VOAL

VOAL

Shqipëria e parë me sytë e Fred C. Abrahams Nga Gjergj Erebara

March 11, 2016

Komentet

FAIK BALLANCA VRET SHKURTA nga Roland Gjoza

 

Ishte nje zilke qe tringellonte gati e pandjeshme ne xhepin e xhaketes prej kadifeje. Nuk besoj te dije njeri per ate zile. Ishte nje e fshehte e madhe. Rastesite nganjehere vijne vetem per ty. Ndodhi ate dite qe nje ze nga salla i tha me armiqesi te hapur se ai po mbronte modernistet ne poezi. Faiku foli me nje mllef te pakontrolluar se kishte ardhur koha te prishej statukuoja letrare. Ai e kishte fjalen per skematizmin dhe varferine e mjeteve shprehese, per te gozhduarit ne karriget e podiumeve. Aq duhej, nje ze si i kurdisur, qe te degjohej dhe i dyti pastaj dhe i treti, me inatcor se dy te paret, madje talles. Lidhja e Shkrimtareve ishte aneksi i Komitetit Qendror dhe i Ministrise se Brendshme. Ishin te frikshem ata zera. Faiku la podiumin e mbuluar me beze te kuqe dhe pershkoi sallen e madhe me fytyre te zymte, me duart rrasur ne xhepa. Kur kaloi prane meje degjova ate tringellime te mbytur si nje sensasion. Nga erdhi ajo tringellime? Faiku kishte permendur dhe emrin tim si nje poet lirik me fryme te re moderne, prandaj i vura veshin asaj muzike xhepi. E kisha gjetur me ne fund, se prej xhepit te tij vinte ajo tringellime, qe me kishte bere aq pershtypje.

Pas nje ore e kishte thirrur Dalan Shapllo ne zyre dhe i kishte thene;

— Je ne vete,Faik? Ke kerkon te permbysesh ti, realizmin socialist? Niçja, qe ti e lexon ne gjermanisht ishte per shkallmimin ne emer te mbinjeriut te çdo morali, feje, sistemi… ore djalosh, c’te bej me ty, nisu me sherbim, ik per ca kohe..ik..me vjen keq qe ndodhi keshtu…

Dhe Faikun e nisnin me sherbim. Kjo po perseritej pak si shpesh. Ne ate kohe ai ishte redaktor ne revisten Nentori, djalosh 27 vjecar, tregimtari me i famshem i kohes.Tregimet e tij ishin tejet origjinale, te shkurter, fin, pak si te thate, edhe nje presje binte ne sy kur ishte e tepert. Ai nuk pershkruante, po abstragonte, nuk ndjehej si autor, por te mberthente me gjetja te medha, te padukshme, ai ishte mjeshter i nentokes se shpirtit. Kjo eshte veti e shkrimtareve te medhenj, te cilet, ne çdo kohe, kane plot pune me grafomanet e maleve me faqe librash. Atehere kishte shume te tille, qe nje tregim te Faikut me kater faqe, e shtrinin tejetej ne njezeteepese faqe.

Ne fillim nuk i pelqeja tregimet e Faikut. Isha mesuar me pershkrimet e diellit gjysme faqe, me hollesite gjer ne marrezi te veshjes se komisarit, tri faqe, me mbledhjet me popullin, tridhjete a dyzete faqe. Ai solli dieten e shendetshme ne prozen e shkurter. Erdhi rrokupuje si nje novator i madh. Dhe nje dite ai na u imponua te gjitheve, edhe atyre te njezeteepese faqeve.

Faiku lexonte ne gjermanisht, frengjisht, italisht. Kur shkruante ai kishte temperature. Edhe jashte ne rruge ai kishte pamjen e tendosur, te zymte, te pakenaqur te tryezes se shkrimit. Ai asnjehere nuk u nda prej saj. Dhe ajo, ajo e cuditshmja qe mbante ne xhepin e xhaketes ku rraste duart, ajo, qe ia pikasa nje dite fare papritur,ashtu vagellimthi ne sallen e Lidhjes. E kisha harruar. Ishte e veshtire te flisje aq lirshem dhe me fryme intimiteti kompromentues me te, beja kujdes, ngurroja para se t’i flisja, se ai nuk kishte asnje grime dashamiresie dhe ngrohtesie ne fytyre. Aparenca e tij ishte e veshtire.I ngjante Kafkes ne nje fotografi bardh e zi te Procesit ne gjermanisht, qe ai e mbante ne çante. Shpesh me dukej si i semure.Vuante. Ate dite qe i foli Dalani u takuam te dy ne tarracen e Lidhjes ku ndodhej dhe ballkoni i gazetes Drita. Ishte ndajnate. Sapo kishte perenduar dielli dhe ai me tha keto fjale me nje nervozizem asgjesues; Ulet laku, Roland,ulet e ulet ai lak gjersa te mberthen per gryke. Eshte e trishtueshme te shikosh cdo mengjes ne oren shtate e gjysme kur dal nga shtepia, popullin e Tiranes, ate turme te çoroditur perplot tension e frike ngazellyese, ke degjuar per friken ngazellyese, kur i thuhet derrit daje, te nje populli qe me dhimbset per vdekje, i cili nxiton nen lakun qe ulet, ulet. Kush e ka radhen sot? kjo eshte pyetja fatale.

Futi doren ne xhep dhe degjova tringellimen, ate muzike tronditese qe te krijonte ankth. Shau neper dhembe dhe iku. O zot, ai nuk ishte mire. Ishte aristokrat, ne qofte se do ta zbukuroja pak origjinen e tij, familje intelektuale, nuk vuante per ate qe ne e shqiptojme thjeshte; buke. Ç’kishte? Pse fliste ashtu?Ndjeshmeria e tij nervoze, ai guximi i befte qe bente maje ne publik, ajo tringellime qe vinte nga xhepat e tij, ne momente kritike, e mbulonte me njefare misteri figuren e tij te paket, te dobet, nervoze, te zymte.

Sherbimet e qetesonin, udhetimet e largeta ne male ne dimer dhe ne vere, ne pranvere dhe ne vjeshte. Atje te ishte redaksia e Nentorit per te dhe ai te rronte vetem dhe te mos shfaqej me.

Shpesh merrte me vete çiften dhe dilte per gjueti. O ç’dite! Atje, atje duhet shkuar, ne pyjet, lumenjte, fushat me mullare te kripur, nen shi, nen flete, nen boretime e shterngate. Ne Tepelene, ne Lekel, me mikun e tij te ngushte Sazan Golikun, ne fshatrat e Kurveleshit, ne stane, ne Kala te Dodes..ne Korab te 9 bjeshket me 20. 000 krere dhen ku pishat dhe lugjet dukeshin te kaltra si ne argjend..atje, atje takon njerez te thjeshte, barinj, peme, kafshe, shpende, yje, det, burime, flete, qe vdesin trimerisht perdhe ne token e epshme plot avuj e muzike buisjesh te nendheshme. “Ulem e marr nje gjethe, me thoshte, e mbaj ne fletet e shenimeve te mia. Atje ajo vdes, thermohet, behet pluhur dhe une kam tundimin te ziej pak uje dhe ta pije si caj.. kushedi ç’vegime pyjesh qe vdesin do te shikoj!”

Ai e prmendete shpesh vdekjen si nje gjetje te madhe artistike, si nje ngacmim per nje roman, nga ato lloj prozash te gjata, ( enderra e cdo shkrimtari ) qe rendom i quajme romani i jetes. A do ta shkruante?

Ne nje nga ato kohet e sherbimeve te gjata ai shkroi romanin “Nomeja e larget” dhe nuk e dinte qe do ta botonte pas vdekjes.Trysnia e asaj qe kishte shqiptuar, mekati i ndryshimit te gjerave, do te ndjehej dhe ne marredheniet me shkrimtaret me te shquar te kohes. Ata nuk do ta perkedhelnin me. Madje do ta mbulonin me njefare heshtje qe te vret me shume se cdo gje. Je dhe s’je, s’te vene re. Boto c’te duash, tani je bere i rrezikshem me talentin tend. Laku ulej, ulej, hija e tij e kishte shternguar me kohe gryken e hajthme me mollen e adamit te kercyer.

Nje dite duke zbritur shkallet e Lidhjes,nje shkrimtar i madh i tha si shkarazi e me nje gjysme zeri; “Kete librin e fundit se kishe gje, ke rene Faik.”

Ai rrasi duart xhepa, doli me vrap perjashta dhe u zhduk. Ç’po ndodhte me te?

Nje dite me tha me ate nervin e tij vrases; “Ti me thua pse zhdukem kaq shpesh. Me ben pershtypje dicka te disa nga miqte e mi, me permendin si te vetat ca gjera, detaje, hollesi, qe jane te tregimet e mi. I thone me mburrje, me mendjelehtesi, pa fare brerje ndergjegjeje dhe une rri e i shikoj si buf..te jene kaq te papergjegjshem, kaq hakmarres?…”

Ne fillim mbeta, m’u duk i pabesueshem ky shpjegim me nje ton te zymte, tejet te pakenaqur.Por me vone kur punoja ne Kinostudio, e kuptova me zhgenjim te hidhur, se ajo verejtje e trishte dhe brengosese e Faikut, kishte qene mese e sakte, tmerresisht e vertete. Doja te shkruaja nje skenar te bazuar ne nje nga tregimet e tij, po shefi, nje regjisor dhe shkrimtar i njohur, ish mik i Faikut, me tha me nje indiference prej keqberesi “O, ate e kemi plackitur te gjithe, c’ka me te bukur ia kemi perlare, s’ka mbetur asgje per ty.”

Nuk mund ta harroj ate cast, qe s’me eshte hequr nga trute, ate cast te tmerrshem, pas vdekjes se tij, ne moshe fare te re, ne moshen e Krishtit, qe me trishtoi aq shume. Dhe ishte koha qe s’e kujtonin me.

Kam qene te varri i tij dhe, pse ta fsheh, me eshte bere se kam degjuar serish ate tringellimen e mistershme. Ende e vrasin, edhe atje, atje poshte atyre pllakave prej mermeri te krisur, ku futet laku, ai laku qe di te ulet edhe ne Had. E kane mbuluar me harrim, heshtje, pluhur tokesor. Se fama s’del per te gjallet.

Po c’ishte ajo tringellime? Ishte nje zilke qe tringellonte ne xhepin e tij, nje zilke gjyqtari qe binte tronditshem perpara se te shqiptohej pretenca, atje ne ato sallat e gjykatave te vjetra me noti, derrasa me cimka dhe me police qe i zinte gjumi ne kembe. I jati, nje gjykates i nderuar, e mbante prej shume kohesh ne sirtarin e tij te mbyllur me kyc. Pretence per te vdekurit. Sa here tringellonte ajo zilke ne xhepin e tij, ai ndjente te vdiste ngapak. E kishte filluar si nje loje, pastaj e kishte ndjere si nje parabole. Nuk ia tregonte njeriu, sepse edhe kete do t’ia vidhnin. Prandaj iku ndoshta, prandaj iku aq shpejt, se e perfshiu paniku i prishjes se harmonise.Ai ishte aristokrat dhe donte te ikte i bukur, pa u perbaltur.

Shkonte te dollapi ku mbante ciften,merrej me te per nje kohe dhe zhdukej neper humbetira.Gjuante shkurta me disa miq, qe e prisnin si nje zoteri. Ata e donin pa fjale, nuk ia prishnin kurre qejfin. Edhe ate dite. Pyjet digjeshin nga ethet. Fergellonin. Kercitnin. Ate dite vrau nje çift shkurtash, te cileve u varej koka pikellueshem. Ishte cifti i fundit, i thane, shkojme, Faik,..Ata s’donin t’ia prishnin dhe e kishin nxjerre te ajo lirishte e kuqe dhe e lane t’i vriste, mashkullin dhe femren, sqep me sqep, ne dalldine dhe trullosjen e dashurise.

Kjo e trishtoi pa mase. Kishte vrare çiftin e fundit te atij pylli. E beme per ty, i thane me trishtim dhe ata. Ç’fjale te renda. Ai nuk ishte perendi. Zuri shtratin. Digjej dhe ai nga ethet si pyjet. Kjo puna e shkurtave nuk i hiqej nga mendja. Ç’kam bere, thoshte, ç’kam bere!

Ai ishte i ndjeshem si nje muzg qe nga ndjeshmeria morbite shnderrohet shpejt ne nate.

