VOAL

VOAL

Simon Stefani – raport sekret më 1977: Të largoni nga Teatri, Robert Ndrenikën, Anagnostin dhe Shytin

July 17, 2017

Komentet

Dëshmia në hetuesi e Kreshnik Tartarit, ish-trajnerit të volejbollit të ‘Dinamos’: Feçor Shehu, që dinte interesimet e Skënderit për Silva Turdiun, s’më ka thënë në ndonjë rast, që unë ta pengoja këtë gjë

 

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.

 

 

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar), si në opinionin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm gjithashtu!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj., ku në procesin hetimor dhe gjyqin e tyre, ishin plot 275 dëshmitarë.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, që në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

(Vijon nga numrat e kaluar)

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË KRESHNIK TARTARIT, ISH-TRAJNER I EKIPIT TË VOLEJBOLLIT “DINAMO” PËR FEMRA, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, LUAN BEGA DHE AVNI DOÇI

PROÇES – VERBAL

Dëshmie

Tiranë, më 29 dhjetor 1982

Ne, Luan Bega dhe Avni Doçi, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, muarrëm në pyetje me cilësinë e dëshmitarit, Kreshnik Tartarin, i biri i Nimetit dhe Adiles, lindur në Tiranë më 1943, me arsim të lartë, i paorganizuar në Parti, i padënuar ndonjëherë, mësues i Edukimit Fizik pranë shkollës së mesme Ekonomike në Tiranë, banues në Lagjen Nr. 5, Rruga “Reshit Çollaku”, Pallati 10, Apartamenti Nr. 2, Tiranë.

Hetuesit më paralajmëruan për përgjegjësinë penale që kam, në rast dëshmie të rreme, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH

Dëshmitari

Kreshnik Tartari

Dëshmitari mbasi u pyet, deklaron: Unë kam qenë trajner i ekipit të volejbollit të femrave pranë Klubit Sportiv “Dinamo” nga viti 1972 deri në vitin 1982.

Mesa më kujtohet, në muajin janar të vitit 1981, së bashku me ekipin, kemi qenë për të zhvilluar një ndeshje volejbolli në qytetin Shverin të Gjermaninë Lindore. Në këtë qytet, ka ardhur nga Suedia, Skënder Shehu, djali i Mehmet Shehut, i cili na tha se kishte ardhur për të parë ndeshjen e volejbollit që do të zhvillonim.

Skënder Shehu, ka ardhur në Shverin i shoqëruar nga Gani Kodra, një punonjës i ambasadës së RPSSH në Suedi, dhe një shofer (emrat e të cilëve nuk më kujtohen). Në Shverin unë, kam filluar muhabet për herë të parë me Skënder Shehun, të cilin deri atëherë e njihja si fytyrë dhe kisha vetëm një salutim me të.

Gjatë kohës që qëndruam në Shverin, Skënderi nuk la ndonjë përshtypje se interesohej për Silva Turdiun, mbasi pothuajse u soll njëlloj me gjithë pjesëtarët e ekipit, në çdo rast që u shoqërua me ne.

Në Shverin, kemi biseduar për ekipin e volejbollisteve të “Dinamos” dhe ramë dakord që të interesoheshin Skënderi dhe ai shoku që e shoqëronte (punonjës i ambasadës sonë në Suedi), për të krijuar mundësi që ekipi jonë të zhvillonte takime miqësore me ndonjë ekip volejbolli suedez, por shtova që të bënin kërkesë zyrtare, klubet suedeze.

Mbasi ishim kthyer nga Shverini, rreth një apo dy muaj më vonë, unë kam takuar Qazim Turdiun, babain e Silvës, dhe ai më tha që vajzës së tij, i kishin dërguar disa fotografi ku ajo kishte dalë me ekipin në Shverin, dhe si numër kishte më shumë se shoqet. Unë di se këto fotografi, i kishte dërguar Skënder Shehu nga Suedia, sepse m’i ka sjellë vëllai i tij i vogël (emrin nuk ja di) dhe vetë ja u kam shpërndarë vajzave të ekipit.

Qazimi në këtë rast më tha se para se të shkonim në Suedi, Skënder Shehu kishte ndaluar Silvën, për të biseduar me të, por Silva nuk kishte pranuar. Mesa më kujtohet tani, në muajin maj të 1981, ditën që po mbyllej kampionati, në Pallatin e Sportit “Partizani”, ka qenë edhe Skënder Shehu, po nuk më kujtohet se me kë shoqërohej.

Me Skënderin bisedova përsëri gjëra të zakonshme rreth ekipit, dhe fitoret e tij në kampionat. Kjo bisedë, ishte e shkurtër. Në muajin korrik 1981, unë së bashku me ekipin, ishim në Shtëpinë e Pushimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës. Gjatë kësaj periudhe, që ishte në 15 ditëshin e parë të muajit, Skënder Shehu vinte shpesh dhe qëndronte pranë ekipit.

Duke dëgjuar pëshpëritje, lidhur me ardhjet e tij të shpeshta pranë ekipit, e pyeta Skënderin, se përse vinte kaq shpesh, se po binte në sy. Skënderi më tha se interesohej për Silva Turdiun, nëse kishte të bënte më parë me ndonjë djalë. Unë i thashë jo, dhe e pyeta njëkohësisht, nëse kishte biseduar me prindërit para se t’i hynte këtij interesimi, sepse Turdinjtë, kanë diçka në biografi.

Skënderi më foli rëndë, duke më thënë se secili ka punën e vet, dhe më dha të kuptohet, se nuk duhet të pyesja më. Lidhur me anën biografike të Silva Turdiut, unë kisha dëgjuar se kishte diçka jo të mirë nga i ati dhe para se të aktivizohej Silva me ekipin e të rriturave, është marrë dhe miratimi i Feçor Shehut për të. Por kujtoj se në vitin 1976, Feçori më pyeti se; “E kujt nga Turdinjtë është Silva, e Qazimit”?!

Pastaj e miratoi marrjen e saj në ekip. Nga fundi i muajit Korrik ose fillimi i muajit gusht, duke parë se Skënderi filloi të takohej me Silvën dhe të bisedonte, kam shkuar në shtëpinë e saj dhe kam pyetur Qazim Turdiun, lidhur me biografinë e familjes së tij. Qazimi më përmendi rreth 7 persona me mbiemër Turdiu, Pipa, etj. Këta ishin një pjesë të arratisur e, një pjesë të dënuar politikë.

Këto emra unë i shënova në një copë letër dhe u largova. Unë tek Qazim Turdiu, kam shkuar mbasi kisha biseduar më parë me Skënder Shehun, të cilin e pyeta nëse e dinte biografinë e tyre. Dhe ai më tha se; çfarë kanë ata?! Gjatë muajit gusht, mbasi mora nga Qazim Turdiu listën që përmenda, e ja tregova atë Skënder Shehut dhe ai mbasi e pa, ma mori.

Unë duke parë se Skënderi edhe mbas këtij veprimi, vazhdonte të interesohej për Silvën, e ta takonte atë, e pyeta përsëri Skënderin nëse kishte biseduar me njeri për këtë punë. Skënderi më tha se; babai i tij Mehmeti, kishte pyetur Feçor Shehun që ishte ministër i Punëve të Brendshme atëherë, dhe Feçori i kishte folur fjalë të mira për Silvën, por Skënderi shtoi se Feçori i kishte thënë se, nëse ai do të kishte djalë, për të marrë nuse, atëherë do të pyeste Mehmet Shehun, si vëlla të madh që e kishte.

Pas kësaj përgjigje të Skënderit, nuk e kam pyetur më atë se ç’thonin prindërit e tij. Ndërsa Qazim Turdiu, më ka thënë se ishte i shqetësuar nëse e dinin prindërit e Skënderit, që ky i fundit donte të fejohet me Silvën, dhe se vetë Qazimi, nuk do të besonte t’ja thoshte dikush tjetër këtë gjë, në rast se atë nuk ja thoshte vetë Mehmet Shehu.

Mua më ka bërë përshtypje fakti që Skënder Shehu, gjatë muajve korrik dhe gusht 1981, bëri përpjekje të shumta dhe arriti të fejohej me Silva Turdiun, pa u njohur më parë me të. Feçor Shehu, që dinte interesimet e Skënder Shehut për Silva Turdiun, nuk më ka thënë në ndonjë rast, që unë ta pengoja këtë gjë.

Bile vetë Feçori, e ka uruar Silvën, për fejesën me Skënder Shehun. Pas prishjes së fejesës, Skënder Shehu më ka thënë se Silva, duhet të trajtohej si më parë në Klubin Sportiv “Dinamo”.

Sa thashë janë të vërteta, dhe mbasi i lexoj e i gjej të shkruara drejt, i firmos.

Dëshmitari                                                                      Hetuesit

Kreshnik Tartari                                                         Avni Doçi, Luan Bega

/ MEMORIE.AL /

XHEVDET BLLOSHMI DHE LETRA NGA SHBA PËR RASTIN E ZHGROPOSJES TË SHEFQET E HAKI BLLOSHMI NË DUNICË Nga Bedri Blloshmi

Biografi e shkurtër e Xhevdet Hajdar Blloshmi

Ka lindur në 1911 në Bërzeshtë. Ishte djali i tretë i Hajdarit. Ka qënë i martuar dhe ka lindur katër fëmijë, Selahudinin, Hysenin, Minervën dhe Dianën. Xhevdeti, mbas vrasjes së vëllezërve Hakiut dhe Shefqetit në Dunicë të Pogradecit mbas një jave a pak më shumë, shkon atje me disa shokëdhe mori gjakun e vëllezërve Blloshmi e të tjerëvë të ekzekutuar mizorisht më 7 mars 1944. Mbas kësaj qëndron disa vite në Shqipëri, padyshim, në arrati. Nuk kemi informacion se kur është larguar dhe nga ka udhëtuar për të përfunduar në SHBA.Më 26.11.1996 ndërron jetë. Të katër fëmijët e tij kanë qënë të internuar deri në 1990 kur komunizmi u vithis dhe u shua në të gjithëLindjen. Aty nga viti 90-91 të katër fëmijët e tij udhëtuan drejt Rumanisë ku i priste babai i tyre dhe më pas udhëtuan në SHBA ku jetuan bashkë derisa ndërroi jetë. Gjatë kohës që Xhevdeti ishte në SHBA ishte veprimtar i Bllokut Kombëtar Indipendent. Po ashtu me rastin e çgroposjestë luftëtarëve të lirisë në 1994 në përroin ku ishin ekzekutuar dhe varrosjes me të gjitha nderimet që meritonin në një parcelë të veçantë në varrezat e qytetit të Pogradecit, Xhevdet Blloshmi ka dërguar një letër përshëndetëse nga SHBA.

Jam përpjekur shumë për të mësuar më shumë hollësira për ngjarjen e Dunicës sidhe mënyrën e largimit të tij nga Shqipëria, por pa rezultat deri sot.

Në proces-verbalin e mbajtur në Bërzeshtë, gjatë konfiskimit të pasurisë së të arratisurit politik Xhevdet Blloshmi, nga lagjia Farret, katundi Bërzeshtë shkruhet: “Sot më datën 13 gusht 1945, ditën e hënë ora 10:00 paradite, unë Mustafa Kila, nënpunës i komitetit ekzekutiv i nënprefekturës Librazhd, mbërrita në lagjen Farret, të katundit Bërzeshtë dhe mbasi bashkova komisionin fshatar të ngarkaur për këtë punë, i kryesuar nga shoku Sulë Murati dhe anëtarët Osman Goli e Shaban Vreto kontrolluam dhe konstatuam gjithë pasurinë…”

Në një dokument arkivor, “vendim mbi sekustrimin e pasurisë” së Xhevdet Blloshmit shkruhet: “në zbatim të ligjit nr. 40 datë 14 janar 1945 Xhevdet Blloshmit i konfiskohen 1831 fr. Shqiptare, depozituar në bankë dhe një mulli bloje drithi në fshatin Farret.”

Letra e Xhevdet Blloshmit nga U.S.A për rastin e zhgroposjes të të vrarëve në Dunicë

Përulemi me respekt para jush

Haki dhe Shefqet Blloshmi dhe gjithë viktimave të komunizmit që varrosen sot.

Jemi sot këtu para jush, ne pasardhësit tuaj, që Demokracia na dha mundësinë t’iu nderojmë në këtë ditë të shënuar. Së bashku me të gjithë të pranishmit përulemi me respekt para jush dhe vendosim lule të freskëta. Mbi gjakun tuaj dhe të qindrave të tjerë si ju, ju desh kuçedrës komuniste të triumfonte në Shqipëri duke shkelur mbi vendimet e Mukjes dhe tradhëtuar idealet e popullit. Haki dhe Shefqet Blloshmi, dy vëllezër nga familja e Hajdar Blloshmit. Të dy të rinjtë bëjnë pjesë në 12 Blloshmët e tjerë të vrarë e të pushkatuar nga komunistët që nga marsi i 44-ës, deri në janarin e 45-ës, pa përfshirë këtu vitet e burgjeve, të internimeve dhe pushkatimeve më të vonshme që do të arrinin deri te më i riu i Blloshmëve, Vilsoni i pushkatuar më 17 korrik 1977. Ju mbajtët lart traditat e Atit tuaj, që krenohej që gjithë Blloshmët e kishin origjinën nga Milloshi i famshëm i betejës së vitit 1389 në Fushë-Kosovë, (çka është vërtetuar nga studiues të huaj e vendas). I cili, Hajdari, i deklaroi Sulltanit në gjyqin e Stambollit: “mua mund të më dënoni, por shqiptari nuk e ka fituar lirinë pa gjak”. Ju mbajtët lart traditat e atij ati, që i ktheu përgjigje dinjitoze Carit të Serbisë me rastin e ftesës që i bëri për të trajtuar me të gjitha të mirat në Serbi, si serb, pasardhës të Milloshit gjoja serb. “Jam Shqiptar dhe i tillë do të mbetem”. Ju mbajtët lart denjësisht traditat e babait tuaj arsimdashësit, poliglotit, pjesëmarrësit të Kongresit të Manastirit, të Kongresit të Elbasanit për hapjen e Normales, inciatorit për hapjen e shkollave shqipe në Librazhd, Starovë, Bërzeshtë, etj. I caktuar delegat në kuvendin e Vlorës nga Starova e Pogradecit për Shpalljen e pavarsisë në të cilin nuk arriti të merrte pjesë pasi u internua nga pushtuesit ne Bullgari, një ndër mësuesit e parë të Normales së Elbasanit, deputet i disa legjislaturave në Parlamentin Shqiptar nga viti 1926-1932. Hakiu dhe Shefqeti jo vetëm i ruajtën këto tradita të mira e të trashëguara nga prindërit por me zotësinë e tyre i çuan ato më përpara. Haki Blloshmi mësimet e para i mori në shkollat shqipe në Bërzeshtë dhe në Korçë. Në moshën 16 vjeçare vajti për të vazhduar shkollën e mesme dhe të lartë në Amerikë. Përfundoi shkëlqyeshëm universitetin e Harvardit për Ekonomi Politike. Punoi tre vjet në Ambasadën shqiptare në ShBA, pranë kolosit të letrave shqipe, të famshmit Faik Konica. U kthye në atdhe për të vënë në shërbim të popullit të tij, dijet e fituara. Më vonë kreu studimet pasunversitare në Francë. Pushtimi fashist e gjeti në vendin e tij ku organizoi rezistencën antifashiste dhe u vu në krye të çetës nacionaliste të zonës deri në ditët e fundit. Mori pjesë në disa takime me forcat komuniste për të evituar vlla-vrasjen, pas mbledhjes së Mukjes, si në Elbasan, Berat, Gramsh, Sopot të Librazhdit etj.

Në marsin e 1944-ës u rrethua nga një batalion i brigadës së parë. Doli jashtë rrethimit bashkë me disa të rinj të çetës së tij në përpjekje për të shpëtuar pjesën tjetër. Komunistët vunë në përdorim metodën e terrorit e të pabesisë, për të shtënë në dorë Hakiun: 17 pjestarët e çetës të plagosur i nxori në një vend të dukshëm dhe lajmëruan Hakiun që në rast së nuk do të dorzoheshe do të vriteshin të 17 të plagosurit e kapur mes të cilëve ishte edhe i vëllai i tij Shefqeti, Hakiu sakrifikoi veten duke u dorzuar me qëllim që të shpëtonte shokët. Por komunistet s`e mbajtën fjalën. Ata përdorën terrorin e kuq, duke pushkatuar përpara të plagosurit dhe më pas Hakiun. Sot pas 50-vitesh, jemi krenarë përpara jush. Idalet demokratike për të cilat ju luftuat e humbët jetën, do të shkojnë përpara me këtë popull demokrat. Demokracia erdhi në Shqipëri falë mundit, djersës dhe gjakut të atij populli të shumëvuajtur. Ajo kërkon mbështetjen e të gjithëve. Të mos presim se çfarë do na sjellë demokracia por çfarë do të bëjmë në për demokracinë. Të ndëruar qofshi të gjithë.

