Përse nxënësit tanë në vlerësimet që bëhen nga agjensi ndërkombëtare (Pisa), arrijnë rezultate të dobëta? Është kjo një pyetje, që në veçanti në këto vite tranzicioni, na ka shqetësuar dhe shqetëson të gjithëve. Pasi, bëhet fjalë për edukimin. Cilësia, e të cilit, kushtëzon të ardhmen e gjeneratave të sotme dhe të ardhme.
Këmbanat kanë filluar të bien. Më keq akoma. Kanë filluar të ndjehen pasojat. Pasojat, me të cilat je i dënuar vetëm të përballesh. Nuk mund t’i eliminosh lehtë. Pasi sukseset dhe mosukseset në edukim i japin efektet pas dhjetra vitesh. Kur nuk ke çfarë të bësh. Pasi do të duhen po aq dhjetra vite, në rastin më të mire, që të riparosh diçka.
Këto ditë MASR ka bërë me dije dhe ka shpërndarë për konsultim Draft Strategjinë Kombëtare të Arsimit, 2021-2026. Një lajm i mirë. Një ogur i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një urim për MASR dhe qeverinë, pasi po fillon punën në këtë mandat të tretë me ndryshimet në edukim. Që është kryefjala e çdo kombi të qytetëruar.
Është herët të flasim për përmbajtjen e kësaj strategjie, por çdo vonesë dhe dështim degradon më shumë situatën. Duhet të shkundemi të gjithë. Të gjithë, pasi shkolla, edukimi, nuk është peng, apo pronë e askujt. Ajo i përket të gjithëve. Të sotmes dhe të ardhmes. I përket mësuesit, nxënësit, prindit. I përket komunitetit të shkencës, artit, kulturës, ekonomisë, biznesit, politikës. Ajo u shërben të gjithëve dhe të gjithë duhet t’i shërbejnë asaj. Do të duhet të bashkohemi të gjithë për edukimin. Pasi të gjithëve, u duhet e nesërmja.
Padyshim, që në këto 30 vite ka pasur edhe ndryshime pozitive, por ato në raport me pritmëritë kanë qenë të rastësishme, minimale. Dikush mund të justifikohet, “e pranueshme për një periudhë tranzicioni”. Mund të pranohet ky justifikim në të gjitha fushat, por në edukim, jo. Sepse edukimi nuk mund të bashkëjetojë me dështimin, me falcitetin, me gënjeshtrën me dyfytyrësinë.
Modestisht, do të përpiqem të shpjegoj çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të ndodhë, bazuar edhe në disa refleksione, mbi çfarë bëjnë të tjerët.
Prof.As.Dr Jetmir Aliçka
Reforma Arsimore dhe strategjitë e saj
Reforma Arsimore dhe strategjia e saj, në thelb, ka të bëjë me përmbysje të thella, që mundësisht t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe perspektive të shoqërise për 20 – 30 vitet e ardhshme. Ato projektohen si shumatore të minireformave. Struktura e Reformës, si shumatore minireformash e bën atë më fleksibël. Më fleksibël edhe përkundrejt realiteteve të reja gjatë implementimit e zbatimit të saj.
Ato janë të vështira dhe të kushtueshme në edukim. Të vështira, për vetë natyrën konservatore që ka ky sektor. Është e vështirë sepse, një reformë, në kurrikulat shkollore do të duhet të parashikojë se ku do të shkojë shkenca, dija, teknologjia pas 20 apo 30 viteve. Me çfarë dijenish, aftësish, kompetencash duhet t’I formojmë nxënësit për t’ju përgjigjur sfidave të zhvillimit pas 20 – 30 vitesh.
Janë tepër të kushtueshme, pasi përfshihen komponentë nga të gjitha fushat. Pra janë veçanërisht të vështira, për një vend të varfër si i yni.
Refleksion: Tek ne kanë kaluar rreth 30 vite. Janë hartuar disa reforma në arsimin parauniversitar. Jo pak, por 4-5. Shumë, po t’i referohesh përvojës botërore, ku reformat (ndryshimet) bëhen 1 herë në 20-30 vjet. Tek ne, pa ju tharë boja njërës , hartohej tjetra. Rihartuar, në varësi të qeverive, qe vinin e iknin. Në varësi të protagonizmit të ministrave. Jo pak por 13-14 ministra brenda 30 viteve.
Në vend që të ruanim reformën në tërësi , duke përmirësuar minireformat, e kemi pasur “më të lehtë” të rifillonim një ndryshim (reformë) të re. Përkohëshmëria e tyre ka pasur si rezultante, jo rrallë, çoroditjen. Një çoroditje edhe për faktin se reformat në arsim tek ne, asnjëherë nuk kanë qenë rezultat i një konsensusi politik, asnjëherë nuk janë konsideruar realisht si një asset kombëtar. Në letër, po.
E padyshim rezultatet janë këto që janë, gjysmake, që kanë sjellë jo pak marramëndje në të gjitha strukturat e edukimit. Marramëndje në finalitetet e sistemit tone. Një marramëndje në kurrikulat tona, një marramendje tek mësuesit e nxënësit. Padyshim keq.