U kthye nga Fierza, e vuri gryken e çiftes ne gryke, ne vendin ku ishte ulur laku prej kohesh dhe vrau veten.Te gjithe pyesnin; “O,zot, pse e vrau veten Faik Ballanca? Asnje nuk e di edhe sot.Te gjithe ngrene supet.

Ai nuk e ka ate zilken e pretences se fundit. Nuk ia gjeten ne xhepin e xhaketes, sepse ma fali mua.Sa here ndjehem keq, ketu ne Amerike, ai tringellon ne xhepin tim si nje requiem.

Nju Jork 2010

“Kënga e Fundit e Marko Boçarit”- fragment novele nga Faik Ballanca

ExLibris

Ndoqëm po atë taktikë. Natën marshonim, ndërsa ditën flinim guvave dhe pyjeve, pasi kishim vendosur roje të forta përreth. Një mëngjes një nga rojet tha se kishte dëgjuar zhurmë këmbësh. Ai thirri, po zhurmat u larguan me ngut, si diçka që rrëshqet mbi gjethet e kalbura, të mbetura nga vjeshta e vitit të shkuar. Markoja u vrenjt. Armiku mund të na kishte zbuluar dhe atëherë do të ishte tepër e vështirë për t’ia arritur qëllimit. Dërguam një patrullë zbulimi me Zervën, Pilon dhe Thanas Tuzën.  Ata u kthyen pas dy orësh dhe nuk zbuluan dot asgjë, veç disa gjurmëve të dyshimta që mund të ishin edhe gjurmët e kafshëve të egra të pyllit. Të gjithë u qetësuam, veç Markos.

Mbrëmja ra mbi pyll si një rrobë e ngrohtë, e leshtë. U bëmë gati për marshim. Markoja na tha se, po të mos na diktonin atë natë, do të kapërcenim rreshtat e fundit të rrethuesve dhe mund t’í godisnim përpara se të largoheshim më tej. Ecnim në të errët dhe mezi shquanim siluetën e shokut që ndodhej përpara. Siç ndodh zakonisht në marshime, na dukej sikur ishim në Sul, nëpër shtëpitë tona, nëpër shkëmbinjtë e njohur. Toka e butë zhytej nën nallçat e shojeve. Doli hëna si një top i hedhur në male. Hijet u stërgjatën. Retë u shkriftuan në qiell si stereja e Mesolongjit kur deti tërhiqet në zbaticë. Bunacë. Befas, andej nga lindja shkrepëtiu.  Ajri ishte i ngrohtë dhe vakësia dukej sikur mbetej me drurë e varej me përtaci përdhe. Pritëm të binte shi, po nuk ra. Në lindje përsëriteshin shkrepëtimat, ndërsa mbi ne ndriçonte një hënë e bardhë.  Diku u ndalëm. Shoku që kisha përpara bëri me shenjë që të heshtja. Eca pa zhurmë në majë të gishtave. Udha ishte e zënë. Përpara nesh kishte dy-tri çadra dhe një mori ushtarësh që flinin si të vdekur. Ishin shtrirë përdhe pranë e pranë dhe s’kishin asgjë në trup, veç rrobës së leshtë dhe armëve që u shkëlqenin. Hëna u ndriçonte fytyrat dhe shamitë e bardha, të mbështjella si qefinë rreth kokës. Midis drurëve kishte kuna të varura dhe, me sa duket, njëri nga ata që flinin atje foli nëpër gjumë. Kuna u lëkund dhe ne kujtuam se foli dikush nga ne.

“Ç’është ai kapedan i marrë që i ka shtrirë këtu në mes të udhës”, thashë me vete.

Kush foli? – pyeti Markoja nën zë.

Pamë njëri-tjetrin, po nuk e gjetëm dot. Zerva eci përpara. U përkul mbi një kunë. Nxori thikën dhe

vrau dikë. Pastaj vajtën të tjerë. M’u duk sikur e ndjeva erën e gjakut dhe s’di sepse ngrita kokën, po s’pashë as yje e as hënë, sikur qielli të ishte verbuar. Bari i shtypur dridhej nën erën e vakët dehëse. U lëkund një pemë aty pranë dhe ranë gjethet. Befas dikush thirri me një zë të çjerrë, që u pasua nga zëra të tjerë.

Na vranë toskët! Na therën!

Ishin disa zëra njëherësh, që vinin njëri pas tjetrit. Ata që flinin u zgjuan, u ngritën nga dheu, kërcyen nga kunat dhe zhveshën armët, akoma të trullosur nga gjumi. Pylli shkëlqeu.

Na kishte futur Zerva në atë shteg. Ai kishte qenë pararojë. I kishte gjetur të gjithë të përgjumur dhe nga shamitë e bardha si turbanë, kishte pandehur se ishin turq.

Ne shkuam pas Zervës.

Na vranë toskët!

U mblodhëm menjëherë rreth Markos dhe për herë të parë e pamë të hutuar. Nakla ia priste krahët. Na udhëhoqi në një anë të pyllit, po përsëri na dolën çadra përpara dhe dikush ulëriti po ato fjalë: “Na vranë toskët!” Pas nesh u dëgjuan zëra të tjerë, që nuk ishin zërat e shokëve tanë:

O burra, toskë, pini gjak gegë!

Tradhti!

Ishim të rrethuar. Dikush na nxiste njëri kundër tjetrit. Zërat vinin nga vende të ndryshme. Nisi beteja dhe askush nuk po e merrte vesh se si ndodhi. Ngatërroheshim midis drurëve, na bëhej sikur na godisnin hije, sikur na ngjiteshin kulpra nëpër këmbë. Omer Vrioni e kishte ngritur me kujdes kurthin dhe njerëzit e tij thërrisnin po ato fjalë nga majat e pemëve. Këtë e mësuam më vonë.

Markoja u sul me rrëmbim përpara. Rendëm pas tij dhe u përpoqëm të mos e humbnim sysh në atë zallahi.

Ku janë pashallarët? – thërriste ai. – Ku janë pashallarët?

Shtatë bejlerë mbetën të vrarë nën këmbët tona. Nën nallçat e shojeve mbinin vurrata e gjaku nuk mpiksej, po rridhte i valë në atë pyll të vakët. Markoja  çau një çadër me thikë. E mbërtheu në sytë tanë Ago Vasjarin, e tërhoqi për mjekre dhe kur e ngjokën, ia nguli thikën në fyt, duke i thënë:

Plaku i Litharicës është ngjallur vurrkollak. Aliu të kërkon hakun.

Agoja u rrëzua në këmbët e tij. Markoja mori frymë e lëshoi krahët. Tamam atëherë një negër, që ishte shtrirë përdhe, e qëlloi dhe e plagosi në ije. Ne hapëm zjarr mbi të dhe e lamë të vdekur, ashtu siç qe i shtrirë. Iu afruam stratarkut, po ai na mbajti larg. E lidhi vetë plagën.

Bjeruni trompetave! – urdhëroi pas pak. – Bjeruni trompetave që të ushtojë pylli. Unë nuk kthehem më pas. Do ta gjej të gjallë Omer Vrionin në këtë pyll, ashtu siç gjeta Agon.

Trompetat tona zunë të binin dhe tingujt rendën nëpër pyll si ca gurë që përplasen. U mblodhëm të gjithë aty. Përtej drurëve u dukën mirditorët me Lleshin e Zi në krye, vëllain e kapidanit të Oroshit. Zhurma e trompetave u tërhoqi vëmendjen mbi ne.

Na vranë toskët! – klithi dikush mbi pemë.

Hapën zjarr dhe pylli u ndriçua sikur të kishte shkrepëtirë. Markoja u rrëzua. Në çast plasi një përleshje e përgjakshme dhe në atë gjurulldi se kush mundohej të merrte trupin e tij. U ndeshëm gjoks më gjoks. Më në fun Thanas Tuza e hodhi Markon në kurriz. Ne e vumë në mes dhe u tërhoqëm duke shkelur mbi të vrarë.

Njerëzit e Omer Vrionit thërrisnin mbi kokat tona:

Na therën toskët!

Suluni, o gegë, pini gjak toske!

Suluni, o toskë, pini gjak gege!

Gjuha jonë deformohej nga klithmat e tyre dhe ata përsërisnin po ato fjalë, si kukumjaçkat që njohin vetëm një klithmë. Ishin turq apo çekrezë?

***

Herë-herë dëgjonim nga një krismë nga pas, por tani nuk na bënte asgjë përshtypje. Rreshtat e turqve i çamë më lehtë dhe dolëm nga rreziku. Premë dru e shkurre përreth, bëmë një vig të fortë e shtruam një rrobë të leshtë. E ulëm ngadalë Markon. I vendosëm armët, kitarën, trompetën dhe një flamur turk pranë këmbëve. Thanas Tuza mezi e lëshoi. Markoja ishte i verdhë. Herë-herë rënkonte në jerm. Ashtu duke ecur, unë hidhja sytë nga ai dhe hapat e mia më dukeshin si hapat e valles së grave të Sulit, që ishin hedhur me këngë në greminë.

Kostandin Boçari doli në krye të rreshtit dhe përsëriste herë pas here:

Unë jam i vëllai dhe nuk qaj. Asnjë të mos qajë.

Dielli na gjeti në rrugë. Markoja zuri të lëvizte qepallat. Buzët dhe vetullat i dridheshin dhe mua më dukej sikur thoshte diçka, që nuk e dëgjonte dot askush nga ne.

***

“Armët i kam pranë, po s’luftoj dot. Kitarën e kam pranë, po s’këndoj dot. Po vdes… Këmba ime nuk do të shkelë më kurrë mbi shkrepat e Sulit. Meteorët e përgjakur s’patën  vend për këtë lëng të sertë që më rrjedh nga plagët dhe që është jeta ime. Se gjaku i kombit tim është shprishur e rrjedh nëpër Europë, kudo që ngre krye liria. Ne jemi gladiatorë që e shpërthyem arenën.

Karpenisi! Mbi kokën time djeg dielli i huaj i Eladës. I verdhë si limon ky qiell.  Mbi buzën time po rreshken kripërat e fundit. S’kam një bulë ujë dhe zemra po më çahet nga malli. Nuk mundem të këndoj. Fytyra e Krizesë dhe e tim biri buzëqeshin përtej pyllit të gjelbër me ullinj. Ku jeni? Era gënjeshtare lot me mua dhe shpërndan mall e këngë të vjetra lufte, si atëherë kur ndodheshim tek Pesë Puset, në Qafë, apo në kështjellën e shën Venerandës.

Ku vemi? Ky vig që lëkundet më kujton djepin e nënës që më merrte gjithmonë në shpinë. Me djepin tim e të Kostandinit ime më u çonte barut luftëtarëve. Nga gjumi më zgjoi një krismë dhe një krismë po më vë në gjumë.  Më ngadalë, ju shokë që më mbartni! S’më shpini dot në Seleidë. Eshtrat e mia do t’í presë një tokë tjetër. Po vij, Mesolongj. Është mesditë. Stërkat e dallgëve vrapojnë mbi krahët e baticës dhe rrethojnë tërë brigjet e tua me shkumë të bardhë, që mërmërit se unë po vdes. Vërtet po vdes, po mos mbani zi. Se unë nuk jam më trimi i kombit tim. Në atë arenë të vogël të huajt kanë ngjallur përçarjen e llahtarshme: vëllavrasjen. Vetëm kjo na ka prishur. Unë jam një gladiator që e gjeta rastësisht derën hapur. Dhe u përpoqa që të mbroj këtu lirinë që gëzoja në malet e mia, në sajë të armëve që kam në trup. Gjaku im vritet akoma. Kush e di për sa kohë? Kush e di se kur liria do të trokasë mbi atë dhe të zhuritur pëllëmbë e gjak, siç po troket tani në Eladë. Shpejt. Shumë shpejt.