I juaji përgjithmonë,

Xhevdet Hajdar Blloshmi

KOLABORACIONIZMI, NË KUSHTET E QËNIES SË VËNDIT TË PUSHTUAR NGA KËMB’E HUAJ, SI EDHE NË VAZHDIM, KUR SHQIPËRIA U QUAJT E ҪLIRUAR! – Nga MËRGIM KORҪA (Pjesa III)

 

Gjithë këtyre fakteve historike  të grumbulluar doemos  do t’u rikthehemi në vijim. Në vazhdim të analizës nuk mundim mos t’i hedhim dritë edhe një momenti themelor i cili flet shumë  lidhur me masa karakteri kombëtar, nga njera anë, si edhe fshehje realiteti si edhe shtrembërime, nga ana tjetër. Si atdhetar i shquar e gjithashtu si gjuhëtar i sprovuar, para se t’a merrte përsipër detyrën e kryeministrit  e pikërisht më 20 prill të vitit 1940, Mustafa Kruja qé me kolegët e tij Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi e të tjerë, nismëtar dhe bashkë – themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare duke e kryesuar gjithashtu fillimisht edhe Këshillin Shkencor të atij institucioni, (funksion të cilin  ai i a dorëzoi prof. Ernest Koliqit kur u emërua kryetar i Këshillit të Ministrave). Seksioni i Gjuhësisë i atij Instituti, duke pasur parasysh përpjekjet pararendëse të Komisisë Letrare të Shkodrës që më 1916 e gjithashtu edhe mbështetjen që i u bë një Gjuhe Normative shqipe edhe përgjatë periudhës së Zogut, në vazhdim përgjatë hullisë pararendësve e duke i ngritur  edhe më lart arritjet e deriatëherëshme, mbas diskutimesh  dhe drejtpeshimesh, pati arritur në përfundimin se si Gjuhë shqipe Normative duhej të ligjërohej e folmja e qytetit të Elbasanit. E ritheksoj, e folmja e qytetit të Elbasanit, e cila përmblidhte më së miri të përbashkëta te të folmeve të ndryshme si të Jugut, Shqipërisë së Mesme e gjithashtu edhe të Veriut të vëndit tonë! Pra u përzgjodh si e folmja më e përshtatëshme për të qenë gjuhë normative e Shtetit shqiptar. Shtoj me këtë rast se si Xhevat Korça, i cili ishte anëtar i Këshillit Shkencor të institutit të Studimeve Shqiptare, me t’u bërë titullar i dikasterit të Arësimit, me shkresën nr. 61, datë 20 shkurt 1942, urdhëroi të gjitha shkollat e Shqipërisë që Gjuhë Normative Shqipe, që nga ajo dit’edhe mbrapa e cila do të sudjohej në shkollat tona, do të ishte gjiha e folur e qytetit të Elbasanit dhe tekstet zyrtare bazë të mësimit të Gjuhës Shqipe do të ishin tekstet e Sintaksës si edhe Gjuhës Shqipe të At Justin Rrotës. Me këtë fakt shikohet qart’ edhe shquar pikësynimi i politikës skajshëm kombëtare të qeverisë Kruja e cila, në rrethanat e pushtimit fashist, vuri kusht  dhe e hoqi gjuhën italiane si gjuh’e detyruar në shkollat fillore të Shqipërisë dhe nga ana tjetër e thelloi pikësynimin e saj duke e ligjëruar edhe Gjuhën Normative Shqipe.

E theksuam këtë moment vetëm t’ua vemë në dukje studjuesve të pa anshëm e të ndershëm se, kur u bë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20 – 25 Nëntor 1972), se si  nga gjuhëtarët konformistë të regjimit, e në vazhdim edhe nga historianët e diktaturës, u duartrokit si themeli që e njësoi për herë të parë Gjuhën Shqipe zyrtare, duke e lënë krejtësisht në harresë faktin se  jo pak, por pikërisht tridhjetë vite më parë në kushtet e pushtimit të huaj qé kryer akti i njësimit të Gjuhës Shqipe në një gjuhë normative gjithëkombëtare!

Dhe sot, në vitin e njëmbëdhjetë të shkekullit tonë të XXI – të, dhe në vitin e XXI – të që nga shkërmoqja e diktaturës komuniste, shtrohet pyetja e sinqertë dhe aspak retorike: vallë do të vijë ndonjëherë dita që të vërtetat historike të thuhen ashtu si kanë qenë, që të gjitha dhe as pa zbukurime por edhe as pa përçudnime?

Pikërisht, nisur nga ky synim që i kemi vënë vetes të analizojmë, vazhdojmë me paraqitje faktesh, kurrë të zëna në gojë nga studjuesit e periudhës së diktaturës komuniste.

                Kur Francesco Jacomoni u propozon drejtuesve të shtetit italian që qeveria Vërlaci, si e pambështetur nga shumica e popullit shqiptar, duhej zëvëndësuar nga një qeveri e drejtuar nga Mustafa Kruja, ministri i Punëve të Jashtëme    të Italisë Galeazzo Ciano, më datën 10 nëntor 1941 shkruante në ditarin e tij Politik, (botim i Rizzoli – t, tetor 1990 në faqen 556), “Ky një lëshim i mëtejshëm  ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare.” Sikur vetëm nisur nga ky vlerësim i ministrit të Punëve të Jashtëme të Qeverisë Italisë Fashiste të niseshim ku ai, në nëvetëdijen e tij jo që nuk e quante sikses të pushtetit fashist marrjen e fuqisë ekzekutive në Shqipëri nga ana e Mustafa Merlika Krujës me shokë, por përkundrazi e quan lëshim ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare, do të ishte një argument si edhe provë e pakundërshtueshme dhe skajshmërisht e fuqishme për t’iu kundërvënë propagandës komuniste e cila atë kategori që Galeazzo Ciano i quante ekstremistë të nacionalizmës shqiptare, ajo i quante kolaboracionalistë të fashizmit italian!(?) E të mbetej me kaq, vetëm një çpifje sporadike e komunistëve shqiptarë, do të ishte vërtet një e keqe, por në fund të fundit jo shmë e rëndësishme. Por, edhe gjithnjë ka një “por”, nga që përgjatë 47 viteve të diktaturës i u mëshua ditë mbas dite, muaj mbas muaji, vit mbas viti si edhe dhjetëvjeçar mbas dhjetëvjeçari  cilësorëve kolaboracion  si edhe kolaboracionist nga kënd – vështrimi skajshëm përkeqësues dhe vetëm përkeqësues, ai koncept u rrënjos aq thellë sa që sot e kësaj dite  as nuk diskutohet  më dhe ky cak gjihësor nëbkuptohet vetëm e vetëm simbas kuptimit të keq! (???) Vijmë tashti duke e ngushtuar rrethin e arsyetimeve si edhe nxjerrjes së përfundimeve logjike, prirur nga të arriturit në një sintezë të tyre, qëmtuar  këtu hap mbas hapi. Mbasi u trajtua më lart qëndrimi i P.K.Sh. të udhëhequr   nga Enver Hoxha, lidhur me qëndrimin e mbajtur sa i takon aneksimit të Kosovës dhe futjes së saj në kuadrin e Federatës jugosllave, vazhdojmë edhe me një fakt të dokumemtuar dhe që hedh dritë në aspekt më të gjerë rreth qëndrimit të Shtetit Shqiptar në mattëdhëniet e tija me Jugosllavinë e Titos. Me 15 Dhjetor të vitit 1947 në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh., në pranin’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiçit, Enver Hoxha  deklaroi, (proçes – verbali i asaj mbledhje ruhet në Arkivin e Shtetit – shënim M.K.), “ …Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun  – shënim M.K.), duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FAKTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …”! Me këtë rast nuk mundemi t’u shmangemi dy pohimeve madhore lidhur  me si e kanë përkufizuar KOMUNIZMIN dy personalitete të njohur në fushë ndërkombëtare dhe lexuesit e këtyre rradhëve të nxjerrin vetë përfundimet e ndërsjella lidhur me si e shikonte Mareshalli Tito komunizmin dhe si e shikonte Enver Hoxha, nga këndvështrimi i tij, po këtë ideologji:

Mao Tse Tung-u pohonte: “KOMUNIZMI NUK ËSHTË DASHURI, KOMUNIZMI ËSHTË PRESË PËR TË SHTYPUR ARMIKUN! “

                (Titoja dërgoi emisarët e tij q’e formuan P.K.Sh., mbollën ideologjin’ e zhdukjes së klasës intelektuale atdhedashëse e skajëshme, e me gjithë të edhe të klerikëve drejtues për t’a çarmatosur Shqipërinë nga ta që VDEKJA PËR ATDHÉ U DUKEJ BASH SIKUR ME LÊ!)

                John Kennedy: “ MENDIMI QË PRIN KOMUNISTËT ËSHTË IDEJA SE E IMJA ËSHTË E IMJA, E JOTJA ËSHT’E JONA”!

(Enver Hoxha , shëmbulli tipik i egoistit të skajshëm , e donte Shqipërinë, por e donte siç e bëri … pronë krejtësisht të tijën, pronë personale. Si u tha fshatarëve librazhdas në shtëpin’e tij: “ … shkeleni me këmbë këtë sixhade … e dini e kujt ka qenë? E Shefqet Vërlacit!).

                E lemë më një anë tashti çështjen e marrëdhënieve Shqipëri -Jugosllavi, trajtuar më lart me referenca dokumentesh arkivale lidhur me qëndrimet e Enver Hoxhës si ndaj problemit të Kosovës. Por edhe më gjerë, lidhur me vetë Shqipërinë, dhe vazhdojmë me një dokument, por dokument i cili t’a shtrydhësh kullon gjak intelektualësh shqiptarë!E ky dokument është letra e diktatorit të kuq shqiptar, drejtuar Atit të tij ideologjik Josif Visarionoviç Stalinit më 21 shkurt të vitit 1951, (mbasi ishin arrestuar pa urdhër prokurorie dhe pushkatuar, pa pretencë prokurori e as vendim trupi gjykues, 22 intelektualë shqiptarë, për një ngarkesë dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranëm si pasoj’e së cilës veç disa xhama të ndërtesës qenë thyer), në emër të Pleniumit të K.Q. të P.P. Shqipërisë: “ … Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i B. Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë më datën 19 – 02 – 1951 në orën 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë. Ky akt politik terrorist u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrënjtë dhe më i shënjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe për Partinë tonë. Shoku Stalin, ne nuk kemi qenë vigjilentë sa duhet. Ne shoku Stalin ju betohemi juve dhe Partisë Bolshevike të lavdishme se do  t’i a lajmë Partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë. Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë ndaj tradhëtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës, të Romës dhe reaksionit të brëndshëm, vegël e tyre. Shoku Stalin, Partia  jonë do të jetë e panëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik!  Dhe ç’e bën akoma më të trishtë deklaratën e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit, është pohimi i tij Molotovit, ministrit të Jashtëm Sovjetik: “ … ne me këtë rast i arrestuam 150 vetë, duke i pushkatuar 22 prej tyre por në fakt nuk e dijmë se kush ishin autorët e hedhjes bombës.

                Në vazhdim të kësaj letre, natyrshëm lindin dy pyetje ndaj historianëve tanë të periudhës së diktaturës, pavarësisht e kanë ditur apo jo faktin e së ashtuquajturës “bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë” dhe si e kanë ditur, e rëndësishme është të sqarohet:

1 –  Mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, e kanë qëmtuar edhe lexuar këtë dokument drejtuar Mareshallit Stalin nga Enver Hoxha në emër të Pleniumit K.Q.të P.P.Sh.?

2 –  Po dosjen e hetuesisë me Nr. 1687 – A – të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit si dhe atë me Nr. 64 datë 27 –  02 – 1951 të Vendimit Gjyqësor në baxë të të cilit dënohen me pushkatim ato 22 viktima, NJË JAVË MBASI NË FAKT ISHTE KRYER EKZEKUTIMI I TYRE, e kanë parë vallë zotërinjtë historianë e megjithatë vazhdojn’edhe heshtin në këtë drejtim? Pse heshtin para një KURBANI prej 22 viktimash njerëzore në altarin e kuq të Kremlinit?

Përgjatë kësaj hullije nuk mundem të mos shtoj se si, në bisedë e sipër me një prej historianëve, (personel shkencor i tanishëm i Institutit të Studimeve Historike të Akademisë Shkencave), për t’a justifikuar para meje faktin që Instituti në fjalë nuk e ndjek dot larmin’ e problemeve që ngrihen dhe kërkohet të studjohen prej tyre duke mbajtur edhe qëndrim sa më objektiv ndaj kolaboracionizmit gjatë pushtimit të vëndit tonë,  më vuri në dukje se në institutin në fjalë vetëm një historian merret me studimin e periudhës së Luftës së II – të Botërore! Qoft’edhe vetëm ky fakt, (në qoft’ i themeltë, mjafton të më bindë se vonë, shumë vonë në qoftë se ndonjëherë, instituti në fjalë do të vihet në krye të problemeve të historisë Kombit tonë, (së paku sa i takon rishkruarjes së historisë viteve nga 1939 e deri në fundin e 1845 – ës). Kështu me shumë keqardhje jam i detyruar t’a pranoj se trajtimi, drejtpeshimi, si edhe gjykimi i problemit KOLABORACIONIZËM në përgjithësi, (përfshirë kolaboracionin në interes të atdheut, atë tradhëtar si dhe oportunizmin politik), si afat kohor praktikisht i çvendoskan në KALENDAT GREKE!  Po ky është realiteti i trishtë i cili e kushtëzon trajtimin e problemit kolaboracionizëm në gjith’anësinë e tij me vonesë, duke lejuar kësisoji që mendësia edhe e sotme vazhdon edhe kanalizohet përgjatë asaj vrage të caktuar nga historianët komunistë! Megjithatë, pavarësisht mundësive që kanë indtitucionet shkencore të vëndit tonë, detyra e secilit është, për aq sa ka mundësi, mos t’a lerë pa dhënë ndihmesën e tij, sado modeste qoftë, në këtë drejtim. Prandaj edhe …. vazhdojmë.

Përgjatë periudhës së lulëzimit të nënështrimit të pakushtëzuar ndaj Bashkimit Sovjetik, një nga njollat e trishta të asaj kohe ka qenë edhe e gjithë historia e krijimit, administrimit si edhe mbetja si rudiment i dikurshëm i flotës së nëndetësve, Pasha Limani. Vetëm qëmtimi i dëshmive të ish komandantit të asaj baze detare, Dashamir Ohrit, me pohimet e tija se si Shqipëria përballonte shpenzime liveli jo të papërfillëshme si edhe mbante të gjitha përgjegjësitë që pasonin si rrjedhojë operacionesh sekrete nënujore të nënëdetëseve që zyrtarisht ishin shqiptare, por efektivisht ndiqnin plane si edhe zbatonin direktiva të Komandës Flotës Detare Sovjetike, konform interesave politike sovjetike në Mesdhé, nuk lejon asnjë kundërthënie në këtë drejtim! E cituam këtë bazë sovjetike në Mesdhé, pikërisht sepse ishte një bazë aktive dhe vepruese e B,S, e një rëndësie themelore por njëkohësisht edhe hallkë jo e papërfillëshme e kolaboracionit politik, me nënshtrim interesah tona kombëtare ndaj interesave sovjetike, diametralisht në kundërshtim, këto të vërteta me maskimin propagandistik që i u bë asaj baze nga letërsiasi edhe kinematografia artistike e kohës së diktaturës … mbasi u prishëm me B,S, dhe u lidhëm me Kinën! Sa më sipër, në vazhdën e sakrifikimit total të interesavetona kombëtare dhe nënshtrimit verbtas interesave të huaja!

KOLABORACIONIZMI, NË KUSHTET E QËNIES SË VËNDIT TË PUSHTUAR NGA KËMB’E HUAJ, SI EDHE NË VAZHDIM, KUR SHQIPËRIA U QUAJT E ҪLIRUAR! – Nga MËRGIM KORҪA (Pjesa II)

 

 

Rrebesh i vërtetë epitetesh nga më djallëzorët si edhe çpifjesh keqdashëse  u lëshuan për dyzet’e shtatë vite me radhë mbi figurën e Mustafa Krujës duke filluar nga Enver Hoxha e ndjekur pastaj edhe nga e gjithë plejada e historianëve si edhe e letrarëve, pasues konformistë të tij. Mirëpo, ndërkohësisht Kosova, dashurinë si edhe veprimtarin’ e Mustafa Krujës në të mirë dhe interesin e saj kurrë nuk i harroi. I erdhe  çasti tashti një paralelizmi  për të njëjtin problem por … me diktatorin, farkëtuesin e anatemimit të patriotëve të kulluar si tradhëtarë e kolaboracionistë.

Enver Hoxha në një thirrje të tijën në vitin 1942 shprehet : “Tradhëtari  Mustafa Kruja po përpiqet  t’ju ushqejë me gënjeshtrën dhe me demagogjinë e tij, t’ju flasë për një  –

Shqipëri të Madhe – , për një  – Kosovë të Ҫliruar  -“.

