VOAL

VOAL

SHQIPERI E MJERA SHQIPERI NJËHERË TË MORI TURKU E TASHTI SERBI – Nga BINAK MAXHARRAJ

August 2, 2021
blank

Komentet

blank

Butrinti/ Auron Tare: Granoff mendon se për 5 mln USD të dhuruara duhet të marre në kontroll Qendrën e Pasurive Botërore te Unesco, do të mbledhë 22 mln

Nga Auron Tare
“Romanus Proconsul Illyricum”
Z. Michael Granoff, Kryetar i Bordit Egzekutiv te AADF-se ne lidhje me debatin e madh publik mbi te ardhmen e Qendres se Pasurise Boterore te UNESCO ka dhene nje interviste per Zerin e Amerikes. Ne ndihme te ketij debate mund te lexoni disa fakte mbi disa nga pikat e ngritura nga Z Granoff ne kete interviste.
“njerëzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por nuk kanë gjithnjë të drejtë për faktet”.

Michael Granof Drejtor Egzekutiv I AADF (interviste VOA 21/Maj/2022)
Faktet për Butrintin janë shumë të thjeshta. Si fillim, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë. Asgjë nga këto që e po bëjmë nuk e ndryshon pronësinë dhe kontrollin e Butrintit si dhe objektet e trashëgimisë kulturore. (M.G)
FAKT
DHËNIA E TË DREJTAVE TË ADMINISTRIMIT
4.1 Ministria, si përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje i jep Fondacionit të drejtën ekskluzive dhe detyrimin për administrimin indirekt të Pasurisë Kulturore dhe të të drejtave dhe detyrimeve të tjera të parashikuara në këtë Marrëveshje, në përputhje me Legjislacionin e Zbatueshëm dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit.

Së dyti, njerëzit flasin shpesh për Butrintin si një koncesion. Koncesionet janë një mundësi për të marrë para, pra për të fituar para. Ndërsa ligji për Butrintin është një mundësi nga ne për të dhuruar para. Si rezultat i këtij ligji, ne do të dhurojmë 5 milionë dollarë të tjera. Nuk di shumë njerëz të tjerë, që po përpiqen ta bëjnë këtë. Arsyeja pse na duhej kjo lloj strukture për ta bërë këtë gjë është që ta mbrojmë Butrintin dhe ta mbajmë të pandryshuar. (M.G)
FAKT
Fondacioni Butrinti i themeluar ne 1993 nga Lordi Rothschild dhe Lordi Sainsbury, i cili operoi ne vitet me te vështira te Shqiperise me një kontribut financiar te rendesishem nuk kërkoi kurrë marrjen ne kontroll te Parkut Kombëtar te Butrintit.
Fondacioni Amerikan RPM Nautical Foundation i cili ka kryer kërkimet nen ujore prej 16 vjetësh ne Shqipëri me një donacion mbi 4 milion euro për këto kërkime, nuk ka kërkuar kurrë te marre ne kontroll pjese te territorit ujor Shqiptar.
Me sa duket Z Granoff mendon se per 5 milion usd te dhuruara duhet te marre ne kontroll Qendrën e Pasurive Boterore te Unesco. Ne se Z. Granof mund te na jape nje model amerikan ku donatori kontrollon nje Park Kombetar do ti ishim shume mirënjohës.

Po jap një shembull: disa vite më parë ne instaluam makineri elektronike biletash në Butrint dhe vitin tjetër të ardhurat e fituara nga Butrinti u trefishuan, por kjo s’do të thotë që kanë ardhur tre herë më shumë vizitorë në Butrint. 2/3 e këtyre parave që vinin nga këto bileta dilnin nga Butrinti, nuk qëndronin në Butrint për ta ndihmuar atë. Arsyeja pse ne vendosëm këtë makineri elektronike të biletave ishte që siguroheshim që paratë që vinin në Butrint të përdoreshin për të mirën e tij dhe të qëndronin në Butrint, për të përfituar njerëzit e Shqipërisë dhe projekti. (M.G)
FAKT
Mund t’i konfirmojmë Z Granof se biletaria elektronike u vendos në Butrint në periudhën e Qeverisë Berisha. U përurua nga Ambasadori Amerikan Withers dhe Ministri Aldo Bumçi. Drejtor i Parkut Rajmond Kola sot gazetar i Zërit të Amerikës. Pas zotit Kola u vendos nga Qeveria socialiste zoti Gjergji Mano.
Po e pyes publikisht zotin Granoff, 2/3 e biletave që dilnin (vidheshin) nga Parku i Butrintit duhet të dilnin (vidheshin) ne bashkëpunim me Ministrin Aldo Bumçi dhe Drejtorin Rajmond Kola si dhe Drejtorin pasardhës Gjergji Mano dhe Ministren Kumbaro (bashkëpunëtore e zotit Granof në Planin e Manaxhimit). Duke e falënderuar Zotin Granoff për këtë denoncim publik në Zërin e Amerikës për zyrtarë të Shtetit Shqiptar, Prokuroria e Republikës së Shqipërise duhet të filloje hetim për emrat e mësipërm në të kundërt zoti Granof duhet të provojë se si vidheshin 2/3 e biletave të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Kështu që kur po mendonim se si të vazhdonim ta mbronim këtë zonë të rëndësishme, ne kishim disa kushte se nëse do të dhuronim edhe 5 milionë dollarë të tjera duhet të ishim të sigurt që paratë të mos hynin nga një derë e të dilnin nga dera tjetër. Qëllimi i vetëm i ligjit të ri, i cili nuk është një ligj që zbatohet te fondacioni, por është një ligj i qeverisë shqiptare, ai krijon një strukturë, që mund ta mbështesë dhe të mbrojë Butrintin për një kohë të gjatë. (M.G)
FAKT
Sipas website te AADF Ligjit per Trashegimine Kulturore eshte financuar dhe asistuar juridikisht nga AADF. Ligj i cili i hap rruge administrimit te Trashegimise Kulturore me Fondacione pra qartesisht nje menyre per te krijuar premisen qe Qendra Boterore e UNESCO te administrohet nga nje Fondacion, Fondacion ky i cili çuditërisht themelohet dhe kontrollohet pikërisht nga AADF/Granoff, asistuesi i ndryshimit te Ligjit te Trashegimise Kulturore.
Ky ligj është shumë transparent, ka pasur shumë mbledhje komisionesh parlamentare, marrëveshjet janë shumë transparente dhe ne duam që njerëzit ta kuptojnë se çfarë jemi duke bërë. Ne duam të bëjmë një strukturë shumë të qartë për të krijuar një mjedis ku mund të investojmë dhe dhurojmë sa më shumë para për Butrintin. (M.G)
FAKT
Përfshirja e thellë e një donatori (nëse do të pranojme që AADF është thjesht donator, siç më thanë vetë ata), në menaxhimin e një siti arkeologjik dhe kulturor është më se e papranueshme, qartësisht jo e zakonshme.
2. Komisionimi i një Plani Menaxhimi dhe si pjesë e tij, emërimi i njerëzve tuaj si anëtarë të bordit të tij, është një praktikë tjetër e papranueshme. Këtu përfshihet eksperti që ka përgatitur planin. Sigurisht konflikt interesi.
3. Inicimi i legjislacionit specifik për një lokacion, me organizata donatore të përmendur në ligj – nuk e ka përmbushur kurrë një praktikë të tillë. Mund të shpjegohet vetëm nëse donatori nuk i beson kapacitetit profesional të ekspertëve vendas ose dyshon të gjithë për korrupsion të mundshëm.
Giora Solar, ish Sekretar i Pëergjithshëm i ICOMOS & Getty Conservation Center
Së treti, duhet t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se këto donacione nuk janë vetëm sipërmarrje tregtare. Paratë do të shkojnë për të ndërtuar një qendër vizitorësh, për të ndërtuar korsi biçikletash dhe rrugë për hiking, për ta bërë këtë zonë pa ndotje mjedisore. (M.G)

Plani i Integruar i Butrintit e ka përcaktuar vite me pare te gjithe konceptin e nje zone ambientale dhe pa impakt ne mjedis. Per kete arsye është paracaktuar çdo ndërhyrje larg qendrës arkeologjike si dhe ndërhyrje minimaliste. Te gjitha shtigjet e hiking, urat mbi kanalet kulluese etj si dhe korsite e biçikletave kane qene funksionale. Mos përdorimi i tyre apo mos promovimi i tyre ka te beje me administrimin e Qendres nga Ministria e Kultures. Pra jo detyrimisht nga kontrolli i donatorit mbi fondet e dhuruara.

Nuk do të ndërtohen apartamente, hotele apo ndonjë gjë e ngjashme dhe është e gjitha e mbështetur në një bazë jofitimprurëse, që do të thotë se paratë që hyjnë në Butrint qëndrojnë në të. Dhe pyetja për njerëzit që janë kundër apo dyshues është: ku mendojnë se duhet të shkojnë këto para. Nëse nuk duhet të qëndrojnë në Butrint, atëherë ku duhet të shkojnë? (M.G)
FAKT
Fakti asnjë specialist shqiptar nuk është konsultuar ne përgatitjen e Planit te Manaxhimit te Butrintit.
Si rrjedhim, Z. Granoff nuk ka asnje ide se cfare duhet te ndodhe me nje koncept te ri modern administrimi. I nderuar Z. Granoff, Butrinti nuk ka nevoje per fonde masive pasi cdo nderhyrje ne kete eco- sistem te brishte do te sillte deme te pa riparueshme. Per kete arsye Butrinti ka nevoje per nje ekip konservues te perditshem i cili mban ne kontroll proceset e konservimit. Nderkohe parate e fituara nga vizitoret jo vetem jane te mjaftueshem per kete proces, por sipas konceptit te atyre qe ju kundershtojne Ju dhe planin Tuaj do te ishin te mjaftueshme per te krijuar nje sistem manaxhimi te te gjithe sistemin zinxhir te trashegimise kulturore te zones perqark Butrintit. (Finiq, Mesopotam, Muri i Demes, Kalivo, Diaporit, Cuka e Ajtoit, Kepi i Stillos, fusha e Vrines, trashegimia nen ujore e keshtu me rradhe)
Ky koncept i nderuar Z. Granof u eksperimentua me shume sukses ne vitin 2003-2005 i mbeshtetur nga dy grante amerikane Colidge Trust Fund dhe National Park Service USA. Pra Butrinti mund te ndihmonte financiarisht edhe qendrat e tjera dhe krijonte nje ekip manaxherial per te gjithe zonen bazuar ne Butrint. Ky eshte koncepti modern i administrimit dhe jo shkëputja e Butrintit nga sistemi zinxhir i trashegimise se zones.
Ky është një koncept shumë i thjeshtë për t’u kuptuar dhe nuk është diçka që ne e kemi menduar dje. Ajo që mund t’iu them unë është se ne kemi punuar në Butrint për rreth 9-10 vjet dhe marrëveshja e parë që kemi nënshkruar për mbrojtjen e Butrintit ka qenë me ish-presidentin Berisha. Marrëveshja që ne kishim thotë se 90% e të ardhurave, që po krijoheshin në Butrint do të qëndronin në Butrint, për të njëjtën arsye që përmendëm më lart. Qeveria Berisha i kuptoi shumë mirë shqetësimet tona. Pra këto që po diskutojmë sot nuk janë arritur kohët e fundit, por ka qenë një përpjekje e vazhdueshme nga fondacioni për të luajtur një rol të përgjegjshëm për të mbrojtur një pjesë kaq të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. (M.G)
Fakt
VKM numer 450/ 1.Korrik.1998, Krijimi i Zyres se Administrimit te Butrintit. Krijimi i Bordit te Butrintit. Te ardhurat e Butrintit qendrojne 100% për Administrimin e Butrintit.
Marrëveshja e nenshkruar nga Ju me Qeverine Berisha qartesisht eshte bere pasi as Ju as keshilltaret tuaj nuk kane marre mundimin te lexojne se cfare eshte bere ne Butrint përpara interesimit tuaj per kete Qender, Pasuri Boterore e UNESCO-s.