… Më dhemb diçka. Diçka s’e kreva…

Po mbërrijmë. Hapuni porta, paçka se qepallat e mia po mbyllen dhe shokët nuk i shquaj dot! Më varrosni pranë fortifikatës “Gjergj Kastrioti”, që hija e tij të më qetësojë…

 

Një lutje e Bardhyl Demirajt që u lexua si nder nga botuesi Bujar Hudhri- Esé nga FATBARDH AMURSI

Që nga numri i parë i gazetës “ExLibris” dhe deri më sot s`ka ndodhur, të mos e kem lexuar numër për numër, duke ditur dhe faktin, që kjo gazetë me kaq shumë emër mbahet falë vullnetit të themeluesit dhe kryeredaktorit të saj, Bujar Hudhri i mbështetur nga vajza e tij, Enxhi. Kur jam në Shqipëri e blej rregullisht, ngaqë më pëlqen ta lexoj të printuar. (Nuk di pse m`u kujtua një i njohur, i cili do më thoshte kohë më parë: “Dikur s`lija gazetë “Drita” pa blerë, ndonëse s`botova asnjëherë në të. Në një kohë dhe moshë të papërshtatshme botoi një libër me parat e veta, aq i gëzuar, sa nuk linte njeri pa ia treguar, por shpejt i doli nga qejfi. Kuptoi se ishte i vonuar.) Në numrin e sotëm në krye të ballinës më tërhoqi vëmendje titulli në vlerën e një sihariqi, ku shpallej një mision i përmbushur:
“Vepra e plotë e Martin Camajt përjetë në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare.”
Botuesi Bujar Hudhri po i gëzohej edhe punës së tij. Bardhyl Demiraj, vazhdues i Camajt në katedrën e shqipes në Universitetin i Munihut, vite më parë, i lutej B. Hudhrit të botonte veprën e plotë të Martin Camajt pasi kishte dalë duarbosh nga të tjerët. I habitur nga gatishmëria dhe bujaria e Hudhrit i shpreh dhe arsyen e ngurrimit, lënë si shpresë e fundit. Arsyeja na qënkish thashethemi se Kadare s`e paska dashur Camajn. (Ndoshta i këtij mendimi duhet të ketë qenë dhe Ben Blushi, i cili para se të trokiste tek “Onufri”, sikurse e tregon vetë, qënkish refuzuar nga botues të tjerë.) Pengesat fiktive ngjisin vetëm në një atmosferë të helmuar. “Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, kur unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën.” Ky lloji helmuesi vazhdon të jetë aktiv kudo. Në një komunikim me Ben Blushin do më shkruante për klimën e terrorit që është krijuar padrejtësisht ndaj librit “Jam mysliman” dhe se në komente ka shumë helm. Ky helm i ka kaluar kuotat e lejuara, duke ndotur mjedisin artistik. “Ka një ironi hyjnore dhe një drejtësi historike në këtë promovim: Dikur në skedat e Bibilotekës Kombëtare, emri i Martin Camajt mungonte krejtësisht…Kjo finale në Bibliotekën Kombëtare është nderimi më i lartë që mund t`i bëhej atij malsori sqimatar që e deshi gjuhën shqipe më shumë se vetveten.”-shkruan botuesi i Kadaresë dhe tani i Martin Camajt. Po sikur pasuesi i Camajt të mbetej peng i thashethemit dhe botuesi i “Onufrit” të mos i përgjigjej pozitivisht, a do ishte vepra e plotë e tij në Bibliotekën Kombëtare? “Në arkivat e “Vatrës” në Boston kam ndeshur në vitin 1992 edhe dhjetëra arka me libra të pashitur e të pashpërndarë të Camajt.”-shkruan Ardian Klosi. Mirë Shqipëria komuniste e mbante në bodrum, po shqiptarët e Amerikës, pse kaq shpërfillës? Autorët duhen vetëm për politikë, ndërsa krijimtaria trajtohet si mall pa zot.
“Në tetorin e vitit 1981, një nga stinët më të zymta të tiranisë shqiptare, rrethanat e sollën të takoj Martin Camajn. Isha i ftuar në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt, kur, në mbarim të një konference shtypi, m’u afrua një burrë i gjatë e i hijshëm që, me njëfarë mëdyshjeje, më foli shqip: quhem Martin Camaj, a mund t’ju flas? E kisha dëgjuar emrin e tij, madje diçka kisha lexuar prej tij në revistën “Shejzat” të Koliqit, që botohej në Romë e gjendej me vështirësi në Tiranë. I thashë, natyrisht, që mund të flisnim dhe ai shtoi se kishte ardhur enkas nga Munihu për të më dëgjuar.” Për këtë takim, Helena, kujton në librin e saj: “Disa ditë pas kthimit nga Frankfurti, Ismailin e thirrën në Komitetin Qendror, për t`i hequr vërejtje për takimin me Martin Camajn. Is nuk kërkoi t`i bënte bisht asaj që kishte ndodhur. Në pyetjen e parë të Sofo Lazrit: “Është e vërtetë se në Frankfurt ke takuar Martin Camajn, shkrimtar armik apo jo?” Is i qe përgjigjur pa mëdyshje: “Është e vërtetë.” Mbrojtja e tij ishte e thjeshtë: takimi ka qenë i rastësishëm. Veç kësaj, nuk e kam ditur që merret me veprimtari armiqësore.”
Botimi i plotë i Camajt shoqërohet me një parathënie brilante të Kadaresë, ku për esenë m`u dukën të përshtatshme këto vlerësime: “Martin Camaj nuk ia lejoj vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri.” Sikurse i vë në dukje: “kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte e vështirë të përftohej bota shqiptare.” Nga e njohu Kadare Martin Camajn, kur e takoi në këmbë dhe shkëmbeu me të vetëm fjalë përshëndetëse? Askund tjetër, veçse nga botimet e “Onufrit”, duke i shoqëruar me një parathënie, që do të mbetet, sikurse introduktet e Nolit. (Meqë në gazetë unë botova një ese për romanin e Ben Blushit “Jam mysliman”, gjej rast të them: lexojeni romanin dhe mos u nisni nga komentet e atyre, që helmojnë mjedisin letrar. E them këtë si njohës i krijimtarisë së plotë të Ben Blushit. Nuk na nderon sehirllëku, kur njeri prej kolegëve tanë bëhet tagër i llumëhanes.)
Fatbardh Amursi

TIRANI- Poezi nga ARIF EJUPI

Me shpatën në duar
e lave tokën me gjak.
E bëre rrafsh me tokë
kishë e xhami.

.
Na mësove frikën,
nga njëri-tjetri
edhe në gjumë,
madje edhe nga hija jonë.

.
Plot dyzet vjet
na mbajte të ngujuar në kafaz.
Ende disa të verbëruar
të adhurojnë
dhe të duan.

.
Vetëvrasja –
akti më i shëmtuar.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 20 dhjetor 2025

PENGU I NJË ËNDRRE… Nga ILIR ÇUMANI

 

Në vitet e largëta të rinisë,

ti ende udhëton në mendjen time.

Sa fjalë, në heshtje, mbetën pa zë,

pezull, të bukura si në vegime.

 

Mes hapash shokësh të pandarë,

bulevardit rinor ecëm për dore;

dhe ëndrrat sërish i lamë të flinin,

si dy zogj të humbur në mes të dëborës.

 

Sa u deshëm, askush nuk e di,

as vetë s’guxuam ta zgjonim atë ëndërr.

Mos vallë e trembëm ne dashurinë,

apo frika na mbajti peng në një zhgjëndërr…!?

 

Mes pengut të zhgjëndërrt u largove pa kthim,

drejt një udhe të panjohur më parë.

Ishte koha e duhur për dashurinë,

për të qeshur, por edhe për të qarë.

 

E di, në mendje ende më ke,

ashtu të ndrojtur, riosh – vetmitar.

Por kohët, si lumi, kanë rrjedhë,

dhe ndoshta kam mbetur njësoj si më parë.

 

Edhe sot si dikur, unë dhe ti,

sjellim në mendje rininë tonë të parë.

Sa fjalë në heshtje mbetën pa zë,

pezull, pezull, me brengën sa një mal!

 

Tiranë, 18 dhjetor, 2025

 

SHEN NËNË ANGJELINA SHPIRTI I SHENJTË ARBËROR (4) – Nga Lutfi ALIA Siena – Itali

 

Kryemurgesha Nënë Angjelina ushtroi aktivitetin ekleziastik në provincat e Vojvodinës të mbretërisë Hungareze dhe të Vllahisë, që ishte vasale e Hungarisë, madje quhej dhe Hungaro-Valakia; dy provinca, të cilat nuk ishin pushtuar nga Perandoria Osmane. Vllahia u bë vasale tributare e Perandorisë Osmane, por ruajti autonominë, ndërsa Serbia u pushtua nga turqit.

Në janar të vitit 1486, me ftesë të mbretit të Hungarisë Mattia Korvino, Nënë Angjelina së bashku me dy djemtë dhe arkmortin me lipsanet e Stefani III, u vendosën në distretin e Srem-it në Vojvodina, në kështjellën e qytezës Kupin (Kupinovo), ku Angjelina, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, sllovenë, boshnjakë dhe serbë. Një vit më pas, në Srem ndërtoi manastiret e Obed dhe manastirin në Sretenje, ku Nënë Angjelina shërbeu murgeshë. [Slobodan Mileusnić, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].
Në vitet 1507 – 1508, rezulton një letërkëmbim i murgeshës Angjelina me Hirësinë e tij Nikolla Nefoni II, ipeshkëvi i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, i cili e kishte të atin arvanitas. Angjelina i lutej Patriarkut Nifon, ta ndihmonte për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike dhe për mirëmbëjtjen e manastireve, që kishte ngritur në Vojvodinë dhe në Vllahi. Nefoni II, ndikoi te princi i pasur i Vllahisë Vlad Kalugarul, i cili e mbështeti me ndihma financiare murgeshën Angjelina. Ndihmat e princit, i përdori dhe për të hapur disa manastire në distretin e Srem-it. Në këtë periudhë Nënë Angjelina porositi dhe i prodhuan një medaljon me portretin e saj në njërën faqe dhe protretet e djemëve Johanit dhe Maksimit në faqen tjetër, medaljon që iu a dhuronte klerikëve dhe besimtarëve të devotshëm, që frekuentonin manastriret e shumtë që Ajo kishte themeluar. [Historia politica et patriarchica Costantinopoles, Capitolo X: Patriarca Nipho, (trans. Martin Crusius), 1564, pp. 12].

Në vitin 1509, me ndihmën e nipit Jakšič Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia në malin Fruška Gora të Vojvodinës, ku në Krušcedol ndërtuan manastirin e famshëm të murgeshave. Në vitin 1512, në kishën e këtij manastiri varrosi lipsanet e Stefanit III dhe të Johanit, të cilët ishin kanonizuar shenjëtorë nga kisha ortodokse. Katër vite më pas, në këtë manastir u varros dhe djali Maksim – mitropoliti i Beogradit, i cili vdiq më 8 janar 1516 dhe dy vite më pas u shpall shenjëtor nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol është santuar i rëndësishëm dedikuar Virgjëreshës Maria. Manastiri quhet dhe “Fari shpirtëror” i ortodoksisë. Krahas rolit kryemurgeshë në manastirin e Krušcedol, drejtonte dhe manastiret e shumtë, organizonte liturgjitë dhe meshat me murgeshat dhe besimtarët. Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje besimtarët vendas dhe pelegrinët, që vinin nga trevat e tjera, i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj mëshirmadh si murgeshë e përkushtuar. [Momčilo Spremič, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4].

Në një dorëshkrim të një murg anonim, që shërbente në manastirin e Krušcedol në shekullin XVI, për krymurgeshën Nënë Angjelina shkruan: “Në shërbimet e të adhuruarës Angjelina shpreheshin virtytet e krishtera të jetës së saj askete, mëshirmadhësia, durimi dhe mençuria, përkushtimi i saj si bashkëshorte dhe sakrificat e Nënës, sepse ajo i ishte e përkushtuar tërësisht Zotit”. Në një paragraf tjetër, murgu anonim shkruan: “Nënë Angjelina arbërore ishte burrneshë kurajoze, këmbëngulëse, e papërkulur para vëshirësive, e përkushtuar besimtarëve që e takonin, e lidhur shpirtërisht më pjestarët e familjes, andaj i mori me vete lipsanet e bashkëshortit Stefani III, të djemëve Johani e Maksimi dhe i vendosi në manastirin e Krušcedol, ashtu si dikur vepronin me Testamentin e Vjetër, me bindjen se lipsanet e tyre do të ndihmonin në shërimin e të sëmurëve, kësisoj do të bënin mrekulli”. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 – 14].

Gjatë viteve të shërbimit të devotshëm si murgeshë, vetëm në trojet rreth Fruška Gora, Nënë Angjelina themeloi 35 manastire, të shtrirë në një territor 50 km të gjatë e 10 km të gjërë, me përjashtim të manastireve Fenek, i cili ndodhet në Eparkinë e Srem-it dhe të manastirit të Trinitetit të Shenjtë në Sretenja, që e kishte ngritur në majën e malit Ovçar. Në manastirin e Trinitetit të Shenjtë dhe Anuncionit në Sretenja, Nënë Angjelina organizonte festimet e “Dita e Purifikimit të Virgjëreshës dhe takimi i Jezu Krishtit me Simonin”.