                Kurse në vazhdim, në Plenumin  e V – të K.Q. të P. K. Sh. – së, më 21 shkurt 1946, E. Hoxha tha: “Nuk e kemi drejtuar popullin tonë sa duhet drejt vëllazërimit të shëndoshë me Jugosllavinë, që është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e vëndit tonë”.

                Vazhdojmë me një fakt skajshëm të trishtë: në muajin Korrik, po të vitit 1946, u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Jugosllavisë e cila miratoi  aneksimin nga ana e Jugosllavisë Federale të Kosovës!

                Në muajin gusht të vitit 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, u zhvillua në Paris Konferenca e Paqës. Atje delegacjonit të Shqipërisë i u drejtuan disa pyetje sa i takonte qëndrimit të Shqipërisë ndaj atij aneksimi. Lidhur me këtë ju ftoj  t’a gjeni e t’a lexoni fjalimin e Enver Hoxhës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris, ku ai thotë shprehimisht : “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavíî.”

                E nuk mbaroi me kaq, por më 15 dhjetor 1946 u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror. Sipas proçes  – verbalit të mbledhjes që gjëndet në dokumentat e ish Arkivit të K.Q, të P.P.Sh., gjatë fjalës së tij Enver Hoxha në atë mbledhje ka thënë: “Disa anëtarë partie duan të filozofojnë  se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën … Ne do të ua spjegojmë, kush nuk na kupton , ne do t’i luftojmë”. Në këtë atmosferë, me urdhërin  e vetë Enver Hoxhës, i u dorëzuan vëllezërve si edhe drejtësisë jugosllave një varg patriotësh shqiptarë  si patrioti dhe gjuhëtari i shquar prof. Selman Riza, nipat e Bajram Currit, Hajro e Shaqir Curri e të tjerë në vazhdim u gjykuan dhe u dënuan prej jugosllavëve.

Në vazhdim doemos do t’a zgjerojmë hedhjen dritë, bazuar në fakte  dhe dokumenta arkivale egzistuese, lidhur me kolaboracionizmin  me kushte krejtësisht nënështruese të zbatuar nga P.K.Sh. si edhe qeveria shqiptare fillimisht ndaj Jugosllavisë Federale, (jo vetëm duke i a lënë Kosovën kësaj të fundit por edhe duke qenë e gatëshme që Shqipëria të bashkohej me Jugosllavinë në kuadrin e Federatës Jugosllavisë), në vazhdim kundrejt Bashkimit Sovjetik e së fundi ndaj Kinës. Lé studjuesve si edhe analistëve, por edhe secilit lexues të vëmëndshëm të fakteve të vërteta historike , nuk ka se si të mos u bjerë në sy  se si në të tre rastet, në themel të këtyre bashkëpunimeve  në plan të parë ishin vetëqendërzimi dhe egoizmi paranojak i Enver Hoxhës, i vënë  ky peng i interesave të partnerëve tanë pa i përfillur aspak interesat e Shqipërisë! Ҫ’e bën akoma më të prekëshme këtë dukuri? Duke e kundruar hull(n e mbetur nga pas përgjatë 40 viteve diktature personale të E. Hoxhës, (1945 – 1985), ndeshemi me një listë pambarim tradhëtarësh, agjentësh si edhe kriminelësh bashkëpuntorë fillimisht të Jugosllavisë, pastaj të B.S.. në vijim të Kinës e së fundi edhe të imperializmit anglo – amerikan, të gjithë ekzekutuar ose kalbur burgjeve të diktaturës! E pra e gjithë kjo kategori të dënuarish ishin bashkëpuntorët dhe mbështetësit më të afërt të Enver Hoxhës i cili paska drejtuarpër katër dhjetëvjeçarë vëndin …  i rrethuar veç nga armiq edhe tradhëtarë të Shqipërisë socialiste duke qënë ai vetë patriot dhe internacionalist i kulluar!?

                Mendoj se tashti i erdhi çasti një përshkëndijimi përgjithësues vetë konceptit kolaboracionizëm, cak gjuhësor ky shum’i përgjithshëm dhe dëndur i përdorur gabimisht. Prandaj si hap i parë duhet veçohen llojet e kolaboracionizmit, term i përdorur për të parën herë nga Mareshalli Philippe Petain i Francës ). Petaini, heroi i Verdunit i Luftës së I – rë Botërore, e “rrezikoi” emrin e tij mbas pushtimit të Francës nga Gjermania, (gjatë luftës II – të Botërore, por me pikësynimin e tij, që edhe e realizoi, duke shpëtuar ¾ e Francës nga shkatërrimi eventual prej ushtrisë gjërmane. Pra, kolaboracionizmi i Mareshallit Petain, qé i    prirur pozitivisht ndaj interesave franceze. Me këtë rast nuk po hyj e t’a analizoj, se nuk është rasti, opinionin publik të drejtuar shtrembër nga Mareshali De Gaulle e gjithësot i përgjithësuar, i prirë nga faktori vetëqëndërzim  i De Gaulle – it që e shkroi  … historin e asaj periudhe për Francën dhe ndikoi në shtrembërimin e së vërtetës që kolaboracionalizmi i Mareshallit Petain  nuk qé NË TË MIRËN E  FRNCWS? E cekëm faktorin  Ge Gaulle dhe qëndrimin e tij, vetëm e vetëm të vinim në dukje se si pozicionimi i tij ka qenë tipik OPORTUNIZËM POLITIK, sepse ai iku nga Franca, u strehua në Anglí dhe … në fund të fundit u radhit me fituesit të cilët e shkruajnë gjithmonë historinë! E kështu vetëqendërzimi si edhe prirja të hidhte poshtë  bëmat e gjithsecilit prej kolegëve të tij, (ai kishte qenë nxënës dhe nën komandën e Mareshallit Petain përparandej), gjetën terrenin e përshtatëshëm që ai, pa asnjë lavd të shkuar patriotik e duke qëndruar në hije e në pritje të zhvillimeve politike, të dilte  në krye të Francës, së cilës mareshalli Petain i blatoi të kaluarën e tij tamam legjendare duke e ditur dhe i ndërgjegjshëm se për të mirën e Francës i a vlente sakrifica e tij madhore!

                Nga ana tjetër, diametralisht i kundërt me kolaboracionizmin e Mareshallit Philippe Petain qé ai i i norvegjezit Vidcun Quisling, sa për një shembull! Po, vërtet, kolaboracionizmi i Quislingut ishte i prirë  nga kundërkomunizmi i tij por kyi mbështetur, nga ana tjetër, thjeshtë nga egoizmi i tij për të qenë i pari i vëndit të tij, ndonëse vetëm një javë mundi të ishte K/Ministër dhe i gjithë pushteti i tij u kufizua nga gjermanët tek e drejta që i dhanë të nënëshkruante me dorën e tij të gjithë dokumentet e deportimit të hebrénjëve nga Norvegjia! Ja ku e çoi  egoja për pushtet Vidcun Quislingun: në një zbatues dënimesh me vdekje, dhe asgjë më shumë!

Po në Danimarkë, në të njëjtat kushte me Shqipërinë, ç’ngjau? Populli danez e kuptonte shquar se në bilancin total të asaj lufte mes gjigandësh, ndikimi i tyre në favorin e aleatëve do të ishte mikroskopik, i krahasuar me humbjet potenciale që do të pësonin, prandaj dhe u mbyllën në guackën e tyre, bënë kompromise si edhe kolaboracionizëm me ushtrinë pushtuese gjermane, në favorin danez, … dhe  pritën të përfundonte lufta. Mbas lufte , falë pjekurisë së drejtuesve edhe vetë popullit danez, kolaboracionizmin me gjermanët si edhe kompromiset që u arritën u konsideruan veprime me rezultat konkret në favor të vëndit. E majta daneze, duke qënë se P. komuniste ishte nxjerrë jashtë ligjit, nuk pati asnjë iluzion t’i a ndryshonte drejtimin properëndimor vëndit ku si pasojë ekonomija e tregut shënoi vazhdimisht suksese sa i takon rritjes së begatisë, dhe gjithashtu Danimarka u integrua që më 4 prill 1949 në aleancën perëndimore Atllantike NATO dhe që më 1 janar 1973 pranoi të bëjë pjesë në Tregun e Përbashkët Europian! (Të tepërta krahasimet me Shqipërinë).

Simbas kësaj optike, e shqyrtojmë në vijim  përdorimin e termit kolaboracionizëm nga ana e P.K.Sh. Përgjatë luftës, me këtë cilësor përçmues, anatemoheshin drejtuesit e shtetit shqiptar që morën poste drejtuese. Kurse në vazhdim, mbas lufte ata u pushkatuan ose u kalbën burgjeve, pavarësisht nga e kaluara e tyre skajshëm ardhetare por vetëm se të akuzuar si bashkëpuntorë të pushtuesit! Kjo e përgjithëshmja.

E analizojmë tashti në rastin konkret të qeverisë drejtuar nga Mustafa Merlika Kruja. Vetë kryeministri, në vazhdim të veprimtarisë së tij atdhetare, ishte bashkë – nënëshkrues i dokumentit të pavarësisë, gjë e mbajtur fshehur nga historianët e kohës diktaturës. Mbas shpërndarjes së qeverisë kryesuar nga Imzot Fan Noli, edhe Mustafa Kruja mori rrugën e emigracionit politik. Nga që emri i tij nga historianët e diktaturës u njësua si shërbyes i fashizmit italian, për hir të së vërtetës, në vazhdim paraqesim disa përditësime dokumentash arkivore:

Shkresa e ministrisë Jashtme të Italisë Drejttorisë së Përgjithëshme të Policisë më 25 gusht 1933, firma e palexueshme thotë: … Mustafa Kruja ankohet së rishmi për kontrollin që ushtrohet  nga ana e autoriteteve lokale të policisë  ndaj letërkëmbimit të tij … E shikojmë të arsyeshme që ky kontroll të zbatohet me përkujdesje më të madhe … dhe Krujës mos t’i jepet përshtypja se konsiderohet i dyshuar nga ana e jonë.

                 Shkresa e ministrisë Punëve të Brëndëshme drejtuar ministrisë Jashtme të Italisë më 2 prill 1939, firma e palexueshme, thotë: … sa i takon të lartpërmendurit, (Mustafa Kruja), që ka ardhur për arsye shëndetësore …  i nënështrohet një mbikqyrjeje të kujdesëshme dhe shumë të fshehtë.

                Po atë ditë i kishte kërkuar Mustafa Krujës takim Giuseppe Giro – ja në emër të Mussolimit. Gjatë takimit ai i thotë se ishte i ngarkuar t’a vinte në dijeni se lidhur me marrëveshjen e ndërsjellë, Duce – ja i kishte bërë nja dy ndryshime të vogla kësaj të fundit. Mustafa Kruja flakë për flakë i u përgjigj se marrëveshjet e nënshkruara zbatohen pikë për pikë siç janë formuluar. Në qoftë se Mussolini donte të bënte ndryshime … atëbotë Zogu le të qëndronte edhe 100 vite në fronin  shqiptar!

                Kaq sa për një hedhje drite fluturimthi pozicionimeve të ndërsjella, pala italiane – Mustafa Kruja.

Po ana tjetër e medaljes Mustafa Kruja? Në dhjetor 1941e mori detyrën si kryeministër Mustafa Kruja dhe më 23 prill 1942 Flamuri Shqiptar mori formën zyrtare  pa sëpatat e Liktorit dhe pa nyjen e Savojës, pra flamuri siç ishte para pushtimit italian! Këtë fakt e përshkruan Galeazzo Ciano – ja në kujtimet e tija. Mustafa Kruja qeverisë italiane i a kishte paraqitur piksynimin e tij që … E dua Shqipërinë në kufijt’e saj natyrorë! Në gjëndjen e asaj kohe lufte, Ciano – ja  i a pati konfirmuar Mustafa Krujës edhe bashkimin, veç Kosovës, të Plavës edhe  të Gucisë! Pra në këtë kuadër mbetej të realizohej edhe dëshira tjetër e kryeministrit, bashkimi i Ҫamërisë me Shqipërinë Mëmë. Tejet emblematike qé edhe fjala e Mustafa Krujës e 22 nëntorit1942, kur ai u shpreh botërisht në Teatrin Savoia, se vetëm duke e respektuar pavarës(n e plotë të Shqipërisë ajo (Italia – M.K.)do të gjente tek shqiptarët miq dhe vëllëzër për jet’edhe vdekje. Përgjatë kësaj hullije nuk mundem të mos e vlerësoj lart edhe mendësínë në bazë të së cilës Mustafa Kruja i përzgjodhi edhe bashkëpuntorët e tij më të ngushtë, anëtarët e qeverisë Kruja. Ministër i Punëve të Brëndëshme u emërua Mark Gjomarkaj, jurist dhe bir i Derës së shquar atdhetare të Gjomarkajve, i njohur edhe si kundra – italian. Ministër i Financave u ngarkua Shuk Gurakuqi, ekonomist me emër, i shquar si burr’i ndershëm e me karakter dhe i njohur si edhe kundra – italian. Ministër i punëve Botoreu caktua Iljaz Agushi, kosovar. Atdhetar me emër, dhe kundra – italian, me përvojë jete politike në Kosovë. Ministër i Partisë Fashiste u emërua Jup Kazazi, kundra – italian i njohur. Ministër i Drejtësisë u caktua Hasan Dosti, jurist i shquar dhe i njohur si kundra – italian, për të cilin Naxhije Dume, njera nga zyrtaret e larta të P.K.Sh. në një intervistë të sajën lidhur me Hasan Dostin  pas luftës, pati deklaruar … “Ministri i Drejtësisë Hasan Dosti i dinte mendimet si edhe veprimet tona antifashiste, mendime këto që, me sa vija unë ré atëhere, ministri i kishte edhe mendime të veta”. Ministër i Arësimit qé Xhevat Korça. Kundra – italian i njohur e prandaj emërimi i tij u miratua më së fundi nga Luogotenenza jo pak por tre muaj mbasi Qeveria Kruja e kishte filluar veprimtarín e saj, edhe kjo falë këmbënguljes së kryeministrit Mustafa Kruja që nuk pranonte ministër tjetër veç tij. Luftëtar i çetave të Themistokli Gërmenjit si edhe të Spiro Bellkamenjit. Themelues dhe drejtor i parë i Gjimnazit të Shkodrës. Kur i propozuan t’a udhëhiqte dikasterin e Arësimit vuri dy kushte: 1 – Të hiqej gjuha italishte nga programet e shkollave fillore të Shqipërisë, dhe 2 – Të liroheshin menjëherë nga burgjet ose internimi të gjithë arsimtarët e akuzuar si anti – italianë. Në Arkivin Qëndrortë Shtetit ekziston edhe një dokumenti nënëshkruar nga gjenerali Dalmazzo, K/Komandant i forcave italiane në Shqipëri, ku urdhëroheshin të gjitha prefekturat sa herë që në to të shkonte ministri i Arësimit Xhevat Korça të survejohej nga afër se me prirje komuniste! Pa e zgjatur shumë listën, ndalemi tek figura e shquar e atdhetarizmës shqiptare, Qazim Koculit i cili u caktua ministër pa Portofol. Koculi ishte një kundra – italian i njohur e që u shqua veçanërisht gjatë Luftës së Vlorës të vitin 1920. Mbas dorëzimit të ultimatumit terheqjes forcave italiane gjeneralit Piacentini, me ç’rast ai nuk pranoi të largoheshin trupat e tija nga baza detare e Vlorës, Koculi  i udhëhoqi forcat vullnetare sulmin kundra trupave italiane, e cila luftë përfundoi  me fitoren e vullnetarëve shqiptarë duke i hedhur në det italianët!

Dy fjalë tashti rreth vrasjes së Qazim Koculit, (me pak informacion që mbase nuk dihet, sepse përgjatë diktaturës komuniste, historianët konformistë, edhe udhëheqjen e forcave vullnetare i a atribuan Selam Musait i cili vërtet qé njëri nga dëshmorët e asaj lufte, po kurrsesi drejtuesi ushtarak i saj). U vra Qazim Koculi e bashkë me të edhe fatkeqi prefekti i Vlorës. (udhëtar i rastësishëm), Lele Koçi. Kush i vrau? Nuk ka rëndësi dorasi, por i shtyrë nga një dibran, njëri prej shërbëtorëve ordinerë të italianëve. Motivi cili qé? Për këtë duhet shkuar thellë në vite, e pra më 6 korrik të 1920 – ës kur forcat italiane u hodhën përfundimisht në det dhe krahina e Vlorës u çlirua duke i u bashkuar Shqipërisë së 1912  – ës. Atë ditë, e theksoj, pikërisht atë ditë, Benito Mussolini u shpreh si vijon: … Kam qarë më shumë sot për këtë humbje tonën nga ana e shqiptarëve, se sa kur e pësuam humbjen e Caporettos (25 tetor 1917) nga forcat Austro – Hungare dhe Gjermane (gjatë luftës së I – rë Botërore të 12 betejat përgjatë lumit Isonzo – shënim  M.K.)! Kurse më 28 tetor po Mussolini shkruan një artikull me titullin “AMARISSIMO (Skajshëm i hidhur – shënim M.K.), ku shpjegon se si humbja e Caporettos Shqiptare është shumë, shumë  më e rëndë se sa ajo mes lumenjve Isonzo si edhe Piave – s. Pikërisht duke e mësuar këtë pozicionim të Mussolinit, udhëheqësit fashistë të Italisë, kuptohet qartë pse qeveria e Mustafa Krujës u pengua  deri në atë masënga ana e Luogotenenzës në kapjen, gjykimin  si edhe dënimin e organizuesve si edhe autorëve të vrasjes së Qazim Koculit, (ndaj të cilit u shkarkua mbas dy dhjetvjeçarësh hakmarrja e Duce – s, sa që kryeministri Mustafa Merlòika Kruja, duke e ndjerë veten të pafuqishëm të dënoheshin vrasësit e Qazim Koculit, ministrit pa portofol të qeverisë së tij, i paraqiti    Francesco  Jacomonit dorëheqjen e pakontestueshme të qeverisë Kruja!

