dhe ministritë e saj nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me rolin dhe financat e saj.

Qendra serbo-ruse është themeluar para 14 vjetësh me marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Moska e përshkruan atë si “më të rëndësishmen në Ballkan” për reagim ndaj situatave emergjente dhe fatkeqësive natyrore.

Pajisjet për shuarjen e zjarrit, automjetet dhe poligonet e trajnimit ndodhen pranë aeroportit të dytë më të madh në Serbi.

Sipas rregullit, Qendra reagon me thirrje të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë.

Megjithatë, shtetet perëndimore kanë shprehur dyshime se bëhet fjalë për përpjekje për krijimin e një baze të inteligjencës dhe ushtarake, duke vënë në dukje edhe afërsinë e Qendrës me bazën ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Si u pagua Qendra?

Në përgjigjen e Departamentit të Thesarit thuhet se Qendrës serbo-ruse iu paguan para nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Edhe pse llogaria e Qendrës ka qenë aktive që nga viti 2014, raportet e dorëzuara nuk tregojnë pagesa për dy vjetët e parë.

Të dhënat e para janë për vitin 2016.

Shumat vjetore ndryshojnë dhe ato u rritën në mënyrë drastike në vitin 2024, kur Qendrës iu paguan rreth 55 milionë dinarë, apo 470 mijë euro, nga buxheti i Serbisë.

Vitin pasues, më 2025, ajo mori 48 milionë dinarë, apo 410.000 euro.

Si qëllime për pagesat janë shënuar “tregtia e mallrave dhe shërbimeve”, “grantet tjera kapitale për organizatat ndërkombëtare” ose “transaksionet tjera”.

Por, nuk ka sqarime më të detajuara – për shembull, a shpenzohet ky fond shtetëror për paga, blerje pajisjesh, aktivitete të Qendrës apo për diçka tjetër?

Nuk ka as raporte publike për punën e saj.

Regjistri i Bankës Qendrore të Serbisë, ku shihet llogaria e Qendrës humanitare serbo-ruse në Administratën e Thesarit të Ministrisë së Financave, që përdoret për transferimin e fondeve buxhetore.

Regjistri i Bankës Qendrore të Serbisë, ku shihet llogaria e Qendrës humanitare serbo-ruse në Administratën e Thesarit të Ministrisë së Financave, që përdoret për transferimin e fondeve buxhetore.

“Niveli kaq i lartë i mungesës së transparencës në lidhje me financimin, menaxhimin dhe statusin e institucionit që përdor fonde publike, ngre pyetje për legjitimitetin, përgjegjësinë dhe mbikëqyrjen e duhur të veprimtarisë së tij”, thotë për Radion Evropa e Lirë Maja Bjellosh, nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd.

Kush e financon Qendrën serbo-ruse?

Sipas marrëveshjes ndërqeveritare të vitit 2012, për Qendrën janë përgjegjëse Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Mbrojtje Civile dhe Situata Emergjente.

Ajo do të duhej të regjistrohej si organizatë humanitare ndërqeveritare pa qëllime fitimi.

Por, bazat publike të të dhënave në Serbi nuk tregojnë nëse një gjë e tillë është bërë realisht.

Qendra ka numrin e vet unik dhe tatimor, por nuk figuron në bazën e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë.

Këtu mund të shihej nëse Qendra ka me të vërtetë statusin e një organizate ndërqeveritare.

Një pjesë e listës së përfituesve të buxhetit në Serbi për vitin 2025, ku gjendet edhe Qendra humanitare serbo-ruse.

Një pjesë e listës së përfituesve të buxhetit në Serbi për vitin 2025, ku gjendet edhe Qendra humanitare serbo-ruse.

Në marrëveshjen me të cilën Beogradi dhe Moska themeluan Qendrën, thuhet se puna e saj mund të financohet nga buxhetet shtetërore, grantet dhe donacionet, ose nga të ardhurat që Qendra gjeneron duke ofruar shërbime, siç janë trajnimet.

Përveç llogarisë pranë Zyrës së Thesarit, e cila përdoret për transferimin e parave shtetërore, Qendra serbo-ruse ka edhe 16 llogari bankare.

Ato janë hapur në të njëjtën ditë, më 15 shkurt 2023, në bankën private Aik.

Nga kontrolli në regjistrin e Bankës Qendrore të Serbisë, REL-i konfirmoi se të gjitha janë aktive.

Një pjesë e listës së llogarive aktive të Qendrës humanitare serbo-ruse në bazën e të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë.

Një pjesë e listës së llogarive aktive të Qendrës humanitare serbo-ruse në bazën e të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë.

Nuk dihet nëse këto llogari shërbejnë për financimin shtesë të Qendrës, kush i dërgon paratë dhe për çfarë arsyesh – edhe pse REL-i kërkoi sqarime nga Qendra.

Më herët, REL-i ka konstatuar se Serbia ka financuar kompleksin pranë aeroportit të Nishit me 1.8 milion dollarë, ku ndodhet Qendra.

Qendra humanitare serbo-ruse ka deklaruar atëkohë se pala ruse ka investuar 41 milionë dollarë.

Por, se si paguhen sot punonjësit, pajisjet dhe shpenzimet e tjera, REL-i nuk ka marrë përgjigje as nga Qendra, as nga autoritetet e Serbisë dhe Rusisë.

Po ashtu, nuk ka të dhëna zyrtare se sa punonjës ka Qendra.

Në faqen e saj janë të disponueshëm vetëm emrat e drejtorit dhe zëvendësit të tij, nga pala serbe dhe ajo ruse.

Për emërimet e tyre nuk ka vendime zyrtare.

Kush trajnohet në Qendrën serbo-ruse?

Qëllimi zyrtar i Qendrës humanitare serbo-ruse është të ofrojë mbështetje në situata emergjente, si aksidente dhe katastrofa natyrore.

Sipas komunikatave dhe postimeve në rrjetet sociale, fokusin e ka në trajnimin e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve nga Serbia, studentëve dhe nxënësve, vullnetarëve dhe alpinistëve.

Sipas raportit të Qendrës për vitin 2025, rreth 1.300 persona kanë marrë pjesë në këto trajnime.