Nënë Angjelina arbërore prezantohet me hire bukurie, zonjë e mençur, e matur, plot mirësi dhe ndershmëri, me urtësi të admirushme dhe me përkushtim shembullor në fenë ortodokse. Rrugëtimi i jetës së saj i ngjan një legjende të lashtë, ku na shfaqet pelegrine duke u endur nga një shtet në tjetrën, duke mbartur me vete jo vetëm dhimbjen, mundimet, varfërinë, por dhe arkëmorte me lipsanet, fillimisht të burrit, pastaj të djalit Johanit, më pas vuajti dhe humbjen e vajzës. Në këtë kalvar të vazhdushëm, Nënë Angjelina arbërore nuk u mposht, nuk u perkul, nuk u dorëzua para fatit të mbrapsht, por veshi tunikën e murgeshës dhe iu dedikua shërbimit të vuajturëve, të varfërve, të sëmurëve, besimtarëve të shumtë, u shndërrua në ikonë e mirësisë, e fjalës së mirë, e dorës së ngrohtë, andaj të gjithë e adhuronin e nderonin, e shihnin si engjëlli që përhapte besim dhe shpresa ndër besimtarët. Në ato vite emri i kryemurgeshës Nënë Angjelina ishte i njohur, sepse ishte shndërruar në model përkushtimi në fenë ortodokse, admirohej e nderohej edhe nga besimtarët katolikë në trevat e Sllovenisë Kroacisë dhe Bosnies fqinje me Vojvodinën. Fama e saj vlerësohej nga Patrakana Ekumenike e Kostantinopojës. Për koincidencë asi kohe, Patriarkana u drejtua nga dy ipeshkëv arbëror Nifoni II (Niphone II) dhe Teolepto I (Theoleptos I). Në vitin 1513 Patriarku i Pakomio I, e vlerësonte në veçantti murgun Teolepto, andaj e emëroi Metropolit i Janinës. Teolepto ishte nga Epiri, i lindur në familje arbërore. Kur Pakomio I vdiq i helmuar, Teolepto u transferua në Adrianopoli, ku gjeti mbështetjen e Sulltan Selimit I. Pasi i pagoi taksat sulltanit, në vitin 1513 Selimi I e emëroi Teolepto, Patriark Ekumenik i Kostantinopjës dhe u transferua në selinë e Patriarkanës në Kostantinopojë. Një ndër vendimet e rëndësishme të tij ishte organizimi i dioqezave të Adrianopolit, Samos e të Vllahisë (Valacchia), ku Teolepto njohu aktivitetin ekleziastik dhe mrekullitë e Nënë Angjelinës. [Demetrius Kiminas, The Ecumenical Patrarchate. Wildside. Press LLC 2009, pp 38 – 41]

Mosha, vuajtjet dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje të Vojvodinës, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion dhe përkushtim nga murgeshat.

Më 30 korrik 1520, e adhuruara dhe shumë e dashura kryemurgesha Nënë Angjelina arbërore ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat, murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina arbërore. Në vitin 1521, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krušcedol, ku i vendosën krah varrit të Stefanit, të Johani dhe të Maksimit. Në korrik të vitit 1522 Teolepto I, ipeshkëvi i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, bazuar në virtytet e krishtera, në mrekullië dedikuar Nënë Angjelinës dhe për kontributin e saj në ngritjen dhe organizimin e manastireve dhe kishave ortodokse, për adhurmin dhe nderimin nga besimtarët e shumtë, e kanonizoi shenjëtore, e shpalli Shen Nënë Angjelina. Dita e Shen Nënë Angjelinës celebrohet më 30 korrik, e Stefanit III më 11 tetor, e Johanit më 10 dhjetor, e Maksimit më 18 janar. Prej shekujsh Manastiri i Krušcedol është qendër peligrinazhi, lutjesh dhe përshpirtje për Shën Angjelinën dhe për të tre pjestarët e familjes dhe ata shenjëtorë. [Historia politica et patriarchica Costantinopoleos, in Corpus scritorum historiae byzantinae. P. Theoleptus, Vol. 49, Bonnn B.G. Niebuher, I bekker 1849 (1584), pp. 135-150].

Shen Nënë Angjelina shpalosi vlera të rralla si fisnike arbërore, si bashkëshorte, si nënë shembullore në kujdesin për fëmijët, si murgeshë e përkushtuar dhe si humaniste në shërbim dhe në ndihmë të varfërve, të shtypurve dhe të përbuzurve nga pushtuesit otomanë. Ajo ishte modeli i klerikes dhe i gruas së shquar, e cila falë virtyteve, guximit, krenarisë arbërore, përballimit të vëshirësive gjatë gjithë jetës, si murgeshë e përkushtuar, krijoi imazhin e shenjëtores, e vlerësuar dhe e nderuar nga popujt hungarezë, vllahë, austriakë, rumunë, rumunë, kroatë, serbë, rusë, italianë, kosovarë, arbërorë, francezë, nga shqiptarët në USA dhe nga grekët, të cilët e nderojnë, e adhurojë dhe luten të gjunjëzuar para Shenjtërisë së saj.

Në manastirin e Krušedolit, është ikonostasi me në qendër Jezu Krishtin, i rrethuar nga apostujt dhe nga shenjëtorët e kishës ortodokse, mes tyre ndodhet ikona e Shen Nënë Angjelinës dhe një ikonë ku janë të katër së bashku, Shen Nënë Angjelina, Shen Stefani, Shen Johani dhe Shen Maksimi. Gjithashtu është dhe një mozaik i Shën Nënë Angjelinës, me kryqin në dorën e djathtë. Në pulpitin e kishës të Manastirit, nga drejtohej mesha dhe liturgjia, gjithmonë vendoset ikona e Shen Nënë Angjelinës.

Ikonostasi i manastirit të Krušedolit, me në qendër Jezu Krishtin, i rrethuar me ikonat e apostujve dhe të shenjëtorëve të kishës ortodokse, mes tyre ndodhet ikona e Shen Nënë Angjelinës dhe ikona me të katër së bashku, Shen Nënë Angjelina, Shen Stefanit, Shen Johanit dhe Shen Maksimit.

Mozaik i Shen Nënë Angjelina në Manastirin e Krušedolit.

Afresku në manastirin e Krušcedol me Shen Maksimi, Shen Nënë Angjelina (veshur me tunikën e zezë të murgeshës dhe me kryqin në dorën e djathtë), Shen Johani dhe Shen Stefani III Branković.

Një ndër aktivitet e kishës ortodokse është hymnografia, hartimi i tekstit që shpreh tipare të veçanta për çdo shenjëtor dhe shenjëtore, mbi bazën e të cilit kompozohet melodia dhe këto hymne këndohen gjatë liturgjisë dhe në meshat dedikuar shenjëtorëve. Si për të gjithë shenjëtorët dhe për Shen Nënë Angjelinën, kisha ortodokse i ka dedikuar një hymn litugjik i tipit Mineo, por me veçori, se nuk është kompozuar një melodi e veçantë, por duke marrë në konsideratë jetën e vështirë dhe martorizimin si murgesha ortodokse, murgu autor i këtij hymni ka huazuar melodinë e hymnit të Shën Teodorës, një askete e krishterë e shekullit V pas K. Në tekstin e hymnografit dedikuar Shen Nënë Angjelinës theksohet:
Ejani në Izraelin e ri,
Në të gjitha vendet dhe qytetet për rreth,
Bashkohuni në kor,
Në kujtim të nderuarës Shen Nënë Angjelina,
Ta përqafojmë me shpirt dhe me zemër varrin e saj hyjnor,
Me gëzim të marrim prej saj mirësitë e shërimit.
[Sima Ćirković (1982). “Српска властела у борби за обнову Деспотовине” [Serbian nobility in the
struggle for the restoration of the Despotate]. Историја српског народа [History of the Serbian people].
Vol. 2. Београд: Српска књижевна задруга. pp. 373–389]
Shpallja shenjëtore e Nënë Angjelinës arbërore u shoqërua me krijimin e ikonave të shumta, të afreskeve dhe mozaikëve të stilit Bizantin, që mbushën manastiret dhe kishat, që Ajo kishte ngritur, madje kishës në Manastirin e Krušedol i dhanë emrin e Shen Nënë Angjelina. Aktualisht ikonët dhe afresket në manastir janë kopjuar sipas orgjinalit të stilit bizantin mesjetar dhe disa të stilit barok. Ikonostasi përmbanë ikona të periudhave te ndryshme nga ato të shekullit XVI, ndër ato ikona e Shen Nënë Angjelina e vitit 1545, si dhe ikona të më vonëshme të viteve 1745 – 1757, të realizuara nga piktorët Jov Vasiljeviç dhe Stefan Tenecki dhe ndonjë ikonë e rrallë e stilit Barok. Në manastire dhe kisha të ndryshme janë qindra ikona, që e prezantojnë Shen Nënë Angjelinën me imazhin e manastirit në dorën e majtë, çka shpreh kontributin e saj në themelimin e manastireve dhe kishave.
Shen Nënë Angjelina, është modeli i përkryer i murgeshës ortodokse, e cila falë edukatës nga prindërit arbëror, virtyteve të krishtera, guximit, krenarisë, përballimit të vëshirësive të shumta gjatë gjithë jetës dhe të mrekullive dedikuar asaj si murgeshë e përkushtuar, adhurohej dhe vazhdon të adhurohet e të nderohet nga popujt hungarezë, vllahë, austriakë, sllovakë, rumunë, sllovenë, kroatë, serbë, rusë, ukrainas, italianë, francezë, grekë, nga shqiptarët e Kosovës dhe nga shqiptarët e emigruar në USA, të cilët e nderojnë, e adhurojë dhe luten të gjunjëzuar para Shenjtërisë së saj.

Disa nga ikonat e Shen Nënë Angjelina, e prezantuar me imazhin e manastirit në dorën e majtë.

Të shumtë janë dhe afresket dhe mozaikët dedikuar Shen Nënë Angjelinës, sidomos në Vojvodinë dhe Vllahi, por dhe në Slloveni, Kroaci e më pas në Serbi, ashtu si dhe në vende të tjera. Afreske ka në manastiret dhe kishat e dioqezës të Srem-it si në manastirin e Krušcedol, në Rivac, në Neredin (fshat ne komunen Irig te distretit Srem), në manastirin “Triniteti i Shenjtë” dhe në kishën Shen Nikolla në Srtenje, në Bukovac (fraksion suburban në Novi Sad, kryeqendra e Vojvodinës), në Golubinci (banojnë kroatë, hungarezë dhe serbë), në ikonostatin e kishës në Karlovac është ikona e Shen Angjelinës vepër e vitit 1776 e Jakov Orfelin, si dhe një mozaik i Shen Nënë Angjelinës. Ikona e Shen Nënë Angjelinës ndodhet dhe në kishat e Kulpin, Stari Bečej, Čurug. Gjithashtu është prezantuar në afreske në manastiret dhe në kishat në Ulmja, Jasenovo, Rumenka , Kać.

Në distretin e Sirmia është mozaiku në kapellën e kishës Katedrale të Šabac, në manastiret
dhe kishat në Klisuri, në kishën e Maradik, ku ritet, liturgjia dhe meshat zhvilloheshin në gjuhë hungareze
(magjiare), etj. Në ikonat, në afreske dhe në mozaikët, në pjesën e sipërme të sfondit, autorët shkruajnë me germa të arta, Shen Nënë Angjelina.

Afreske të Shen Angjelinës, janë dhe në shumë manastire dhe kisha në vende të tjera si në Serbi në kishën katedrale të Beogradit, në kishën e Shen Stefanit në manastirin e Deçanit në Pejë – Kosovë, në kishën e manastirit të Hillanderit në Malin Athos – Greqi, në manastirin e Eparkisë të Pakrac në Kroaci, ashtu edhe në manastire dhe kisha në Moskë – Rusi, në Ukrainë, në Mali Bečkerek dhe Arad në Rumani, në kishën e Shën Gjergjit në Boston të USA etj.