Përgjatë kësaj hullije nuk mund të lihet pa u vënë në dukje një moment tejet kuptimplotë nga jeta e kundra – italianit Qazim Koculit, të cilit, historianët komunistë, mbështetës të ideologjisë partiake komuniste, nuk i a kursyen cilësorët kolaboracionist, fashist, tradhëtar e shto të shtojmë.  Kur Qazim Koculi e pranoi postin e ministrit pa portofol në qeverinë Kruja, miku i tij Sadik Shaska  i u drejtua jo pa mllef duke i a vënë në dukje pakënaqësin’ e tij lidhur me atë vendim. Është tamam simbolike përgjigja që ai mori nga Kocul, kolaboracionisti dhe tradhëtari, sipas komunistëve: “Si t’a merr mënja tinë, more Sadik miku, se unë mund të bashkëpunoj me kulishët e atire q’i huadhtim në det në 20 – ën?Unë jam ai që qesh’edhe atëherë. Për të lëftuar sot armiqtë t’anë na duhen arm’edhe xhephané. Mot t’isha komisar i lart’i qeverrisë nuk i mbushja dot di vënde të mbëshehta, njërin në Trubull të Karbunarit e tjatrin në Shpellat e Beunit! Me këto do t’i luftojëm italanët, mblidhe mënjen o Sadik”!

                Mbas Qazim Koculit do të trajtojmë shumë sipërfaqësisht edhe dy anëtarë të tjerë të Qeverisë Kruja, pikërisht ata dy ministra respektivisht njeri i dikasterit të Partisë Fashiste e tjetri i atij të Drejtësisë. E fillojmë me Jup Kazazin, ministri e Partisë Fashiste. E zgjodhi kryeministri Mustafa Kruja për atë post pikërisht nga ndjenjat e tija atdhetare dhe kundra – italiane që ai dikaster të mbahej larg ndikimit italian në të. E njëjta gjë edhe me dikasterin e Drejtësisë ku ministër u përzgjodh atdhetari dhe ndër juristët më me emër të Shqipërisë, Hasan Dosti. Kur u arrestuan në Tiranë Hamit Mëzezi, Nikolla Tupe dhe Ferid Xhajko, (pa u degëzuar fare në akuzat që i bëhen Enver Hoxhës si denoncues i tyre), dy ministrat e e sipërpërmendur, kur ata tre komunistë u dënuan nga gjykata me vdekje, në shënjë proteste dhanë dorëheqjen e tyre nga dikasteret që drejtonin.

                Në vazhdim Jup kazazi u hodh në ilegalitet me forcat e Ballit Kombëtar dhe në fundin e muajit Gusht 1943 udhëhoqi forcat e Ballit dhe të Legalitetit që përbënin mbi 900 luftëtarë nacionalistë me të cilët u bashkuan edhe 25 partizanë të Bataljonit Perlat Rexhepi, (inventarin e trupave e ka pas dokumentuar major Zenel Kazazi) dhe u shkaktuan një humbje të bujëshme forcave italiane në luftën e Reçit. Historianët komunistë luftën si dhe fitoren e asaj lufte i a kushtojnë forcave partizane  e këta të vetëm, u paskan shkaktuar humbjen e bujëshme forcave italjane prej 2400 ushtarësh italjanë !(?) Pra, sipas këtyre shkencëtarëve, lé që nuk i zihet emri në gojë udhëheqësit të asaj lufte, Jup Kazazit, por as fare forcave nacionaliste!(?)

Vijmë tashti mbas 29 Nëntorit  të vitit 1944. Hasan Dosti largohet nga Shqipëria dhe në mungesë dënohet me vdekje si kolaboracionist dhe tradhëtar.

                Jup Kazazi në vazhdim organizoi qëndresën kundrakomuniste  e cila kulmohet  me datën 9 shtator  të vitit 1946 me kryengritjen e armatosur të Postribës, i së cilës ai ishte edhe pjes’ e trurit organizativ të saj. Mbas thyerjes së saj Jup Kazazi u strehua në shtëpin’ e dajave të tij Rifat e Shyqyri Kopliku që i kishin burgosur. I rrethuar nga forcat e ndjekjes e duke mos dashur të digjej shtëpia, i nxori gratë jashtë dhe vrau veten. Daja i madh Rifati e mori mbi vete strehimin e Jup Kazazit, gjë për të cilën e pushkatuan! Dhe historianët konformistë me ideologjin’ e P.K.Sh., si e trajtuan figurën e tij? Edhe Jup Kazazi na paka qenë , sipas tyre, kolaboracionist  edhe tradhëtar!(?)

“Femrat gjakovare u shquan edhe si artiste e këngëtare dhe në teatrin amator të kohës, kanë luajtur; I. Zherrka, V. Binishi, D. Bakija, A. Kryeziu, J. Rudi, etj,…”/ Historia e panjohur e Gjakovës

Nga RAXHIJE DUSHI – RUGOVA

Nuk është aspak e lehtë t’i kundërvihesh mentalitetit, aq më tepër një mentaliteti që të dënon publikisht dhe ku zëri i femrës është i pandjeshëm, gati sa nuk ekziston si pasojë e injorancës dhe analfabetizmit. Sami Frashëri thoshte; “Nëse duam të kemi një shoqëri të përparuar, në radhë të pare duhet t’i keni femrat e shkolluara, se fëmijët edukatën e parë nga Nënat e marrin” Gruaja është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë apo e krejt njerëzisë. Për shkak të sundimeve të gjata nga pushtues të ndryshëm, populli shqiptar e në mënyrë të veçantë femra shqiptare nuk kishte mundësi të ndiqte rrugën e emancipimit ndonëse nuk i mungonte dëshira dhe vullneti për t’u emancipuar ashtu si popujt e tjerë të lire evropian. Kjo mundësi i erdhi popullit shqiptar tek në shekullin XX-të.

Mundësia për hapjen e shkollës së parë shqipe Gjakovës i erdhi në kohën e pushtimit austriak, kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës. Në këtë kohë, pra, gjatë viteve 1915-1918 në Gjakovë u hap edhe shkolla shqipe, Në vitin shkollor 1917-‘18 u hap edhe shkolla e vajzave. Mësuese të para të kësaj shkolle ishin Emine Shehdula, nëna e Agim Gjakovës dhe Dominike Ndocaj, që e zhvillonin mësimin në një shtëpi private, në fillim me 15 nxënëse e më vonë me 30 vajza. Por pas vitit 1918, Kosova u ripushtua nga jugosllavët dhe menjëherë u mbyllën të gjitha shkollat shqipe.

Mundësia për rihapjen e shkollave shqipe në Gjakovë erdhi tek ne në vitin 1941, kur Kosova u pushtua nga Italia dhe në këtë kohë u realizua edhe bashkimi kombëtar. Në këtë kohë u rihapën edhe shkollat shqipe. Gjatë periudhës 1941-’45, në shkollën e vajzave jepnin mësim këto mësuese; Emine Shehdula, Shirine Shehdula, Pina Kola, mësuese që kishte ardhur nga Shkodra, Zografe Martini, Vera Gashi, Lirije Tanefi, Marije Lumezi, Xhevrije Lipoveci, Marije Hajdari, Melihate Deva – Nura, Nasibe Rizvanolli, Mervete Xhevori dhe Drita Kryeziu .

Ky numër i mësueseve shqiptare në atë kohë tregon dëshirën e madhe për emancipim dhe shkollim të femrave shqiptare që deri në atë kohë ishin femra të mbyllura dhe pa perspektivë. Pra gjatë kësaj kohe u shkollua një numër i konsiderueshëm i vajzave gjakovare, të cilat shërbyen si një kontingjent i mësueseve të ardhshme që hapën dritën e diturisë edhe pas çlirimit, pra pas vitit 1945 e më tutje, jo vetëm në Gjakovë, por në shumë fshatra dhe vise të ndryshme të Kosovës.

Këto mësuese, përveç kontributit të tyre në procesin mësimor, kanë dhënë një kontribut shumë të madh në emancipimin e femrave duke organizuar kurse të ndryshme si kurse kundër analfabetizmit, kurse shëndetësore, kurse rrobaqepësie, jo vetëm me vajza të reja por, edhe me gra më të moshuara. Njëra prej aktivisteve të këtyre kurseve ka qenë edhe Nanije Bakalli-Deva. Ajo bashkë me disa mësuese shkonin fshat më fshat për të organizuar këto kurse. Por një punë të madhe kanë bërë edhe duke i bindur burrat që t’i lëshoni gratë e tyre për t’i ndjekur këto kurse, se ishin për të mirën e tyre.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore një numër i konsiderueshëm i femrave gjakovare ishin angazhuar edhe në Lëvizjen Nacional çlirimtare për çlirimin e vendit nga nazifashistët, ashtu si dikur motrat Bejtullahu, që kishin luftuar kundër ushtrive të huaja për mbrojtjen e nderit të tyre. Ndër më të dalluarat ishin Bije Vokshi e cila, përveç që kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në luftë, ajo përpiqej edhe për ta mbërritur barazinë gjinore në mes të burrave dhe grave, si pjesë aktive e shoqërisë.

Në këtë lëvizje ishin të angazhuara edhe shumë femra gjakovare, si Ganimete Terbeshi, e cila për shkak të aktivitetit të madh që zhvillonte, bie në sy te armiqtë, zihet dhe varet në litar si një heroine e vërtetë. Me te ishte e angazhuar edhe motra e saj, Hidajete Terbeshi, Muradije Terrbeshi, e njoftur si Halla e Terbeshit, Shefkije Terbeshi dhe shumë të tjera si; Safete Nimani, Hidajete Muhaxhiri, Halise Muhaxhiri, Shefkije Dobruna, Gjylshahe Pula, Hyrije Hana, Xhije Hana, Mema Vokshi, Cymë Puka e Naxha e Lakucit dhe shumë të tjera.

Këto edhe më vonë kanë vazhduar aktivitetin e tyre në fusha të ndryshme e sidomos në heqjen e havalës që ishte një pengesë e madhe për emancipimin e femrës shqiptare. Në këtë kohë, nga nevoja e madhe për arsimimin e femrave shqiptare, qeveria e kohës kishte organizuat edhe kurse të shpejtuara pedagogjike në Prizren dhe Pejë, ku i dërgonin edhe ato vajza që kishin kryer vetëm katër klasë, për t’i përgatitur për mësuese. Kishte raste kur këto vajza shumë të reja, në moshë 13 vjeçare, si Besa Dyla-Gaxha, që emërohet mësuese. Tani shkollimi ishte bërë masiv për të gjithë rininë dhe nëpër klasë të mësimit mësonin bashkarish djemtë dhe vajzat.

Sipas shënimeve të nxjerra nga tekste të ndryshme nga viti shkollor 1946-’52, na dalin rreth 50 emra të mësueseve në Gjakovë, që kanë dhënë kontributin e tyre në mësimdhënie, jo vetëm në Gjakovë, por gjithkund ku kishte nevojë nëpër Kosovë. Mësueset që kanë punuar gjatë kësaj periudhe janë; Shqipe Gjakova, vajza e mësueses Emine, kishte punuar në gjimnazin e ultë.

Ganimete Baraku-Brovina, Mandushe Bejtullahu, Hydajete Beqa- Domi, Marije Berisha, Serbeze Brovina, Xhilone Brovina, Nafije Deva, Nanije Deva, Hidajete Dobruna, Shqipe Grezda, Durrije Shita, Shpresa Bardhi-Meça, Nazmije Nimani, Sadete Nushi-Luzha, Nakije Agani, Shyqerije Zherrka që luante edhe si aktore në teatrin e qytetit, Vera Binishi edhe aktore, Hidajete Terbeshi-Gërqina, Nanije Bokshi-Nixha, Mervete Hoxha-Nimani, Resmije Purrini Shala, Edibe Binishi Pula, Nizafete Binishi- Pula, Sevdije Dushi, Për kontributin e saj emërohet si zëvendës-drejzoresh dhe e drejton këtë sektor për tetë vjet.

Hysnije Deda, Pakize Shasivari, Shyrete Valla, Andane Kolçi, Naxharije Binishi, Samile Dushi, Florije Domi, Ganimete Hoxha, Bardhe Vokshi-Vala, Nexhmije Kabashi që ishte edhe aktiviste ne shumë aktivitete dhe si aktore e mrekullueshme, Nanije Koshi, Ferihane Canhasi, Bahrije Polloshka,Atifete Kryeziu, Drita Kryeziu, Zejnete Baraku, Nashide Baraku, Zyrafa Rraci, Florije Rizvanolli, Nafije Nushi, Nadire Komoni, Fatime Berisha-Xharra, Muhamedije Bokshi, Samile Kabashi, Shyrete Dyla etj. Vlen të përmendet edhe emri i Ganimete Vula-Nura, jo vetëm që ishte mësuese por ishte një aktiviste e madhe dhe njihet si parashutistja e parë shqiptare në Kosovë. Gjakova njihet si djep i artit dhe i kulturës.

Një kapitull në vete është edhe paraqitja e femrave gjakovare si artiste dhe këngëtare. Në teatrin amator të kohës, kanë luajtur; Igballe Zherrka, Vera Binishi, Drita Bakija, Atifete Kryeziu, Jalldyze Rudi, Rabije Domi. Por ato që vazhduan si artiste profesioniste, janë motrat Qefsere dhe Mervete Kurtishi, Elida Shasivari etj. Kurse si këngëtare janë dalluar; Zyhra Mula, Hazbije Kavaçi, këngëtare dhe valltare e njohur, Z. Vera… balerina e parë në Kosovë, që i kishte kryer studimet në Shkup, Besa Arllati, Sadete Kupa, Bardhe Riza-Gjini, Gongje Çaushi, Hazbije Dautaga, Mandushe Bakija, Bahrije Shyti etj.

Sanije Kryeziu njihet si harmonikistja e parë shqiptare, që në vitet ‘30-ta bënte muzikë, që ishte rast i rrallë jo vetëm te ne. Samile Roka njihet si fotografja e parë femër në Kosovë, që ka punuar jo vetëm në qytet, por edhe nëpër fshatra me shumë vështirësi por me një dëshirë dhe guxim të rrallë. Edhe në bibliotekën e qytetit të Gjakovës, kanë punuar si bibliotekiste Florije Nura dhe Fitnete Pruthi. Kurse në Muzeun regjional të qytetit të Gjakovës, ka punuar Fatmire Buza.

Në atë kohë një numër i konsiderueshëm i femrave gjakovare, përveç shkollave të ndryshme që i kryenin nëpër Kosovë, shkuan për të studiuar edhe nëpër fakultete të ndryshme të Jugosllavisë, si në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, Shkup e vende të tjera. Për t’u përgatitur dhe për të dhëne kontributin e tyre edhe si eksperte të fushave të ndryshme. Më të parat janë; Lejla Rraci, kryen studimet në Beograd si gjinekologe e parë shqiptare në Kosovë, Qamile Jaka kryen studimet për stomatologji.

Sute Polloshka Stavileci në Beograd për farmaci, Litafete Nebi Komoni Xërxa studion për sociologji, Lirije Sahit Barku-Caka kryen studimet në Beograd për filozofi dhe pedagogji, Behije Dashi kryen studimet në Beograd dhe ishte arkitektja e pare shqiptare në Kosovë. Mervete Isa Radoniqi është specializuar në Beograd për kardiologji dhe ka qenë ligjëruese në fakultet.

Drita Bakija-Gunga, doktoreshë e historisë. Egjlale Dobruna, ka studiuar në Zagreb dhe është arkeologja e parë shqiptare. Nurije Shllaku Haxhikadrija, ka kryer studimet në Sarajevë për ekonomi. Nysrete Vula-Mulla, ka kryer studimet për letërsi është marrë edhe me shkrimin e poezive, si poeteshë e parë shqiptare në këto anë. Nesrete Vula, si albanologe, Myhybije Dushi kishte kryer studimet për fizikë. Nafije Meka, ka kryer studimet për kimi dhe ka ligjëruar në fakultet, Samile Dushi ka kryer studimet në Shkup dhe Navi Sad për gjuhën gjermane dhe ishte ligjëruese në fakultet.