Zëri i Amerikës: Kritikët thonë se marrëveshja erdhi pas ndryshimeve në Ligjin shqiptar për Trashëgiminë dhe pas hartimit të Planit të Menaxhimit të Butrintit, i cili u bë nga një kompani e huaj, por u financua nga Fondacioni që ju drejtoni. Si do t’u përgjigjeshit kritikëve për atë që pretendojnë se ju, pasi financuat një plan që propozoi modelin e menaxhimit të Butrintit me një fondacion, tashmë jeni pjesë e tij?

Michael Granoff: Në Butrint si dhe në shumë projekte të tjera ne po përpiqemi të sjellim modele të klasit botëror. Kur po mendonim se si ta mbrojmë Butrintin në mënyrën më të mirë, ne kërkuam nga bota ekspertë dhe njerëz me përvojë, duke mbrojtur dhe zhvilluar zona të tjera kulturore. Butrinti nuk është e vetmja zonë e rëndësishme kulturore për t’u mbrojtur në të gjithë botën dhe nuk është e vetmja për të cilën njerëzit duhet të punonin. Ne gjetëm ekspertët më të mirë dhe punuam me ta për të zhvilluar një program dhe një plan, që më pas duhej të mbështetej nga qeveria, jo nga ne. Ne ia paraqitëm planin qeverisë, e cila kishte gjithë të drejtën që ta pranonte ose ta refuzonte. Ndoshta qeveria kishte planin e vet ose të punonte me dikë tjetër, dhe për sa i përket fondacionit ne nuk kemi ndonjë detyrim që t’i dhurojmë këto para për Butrintin. Ne mund t’i dhuronim këto para diku tjetër. Ne nuk kishim ndonjë detyrim kontraktor, që t’i dhuronim këto para në Butrint. Ne hartuam planin më të mirë për të mbrojtur Butrintin. Ia paraqitëm këtë plan qeverisë. Ajo bëri kërkimet e veta dhe mund t’ju them se ky proces ka zgjatur me vite të tëra, duke u marrë me analiza ligjore, historike e shumë të tjera, për t’u siguruar që është diçka që ia vlen për vendin dhe i takon qeverisë dhe jo Fondacionit nëse duan ta miratojnë planin ose jo. Në fillim të këtij procesi, ligji i parë që u miratua tre ose katër vite më parë ishte unanim, nuk kishte asnjë kundërshtim. (M.G)
FAKT
1. Sipas deputetes se Kuvendit Znj. Ina Zhupa, Ligji për trashëgiminë Kulturore u miratua me 74 vota në Parlament dhe jo unanimisht, fakt ky që duhet marre parasysh.
2. Në kronikat televizive Z. Granof duket qarte ne lozhën e Parlamentit ku ka qendruar per te pare nëse Ligji i sponsorizuar prej tij do te kalonte ne Parlament.
3. Ne websit e AADF pranohet qartësisht se ky Ligj u financua dhe u mbështet juridikisht nga AADF. Juristja qe kreu këtë asistencë në emër të AADF sot është caktuar ne Bordin e AADF. (konflikt interesi)
4. Ligji i hap rruge administrimit të pasurive të Trashëgimisë Kulturore me anë fondacionesh ku ne rastin e Butrintit AADF vet ofrohet si Fondacion që kërkon të marrë në administrim Pasurinë Botërore të Butrintit. (Qartësisht konflikt interesi)
5. Plani i Menaxhimit është hartuar pa asnjë specialist shqiptar të cilët janë përjashtuar në mënyrë ekskluzive nga procesi.
6. Plani i Manaxhimit bie në kundërshtim me një plan tjetër të porositur dhe paguar po nga AADF për te cilin Z Granof nuk jep asnjë shpjegim se përse nuk u bë kurrë publik.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë roli konkret i Fondacionit shqiptaro amerikan në menaxhimin e Butrintit?
Michael Granoff: Gjëja e parë është se ne do të jemi kontribuues i madh kapitali për Butrintin. Ne do të dhurojmë 5 milionë dollarë për Butrintin, e cila bazuar në planin që kemi, është pothuajse dyfishi i shumës që qeveria do të dhurojë.
Fakt
Sipas marrëveshjes, Qeveria e Shqipërisë nuk do te dhuroje 2 milion usd për këtë proces, por do ti jape sipas marrëveshjes te drejten e mbledhjes se biletave dhe te ardhurave dytesore per nje periudhe 10- vjecare.
Pra nese Butrinti mbledh aktualisht 1.2 milion euro (minimalisht dhe sipas te dhenave te sotme 2.2 milion euro ne vit) cdo person me njohuri te thjeshta matematikore e di se ne fakt “Fondacioni Michael Granoff”, do mbledhe minimalisht 12 milion euro, maksimalisht 22 milion usd, plus 2 milion euro qe Butrinti ka sot ne arke. Pra minimalisht do te mbledhe nga Butrinti 3 fishin e asaj qe do te dhuroje maksimalisht 4.4 here me shume.
Ne ndihme te opinionit publik me duhet te sqaroj se AADF eshte krijuar nga AAEF (nje fond biznesi) ne 2009 me nje Mision mjaft specifik “(AAEF) is a non-political, not-for-profit U.S. corporation established pursuant to the Support for East European Democracy Act of 1989 (“SEED ACT”). Its primary purpose is to promote the private sector development of Albania.

In 2009 the AAEF created its legacy organization, the Albanian-American Development Foundation (AADF). The AADF’s mission is to facilitate the development of a sustainable private sector economy and a democratic society in Albania, and to contribute to stability in Southeastern Europe.”

Publiku shqiptar duhet te dije se AAEF eshte koncesionare e pashaportave te shtetasve shqiptare dhe vetem per vitin 2021 sipas revistes Monitor, fitimi neto nga ky koncesion eshte 25 milion usd. Pra Z Granof duhet te theksoje edhe kete fakt per publikun pasi filantropizmi i supozuar ne Butrint eshte nje shume modeste ne krahasim me fitimin koncesionar qe del nga xhepat e shqiptareve.

Pra gjëja e parë që do të bëjmë është që do të jemi dhuruesit më të mëdhenj të Butrintin. Gjëja e dytë që do të bëjmë është që të sigurohemi se projekti të funksionojë në mënyrën e duhur. Do të jemi pjesë e bordit të menaxhimit, por ne nuk kemi në asnjë formë kontroll mbi këtë bord. Qeveria ka kontroll mbi bordin, qeveria emëron anëtarët e bordit dhe zgjedh se kë do të emërojë. Ne nuk kemi asnjë rol në emërimin e anëtarëve të bordit. (M.G)
Fakt
Bordi i Butrintit
Martin Mata BashkeDrejtor i AADF
Aleksander Sarapuli BashkeDrejtor AADF
Prof. Richard Hodges arkeolog anglez i sjelle ne Bord nga AADF
Flonja Tashko Borici, juriste, ndihmese e ceshtjeve jurdike per ligjin e financuar nga AADF
Elva Margariti Ministre e Kultures
Drejtor Egzekutiv Lorenc Bejko 20 vjet asistent i Prof Richard Hodges.

