Vjosa Osmani e ka ndërtuar karierën e saj prej gjithë jetës, nxënëse e studente e shkëlqyer, Rugoviste që vajzë e re, me ideale e ëndërra për Kosovën. Edhe pse e re në moshë, është dalluar për qendrimet koherente, konform premtimeve që nuk i përmbushte lidërshipi i LDK, nuk e ka votuar qeverinë e kryesuar nga kryetari i partisë së saj, nuk e ka votuar dhe as ka qenë në kuorum, kur Isa Mustafa i imponoi deputetët e tij të votonin Hashim Thaçin president.
Pikërisht ky rrugëtim aspak i lehtë, pa kompromise, me guxim dhe përkushtim kishin bërë që Vjosa Osmani të fitonte simpatinë e Kosovës dhe përtej kufijve të saj.
Personalisht bashkë me Donikën dhe Albinin i kam konsideruar trekëndëshin fatlum për Kosovën, Donikën dhe Vjosën i kam përcaktuar si garanci e funksionimit të qeverive Kurti, nën fushatat linçuese të skuadroneve të PDK.
Shihja me nervozitet konfidencialitetin midis saj dhe Edi Ramës, por e justifikoja si refleks i lidhjeve gjenetike të Kosovës me shtetin amë.
U habita pa masë, kur Vjosa Osmani angazhoi nga Shqipëria, një këshilltar mediokër, nga grupi i Lulzim Bashës, pra nën ndikimin e Ramës. Me këtë rast i shkrova, por nuk më ktheu përgjigje. As për korrektesë.
Vjosën e kam mbështetur si talent e shpresë frymëzuese për brezat e rinj të politikanëve që në fillimet e saj .
Vjosën e shihja si model edhe për gratë politikane të shtetit amë, që s’kanë personalitet, s’kanë as ndikim, as zërin e tyre, por mjaftohen t’i tregojnë besnikëri kryetarit të partisë.
Paraqitjet e suksesëshme të Vjosës nëpër metropolet e politikës Perëndimore duke lobuar për Kosovën dhe respekti që gëzonte merrte vemendjen dhe simpatinë nga gjithë shqiptarët mbarë.
Lexoja nëpër portalet e financuara nga PDK udhëtime të saj me grupin e këshilltarëve nëpër botë me shpenzime marramendëse prej 70 mijë Euro në një udhëtim, kur pensionet në Kosovë janë tepër të ulta, por mendoja se janë fushata propagandistike.
Bomba plasi kur po manifestohej për Hashim Thaçin, dhe Rama u shfaq në Prishtinë një ditë para organizimeve zyrtare të 17 shkurtit dhe nga tribuna akuzoi Gjykatën Speciale e mori në mbrojtje institucionin e Presidentes kërcënuar nga kjo Gjykatë! Zot i madh kaq poshtë të binte Vjosa Osmani, sa ta merrte në mbrojtje Edi Rama!
Një ditë më vonë Vjosa Osmani, ndryshe nga VV-Guxo, do të merrte vetë pjesë në manifestimin e organizuar në Prishtinë për Thaçin, ndërsa njëra nga këshilltaret e saj, Donika Kabaj do të kapej nga kamerat e televizioneve të Kosovës duke shkuar tek djali i Thaçit.
Koalicioni VV-Guxo paraprakisht u bë pjesë e Rezolutës në Kuvend inicuar nga PDK në mbështetje të Hagës, ndërsa prezenca e Vjosa Osmani u pa si shprehje e unitetit.
Tingëllon bukur apo jo!
Megjithatë tashmë ajo nuk i jep kujt llogari.
Sepse mbështetjen që ajo i jepte Hagës, do të duhej t’ia kushtëzonte PDK me kuorumin e presidentit.
Këtë e kërkonte interesi i shtetit të Republikës së Kosovës.
Pastaj na u desh të shqyenim sytë tek Bordi i Paqes, në një komunikim konfidencial midis saj dhe Edi Ramës, kryeministrit më të korruptuar të Europës, përtej sjelljes formale, duke e injoruar krejtësisht opozitën e shtetit amë.
Po ashtu Presidentja e Republikës së Kosovës e kaloi me indiferencë skandaloze kur Edi Rama etiketoi “sikar” Prokurorin e Hagës.
Zonja Presidente edhe 27 ditë në detyrë e kujt duhet t’i besojmë ne: drejtësisë apo Edi Ramës.