Raxhije Dushi Rugova, ka kryer studimet në Shkup dhe Prishtinë për gjuhën angleze, kishte shkuar edhe në Angli për ta përvetësuar sa më mirë gjuhën angjeze, si femra e parë që doli jashtë shtetit dhe ishte femra e parë në Gjakovë që fillon mësimin e gjuhës angleze në shkolla të mesme. Pra numri i femrave shqiptare ishte mjaftë i madh, që u specializuan në fusha të ndryshme të dijes dhe të shkencës.

Që nga ajo kohë e deri tani, numri i femrave intelektuale shqiptare është në rritje të vazhdueshme dhe mund të themi se është arritur një shkallë të lartë barazia gjinore në të gjitha fushat e jetës. Pjesa dërmuese e trupit arsimor nëpër shkollat e komunës së Gjakovës janë femra. Në të gjitha institucionet e vendit i hasim femrat, duke punuar jo vetëm si punëtore, por edhe si eksperte. Prej prokurorisë Shpresa Bakija e, deri në qeveri, si Atifete Jahjaga si Presidente e Kosovës.

Femrat tona sot janë deputete por edhe kryetare e komunës së Gjakovës, si Mimoza Kusari Lila, pra edhe nëpër pozitat e vendim marrjes. Në saje të emancipimit të femrës është arritur edhe barazia gjinore dhe në pjesën më të madhe të familjeve tona nuk ka më diskriminim ndaj femrave, por në harmoni e organizojnë jetën nëpër familjet e tyre./ Memorie.al

KOLABORACIONIZMI, NË KUSHTET E QËNIES SË VËNDIT TË PUSHTUAR NGA KËMB’E HUAJ, SI EDHE NË VAZHDIM, KUR SHQIPËRIA U QUAJT E ҪLIRUAR! – Nga Mërgim KORҪA

 

(Pjesa I)

                Shtysa që na bën t’a kundrojmë periudhën historike përfshirë mes viteve 1939 – 1945 me një pamje të gjërë, të themeltë, përgjithësuese edhe tërësisht shkencore, kërkon që të ndriçohen e pastaj edhe të mbështetemi edhe në fakte historike jo vetëm lënë në harresë por edhe shtrembëruar qëllimisht nga historianët e periudhës së diktaturës. Prandaj detyrohemi t’a fillojmë analizën duke përcaktuar fillimisht kriteret bazë të mirëfillta shkencore lidhur me përdorim caqesh gjuhësore pa u a shfytyruar kuptimin atyre, pa le në vazhdim edhe të lejojnë interpretime të gabuara, (prirur nga shtysa karakteri ideologjije politike), të cilat nga ana e tyre në vazhdim çojnë pashmangshëm në përfundime krejtësisht të gabuara. Po radhisim disa shëmbuj përcaktimi të cakut gjuhësor KOLABORACION:

                KOLABORACION – Në parim, bashkëpunim, pra kooperim, lidhur me arritjen e një kontributi përgjatë një veprimtarie kolektive.

KOLABORACIONI kundruar nga këndvështrimi përgjithësues filozofik, përcakton  se si ndaj kolaboracionizmit janë të prirë  kryesisht të pafuqishmit,(në çdo fushë, qoftë ekonomike, politike, ushtarake, etj), nga që kërkojnë mbështetje dhe ndihmë.

                KOLABORACION  NË INTERES TË ATDHEUTKur bashkëpunumi kryhet me pikësynim mbrojtje interesash kombëtare, pa i përfillur ato personalet, bile përgjithësisht jo vetëm duke i nëpërkëmbur ato por duke vënë në lojë edhe të kaluarën skajshëm pozitive të vetë personit.

                KOLABORACION TRADHËTAR Kur bashkëpunohet me një shtet të huaj për hir interesash, thjeshtë vetiake ose grupi, prirur për t’a mbështetur të huajt këtë regjim të pamerituar dhe udhëheqësit e këtij regjimi i shquan ndjenja e vetqëndërzimit të pashëmbulltë, (egoizëm i kësaj natyre), i cili shtyhet deri në kufij skajorë duke shkelur qoftë edhe mbi kufomat e mbështetësve besnikë të dikurshëm!

                OPORTUNIZËM  POLITIK Në vijin, sa i takon kolaboracionizmit politik, (qoftë ai në interes ose jo të atdheut), pikërisht të paaftët për t’a nxjerrë “qimen nga qulli”, duke i u referuar kolaboracionit, post facta, (mbasi ngjarjet të jenë zhvilluar),  duan t’i a japin të drejtën vetes, duke pasë qëndruar krejtësisht INDIFERENTË  dhe  oportunistë përgjatë zhvillimit të ngjarjeve, të japin gjykime me gishtin  e madh lart ose poshtë, (thumb up ose thumb down simbas dy herë fituesit të çmimit Nobel, ptofesor Linius Pauling – ndonëse i konsideruar si prosovjetik, e pra aspak në mbështetje të kësaj analize – shënim M.K.)!

                Nisur nga këto konsiderata, hyjmë në temë duke filluar, me pak histori, që të përshëndriten e doemos edhe të sqarohen, disa çaste të rëndësishëm ku gjykimi në vazhdim të shikohet se si udhëhiqet nga logjik’ e shëndosh’ edhe e themeltë.

Është në nderin tonë që né, shqiptarët si komb, kemi trashëguar një emër të vlerësuar shumë lart përgjatë rrjedhave të historisë. Kjo është nje e vërtet’ e pamohueshme. Mirëpo numuri aq i madh i qindravjeçarëve përgjatë të cilëve rrebeshet si edhe tufanet politiko – shoqërorë u munduan t’a zhbinin nga faqja e dheut kombin tonë, ndonëse nuk i a arritën atij qëllimi, e vunë para provash tejet të vështira për t’u përballuar. Vetë pozicioni ynë gjeografik, i kushtëzuar në mënyrë të pazgjidhëshme në vazhdim nga zhvillimet politike si pasoj’e dyndjeve përgjatë shekullit të VII-të nëpër Europën lindore të popujve sllavë, si pasoj’e një trysnie të egër të tyre për mbijetesë, krijuan rrethana si edhe situata që veç një banor i atyre viseve, i vdekur asokohe dhe i rilindur sot, në shekullin e XXI – të mund të na i skjarojë. Vetëm ai, duke e gërmuar e zhbiruar sadopak sipërfaqen tashmë të ngrir’e të ngurtësuar të asaj  llave dyndjesh nomade që tashmë  konsiderohet e autoktonizuar, do të mundej të na hidhte dritë të saktë rreth të vërtetave të zhvillimeve historike. Mirëpo edhe po të arrihej hipotetikisht të hidhej dritë mbi ato sekuenca historike tashmë të fosilizuara, asnjë përfitim konkret nuk do të na vinte. Kjo sepse përgjatë zhvillimeve shumë më të afërt në kohë, konkretisht që nga mesi i shekullit të XIX – të e këtej, drejtuesit e popullit tonë janë ballafaquar me nevojën të merrnin vendime si edhe të nbanin qëndrime, në rrethana të caktuara në interes të kombit tonë, të cilët historianët bashkëkohës të periudhës së diktaturës komuniste, i kanë dënuar nga pozita krejtësisht jo – shkencore dhe kryekëput konformiste partiake. Fatkeqësia pastaj që ajo diktaturë e egër dhe gjakësore e pati jetën e saj thuajse gjysëmshekullore, bëri të mundur që çpifjet, gënjeshtrat si edhe shtrembërimet e atyre historianëve konformistë ndaj pohimeve dhe fantazive të diktatorit paranojak komunist, u rrënjosën duke zënë vënd në tekstet mësimore edhe të sot e kësaj dite! E pikërisht rreth ndonjerës prej këtyre konsideratave të prekëshme dhe tejet të pranishme edhe në ditët tona, dua të përqëndrohem përgjatë kësaj analize edhe të hedh dritë rreth dëmeve që kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë ato vetë.

Do t’a filloj, vetëm sa për t’a cekur, duke kujtuar një temë q’e kam trajtuar relativisht gjerë në Simpoziumin e V – të të zhvilluar në Orosh të Mirditës nga E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE, përqëndruar në kreun e XXII – të të Kanunit të Maleve me titullin VRASA. Me këtë rast dua të shtroj para lexuesit një pohim të studjuesit japonez Profesorit Kazuhiko Yamamoto i cili, duke qënë specialist i fushës kanunore botërore, pohon se Kanuni i Maleve është, simbas tij, më i lashti kod ligjor!  E përsëris më i lashti kod ligjor! Kurse, për nga rigoroziteti i trajtimit ligjor, e quan pararendësi i Kodit të Justinianit që vuri themelet e së Drejtës Romake! Pse e fillova me këtë hedhje drite rreth Kanunit të Maleve tona? Sepse përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste jo vetëm juristët si edhe historianët tanë, por edhe letrarët tanë nga më të shquarit e Realizmit Socialist, Kanunin tonë të Maleve e përbaltën, e zvetënuan, e përdhosën dhe e dogjën mbi turrën e druve! Natyrshëm lind pyetja, pse u veprua kështu? Për t’u konformuar me egoizmin e diktatorit dhe të partisë së tij që donin të ngulitej mendimi se çdo e mir’ e Shqipërisë u themelua mbas marrjes se pusht-shtetit nga komunistët! E ky qëndrim fillimisht ndaj Kanunit të Maleve, që s’është gjë tjetër veçse një xhevahir si edhe me plot kuptimin e fjalës,  NDERI I KOMBIT TONË.  Po, ndér të cilin aman sa do të ëndërronin t’a kishin kombet kufitare me ne, historianët si edhe letrarët e Realizmit Socialist, e katandisën në atë nivel që kur sot vriten dy a tre qofshin trafikantë droge apo keqbërës të tjerë me njëri tjetrin, gazetat shkruajnë fare pa përgjegjësi duke ndjekur mendësinë e instaluar me dhunë nga P.K.Sh., me gërma kapitale: VEPROI EDHE NJËHERË KANUNI! Kurse përgjigja ndaj kësaj mosnjohjeje të skajëshme të së vërtetës historike, si rrjedhim edhe të vetë Kanunit të Maleve, është: Duhet t’a mësojnë ata që  nuk e dijnë e gjithashtu edhe t’a pranojnë historianët shtrembërues të të vërtetave historike se, heret a vonë faktet historike si edhe të vërtetat e shtrembëruara apo të mohuara, DALIN NË SHESH! Kanuni i Maleve ka qenë veprues kur nuk ekzistonte shteti ligjor. Kurse sot ai është vetëm një relike  muzeale por e cila relike e vyer  dëshmon se si kombi i ynë, pikërisht në mungesë të shtetit ligjor, administrohej nga rregulla e ligje të së drejtës civile si edhe asaj penale që kombeve të tjerë ose u mungonin fare ose ishin akoma kode në shpërgënj krahasuar me tonin!

                Vazhdojmë me një çështje tjetër skajshëm të mprehtë, problemi habré në Shqipëri dhe mënjanimi i genocidit ndaj tyre. Sa për ilustrim, në Izrael kanë institucionalizuar një titull  nderi të lartë të emërtuar TË DREJTË NDËRMJET KOMBEVE! Ky titull nderi u është dhënë jo – hebrenjëve që kanë fshehur  dhe shpëtuar hebrènj të persekutuar nga gjermanët përgjatë luftës së II – të Botërore edhe emri i tyre ësht’i shkruar  në murin e Yad Vashemit, shoqëruar ky nderim edhe me një medalje të personalizuar.

Lejomëni tashti të bëjmë fluturimthi një analizë krahasuese. Në Shqipëri nga ana e shtetit Izraelit janë shpërndarë 69 tituj të tillë nderi.[1] Në qoftë se këtë shifër, në raport me popullatën, do t’a konsiderojmë 100,00 njësi për Shqipërinë, po ju radhisim me radhë shtetet e tjerë me gjithë shifrat relative të tyret krahasuar me Shqipërinë:

1 – Shqipëria……………………………100.00

2 – Danimarka …………………………..16.63

3 – Maqedonia …………………………..  9.80

4  – Sllovenia ……………………………… 6.53

5 –  Rumania………………………………   6.52

6 –  Bullgaria……………………………….5.90

7 –  Mali i Zi…………………………………3.53

Shumatorja e treguesve, të konvertuar të gjashtë shteteve së bashku, arrin vlerën totale 48.91 % krahasuar me Shqipërinë! Duke e mënjanuar për një çast  për saktësi llogaritjeje Danimarkën nga kjo listë, faktori Shqipëri në shpëtimin e jetëve të hebrénjve strehuar në territorin e saj merr një pamje akoma më shprehëse në favorin e Shqipërisë ku kjo e fundit ka treguesin100 % ndërsa pesë shtetet e tjera Ballkanike së bashku arrijn ëvetëm kuotën e 32.28 %! Duke e larguar tashti nga rrethi i abstragimit Danimarkën e duke e shikuar pasqyrën krahasuese edhe një herë të plotë, bije në sy se si Shqipëria në krye, e pasuar nga Danimarka, kanë njësit’e shpëtimit të hebrénjve shumë më të larta nga popujt e tjerë. Natyrshëm çdo vëzhguesi, sadopak i vëmëndshëm qoftë, i bije në sy se si në gadishullun Ballkanik jo vetëm që Shqipëria shquhet katërcipërisht dukshëm ndaj popujve të tjerë  në drejtimin e shpëtimit të hebrénjve, por edhe danezët si popull shquhen shumë mbi mesataren ballkanase në këtë drejtim! [2]

Natyrisht dy janë pyetjet që kërkojnë përgjigje:

1 – Ҫ’patën të përbashkët në qëndrimet e tyre Danimarka me Shqipërinë?

                Në Danimarkë pushtuesi gjerman si edhe në Shqipëri ai italian, strukturën shtetërore e lanë të pacënuar, me pak fjalë të dy vëndet patën parlamentet dhe qeveritë e tyre. Nga ana tjetër, në mes Danimarkës si edhe Gjermanisë u nënshkrua një memorandum sipas të cilit njihej qeveria daneze me kompetenca të plota dhe gjermanët pranonin të mos ndërhynin në punët e brëndëshme të vëndit. Të mos harrojmë se i njëjtë qé edhe pozicionimi i qeverisë Gjermanisë ndaj vëndit tonë, fillë mbas kapitullimit të Italisë, me të gjitha rrjedhojat e saja objektive relativisht pozitive për vetë Shqipërinë.

2 – Si ka mundësi që Danimarka mezi arrin  16.68%, e krahasuar me Shqipërinë, sa i takon livelit të shpëtimit të hebrénjve përgjatë pushtimit gjerman?

Kjo pyetja e dytë, kërkon shpjegime të gjata  e të dokumentuara historikisht në mënyrë të themeltë. Në kuadrin e kësaj analize do të përgjigjemi doemosdo brënda caqeve të rilla që, së paku  të painformuarit si edhe t’ushqyerit nga propaganda komuniste, por në esencë njerëz të ndershëm, t’i mësojnë të vërtetat e në vazhdim po deshën të qëmtojnë, të thellohen e të paisen në këtë drejtim me fakte si edhe të vërteta historike të tjera, pastaj në vazhdim të gjykojnë vetë, pa asnjë ndikim të jashtëm.

Danimarka ishte nën trysnin’ e pranisë ushtrisë gjermane në territorin e saj në një kohë që në Shqipëri nuk kishte këmbë ushtari gjerman deri më 8 shtator 1943, ditë kur kapitulloi Italia. Si u zhvilluan ngjarjet lidhur me hebrénjtë? Qeveria daneze i mbrojti dhe u a maskoi identitetet hebrénjëve por hebrenjëve danezë!  Kurse hebrénjt’ e dyndur në Danimarkë, nga Gjermania, Norvegjia, Suedia si edhe shtete të tjerë, të ndodhur pa mbrojtjen e qeverisë daneze, në shumicën e tyre dërmuese u zbuluan sipas listave emërore dhe përfunduan kampeve të çfarosjes. Ndërsa në Shqipëri ndodhi krejt ndryshe. Lidhur me këtë fakt do të sjell një dëshmi timen personale .

