Groenlanda dhe Sazani.
A është njëri nga këta dy ishuj që sot i ka zënë më së shumti diskutimet e ditës në opinionin publik shqiptar?
Po!
Sazani më së shumti ndër shqiptarët duke filluar nga kryeministri Rama.
VKM-ja e 30 Dhjetorit, 2024.
E studiuar apo e rastësishme, Rama gjendet një hap përpara me shtrimin e ofertës.
Si sensacione të shtyra nga media, të dy ishujt po ndërtohen edhe si lajmi i ri i ditës sepse edhe Presidenti i Zgjedhur Trump ritheksoi pak kohë më parë një ide që ai kishte për Groenlandën. Për “ta marrë me qira apo edhe për ta blerë”*, kjo temë është trajtuar pak që prej mandatit të tij të kaluar. Por pavarësisht kësaj, në Shqipëri ngjarja më e rëndësishme dhe më kryesorja është dhe do të mbetet deri në muajin Mars, regjistrimi i shqiptarëve të diasporës dhe i atyre shqiptarëve që përkohësisht gjinden jashtë vendit për zgjedhjet e 11 Majit, 2025.
Duke u kthyer në ngjarjet e dy-tre muajve të fundit rezultati i zgjedhjeve në SHBA, pra rikthimi Presidentit të 45 Donald J. Trump në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 47-të, u bart dhe u reflektua në politikën shqiptare madje ai u kthye në tronditës për qeverisjen e Rilindjes Socialiste.
Edhe pse e majtë si forcë politike, Rilindja Socialiste në emër të reformave ka abuzuar në raportet mes dy vendeve duke goditur pluralizmin politik në Shqipëri.
Reforma në drejtësi që fundmi po merret si meritë vetëm e kreut të qeverisë në fund të mandatit të tretë, tregon se drejtësia si armë në duart e pushtetit është zbatuar duke tejkaluar çdo
pritshmëri.
Mes shqiptarëve shqetësimi për drejtësinë komunikohet me termin “kapja e drejtësisë” nga politika, pasi shkalla e korrupsionit është në përmasat e grabitjes me arrogancën e shtetit, ose e vet atij që është në krye të punëve të shtetit.
Për këtë arsye Sazani kalohet me firmën e një VKM-je dhe koha e shfrytëzuar lidhet me “qetësinë” e pushimeve dimërore të Kuvendit të Shqipërisë.
Kush do të jetë fati i Shqipërisë pas 11 Majit, 2025?
A do ta qeverisin jetën dhe pronën shqiptare VKM-t ?!
Demokraci apo Autokraci duan shqiptarët?
E para, demokracia lidhet me kontinentin dhe bashkëpunuese me qytetërimin.
E dyta, autokracia është ai ishulli i korrupsionit që ka formuar prej kohësh elita e rilindësve socialistë, është një izolim mbytës nga partia shtet.
Ata që sot e qeverisin Shqipërinë ishin dikur kundërshtarë të hapur dhe dyshues për demokracinë dhe betejën e së vërtetës në fushën e drejtësisë dhe këtë e treguan deri në ditën e zgjedhjeve me tubime edhe në Amerikë me influencën parazgjedhore në diasporën shqiptare. Port tani me përmbysjen e situatës dhe investimin e gabuar që vjen për shkak të koncepteve sorosiane të shoqërisë së hapur dhe globalizmit, dështimin e katër viteve të shkuara Rilindja Socialiste po don ta rikthejë në favor të vet gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 Majit.
Ja pse vota e diasporës dhe lobimi shqiptarëve për t’i hequr maskën një qeverisje të korruptuar ka rëndësi të ndodhë duke filluar nga SHBA-ja dhe për t’u vazhduar në Evropë dhe kudo në vendet demokratike që ata jetojnë dhe punojnë.
“Krenarë për Shqipërinë”, diaspora do të ndjehet vetëm duke larguar korrupsionin dhe bërë shtetin e së drejtës.
Tani kuptohet se përse lajmet zyrtare me ishuj, lundrojnë dhe shtohen.
Propagandës së qeverisë i duhet që Shqipëria ndërkombëtarizohet për të tërhequr vëmendjen nga pushteti në fuqi dhe nga mediat pranë tij.