Në veçanti manastiri i Krušedol ishte bërë i famshëm dhe me reputacion për fenë ortodokse, madje ishte qendra e Dioqezës të Sremit, ndërsa gjatë migrimit të madh të klerikëve dhe popullatës serbe në vitin 1699, Manastiri i Krušedol dhe manastiret e shumtë te themeluar nga Shen Angjelina, pritën dhe strehuan masën e madhe të ikanakëve. Manastiri i Krušedol i Lajmëtares të Shenjtë Theotokos, në ato vite ishte dhe selia e Patriarkut dhe Metropolia e Krušedolit. Pas vdekjes të Patriarkut Arsenije Čarnojević, Asambletë e Kishës Ortodokse Serbe në vitet 1708, 1710 dhe 1713 u mbajtën në manastirin e Krušedolit, madje ky manastir dy herë u vizitua nga hirësia e tij Paisios, Patriarku i Jeruzalemit. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković, Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 – 14].
Gjatë shekujve XVIII – XXI, të gjithë manastiret dhe kishat ekzistuese dhe ato të ndërtuara në dy shekujt e fundit në këto treva janë pasuruar me afreske, me mozaikë dhe me ikona të Shen Nënë Angjelinës, shumica kopje të ikonave të stilit Bizantin, por dhe me ikona të stilit Barok dhe më ikona të realizmit akademik. Në vitin 2012 u ndërtua kisha e Shën Nënë Angjelinës në Metropolitanën e Dabro Bosnia në Tilava, komuna e Istočno Novo Sarajevo në Bosnje. Kisha është e pajisur me ikonë dhe afresk të Shën Nënë Angjelinës.

Në morinë e ikonave të stilit Bizantin, përjashtim bënë ikona me autor piktorin Paja Jovanoviç (1859 – 1957), njohës i historisë dhe i kulturës arbërore, autor i dhjetra tabllove me piktura nga jeta dhe veprimtaritë patriotike të arbërorëve. Ikona e Shen Nënë Angjelinës (punim në vaj në telajo), është realizuar në stilin e realizmit akademik. Piktori Paja Jovanoviç e prezanton shenjëtoren arbërore në plan ballor, me velin ngjyrë të zezë e mbajtur në kokë me kurorë me zbukurime, me gjerdanin me dy rradhë perlash, me varsen e artë me kryqin ortodoks të zbukuruar me gurë të çmuar dhe me tre perla në skajin e poshtëm, që shprehin Trinitetin e Shenjtë. Kryqi në këtë ikonë është krejt ndryshe nga kryqet në të gjitha ikonat e tjera. Ky aspekt i veçantë i kësaj ikone nuk është i rastësishëm, por imitim i varëses në portretin e princeshës Andronika Kastrioti, e realizuar në ksilografi në vitin 1596 nga piktori, gdhendësi në dru dhe tipografi belg Johann Theodor Bry (1561 – 1623). Si kuptohet Paja Jovanoviç e njihte ksilografinë e J. Th. Bry dhe duke pikturuar të njejtin kryq, kësisoj shprehu përkatësinë arbërore të Shen Angjelinës, si motra e vogël e Andronika Arianiti Kastriotit. Ikona origjinale e Shën Angjelinës, realizuar nga Paja Jovanoviç, aktualisht ndodhet në muzeun e kishës katedrale në Vršac të Vojvodinës, ndërsa shumë kopje të saj janë vendosur në manastire në kapella dhe kisha të ndryshme.

Historianë të shumtë dhe kritikë të artit kishtar ortodoks, theksojnë pa ekuivoke përkatësinë arbërore të Shen Nënë Angjelinës, duke theksuar: “e bija e fisnikut Gjergj Arianiti”, “Nënë Angjelina me origjinë nga dinastia arbërore e Arianitëve”, madje dhe në vitet 2023 – 2025 ka historianë serbë si Viktor Velikoviç, që konfirmojnë origjinën arbërore të Shen Nënë Angjelinës. Në këtë aspekt, duhet të njohim një rrethanë historike. Në shekullin XVIII, kisha ortodokse serbe, duke parë reputacionin e Shen Nënë Angjelinës në popull, adhurimin dhe nderimin që i bënin besimtarët e shumë etnive, menjëherë e përvehtësuan dhe filluan ta popullarizonin si Shen Nënë Angjelina Serbe, një vendim arbitrar, prepotent dhe i pajustifikuar, sepse Nënë Angjelina nuk është serbe, nuk ka vepruar në Serbi, por me shpirtin e saj mëshirmadh dhe ekumenike, i ndihmoi klerikët dhe banorët serbë kur braktisën trojet e veta për t’i shpëtuar përndjekjeve, persekutimeve dhe masakrave të hordhive turke kur pushtuan Serbinë dhe i pranoi, i strehoi në manastiret dhe Kishat e Vojvodinës dhe të Vllahisë.
Sado që kisha serbe tenton ta mbulojë përkatësinë arbërore të Shen Nënë Angjelinës, besimtarët e shumtë në të gjitha vendet, shumë klerikë dhe historianë të kishës ortodokse, e theksojnë qartësisht origjinën arbërore të Shen Nënë Angjelinës, sepse Ajo arbërore, është Shpirti i Shenjtë Arbëror. [Ljiljana Habjanovič Đurovič. Le confessioni dell’anima. Secop Edizione 2012] [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 – 14]

Vijon.

 

Arkivi i Voal.ch 2014 In Memoriam : KUKULLAT E DHJETORIT Nga ARTUR ZHEJI

Arkivi i Voal.ch E Martë, 12.16.2014, 10:03am (GMT+1)

Lëvizja dhjetoriste ishte një Lëvizje Kukullash. Kukulla shumëngjyrëshe, që laheshin një herë në javë, ose një herë në muaj. Kukulla të bukura, të mençura ose budallaqe. Kukulla të mërzitura me teatrin e vjetër dhe në kërkim të një teatri të ri. Teatri të ri kukullash. Kukulla me ndjenja të vërteta, por donin s’donin, me një rrip pas zverkut. Kukulla të vetëdijshme apo kukulla të pavetëdijshme se çfarë po ngjiste.

Kemi 24 vjet që e shohim këtë teatër të dyfishtë, ku dhe për ironi kemi një festë zyrtare, për një nga skenarët më falsë të Historisë më të Re të Shqipërisë. Jo se kjo që po them është një gjë e re, por rraskapitja e kësaj parade kukullash dhe marionetash, që u kurdisën nga zyrat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, kjo rraskapitje pra është shndërruar në një neveri çoroditëse që duhet të mbyllet.

Pasi që edhe ciklin e Gënjeshtrës së tyre historike, besoj se e kryen. Heroikja e rreme e Dhjetorit të rremë polli pushtete mbi pushtete. Polli pasuri dhe ngriti vila e pallate. Heroikja e rreme rroku pushtete dhe stamposi e gdhendi medalje. Medalje të rreme, të një beteje që nuk ishte dhe të një kryengritjeje që u sajua me një regji të trashë.

Mirëpo, mjerimi ynë shqiptar është se vijojmë e tjerrim një të Pavërtetë mbas një të Pavërtete pararendëse. Jemi pra, edhe këtë fundviti, në kulmin e Diktaturës së Gënjeshtrës. Në vatrën e një talljeje kombëtare, me data fiktive, heronj fiktivë dhe për rrjedhim me një zallamahi të përçudnuar realitetesh të stisura në formë letrare të shërbimeve inteligjente, duke fshehur trashë, por mjaftueshëm për hutinë ku ndodhej turma e pangrënë dhe jo për faj të vet e palarë. Mirëpo 24 vite më vonë, edhe turma përgjithësisht lahet më shpesh dhe ushqehet disi. Ka një pasaportë dhe ka thyer brenda mitin e Parajsës së Perëndimit të Pamundur.

Dhe ka ardhur koha, koha që në të vërtetë ka kaluar ka kohë, që të thuhet e të pranohet një herë e mirë se në Shqipëri, në Dhjetorin e vitit ’90 nuk ka patur as revolucion dhe as përmbysje natyrale të Diktaturës komuniste. Sigurimi i Shtetit, i trajnuar bukur mirë nga shkolla e madhe e spiunazhit të KGB-së ruse, ishte padyshim një organizatë perfekte dhe për t’u pasur zili.

Si organizim, si inventar kukullash të kurdisura, si pasuri dosjesh të trasha dhe pengmarrëse, si nivel “kuadrosh” dhe si njohësja më e mirë e situatës në vend. Sigurimi i Shtetit kishte aparatin më të mirë funksionues në Shqipëri. Ishte i motivuar, me trajtim ekonomik special dhe drejtohej nga njerëz me bindje të forta besnikërie ndaj pushtetit dhe udhëheqjes së saj.

Askush në Shqipëri nuk mund të krijonte një Organizatë të dytë që të mund të konkurronte Sigurimin. Dhe nuk ishte aspak habi, që ishte Sigurimi, që krijoi simbas një skeme në tavolinë, “pluralizmin demokratik”, simbas porosive të “Udhëheqjes”. Për të pilotuar ndërrimin e sistemit, por njëkohësisht për të lënë në duart e “partishme” resurset ekonomike, resurset e influencave dhe monopolin e kryeveprës së tyre monumentale: “Monopolin e Dosjeve”. Në të cilat “Dosje”, dergjet së paku 1/3 e shqiptarëve, si bashkëpunëtorë apo si të përgjuar.

Jam larguar nga Shqipëria më 20 Nëntor 1990. I bindur se nuk do të kishte ndryshime të vërteta, por edhe kureshtar sa më s’ka për “Botën e Lirë”. Me vizë të rregullt të marrë nga “Gabriela”, konsulle simpatike e Ambasadës Italiane, një italianissima me bisht kali dhe fytyra më e qeshur në atë zymtësi që na rrethonte. Çuditërisht, konsullata për të përballuar fluksin e kërkesave dhe me lejen e autoriteteve shqiptare (?!), i kishte zyrat e improvizuara, mbas dyndjes së sajuar të ambasadave, te një ambient i Qytetit Studenti.

Më kujtohet fare mirë, turma e madhe e shpresëtarëve për një vizë, se si adhuronte në distancë ata që hynin dhe dilnin me “dream vizën” nga Gabriela e Ambasadës. Me sy qarës dhe fytyra të trishtuara dhe të paushqyera. Dhelpra, Qeveria shqiptare e asaj kohe, që kish tmerr dhe frikë maniakale nga shërbimet diplomatike perëndimore, e kish toleruar atë zyrë konsullore, pikërisht aty, në mes të mijëra studentëve të etur për liri aventurash dhe liri seksuale në radhë të parë, sepse paranë nuk e njihnin ende dhe pushtetin nuk e kishin konceptuar kurrë si të mundshëm.

I kam njohur dhe i kam prekur “dhjetoristët” të gjithë ose 99% të tyre. Pikëza të një turme në valëzim dhe kaq. Të ndërtosh sot mitin e tyre, ashtu si edhe dje, do të thotë të gënjesh, thjesht për përfitime politike imediate, në kurriz të historisë. “Dhjetoristët” nuk kanë më dhjamë për të tiganisur farsa të reja. Doktori ua nxori fundin prej kohe. Edhe antiberishistët dhjetoristë e kanë harxhuar karburantin e asaj hiçmosgjëje të kurdisur nga të tjerë gjithashtu. Sigurisht emocione kishte. Rënia e hekurave dhe këputja e zinxhirëve është një lumturi më vete.

Porse nga ky gëzim i sinqertë kolektiv që përjetonte ngordhjen natyrale të dinozaurit, tek mburrja se ishin “ata”, dhjetoristët, një pjesë e tyre “sigurimsa aktivë”, që e vranë “ata”, Sistemin dhe i futën”ata”, shpatën në zemër dinozaurit, kjo po që është, në më të paktën e vet, një bezdi e madhe, edhe për inteligjencën më mesatare.

Kjo Shqipëri e shpartalluar që prodhon pak ose aspak gjëra me vlerë, ka groposur veten me këto punishte e fabrika gënjeshtrash, që gatit biografira të falsifikuara liderësh, që duket sikur janë “pagëzuar” në “ujin e bekuar” të Dhjetorit heroik.

Dhe mendoj se, nëse do të ketë një hapje të vërtetë Dosjesh, të cilat Sigurimi i Shtetit, nuk dihet se si, por i ka ruajtur të pahapura deri më sot, në cilësinë e “Sekretit Shtetëror”, e pra nëse do të ketë një transparencë të tillë, të cilën e dyshoj, “Dosja e Dhjetorit” do të jetë Kryevepra, për të cilën grafomanët e shumtë shqiptarë do të kenë subjekt për qindra libra.

Por ndërkohë, “Dëmi Historik” është kryer. Por të paktën do të mund të mbyllet njëherë e mirë “Teatri i Kukullave të Dhjetorit”, që të shpëtojnë stomaqet tona nga të përzierët e përvitshëm, nga ky ushqim i kalbur retorik.