E mbaj mënd mirë sikur të ishte dje. Im Atë sapo ishte kthyer nga një inspektim i shkollave në Kosovë. Sapo erdhi i telefonoi mikut të familjes dhe kryeministrit të Shqipërisë Mustafa Merlika Krujës duke e informuar se sapo qe kthyer nga Kosova. Nuk u mbush një orë dhe veç kur bije zilja dhe në derë u çfaq kryeministri i cili, porsa hyri, i tha tim eti ç’dinte t’i thosh për hebrènjtë në Kosovë si edhe rrezikimin e deportimit të tyre nga ana e gjermanëve. Dua të saktësoj se duhet të ketë qënë para mbarimit të vitit shkollor dhe nga veshja e tim’Eti si edhe e Mustafa Krujës, muaji prill ose maksimumi maj i vitit 1942). Nga që im’Atë nuk kish ndonjë informacion shkalle të gjerë veç rastit të një profesori hebré, mik i albanologut Norbert Jockl-it, atëbotë Mustafa Kruja  i shpjegoi shkurtimisht se si një ditë më parë i kishte kërkuar audiencë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë i cili i kishte paraqitur një listë prej mbi 320 familjesh hebréje, banuese në Kosovë, me të gjitha adresat e tyre të banimit, duke i kërkuar kryeministrit sqarime rreth tyre. Mustafa Kruja e kishte marrë listën dhe i kishte thënë se do të merrte masa të menjëherëshme t’a sqaronte këtë informacion. Në fakt në Kosovë nuk kishte asokohe këmbë ushtari gjerman dhe kjo rrethanë ia lehtësonte punën kryeministrit për t’i shpëtuar ata hebrénj nga masakra evenruale e mundëshme. I telefonoi pa vonesë ministrit të Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkajt duke e porositur t’a lakmëronte mënjëherë  edhe Engjëll Ҫobën, aso kohe sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, e të vinin menjëherë në zyrën e Kryeministrit, për ku u nis edhe vetë Ai me gjithë t’im Atë. Mbas disa ditëve mësova se Engjëll Ҫoba, në krye të një grupi prefektësh ei edhe zv/prefektësh, ishte drejtuar për në Kosovë i ndjekur nga shumë autobuzë të kompanisë S.A.T.A. dhe atje, në bazë të listave emërore me gjithë adresat e sakta, i kishin paisur hebrénjtë me pasaporta shqiptare ku të quajturin  David e kishin emërtuar në dokument Daut, kurse Moisiun me emrin Mahmut e kështu me radhë duke i hipur në autobusa dhe duke i nisur urgjent për në Shqipëri. Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë ishte njoftuar se informatat e tija kishin qenë të pasakta e si duket  të papërditësuara nga informatorët e tij. Përgjatë këtij konteksti e kam të drejtën të ngul këmbë që studjuesit e historisë t’i a gjejnë fillin urdhërit të Kryeministrit Mustafa Kruja lidhur me veprime pro hebréje, sepse në arkiva  do të ketë, pa as më të voglën mëdyshje, edhe urdhëra në vazhdim lidhur me problemin në fjalë. Pse e kam këtë bindje? Sepse lidhur me atë ngjarje , ish Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri zoti Francesco Jacomoni, në faqet 288 – 289 të librit të tij : La politica dell’Italia in Albania, (Politika e Italisë në Shqipëri) me botues Cappelli editore botuar më 31 maj 1965, pohon tekstuaiisht: “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte “burrnia” e tij, d.m.th. aftësia për t’i përballuar situatat me guxim si edhe  zemërgjerësi, e pata pak kohë  mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit  Ministror. Ishte paraqitur tek ai Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte  dorëzimin e mbi treqind familjeve hebréje që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri … Në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman  që të mund t’i identifikonin … ramë në ujd( … Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso .. Roma nuk u njoftua zyrtarisht  lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çështjeve rezervate, ministri fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në sajë të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebréJjtë gjermanë , bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësia t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”

                Me kapitullimin e Italisë edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane. Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër Këshilltarë, (në ndryshim nga Danimarka ku në krye të shtetit ishte nbreti), e pastaj si aparat ekzekutiv qevert’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht pozicionimit të Qeverisë Mustafa Kruja ndaj hebrénjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman. Hebrénjtë e strehuar në Shqipëri nuk i ngacmoi askush duke shpëtuar të gjithë! Edhe me kaq sa u paraqit këtu , besoj se asnjë njeri i drejtpeshuar dhe i ndershëm  nuk e ve më në dyshim faktin se qé qëndrimi tejet njerëzor, i prerë dhe i guximshëm i qeverisë së kryesuar nga Mustafa Kruja, i ndjekur pastaj edhe nga qeveritë pasuesese, përgjatë periudhës Regjencës, që dijtën të manovrojnë mes dallgëve  të atyre rrethanave të caktuara historike dhe arritën të krijonin kushtet që mbas lufte të konsolidohej thënia: Vetëm në Shqipëri hebréjtë e strehuar  atje,  dolën nga Lufta e II- të botërore, në numur më të madh nga ç’hynë! Nuk e lemë dot pa e përmendur edhe një qëndrim kuptimplotë të  pjesëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës (përgjatë kohës së gjermanëve), bashkë – nënëshkruesit të Dokumentit të Mëvehtësisë si edhe atdhetarit të shquar Lef Nosit. Ndonëse ai mbulonte atë post aq të lartë, e mori në shtëpinë e tij në Elbasan, e strehoi dhe e mbajti atje duke i a shpëtuar jetën hebrèut prof.  Mark Menahemit, i cili në Maqedon(, tek e trasportonin me tren drejt kampeve të vdekjes naziste, ishte hedhur nga treni dhe kishte hyrë në Shqipëri! Kushdo mund t’a gjurmojë këtë fakt sepse prof. Mark Menahemi e ka bërë publike këtë ngjarje mbas vitit 1991. E sa për informacion, duke pas qenë Lef Nosi atdhetar i shquar si edhe intelektual i mirëfilltë, nuk kish se ku të përfundonte  tjetër  veçse para skuadrës pushkatimit, bashkë me anëtarin tjetër të regjencës, Patër Anton Harapin si edhe ish kryeministrin Maliq Bushatin!

Dhe unë marr lejen të shtroj një pyetje thjeshtë retorike: A mund të shpëtoheshin hebrénjtë në Shqipëri aq në mënyrë masive mos të kishte populli mbështetjen e e qeverive respektive, fillo nga ajo e kryesuar  nga Mustafa Merlika Kruja e pastaj edhe në vazhdim nga të gjtha qeverit’e tjera nën juridiksionin e Regjencës? Është fillimisht pozicionimi njerëzor e pastaj edhe i guximshëm i të gjith’atyre  qeverive, që e kushtëzuan radhitjen e popullit Shqiptar, aq të nderuar mes emrave të murit Yad Vashemit!

Deri këtu u identifikuan dy nga shtrembërimet madhore që historianët e indoktrinuar  si edhe letrarët konformistë u kanë bërë të vërtetave historike: Përbaltja si edhe çpifjet ndaj Kanunit të Maleve që, nga ana e tyre në rastin më dashamirës, është konsideruar vetëm turpi i kombit tonë, si dhe nga ana tjetër problemi i shpëtimit të hebrénjëve, falt i cili nuk mohohet dot sepse bashkëkohor, por faktori vendimtar i asaj  shmangie genocidi nazist ndaj hebrénjve ishin padyshim qeverit’ e asaj periudhe të kohës së Luftës së II – të Botërore, veprimi i të cilave jo që u la në harresë por vazhduan dhe u përbaltën si qeverikolaboracioniste  derisa e drejta vezulluese e atyre fakteve historike  u mbulua nga çpifjet e përsëritura deri edhe sot e kësaj dite!. Mirëpo faktet janë kokëforta dhe e drejta vërtet vonon por vjen një kohë dhe del në shesh! Një ditë krejt papritur, bile kur Kosova akoma nuk e kishte shpallur dot énde pavarësin’ e saj, merret një vendim, (i cili për kohën që u muar, nga që faktet kanë qenë fshehur në Shqipërinë mëmë për dhjetravjeçarë me radhë, dukej në syt’e shqiptarëve shumë  komprometues për Kosovën dhe kosovarët), ku njera prej rrugëve kryesore të Prishtinës, e pikërisht ajo para ndërtesës Parlamentit, u pagëzua me emrin e nderuar nga kosovarët dhe u quajt Rruga Munstafa Kruja! Po kështu janë emërtuar me të njëjtin emër rrugë edhe në Pejë e Gjakovë). Pra Kosova, me përgjegjësi edhe guxim, mbështetur në  fakte publikisht të njohur por të mbajtur fshehur, të shfytyruar bilè edhe të përbaltur nga historianët e diktaturës brënda kufinjve të Shqipërisë “mëmë”, e vlerëson lart figurën e ish Kryeministrit Shqiptar! Ndonjë studjuesi të painformuar mirë mund t’i shkojë  mëndja se ky nder i është bërë Mustafa Krujës, për meritën e tij lidhur me shpëtimin e hebrénjëve që ishin dyndur në Kosovë.  Zotërinj, nderi i atribuar Mustafa Krujës nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë ngjarje por me qëndrimin skajshëm patriotik të mbajturnga Mustafa Kruja lidhur kjo edhe me veprimet e tija në këtë drejtim ndaj Kosovës që i pati përmbledhur me plot gojën, ((besoj se për një t’ardhme të afërt e provizore), dhe zyrtarisht e botërisht qé shprehur … “Ma mirë nji Shqypni gjysë e pamvarun por me Kosovën, se sa e pamvarun por pa Kosovën ! S’bashkut me Kosovën, pamvarsia nuk vonon e s’fundit vjen!

[1] Shtetet e marra në kundrim janë përzgjedhur jo rastësisht por kriteri ka qenë  të krahasoheshin shtetet ballkanike, ku governator i përgjithshëm  gjerman ka qenë Hermann Neubacheri, pra (kushtet e trajtimeve të kenë qenë të njajtë), dhe mes tyre  është futur edhe Danimarka , me që asaj edhe i jemi referuar përgjatë analizës si shtet i vetëm përveç Shqipërisë, ku Reichu Gjerman  zbatoi trajtimin  si urë kalimi dhe mosndërhyrje në punët e tyre të brëndëshme.

[2] Sa u takon krahasimeve të bëra ku për Shqiprinë  njësia llogaritëse, (si emërues i përbashkët krahasues), është marrë 100.00 njësi, gabimi eventual ësht’i barabartë për të gjitha shtetet e marra në konsideratë, (i varur ky gabim lidhur me gabime në censusin e popullatave të ndërsjella të viteve 1940 – 1944).

“Paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre, reflektohet tragjikisht në ekzistencën e…”/ Si paraqiteshin shqiptarët në sytë e Perëndimit në fillimet e shekullit të kaluar

Evarist Beqiri

“As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga vendi”. Folësi ishte një shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA-ës. Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh. Është një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë. Fjalët e përmendura më sipër u paraprinë prej këtyre: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve – myslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar. Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.

Shqiptarët janë vetëdijesuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe muhamedane. Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim. Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.

Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzjenë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias, kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk.

Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit filluan sundimin e tyre– shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.

Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitivë. Përgjatë dy mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin, ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.

Hakmarrja praktikohet ende

Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kolektiviteteve të kodit të shqiptarit.

Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër. Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit përjashtohet.

Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut. Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut.

Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.

Personalitet i pathyeshëm

Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve.

Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar. Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin muhamedan, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-muhamedanë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.

Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore. Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm.

Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre.

Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve.

Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët. Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët.

As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe. Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.

Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm

Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes.

Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit europian.

Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte. Shenjat e para të një kundërshtimi u dhanë që ne vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze.

Në 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.

Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk. Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin.

Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.

Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine.

Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.

Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriakë. / Memorie.al

“Jo pushtet vetëm me komunistë”, deklarata që fundosi Kol Kuqalin, procesverbali i hetuesisë më 1947

Historia e Shqipërisë komuniste mbetet e mbushur me figura të cilat u zhdukën nga jeta politike dhe publike përmes dhunës, burgosjeve dhe eliminimit fizik.

 

Mes tyre qëndron edhe emri i Kol Kuqali, një nga deputetët opozitarë të pasluftës, intelektual, ishfunksionar i Legatës Amerikane në Tiranë dhe një prej njerëzve që refuzoi të nënshtrohej përballë makinës represive të regjimit komunist.

Sot, pas dekadash heshtjeje, kujtesa për të dhe për kunatin e tij, Loni Adhami, po rikthehet në vëmendje përmes nderimit të bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Pak ditë më parë në ambientet e ambasadës amerikane, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, mirëpriti familjarët e Loni Adhami, duke vlerësuar guximin dhe sakrificën e tij gjatë diktaturës komuniste.

Ambasada Amerikane theksoi se si Loni Adhami, ashtu edhe Kol Kuqali, u burgosën dhe u torturuan pasi refuzuan të dëshmonin në mënyrë të rreme kundër Shteteve të Bashkuara. Të dy humbën jetën në burgjet e regjimit, duke u kthyer në simbol të qëndresës morale dhe të besnikërisë ndaj së vërtetës.

Në nder të tyre, pranë flamurit amerikan në ambasadë është vendosur një memorial përkujtimor, si simbol i sakrificës së dy shqiptarëve që u përballën me terrorin shtetëror në emër të dinjitetit dhe të së drejtës. Nderimi i bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë është një akt simbolik me rëndësi të madhe historike dhe morale. Megjithatë, mbetet domethënëse që institucioni ku ai shërbeu si deputet. Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka ngritur një memorial për deputetët e pushkatuar, të burgosur apo të zhdukur gjatë diktaturës. Nuk ekziston një sallë përkujtimore, një pllakë memoriale apo një hapësirë institucionale që të kujtojë përfaqësuesit e zgjedhur që u eliminuan nga regjimi komunist. Historia e Kol Kuqali mbetet një dëshmi e fortë e fatit tragjik të opozitës shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe e mënyrës se si regjimi komunist eliminoi çdo zë të pavarur politik. Por mbi të gjitha, ajo është historia e një njeriu që refuzoi të dëshmonte në mënyrë të rreme dhe që pagoi me jetën e tij besnikërinë.

NGA EMIGRACIONI NË SHBA, TE LEGATA AMERIKANE

Jeta e Kol Kuqalit ishte e lidhur ngushtë me zhvillimet politike dhe diplomatike të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX. I lindur në Progër të Korçës më 14 qershor 1891, ai emigroi fillimisht në Rumani dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetoi dhe punoi deri në vitin 1924. Pas kthimit në Shqipëri, Kuqali u emërua funksionar në Legatën Amerikane në Tiranë, ku shërbeu për gati një dekadë si sekretar dhe përkthyes. Në dëshminë e tij hetimore të 30 majit 1947, ai përshkruante aktivitetin në Legatën Amerikane, kontaktet me diplomatët amerikanë dhe rolin e tij në përkthime, komunikime dhe marrëdhënie diplomatike. Për vite me radhë, ai kishte ndihmuar në ndërtimin e urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke krijuar lidhje të forta me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë. Pas largimit nga legata në vitin 1938, Kuqali vijoi karrierën në administratën shtetërore dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, u emërua zëvendësdrejtor i Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, ndryshimet politike që solli ardhja në pushtet e komunistëve do ta vendosnin atë shumë shpejt në shënjestër.

DEPUTETI OPOZITAR QË SFIDOI REGJIMIN

Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, të parat pas luftës, Kol Kuqali ishte një nga dhjetë deputetët opozitarë që guxuan të kandidonin jashtë Frontit Demokratik, organizatës politike të kontrolluar nga Partia Komuniste Shqiptare. Ishte një akt i rrallë guximi në një kohë kur pushteti po konsolidohej shpejt dhe opozita po shtypej sistematikisht. Por regjimi nuk kishte ndërmend të toleronte zëra të pavarur. Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi heqjen e imunitetit për dhjetë deputetë opozitarë, mes tyre edhe Kuqalin. Ata u arrestuan dhe u akuzuan për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Hetuesia e asaj kohe përdorte torturën si metodë standarde pune. Në procesverbalet e kohës dhe në dëshmitë e mëvonshme të ish-funksionarëve komunistë përmendet qartë përdorimi i dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të arrestuarve politikë. Në gjyqin ndaj Koçi Xoxes, ish-zyrtarë të Sigurimit pranuan se tortura dhe provokacioni ishin pjesë e metodave të hetuesisë.

TORTURAT DHE VDEKJA NË BURG

Kol Kuqali u mbajt në Burgun Ushtarak të Tiranës, ku iu nënshtrua torturave të vazhdueshme për të firmosur deklarata të fabrikuara nga Sigurimi i Shtetit. Ai akuzohej si pjesë e një organizate që synonte përmbysjen e pushtetit me ndihmën e faktorëve të huaj, veçanërisht të misioneve anglo-amerikane. Në procesverbalet hetimore ai pranonte kontaktet me diplomatët amerikanë dhe diskutimet politike me figura opozitare të kohës, por refuzonte të pranonte akuzat e montuara për komplot dhe tradhti. Torturat vazhduan për ditë me radhë. Më 30 maj 1947, Kol Kuqali ndërroi jetë nën tortura. Regjimi tentoi të manipulonte rrethanat e vdekjes së tij, duke ndërtuar versione të rreme hetimore, por dokumentet e mëvonshme dhe dëshmitë e ish-hetuesve zbuluan realitetin brutal të asaj që kishte ndodhur. Pak ditë më vonë, edhe kunati i tij, Loni Adhami, i cili kishte shërbyer gjithashtu në ambasadën amerikane, do të vdiste i torturuar në burg. Ironia tragjike e historisë qëndron në faktin se Kol Kuqali kishte mbështetur Luftën Nacional-Çlirimtare dhe kishte sakrifikuar shumë për vendin. Dy nga djemtë e tij humbën jetën gjatë luftës, njëri në kampin e Prishtinës dhe tjetri në kampin nazist të Mathauzenit. Megjithatë, kjo nuk e shpëtoi familjen nga persekutimi. Njëri prej djemve të tij, Gjikë Kuqali, u njoh edhe si artist dhe piktor, ndërsa veprat e tij ruhen sot në fondin e Muzeut Historik Kombëtar. Por emri i të atit për dekada mbeti i heshtur, i fshirë nga historia zyrtare e regjimit.