Instruktorët, shumë prej të cilëve vijnë nga Akademia e Ministrisë së Mbrojtjes Civile të Rusisë, i kanë trajnuar për parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Mes pjesëmarrësve ka pasur kryesisht anëtarë të Sektorit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Po ashtu, në Qendër janë trajnuar edhe njësitë e zjarrfikësve të Industrisë së Naftës së Serbisë, e cila që nga janari i vitit 2025 është nën sanksionet amerikane, për shkak të pronësisë kryesisht ruse.

Në trajnim kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Administratës Republikane të Mbrojtjes Civile të entitetit Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

“Për shkak të mungesës së transparencës lidhur me aktivitetet dhe rezultatet, është e vështirë të vlerësohet me siguri madhësia reale dhe kontributi i Qendrës në mbrojtjen civile”, vlerëson Bjellosh.

Gjatë vitit 2025, Qendra vuri në funksion një poligon të ri trajnimi për zjarrfikësit dhe shpëtimtarët.

Se sa ka kushtuar dhe kush e ka paguar, REL-i nuk ka siguruar përgjigje.

Qendrën humanitare serbo-ruse e kanë vizituar delegacione nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Situata Emergjente, të udhëhequra nga zyrtarë të lartë rusë.

Gjatë dy vjetëve të fundit, anëtarët e Qendrës kanë marrë pjesë edhe në stërvitje në Rusi dhe në Bjellorusi.

Kush kërkon përgjigje për punën e Qendrës?

Se çfarë bën Qendra humanitare serbo-ruse, e ka pyetur edhe Bashkimi Evropian Serbinë.

Në një përgjigje për REL-in, Brukseli kujton se që nga viti 2023 ka kërkuar që Serbia të japë informacione për aktivitetet e Qendrës në Nish.

“Është e rëndësishme të sigurohet që aktivitetet e Qendrës të jenë plotësisht në përputhje me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, ku Serbia është anëtare, si dhe me detyrimet më të gjera të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Qendra si ajo në Nish, bazuar në marrëveshjen ndërqeveritare me Rusinë, nuk ekzistojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ndërsa Serbia, si anëtare e Mekanizmit evropian të Mbrojtjes Civile, ka përdorur ndihmën e BE-së disa herë – për shembull gjatë pandemisë së koronavirusit, ose për shkak të përmbytjeve shkatërruese të majit 2014.

Sektori serb i mbrojtjes civile ka marrë deri tani nga Brukseli më shumë se 250 milionë euro ndihmë, tregojnë të dhënat e delegacionit të BE-së në Serbi.

Bashkimi Evropian, në përgjigjen e tij për REL-in, thekson se dëshiron të llogarisë te Serbia si një partnere e besueshme.

“Siç kemi theksuar disa herë, marrëdhëniet me Rusinë dhe regjimin e Vladimir Putinit nuk mund të jenë ‘të zakonshme’, derisa Rusia bën një luftë agresive, të pabazuar dhe të paarsyeshme në tokën evropiane të Ukrainës”, sipas BE-së.

Pavarësisht thirrjeve të Brukselit, Serbia refuzon që nga shkurti i vitit 2022 të vendosë sanksione kundër Kremlinit.

Marrëdhëniet e ngushta mes zyrtarëve të Beogradit dhe Moskës nuk janë ndërprerë.

Gjatë viteve të kaluara, vëmendje të veçantë ka tërhequr kërkesa e Rusisë që Beogradi t’i japë status diplomatik stafit të Qendrës serbo-ruse.

Bëhet fjalë për një status të veçantë, që sjell privilegje të caktuara, si liri lëvizjeje jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon, si dhe imunitet në rast të kryerjes së ndonjë vepre penale në territorin e Serbisë.

Deri tani, autoritetet në Serbi nuk e kanë miratuar një status të tillë për Qendrën, por nuk kanë dhënë përgjigje për REL-in se çfarë po ndodh me atë kërkesë.

Ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq, kujton se Perëndimi ka qenë kategorikisht kundër që Qendra të merrte status diplomatik, për shkak të dyshimeve se roli i saj shkon përtej mandatit humanitar.

“Mendojnë se është një fole inteligjence e Federatës Ruse në Ballkan, një qendër e shërbimeve informative. Kështu e trajtojnë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Këto akuza janë mohuar ndër vite si nga Qendra, ashtu edhe nga autoritetet në Serbi.

Mbylljen e Qendrës në Nish e ka kërkuar edhe një pjesë e opozitës në Serbi, duke bërë thirrje për shfuqizimin e marrëveshjes ndërqeveritare, mbi bazën e së cilës është themeluar.

Gjukiq nuk sheh gatishmëri tek autoritetet serbe për një hap të tillë.

“Ato nuk janë as të afta, as të guximshme për ta shfuqizuar. Qendra nuk i pengon, madje mund t’u shërbejë si mbështetje, sepse lidhjet e autoriteteve me Rusinë kanë të bëjnë me çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, si marrëdhëniet me Kosovën dhe sektori i energjisë – nafta dhe gazi”, thotë Gjukiq.

Stërvitje në Qendrën humanitare serbo-ruse në Nish, 14 shkurt 2020.

Stërvitje në Qendrën humanitare serbo-ruse në Nish, 14 shkurt 2020.

Ai vlerëson se ekzistenca e Qendrës është e rëndësishme edhe për Moskën, veçanërisht në kohën e konfrontimit me Perëndimin, pas pushtimit të Ukrainës.

“Për Rusinë është shumë e rëndësishme që Qendra të mbetet, nga aspekti politik dhe i sigurisë. Sepse, sipas përkufizimit, Qendra bën pjesë në sektorin e sigurisë, i cili është mjaft i ndjeshëm, fleksibël dhe mund të shfrytëzohet në situata të ndryshme”, thotë Gjukiq.

Qendra të ngjashme për emergjenca ekzistojnë edhe në shtete të tjera me të cilat Moska ka marrëdhënie të mira politike, si disa ish-republika sovjetike.

Armenia është ndër vendet ku Moska ka një qendër tash e dhjetë vjet, e cila bashkëpunon me atë në Serbi.

Përgatiti: Valona Tela

Sulmi terrorist në konsullatën izraelite, Erdogan: Akt frikacak! Nuk do të lejojmë që të cenohet klima e sigurisë në Turqi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi sulmin terrorist ndaj konsullatës izraelite në Stamboll, duke e quajtur atë një akt frikacak dhe të neveritshëm.

 

Ai theksoi se tre terroristët u neutralizuan ndërsa dy oficerët e policisë u plagosën lehtë. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se Prokuroria, policia dhe shërbimet e inteligjencës kanë nisur hetimet e nevojshme për ngjarjen.