Dhe kjo, pra rasti ishte i gatshëm. Me VKM-n* e 30 Dhjetorit, 2024 e njohur si dokument kryeministror; Për miratimin e statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” Për Projektin e Investimit “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit”, që u fut në lajmin e ditës për të testuar gjerësisht qëndrimet jo vetëm të politikës shqiptare, por edhe të nxitjes së debatit dhe reagimin e opinionit publik e më tej të votuesit. Pavarësisht rrugëzgjidhjes, fakti është propagandë e Rilindjes Socialiste që e paraqet veten si forca e duhur politike për Shqipërinë.
Në fund të fundit e pathëna mes tyre mbetet ngritja e pyetjes grata dhe non grata.
Kjo mbetet të provohet se si Kryeministri Rama kërkon t’i afrohet ditës së inagurimit të Presidentit të 47 të SHBA-ve gjë të cilën ai e kishte parashikuar ndryshe nga sa ndodhi me fitoren e republikanëve në 5 Nëntor, 2024.
“Landslide”… (lum votash)
Një fjalë që kur përdoret pikërisht për reagimin popullor në zgjedhje ka një muzikalitet si term. Ka forcën e lirisë si dhe energjinë e një tsunami që do të shpëlajë idetë e korruptuarve i janë ngulur e rrënjosur pushtetit.
Fenomeni “lum votash” që ndodh me ata zgjedhës që e duan lirinë, atdheun dhe sistemin demokratik.
Ndër të korruptuarit që landslide e përkthejnë me google, vota e 11 Majit u duket shkarje ledhi. Një çmenduri dhe e pa besueshme sepse ata kanë shpenzuar aq shumë sa kanë harruar se janë ekspozuar po kaq shumë si blerësja të votës me turrjet elektorale në diasporë. Kanë harruar se sa gënjeshtra dhe mashtrime propagandistike kanë konsumuar. Fitorja e zgjedhjeve nga Rilindja Socialiste e bindur si forcë e vetme, mund të ndodhë veç se në rastin e manipulimit dhe vjedhjes së votës.
Nuk është ky një paragjykim, por një parashikim që kërkon vigjilencën e të gjithë monitoruesve për të ruajtur jo thjeshtë integritetin e votës së lirë dhe të gjithë procesin zgjedhor, por për së pari për të siguruar pjesëmarrjen masive në zgjedhje të diasporës. Pra për ta ndërtuar sistemin dhe jo zhgënjyer atë.
Kjo ndoshta mund të duket si një gjë e pamundur pasi korrupsioni dhe propaganda qeveritare kanë investuar dhe po investojnë pa ndërprerë dhe në çdo drejtim. Madje ka tentuar dhe do të tentojë t’i afrohet edhe administratës amerikane për lidhje dhe favore.
Realiteti është krejt ndryshe dhe e vërteta sheshit do të bëjë zhgënjyese vetëm njërën palë. Të gjithë ata që i shtyjnë influencat dhe duan të përfitojnë përmes korrupsionit.
Por çfarë vështrimi do të hedhë administrata e re e Presidentit Trump mbi Shqipërinë?
Kjo do të ishte më e rëndësishmja të kuptojmë.
Çfarë ndryshimesh pret Shqipëria kur ajo do të prezantohet me një kryeministër që po kërkon mandatin e katërt, po instalon partinë shtet pa pluralizëm politik dhe ku një instrument i përdorur u provua të ishte një agjent special i korruptuar i FBI-së. Charles McGonigal?
Mund të zgjateshim edhe në mjaft elementë të tjerë për të treguar se Shqipëria dhe SHBA-ja kanë aleancë të çmuar që prej pavarësisë së 1912-ës dhe është e nevojshme që kjo lidhje duhet ri ngritur. Na duhet të kujtojmë gjithashtu se me diasporën shqiptare ishin patriotët dhe rilindësit e vërtetë të kombit që ashtu si në Amerikë dhe Evropë punuan për ngritjen e shtetit shqiptar. Formuan institucionet e besimit dhe të fjalës së lirë duke i trashëguar edhe për më shumë se një shekull, sepse duan një të ardhme të shtetasve të qytetërimit, pra të atij shtetasi që i gëzon dhe i ushtron të gjitha liritë dhe të drejtat.
Ndaj shqiptarëve ju duhet pikërisht një fitore landslide-një lumë votash dhe pjesëmarrje për ta treguar qartë vendosmërinë për ndryshimin.
Shqiptarëve ju duhet pjesëmarrja dhe vota kundër korrupsionit dhe ku zgjedhjet dhe vota e lirë do të mund të ndajnë përfundimisht vendin në Demokraci apo Autokraci?
Kjo temë e gjerë duhet trajtuar dendur, me informacion dhe ndërgjegjësim pasi në të gjithë rreth rrotullimin e fakteve që i janë servirur deri tani shqiptarëve në diasporë, atyre nuk u jepet thelbi. Nuk i tregohet se cila është përgjegjësia qytetare dhe se sa parësor është roli i votës së diasporës për Shqipërinë në gjendjen se si ajo sot paraqitet;
– një vend i hapur për investime dhe koncesione,
– një vend, ku po luftohet krimi dhe korrupsioni,
– një vend, ku jetohet një realitet që flet krejt ndryshe për nivelin e varfërisë në raport me mplakjen dhe shpopullimin,
– një vend, me uljen e cilësisë së shërbimeve dhe cilësia e dobët të arsimit, shëndetësisë
– një vend që ka mungesën prodhuese në fshat e qytet,
– por edhe një vend ku lulëzon fluksi i vizitorëve ditorë dhe industria e ndërtimit,
– një vend, ku shtrenjtësia e çmimeve kontraston me lekun e fortë vendas krah euros-€ dhe dollarit-$,
– një vend që korrupsioni do ta kthejë në ishull,
këto pikëpyetje dhe shumë të tjera që i përmban lufta për mbajtjen e pushtetit janë ato që do të marrin më shumë kuptim se çfarë qeverisje do të dalë nga vota e zgjedhësve (brenda dhe jashtë atdheut, ku vota e diasporës tashmë është çuar në limitet e kohës për t’u ushtruar si e drejtë dhe për t’u mbrojtur).
Kur flasim për dy ishujt, na duhet të kuptojmë se sa shërbim i bëjnë vetes “nganjëherë” qeveritarët ruajtjes së pushtetit përveç asaj që atyre u ka dhënë vota e zgjedhësve.
Në qoftë se Groenlanda ka një ofertë zhvillimi, ajo ka edhe rrugë zyrtare diplomatike diskutimi dhe se si do të trajtohet ardhmëria e saj në të mirën e vet ashtu sikurse do të vendosin edhe mbi 56 mijë banorët groenlandezë (autonomë).
Për këtë janë dëgjuar dhe janë hapur dy mundësi.
Njëra, e cila tregon se ishulli i Groenlandës nuk është për shitje dhe tjetra e mundshme ideja që ishulli të zhvillohet ekonomikisht dhe të ketë vlera për çështjet e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtu përmendet Presidenti i Zgjedhur i SHBA-ve, Donald J. Trump.
Ndërsa për ishullin e Sazanit tashmë i dezertuar me zero banorë, por ama me “turistë-ditor” tregohet se edhe Ministria e Mbrojtjes e cila ka luajtur dikur një rol në mbikëqyrjen territoriale aty, tani ajo i ka dorëzuar çelësat.
Me këtë akt edhe pse deti na ndan ne shqiptarëve me Sazanin në konceptin pronë dhe territor kombëtar luhet karta e zhvleftësimit dhe menjëherë pas saj del dikush që shfaqet i interesuar duke i dhënë vlerë dhe marrë merita novatore për një projekt apo investim strategjik të hedhur.
Por, po e pyete sovranin ky “novacion” do të mund të bëhej vetëm me REFERENDUM, ashtu siç duhet ta meritonin në këto tre mandate të Rilindjes Socialiste të gjitha pasuritë e mëdha kombëtare dhe zonat natyrore të mbrojtura.
Sazani është jo vetëm vlera e një perle natyrore shqiptare, por është ai mbetet dhe fortesa gjeostrategjike ekonomike dhe ushtarake për sigurinë e paqes së vendit e rajonit sikurse edhe mbrojtjen nga rreziku i luftërave.
Ta shesësh si të parëndësishme dhe si një “kazermë e dezertuar ushtarake” me qenë se edhe Ministria e Mbrojtjes është detyruar t’i dorëzojë çelësat, kjo tregon thellësisht konceptin e transformimit të pronës dhe të pasurive kombëtare si një mall i pa vlerë dhe instrumentin VKM që me partneritetin strategjik dhe mundësisht atë koncesionar të krijohet pamja e një novacioni transformues të Shqipërisë. Por jo si një zhvillimin real ekonomik dhe demografik të saj. Varfëria dhe shpopullimi i vendit e tregojnë saktësisht këtë.