DËSHMIA E KUQALIT NË HETUESI

Dëshmia e Kol Kuqali, e mbajtur në Burgun Ushtarak të Tiranës më 30 maj 1947, paraqet jo vetëm historinë personale të një ishdeputeti opozitar, por edhe mekanizmin e represionit politik që përdori regjimi për të eliminuar çdo mendim ndryshe. Dokumenti hetimor nis me të dhënat personale të Kuqalit: i lindur në Progër të Korçës më 14 qershor 1891, me profesion nëpunës, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Në dukje, procesverbali ka formën standarde të një deklarate hetimore. Por në thelb, ai është dëshmi e një kohe kur hetuesia dhe Sigurimi i Shtetit funksiononin jo për të zbuluar të vërtetën, por për të prodhuar “armiq” politikë dhe për të justifikuar eliminimin e tyre. Në dëshminë e tij, Kol Kuqali rrëfen jetën dhe aktivitetin e tij profesional. Ai tregon se kishte jetuar fillimisht në Rumani dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte punuar deri në vitin 1924. Pas kthimit në Shqipëri, ai ishte punësuar në Legatën Amerikane në Tiranë, ku kishte shërbyer deri në vitin 1938 si sekretar dhe përkthyes. Për hetuesinë komuniste, kjo lidhje me amerikanët ishte e mjaftueshme për ta konsideruar të dyshimtë. Në realitet, puna e tij kishte qenë pjesë e aktivitetit normal diplomatik të kohës. Ai kishte ndihmuar atasheun ushtarak amerikan me përkthime dhe informacione politike apo ekonomike, kishte organizuar komunikime dhe takime diplomatike dhe kishte ndërmjetësuar marrëdhëniet mes përfaqësuesve amerikanë dhe personaliteteve shqiptare. Në procesverbal, Kuqali përshkruan atmosferën e Legatës Amerikane në vitet e monarkisë së Zogut, ku organizoheshin darka dhe pritje me figura të njohura shqiptare. Ai theksonte se këto aktivitete kishin si qëllim forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Por në logjikën e regjimit komunist, çdo marrëdhënie me Perëndimin interpretohej si tradhti dhe bashkëpunim me “imperializmin”. Pjesa më dramatike e dëshmisë lidhet me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kol Kuqali shprehet se kishte simpatizuar Lëvizjen NacionalÇlirimtare, sidomos për faktin se djemtë e tij kishin qenë të lidhur me të. Madje, ai pohon se e kishte ndihmuar luftën antifashiste. Megjithatë, pas çlirimit ai kishte mbetur i zhgënjyer nga drejtimi që po merrte vendi. Në deklarimet e tij shfaqet qartë shqetësimi për konsolidimin e pushtetit komunist, arrestimet politike, shtetëzimet dhe afrimin e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik.

Kuqali pranon se kishte zhvilluar biseda me figura të njohura opozitare si Kostandin Boshnjaku, Selaudin Toto, Shefqet Beja dhe Riza Dani. Ai përshkruan mbledhjet e zhvilluara në fillim të vitit 1945, ku diskutohej nevoja për organizimin e një force opozitare kundër Frontit Demokratik të kontrolluar nga komunistët. Në këto biseda, sipas dëshmisë, shprehej shqetësimi për faktin se Partia Komuniste kishte marrë kontrollin absolut të shtetit dhe se çdo element tjetër politik po përdorej vetëm si fasadë. Në procesverbal përmenden edhe emra të tjerë të njohur të kohës, si Selim Kokalari, Gjergj Kokoshi dhe Suat Asllani. Hetuesia synonte të krijonte idenë e një organizate të gjerë opozitare të lidhur me misionet anglo-amerikane, me qëllim përmbysjen e pushtetit. Megjithatë, shumë historianë dhe studiues të periudhës theksojnë se këto procese hetimore zhvilloheshin nën presion ekstrem fizik dhe psikologjik. Tortura ishte metodë standarde pune në hetuesi. Vetë ish-funksionarë të Sigurimit dhe të Ministrisë së Brendshme e kanë pranuar më vonë përdorimin sistematik të dhunës për të nxjerrë deklarata të fabrikuara. Kol Kuqali nuk pranoi të firmoste akuzën kryesore të ngritur ndaj tij, atë të drejtimit të një organizate që synonte rrëzimin e pushtetit me ndërhyrje të huaj. Refuzimi i tij për t’u nënshtruar e bëri edhe më brutal trajtimin ndaj tij në hetuesi.

/Gazeta Panorama 

Gazeta britanike (1930) Aksidenti që për pak sa nuk i kushtoi jetën At Gjergj Fishtës, poetit kombëtar të Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Maj 2026

Nottingham and Midland Catholic News” ka botuar, të shtunën e 14 qershorit 1930, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth një aksidenti që mund ti kishte kushtuar jetën At Gjergj Fishtës, poetit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Poeti kombëtar i Shqipërisë

Prifti françeskan që i shpëtoi për pak vdekjes

Burimi : Nottingham and Midland Catholic News, e shtunë, 14 qershor 1930, faqe n°3.
Burimi : Nottingham and Midland Catholic News, e shtunë, 14 qershor 1930, faqe n°3.

(Nga korrespondenti ynë)

Vjenë, e hënë

At Gjergj Fishta, poeti kombëtar i Shqipërisë dhe një figurë shumë e nderuar nga populli shqiptar, kohët e fundit pësoi një aksident që për pak sa nuk i kushtoi jetën.

Sipas raportimeve, prifti i shquar françeskan po mbante një fjalim gjatë ceremonisë së inaugurimit të një fabrike çimentoje.

Pas fjalimit, Prefekti i Shkodrës vuri në punë motorët dhe të ftuarit u ftuan të vizitonin fabrikën. Pikërisht gjatë këtij inspektimi, zhguni françeskan i priftit u kap në një rrotë të dhëmbëzuar të makinerisë. Makineria e tërhoqi priftin me një forcë të jashtëzakonshme. Të pranishmit u pushtuan nga frika, pasi për një çast menduan se prifti i tyre i dashur do të shtypej për vdekje.

Me gjakftohtësi, At Fishta u hodh përdhe, ndërsa dy oficerë shqiptarë arritën ta çlironin nga kapja e rrotës së dhëmbëzuar.

Prifti u dërgua menjëherë në Spitalin Shtetëror, ku u konstatua se kishte pësuar një plagë të gjatë në kofshë, por kishte shpëtuar pa lëndime serioze.

ZEMRA E FERDINAND TEMALIT VAZHDON ME RRAH !- Pergatiti  FRITZ RADOVANI

 

 

FERDINAND TEMALI

 

Gjithnjë të kam kujtue o Mik…e, do të kujtoj… Se, zani Yt më ushton si gjithmonë:
“Do fitojmë apo jo?!…Po, Po, Po..!”

 

TI ISHE ATDHETAR I PERKUSHTUEM
E PUNTOR I PAVDEKSHEM
!

E, Themelues i Asaj BSPSH, organizator dhe luftar në betejën e përmbysjes së komunizmit ishe Ti, e vetëm Ti, o

 Ferdinand Temali!..

E, na,.. mbas Teje!

13 dhjetor…

SHKODRA PA TIRANIN KRIMINEL ENVER HOXHA!

Edhe njëherë plot dritë kjo ndertesë e Prefekturës së Shkodres!/

U zgjue Shkodra mbarë me një mendim 46 vjeçar në kokë: “Deri kur surrati i këtij tirani të pashoq vrastar perballë Prefekturës sonë?!”…

Vlonin rrugët e Shkodres, vlonin rrethinat, vlonin urat lidhse të qytetit…

Vlonte Kalaja “Rozafat” !

Rinia ishte zgjue nga gjumi gjysëshekullor… Pushkët dhe kazmat i kishte kraheqafë Ramiz Alia!

Doli nga Instituti Pedagogjik i Shkodres një djalë me një suazë të madhe në dorë, dhe mbas tij disa studentë… Sa mërrijti tek shkallat e hymjes kryesore, veç kur i dha krah asaj korrnizë, e shkoj tek trotuari copa e grima xhami bashkë me surratin e enver hoxhës!

Mendova me vete: “Sot i erdhi fundi edhe këtij qen e bir qeni!”… Nga Dugajt’ e Reja, kaloi një grup djelmësh të rij, që shpejtonin hapin…

Nga të katër anët Pjaca Fusha e Çelës, po vershohej nga njerzit që shpejtonin me shkue tek Prefektura e Shkodres. Ferdinand Temali në ecje më tha këto fjalë: “Po shkojmë me rrëzue bustin e diktatorit, mirë u pafshim!..”

Të gjithë ishin aq të gëzuem, sa ndoshta, u dukej, se po shkojnë në darsem…

U bashkuen tek Banka e Shtetit me një grup tjeter që me Flamurin e Shqipnisë “pa yll”, thërrisnin: “Liri Demokraci!”, “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”, Ishte shperthimi i fundit që pritej me brohoritje nga turmat e Popullit të Shkodres…

Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit enver, e nder të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë perpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”, që i pat thurë një vjerrshë edhe Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, që as Ai nuk “zehët me gojë”!!

U hap fjala e mori dheun… Në Shkoder Rinia rrëzoi bustin e diktatorit!

Ka “disa shqiptarë” që, “as sot nuk e dijnë, se Ai… që e zhguli dhe e …!” Edhe data 2 Prill 1991 nuk harrohet!

Një Shkoder Loce, uroj me zemer: “enver hoxha e pastë thye qafen, e kurrma mos ia pashim surratin, e i daltë fara e tij kudo në Trojet tona Shqiptare

Të Heroit Gjergj Kastrioti !”

Melbourne, 23 Maji 2026.

E vërteta ballas thashethemeve: Skënder Luarasi për At Gjergj Fishtën

Skënder Luarasi përshkruan mbresat nga takimi i parë me At Gjergj Fishtën më 22 prill të vitit 1931:‘’Kur Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u kthye nga mërgimi, mbajti një fjalim publik në Sheshin ‘’Skënderbeg’’. Kolektivi i Institutit Teknik na caktuan Hysen Dervishin dhe mua ta ftonim të na fliste edhe ne. Më ledhatoi kur më tha se gëzohej që njihej me birin e patriotit të Rilindjes, Petro Nini Luarasi. Studentët i bënë një pritje madhështore. Fola edhe unë për mikun e shquar. Skënder Luarasi: Kujtime.
Kjo visitë u pasqyrua edhe në revistën e shkollës teknike ‘’Laboremus’’: At Gjergj Fishta, Poeti Kombëtar shqiptar i bën një vizitë shkollës sonë më 22 prill Laboremus, 1 maj 1931, f.10.
Ndërsa në organin ‘’Shqipëria e re’’ shkruhet:
‘’Konferencë e poetit kombëtar At Gjergj Fishta. Në sallën e madhe të Shkollës Teknike përpara 300 e ca nxënësve At Gjergj Fishta zhvilloi një konfereneë edukative. Fjalët e arta të përejellura me talent të shquar pushtuan dëgjonjësit që ndjenë në zemrat e tyre çdo fjalë që thuhej për Atdhe. Fjalët e fundit u mbuluan me duartrokitje e brohoritje të nxehta.
Profesor Skënder Luarasi me fjalë të ëmbla në emër të nxënësve falenderoi poetin kombëtar.’’Shqipëria e re, 20 korrik 1931,f.2
Vlerësimin e tij për veprimtarinë dhe veprën e At Gjergj Fishtës Skënder Luarasi e shprehu disa herë, ku e si mundi, edhe në rrethana të rrezikshme politike…edhe kur e përjashtuan për 5 vjet nga Lidhja e Shkrimtarëve në vitin 1950…edhe kur përndiqej e kërcënohej deri në fund të jetës.
E vërteta historike dhe trillimet letrare
Në një debat parimor mbi të vërtetën historike dhe trillimet letrare Skënder Luarasi u shpreh: ‘’Dikush mund të thotë që ‘’romanet historike’’ ( me thashetheme e shpifje) kanë edhe gjëra të mira. Unë nuk do të pranoja t’i vija në peshë këto ”të mira” po të pranohet që këta romane kanë gabimet dhe të këqijat e përmendura më sipër. Dikush mund të thotë gjithashtu që romanet janë letërsi, ku nuk bëhet pa invereione dhe ku autori është i lirë të trillojë. Por unë mendoj se trillimi nuk duhet përdorur kundër së vërtetës.’’
Në vazhdën e interesave jashtëletrare, politike e klanore, në një ‘’roman historik’’ na u shpik një ‘’vetdeklarim’’ (vetposhterues) i Skënder Luarasit ‘’për të lartësuar At Gjergj Fishtën!’’:
‘’Ma lavdërojnë atë përkthimin që i kam bërë këngës ‘’Lamtumirë’’ të ‘’Child Harold-it’’ të Bajron-it, por, në fakt, njerëz si ne e kuptojnë se ate e ka bërë Fishta, thotë Luarasi. Ia mora përkthimin që njerëzit të thonë: Sa mirë e paska bërë poeti ynë! Dua të them, sepse, sado të lodhet ndokush, Fishta nuk hiqet nga librat e shkollës. Do të luftoj për këtë. Pra, këto antologjitë të bëhen gjithnjë e më mire.’’ Etj., etj…
Të dy tekstet e përmendura , të Fishtës e të Luarasit janë të mirënjohura e të publikuara edhe online dhe dallohet lehtë që nuk kanë aspak ngjashmëri, në stil apo format. Atëhere, përse shërben dhe kë nderon e turpëron ky trillim?!
Autori i romanit përkatës lipset të japë shpjegimet e duhura për këtë çështje.
Skender Luarasi O lamtumirë! Atdheu im
O lamtumirë! Atdheu im
Po zhduket dalngadalë:
Gjëmon stuhia me tërbim,
Çaçri gërhet mbi valë,
Pas diellit që po flakëron,
Po nisemi të lirë;
Dhe ty, si atij që perëndon,
Atdhe, Natën e Mirë!
Kur nesër rishtaz ai diell
Do lindë me shkëlqim,
Do përshëndesim det e qiell
Po jo atdhenë tim,
Në vatrën time nuk ka zjarr,
Nëpër avllit’ e forta
Të kullës sime rritet bar,
Im qen po leh te porta.
“Ti pazh i vogël, pa m’u qas!
Pse qan e po vajton?
Mos të tremb deti me tallaz,
A shqota të tmerron?
Pa fshiji lott; anija jonë
E shpejtë është dhe e fortë:
Nuk ka skifter që fluturon
Më shpejt e më gazplotë”
“Le të kanosen erë e det,
Nuk trembem nga asnjë shqotë;
Po, zoti Çajld, mos u çudit
Që po më rrjedhin lotë;
Prej babës e prej nënës ik,
U ndava prej shtëpisë;
Tani s’më mbetet asnjë mik,
Veç teje e Perëndisë.
“T’im at’ e pashë që duron,
Kur më bekoi me mall;
Po nënën kush ma ngushëllon
Gjer sa të kthehem gjallë!” –
“Pusho, pusho ti djal’ i mirë!
Të kanë hije lott;
Po të isha vetë zemërdlirë,
Nuk do t’i mbaja dot.
“M’u qas, m’u qas, ti trim besnik;
Përse më qenke zverdhur?
Mos trembesh nga një frëng armik,5
Apo nga det’ i ndezur?” –
“Sër Çajld, nuk jam aq frikacak,
As zverdhur jam prej frike;
Po kur kujtova gruan larg
M’u zbeh faqja besnike.
“Rron ime shoqe me tim bij
Në kullë te këneta:
Nd’e pyeçin ç’u bë babai,
Ç’t’u thotë nënë-shkreta?” –
“Pusho, trimi im, të mora vesh
Ta njoha brengën tënde;
Por unë zemërlehti qesh
Që shkoj nga këta vënde”.
Kush u beson psherëtimave
Të femrës që mbush sytë?
Ia than lotët qepallave
Ndonjë dashnor i dytë.
S’qaj për gëzimet që humbas,
Rrezikun që më vjen;
Po vetëm qaj se nuk lë pas
Asnjë që lotn’ e vlen.
Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi;
Përse të qaj pra për të tjerë –
Për mua s’qau njeri.
Do t’angullijë ndoshta sot
Im qen gjer sa të gjejë
Ushqim nga ndonjë tjetër zot;
Nd’ u kthefsha do më shqejë.
Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo,
Në detin plot buçim;
Dhe shpjermë në çdo vend që do,
Veç jo në vendin tim!
Të falem det i kaltr’ i zi!
Dhe kur të shkel i lirë
Në dhé, të falem, shkretëti!
Atdhe, Natën e Mirë!
(Xh. G. Bajron ‘’Shtegtimet e Çajld Haroldit’’)
Gjergj Fishta: Lamtumirë vëndet e mija
Lamtumirë vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë,
Gjëmon deti ushton duhija,
Lkundet varka valë mbi valë.
Kah njaj Diell që asht tuj flakrue,
Andej fill un tash do t’veta,
Lamtumirë atdhe i bekuem,
Lamtumirë për sa të jetë jeta!
Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e Diellit ka me ra,
Kush e di sa ujë e dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?
Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
S’ka me më fol kush ma mue t’shkeretit
Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…
Vëndin tëm ma skam me pa…
Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…
Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e Shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!
Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju “shkurre e mreta”!
Lamtumirë ju o armt e t’parve
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.