Dhe kjo nuk është pak.

 

 

ARTUR ZHEJI

Në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të patriotes ortodokse Parashqevi Qiriazit “Yll i mëngjesit”: arsimi, gruaja dhe ora e madhe e kombit shqiptar

Në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të patriotes ortodokse Parashqevi Qiriazit

“Yll i mëngjesit”: arsimi, gruaja dhe ora e madhe e kombit shqiptar

(Në dritën e shkrimit të Mihal Gramenos)

Në këtë 55-vjetor të ndarjes nga jeta të Parashqevi Qiriazit, figura e saj shfaqet si një emblemë e pasurisë intelektuale dhe morale të shqiptarizmit, një përfaqësuese e përkushtuar e arsimit, emancipimit të grave dhe veprimit patriotik në momente të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Ajo ishte një aktore e drejtpërdrejtë në skenën politike, diplomatike dhe kulturore të Shqipërisë së fillimit të shekullit XX, duke e bërë veprimtarinë e saj një pasqyrë të rrallë të lidhjes së arsimit me përparimin dhe forcimin e identitetit kombëtar. Përmasat e figurës së saj kuptohen në mënyrë më të thelluar kur analizohen dëshmitë e bashkëkohësve, veçanërisht shkrimi i Mihal Gramenos, i cili e përjetoi nga afër një nga momentet më kritike të fatit kombëtar shqiptar. Ky shkrim, i hartuar më 28 mars 1919 gjatë udhëtimit me vaporin francez Espagne drejt Konferencës së Paqes në Paris, është një dokument i çmuar i historisë së dorës së parë, i cili pasqyron jo vetëm përpjekjet për mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe mënyrën se si figura e gruas dhe arsimi shërbenin si instrumente të fuqishme politike. Në këtë kontekst, Parashqevi Qiriazi u shfaq si përfaqësuese politike, si zë i grave shqiptare dhe i diasporës, duke vepruar në emër të Partisë Politike Shqiptare të Amerikës, e udhëhequr nga motra e saj Sevasti Qiriazi.

Në fillim të shkrimit, Grameno e vendos thelbin ideor që do të përcaktojë të gjithë narrativën historike: “Fuqia dhe sigurimi i një kombi mbi themele të forta qëndron në duart e arsimit të denjë, që ndriçon trurin dhe mendjen.” Ky citim nuk është thjesht një reflektim filozofik; ai artikulon një vizion të qartë strategjik, sipas të cilit arsimi nuk ka rol pasiv, por shërben si bazë e forcimit dhe mbijetesës së një kombi. Në këtë kuadër, Parashqevi Qiriazi nuk përfaqëson vetëm një sukses individual, por një model të integrimit të formimit në shërbim të një kauze kombëtare. Siç vë në dukje Grameno, ajo “mori diplomën në Universitetin Oberlin, Ohio, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe gjatë studimeve “fitoi admirimin dhe përgëzimet jo vetëm të profesorëve të saj, por edhe të shumë shkencëtarëve të mëdhenj amerikanë.” Kjo arritje personale përfaqëson një kapital të rëndësishëm kulturor duke demonstruar se arsimi i grave mund të shndërrohet në instrument politik dhe kombëtar.

Qendra e veprimtarisë së Parashqevi Qiriazit ishte Shoqëria e Grave “Yll i mëngjesit”, një institucion që përmbante brenda emrit të tij simbolikën e dritës, shpresës dhe fillimit të një epoke të re në arsim dhe emancipim. Emri, me origjinë biblike, lidhet me metaforën e ndriçimit dhe iluminimit, që frymëzoi kulturën krishtere, si katolike ashtu edhe ortodokse, që nga kohët më të hershme. Referenca te Isaia 14:12 — “Si ke rënë ti nga qielli, o yll i mëngjesit, biri i mëngjesit! Si je rrëzuar ti në tokë, ti që pushtove kombet!”, nuk ka kuptim thjesht literar, por shënon një metaforë të ndriçimit, shpresës dhe fillimit të një dite të re, duke u bërë simbol i arsimit, emancipimit të gruas dhe ndriçimit moral të kombit. Për Gramenon, kjo simbolikë thekson rëndësinë e Shoqërisë jo vetëm si institut edukativ, por si mekanizëm që fuqizon gruan shqiptare, e bën atë subjekt të vetëdijshëm dhe aktiv në jetën kombëtare, duke përfaqësuar një ndërthurje të virtytit moral, kulturës dhe detyrës qytetare.

Shoqëria nuk kishte thjesht ambicie lokale, ajo ishte një lëvizje që fuqizonte gruan shqiptare dhe zgjeronte hapësirën e saj shoqërore dhe politike. Grameno vëren se Shoqëria “shtoi anëtare me miri se 200 shpirtra, zonja e zonjusha, dhe në një kohë fort të shkurtër arriti me bo anëtare edhe të fillonen degë nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë.” Kjo tregon se Shoqëria nuk kufizohej në një elitë të vogël, por përbënte një lëvizje qytetare që po shtrihej në mbarë territorin shqiptar, duke integruar edukimin me mobilizimin social dhe politizimin e gruas.

Veprimtaria e Shoqërisë kishte një dimension integrues që tejkalonte arsimin formal, duke përfshirë bashkimin qytetar dhe përforcimin e identitetit kombëtar. Grameno shkruan: “Konferencat dhe mbledhjet zhvilloheshin për gjëra me shkollë të vajzavet, por në thelb kishin një mision më të gjerë: që me këtë mënyrë shtiheshe përveç mësimit arsimtar edhe dashuria midis ngjaret Shqiptarka.” Ky aspekt tregon qartë frymën e Rilindjes Kombëtare, ku edukimi i grave nuk ishte një aktivitet i izoluar, por një mjet për ndërtimin e unitetit qytetar dhe harmoninë midis besimeve të ndryshme. Parashqevi Qiriazi, edhe pse ortodokse, ndërthurte parimet fetare me idealin e një kombi të bashkuar, duke materializuar parimin e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Historiani Kristo Frashëri e vlerëson veprimtarinë e motrave Qiriazi si dëshmi të qartë se lëvizja kombëtare ishte thelbësisht laike dhe unifikuese, duke dëshmuar se emancipimi i grave dhe arsimi shërbenin si gurthemeli i konsolidimit kombëtar.

Shoqëria përdori edhe artin si mjet ndërgjegjësimi dhe edukimi patriotik. Grameno shkruan se gratë “vunë në veprim që të lozin edhe pjesa theatrale,” duke vënë në skenë dramën Wilhelm Tell, e cila “bëri përshtypjen edhe bujën më të mëdha në qytet.” Kjo shfaqje në dukje si aktivitet kulturor përkthejte idealin e lirisë evropiane në kontekstin shqiptar dhe shërbente si mjet edukimi moral, patriotik dhe qytetar, duke ndikuar në ndërgjegjen kombëtare përmes artit dhe performancës.

Megjithatë, përpjekjet e Shoqërisë nuk ishin pa sfida dhe rezistencë. Grameno dëshmon: “Këto përparime të Shoqërisë të grave ‘Yll i mëngjesit’ kishin arritur të gjenë në Stamboll, në rrethët e Qeverisë Turke, ku me vragë i dënuan ndihmat qeveritare.” Ai shton se u përdorën edhe intriga fetare: “Zunë me anën e dhespotëve përivet që të kallnin grindjen, duke patun edhe gjithë ndihmën edhe përkrahjen të dhespotit Grek.” Pavarësisht kësaj rezistence, Shoqëria mbeti e palëkundur, duke dëshmuar se Parashqevi Qiriazi ishte një figurë e pathyeshme morale dhe politike, një “shkëlqyer patriote” dhe “luftëtare e patundure,” e cila vazhdoi misionin e saj duke botuar periodikun Yll i mëngjesit, me përkrahjen e motrës dhe të bashkëpunëtorëve të palodhur, duke e kthyer këtë organ edukativ dhe politik në një instrument të fuqishëm ndërkombëtar për avancimin e çështjes shqiptare.

Ky botim kishte një rol vendimtar në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë: “Me të cilën u kanë sjelle atdheut ato më të medhate shërbime, duke e bërë çështjen tonë të njohur jo vetëm në qarqet Amerikane, po në gjithë qarqet diplomatike.” Historiania Miranda Vickers vë në dukje se angazhimi i grave shqiptare në diasporë, veçanërisht i Parashqevi dhe Sevasti Qiriazit, ishte kyç në formësimin e perceptimit ndërkombëtar për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore. Kulmi i këtij angazhimi u shfaq në nisjen e tyre për në Paris, ku Grameno shkruan: “Sot kjo atdhe ndodhet në rrezik, vendosi të hidhet në Paris për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë,” duke e paraqitur Parashqevin si përfaqësuese politike, zë të grave shqiptare dhe pjesë të nuklit patriotik ortodoks shqiptar.

Në përfundim, Grameno shpreh një bindje që sot lexohet si amanet historik: “Jam i sigurt që dëshirat tona do të realizohen edhe historia e Shqipërisë të mbushet me veprat e nalta të shoqërisë së grave ‘Yll i mëngjesit’.” Çdo citim i tij nuk përfaqëson thjesht një dëshmi historike, por një mesazh ideologjik dhe moral, i lidhur ngushtë me arsimin, emancipimin e gruas, unifikimin qytetar dhe mbrojtjen e kombit shqiptar. Në këtë 55-vjetor, Parashqevi Qiriazi shfaqet si grua e dijes, patriote e palëkundur dhe simbol i dritës dhe shpresës për Shqipërinë, ndërsa “Ylli i mëngjesit” mbetet një emblemë e ndriçimit, emancipimit dhe përparimit shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të pazëvendësueshme për të gjitha brezat e ardhshëm.

Zana Shehu – historiane e Robert Dako- nipi i Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos

 

 

GJËMA E ILLYRICUM Koncert Nr. 5 për Violonçel dhe Orkestër nga kompozitor Aleksandër Peçi Premiere Botërore

 

Të hënën, më 22 dhjetor, në Sallën Koncertale të RTSH-së, ora 19:00, publiku do të përjetojë një ngjarje të veçantë artistike: premierën botërore të veprës “Gjema e Illyricum” – Koncert Nr. 5 për Violonçel dhe Orkestër.

Kjo vepër lind nga thellësitë e kujtesës ilire dhe shndërrohet në një klithmë moderne muzikore — një gjëmë që përmbledh dhimbjen, sakrificën, lutjen dhe qëndresën shpirtërore të një toke dhe një populli. Violonçeli, me zërin e tij njerëzor dhe dramatik, bëhet rrëfimtar i fatit ilirik, ndërsa orkestra krijon hapësirën monumentale ku përplasen historia, mitologjia dhe ndjenja bashkëkohore.

Soliste në violonçel është Dorina Laro, një interprete me ndjeshmëri të thellë dramatike, ndërsa dimensioni vokal i veprës përforcohet nga Gesu Zefi, soprano dramatike, e cila sjell një prani rituale dhe tragjike, si një zë i lashtë që vjen nga thellësia e shekujve.

Vepra interpretohet nga Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Shqipërisë (OSFA), nën drejtimin e dirigjentit Arlen Nikolli, me Arben Skënderin si dirigjent artistik.

Një mbrëmje që nuk është thjesht koncert, por akt kujtese, reflektimi dhe fuqie shpirtërore,

Eshte shkruar ne kohe te gjemes qe kaloi bota gjate pandemise dhe kjo premiere vjen 1 vit pas premieres ne TKOB te Drama e vonesave koncert no.6 per cello orkester.

Bota hepesiren e illyricum qe shtrihej nga jugu i Austria e deri tek Morea( 4 gishtat e Peloponezit )e ka tragjikisht ngushtuar.Ndersa ne artistet me gjuhen universale te muzikes e rikrijojme.

* Rituali i gjemes i lashte sa Akili. Mbas gjemes te Simfonia n5 Skenderbeu koha e 8 e sjell per here te dyte si forme ne kete veper Madhore.te dyja veprat jane modele te universit boteror te muzikes mbasi me gjemen s’eshte marre kush.

* 4 nota MI – LA – SI bemol – La bemol gjenerojne ne nje hapesire Arberore. 4 nota gjenerohen ne 4 milion a me shume nota.