Ai u uroi shërim të shpejtë oficerëve të plagosur të policisë ndërsa theksoi se Turqia do të vazhdojë “me vendosmëri luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit” dhe nuk do të lejojë që “klima e sigurisë të preket” nga “provokime të liga dhe të paramenduara” si rasti i sotëm.

“Dua të bëj të ditur se e dënojmë sulmin frikacak që ndodhi sot në Besiktas të Stambollit. Në këtë akt të shëmtuar terrorist, 3 terroristë u neutralizuan, ndërsa 2 nga oficerët tanë heroikë të policisë u plagosën lehtë. Prokuroria, policia dhe shërbimet e inteligjencës kanë filluar hetimet e nevojshme.

I lutem Zotit për shërim të shpejtë të oficerëve tanë të policisë të plagosur dhe shpreh ngushëllimet e mia Drejtorisë së Policisë së Stambollit dhe popullit të Stambollit. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë kundër të gjitha formave të terrorizmit me vendosmëri dhe nuk do të lejojmë që klima e sigurisë në Turqi të ndikohet nga provokime të tilla të liga dhe të paramenduara si sot.“, tha ai. Panorama

Djali i Trumpit viziton Banjallukën

Donald Trump Junior në Banjallukë më 7 prill 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Donald Trump Jr., djali më i madh i presidentit amerikan, Donald Trump, mbërriti më 7 prill në Banjallukë, ku sipas njoftimeve të mëhershme pritet të takohet me biznesmenë nga entiteti i Republikës Sërpska, me të cilët do të diskutojë për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve.

Aktualisht nuk dihen detaje të tjera rreth vizitës së tij në Banjallukë të Bosnje e Hercegovinës.

Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë thanë për Radion Evropa e Lirë se Donald Trump Jr. po viziton Banjallukën në kapacitet “privat”.

Lidhur me vizitën e tij, Igor Dodik, funksionar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD dhe djali i udhëheqësit të kësaj partie, Millorad Dodik, deklaroi për agjencinë e lajmeve Srna se Trump Jr. po shkon në Bosnje “me ftesën e tij personale” dhe ftesa i është dërguar në “baza miqësore”.

Ministria e Punëve të Brendshme e RS-së njoftoi më herët se, për shkak të këtij aktiviteti, masat e sigurisë në Banjallukë do të ngrihen në një nivel më të lartë, ndërsa një numër i madh rrugësh në qytet do të jenë nën regjim më të rreptë të trafikut.

Kush është Donald Trump Jr.?

Donald Trump Jr. është nënkryetar ekzekutiv i kompanisë së familjes Trump, Trump Organization dhe një nga promovuesit më të zëshëm të politikave të babait të tij, Donald Trump.

Megjithëse nuk ka një funksion zyrtar në administratën amerikane, ai ka qenë aktiv në fushatat presidenciale të Trumpit në të dy mandatet, përmes paraqitjeve publike, tubimeve zgjedhore dhe aktiviteteve mediatike.

Trump Jr. nuk ka rol zyrtar në vendimmarrjen e administratës së SHBA-së, përfshirë çështjet e politikës së jashtme dhe konfliktet aktuale në Lindjen e Mesme, ndër të cilat është edhe marrëdhënia e SHBA-së me Iranin.

Roli i tij është i kufizuar në mbështetje politike dhe veprimtari publike.

Përveç angazhimit politik, Donald Trump Jr., si nënkryetar ekzekutiv i Trump Organization, drejton një kompani që menaxhon hotele, komplekse biznesi dhe banimi, fusha golfi dhe licenca markash në mbarë botën.

Në këtë rol, ai shpesh merr pjesë në bisedime për investime dhe projekte biznesi, përfshirë kontakte në Evropë.

Ai ka qëndruar disa herë më parë në Beograd, fillimisht në shtator 2024, kur u takua me biznesmenë në kryeqytetin e Serbisë.

Më pas, në mars 2025, ai zhvilloi bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa në fund të prillit të po atij viti qëndroi sërish në Beograd për takime me përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Një vendtakim i ri për samitin e Bërdo-Brionit po shqyrtohet

Ludmilla Cvetkoviq

Po punohet për ta gjetur një vendndodhje tjetër për mbajtjen e samitit të Bërdo-Brionit, i tha Radios Evropa e Lirë zyra e presidentit të Sllovenisë të martën.

Takimi i sivjetshëm i kësaj nisme 13-vjeçare u anulua nga presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.

Millanoviq tha në arsyetimin e tij se nuk ka kushte që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, të vijë në Kroaci për këtë samit, duke shtuar se deklaratat e liderit serb e prishin paqen dhe stabilitetin.

Vuçiq u përgjigj se në vend që ta anulonte takimin, Millanoviq mund të kishte ftuar “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.

Gjatë vitit të kaluar, presidenti serb e ka akuzuar Kroacinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, por nuk dhënë asnjë provë për këtë.

Bashkimi Evropian reagoi gjithashtu ndaj anulimit të samitit, duke shprehur keqardhje.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë në thelb të procesit të integrimit evropian dhe pjesë thelbësore e rrugës së Serbisë drejt BE-së”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Kroacia dhe Sllovenia, si anëtarë të BE-së, iniciuan procesin e Bërdo-Brionit, me qëllim për të nxitur bashkëpunim dhe përshpejtim të integrimit të rajonit në BE.

Përveç presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë, në procesin e Bërdo-Brionit marrin pjesë edhe liderët e Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Millanoviq, si bashkëkryetar i procesit të Bërdo-Brionit, i njoftoi krerët e shteteve pjesëmarrëse se kishte vendosur ta anulonte takimin e planifikuar të mbahej në maj në Kroaci.

Zyra e presidentes sllovene Natasha Pirc Musar, siç mori vesh Radio Evropa e Lirë, u njoftua menjëherë për vendimin e Millanoviqit.

“Ky është një vendim i brendshëm politik i Presidentes së Kroacisë, në të cilin ne nuk mund të ndërhyjmë dhe për këtë arsye nuk e komentojmë”, thuhet në përgjigje.

Presidenca sllovene shtoi se këshilltarët e politikës së jashtme të presidentit të Sllovenisë dhe të presidentit të Kroacisë mbeten në kontakt të rregullt me qëllim që të sigurohet që samiti i procesit të Bërdo-Brionit në vitin 2026 të mbahet në një vend alternativ.

