Ndërsa bisedonim me Prof. Ilinden Spasse, djalin e shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse, fabulisti i njohur Izet Çulli i drejtohet:
– A vazhdon të jetë objekt mësimi për studentët në fakultetet e letërsisë të universiteteve tona jeta dhe krijimtaria letrare e babait tuaj?
Bashkëbiseduesi ynë, Prof. Ilindeni, ngriti supet. Nuk na u përgjigj. Dhe nuk e kuptuam se nga i buronte ajo heshtje; nga mosdija apo nga modestia. Ndërkaq, fabulisti i telefonoi menjëherë Prof. Bardhosh Gaçes, që jep leksione letërsie në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës.
– Si, ore, nuk studiohet! – përgjigjet Prof. Bardhoshi. – Sterjoja është pjesë e leksioneve që jepen në fakultetet e letërsisë së çdo universiteti. Madje studiohet edhe në shkollat e mesme.
Teksa dëgjonim këtë përgjigje përmes celularit, vumë re që Ilindenit i shkëlqyen sytë. I erdhi mirë, që jeta dhe krijimtaria letrare e të atit vazhdonte të ishte objekt leksionesh dhe seminaresh me studentët e shkollave të larta dhe të mesme.
– E morëm në telefon, – iu drejtua fabulisti Prof. Ilindenit, – sepse disa shkrimtarë të moshës së babait tuaj janë hequr fare nga programet mësimore!…
Maqedonasi që i dha aq shumë letërsisë shqipe
I lindur më 14 gusht të vitit 1912 në një familje fisnike të fshatit Gllomboç të zonës së Prespës nga prindërit Spasja dhe Mara, Sterjoja do ta niste mbarë që fare i ri rrugën e krijimtarisë letrare.
Mësimet e para i mori në vendlindje, por, për mungesë nxënësish, shkolla u mbyll, kështu që rrethanat e krijuara bën që të voglin ta dërgonin në shkollën e fshatit Nivicë. Teksa ishte në klasën e tretë, shkëputet nga kjo shkollë dhe kthehet në shtëpi! Pak muaj më pas i ati e dërgoi në shkollën e fshatit Goricë e Madhe, ku jepte mësim Pandeli Sina, që do të bëhej mik i familjes Spasse.
Por edhe në Goricë të Madhe nuk zgjati shumë. Kohë të vështira. Djalin e keni të mbarë, çoç mund të bëhet kur të rritet, prandaj gjejeni mundësinë ta dërgoni në Korçë për të ndjekur shkollën, pat thënë mësues Pandeliu. Dhe ashtu qe vepruar. Kaçurrelësi i vogël u dërgua në Korçë, ku u regjistrua në klasën e katërt të shkollës plotore numër 4 të qytetit. Sakaq, për të përballuar shpenzimet, pasditeve punonte në hanin e Alo Beut.
Pak më pas, së bashku edhe me disa moshatarë të vet, Sterjoja mundi të regjistrohej në Normalen e Elbasanit. Këtu u njoh me mjaft të rinj, të cilët, kohë më pas, do të bëheshin figura të njohura të letërsisë e të gjuhësisë shqiptare. U njoh dhe u bë mik edhe me Aleksandër Xhuvanin.
Ndërsa studionte, nisi të shkruante. Madje edhe të botonte. Botoi te gazetat “Ora” dhe “Normalisti”. Herë – herë shfaqi edhe guxim qytetar. Në një nga shkrimet e botuara pat kritikuar organizatorin e Entit të qytetit, Umberto de Fuçio. E kapin dhe e arrestojnë! Rrethanat erdhën të atilla më pas dhe djalin nga Gllomboçi e lirojnë.
Një këshillë vërtet frymëzuese prej Ali Kelmendit
Ndërsa ishte në qytetin e Korçës, merr vesh se bashkëfshatarët e vet ishin vënë në një hall shumë të madh: beu po u xhvaste tokat, kështu që të gjorëve iu duhej të paguanin, që ta rimerrnin tokën! Kështu do t’i duhej të vepronte edhe i ati i Sterjos. Pra, duhej të punonte edhe Sterjoja për të shlyer “borxhet” te beu!
Duke lëvizur nëpër Korçë, rastësisht Sterjoja ndeshi një të njohurin e tij. U takuan dhe u përqafuan.
– Hajde të futemi në këtë lokalin këtu, – i propozoi shoku.
Futen. Brenda gjejnë një njëri fare të thjeshtë, që çohet menjëherë në këmbë dhe vazhdon drejt atyre që futeshin.
– Këtë djalë e kemi nga Shulet, – i thotë tjetri atij që gjetën brenda.
– Shule, Shule, por ama po e tundin! – foli ai që sapo i kishte pritur në atë lokal. – Ashtu të bashkuar, po i tregojnë vendin beut…
Dhe shoku që e shoqëronte, e njeh Sterjon me atë që sapo takohej. Ky që u ndodhej përballë na paskej qenë Ali Kelmendi.
– Kam dëgjuar se ju shkruani, bile jeni me shumë talent, – i ishte drejtuar Aliu.
Sterjoja nuk i ishte përgjigjur. Qe ndodhur para një njeriu që po e mburrte.
– A ka dramë më të madhe se sa kjo rezistenca e goricarëve për të shkruar një vepër të gjatë, për shembull, për një roman? Brumin e keni gati. Ju jeni dhe biri i atij vendi. Ti vetëm shkruaj të vërtetën. Ti vetëm hidhe në letër këtë të vërtetë…
Sterjos i pat mbetur në kokë kjo këshillë.
Një ditë tjetër Sterjoja i shkoi Aliut së bashku me udhëheqësin e rezistencës së goricarëve. Dhe mori edhe të tjera këshilla se si duhej ta përdorte lapsin.
Dhe vite më vonë do të botohej prej Sterjos një nga romanet më interesant të letërsisë shqipe të asaj kohe: “Ata nuk ishin vetem”.
Tashmë maqedonasi nga Gllomboçi kishte nisur rrugën e shkrimtarit.
S’kanë rëndësi këpucët që vesh, por gjurmët që le mbas
Mbas mbarimit të Normales, djaloshin nga Gllomboçi e dërgojnë mësues në shkollën e Derviçanit. Tanimë ky ishte bërë i lapsit. Jep mësim, por edhe boton artikuj njëri pas tjetrit në gazetat e Korçës. Pikërisht këtu, në Derviçan, do të njihej e do të krijonte miqësi me Petro Markon. Pikërisht këtu lindi dhe u shkrua romani “Pse?”, që bëri bujë në rrethet e gjëra intelektuale
Mbas një viti në Derviçan, Sterjoja dërgohet mësues në Voskopojë. Tashmë njëzetedyvjeçarë, ai boton brenda një kohe të shkurtër disa shkrime, sikurse boton edhe dy përmbledhje të vogla: “Kurorë rinie” dhe “Në krahët e një femre”. Në këto botime ai do të trajtonte tema të mprehta sociale. Sakaq, pena të njohura do të komentonin nëpër gazeta të ndryshme botimet e të riut Sterjo.
Dy vjet më pas Sterjon e transferojnë, por tashmë duke e emëruar brenda në Korçë, në shkollën plotore numër dy. Tanimë ky do t’i përkushtohej edhe studimeve të karakterit pedagogjik. Krijon biblioteka, nxit të organizohen konferenca me tematikë psikologjike e pedagogjike etj.
Në Korçë gjen rast të botojë, fragment mbas fragmenti, romanin “Pse?” në “Gazetën e Korçës”. Kjo gazetë tërhoqi një rreth të gjerë lexuesish. Dhe erdhi rasti që plot 13 gazeta e revista të bënin komentet e tyre për romanin “Pse?”.
Gjatë vitit 1938 bën përpjekje për botimin e librit “”Mësonjsja ideale”. “Do të vazhdosh si mësues, apo si shkrimtar?” i qe drejtuar dikush. S’kanë rëndësi këpucët që vesh, por gjurmët që le mbas, ia pat kthyer Sterjoja.
I lidhur ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare
Në monografinë e Prof. Ilinden Spases “Im atë, Sterjo” në faqen 100 shkruhet: “Një ditë Sterjoja u kthye më përpara në shtëpi. Papritur brenda gjen Kristo Themelkon me katër të rinj të tjerë. Mbetën për një copë herë të ngrirë të tërë.
– Më dërgoi Koloja për të të marrë…, – tha nëpër dhemb i skuqur Kristoja. Pastaj shtoi me të shpejtë:
– Njiheni; ky është Sterjo Spasse, shkrimtar dhe mik i ngushtë i dajës, ndërsa këta janë shokët e mi: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Xhezmi Delli dhe Vojo Kushi.
Sterjoja e toku me ta.
– Ju dy të parët ju njoh; jua kam dëgjuar zërin në gjyqin e Shkodrës, ndërsa ju dy të tjerët…, – foli Sterjoja.
– Ndërsa ne të njohim; të njohim nga “Pse-ja”, – ia bën ata thuajse njezëri.
Ndërsa Qemali vazhdoi:
– Unë t’i kam lexuar të tëra shkrimet që ke botuar që nga fillimi. Ti je proletar. Të tillë shkrimtar si ty duam ne, që të shkruash për popullin…
Në tetor të vitit 1944 Sterjoja shkoi në Priskë, ku ishte shtabi i Brigadës së Parë Partizane. Takon me shumë kuadro të lartë, Bako Dervishin, Spiro Shalësin, Nexhip Vinçanin, Lufter Hoxhën e të tjerë.