* Hone Malesh percjellin klithma Maj krahu, fioritura ornamentike, jo te barokut ,jo klasike, por arberore te gjemes, teknika te reja ne cello te nje kapilari te ri ne muzike si OI-GJEMA ku zgjeroj hapesiren edhe me elemente jugore, nje polifoni rezonancash qe s’eshte karakteristike per veriun ku mbizoterorn homofonia, por per djepin e polifonise shqiptare, djep Europian i polifonise,siç eshte jugu shqiptar, une i integroj natyrshem ne veper, teknika homothetise. teknika te tilla si kontrapunkti cartesian, mekanical teknik, carousel teknik ne arkitekture madhore orkestrale, polifonia e celulave te gjemes, trajtimi i maj krah e gjemes, nga fosile homofonike,me profesionalizmin e polifonise sepse jane honet e maleve qe prodhojne eho rezonancash polifonike, apo zbritjet kromatike nga piccolo e ngjitjet kromatike nga bassot drejt qendres deri kur akordi mblidhet ne pozicion te ngushte te ngushta jane edhe 28 mije klm2 e sic grushte e gjematareve godasin gjokset, ketu jane timpanet qe godasin fuqishem. keto jane shkurtimisht disa nga infot per publikun.

Song Homeriane me vargje nga iliada eshte seksioni permbylles me vargjet

O ZEUS, JEPNA DREJTESI

MOS LER TE NA SHUHET Dielli.

O ZEUS, NGA ERRESIRA ÇLIRONA

O ZEUS, O JEPNA DRITEN E SYVE NQIELL TE PASTER

O NA SHUAJ TE GJITHEVE SA JEMI

NE DRIT TE VDESIM … TE VDESIM .

O ZEUS.

sa Madherishem perkojne keto vargje me gjithe historine e shkuar Pellazgo Iliro Arberore Shqiptare por edhe me te sotmen e te ardhmen.

FALEMINDERIT MINISTRISE KULTURES PER MBESHTETJEN

 

 

Vepra e plotë e Martin Camajt në një vëllim, botuesi: Vjen jo si emigrant, përkim hyjnor rikthimi në bibliotekë

TIRANË

“Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”. Fjalia emblemë që do të thoshte Martin Camaj në fund të jetës së tij në një lidhje telefonike me Shqipërinë, shërben si paradigmë e rikthimit të tij në atdhe.

Nën titullin “Gjurmët e fjalës”, shkrimtari e albanologu është përkujtuar me konferencë shkencore në 100-vjetorin e lindjes. Botuesi Bujar Hudhri që ka sjellë veprën e plotë të Martin Camajt në një vëllim, jo vetëm si nderim për autorin që mbeti i mohuar për sa kohë sistemi komunist qe në pushtet dhe gjatë edhe pas tij për shkak të mendësisë, por si nderim për veprën e idetë e shkrimtarit që kërkoi lirinë dhe la pas një vepër që është himn i saj. Edhe mesazhi i Hudhrit, është kuptimplotë për vendin e Camajt jo si lëshim, por si meritë.

Në konferencën shkencore të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” studiuesit u ndalën ne aspekte të ndryshme të veprës së tij, nga studimet si albanolog, te vëllimet si shkrimtar. Ndërsa Evalda Paci u ndal te puna me Mesharin e Buzukut, Arben Prendi foli për shtresëzimet e romanit “Dranja”.

I lindur në Shkodër, Camaj do të arratisej nga vendi drejt Jugosllavisë, pas arrestimit nga strukturat represive të regjimit komunist. Jetën ne ekzil e ndau mes Italisë e Gjermanisë ku veç dokumentimit dhe studimit të arbëreshëve por të kulturës shqiptare në përgjithësi dhe gjuhës po aq, atë gjuhë që si shkrimtar e lëvroi dhe e përsosi pa pasur lexues. Ai jetoi në Gjermani deri në rënien e regjimit dhe letërsia e tij e takoi lexuesin shqiptar vonë, pa e lënë shkrimtarin të shijojë frytet.bw

VIZITA E SHEMRËS RUSE -Tregim nga Shkëlqim HAJNO

 

Në shtëpinë e zonjës Denada Gorani, telegrami nga jashtë shtetit mbërriti në vjeshtën e dytë të vitit nëntëdhjet e katër.

Ishte përgjigje e një telegramit që Denada kishte nisur pak muaj më parë në Moskë me një adresë që kishte gjetur në zarfat e dikurshëm të të shoqit të ndjerë.

“Familjes së zotit ing.Mikel Gorani. Rruga ‘Vrana Konti’ nr.15, Kinostudio Shqipëria e Re, Tiranë. Nga: Sonja Smirnova(Gorani ).Rruga. Muzeu i Arteve të Bukura, Pushkin, 341,.Moskva.

E nderuar zonjë.

Duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të bashkëshortit tuaj dhe ish bashkëshortit tim të ndjerë, ing. Mikelit, ju bëj me dije se unë do të udhëtoj drejt Tiranës dhe do të jem atje në mbrëmjen e 22 nëntorit.
Do të isha mirënjohëse, nëse një ditë më vonë nga mbërritja ime në Tiranë, të bëja një vizitë në shtëpinë tuaj së bashku me tim bir, Vanja Smirnova (Gorani). Juaja, me respekt, Sonja Smirnova (Gorani ). Moskë.”

Zonja Nada, Denada Gorani, e lexoi me një gjendje ankthi telegram shemrës së saj. Tek kalonte nga togfjalëshi i parë tek i dyti, e kështu me radhë, iu përhit befas në mendje shpërfaqja e mjegulluar e portretit të asaj tjetrës. Këmbët e çuan te sirtari i fundit i komodinës së madhe në dhomën e gjumit.

Çifti mbante atje gjithë koleksionet dhe relike të fotografive ndër vite, nga fëmijëria e secilit deri në përditshmëri, sipas një tradite dhe mundësive të kohës.

Aty, prej dekadash flinte edhe aparati fotografik. “Lajka” me mbulesë kafe në çelur, një gjeratore e vogëlth ku ishin fiksuar dhe mbyllur çastet intime të ditëve të paharruara në atdheun e largët të Sonja Smirnovës po dhe kapitulli lirik i atdheut të dytë të asaj tjerës, në vendin e vogël ballkanik. Aty, në misterin e kësaj kutie mbuluar me meshin të hollë i dukej se flinin në gjumin e kohës edhe çastet e bekuara të lindjes së,Vanjës që ata i thërrisnin drita jonë.

Diku në thellësinë e sirtararkivit, Nada si zonjë shtëpie e dinte se Mikeli kishte vendour në një kutizë kartoni, disa foto familjare të veçanta nga jeta studentore në Moskë dhe të tjera nga Tirana.

E mori kutizën në dorë. E kishte parë disa herë atë edhe më parë. Madje, kishte qenë vetë bashkëshorti i saj që dikur ia kishte treguar koleksionin e fotove me rusen, sigurisht, duke e pyetur më parë nëse kjo, e ngacmonte shpirtërisht.

Një ndjesi mjegullore e të papërcaktuar e përfshiu qënien e saj. Ishte martuar në vitin njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjet e gjashtë me një burrë të ndarë më parë nga një martesë me një ruse. Me Sonjën pati nje djalë që ende pa mbushur gjashtë muaj, iu desh të ndaheshin.

Po ish kohë e prishjeve të mëdha mes dy vendeve. Era e ftohtë siberiane që kish fryrë furishëm në marrëdhënieve e dikur miqve, të thirrur: ‘vëllai i madh’ e ‘vëllai i vogël’; kishte mbetur tani, atje tej, në ajrin e ngrirë, si një kumt i dhimbshëm, përherë e më i largët.

Aso motesh, të paktit, ata më entuziastët, e përfytyronin vendin e tyre, shkëputur nga treni i madh i kampit Lindor. Një lokomotivë që do të çante mes acarit të borërave e stuhive vetëm me këngë marciale.Të shumtit, më të pazëshëm në vetëdije të trazuar, kishin përfytyrimin se tani e tutje vendi i tyre, nuk ishte veçse një vagon i ndryshkur, i vetmuar, i shkëputur e lënë në harresë diku mes stepave me dëborë, akujve dhe pyjeve të ngrirë.

Një qënie që ashtu do të atrofizohej e shndërrohej në një fosil të stërlashtë mamuthor si qymyrguri ndanë Adritikut dhe Jonit.

Zonja Nada me letrën në dorë mbërritur prej larg, ndjehej e përhumbur mes qënies dhe mosqënies.

Mikel, i tha zëri i brendshëm. Erdhi letra që prisje. Erdhi po ti, i shtrenjti im, nuk je. Kush do ta presë miken e largët? Çfarë do t’i them? Është një mike e vështirë, i dashuri im. Vetëm ti më kupton, si gjithmonë.

Në vetminë e saj hodhi sytë nga letra dhe nisi të gërmëzojë me zë……. do të udhëtoj drejt Tiranës dhe do të jem atje në mbrëmjen e 22 nëntorit. Do të isha mirënjohëse nëse një ditë më vonë nga mbërritja ime në Tiranë, të bëja një vizitë në shtëpinë tuaj së bashku me tim bir, Vanja Smirnova (Gorani). Juaja, me respekt, Sonja….
***
Djaloshi që i kish kaluar të tridhjetat, me flokët e verdhë si e ëma tani po vështronte që nga qielli përmbi territore dhe vendin që u shfaq befas përtej qelqeve mijëra këmbë poshtë avionit dhe që quhej Shqipëri, i orientuar nga e ëma, me ngulmin e akumuluar ndër vite për të parë sa më parë vendin ku kishte lindur.

Ajo, që nga sipër drejtoi gishtin drejt një grumbulli laraman pejzazhesh, kuadratesh e konturesh të çrregullta poshtë avionit që u shfaqën pas vijës së bregdetit.

-Atje, është Durrësi, biri im. Atje je larë edhe ti një herë të vetme kur shkuam si familje. Ja, tani, ku duket Tirana ku unë jetova dhe ku ti linde, i shtrenjti im.

Pasagjeret e parë nisën të zbresin nga avioni. Si një rrymë e beftë ajri në veshët e gruas ruse nisën të shquhen fjalët e para në gjuhën e huaj shqipe dhe një kaplim e turbullim i mjegullt i përshkoi kurmin duke përhitur në kujtesën e largët. Kishte zbritur këtu dikur me të dashurin e saj, në këtë pistë avioni sa nje fushe tenisi, krahasuar me vendin e nisjes.

-Vanja, biri im i dashur, më në fund jemi mbi Tiranë, në qytetin ku ti ke lindur, në vitin gjashtëdhjet e tre. Zemra po më rreh fort që jemi së bashku. Sa shumë do të thotë kjo për mua! Ishte si një amanet dhe dheu nuk do më treste kurrë, pa ardhur të dy këtu, i shtrenjti im.

Vanja nuk foli por e shtrëngoi të ëmën me krahët e fuqishëm.

Ajo e përsëriti fjalinë e fundit. “…и земля не приняла бы меня, если бы мы оба не пришли сюда.” (…i zemlja, nje proniala bi menja, esli bi mi oba nje prishlli sjuda) ..”..dheu, nuk do më treste pa ardhur të dy këtu.”

-Mamushka ime e dashur,- pëshpëriti i biri duke e përkëdhelur në kokë e supe të ëmën. Jemi së bashku, mamushka ime tani, me flokët e bukur mbuluar me dëborë…

Sonja instiktivisht futi dorën në xhepin e palltos dhe nxori kopjen e telegramit. Nuk dihet pse sytë iu mbërthen te fjalitë e fundit. …Do të isha mirënjohëse nëse një ditë më vonë nga mbërritja ime në Tiranë, të bëja një vizitë në shtëpinë tuaj së bashku me tim bir, Vanja Smirnova (Gorani). Juaja, me respekt, Sonja Smirnova (Gorani ).
***
Ne mendjen mjegullore të Sonjës, tani shfaqeshin e iknin me shpejtësi si retë e shtyra nga erërat e nëntorit , sekuenca nga e kaluara e këtij vendi ku kish mbetur pas një pjesë e bukur, e dhimbsur dhe e hidhur nga jeta e saj.

Një ditë, kujtoi se si mes ca totemesh vizive të paharruara, regjimi quhej i rënë gërmadhash dhe imazhet e pabesueshme të rrëzimit të regjimit komunist më tepër se në gazetat dhe kanale televizive të botës, ishin blatuar në shpirtrat e njerëzve në Tiranë dhe vise të tjera të vendit të varfër.

Pas kthimit, më saktë dëbimit nga atdheu i dytë, atje, në dheun e saj, kish nisur punë si kimiste në një ndëmarrje industriale. I biri, ishte gjithçka për të. Ishte e tashmja dhe e kaluara ngjizur në një. Po edhe ardhmja. Vetë jeta e saj.

