TIRANË– Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar ditën e 75-të të tubimit. Pas vendosjes së protestuesve përballë godinës së Kryeministrisë janë mbajtur fjalime nga organizatorët e protestës dhe jo vetëm, ku kanë shprehur pikëpamjet e tyre në lidhje me protestën.
Një protestues në fjalën e tij ka akuzuar SPAK-un se po vonon hetimet dhe veprimet ndaj dosjeve të korrupsionit, duke pretenduar se institucionet kanë frikë të përballen me politikanë dhe persona që ai i cilësoi si tradhtarë dhe mafiozë.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se shqiptarët janë ndarë nga politika dhe se shumë familje kanë të afërm jashtë vendit. Ai kërkoi përgjegjësi penale për politikanët, duke përsëritur thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa akuzoi politikanët se kanë përdorur pushtetin për interesat e tyre dhe pasi kanë përfituar nga qytetarët, sot gjejnë rastin edhe i tallin ata.
“SPAK-u vijon dhe fle mbi dosjet e korrupsionit. Nëse keni frikë të arrestoni tradhtarët dhe mafiozët, ka plot djem e bij nënash që janë të gatshëm t’u kërcasin prangat këtyre tradhtarëve.
Të gjithë ne këtu kemi familjarë jashtë shtetit. Na ndanë këta politikanë. Thirrja që na bashkon ndaj është: Rama n’burg, Berisha n’burg! Kemi politikanë që janë treguar të zellshëm në qeveri vetëm për interesat e tyre. Pasi i morën të gjitha nga ky popull, sot mundohen edhe ta tallin.”, u shpreh ai./Dosja.al