Nga Zagrebi u njoftua se takimi i ardhshëm i krerëve të shteteve të Bërdo-Brionit do të mbahet kur të jenë kushtet e duhura dhe pas konsultimeve midis bashkëkryetarëve, Millanoviq dhe Pirc Musar.

Serbia po zhytet në vetizolim

Anulimi i samitit të Bërdo-Brionit, për Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane joqeveritare në Serbi, është një lajm i keq për Serbinë dhe rajonin.

“Serbia po zhytet në vetizolim dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët, me përjashtim të Hungarisë, nuk kanë qenë kurrë më të këqija që nga konflikti i fundit në Kosovë”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Ajo shton se Serbia, deri në fillim të kësaj dekade, luajti rol të rëndësishëm dhe përfitoi kryesisht nga bashkëpunimi në të cilin ishte e përfshirë.

“Dhe tani ajo e ka përjashtuar veten dhe anulimi i këtij samiti mund të shkaktojë një ortek sanksionesh kundër politikës së jashtme jokonsistente, të pasinqertë dhe konfuze të Serbisë”, tha ajo.

Presidenti kroat Millanoviq vlerësoi se deklaratat dhe veprimet e homologut serb në ditët dhe javët e fundit janë plotësisht në kundërshtim me qëllimin e procesit të Bërdo-Brionit.

Ai deklaroi se ato prishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.

Për këtë, Vuçiq u përgjigj se Millanoviqi kishte të drejtë dhe se ai nuk kishte vend në Kroaci.

Por, ai shtoi se presidenti kroat nuk kishte pse ta anulonte takimin për shkak të tij, por se mund t’i kishte ftuar “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.

Në muajt e fundit, Vuçiq i ka akuzuar Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën se marrëveshja e tyre për bashkëpunim në mbrojtje do të thotë aleancë ushtarake kundër Serbisë, gjë që është mohuar vazhdimisht nga këto vende.

Analisti politik kroat, Jaroslav Pecnik, i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrimet e Serbisë dhe Kroacisë janë aq të ngulitura në këtë pikë sa një takim nuk do të kontribuonte në mirëkuptim të ndërsjellë.

“Në fakt, kjo do të kontribuonte në intensifikimin e mëtejshëm të konflikteve të ndërsjella. Por, fakti është se nuk mund të ndalemi këtu”, tha ai.

Megjithatë, ai vlerëson se anulimi i samitit nuk është goditje ndaj stabilitetit rajonal sepse Millanoviq nuk ka ndikim të madh në politikën rajonale.

“Por, fakti është se duhet të gjenden mënyra të përbashkëta dhe Kroacia duhet të marrë rolin e trenit që ngadalë e tërheq Serbinë drejt BE-së”, tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se lëvizja e Millanoviqit nuk e ka habitur sepse, siç vlerëson ai, presidenti kroate kohët e fundit “ka luajtur me populizmin”.

“Ishte e pritshme që diçka e tillë të ndodhte, ndoshta jo aq drastike, por që diçka e tillë do të ndodhte”, shtoi ai.

Për çfarë e akuzon Vuçiqi Kroacinë?

Për më shumë se një vit, Vuçiq e ka akuzuar Kroacinë dhe shërbimet e saj për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, pa dhënë asnjë provë.

Para vendimit të Millanoviqit për të anuluar samitin, Vuçiq deklaroi se do të “kontrollonte raportet nga agjencitë e sigurisë në lidhje me ndikimin e mundshëm nga vendet e huaja” në zgjedhjet lokale në Serbi, duke përmendur “mbështetjen logjistike nga një vend fqinj”.

“Në Kula (një komunë në veri të Serbisë), kishe më shumë targa të Zagrebit sesa në komunat përreth. Dhe nuk po flas vetëm për logjistikën e transportit, por mbi të gjitha për logjistikën e medias”, tha Vuçiq.

Zgjedhjet lokale u mbajtën më 29 mars në 10 komuna në Serbi, dhe rezultatet e Partisë Progresive Serbe në pushtet u shpallën nga Vuçiq si president i vendit.

Pas shpërthimit të protestave antiqeveritare për shkak të vdekjes së 16 personave në Novi Sad në fund të vitit 2024, autoritetet serbe akuzuan vazhdimisht shërbimet sekrete kroate për organizimin e demonstratave, gjë që zyrtarët në Zagreb e mohuan fuqimisht.

Jaroslav Pecnik thotë se akuza të tilla nuk kanë bazë.

“Kjo është në përputhje me politikën e Vuçiqit për forcimin e brendshëm dhe shpikjen e armiqve nga jashtë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë se si të merren me kokën e Serbisë”, vlerësoi ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka përfshirë gjithashtu Kroacinë në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm “në raste të nevojës ekstreme”.

Arsyet për këtë vendim u përmendën si “incidente, tensione dhe rrethana të pafavorshme sigurie gjithnjë e më të shpeshta”, pa specifikuar se për cilat ngjarje bëhej fjalë.

Jelica Miniq tha se politika e jashtme e Serbisë nuk është e fokusuar në mbrojtjen e qytetarëve të saj dhe në përdorimin e burimeve duke krijuar marrëdhënie partneriteti të qëndrueshme dhe afatgjata me mjedisin e saj të afërt dhe më të gjerë.

“Serbia përbën rrezik për stabilitetin rajonal dhe, nga një aktor konstruktiv në bashkëpunimin rajonal në dekadën e parë të këtij shekulli, është shndërruar në një faktor përçarës”, vlerësoi ajo.

Por, ajo shtoi se fakti që Serbia është kryesisht e rrethuar nga anëtarë të BE-së dhe NATO-s kufizon kapacitetin e saj destabilizues.

“Por, Rusia është ende larg dhe shërbimet e saj sekrete dhe dezinformimi shoqërues kanë një efekt të kufizuar, megjithëse shumë të rrezikshëm, në Serbi dhe në rajon”, deklaroi ajo.

Dhe ishte presidenti rus, Vladimir Putin, ai që u njoftua nga Vuçiq, siç raportoi vetë ai, për aleancën midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Vuçiq foli me Putinin në telefon më 30 mars në lidhje me zgjatjen e kontratës për furnizimin me gaz rus, nga i cili Serbia mbetet kryesisht e varur.

Fati i vetove të Hungarisë në BE

Kryeministri sllovak, Robert Fico (majtas), duke biseduar me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, në një samit të BE-së në Bruksel, më herët këtë vit. 