Mbas çlirimit Sterjo Spasse do të ishte anëtar i Komisionit Nismëtar për themelimin e një organizate të shkrimtarëve shqiptarë, ku bënin pjesë 11 shkrimtarë.
Nuk do të vononte të ishte emër i respektuar mes atyre që merreshin me letërsi dhe art. Nuk ishte rastësi, që së bashku me Aleks Çaçin të dërgoheshin në Kongresin e Shkrimtarëve Bullgarë, që do të ishte pjesëmarrja e parë jashtë vendit e shkrimtarëve shqiptarë në një forum të lartë ndërkombëtar.
Vizitë në dhomën ku kish pas punuar Leon Tolstoi
Mbas çlirimit Sterjo Spasse caktohet të kontribuojë në Ministrinë e Arsimit. Hartonte tekste e programe mësimore për nxënësit e shkollave shtatëvjeçare e të mesme. Shkruante e botonte në mënyrë sistematike artikuj të ndryshëm me karakter pedagogjik e didaktik.
Ndërkohë që i zhytur punës shkencore, krijimtarinë letrare nuk e ndante nga veprimtaria e tij e përditshme. Ditën – për shtetin e ri shqiptar, pasditeve e sidomos natën – për letërsinë shqiptare. Tashmë ishte bërë një emër jo vetëm i njohur, por edhe shumë i respektuar në rrethet intelektuale dhe në qarqet shtetërore.
Ashtu, në vlug të punës, e caktojnë në përbërje të një delegacioni kulturor që do të vizitonte disa vende në Bashkimin Sovjetik. Nisen. Arrijnë në Odesë dhe, nga këtu, në Kiev, ku i bie rasti të vizitojë muzeun kushtuar poetit të madh ukrainas, Taras Shevçenko. Pati rast të shikojë në Kremlinë edhe sallat e shekullit XVII të Romanovëve
Mbresëlënës do të ishte për Të vizita në shtëpinë e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi në Jasnaja Poljana, dyqind kilometra larg Moskës. Në një kënd të dhomës së punës së Tolstoit Sterjoja pat lexuar një shënim që qe publikuar edhe në disa gazeta: “Dy mbretër ka ndër ne: Nikoll II dhe Leon Tolstoi. Cili nga të dy është më i fortë? Nikoll II nuk mund t’i bëjë asgjë Tolstoit; nuk mund ta trondisë fronin e tij; ndërsa Tolstoi e trondit me siguri fronin e Nikollës dhe të dinastisë së tij”.
Sterjo Spasse ka qenë me misionin e shkrimtarit edhe në Kinë, Mongoli, Suedi, Bullgari e në shtete të tjera.
Kritizerëve u vinte përballë punën plot talent
Mbas çdo romani që botonte, si edhe ndaj shumë të tjerëve, Sterjos i lëshoheshin kritikët! Dhe jo vetëm kritikët! Kështu ngjau sidomos mbas romanit “Pishtarët”. Nisën të gjuajnë me shigjeta të helmuara mjaft syresh. Pati ndonjë që mbushi dynjanë lart e poshtë me thashetheme letrare!
I shkolluar në Itali, i arsimuar edhe ne Institutin “”Gorki” të Moskës për letërsi, Sterjoja e ndjente veten të sigurt në rrugën e krijimtarisë letrare. Mirëpo… cmirëzinjtë çfarë nuk të bëjnë!
Kur u pa se duheshin vënë pikat mbi i, atëherë u krijuan katër komisione për të hartuar katër raporte të pavarur nga njëri – tjetri. Njëri raport ishte nënshkruar nga Llazar Siliqi, Fatmir Gjata e Ismail Kadareja; tjetri – nga historiani Ligor Mile; i treti – nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe i katërti nga kritiku Koço Bihiku.
Pasi u studiuan të katër këto raporte, Sterjon e thërresin në Komitetin Qendror të Partisë. Aty shefi i shtypit, Dhimitër Tona, në emër të udhëheqjes më të lartë i transmeton përshëndetjen për nisiativën shumë të çmuar që kishte marrë për të shkruar ciklin e romaneve për Rilindjen dhe për arritjet që kishte siguruar.
Dhe nuk vonoi të dekorohej nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Klasit I”. Në vazhdim, do të meritonte Çmimin e Republikës.
Disa nga veprat më kryesore të Sterjo Spasses
Siç edhe e vumë në dukje në paragrafet më lart të këtij shkrimi, Sterjo Spasse nisi herët të shkruajë. Në vitin 1934, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç, botoi librin “Kurorë lirie”’. Në po këtë vit botoi edhe librin tjetër interesant “Në krahët e një femre”.