Çfarë dinte Naxhije Dume për vrasjen e Qemal Stafës? Dëshmitë për enigmat e luftës! Grackat për Shanton dhe Vojo Kushin

SEJDO HARKA

Si një përmendore e gjallë, gdhendur në faqet e historisë së kohës, ka mbetur në kujtesën tonë portreti i Naxhije Dumes, e para grua ministre në Shqipëri. Për herë të parë, nga afër e takova, në nëntor të vitit 2003, kur m’u dha mundësia ta intervistoj për gazetën “Mësuesi”, në atë kohë organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për ta bërë sa më interesante intervistën, paraprakisht shfletova, jo vetëm Arkivin Qendror të Shtetit, por edhe kujtimet e saj dhe shtypin e viteve, kur ajo luftoi e punoi. Ndërsa, për të biseduar nga afër, shkova në shtëpinë e saj, ku ajo jetonte me djalin e saj, në një hyrje të vjetër me qira, që ndodhej në Tiranën e Re. Naxhijen e gjeta pranë një tavoline të vjetër, ku shkruante kujtimet e saj. Barra e 83 viteve të vështira të jetës, sëmundja e gjatë dhe hallet e brengat e kishin ligështuar, por nuk e kishin gjunjëzuar për asnjë çast. Në fjalët e saj ndjeva jehonën e Luftës për liri, shijen e hidhur të lotëve e të vuajtjeve pafund, kujtesën e freskët, të përzierë me shpresën për një jetë më të mirë dhe ëndrrën për liri, e cila iu shndërrua në një ferr plot vuajtje e mjerim.

KUSH ISHTE NAXHIJE DUME

Naxhije Dume u lind më 3 janar të vitit 1921, në fshatin Lubonjë të Kolonjës, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Babai i saj, Dume Dumja ishte specialist pyjesh. Ai luftoi kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit, ndërsa nëna e saj, Vezirja, e ndoqi Naxhijen pas në çdo vështirësi të jetës. Shtëpia e saj, në rrugën e Shëngjergjit, në Tiranë, ku rrinte me qira u bë bazë e rëndësishme e luftës për liri. Nga që i ati punonte nëpunës dhe lëvizte shpesh nga një qytet në tjetrin, Naxhijes iu desh ta vazhdonte shkollën në shumë rrethe të vendit, si në Ersekë, Sarandë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Në vitet 1933-1941, mbaroi Institutin Femëror “Nëna Mbretëshë”, nga i cili ruante kujtime të bukura. Ja, ç’më tregoi Naxhija në intervistën e vitit 2003: “Vitet e Institutit Femëror ishin vitet më të bukura të rinisë sime. Kujtoj me shumë dashuri, se si shkolla jonë u shndërrua në një vatër e mrekullueshme diturie, kulturore dhe atdhetare”. Në atë kohë, drejtor ishte i respektuari Sotir Papakristo, njeri shumë autoritar dhe një nga pedagogët më të përkushtuar të arsimit shqiptar. Ndërsa pedagogët, që na dhanë dije e kulturë, midis të tjerëve, ishin Marije Kraja, Lola Gjoka, Ollga Nikolla (Luarasi) etj..

Në këtë shkollë, ajo ka studiuar me Meri Papakriston, Fatbardha Ficon, Liri Gegën, Nermin Vlorën, Margarita Tutulanin, Liri Belishovën, Eleni Pashkon, Nexhmije Xhunglinin, Fiqirete Sanxhaktarin etj. , të cilat më vonë u bënë antifashiste dhe personalitete të njohura të regjimit monist. Si anëtare e grupit të Shkodrës, që vepronte në Tiranë, Naxhija ishte e lidhur ngushtë me Qemal Stafën, Vojo Kushin, Tuk Jakovën, Kristaq Tutulanin e të tjerë. Pas mbarimit të këtij Instituti, Naxhija u emërua mësuese në shkollën “Avni Rustemi”, në kryeqytet. Mori pjesë në të gjitha demonstratat antifashiste të ditëve të para të vitit 1939. Për veprimtarinë e saj tepër aktive, u vu në ndjekje nga kuestura, gjë që e detyroi që të punonte në ilegalitet. Në vitin 1943, mori pjesë në Konferencën e Parë të P. K. Sh. të vendit dhe, kur ajo ishte vetëm 23 vjeçe, u zgjodh një nga 15 anëtarët e Komitetit Qendror të P K Sh. Një vit më vonë, u zgjodh delegate e qarkut të Korçës për në Kongresin e Përmetit, nga ku u kthye anëtare e Këshillit Antifashist. Së bashku me Kristo Themelkon, bënë organizimin e Brigadës së 22-të Sulmuese. Naxhija ishte një nga gratë, që mori pjesë në mbledhjen për krijimin e Qeverisë së parë shqiptare, në Berat. Me transferimin e Qeverisë së re në Tiranë, u emërua pranë aparatit të KQ të PPSH dhe më vonë Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, ku qëndroi deri në vitin 1947. Në dhjetor të vitit 1946, ajo u zgjodh deputete në Kuvendin Popullor. Ndërsa më 6 shkurt të vitit 1948, Naxhije Dume emërohet Ministre e Arsimit.

NAXHIJE DUME, MINISTRE E ARSIMIT

Në fillim – tregonte ajo – kur u emërova ministre e Arsimit, nuk dija nga t’ia filloja. Nuk rrinim dot në zyrë, sepse ishim çmësuar të punonim në tavolinë. Nuk komunikonim dot në telefon, se ishim mësuar ta bënim këtë me korrier. Nuk shtypnim dot shkresa në makinë, sepse ishim mësuar të komunikonim gojarisht. Emërimi im në këtë post ishte emocionues dhe i papritur. Mua më thirrën Koçi dhe Enveri, në shtëpinë e këtij të fundit dhe më komunikuan se, me vendim të Byrosë Politike, isha emëruar ministre e Arsimit.

Në çast, belbëzova një “faleminderit”, por mendja gjithnjë më punonte, se si do ta kryeja këtë detyrë aq të vështirë. Më pas, kur e mblodha veten, i thashë Enverit, se isha shumë e re dhe se e ndieja veten nxënëse përpara profesorëve te mi, të cilët do t’i kisha vartës në Ministri. E ndieja veten të ndrojtur, sepse në atë Ministri, më parë kishin punuar Gjergj Kokoshi, shkodrani i urtë e me kulturë të gjerë, dhe Sejfulla Malshova, që më dukeshin shumë më të zotë se unë. Para meje dilnin detyra të vështira. Duheshin kompletuar shkollat e mesme, dhe sidomos ato unike e fillore me kuadër, literaturë, banka e materiale didaktike, të cilat mungonin thuajse krejtësisht. Vetëm në qytetet kryesore ekzistonin shkolla të rregullta. Ndërsa në fshatra mungonte gjithçka. Na duhej të emëronim mësues me arsim 7-vjeçar, sepse kishim mungesë të madhe kuadri.

Dilte në plan të parë organizimi i kurseve kundër analfabetizmit, kualifikimi i mësuesve dhe gjithë punonjësve të arsimit, organizimi i botimeve masive të teksteve të reja shkollore. Kishte ardhur koha të mendonim për shkollën tonë të lartë kombëtare. Si fillim, duhej të krijonim Institutin e Lartë Pedagogjik, shtëpitë e pionierit dhe vatrat e kulturës, muzeumet, bibliotekat, Institutin e Shkencave, Teatrin Popullor, Estradën e Shtetit, Lidhjen e Shkrimtarëve, që do të ishin bazat e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre institucioneve kishin filluar të organizoheshin me kohë, por ishin të pakonsoliduara. Kështu, në këto kushte të vështira për mua, por edhe për vendin, fillova punën e Ministres. Në këtë post qëndrova vetëm 6 muaj, sepse pas Kongresit të Parë të PKSh-së u përjashtova nga detyra e lartë që mbaja, pas akuzave të rënda nga Enveri dhe Mehmeti, se gjoja po i jepja arsimit drejtim projugosllav dhe antisovjetik”.

NË SHËNJESTËR TË POLITIKËS MONISTE

Po, cila ishte arsyeja e vërtetë, që Naxhije Dume u vu në shenjestrën e partisë-shtet të kohës, pas punimeve të Kongresit të Parë?! Ja ç’tregon ajo: “Në këtë Kongres, thekson ajo, sqarova se, për gabimet e Plenumit të 8-të të KQ , përgjegjësi kishim të gjithë, sepse askush nuk diskutoi kundër rezolutës së tij. Por kjo gjë nuk u pëlqeu krerëve të udhëheqjes. I pari u hodh Mehmeti, i cili tha: ‘’Ta rrahim hekurin sa është i nxehtë, sepse konkluzionet e Naxhijes godasin krerët kryesorë të udhëheqjes!?

Kështu filloi persekutimi im 54-vjeçar. Për një kohë të gjatë, agjentët e sigurimit më gjurmuan për të më arrestuar. Pra, vazhduam të jetonim në një tmerr të pafund, deri sa u përmbys sistemi diktatorial”. Në vitet 1951-1953, ajo punoi si drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik dhe Etnografik, ndërsa në vitin 1956 drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare. Këtu punoi edhe 3 vjet të tjera, deri në çastin e shpërthimit të goditjeve të fuqishme, që do t’ia shkatërronin jetën. Si përfundim, e transferuan në Cërrik, ku mbeti pa punë. Ndërsa i shoqi i saj, Nesti Kerenxhi, në atë kohë, punoi në ndërtimin e rafinerisë së naftës.

Më vonë, Naxhija punoi në Elbasan, drejtoreshë e bibliotekës, por shpejt atë e dërguan mësuese të thjeshtë në këtë qytet. Në vitin 1961, nga që i shoqi u emërua drejtor i minierës së Selenicës, shkoi për të jetuar atje. Pas konferencës së njohur të Partisë në Tiranë, filloi kalvari i ri edhe më i egër politik e administrativ ndaj Naxhije Dumes dhe bashkëshortit të saj, Nesti Kerenxhi. Pasi punoi gjatë si mësuese e thjeshtë, në vitin 1972 doli në pension. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Kadri Hzbiut, i shoqi i saj, Nesti Kerenxhi u burgos dhe doli prej tij në shtator të vitit 1983. Prej këtej filloi internimi në Mavrovë e në Selenicë të Vlorës. Vetëm në vitin 1996 u kthye përsëri në Tiranë. Gjatë Luftës dhe punës, ajo ka marrë disa dekorata, si “Urdhri i Flamurit”, “Urdhri i Lirisë”, “Urdhri i Trimërisë”, “medalaja e Kujtimit”, “medalja e Trimërisë” e “medalja e Çlirimit”, të cilat për arsye të qëndrimeve të saj politike, i u hoqën padrejtësisht për gjithnjë. Por meritat e saj të luftës për liri dhe të punës për ndërtimin e vendit nuk mund t’i mohojë askush.

DRITË MBI VRASJET ENIGMATIKE TË LUFTËS

Në kujtimet e saj, Naxhije Dume hedh dritë edhe mbi vrasjet enigmatike, të disa Heronjve të Luftës. “Kur vendosa të them të gjitha ato që di rreth Luftës dhe regjimit të kaluar, thekson ajo në kujtimet e saj, mendova se kështu mund t’i shërbej sadopak historisë së vendit tim. Këto kujtime janë testamenti im i fundit, para se të largohem, mjaft e lodhur nga kjo botë, por e qetë, sepse mbi ndërgjegjen time nuk kam shkelur kurrë. Nuk mund të hesht nga shtrembërimet, që i bëhen historisë nga disa pseudohistorianë.

Tërë jetën më ka ngacmuar pyetja, se si u vra Q. Stafa?! Deri në atë kohë Qemali banonte në shtëpinë time, në rrugën e Shëngjergjit. Më tha ta kontrolloja shtëpinë e re, fatale për të, ku një ditë më pas ai do të vritej. Kur e takova, i thashë me ngulmim, se ajo shtëpi nuk ishte e përshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurt. Përveç meje, për këtë bazë kishte dijeni vetëm Enveri. Për mua ka ngelur enigmatik fakti, se nga e dinte Kristo Themelko këtë bazë kaq të rëndësishme, në kushtet e konspiracionit tonë të madh?! Kjo enigmë nuk u zgjidh kurrë, as pas çlirimit.

Në shtëpinë e re Qemali gjeti Dritën, gruan e Zefit, Kriston dhe shokun e panjohur. Papritur, panë se ishin të rrethuar nga forcat policore. Themelko (Shulja) shpëtoi për mrekulli, ndërsa Qemali u vra!? Kjo ishte ngjarja më tronditëse për ne, shokët e tij. Në qoftë se Kristo Themelko do të kishte faj, Enveri nuk do ta linte pa e ndëshkuar rëndë. Për mua, konkluzioni përfundimtar do të ishte ky: Enver Hoxhën, më shumë se kompleksi i neglizhencës, e ka munduar kompleksi i vetëfajësisë për vrasjen e Qemalit”. Ndërsa për vrasjen e Vasil Shantos, Naxhije Dume kujtonte: “Takimi i fundit me Vasil Shanton (në Korçë) më ka lënë mbresa të veçanta. Ai ishte caktuar ta shoqëronte Tempon në Mal të Zi.

Shpesh herë më ka shqetësuar pyetja: Vallë, ky qëndrim duhej mbajtur me një personalitet, si Vasil Shanto?! Ky hero atentator, mjeshtër i madh i luftës guerile, që ishte aq i vyer për Shqipërinë, a duhej keqpërdorur, si shoqërues e korrier i tij?! Mbaj mend, se Vasili më tha: Naxhije, ky do të jetë udhëtimi im i fundit. Në fakt, ashtu ndodhi. Ai u vra në rrethana enigmatike, duke u kthyer nga misioni i fundit luftarak. Me vrasjen e tij, Lufta humbi një nga atentatorët dhe trimat më të rrallë të kohës”. Ndërsa më tej, ajo vazhdon: “Për t’i dhënë përgjigje enigmës së kësaj vrasjeje, më kanë ndihmuar dëshmitë e Llambrini Mitrushit, zonjës së shtëpisë, që u bë bazë e Vojo Kushit, në ato vite të stuhishme lufte. Ajo më ka thënë se, një ditë prej ditësh, vajti në shtëpinë e tyre (bazë e V. Kushit), Fiqirete Sanxhaktari (Shehu) dhe e njoftoi atë, se duhej të shkonte në shtëpinë e Kodrës së Kuqe. Në këtë shtëpi, V. Kushi e ndjente veten të sigurt, aq sa në kohë të lirë lexonte dhe libra. Kaluan shumë kohë nga kjo ndodhi tragjike dhe Llambrinisë s’i hiqet nga mendja fakti që atë ditë në Kodrën e Kuqe nuk u bë asnjë mbledhje e thjeshtë dhe jo më e rëndësishme. Në atë shtëpi mbetën të rrethuar, përveç Vojos dhe Sadik Stavelecit dhe Xhorxhi Martini, të cilët luftuan e ranë trimërisht, aq sa legjenda e Kodrës së Kuqe mbeti e përjetshme në historinë e Shqipërisë”.

Naxhije Dume u nda nga kjo jetë në moshën 87-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë e të pashërueshme, më 25 shtator të vitit 2008. Ajo u shua si kandili, kur i mbaron vaji, në një shtëpi të vjetër me qira, ku banonte me djalin e saj të dytë. Përndjekja e gjatë dhe sëmundja e pashërueshme, ia brenë shpirtin tërë jetën. “Por më shumë se çdo gjë, – ka shkruar ajo në kujtimet e saj, – më ka vrarë indiferentizmi dhe heshtja shurdhmemece e qeverive të kohëve të sotme. Askush nga pushtetarët nuk u interesua të mësonte, se ku banoja dhe ç’nevoja kisha për t’u kuruar. Ishin mjaftuar vetëm me një pension qesharak, që nuk më dilte as për ilaçe e kafe!?”. Është sa e dhimbshme, aq edhe paradoksale, kur mëson se Naxhije Dume, ish-Ministrja e parë shqiptare, e cila u ndesh dhëmb për dhëmb me lakejtë e diktaturës për të trokitur në portën e lirisë së vërtetë, u largua nga kjo botë, pa iu thënë asnjë fjalë e mirë nga pushtetarët e kohës, edhe pse u persekutua tërë jetën nga regjimi monist. Naxhije Dume u nda përgjithnjë nga jeta, krenare për bëmat e veta, duke lënë në gjumë letargjik shurdhmemecët e politikës shqiptare.

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend