BRUKSEL- Komisioni Europian ka evidentuar një sërë problematikash në sistemin e sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrje të mëtejshme në funksionimin e institucioneve përgjegjëse, forcimin e kontrolleve ushqimore dhe përmirësimin e monitorimit të mbetjeve të pesticideve. Në raportin e vitit 2026 për Shqipërinë, në kapitullin 12, që përfshin sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, Komisioni vlerëson se legjislacioni shqiptar është ende vetëm pjesërisht i përafruar me standardet e Bashkimit Europian.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Sipas Komisionit, nevojiten reforma institucionale, përfshirë bashkimin e AKU-së me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe përcaktimin më të qartë të përgjegjësive mes institucioneve që kryejnë inspektimet.
Në raport nënvizohet gjithashtu nevoja për përmirësimin e administrimit të të dhënave, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e statistikave mbi kontrollet e kryera. Po ashtu, kërkohet që institucionet përgjegjëse të kenë burime të mjaftueshme njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e legjislacionit.
Problematika të rëndësishme evidentohen edhe në kapacitetet laboratorike. Komisioni Europian vëren se laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar plotësisht sipas kërkesave të BE-së, ndërsa metodat e analizimit duhet të validohen për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve.
Një tjetër rekomandim lidhet me forcimin e kontrolleve në pikat kufitare. Sipas raportit, pikat aktive të kontrollit duhet të përafrohen me kërkesat europiane, në mënyrë që të përmbushin standardet e nevojshme në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. KE ngre shqetësime edhe për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore. Sipas Progres-raportit, Shqipëria duhet të përmirësojë zbatimin e masave në rastet kur konstatohen produkte që nuk përmbushin standardet, si dhe të rrisë transparencën mbi këto raste.
Probleme evidentohen edhe në sistemin veterinar, veçanërisht në gjurmueshmërinë e kafshëve, monitorimin e sëmundjeve dhe kapacitetet laboratorike për identifikimin e patogjenëve të caktuar. Sipas Komisionit, këto mangësi kufizojnë mundësinë e identifikimit të hershëm të rreziqeve, orientimin e kontrolleve dhe vlerësimin e progresit në këtë sektor.
Pjesë nga Raport-progresi:
Për sigurinë e përgjithshme ushqimore, kuadri ligjor mbetet pjesërisht i përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Ushqimin. Ligji për Kontrollet Zyrtare u miratua në qershor 2026.
Reformat institucionale janë të nevojshme, veçanërisht për bashkimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Për më tepër, ndarja e detyrave të inspektimit ndërmjet AKU-së dhe Inspektoratit të Përgjithshëm duhet të bëhet më e qartë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për statistikat e inspektimeve, administrimin e të dhënave dhe transparencën.
Laboratorët zyrtarë ende nuk janë përcaktuar në përputhje me parimet e rregullores për kontrollet zyrtare. Për rrjetin e laboratorëve zyrtarë, ende duhet të vendosen metoda të validuara të analizimit paraprak, për të garantuar besueshmërinë e rezultateve për speciet dhe produktet përkatëse. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për zhvillimin e kapaciteteve, akreditimin dhe validimin e metodave.
Për mbetjet e pesticideve, Shqipëria duhet ende të përmirësojë zbatimin e masave të marra në rastet e mospërputhshmërisë dhe të rrisë transparencën.
Shqipëria duhet të zhvillojë një program kombëtar për përmirësimin e cilësisë së qumështit. Nuk është raportuar përparim për rregullat specifike për ushqimin e kafshëve dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
Gjurmueshmëria, analiza e mbikëqyrjes dhe kapacitetet laboratorike për patogjenë të veçantë nuk janë zhvilluar plotësisht, çka zvogëlon aftësinë e sistemit për të zbuluar herët prirjet e rrezikut, për t’u dhënë përparësi kontrolleve dhe për të demonstruar progresin.
Në luftën kundër korrupsionit, Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit synon të sigurojë llogaridhënie dhe qeverisje etike. Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien, veçanërisht në inspektimet fitosanitare dhe veterinare. Duhet të forcohen masat për parandalimin e rreziqeve të korrupsionit dhe garantimin e integritetit të proceseve të inspektimit dhe certifikimit./Dosja.al



komisioni europian