Ne do të ulemi në atë bord që të sigurohemi që të mbrojmë investimin tonë dhe të përpiqemi që Butrinti të ruhet dhe të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kjo është një gjë që çdo donator i përgjegjshëm do ta bënte. ( M.G)
Fakt
Konventa e Parisit UNESCO 1972, e krijuar nga fryma e dy Presidenteve Amerikan Ted Rusvelt dhe John Kenedy, ben pergjegjes Palen Shtet per te “ruajtur mbrojtur dhe lene ne trashegimi brezave te ardhshem pasurine kulturore” Fondacioni Michael Granoff bie ndesh me frymen e dy presidenteve amerikane qe jane edhe doktrina e pengimit te neo kolonizalizmit ne fushen e Trashegimise Kulturore dhe Parqeve Kombetare.
Pozicioni që ne kemi në çështjen e Butrintit është i njëjtë me ato, që kemi në projektet e tjera. Kjo do të thotë që Butrinti nuk është një përjashtim nga çka është bërë deri tani, por është diçka që çdo donator i përgjegjshëm do të bënte. (M.G)
FAKT
Fondacioni Butrinti 1993 -2009 donatori kryesor i Parkut Kombetar te Butrintit asnje here nuk ishte pjese e Bordit te Administrimit te Butrintit.
Që ky projekt të funksionojë nuk mund të realizohet vetëm. As Fondacioni dhe as qeveria nuk mund ta bëjnë të vetëm, sepse nëse qeveria do ta bënte vetëm nuk do të kishte nevojë për kapitalet tona. Por së bashku ne mund të bëjmë shumë gjëra që asnjëri nga ne nuk mund t’i bënte vetëm. Aspekti tjetër është atraksioni i kapitaleve të huaja. Kjo ishte një pikë e rëndësishme sepse për një kohë të gjatë nuk do të limitohen vetëm me kapitalin që i ka mundësuar Fondacioni, edhe pse ne kemi dhuruar më shumë se 100 miljonë dollarë në Shqipëri, pra një shifër e konsiderueshme, por jo e mjaftueshme me çfarë mund të ofrojë qeveria. Me kalimin e kohës ne duhet të krijojmë partneritete me institucione të tjera financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, UN, me shtete të tjera si Britania që ka interes për të investuar, si dhe organizata të tjera që ndajnë të njëjtat interesa si ne dhe kërkojnë mënyra për t’u përfshirë në projekte, të cilat nuk kanë vetëm synime shumë të mira, por dhe përfitime nga kjo. (M.G)
FAKT
Butrinti ka pasur nje liste shume impresionuese te institucioneve nderkombetare qe kane ndihmuar ne kohe te veshtira. Por per te kuptuar me mire konceptin qe kemi “NE” pala kundershtuese e projektit te Zotit Granof, nga eksperienca ime mund te them se Butrinti nuk ka nevoje per fonde te shumta por per administrim te perditshem te konservimit, ambjentit, turizmit, komuniteteve te zones dhe lagunave.
Nje pjese e mire e ketyre aspekteve jane perjashtuar nga koncepti i Zotit Granof, qartesisht sepse ky koncept nuk ka asnje lidhje dhe asnje interes per te ndihmuar komunitetet perqark. Fakti qe Z Granof eshte i interesuar vetem per zonen A3, pra zonen ku vijne te ardhurat nga biletat tregon se koncepti I Z Granfo nuk ka lidhje me ruajtjen e teresise se Parkut Kombetar si dhe mbrojtjen e peisazheve historike te zonen se mbrojtur.
Pra ajo që të gjithë duam të shikojmë jo vetëm Fondacioni jonë por dhe gjithë investitorët anembanë botës është të shikojnë këtë lloj përgjegjshmërie. Pra nëse fondacioni ynë ndihmon për të ofruar këtë lloj përgjegjshmërie, nuk do të jetë vetëm fakti që projekti do të zhvillohet më mirë por do të tërheqë edhe më shumë njerëz dhe institucione, të cilët do të punojnë me ne, do të kenë mundësi ta zhvillojmë dhe ta përshkallëzojmë këtë projekt në të gjithë vendin. Ky është qëllimi ynë. Nuk duhet të harrohet që ne jemi një organizatë e përheshme, pra ne nuk do të qëndrojmë deri për zgjedhjet e ardhshme unë personalisht kam ardhur në Shqipëi këto 27 vitet e fundit dhe kur flitet për 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro amerikane ndjehem i vjetër duke menduar që për çerekun e kësaj periudhe kam qenë në Shqipëri. Dhe puna jonë sapo ka filluar. Ky fondacion do të vazhdojë të funksionojë edhe kur unë dhe i gjithë stafi të mos jemi pjesë e tij, edhe kur të ketë udhëheqës të rinj politikë. Me shpresën që do të bëjmë një punë të mirë, ky fondacion do të jetë një ndihmë për Shqipërinë, dhe nëse e bëjmë këtë puna e fondacionit tonë do të konsiderohet si një sukses i madh. (M.G)
Fakt
Marrëveshja per Fondacionin e ri te zotit Granof, thekson se kjo marrëveshje eshte e vlefshme vetem per 10 vjet. Ne intervisten e tij z Granoff qartwsisht thekson se do te rrijw nw Butrint per njw kohw shumw te gjatw, pra duke I hequr mundesinw autoritetit shtetwror dhe publik qw tw krijojw njw manaxhim twrwsisht shqiptar
Zëri i Amerikës: Plani i Menaxhimit të Butrintit, që u hartua së fundi, propozonte edhe heqjen e një pjese të zonës bredgetare të Ksamilit nga harta e Parkut Kombëtar të Butrintit (rreth 100-150 hektarë sipas Planit). Por Qeveria shqiptare në janar vendosi të heqë rreth 800 hektarë nga zona e mbrojtur e Parkut dhe në këtë zonë tashmë është miratuar ndërtimi i një resorti. Sipas raporteve të shtypit shqiptar, qeveria është gati për të miratuar resorte të tjerë. A cënohet integriteti i Parkut Kombëtar nga rreziku që zonat natyrore përreth tij të përfshihen nga ndërtime të vrullshme?
Michael Granoff: Unë mund t’u qetësoj që zona, në të cilën ne do të luajmë një rol, nuk ka asnjë veprimtari tregtare dhe nuk do të ketë kurrë veprimtari tregtare, nuk do të ketë asnjë hotel në atë zonë, pra s’do të ketë veprimtari tregtare të asnjë lloji. E vetmja ndërtesë, që ne po planifikojmë të ndërtojmë, është qendra e vizitorëve. Qendra e vizitorëve është çelësi i çdo zone të trashëgimisë kulturore. Pra mund t’iu siguroj që nuk do të ketë asnjë veprimtari tregtare në asnjë nga zonat që ne do të jemi pjesë. (M.G)
Fakt
Z Granof nuk i jep pergjigje pyetjes se Parku Kombetar i Butrintit eshte reduktuar ne teresine e tij me status te mbrojtur dhe planifikohet te reduktohet me tej vecanerisht ne zonen e Kep Stillo, nje vlere e jashte zakonshme e biodiversitetit, arkeologjise nen ujore dhe siperfaqesore. Mund te theme se Ligji dhe Marrveshja e negociuar nga Fondacioni I Michael Granoffit me Shtetin Shqipetar eshte teresisht nje eksperiment, fakt ky I pranuar nga Z Granof ne intervisten e tij televizive. Jo vetem qe ky model bie ndesh me modelet amerikane te manaxhimit te parqeve kombetare por duke qene nje model I panjohur do te bjeri ndesh me legjislacionin kulturor te BE-s. Lind pyetja ne cilin kontinent kerkon te na udheheqe zoti Granoff? Mos valle drejt Atlantides?
Një pikë interesante që është ngritur nga disa njerëz që e kanë parë zonën është mjedisi, i cili falë efekteve të ngrohjes globale, do të kemi një rritje të nivelit të detit, sidomos rreth e qark Butrintit. Një ekspert i arkeologjisë ka bërë një parashikim që në 50 vitet e ardhshme ¼ ose 1/3 e Butrintit do të jetë nën ujë. Par gjëja për të cilën ne duhet të shqetësohemi është rritja e nivelit të detit, që e dëmton këtë zonë. Një nga gjërat që ne mendojmë të bëjmë është t’i sjellim këta ekspertë, që të na ndihmojnë për barrierat natyrale, që mund të ndërtojmë, me qëllim që uji të mos ndikojë në këtë zonë në të ardhmen. ( M.G)
FAKT
Arkeologu ne fjale Prof. Richard Hodges isjelle ne Bordin e “Fondacionit Michael Granoff”, nje arkeolog i periudhes se mesjetes nuk ka asnje studim ne fushen e hidrografise apo bonifikimit te zonave arkeologjike. Si rrjedhim ky arkeolog nuk mund te merret ne konsiderate pa nje studim te specializuar nga specialistet e fushes. Mund ti them zotit Granof se plani i Manaxhimit te Butrintit i dhuruar prej tij Ministres Kumbaro, nuk ka asnje studim per kete ceshtje. Mund te shtoj per dijenine e zotit Granfo se ceshtja e nivelit te ujrave ne Butrint ka qene nje teme e njohur qe nga koha e Perandorit August, Kolonia e te cilit sipas te dhenave arkeologjike ka bere punime bonifikuese ne fushen e Vrines. Mund ti them Zotit Granof se ne periudhen e shtetit komunist, fusha e Vrines eshte teresisht e bonifikuar, shtrati lumit te Pavlles u ndryshua per te shmangur permbytjen e fushave dhe ne hyrje te zones arkeologjike ndodhet stacioni I fuqishem I pompave te hidrovorit. Po I theksoj te gjitha keto ne rastin kur arkeologu apo Bordi I Z Granoff do te kerkojne nje bonifikim te ri me Tender per te shpetuar permbytjen e Butrintit.
Ky është një shembull që tregon se me sa detaje po mendojmë për të ardhmen e Butrintit, dhe duam që kjo zonë të mos ketë prodhim karboni, duam të respektojmë mjedisin rreth Butrintit edhe në të ardhmen. Çfarë ndodh përtej kësaj nuk është pjesë e punës sonë dhe duhet të kujtoni se ne nuk jemi qeveria dhe ne nuk kemi kontroll mbi tokën në këtë vend, siç ne nuk mund të kontrollojmë nëse dikush do të ndërtojë në plazhin e Durrësit. Pra pyetjet që më bëtë për zhvillim tregtar jo në pjesën e Butrintit, ku ne jemi aktivë, është një pyetje shumë e mirë për qeverinë dhe është përgegjësi e qeverisë. Kjo është një pyetje lejitime për zonën e Butrintit, por jo në zonën, në të cilën ne do të jemi aktivë. (Grannof voa)
Fakt
Koncepti i mesiperm tregon qartesisht se Z Granof nuk ka asnje interes dhe deshire qe nepermjet ruajtjes se Butrintit te mbroje peisazhet historike te kesaj zone apo te ndihmoje komunitete përqark ne zhvillim ekonomik nepermjet ruajtjes se trashegimise kulturore. Si nje financier i mire, zoti Granof kerkon te kontrolloje zonen ku prodhohen te ardhura (ashtu si koncesioni i pasaportave) dhe jo detyrimisht te ruaje dhe te mbroje pasurine kombetare kulturore te shqiptareve. Fundi i fundit perse duhet qe Granofi & CO te beje kete gje? Ai eshte nje biznesmen amerikan te cilit per konjuktura politike, klasa jone udheheqese me servilizmin e saj te dukshem e ka bere te mendoje se mund dhe duhet te jete nje prokonsull i pa shpallur ne keto troje. E si per tja kenaqur deri ne fund egon e tij dhe per tu ndier me te vertete si nje “Romanus Proconsul Illyrici” tashme po i japin edhe Buthrotumin antik.

blank

Përkujtohet revolta e ish-burgut të Qafë Barit

VOA/Pëllumb Sulo

Në Shqipëri u përkujtua të dielën revolta e të burgosurve të ish burgut te Qafë Barit e 22 majit të vitit 1984 dhe dy prej organizatorëve të saj, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, të cilët, pas shtypjes me dhumë të revoltës, u ekzekutuan në fshehtësi. Vendi i ekzekutimit u zbulua vetëm 10 vite më parë. 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri ende nuk dihet vendvarrimi i më shumë se 4 mijë të ekzekutuar gjatë diktaturës.

Ish të burgosur politikë dhe familjarë të tyre përkujtuan të dielën revoltën e të burgosurve të Qafë Barit të 22 majit të vitit 1984, që së bashku me atë të burgut të Spaçit, tronditën regjimin komunist të kohës. Ata bënë homazhe në vendin ku u ekzekutuan dhe u varrosën në fshehtësi Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dy prej organizatorëve të revoltës së Qafë Barit. Vetëm dhjetë vite më parë, pas shumë kërkimesh nga familjarët, trupat e tyre u gjetën të groposura në mjediset e ish antenave të Radio Shkodrës, rreth 4 kilometra nga qyteti, që dyshohet se është një nga vendekzekutimet e shumta, ku fshiheshin gjurmët e krimeve të komunizmit. Drejtuesi i shoqatës për integrimin e ish të burgosurve politikë, Besim Ndregjoni, thotë se shoqëria shqiptare nuk duhet të mbetet vetëm në kujtimin e tyre.

“Kemi ardhur të përkujtojmë dy viganë të lirisë, dy djem të rinj, Sokol Sokolin dhe Tomë Ndojën, të cilët, në vitin 1984, me revoltën e Qafë Barit, si kundërshtarë të atij regjimi, sakrifikuan jetën e tyre në moshë të re, nën tortura çnjerëzore të xhelatëve të komunizmit. Por, këta viganë sot nuk duhet të mbeten vetëm në përkujtim”.

Pjesëmarrësi në revoltën e Qafë Barit, Hysen Haxhiraj thotë se kushtet çnjerëzore të punës në ish-burgun e Qafë Barit, detyruan ish të burgosurit të ngriheshin në revoltë.

“Morën jetën e dy djemve të mrekullueshëm, njëri nga Dukagjini e tjetri nga Tropoja, vetëm e vetëm për vagonat e bakrit që i donin këta për të marrë floririn”.

Bedri Blloshmi, ish i burgosur i Qafë Barit, është autor i librit “Revolta e Qafë Barit dhe terrori komunist 1943 – 1990”. Në këtë libër ai sjell dëshmi të dhunës që shoqëroi shtypjen e revoltës së të burgosurve të Qafë Barit.

“Në këtë revoltë u dënuan 12 veta, dy u pushkatuan dhe dhjetë të tjerë u dënuan me dënime të ndryshme, 25, 24, 23 vite dhe ua shtuan dënimin”.

Megjithëse kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, shumë prej familjarëve të të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq, vazhdojnë të kërkojnë trupat e të afërmve të tyre. Simon Miraka, nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish Sigurimit, thotë se janë të pakta gjurmët që çojnë në vendin e ekzekutimit të tyre.

“Deri tani, në dosjet që ne kemi shfletu, janë 5 vjet që unë jam anëtar i Autoritetit, nuk kemi gjet skica, harta të këtyre ekzekutimeve. Kemi mbledhur dëshmi të njerëzve, familjarëve të tyre, që na kanë dhënë informacione dhe, shpresojmë që shumë shpejt do të dalë një VKM dhe do të fillojnë gërmimet sipas informacioneve që kemi marrë”.