Diku në dokumentin VKM, përmendet një afat 10 vjeçar.
Pra populli shqiptar është ai që duhet ta llogarisë se kë do të ketë mbi krye pas zgjedhjeve të 11 Majit, në dhjetë vitet që vijnë.
Në pjesën e ndjenjës, Sazani “dhemb dhe më shumë sa shkulja e thoit” prej gadishullit të Karaburunit për territorin Shqiptar, sepse Sazani është pjesë e trupit të kombit.
Ndaj çdo ofertë e bërë qëllimshëm klienteliste dhe fitimprurëse shkon për pushtetin dhe jo për popullin shqiptar të cilit asnjëherë nuk i është kërkuar këshilla apo edhe t’i jetë kërkuar marrja e një vendimi përmes referendumit.
Mes kësaj dinamike, pra se si konceptohet territori dhe toka në Shqipërinë prej 28,748 km2 duket se vetëm ata që ja dinë vlerën e shtuar pronës, janë po ata ë bëjnë shpronësimet. Pra është shteti që ka firmën kolegjiale të një VKM-je.
Kjo lloj qeverisje është elita që ndjehet pronare dhe trashëgimtare e pasurive kombëtare edhe përpara vetë popullit shqiptar.
Sazani në të vërtetë e do një projekt zhvillimi, por ishulli e do një referendum në mënyrë që t’i shërbejë identitetit dhe popullit shqiptar dhe trashëgimisë së tij.
Dikush mund të pyesë se përse është i nevojshëm nëntitulli Çifti Rama dhe “dhuratat” për mandatin e katërt , ose (Ishulli dhe një libër për Kamalën)*. Ishte i nevojshëm sepse influencat e pushtetit të pa kontrolluara sot po konsiderohen normale. Pasuritë kombëtare dhe lidhjet anësore duket se janë pjesa e dhuratave të gatshme për t’u shkëmbyer për një administratë në dalje si dhe për vjehrrin e Jared që vjen në Shtëpinë e Bardhë. Ndjesë për krahasimin e fundit, por ky është zhargoni i diplomacisë së një autokrati që synon t’i ka kapë të gjitha pushtetet. Kjo lidhet edhe sepse koniunktura e skemave sorosiane të shoqërisë së hapur, janë pjesë e mjeshtërisë së blerjes së influencave.
Çifti Rama i kishte mirë menduar rastet për të dy anët e fituesve në zgjedhjet e 5 Nëntorit, 2024 në SHBA. Sidomos vazhdimësinë apo rikthimet, përderisa veten ata e kanë projektuar dhe e shohin në pushtet për vite më tej.
Ndaj së fundmi në kohët më kritike po shohim atë më kryesoren se si do të jetë fati me zgjedhjet në Shqipëri. Ofrimi i Sazanit që bëhet fare pa ndrojtje dhe i justifikuar me propagandën 4-5 vjeçare të Shqipërisë si destinacioni turistik i zbuluar jo vetëm nga bota, por edhe nga vetë diaspora shqiptare do të notojë si lajm edhe për pak kohë. I drejtpërdrejtë, por brendapërbrenda mënyrës së maskimit, Sazani u hodh në treg i mbrojtur me emrin e dhëndrit të Presidentit Trump. Janë titujt e medias që e theksojnë fort këtë më shumë se sa mënyra se si u hartua VKM-ja.
Por përpara se të shpjegojmë lojën në hije tashmë të familjes Rama që udhëheq elitën e Rilindjes Socialiste ne mund të parashikojmë edhe shijen e hidhur që shpesh del nga ndeshja mes prapaskenave me parimet. Të drejtën dhe të vërtetën në raport me propagandën e së majtës në Shqipëri.
Le ta kuptojmë se përse do të duhej që në 2025 ne të shtrojmë krahasimet mes dy ishujve, të cilat u nxitën nga mediat madje edhe disa herë më shumë për nga rëndësia se sa zgjedhjet në Shqipëri të cilat janë vendimtare për mbrojtjen e demokracisë, fjalën dhe besimin e lirë, shtetin e së drejtës, pronën private dhe lirinë e lëvizjes.
Pra krahasimet mes Groenlandës dhe Sazanit dhe se çfarë mund të nxjerrim më pas prej tyre për dy ishujt janë:
Vija bregdetare – e Groenlandës e dominuar nga fjordet është 39,330 km. përkundrejt Sazanit me 15 km.