Rikard Jozwiak

Bashkimi Evropian (BE) ka hyrë në një periudhë qetësie këtë javë, pasi afrimi i festës së Pashkëve nënkupton se do të ketë pak takime të rëndësishme në Bruksel. Por, kjo qetësi nuk lidhet vetëm me festat; shumica e njerëzve janë në pritje të ndoshta zgjedhjeve më me pasoja në Evropë këtë vit, atyre në Hungari më 12 prill.

Me kaq shumë politika të BE-së, veçanërisht ato që lidhen me mbështetjen për Ukrainën, duke u bërë pjesë e fushatës zgjedhore hungareze, në kryeqytetin e BE-së është një ndjenjë se gjërat do të fillojnë të lëvizin vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet, pavarësisht nëse Viktor Orban dhe Fidesz arrijnë ta zgjasin sundimin e tyre 16-vjeçar, apo nëse rivali i tyre, Peter Magyar, dhe partia e tij Tisza, fitojnë.

Ky optimizëm buron nga fakti se, ndonëse Orban ka bërë shumë deklarata të ashpra për Ukrainën dhe presidentin Volodymyr Zelensky, veçanërisht muajt e fundit, pritet që ai “të zbutet disi”, siç u shpreh një burim për Radion Evropa e Lirë (REL), nëse fiton dhe lejon që disa nga vetot e tij të hiqen.

Pothuajse të gjithë zyrtarët me të cilët ka folur REL-i, si nga institucionet e BE-së ashtu edhe nga shtetet anëtare, e pranojnë hapur se do ta parapëlqenin një fitore të Tiszas. Por, ata paralajmërojnë se, ndonëse marrëdhëniet BE-Ukrainë ka gjasa të përmirësohen me Magyarin në pushtet, ata prapëseprapë presin që ai të jetë i ashpër ndaj Kievit dhe jo patjetër të zhbllokojë gjithçka menjëherë.

Pra, cilat çështje të bllokuara nga Budapesti mund të zhbllokohen pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush zgjidhet kryeministër?

Së pari, në Bruksel pritet që kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – e pranuar fillimisht nga Orbani në dhjetor, por e bllokuar më pas për shkak të mungesës së furnizimeve me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba – do të aprovohet në prill.

Një ekip ekspertësh i Komisionit Evropian ndodhet aktualisht në Ukrainë, dhe megjithëse ende nuk kanë pasur qasje në tubacionin e dëmtuar, në BE ka shpresë se infrastruktura do të riparohet së shpejti, nafta do të fillojë të rrjedhë drejt Evropës Qendrore dhe kredia më pas do të miratohet — edhe pse manovrat politike si në Budapest ashtu edhe në Kiev pengojnë çdo lëvizje para 12 prillit.

Paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, e cila fillimisht ishte menduar të miratohej rreth përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës më 22 shkurt, pritet gjithashtu të aprovohet pas zgjedhjeve.

Propozimi fillestar, i cili përfshinte ndalimin e shërbimeve detare të lidhura me produktet e naftës ruse, që do të ndalonte kompanitë e BE-së të ofronin shërbime për çdo anije që transporton këto produkte nga portet ruse, ka gjasa të zbutet ose të hiqet plotësisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë pas konfliktit me Iranin.

Megjithatë, nëse fiton Tisza, në Bruksel do të ketë një dëshirë për të testuar disa nga propozimet e mëparshme të sanksioneve që Hungaria i ka refuzuar deri tani. Këto përfshijnë sanksione ndaj energjisë bërthamore ruse, të cilat vendet e tjera të BE-së, që ende bashkëpunojnë me Rosatomin rus, ka të ngjarë t’i bllokojnë.

Një qeveri e mundshme e Magyarit mund të jetë më e prirë të miratojë sanksione individuale ndaj Patriarkut rus Kirill, ose ndaj drejtuesve të organizatave dhe federatave të ndryshme sportive ruse, pasi Qeveria e tanishme e Orbanit ka të bllokuar çdo përfshirje në listë të zezë të individëve fetarë dhe sportivë.

Përpjekjet e reja për të vendosur sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, të bllokuara nga Budapesti që nga viti 2024, si dhe një përpjekje nga viti 2025 për të futur në listë të zezë figura kryesore të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e cila gjithashtu u bllokua nga Hungaria, mund të rikthehen nëse Tisza merr pushtetin, edhe pse shtete të tjera anëtare si Çekia dhe Sllovakia mund ta përdorin veton, të paktën sa i përket Tbilisit.

Meqenëse të gjitha vendimet për sanksione kërkojnë njëzëshmëri, përfshirë edhe ripërtëritjet, Brukseli do të jetë i interesuar të shohë nëse një qeveri e re hungareze do të heqë individë nga lista para çdo periudhe rinovimi.

Qeveria e tanishme e Fideszit është e njohur për përdorimin e miratimit të saj për zgjatje si levë për të hequr nga lista oligarkë rusë, si për shembull Moshe Kantor. Megjithatë, duket se Sllovakia është bërë po aq e aftë në këtë lojë, megjithëse mbetet për t’u parë nëse Bratisllava do ta bëjë këtë pa mbështetjen e Budapestit.

Pastaj janë disa çështje që lidhen me Ukrainën dhe që janë më të vështira për t’u zgjidhur, nëse Fidesz mbetet në pushtet. Së pari, Orbani e ka bërë të qartë se nuk e sheh Ukrainën si anëtare të ardhshme të BE-së dhe ka bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit të Kievit që nga viti 2024.

Derisa ai mund të bindet në një moment të japë të paktën miratimin për hapjen e disa kapitujve të negociatave në të ardhmen, kjo mbetet shumë e pasigurt.

Në të njëjtën kohë, Magyar nuk është mbështetës i anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE. Ai ka përsëritur qëndrimin e vendeve të BE-së që nuk besojnë në anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës: se procesi duhet të bazohet në meritë dhe për rrjedhojë të marrë kohë.

Ai me shumë gjasë do të ishte dakord për hapjen e bisedimeve me Ukrainën (dhe Moldavinë, e cila është e lidhur me Kievin) së shpejti, por nuk përjashtohet mundësia që ai ta zvarrisë këtë çështje.

Qeveria e Fideszit e ka bërë pikë qendrore mosmbështetjen ushtarake të Ukrainës në asnjë mënyrë. Kjo ka përfshirë veto ndaj 6.6 miliardë eurove ndihme vdekjeprurëse nga Instrumenti Evropian për Paqe (EPF) të planifikuar për Kievin, mundësinë e ndarjes së imazheve satelitore me Ukrainën nga Qendra Satelitore e BE-së (SatCen), si dhe rishikimin e mandateve të dy misioneve të BE-së në Ukrainë, EUAM dhe EUMAM, për t’i përfshirë ato në garancitë e ardhshme evropiane të sigurisë për Kievin.

Në Bruksel ka shpresë, megjithëse pa premtime konkrete, se këto tri veto do të hiqen nëse në Hungari vjen në pushtet një qeveri e re.

Së fundi, dhe më shumë në aspekt simbolik, ekziston gjithashtu pritshmëria në Bruksel që më shumë deklarata të politikës së jashtme të miratohen nga të 27 shtetet anëtare të BE-së në të ardhmen.

Për bezdi dhe turp të diplomatëve evropianë, vitet e fundit BE-ja është detyruar të publikojë deklarata vetëm në emër të shefit të politikës së jashtme të BE-së, pasi Hungaria ka bllokuar tekste të përbashkëta që, për shembull, dënonin zgjedhjet presidenciale të manipuluara në Bjellorusi në vitin 2025, mirëpritnin fletarrestimin e GJPN-së për Vladimir Putinin dhe përkujtonin përvjetorin e vdekjes së liderit opozitar rus, Alexey Navalny.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Presidenti i Kroacisë anulon Samitin Brdo-Brijon, shkak bëhet Aleksandër Vuçiçi

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka anuluar samitin e shefave të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Kroacinë dhe Slloveninë. Ky Samit ishte njoftuar se do të organizohej në muajin maj në ishullin kroat Brijoni.

“Prononcimet politike dhe veprimet e ditëve dhe javëve fundit të presidentit të Serbisë Aleksandçr Vuçiç janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Procesit Brdo-Brijoni, ato i dëmtojnë raportet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti Milanoviç është i mendimit se në rrethanat e tilla nuk ekzistojnë kushtet dhe nuk është e mundshme ardhja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Kroaci”, citon “Jutarnji list” njoftimin nga zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë.

Samiti i fundit Brdo-Brijon ishte zhvilluar në vjeshtë të vitit të kaluar në Tiranë, ku kishin marrë pjesë të gjithë presidentët e vendeve të rajonit, përfshirë edhe presidentin e Serbisë Vuçiç. bw

Gazetari italian zbulon rrjetin e mercenarëve të huaj në rastin “Sarajevo Safari”, ku është i përfshirë edhe Vuçiq

Gazetari italian zbulon rrjetin e mercenarëve të huaj në rastin “Sarajevo Safari”, ku është i përfshirë edhe Vuçiq

Gazetari dhe shkrimtari italian Esio Gavazzeni ka bërë deklarata të forta lidhur me ngjarje të rënda gjatë luftës në Sarajevë, duke pretenduar se qindra shtetas perëndimorë kanë paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar mbi civilët.

Sipas tij, gjatë viteve 1992–1996, rreth 500 persona nga vendet perëndimore morën pjesë në atë që ai e përshkruan si “gjueti njerëzore”.

“Ishte një numër i madh perëndimorësh, rreth 500, të cilët paguan shuma shumë të mëdha për të qëlluar mbi civilët në Sarajevë. Këto shuma janë të krahasueshme me çmimin e një apartamenti sot, pra rreth 200 mijë euro për një fundjavë”, ka deklaruar Gavezzeni.

Ai përshkroi edhe një sistem të supozuar shpërblimi për pjesëmarrësit, duke pretenduar se ata merrnin si “trofe” fishekë të gdhendur, në varësi të viktimave të qëlluara.

Sipas Gavezzenit, kjo veprimtari ishte e organizuar dhe kishte bazë në qytete si Londra dhe Brukseli, ndërsa përfshinte edhe lidhje me një kompani sigurie në Itali, e cila, sipas tij, i përgjigjej kërkesës së klientëve, shkruan The Geopost.

“Kishte një kërkesë dhe ata krijuan ofertën – dhe kjo kërkesë ishte mundësia për të qëlluar civilët me snajper”, është shprehur ai.

Gavezzeni shtoi se nga rreth 500 persona të përfshirë, 230 ishin italianë, duke përbërë pothuajse gjysmën e pjesëmarrësve.

Ai bëri të ditur gjithashtu se disa prej të dyshuarve janë identifikuar dhe emrat e tyre i janë dorëzuar prokurorisë, e cila, sipas tij, ka nisur procedurat për t’i thirrur në pyetje.

Në një zhvillim të ndërlidhur, gazetari kroat Domagoj Margetiq ka publikuar një dokument të nëntorit 1993, të nënshkruar nga Slavko Aleksiq, i cili pretendon të lidhë presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq me këto ngjarje.

Sipas këtij dokumenti, një shtetas italian i identifikuar me inicialet R.R., kishte dhuruar 20 mijë marka gjermane për njësinë e Aleksiqit, ndërsa dorëzimi i shumës thuhet se ishte bërë nga një vullnetar i njësisë, i përmendur si Aleksandar Vuçiq.

Margetiq thekson se dokumenti sugjeron se bëhej fjalë për pagesë shërbimesh, duke përmendur edhe shpërblime shtesë për vullnetarët që ofronin mbështetje logjistike për vizitorët e huaj.

Dokumentet e publikuara përfshijnë gjithashtu urdhra për lëvizje të lirë të mysafirëve dhe materiale të tjera nga arkiva e luftës së Aleksiqit.

Vuçiçi telefonatë me Moskën për situatën në Ballkan! Diskuton me Putinin për Kosovën dhe Republika Srpskan

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar një telefonatë, ku tema kryesore e diskutimit ishte situata në Ballkan.

Kremlini zbuloi se ndër çështjet kryesore të bisedës ishin Kosova dhe të drejtat e Republika Srpska, territori i vetëqeverisur brenda Bosnje Hercegovinës.

Sipas njoftimit të Kremlinit, Putin dhe Vuçiç ranë dakord të vazhdojnë kontaktet e tyre. bw

Ka reaguar me kritika për ekspozitën e “Masakrave serbe 1998-99” Natasha Kandiç veprimtare e shquar serbe e të drejtave të njeriut

Natasha Kandiç, veprimtare serbe e shquar e të drejtave të njeriut dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka reaguar në X rreth ekspozitës të krimeve serbe që u hap në Prishtinë:

Ja disa thekse të Zonjës Kandiç:

“FDH dhe FDHK kritikuan publikisht ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” (ADMOVERE, INTEGRA), të shfaqur në qendër të Prishtines, dhe kërkuan heqjen e saj për shkak të keqinterpretimit të viktimave. “Portretizimet arbitrare dhe joprofesionale të krimeve duhet të ndalen.” Pas reagimit të publikut, ekspozita u hoq.

 

Në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në Prishtines, paneli i Burgut të Dubravës pretendon në mënyrë të rreme se 48 “persona të armatosur” u vranë, duke cituar të dhënat e FDH-së. FDH u përgjigj se nuk i ka përshkruar kurrë viktimat në Dubravë si të armatosur, por ka dokumentuar se të paktën 100 të paraburgosur shqiptarë u vranë nga rojet e burgut dhe njësitë speciale të policisë serbe; disa kishin qenë anëtarë të UÇK-së para arrestimit. FDH kërkoi që ekspozita, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA, të hiqet. Ekspozita është hequr që atëherë.

Zonja Kandiç po ashtu ka risjellë një postim të 28 Majit 2010:

28 maj 2010 – HLC ngriti një padi penale kundër Ministrit të Drejtësisë Dragoljub Janković dhe 33 zyrtarëve të tjerë serbë për vrasjen e më shumë se 90 personave dhe plagosjen e më shumë se 150 të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës në maj 1999, pasi më shumë se 1,000 shqiptarë ishin transferuar nga burgjet në Serbi në Dubravë. Nuk është kryer kurrë asnjë hetim.

Amerikanët ofrojnë miliona për menaxhimin e aeroporteve në Sarajevë dhe Mostar

Predrag Zvijerac

Më shumë fluturime, bileta më të lira dhe aeroporte më moderne.

Këto janë ndryshimet që mund t’i përjetojë Bosnje dhe Hercegovina, nëse një investitor amerikan merr përsipër menaxhimin e aeroporteve në Sarajevë dhe në Mostar.

Oferta vjen nga kompania AAFS Infrastructure Energy LLC, e cila premton investime të konsiderueshme dhe lidhje më të mira me destinacionet evropiane.

Aeroporti i Sarajevës, përndryshe, është në pronësi të Qeverisë së Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Zyrtarë të këtij entiteti konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se, në fillim të marsit, kanë pranuar propozimin e AAFS-së për një koncesion 30-vjeçar.

Çështja është aktualisht “në fazën e vlerësimit të interesit publik”, pranë Ministrisë Federale të Transportit dhe Komunikacionit.

Në të njëjtën kohë, oferta për Aeroportin e Mostarit i është përcjellë Qytetit të Mostarit, i cili menaxhon këtë aeroport më të vogël rajonal.

Qyteti i Mostarit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me detajet e ofertës për aeroportin.

Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi janë vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk i kanë dhënë ende aeroportet kryesore me koncesion ose në menaxhim privat.

Çka ofrojnë amerikanët?

AAFS-ja propozon marrjen e aeroportit në Sarajevë me koncesion për 30 vjet, me mundësinë e zgjatjes për 20 vjet të tjerë, konfirmoi Qeveria e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Ofertuesi deklaroi se planifikon të investojë afërsisht 250 milionë euro në faza, gjatë 5-7 vjetëve të parë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës

Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës

Aeroporti do të mbetet në pronësi të Qeverisë së Federatës, së cilës AAFS-ja, si operator i aeroportit, do t’i paguajë afërsisht 1 për qind të të ardhurave vjetore – rreth 720.000 euro.

Për më tepër, operatori i ri do të paguante në buxhetin e entitetit 7 për qind të fitimit para taksimit, që është rreth 2.5 milionë euro në vit.

AAFS-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me planet për Aeroportin e Sarajevës dhe të Mostarit, për përvojën e tyre në menaxhimin e aeroporteve dhe për kushtet që kanë ofruar.

Kjo kompani amerikane është e interesuar gjithashtu për ndërtimin dhe menaxhimin e gazsjellësit “Interkoneksioni Jugor”, i cili do ta lidhte Bosnje dhe Hercegovinën me terminalin në ishullin kroat, Kërk.

Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës po shënon një nga rritjet më të mëdha në numrin e pasagjerëve, linjave ajrore, itinerareve dhe fitimeve midis aeroporteve kryesore në Ballkanin Perëndimor.

Nga ky aeroport i thanë Radios Evropa e Lirë se në vitin 2025 kishin rreth 2.2 milionë pasagjerë, krahasuar me 1.8 milion në vitin 2024, që është një rritje prej më shumë se 22 për qind.

Autoritetet, njëkohësisht, i paguajnë aeroportit edhe subvencione nga buxheti, me qëllim zhvillimin e turizmit.

Në vitin 2021, Qeveria e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës vendosi që fitimi i Aeroportit të Sarajevës nuk do të paguhej në buxhetin e entitetit si divident për dhjetë vjet, por do të riinvestohej në zhvillim.

Aeroporti i Mostarit është shumë më i vogël dhe varet nga subvencionet. Në shkurt të vitit 2026, u nënshkrua një paketë me vlerë 1.75 milion euro me Kroacinë, prej së cilës 950.000 euro janë të destinuara për subvencionimin e linjës Mostar-Zagreb dhe 800.000 euro për sigurinë, infrastrukturën dhe zgjerimin e aeroportit.

Në vitin 2025, ai kishte rreth 72.000 pasagjerë. Tani, planifikon të zgjerojë terminalin, të rinovojë ndriçimin dhe pistën, si dhe të ndërtojë një termocentral diellor për të ulur kostot.

“Nëse nuk ka koncesionar dhe investime të mëdha, Aeroporti i Sarajevës realisht do të mbetej në rangun e dy deri në dy milionë e gjysmë pasagjerësh në vit – me luhatje që lidhen me turizmin dhe diasporën. Me një koncesionar që ka reputacion dhe mund të hapë rrugë të reja, potenciali është tre deri në tre milionë e gjysmë pasagjerë – gjë që do ta sillte Sarajevën më afër Shkupit ose Prishtinës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Muharem Shabiq, profesor në Fakultetin e Transportit dhe Komunikacionit në Sarajevë.

Ai shton se, në planin afatgjatë, Sarajeva mund të arrijë pesë milionë pasagjerë në vit, por vetëm me investime serioze në infrastrukturë dhe me zhvillim strategjik.

Shabiq shton se Aeroporti i Sarajevës, pavarësisht rritjes së tij, mbetet ende prapa konkurrentëve rajonalë.

Kufizimet, si pista më e shkurtër dhe terminali modest, mungesa e një transportuesi ajror të bazuar, si dhe rrjeti më pak i zhvilluar i linjave, e ngadalësojnë realizimin e plotë të potencialit të tij.

Sfidë shtesë janë ndërprerjet e shpeshta të trafikut dimëror, pasi mjegulla shkakton shpesh anulime fluturimesh.

Për këtë arsye, thotë Shabiq, shteti duhet të hyjë në procesin e koncesionit përfundimtar me të dhëna të qarta, analiza të hollësishme dhe interes publik të përcaktuar saktësisht.

Një mesazh të ngjashëm dërgon edhe Bojana Mirkoviq, profesoreshë në Fakultetin e Trafikut në Beograd.

Sipas saj, përgjigjja në pyetjen nëse koncesioni është i mirë apo i keq, varet kryesisht nga ajo që shteti dëshiron të arrijë.

“Arsyet dhe motivet për dhënien e një aeroporti me koncesion, mund të jenë shumë të ndryshme, dhe varet prej tyre se sa e rëndësishme është të studiohen përvojat e vendeve fqinje dhe në çfarë konteksti”, thotë Mirkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Dhe për pasagjerët, si Fegja Sharenkapa, pronar i një dyqani të vogël ushqimor në Sarajevë, gjëja më e rëndësishme është të ketë sa më shumë fluturime të lira.

Pasi së voni u shtua një linjë më e lirë nga Sarajeva drejt Baden-Badenit, këtë verë, në 50-vjetorin e tij, ai do të hyjë për herë të parë në avion për të vizituar vëllain në Mynih.

“Tani, situata me fluturimet është pak më e mirë. Por, nuk mendoj se do të jetë një aeroport i vërtetë derisa ndonjë kompani serioze e huaj ta marrë nën kujdesin e saj”, thotë Sharenkapa për Radion Evropa e Lirë.

Aeroporti i Mostarit

Aeroporti i Mostarit

Kush e miraton koncesionin?

Drejtoria e Aviacionit Civil të Bosnje dhe Hercegovinës (BHDCA) luan një rol kyç në menaxhimin e aeroporteve në këtë vend.

Ky rregullator nuk vendos për koncesionin, por pa miratimin e tij, një operator i ri nuk mund ta marrë përsipër menaxhimin.

BHDCA i tha Radios Evropa e Lirë se kjo përfshin, ndër të tjera, certifikimin, vlerësimet e rrezikut, manualet operative të përditësuara dhe miratimin e të gjitha ndryshimeve në sistemin e sigurisë dhe operacional.

Dhënia e Aeroportit të Sarajevës me koncesion do të duhet të miratohet edhe nga Parlamenti i entitetit të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa vendimi për Aeroportin e Mostarit i takon Këshillit të Qytetit.

Institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, kanë analizuar dhënien me koncesion të Aeroportit të Sarajevës edhe disa vite më parë – gjë që tregon se ideja e një partneriteti publik-privat nuk është e re.

Cilat janë përvojat e aeroporteve rajonale?

Pothuajse të gjitha aeroportet kryesore në rajon u janë besuar tashmë operatorëve të mëdhenj ndërkombëtarë.

Aeroporti i Beogradit drejtohet nga Aeroportet franceze Vinci që nga viti 2018, Zagrebi ka qenë nën koncesionin e kompanisë Group ADP që nga viti 2012, ndërsa Shkupi dhe Ohri drejtohen nga Aeroportet TAV për vite me radhë.

Aeroporti i Prishtinës është në pronësi të Limak Holding-ut turk, dhe Aeroporti i Lubjanës është në pronësi të Fraport-it gjerman.

Modelet e koncesioneve janë të ndryshme, por e përbashkëta e tyre është se shtetet, zakonisht, marrin një kombinim të pagesave të njëhershme, përqindjes së të ardhurave dhe cikleve të detyrueshme të investimeve.

Vlerat e marrëveshjeve të koncesioneve në rajon variojnë nga rreth 200 milionë euro në Maqedoninë e Veriut, mbi 320 milionë euro në Zagreb, deri në rreth 1.46 miliard euro për aeroportin e Beogradit.

Përgatiti: Valona Tela

Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar tashmë me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët i zotërojnë.

Deklarata e tij vjen pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi që tregonin disa avionë luftarakë të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Një avion, siç u pretendua, ishte i armatosur me një raketë kineze ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi, me shenjën CM-400.

Tjetri, sipas raportit, mbante një bombë ajrore LS-6, gjithashtu të prodhuar në Kinë.

Vuçiq tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan raketat kineze.

“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.

Ndaj kësaj blerjeje reagoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Ai tha se vendi i tij – anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje.

“Ne do të flasim me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për armët e tilla, të cilat janë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.

Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që një armë aq e fuqishme të përdoret ndonjëherë kundër vendeve fqinje, si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.

Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, po e zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Shtoi se, gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Pllenkoviq e ka siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë.

“E dëgjova dhe kaq. Por a kam ende një dozë shqetësimi dhe frike? Po, kam”, tha Vuçiq.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.

Raketë balistike në drejtim të Turqisë, SHBA evakuon Konsullatën në Adana: Largohuni!

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar shërbimet e tyre konsullore në Turqia jugore dhe i kanë kërkuar personelit diplomatik jo-thelbësor dhe familjeve të tyre të largohen nga zona për shkak të rreziqeve të sigurisë, njoftoi sot Departamenti i Shtetit.

“Më 9 mars 2026, Departamenti i Shtetit u dha udhëzime punonjësve jo-thelbësorë të qeverisë amerikane dhe anëtarëve të familjeve të tyre që të largoheshin nga Konsullata e Përgjithshme në Adana për shkak të rreziqeve të sigurisë. Konsullata e Përgjithshme e SHBA-së në Adana ka pezulluar të gjitha shërbimet”, thuhet në deklaratë.

Vendimi reflekton përpjekjet e SHBA-së për të siguruar mbrojtjen e stafit të saj dhe familjeve, ndërsa situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar. bw


Send this to a friend