Pas 30 vitesh, gjurmët e krimeve të komunizmit thuajse janë fshirë, terreni dhe infrastruktura kanë ndryshuar, politikanët kanë humbur interesimin e viteve të para, ekzekutorët dhe dëshmitarët kanë ndërruar jetë në pjesën më të madhe dhe, bashkë me to, janë fshirë edhe gjurmët e vendekzekutimeve dhe vendvarrimeve të kundërshtarëve poltikë.

Besim Ndregjoni thotë se “prandaj sot, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja nuk janë të qetë, sepse kanë edhe 6 mijë bashkëluftëtarë të tyre që nuk j’u kanë gjetur eshtrat.”

blank

MAKTHI I FUQISË… (“Arcana imperii” për prerjen e Ballkanit) – Nga REX KASUMAJ

Maj 2022, Berlin
1.
Kronikë
Menelau e Odiseu u nisën njëj misioni të vështirë diplomatik në Trojë. Deshën prapa Helenën e bukur. Të  rrëmbyer përtej durimit për nderin e shkelur. Por dështuan. Dhe lufta eTrojës nuk do t’shmangej dot.
Këtej i frymëzuar, Ati i Letrave të vjetra Homer, i cilësonte diplomatët “Angeloi”! E kthyer shqip domethënë ëngjëll. Dhe këta ëngjëj do të gëzonin kryehershëm privilegje sakrale.
Por ndër vite më të lashtë, kronikat shënojnë fille të kasnecërisë së veçantë mbretërore.
Në vitin 14-të, para Zotërisë, një mesazher shtegtar kish marrë një porosi të lartë sovranore. Dhe, pa vonuar mori udhën e gjatë. Duhej t’a dorëzonte lutjen e rëndë të Faraonit: i kërkonte vajzën për harem mbretit të Babilonisë…
Arkivi i mbretit të madh Assyr, (600 vjet para Zotërisë) Assurbanipal ishte poashtu plot, qindra relacione diplomatike. Lajmësi i tij, fjala vjen, i çonte Notë sovranit babilonas Elam: më dërgo refugjatë robër. Se, ndryshe, do t’ju asgjësoj përtokë, ashtu si pararendësin tuaj….
Mirëpo, shumë kohë më pas, ishte Bizanti që do t’themelonte diplomacinë e parë profesionale në botë.
Europa mesjetare kuptohej aherë, së paku teorikisht, Njësi unike: Res publica cristiana! Ndaj, kjo do të shenjohet si Orë e lindjes së shtetit modern në botë!
Mirëpo, bashkë me të, do të lindte dhe e famshmja diplomaci e zezë. Ndaj dhe moralisti i shquar frëng La Bruiére, përskajonte diplomatët kameleonë t’pakarakter. Ndërkohë që Egon Friedell (në ” Historia e kulturës…”) i portretonte ende më pamëshirshëm. Janë, thotë, mercenarë që  spiunojnë, mashtrojnë, gënjejnë a korruptojnë për “atdhe”…Veçse atdheu janë qeveritë e regjimet mbi krusmën e kombeve të tyre….
Dhe diplomatët, ndërkaq, do të dilnin ashtu ngadalë nga “Angeloi”, nga prehja e fisme homerike.
2.
Fshehtësitë e mesazherëve
“Arcana imperii” ishte parimi antik i diplomacisë.
Shekuj do përftonin dhe njerëzia mbahej në hekura injorance nga ky parim i errtë.
Në luftën e parë të botës, kur ajo mbaronte, një filozofi e re humaniste dukej se dritëronte pak vjedhshëm.
Një nga 14 pikat e Deklaratës së Wilsonit në Paris, kërkonte të shpallej botërisht çdo akt, bisedë e traktat nga takime a konferenca në kështjellat e hijeve. Madje, anise kundërshtarë, gati armiqë, dërgatarët e Sovjetëve, do të mbështesnin këtë iluminim amerikan. Në shtypin moskovit publikohej çdo fjalë, pozicion a rezolutë që ekspononte Rusia bolshevike.
Por kjo çiltëri entuziaste, s’do mbijetonte gjatë. Do tretej pikërëndesë e Wilsonit, poaqsa zotimet proletare të Kremlinit.
Dhe “arcana imperii” (fshehtësia e sundimit) do riveshte frakun e zi për të kultivuar cinikisht terrorin e bardhë të buzqeshjes salloneske…
Sot e gjithmonë!
3.
Ballkani i ri…
Karakterologët, një soj specialistësh të promovimit rrezatues, njohin lëvizje, shikim, mbajtje duarsh, tonalitete zëri, formë të uljes a mënyrë e çast të buzëqeshjes…
Mbase ky tip këshilltarësh do t’i kenë thënë Macronit: duhet të mësosh qëndrimin dhe mimikrinë, sepse je Prijës i Europës.
Dhe ai do t’i dëgjojë ata. Me disiplinë e shpresë. Paksa ngjashëm me ndjesinë dhe ngutin e despotëve. Se koha, orët e numëruara të saj, ikin shpejt.
Me të hyrë në Elize pas ikjes së Hollande, mori një hov arrogant: Natos i është tharë truri, tha, dhe Europa duhet të ketë ushtrinë e saj. Por ideja do të thyhej në muret granitike të indiferencës gjermane.
Kam shkruar disaherë për Francën e Macron-it, ky pseudoeuropeist i thekur.
Më tinëzar se dhelpra, qysh në fill niste rizgjimin e gjeopolitikës së vjetër nga dremitja e lehtë.
Do t’i jepte poashtu përmasë të re diplomacisë jopublike. Fliste për Europën dhe integrimin e Ballkanit perëndimor, por në fakt i mendonte kufijtë komunitarë vetëm deri në Vjenë.
Tani prapë, njëj elani dhe ëndrre madhështie. Nëse Putinit i shfaqet hijadhë Ivan Grozni, ky do të deshte lavdinë e një Lui të munguar 17-të. Fundja, si shkruante Prever, vallë kaq pak dinin të numëronin, vetëm deri në 16-të?…
Tani që lufta e Ukrajinës i ktheu trurin Natos, Macron qarkullon një ide tjetër: kërkon Atllas të ri politik të Europës.
Koncepti i dy shpejtësive u dogj. Për t’i harruar, ai do të nismëtonte idenë e dy Europave.
Njëra, Bashkimi që njohim dhe tjetra, e reja, periferike, e subordinuar e njëj kulture gjysmëorientale, do shtrihej në margjinë, poshtë këmbëve të së parës.
Një kohë, fortafolës disonantë të Brukselit flisnin për një ritëm të shpejtuar integrimi që ballkanësit perëndimor të shkëputeshin nga influenca ruso-kinezo-turke. Këtë intencë do të kishte dhe njohja e Kosovës nga shteti i fortë i Izraelit.
Me Jerusalemin në qendër, natyrisht!
Por në optikën e Macronit kjo zonë e hirtë ballkanëse përbëhet nga shtete të pakryer. Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia…a nuk kanë të gjitha cenet e, ndaj, aspiratat e veta?
Por sëpata e shantazhit, rëndom, bie mbi ata që i dalin m’udhë Serbisë, mikes së hershme nga koha kur ajo (Zhorzh Klemanso) cilësohej ngordhësirë e aleatëve.
Prandaj mesazhi godet prerë: në doni Europë, aherë shtegtimi n’për Belgrad do kalojë. Tashmë në formën dhe staturën e Piemontit mbi një organizëm të ri nëneuropian që do t’restaurojë fijelidhjet e Jugosllavisë së vdekur.
Dhe pa ithtarë, madje të ndërkryer deri në trathti, ky përbetim nuk është, mjerisht.
Rama i Tiranës bën ekzemplarin përmendoral të saj.
R.
blank

Lakmitarëve që mbajnë emra organizatash, shoqatash dhe të partive me aktivitet zero Nga Nue Oroshi

 

Demokracia iu mundëson veprime të papergjegjshme shumë individëve që jetojnë me paranoja psikologjike se janë dikushi edhe pse në të shumtën e rasteve nuk janë askushi! Kjo ndodh shpesh sidomos tek disa individ të cilët janë dashuruar në vetvetën pa i dashuruar askush. Me një fjalë ata thirrën në emra shoqatash,organizatash dhe partish pa pasur fare as përkrahës, as votues e as edhe ndonjë individ që i merr seriozisht.Të tillët që janë dashuruar në vetvetën pa i dashuruar askush shohin ëndrra me sy hapur dhe janë të përfshirë nga halucinacionet po sikurse i takojnë një puberteti që ju zgjat tërë jetën. Nuk është e rastësishme që të tillët më së shumti janë zhurmëtar të internetit të cilët çdo veprim të mirë të ndonjë organizate, shoqate apo individi e shikojnë më një xhelozi të papërshkrushme vetëm për faktin se nuk janë të zotët të nxjerrin macën nga përsheshi, apo të bashkojnë katër persona për një qëllim të përbashkët.E mira është se demokracia edhe të tillve ju jep mundësinë e veprimit por të gjorët nuk veprojnë asgjë.

Nuk veprojnë se ju mungojnë idetë, ju mungon angazhimi dhe ju mungon përkrahja nga shqiptarët që sot e kësaj dite e dinë mirë se në çfarë rruge të shkojnë. Personat e tillë që janë të dashuruar në vetvetën pa i dashuruar askush, i ke të shumtë edhe në diasporë. Ata paraqitën se përfaqësojnë ndonjë shoqatë, organizatë apo ndonjë degë të ndonjë partie politike që moti i kanë përjashtuar edhe partitë ku kanë gravituar për mos punë.Të tillët të rrahin patriotizëm me fjalë. Dhe kur i pyet se kur ka qenë aktiviteti i fundit i tyre në shoqatën, organizatën apo partinë që e përfaqësojnë ata nuk kanë përgjigje. Nuk kanë përgjigje për faktin se nuk kanë zhvilluar aktivitet.E në mungesë të zhvillimit të aktivitetit tipat e tillë kanë kohë që të kritikojnë në internet veprimtarët kombëtar. Fati është se shkrimet e tyre nuk i lexon askush. Të tillët është mirë të reflektojnë dhe mos të thirrën në parti, organizata, shoqata që fare nuk kanë aktivitet dhe ti mbyllin ato.

Është njerëzore që çdo kush nuk e ka mundësinë të jetë i përkrahur në projektet dhe konceptet e tyre. Të përkrahësh nga masa e gjerë duhet të kesh edhe ide dhe projekte të sakta se ku e ke venë pikën në realizimin e këtyre koncepteve ideore që dëshiron ti zbatosh në praktikë.Të kritikosh është shumë njerëzore se kritika e qon përpara shoqërinë. Por të kritikosh nga xhelozia e arritjes së tjetrit është shumë djallëzore për faktin se e tregon vogëlsinë tënde në raport me madhështinë e atij që e kritikon.Një fjalë popullore shqiptare thotë shumë qartë: ” Mos ja shiko gunën po kqyrja punën”. Puna flet vet. Ajo nuk ka nevojë për propagandë por përcillet në mënyrë të rrufeshme.

Për të ardhur deri tek një sukses duhet edhe angazhim i madh, një lodhje e madhe dhe qindra e mijëra orë të humbura qoftë në aspektin e përgaditjes së punimeve shkencore, qoftë në aspektin e organizimeve kombëtare ku duhet përpiluar planin që çdo gjë të shkon sipas programit që është paraqitur. Nuk thuhet kot se për ta kritikuar një libër që mendon se është i dobët duhet ta shkruash një tjetër më të mirë. E për ta shkruar tjetrin më të mirë duhet mijera ore punë dhe studime. Lakmitarëve që jetojnë në halucinacione dhe që mendojnë se bëjnë diçka pa bërë asgjë është mirë që mos ta mashtrojnë vetvetën.Ta mashtrosh vetvetën është shkalla me lartë e marrisë.