Këtu, sot askush nuk të njeh dhe kërrkush nuk të pret, i tha zëri i brendshëm ushqyer me kureshtinë dhe misterin e kësaj vizite.

Qënia e saj ndjeu lagështirën dhe ajrin e freskët të aeroportit, tek ecte ngadalë në krah të të birit. Një re e vogël e mesditës përmbi malin e Dajtit i kujtoi, kushedi pse, letrën e fundit të saj nisur në Tiranë në adresë të Mikelit. Ishin kumtet që ajo përcillte plot dhimbje nga ndarja…Se nëna e sëmurë kishte ndërruar jetë dhe asaj, i ndalohej udhëtimi për Tiranë. I bëhej se ajo letër po endej nëpër qiejt etern të të dy vendeve pa mbërritur kurrë në destinacion.
Befas, tek shikonte turmën e njerëzve dhe taksixhinjve, sytë iu mbërthyen tek një copëz kartoni mbi lartësinë e supeve të njerëzve ku shkruhej me gërma kapitale:

NADA GORANI.(MIKEL)

Qënia e gruas ruse u trand tjetërsojshëm. Zhbiroi me sy si e etur personin që po e mbante kartën me emrin njoftues. U afruan drejt dy femra që mbanin letrën.

-Nada Gorani? – pyeti me një zë që nuk iu duk i saj.

-Po. Nada dhe Alba, bija ime!-tha tjetra.

Ndërkaq, duart e tyre u kryqëzuan dhe pas një hezitimi të lehtë, të dyja gratë u përqafuan.

-Alba, ime bijë.-tha Nada duke prezantuar të bijën.

Alba buzëqeshi me një hije droje dhe e sapombërritura e përqafoi duke ndjerë aromën e balukeve të saj.

-Im bir, Vanja!- tha gruaja ruse.

Djaloshi u afrua dhe zgjati dorën drejt Albës dhe gruas shqiptare pranë saj.

Denada e përqafoi djaloshin biond miqësisht si ta kish takuar më parë.

Shtatlartë dhe me sy blu si i ati, i tha zëri i brendshëm.

Vanja u përshëndosh në gjuhën e tij me një buzëqeshje naive.

Gruaja ruse iu drejtua të birit dhe ndërkaq e ktheu në shqip të njëjtën fjali:

-Vanja, ju jeni vëlla e motër nga i njejti baba, Mikeli,

Të rinjët u takuan sërish me buzëqeshje.

-Mirë se erdhët!-tha Alba.

Sonja përktheu.

-Dabró pozhalovat!

Aty për, aty djaloshi ia ktheu:

– Spasíba, rádi bït’ u vas! Rad poznakomít’sja! -Ndërkohë që e ëma përktheu:

-Mirë se u gjetëm! Gëzohem që u takuam!

Pasi siguruan taksinë e nisjes për Tiranë, pritëset u ofruan ardhësve të largët një kafe në një nga kioskat e mbira pranë sheshit të aeroportit

Të nesërmen do t’i merrnin për një vizitë në shtëpi nga hoteli në qendër të qytetit ku ishin akomoduar.
***
Tek përfunduan gjithshka për vizitën, Nada. përqafoi të bijën që iu bë krah në përgatitjen e drekës së mikpritjes. Me sytë nga ora e dorës i kujtoi se mbeteshin vetëm tridhjet minuta të lira para nisjes për t’i marrë nga hoteli mysafirët e huaj.

-Erdha mami-u dëgjua që nga mesorja e shtëpisë Alba që ende po rregullohej para pasqyrës.

Një trishtim i beftë e pushtoi. Kishin rrjedhur shumë ujëra ndër vite kur ajo mbeti e vetëm me të bijën. Iu kujtua një nga bisedat e fundit të jetës së Mikelit. Nada, edhe sikur shëndeti im të perkeqësohet, dhe mundet të iki nga kjo botë, dua të interesohesh për birin tim në Rusi… dhe, natyrisht nëse, kjo nuk të ngacmon shumë, edhe për Sonjën. Nëse rron ose jo. Ishte një pjesë e jetës sime.

E kishte siguruar për këtë. Dhe ja, si e solli fati. Janë mirë, i dashur, i takova, Erdhën vetë. -i përhitej në shpirt zëri i tij i qetë nga biseda e dikurshme.

Dreka, deri dy orë më parë e sikletshme për të zonjën e shtëpisë, rrodhi shumë më natyrshon nga ç’e mendonte, falë episodeve të dy të rinjve që tregonin histori nga shkollimi i tyre. Vëllait dhe motrës që tani ishin bërë bashkë çuditërisht, si në një legjendë urbane.

Dhuratat e sjella nga larg ishin dy pejzazhe. Një pranverë me simfoni lulesh dhe gjelbërim të stepash ruse dhe një kuadër pranveror me mështeknat dhe berjozat e nje parku në Moskë, mbuluar nga pelerina e butë e dëborës.

-Janë autorë bashkohorë,-tha Sonja për dhuratat.

Zonjës Nada tek i mori ne dorë iu duk për një grimë se mori ne dorë një copëz nga qyteti i dikurshëm i dy të dashuruarve.

Pastaj, biseda rreth tryezës me gatimet e shtrura megjithë drojet e fillimit për të dyja palët, rrodhi më çlirët.

Të nesërmen ishin ftuar të dyja në drekën që mysafirët do të jepnin në një lokal pas muzeut kombëtar.

Pas tre ditëve zonja Denada dhe Alba i përcollën miqtë në Rinas me nje taksi që e kishin prorositur më parë.

Dhuratat i mbante në një çantë Alba. Ishin punime artizanati familjar nga tregu i Krujës ku i çuan ditën e fundit mysafirët. Në çastin e ndarjes, me sytë nga Sonja , Denada tha:

-Prit! Kam edhe diçka.

Nga çanta e dorës nxori një pako të vogël në madhësinë e një kutije biskotash. Nisi të shpalos letrën e çokollatës me të cilën kishte mbështjellë pakon.

Nga letra doli një papuçe e një foshnje të mitur.

-Kjo është për ju! -iu drejtua Sonjës që kishte mbetur e hutuar.

-O Zoot ! O nëna ime! Papuçja e Vanjës së vogël që e zuri porta e autobusit atë ditë të ndarjes kur më zgjati foshnjën tonë dhe Mikeli nuk mundi të ma jepte se makina u nis për Rinas.

Sonja e mori papuçen e butë ngjyrë gri të çelur, e puthi dhe e vuri poshtë gushës me sy të mbushur me lot.

-Të falënderoj nga zemra se je zonjë e vërtetë- tha e prekur. -Kjo ështe dhurata më e bukur e jetës sime,- dhe e puthi sërish.

U përqafuan.

-Si një amanet i Mikelit,-tha Nada me sytë e lëngëzuar.

-Tjetrën e kam në shtëpi -shqiptoi Sonja.

Vëllai dhe motra kishin mbetur të befasuar, ashtu të përqafuar.

Pas pak, Vanja me Sonjën përkrahu u larguan drejt sallës së pritjes dhe më pas drejt pistës ku një avion Tu-104 që fluturonte në linjën Moskë-Tiranë, kish ndezur prej kohësh motorët. Pranë tij një Tupolev Tu-104, sapo kishte mbërritur.

Nënë e bijë qëndruan aty duke i ndjekur me sy gjatë, derisa sa avioni u ngrit dhe çau qiellin gri të nëntorit.

Tek zvogëlohej në sfondin blu të hapësirës eterne, ngjante përherë e më tepër si një shpend që çante udhën e kthimit, në shtegtim për dimërim në viset e origjinës së largët.///

Nuk ka ëngjëj që të qajnë Cikël poezish nga Ylli M. Dilo

LUTJE

ZOTI IM

Disa herë humbas

Por TI je atje…

Të lutem më ndihmo

Të përshtat:

Frikën me besimin,

Shqetësimet në shpresë

Dhe humbjet në gëzim

JE :

Shkëmbi im,

Shpëtimtari im,

Shpresa ime, Fuqia ime

Dhe kurajua ime.

AMIN!

*****

 

O ZOT 

Nuk ka ëngjëj që të qajnë 

Dhe plagë të lëpijnë

Në mollën pranë shtëpisë 

Bilbilat më nuk vinë 

Te porta e burgut

Me gjak njeriu shkruar:

“Këtu hyn dhe nuk del”

Ah! Kohë e mallkuar

Në rrugë ecën kortezhi

Me gra dhe fëmijë

Mbi supe mbajnë arkivolin

Fleta e Kerubinit* u prin

O ZOT! Pse ike nga anët tona…

Rënkon një gjoks i lënduar

Kufoma ecin me hapa të ngadalta

Drejt varrit që e hapën

Të familjarëve duar.

* Fleta e Kerubinit është fleta e shenjtë që shëron shpirtërat nga demonët

*****

 

NËNËS 

 

Nëna ime vuajti gjithë jetën

Se asnjëherë nuk ju perkul

Tutorit bastard.

Në luftë, 

e para ishte në aksione

Por në  “LIRI” 

shpërblim persekutime i dhanë.

E tillë është jeta miku im

Kush sulet i pari në beteja

Shperblim pranga do të ketë

Se kjo është bota e maskarejve.

*******

 

DËSHIROJ

 

Dëshiroj zbathur si Sokrati

Të udhëtoj

në të plasariturën Tokë 

Të pi ujë te kroi i Pallamasë 

ku mban gjithmonë hapur

Të ndriturën portë 

*****

 

KERKOJ SOKRATIN

 

Kërkoj Sokratin gjithandej

Në fusha, male, univers

Pyeta Sollonin dhe Lukjanin

Por,

Ata më thanë njëzeri:

Iku Sokrati në Galaktika

Kjo botë është infektuar keqazi

Ç’kërkon ti o Njeshi pa vlerë

Më tha Majakovski me qesëndi…

*****

 

SHIKOME NE SY

 

Pse nuk më shikon në sy

Pse ke humbur qetësinë 

Thuam ç’farë të mundon

Vetëm kështu do ndjehesh mirë 

 

Unë të flas, ti pse s’përgjigjesh

Thuam me ty çfarë ka ngjarë

Sado e rëndë që të jetë 

Do të të konsideroj si më parë .

 

Por ti s’flet, dhe nuk dëgjon

Shikimin diku larg tretur

Fizikisht ndodhemi pranë 

Por në fakt na ndajnë shekuj.

*******

 

MURET

 

Muret që ndajnë njerëz dhe shtete

T’i shkatërrojmë pa hezitim

Brënda qënies dhe shoqerisë

Тё ndërtojmë murin me emrin LIGJ.

Të ruajmë muret e lashtësisë

Nga flakët e luftrave dhe koha nxirë

Dikur në bedenat, në krye të tyre 

Luftëtarët dhuronin jetën për LIRINË .

*******

 

MOS PYET

 

Këndoje këngën që s’e këndova

Ajo per mua ishte e ndaluar

Shkruaj dy vargje në fletore

Ato për mua ishën privuar

I desha shumë lulet dhe qengjat

Balon që më ruante kopenë

Një grusht me baltë nga vendlindja

Të shtrenjtë pasuri e çmova përherë.

Po iki drejt të panjohurës

Pa ditur as vetë ku shkoj

Veç, një gjë e kam të qartë 

Me bastardë nuk mund të jetoj!

Ty miku im të përshëndes

Mos pyet : pse dhe ku?

Do jem kudo dhe asgjëkund 

I vetëm, por i mirë gjithashtu.

Vijën e Gëtes s’e marr me vehte 

E shikoj nuk ç’mallem dot

Ujë, jetë, pejsazh, dlirësi

Më të madhe pasuri s’ka në botë

Flladi i ëmbël i pranverës

Që mban erë manushaqe, trëndelinë

Do të më mungojë kudo që të vete 

Se ai vetëm në Atdheun tim fryn.

Këndoni bilbila blerimin e Prillit

Dhe ju thellëza mos pushoni 

Me cicërimat tuaja magjiplotë

Gjithë njerëzimin argëtoni.

Pini ujë te ajo Vijë

Që del nga shkëmbi, burg i zi 

Dhe me shushurimën e saj perlë

Krijon më të bukurat melodi

Po shkruaj për :

Meloditë që u ndaluan

Këngët që s’u kënduan asnjëherë

Poezitë që poetët i morën me vehte

Kur breshëritë e plumbave jetën u prenë

****


Send this to a friend