VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shenjat në trup që shfaqen pa shkak – Cilat janë sëmundjet që i shkaktojnë

By | June 28, 2019

Komentet

Furra, kur duhet ta ndërroni me një të re

Furra është një pajisje elektroshtëpiake jetësore për çdo shtëpi. Pa të, kuzhina nuk është e plotë.

Gatimet e furrës janë jo vetëm shumë të shijshme por edhe të shëndetshme sepse ruajnë shumicën e vlerave të perimeve.

Edhe furra, si çdo pajisje tjetër nuk është e përjetshme.

Përpara se të lexoni më poshtë në këtë të AgroWeb.org për momentin e duhur të blerjes së një furre të re, hidhini një sy asaj që keni në kuzhinë.

A  Ka Ardhur Koha Të Ndërroni Furrën?

Ekspertët e AgroWeb.org argumentojnë se furra e vjetër duhet ndërruar me një të re në disa rrethana të caktuara.

Ndryshku Në Brendësi

Nëse furra ka zënë ndryshk, atëherë është koha që ta ndërroni.

Grimcat e ndryshkut bien tek ushqimi dhe ju mund të sëmureni rëndë ndërsa copa të mëdhaja të tij mund të bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.

Xhami i Krisur

Nëse xhami i derës së furrës është krisur, atëherë ajo nuk do të jetë në gjëndje të ruajë nxehtësinë.

Kjo nënkupton se gatimet do të piqen më ngadalë por edhe se furra do ju shterojë kuletën sepse do të shpenzojë më shumë elektricitet.

Në rast se nuk gjeni një derë të re, hapini vend një furre tjetër.

Riparimi Kushton Më Shtrenjtë

Sigurisht që riparimi i një sobe jo-funksionale është alternativa e parë që na vjen ndër mend.

Megjithatë, nëse furra nxjerr probleme gjithnjë e më shpesh, nuk po e kuptoni që ajo po djeg paratë tuaja.

Më mirë blini një të re. Nga ana financiare, kjo është gjëja e duhur.

Furra Është e Vjetër

Njerëzit, nevojat dhe rrethanat ndyrshojnë dhe ndonjëherë një sobë e vogël nuk është më e përshtatshme dhe duhet një e re për të plotësuar nevojat në rritje.

Ju mund të jeni një familje më e madhe tani, gatuani më shumë dhe më shpesh, ndaj investoni në një të re.

Virusi i ri në Kinë dhe frika e përhapjes së tij

Michelle Quinn

Kina njoftoi të dielën se 17 persona të tjerë janë infektuar me virusin e ri të quajtur koronavirus, duke shtuar frikën për përhapje të mëtejshme, ndërsa qindra miliona njerëz udhëtojnë për të festuar Vitin e Ri kinez.

Tre pacientë janë të sëmurë rëndë, sipas një deklarate të lëshuar nga komisioni shëndetësor në qytetin Wuhan, ku janë regjistruar të 62 rastet me këtë virus në Kinë. Dy persona kanë vdekur si pasojë e prekjes nga virusi.

Dy raste janë raportuar në respektivisht në Tajlandë dhe Japoni, bëhej fjalë për persona që kishin vizituar qytetin Wuhan.

Zyrtarët në Wuhan kanë njoftuar raste të reja pothuajse çdo ditë që nga 11 janari dhe njoftimi më i fundit për 17 persona të infektuar është numri më e lartë i raportuar që nga atëherë.

​Ndërkohë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë janë tashmë të pranishëm në aeroportet e San Françiskos, Los Anxhelosit dhe Nju Jorkut. Ata kontrollojnë pasagjerët që vijnë nga qyteti Wuhan, në Kinën qendrore, ku ka shpërthyer një virozë pneumonie. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, bisedoi me pasagjerët që mbërrijnë në San Françisko.

Familjarët presin në mjediset e aeroportit ndërsa pasagjerët e ardhur me fluturimin nga qyteti kinez Wuhan po i nënshtrohen një kontrolli shëndetësor, për të parë nëse kanë simptoma gripale që mund të lidhen me virusin që ka alarmuar zyrtarët e shëndetësisë në mbarë botën.

Johnny Tang, punonjës i teknologjisë në Silicon Valley, po priste vizitën e prindërve të tij.

((JOHNNY TANG, PUNONJËS NË SEKTORIN E TEKNOLOGJISË))

“Ngaqë e kishim planifikuar për të ardhur, ata qëndruan brenda në shtëpi gjatë javës së fundit, për të shmangur çdo mundësi kontakti të rrezikshëm”, tregon Johnny për prindërit e tij.

Virusi mendohet të ketë filluar në Wuhan, një qytet në Kinën qendrore. Është pjesë e të njëjtës familje të viruseve koronare si SARS (sindroma e rëndë akute e rrugëve respiratore), që vrau gati 800 persona nëpër botë kur u përhap 17 vite më parë. Edhe SARS-i pati filluar nga Kina.

Shqetësimet e zyrtarëve të shëndetësisë shtohen nga fakti se shumë prej 1.4 miliardë kinezëve pritet të udhëtojnë jashtë vendit për pushimet e Vitit të Ri Hënor që fillon këtë javë. Deri më tani janë raportuar 45 raste në Wuhan.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “John F. Kennedy”, të Nju Jorkut, një burrë që po udhëton se bashku me gruan dhe fëmijët thotë se ishte një proces i thjeshtë.

((PASAGJER I LINJËS WUHAN – NJU JORK))

“Shumë e thjeshtë dhe e lehtë. Shkruan për simptomat, jep të dhënat e tua dhe të masin temperaturën. Vetëm 15 minuta”, thotë ai.

Kontrollet po zhvillohen edhe në qytete të tjera të botës.

Njerëzit që kaluan kontrollin në San Françisko thonë se ishte një procedurë e lehtë.

((QI ZHOU, PROJEKTUESE GRAFIKASH))

“Të çojnë në një dhomë tjetër. Atje ka doktorë dhe paisje të ndryshme. Të masin temperaturën dhe kanë çdo gjë, si maskat e fytyrës, format me të dhënat ku mund të të kontaktojnë… Mendoj se janë të përgatitur mirë”, thotë Qi Zhou, projektuese grafikash.

Pasagjerëve iu bëhen disa pyetje në formular.

((SUNNY XING, STUDENTE))

“(Pyesin) …nëse ndjehesh e sëmurë, të dhënat personale, vendbanimin dhe gjëra të tilla…”, thotë studentja Sunny Xing.

((LI YING, SIPËRMARRËS))

“Është gjithnjë më mirë të ketë kontroll. Nga pika e nisjes nuk kontrollohemi”, thotë sipërmarrësi Li Ying.

Pas tre orësh pritjeje, Johnny Tang përqafon më në fund nënën e tij. Ajo thotë se kontrolli është i rëndësishëm.

((FEI GUO, BANORE NË WUHAN, KINË))

“Qeveria ka përgjegjësi për pasagjerët. Dhe pasagjerët kaë përgjegjësi për vendin dhe njerëzit që po vizitojnë”, thotë në gjuhën kineze Fei Guo.

Për shkak të privatësisë së pasagjerëve, zëdhënësi i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nuk pranoi të japë numrat e pasagjerëve nga qyteti Wuhan të piketuar në tre aeroportet amerikane si mbartës të mundshëm të virozës. Zyrtarëve të aeroportit u është thënë se kontrollet shëndetësore do të vazhdojnë për dy javë të tjera.

Virus i ri infektiv – ISHP jep këshilla për parandalimin

Quhet koronavirus dhe është një tip tërësisht i ri i sëmundjeve infektive që mund të prekin njeriun.

Nën vazhdën e gjendjes gripale që ka prekur vendin, kujdesi ndaj bakteve që qarkullojnë në ajër duhet të jetë maksimal.

Këtë e këshillojnë edhe ekspertët si masën e parë kundër infektimit nga çfarëdo lloj sëmundje.

Organizata Botërore e Shëndëtësisë raportoi pak kohë më parë se, në botë po qarkulloj një lloj i ri virusi dhe pak më ndryshe nga llojet e mëparshme.

Këtë e konfirmon edhe ISHP e cila jep disa këshilla për parandalimin e këtij virusi, ndonëse shenja të tij nuk janë konfirmuar në vendin tonë.

Quhet koronavirus dhe është një tip tërësisht i ri i sëmundjeve infektive që mund të prekin njeriun.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju shpjegon se çfarë është kjo sëmundje, çfarë simptomash ka dhe si ta parandaloni.

Çfarë është koronavirusi?

Ky lloj virusi hyn tek familja e viruseve të cilat shkaktojnë simptoma të ngjashme me ato të gripit.

Këtu përfshihen shenja si një rrufë e lehtë, kollë apo edhe komplikacione më të rënda të sistemit të frymëmarrjes.

Sëmundje të rënda të njohura ndryshe si , Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome SARS).