Është shkalla më e lartë e marrisë se mendon se njerëzit e tjerë nuk dinë asgjë por në fakt ata janë më të menqur se ti se të kanë lanë të vetmuar të përpëlitesh me dëshirën tënde, dhe te jetosh me mendimin se je më i miri. Por në fakt je vetëm një përson i humbur në  mjegullnajë. Gjatë aktivitetit tim 32 vjeçar në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare më ka rastisë të takoj mijëra aktivist, veprimtarë dhe ideolog të çështjes shqiptare. Është interesantë se ata që kanë punuar dhe punojnë me devotshmëri për çështjen shqiptare shumë pak i sheh të rrahin gjoks se e kanë kryer këtë apo atë punë. Ata pa e kryer ende punën e parë e fillojnë projektin për realizimin e punës së dytë.Dhe gjithmonë janë në levizje se si ta dërgojnë përpara çështjen shqiptare.

Kurse halucinacionistët ata nuk punojnë gjë. Shikojnë në mbrëmje se ku munden ta bëjnë një kritikë që t´iu shënohet emri dikund që kanë shkruar diçka edhe pse nuk kanë  thënë asgjë.Të tillët janë shumë të zëshem të thonë diçka që është në hap me kohën.Dhe kur flet për projektin e realizimit të Bashkimit Kombëtar shqiptarë të rrahin patriotizëm se thua ky vërtetë qenka një patriot i madh. Kur e pyet se sa vjet i ke dhe të thotë  50,60 apo 70 dhe i thua se sa vjet i ke dhënë projektit të Bashkimit Kombëtar nga jeta jote?! Ata nuk kanë përgjigje. S´kanë përgjigje për faktin se nuk e kanë lëvizë asnjë gurë në atë drejtim. Lakmitarë hiqni dorë nga halucinacionet dhe ëndrrat tuaja se jeni dikushi! Mos krenohi me emra të shoqatave ,organizatave, apo partive që kanë vetëm emrin dhe nuk kanë asnjë aktivitet kombëtar. Të gjithë ata që mendojnë se përfaqësojnë emra shoqatash,organizatash partish duhet se paku të ulën para kompjuterit dhe të bëjnë një analizë 10 vjeçare të punës që ka zhvilluar ai organizim që përfaqëson. Nëse aktiviteti është zero mbyllne atë organizatë,shoqatë apo parti dhe kaloni ose në jetën private ose bashkohuni ideologëve që janë duke ecur përpara. Deshira për të kryer një punë, dhe realizimi i punëve të kryera janë dy botra dhe një kufi i madh që i ndan në mes. Çështja shqiptare don punë konkrete. Armiqtë tanë e kanë hapur anë e kënd propagandën edhe në Evropë dhe në Amerikë dhe po dojnë me zhbë shqiptarinë. Ne duhet ti dalim në mbrojtje më të gjitha mjetet e mundshme, dhe ta formojmë një organizatë të fortë kombëtare e cila do të dinë ti kanalizoj dhe të udhëheq përpara strategjinë e veprimit kombëtarë, dhe të ndërtoj rrugën e bashkimit kombëtar në një shtet të përbashkët. Për këtë duhet bashkuar intelektualët, atdhetarët dhe profesionistët që kanë një vizion kombëtar por që e kanë edhe mendjën e shëndoshë që bashkimin kombëtar ta realizojmë sa ma shpejt që është e mundur.I kuptoj edhe personat që jetojnë në botën e halucinacioneve por halucinacioni i tepruar paraqët devijimin në sjellje, kurse devijimi në sjellje paraqët delikuencën. E shqiptaria nuk ka nevojë për delikuentë por për intelektual atdhetar që ja kushtojnë jetën bashkimit të trojeve shqiptare me angazhimin e tyre konkret deri në realizimin e projektit të atdhetarëve tanë për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët.

blank

“Gabimi rus” që ndryshoi mendësinë në Finlandë dhe Suedi

Protestë kundër luftës në Ukrainë. Stokholm, mars, 2022.

Valona Tela

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka gjasa të përjetojë zgjerimin më të shpejtë në historinë e saj mbi 70-vjeçare. Finlanda dhe Suedia kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimet për anëtarësim në NATO, më 18 maj, për t’i dhënë fund statusit të tyre të gjatë neutral.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se i mirëpret ngrohtësisht kërkesat e dy vendeve.

“Ju jeni partnerët tanë më të afërt dhe anëtarësimi juaj në NATO do ta rrisë sigurinë tonë të përbashkët. Aplikimet që keni bërë sot, janë një hap historik. Aleatët do t’i shqyrtojnë tani hapat e ardhshëm drejt NATO-s”, ka thënë Stoltenberg.

Negociatat e anëtarësimit pritet të zgjasin vetëm disa javë, marrë parasysh se Finlanda dhe Suedia janë partnere të NATO-s qysh në vitin 1994 dhe, gjatë viteve, kanë kontribuar vazhdimisht në misione të udhëhequra nga NATO-ja.

Ato tashmë i plotësojnë kriteret e anëtarësimit, duke qenë demokraci funksionale, duke pasur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, kufij të qartë dhe forca të armatosura në hap me aleatët. Megjithatë, të 30 anëtarët aktualë duhet të ratifikojnë anëtarësimin e tyre dhe ky proces mund të marrë më shumë kohë.

Procesi i ratifikimit për Maqedoninë e Veriut – vendin e fundit që është pranuar në NATO, më 2020 – ka zgjatur rreth një vit, ndërsa negociatat e anëtarësimit me një vend aspirues mund të marrin edhe vite kohë.

Për Finlandën dhe Suedinë, tash për tash, vetëm një vend thotë “jo”: Turqia. Kundërshtimet e saj kanë të bëjnë me çështjen e disa figurave kurde, që Helsinki dhe Stokholmi refuzojnë t’i ekstradojnë. Por, përkundër kësaj, Shtëpia e Bardhë ka shprehur bindjen se dy vendet aspiruese do të anëtarësohen shpejt në aleancën ushtarake të NATO-s.

“Jemi të bindur se në fund të ditës, Finlanda dhe Suedia do të kenë një proces efektiv të anëtarësimit [dhe] shqetësimet e Turqisë mund të adresohen”, ka thënë këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Finlanda dhe Suedia kanë qenë ushtarakisht neutrale që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, lufta e Rusisë në Ukrainë ka lëkundur në themel pikëpamjet e tyre për sigurinë. Nëse Kremlini ka pushtuar Ukrainën – vend me 44 milionë banorë dhe mbi 200 mijë ushtarë aktivë – çfarë mund ta ndalojë atë nga pushtimi i vendeve më të vogla, si Finlanda dhe Suedia? E para ka 23,000 forca aktive, e dyta 16,000.

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, shteti i së cilës ndan mbi 1,300 kilometra kufi me Rusinë, ka thënë se “gjithçka ka ndryshuar kur shteti rus ka pushtuar Ukrainën”. Mendësia e njerëzve në Finlandë, por edhe në Suedi, ka ndryshuar në mënyrë dramatike, sipas saj.

Që nga 24 shkurti, kur edhe ka nisur lufta në Ukrainë, mbështetja publike për anëtarësim në NATO në Finlandë është rritur nga rreth 30% në gati 80% në disa sondazhe. Në Suedi, shumica e qytetarëve mbështesin po ashtu anëtarësimin në NATO, tregojnë sondazhet atje.

NATO funksionon mbi bazën e Nenit 5, i cili thotë se sulmi në një vend anëtar të NATO-s nënkupton sulm kundër të gjithëve dhe, rrjedhimisht, nxit përgjigje kolektive.

Disa ekspertë ushtarakë thonë se Rusia nuk e ka sulmuar Ukrainën për shkak të dëshirës së saj për t’u anëtarësuar në NATO, por për shkak të mosqenët të saj në NATO. Sikur Ukraina të ishte në NATO, Rusia do të duhej të hynte në luftë kundër gjithë aleancës. Ky është edhe mësimi që kanë nxjerrë Finlanda dhe Suedia pas 24 shkurtit.

Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Duke sulmuar Ukrainën, Rusia i ka shtyrë këto dy vende – tradicionalisht neutrale – drejt NATO-s. Ky është gabimi i vetëm këtu. Rusia natyrisht se do të kërcënojë, do të ankohet, por nuk ka asgjë që mund të bëjë kundër Finlandës ose Suedisë”.

“Ushtrisë ruse nuk i ka mbetur asgjë, përveç armëve bërthamore, që mund t’i përdorë si kërcënim kundër Suedisë ose Finlandës. Por, sigurisht, nuk do t’i përdorë armët bërthamore atje. Këto janë kërcënime boshe, të zbrazëta, ashtu siç janë shumica e kërcënimeve të Kremlinit”, thotë Hodges.

Moska ka kërcënuar tashmë se do të ndërmarrë hapa hakmarrës kundër Finlandës dhe Suedisë. Zyrtarët rusë kanë thënë se do të detyrohen të forcojnë mbrojtjen në Baltik, duke vendosur edhe armë bërthamore. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, zgjerimi i NATO-s nuk do të sjellë më shumë stabilitet në Evropë.

Por, gjenerali Hodges thotë se do të ndodhë e kundërta: kontinenti evropian do të bëhet më i sigurt me anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në aleancë.

“Të dyja vendet kanë ushtri relativisht të vogla, por shumë efektive dhe profesionale. Të dyja mund t’i mobilizojnë me shpejtësi rezervistët, sidomos Finlanda. Gjatë dekadave – siç mund ta imagjinoni – atyre u është dashur ta përsosin këtë proces, dhe është shumë mbresëlënëse. Ato do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe raketore në rajon. Pra, Deti Baltik dhe, në fakt, gjithë rajoni i Arktikut bëhet më i sigurt”, thotë Hodges.

Harry Nedelcu, ekspert i NATO-s dhe drejtor i politikave në Institutin Rasmussen Global, thotë për Exposenë se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO, përveçse do të rrisë sigurinë, do të dërgojë edhe dy mesazhe të fuqishme në Kremlin:

“I pari tregon se agresioni nga Rusia nuk shpaguhet dhe se Rusia do të ketë më shumë NATO, jo më pak NATO”.

“Dhe, i dyti, është për t’iu demonstruar njerëzve atje, por edhe gjithë botës se vendet janë të lira që të krijojnë vetë politikën e tyre të jashtme. Politika e jashtme nuk mund të mbahet peng nga një fuqi e huaj”, thotë Nedelcu.

Ai shton se kërcënimet e Rusisë duhen trajtuar seriozisht, por nuk beson se mund të ketë sulm direkt kundër Finlandës ose Suedisë.

“Padyshim se ka gjëra që rusët mund t’i bëjnë, e që mund të jenë nën pragun e një sulmi konvencional. Ata mund të kryejnë sulme hibride, të bëjnë fushatë dezinformimi, të ripozicionojnë asete, përfshirë në rajonin e Kaliningradit. Pra, mund të bëjnë veprime të tilla”.

“Megjithatë, një sulm konvencional kundër këtyre dy vendeve – marrë parasysh situatën e vështirë në të cilën ndodhet Rusia në Ukrainë – nuk ka gjasa për momentin”, thotë Nedelcu.

Suedia dhe Finlanda kanë marrë garanci për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, në rast se sulmohen përpara se të bëhen anëtare të plota të NATO-s. Ndërkaq, kryeministri britanik, Boris Johnson, ka nënshkruar marrëveshje për sigurinë me homologët e të dyja vendeve.

