Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), e udhëhequr nga liderët e saj legjendarë, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, ka nxjerrë një deklaratë të fuqishme në mbështetje të protestave paqësore të popullit shqiptar.
Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë tejkaluar çdo kufi arrogance, abuzimi me pushtetin dhe keqqeverisjeje. Pas vitesh korrupsioni dhe dështimesh në qeverisje, ata e kanë shteruar durimin e popullit shqiptar.
Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria është zhytur në një sistem thellësisht të korruptuar që u shërben vetëm interesave të oligarkëve vendas e ndërkombëtarë dhe rrjeteve kriminale, në vend të interesave të qytetarëve të saj.
Qeveria e tij po e shkatërron Shqipërinë dhe po sakrifikon interesat kombëtare në favor të Serbisë raciste dhe hegjemoniste, si dhe të forcave të tjera armiqësore ndaj popullit shqiptar. Ai gjithashtu e ka tradhtuar Republikën e Kosovës.
Duke e vënë sistemin zgjedhor nën kontrollin e tij, ai e ka bërë pothuajse të pamundur që qytetarët ta largojnë nga pushteti përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protestat madhështore dhe paqësore, që kërkojnë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie teknike të përkohshme deri në krijimin e kushteve për zgjedhje vërtet demokratike, përfaqësojnë shpresën e vetme të mbetur për ndryshim demokratik.
Këto protesta nuk janë të drejtuara kundër asnjë investimi të ligjshëm të huaj dhe as kundër ndonjë shteti të huaj. Qëllimi i tyre i vetëm është rikthimi i demokracisë, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.
Populli i Shqipërisë e ka dhënë verdiktin e tij. Edi Rama e ka humbur besimin e popullit shqiptar dhe nuk gëzon më legjitimitetin demokratik për të qeverisur.
Protestat paqësore duhet të vazhdojnë deri në dorëheqjen e tij. Bashkësia ndërkombëtare duhet të qëndrojë në krah të popullit shqiptar në përpjekjen e tij për demokraci, drejtësi dhe zgjedhje të lira.
Shqipëria nuk është në shitje.
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv, LQShA
8 korrik 2026