Ka disa lloje të këtij virusi të cilat janë të përhapura kryesisht tek kafshët dhe një lloj i ri që po përhapet edhe tek njerëzit.

A janë të rrezikuar njerëzit?

Mjekët në vitin 2002 rregjitruan rastin e parë dhe në 2012 një tjetër rast te kalimit te virusit tek njerëzit nga macet apo devetë.

Gjithësesi këto raste mbetën të izoluara dhe nuk ka ende një lidhje të qartë të kalimit të këtij virusi specifik nga kafshët tek njerëzit.

OBSH për këto raste, ka bërë thirrje që të rritet ndërgjegjësimi në lidhje me simptomat dhe parandalimin e këtij virusi, sidomos në periudhat kur gripi qarkullon me shpejtësi.

Egsiton një mundësi që ky virus të kalohet nga njeriu tek njeriu, nëse nuk zbatohen rregullat e higjenës apo nëse qëndroni shumë afër me personin e infektuar.

Cilat janë simptomat?

Sipas ekspertëve të ISHP të cilëve i’u referohet AgroWeb.org, simptomat varen nga lloji i ikoronavirusit, por shenjat më të zakonshme janë problemet me aparatin e frymëmarrjes.

Ky virus shkakton ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi te vazhdueshme në frymëmarrje.

Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.– thuhet në lajmërimin e ISHP.

Si trajtohet

Përgjigja e mjekëve për këtë rast është se, virusi është ende i ri dhe nuk ka një mjekim të posaçëm për ta kuruar.

Nuk ka ende një vaksinë specifike për të, megjithëse mbajtja nën kujdesin mjekësor nëse shihni disa nga simptomat e mësipërme është e detyrueshme.

Kjo pasi shumë nga simptomat mund të trajtohen secila, në varësi të gjendjes së personit të infektuar.

Si ta parandaloni

Primarja si në luftimin e çdo virusi tjetër sigurisht që është higjena, sidomos në pjesën e duarve, hundës dhe gojës.

Gjithashtu praktikat e higjenës ushqimore, si dhe kur është e mundur shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.

Instituti i Shëndetit Publik ka përgatitur një inforgrafikë të cilës mund t’i referoheni për tu ruajtur sa më shumë nga ky virus i ri:

 

Pse një mollë në ditë ngadalëson plakjen dhe të zgjat jetën

Molekulat e rëndësishme gjenden më shumë tek mollët, të cilat sipas studimit duhen konsumuar rregullisht çdo ditë.

Mollët, luleshtrydhet dhe disa fruta të tjera janë shumë të shëndetshme për organizmin.

Ato përmbajnë një substancë natyrale e cila sipas studimeve mund të ngadalësojnë procesin e plakjes.

Si Ndodh Procesi I Plakjes

Një nga faktorët kyç në procesin e plakjes është një fenomen i quajtur ‘përkeqësimi qelizor.’

Kjo nënkupton humbjen e aftësisë së qelizave për t’u ndarë, formuar e zhvilluar.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, në këtë fazë, qelizat sinjalizojnë inflamacionin dhe shtyjnë sistemin imunitar të vetëpastrohet nga qelizat e dëmtuara.

Në moshë të re, organizmi e ka më të lehtë të eliminojë këto qeliza por me kalimin e viteve, sistemi imunitar humbet shkëlqimin e tij.

Një gjë e tillë nxit akumulimin e qelizave të dëmtuara.

Këto të fundit përbëjnë pikënisjen e inflamacionit të një niveli të ulët që çon në shpërbërjen e indeve.

Substanca Që Zgjat Jetën

Një studim i Universitetit Mjekësor të Minesotës zbuloi se procesi i plakjes mund të parandalohet falë disa molekulave që shënjestrojnë dhe shkatërrojnë qelizat e plakura.

Këto molekula kanë një ndikim afatgjatë pavarësisht kohës kur futen në trupin e njeriut.

Grupimi më efikas i këtyre molekulave u zbulua tek mollët, luleshtrydhet, qepët dhe kastravecat.

Ky grupim molekulash njihet si fisteinë.

Gjatë studimeve klinike, shkencëtarët zbuluan se këto molekula ulnin ndjeshëm nivelin e qelizave të dëmtuara, përmirësojnë shëndetin dhe rrisin jetëgjatësinë.

Molekulat e rëndësishme gjenden më shumë tek mollët të cilat sipas studimit duhen konsumuar rregullisht çdo ditë.

Mollët janë gjithashtu të pasura me antioksidantë, flavanoidë dhe fibër.

Antioksidantët tek molla ulin rrezikun e shfaqjes së tumoreve.

Për më tepër, mollët ndihmojnë kundër tensionit të lartë të gjakut, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.

Ngrënia e një molle në ditë ndihmon jashtëzakonisht shumë kundër problemeve me tretjen dhe konstipacionin.

Në aspekt kalorish, molla është më e mirë se banania dhe të mban ngopur për më gjatë.

Raporti i OKB – Sa do të jetë mosha mesatare e shqiptarëve

Projeksionet e popullsisë të OKB-së janë rishikuar me përkeqësim për Shqipërinë në raport me vitin 2018, për shkak të rishikimit të treguesve të emigracionit.

Sipas një skenari normal, pa rritje të emigracionit dhe rënie të lindjeve mosha mesatare e popullsisë Shqipërisë sipas projeksioneve të OKB-së shkon në vitin 2050 në 50.1 vjeç dhe në vitin 2100 arrin 61 vjeç.

Në skenarin pesimist me vijimësi të emigracionit dhe rënie të lindshmërisë, mosha mesatare e popullsisë arrin në 79.1 vjeç në vitin 2100 dhe gjithsej popullsia banuese brenda Shqipërisë arrin në 512 mijë banorë.

Projeksionet e popullsisë të OKB-së janë rishikuar me përkeqësim për Shqipërinë në raport me vitin 2018, për shkak të rishikimit të treguesve të emigracionit.

Gjithashtu OKB pasuroi projeksionet me tregues shtesë mbi normat e lindshmërisë, vdekjeve dhe anketave kombëtare të nivelit të jetesës, sipas shpjegimeve që shoqërojnë tabelat e popullsisë.

Mosha Mesatare e Shqiptarëve Për Vitin 2020

Në vitin 2020 mosha mesatare e popullsisë shqiptare do të jetë 36.4 vjeç, ndërsa të dhënat kombëtare raportuan se në vitin 2018 mosha mesatare ishte 35.4 vjeç.

Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë do të rritet me ritme më të shpejta se vendet e tjera të grupit të Europës Jugore me dy ose tre fish.

Për shqiptarët mosha mesatare do të rritet me 25 vite gjatë periudhës, për italianët vetëm 6 vite, për boshnjakët 9.8 vite, për grekët 7 vite, për kroatët 8 vite, për serbët 10.5 vite dhe për maqedonasit 11.1 vite.

Mosha e mesatare e shqiptarëve do të rritet gjatë këtij shekulli gati dy herë më shumë se e popullsisë rajonale dhe tre herë më shumë se vendeve të Europës Jugore.

Skenari pesimist i OKB-së parashikon që deri në vitin 2100 në Shqipëri të banojnë rreth 512 mijë banorë ku 70 për qind e tyre do të jenë pleq të 70 -ve.

Çfarë Parashikohet për Dekadat e Tjera

Në parashikimet e publikuara në vitin 2018, sipas variantit të lartë të parashikimit (me normë të lartë fertiliteti), popullsia e vendit në vitin 2100 pritej të mbetej në rreth 2.8 milionë persona, në një rënie të lehtë nga niveli aktual prej 2.87 milionë banorësh.

Por vetëm një vit më pas, në 2019-n, pritshmëria është ulur ndjeshëm edhe për variantin optimist.

Në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë, ose 31% më pak se parashikimi i një viti më parë në rastin më të mirë dhe 512 mijë banorë në rastin më të keq./Burimi:Monitor

Kur aktiviteti fizik bën dëm për shëndetin – Shenjat që duhet të dini

Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti i tepruar fizik mund të dobësojë sistemin imunitar dhe të nxisë osteoporozën dhe frakturat

 

Aktiviteti fizik është i domosdoshëm për shëndetin e njeriut por në disa raste ai mund të bëhet i dëmshëm.

Këto raste kanë të bëjnë kur njeriu kryen aktivitet fizik përtej lodhjes, dhimbjeve muskulare dhe duke injoruar gjuhën e trupit.

Duke lexuar më poshtë, do të kuptoni shenjat paralajmëruese të organizmit që tregojnë se po e teproni me aktivitetin fizik.

Kur e Teproni Me Ushtrimet Dhe Aktivitetin Fizik

Njeriu ka tendencën ta shtyjë veten përtej limiteve, diçka tepër e dëmshme kjo, sidomos në rastin e aktivitetit fizik.

Shenjat që tregojnë se po e teproni janë:

Ndjesia e lodhjes së fortë e drobitëse

Humbje të energjisë,

Ftohje kronike dhe infeksione,

Pagjumësia,

Shtim në peshë,

Dhimbjet.

Atletët besojnë se në momentin që shtojnë peshë ata duhet të ushtrohen më fort e të ngrejnë më shumë pesha.

Në këtë mënyrë, rreziku është i lartë që problemet të përkeqësohen.

Si Ta Merrni Veten Pas Aktivitetit të Tepruar Fizik

Muskujt e drobitur kanë nevojë për kohë që të shërohen e të rimëkëmben.

Ekspertët rekomandojnë disa ditë pushim për largimin e dhimbjeve.

Në disa raste, rimëkëmbja nga aktiviteti i tepruar fizik bëhet më i vështirë dhe mund të zgjasë 6 deri në 8 javë.

Në raste të tjera, ekspertët thonë se programet e aktivitetit fizik duhen reduktuar me 50 deri në 80 përqind deri sa trupi të rimëkëmbet nga stërmundimi.

Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti i tepruar fizik mund të dobësojë sistemin imunitar dhe të nxisë osteoporozën dhe frakturat.

Në raste ekstreme, njeriu vuan nga dëmtime të zemrës dhe probleme të tjera kardiake.

Nëse vini re që po e teproni me ushtrimet dhe palestrën, është e udhës që të takoheni me një mjek, terapist fizik ose trajner personal.

Të tre mund të japin këshilla të mira e të sakta se si ta ruani organizmin nga drobitja./AgroWeb.org

Kundër kollës dhe bronshitit – Kura me banane dhe mjaltë

Banania dhe mjalti njihen për aftësitë e tyre në qetësimin e fytit dhe mushkërive.

Kolla kronike dhe bronshiti janë probleme shëndetsore stërmunduese për organizmin.

Në shumicën e rasteve, këto probleme kërkojnë trajtim të imtësishëm mjekësor.

Përveç tyre, përdoren edhe kura natyrale për të çliruar rrugët e frymëmarrjes.

Kjo kurë e re natyrale e sugjeruar nga AgroWeb.org përmban përbërës të fuqishëm , të cilët gjendet lehtësisht në çdo kuzhinë shqiptare.

Banania dhe mjalti njihen për aftësitë e tyre në qetësimin e fytit dhe mushkërive, por edhe në kurimin e kollës dhe bronshitit.

Kura me Banane dhe Mjaltë

Kura me banane dhe mjaltë, pranohet të ketë efekt të menjëhershëm jo vetëm kundër fytit të thatë apo kollës por edhe për problemet me stomakun.

Si ta përgatisni kurën me banane dhe mjaltë.

Përbërësit:

400 ml ujë të zier

2 banane të pjekura mirë (mundësisht me lëkurë të pikëzuar)

2 lugë gjelle me mjaltë

Përgatitja:

Qërojini bananet dhe shtypini me një lugë druri deri sa të bëhen pelte.

Mos përdorni enë metalike sepse banania ka tendencën të nxihet nëse bie në kontakt me metalin.

Vendoseni purenë e bananes në një enë dhe shtoni ujin e zier, të ngrohtë.

Lërini të qëndrojnë së bashku për tridhjetë minuta.

Kur lëngu të jetë ftohur, shtoni mjaltin.

Nëse ju pëlqejnë lëngjet transparente mund ta kulloni. Por mund ta përzieni e ta pini edhe të plotë.

Është e rëndësishme që mjalti të jetë përbërësi i fundit që shtohet në kurë që mos të humbë vlerat e tij si pasojë e nxehtësisë së ujit.

Si ta konsumoni

Pini 100 ml të kësaj kure, 4 herë në ditë.

Kjo sasi është e mjaftueshme për një ditë, ndaj të nesërmen ju mund të përgatisni një dozë të re.

Rezultatet e para priten pas katër-pesë ditësh.

Konsumi i bananes gjatë të ftohurës dhe sëmundjeve respiratore është i rekomandueshëm.

Kjo vjen për shkak të profilit të pasur ushqimor të bananes që jep energji por edhe ofron proteina, vitamina, minerale, fibër dietike.

Një prej mineraleve më të fuqishëm  është magnezi që balancon elektrolitet.

Ndonëse bananet nuk përmbajnë vitaminë C, kompensimi vjen nga përdorimi i mjaltit që përpos saj, ofron edhe shumë antioksidantë që luftojnë inflamacionin./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Shurupi i kollës me shegë dhe mjaltë – Si ta përdorni për shërim të shpejtë

Kolla mund të kurohet mjaft mirë me kura natyrale.

Kolla nuk duhet nënvlerësuar apo anashkaluar.

Ajo shkakton vështirësi në sistemin imunitar dhe e drobit organizmin.

Pasi dobëson mekanizmat mbrojtës të imunitetit, kolla e ka rrugën e lirë që të zgjasë edhe gjatë natës duke shkaktuar trazira të tjera në organizëm.

Kolla mund të kurohet mjaft mirë me kura natyrale të cilat janë po aq efikase sa medikamentet që merren në farmaci.

Lexoni disa sugjerime nga AgroWeb.org mbi përdorimin e shegës dhe mjaltit.

Vlerat E Shegës Kundër Kollës

Gjethet, lulja, lëkurat dhe kokrrat e shegës kanë vlera kuruese për të gjithë organizmin.

Lëngu i shegës ka një efekt shumë mirëbërës për fytin dhe rrugët e frymëmarrjes.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ky lëng është shumë i pasur me vitaminë A dhe C të cilat fuqizojnë imunitetin.

Përveç pastrimit të rrugëve të frymëmarrjes, shega është mirëbërëse edhe kundër kollës.

Shurupi I Kollës Me Shegë Dhe Mjaltë

Ekspertët e mjekësisë alternative rekomandojnë përzierjen e lëngut të shegës, xhenxhefilit dhe mjaltit për përgatitjen e një shurupi krejt natyral kundër kollës.

Për përgatitjen e kësaj kure ju nevojiten:

1 lugë gjelle me lëng të freskët dhe natyral shege i shtrydhur

1 lugë gjelle me lëng të freskët xhenxhefili i shtrydhur

1 lugë gjelle me mjaltë.

Të gjithë përbërësit përziejini mirë deri sa të formoni një shurup të njëjtrajtshëm.

Këtë shurup duhet ta pini 3-4  herë në ditë nga një lugë çaji.

Mund ta përsërisni për disa ditë.

Shega, xhenxhefili dhe mjalti janë përbërës natyralë dhe të shëndetshëm. Bashkimi i tyre në këtë shurup shkurton kohëzgjatjen e kollës dhe zbut sekrecionet dhe ashpërsinë e saj.

Kjo kurë natyrale është e dobishme edhe për të rritur imunitetin, kuruar aneminë dhe bronshitin.

Shega rekomandohet edhe për kollën që prek fëmijët.

Për fëmijët mbi 2 vjeç, rekomandohet të përzieni sasi të barabarta të lëngut të xhenxhefilit, mjaltit dhe lëngut të shegës.

Ky shurup u duhet dhënë fëmijëve tre herë në ditë nga një lugë çaji.

Mjalti nuk rekomandohet për fëmijët nën 2 vjeç.

Shenjat treguese që e ftohura ka kaluar në bronkit – Kurat natyrale

Bronshiti është një sëmundje që shkaktohet nga infeksioni ose irritimi i rrugëve të frymëmarrjes.

Kufiri mes të ftohurës dhe bronshitit është i hollë sa një fije peri, thonë mjekët.

Sipas tyre, një kollë e thjeshtë mund të transformohet në një problem më të rëndë me mushkëritë, nëse pacienti nuk tregohet i vëmendshëm ndaj simptomave.

Kolla është një nga simptomat më dominuese të të ftohurës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kolla është një instrument i vënë në punë nga imuniteti për të eliminuar sekrecionet e tepërta të mbushura me toksina dhe baktere.

Por nëse kolla vazhdon edhe pasi e ftohura është larguar, atëherë duhet të shkoni menjëherë tek mjeku.

4 Shenjat Treguese Që E Ftohura Ka Kaluar Në Bronshit

Një njeri i vëmendshëm mund ta kuptojë nëse e ftohura ka kaluar në bronshit në rastet kur:

Kolla zgjat më shumë se dy ose tre javë

Ka temperaturë,

Kolla shoqërohet me sekrecione të plota dhe me ngjyrë,

Ka vështirësi në frymëmarrje ose frymëmarrja shoqërohet me fishkëllima.

Çfarë Është Bronshiti Dhe Përse Duhet Marrë Seriozisht

Bronshiti është një sëmundje që shkaktohet nga infeksioni ose irritimi i rrugëve të frymëmarrjes.

Ai shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje si pasojë e ngushtimit dhe irritimit të këtyre rrugëve.

Bronshiti gjithashtu shoqërohet me sekrecione të shumta dhe kollë të fortë.

Bronshiti mund të jetë kronik dhe akut dhe trajtimet bëhen në varësi të llojit.

Bronshiti Akut

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, bronshiti akut është i përkohshëm dhe shkaktohet nga një virus.

Ai nuk shfaqet kur pacienti preket nga një infeksion bakteral.

Simptomat e tij janë: kolla me sekrecione pa ngjyrë, temperaturë, plogështi, rrjedhje të hundëve, bllokim të kraharorit, ethe, vështirësi në frymëmarrje.

Duke qenë se bronshiti akut shkaktohet nga një virus, atëherë ai nuk trajtohet me antibiotikë.

Bronshiti Kronik

Në rastin e kësaj sëmundjeje, kolla zgjat deri 3 muaj.

Rrugët e frymëmarrjes të prekura nga bronshiti kronik janë të irrituara në mënyrë të vazhdueshme dhe mund të shkaktojnë dëmtim të përhershëm të mushkërive.

Duhanpirja është një nga shkaqet kryesore të bronshitit akut.

Si Ta Trajtoni Bronshitin Në Kushtet E Shtëpisë

Pini lëngje çdo një deri në dy orë,

Pushoni sa më shumë,

Mos pini duhan,

Përdorni shurupin e shegës ose banane me mjaltë

E fundit por jo nga rëndësia, ndiqni me rigorozitet këshillat e mjekut./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Higjiena e qëndrimit para kompjuterit, dhe vitamina e domosdoshme

Duke u fokusuar në ekranin e kompjuterit, sytë gjithmonë reagojnë ndaj pikave të ndritshme dhe të errëta. Ndaj ata që punojnë në kompjuter kanë nevojë për vitaminë A.



Sytë harxhojnë shumë rodopsinë, pigment fotosensitiv, që është i nevojshëm për të parë sa më mirë. Vitamina A luan rol të rëndësishëm në prodhimin e rodopsinës.

Njerëzit të cilët duhet ta zvogëlojnë marrjen e yndyrave dhe kolesterolit, mund të hanë ushqim në të cilin ka më shumë beta-karotene.

Ato janë të pranishme në shumicën e perimeve, pastaj në pemët siç janë kumbullat e thata, pjepri, pjeshka dhe mango.

Këshilla për ata që punojnë në kompjuter:

  1. Ruani pjerrësinë e tastierës, kur lexoni dhe shkruani.
  2. Për të pasur një qëndrim të mirë, krijoni pjerrësinë në lexim ose shkrim, të ngjashme me bankat e shkollës. Pjerrësia duhet të jetë 20 gradë.
  3. Sfondi përtej ekranit të mos jetë asnjëherë krejt i errët. Të mos ketë reflekse në ekran kontrasti dhe drita e ekranit të rregullohen në vlera mesatare.
  4. Ekrani duhet të jetë rreth 50–60 cm larg syve.
  5. Mundësisht të përdoret filtër për ekranin kundër reflekseve.
  6. Të rrotullohen sytë në ambientin përreth ose të paktën çdo një orë të bëhet një pushim prej 15 minutash.
  7. Punoni me dritë natyrale sa më shumë.

A po përhapet epidemia e meningjitit në Shqipëri? – Reagon Ministria

Bëhet fjalë për virusin Meningococcemia, për të cilin deri tani zyrtarisht është konfirmuar vetëm një viktimë.

Përhapja e lajmit se në Shqipëri po qarkullon një epidemi e rrezikshme shoqëruar me viktima ka përhapur panik tek qytetarët.

Bëhet fjalë për virusin Meningococcemia, për të cilin deri tani zyrtarisht është konfirmuar vetëm një viktimë.

Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Ajo ka folur për situatën ku ndodhet vendi ynë në raport me sëmundjen e meningjitit. Rasti i parë i të prekurve në Shqipëri ishte i efektivit që ndërroi jetë pak ditë më parë, që solli dhe rritjen e shqetësimit tek qytetarët.

Por zëvendësministrja ka qetësuar qytetarët. E ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, zv.ministrja deklaroi se nuk ka vend për panik, pasi nuk kemi të bëjmë me një epidemi, por është një situatë e zakonshme e stinës.

 Nuk ka vend për panik – Nuk është epidemi

“Në lidhje me panikun e meningjitit, është vërtet një sëmundje e rëndë, por është e zakonshme, që haset nëpër spitale, sidomos në këtë periudhë.

Absolutisht fare që nuk mund të flasim për epidemi, madje këtë vit ka pasur më pak raste. Nuk ka fare vend për panik, është një situatë e zakonshme, që ndodh të paktën në 20 vite që e ndjekim ne.

S’ka vend për panik dhe epidemi, e them këtë me shumë përgjegjësi. Po të hysh në detaje, do thosha le të fokusohemi më mirë te gjërat e mira, si psh, që nga 1 janari nuk do kenë më nevojë të shkojnë nëpër zyra për dokumente, pasi çdo gjë është online.

Nuk do ketë më nevojë tani për qytetarët, të shkojnë e të kërkojnë dokumente, pasi është detyrë e shtetit, që t’i marrë ato.

Më mirë është që qytetarët të merren me këto gjëra të mira, që ua lehtësojnë jetën, se sa të merren me përralla, se meningjiti është një gjë e zakonshme”, tha zv.ministrja Rakacolli.

Çfarë është meningjiti – Si të mbroheni nga rreziku

Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me bakterin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara.

Situata e gripit në vendin tonë është zgjeruar në disa mijëra të prekur duke shënuar edhe pacientë me simptoma të rënda.

Sipas ISHP rreth 11 mijë persona i janë drejtuar spitaleve këto ditë me probleme të rrugëve të frymëmarrjes apo temperaturë të lartë.

Frika për përhapjen e një epidemie apo sëmundjes së meningjitit pas shënimit të viktimës së parë, ishte prezente për disa ditë.

Kryesisht në kryeqytet dhe në qytete të mëdha ku numri i të prekurve ishte dhe më i madh.

Pas konfirmimit se sëmundja e meningjitit nuk është një rrezik për vendin dhe situata e gripit është nën kontroll dhe normale për kohën, mjekët rekomanduan që gjithësesi të mos neglizhohen simptomat.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju tregojmë se çfarë mund të shkaktojë bakteri i meningjitit në organizëm, si ta kuptoni që jeni infektuar dhe si të veproni me shpejtësi.

Çfarë është meningjiti?

Meningjiti është një lloj sëmundje që vepron me anë të baktereve dhe prek membranat që rrethojnë trurin dhe shtyllën kurrizore.

Duke sulmuar këto membrana që janë përgjegjëse për mbrojtjen e sistemit nervor qëndror, organizmi bëhet më vurnerabël dhe i dobët.

Kështu pasojat e sëmundjes fare lehtë mund të jenë fatale.

Lloji më i rrezikshëm është meningjiti bakterial i cili mund të çojë në probleme serioze të organizmit apo humbjen e jetës.

Çdo vit në botë më shumë se 1.2 milion persona vuajnë nga kjo sëmundje.

Në vitin 2006 bakteri i meningjitit ishte vdekjeprurës në masën 34%, ndërsa tek pjesa tjetër e njerëzve të prekur sëmundja la pasoja të përherëshme.

Konsiderohet si një sëmundje serioze e cila zakonisht shfaqet në stinën e dimrit, në mot shumë të ftohtë.

Bakteri që shkakton këtë sëmundje mund të kalohet nga një person në tjetrin me anë të teshtimave, kollitjes apo sekrecioneve të ndryshme.

Disa tipe të veçanta të sëmundjes mund të transmetohen edhe nëpërmjet ushqimit.

Më të rrezikuarit

Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me bakterin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të cilës i referohet AgroWeb.org, meningjiti prek më së shumti personat mosha 1 deri në 30 vjeç.

Kjo ndodh sepse sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht bebet, femijet dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar këtë bakter.

Mund të shfaqet në mënyrë të papritur në çdo cep të globit edhe pse në zonat ku epidemitë janë të shpeshta, siç është Afrika rreziku është shumë i madh.

Simptomat e meningjitit

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen në një kohë shumë të shkurtër.

Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

Tek simptomat e sëmundjes përfshihen:

Të vjellat

Marramendja

Temperatura e lartë

Dhimbja e muskujve

Ndjeshmëria ndaj dritës

Dhimbja e kokës

Konfuzioni

Gjymtyrë të ftohta

Skuqje e lëkurës

Ndërsa tek fëmijët mund të shikoni edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtë, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.

Çfarë të bëni

Meningjiti është një sëmundje e rrezikshme, por e kurueshme dhe gjithnjë prezente mes njerëzve.

Mjafton të merrni masat e duhura kundra saj.

Sapo të ndjeni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku apo të drejtoheni në urgjencën më të afërt.

Kjo sëmundje serioze trajtohet me anë të antibiotikëve dhe medikamente të tjera vetëm në spital.

Për ta parandaluar sëmundjen këshillohet bërja e vakinës kundër meningjitit e cila aplikohet si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

Gjithësesi thelbësore është të konsultoheni në kohë me mjekun për simptomat pa kaluar 24 orët e para kritike të sëmundjes.