“Suedia, Finlanda, gjithsesi, janë pjesë e familjes sonë të vendeve liberale demokratike. Sigurisht se do t’i ndihmojmë në rast të sulmit ose fatkeqësisë”, ka thënë Johnson.

Putin, pa asnjë bazë, pretendon se NATO-ja kërcënon sigurinë kombëtare të shtetit rus. Përpara se të urdhëronte pushtimin e Ukrainës, ai ka thënë se NATO-ja i është afruar shumë Rusisë dhe se ajo duhet të largohet në kufijtë e viteve 1990, kur disa vende, qofshin fqinje të Rusisë, qofshin ish-sovjetike, nuk kanë qenë ende anëtare të aleancës. NATO e ka hedhur poshtë këtë kërkesë dhe vazhdimisht mohon se Rusia është shënjestër e saj.

Sot, kufiri tokësor i Rusisë me vendet anëtare të NATO-s është 1,215 kilometra i gjatë. Me anëtarësimin eventual të Finlandës në NATO, ky kufi do të rritet për 1,340 kilometra – aq sa është gjatësia e kufirit Finlandë-Rusi.

NATO është formuar në vitin 1949, për t’iu kundërvënë kryesisht kërcënimeve nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik. Vende themeluese kanë qenë 12, përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Sot, aleanca numëron 30 anëtarë, në mesin e tyre katër nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

blank

Hill: Kosova dhe Ukraina janë situata të ndryshme, Serbia duhet të vendosë për rrugën evropiane

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill është shprehur se ky është momenti që Serbia ka vetëm një rrugë, ajo është Perëndimi dhe Bashkimi Evropian (BE).

Hill për mediat serbe ka theksuar se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë, është situatë krejt ndryshe nga ajo e Kosovës në vitin 1999.

“Për dallim nga e kaluara, kur në Serbi mendohej se ekziston një rrugë e tretë, se vendi nuk është as Lindje e as Perëndim, se është disi e veçantë, se shkon në rrugën e vet, tani shumica e serbëve mendojnë se ka një rrugë të drejtë dhe një rrugën e gabuar dhe duan të zgjedhin rrugën e duhur”, është shprehur Hill.

Siç tha ai, Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të ketë “një ushtri të vetë-mjaftueshme dhe të blejë armë nga vende të ndryshme, apo t’i bashkohet mbrojtjes kolektive”.

“Serbët duhet të vendosin për këtë dhe mendoj se kanë vendosur që e ardhmja e tyre të jetë në Perëndim dhe jo në ndonjë Lindje të padefinuar. Të gjitha këto i them në bazë të asaj që dëgjoj çdo ditë nga njerëzit”, theksoi ai.

Hill bënë me dije se Ukraina dhe Kosova janë “situata shumë të ndryshme” dhe bëri thirrje që ajo që ndodhi në Kosovë në vitin 1999 të mos lidhet me atë që po ndodh sot në Ukrainë.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, ato janë vende fqinje. Serbët jetojnë në Kosovë dhe ka shumë gjëra në Kosovë që janë të rëndësishme për Serbinë. Fqinjët duhet ta zgjidhin këtë. Mënyra e duhur është dialogu dhe negociatat me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel”, tha Hill.

Ambasadori deklaroi se beson se të gjithë elementët duhet të jenë në tryezën e bisedimeve.

“Nëse flasim për integrimet euroatlantike, ato janë gjithashtu një element në atë tryezë të bisedimeve. Kur negocion, njëra palë dëshiron një gjë, pala tjetër dëshiron diçka tjetër, por atëherë duhet të flasësh për këtë”, ka përfunduar ai./KP

blank

JEMI ENDE TE PAFORMUAR PLOTESISHT SI KOMB E SI SHTET – Nga Thanas L. Gjika

E falenderoj Z. Klodi Stralla, i cili në fb e tij kishte hedhur këtë mendim: “Një popull bëhet Komb kur ka aftësinë të mbrojë një interes kombëtar dhe krijon Shtet kur fiton aftësinë të mbrojë një interes publik”.

Mendova se ia vlen të hapet një diskutim lidhur me problemin në se ne shqiptarët dhe shteti ynë meritojmë të quhemi Komb dhe Shtet në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj e shkrova këtë shkrim të shkurtër.

Një popull nuk mund të quhet Komb, por quhet Kombësi deri në atë kohë kur nuk mbron interesat e veta kombëtare. I tillë ka qenë populli ynë gjate Antikitet dhe Mesjetës, kur jetonte i ndarë në mbreteritë: Iliria, Epiri, Dardania, Maqedonia, dhe më pas kur jetonte nën sundimet e huaj romakë, bizantinë, sllavë, osmano-turk.

Kombësia shqiptare hodhi hapat e parë për kalimin në Komb gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur atdhetarët tanë rilindës kërkuan zyrtarisht krijimin dhe njohjen e një Vilajeti të vetëm shqiptar autonom nën suazën e Perandorisë Osmane. U kërkua që në këtë vilajet-shtet autonom të mësohej gjuha shqipe nëpër shkolla dhe të përdorej gjuha shqipe si gjuhe zyrtare krahas osmanishtes, ky vilajet të qeverisej prej nëpunësve shqiptarë, të kishte një mbikqyrës të qeverisë qendrore të Stambollit, shërbimi ushtarak i djemve shqiptarë të kryhej brenda vilajetit, etj.

Rilinësit tanë synuan të krijonin një gjuhë të përbashkët kombëtare, botuan gazeta e revista në gjuhën shqipe, mblodhën e botuan krijimtarinë gojore të popullit (folklorin) dhe u përpoqën ta përpunonin atë, lëvruan me sukses letërsinë kombëtare, hartuan tekste shkollore në gjuhën shqipe, hapën shkolla në gjuhën shqipe të njohura nga qeveria e Stambollit, etj.

Procesi i formimit të Kombit shqiptar eci ngadal deri në vitin 1912 kur ende ishim nën sundimin osmano-turk. Mirëpo coptimi i popullit shqiptar në disa shtete dhe krijimi dhe njohja e shtetit të pavarur shqiptar, Shqipëria Londineze, ku u përfshi më pak se gjysmën e popullit tonë, si dhe trazirat e jashtme e të brendshme politike, varfërisë etj, nuk ndihmuan për ecjen përpara në forminin e Kombit shqiptar dhe as në krijimin e Shtetit shqiptar. Qeveritë shqiptare dhe atdhetarët shqiptarë deri në vitin 1920, të ndodhur nën presionet e një ricoptimi të trojeve shqiptare, e kishin të vështirë të punonin për krijimin e Shtetit Kombëtar Shqiptar dhe për mbrojtjen e të drejtave qytetare të mbarë popullit shqiptar kudo ku ai jetonte.

Mbas vitit 1920 e sidomos gjatë kohës së Mbretërisë deri më 6 prill 1937 u bënë hapa të ndjeshëm drejt ngjizjes së Kombit shqiptar dhe të Shtetit shqiptar. Nëpër shkolla nxënësit mësonin e këndonin:

Edhe Flamuri kuq-e-zi

Do të valojë përsëri

Në Kosovë dhe Çamëri

Plol me gaz, me gaz, dhe në liri!

Kjo kënga ushqente në mendjen e bijve të popullit shqiptar ndjenjën e të qenit të ndërgjegjshëm se populli ynë ishte i coptuar dhe nuk e kishte realizuar detyrën e tij kombëtare: krijimin e Shtetit-komb. Po ashtu qeveritarët e politikanët shqiptarë të kësaj kohe e ngritën zërin për të mbrojtur të drejtat qytetare të popullit shqiptar si brenda dhe jashtë territorit të shtetit amë. Kujtoj këtu se mjaf ligje që u formuluan në atë kohë kishin frymë europiane. Po ashtu kujtoj dhe notat e shumta të protestave kundër shtypjes e shpërnguljes së popullit shqiptar të Camërisë në Turqi me pretekstin se shqiptarët myslimanë ishin turq, etj.

Ardhja në pushtet e Partisë Komuniste Shqiptare, e komanduar prej Partisë Komuniste Jugosllave e më pas prej Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e më pas prej Partisë Komuniste Kineze, e la në haresë nevojën e krijimit të Shtetit-komb shqiptar. Qeveritë shqiptare të kohës së diktaturës komuniste nuk interesoheshin për të mbrojtur të drejtat qytetare të popullit shqiptar jashtë territorit të Shqipërisë Londineze. Propaganda e kohës trumbetonte se problemet e popullit shqiptar që jetonte jashtë atdheut ishin probleme të shteteve ku ai jetonte dhe ne nuk duhej të përzjeheshim në punët e brendshme të atyre shteteve. Gjithashtu kjo propagandë na e mbushi mendjen e populli shqiptar ishte një Komb plotësisht i formuar dhe po lulëzonte si i tillë, etj.

Me pak fjalë gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe kohës së sotme, që është si bisht i saj, populli shqiptar nuk e ka përfunduar formimin e tij si Komb, po ashtu dhe shteti shqiptar edhe pse ishte dhe është i pavarur, nuk i ka kryer e nuk i kryen detyrat e veta si Shtet i mirëformuar.

Përderi sa qeveria shqiptare nuk krijon ligje për mbrojtejen e të drejtave qytetare të popullit shqiptar kudo ku jeton, Shqipëria nuk është Shtet i mirëformuar. Po ashtu mund të them edhe për shtetin e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut, ku populli shqiptar përbën shumicën. Ndërkohë edhe atdhetarët shqiptarë, qofshin studiues, gazetarë, opinionistë, etj përderi sa nuk punojnë për krijimin e Shtetit-komb Shqiptar, nuk ndihmojnë në realizimin e krijimit përfundimtar të Kombit Shqiptar.

Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë se ne shqiptarët, ende nuk jemi Komb dhe Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut ende nuk janë Shtet në kuptimin e plotë të fjalës, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për realizimin e këtyre detyrave që na ka lënë e kaluara, për ndryshe do të mbetemi pa ndërgjegje historike, pra jashtë kohës historike…

blank

Akuza nga Prishtina/ Rama- Vuçiç në shërbim të Rusisë me Ballkanin e Hapur

Në vend të një projekti përbashkues që synon t’i afrojë më pranë vendet e rajonit, Ballkani i Hapur sapo ka zyrtarizuar një ndarje dikur të paimagjinuar mes fqinjëve.

Në njërën anë të rreshtuar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përkatësisht Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski që evokojnë të mirat dhe përfitimet e hapjes së kufijve.

Në anën tjetër Kosova dhe Mali i Zi, që përmes dyshes presidenciale Gjukanoviç-Osmani janë në aleancë kundër politikave të ngjizura nga Rama dhe Vuçiç.

Përplasja u përshkallëzua këtë të mërkurë në Prishtinë, kur presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ishte në sintoni me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se nisma dublon rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe i hap rrugë ndikimit të Rusisë në rajon.

“Ballkani i Hapur është një inisiativë që rrodhi nga një moment depresioni që kaploi vendet e rajonit që menduan se është i pamundur integrimi europian dhe menduan se me ikjen e Merkel, integrimi europian është duke u shuar. Nuk mendoj se kjo është e saktë. Kemi një moment të mirë për integrimin”, ka thënë Gjukanoviç.

“Ballkani i Hapur unë mendoj që ka dëshmuar në muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim më të madh të Rusisë dhe atë ne duhet ta ndalojmë me çdo kusht dhe në vend se ta përshpejtojë ecjen e shteteve tonë në BE do t’i vendoste ato në një paradhomë pritjeje dhe do ta zgjaste integrimin, që nuk është në interes të rajonit tonë” tha Osmani.