Bota ishte kthyer përmbys.
Megjithatë, paraqitjet jashtë konteksteve zyrtare të Vjosës me mikun e Vuçiqit dhe kundërshtarin e Kurtit, opinioni përpiqej t’i përcillte me sukseset e Vjosës nëpër botë, sepse klasa e re politike në Kosovë përkufizohet me integritet dhe pa skeletë në sirtarë.
Deri kur do të vazhdonte ky perceptim?
Deri kur po afrohej data për zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentit/tes.
Mungesa e një komunikimi transparent nga të gjitha palët, kishte shërbyer për të krijuar në opinion idenë se Vjosa do të rizgjidhej.
Shfrytëzimi deri në limitin fundor i afatit për të shpallur apo rishpallur kandidaten shterri durimin e këshilltareve të Vjosës, që dolën jashtë autokontrollit me deklarime në rrjet e media jashtë çdo komunikimi formal, duke tërhequr vemendjen.
Çfarë po ndodhte?
Meliza Haradinaj fliste në vetën e parë shumës, pastaj përmendte “mashtrim”, tjetra i referohej “gënjeshtrave”!
Pyeta veten po ç’i duhen Vjosa Osmanit këshilltare si ish ministrja e jashtme e qeverisë Hoti apo Donika Bujupi, të dyja nga nga AAK e Ramush Haradinajt.
Vjosa Osmani ka qenë vajzë e re dhe asnjëherë nuk ka rënë në nivelin e ulët të komunikimit të këshilltareve të saj, që dallohen për fotot si nga sallonet e modës.
Vjosa Osmani është dalluar për seriozitetin dhe saktësinë e qendrimeve të saj që gjithmonë ishin në valën pro interesave të Kosovës, mbështetur në argumenta të pakundërshtueshme.
Tash Vjosa Osmani e ka humbur busullën.
Kjo u pa kur VV-Guxo shpalli kandidatin për president dhe ajo fillimisht çoi të kalohej në Kuvend votimin popullor të presidentit aprovuar nga Gjykata Kushtetuese më 2011, që nuk mund të votohej, sepse presidentja i kishte djegur pesë vitet e presidencës pa i kushtuar vemendje asaj që do të ishte zgjidhje për të dhe ngërçet politike në Kuvend.
Në të njëjtën natë opozita do ta bojkotonte kuorumin, duke bërë që të dështonte raundi i parë i votimit të kandidatit për president, por kjo do të ishte mjaftueshëm që Vjosa Osmani pa u gëdhirë mirë, pa i menduar pasojat, duke dënuar e kërcëllyer dhëmbët, doli me dekretin të cilin konstitucionalistë e vlerësojnë antikushtetues, dhe shpalli shpërndarjen e parlamentit, kur institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë muaj që kanë nisur punën, pas një krize një vjeçare prej rolit obstruksionist e bllokues të opozitës kundër funksionimit të shtetit të së drejtës të Republikës së Kosovës.
Për hir të së vërtetës trekëndëshi Gërvalla- Kurti-Osmani ishte kthyer për opozitën në mision për ta shkatërruar.
Në Email-et tona vinin pa fund lajme dhe info dizinformuese kundër treshes që ishte perfekte sipas proverbit latin Omne trium perfectum.
Dhe ja arritën me Vjosa Osmanin.
Me një çmim kundër shtetit të Kosovës, sipas një regjie, që Beogradit i vjen shumë për shije.
Që po ashtu shoqërohet me rrënimin e imazhit të një politikaneje si yll në ngjitje me integritet dhe e guximshme, që rezulton se ka humbur busullën.
Vjosa Osmanit iu desh një jetë të krijonte personalitetin e saj e të fitonte simpatinë tek mbarë shqiptarët dhe do të mjaftonin një seri shfaqjesh që ajo ta humbiste shkëlqimin, shfaqje që binin ndesh dhe në dukje ishin absurde me vetë bindjet e saj e që kulmuan me një dekret famëkeq që i kundërvihet sistemit demokratik të Kosovës .




Cudi si mund te botoni kesi pordhash, hahaha, e para here qe degjoj per kesi fare pagezimi te muslimanet… Po pse me rastisi ta lexoj kete berllog qe fyen edhe muslimane edhe te krishtere. Po cka te duash behu, kush te ndali?