Një vit më vonë, pikërisht në vitin 1935, botoi librin sociologjik “Pse?”. Është një libër, me të cilin ky autor fitoi dhe mbeti me shumë autoritet. Edhe sot dëgjojmë të thuhet, se “pse” – së nuk i ka dhënë dot përgjigje as vet Sterjo Spasse.
Në vitin 1944, ndërsa ishte përfshirë në Lëvizjen Antifashiste, botoi librin “Nusja pa duvak”, si dhe librin tjetër, “Afërdita”.
Mbas çlirimit të atdheut, edhe pse i zënë me shumë detyra të karakterit profesional shtetëror, Sterjo Spasse shkroi e botoi në mënyrë sistematike romane të shumtë. Kështu, në vitin 1952 botoi librin “Ata nuk ishin vetëm”.
Vit mbas viti i dërgoi lexuesit edhe vepra të tjera letrare dinjitoze, si “Afërdita përsëri në fshat” në vitin 1954, “Buzë liqenit” në vitin 1965, “Zjarre” në vitin 1972, “Zgjimi” në vitin 1973, “Pishtarë” në vitin 1975, “Ja vdekje, ja liri” në vitin 1978, “Kryengritësit” në vitin 1983, “O sot, o kurrë!”…
Vepra e Sterjos u botua e plotë në 9 vëllime, që përfshinte mbi tremijë faqe. E gjitha kjo qe një punë tepër e mundimshme për këtë shkrimtar me shumë emër.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta kohë më parë e dekoroi këtë shkrimtar të shquar (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Biblioteka e Kongresit Amerikan nderon në vitin 2012 në Washington Sterjo Spassen me rastin e 98 vjetorit të lindjes.
Deri në fund të jetës, mik me Ismail Kadarenë
Shkrimtari Sterjo Spasse pati shumë miq në jetë. Dhe të tillë i mbajti tërë jetën. Se nuk thonë kot: të takosh me njerëz të mirë në jetë është fat, t’i mbash miq tërë jetën është meritë.
Një mik të tillë ai pati dhe e mbajti deri në fund edhe gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadarenë. Ja se si i drejtohet me një letër të ngrohtë këtij shkrimtari të madh më 4 mars të vitit 1989:
“I dashur Ismail,
Pak nga muzeumi i sëmundjeve, pak nga mosha e shtyrë (mos kujto se jam si tridhjetë vjet më parë në Moskë!), pak edhe nga mukajeti jam penguar të takohem shpesh me shokë, si dhe me ty. Por e kam ndjekur me shumë kujdes fluturimin tënd lart e më lart si shqiponjë e letërsisë dhe e kulturës sonë jo vetëm në qiellin shqiptar, por edhe në qiejt e botës mbarë dhe më është bërë zemra mal që ke hyrë në bibliotekat tona kombëtare e familjare, por edhe në bibliotekat e mbarë popujve të botës si një kalorës fisnik e ballëhapët, përfaqësues i shkëlqyer i kulturës … shqiptare të ditëve tona.
Tani, me rastin që u bëre anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës, kam gëzimin të të uroj me gjithë zemër këtë nder që ta bëri Franca, atdheu i kaq gjenive të kulturës së përbotshme. Dëshiroj me gjithë zemër që një ditë, shpejt a vonë, kjo s’ka rëndësi, të të uroj që edhe ti të rreshtohesh ndër ata gjenialë krijonjës të përbotshëm, që kanë me të drejtë edhe çmimin Nobël…
Përshëndetje e urime të përzemërta familjes tënde!
Përqafime!
Tiranë, më 4. III. 1989 Sterjo”.
* * *
Shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse i janë bërë disa nderime. Në fasadën e katit të parë të pallatit ku ka pas banuar në Tiranë është vendosur një Pllakë Përkujtimore, në të cilën shkruhet: ”Këtu ka pas banuar shkrimtari Sterjo Spasse”.
Një nga rrugët e kryeqytetit, te Kodra e Priftit, mban emrin e kësaj figure të shquar.
Në vendlindje është vendosur busti i tij.
Po në vendlindje shtëpia e tij është duke u kthyer në muze, financuar nga Bashkimi Evropian.
– Para çlirimit dhe në vitet e para të pas 29 Nëntorit 1944 Sterjo Spasse i ka pas dhënë shumë arsimit shqiptar, si rrallë të tjerë, – ndërhyn fabulisti Izet, – kështu që do të ishte mirë që një nga shkollat që po ndërtohen në kryeqytet të mbante emrin e këtij shkrimtari të madh.
Komentet