Akuzat për hapjen e dyerve të Rusisë në kulmin e konfliktit në Ukrainë, kur perëndimi po përpiqet të ruajë me vështirësi unitetin, ka ngacmuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Për Ramën, dy presidentët nuk kuptojnë. Sipas tij, nisma nxit paqen, bashkëpunimin dhe integrimin.

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot” ka shkruar Rama, që më herët i ka quajtur konspiracione akuzat për ndikim nga Rusia.

Përplasja vjen pas disa deklaratave të kryeministrit të ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç që e sheh me pozitivitet Ballkanin e Hapur. Por Abazoviç e ka të pamundur të marrë vendim i vetëm, pasi qëndron në pushtet me votat e partisë Gjukanoviç.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve, Rama u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë partinë e Milo Gjukanoviç, por duket se marrëdhëniet tashmë kanë ndryshuar, për shkak të nismës që e afron atë me Vuçiçin. Serbia nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë, njësoj siç bënë vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA. Me korridorin që ka mundësuar “Ballkani i Hapur” mallrat kanë një rrugë të lirë nga Rusia për në BE dhe e anasjellta.

Për herë të parë në këto 30 vjet, Shqipëria është e pozicionuar diametralisht kundër Kosovës dhe në përkrahje të Serbisë mbi një projekt të tillë.

“Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga drejtuesit e shteteve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./Lapsi.al

blank

Fuqia e armëve nordike: Pajisjet ushtarake që Suedia dhe Finlanda do t’ia sillnin NATO-s

RFE/RL

Sistemi i Artilerisë Archer Foto:Ibaril (Creative Commons)

Përzgjedhja e Pajisjeve Ushtarake Vendase SA e armëve dhe automjeteve të prodhuara në vend, të cilat do të forconin arsenalin e NATO-s nëse Finlanda dhe Suedia janë të suksesshme në përpjekjet e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

blank
Automjeti luftarak 90 (Combat Vehicle 90 – CV90)

Automjeti i blinduar suedez është i veçantë për aftësinë e tij të pezullimit ” të amortizimit aktiv” bazuar në teknologjinë e garave të Formula 1, për t’iu përshtatur terrenit. Pezullimi i teknologjisë së lartë i jep automjetit një përparësi shpejtësie ndaj terrenit me gunga, por është i vështirë për t’u mirëmbajtur. Modeli bazë i automjetit CV90 është i armatosur me një auto-top që mund të gjuajë pesë predha 40 milimetërshe në sekondë.

blank

Bandvagn Skyddad 10 (BvS10)

Automjeti suedezo-britanik është i pajisur për të kaluar shtigje në shkretëtira, me borë ose moçale, që do të ishin të pakalueshme për shumicën e automjeteve ushtarake. BvS 10 është i blinduar, por mbetet mjaft i lehtë për të “notuar”, duke përdorur krahët e tij për të depërtuar ngadalë nëpër rrugë ujore. Ai mund të pajiset me një mitraloz të rëndë ndërsa granata-hedhësit (sipër dritares së përparme në këtë foto) mund të gjuajnë gjithashtu granata në copëza.

blank

155 GH 52 APU

Artileria e rëndë e Finlandës lëshon predha 155 milimetërshe– që shihet si kufiri i sipërm për predha të ngarkuara nga njeriu. Edhe pse e projektuar për t’u tërhequr nga një automjet tjetër, obusi 13.5 tonësh ka një motor të vogël, i cili mund të përdoret për të ripozicionuar distanca të shkurtra derisa është në fushë. E metë e kësaj arme raportohen “problemet serioze teknike”, të cilat nuk u zbuluan para se të shitej në Egjipt – i vetmi vend jashtë Finlandës që përdori këtë lloj arme.

blank

AMOS

Sistemi i avancuar i mortajës finlandezo-suedeze, këtu shihet e montuar në trupin e një Patria AMV (automjet i blinduar finlandez), është një mortajë me dy tyta që vihet në përdorim me ndihmën e një kompjuteri, që ka kapacitet për të zbrazur dhjetë fishekë mortajash në të njëjtin moment. Sistemi i automatizuar i qitjes lëshon dy fishekët e tij të parë në një hark të lartë, më pas vazhdon me më të ulëta të planifikuara për të siguruar që të gjithë fishekët të arrijnë njëkohësisht.

blank

Patria AMV

Automjeti modular i blinduar i Finlandës shërben si një platformë për armë të shumta të ndryshme, duke përfshirë armët me telekomandë që s’kanë nevojë për aktivizim nga dora e njeriut të pambrojtur. Automjeti ushtarak mund të transportojë deri në 12 persona dhe është treguar shumë i suksesshëm në tregun e eksportit me qindra automjete të shitura jashtë vendit. Versionet polake të AMV-së thuhet se iu përballuan goditjeve të drejtpërdrejta nga RPG, ndërsa ishin në betejë në Afganistan. Në vitin 2009, një ushtar polak u vra brenda njërit automjet pasi u godit nga një bombë skaj rrugës.

blank
95 S 58-61

Ky lloj i artilerisë rimorkiuese që u zhvillua në Finlandë në vitet 1950, por me municion kundërtank më të avancuar është në gjendje të shpojë më shumë se gjysmë metër në pjesën e blinduar. “Musti” është nofka e kësaj pajisjeje ushtarake që në gjuhën finlandeze do të thotë qen i zi. Kjo nofkë iu dha për shkak të zhurmës që ngjason me të lehurën e qenit dhe jo me zhurmën e zakonshme të këtyre llojeve të armëve. Pajisje lëvizet në mënyrë manuale nga ushtarët të cilët duhet ta vendosin në pozicione për të shtënë me të.

blank

Sistemi i Artilerisë Archer

Howitzeri i automatizuar i Suedisë, Archer, është në gjendje të parkojë, të kap cakun dhe të gjuajë brenda 30 sekondave, më pas të paloset lart dhe të “zbresë” sigurt në të njëjtën kohë. Sistemi hipermodern i artilerisë lëshon predha 155 milimetërshe, duke përfshirë predha të shtrenjta artilerie Excalibur të prodhuara në SHBA, të afta të drejtojnë veten me saktësi të mjaftueshme për të goditur një makinë 60 kilometra larg. Sistemi Archer përfshin një kamion të blinduar që mbron shoferin brenda nga zjarri dhe copëzat e armëve të vogla.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi

blank

Marrja e Azovstalit nga Rusia: Sukses simbolik apo Fitore e Pirros?

Todd Prince

Marrja e fabrikës së çelikut nga Rusia në Mariupol, ku qindra ushtarë përfunduan luftën e tyre pas një rrethimi rraskapitës, do të përfaqësojë një fitore simbolike për Kremlinin në këtë fazë të pushtimit të Ukrainës në vend të një përparimi të rëndësishëm ushtarak, thanë analistët.

Rusia veçse ka kontrolluar Mariupolin që nga mesi i prillit me përjashtim të 11 kilometrave katrorë të hapësirës së fabrikës Azovstal, ku qindra luftëtarë po qëndronin në tunelet dhe bunkerët nëntokë, teksa kjo fabrikë u shndërrua në simbol të rezistencës së Ukrainës kundër fqinjit shumë më të fuqishëm.

Analistët ushtarakë thanë se forcat e armatosura të Ukrainës nuk kishin asnjë shans real që t’i shpëtonin luftëtarët në bastionin e fundit të rezistencës në qytetin e shkatërruar pas pothuajse tre muajsh të pushtimit rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.

Mariupoli, qyteti i dytë më i madh në rajonin e Donjeckut, gjendet në një vend strategjik në brigjet e Detit Azov dhe shtrihet nga kufiri rus në lindje deri në kepin që lidh Ukrainën me Krimenë e kontrolluar nga Rusia. Marrja e këtij qyteti i mundëson Rusisë që të ketë një “urë tokësore” për në Gadishullin e Krimesë.

Ukraina njoftoi më 16 maj se u kishte bërë thirrje trupave të saj në Azovstal që të ndalonin së rezistuari. Ministria e Mbrojtjes tha se 264 luftëtarë, përfshirë edhe 53 të plagosur rëndë, u larguan nga fabrika dhe u dërguan në territore të kontrolluara nga rusët. Rusia, që paraqiti një numër të ndryshëm të ushtarëve, tha se ata “dorëzuan armët”.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 19 maj se 771 luftëtarë ukrainas në fabrikën Azovstal janë “dorëzuar” gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që numri i përgjithshëm i tyre të arrijë në 1,730 që prej 16 majit. Autoritetet ukrainase nuk e kanë konfirmuar një informacion të tillë.

“Në terma praktikë, fundi i rrethimit në Azovstal nuk e ndryshon shumë trajektoren e luftës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Robert Person, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Akademinë Ushtarake amerikane, West Point.

“Me kontrollin e pjesës tjetër të Mariupolit, që Rusia e ka bërë për disa javë tani, Kremlini veçse ka urën e tij tokësore për në Krime. Azovstali në të vërtetë në këtë aspekt nuk ka shumë rëndësi”, tha Person, i cili nuk përfaqëson Departamentin amerikan të Shtetit.

“Propagandë maksimale vendore”

Luftëtarët në Azovstal bënë që për disa javë mijëra forca ruse të përqendroheshin te ta, duke i dhënë ushtrisë ukrainase kohë që të luftojë dhe të zmbrapsë forcat ruse në zona të tjera të luftës, si për shembull në Kiev dhe përreth tij, si dhe në Harkiv, qytetit të dytë më të madh ukrainas, që gjendet në lindje të vendit.

“Edhe pse [presidenti rus, Vladimir] Putin do të përfitojë maksimalisht nga propaganda e brendshme për marrjen e Mariupolit, kjo është një Fitore e Pirros që vjen me kosto të madhe. Lufta e stërzgjatur në qytet ka ndikuar në fuqinë e ushtrisë ruse, në armatime dhe pajisje”, theksoi Person.

Udhëheqja ushtarake ukrainase tha se mbrojtësit në Azovstal e detyruan Moskën që të mbante afër 20,000 trupa në Mariupol, edhe pse disa raportime sugjerojnë se numri ishte jashtëzakonisht më i vogël. Rusia veçse kishte nisur largimin e trupave nga Mariupoli, teksa Azovstali u bë bastioni i fundit i rezistencës.

Mbrojtësit janë përballur me furnizime të pakta të ushqimit dhe ujit, por edhe të ilaçeve dhe pajisjeve kirurgjike. Fati i tyre u bë subjekt i lajmeve të përditshme në Ukrainë dhe jashtë saj, me thirrjet që ata të lejoheshin të largohen.

“Prania e atyre forcave në Azovstal ishte simbol se Ukraina nuk e kishte humbur krejtësisht fushatën dhe vazhdonte të paraqiste problem, me të cilin rusët duhet të merreshin”, tha Stephen Flanagan, ekspert në institutin RAND Corporation, me seli në Shtetet e Bashkuara.

“Një seri disfatash”

Zyrtarët, analistët dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë thënë se kur urdhëroi nisjen e pushtimit, Putin kishte pritur që forcat ruse ta merrnin shpejt kontrollin e Kievit dhe qyteteve të tjera kyçe ukrainase. Po ashtu, ata thanë se presidenti rus dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë besonin se forcat ruse në shumë raste do të mirëpriteshin krahëhapur.

Në vend të kësaj, forcat ruse janë përballur me rezistencë të ashpër dhe kanë përjetuar humbje të mëdha në njerëz dhe humbje të mëdha materiale. Ata u tërhoqën përgjatë kufirit në veri pasi dështuan që ta merrnin Kievin dhe nuk kanë qenë në gjendje që ta pushtojnë Harkivin. Po ashtu, forcat e Moskës po përballen me probleme në ofensivën e tyre në rajonet Donjeck dhe Luhansk, një zonë që njihet edhe si Donbas.