Sipërfaqja – e Groenlandës është 2,166,086 km2 ndërsa ishulli i Sazanit dhe Shqipëria janë përkatësisht 380 mijë dhe 75 herë më të vogla në raportet me njëri tjetrin, (5.7 km2 dhe 28,748 km2).
Por Groenlanda dhe Sazani janë edhe më të mëdhenjtë ishuj kur krahasohen veç e veç.
Groenlanda është ishulli më i madh i planetit, ndërsa tjetri Sazani është ishulli më i madh i territorit shtetëror të Shqipërisë.
Popullsia – Groenlanda me rreth 56,583 banorë dhe Shqipëria me 2.4 milion banorë sipas Censit të 2024, mund të krahasohen vetëm për kahet e kundërta. Në qoftë se ajo e rritjes me dy fish në 60 vitet e fundit e karakterizon Groenlandën, popullsia e Shqipërisë është mplakur dhe thuajse përgjysmuar në 10-12 vitet e fundit.
Në se Groenlanda u lidh drejtpërdrejtë me emrin e Trump-it e ndërsa ishulli i Sazanit në mënyre të tërthortë shkon përmes emrit të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, amplifikimi i fortë nga Rama dhe mediat rreth tij është edhe testimi i ri para zgjedhjeve grata, non grata.
Groenlanda dhe Sazani.
Dy ishujt që për nga përmasat nuk mund t’i krahasojmë aspak as edhe si një aleancë edhe brenda një fjalie pasi qëllimi mbi ta ka cilësi dhe qëllime propagandistike dhe janë cilësisht krejt të ndryshme si raste.
Përkatësisht një ishull-shtet si Groenlanda më i madhi i planetit përkundrejt Sazanit, ishullit më të madh të një shteti në Evropën Juglindore Shqipërisë, qëndrojnë të pakrahasueshëm ashtu sikurse edhe sipërfaqet e tyre qëndrojnë si 380 mijëshja kundrejt njëshit (380.000 herë më i madh), dhe si shtete siç qendron 75-a kundrejt njëshit, (2,166,086 km2 dhe 28,748 km2).
Nëse duam edhe pak më shumë ushtrime të kujtesës si edhe kuptim raportesh jo thjeshtë mes të madhes dhe të voglës, por në mençurinë e ruajtjes së aleatëve tradicional dhe miqve të Shqipërisë, mënyra e afrimit të Ramës sot drejt SHBA-ve afrohet me njollën e një marrëdhënie të së shkuarës.
Të mos harrojmë intervistën e Ramës për Trump në Prill të vitit 2016 për CNN:- “God forbit, he would harm a lot America, would harm a lot democratic world…”*
A i qendron sot Rama shprehjes së tij “Zoti na ruajt, ai do të dëmtonte shumë Amerikën, do të dëmtonte shumë botën demokratike…”
Në qoftë se Ramës do t’i kishte shkuar ndërmend se kjo mënyrë afrimi formal kalohet lehtë përmes dhuratave bashkëshortore, gati si gjunjëzimet meloneske përpara një administrate që del. Në rastin e tjetrës që betohet në Kushtetutë, Rama përgjigjen e njohur “You are fired” e ka të gatshme. Ashtu sikurse sovrani pushon nga puna me votë një qeverisje që nuk e ndihmon zhvillimin e vendit.
________
* Groenlanda – për “ta marrë me qira apo edhe për ta blerë”. Përbën lëvizjen e mençur gjeostrategjike për të mbajtur larg interesat e Rusisë dhe Kinës.
* Republika Shqipërisë Komiteti i Investimeve Strategjike Vendim Nr. 23, Datë 30 / 12 /2024 Për miratimin e statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” Për Projektin e Investimit “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” Me Subjekt Aplikues “Atlantic Incubation Partners LLC” Shoqëri e të Drejtës Amerikane me Nr. identifikimi (Ein) 92-3329707.
* Të vërtetat që mbartim- Botim në shqip i autobiografisë së zv. presidentes së SHBA-ve Kamala Harris nga Linda Rama. Promovuar më 11 Nëntor, 2024 në forumin, “Pushteti, e drejta dhe liria”.
* Intervistë e KM Rama për CNN më 13 Prill, 2016.
16 Janar, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
zoti i dhente force per te perballuar kte dhimbja kaq te madhe