Realizimi i reformave përballet me një sfidë unikale: kontradikta midis hartuesve të reformës (politik bërësve) dhe zbatuesve të saj; bashkëpunimi politikbërës- politikzbatues, më thjeshtë burokratëve dhe ekspertëve të Ministrisë nga njëra anë dhe mësuesve, shkollës, nga ana tjetër.
Pervoja botërore ka treguar se zgjidhja apo zbutja e kësaj kontradikte, është e lidhur me dy parakushte: zbatuesit e saj, maksimalisht, janë pjesmarrës në hartimin e reformës dhe strategjisë së saj, çka do të thotë shkëmbim intensiv idesh, informacionesh, propozimesh nga lart-poshtë e nga poshtë-lart; minimalisht, zbatuesit (mësuesit, pedagogët, nxënësit ) njihen, informohen, sensibilizohen, familjarizohen, qartësohen me synimet dhe finalitetet e reformës.
Përveç ndonjë rasti të rrallë, tek ne, asnjëri nga parakushtet e mësipërme nuk është marrë në konsiderate. Mësuesit, nxënësit, prindërit, opinioni shoqëror janë vënë përballë faktit të kryer. Pak sensibilizim, pak ose aspak pilotim, pak kualifikim apo trajnim dhe aspak pjesmarrje.
Të shpresojmë që platforma e strategjisë 2021-2026 të jetë produkt i një bashkëpunimi efektiv midis hartuesve dhe zbatuesve të saj. Është momenti që të reflektojmë. Kjo qeveri dhe opozitë kanë shansin për të filluar një kapitull të ri. Të bashkohemi të paktën për edukimin. Do të jetë një ogur i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Një histori me reformat kurrikulare dhe problema e matematikës me druvar
Para 3-4 vitesh një miku im i vjetër dhe një prej specialistëve më të mirë të edukimit, por jo vetëm, Aleksandër Bojaxhi, më dërgoi një e- mail nga Amerika, që kishte të bënte me reformat kurikulare në botë. Në mjediset arsimore amerikane, me pak humor, argumentohej, se si produkti i një reforme në fund të fundit është, ku do të jetë formimi i nxënësve tanë pas 20-30 vitesh.
Ky e-mail ishte vazhdim i diskutimeve e komunikimeve tona prej shumë vitesh. Ajo që dallonte në këto diskutime ishte fakti që Aleksandri, si një nga njohësit më pikantë të përvojës amerikane, vazhdimisht theksonte dhe argumentonte se reforma jonë kurrikulare (shqiptare) duhet domosdoshmërisht të mbështetej tek përvoja amerikane, e përshtatur në kushtet, specifikat, tendencat tona të zhvillimeve arsimore, por jo vetëm. Duhej mbështetur tek kjo përvojë, që të mos ndodhë siç ndodh në historinë e mëposhtme, që ndoshta i ngjan reformave tona:
Mësuesi i matematikës u jep nxënësve problemën si më poshtë, të ndryshuar në vite, në përputhje me ndryshimet kurrikulare.
Viti 1985: Nxënës zgjidhni problemën që vijon. Një druvar shet një kamion me lëndë druri për 10.000 lekë. Per të arritur këtë, ai ka shpenzuar 4/5 e çmimit të shitjes së lëndës drusore. Sa fiton ai?
Viti 1995: Një druvar shet një kamion me lëndë druri për 10.000 lekë. Per të arritur këtë ai ka shpenzuar 4/5 e çmimit të shitjes, apo e thëne ndryshe 8,000 lekë. Sa fiton ai?
Viti 2005: Një druvar shet një kamion me lëndë druri për 10.000 lekë. Për të arritur këtë, ai shpenzoi 8,000 lekë. A fiton Ai?
Viti 2015: Një druvar shet një kamion me lëndë druri për 10.000 lekë. Për të arritur këtë ai shpenzoi 8.000 lekë dhe kështu ai fitoi 2.000 lekë. Nënvizoni fitimin.
Viti 2020: Një druvar i vë sëpatën një pylli të bukur, ngaqë është tepër egoist dhe i panjerëzishëm dhe nuk kujdeset aspak për mjedisin, kafshët , shpendët apo pyllin. Duke bërë kështu, ai fiton 2.000 leke. Çfarë mendoni ju për këtë mënyrë të sigurimit të jeteses? Po ashtu mund të më shpjegoni se si janë ndjerë zogjtë dhe kafshët, pasi druvari u ka prishur vendin e jetesës?
Shënim i mësuesit: 1.Nuk ka vlerësim për përgjigje të gabuara. 2.Nëse ndjeheni të dëshpëruar për gjëndjen e vështirë të kafshëve e shpendëve të pyllit, mund të shkoni të takoni, qoftë edhe në orën e matematikës, përfaqësues të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve.
Urojmë dhe shpresojmë, që reforma dhe strategjia e saj tek ne, të mos i ngjajë aspak kësaj historie. I jap të drejtë mikut tim Aleksandër, që ngulmonte tek përvoja amerikane. Por, asnjëherë nuk është vonë.
—–
Jetmir Aliçka, ka punuar si mësues, drejtor shkolle, drejtues arsimi, ekspert dhe aktiv në shoqërinë civile për rreth 33 vjet. Ai ka gradën “Doktor i shkencave” dhe titullin “Profesor i Asocuar”. Aktualisht është drejtor dhe administrator i shkollës ELITË.
Komentet