Forcat ruse kanë pësuar një prej disfatave të tyre më të mëdha në betejë, kur dhjetëra makina, përfshirë tanke dhe ndoshta edhe qindra ushtarë, u vranë nga forcat ukrainase, teksa forcat e Moskës tentuan që ta kalonin një lumë.

“Pas një seri disfatash, kjo është diçka që sigurisht se do të jetë një plus i madh për Putinin”, tha Glen Howard, president i Fondacionit Jamestown, me seli në Uashington.

“Një pjesë e madhe e kësaj lufte ka të bëjë me propagandën”, tha ai.

Mariupoli, shumica e të cilit është rrafshuar nga bombardimet ruse, është qyteti më i madh ukrainas që Rusia e ka marrë nën kontroll qëkur ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë. Më 21 prill, Putin e shpalli “të çliruar” qytetin edhe pse qindra trupa ukrainase ende po rezistonin brenda Mariupolit.

Rusia vazhdoi të sulmonte fabrikën me qëllim që të detyronte forcat që të kapitullonin. Ukraina ndoshta ka synuar që ta vazhdojë rezistencën në Azovstal deri pasi Rusia të shënonte Ditën e Fitores, në mënyrë që t’i mohonte mundësinë Putinit që ta përdorte si mjet propagande më 9 maj, kur shënohet mposhtja e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Faktori Azov

Por, Rusia tani mund ta prezantojë marrjen e Mariupolit dhe Azovstalit – ku shumica e luftëtarëve ishin të batalionit Azov të Ukrainës – si fitore të madhe.

Putin ka përdorur sfondin e ekstremit të djathtë të këtij batalioni në përpjekjet e tij për të justifikuar pretendimet e rreme se Ukraina udhëhiqet nga “nazistët”, një prej arsyeve kryesore që ai ka përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Batalioni Azov ishte formuar në maj të vitit 2014, disa javë pas shpërthimit të luftës midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare ukrainase në Donbas, pasi Moska aneksoi Krimenë.

I përbërë nga vullnetarët, ky batalion i ka rrënjët në ideologjinë e ekstremit të djathtë dhe në Shtetet e Bashkuara, shteti që mbështet më së shumti forcat e armatosura ukrainase, kishte ndaluar që armët amerikane të dërgoheshin tek anëtarët e Azovit dhe ua ndaloi që të merrnin pjesë në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja për shkak të ideologjisë së ekstremit të djathtë.

Azov dhe batalionet e tjera të vullnetarëve që ishin jashtë radhëve ushtarake, bënë luftime të ashpra në ditët e para të luftës në Donbas, dhe atëbotë pamundësuan që forcat e mbështetura nga Rusia të merrnin kontrollin e Mariupolit. Azov zyrtarisht u inkorporua në Gardën Kombëtare ukrainase më vonë më 2014.

Megjithëse, ky batalion përbën vetëm një pjesë të vogël të forcave luftuese të Ukrainës dhe nuk ka fuqi politike, Putin e ka përdorur sfondin e ekstremit të djathtë të kësaj njësie, duke i thënë popullit në Rusi se ushtarët janë dërguar në Ukrainë për t’i larguar neo-nazistët në këtë shtet fqinj.

Disa analistë thanë se ata presin që autoritetet ruse të paraqesin në televizionin shtetëror imazhin e ushtarëve nga Azovstali dhe t’i përdorin ata për të avancuar narrativët e rremë të Kremlinit.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, ka thënë se ka shpresë që luftëtarët do të mund të këmbehen me të burgosurit rusë të luftës, që mbahen nga Ukraina.

Por, Vyacheslav Volodin, aleat i Putinit nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar, i cili shërben si kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, pa ofruar ndonjë dëshmi, tha se në mesin e mbrojtësve të Azovstalit kishte “kriminelë lufte” dhe se ata, sipas tij, nuk duhet të këmbehen me të burgosur të tjerë, por duhet të dalin para drejtësisë.

Ndikimi ushtarak

Përtej simbolizmit, marrja e Azovstalit dhe Mariupolit do të ketë ndikim politik, por analistët thanë se ky ndikim do të jetë i kufizuar.

“Nuk pres që kjo të krijojë përparësi në masë të madhe për rusët, por gjithsesi se do t’iu ndihmojë pasi më shumë pajisje, më shumë furnizime do të mund të lëvizin më lirshëm dhe [Rusia] mund të përdorë ushtarët [që i kishte vendosur në Mariupol] në ofensivë në veri”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, një kolonel në pension i ushtrisë amerikane.

“Shumica e forcave ruse në Mariupol veçse janë dërguar në atë drejtim, por tani Rusia do të jetë në gjendje të dërgojë edhe trupat e mbetur”, tha Cancian, i cili është këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington.

Rusia, po ashtu, do të jetë në gjendje të hapë portin e Mariupolit për të lejuar që të vijnë furnizimet dhe pajisjet për forcat ruse brenda qytetit dhe në Donbas, rajon që tani është fokusi kryesor i ofensivës së Rusisë.

“Mariupoli ka një port të jashtëzakonshëm që do t’i ndihmojë logjistikës ruse, e cila ka qenë e tmerrshme gjatë kësaj fushate”, tha Cancian.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas thanë se anijet e fundosura ukrainase dhe minat po i pengojnë forcat ruse që ta rihapin menjëherë portin. Howard nga RAND Corporation, tha se Rusisë do t’i duhen muaj derisa të jetë në gjendje ta bëjë këtë port operacional për përdorim ushtarak.

Në mars, Rusia mori kontrollin e qytetit më të vogël në Detin Azov, Berdijanska dhe tani po përdor portin atje për të furnizuar forcat e saj.

Sa i përket vlerës simbolike apo të propagandës së fundit të rezistencës së Ukrainës në fabrikën e çelikut, “koha po kalon”, tha Person.

“Putin do të jetë në gjendje të përfitojë nga ky sukses derisa forcat ruse të përballen me pengesën e ardhshme të madhe, pas së cilës, Azovstal do të jetë një kujtim i largët për shumicën e rusëve”, tha ai.

“Por, për ukrainasit, kujtimi i rrethimit të Mariupolit do të shërbejë si një thirrje për brezat që do të vijnë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
blank

‘Azovstal, vendi i vdekjes dhe i jetës sime’ – Mesazhi i fundit i luftëtarit ukrainas që bëri fotot e mahnitshme

Një luftëtar ukrainas, i cili shpërndau një seri fotografish të fuqishme ndërsa mbronte uzinën e çelikut Azovstal në Mariupol, duket se është zënë rob nga forcat ruse.

Dmytro Kozatskyi kishte publikuar imazhe të ushtarëve të plagosur të ngujuar brenda uzinës së rrethuar të çelikut, të cilat zunë titujt kryesorë të mediave në mbarë botën.

Por në një mesazh të postuar në Twitter këtë mëngjes të premteje, ai shkroi:

“Epo, kjo qe e gjitha. Faleminderit nga strehimoret e Azovstal – vendi i vdekjes dhe jetës sime.

E meqë ra fjala, se jam në robëri, do t’ju lë foto me cilësinë më të mirë, do t’i dërgoj në të gjitha konkurset gazetareske dhe konkurset e fotografive.

Nëse fitoj diçka, do të jetë shumë bukur pas daljes.

Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Shihemi” – dhe në fund embyll mesazhin me dy fotot e fundit, më një zemër e kuqe në vend të pikës.

Image

Image

Image

Image

Image

ImageImage

Image

Image

Image

Image

Image

blank

Mbrojtësit e Azovstalit u urdhëruan të ndalonin luftën

Luftëtarët brenda Azovstalit.

 

RFE/RL

Ushtarët e fundit ukrainas, që gjenden brenda në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thonë se Kievi “i urdhëroi” ata të ndalonin luftimet, ndërkaq Rusia po intensifikon sulmin në Ukrainën lindore, duke synuar Donbasin, për të cilin Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se tani duket si “ferr”.

“Komanda e lartë ushtarake dha urdhrin për të shpëtuar jetën e ushtarëve të garnizonit tonë dhe për të ndaluar mbrojtjen e qytetit”, ka thënë për Telegramin, komandanti i batalionit që drejtonte ushtarët e Azovstal, Denys Prokopenko.

“Civilët u evakuuan. Të plagosurve rëndë u është dhënë ndihma e nevojshme dhe ata janë evakuuar, për t’u shkëmbyer më pas dhe për t’u sjellë në territorin e kontrolluar nga Ukraina”, shtoi Prokopenko.

Ai theksoi se procesi i transferimit të të vdekurve nga Azovstal është ende në vazhdim dhe se ai “shpreson që në të ardhmen e afërt, të afërmit dhe Ukraina do të jenë në gjendje të varrosin ushtarët e tyre me nder”.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se deri më tani, rreth 2000 luftëtarë ukrainas që ishin fshehur në fabrikën e çelikut, janë dorëzuar.

“Bllokada e fabrikës Azovstal vazhdon”, tha Shoigu. Nacionalistët po dorëzohen në mënyrë aktive në robërim”, tha ai, duke iu referuar luftëtarëve ukrainas. “Në këtë moment, 1908 persona kanë dorëzuar armët”.

Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar këtë numër.

Ushtarët që u larguan nga Azovstali, përfshirë edhe ata që ishin të plagosur, thuhet se u transferuan në territorin lindor të Ukrainës, i cili është nën kontrollin e seperatistëve që mbështeten nga Rusia.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se qindra luftëtarë ukrainas që u larguan nga fabrika Azovstal në Mariupol, u regjistruan si robër lufte.

Kryqi i Kuq thekson se regjistrimi i luftëtarëve si robër lufte është “i rëndësishëm për të siguruar që për ta të kihet kujdes dhe të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me dinjitet”, si dhe t’i mundësohet organizatës t’i përcjellë të kapurit dhe t’i ndihmojë ata që të mbesin në kontakt me familjet e tyre.

Kievi ka shprehur shpresën se luftëtarët do të shkëmbehen me të burgosur rusë, por autoritetet e mbështetura nga Moska në Donetsk kanë sugjeruar që disa prej tyre mund të gjykohen.

Zyrtarët lokalë ushtarakë në Ukrainën juglindore thanë se rreth 1000 automjete me civilë ukrainas u penguan të kalonin në territorin e Zaporozhye, i cili është nën kontrollin e Ukrainës.

Administrata ushtarake rajonale njoftoi më 20 maj se automjetet plot me njerëz, të cilët u përpoqën që të evakuoheshin, ishin bllokuar në një pikë kontrolli rus në qytetin Vasilivka.

Sipas autoriteteve lokale në Luhansk, të paktën 13 civilë janë vrarë gjatë një bombardim rus, në 24 orët e fundit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Ukrainës tha se deri më 20 maj, 232 fëmijë ishin vrarë dhe 427 ishin plagosur që nga fillimi i pushtimit rus.

Në një fjalim të rregullt drejtuar kombit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte “shkatërruar plotësisht” rajonin lindor ukrainas, Donbas.

“Atje është ferri dhe kjo nuk është një ekzagjerim”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës, duke përsëritur akuzën e tij se Rusia po kryen gjenocid, pretendim të cilin Moska e ka hedhur poshtë.

Shoigu tha më 20 maj se “çlirimi i Republikës Popullore të Luhanskut”, një territor në Ukrainë që Rusia e ka njohur si të pavarur dhe të kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Moska, do të përfundojë së shpejti.


Send this to a friend